Oğuz Atay: Me sa duket njeriu nuk po mundet të mbahet për njeriun më

Oğuz Atay është romancier turk, shkrimtar dhe dramaturg, i lindur në 1934. Ai shkroi veprat e tij me të kuptuarit e postmodernizmit. Ndërsa shkruante, ndikohej nga shkrimtarë të famshëm si Dostojevski, Franz Kafka, Xhejms Xhojs dhe Vladimir Nabokov. Disa nga veprat e tij janë: “Lojëra të rrezikshme”, “Një roman i shkencëtarit”, “Duke pritur frikën”, “Ata që jetojnë me lojëra”, etj.

KultPlus ju sjell sot disa nga thëniet më të njohura nga Oğuz Atay:

“Para se të të njihja ty, më kanë ikur gjithmonë stinët kur pemët po lulëzonin dhe po binin gjethet”,

“Thënë shkurt doja të të shihja. Njeriu edhe duke parë mund të mbajë peshën e disa gjërave, të hutohet, të vazhdoj të ëndërrojë. Natyrisht ti s’e kupton. Për ta kuptuar, njeriut duhet t’í mungoj diçka”,

“Disa nga ne po mbahemi në poezi, këngë, filma, libra. Me sa duket njeriu nuk po mundet të mbahet për njeriun më”,

“Po rikthehem në botën time të brendshme. Aty nuk ka vend për zhgënjime”,

“Pasi ta thotë gënjeshtrën e parë, nuk duhet të flas më njeriu”,

“Edhe kur flisja me veten time, tentoja t’í pëlqeja asaj”,

“Jam duke ndjerë mall për një vend të largët ku secili jeton ashtu siç do”,

“Nëse do të më harrosh, nëse një ditë do të më lësh e të ikësh, mos më lodh më tha; mos më nxjerr për së koti nga shpella ime”,

“Sepse të duash nuk është një punë e lehtë sikur ta vazhdosh një libër të lënë gjysmë”,

“Ndërkaq e gjithë bukuria jonë ishte pasqyrim i dhimbjes sonë në mes të asaj çka kemi jetuar dhe asaj çka kemi menduar”. / KultPlus.com

Ernesto Sabato: Edhe unë pata menduar të bëj vetëvrasje plot herë në jetën time

Dialog midis Ernesto Sabato dhe Jorge Borges

Sabato: E vërtet, kam pasur njëfarë prirje vetëvrasëse… Sidomos si djalosh dikur.

Borges: Kurse unë, dikur i pata vënë vetes një afat. Pata menduar: “Epo, do të pres shtatëdhjetë ditë. Nëse ndërkohë nuk ndodh asgjë për t’u shënuar, dhe kjo situatë nuk ndryshon, kam për ta vrarë veten. Ndërkaq, po të ndodhë diçka mirëfilli, aq më mirë fundja. Sidoqoftë do theksuar se dikush që ka vendosur të vetëvritet, ndihet si një hero i vërtetë, ndihet tepër i fuqishëm.

Sabato: Sigurisht, ngaqë ka për ta hequr qafe universin…

Borges: Ishim duke kuvenduar me Macedonio Fernández, cili po më shpjegonte se shpirti ishte i pavdekshëm, ndërkohë që diku ngjitur nisën të bënin muzikë nën ritmet marroqe të një kënge që kam përshtypjen se quhet La Cumparsita. Menjëherë i thashë mikut tim Macedonio, “Si thua, ta vrasim vallë veten për të shpëtuar nga kjo muzikë kaq e dobët?”… Këtë ngjarje më vonë ia pata treguar edhe Xul Solar, i cili dukej cazë skeptik, ngaqë më foli vëngër: “Sidoqoftë nuk u vetëvratë”. Flakë për flakë iu përgjigja, në frymën e qesëndisë së tij: “Nuk e di nëse e vramë veten mirëfilli, sepse nuk më kujtohet!”. Gjithsesi, më patën treguar për një ngjarje që thuhet se kish ndodhur në një kafene në rrugën Bolívar, në lagjen Monserrat. Ishte një skutë ku mblidheshin tërë faqezinjtë. Në banak gjendej një tip që po llomotiste se kish një grua, e cila ia kishte vënë brirët të gjorit, arsye për të ciën ai ndihej tejet i vetmuar dhe çoç po mendonte ta vriste veten. Sakaq, dikush tjetër që po e dëgjonte, i tha: “Shiko more mik, kush flet kaq shumë për vetëvrasjen, nuk e bën kurrë vërtet. Të vrasësh veten është tepër e lehtë!” Kur i pati shqiptuar këto fjalë sfiduese, folësi kish nxjerrë befas revolverin dhe ia ngjeshi vetes plumbin në lule të ballit. Nuk e di nëse kjo ngjarje është ndopak e mirëfilltë, ndonëse kam njëfarë bindje se burri me revolver, mbase vërtet kish ndërmend ta vriste veten.

Sabato: Sikur mos të ishte vetëvrarë, do të bënte figurën e palaços. Sepse qëkur e pati nxjerrë revolverin, e dinte fort mirë se nuk i mbeteshin gjasa të tjera veç vdekjes… Gjithmonë kam menduar që burrit xheloz i ofrohen dy mundësi syresh: të blejë një revolver, ose të bëhet si Shekspiri…

Borges: Më kujtohet rasti i atij shkrimtarit japonez që pati bërë harakiri para gjithkujt. M’u duk veprim i mençur. Ia doli mbanë të vdiste si samurai i fundit.

Sabato: Mua seç më duket ca si tepër përdëllyese si shfaqje, ndaj nuk meriton lëvdata. Duket më tepër si diç arrogante. Dua të theksoj, Borges, se nuk flas kështu ngaqë ndihem ndopak më i zoti. Përkundrazi, edhe unë pata menduar të bëj vetëvrasje plot herë në jetën time.

Borges: Edhe unë gjithashtu. Janë mbushur shtatëdhjetë e pesë vite që vazhdoj të vetëvritem. Kam më tepër përvojë se ti, Sabato.

Sabato: (duke buzëqeshur): Gjithsesi nuk ke pasur shumë sukses në këtë aspekt, siç duken bathët.

Borges: E pranoj këtë vërejtje, por sidoqoftë e kam pasur me përkushtim të mirëfilltë.

Përktheu nga bashkëbisedimi origjinal në spanjisht: Elvi Sidheri

Fotografitë: Eduardo Forte/Juan José Pérez. / KultPlus.com

“Rrallë kam pa kso bukurie”, kënga më e dashur e Ibrahim Rugovës (VIDEO)

Presidenti Historik i Kosovës Ibrahim Rugova, kujtohet gjithmonë nga të gjithë qytetarët e Kosovës e poashtu edhe nga familja e tij.

“Rrallë kam pa kso bukurie”, është kënga që ish-presidenti Ibrahim Rugova, thuhet ta ketë dashur më së shumti dhe ta ketë dëgjuar me ëndje.

“Për një natë të qetë dhe të këndshme, larg viber-it dhe përgjimeve, ju ftoj të dëgjoni një nga këngët më të dashura të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova “Rrallë kam pa kso bukurie”, pati shkruar Blerta Kllokoqi Rugova, në rrjetin e saj social Facebook./ KultPlus.com

Filmat që mund të shfaqen premierë në Festivalin e Filmit në Kanë

Organizatorët e festivalit të filmit në Kanë të Francës shpresojnë se kjo ngjarje sivjet në shënim të 75 vjetorit do të tërheqë fytyra të njohura të filmit, si Baz Luhrmann, George Miller e David Cronenberg. Ata shpresojnë se gjatë tij do të shfaqen filma të suksesshëm, siç është Top Gun Maveric, që ta bëjnë festivalin të paharruar.

Festivali i filmit në Kanë do të mbahet prej datës 17 maj deri më 28 maj 2022, dhe radha e filmave të zgjedhur për shfaqje do të bëhet e ditur në javën e tretë të prillit.

Natyrisht se gjërat mund të ndryshojnë, por sipas Variety, është një listë e gjatë filmash që do të shfaqen në këtë ngjarje.

Në mesin e tyre janë: “Armageddon Time”, me regji të James Gray, filmi “The Son”, me regji të Florian Zeller, “Crimes of the Future” me regji të David Cronenberg, “Untitled “Hamlet”” adaptation i Ali Abbasi, e të tjerë.

Sipas një burimi për Variety, përgjegjësi i Kanes, Thieri Fremo, shpreson se në krye të jurisë do të zgjedh një femër, e në mesin e emrave për të cilët është diskutuar janë për Merion Kotillerd e Penelopi Kruz.

Sa i përket situatës në Ukrainë, organizatorët e festivalit të Kanës kanë reaguar në lidhje me luftën që po zhvillon Rusia atje. Ata kanë lansuar një deklaratë zyrtare sipas të cilës shkruan se përkrahin popullin ukrainas, ndërkaq dënojnë pikëpamjet e Rusisë dhe liderëve të saj.

Ata po ashtu shkruan se me mendime janë tek populli Ukrainas, tek artistët e industrisë së filmit të cilët janë të rrezikuar nga lufta. Sipas tyre, anëtarët e qeverisë ruse nuk janë të lejuar të jenë të pranishëm në Kanë. /rtv21.tv/ KultPlus.com

‘Me mbetë aty ku s’vdesin kurrë më ëndrrat’

Poezi nga Sali Bashota

PORTRET I PAMBARUAR

Për Rozafën

Asgjë nuk i kujtohet pos shushuritjes së gjetheve
Më vonë edhe fërfëllima e krahëve të zogjve
Shumë zëra në hapësirën që e përpinte flaka
Dhe avujt e shpirtit si ngjiteshin lart në qiell
Sepse ajo i kishte vetëm 365 ditë kur e përjetoi luftën
Asnjëherë tjetër nuk vinte ashtu vdekja
Fshehur nga sytë e frikës
Duke shtrënguar shpirtin me dhëmbë
Sepse ajo i kishte vetëm 365 ditë kur e përjetoi luftën
Secila klithmë e çmendur i ngjante kobit të natës
Mëngjeset prisnin fundin e ëndrrave
Sytë vetëm një ditë të re e zgjonin nga liria
Veshët vetëm një krismë e dëgjonin pa dhembje
Duart vetëm një uratë e prisnin në shiun e verës
Këmbët vetëm një ikje e ëndërronin deri në fundin e vet
Sepse ajo i kishte vetëm 365 ditë kur e përjetoi luftën
Në udhëtimin e zjarreve teksa ringjallet portreti i pambaruar
Me mbetë aty ku s’vdesin kurrë më ëndrrat

(1 gusht 1998) / KultPlus.com

Rusia bllokon Facebook-un

Rregullatori shtetëror rus për mediat Roskomnadzor, ka bërë të ditur se qasja në rrjetin më të madh social në botë, Facebook është ndaluar në Rusi.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA, vendimi vjen pasi që Roskomnadzor ka gjetur shkelje që përbëjnë diskriminim ndaj Rusisë nga Facebook-u.

Në raportim thuhet se janë gjetur 26 shkelje që nga tetori i vitit 2020. / KultPlus.com

Muharrem Qena me profesorët e tij në Gjimnazin “Sami Frashëri” (FOTO)

Gjimnazi “Sami Frashëri” në Prishtinë mbetet një prej shkollave më të mira në vend, dhe një institucion arsimor që i ka dhënë shumë fushës së edukimit në vend.

Edhe pse kjo shkollë nuk e ka mbajtur këtë emër në periudha të ndryshme, identifikohet si Gjimnazi “Sami Frashëri” sepse me këtë emër kjo shkollë ka marrë fizionominë e një institucioni me karakter te vërtetë të arsimit kombëtar dhe edukativo-kulturor.

Në këtë gjimnaz ka vijuar studimet edhe aktori, këngëtari e regjisori i njohur Muharrem Qena.

Këtë fotografi poshtë, marrë nga Mensur Deva në rrjetin social Facebook, e sjellim sot duke dashur të kujtojmë emrat si vetë Muharremi, më pas edhe profesorin Musa Deva, Nijazi Devën, Izet Badivukun, Enver Gashin, Basri Agollin, shkruan KultPlus.

Fotografia thuhet të jetë e vitit shkollor 1942\43.

Qena, i lindur në vitin 1930, pasi vijoi këtë shkollë vazhdoi studimet e filmit në Beograd, për të vazhduar më pas me rreth 200 shfaqje të cilat i krijoi dhe realizoi gjithandej.

Në vitin 1941, pas pushtimit të Jugosllavisë nga Gjermania dhe Italia, për shqiptarët që kishin qenë nën sundimin serb u krijuan kushte të reja dhe të favorshme për shkollim. / KultPlus.com

Kievi publikon listën e rusëve të zënë rob, iu bën thirrje nënave të tyre të vijnë t’i marrin

Këshilltari i ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Anton Geraschenko publikoi në rrjetin social Facebook, listën e ushtarëve rusë të kapur rob nga ushtria ukrainase.

Dosja përmban të dhënat personale, gradën dhe origjinën e çdo ushtari. Për momentin lista përmban 116 emra.

“Po publikoj listën e parë të robërve të luftës të ushtrisë ruse. Do të ketë edhe shumë lista të tjera të tilla, si dhe listat e ushtarëve të vdekur. Dhe faji për gjithë këtë është i Putinit. Nënat e Rusisë, ejani në Kiev dhe merrni fëmijët tuaj”, shkruan Gerashchenko në Facebook.

“Pas ferrit që ata mbijetuan duke pushtuar tokën tonë, ne e dimë me siguri se asnjëri prej tyre nuk do të ngrejë gishtin kundër Ukrainës!

Kërkoj nga ju që t’ia përcillni këtë informacion mijëra nënave fatkeqe, ruse, bijtë e të cilave u kapën në Ukrainë”, tha tutje ai. / KultPlus.com

Mikelanxhelo, një nga artistët më me ndikim të periudhës së Rilindjes

Mikelanxhelo, emri i plotë i të cilit ishte Mikelangelo di Lodoviko Buonarroti Simoni, konsiderohet shpesh si një nga artistët më me ndikim të periudhës së Rilindjes, duke i lënë si trashëgimi njerëzimit kryevepra statuja e Davidit, apo dhe pikturat e tij në Kapelën Sistine. Ja cilat janë disa nga detajet mbi jetën dhe veprën e tij, të cilat mund të mos i dinit:

Përmendorja e Davidit ishte menduar të vendosej në çatinë e një godine në Firence

Kur autoritetet e autorizuan Mikenaxhelon për të skalitur “Davidin”, supozohej se ajo ishte një nga statujat e shumta që do të rreshtoheshin mbi çatinë e kupolës së Katedrales së Firences . Por kjo vepër u pëlqye aq shumë nga njerëzit, sa që kur përfundoi në vitin 1504, u vendos që të ishte më e dukshme për njerëzit.

Për me tepër me një lartësi prej 5.2 metra dhe me një peshë 6,4 ton, ngjitja e saj në çati nuk do të ishte një detyrë e lehtë. Prandaj u mor vendimi për ta ekspozuar atë jashtë “PalazzoVechio, zyrat e qeverisë së Firences, ku qëndroi për gati 370 vjet përpara se të transferohej në Galleria dell’Açademia (Galeria e Akademisë së Firences) në vitin 1873, ku ai qëndron ende. sot.

Piktura “Gjykimi i fundit”, mund të përmbajë një autoportret të artistit

Përveç tavanit të Kapelës Sistine, Mikelanxhelo realizoi një afresk në murin e altarit të kishës, të cilën e realizoi gjatë viteve 1536–1541. Piktura përshkruan ardhjen e dytë të Jezusitnë Tokë, dhe gjykimin e shpirtrave që shkojnë në parajsë ose ferr.

Në përgjithësi besohet se artisti ka fshehur në këtë pikturë një referencë për veten e tij. Thuhet se ka një ngjashmëri të madhe të Mikelanxhelos në imazhin e Shën Bartolomeut, që gjeti vdekjen i rrjepur për së gjalli.

Statuja me emrin “Pietà” (Mëshira), është vepra e vetme që përmban edhe firmën e artistit

Kjo vepër që përshkruan Marian duke u përkulur mbi trupin e Jezusit pas Kryqëzimit, është një nga më të njohurat e Mikelanxhelos. Thuhet se ajo është vepra e vetme e nënshkruar nga Mikelanxhelo. Po çfarë e bënte këtë vepër kaq të ndryshme nga të tjerat, saqë ai u nxit të vendoste firmën e tij?

Mendohet se një ditë po dëgjonte njerëzit që e admironin statujën, si një vepër në zhvillim e sipër. Por kur njëri prej tyre pyeti se kush ishte artisti, dikush ia atribuoi atë një skulptori tjetër. I tmerruar nga kjo gjë, ai u rikthye te statuja një mbrëmje dhe e gdhendi emrin e tij në gjoksin e Marias, një akt për të cilin më vonë do të pendohej, duke premtuar se nuk do të firmoste kurrë më një vepër tjetër.

“Moisiu” ishte menduar për një varr shumë më të madh për Papa Juliusin II

“Moisiu” konsiderohet si një nga veprat më të mira të artistit, duke qenë objekti kryesor dekorativ i varrit të Papa Juliusit II. Por ndërsa varri në gjendjen e tij aktuale është mbresëlënës, në fillim ishte menduar të ishte shumë më i madh.

Papa Julius II, që e porositi veprën kur ishte ende gjallë, synonte që vendi i tij i prehjes së përjetshme të ishte një vepër arti me tre nivele, me deri në 40 statuja të përmasave reale për ta zbukuruar atë. Por ndërsa projekte të tjera, si tavani i Kapelës Sistine u zvarritën, “Moisiu” u skalit sipas planit origjinal.

Pas vdekjes së Papës në vitin 1513, Mikelanxhelo pranoi të skaliste një varr shumë më të tonifikuar, ku qëndron aktualisht edhe statuja e famshme. Por ka disa dëshmi të ideve origjinale, përfshirë ilustrime të planeve dhe statujave si “Skllavi që vdes” dhe “Skllavi rebel”, të cilat ishin planifikuar në projektin kryesor. Kur planet ndryshuan, ato përfunduan muzeun e Luvrit në Paris.

Iu deshën 4 vite për të pikturuar tavanin e Kapelës Sistine

I përbërë nga 300 figura dhe me një sipërfaqe prej1115 metra katrorë, piktura e madhe e Mikelanxhelos në tavanin e Kapelës Sistine, ishte një projekt shumë i madh. Ndaj nuk është e habitshme që artistit iu deshën 4 vite për ta përfunduar. Artistë të tjerë kontribuan me punën e tyre në muret e Kapelës, duke përfshirë emra si Sandro Botiçeli, Kozimo Roseli dhe PietroPeruxhino.

Pavarësisht besimit popullor, Mikelanxhelo nuk e ka lyer tavanin e Kapelës Sistine duke qëndruar i shtrirë mbi shpinë

Pavarësisht se ishte një pjesë e spikatur e mitologjisë mbi Mikelanxhelon, artisti nuk e pikturoi tavanin e Kapelës Sistine i shtrirë mbi shpinë. Në realitet, ai dhe ekipi i tij ndërtuannjë skelë të veçantë, që u dha mundësi ta përfundonin kryeveprën e tij, duke qëndruar në këmbë.

Ideja e qëndrimit mbi shpinë buron nga një përkthim të gabuar i një biografi tëMikelanxhelos, shkruar nga peshkopi Paolo Xhovio, ku ai përdor fjalën ‘resupinus’, që do të thotë “përkulur nga pas”, për të përshkruar pozicionin e pikturës së artistit . Disa gbuanduke e interpretuar atë si “i shtrirë mbi shpinën e tij”.

Nuk e konsideronte veten një piktor shumë të talentuar

Tavani i Kapelës Sistine, është një nga veprat artistike më të famshme në histori. Por gjatë gjithë kohës që punoi për realizimin e saj, Mikelanxhelo u shpreh se nuk kishte besim tek aftësitë e tij si piktor. Projekti e zhyti në ankth dhe paranoja, duke besuar se ishte i destinuar që të dështonte.

“Nuk jam njeriu i duhur për këtë projekt. Unë nuk jam as piktor!”- shkroi ai duke iu referuar kryeveprës që po realizonte. Gjithsesi pavarësisht ankthit, Mikelanxhelo e bindi Papa JuliusinII që të zgjeronte projektin fillestar. Kështu ajo që supozohej të ishte fillimisht tabloja e 12 apostujve, u shndërrua në skenën madhështore që shihni sot.

Sheshi “Piazzale Michelangelo” në Firence, ka kopje në bronx të skulpturave më të famshme të artistit

Mikelanxhelo lindi më 6 mars 1475 në Kapreze, dhe vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër më 18 shkurt 1564 në Maçel De Korvi, Romë, në moshën 88-vjeçare. Dhe në Firencen e sotme, trashëgimia e tij është shumë e fortë. Kjo gjë është shumë me dukshme në“PiazzaleMichelangelo” përballë lumit Arno, që ofron pamje panoramike të qytetit.

Në shenjë nderimin për Mikelanxhelon dhe veprat e tij, disa nga statujat e tij më të famshme – duke përfshirë “Davidin” dhe 4 statujat alegorike nga Kapela Mediçi (Agimi, Muzgu, Nata dhe Dita), janë rikrijuar në bronz dhe janë vendosur përreth sheshit.

Vepra “Krijimi i Adamit”, mund të përmbajë një imazh të fshehur të trurit

Në vitin 1990, mjeku nga Indiana e SHBA-së, Frenk Meshberger, propozoi një interpretim të ri të veprës “Krijimi i Adamit”, i cili është pjesa më e njohur e tavanit të Kapelës Sistine. Teoria e tij është se pëlhura në ngjyrë trëndafili që rrethon Zotin dhe Evën në pikturë,përfaqëson trurin e njeriut, për shkak të formës së tij të veçantë.

Gjithashtu, ai vuri në dukje detaje të tjera që mund të gjenden brenda veprës, si shalli jeshil që sipas tij përfaqëson pjesën vertebrale, dhe këmbën e një engjëlli që formon atë që duket si gjëndra e hipofizës./bota.al/ KultPlus.com

“Dita e Shpëtimit të Shqipërisë”, dokumenti që i jepej shqiptarëve në Amerikë

Emigrantët shqiptarë të Amerikës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Pavarësinë e Shqipërisë dhe në ruajtjen e kufijve të saj, sidomos në përfundim të Luftës së Parë Botërore. Roli i tyre ka qenë vendimtar në përcaktimin e kufijve të sotëm të Shqipërisë, duke e shpëtuar nga copëtimi i mëtejshëm. Për këtë qëllim, u vendos që të krijohej Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë dhe të mobilizoheshin donacione për krijimin e një fondi 40 mijë dollarë për të mbështetur këtë qëllim.

Komisioni i Vatrës do mblidhej në maj të 1917 për të përcaktuar të dielën e 3 qershorit e vitit 1917 si Ditën e shpëtimit të Shqipërisë.

Komisioni do të miratonte njëzëri vendimin me disa pika:

-Të caktohet e diela e 3 qershorit si Dita e Shpëtimit të Shqipërisë për të mbledhur shumën prej 40.000 dollarësh të këshilluar prej doktor Mihal Turtullit.

-Të ftohen të gjitha degët e federatës me anëtarët e tyre të gjitha shoqëritë shqiptare të veçanta dhe të gjitha shoqëritë fetare kombëtare dhe të gjithë shqiptarët që të japin ndihmën e tyre sa më të madhe për shpëtimin e atdheut. Të ftohen gazetat dhe revistat shqipe që të bashkëpunojnë për të mbaruar këtë vepër e cila do të nderojë në sytë e botës dhe në sytë e Shqipërisë atdhetarët e Amerikës dhe do t’u japë një vend në historinë e Përlindjes Kombëtare.

-T’u lutemi atdhetarëve tanë të ndihmojnë me shumë mbi 10 dollarë nëse duam që të mblidhet shuma e këshilluar prej doktor Turtullit dhe të bëhet një punë vërtetë serioze dhe me rëndësi.

Fondi u mobilizua me dy pjesë dhe ky dokument që pulikuar  sot nga SCAN tregon se si ka qenë certifikata që merrnin emigrantët shqiptarë që jepnin donacione. Dokumenti ishte i ngjashëm me një letër me vlerë dhe mbante firmën e Kol Tromarës, kryetarit të Vatrës, të Goni Katundit që ishte arkëtar dhe Ndreko Stavrit që ishte sekretar. Veç vulës së Vatrës, dokumenti mban imazhet e heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut dhe të themeluesit të shtetit amerikan dhe presidentit të parë George Washington.

Vatra ka luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm në këto raste. Në pamundësi për të siguruar ndonjë kredi nga jashtë, shteti shqiptar i sapodalë nga Lufta e parë Botërore do t’i drejtohej popullit me një hua të brendshme për 2 milion franga ari, me interes vjetor 5 % .

Këtij apeli do t’i përgjigjeshin edhe emigrantët shqiptarë të Amerikës dhe sidomos anëtarët e Vatrës. Në vitin 1924, do të ishin pikërisht këta që do t’i kërkonin kryeministrit shqiptar Fan Noli që një qytet i Shqipërisë të emërtohej në nder të presidentit Uillson. Dhe në fakt, këtë emër do ta merrte qyteti i Shëngjinit por do ta mbante vetëm për disa muaj.

Nga Kreshnik Kuçaj /SCAN/ KultPlus.com

OKB publikon shifrat e civilëve të vrarë për 9 ditë luftë në Ukrainë

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka njoftuar se deri më tani në Ukrainë janë vrarë 331 civilë si dhe janë plagosur 675 të tjerë.

Numri, deri në mesnatën e së enjtes, u rrit nga 249 në raportin e tij të mëparshëm nga një ditë më parë, raportoi Reuters.

Midis 331 të vrarëve ishin 19 fëmijë, tha OKB.

Shumica e viktimave u vranë nga armë shpërthyese si granatimet nga artileria e rëndë, sistemet e raketave me shumë lëshime dhe sulmet raketore dhe ajrore. / KultPlus.com

Microsoft pezullon shitjen e produkteve në Rusi

Microsoft tha të premten se do të pezullonte shitjet e reja të produkteve dhe shërbimeve të saj në Rusi. Kështu ajo do të bëhet kompania e fundit perëndimore që distancohet nga Moska pas pushtimit të Ukrainës, shkruan CNN.

Disa kompani të mëdha, duke përfshirë Apple Inc (AAPL.O) , Nike dhe Dell Technologies (DELL.N) , kanë ndërprerë lidhjet me Rusinë, pasi vendet perëndimore vendosën sanksione kundër Moskës pas sulmit.

Apple tha të martën se kishte ndaluar të gjitha shitjet e produkteve në Rusi. Dell bëri një lëvizje të ngjashme javën e kaluar.

Përveç pezullimit të shitjeve të reja, Microsoft do të ndalojë shumë aspekte të biznesit në Rusi në përputhje me sanksionet e qeverisë, tha presidenti i kompanisë, Brad Smith. / KultPlus.com

EPA/SVEN HOPPE

Komuna e Prishtinës anulon testimin e alarmit nesër

Komuna e Prishtinës e ka anuluar testimin e alarmit nesër, për shkak se do të mbahet manifestimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shëtitoren e Prishtinës.

“Komuna e Prishtinës ju njofton se, për shkak se nesër, të shtunën më 5 mars, do të mbahet manifestimi i Epopesë së UÇK-së në shëtitoren e Prishtinës, Komuna anulon testimin e Sistemit të Alarmit Publik”, thuhet në njoftim.

Për nesër Komuna e Prishtinës pati paraparë testimin e Sistemit të Alarmit Publik, dy herë nga 30 sekonda. / KultPlus.com

Hapet ekspozita kolektive multietnike me kurator Ilir Muharremin

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita kolektive multietnike nga fusha e artit pamor me curator Ilir Muharremin, përcjell KultPlus.

Kjo ekspozitë është simbol i integrimit të kulturave të ndryshme të shumë nacionaliteve në Kosovë. Artistët në veprat e tyre prezantuan kulturën e tyre duke u nisur nga etnografia, kostumografia, jetesa, puna, jeta sociale, psikologjia.

Artistët që prezantuan veprat e tyre janë: Albiona Berisha, Aylin H. Birvenik, Besim Gashi, Bajram Mehmeti, Daut Hamolar, Drilosh Shoshi, Diella Valla, Farija Mehmeti, Hajrush Fazliu, Haxhi Kastrati, Meli Zenku, Naim Spahiu, Rifat Kasapolli, Sadri Morina, Taulant Qerkini – Tak, Tomislav Trifiç.

Qëllim tjetër i kësaj ekspozite është që të gjitha nacionalitete që jetojnë në kosovë duke u nisur prej turqve, boshnjakëve, serbëve në piktura të pasqyrojnë kulturën e tyre dhe të analizohen elementet e përbashkëta, andaj kjo ekspozitë tregon që jetesa, solidariteti, pranueshmëria, duhet të jenë në nivel të njejtë me barazi, pa bullizime, pa ndasi dhe pa urrejtje.

Artistët u prezantuan me piktura nga arti abstrakt, realist, ekspresiv. Kuratori i ekspozitës është kritiku i artit Ilir Muharremi. Ekspozita kolektive u mbështet nga Ministria e Kulturës./ KultPlus.com

10 seritë më të mira për t’i shikuar këtë mars

Oscar Isaac i bashkohet Marvel Cinematic Universe, Samuel L Jackson luan në një meditim mbi kujtesën dhe familjen, dhe Bridgerton është kthyer. Amy Charles liston seritë e padiskutueshme të këtij muaji, transmeton KultPlus.

Bridgerton

Krishtlindjet e vitit 2020 panë ethet Bridgerton që përfshinin botën. Bazuar në serinë e librave nga Julia Quinn, drama e çuditshme e kostumeve të periudhës së Regjencës u bë shpejt seriali më i shikuar i Netflix (një vlerësim që tani mban Squid Game), dhe grumbulloi fansa të përkushtuar. Seria e parë vendosi romancën midis Daphne Bridgerton (Phoebe Dynevor) dhe Dukës së Hastings (Regé-Jean Page) në sfondin e dramës të shoqërisë së lartë londineze dhe u transmetua nga transmetuesja e shfaqjes dhe kolumnistja e shoqërisë misterioze Lady Whistledown. Identiteti i vërtetë i kësaj Gossip Girl 200-vjeçare u zbulua në fund të serisë së parë – prandaj sigurohuni që i keni parë të tetë episodet përpara se të filloni të dytën. Kjo do të përqendrohet te vëllai i madh i Daphne-s, Anthony (Jonathan Bailey), dhe kërkimi i tij për dashuri. Page mund të mos e përsërisë rolin e tij, por ka anëtarë të rinj emocionues të kastit duke përfshirë Simone Ashley (Sex Education) dhe Charithra Chandran (Alex Rider) – dhe nëse një seri e dytë nuk është e mjaftueshme për ju, një i tretë dhe i katërt tashmë janë porositur.

Sezoni i dytë i Bridgerton do të publikohet më 25 mars në Netflix.

Moon Knight

Numri i aktorëve prestigjiozë që nuk kanë arritur të hyjnë në Universin Kinematik Marvel po bëhet gjithnjë e më i vogël – dhe nëse keni bërë një listë, mund të hiqni Oscar Isaac, i cili merr rolin kryesor në serialin më të fundit televiziv Marvel. Moon Knight është uni i dytë i Steven Grant, një njeri në dukje normal që punon në një dyqan dhuratash në një muze në Londër. Megjithatë, pasi përjetoi ndërprerje dhe kujtime që ai nuk i njeh, Grant diagnostikohet me çrregullim të identitetit disociativ – dhe zbulon se ndan një trup me një mercenar të quajtur Marc Spector. Personazhi u shfaq për herë të parë në stripsat e Marvel-it në vitet ’70, dhe ky serial do të shohë Grant/Spector/Moon Knight në një betejë kundër askujt tjetër përveç se perëndive të fuqishëm të Egjiptit. Ethan Hawke (Training Day) dhe May Calamawy (Ramy) luajnë bashkë, në atë që duket të jetë një thriller me oktan të lartë.

Premiera e Moon Knight shfaqet ndërkombëtarisht më 30 mars në Disney+

Pachinko

Romani Pachinko i Min Jin Lee – një epikë gjithëpërfshirëse me shumë breza për një familje koreane përgjatë shekullit të 20-të – ishte një bestseller i New York Times, i nominuar për Çmimin Kombëtar të Librit të SHBA-së 2017 dhe i rekomanduar nga Presidenti Barack Obama përmes faqes së tij në Facebook. Tani, Apple TV+ e ka kthyer këtë vepër të dashur në një seri të kufizuar tregjuhëshe, të krijuar nga producenti ekzekutiv i The Terror, Soo Hugh. Në materialin promovues për shfaqjen, Hugh ka thënë: “jo vetëm që kjo është një histori e të parëve të mi, por është edhe nderimi im për ta… Ka qenë një nder i jashtëzakonshëm për të sjellë në jetë këtë serial”. Kasti i madh përfshin disa të sapoardhur në ekran, si dhe Jin Ha të Devs, Lee Min-ho të Boys Over Flowers dhe fituesin e Oskarit Youn Yuh-jung.

Tre episodet e para të Pachinko publikohen më 25 mars në Apple TV+, ndërsa pjesa tjetër publikohet më pas çdo javë.

Standing Up

Për fansat e Call My Agent! (i cili ka një seri të re dhe një film në ardhje , si dhe një xhirim britanik), Standing Up mund të mbushë vrimën komike frankofone ndërkohë që prisni rikthimin e saj – siç është krijuar dhe shkruar nga Fanny Herrero, gruaja pas asaj goditje vezulluese. Bëhet fjalë për një klub komedi parizien dhe katër nga interpretuesit e tij, të gjithë me prejardhje të ndryshme dhe në faza të ndryshme të karrierës së tyre. Premton të ekzaminojë realitetin e ashpër të skenës së komedisë dhe suksesi i madh – ose mungesa e tij – mund të marrë jetën tuaj, si dhe miqësitë që ju bëjnë ta kaloni atë.

Standing Up do të publikohet më 18 mars në Netflix.

Atlanta

Shfaqja e adhuruar nga kritikët e Donald Glover po rikthehet në ekran pas katër vitesh, falë vonesave të shkaktuara nga pandemia. Rikthimi i komedisë-dramës ekscentrike, e cila u shpall vitin e kaluar si seria e 14-të më e mirë televizive e shekullit të 21-të nga BBC Culture, është pritur shumë nga fansat, të cilët mezi kanë pritur për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me reperin Alfred “Paper Boi”. Miles (Brian Tyree Henry) menaxheri i tij Earn (Glover) dhe dora e djathtë Darius (LaKeith Stanfield). Fundi i serisë së dytë e la treshen pasi sapo kishin hipur në një aeroplan të destinuar për turneun evropian të Alfredit dhe kontinenti është vendosur të jetë lokacioni qendror për ekzekutimin e ri. Interesante, gjithashtu, seriali katër u filmua së bashku me sezonin e tretë dhe do të jetë i fundit i shfaqjes, ka konfirmuar Glover, duke u thënë gazetarëve: “Unë mendoj se përfundon në mënyrë perfekte”.

Premiera shfaqet më 24 mars në FX në SHBA.

The Dropout

Elizabeth Holmes, gruaja pas skandalit të Theranos, dominoi titujt kryesorë në fillim të vitit kur u dënua për mashtrim të investitorëve pas një gjyqi disa mujor. Ajo u emërua gruaja më e re në botë nga Forbes në vitin 2015, kur kompania e saj bioteknike – e cila premtoi të revolucionarizonte industrinë e kujdesit shëndetësor – po bëntë progres. Por një hetim nga all Street Journal më pas zbuloi se testet e gjakut me shpim gishtash që kompania po reklamonte nuk funksionuan dhe më pas gjithçka u shpërbë. Ky mini-serial – i bazuar në podcast-in hit ABC me të njëjtin emër – luan Mank’s Amanda Seyfried në rolin e Holmes dhe Lost’s Naveen Andrews si Sunny Balwani, ish-partneri i biznesit dhe ish i dashuri i Holmes. Anëtarë të tjerë të kastit përfshijnë Stephen Fry, Alan Ruck i Succession dhe William H Macy i Fargo. Duke folur për What to Watch, Seyfried tha për rolin e Holmes: “E kam kuptuar nga një këndvështrim shumë njerëzor … ndërsa fillova ta njoh atë përmes skenarit – përmes trurit dhe shkrimit të Liz-it dhe përmes gjithçkaje që kam parë – unë shpejt erdha në një vend, pothuajse, me dhembshuri. Ishte pothuajse si të dashurohesha me të.”

Tre episodet e para të The Dropout publikohen më 3 mars në Hulu në SHBA dhe Disney+ në MB, ndërsa pjesa tjetër do të publikohet çdo javë më pas.

Worst Roommate Ever

Për shumicën e njerëzve, ndarja e shtëpisë me dikë tjetër mund të jetë stresuese nganjëherë, por ankthi zakonisht kufizohet në lënjen e shënimeve pasive-agresive për larjen dhe pastrimin e flokëve të njerëzve të tjerë nga vaska. Por për njerëzit e paraqitur në “Shoku i dhomës më i keq ndonjëherë”, përvoja e ndarjes së shtëpisë arriti nivele të reja tmerruese. Nga Blumhouse – kompania e prodhimit të horrorit pas Paranormal Activity, Split dhe The Purge – kjo seri dokumentare antologjike shtrihet në katër strehëza vërtet të tmerrshme – nga vrasësit tek bashkëpunëtorët serialë. Një nga shokët e dhomës së paraqitur është banori serial Jamison Bachman, historia e të cilit u tregua për herë të parë nga New York Magazine në 2018. Duke treguar historitë përmes intervistave, pamjeve arkivore dhe rindërtimeve të animuara, duket se është një ekzaminim rrëqethës i terrorit të jetesës krahas kriminelëve dhe mashtruesve.

Worst Roommate Ever do të publikohet më 1 mars në Netflix

The Last Days of Ptolemy Grey

“Kam shumë gjëra për të bërë dhe kam nevojë për kujtesën time për ta bërë këtë”. Këto janë fjalët e Ptolemy Grey të Samuel L Jackson në trailerin për këtë adaptim të romanit të Walter Mosley për një njeri të vetmuar që zhytet në çmenduri, të cilit i ofrohet një trajtim i jashtëzakonshëm, i cili mund t’i rikthejë kujtimet – por vetëm përkohësisht dhe vetëm një herë. Zhbllokimi i kujtimeve të tij zbulon të vërteta tronditëse dhe në një garë me kohën, ndërsa përballet me humbjen e tyre edhe një herë, ai dhe kujdestari i tij (Dominique Fishback) nisen në një aventurë për të zgjidhur misteret e harruara dhe për të pajtuar me jetën. Libri u vlerësua kur u publikua, me LA Times që e quajti atë “një histori e guximshme, e punuar bukur, që përfshin elemente të alegorisë, reflektimit meditativ dhe tragjedisë lirike”. Dhe me Mosley, autorin, duke e përshtatur atë për ekranin, si dhe duke shërbyer si producent ekzekutiv, këtu shpresojmë që versioni televiziv të jetë po aq i mirë.

Dy episodet e para të The Last Days of Ptolemy Grey publikohen më 11 mars në Apple TV+, ndërsa pjesa tjetër do të publikohet çdo javë më pas.

Human Resources

Seriali i animuar televiziv Big Mouth po vazhdon me Human Resources, një komedi në vendin e punës për krijesat e vogla që “i bëjnë njerëzit, njerëz”. Mendoni një version shumë të rritur të hitit të Pixar “Inside Out”. Disa nga këto krijesa, të cilat përfshijnë Monsters Hormone, Depresioni Kitties, Shame Wizards dhe Love Bugs u panë në Big Mouth, me shumë nga aktorët e zërit që ripërtërijnë rolet e tyre, duke përfshirë Maya Rudolph, Nick Kroll, David Thewlis dhe Brandon Kyle Goodman. Duke folur për Inverse në 2020, producenti ekzekutiv i Big Mouth dhe Human Resources, Mark Levin tha se ata e prezantuan spin-offin si “Big Mouth meets The Office” dhe nëse traileri është diçka për t’u ndjekur, prisni fraza muzikore cilësore në kulturën moderne të zyrave të kombinuara me shaka ekzistenciale mbi realitetit tw gjendjes moderne njerëzore.

Human Resources publikohet më 18 mars në Netflix.

We Crashed

Nëse ka një gjë me të cilën peizazhi aktual televiziv wshte plot, janë ritregimet të ngritjes dhe rënies së llojeve si Silicon Valley dhe shfaqjen tjetër të re rreth biznesit të dështuar të bashkëpunimit të hapësirës WeWork. Ashtu si The Dropout, WeCrashed është zhvilluar gjithashtu nga një podcast, dhe luajnë Jared Leto dhe Anne Hathaway, si dhe bashkëthemeluesi më i madh i WeWork Adam Neuman dhe gruaja e tij Rebekah. Në vitin 2019, Adam Neumann dha dorëheqjen si shef ekzekutiv i firmës, pasi shqyrtimi i udhëheqjes së tij ishte “bërë një shpërqendrim i rëndësishëm”, ndërkohë që financat e biznesit u shkatërruan.

Tre episodet e para të WeCrashed publikohen më 18 mars në Apple TV+, ndërsa pjesa tjetër do të publikohet çdo javë më pas./ KultPlus.com

Mbahet ceremonia ‘Laureatët e vitit 2021’

Komiteti Olimpik i Kosovës mbrëmë ka organizuar edicionin e gjashtë të ceremonisë “Laureatët e vitit 2021”.

Në këtë ngjarje është bërë përzgjedhja e më të mirëve në fushën e sportit për vitin e kaluar.

Xhudistja Distria Krasniqi, kampione olimpike e mori çmimin sportistja më e mirë ndërsa xhudisti Akil Gjakova, kampion evropian u përzgjodh sportisti më i mirë. Kurse çmimin për trajnerin më të mirë, e mori përfaqësuesi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Ish – xhudistja, Majlinda Kelemendi u nderua me çmimin për merita të veçanta.

Ekipet më të mira në sport u zgjodhën Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll tek meshkujt dhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës në futboll tek femrat. Dy çmime speciale u dhuruan për xhudisten Nora Gjakova dhe kapitenin e Kosovës në futboll, Amir Rrahmani. Ndërsa çmimet për shpresat olimpike i fituan xhudistja Erza Muminoviq dhe kampioni evropian i hedhjes së gjyles për të rinj, Muhamet Ramadani.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, sekretari i MKRS-së, Bislim Bislimi dhe përfaqësues tjerë të ministrisë./ KultPlus.com

UNHRC me shumicë votash miraton rezolutën që dënon shkeljet e të drejtave të njeriut nga Rusia

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut(UNHRC) ka votuar me shumicë dërmuese për rezolutën që dënon shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut nga Rusia në Ukrainë dhe për ngritjen e një komisioni hetimor për t’i hetuar ato.

Vetëm Eritrea ka mbështetur Rusinë dhe ka votuar kundër rezolutës së sjellur nga Ukraina, ndërkaq 13 shtete kanë abstenuar shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Ambasadorja e Ukrainës në OKB, Yevheniia Filipenko, i tha Këshillit se kishte “prova të pakundërshtueshme të shkeljeve të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut, si dhe krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit nga Rusia”.

“Është detyra jonë e përbashkët të sigurojmë llogaridhënie duke mandatuar dokumentacionin dhe verifikimin e krimeve të Rusisë dhe identifikimin e atyre që janë përgjegjës”, ka thënë ajo./ KultPlus.com

Netflix pezullon projektet nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë

Netflix ka ndërprerë të gjitha projektet dhe blerjet e ardhshme nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë, raporton Variety. Gjiganti i transmetimit tha se po vlerësonte ndikimin e ngjarjeve aktuale.

The Walt Disney Company njoftoi se në mënyrë të ngjashme do të ndalojë të gjitha shfaqjet teatrale në Rusi, duke përfshirë “Turning Red” të Pixar, që do të jepet premierë në vend më 10 Mars. Disa orë pas, Warner Bros ndaloi publikimin e “The Batman”.

Festivali i Filmit në Kanë njoftoi të martën se nuk do të mirëpresë asnjë delegacion rus ose pjesëmarrës me lidhje me qeverinë, ndërsa Festivali i Serive Mania dhe MipTV thanë se nuk do të ketë një prani ruse në ngjarjet e tyre përkatëse./ KultPlus.com

Nënshkruhet bashkëpunimi mes Kosovës dhe Turqisë në fushën e sportit dhe rinisë

Kosova dhe Turqia do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e sportit dhe rinisë. Për këtë është nënshkruar marrëveshje ndër-shtetërore në kuadër të vizitës zyrtare të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu në Turqi, përcjell KultPlus.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, marrëveshjen e ka nënshkruar zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schëarz.

Disa nga pikat që përfshihen në këtë  marrëveshje janë bashkëpunimi në ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e sportit, shkëmbimi i përvojave në sport dhe rini, organizimi i garave të përbashkëta, realizimi i programeve të shkëmbimit të ekspertëve, shkëmbimi i ekspertëve në fushën e mjekësisë sportive dhe antidopingut, organizimi i kampeve të përbashkëta sportive, forcimi i  politikave kombëtare rinore, mbështetja e programeve për punësim dhe formim profesional të të rinjve, zbatimi i programeve dhe projekteve për parandalimin e varësisë, organizimi i kampeve të përbashkëta rinore dhe festivaleve rinore e të tjera./ KultPlus.com

Lahaj thirrje për artistët rusë: E keni obligim kombëtar që ta kundërshtoni luftën

Tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj, së fundi është duke qëndruar në Poloni, në produksionin e radhës, dhe i njëjti ka njoftuar se gjatë qëdnrimit të tij në Poloni, ka vizituar kampin më të madh të Luftës së Dytë Botërore, atë të Aushvicit, shkruan KultPlus.

Duke bërë një paralale mes Hitlerit, Mollosheviqit, e së fundi edhe të Putinit, tenori Lahaj bën thirrje për arrtistët rus, që të dalin me një protestë në favor të paqes. KultPlus ju sjell të plotë reagimin e tenorit Lahaj.

Të dashtun miq, fillimisht uroj të jeni mirë. Ketë periudhe ndodhem në Poloni për produskionin tim të radhës. Sigurisht shfrytëzova rastin që të vizitoj kampin më të madh të Luftës se Dyte Botërore, atë të Aushvicit. Çka mund të them për atë që pash!

Si një fëmijë që adoleshenca e ka gjetur në luftën e vitit 1999, ku Milosheviqi provonte ti spastronte shqiptarët nga shtëpitë e tyre e që shkatërroi gjithçka përveç andrrave, mund të them së dhembjen e keqardhjen i ndjeva në palce kur pash edhe nga afër vendin ku mijëra njerëz kanë vuajtur në formën më çnjerëzore vetëm si pasojë e një mendje psikopatike si ajo e Hitlerit.

Në të njëjtën kohë natyrshëm i bej pyetje vetes: Ne si qenie humane a nuk kemi mësuar mjaftueshëm nga historia, se lufta asht e tmerrshme dhe se nuk mjaftojnë shekuj për tu rikuperuar nga ajo.

Duke e pas parasysh situatën momentale, një pyetje që do një përgjigje urgjente është: A e do vërtet luftën populli rus? Apo është vetëm psikopatia e Putinint dhe diktaturës së tij që është në gjendje të shkatërroj vendin e qytetaret e saj, e po ashtu ta destabilizoj gjithë botën për botëkuptimet e tij të ndryshkëta sovjetike.

Nuk mund ta besoj që artisteve rus shpirti as mendja nuk ua thotë që nuk duan luftë dhe që janë kundër saj. Nëse ka vlerë çfarëdo monedhe që mund ti ketë paguar Putin ndër vite e që tejkalon humanitetin e tyre dhe ua mbylle gojën, do doja shumë ta dija se çfarë vlere ajo ka, kur si pasojë e luftës ata mund të humbin vendin, e më të dashurit e tyre, e që jeta pa to nuk ka fare vlerë.

Ju drejtohem artisteve rusë si komunitet sepse besoj që secili në fushën e vet ka obligim kombëtar e moral të kontribuoj e të thërras, e protestoj në favor të paqes.

Përgjegjësia e luftës tani po kalon tek populli Rus që duhet i tëri të protestoj kundër diktaturës së Putinit për të mirën e tyre, dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe mbarë botës.

Zoti çoftë paqe mbi të gjithë ne, në mënyrën që gjithçka të përfundoj shumë shpejt./ KultPlus.com

Përkujtohet Atë Gjon Shllaku, u ekzekutua më 4 mars 1946

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot Atë Gjon Shllakun, i cili u ekzekutua më 4 mars të vitit 1946.

Fryma e tij do të shuhej me ekzekutimin e vendimit “me vdekje” të lëshuar nga i ashtuquajturi “gjyq popullor”, më 22 shkurt 1946. Pretenca që rëndonte mbi françeskanin qe ngritur mbi pretendimin e drejtimit të organizatës “Dora e Zezë”, e cila dyshohej për qëllime destabilizuese në Shqipëri.

Me mbështetjen nën rrogoz të Vatikanit dhe nën udhëheqjen e Shllakut, kjo organizatë e supozuar, do të ndërmerrte një sërë atentatesh në mbarë vendin, duke aluduar edhe për ndërlidhje të saj me vendet perëndimore.

Në të gdhirë të mëngjesit të 4 marsit, Atë Gjon Shllaku u vendos para togës së pushkatimit, së bashku me Atë Daniel Dajanin, Atë Xhovani Faustin dhe seminaristët, Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashi, që akuzoheshin si anëtarë të organizatës.

I Lumi Atë Gjon Shllaku, u lind në Shkodër më 27 korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, nën kujdesin e françeskanëve. Studimet e larta për shkenca i ndoqi në universitetin e Lovanios në Belgjikë.

Mandej, u thellua në disiplinën e filozofisë dhe të teologjisë në Hollandë dhe në Sorbona të Parisit, prej nga ku mori titullin akademik “doktor”. Me t’u kthyer në Shqipëri, qe profesor i filozofisë në liceun “Illyricum”. U shugurua meshtar më 15 mars 1931.

Në dokumentin më poshtë, paraqitet “santino” e Atë Gjon Shllakut, me riprodhimin e pikturës “Shën Mëria me të birin”, realizuar një prej ikonave të Rilindjes italiane, Sandro Boticelli./ KultPlus.com

Televizioni rus ndërpret punën për shkak të presionit nga Kremlini, punonjësit lëshuan studion me brohoritjet ‘jo luftë’

Një prej televizioneve të fundit të pavarura ruse “Rain”, ka publikuar pamjet e ndërprerjes së transmetimit për një kohë të pacatkuar, pasi që ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga regjimi i Vladimir Putinit lidhur me raportimin e luftës në Ukrainë.

Rregullatori rus për telekomunikiacion tashmë ka bllokuar televizionin Rain, duke e kërcënuar dhe akuzuar për kinse “nxitje ekstremizmi, keqpërdorimin e qytetarëve rusë si dhe nxitje të prishjes së rendit dhe qetësisë dhe organizimin e protestave”, transmeton Telegrafi.

Sot televizioni Rain transmetoi emisionin e fundit në internet.

“Jo luftë”, tha Nataliya Sindeyeva, një prej themelueseve të kanalit, derisa punonjësit shihen duke u largua nga studioja televizive.

Në atë moment filloi transmetimit i “liqeni i mjellmave”

“I tërë stafi i televizionit rus ka dhënë dorëheqje gjatë transmetimit live me moton “Jo luftë”, dhe më pas filluan transmetimin e baletit “liqeni i mjellmave”. /Telegrafi/KultPlus.com

Zelensky: I mbijetuam një nate që do të mund t’i jepte fund historisë së Evropës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në një video-adresim të postuar para pak minutash ka thënë se i kanë mbijetuar një nate që do të mund ta përfundonte historinë e Ukrainës dhe Evropës.

Kjo pasi forcat ruse kanë bombarduar mëngjesin e sotëm centralin më të madh bërthamor në Evropë i cili gjendet juglindje të Ukrainës duke shkaktuar zjarr të madh.
“Ne i mbijetuam një nate që do të mund t’i jepte fund historisë e Ukrainës dhe Evropës”, ka thënë Zelensky.

Ndryshe, centrali më i madh bërthamor në Ukrainë, Zaporizhzhia, u raportua se u sulmua nga rusët në orët e para të së premtes së 4 marsit. Sulmi ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së premtes sipas orës lokale në Ukrainë. Përreth zonës së centralit kanë qenë duke u zhvilluar luftime prej disa ditësh.

U konfirmua se sulmi nuk shkaktoi pasoja aq të mëdha sa të shkaktonte fatkeqësi bërthamore. Ekspertët raportuan se nuk ka rritje të nivelit të radioaktivitetit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian pas sulmit. Zelensky tha se nëse vazhdojnë bombardimet, fatkeqësia mund të jetë më e madhe se ajo e Çernobilit që ndodhi në vitin 1986.
Shtëpia e Bardhë tha se ka informacione se aktualisht nuk ka rrezik të lartë nga rritja e nivelit të radioaktivitetit.
Centrali bërthamor Zaporizhzhia është më i madhi në Evropë./KultPlus.com