Kosova shënon gol kundër Zvicrës (VIDEO)

Në Letzigrund Stadion të Cyrihut, Zvicra dhe Kosova zhvillojnë ndeshjen miqësore që padyshim se është një përballje emocionale falë lojtarëve shqiptarë që luajnë dhe kanë luajtur te Helvetikët.

Është hera e parë që këto dy skuadra vihen përballë njëra-tjetrës, ashtu që nuk ka dyshim se është një takim i veçantë.

Në pjesën e dytë, Kosova shënoi gol kundër Zvicrës.

Për “Dardanët” ka shënuar Milot Rashica në minutën e 52-të.

Klikoni KËTU për ta parë golin fantastik të Rashicës. / KultPlus.com

Në kuadër të Operës së Kosovës fillon programi ‘EduOpera’ për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të muzikës në vend

Sipas MKRS-së, në kuadër të Operës së Kosovës po fillon një program interaktiv për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të muzikës në vend.

EduOpera është seri prezantimesh dhe koncerte për operën dhe artin lirik, dedikuar fëmijëve dhe të rinjve në qytete të ndryshme të Kosovës.

Një program edukativ që do të realizohet në bashkëpunim me 10 shkolla fillore dhe të mesme të muzikës në Kosovë, ndërsa nxënësit do të kenë mundësinë e njohjes nga afër me operën si formë muzikore, prezantim në teori e praktikë, këndim të arieve e dueteve të Operave të njohura botërore e kombëtare, praktikisht dhe me institucionin e ri të Operës së Kosovës. Kjo përmes studentëve të solo këndimit dhe solistëve tjerë të njohur të vendit, të cilët do të ndajnë eksperiencën dhe përvojën e tyre me nxënësit. / KultPlus.com

Zvicër – Kosovë, këtu mund ta shikoni ndeshjen e sotme

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sot e zhvillon ndeshjen e dytë dhe njëherit të fundit miqësor ndaj Zvicrës.

Zvicra dhe Kosova luajnë në Cyrih me fillim nga ora 18:00.

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) do ta transmetojë ndeshjen falas.

Interesimi për ta parë nga afër këtë sfidë nga tifozët shqiptarë është i lart dhe stadiumi pritet të jetë i mbushur me tifozë.

Kujtojmë se Kosova pësë ditë më parë demoloi Burkina Fason 5:0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të një ndeshjeje miqësore. / KultPlus.com

CNN: Rusia ka filluar tërheqjen e disa prej forcave të saj nga rrethi i Kievit

Televizioni amerikan CNN po raporton se Rusia ka filluar tërheqjen e disa prej forcave të saj ushtarake nga rrethina e Kievit.

Gazetari i CNN, Jim Sciutto, ka raportuar disa nga forcat ruse kanë filluar tërheqjen e disa forcave të saj nga rrethina e Kievit.

“Rusia po fillon tërheqjen e disa prej forcave të saj nga rrethina e kryeqytetit ukrainas Kiev”, ka shkruar ai.

Duke cituar dy zyrtarë të lartë amerikanë, gazetari Sciutto thotë se tërheqja është një ndërrim i strategjisë ruse.

Një numër i madh i makinave ushtarake me flamuj rusë raportohet se po tërhiqen nga drejtimi i Kievit.

Zëvendësministri rus, Aleksander Fomin, sot deklaroi se kanë vendosur që të ndërprejnë aktivitetin e tyre ushtarak në drejtim të Kievit. / KultPlus.com

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe OJQ-së “Zëri i Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve”

Sot është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe OJQ -së “Zëri i Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve” për programin për punë praktike me mundësi punësimi për të rinjtë e komuniteteve egjiptian, rom dhe ashkali.

Përmes këtij programit synohet që të rinjtë e komuniteteve të kenë mundësi të fitojnë dhe fuqizojnë shkathtësitë e tyre, në ndihmë nga profesionistët që punojnë brenda institucioneve.

Kanidatët do të përzgjedhen përmes një procesi të hapur në një konkurrencë të barabartë dhe do të angazhohen për punë praktike në institucionet vartëse të MKRS-së siç janë: Biblioteka, Teatrot, Muzetë, Qendrat Rajonale për Trashëgimi Kulturore etj.

Memorandumi u nënshkrua nga zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS, Bislim Bislimi dhe Amanda Toska, zyrtare për punësim në Organizatën “Zëri i Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve”. / KultPlus.com

Ed Sheeran, Camila Cabello dhe Emeli Sande sonte në koncertin për Ukrainën

ITV, STV dhe Livewire Pictures kanë bashkuar forcat me Komitetin e Emergjencave të Fatkeqësive (DEC) dhe grupin mediatik dhe argëtues Global për të organizuar ngjarjen dy-orëshe në Birmingham këtë mbrëmje, e cila do të kombinojë shfaqje muzikore nga Sheeran dhe yjet e tjerë.

Sonte gjithashtu do ketë edhe filma të shkurtër që njohin përpjekjet e vazhdueshme të ndihmës dhe vështirësitë me të cilat përballen të prekurit nga konflikti.

Shikuesit do të jenë në gjendje të dhurojnë para për Apelin Humanitar të Ukrainës DEC gjatë gjithë mbrëmjes dhe të gjitha të ardhurat nga sponsorizimi dhe reklamat e krijuara nga transmetimi që vlerësohet të jenë më shumë se 3 milionë funte do të shkojnë gjithashtu për ndihma.

Koncertin mund ta dëgjoni drejtpërdrejtë nga ora 19:00 në Capital and Heart dhe në orën 20:00 në ITV dhe STV./ KultPlus.com

Së shpejti ‘Kurora e Prishtinës’ si destinacion i agroturizmit

Drejtoresha e Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Andriola Kambo, ka paralajmëruar për një projekt që do të realizohet së fundi në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Bëhet fjalë për Kurorën e Prishtinës si një destinacion i ri i turizmit në vend.

Njoftimin e ka bërë vetë Kambo pas takimit me krytearin e Prishtinës, Përparim Rama dhe nënkryetarin, Alban Zogaj.

“Së shpejti për të prezantuar Kurorën e Prishtinës si destinacion i Agroturizmit” ka shkruar ajo./ KultPlus.com

Gazetarë të medieve të huaja vizitojnë muzeun ‘Shtëpia me Gjethe’

Një grup gazetarësh të medieve ndërkombëtare vizituan sot  ambientet e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.

Të shoqëruar nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ata diskutuan mbi institucionet e kujtesës dhe mënyrat se si ato mund të bëhen tërheqëse për brezin e ri.

Të ftuar nga organizatorët e “Manifesta Biennial”, në Prishtinë, stacioni i radhës i gazetarëve të huaj ishte Tirana, ku u njohën qytetin dhe në veçanti me një nga muzetë më domethënës dhe dëshmues të 45 viteve diktaturë, në Shqipëri.

“Një rast për të shkëmbyer eksperienca dhe për të promovuar vendin tonë, kudo që ata përçojnë informacion: New York Times, Le Monde, El Pais, The Art Newspaper France, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Tagespiegel, Monopol, NOS, Euronews English, Volkskrant, Zeit”, tha Margariti./ KultPlus.com 

Dita Botërore e Pianos

Dita Botërore e Pianos festohet në ditën e 88-të të vitit, e cila është e njëjtë me numrin e tasteve në piano. Këtë vit, ajo mbahet më 29 mars. Dita Botërore e Pianos u themelua nga një grup njerëzish me të njëjtin mendim, të cilët synuan të krijonin një platformë për projekte të lidhura me pianon për të promovuar zhvillimin e muzikës dhe për të ndarë gëzimin e të luajturit në piano, transmeton KultPlus.

Pse na duhet Dita Botërore e Pianos?

“Për shumë arsye. Por më së shumti, sepse nuk është e dëmshme të festosh pianon dhe gjithçka rreth saj: interpretuesit, kompozitorët, ndërtuesit e pianos, akorduesit, lëvizësit dhe më e rëndësishmja, dëgjuesi,” u përgjigj Nils Frahm, pianisti dhe kompozitori gjerman. Dita e Pianos u shënua në vitin 2015. Ideja pas saj ishte të festohej Dita e Pianos në të gjithë botën duke mbajtur ngjarje, performanca, klasa master, leksione, etj. Që nga fillimi i saj, Dita Botërore e Pianos ka fituar një popullaritet të jashtëzakonshëm, me pjesëmarrjen e pianistëve, promovuesve, organizatorëve, distributorëve, teknikëve, entuziastëve të pianos dhe në thelb të gjithë atyre që lidhen me instrumentin.

Dulcimerët me çekan ishin instrumenti i parë me tela i përdorur që nga Mesjeta në Evropë. Pas disa përpjekjeve për krijimin e instrumenteve me tastierë me tela, mekanizmat e klavikordit dhe klavikordit u zhvilluan gjatë shekullit të 17-të.

Ndërsa piano e kohës së Mozartit pësoi ndryshime nga 1790 në 1860, struktura moderne e instrumentit erdhi në ekzistencë. Këto ndryshime ishin rezultat i preferencave të kompozitorëve dhe pianistëve që donin tinguj më të fuqishëm dhe të qëndrueshëm. Me kalimin e kohës, diapazoni tonal i pianos u rrit gjithashtu nga pesë në shtatë oktavat që mund të gjenden në pianon moderne.

Dita Botërore e Pianos është një festë e pianos dhe gjithçka që lidhet me të. Kjo ditë feston muzikën e së kaluarës dhe promovon evolucionin e saj. Kështu, në këtë ditë të 88-të të vitit, ne jemi bashkë për të festuar një nga instrumentet më të mëdha të të gjitha kohërave dhe të gjithë ata që e bëjnë të mundur këtë ditë./ KultPlus.com

Shqipëria do të hapë netët e gjysmëfinaleve në Eurovision 2022

Shqipëria do të hapë netët e gjysmëfinaleve për Eurovision Song Contest 2022, ndërkohë që ato do t’i mbyllë Republika Çeke.

Përcaktimi i rendit të daljes në gjysmëfinale është hapi i ri drejt Eurovision Song Contest 2022, i planifikuar për në Torino nga 10 deri më 14 maj.

Pas shortit të alokimit, që më 25 janar vendosi me short vendet konkurruese të natës së parë dhe të dytë, më 10 dhe 12 maj, kishte ardhur koha e përcaktimit edhe të rendit të daljes, 17 vende në natën e parë gjysmëfinale dhe 18 në të dytën.

Vendeve të kualifikuara pas gjysmëfinales do t’u shtohen të ashtuquajturit Big Five – Italia, Franca, Gjermania, Spanja dhe Britania e Madhe, që shkojnë direkt në finalen e 14 majit dhe kanë të drejtë vote edhe në gjysmëfinale: Italia dhe Franca natën e parë dhe Britania e Madhe, Spanja dhe Gjermania në natën e dytë.

Eurovision Song Contest 2022 do ta prezantojnë Laura Pausini, Alessandro Cattelan dhe Mika./ KultPlus.com

Cili ishte produkti i vetëm që Kosova e eksportoi në Rusi

Pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë dhe Rusi, shumica e shteteve i vënë sanksione Rusisë. Ndër këto shtete ishte edhe Kosova, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, i vetmi produkt që Kosova ka eksportuar drejt Rusisë ishin fustanet e dizajnerëve tanë.

Pra eksporti i fustanëve, si produkt i vetëm, drejt Rusisë tregon se puna e dizajnerëve kosovarë kalon në dimension tjetër. As gjykimi negativ që Rusia ka ndaj Kosovës në secilin rast, nuk i ka ndaluar ata që të blejnë produktet kosovare. 

Pra mundësitë e shitjes së dizajneve jashtë vendit janë të mëdha. Dizajneret kosovarë nuk po varen vetëm nga tregu vendor. 

Programi i Dizajnit të Modes në Kolegjin Universum iu siguron studentëve një sërë burimesh dhe shërbimesh për të mbështetur mësimin dhe kërkimin e tyre, praktika për studentët e Dizajnit fillon qysh në vitin e parë në laboratoret dhe atelien inovative të kampusit ndërsa në vitin e dytë studentët e vazhdojnë zhvillimin profesional në kompanitë partnere të Kolegjit Universum, duke mësuar kështu nga ekspertët, dhe përvoja e tyre në fushën e dizajnit.

Përveq studimeve dhe praktikes profesionale, studentët e Dizajnit të Modes në Kolegjin Universum çdo vit prezantojnë koleksionet e tyre në Prishtina Fashion Night. Duke prodhuar një koleksion të rrobave të modës, sintetizuar kërkimin dhe hartimin në vizatimet e punës, rezultatet përfundimtare, studentët ndjekin ciklin e plotë të modelimit dhe prodhimit të modës.

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram.

Shaqiri: Të dy prindërit kanë tetë vëllezër e motra, nuk i njoh të gjithë kushërinjtë e mi

Gazeta zvicerane Blick është duke i kushtuar vëmendje të madhe ndeshjes miqësore mes Kosovës dhe Zvicrës, ku në ekipin kosovar do të luajnë Shaqiri e Xhaka, përcjellë KultPlus.

Pritet të jetë një interesim i madh i shqiptarëve në Zvicër për këtë ndeshje, dhe gazeta Blick është interesuar edhe për faktin se sa kohë do ti merrte që të vizitonte të afërmit e tij.

 “Nëna dhe babai, që të dy kanë tetë vëllezër dhe motra.  Unë kam aq kushërinj dhe kushërira në Kosovë, dhe nuk i njoh pothuajse të gjithë”, thotë ai dhe qesh për gazetën Blick./ KultPlus.com

Blick: Xhaka, Shaqiri e Zeqiri sot luajnë kundër vendlindjes së prindërve të tyre

“Sot do të jetë një lojë shumë e veçantë për Andi Zeqirin, Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin. Yjet e kombëtares sonë për herë të parë në karrierën e tyre luajnë kundër Kosovës, vendit të prindërve, rrënjëve të tyre”, ka shkruar gazeta zvicerane Blick.

Kjo gazetë më pas ka potencuar se futbollistët Xhaka e Shaqiri do të mbushnin Letzigrund vetëm me të afërmit dhe të njohurit e tyre, pasi që kanë pas shumë kërkesa për këtë ndeshje.

“Xhaka, i cili luan ndeshjen e 100-të për Zvicrën kundër Kosovës, Shaqiri dhe Zeqiri mezi presin takimin special. Një lojë miqësore që kërkon miqësi. Zvicra dhe Kosova ndajnë një miqësi të madhe”, thuhet më tej në këtë artikull.

Ndeshja miqësore mes Kosovës dhe Zvicrës do të zhvillohet në Zurich./ KultPlus.com

Incidenti në Oscars, flet nëna Will Smith: Kjo është hera e parë që e kam parë të reagojë ashtu

Nëna e Will Smith ka reaguar për incidentin që tronditi ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar 2022 pasi aktori sulmoi komedianin Chris Rock për një batutë ndaj gruas së tij, Jada Pinkett.

Carolyn Smith e ka përshkruar sjelljen si krejtësisht jashtë karakterit.

“Ai është një person shumë i drejtë, njerëzor,” tha ajo të hënën për Action News. “Kjo është hera e parë që e kam parë të reagojë ashtu. Hera e parë në jetën e tij.”, tha 85-vjeçarja duke shtuar se i kishte kërkuar të birit që të largohej me pushime për t’u qetësuar nga kjo ngjarje.

Carolyn tha se ai e meritonte të fitonte çmimin për aktorin më të mirë për interpretimin e tij në “King Richard”, vlerësim që iu dha pas incidentit me komedianin. “Unë e di se si ai punon, sa shumë punon ai. Mendova se atij duhej t’i jepej një (Oscar) për të gjithë ata (filmat e tij).”, u shpreh ajo./ KultPlus.com

Aktakuzë kundër një shqiptari për masakrën e Izbicës

Prokuroria Speciale ka ngritur të martën aktakuzë ndaj të pandehurit M.A., shqiptar me vendbanim në Beograd, për masakrën e Izbicës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën “krim i luftës kundër popullsisë civile”.

“Prokuroria Speciale njofton se rasti ka të bëjë me Masakrën e Izbicës, e cila ka ndodhur më 28.03.1999, në fshatin Izbicë, Komuna e Skenderajt. Hetimet 12 mujore kanë vërtetuar se i pandehuri M.A. së bashku me persona ende të paidentifikuar të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marr pjesë në ekzekutimin e 130 personave, prej të cilëve 12 kanë mbijetuar. Gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marr pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”, thuhet në komunikatë.

Specialja njofton se janë marrë deklarata të mbi 100 dëshmitarëve dhe të dëmtuarve nga kjo masakër.

“Gjithashtu, janë siguruar prova materiale si: video-incizime, raporte të autopsisë dhe dëshmi të tjera, të cilat dëshmojnë se më 28.03.1999, në fshatin Izbicë, u vra popullsia civile e pafajshme”, thuhet në aktakuzë./ KultPlus.com

Historia dhe raportimi i rrallë për vdekjen e Bajram Currit

1) Bajram Curri në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare

Me origjinë nga fisi i njohur i Krasniqes (Malësia e Gjakovës), i lindur në Gjakovë, Bajram Curri u shque si veprimtar i lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes, duke qenë një ndër udhëheqësit politikë e ushtarakë të kryengritjeve popullore kundërosmane dhe të luftës për çlirimin e bashkimin kombëtar të vendit, shkruan Veli Haklaj.

Ishte një ndër organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe veprimtar i saj për autonominë e Shqipërisë dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të vendit; drejtues kryesorë në kryengritjet kundërosmane në periudhën 1908 – 1912, që u finalizuan me shpalljen e pavarësisë. Pas vitit 1912, luftoi në Kosovë për mbrojtjen e saj nga pushtuesit serbë. Nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës së 1913, që shkëputën Kosovën dhe treva të tjera shqiptare lindore e jugore nga shteti i pavarur shqiptar. Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe qe një ndër udhëheqësit kryesorë të tij.

Në një portretizim të Bajram Currit, At Zef Valentini do evidentonte: “Bajramit ia kish ânda, tue kujtuem emnin e gjinisë së vet, Curraj, me i thânë vedit: Un jam Curr! Në ndërtesën shpirtnore të Shqipnis, themelet do të vihen prej currash, prej virtytesh karakteristike të fisit; kur këta të qëndrojnë, edhe Shqipni ka; kur këta të hiqen, Shqipnis i luhet “carâni i votrës.”

2) Kontribute për konsolidimin e Shtetit Shqiptar

Në kongresin e Lushnjës, Bajram Curri u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol në qeverinë e Sulejman Delvinës.

Në vitet 1920-1921, me cilësinë e komandantit të Operacionit, bashkëpunoi me ministrin e Brendshëm, Ahmet Zogun, për të realizuar vendosjen e autoritetit të shtetit shqiptar në tërë territorin e Shqipërisë së njohur nga Konferenca e Londrës 1913. Me dekret nr. 846, datë 30 maj 1920, të Këshillit të Ministrave, Bajram Curri u emërue komandant i Operacionit kundër Lëvizjes së Shqipërisë së Mesme; më 30 qershor 1921, Bajram Curri emërohet komandant i Operacionit kundër lëvizjes së Marka Gjonit në Mirditë.

3) Veprimi i armatosur kundër institucioneve të Shtetit Shqiptar

Zhvillimet politike konfliktuale, ku nuk munguan dhe lëvizjet e armatosura i pozicionuan në kampe të kundërta Ahmet Zogun dhe Bajram Currin. Tradita gojore evidenton si shkak të ftohjes së tyre edhe martesën e Ceno Beg Kryeziut me motrën e Ahmet Zogut; familjet Curri dhe Kryeziu kishin trashëguar një histori konfliktesh ndërmjet tyre.

Nga marsi 1922, Bajram Curri zgjodhi rrugën e veprimit të armatosur kundër institucioneve shtetërore shqiptare. Ishte një ndër protagonistët kryesorë në lëvizjen e vitit 1923 dhe në Revolucionin e Qershorit 1924. Pas Triumfit të Legalitetit (24 dhjetor 1924), u tërhoq në Krasniqe, duke qëndruar si mik i bajraktarit të Krasniqes, Sali Manit, nga ku vazhdoi përpjekjet e tij të dëshpëruara për organizimin e një lëvizjeje të re kundër pushtetit legjitim në Tiranë.

1 / 6PrevNext

2) Vetëvrasja e Bajram Currit

Më 2 janar 1925, Bajram Curri mblodhi parinë e Krasniqes dhe një ditë më pas u deklarua besa e Krasniqes për me i kundërshtue çdo mësymjeje qeveritare. Më 8 janar, rreth agimit, forcat e Currit nga Krasniqja mësyjnë Gashin, e mbas një luftimi ku mbetën 10 të vdekun e një i plagosun nga forcat qeveritare dhe një i vrarë e një i plagosur nga mbështetësit e Currit, Bajram Curri merr vetëm Tropojën, qendrën e Gashit. Më 9 janar, fuqia e Currit nga Tropoja niset për në Bytyç duke patur për objektiv Krumën, qendrën e Prefekturës së Kosovës, ku kishte nisur dhe forca të tjera nga Krasniqja, duke paraqitur kështu një kërcënim serioz për stabilitetin e shtetit.

Për të shuar këtë rebelim të ri në Veriun e Shqipërisë, presidenti i Republikës Ahmet Zogu, me cilësinë e kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, kishte emëruar komandant Operacioni për Veriun Ceno Beg Kryeziun. Ndërkohë, vëllai i Cenos, Hasan Kryeziu, ushtronte detyrën e prefektit të Kosovës (Kukës, Has, Tropojë).

Në kushtet që situata po rëndohej nga ora në orë, duke vlerësuar potencialin e Bajram Currit për lëvizje të armatosura, me telegramin rezervat, nr. 19, datë 8 janar 1925, urdhërohet Komanda e Operacionit të Veriut që “kundër Bajram Currit të përdoren masat më të rrepta e definitive që kështu të mos ket nevojë mâ me bâ operacione në ato vise …”. Një ditë më pas, më 9 janar, Ceno Begut iu dërgua telegrami tjetër urgjent nga kryeministri Ahmet Zogu me urdhërin: “Currin gjallë â vdek duhet ta zini dhe fuqinë e tij duhet ta shkatërroni krejt tue marrë gjithë masat që kështu të shuhet revolucioni i Kosovës e të mos përsëritet mâ.”

I rrethuar nga forcat e xhandarmërisë dhe pa shpresë shpëtimi, Bajram Curri vrau veten më 29 mars 1925, në një shpellë në Grykën e Dragobisë (Tropojë). Më 30 mars 1925, nga bjeshkët e Dragobisë, komandanti i kompanisë së xhandarmërisë që realizoi operacionin, nëntoger Kadri Malësia (Mustafa), njoftoi telegrafisht Tiranën: “U lajmërojmë se në një luftë të përgjakshme i arratisuni i quejtuni anmik i shtetit shqiptar Bajram Beg Curri u vra dekun dhe i arratisuni Shefqet Draga u zu rob. Edhe shtatëdhjetë armë të fshehuna i mora. Në këtë luftë mbetën dekun 5 gjindarmë e katër të plagosun. Nalt i dekuni ish kenë me të gjithë të arratisunit. Kryetar i luftës kundra ushtrisë [ishte] bajraktar Sali Mani. Rrnoftë Republika Shqiptare!”

Më 31 mars, Ministria e Brendshme u telegrafoi prefekturave, nënprefekturave dhe gazetave qendrore dhe lokale duke i informuar për ngjarjen. Në fund të telegramit theksonte: “… Mbasi Bajram Curri ka lojtur kurdoherë me fatin e Malësisë së Kosovës, zhdukja e tij në këtë mënyrë do të sigurojë lumturinë dhe prehjen e popullit t’atij qarku”.

Më 1 prill 1925, zëvendësisht ministri i Punëve të Brendshme Kostaq Kotta i dërgoi këtë telegram falënderimi Prefekturës së Kosovës, i cili iu përcoll dhe Zyrës së Shtypit për publikim: “Kjo ministri e konsideron detyrë morale t’ju falënderojë për kujdesin dhe aktivitetin që treguat në vrasjen e Bajram Currit dhe lus kurdoherë sukses në detyrë të titullarit t’asaj Prefekture, z. Hasan Kryeziut.”

Po më 1 prill 1925, në vlerësim të kontributit për vendosjen e rendit në Veriun e Shqipërisë, presidenti i Republikës Ahmet Zogu emëroi Ceno Beg Kryeziun ministër të Punëve të Brendshme. Për këtë i erdhën telegrame urimi nga të gjitha prefekturat dhe nënprefekturat, si dhe nga populli ku i shfaqeshin urimet dhe gëzimet e tyre të nxehta. Nisur nga përmbajtja e këtyre telegrameve, gazeta e kohës “Shqipëri e Re” (Konstancë, Rumani) evidenton se “populli i Shqipërisë duket shumë i kënaqur prej emërimit të z. Ceno Kryeziu si Ministër i P. Brendshme”.

3) Vrasja e Bajram Currit në faqet e gazetës “Politika”

Vrasja e Bajram Currit pati jehonë dhe në gazetat joshqiptare, sidomos të vendeve fqinjë. Në numrin 6096, datë 13 prill 1925, fletorja e Beogradit “Politika” publikon këtë përshkrim për vrasjen e Bajram Currit:

Vorrimi i Bajram Currit

Mbaroj si turbullues e si mâ i madhi kriminel

Bajram Curri âsht mbajtun si mâ i ndershmi

Brekofc, më 12 prill 1925

I afërm dhe i marrun vesht prej të cilit e kam ndigjue vdekjen e Bajram Currit, nga i vetmi i Bajram Currit, Mahmut bej Zajmi me “besë” më informon:

Mbas fjalëve të tija, thotë se “Bajram Currin nuk e kan vrarë, por e ka vrar vedin”.

– Unë e kam larë (në tabut), më tha Mahmut begu, dhe ka pasur rroba të zotrive. Të gjitha m’i rrëfej shka e pyeta.

Thotë: – Unë deri në dekikat e mbrame të tij ishem ndër lufta me Bajram Currin, tridhjetë vjet të plota.

Më thotë Mahmut bej Zajmi:

– Me të ardhur Ahmet begu në Tiranë, Bajram Curri as s’deshi të ikte, as s’deshi të dorëzohet. Ai e njihte Shqipnin e shqiptarët dhe besonte se Ahmet beu s’do të qëndronte shumë në fuqi. Ka patur me vete njerëz, shumë katunde e shumë vende. Ke fshehur në Çerem, Guci; njëherë vajti edhe në Mal të Zi me qëllim që t’u dorëzonte, por prapë u pendue. Mandej kthej në Mal të Shalës te i pari i katolikëve, ku mâ së shumti ndejti. Mandej doli në Dragobi, por para një muaji vajti në Krasniq. Atëherë u hetue e ai më 28 të tjerë vajtën në një shpellë jo larg katundit Kersteniç (Krasniq). N’atë shpellë i mbushi 27 ditë. Gjindja (njerëzit) e tij nga frika e lanë vetëm. Me të më i mbrami mbet i vëllaj i Ferhat bej Dragës, Shefqet bej Draga. Kanë qenë në një gjendje të vështirë nga dimri i madh sa që të gjith nga ata e kanë humbur nga një këmbë (ngrirë) prej të ftohtit të madh e djegësimi i këmbëve aq i madh sa s’kan mujt që të presin këmbët. Kur xhandarmëria e kishin rrethue shpellën ku ishin, Bajram Curri menjëherë u vuri pushkën dhe i ndezi 37 fishekë me mauzerin e vet, e mandej e nxori revolverin e ja mbajti vedit kresë e u vra. Mbas dy orëve hyni xhandarmëria në shpellë dhe e gjetën të vdekur. Shefqet begu ishte kenë gjallë dhe e prunë në Krumë [qendër e Prefekturës së Kosovës]. Dy ditë salla ka zgjatë. Ke neve shqiptarët salla âsht shenjë mjerimi. Aty i kam pyetur mâ të afërmit për të gjitha mbasi ishem “në gjakë”. Ata më thanë se ai të gjithë kaçakët i nisi para se ta vriste vedin dhe ju kish thanë: “Shkoni se po ju liroj nga besa, se âsht gjynah të rinj si ju të vriteni. Kur të shkoni, thoni se Bajram Curri mâ mirë deshti të vdesin me nder se të dorëzohet. Të kisha dashur që ndokujt t’i dorëzohem, ju kisha dorëzue vetëm Serbisë, por kërkujt s’ju kisha shitun me të holla”. E varrosëm në Krumë tek Xhamia më e madhe, me nderimet më të mëdhaja, ku u prezantuan miqtë, autoritetet dhe ushtria.

Kështu e mbaroi fjalën e vet Mahmut bej Zajmi. Mbas këtyne të pyetunave që i bâna e përgjigjeve që mora nga miku i jem, unë dhe mâ parë i kam dëgjuar për Bajram Currin këto.

Si të shoqnuem në varrimin e tij ishin njâ dy mijë vetë, mjerisht se ndër këto vende njehen për shumë. Kënë qenë delegatët e të gjitha krahinave: Malet e Gashit, të Krasniqes, Nikaj e Mërtur. Dhe çudia më e madhe se kanë qenë që të gjithë përfaqësuesit e autoriteteve, si ushtarë ashtu edhe civilë. Një çetë ushtarësh në shenjë nderimi i kanë zbrazun pushkët kur Bajram Currin e lëshuan në dhé.

Hasan bej Kryeziu, Prefekt i Krumës, në fjalimin e tij, në mes të tjerash tha edhe këto: “Sot âsht vra Baba i Shqipnis. Anmikut po i vjen liksht pse neve kështu po e nderojmë. Megjithse trupi i tij ka mbarue, Shpirti i tij do të mbesin përgjithmonë në mes t’onin. … Ai e ka ndjekun Shqypnin si nâna fëminë e vogël dhe ka luftue për zmadhimin e saj …” Përfaqësuesi i Qeverisë mbaroj fjalën e tij kështu: “Qani o popull për Babën e Shqinisë”.

Ra në sy se në varrimin e tij qenë shumë katolikë nga Shqipnia e Veriut. Mbas Prefektit e mori fjalën Kadia i Krumës dhe në mbarim mori fjalën një kapiten aktiv i Xhandarmërisë Shqiptare. Këto fjalë i karakterizoj të vdekunit Bajram Curri: “… Ndigjoni kosovarë e dukagjinas! Na sot po varrosim lirinë e Kosovës sonë.”

Me këtë mënyrë u varros ai barbar, Bajram Curri, i cili gabimet e veta gjithmonë âsht mundue me i mbledhë tue i gradue fukaran n’atë mënyrë si ka marrë vet prej të tjerëve. Për çka me këtë mënyrë e qysh Qeveria Shqyptare i ka dhânë rândësi e nderim për varrimin e tij, për pak kohë do ta marrim vesh.

B.G.

Përkthye, më 22 prill 1925

(firmë e palexueshme)

(Burimet u hoqën nga redaksia)

Akademia e fëmijëve ‘Loja’ me vizitë në Shpellën e Gadimes për t’u njohur me mrekullitë natyrore

Akademia e fëmijëve ‘Loja’, së bashku me fëmijët kanë vizituar një ndër mrekullitë natyrore në vend, Shpellën e Gadimes, e cila është një ndër destinacionet turistike më të vizituara jo vetëm nga vendësit por edhe nga turistët e huaj.

“Këtë vizitë e kemi realizu në kuadër të temës javore ‘Mrekullitë natyrore në Botë’, me këtë rast kemi shtjelluar edhe temën me mrekullitë e vendit tonë që është finalizuar me vizitën e fëmijëve në Shpellën e Gadimes që njihet si një ndër vendet më të bukura turistike të vendit” – thotë për KultPlus Tringa Jusufi nga ‘IP Loja’.

Kjo është një ndër vizitat e shumta që akademia ‘Loja’ ka realizuar deri më tani, dhe që do të vazhdojë të realizojë në mënyrë që fëmijët të kenë mundësi të eksplorojnë sa më shumë në aspektin edukativ dhe të njihen me ambientin përreth.

‘Loja’, si një ndër liderët në Kosovë në fushën e Edukimit në Fëmijërinë e Hershme, ndihmon fëmijët të ndërtojnë themelet e duhura për një jetë të lumtur dhe të suksesshme me moton ‘Qëllimi ynë është të mësojmë fëmijët të kenë Zemra të Lumtura. Trupa të Shëndetshëm dhe Mendje të Hapura.’./KultPlus.com

Përkujtohet 110 vjetori i lindjes së shkrimtarit, Mark Ndoja

Si sot, më 29 mars të vitit 1912, u lind intelektuali, shkrimtari, përkthyesi dhe politikani, Mark Ndoja.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot 110 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Mark Ndoja.

Në vendlindje, në Iballë (Pukë), Ndoja kreu vetëm dy vjet të arsimit fillor, pasi familja e tij u shtrëngua të largohej për shkak të problemeve ekonomike dhe politike. Në maj të vitit 1926, delegati i Papës, Monsinjor Della Pietra, i mundësoi përftimin e një burse për të vazhduar ciklin e plotë të studimeve tek jezuitët.

Ndërkohë, nisi të shfaqte ambiciet letrare duke shkruar vjersha dhe poema, por shumica e dorëshkrimeve të tij u botuan pas vitit 1990.

Kishte një formim në traditën klasike, duke njohur mirë gjuhët e huaja, sikurse latinishten, greqishten e vjetër, italishten dhe gjermanishten. Pas mbarimit të studimeve, në dhjetor të vitit 1937, punoi si kujdestar i Liceut të Korçës deri në qershor 1939. Në shkurt 1940 emërohet profesor në Liceun e Shkodrës. Njëkohësisht u mor dhe me përkthime, duke përshtatur nga shqipja në italisht poezi të Fishtës, Mjedës dhe Serembes.

Gjithashtu, përktheu në shqip nga Homeri, kënga I – VI, nga Horaci, dhe më e rëndësishmja, përkthimi i plotë i ” Komedisë Hyjnore”, i dyti pas atij të Pashko Gjeçit.

Në vitin 1942 përfshihet në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe në vitin 1943 del “ilegal”. Gjatë kësaj kohe përdori pseudonimin e luftës, “Profi”. U zgjodh në funksione të rëndësishme në Komitetin Qarkor të Shkodrës dhe në njësinë ushtarake, Batalionin “Perlat Rexhepi”. Mori pjesë në luftimet e zhvilluara në Reç të Shkodrës dhe në Degë të Tropojës,  gjatë Operacionit Gjerman të Dimrit.

Pas çlirimit të vendit, në dhjetor 1945, zgjidhet deputet i Pukës në Asamblenë Kushtetuese. Në të njëjtin vit dekorohet me “Medaljen e Kujtimit”, “Medaljen e Çlirimit” dhe “Urdhërin e Flamurit”. Në janar 1947 zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i Institutit të Shkencave, ( pararëndes i Akademisë së Shkencave). Pas këtij funksioni zgjidhet Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Në këtë periudhë, Ndoja do ta pësonte nga përfshirjet në dikutimet ideologjike në Lidhjen e Shkrimtarëve, gjatë një spastrimi të një grupi shkrimtarësh në vitet 1953-1954.

Ndoja u përjashtua nga partia dhe u arrestua në vitin 1955. Pasi kreu dënimin, punoi për pak kohë si përkthyes i jashtëm në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Në vitin 1964, u internua në Zvërnec, nga ku do të lirohej në vitin 1968. Vdiq më 22 qershor 1972./atsh/ KultPlus.com

Rusëve u lejohet sërish përdorimi i Facebook dhe Instagram

E njëjta gjykatë e Moskës që javën e kaluar ndaloi përdorimin e Facebook dhe Instagram në Rusi tani ka vendosur se qytetarët mund të përdorin platformat e mediave sociale përsa kohë që aktivitetet janë të ligjshme, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Më 21 mars, Gjykata e Tverskoy ndaloi përdorimin e platformave duke i cilësuar ato si organizata “ekstremiste” pas një kërkese të prokurorit të përgjithshëm.

Kompania mëmë “Meta” u akuzua për promovimin e thirrjeve për dhunë ndaj trupave ruse në Ukrainë.

Edhe përpara vendimit të Gjykatës, të dy shërbimet ishin bllokuar zyrtarisht për përdoruesit në Rusi, megjithëse ato mbetën gjerësisht të disponueshme përmes shërbimeve VPN.

VPN-të i lejojnë përdoruesit e internetit të anashkalojnë censurën e qeverisë për të hyrë në faqet e ndaluara.

Duke pasur parasysh statusin e tyre të errët ligjor, shumë individë që përdorën dy rrjetet sociale për të fituar para, kishin frikë për jetesën e tyre pas masave të rrepta qeveritare./ KultPlus.com

Shpell’ e Dragobisë

Nga Fan Noli

Elegji për Bajram Currin

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.

Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.

Vendi dridhej, ay mbeti
Se s’tronditej nga tërrmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.

O Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë.

Thon’ u-shtri e thon’ u-vra,
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zëmr’ e Djalërisë.

As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.

Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn’ e Shqipërisë
Katakomb’ e Dragobisë.

Më 29 Mars 1925, në shpellën e Dragobisë ra heroikisht luftëtari nga Kosova, Bajram Curri. Për nder të tij në vitin 1952 qyteti Kolgecaj në Shqipëri u riemërua sipas emrit të tij. KultPlus.com

Rrëfim nga kujtesa fëmijërore, 23 vjet nga Masakra e Belegut

(Nga Endrit Binakaj, i mbijetuari i Masakrës së Belegut, autor i dy librave për masakrën.)

Masakra e Belegut, 29 mars 1999

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, memoria ime ka ngelur e freskët, ende e qartë si kristali i një fëmije që sapo kishte mbushur 9 vjet. Ende në shiritin e kujtesës sime më rrëshqasin natyrshëm ato skena vuajtjesh, maltretimesh, frikë nga e panjohura, se po vriteshim tash a tash.

Sa herë që vjen 29 marsi, dhe jo vetëm, unë kthehem në marsin e vitit 1999, në vitin e rëndë të vrasjeve, torturave, masakrave deri në shfarosje totale, por edhe të kthesës së madhe të shqiptarëve për fitoren e luftës për liri. Kthehem dhe shndërrohem në Endritin 9 vjeçar, në Belegun e djegur e të shkatërruar, në Kosovën e kapluar më flakë e erë gjaku të njomë.

E kujtoj si sot, ishte ditë e hënë marsi, pranvera kishte lëshuar rrënjë, pemët kishin filluar të çelnin sythet e tyre, fushat dhe kodrinat po rinoheshin me petkun e gjelbëruar. Por, vetëm qielli nuk ishte në sinkron me token. Ai po shfaqej i zymtë, retë e zeza e kishin pushtuar vendin tim, kukuvajkat po paralajmëronin tragjedinë e madhe. Dita e 29 marsit 1999 ishte e kobshme për vendlindjen time, si fëmijë atëbotë e them pa modesti më bëhej sikur e kisha mposhtur frikën, me siguri qe po, e kisha mposhtur, krismat e plumbave dhe gjëmimet e topave ishin bërë tinguj të zakonshëm për veshin tim, tanket dhe autoblindat e paramilitarëve me helmeta ishin bërë pamje e përditshme e syve të mi.

E kujtoj futjen e policisë brenda oborrit të shtëpisë sime, pushtimin e tij nga paramilitarë serb me tyta armesh mbi civilë shqiptarë që të vetmin mëkat që kishin bërë ishte se po jetonin në tokën e paraardhëseve të  tyre që kishin jetuar brez pas brezi këtu, në atdheun tonë autokton. Të hutuar e në ankth, na mblodhën të gjithë, u nisëm në karvanin e pa kthim drejt qendrës së fshatit, duke ecur rrugës, një autoblind na printe e ne ishin në mes, anash ecnin në këmbë me armë të gjata ushtarët serbë të armatosur deri në dhëmb, ndërsa në fund të kolonës qëndronte edhe autoblinda tjetër, si për ta siguruar rrugën se tufa e shqiptarëve civil që po shkonte drejt ferrit, të mbërrinte e sigurt atje. Rrugës në asnjë moment nuk ia lëshova dorën nënës sime, e cila tashmë kishte barrë të rëndë të kujdesej për mua dhe motrën, babai nuk e dinin se çfarë i kishte ndodhur, siç nuk do ta dinim deri në qershorin e vitit 1999, e mendonim si të vdekur, ashtu siç na vinin lajmet në Shkodër, ku qëndrova me familje për tre muaj si refugjat. Rrugëtimi i ferrit nga shtëpia deri në vendin e grumbullimit në qendër të fshatit, ishte i tmerrshëm, çdo gjë po digjej, qiellin e atij muzgu tragjik po e ndriçonin flakët e shtëpive që po digjeshin në çdo skaj të rrugës kafshë të ngordhura, kukama e dënesje nënash, në prani të familjes kishin pushkatuar në pragun e shtëpisë, Naim e Nezir Vishajn, po ashtu edhe profesor Daut Aliçkajn. Tmerri i vërtetë kishe filluar.

Të hutuar dhe në ankth, policia dhe ushtria serbe kishin filluar aksionin e plaçkitjes, torturës dhe maltretimit të banorëve jo vetëm të Belegut por edhe të fshatrave tjera që lufta i kishte degdisur për ato momente në Beleg. Atë natë marsi, burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët. Në çdo moment pritej pushkatimi dhe therja jonë, nuk ndodhi atë natë, sikur ishte vullnet nga Zoti që ne fëmijët dhe gratë të shpëtonim, për ta treguar e rrëfyer vuajtjen tonë për liri, por nga pushkatimi nga paramilitarët serbë nuk shpëtuan 46 burra që nga mosha 16 vjeçare e deri tek pleq të shtyrë në moshë.

Në mëngjesin e 30 marsit, filloj eksodi i madh për në Shqipëri, në rrugën pa kthim. Ishte momenti i fundit kur fëmijët po i shikonin fytyrat e baballarëve të tyre, çast i trishtueshëm kur nënat po merrnin mallin me veti për bijtë e tyre që nuk do t’i takonin kurrë. Momente prekëse që i kisha përjetuar si fëmijë, është shumë e vështirë të gjesh ndonjë përshkrim adekuat të asaj ndjesie, e dhimbshme, e tmerrshme sa që edhe lotët ishin shterur e zëri kishte ndërruar tonalitetin, nuk mund as të bërtisje.

Në natën e 29 marsit, për të vazhduar edhe më 30 mars 1999, ishin ndaluar nga forcat serbe 46 burra për t’u ekzekutuar më pas, jo vetëm banorë të fshatit Beleg por dhe të fshatrave tjera përreth që lufta i kishte zënë aty atë ditë marsi.

Ky është një përshkrim i shkurtër i gërmuar thellë nga kujtesa e një fëmije që sapo kishte filluar ta jetoj pranverën e nëntë, i atij skenari të tmerrshëm të Masakrës së Belegut, e cila llogaritet si njëra nga krimet më të llahtarshme të regjimit serb në luftën e fundit në Kosovë.

Nga 46 të ekzekutuarit në këtë masakër deri më tani janë identifikuar vetëm 12 trupa, ndërsa pjesa dërmuese, pra 34 mbesin ende të zhdukur. Ndonëse dihen autorët e krimit të cilët i kam dokumentuar në dy librat e mi për këtë masakër, përsëri drejtësia vendore e sidomos ajo ndërkombëtare nuk kanë bërë asgjë në zbardhjen dhe dënimin e merituar për autorët e këtij krimi makabër.

Dëshmitarët e Masakrës së Belegut, disa herë i kanë deponuar dëshmitë dhe faktet e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ende nuk ka ndonjë proces gjyqësor ndaj kriminelëve që vranë, masakruan dhe torturuan banorët e fshatit Beleg.

Sot, 23 vjet nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, familjarët, të afërmit e të ekzekutuarve në Beleg mbesin me ankth, në pritje të ndonjë lajmi për trupat e tyre, varret kanë mbetur të hapura, me epitafe të shkruara, por mungojnë një grusht eshtra. Kaq kërkojnë familjarët e tyre, që sadopak t’iu zbutet dhimbja, si një vend për t’i ndje më afër, se për t’i vajtuar ata nuk e meritojnë, janë martirë të kësaj toke të lirë.

Aktualisht në të gjithë vendin janë të zhdukur rreth 1643 persona, Serbia e di saktë vendndodhjen e tyre, andaj duke qenë se jemi në prag të një marrëveshje me shtetin armik, si një i mbijetuar i masakrës dhe si qytetar i kësaj Republike iu bëj apel dhe thirrje në emër të gjithë familjarëve që t’i bëhet presion Serbisë për kthimin e të gjitha eshtrave të personave të zhdukur në Kosovë.

Familjarët e të rënëve jo vetëm në Beleg por edhe në nivel të Kosovës, asnjëherë nuk do të jenë të qetë përderisa kriminelët nuk e marrin dënimin e merituar.

Ankthin ata e kanë bërë pjesë të jetës, tash e 23 vjet.          

Ky ankth shpresoj të mos vazhdoj në pafundësi.

Lavdi të rënëve në Masakrën e Belegut!

Të rënët në Masakrën e Belegut

Deri më tani nga Masakra e Belegut janë të identifikuar këta persona:

Shaqë (Curr) Binakaj

Hysni (Curr) Binakaj

Nezir (Ibish)Vishaj

Naim (Daut) Vishaj

Daut (Murat) Aliçkaj

Gëzim (Selmon) Vishaj

Jetmir (Arif) Mazrekaj

Qazim (Osë) Hulaj

Sadri (Adem) Zukaj

SHefqet (Curr) Belegu

Shaban (Haxhi) Kadriaj

Ali (Haxhi) Kadriaj

Ndërsa, shumica e të rënëve në këtë masakër ende nuk janë gjetur. Dhe, ende nuk dihet se KU JANË:

Zymer (Miftar) Binakaj

Brahim (Adem) Zukaj

Hamid (Dervish) Zukaj

Rexhep (Lum) Neziraj

Faton (Hasan) Vishaj

Fatmir (Halil) Vishaj

Ramë (Shaban) Kilaj

Sadri (Hajdar) Vishaj

Mujë (Isuf) Vishaj

Malë (Isuf) Vishaj

Zenel (Ukë) Vishaj

Hazir (Himë) Zukaj

Shaban (Ramë) Nitaj

Nekë (Halil) Binakaj

Hajdar (Hamëz) Mazrekaj

Ali (Avdyl) Mazrekaj

Bashkim (Lush) Hadergjonaj

Afrim (Lush) Hadergjonaj

Xhevdet (Bajram) Hadergjonaj

Muhamet (Bajram) Hadergjonaj

Mehmet (Halil) Tolaj

Xhevat (Ukë) Tolaj

Misin (Hajdin) Tolaj

Arif (Haxhi) Mazrekaj

Isa (Tahir) Tolaj

Sahit (Bekë) Mazrekaj

Hasan (Sahit) Mazrekaj

Sundim (Sahit) Mazrekaj

Naim (Hysen) Tolaj

Ragip (Osmon) Morina

Beqir (Idriz) Dervishaj

Tafë (Bekë) Dinaj

Smajl (Ramë) Ukëhaxhaj

Haxhi (Shaban) Kadriaj. / KultPlus.com

Monologu i të vetmuarit

Poezi nga Ismai Kadare

Tani une ngjitem lart dhe s’kam asnje gezim.
Ketu ku kam arritur me ftohte eshte, me vetmi.
E dija kete, por padurimi i vdekur
Me shtynte te shpejtoj te ky sinor i kote.

Krahe grash te thyera mbi supe si te prera nga nje
morg
Me japin nje gezim po aq te vdekur.
Me duket ende dimer ndonese esht prill.
Kam ftohte.
Kam ftohte. /KultPlus.com