Kryeministri Kurti: Qeveria ka vendosur që t’i strehojë 20 gazetarë nga Ukraina

Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar se qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i pranojë 20 gazetarë ukrainas të cilët janë larguar nga vendi I tyre shkaku I agresionit rus, përcjell KultPlus.

Kurti ka shkruar se do t’i përkrahin gazetarët ukrainas dhe do t’ua mundësojnë punën nga distanca.

“Qeveria jonë ka vendosur që të pranojë 20 gazetarë nga Ukraina në Kosovë. Ata janë detyruar që ta lënë atdheun e tyre nga invazioni rus. Në përkrahje dhe solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj, në bashkëpunim me Federatën Evropiane të Gazetarëve ne do t’ua mundësojmë atyre të punojnë nga distanca”, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com

Dirigjenti rus Valery Gergiev shkarkohet nga Filharmonia e Mynihut për mbështetjen ndaj Putinit

Valery Gergiev është shkarkuar nga puna si kryedirigjent i Filharmonisë së Munihut, për shkak të mbështetjes së tij për presidentin rus Vladimir Putin dhe sepse nuk kundërshtoi pushtimin e Ukrainës.

Dieter Reiter tha se vendimi vjen pasi Gergiev nuk iu përgjigj kërkesave të Reiterit që 68-vjeçari të ndryshonte qasjen, raporton AP.

“Kam pritur që ai të rimendojë dhe rishikojë vlerësimin e tij pozitiv për liderin rus”, ka thënë Reiter. “Pasi kjo nuk ndodhi, opsioni i vetëm ishte ndërprerja e menjëhershme e lidhjeve”.

Gergiev ka qenë kryedirigjent i Munihut prej sesionit 2015-2016.

Gergiev aktualisht po drejton një seri shfaqjesh të Mbretëreshës së Spades të Çajkovskit në La Scala në Milano, ku u raportua se ai u përshëndet nga audienca javën e kaluar.

Shtëpia e operës ka deklaruar gjithashtu se ai do të hiqet nga paraqitja e tij e ardhshme më 5 mars nëse nuk flet kundër regjimit rus.

“Ne i kemi kërkuar atij të marrë një pozicion të qartë kundër këtij pushtimi dhe, nëse ai nuk do ta bëjë këtë, ne do të detyrohemi t’i japim fund këtij bashkëpunimi,” tha kryetari i bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, i cili është gjithashtu president i La Scala. .

Filharmonia e Roterdamit ka njoftuar gjithashtu se do të anulojë Festivalin e saj vjetor me Gergiev këtë vit, nëse dirigjenti rus nuk do të revokojë mbështetjen e tij për Putinin; ndërsa festivali Verbier i Zvicrës ka kërkuar gjithashtu që dirigjenti të japë dorëheqjen si drejtor muzikor i Orkestrës së Festivalit Verbier.

Në Nju Jork, drejtori muzikor i Metropolitan Opera, Yannick Nézet-Séguin zëvendësoi Gergiev për tre shfaqje të fundjavës nga Filharmonia e Vjenës në Carnegie Hall. Vendi anuloi gjithashtu dy shfaqje të majit nga Orkestra Mariinsky që Gergiev duhej të drejtonte. / KultPlus.com

Hapet thirrja publike për propozimin e Titullit “Guximi Intelektual” për vitin 2021

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë vjen me ftesë publike për propozimin për Titullin “Guximi Intelektual” për vitin 2021, përcjell KultPlus.

Përderisa ky titull jepet çdo përvjetor të Shoqatës, kandidatët propozohen teksa kryesia pastaj e bën përzgjedhjen.

Kriterët, propozimi, arsyetimi dhe ndarja e titullit bazohet në Rregulloren për ndarjen e Titullit “Guximi Intelektual”. Propozimi me arsyetim bëhët përmes e-adresës: [email protected]. Afati deri me 30.03.2022.

Rregullore për ndarjen e Titullit “Guximi Intelektual” nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova”:

1. Kriteret

1.1 Titulli “Guximi intelektual” ndahet vetëm një herë në vit.

1.2 Kandidatët e mundshëm për titullin “Guximi intelektual”(në tekstin e mëtejmë kandidatët), duhet të jenë shtetas shqiptarë të Republikës së Kosovës apo mbarë trojeve shqiptare, me qëndrim a veprim brenda ose jashtë territorit të Kosovës.

1.3 Kandidatët duhet që me punën dhe aktivitetin e tyre, të publikuar në masmedia, në faqen e Shoqatës ose gjetiu, në vijimësi të kenë treguar mendim dhe qëndrim të guximshëm lidhur me problemet e mëdha kombëtare, shtetërore e shoqërore.

1.4 Kandidatët duhet të jenë persona të njohur nga opinioni për veprimtarinë e tyre ndër vite.

1.5 Kandidatët mund t’i përkasin profesioneve të ndryshme. Ata duhet të jenë të pastër nga ligji dhe drejtësia. Mbi të gjitha tek ta vlerësohet mosrënia nën ndikimin e klaneve partiake ose interesave përfituese nga politika.

Kujtojmë se fituesi i këtij titulli prestigjioz për vitin 2019 ishte prof. Nezir H. Kraki (Paris) dhe
për vitin 2020, prof. Kadrush Radogoshi. / KultPlus.com

Presidenti Erdogan mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një konferencë për media pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendi i tij e përkrah hyrjen e Kosovës në NATO.

Erdogan thotë se Turqia ka qenë vendi i dytë pas Amerikës që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai thotë se Turqia ka kontribuar mjaft shumë në këtë proces dhe ende vazhdon të lobojë për të siguruar sa më shumë njohje të reja për Kosovën.

Duke folur për kërkesën e Kosovën për anëtarësim në NATO, Erdogan thotë se nuk ka asnjë problem që Kosova të anëtarësohet në NATO.

“Turqia si një vend i rëndësishëm i NATO-s nuk sheh asnjë problem për anëtarësimin e Kosovës në aleancë. Ne nuk kemi nevojë për të marrë leje nga askush për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ne i kemi marrë hapat tona në këtë drejtim. Ashtu siç e njohëm shtetin e Kosovës, do të veprojmë edhe me anëtarësimin e saj në NATO”, deklaroi Erdogan gjatë një konference me Osmanin. / KultPlus.com

Themelohet Fondi i Sigurisë

Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kryeministri Albin Kurti ka autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e “Fondit të Sigurisë”, përcjell KultPlus.

Mjetet e mbledhura financiare synohen të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës.

Funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria.

Në përputhje me legjislacionin në fuqi do të zbatohen procedurat për prejardhjen e mjeteve financiare me qëllim të ruajtjes së integritetit të fondit dhe qëllimit të tij.

Ftohen qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore. / KultPlus.com

Nën moton “Sot lëvizim bashkë!” shënohet Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës

Së bashku me përfaqësuesit e Shoqatës ‘HANDIKOS’ në Prishtinë, Komuna e Prishtinës shënoi 1 Marsin, Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës, përcjell KultPlus.

Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës, u shënua me moton “Sot lëvizim bashkë!”.

“Jemi të përkushtuar për krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qasshëm për të gjithë!”, ka shkruar Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në rrjetet sociale. / KultPlus.com

‘Në këtë botë të pamatë, të rrosh, përkthehet të luftosh’

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Dil

Kur s`i qesh buza buzëqeshjes,
Kur dhe vetmia zë vetmohet
Ti rri ngujuar brenda heshtjes,
Po tjetërkush për ty ngujohet.

Je gjeth i degës hijerëndë,
Je dru i pyllit që nuk sos
Nga zëra njerëzish rrafsh iu shembën
të lashtat mure Jerikosë.

Dikush për ty përbluan urinë
Mos ndjejnë uri as zogjtë, as ti.
Ti – një shushamë në suferinë,
ngujuar brenda vetes rri.

Dil sa pa rënë nata e gjatë,
sa pa të marrë harrimi osh,
Në këtë botë të pamatë
Të rrosh, përkthehet të luftosh! / KultPlus.com

Situata në Ukrainë mund të prodhojë krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë këtë shekull

Situata në Ukrainë mund të bëhet “kriza më e madhe e refugjatëve në Evropë këtë shekull” me më shumë se 600,000 refugjatë që besohet se janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje deri më tani, tha të martën Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR).

“UNHCR-ja po mobilizon burimet për t’iu përgjigjur sa më shpejt dhe në mënyrë efektive”, shtohet në deklaratë.

Më herët të martën, UNHCR lëshoi ​​një apel për 1.7 miliardë dollarë ndihmë, duke vlerësuar se 12 milionë njerëz brenda Ukrainës mund të mbeten në nevojë për ndihmë dhe mbrojtje, me katër milionë të tjerë që pritet të kenë nevojë për ndihmë në vendet fqinje, transmeton KultPlus.

“Ndërsa kemi parë solidaritet dhe mikpritje të jashtëzakonshme nga vendet fqinje në pritjen e refugjatëve, duke përfshirë nga komunitetet lokale dhe qytetarët privatë, do të nevojitet shumë më tepër mbështetje për të ndihmuar dhe mbrojtur të ardhurit e rinj”, tha të martën Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.

Sipas UNHCR-së, programi i saj i ndihmës do të përfshijë “ndihmë në para për njerëzit më të cenueshëm, ndihmë ushqimore, ujë dhe mbështetje për kujdesin shëndetësor, shërbimet arsimore, dhe asistencë në strehimore për të rindërtuar shtëpitë e dëmtuara”.

1.1 miliardë dollarë nga fondet do të përdoren për të ndihmuar gjashtë milionë njerëz brenda Ukrainës për një periudhë fillestare tre mujore, sipas UNHCR.

“Grupet e ndihmës do të kenë nevojë për çasje të sigurt dhe të papenguar në të gjitha zonat e prekura nga konflikti, sipas parimeve thelbësore humanitare të njerëzimit, neutralitetit, paanshmërisë dhe pavarësisë operacionale”, shtohet në deklaratë. /KultPlus.com

Nesër nxënësve në të gjithë Kosovën do t’u flitet për Ukrainën

Sindikata e Arsimit (SBASHK) u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të mërkurën e 2 marsit, në orën e parë mësimore, t’i kushtohet Ukrainës, në shenjë solidariteti ndaj tyre dhe dënimit të agresionit rus.

Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, SBASHK-u shkruan që aktivitetet mund të zhvillohen duke paraqitur flamurin e Kosovë dhe të Ukrainës, “pastaj punime/vizatime të ndryshme nga nxënësit me simbol të Ukrainës dhe të shtetit tonë, Kosovës”.

“Një mbështetje e tillë për ne është obligim moral e human, për shkak se kur kemi qenë në situata të tilla ne mësimdhënësit, nxënësit e i tërë populli kosovar, ka pasur organizime të tilla solidariteti për ne nga mësimdhënës e nxënës të shteteve të ndryshme të mbarë botës. Aktivitetet e tilla paraqitni në rrjetet sociale të shkollës apo ato personale e njëkohësisht edhe ne do t’i paraqesim në rrjetet tona sociale dhe do t’iu përcjellim edhe kolegëve tanë në EI, ETUCE dhe Ukrainë”, thuhet nga SBASHK-u.

Sot është dita e gjashtë qëkur forcat ruse kanë sulmuar Ukrainën./ KultPlus.com

Jon Tarifa mezi pret që të dëgjoni këngën e tij të re

Artisti i mirënjohur Jon Tarifa ka njoftuar se së shpejti do të publikojë këngën e tij të re përmes një postimi në “Facebook”, shkruan KultPlus.

Kantautori shqiptar ka thënë se pret me padurim që të dëgjojë përshtypjet për këtë këngë, e cila është më ndryshe se të kaluarat.

“Pritja përfundoi, kënga ime e re “Slow Down” (Ngadalësohu”) do të publikohet më 4 mars”, njoftoi Tarifa.

Ai në fund të postimit falënderoi të gjithë personat që ndihmuan në realizimin e kësaj kënge. /KultPlus.com

The Batman, njëri prej filmave të shumëpritur po arrin në Cineplexx me eventin Premiere Night

Më 3 mars Cineplexx organizon premierën e filmit të shumëpritur për këtë vit me një atmosferë tapeti të kuq për fansat e The Batman. Eventi do të fillojë nga ora 18:00 ku do të mbahet në kinemanë në Prishtinë dhe Prizren.  

Regjisori Matt Reeves, i njohur për filmin e tij War for the Planet of the Apes, rinis një nga ekskluzivitetet më të mëdha të super-heronjve në historinë e kinematografisë, The Batman nga studio Warner Bros i cili do të shfaqet në kinemanë Cineplexx këtë të enjte. Pas suksesit të regjisorit Christopher Nolan me The Dark Knight, Matt Reeves premton për të përmbushur në vazhdim një Batman me një galeri mashtruesish gjithnjë në rritje dhe super-kastë të personazheve mbështetës, duke e bërë këtë filmin e Batman më të shumëpritur deri tani. Sipas faqes së kritikëve të filmave Rotten Tomatoes, The Batman jo që vetëm po vlerësohet si një film i mirë mirëpo po vlerësohet si njëri nga filmat nga librat komik më i mirë ndonjëherë.

Ngjarja e filmit The Batman zhvillohet në fillim të karrierës së Bruce Wayne si Batman luajtur nga aktori Robert Pattinson, ku ai duhet të bashkohet me aleatë të pamundur për të shpëtuar Gotham nga kaosi. Kur Riddler, një vrasës serial sadist, fillon të vrasë figurat kryesore politike në Gotham, Batman detyrohet të hetojë korrupsionin e fshehur të qytetit dhe të vërë në dyshim përfshirjen e familjes së tij. Një triller me detektivë nga fillimi në fund, plot mistere mbi mini-mistere. Pas Robert Pattinson aktorët kryesorë të tjerë janë: Zoë Kravitz (Catwoman), Paul Dano (Riddler) dhe Colin Farrell (Penguin).

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx , ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00. /KultPlus.com

Jetoj brenda syve të tu

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Jetoj brenda syve të tu,
në sytë e mi ti ke shtëpinë.
S’jemi vetvete
secili është tjetri.
Vera ime ka dy skaje:
njëri në pranverë, tjetri në vjeshtën tënde.
Ti hyn në të djeshmen time
humb rrugën si ai që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
Humb rrugën si ai që në pyll s’ka kaluar asnjëherë.
Sa do doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
Kë të pyes? Cilin yll? Cilën kohë?
Për të djeshmen time ti mund të pyesësh një lumë,
dy lisa, një dem,
edhe varrin,
varrin e nënës.
Krejt e kotë.
T’i lëmë pyetjet. Pyetjet le të marrin një sy gjumë.
Sonte jemi vetëm e sotme. / KultPlus.com

Nagavci: Po punojmë si Qeveri për të krijuar siguri për fëmijët

Një 14 vjeçar nga një shkollë e Prishtinës ka vdekur pas përleshjeve që kanë ndodhur, ngjarje për të cilën akoma nuk dihen informacione të hollësishme, shkruan KultPlus.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, është tronditur nga kjo ngjarje dhe siguroi se hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë që sa më shpejt të zbardhet rasti.

“Si nënë, si mësimdhënëse, e si ministre, i lus të gjithë mësimdhënësit dhe prindërit që të punojnë edhe më shumë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve, të jenë të kujdesshëm për sjelljet që mund të manifestojnë ata, t’i adresojnë problemet dhe vështirësitë që kanë dhe të kujdesemi për sigurinë e fëmijëve tanë”.

Nagavci thotë se si Qeveri e Kosovës, së bashku me kompetentet e sigurisë janë duke punuar që të krijojnë sa më shumë siguri për fëmijët në shkollë, në rrugë e kudo tjetër.

“Tragjeditë si kjo e sotmja, ku ne humbëm një nxënës, janë alarm për gjithë shoqërinë që të bashkëpunojmë ngusht për të mirën dhe sigurinë e fëmijëve tanë”, shkruan mes tjerash ministrja në “Facebook”. /KultPlus.com

E gjithë salla në këmbë, duartrokasin fjalimin e Zelenskyt: Sot ishte ditë tragjike, po luftojmë për lirinë

Parlamenti Evropian është duke mbajtur seancën e jashtëzakonshme për shkak të luftës që po ndodh në Ukrainë pas pushtimit të Rusisë, shkruan KultPlus

Të gjithë të pranishmit në sallën e Parlamentit Evropian janë ngritur në këmbë dhe kanë duartrokitur fjalimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Ne do  të fitojmë dhe jam i lumtur që ju nuk jeni vetëm duke folur për këtë por po e shikoni.  Do doja të dëgjoja që nga nju për ne të dëgjojmë që zgjedhja e ukrainës për europën për ju… Ky mengjes ishte tragjik për ne. Më shumë se 20 universitete janë në qytetin që u  godit. Shumë të vdekur.

Ky është çmimi i lirisë. Ne jemi duke luftuar për tokën tonë dhe për lirinë tonë. Ne po luftojmë për të mbijetuar. Ne jemi duke luftuar gjithashtu që të jemi anëtarë të barabartë në europë. Besoj se sot ne do t’i tregojmë të gjithë se kush jemi.

Pa ju Ukraina do  të jetë e vetme. Ne kemi treguar forcën tonë. Ne kemi provuar se ne jemi njësoj si ju. Tregoni se jeni me ne. Tregoni se nuk dop na lëshoni. Atëherë jeta do të fitojë mbi vdekjen”, tha ai. /KultPlus.com

Referendumi i 1 dhe 2 Marsit 1992, vullneti i parë politik i Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën

Më 1 dhe 2 mars shënohet 30 vjetori i Referendumit për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, kur u bë deklarimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për dy opsione: për Autonomi (politike e territoriale) në Serbi, dhe për bashkim me Kosovën.

Para 30 vitesh shqiptarët e Luginës së Preshevës në vigjilje të shkatërrimit të RSFJ –së me anë të Referendumit u deklaruan për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Organizimi i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të 1992 ishte dhe mbetet rezultati më i rëndësishëm i dy partive të para politike, PVD dhe PDSH, që dy vite më parë kishin filluar me organizimin e pavarur politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Në Kuvendin për organizimin e Referendumit, së bashku me përfaqësuesit PVD –së dhe PDSH –së, ishin ftuar dhe morën pjesë shumica e delegatëve shqiptarë të Kuvendeve Komunale të Preshevës dhe Bujanocit, shkruan Titulli.com. Karakterin gjithëpërfshirës Referendumit ia siguroi edhe organizimi i tij jo vetëm në të gjitha vendbanimet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por edhe në shumë qytete të Zvicrës, Gjermanisë dhe shtete tjera evropiane.

Nga distanca 27 vjeçare, sot mund të veçohet rëndësia e madhe e Referendumit jo vetëm se për herë të parë popullata shqiptare e deklaroi publikisht vullnetin e saj politik, por edhe më i rëndësishëm ishte fakti se ky vullnet politik i shprehur në rrethana të shkatërrimit të një sistemi shtetërorë, ofronte opsionet politike për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Gjate vitit 1991- 1992 në tri komunat e Luginës se Preshevës: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u ngrit kjo iniciativë për formimin e partive politike dhe shoqatave qytetare me motiv për te mbrojtur dhe ngritur zërin e shqiptareve të këtij rajoni. Më 16 shkurt të vitit 1992 në Preshevë u mbajt Kuvendi i përberë prej 96 delegateve të cilët ishin përfaqësues të partive politike dhe të shoqatave të dala nga shqiptaret e tri komunave: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.Me shumicë votash u propozua për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Në këtë kuvend u propozuan tre opsione: Autonomi territoriale-politike, autonomi administrativo- kulturore dhe për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Më 1 dhe 2 mars të vitit 1992 u organizua Referendumi gjithëshqiptare nga Lugina e Preshevës për këto tri komunat të cekura më lartë. Me deklaratën për autonomi territoriale me të drejtë të bashkimit me Kosovën. Iniciativa ishte e popullit që shtypej përditë e më shumë dhe e vetmja mënyrë ishte zgjidhja e madhe e referendumit që pati jehonë i cili la gjurmë për të ardhmen si argument demokratik. Mos demokratizimi i Serbisë ishte pengesë e Referendumit .Pankartat për ftesë të popullatës u hoqën nga policia serbe, nuk lejoheshin reklamat dhe ftesa e qytetarëve ishte pengesë e madhe nga qeveria serbe.

U hapen 75 vendvotime në shtëpia private dhe lokale po ashtu private, dhe për dy ditë dolën në votime qytetarët, pasi ditën e parë u penguan nga policia serbe. Radhët e qytetarëve ishin të mëdha për votime. Dolën mbi 46.000 votues. 98% e popullatës iu përgjigjen versionit pozitiv dhe Referendumi u vlerësua i suksesshëm. Edhe pse më 12 mars 2001 u nënshkrua teksti i marrëveshjes për armëpushim, më 7 maj u morr vendimi për çmilitarizimin e UÇMBP dhe marrëveshja e paqes u nënshkrua më 21 maj 2001 ajo nuk u përmbushë në praktikë, nuk u respektua nga ana serbe./Titulli.com/ /KultPlus.com

Pas NATO-s, Mehaj kërkon njohjen e Kosovës nga pesë shtete të BE-së

Një postim i publikuar nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në të cilin kërkohet anëtarësimi sa më parë i Kosovës në NATO, ka bërë jehonë të madhe në rrjetet sociale, shkruan KultPlus.

E gjithë kjo bujë ka ndikuar që rrjetet sociale të pushtohen nga postimet ku kërkohet anëtarësimi i Kosovës në NATO, e tani Mehaj ka bërë edhe një postim të ri.

Ministri ka kërkuar njohjen e pesë shteteve të cilat nuk e njohin Kosovën, përfshirë Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron.

Postimi i tij i plotë (pa ndërhyrje):

“Qytetarë të dashur,Bashkëkombës nga mërgata jonë kudo në Botë,Miq tanë ndërkombëtar,Ju bëjë thirrje si bashkëqytetar, bashkëkombës dhe mik i juaj,Të ftoni, kudo që jeni dhe nga cilado pozitë që keni, miqtë tuaj spanjoll, grek, rumun, sllovak dhe qipriot, ta dëgjojnë të vërtetën e Kosovës dhe popullit tonë:- Republika e Kosovës dhe populli ynë, ndajnë vlera të përbashkëta euroatlantike të lirisë, të paqes dhe të demokracisë.- Republika e Kosovës është partner i besueshëm, e këtë e kemi dëshmuar në vazhdimësi në secilin projekt të përbashkët në funksion të humanitetit, paqes, sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë.- Republika e Kosovës, historikisht dhe kulturalisht, është pjesë e pandarë dhe e natyrshme e familjes evropiane. Të gjithë së bashku, në profilet tona të rrjeteve sociale të vendosim:#KosovoInNATO#KosovoInEU”.

Diplomacia digjitale kohët e fundit është duke u përdorur nga shtete të ndryshme të botës, gjë të cilën po e bën edhe Kosova. /KultPlus.com

Kthim në kohë, yjet e rock-ut në fëmijërinë e tyre (FOTO)

Yjet e rokut kanë një prani madhështore e befasuese, një cilësi ylli që i jep një lloj shkëlqimi talentit dhe aftësive të tyre, transmeton KultPlus.

Më poshtë do të gjeni disa fotografi të yjeve të njohura të rok muzikës kur ata ishin fëmijë:

Paul McCartney

Jimi Hendrix

Bjork

John Lennon

Diana Ross

John Lydon

David Bowie /KultPlus.com

Ju kujtova të gjithave

Poezi e shkruar nga Koçi Petriti.

Ju kujtova të gjithave juve që them se ju desha
që nga m’ë hershmja
gjer tek e vona,
atë që ish e paputhura,
atë që ish virgjëresha,
atë që ish moll’ e sherrit e pelë e harbimeve tona.

Atë qe flijoi për tre grosh dashurizën e parë
atë që briroi fill pas muajit të mjaltit nën mua
atë që nguroi n’udhëkryq djall a engjëll të marrë
atë që kuptoi që s’e desha, që sapo i thashë “Te dua”

Ja, po më ngjan sikur ngrihi nga heshtja e honeve
të ndryshme, të shumta si ngjyrat, si zogjtë
ju fluturuat mbi prushin epshor të pasioneve
donit të ngroheshit, pendet e bukura dogjtë

Vjen perëndisht edhe ti që të desha së pari
pikëz e artë, flurorja, si rreze e përthyer mbi lotë
të shtrij e të shkoj përmbi buzë sërish si dikur një fill bari
ti nis këndon edhe qan: Dashuria bën xhiro në botë!

Prap unë u desha pa ty
ti prapë u puthe pa mua
erdhën pas teje të tjera, shuan ç’rindizet e digjet
erdhën, po s’hyri askush gjer në pronat e tua
mes njëri tjetrit shkon lumi që ndan e bashkon të dy brigjet

Zbriti dhe suta e Veriut
mbrriti edhe krrilla prej Jugut
unë i pranova të gjitha, të gjitha,të gjitha
toka, grua beronje, palluar prej plugut
qan kur s’ngarkohet me pemë
qesh kur mbulohet me drithra

Ja, ku po vjen dhe m’e vona, mjellma e fundit
mjellma e fundit brymuar nga vjeshta
hirin hënor të flijimit kalimthi ma shkundi
brymën e ikjes pa kthim më brymoi përmbi vjersha

Unë kështu dimëroj gjer në flirtet e vona
herë i rishuar, herë i rindezur, sa mund
jam gati cdonjë ta ridua sikur t’ish vërtet Dezdemona
pastaj ta harroj si një libër qe s’mund ta lexosh gjer në fund. /KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës me tri premiera në muajin mars

Teatri Kombëtar i Kosovës ka bërë të ditur orarin e tyre për muajin mars, në të cilin janë paraparë tri premiera, shkruan KultPlus.

Më 21 mars me fillim nga ora 20:00 do të shfaqet premiera “Muslimani” me autor dhe regjisor Enver Petrovcin.

Në anën tjetër, premiera e dytë ka të bëjë me balet, ku do të jepet shfaqja “Romeo dhe Zhulieta” me koreografi të Konstantin Uralskyt.

Premiera e tretë dhe ajo e fundit është vendosur më 30 mars, me titull “Kuartet” nga Heiner Muller me regji të Alban Beqiraj. /KultPlus.com

Të sapomartuarit kalojnë muajin e mjaltit duke luftuar për Ukrainën

Vetëm disa orë pas dasmës së tyre në ditën e parë të pushtimit rus, Yaryna Arieva dhe Sviatoslav Fursin iu bashkuan luftës për të mbrojtur vendin e tyre, shkruan CNN, transmeton KultPlus.

Çifti do të martohej në maj, por nxituan të martoheshin në Kiev javën e kaluar kur Rusia pushtoi vendin, përpara se t’i bashkoheshin rezistencës ukrainase.

Të veshur me xhaketa kamuflazhi dhe duke mbajtur një pushkë, çifti deklaruan se po kalonin muajin e tyre të mjaltit duke jetuar në një qytet të rrethuar dhe duke marrë armët për të luftuar kundër trupave ruse që pushtuan atdheun e tyre.

“Është e vështirë të kuptohet, ky realitet i ri që kemi,” tha Arieva, e cila është nga Kievi.
Ajo tha se është dita e parë e pranverës dhe zakonisht njerëzit do të mbjellin luledielli – lulen kombëtare të Ukrainës – në vend të kësaj, ata do t’i rezistojnë sulmit të Rusisë.

“Askush këtu nuk thotë se do të humbasim, apo është duke qarë. Të gjithë këtu besojnë se do të fitojmë. Është e gjitha vetëm një çështje kohe. Pra, jam shumë e lumtur që shoh këtë numër të madh njerëzish, të cilët janë vërtet të gatshëm për të luftuar. Duke qenë gati të vrasin për tokën e tyre. Duke mos pasur asnjë dyshim për fitoren tonë në këtë luftë”, tha ajo.

Burri i saj, Fursin, ka lindur në qytetin perëndimor të Lviv dhe tha se “njerëzit e tij duan të jenë gjithmonë të lirë. Këta njerëz janë gati të luftojnë për lirinë e tyre.”

Duke shkuar në misione luftarake, ai është i shqetësuar për sigurinë e familjes së tij – gruas, prindërve dhe motrës së tij – por tha se “do të bëjë gjithçka për t’i mbrojtur ata”. /KultPlus.com

‘Abetare, Abetare, sillma diellin në dritare’

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Abetare, Abetare,
Sillma diellin në dritare!

Lehtë, lehtë
e bukur, bukur,
Dora ime sa e lumtur;
Hap një faqe,
kthen një fletë,
Nëpër shkronja –
Bota vetë.

Rrjedh në fjalë plot kumbim
Gjuhë e lasht e vendit tim.

Me ty mendjen lartësoj
Me ty zemrën e gëzoj,
Bëhem zog e fluturoj.

Abetare, Abetare,
Ti je dielli në dritare. / KultPlus.com

Xhevahir Spahiu feston ditëlindjen e 77-të

Xhevahir Spahiu sot feston ditëlindjen e 77-të, është poet dhe autor këngësh shumë i njohur, shkruan KultPlus.

Studioi në fakultetin histori-filologji, dega gjuhë-letëresi shqipe, derisa që nga viti 1968 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operas e Baletit në Tiranë.

Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe dhe është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Poezitë e tij vlerësohen sikurse të magjishme, që të mbushin trupin dhe mendjen me pozitivitet të madh. /KultPlus.com