Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Era Balaj

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

KultPlus ju sjell Era Balaj, e cila edhe pse në një moshë kaq të re arriti që me shumë sukses të paraqitej në filmin “Luanesha e Kodrës” dhe shijojë suksese ndërkombëtare.

Era Balaj së bashku me Flaka Latifi dhe Uratë Shabani, fituan çmimin “Zemra e Sarajevës” për aktoren më të mirë. /KultPlus.com

Credits: Doug Peters

Me e dashtë lirinë e Nanës

Shkruan: Sibel Halimi

Me e dashtë lirinë e Nanës

Tutna me shkru veç për gratë
se s`du asnjiherë me ju hi n`hak
Kurrë njoftë lirinë s`ia kemi
Veç kemi dërdëllitë
e kemi ba nanën
plagë të përvujtun
e kemi shtri për toke
e kemi naltësu në vargje
ia kemi rritë dashninë,
madhështinë
prej rolit s`kemi mujtë me nxjerrë
Kauzën ja kemi kriju, por zanin kurrë digju
Se kjo shoqni ka zanë n`thu
Nanën kauzë politike tu e ba
Liria e saj nuk asht dogma e jote – as e jemja
Është veç ajo, liria e saj

po

Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Flaka Latifi

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

KultPlus ju sjell Flaka Latifi, e cila këtë vit arriti që të shpalos ulërimën e saj të zjarrtë përmes filmit ”Luanesha e Kodrës”, filmi me regji Luana Bajrami arriti që të triumfojë në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Flaka Latifi së bashku me Era Balaj dhe Uratë Shabani, fituan çmimin “Zemra e sarajevës” për aktoren më të mirë. Latifi vlerësohet si një aktore që do të lë gjurmë në botën e artit në Kosovë. /KultPlus.com

KFOR uron 8 Marsin: Ajo sakrifikohet për ju, prandaj thuajini faleminderit, bëjeni të ndjehet e veçantë duke i uruar Ditën e Gruas

Me një video të veçantë, misioni i KFOR-it në Kosovë ka uruar 8 Marsin apo ndryshe Ditën e Gruas, shkruan KultPlus.

Gra të ndryshme janë pjesë e NATO-s dhe si të tilla ato janë paraqitur në gideo, ku tregohet se puna e tyre është e ndryshme dhe luajnë një pjesë kyçe në vend.

“Ajo do ju bëj të qeshni, edhe nëse brenda vetes është duke qarë. Ajo do të ndjehet e stresuar edhe nëse mendimet nuk i ka të tilla. Ajo do ju jap shpresë edhe nëse është duke luftuar”, thuhet në video.

Në fund, kjo video përfundon me mesazhin:, “Ajo ju bën të lumtur dhe të qeshni edhe nëse ka dhimbje. Ajo sakrifikohet për ju, prandaj thuajini “faleminderit”, bëjeni të ndjehet e veçantë duke i uruar Ditën e Gruas”. /KultPlus.com

Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Loriana Kuka

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

KultPlus ju sjell Loriana Kuka, e cila këtë vit arriti që të fitojë medaljen e artë në garat e mbajtura në Sarajevë.

Kuka u rikthye pas lëndimit shtatë mujor, për të treguar se forca, puna e dëshira e madhe për të fituar janë gjithmonë brenda jush. /KultPlus.com

Matoshi me mesazh për gratë: Lumturia është me qenë e lirë, e pavarur dhe e suksesshme

8 Marsi shënon ditën e grave dhe thirrjen që fuqizimi i tyre të jetë më i madh dhe rrjedhimisht të ketë më shumë barazi gjinore nëpër botë, shkruan KultPlus.

Aktorja e njohur, Adriana Matoshi, u ka bërë thirrje grave në këtë ditë që të jenë sa më të lira, të pavarura dhe të suksesshme.

Ky është postimi i plotë në “Facebook” (pa ndërhyrje):

“GRA, duheni me kuptu e me ia shti vetit n’kry qe LUMTUNIA osht me kon e lire, e pavarun, e suksesshme! Ni BURR i dhunshem e tradhtare nuk te duhet sen. JETA osht shume ma e mire se sa dhuna psiqike e fizike. Mos duroni,po punoni e gjallnoni, keshni, veshnu e ndreqnu. Jo veç per 8 mars, po per dite t’lume qe na ka fale e na fale i lumi Zot. Gezuar per ton jeten zemrat e mia!”, shkroi Matoshi.

Dita Ndërkombëtare e Grave i ka fillesat e saj qysh në fillim të viteve 1900, nga aktivitetet e lëvizjeve të punës në Amerikën e Veriut dhe në të gjithë Evropën. /KultPlus.com

8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas

Dita Ndërkombëtare e Gruas (8 mars) është një ditë botërore që feston arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave. Dita shënon gjithashtu një thirrje për veprim për përshpejtimin e barazisë gjinore.

Dita Ndërkombëtare e Grave i ka fillesat e saj qysh në fillim të viteve 1900, nga aktivitetet e lëvizjeve të punës në Amerikën e Veriut dhe në të gjithë Evropën. Dita Ndërkombëtare e Gruas është një ditë kolektive e celebrimit global dhe një thirrje për barazi gjinore. Kjo ditë ka të bëjë me unitetin, festimin, reflektimin, avokimin dhe veprimin. Dita Ndërkombëtare e Gruas po ndodh për më shumë se një shekull – dhe vazhdon të rritet.

“Historia e luftës së grave për barazinë nuk i përket asnjë feministeje të vetme, dhe as një organizate, por përpjekjeve kolektive të të gjithë atyre që kujdesen për të drejtat e njeriut” – Gloria Steinem, aktiviste, feministe, gazetare, politike. / KultPlus.com

‘E kisha tradhtuar me të tjera, veç asaj duke i qëndruar besnik’

Poezi nga Czesław Miłosz

Duke i dhënë lamtumirën sime shoqeje, Janinës

Vajtojcat ia kthenin motrën e tyre zjarrit.
Dhe zjarri, njëlloj si ai që soditnim së toku.
Ajo dhe unë, martuar kaq vite.
Bashkuar me besën për të keq e për të mirë, zjarri
Në oxhakë dimrit, kampeve, qyteteve që digjen,
Themelor, i kulluar, prej zanafillës së planetit Tokë,
Ia zhvishte lumin gri të flokëve,
I rrëmbente gojë e gushë, e gëlltiste, zjarri.
Ai që në gjuhën njerëzore shpreh dashurinë.
S’doja t’ia dija për gjuhë. As për fjalët e lutjes.
E kisha dashur, pa ditur cila qe në të vërtetë.
E kisha bërë të vuante, teksa gjurmoja vegime.
E kisha tradhtuar me të tjera, veç asaj duke i qëndruar besnik.
Jetuam mes një lumturie e fatkeqësie të paanë,
Mes ndarjesh, arratish që s’kanë të rrëfyer. Dhe tanimë ky hi.
Dhe deti rreh bregun teksa çapitem shëtitores së shkretë.
Dhe deti rreh bregun. Dhe përvoja e gjithësishme.
Si mund të mbrohesh prej hiçit? Cila forcë
Mund ta ruajë atë që ish dikur, nëse kujtesa këputet?
Se pak gjëra më vijnë në mend. Kaq pak gjëra më vijnë në mend.
Vërtet, rijetimi i kujtesës do të ishte Gjyqi i Fundmë,
Që Mëshira jonë ndoshta e shtyn nga dita në ditë.
Zjarr, çlirim prej rëndesës. Molla s’rrëzohet përdhe,
Mali tundet nga vendi. Përtej perdes së zjarrit,
Një qengj që rri në livadhin e trajtave të pabjerrshme.
Shpirtrat në Purgator përzhiten. Herakliti i marrë
Sheh flakën tek përpin themelet e botës.
A besoj në ringjalljen e trupit? Jo prej këtij hiri.
Thërras, përgjërohem: shpërbëhuni, elementë!
Rilindni në tjetrën, që ardhtë, Mbretëri!
Përtej zjarrit tokësor ndërthuruni edhe një herë!

Përktheu: Romeo ÇollakuKultPlus.com

Fotografia: Sophie Bassouls /Sygma/ Getty Images

Poezia e Naim Frashërit kushtuar hapjes së mësonjëtores shqipe në Korçë

Poezi nga Naim Frashëri

O vëllezër shqiptarë
Gëzohi! që erth kjo ditë,
Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë
Që sjell gjithë mirësitë.

Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë!
Se arriti koh’ e mirë,
U gdhi nata u bë ditë

Lumja ti moj Korç’ o lule!
Q’i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule,
Ta paçim për jetë hua

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë!
Sa e bukur sa e vlerë! / KultPlus.com

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë fillon seancën dëgjimore për Ukrainën, Rusia refuzon të marrë pjesë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka filluar seancën dëgjimore ku Ukraina paraqet argumentet e saj verbale kundër Rusisë. Ukraina i ka kërkuar gjykatës të marrë masa paraprake duke e urdhëruar Rusinë të ndalë të gjitha operacionet ushtarake në këtë vend. Rusia ka vendosur të mos përfaqësohet me juristët e saj në këtë seancë të gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara.

Me mospjesëmarrjen e saj, Rusia kritikoi kështu zhvillimin e një seance dëgjimore në gjykatën më të lartë të OKB-së për të shqyrtuar kërkesën e Kievit për të ndalur sulmin shkatërrimtar të Moskës ndaj Ukrainës.

“Gjykata mblidhet sot për të dëgjuar argumentet verbale të Ukrainës mbi kërkesën e saj për vendosje të masave paraprake në çështjen për akuzat e gjenocidit, sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit. Ukraina kundër Federatës Ruse”, tha presidentja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, gjykatësja amerikane Joan E. Donoghue.

Megjithatë, një radhë karrigesh të rezervuara për juristët rusë qëndronin bosh. Gjykata shprehu keqardhjen për mosparaqitjen e Federatës Ruse gjatë këtyre punimeve.

Seanca dëgjimore vazhdoi sidoqoftë pa pjesëmarrjen e delegacionit rus. Procesi në Pallatin e Paqes të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të zgjasë dy ditë, gjatë të cilave Ukraina paraqet argumentet e saj verbale të hënën dhe Rusia ka mundësinë të përgjigjet të martën.

“Ukraina i kërkon gjykatës vendosjen e masës paraprake: Federata Ruse të ndalë menjëherë operacionet ushtarake të filluara më 24 shkurt 2022… Federata Ruse duhet të shmangë çdo veprim dhe të ofrojë të gjitha garancitë se nuk do të ndërmerren veprime që mund të rëndojnë apo zgjasin mosmarrëveshjen në thelb të kësaj çështjeje, ose që mund ta bëjnë mosmarrëveshjen më të vështirë për t’u zgjidhur”,¸lexoi sekretari i gjykatës pasazhe nga kërkesa e paraqitur nga Ukraina.

Një vendim pritet të merret brenda disa ditësh, megjithëse do të mbetet për t’u parë nëse Rusia do të zbatonte urdhrin që mund të japë gjykata. Vendimet e gjykatës janë të detyrueshme dhe përgjithësisht vendet i zbatojnë ato. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është gjykata më e lartë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shteteve. Megjithëse një çështje mund të vazhdojë me vite, gjykata ka procedura të përshpejtuara për zbatimin e masave paraprake për të parandaluar një përkeqësim të situatës. /Express/ KultPlus.com

Ambasadori i Gjermanisë Rohde: Kosova nuk rrezikohet, e ruan KFOR-i

Joern Rohde, ambasador i Gjermanisë në Kosovë ka folur për situatën e sigurisë ne vendin tonë.

Rohde iu bashkua një proteste në Prishtinë, të hënën, për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën. Edhe Beogradi protestoi, të premten mbrëma. Këtu, nuk u sha e kritikua, por u mbrojt e u lëvdua Rusia. Presidenti i saj, Vladimir Putin, të cilit iu bë një mural këtu, u quajt vëlla.

Ngjarja në Serbi, që dikush në Berlin e cilësoi të neveritshme, turpëruese dhe pështymje në vlerat evropiane, nuk e shqetësoi kështu shumë edhe ambasadorin në Prishtinë.

“Janë 7 milionë serbë dhe 2 mijë prej tyre në rrugë, kështu që, sipas meje, disa njerëz që bëjnë thirrje të papërgjegjshme dhe shpërndajnë urrejtje nuk do të thotë që po e shfaqin qëndrimin e gjithë popullit serb”, tha Rohde për Klan Kosova.

“Unë besoj në arsyeshmëri, një parandalim të arsyeshëm dhe, siç e dini, të gjithë duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe mendoj se i tërë rajoni i përket BE-së, kjo është ajo që edhe qeveria ime e re e ka shprehur. Ky është prioriteti ynë dhe për këtë arsye do të ketë edhe vizita zyrtare së shpejti në Kosovë”.

Rohde komentoi edhe situatën e sigurisë në Kosovë, pas luftës që nisi Rusia.

“Sikur e dini shumë mirë, ne jemi partnerë të fuqishëm të Kosovës, KFOR-i është këtu duke e monitoruar situatën dhe unë ju garantoj se tani për tani nuk ka ndonjë shenjë rreziku”. / KultPlus.com

Besarta Jashari publikon fotografinë e rrallë të kryekomandantit të UÇK-së: E donte shumë jetën por më shumë e deshi lirinë

E mbijetuara e betejës historike të 5, 6 dhe 7 marsit, Besarta Jashari vajza e heroit, Hamëz Jasharit në rrjetin social “Facebook”, sot ka publikuar një fotografi të kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari, përcjell KultPlus.

Në fotografi ai shihet të jetë në një veshje krejtësisht të zakonshme nga siç jemi mësuar ta shohim.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e saj të plotë:

“Kryekomandanti i UÇK-së, më ndryshe!

E donte shumë jetën, e shijonte atë në mëmëdhe.

Por më shumë e deshi lirinë, për të cilën dha çdo gjë.

Gëzuar Epopeja e të lavdishmes UÇK”, ka shkruar Jashari në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Kosova dënon sulmin mbi Konsullatën e Shqipërisë në Ukrainë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, dënon sulmin e forcave ruse mbi Konsullatën e Nderit të Shqipërisë në qytetin Kharkov në Ukrainë.

Objekti ku ndodhej stafi i Konsullatës Shqiptare është shkatërruar në tërësi, nga forcat ajrore ruse mëngjesin e së hënës.

MPJD i cilëson të papranueshme sulmet e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë, të cilat në ditët e fundit kanë cak institucionet diplomatike, pasi ditë më parë njëjte është sulmuar edhe Konsullata e Sllovenisë.

MPJD bën thirrje edhe njëherë për ndërprerje të sulmeve ruse mbi territorin ukrainas.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, dënon sulmin e forcave ruse mbi Konsullatën e Nderit të Shqipërisë në qytetin Kharkov në Ukrainë.  Objekti ku ndodhej stafi i Konsullatës Shqiptare është shkatërruar në tërësi, nga forcat ajrore ruse mëngjesin e së hënës. MPJD i cilëson të papranueshme sulmet e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë, të cilat në ditët e fundit kanë cak institucionet diplomatike, pasi ditë më parë njëjte është sulmuar edhe Konsullata e Sllovenisë. MPJD shpreh bën thirrje edhe njëherë për ndërprerje të sulmeve ruse mbi territorin ukrainas. Qeveria e Kosovës i qëndron pranë institucioneve dhe popullit të Ukrainës, në këtë periudhë ku sulmi rus po egërsohet edhe mbi popullatën civile”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Ushtria ruse ka sulmuar edhe konsullatën e Shqipërisë në Kharkiv. Lajmi e bëri me dije nga Ministria e Punëve të Jashtme për Evropën e Shqipërisë. Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka reaguar ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, përmes një mesazhi në Twitter, duke dënuar sulmin.

“Shqipëria dënon ashpër agresionin #rus që çoi në shkatërrimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi!”, thuhet në reagimin e ministrise, e cila ka publikuar edhe fotot.

Qeveria e Kosovës i qëndron pranë institucioneve dhe popullit të Ukrainës, në këtë periudhë ku sulmi rus po egërsohet edhe mbi popullatën civile. / KultPlus.com

Ditën kur vodha orën e shokut mësuesi nuk më turpëroi, por më dha mësimin më të madh të jetës

Sot, KultPlus sjell një rrëfim tejet emocionues që tregon rëndësinë dhe vlerën e madhe të mësuesit.

Një zotëri i ri në moshë takon një të moshuar.

– A më mbani mënd?

– Jo.

– Kam qenë nxënësi juaj.

– Çfarë bëni; Me çfarë merreni?

-U bëra dhe unë mësues, ia kthen djaloshi.

-Si e sheh veten, je i mirë në punën që bën?

-E vërteta është se po. Ju më frymëzuat dhe doja t’ju ngjaj.

I çuditur zotëria i moshuar, pyet të mësojë se çfarë ishte ajo që i mbeti në mëndje dhe e frymëzoi kaq shumë saqë donte të bëhej dhe ai mësues. Dhe ish nxënësi i tij i shpjegoi historinë e mëposhtme.

-Një ditë një shok klase- që ishte dhe shoku im i ngushtë, erdhi në klasë dhe më tregoi një orë të re shumë të bukur. Nuk i rezistova dot tundimit dhe në një çast ia vodha orën. Pas pak, kuptoi se ora mungonte nga xhepi i tij dhe menjëherë lajmëroi mësuesin që jepte mësim në atë orë në klasë, dhe ishit ju.

Ju, pra, iu drejtuat klasës dhe thatë:

-Ora e një shokut tuaj të klasës u vodh gjatë mësimit. Kushdo që e ka vjedhur, i lutem ta kthej menjëherë.

-Më erdhi kaq shumë turp nga ideja e poshtërimit para klasës, saqë nuk guxova të zbulohesha. Pastaj ju mbyllët derën, na the të gjithëve të qëndrojmë në këmbë dhe se do kontrolloje të gjithë xhepat tanë derisa ta gjeje. Por vurët një kusht: se të gjithë ne duhet të lidhnim sytë për të mos parë fajtorin. Dhe kështu ndodhi. Kur arritët tek mua, e gjetët në xhepin tim dhe e morët. Por, ju vazhduat kërkimin dhe në xhepat e të tjerëve dhe kur mbaruat, na the:” tani mundeni ti hapni sytë, ora u gjend.” Nuk e zbuluat kurrë emrin tim para klasës dhe as nuk ma përmende kurrë këtë ndodhi. Prisja të më injoronit, të më poshtëronit, të më përjashtonit, por asgjë nga këto nuk ndodhi. Atë ditë shpëtuat dinjitetin tim përgjithmonë. Ajo ditë ishte dita më e turpshme e gjithë jetës time dhe me mënyrën tuaj më dhatë një mësim. E kujtuat ngjarjen z. Mësues?

-Po, duke të dëgjuar, i kujtova të gjitha. Por ekziston diçka që nuk më kujtohet dhe ajo je ti, sepse edhe unë i kisha sytë të mbyllur kur po i kontrolloja të gjithëve!!

Morali: Nëse duhet të poshtërosh dikë para syve të të gjithë shokëve të tij të klasës për ta dënuar, atëherë vetëm mësues nuk quhesh, thjesht, nuk je. Të tillë mësues kanë prekur shpirtëra dhe mbeten në zemrat dhe kujtesën e nxënësve.

Shqipëruar nga M. Sota

Foto e Robert Doisneau, L’information scolaire, Paris 1956./ KultPlus.com

DPA dhe ASHAK organizuan sesionin shkencor nën lajtmotivin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), kanë organizuar mbajtjen e një sesioni shkencor ditën e sotme, më 7 mars 2022, në mjedisit e institucionit tjetër bashkëpunëtor, Institutit Albanologjik të Prishtinës, përcjell KultPlus.

Në punimet e këtij sesioni të zhvilluara nën lajtmotivin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, morën pjesë dhe kumtuan 25 studiues dhe akademikë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës. Fjala e rastit u mbajt nga Prof. dr. Lulëzim Lajçi.

Në mesin e referuesve qenë krerët e dy institucioneve arkivore shqipfolëse, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, i cili kumtoi mbi organizimin e shtetit shqiptar për pritjen e refugjatëve nga Kosova, si edhe homologu i tij nga Kosova, Mr. Sc. Bedri Zyberaj, që foli lidhur me sprovat e UÇK-së. Në radhët e pjesëmarrësve, u prezantuan me kumtesa edhe Prof. Dr. Paskal Milo, akademiku Pëllumb Xhufi, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Asoc. Dr. Maringlen Kasmi, Prof. Asoc. Dr. Teki Kurti etj.

Në përmbyllje të sesionit, u lexua Deklarata e përbashkët e nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar, prej institucioneve arkivore, përgjegjëse për ruajtjen, administrimin dhe shërbimin e materialeve dokumentareve rreth të kaluarës historike të trojeve shqiptare. Në këtë dokument, datimi i të cilit përkon me 23-vjetorin e krijimi të UÇK-së, shprehej vlerësimi për kontributin dhe rolin e pazëvendësueshëm të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës. / KultPlus.com

Anton Çivlaku performon në instrumentin e Lahutës përballë sallës më të njohur koncertale në botë (VIDEO)

Së fundmi Kosova ka performuar në sallën më të njohur koncertale në botë, “Filharmoninë e Berlinit”, gjë që është historike. E Kosovën më së miri e prezantoi Kori Siparantum i cili po vazhdon të shënojë histori për muzikën korale kosovare, shkruan KultPlus.

Duke shënuar suksese të njëpasnjëshme, Kori Siparantum mori pjesë në Filharmoninë e Berlinit në kuadër të ‘Choral Celebrations’ në mars të vitit 2022.

Ndërkaq, sot KultPlus ua sjell një video të shkëputur nga performanca e Anton Çivlakut në instrumentin e Lahutës, në kishën St. Matheus, ballë për ballë sallës së Filharmonisë së Berlinit. / KultPlus.com

135 vite nga hapja e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë

Muzeu Historik Kombëtar sot përkujtoi 7 marsin e vitit 1887, kur në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri, përcjell KultPlus.

Lidhur me këtë ngjarje të shënuar, më 8 mars 1887, patrioti i shquar Thimi Marko i shkruante me gëzim Visar Dodanit në Bukuresht: “…Msoni Visar që gjer sot dëshira t’onë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoj dhe dha pemë të ëmbla. Gëzjou se dje u hap dhe u shkruan djem mësonjëtorë 35. Zot’ i jetës, o vëlla, e bekoftë dhe e shpëntë përpara për nder të të gjithëvet. Mundimet tona, Visar, dhe të luftuarit e faqezinjvet grekomanë gjer sa mbaruam këtë të shenjtëruarë punë janë aqë shumë sa nuk mund t’ua shkruanj ndë kartë“.

Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin lidhet me dëshirën e zjarrtë të tyre për të përhapur dijen në mesin e popullit. Rilindasit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë. Ata punuan me përkushtim edhe për pajisjen e shkollës me mjetet e duhura didaktike. Nxënësit që mësuan në këtë shkollë kombëtare u edukuan me frymën e patriotizmit. Ata u bënë pasuesit e denjë të ideologjisë kombëtare dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për liri dhe pavarësi.

Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar. Për shkak të sundimit osman, deri në këtë periudhë, mësimdhënia kryhej në mënyrë të fshehtë. Që nga ajo ditë, 7 marsi njihet si dita e mësuesit dhe kremtohet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. / KultPlus.com

“Jehonë Arbëreshe”, festivali MetroSound sjell edicionin e katërt në Teatrin Metropol

“MetroSound Festival” rikthehet me titullin “Jehonë Arbëreshe” që do të zhvillohet në Teatrin Metropol në datat: 10, 11, 12 dhe 17, 18, 19 mars, përcjell KultPlus.

Festivali “MetroSound” vjen nën drejtimin artistik të pianistit, multiinstrumentistit dhe kompozitorit, Robert Bisha.

Në datën 10 mars do të zhvillohet një takim shumë unik me Nicola Scaldaferrin.

Gjatë datave të tjera do të zhvillohen koncerte të ndryshme. Ato vijnë në dimensione të ndryshme, jo vetëm të botës së muzikës, por shkojnë edhe në mënyrë organike, përtej idesë së përcaktimit të një zhanri.

Edicioni i katërt bazohet në kulturën arbëreshe, si një homazh për historinë e saj muzikore.

Ky edicion unik do të sjellë edhe muzikantë fantastikë si treshja: Samaïa, kitaristi elektrik Paolo Angeli, kompozitori pianisti Robert Bisha dhe Kolektivi (partitura për arbëreshët): Agona Shporta – zë, Anastasia Skënderaj – zë, Stefano Dalla Porta në bass dhe Simone Sferruzza në daulle.

“A bën muzika diçka të veçantë për ne që asgjë tjetër nuk mundet?”, është kjo pyetja që do e shoqërojë këtë rrugëtim muzikor të festivalit. / KultPlus.com

Botohet “Andrushi”, proza për fëmijë e autorit më të ri shqiptar Flori Kasaj

Rafteve të bibliotekës së librave për fëmijë, sot i shtohet proza në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, e autorit më të ri shqiptar Flori Kasaj, përcjell KultPlus.

Ky botim u realizua nën mbështetjen dhe kujdesin e shtëpisë botuese “Argeta LMG”, e udhëhequr nga një ekip profesionistësh të botës së librit për fëmijë. Libri shoqërohet me ilustrime autentike të artistit të njohur Endri Beqo që kanë përshkruar bukur dhe me elegancë fjalët e autorit.

Libri nis me parathënie nga Prof. Dr. Klara Kodra, e cila nxjerr në pah gjithë përmbajtjen e tij. Në këtë libër nuk kanë munguar kritikat letrare nga autorë të njohur të librave për fëmijë, veçanërisht nga Dr. Natasha Shuteriqi Poroçani dhe Dr. Erion Kristo, të cilët mes rreshtave përcjellin vlerësimin e tyre kritik për përmbajtjen e tij.

Parathënia e librit nga Prof. Dr. Klara Kodra:

Proza ‘‘Andrushi’’ është një tregim i shkurtër animalistik për fëmijë të vegjël i autorit më të ri Flori Kasaj. Ky tregim dallohet për thjeshtësi, konçizitet dhe dinamizëm, madje edhe për një humor të lehtë, cilësira këto, që i japin një forcë komunikuese me fëmijët të cilët e pëlqejnë rrjedhën e shpejtë të ngjarjeve dhe të papriturat. Dy personazhet kryesore, dy kafshë simpatike siç janë ketrat, janë të antropomorfizuar, po kanë edhe veçoritë e tyre biologjike.Tregime të tilla për fëmijë janë thellësisht edukuese, ngaqë nxisin dashurinë për krijesat e gjalla, ‘‘vëllezërit e vegjël’’ të njeriut, i mësojnë fëmijët të vlerësojnë tiparet e frymorëve në shumëllojshmërinë e tyre, kështu që kanë njëkohësisht vlerë njohëse dhe ideo-emocionale. Interesant e i domosdoshëm për fëmijët libri i trajtuar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht.Autori i ri tregon qysh në këtë tregim të vogël që e njeh mirë psikologjinë e fëmijëve, kështu që mund të fitojë interesin e gjallë të tyre si lexues dhe t’u kultivojë dashurinë për librin.”

Vlerësimi kritik nga Natasha Shuteriqi Poroçani:

Përmes një historie të shkurtër dhe tërheqëse, vjen një zë narrativ i Flori Kasajt, drejtuar një moshe të hershme fëminore, e cila nis përvojën e parë drejt procesit të gjatë e të bukur të leximit. Do të duhet të tregojë për dashurinë, miqësinë, emocionet që dy protagonistët nisin të provojnë ndërsa janë po aq të vegjël sa edhe lexuesit e këtij rrëfimi. Në këto kontekste, gjuha e autorit vjen e pastër, e thjeshtë dhe shumë afër standardit të moshës që do ta marrë në duar këtë libër. Autori e ka parë botën me sytë e fëmijëve, që do të thotë se ka përdorur diskursin e pranueshëm për këtë nivel ligjërimor dhe për më tepër, ka arritur të gjejë lidhjen emotive dhe psikologjike mes trajtimit të tij tematik dhe pritshmërisë së fëmijëve-lexues. Situata që në tregim rrëshqasin duke ia lënë vendin njëra-tjetrës, janë vendosur brenda një korace pozitiviteti, i barasvlershëm me atë që mosha e lexuesit sugjeron. Fjalia është e strukturuar thjesht dhe me organizime të pranueshme për njohjet gjuhësore moshore të lexuesit. Ajo që e bën librin më tërheqës është pasuria ilustrative dhe ngjyrat. Udhë të mbarë Andrushi dhe Andrina!”

Vlerësimi kritik i Dr. Erion Kristo:

Sot letërsisë shqipe i shtohet një personazh shumë simpatik, ketrushi Andrushi. Por Andrushi nuk vjen vetëm, ai vjen bashkë me Andrinën. Dy miqtë shijojnë jetën në një oaz të bukur fshati, ku dimri i ashpër zbutet nga mirësia e njeriut kundrejt kafshëve. Një libër i thjeshtë, i shkruar bukur, në dukje fare pa dramë. Por drama është aty. Drama e mbijetesës. E mbi të gjitha, lidhja e përkryer midis gjallesave në botë, ku me pak kujdes, në këtë botë të madhe ka vend për të gjithë. Loja e bukur e dy ketrushave do të fikej në rast se do të mungonte dashamirësia njerëzore. Një libër që të bën të mendosh. Të bën të mendosh për të ardhmen, të tregohesh largpamës. Të bën të kuptosh dinamikat e natyrës dhe bukuritë e pafund të saj. E mbi të gjitha, libri është një ushtrim i përkryer gjuhësor. Ai është shkruar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Ndaj Andrushi është një prurje më e madhe sesa thjesht personazh i letërsisë shqipe. Fëmijëve do t’u pëlqejnë ilustrimet, por dhe kjo qasje dygjuhësore. Jetë të gjatë Andrushit dhe Andrinës!”

Autori shpreh mirënjohje të thellë për kujdesin e veçantë të Prof. Dr. Klara Kodra dhe të Dr. Natasha Poroçani, si dhe shumë falënderime dhe mirënjohje për Dr. Erion Kristo, i cili është gjithashtu redaktor letrar i librit; falënderime për të gjithë ekipin realizues, artistin e ilustrimeve Endri Beqo, redaktorin e gjuhës angleze Elvis Hyseni, korrektoren letrare Elona Zeraliu; dizajnen e paraqitjes grafike të librit Elzana Agolli, si dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur vazhdimisht për të arritur realizimin e këtij botimi. Këtë botim të parë autori ua dedikon tre nipave, thesareve të tij të zemrës, engjëllit në parajsë Eljonit dhe dy engjëjve në tokë të cilëve iu uron jetë të gjatë Joelit dhe Matteos.

Libri në ditët në vijim do të gjendet në të gjitha libraritë në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe në të gjitha bookstore-t online. / KultPlus.com

‘E desha, o miq, me gjithë zemër, mësuesen e klasës së parë’

Nga Adelina Mamaqi

Poezi pêr Mësuesen

Dhe sot ia dëgjoj zërin e ëmbël,
Dhe sot ia vështroj sytë zjarr.
E desha, o miq, me gjithë zemër,
Mësuesen e klasës së parë.

Ajo më mësoi si të shkruaj
Dy emrat: Atdhe e Nënë,
Këshillat, qortimet e saj,
Ç’mbresa n’shpirt m’kanë lënë!

Një tufë me vjollca e lila
Gjithmonë ia vë mbi varr,
N’zemër me zgjohet dëshira
Ta kem at’ pranë Si më parë.

Ajo zë e flet sërish me mua
Ashtu si kur isha fëmijë!
Në gjirin e kohës së shkuar
Kthehem me mall përsëri.

Dhe dorën që dridhej nga pak
Ndër flokë sërish e ndiej,
Endërrimet e mia miturake
Në sytë e saj prapë i gjej.

Ah, ç’gaz kur dëgjoj zën’ e ëmbël,
Këshillat e saj kur kujtoj!
E desha, o miq, me gjithë zemër
Dhe s’mundem askurr’ ta harroj. / KultPlus.com


Hapet “Autostrada Hangar”, i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren

Pas suksesit në edicionin e tretë të Autostrada Biennale, është angazhuar në institucionalizimin e “Autostrada Hangar” si i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren i cili do të filloj me program të saj vjetor.

Kjo hapësirë multi-funksionale cilësohet se do të jetë vend i cili do t’i plotësoj nevojat e komuniteteve të ndryshme duke e konsideruar prodhimin e artit si formë të qëndrueshme e të mësuarit dhe shkëmbimit.

“Autostrada Hangar” synon të gjenerojë bashkëjetesë midis komuniteteve duke punuar dhe prodhuar së bashku si ekip dhe do të angazhohet për të plotësuar nevojën urgjente për edukim joformal dhe programe të zhvillimit të shkathtësive, për të fuqizuar të rinjtë e Kosovës dhe të rajonit.

Hapja solemne filloi me fjalimin mirëseardhës të bashkë-themeluesve të Autostrada Biennale: Vatra Abrashi, Baris Karamuco dhe Leutrim Fishekqiu, të cilët shpalosën procesin e krijimit të Autostrada Hangar, programin e edukimit dhe “Pavijonin e Gjelbërt” si projekt i ri i cili ka filluar në bashkëpunim të ngushtë me ITP dhe do të zgjerohet edhe me partnerët e tjerë.

Fjalimi vazhdoj me pjesëmarjen e Ministres së Industrisë, Ndërmarësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Ambasadorit Gjerman në Kosovë, Joeren Rohde, të cilët potencuan rëndësinë e projekteve të tilla të cilat fuqizojnë të rrinjët në Kosovë dhe kontribojnë në zhvillim e qëndrueshëm social dhe ekonomik.

Si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren, Autostrada Biennale funksionon me dy shpejtësi: njëra është ekspozita fizike që zhvillohet çdo dy vjet nga viti 2017, tjetra është hapësira e re e edukimit, prodhimit dhe ekspozimit në ish bazën ushtarake të KFOR-it Gjerman tani ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren).

Përmes edukimit, trajnimit dhe prodhimit të hapur drejt ekspozimit, qëllimi i tyre është të zhvillohen modele të reja të krijimit kulturor që do të inkurajojnë brezin e ri të mendoj në mënyrë kritike për artin dhe të bëhet pjesë e procesit të krijimit dhe instalimit të veprave artistike.

Infrastruktura e re e krijuar me mjete dhe paisje të ndryshme, laboratorin teknologjik, hapësirën e ekspozitës, pavijonin e gjelbërt, bibliotekën, barin dhe kuzhinën, hapësirën e përbashkët pune dhe ambientet tjera, do t’i plotësojnë nevojat e komuniteteve që operojnë në fushën e Industrisë Kreative dhe Kulturore por edhe më gjerë.

Për më tepër, hapësira me dy studiot e saj: Atelenë dhe Laboratorin e Teknologjisë, përmes programit të saj të edukimit do të angazhoj ekspertë në fushat e tyre dhe do të ketë një ndikim afatgjatë tek të rinjtë për profesionet e së ardhmes në lidhje me artin, teknologjinë dhe inovacionin. Më konkretisht do të ketë punëtori të vazhdueshme për zhvillim të shkathtësive në: formësim, dizajnim dhe prodhim të drurit, metalit dhe textilit; komunikim dhe multimedia; punëtori për robotikë, kodim dhe elektronikë; dhe punëtori për 3D modelim dhe 3D printim.

Edhe pse hapësira u përdor si një nga hapësirat kryesore gjatë edicionit të tretë në 2021, ku ishte një vit mjaft i suksesshëm me ekspozitën e tyre ndërkombëtare, programin e zhvillimit të aftësive dhe edukimit, nga tani kjo hapësirë do të jetë në funksion me program vjetor.

“Autostrada Hangar” u mundësua me mbështetjen dhe partneritetin bujar të ITP Prizren dhe Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, FfAI Fondacionit për Iniciativa Artistike, Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, UNKT dhe UNDP, Kreativ Qeramika, Gjirafa50 dhe Birra Peja. / KultPlus.com

Muzeu më i madh i artit në Ukrainë tërheq veprat për shkak të pushtimit rus

Punonjësit e muzeut më të madh të artit të Ukrainës po grumbullojnë koleksionet për të mbrojtur trashëgiminë e tyre kombëtare në rast se pushtimi rus përparon drejt perëndimit.

Dyert e Muzeut Kombëtar “Andrey Sheptytsky” në Lviv janë mbyllur që nga fillimi i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës më 24 shkurt, dhe vendet e trashëgimisë në të gjithë vendin përballen me rrezik ndërsa luftimet vazhdojnë.

Fotografia: AP

Drejtori i muzeut eci nëpër korridoret e tij, duke mbikëqyrur ndërsa stafi grumbullonte koleksionet e tij.

Ihor Kozhan tha se merr telefonata çdo ditë nga institucione të tjera kulturore evropiane që i ofrojnë ndihmë ndërsa ai dhe stafi i tij përpiqen për të ruajtur veprat e muzeut.

Në një galeri pjesërisht të zbrazët, punonjësit e muzeut vendosën pjesë baroke të mbështjella me kujdes në kuti kartoni.

Pak metra më tutje, një grup eci poshtë shkallëve madhështore kryesore duke mbajtur një pjesë gjigante të artit të shenjtë, ikonostasin Bohorodchany të shekullit të 18-të.

Mes mureve të zhveshura dhe statujave të mbuluara, Kozhan vajtoi për muzeun bosh, i cili u ka mbijetuar dy luftërave botërore.

“Ndonjëherë qaj, sepse këtu është bërë shumë punë nga stafi ynë, kërkon kohë, energji dhe kur bën diçka të mirë ndjen kënaqësi. Sot sheh mure bosh, kjo të bën të ndihesh i hidhur, i trishtuar”, tha Kozhan.

Fotografia: AP

Anna Naurobska, drejtuese e departamentit të dorëshkrimeve dhe librave të rrallë, tha se ajo ende nuk e di se ku të ruajë në mënyrë të sigurt koleksionin e më shumë se 12,000 artikujve të paketuar në kuti.

“Një muze duhet të jetojë. Njerëzit duhet të jenë në gjendje të vizitojnë muzetë, dhe para së gjithash fëmijët. Ata duhet të mësojnë bazat e kulturës së tyre”, tha Kozhan.

Ashtu si muzeu, vende të tjera në Lviv po nxitojnë të mbrojnë vepra me rëndësi artistike ose kulturore.

Ekspozitat në Muzeun e Historisë së Fesë janë pothuajse bosh, raporton AP.

Gjithashtu në Katedralen Latine, skulpturat janë mbuluar me karton, shkumë dhe plastikë për t’i mbrojtur ato nga dëmtimet e mundshme të copëzave. / KultPlus.com

Fotografia: AP

Mëngjes marsi në Prishtinë

Shkruan: Sali Bashota

Liria bekohet kur e shikojmë njëri-tjetrin në sy
Sigurisht mirësia më nuk përmbyset
Çdo mars nuk e ka të njëjtën magji
Kur zgjohet fjala e dhimbja ngryset

Sikur të heshtim si shpirtra të druajtur
A do të ëndërrojmë pa bërë zë
Sigurisht disa kujtime tashmë janë ruajtur
“Shpejtoni ngadalë”- ka thënë Horaci- asgjë më

Në këtë ditë marsi në Prishtinë
Bora shkund dridhmat në pafundësi
Nëse prapë do ta bartim lirinë mbi shpinë
Si do ta pagëzohet kjo dashuri

Të gjithë s’e kuptojnë ftesën për flijim
Nëse kushtrimi shpërthen ashtu papritur
As shpirtrat s’e kanë më të njëjtin shëmbëllim
Çdo gjë në këtë botë është në të ikur /KultPlus.com

Çeku do të zhvillojë takimin e radhës me komunitetin e skenës së pavarur muzikore

Ministria e Kulturës po vazhdon serinë e diskutimeve të hapura mbi kulturën, përmes bashkëbisedimit në mes të Ministrit Hajrulla Çeku dhe komuniteteve artistike.

Këto takime kanë për qëllim adresimin e sfidave të përbashkëta dhe fuqizimin e rolit të komuniteteve në zhvillimin e politikave.

Pas diskutimit që Çeku pati me komunitetin artistik në Gjilan, tani do të vazhdojë edhe takimin e radhës.

Diskutimi i radhës do të fokusohet në fushën e muzikës dhe mbahet me datë 10.03.2022, ora 16:00, në Kino Armata, Prishtinë. /KultPlus.com