Kujdesu per dhimbjet e tua, per kerkesat e atyre qe te jane prane!
Dhurojua te tjereve driten qe nuk ke, forcen qe nuk zoteron, shpresen qe ndjen te luhatet ne ty, besimin qe te mungon. Ndriçoji nga erresire jote. Pasuroji me varferine tende.
Dhuro nje buzeqeshje kur ke deshire te qash. Prodho hare me stuhine qe ke Brenda. “Ja, ate qe s’kam ta dhuroj”. Kjo eshte parajsa jote.
Do te vesh re qe gezimi, pak nga pak do depertoje ne ty, do pushtoje qenien tende, do behet vertet i yti ne masen ne te cilen, do ua kesh dhuruar te tjereve./KultPlus.com
Në shenjë solidariteti me Ukrainën, rreth 150 radio publike në Evropë do të luajnë këngën e John Lennon “Give Peace a Chance” të premten në mëngjes.
Në më shumë se 25 vende, duke përfshirë Ukrainën, e cila u sulmua nga Rusia, kënga duhet të luhet në orën 08:45 të mëngjesit sipas orës qendrore evropiane njoftoi Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) të enjten në mbrëmje, shkruan Bild, përcjell rtv21.tv
Kënga “Give Peace a Chance”, e lëshuar nga Plastic Ono Band në vitin 1969, u regjistrua në një dhomë hoteli në Kanada nga John Lennon dhe gruaja e tij Yoko Ono.
Fillimisht ajo ishte bërë kënga e kundërshtarëve të Luftës së Vietnamit.
E themeluar në vitin 1950 dhe me qendër në Gjenevë, EBU është aleanca më e madhe e mediave publike në botë me 113 anëtarë në 56 vende. EBU kryesisht njihet nga audienca e gjerë përmes festivalit të këngës Eurovision./ KultPlus.com
Antonio Lucio Vivaldi lindi më 4 mars 1678 në Venecia, Itali. Mësoi violinën nga babai i tij Xhovani Batista (Giovanni Battista) që punonte si berber. Pas një periudhe mësimi, at e bir bënë një turne rreth Venecias. Vivaldi kishte një problem shëndetësor, të cilin e quante ngushtim të kraharorit. Bëhej fjalë për astmë që me gjithë shqetësimet në frymëmarrje nuk e pengoi të mësonte të luante në violinë, të kompozonte dhe të merrte pjesë në aktivitete muzikore. Në moshën 14 vjeçare, nisi të studionte në një shkollë biblike. Në vitin 1703, përfundoi studimet dhe u emërua prift, me emrin fetar “Prifti i Kuq,” për shkak të ngjyrës së flokëve.
Më 1704, për shkak të shëndetit të tij, Vivaldi nuk mundi të drejtojë meshën e Ujit të Shenjtë dhe dy vjet më vonë, u bë profesor violine në Jetimoren për vajza, Pio Spitali i Mëshirës, në Venecia. Në jetimore ai kishte shumë përgjegjësi për detyra të ndryshme. Shume shpejt, pasi ishte bërë mësues, jetimët patën sukses edhe jashtë shtetit. Vivaldi ka shkruar për ta shumicën e simfonive, kantatave dhe muzikave kishtare. Në 1705 u publikua përmbledhja e parë me punët e tij, e titulluar “Raccolta”. Në 1707 u njoh me Ana Xhiraudin (Anna Giraud), të cilën e konsideronte si muza frymëzimi. Në vitin 1713, Vivaldi u bë përgjegjës për aktivitetet muzikore të institutit.
Vivaldi u emërua ‘maestro de’ concerti’ në vitin 1716. Gjatë këtyre viteve, ai shkroi pjesën më të madhe të veprave muzikore, ku përfshihen disa opereta dhe koncerte (vepra muzikore për violinë). Gjatë viteve 1723 – 1729, Vivaldi kishte kompozuar 140 koncerte. Një fakt i rëndësishëm është rizbulimi i pjesës më të madhe të repertorit të tij, në fillim të shekullit XX, në Torino dhe Gjenovë. Muzika e Vivaldit është inovatore, pasi ka thyer traditën në mënyrën e të kompozuarit. Ai përmirësoi strukturën e koncerteve, ku kërkonte kontraste harmonike, duke krijuar melodi dhe skema të reja interpretimi. Vivaldi ishte në gjendje të kompozonte dhe muzikë jo-akademike, e cila pëlqehej nga pjesa më e madhe e publikut. Ky popullaritet e bëri të njohur edhe në shtete si Franca gjatë asaj periudhe e njohur si liberale ne shijet muzikore.
Vivaldi njihet si një prej artistëve që solli muzikën Baroke. BAHU, u ndikua jashtë mase prej muzikës së Vivaldit. Bahu transkriptoi një sërë koncertesh për piano dhe një sërë pjesësh muzikore për orkestër ku përfshihet ‘Koncerti i Famshëm për Katër Violina dhe Violinçelë’. Megjithatë, jo të gjithë muzikantët shfaqën të njëjtin mendim kundrejt Vivaldit.
Edhe pse kishte statusin fetar, Vivaldi mund të ketë pasur lidhje dashurie, njëra prej të cilave mendohet të ketë qenë me këngëtaren operistike veneciane Ana Xhiraud (Anna Giraud), më të cilën ai do të punonte materiale prej operës së vjetër veneciane, duke ia përshtati vokalit të këngëtares. Sidoqoftë, nuk gjenden fakte konkrete që mund të vërtetojë ndonjë lidhje romantike të Vivaldit. Jeta e tij, si dhe e shumë kompozitorëve të tjerë të asaj periudhe, ishte e zhytur në varfëri. Për të siguruar të ardhurat, për tu shpërngulur në Vjenë, Vivaldi u detyrua të shiste një pjesë të madhe të veprave të tij. Arsyet e largimit të tij prej Venecias nuk janë shumë të qarta, por mendohet se dëshironte të takonte Karlin e VI-të, i cili i adhuronte kompozimet e tij. Në vitin 1727, Vivaldi i kushtoi Karlit të VI-të, veprën muzikore ‘La Cetra’ e cila i siguroi Vivaldit postin “kompozitor mbretëror”.
Pak pas mbërritjes së Vivaldit në Vjenë, Karli vdiq. Kjo humbje tragjike e la kompozitorin pa mbrojtje mbretërore. Vivaldi u detyrua të shiste më shumë dorëshkrime të veprave të tij muzikore dhe në vitin 1741 ai u nda nga jeta. Vivaldi u varros në një varr të thjeshtë, vendndodhja e të cilit është në Kishën e Karlit në Vjenë. Pas vdekjes së tij veprat e Vivaldit mbetën në errësirë deri në fillim te shekullit XX. Shtëpia ku Vivaldi jetoi në Vjenë është shembur, sidoqoftë për Vivaldin janë vendosur plakatë përkujtimore në Miljen e Muzikës Vjeneze si dhe në Sheshin Ruzvelt (Roosevelt Square).
Vivaldi është pa dyshim një nga kompozitorët më të mëdhenj italianë dhe në kurrikulumin e tij rezultojnë mbi 500 koncerte (210 prej të cilave ishin për violinë ose violonçel) 46 opera, sinfoni, 73 sonata, muzikë dhome ( disa sonata për fyell) si dhe Muzikë të Shenjtë. Vepra e tij më e famshme është “Katër Stinët”, kompozuar në vitin 1723. Në thelb, ajo ishte si një poemë për natyrën, ku ai u mundua të realizonte tingujt e katër stinevë. Pranvera është një pjesë, që shpesh përdoret për ceremoni të rëndësishme dhe vazhdon të konsiderohet një nga perlat e muzikës klasike. / KultPlus.com
Ishte 15 Janari i vitit 1975 kur bota shqiptare mësoi se Profesor Ernest Koliqi kishte ndërruar jetë, ndërkohë që njoftohej gjithashtu se varrimi i të ndjerit do bëhej me 18 Janar, 1975 në Kishën e Shën Piut X në Piazza della Balduina, në Romë, ku prehen edhe prindërit e tij dhe bashkshortja. Në ceremoninë e varrimit kishin shkuar personalitete të njohura politike dhe akademike, kolegë e miq nga të gjitha anët e Italisë, arbëreshë e shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e botës, miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një numër vendesh të Evropës Perëndimore dhe nga Turqia.
Unë kam pasë fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra dy tre herë në vjet. Në një letër që Profesor Koliqi më kishte dërguar në vitin 1972, pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim, ai më shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”. Gëzohem pikë më së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe. Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime. Mbaj mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’. Avit moshatarë sa ma shumë që mundesh. Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…” Ishte ky amaneti i tij.
Përveç respektit të madh që kam për Ernest Koliqin, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë, nga koha në kohë, në mënyrën teme më modeste, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar. Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë si një autor të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në here amanetin e ti, për të mos harruar.
Një tjetër i madh i letrave shqipe, Karl Gurakuqi, bashkpuntor i ngusht i tij, e ka vlerësuar kontributin prej shkrimtari të Ernest Koliqin kështu: “Nuk janë shumë shkrimtarët tonë, emni i të cilëve të njihet aq mirë në shtresat letrare shqipe sa ai i Koliqit. Janë 40 vjet që papremas e shohim emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime, në fletore e revista të ndryshme, disa prej të cilave janë themelue prej tij vet, në botime që janë të paracaktueme që të zënë nji vend të dukshëm, dashtë e padashtë, në historinë e letrave tona.” Si Ministër i Arsimit në vitin 1939, Ernest Koliqi mbledh pothuaj të gjithë studjuesit dhe shkrimtarët më të dalluar të vendit për të filluar botimin e librave për shkollat e mesme e fillore. Mjafton të përmendet dy-vëllimshi “Shkrimtarët Shqiptarë”, vëllimet “Bota Shqiptare”, “Rreze Drite” dhe “Te Praku i Jetës”, e sidomos mbledhja e folklorit, përmbledhur në “Visaret e Kombit”, të cilat me ardhjen e Koliqit në atë detyrë, arrijtën gjithsejt 14 vëllime, një vepër kjo me shumë vlerë deri në ditët tona, sipas ekspertëve që i dinë këto punë shumë më mirë se unë.
Karjera e Profesor Koliqit prej më shumë se 40-vjetësh është tepër e larmishme dhe voluminoze në letërsi, publicistikë, poezi e përkthime, për t’u përmendur këtu në hollësi. Por me këtë rast të përvjetorit të kalimit të tij në amshim më 15 Janar, 1975 — për të çuar në vend amanetin — dëshiroj të kujtoj Profesor Koliqin, për një rol tepër të rëndësishëm që ai ka luajtur në historinë e Kombit shqiptar, një rol ky që as sot nuk i njihet atij sa duhet në historiografinë neokomuniste shqiptare. Nuk më kujtohet që gjatë bisedave të kufizuara që kam pasur me të, të fliste për këtë aktivitet aq të rëndësishëm të jetës së tij dhe të arsimit mbarëkombëtar shqiptar, por të bashkpuntorë dhe bashkohas të tij, por edeh të tjerë më vonë, pas shembjes së komunizmit, nuk kanë munguar të theksojnë këtë kontribut historik të tij – hapjen e qindra shkollave shqipe dhe dërgimin e qindra mësuesëve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
Dr. Rexhep Krasniqi, një bashk-kohas i Profesorit ka shkruar në lidhje me këtë aktivitet të Profesor Koliqit gjatë viteve 1941-1944. Dr. Krasniqi kujton se, gjatë vitit shkollor, 1941-42, si Titullar i Arsimit, Koliqi dërgon në Kosovë rreth 200 mësues e mësuese. Me këtë rast u hapën një numër bajagi i madh bursash, sipas tij, “Ndërsa më në fund erdhi çasti historik i hapjes së shkollës së parë të plotë të mesme në gjuhën shqipe, më 12 dhjetor 1941”, në Prishtinë. Këto shkolla, shkruante Rexhep Krasniqi, në një artikull botuar në Shëjzat, u bënë baza me rëndësi për zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi.
Ndërsa Tahir Zajmi,i lindur në Gjakovë dhe një tjetër bashkohas i Koliqit dhe sekretar i Bajram Currit dhe njëri prej themeluesve dhe drejtuesve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në një shkrim në vitin 1972, ka vlerësuar kështu rolin e Ernest Koliqit në përhapjen e arsimit në Kosovë dhe në trojet shqiptare:”Fitim i madh për Kosovë kje hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe të cilat qyshë atëherë veprojnë e lulëzojnë të kërthensta dhe me një ritëm të shpejt dhe të pandalshëm i falin Kombit pionerë të rijë që do të jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së Atdheut. E merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin prej idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet shtetënore që kishte në dispozicion për ta pajisur sa më mirë aparatin arsimuer në viset e çlirueme, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E sot, për fatin e bardhë të Kombit, ashtë formue atje një rini dinamike e cila në çdo fushë aktiviteti kombëtar e shtetënor po përgatitet e po forcohet për ta lumnue fatin e vendit në të ardhmen. Pra, me shumë arsye Ernest koliqi zen një vend të naltë ndër zemrat e dashamirëve të Kosovës e njëherit edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të saj”, ka shkruar Tahir Zajmi për rolin e Koliqit në përhapjen e arsimit shqip në Kosovë në vitet 1941-1944.
Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj nga Vlora me origjinë, edhe ky një shërbestar i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve në Kosovë në vitin 1941, kishte kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arrijtën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”, është shprehur Ago Agaj.
Ndërsa një prej adhuruesve i ditëve tona i Ernest Koliqit, në një postim në faqën e tij të internetit këto ditë, Z. Flamur Gashi, Këshilltari për Çështjet e Rajonit i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Ilir Meta, kujton burrërisht Ernest Koliqin, “Në mirënjohje të thellë dhe kujtim të atij që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare”. Z. Gashi shënon mëtej se, “Në vitin shkollor 1941-1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale e Prishtinës”. Këshilltari i Presidentit për Çështjet e Rajonit flet me shifra duke theksuar se, “Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin 1943-44, ky numër u rrit në 400…ndërsa këtë vit shkollor e ndiqnin mbi 25 mijë nxënës”, nënvijon Z. Gashi. Këto shkolla, shkruan ai në portalin e tij, “U bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë”, ndërkohë që Ernest Koliqi, për këtë mision të jashtzakonshëm kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva, kujton Flamur Gashi, duke thënë se, “Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjës kombëtare”, përfundon Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, në kujtimin që i kushton në faqën e tij të internetit, Ernest Koliqit, në përvjetorin e vdekjes së tij më 15 Janar, 1975.
Megjithëse, zyrtarisht i përjashtuar dhe i harruar nga historiografia dhe letërsia shqipe nga regjimi komunist e deri diku mund të thuhet deri në ditët e sotëme, Profesor Ernest Koliqi ishte i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashk atdhetarët e vet. Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit e datës 3 dhjetor, 1960, me rastin e Ditës së Pavarësisës së Shqipërisë: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.
Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan në Kosovë dhe në trojet shqiptare pas Luftës së dytë botërore — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. / KultPlus.com
Çehovin duhet lexuar patjetër, madje shumë shpesh. Një prej shkrimtarëve më të mirë të Rusisë, i cili gjatë gjithë jetës ishte edhe mjek, ka tregime të shkurtra të cilat nuk duhet humbur, për ta njohur mirë Rusinë e vjetër dhe shpirtin rus.
Një shkrimtar që e bëri Rusinë më të njohur në botën letrare, Çehovi përfundoi Universitetin e Moskës ndërsa më pas udhëtoi edhe për në Azi. Shkrimtari ndërroi jetë në Gjermani, në vitin 1904, verën e këtij viti.
Këto janë katër arsye pse duhet lexuar Çehovi, e ndoshta edhe për ta nisur këtë vit duke lexuar dicka nga ai.
1. Shkaku i librave të tij, rusët nisën të lexonin letërsinë e vërtetë. Shembull, tregimin “Kashtanka” e mësojnë edhe sot fëmijët në shkollat fillore në Rusi. Tregimi bën fjalë për një qenush që, i humbur, përfundon në shtëpinë e një palaçoje. Bashkë me palaçon, në cirk qenushi fillon lojën por gjatë performancës e sheh në publik pronarin e tij.
2. Shkrimi i tij e inspiron Stanisllavskin dhe sistemin e tij të aktrimit. Three sisters, The Cherry Orchard, Uncle Vanya dhe The Seagull janë katër drama që u kthyen në shfaqje, të gjitha të luajtura nga Olga Knipper – aktorja që më pas u bë gruaja e shkrimtarit të madh.
3. Çehovi e rrezikoi edhe jetën e vet për shkrimin. Kur ishte diagnostifikuar me tuberkuloz, ai udhëtoi nga Siberia e deri në ishullin Sakhalin. Ishulli ishte vend i largët ku dërgoheshin të burgosurit, por Çehov shkoi dhe e dokumentoi jetën e banorëve të ishullit. Kësisoj, jeta e banorëve erdhi më pas e njohur për të gjithë Rusinë, dhe botën.
4. Në tregimin “Darling”, një grua ruse tregon instinktin e saj të fortë prej nëne dhe gruaje. Njëjtë si ajo, Çehov në plot shkrime e tregime sjellë shpirtin e vërtetë të Rusisë, të “njerëzve të vegjël”, njerëzve të rëndomtë. Çehov asnjëherë nuk ka provuar të tregojë idenë pas ekzistencës, por të dokumentojë problemet e rusëve. Në personazhet e tij gjithmonë ka thjeshtësi të dashurisë dhe aftësisë për të dashuruar. /KultPlus.com
Nesër në orën 12:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, hapet ekspozita kolektive multietnike nga fusha e artit pamor, përcjell KultPlus.
Kjo ekspozitë është simbol i integrimit të kulturave të ndryshme të shumë nacionaliteve në Kosovë.
Artistët në veprat e tyre prezantojnë kulturën e tyre duke u nisur nga etnografia, kostumografia, jetesa, puna, jeta sociale, psikologjia.
Qëllim tjetër i kësaj ekspozite është që të gjitha nacionalitete që jetojnë në kosovë duke u nisur prej turqve, boshnjakëve, serbëve në piktura të pasqyrojnë kulturën e tyre dhe të analizohen elementet e përbashkëta, andaj kjo ekspozitë tregon që jetesa, solidariteti, pranueshmëria, duhet të jenë në nivel të njejtë me barazi, pa bullizime, pa ndasi dhe pa urrejtje.
Artistët prezantohen me piktura nga arti abstrakt, realist, ekspresiv. Kuratori i ekspozitës është kritiku i artit Ilir Muharremi. Ekspozita kolektive u mbështet nga Ministria e Kulturës.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se ka takuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, përcjell KultPlus.
“Ritheksuam sa jetike janë vizioni i përbashkët dhe vlerat euro-atlantike që ndan Shqipëria dhe Kosova në këto momente sfidash rajonale, europiane dhe botërore”, ka shkruar Meta.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Si gjithmonë, shumë i lumtur të takohesha në Maltë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe të shkëmbenim opinione mbi marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve dhe vullnetin për t’i pasuruar ato më tej.
Ritheksuam sa jetike janë vizioni i përbashkët dhe vlerat euro-atlantike që ndan Shqipëria dhe Kosova në këto momente sfidash rajonale, europiane dhe botërore. Kosova sa më parë në NATO, një përgjigje në të mirë të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit. / KultPlus.com
Burri im është i barabartë me Zotin. Burri im është i barabartë me perënditë. Nëse më prek unë ndjehem grua dhe ndiej ujin që rrjedh në liqet e jetës. Burri im është një kalë race që vrapon ndërsa unë kalorëse e pavlerë përdhe s’luaj vendit burri im është një kitarë e lumtur dhe unë jam kënga e tij por ai s’më këndon asnjëherë përse? Pres që kitara të bëhet copë e çikë për të jetuar… Burri im është një burrë katil burri im është lutja ime është i njëjtë me Rilken dhe Garsian është i njëjtë me Savonarolën por burri im prek të tjera baqthe e të tjera flokë është bujar me vashat e praruara dhe mua më lë të mjerë prej pleqërisë dhe jetës të vdes për të. Burri im nëse zhvishet e ka kraharorin leshtak si shqiponjat por një sqep që të lëndon thellë dhe ndëshkon pendesat e dashurisë atëherë unë i tregoj mishrat e mi të plagosur dhe fatin mallkoj, por nëse burri im buzëqesh unë sërish lulëzoj dhe bëhem një hënë e bardhë që në det pasqyrohet.
“Nëse e dashuron një lule, mos e këput. Sepse nëse e këput, ajo vdes dhe puhson së qëni ajo që dashuron. Kështu që, nëse e do një lule, lëre të jetë. Dashuria nuk është zotërim. Dashuria është vlerësim”.
“Përjetoje jetën në gjithë mënyrat e mundshme… e mirë-e keqe, e hidhur-e ëmbël, errësirë-dritë, verë-dimër. Përjeto gjithë dualitetet. Mos ki frikë nga eksperienca, sepse sa më shumë eksperiencë që të kesh, aq më i pjekur do të jesh”.
“Trishtimi jep thellësi. Lumturia jep lartësi. Trishtimi jep rrënjë. Lumturia jep degë. Lumturia është si një pemë që ngjitet drejt qiellit, dhe trishtimi është si rrënjët që shkojnë poshtë në tokë. Të dyja nevojiten, dhe sa më lart të hskojë një pemë, aq më thellë shkon, njëkohësisht. Sa më e madhe pema, aq më të mëdha rënjët. Në fakt, janë gjithmonë në proporcion. Ky është ekuilibri i saj”.
“Të jesh krijues do të thotë të jesh në dashuri me jetën. Ti mund të jesh krijues, vetëm nëse e do jetën mjaftueshëm, sa që të duash t’i rrisësh bukurinë, të duash të sjellësh pak më shumë muzikë, pak më shumë poezi, pak më shumë vallëzim”.
“Miqësia është dashuria më e pastër. Eshtë forma më e lartë e dashurisë, aty ku nuk kërkohet asgjë, nuk ka kushte, ku njeriu thjesht jep dhe e shijon”.
“Jeta fillon aty ku merr fund frika”.
“Hiq dorë nga ideja për t’u bërë dikushi, sepse ti je tashmë një kryevepër. Nuk mund të përmirësohesh. Vetëm duhet që ta kuptosh kush je”.
“Duke rënë në dashuri, ti mbetesh fëmijë; duke u rritur në dashuri, ti maturohesh. Me kalimin e kohës, dashuria bëhet jo një marrëdhënie, por një gjendje e qenies tënde. JO se je në dashuri – ti tani je vetë dashuria”.
“Kurajo është një marrëdhënie dashurie me të panjohurën”./ KultPlus.com
Fillimi i vitit 2020 mori me vete ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, mirëpo këngët e saj vazhdojnë të dëgjohen e këndohen, pasiqë Pagarusha pas vetes la kryevepra artistike që nuk do të zhduken asnjëherë, shkruan KultPlus.
Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si: Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.
Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testin”, “Kënga e Rexhës” etj.
Mirëpo, sonte KultPlus ju sjell një këngë të Nexhmije Pagarushës, që edhe pse nuk është ndër të njohurat e saj, është një këngë e fuqishme që i flet me një dashuri të madhe qytetit të Prishtinës.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.
Tash kur natyra ka lulëzu Qyteti im asht zbukuru Jeta e amël me plot dëfrim Te ti po ngjallet Prishtinë.
Të du të du qyteti im Të du unë si nana fmin’ Të du të du qyteti im Të adhuroj o Prishtinë.
Qyteti im je plot gjallni Me vasha t’bukra djem te ri Gjithçka te ti është plot hijeshi Se ti po rrit nji brez t’ri. / KultPlus.com
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy përveçse ka kërkuar më shumë ndihmë ushtarake nga Perëndimi, në një konferencë për shtyp ka paralajmëruar se pjesa tjetër e Europës do ta pësojnë njësoj nëse nuk Rusia nuk ndalet tani.
Zelenskiy ka kërkuar që Perëndimi t’i japë aeroplanë nëse nuk mund t’i mbyllë qiejt, raporton The Guardian.
“Nëse nuk keni fuqi t’i mbyllni qiejt, atëherë më jepni aeroplanë!”, tha ai.
“Nëse nuk jemi më atëherë, Zoti na ruajt, Letonia, Lituania, Estonia do të jenë të radhës. Më besoni”, shtoi ai.
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Olha Stefanishyna tha më herët gjatë ditës se NATO është pjesërisht përgjegjëse për vdekjet e civilëve në vend, duke iu referuar mosvendosjes së një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë. / KultPlus.com
3 marsi është shpallur Dita Botërore e Shkrimtarëve dhe festohet çdo vit, që prej vitit 1986.
Dita Botërore e Shkrimtarëve është themeluar nga Kongresi ndërkombëtar i PEN Club, një shoqatë në gjithë botën e shkrimtarëve të themeluar në Londër në vitin 1921, për të promovuar miqësinë dhe mbështetjen intelektuale në mesin e shkrimtarëve nga të gjitha anët e botës.
Emri për organizimin u krijua nga letra e parë të fjalëve “poetëve, eseistë dhe romancierëve”, por në të vërtetë ajo përfshin shkrimtarë të të gjitha formave të letërsisë, duke përfshirë gazetarët dhe historianët. Ideja për të krijuar organizatë të tillë i takon shkrimtarit anglez C.A. Daëson Scott dhe presidenti i saj i parë ishte John Galsëorthy. Në ditët e sotme PEN Club International ka qendrat e saj në mbi 130 vende.
PEN Club International është organizata më e vjetër globale letrare që thekson rolin e letërsisë në zhvillimin e kulturës botërore, duke luftuar për lirinë e shprehjes. Gjithashtu festohet edhe 23 prilli, Dita Botërore e Shkrimtarëve, Dita Botërore e Poezisë etj. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka mirëpritur vendimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Rezolutës në mbështetje të Ukrainës.
Ajo tha se sot Kuvendi i Kosovës foli me një zë, teksa ka falënderuar të gjithë deputetët për votimin.
Osmani tha se Kosova qëndron me Ukrainën, sepse qëndron në anën re lirisë.
“Sot, Kuvendi i Kosovës foli me një zë. U dëshmua se përballë hegjemonive që cenojnë liritë më fundamentale njerëzore e që shkelin të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, sovran e në përputhje me vlerat demokratike, ne gjithmonë qëndrojmë të bashkuar dhe në anën e drejtë të historisë. Falënderoj të gjithë deputetët të cilët e fuqizuan edhe mëtej qëndrimin tashmë të shprehur nga Kosova lidhur me dënimin e agresionit rus në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë dhe hapjen e dyerve për refugjatët nga Ukraina. Kosova qëndron me Ukrainën, sepse Kosova qëndron në anën e lirisë! #WeStandWithUkraine”, ka shkruar Osmani në një postim në “Facebook”. / KultPlus.com
Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, ka njoftuar se BE-ja ka ndarë 1.2 miliard euro për të ndihmuar Ukrainën në përballjen e saj me agresionin rus.
Së paku 600 milionë euro do t’ia sigurojnë në mars, pa kushte.
“Jam i nderuar që sot nënshkrova memorandumin e mirëkuptimit për rreth 1.2 miliard euro për ndihmë makrofinanciare nga BE-ja për Ukrainën. Kjo do të ofrojë mbështetje për qeverinë ukrainase, duke ndihmuar për të financuar nevojat e tyre derisa po luftojnë heroikisht kundër agresionit barbar të Rusisë”.
Ukraina në vazhdimësi ka bërë thirrje për ndihma më të mëdha nga aleatët e saj perëndimorë si në aspektin ushtarak, ashtu edhe financiar. / KultPlus.com
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i ka dërguar propozim Kuvendit të Malit të Zi që Dritan Abazoviçit t’i jepet mandatari për formimin e qeverisë. Lajmi është bërë me dije nga vetë Gjukanoviç përmes një postimi në rrjetet sociale. Mali i Zi do të ketë kështu kryeministër shqiptar.
Gjukanoviç dhe Abazoviç janë takuar më herët gjatë ditës së sotme, mëson “Vijesti”, kur presidenti i Malit të Zi ka njoftuar zëvendëskryeministrin se i ka përfunduar konsultimet dhe se ka ndërmend ta japë mandatin.
Gjukanoviç tha se përfaqësuesit e GP URA dhe partnerët e tyre politikë e kanë bindur pa mëdyshje se kanë shumicë parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së 43-të në Kuvend dhe se për këtë arsye ka marrë vendim që mandatin për formimin e Qeverisë t’ia besojë Abazoviçit.
“I bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që sa më shpejt të jetë e mundur qeveria me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë të sigurisë dhe politike të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë, pres Parlamentin malazez së shpejti të mbahet seanca dhe të vendoset për programin dhe përbërjen e Qeverisë me propozim të kryeministrit”, ka përfunduar Gjukanoviç.
Kështu, Dritan Abazoviç merr kështu mandatin për formimin e qeverisë së pakicave me mbështetjen e partisë së Gjukanoviç. Sipas marrëveshjes në parim, qeveria e pakicës do të ketë 18 dikastere. Kujtojmë se më 4 shkurt Kuvendi rrëzoi qeverinë e Zdravko Krivokapiç. / KultPlus.com
Fondi Europian i Karikaturës ka sjellë në Galerinë e Tiranës një sërë karikatura origjinale në ekspozitën “Euro Humor”.
Një ndër hapësirat e ekspozimit I është kushtuar disa artistëve ukrainas, të cilët sjellin tema të ndryshme, mes tyre dhe lufta dhe paqja.
“Ndodhemi në një sallë të artistëve nga Ukraina. Veprat në fjalë i përkasin një artisti nga Ukraina, Yuri Kosobukin. është një karikaturist i famshëm dhe unë këmbëngula që ta sillte Eurohumori italian në këtë sallë pikërisht për t’i bërë një homazh veprës së tij. Së bashku me dy tre autorë të tjerë po nga Ukraina që çuditërisht qëlluan po rastësisht dita e inaugurimit kur në Ukrainë filloi lufta. një temë ishte “lufta dhe paqja” që Yuri Kosobukin ka vizatuar dy zotërinj që i falin një pëllumb në kafaz njëri tjetrit”, tha piktori Agim Sulaj.
Vetë artisti Agim Sulaj I njohur për stilin e tij hieperrealist, por edhe për humorin therës në karikatura ka paraqitur një sërë punimesh.
“Kam 18 punime dhe janë vepra që janë vlerësuar ndërkimëtarisht. me tema si varfëria, lufta, e ardhmja e fëmijëve, censura dhe janë tema të pikturuara në stilin tim”, tha piktori.
Kjo ekspozitë është kuruar nga Gianni Martini dhe Abaz Hado, njëkohësisht drejtor i Galerisë së Tiranës.
“Sillet për herë të parë një fond i madh i eurohumorit në karkiatura oriigjinale. Kemi dhe disa riprodhime të revistës hosteni nga arkiva”, tha Abaz Hado, drejtor i GAT./ KultPlus.com
Është hapur sërish konkursi për blerjen e veprave të artit.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, njofton se do të shpenzohen mbi 1 milion euro për tri vite për të blerë vepra të artit dhe për të pasuruar fondin shtetëror të artit, përcjell KultPlus.
KulPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
Mbi 1 milion euro për blerjen e veprave të artit
Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës u miratua vendimi për blerjen e veprave të artit. Mbi 1 milion euro do të shpenzohen përgjatë 3 viteve për të blerë vepra të artit dhe për të pasuruar fondin shtetëror të artit.
Ky është një lajm i mirë që vjen pas vështirësive që kemi pasur vitin e kaluar për të sjellur në jetë këtë program. Këmbëngulja jonë që kjo formë e re e vlerësimit dhe mbështetjes së artistëve të dërgohet deri në fund, ka siguruar që programit t’i rritet edhe buxheti por edhe jetëgjatësia.
Programit që ka filluar vitin e kaluar, i kemi shtuar elementin e blerjes së veprave të artistëve të dëshmuar që më nuk janë në mesin tonë. Vepra të panumërta të artistëve të jashtëzakonshëm që gjenden nëpër koleksione private e nuk janë të njohura për publikun, do të kenë mundësinë të ekspozohen para artdashësve nëpërmjet këtij programi.
Themelet e forta janë më të nevojshme se sa ngritja e shpejtë. Javëve në vijim do të hapet thirrja publike për blerjen e veprave të artit. Përgjatë tre viteve do të pasurojmë fondin shtetëror të artit përmes thirrjeve të rregullta publike dhe blerjes direkte./ KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të shtunën do të bëjë testimin e radhës të sistemit të alarmit publik në Prishtinë.
Testimi do të bëhet në orën 12:05, me tingull të njëtrajtshëm dy herë nga 30 sekonda.
“Këtë të shtunë, më 5 mars, në orën 12:05, Komuna e Prishtinës do të bëjë testimin e radhës së Sistemit të Alarmit Publik me tingull të njëtrajtshëm, dy herë nga 30 sekonda”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
“Pse e vrave?” “Nuk e di”. “Pse i preve veshët? “Nuk e di”. “Pse i more skalpin?” “Është çeçen!” ” E Kuptova”.
(marrë nga pyetja e një ushtari 19 vjeçar i brigatës 22 te Ministrisë së Brendshme ruse, e dislokuar në çeçeni gjatë verës së vitit 2001, nga një hetues i gjykatës së Groznit. Emrat e tyre? Humbshin ne harrim)
Kundër gjithë asaj që pohojnë mjekët, neurologët dhe psikiatrët mbi mundesite tona të pafundme, çdo njeri zotëron një rezistencë morale të kufizuar, pertej së ciles hapet honi personal i çdokujt. Vdekja nuk është domosdoshmëri. Mund të jenë situata më të këqija, për shembull humbja e plotë e gjithçkaje njerëzore, si përgjigje e vetme e të këqijave të panumërta të jetës. Askush nuk do të dinte se çfarë do të ishte i aftë të bënte në luftë.
Grozni i sotëm i jep njeriut të gjitha arsyet për të rënë në këtë greminë. Këtu është krijuar një botë qe ka në themel papërgjegjshmërinë e plotë ushtarake dhe edhe nëse lufta mbaron nesër, ajo do to vazhdonte edhe më gjatë, prej inercisë. Jam mëse e sigurtë.
Në çfarë konsiston papërgjegjshmëria çeçene?
Një njeri me mend, i mësuar që prej fëmijërisë me shqetësimet e jetes normale, nuk mundet te kuptojs origjinsn e ngjarjeve qe torturojns Çeçeninë. Nuk ka rëndësi, nëse ky njeri është çeçen apo rus. Qoftë ushtar, militant i rezistencës apo një qytetar i thjeshtë, që përpiqet rë mbetet jashtë makinacioneve që shërbejnë për të shpëtuar lëkurën. Pas njëfarë kohe, në mungesë të përgjigjeve të arsyeshme, ndergjegjja e tij fillon të shpërbëhet si një kërpudhë e prishur dhe mendja e tij përfundon në një qorrsokak.
Megjithatë nuk është çmenduri, është një fenomen tjetër.
Duket sikur të gjitha shtyllat, që kanë mbajtur jetën tënde deri në atë çast, janë shembur. Fillon të ndjesh se edhe ti mund t’i lejosh vetes diçka më shumë se më parë, se morali nuk është gjë tjetër, veçse një budallallëk i sajuar për të të injoruar ndërsa ti, tashmë, je bartës i një ndërgjegjeje të veçantë…
Në fillim, mendon ende për “diçka më shumë”. Pastaj, pak e nga pak, mekanizmi që të mban zvogëlohet dhe zhytesh gjithmonë e më thellë… sa nuk mund rezistojë ndokush.
Nuk janë fjalë. Edhe unë jam ndjerë kështu. Edhe pse e njoh realitetin, mësohem me iracionalitetin që më rrethon, megjithëse, ndryshe nga çeçenët, kam mundësinë për të marrë herë pas herë ajrin e Moskës pas atij Groznit, megjithatë….
Ndonjëherë shëtis ndërmjet gërmadhave të kryeqytefit çeçen. Flas me banorët e tij, i shoh në sy, mendoj për historitë e tyre dhe e kuptoj se mendja ime refuzon t’i besojë, kurndërshton, largon tutje rrëfimet e tyre që mund të shërbejnë për t’u mbrojtur. Besoj a nuk besoj, nuk dëshiroj të infektohem. Gjendem vërtet atje, por njëherësh më duket sikur të jem e pranishme në xhirimet e ndonjë filmi…
Nuk ka mundësi, ulëret ndërgjegjja ime, që autoritetet tona të këmbëngulin në një mënyrë kaq të marrë për të shtypur ata që jetojnë këtu! Pse duhet vazhduar të persekutohen këta banorë, që kanë duruar deri tani ngarkesa çnjerëzore, për faktin e vetëm, se kanë mbetur në atë qytet të tmerrshëm? Pse u duhet të ndjejnë për çdo ditë —jo, madje çdo minutë — që nuk janë gjë tjetër, veçse jashtëqitje, jo!, as jashtëqitje njerëzore, por jashtëqitje kafshësh? Po ushtarët? Dërgojnë këtu djelmosha tetëmbëdhjetë ose nëntëmbëdhjetëvjeçarë tërësisht injorantë, falë përmbysjes totale të sistemit shkollor te viteve nëntëdhjetë. Për çfarë u shërbejnë këto mësime, që nisin në pranverën e jetës së tyre? Po zyrtarët? Si do të munden më pas të kthehen në familje dhe të rrisin fëmijët e tyre?
Nuk ka përgjigje. Si mund ta gjej? Cila është origjina “racionale” e kaosit në skenën e Çeçenisë, që është duke shkatërruar rnbarë vendin?
(Fragment i shkëputur nga libri ‘Çeçenia, turpi i Rusisë’, i gazetares ruse, Ana Politkovskaia)
Ana Politkovskaya, e lindur në vitin 1958 dhe e vrarë në Moskë më 7 tetor 2006, është një ndër gazetaret e rralla gë ka informuar publikun në mënyrë të pavarur, për krimet gë ka bërë ushtria ruse gjatë luftës në Çeçeni. Gazetare e ” Gazeta o Re”, ajo është arrestuar e kërcënuar se do ta dënonin me vdekje, për qëndrimin e saj opozitar ndaj makinës represive shtetërore, pasi ka denoncuar shkeljen e të drejtave të njeriut në Çeçeni.
Në shtator të vitit 2004, ndërsa tentonte të shkonte në Osetinë e Veriut për të ndjekur rrëmbimin tragjik të fëmijëve në shkollën e Beslanit, ishte pre e një helmimi, për të cilin ajo e akuzoi shërbimet sekrete ruse.
Për veprimtarinë e saj fisnike ajo është vlerësuar nga shumë institucione prestigjioze, ndër të cilat: Çmimi Penda e Artë, për vitin 2004 nga Bashkimi i Gazetarëve të Rusise, Çmimi i Madh për Gazetarinë, i akorduar në vitin 2001 nga Global Aëard for Human Rights, seksioni anglez i Amnesty International për Çmimin për Gazetarinë e Demokracisë, i akorduar në vitin 2003 nga OSBE, e të tjera./ KultPlus.com
Dy nga veprat e artit më të njohur të Banksy janë shitur për një total prej më shumë se 7 milionë funte në ankand.
Vajrat e vandalizuar (Choppers), të përshkruara nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s si me një mesazh “anti-luftë”, shkuan për pothuajse 4.4 milionë funte, mbi vlerësimin fillestar midis 2.5 dhe 3.5 milionë funte.
“Girl With Balloon” u shit për 2.8 milionë funte, pasi u vlerësua nga 2 deri në 3 milionë funte.
Të dyja pjesët u shitën nga ankandët e Londrës pasi i përkisnin këngëtarit Robbie Williams.
Vandalized Oil (Choppers), duke shfaqur dy helikopterë ushtarakë me fluturim të ulët, kujton filmin e vitit 1979 për luftën e Vietnamit, Apocalypse Now, kur helikopterët sulmues amerikanë përplasin pozicionet e armikut në Ride of the Valkyries të Richard Wagner.
Në shënimin e katalogut, Sotheby’s tha se pasqyronte gjithashtu kundërshtimin e Banksy ndaj luftës së dytë në Irak, kur ai shpërndau pankarta me shabllon në protestat në Londër në 2003.
“Girl with Balloon”, me bojë me llak në metal, u ble nga Williams direkt nga artisti i grafitit në vitin 2006.
Fotoja është një nga imazhet e tij më të famshme që tregon një vajzë të re duke mbajtur dorën drejt një tullumbaceje të kuqe në formë zemre.
Një version tjetër i së njëjtës vepër u copëtua pasi u shit në ankand në 2018./ KultPlus.com
Më 3 mars të vitit 1878 u nënshkrua Traktati i Paqes së Shën-Stefanit, i cili i dha fund Luftës Ruso-Turke që pat shpërthyer më 24 Prill 1877. Pas luftimeve të ashpra, që zgjatën për pothuajse një vit, trupat ruse arritën në fshatin Shën Stefan, rreth 17 km në afërsi të Stambollit.
Pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve rusë, konti Nikolla Ignatiev e Aleksandër Nelidov dhe atyre osmanë Safet Pasha, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Sadullah Beu, Ambasador në Oborrin Perandorak të Gjermanisë, u nënshkrua ky traktat. Për shkak të epërsisë ushtarake, Rusia abuzoi shumë me Traktatin e Shën-Stefanit, duke thelluar mosmarrëveshjet ndërmjet popujve të Ballkanit. Sipas Traktatit, u krijua shteti bullgar me kufij shumë të gjerë, ndërsa Rumania, Serbia dhe Mali i Zi deri atëherë principata autonome nën vasalitetin e sulltanit osman, fituan pavarësinë e plotë. Serbia zgjerohej nga jugu në drejtim të viseve shqiptare të Kosovës. Sipërfaqja e saj rritej nga 37, 7 mijë km2 në 52, 7 mijë km2. Edhe Mali i Zi rritej nga 4, 7 mijë km2 në 15,7 mijë km2. Sipas këtij traktati, brenda kufijve të Malit të Zi hynin vise të banuara prej shqiptarëve, duke përfshirë Ulqinin, Tivarin, pjesën e sipërme të bregut të lumit të Bunës, gati krejt liqenin e Shkodrës, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë.
Territoret e Bullgarisë zgjeroheshin deri në brigjet e liqenit të Ohrit. Greqia nuk arriti të përfitonte asgjë. Kundërshtimi i vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit shënon një nga momentet ku filloi të merrte hov lëvizja kombëtare shqiptare. / KultPlus.com