Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Norvegji, ku edhe po zhvillon takime të ndryshme zyrtare, shkruan KultPlus.
I pari i ekzekutivit së fundmi është takuar edhe me kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Store.
“Kënaqësi të takoj Jonas Gahr Store. Kosova do të mësojë shumë nga suksesi i Norvegjisë në ndërtimin e një vendi më të drejtë, më të barabartë dhe më të begatë. Me tregues të mirë në demokracinë dhe ekonominë tonë, është koha për të rritur bashkëpunimin tonë ekonomik. Faleminderit për pritjen e ngrohtë!”, shkroi Kurti në “Twitter”.
Kurti në këtë vizitë zyrtare është së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi. /KultPlus.com
Ylli i Hollivudit, Sean Penn ka vizituar Ukrainën, edhe pse vendi ka hyrë në ditën e 34-të të luftës.
Penn, i cili po ndihmon me programe bamirësie për refugjatët ukrainas, postoi një fotografi në Twitter, së bashku me guvernatorin e Lviv, Maksym Kozytskyy.
Ndryshe, një muaj më parë, aktori u fotografua në një konferencë shtypi në Zyrën Presidenciale në Kiev teksa punonte në një dokumentar në Ukrainë. /KultPlus.com
I was in Lviv, Ukraine today with CORE team, strategizing with local governance & NGO’s to scale up our in-country programs. Good meeting with Gov. Maksym Kozytskyy. To learn more go to https://t.co/snKeUz99Fm or text “CORE” to 24365 to donate. pic.twitter.com/ASHavYHlvy
Më 29 mars 1925, në shpellën e Dragobisë vdiq heroikisht luftëtari Bajram Curri, Heroi i Kombit.
Për këtë humbje të madhe Faik Konica shkruante në gazetën “Dielli”, që u botua në Boston “me vdekjen e konfirmuar të Bajram Currit, u zhduk një fytyrë plaku fisnik nga sheshi i Shqiptarisë”.
Dhe më poshtë ai shtonte: “Ai ishte liberal në mesin e despotismës, patriot në mes të injorancës ndaj Atdheut”.
Bajram Curri ishte një luftëtar dhe udhëheqës në të gjitha lëvizjet dhe kryengritjet kundër pushtuesve osmanë në kryengritjet e malësisë së Shkodrës, në kryengritjen e armatosur të viteve 1910-1912. Pas vitit 1912, ai mbrojti shtetin shqiptar nga planet për copëtimin e saj dhe luftoi me armë për lirinë e Kosovës.
Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e Konferencës së Londrës të 1913 që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 qe një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbomalazeze.
Ai ishte udhëheqësi i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në Kongresin e Lushnjës, Bajram Curri u zgjodh Anëtar i Këshillit Kombëtar dhe u rendit krahas forcave demokratike të vendit. Ai ishte pranë Nolit dhe Demokratëve në Revolucionin e Qershorit. Bajram Curri u vra në shpellën Dragobia në vitin 1925. / KultPlus.com
Ishin vitet e vështira të represionit komunist, kur njerëzit kishin frikë „edhe me folë me vete“. Ishte koha kur partia – shtet, mori rolin e “radiologut”, duke kaluar në rëntgen e duke nxjerrë të prekur dhe me hije në biografi, me dhjetëra viktima të pafajshme ndër atdhetar dhe intelektual. Ndër plenumet dhe kongreset e kohës, diktatori, porosiste që arti dhe kultura të ruheshin të paprekur “nga influencat borgjezo revizioniste” që kërkonin të çorodisnin “kulturën tonë socialiste”. Nën zë, filluan të qarkullonin fjalë për largimin nga Tirana,(kupto dëbimin) të disa personaliteteve të mirënjohur, për arsye të ndryshme ideologjike apo pse ishin të martuar me gra ruse që i njohën gjatë kohës së studimeve në Bashkimin Sovjetik.
Kujtoj që në këto rrethana, diku rreth vitit 1976, në qytetin e Shkodres ra në sy prania e një çifti¸ i veçantë nga të tjerët. Kurioziteti i jetës monotone të periferisë u“ngacmua” nga dy figura për të cilat u fol shumë, nganjëherë me simpati (kush i njihte nga afër), por edhe me fjalë të ashpra e agresive nga njerëz që jetonin me parimin e luftës së klasave apo që ishin të porositur të flisnin ashtu. Një burrë dhe një grua në moshë të mesme, të veshur thjeshtë, të shkurtë nga shtati, që rrezatonin kulturë e tolerancë, që kalonin të heshtur në itinerarin e përditshëm që ishte “i përcaktuar” nga vendi i punës deri në pallatin ku banonin. Ishte artisti shkodran Pjeter Gaci me gruan e tij ruse Tamara, te cilët “zgjodhën” qytetin e Shkodres për të (mbi)jetuar.
E kush nuk kishte dëgjuar për artistin Pjeter Gaci, i cili ishte pjesë e pandarë e jetës muzikore shqiptare?. Artist i kompletuar, me të gjitha premisat e një virtuozi – gjeniu, si instrumentist – solist në violinë, kompozitor i një sërë veprash që mbetën trashëgimi me vlerë në fondin e muzikës shqiptare. Kush nuk kishte dëgjuar për artistin që e karakterizon te ndjenja e hollë kombëtare, burrin e vogël plot sharm e humor të këndshëm, zbuluesin dhe edukuesin e shumë talenteve me të cilët Shqipëria krenohej në botë?
Pjetri, ashtu si emri që mbante (Lat: Guri), ishte një gurë i fortë në tabanin kombëtar. Ai lindi më 27 mars 1931, në një familje të thjeshtë nga fshati Shirq, por u rrit në Shirokë. Qysh fëmijë shfaqi shenjat e para të talentit si muzikant dhe instrumentist. Në familjen e tij, në çdo festë këndonin të gjithë dhe përdoreshin shumë vegla muzikore.
Babai i tij Gaci, ishte rapsod i njohur. Ai i kompozonte, luante dhe këndonte vetë këngët e tija. Pjetri që mundohej të ishte si babai i tij, që fëmijë përdorte shumë vegla (kitarën, violinën, mandolinën, fisarmonikën), aq sa ra në sy të disa qytetarëve italian që atë kohë banonin tek Vila e Zogut, pranë shtëpisë së tyre në Shirokë. Italianët i patën kërkuar Gacit që ta dërgonin në Itali djaloshin e talentuar, por i ati për arsye moshe nuk e lejoj.
Nëna e Pjetrit, Mrika, e cila ishte shtëpiake, pat tre fëmijë: Ndocin, Luken dhe Pjetrin. Prindërit¸ për të zhvilluar talentin e djalit, e dërguan atë në Kolegjin e Jezuiteve në Shkoder. Deri sa u hap konvikti shtetëror i shkollës 28 Nentori, ku u njoh edhe me mikun e tij Rifat Teqja, ai së bashku me shokun e fëmijërisë Ernest Volaj, rrugëtonin në këmbë çdo ditë nga Shiroka në Shkoder. Pas mbarimit të gjimnazit, Pjetri hyri në Liceun e kryeqytetit në degën e violinës ku falë talentit të tij si instrumentist ra në sy të artistëve rus të cilët e ndihmuan të shkonte në Konservatorin P.I. Tchaikowsky të Moskës.
Kur Pjetri u paraqit para komisionit të pranimit në konsevator, ka treguar ish studenti dhe kolegu Cesk Zadeja (i cili luante dhe rolin e përkthyesit për studentet e rinj në Konservator), teknika e egzekutimit të tij në violinë tërhoqi vemendjen e profesorit tënjohur Jan Polski i cili e dëgjoj rastësisht tek po kalonte atypari. Ai e quajti interpretimin e Pjetrit – BRILANT – dhe kërkoj ti shikonte dorën violinistit shqiptar. Më pas Polski i rekomandoj komisionit:…. pranimin e konkurrentit dhe planifikimin në grupin e studentëve të tij.
Pjetri ishte një instrumentist i lindur. Natyra i kishte dhuruar atij një dorë të veçantë nga të tjerët, tek ai dy gishtat e mesëm të dorës kishin gjatësi të njëjtë, gjë që çuditi pa masë Prof. Polski-n, dhe që e favorizonte shumë violinistin Pjeter Gaci. Ai filloj studimet në vitin 1953 deri në fund të vitit studentor 1956. Më pas Pjetri kthehet në Shqipëri për pushime dhe nuk lejohet nga shteti komunist për tu kthyer më në Moskë. Lidhja me Tamaren, vajzën nga Moska, nuk u pa me sy të mirë nga regjimi i cili në vazhdim nuk i aprovon Pjetrit kërkesën për të bërë specializimin një vjeçar dhe mbrojtjen e diplomës.
Në Tiranë, punësohet si violinist i thjeshtë pranë orkestrës simfonike, ku ra në sy virtuoziteti i tij. Me kërkesën e diplomatëve të huaj të cilët e vlerësonin për talentin e tij, ai ishte i pranishëm si solist në shumë koncerte prestigjioze. Po me këmbënguljen e ambasadorëve të huaj, Pjetrin e emëruan udhëheqës artistik në estradën e shtetit (ku përfshihej Cirku e Teatri i Kukullave), ku qëndroj afro dy vite, për të punuar më pasi pedagog në liceun artistik të Tiranës. Këtu, ai u mundua të stimulonte tek nxënësit e talentuar të liceut, që i zgjidhte vetë, mundësitë që regjimi komunist ja privoi atij. Pjetri nuk mjaftohej me elementët që vinin për të konkuruar në Lice, por dilte vetë ndër zona të ndryshme të atdheut për të kërkuar e zbuluar talente për shkollën. Mbas periudhës së Liceut 1959 deri 1976, ai u la në profesion të lirë ku u mor me kompozime të ndryshme, krijime këngësh për koncertet e majit dhe festivalet kombëtare, pjesësh muzikore për violinë, duke pasuruar kështu fondin kombëtar të RTSH-së.
Dëshiroj të theksoj që prishja e marrëdhënieve me BS-në, shkaktoj një termet ekonomiko – psikologjik edhe për violinistin më të famshëm të kombit tonë, Pjeter Gacin. Ai u bë viktimë e egërsisë, terrorit e hakmarrjes komuniste. I parë si “filo-rus”, pedagogu i Liceut Pjeter Gaci u dërgua dhunshëm në Kavajë si ushtar i thjeshtë duke braktisur familjen, gruan dhe prindërit pleq që jetonin së bashku në Tiranë. Ishte zemërgjerësia, por edhe simpatia për kulturën dhe talentin e virtuozit “ushtar”, që e shtyu Gjeneralin Abaz Fejzo për ta ndihmuar në heshtje Pjetrin “për ti ruajtur duart e gishtat e artë që prodhonin muzikë” duke e vendosur atë në bibliotekën e shtëpisë së ushtarakëve në Durrës. Nën presionin e ngjarjeve të kohës dhe shtetit diktatorial, Tamara kërkon shtetësinë shqiptare. Me marrjen e shtetësisë, partia vendosë të kthejë Pjetrin në gjirin e familjes duke e liruar nga ushtria para kohe. Pat edhe njerëz që na deshën dhe që u përpoqën të na ndihmonin (por duke na qëndruar larg), me tregon gjatë bisedës tonë gruaja e shumëvuajtur Tamara Gaci. Një herë një nëpunës i lartë në ministrinë e arsimit (Ma.Ba) e këshillon Pjetrin, fshehtas në një cep rruge, që të largohet nga Tirana, pasi është në qendër të vemendjess ë ekzekutivit. Ndër kohë që presioni politik mbi artistin shtohej, Tamaren e largojnë nga puna në radio Tirana dhe e dërgojnë në repartin e sixhadeve të ndërmarrjes Migjeni, ndërsa Pjetrin për ta pasur “nën kontroll”, e komandojnë në Vlorë. Edhe ndër këto momente frikë dhe denigrimi, humori i Pjetrit nuk u shterrua. Janë të njohura batutat me të cilat ai i përgjigjej ndonjë provokatori apo ndonjë miku që mundohej ta ngushëllonte. Kur kuadrot e partisë në Vlorë, ku Pjetri nuk ndjehej mirë, e këshillonin të mos largohej por të qëndrojë aty, Pjetri i përgjigjej me humorin e tij plot sharm…..Nuk kam si rri ktu! …A keni ndi ndoj herë qi ka ndonji lab nga Shkodra?
Shkodra ishte qyteti ku familja Gaci, në vitin 1976, vendos të transferohet për të(mbi)jetuar, mbasi ndjeheshin më mirë, ishin në mesin e njerëzve që i njihnin dhe i vlerësonin, në mes të familjarëve, që ja zbutnin sadopak dhimbjen shpirtërore bashkëshortëve. Megjithatë edhe këtu rrethi dhe takimet me njerëzit ishin të kufizuar. Shpesh herë i duhej të bënte sikur nuk i shikonte shokët apo miqtë që i kalonin pranë. Një herë – tregon Tamara¸ u përballëm me Doktor Sandër Ashtën i cili po vinte përballë nesh bashkë me gruan e tij. Kur na pau, nga gëzimi, hapi krahët dhe me za të lartë e mall filloj të gëzohej për këtë takimin. Pjetri, i cili kishte vërejt nga krahu tjetër i rrugës, një“tip partiak” nuk reagoj, por i kaloj afër duke i pëshpëritur: ….largohu Sandër, kalo se nuk asht mire të më takosh, …sapo kam ra prej fikut….. e mund të jetë keq për ty….Doktori me shpirtmadhësinë që e karakterizonte, duke e marrë në krahë Pjetrin i thotë:….. ku e merr atë fat,……me na ra fiq puca si ti në Shkoder.
Në Shkoder,Pjetri filloj të punonte si pedagog i violinës në shkollën e muzikës ndërsa Tamara si llogaritare në Befetrof-in (Shtëpia e foshnjës) e qytetit. Gjendja e rëndë shpirtërore e muzikantit nuk i linte hapësirë për frymëzimin e domosdoshëm për një kompozitor. Një ditë – kujton Tamara, ai erdhi shumë i tronditur nga rruga. Nuk e kuptova se çka kishte ngjarë, por mu drejtua me këto fjalë:…….Unë jam gjallë, por Pjeter Gaci ka vdekë…
Vështirësitë e mëdha ekonomike e izoluan artistin nga rrethet e larta të artit, ku homologet e tij, jo aq për merita se sa si servile të politikës së kohës, gëzonin favore të pamerituara. Edhe pse i varfër dhe i lënë në harresë, ai ishte kurdoherë dinjitoz dhe nuk pranoj kurrë të lëpijë kockat e diktaturës, që disa nga ish studentët e Moskës, i kishin gëdhtitur me kohë. Madhështia e veprave e puna e pashembullt e tij, penguan më të rëndën, burgun politik. Lufta e klasave, por më shumë keqdashja dhe ambicia në mes kolegësh, sollën shumë viktima¸ ndër to edhe burgosjen e super talentit Luk Kaçaj. Për asnjë moment, Tamara, nuk vërejti tek Pjetri “lodhjen” apo “ftohjen” bashkëshortore, si rezultat i presionit e intrigave të klanit të muzikantëve të kuq.
Ndërrimi i sistemeve nuk solli ndonjë ndryshim të madh në jetën e artistit tonë. Puna me nxënësit mbetej kënaqësia e vetme e jetës artistike për Pjeter Gacin. Shpesh i thoshte shokëve ”.. do ti dërgoj Tiranës dy talente shpërthyes që do të zotërojnë skenën kombëtare…Lorenc Radovanin dhe Elisabeta Qyrsaqin Dodmasej… “
Ekonomikisht, Pjetri merrte një pension prej 8800 lekësh që nuk i plotësonte as nevojat për “cingare partizani”. Ai, për të plotësuar nevojat e familjes, u detyrua të shesë pianon, mjetin e vetëm të punës që ishte gjysma e shpirtit të tij. Për të mbijetuar përpiqej të bënte punë dytësore duke u aktivizuar në projekte të ndryshme artistike në qytet, por edhe kombëtare. Kohën e lirë e kalonte në natyrë ku gjente edhe burimin e frymëzimit. Peshkimi ishte hobby i tij, por edhe kontakti me shokë e miq. Kalonte shumë kohë me kallamin e tij së bashku me artistët Danish Jukni e Ferid Kola, ndër brigjet e Velipojës apo të liqenit. Tamara më tregon që:….nga dëshira për me pasë një mjet ma të sofistikuem në gjuetinë e peshkut, Pjetri kishte ndertue (projektue) vetë MAKINETEN të cilën ja realizuan miqtë e tij mekanikë në ofiçinën e NSHRAK-ut.
Fliste gjithnjë me simpati për shokët e tij Rifat Teqja, Gjon Simoni, Gasper Curcia, Nikolla Zoraqi, Pavlin Shtjefnin e Zef Coben. Kujtonte shpesh me nostalgji miqësinë me piktorin Guri Madhi, dekanin e fakultetit të historisë Ali Ostrenin, tenorin Latif Hoxha, kompozitorin Tonin Harapi, piktorin Kel Kodheli. Me Kel Kodhelin që ishte komshi i tij (në Tiranë), Pjetri kishte shumë episode humori. Tregojnë që Keli të gjithë bisedat i fillonte tuj përmendë gruen e tij Rozen, gjë qi e bezdiste shumë Pjetrin:….Po lene Rozen, të paktën një ditë, pa e përmendë he burrë…!!! i lutej ai. Vjen rasti me ly apartamentin e Pjetri tuj kenë që ishte Dalton e nuk dallonte ngjyrat, i kërkon ndihmë Kelit që si piktor ti jepte nji ide bojaxhiut për ngjyrën e dhomës së gjumit…. Keli që priste me u “hakmarrë” me Pjetrin që nuk mund të ja duronte Rozen e pranon kërkesën…
Kur vjen në shtëpi, Pjetri e gjen dhomën e ndejës të lyer me një ngjyrë rozë që nuk i pëlqeu. Po çka asht kjo marri mor Kel, as unë e as grueja nuk jena “tipa rozë” , a nuk kishte ndoj ngjyrë tjetër? Keli: … provoje edhe ti se cka don me thanë me ndejë tanë kohën vetëm me Rozen….
Nuk mund të la pa treguar historinë e këngës PER TY ATDHE. …kishim dalë për nji udhëtim pune ndër malet Kacinarit në Pukë ku malësorët me nderim e respekt po na pregaditshin ca gatime tradicionale që më mrekulluan, tregon Tamara Gaci. Pjetri kishte hypë mbi një shkëmb të naltë ku shihej krejt lugina dhe po shijonte pamjen madhështore që i hapej përpara. ….Eja i thashë, se dona me hanger drekën. Knaqnju ju tuj hangër speca të mbushun, se unë e kam gjetë vendin me u knaqë. Prej ktu ku jam shoh tanë Shqipninë. Unë me të tjerët u ulem në tryezën e shtruar për drekë, ndërsa Pjetri mbasi ndenji një copë herë i fiksuar nga pamja mahnitëse, u zhduk në dhomën e hotelit për 4 orë rresht. Unë e dija, ai po shkruante diçka. Më vonë, ai doli nga dhoma duke tundur në duar shënimet e kompozimit të këngës Për Ty Atdhe e duke më thënë i gzuem:….ky do të jetë hymni që i kam kushtue atdheut¸ ka për të pasë jetën gjatë….
Mjeshtri Pjeter Gaci, i la kombit te vet një trashëgimi të madhe. Rreth 500 krijime, 45 vepra muzikore, koncerte për violinë apo tabllo koreografike, romanca, disa opera nga të cilat 7 u vlerësuan me çmime, rreth 175 këngë ndër to 45 fituan çmime. Ishte laurant i çmimit Naim Frasheri kl I, çmimit Flamuri i kuq i punës kl. II, titujve:Artist i Merituar, Artist i Popullit, Çmimit të Republikës kl. I, Nderimit …Krenaria e Dajcit. Edhe pse pat një aktivitet të gjatë e të suksesshëm, ai vdiq i varfër aq sa edhe për shpenzimet e varrimit ndihmuan miqtë e tij, jashtë kujdesit të një shteti që i mori çdo gjë.
Në të vërtetë ai me muzikën e tij hymnizoj jo vetëm atdheun, por edhe dashurinë për gruan e tij Tamaren, e cila për Pjetrin kishte të njëjtën madhështi. Qëndresa e Tamares ndaj vështirësive, diskriminimit, përndjekjes, sjelljes arrogante të shtetit; mëndyra se si ajo grua nuk lëshoj asnjë fjalë ankese që ti prishë frymëzimin apo gjendjen shpirtërore bashkëshortit, i ngjan shumë atdheut tonë Shqiptar. Ajo qëndroj si vigane dhe e papërkulur në rrebeshet e jetës që kaloj, pa humbur asnjë çast dashurinë për familjen e saj. / KultPlus.com
Sa herë që mendoni mbi veprat e mëdha të letërsisë ruse, ka shumë mundësi që mendja t’iushkojë menjëherë tek shkrimtari Leon Tolstoi. Romanet e tij “Lufta dhe Paqja” dhe “Ana Karenina” i mahnitën lexuesit kur u botuan për herë të parë, dhe më shumë se një shekull mëvonë, konsiderohen ende si ndër veprat më të mira letrare të shkruara ndonjëherë. Por shitjet e librave janë vetëm një pjesë e historisë. Ja çfarë duhet të dini më shumë për jetën dhe karrierën e Leon Tolstoit.
Nuk e donte romanin “Lufta dhe Paqja”
Shkrimi i kësaj vepre voluminoze, ishte një proces rraskapitës për Tolstoin. Ai e rishikoivazhdimisht veprën, dhe vetëm për pjesën e parë realizoi 15 drafte dhe shpenzoi gati 1 vit për ta shkruar siç duhet. Por në fund, u shpërblye e gjithë puna e tij e palodhur.
“Lufta dhe Paqja” është padyshim vepra e tij më e famshme, dhe një nga romanet më të famshëm që është shkruar ndonjëherë. Por pavarësisht se shpenzoi kaq shumë kohë me të (ose ndoshta për shkak të këtij fakti), Tolstoi u bë përçmues ndaj romanit.
Në një letër drejtuar një miku të tij, ai shprehej se historia ishte e zmadhuar më shumë seçduhej. Ndërkohë në ditarin e tij, shkroi:”Njerëzit më duan për vogëlsirat që kam shkruar – si Lufta dhe Paqja e kështu me radhë – të cilat ata mendojnë se janë kaq shumë të rëndësishme”.
Romani “Ana Karenina”, u frymëzua nga një ngjarje reale
Ngjarjet e Ana Kareninës mund të jenë bazuar tek një dramë e jetës reale, që preku mikun dhe njëherazi fqinjin e Leo Tolstoit, Aleksandër Nikolajeviç Bibikov, që kishte një lidhje romantike me një grua të quajtur Ana Stepanovna Pirogova.
Por Bibikov filloi që ta linte atë pas dore, në favor të dados gjermane të fëmijëve të tij. E pushtuar nga xhelozia, Stepanovna iku në fshat, ku u end e pikëlluar për disa ditë, përpara se t’i dilte para një treni duke vrarë veten. Tolstoi ishte dëshmitar në autopsinë e saj, dhe ajo ngjarje e preku aq sa një vit më vonë, vendosi ta kthejë atë në një roman.
Bashkëshortja e tij, Sofia, ishte një aset i paçmuar për karrierën e tij
Shumë artistë të mëdhenj, kanë përfituar nga puna e padukshme e partnerëve të tyre. Por mbështetja që mori Leon Tolstoi nga gruaja e tij, ishte më se e dukshme. Sofia ulej përkrah tijgjatë kohës që ai shkruante, dhe i jepte shpesh sugjerime, apo ia redaktonte tekstin.
Ishte ajo që ri–shkroi të gjitha draftet e tij, në mënyrë që ai të kishte një dorëshkrim të lexueshëm kur t’ua dërgonte botuesve, gjë që duhet të ketë qenë mjaft sfiduese duke pasur parasysh numrin e lartë të faqeve të dorëshkrimeve të Tolstoit. Nga ana e biznesit, Sofia ishte ajo që e nxiti atë të botonte “Lufta dhe Paqja” si një roman të plotë, në vend të tregimeve nëseri.
Leon Tolstoi dhe Sofia patën 13 fëmijë
Me gruan e tij, Sofia, Leon Tolstoi pati 13 fëmijë, 8 nga të cilët mbijetuan deri në moshë madhore. Disa ndoqën shembullin e babait të tyre duke u bërë shkrimtarë, përfshirë IliaTolstoi dhe Lev Tolstoi. Sot janë gjallë qindra nga pasardhësit e tij të drejtpërdrejtë, ndërsa 2 herë në vit ata organizojnë mbledhjet familjare të Tolstoit në vilën e tij (sot një muze) në Jasnaja Poliana, Rusi.
Është një nga shkrimtarët më të shitur të të gjitha kohërave
Është e vështirë të thuhet një shifër e saktë e kopjeve të shitura të librave të botuar para shekullit XX-të. Por është e sigurt të thuhet se librat e Tolstoit janë best–seller të përhershëm. Vetëm në vitin 2004, “Ana Karenina” rifitoi interesin e lexuesit falë njëpromovimi nga “Klubi i Librit” të moderatores së njohur amerikane Opra Uinfri, dhe botuesi e rriti atë vit tirazhin nga 20.000 në 800.000 kopje.
Romani “Lufta dhe Paqja”, shiti kopje të mjaftueshme për t’u përfshirë në listën e 50 librave më të mirëve të shitur ndonjëherë në Britaninë e Madhe. Sipas disa vlerësimeve, deri më sot janë shitur më shumë se 400 milionë kopje të veprave të Tolstoit.
Nuk e fitoi kurrë Çmimin Nobel
Kur Çmimi Nobel për Letërsi nisi të jepej për erë të parë në vitin 1901, shumë njerëz supozuan se fituesi do të ishte Leon Tolstoi. Në atë që cilësohet ende si një nga mospërfilljet më të mëdha në historinë e këtij çmimit, Nobeli iu dha atë vit poetit francez Salli Prydom.
Dyzet e dy shkrimtarë dhe artistë suedezë i shkruan Tolstoit për t’i shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të komitetit të Nobelit. Por shkrimtari rus iu përgjigj:“U lumturova kur mësova që nuk m’u dha Çmimi Nobel. Më privoi nga problemi i madh se si do t’i shpenzoja paratë”. Ai u nominua si kandidat deri në vitin 1906.
Thënie të paharrueshme të Leon Tolstoit:
“Në rast se nuk do të kishte mjete të jashtme për zbehje e ndërgjegjes së tyre, gjysma e njerëzve do të vrisnin veten menjëherë, pasi të jetosh në kundërshtim me arsyen është një gjendje shumë e patolerueshme ,dhe të gjithë njerëzit e kohës sonë ndodhen në një gjendje të tillë.”
“Besimi është domethënia e kësaj jete, ai kuptim me anë të të cilit njeriu nuk e shkatërron veten, por vazhdon të jetojë. Është forca përmes së cilës jetojmë”.
“Ndryshimet në jetën tonë, duhet të vijnë nga pamundësia për të jetuar ndryshe, dhe jo sipas kërkesave të ndërgjegjes sonë, dhe as nga vendosmëria jonë mendore për të provuar një formë të re të jetës”.
“Gjatë gjithë historisë nuk ka pasur asnjë luftë që nuk është nxitur nga qeveritë, në mënyrë të pavarur nga interesat e njerëzve, për të cilët lufta është gjithmonë e dëmshme edhe kur është e suksesshme”./bota.al/ KultPlus.com
Objekte që ruhen në arkivin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër janë ekspozuar për publikun.
Ekspozita “Expose”, e çelur nën kujdesin e kuratores Orestia Kapidani, duket si një udhëtim në kohë dhe laboratorët e mjeshtërve të fotografisë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se këto objekte janë trajtuar dhe prekur nga baballarët e fotografisë shqiptare.
“Objekte të trajtuara e të prekura nga baballarët e fotografisë shqiptare, pjesë e koleksionit që ruhet në arkivin e Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, Shkodër, janë ekspozuar për publikun nën kujdesin e kuratores Orestia Kapidani. “Expose”, një udhëtim në kohë dhe laboratorët e mjeshtërve të fotografisë”, theksoi Margariti duke sjellë momente nga ky aktivitet. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë për “Al Jazeeran”, ka folur për ushtrinë e Kosovës. Osmani ka thënë se asgjë nuk do t’i ndalë synimet e Kosovës për t’iu bashkuar NATO-s, pasi thekson se do të sillte stabilitet e siguri për gjithë rajonin.
“Si presidente e shtetit më pro-NATO dhe më pro-Evropian në botë, më duhet të them se Rusia absolutisht do të vazhdojë me qasje të njëjtë të kërcënimit ndaj shteteve që zgjedhin rrugën euroatlantike, duke kërcënuar se do të veprojë si në Ukrainë”.
“Para disa ditëve ambasadori i Rusisë në Bosnjë tha se nëse Bosnja i bashkohet NATO-s atë e pret një gjë e ngjashme si Ukrainën. Është një kërcënim direkt jo vetëm për Bosnjën por gjithë shtetet në rajon apo mëtej, që kanë synim t’i bashkohen aleancës. Por, kjo nuk duhet të na ndalë që t’i bashkohemi NATO-s”.
“NATO nuk është thjeshtë makinë ushtarake, por është sistem i bazuar në vlera. Duam t’i bashkohemi për shkak të vlerave që paraqet, por edhe për shkak të sigurisë që do t’i sillte rajonit”, ka thënë Osmani.
Ajo ka shtuar se anëtarësimi i Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut në NATO ka sjellë më tepër siguri për rajonin.
Po ashtu foli edhe për çështjen e Rusisë dhe ndërhyrjen në Ukrainë.
Ajo tha se nëse presidenti i Rusisë Vladimir Putin, lejohet të marrë atë që do, do të thotë se ky është fundi i demokracisë.
“Nëse ne e lejojmë Putinin që të merr atë që do, ky është fundi i demokracisë. Ky është fundi i rregullave të të drejtës ndërkombëtare. Për këtë arsye të gjithë së bashku vendet e mëdha dhe të vogla duhet që të punojnë së bashku që të ndalohet ajo se çka është duke bërë tani Rusia dhë të sigurohemi që regjimi i Putinit do të bjerë”, tha Osmani./Express/ KultPlus.com
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot aktorin Agim Qirjaqi, në kuadër të “Muajit të Teatrit”.
“Sot, në ditën e ndarjes së tij nga jeta, kujtojmë aktorin e shkëlqyer, Agim Qirjaqi”, tha Margariti.
Agim Qirjaqi lindi në Kolonjë në vitin 1950. Karrierën si aktor e filloi në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Rrugë të bardha” i Viktor Gjikës (Profesori), “Lulëkuqet mbi mure” i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i Shkollës) etj. Me këtë të fundit fitoi çmimin e parë në Festivalin e 2-të Filmit, më 1977.
Më pas punoi si regjisor në TVSH, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma, mes të cilëve edhe filmin artistik “Dorina” (1980).
Gjatë kësaj kohe vazhdoi të punojë intensivisht në filma, duke qenë i preferuar nga shumica e regjisorëve tanë. Gjithashtu filloi të japë mësim, mjeshtërinë e aktorit, në Akademinë e Arteve, përvojë të cilën e vazhdoi edhe pas rikthimit në Teatrin Kombëtar, më 1981. Në vitet ’80 interpretoi rregullisht në teatër dhe në film, duke qenë njësoj i suksesshëm, si në role dramatikë, ashtu edhe në ata komikë.
Më 1989 largohet për herë të dytë nga Teatri Kombëtar, këtë herë për një trajnim 2-vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler (Giorgio Strehler) në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe pastaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës. U rikthye në Teatrin Kombëtar më 1991 këtë herë më i dhënë pas regjisë. Lista filloi me “Rikardi III” të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me “Fando e Lis” të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” në Festivalin e vitit 1994, “Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma, “Këngëtarja tullace” të Ioneskos dhe mbaron me “Armiku i popullit” të Ibsenit.
Krahas krijimtarisë, angazhohet edhe në veprimtaritë ‘jashtë skene’, si përkthyes dramash (“Fando e Lis” dhe “Këngëtarja tullace”), bashkëpunëtor dhe anëtar i Këshillit Botues të buletinit Teatër, anëtar i bordeve të Studios Alba Film dhe Akademisë së Arteve, bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Teatrit (1992). Më 1996 fitoi titullin “Asistent Profesor”. Në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.
Qirjaqi u nda nga jeta më 28 mars 2010 në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. / KultPlus.com
Më bjen ndërmend si njitash n’vogli kur shkoja me gjyshin në breg t’bunës me zanë peshk e mandej kadalë-kadalë merrnim rrugën për në Shirokë. Gjyshi bante sikur shkonim për hatrin tim, por un e vëreja se ai ma shumë shkonte me takue nji mikun e tij të vjetër, Tomen. Toma ishte plak, a ndoshta plak më dukej mue ngase isha fëmijë. Toma e kishte shtëpinë në mes të Shirokës, sa kalojshe nji klub n’qoshe të rrugës së vetme e merrshe rrugën përpjetë për kah kampi i fmijëve, dikur vila e Mbretit Zog. Gjyshi e gjuante penxheren e shtëpisë me guralec: -Erdha me vrep, ndihej zani i Tomës. Toma kishte za të pakët… përherë me nji xhaketë bojkafe, dimën-verë e n’krye nji kasketë doku. Gjyslykët me skelet të trashë të zi, i jepnin atij pamje prej intelektuali. Fliste ngadalë e me buzen në gaz krejt kohës. E donte fort gjyshin, e vëreja se i ndrinin sytë kur takoheshin. Mos të ishte për gurabijat pesë lekëshe që më blinte, nuk do e kisha kujtue me kaq hollësi Tomen…
Mandej zbrisnim të tre drejt bregut të liqenit. Toma e gjyshi mblidhnin do gur petashuqa e mi jipnin mue me gjuejt petulla n’uj. Kur ta çojsh në dhjetë petulla me ‘i gurë, ke i gurabi tjeter më thonin.
Me binte krahu n’tokë tue dashte me mbërri dhjetën. – Oh, po për Zoten! -thërriste Toma e qeshte me za. Fiks dhjetë. Qê artist! – e ma zgjaste nji pesë lekësh tjetër për gurabinë e premtueme, ani se edhe ai edhe unë e dinim se as gjasht petulla nuk i kisha ba. Më bante përshtypje pse gjyshi e Toma përherë flisnin me za të ulët.
Isha kureshtar me i ndigju, por me petulla uji, e gurabija klubi me mbanin gjithmonë larg. Vetëm pak vite mâ vonë, kur Toma pat vdek në senatorium nga tuberkulozi, e pata kuptue se Toma kishte qênë prift… E ndigjova gjyshin kur i tha nji burri thatuk që erdhi te na me marr vesht si qé puna. Nesër mbrama, i tha gjyshi lehtë, dom Lorenci ka me çu meshë për Tomen diku në shtëpin e nji miku të tyre në Shkodër. Gjyshi me Tomen kishin pas jetue për vite me radhë në nji odë burgu dhe e kishin nda kafshatën e bukës me njêni-tjetrin. Me pat marrë edhe mue me vedi gjyshi kur shkuam në vorrimin i Tomës. Ata i kishin vorret e tyne në mal, atje mbi liqen. Vorret e tyre më paten shti friken… ishin do qiparisa të naltë e kumritë zinin vend ndër ta… nuk kishte shum njerëz në varrimin e tij. Kah u kthyem në shtëpi, gjyshi heshti e un nuk bzana hiç. Ma mori mendja që po përcillte ndërmend të kaluemen me mikun e tij. Vetëm kur mbërritem në Tophane, mori frym thellë e tha duke me fërkue qafen e duke iu dridhun gusha: -E kam pasë si vlla! Lotët që i rrodhen për faqe nuk i fshiu. Vetëm mblodhi vetullat e shikimin treti diku larg.
Prej aty e deri te shtëpija, gjyshi nuk çeli ma gojë. Atbotë e mbrapa, kurrë nuk më pat marrë mâ për shetitje kah liqeni.
Kur shkoj në Shirokë, përherë më kujtohen ata dy burra të mirë… herë kthej kryet poshtë kah bregu i liqenit ku uleshin mbi gurë e përshpërisnin lehtë-lehtë e herë kthej kryet kah qiparisat ndër vorre ku prehet Toma, mbi të cilat kukujnë pa prâ kumritë. / KultPlus.com
Në fletoren ku ti shkruan zë e ndihet një sëpatë… Ai zë është i druvarit, që rend pyllit nëpër natë.
Në fletoren ku ti shkruan zë e cicërin një zog… Ai zë është i bilbilit që me lisin ishte shok.
Në fletoren ku ti shkruan ndrit një rreze përmbi fletë… Është rrezja diellore që e mbante lisin në jetë.
Në fletoren ku ti shkruan gurgullima uji nisin… Ai zë është i burimit ku ka shuar etjen lisi.
Në fletoren ku ti shkruan pena nis cijat patjetër… Është zëri i fabrikës që e bëri lisin letër. Iku lisi që nga pylli dhe fletore na u bë…
Prandaj ndihet një zë sëpate, ndaj këndon një zog në të, ndaj një rreze nis shkëlqen edhe zbardh si dëborë, prandaj pena nis këndon për druvarë e punëtorë.
Ndaj burimi gurgullon rrëzëllejne pika djerse… Në fletoren ku ti shkruan ja pse ndihen zëra jete! / KultPlus.com
Gazeta ruse, Novaya Gazeta tha se ka pezulluar punën online dhe shtypjen e gazetës, deri në përfundimin e “operacionit të posaçëm” të Rusisë në Ukrainë, term që Moska përdor për pushtimin e Ukrainës.
Kryeredaktori i kësaj gazete, Dmitry Muratov është bashkëfitues i Çmimit Nobel për Paqe të vitit të kaluar.
Gazeta, që veçse ka hequr materialet nga ueb-faqja e saj për veprimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, duke u bazuar në ligjin e ri rus, tha se ka pranuar edhe një paralajmërim nga rregullatori i mediave të Rusisë të hënën lidhur me raportimin e saj. Ky paralajmërim, sipas Novaya Gazeta, ka bërë që gazeta të pezullojë operacionet e saj./REL/ KultPlus.com
Shënohet 90 vjetori i lindjes së njërit prej shkrimtarëve më të njohur në letërsinë shqipe, i cili do të mbahet mend gjithmonë për kontributin e madh që e dha në letërsinë për fëmijë, shkruan KultPlus.
Odhise Grillo lind më 21 mars 1932 në Vuno të Himarës. Studioi gjuhë-letërsi dhe gazetari në Universitetin e Tiranës në vitin 1962. Mbas mbarimit te studimeve punoi si redaktor ne revisten “Hosteni” (ishte vetem 17 vjec), për të vazhduar më tej në Shtëpine Qëndrore të Krijimtarisë Popullore, ku drejtoi revistat “Bota e fëmijeve” dhe “Kultura Popullore” dhe deri sa doli në pension punoi në shtëpinë botuese Naim Frasheri, fillimisht si redaktor, e me pas si shef i redaksisë së letërsisë për femije. Mbas pensionit punoi si redaktor në shtepinë botuese “Toena”.
Librin e parë me vjersha e botoi në vitin 1954, i titulluar “Shtatë ngjyrat”.
Grillo shkroi e botoi me shume se çdo shkrimtar tjetër i kësaj letërsisë dhe ne veprën e tij rroku tema e fusha te mbështetura ne motivet popullore e veçanërisht vend lindjes se tij, Vunoit. Ai përpiqej gjithmonë te sillte diçka te re ne letërsi dhe e pasuroi atë me risi, përvoja elemente dhe format te reja artistike. Ai kishte lindur për te shkruar letërsi për fëmije, duke qene një krijues i mirëfillte i saj dhe iu përkushtua asaj tere jetën, me talentin, pasionin dhe aftësitë krijuese qe zotëronte.
Shkrimtarit bashkëkohor te letërsisë për fëmije Odhise Grillo ju dha medalja “2000 Milenium” e institutit biografik ndërkombëtar të Amerikës. Kjo medalje u jepet njerëzve qe radhiten përkrah personave më të shquar në fushën e letërsisë. Shkrimtari Grillo ka botuar mbi 120 libra për fëmije ne proze, poezi, studime kritike dhe te tjera. Grillo është perfshire ne edicionin e 16, “International Authors and ëriters ëho’s ëho” 199/2000, botim i qendres biografike te Cambridge-it në Angli (IBC). Ai drejtoi per me shume se dhjete vjet Shoqaten Mbarekombetare te Shkrimtareve per Femije e te Rinj, si kryetar e se fundmi si president. Gjithashtu Grillo eshte nderuar me titujt Mjeshter I Madh, Laureat i cmimit te Republikes.
“Historia e Skënderbeut”, sipas veprës së Naim Frashërit, kjo vepër e Grillos hyn në fondin e librave më të mirë të dhjetëvjeçarit të fundit. Odhise Grillo vdiq nga një hemorragji cerebrale mbasi kaloi kater muaj ne koma ne një nga spitalet e Nju Jorkut.
Shkrimtari Odhise Grllo ka dhëne ndihmese te shquar ne te gjitha gjinitë dhe zhanret e letërsisë për fëmije, madje edhe për teatrin e me perkthime. Odhise Grillo ka kontribuar dhe me tekste këngësh si për Te rriturit edhe për fëmijët. Nga bashkëpunimi i tij me Agim Prodanin mund Te veçojmë këngët “Kujtimet e studentit”, “Vajza me trëndafil”, dhe “Kur gjethet bien në vjeshte” me kompozitor Leonard Deda.
Ne thelb ky autor mbeti prozator me rikrijimet e përrallat dhe novelat e romanet , poet që shkëlqeu në poemat për të vegjël. Ai ishte shume i njohur për veprat e tij. / KultPlus.com
(Në ekranin e madh, të instaluar në pjesën fundore të skenës, transmetohen pamje nga malet e Sharrit, të xhiruara nga lartësia dhe që zhvillohen ashtu që të sajojnë idenë e rënies dhe rrjedhimisht edhe të marramendjes. Pastaj këto pamje kombinohen me pamjen e qiellit mbi malet e Sharrit, të xhiruara nga poshtë-lart, thikëpërpjetë, që poashtu mund ta sajojnë idenë e marramendjes nga lartësia. Pastaj fiksohet fluturimi i një shqiponje të vetme, duke ndjekur fluturimin e saj deri sa pothuajse zhduket e mandej rishfaqet dhe afrohet në ekran me idenë që janë drejtuar të dalë “këndej” ekranit, në publik. Pikërisht në këtë çast, kur “pritet” shpërthimi i skenës prej saj, në ekran shfaqet figura e Sabri Popajt, një fotografi e bërë nga hetuesit e Tribunalit të Hagës në qershor 1999. Pas errësimit total të skenës për dy-tre sekonda, shfaqet në mes të skenës aktori që luan rolin e Sabri Popajt, i veshur me rrobe sa më të ngjashme me ato të fotografisë, ku është fiksuar Sabri Popaj nga fotografi i Tribunalit të Hagës. Fillon qetë, si bashkëbisedim, gati monoton. Por, ironik.)
Në mal kam dalë fillikat, me dhen,
I shoh si kullosin në hesap të vet,
Me mirë kuvendoj këtu me një qen
Se sa me njerëz të tromaksur në fshat e qytet.
(Shikon qiellin. Vë dorën mbi ballë si kasketë.)
Me orë të tëra vëzhgoj shqiponjat
Që fluturojnë si të bënin një lojë.
Harkimet e tyre më duken si shkronjat
Që të zbulojnë një sekret e të lënë pa gojë.
(Heq dorën nga balli. Qëllon ballin, si i shastisur. Ngritje toni, shprishje emocionale.)
Ne themi që jemi bij shqipesh antike
Të stuhioreve** që ngrihen me vërtik,
Por ngaherë nuk jemi specie heroike
Përngjasojmë më shumë me zvarranikë.
(Bën me gishtin tregues të dorës së djathtë drejt lartësive.)
Shqiponjat kanë shikim të mprehtë
Dhe flatra të forta si gur mulliri.
Ndërsa lëvizja jonë është e mefshtë
E dymendur, si një lutje monotone fakiri.
(Dorën e djathtë e bën grusht. Me ton edhe më të lartë, më luftarak)
Shqiponjat guxojnë edhe të arratisen
E kthehen prapë, aty ku e kanë folenë.
Ndërsa ne kur ta bëjmë njëherë braktisjen
Fillojmë ta urrejmë me shpirt atdhenë.
(Pauzë. Fërkon ballin. Pështyen duart, si njeriu që i përvishet një pune. Me ton më qortues. Lëvizë nëpër skenë i shqetësuar.)
Nuk e di ç’do të bëja pa fluturimin e tyre
Dhe pa arratisjen time këtu.
Do të bëhesha si zhguall prej mynxyre
Dhe me mua do të talleshit edhe më shumë ju.
(Errësim skene. Në ekran fillon e shfaqet pamje e dy djemve duke luajtur, më së miri është nëse mirret nga spoti i këngës “Përjetësisht” të grupit “Ritmi i Rrugës”. Ndriçohet skena. Aktori që është gërmuqur, me kokë mes duarsh, ngrihet ngadalë. Me ton më meditativ, gati vajtues.Duke mbajtur sërish kokën me të dyja duart. Me shikim përdhe. )
Kur shoh këtu shqiponjat duke u ngritur
Më duket se shoh bijtë e mi duke më ardhur,
Të rilindur dhe tejkohe të përtëritur,
Nga udhëtimi i gjatë nëpër qiej të zbardhur.
Më duket se më afrohen e më thonë:
Baba, ne erdhëm të të shohim dhe një herë,
Pasi atë ditë të lamë në komë,
Të rënë përmbys mbi atë përrua të mjerë.
Nuk arritëm të ta jepnim lamtumirën, baba,
Se plumbat na goditën si një vetëtimë.
Dita u ngrys e shpejt ra nata hata,
Një natë që bebëzat na i mbushi harrim.
Nuk po vdisnim ne, por ty po të linim
Të rënë përmbys në atë shkurre të tharë,
Që do të vinte liria tashmë ne e dinim
Por, pa ne do të ishte si një shqiponjë e vrarë.
(Ekrani fiket. Nxin. Aktori shqetësohet, ngrihet e lëvizë nëpër skenë, si njeriu që kërkon diçka që ka humbur. I drejtohet ekranit dhe e qëllon me grushte. Shqelmon dyshemenë. Vrapon nëpër skenë. Pas disa çastesh, skena ndriçohet. Edhe në ekran shfaqen shqipona në fluturim. Aktori ka veshur një gunë barinjsh dhe ka në dorë në shkop të gjatë.)
Në një këso çasti bijtë e mi më humbasin
Në varganin e reve të bardha si borë,
Megjithëse më duket vazhdojnë të më thërrasin
Mua që ngrij me këtë shkop në dorë.
(Ndalet dhe shikon përpjetë, me duart lart.)
Ata kthehen sërish sipër reve, në qiej,
Atje ku nuk arrin shikimi e as mendja ime,
Por, nuk e di si ua ndjek fluturimin, si i ndjej
Pranë, si të ishin të futur në gunën time.
(Hap gunën, si për të futur në të ndokend. Vrapon nëpër skenë me atë gunë të hapur, ssi duke ndjekur dikend që përpiqet ta fus nën atë gunë. Pastaj i zemëruar, e heq gunën, e vrpjon me dyshim, pas pak e hedh disa hapa larg. Por, afrohet me nxitim, e merr dhe e vesh me ngut e si me frike, se ia merr ndokush gunen. E përthekon dhe e mban me duar.)
Prandaj ma do shpirti në këtë bjeshkë të rri
Në furtunë, në cikmë, në shi e në dëborë,
Të pres djemtë që vijnë e kthehen përsëri
Duke ma mbushur zbrazëtirën në kraharor.
(Ndalet, rri si i gurëzar. Në ekran jipen për disa çaste pamje nga Malet e Sharrit në dimër. Pasatj ndodhe një ndryshim emocional, me disponim gati fëmijëror.Hidhërueshëm, gati kërcëneshëm)
Nuk kam pse kthehem në rrafsh e në qytet
Atje ku po e shkrryeni mizorisht lirinë.
Po e pres shpëtimin këtu krejt i qetë,
Ta zdesh si një gunë të ndotur tejmërzinë.
(E zdesh gunën dhe e hedh serish disa hapa larg vetes. Ia kthen shpinën. Kthehet dhe kapërcen me hop mbi gunën, del ën anë tjeëtr të skenës, sikur kërkon dikend të clit drejtohet.Merr pamje si të personit që mban një fjalim. Qortues e paska duke u krekosur.)
Ju të çliruarit atje poshtë, vazhdoni
Gjaknxehtë t’ia nxirrni sytë njëri-tjetrit,
Por, lirinë që e shkërryeni a e meritoni
Ajo u erdhi nga gjaku i Agonit dhe Shëndetit***
Liria që fitohet nga gjaku i djemve rioshë
Dhe nga vuajtjet e grave fatmjera,
Liri nuk është, o burra sarhoshë,
Ajo është një sprovë për kohët e tjera.
(Bën me gisht në drejtim të publikut. Afrohet në cepin e përparmë të skenës, afër publikut.Gërmuqet.)
Ju vazhdojeni luftën që nuk e bëtë,
Unë po u shikoj me neveri nga kjo majë.
Lirinë e gjakut të djemve të mi, si e zhbëtë,
Po ku do ta fshihni kokën pas zhbërjes së saj?.
( Drejtohet. Me ton me meditativ.)
Pa atdhe e pa liri ne e kemi provuar jetën,
Që nuk na vlente as sa një samar gomari,
Por, ne mësuam që moti ta fshehim të vërteten
E të gënjenim se ka trimëri shqiptari.
E provuam edhe kësaj here veten
Dhe ramë përposh, ramë në humnerë.
Guximi e burrëria si kripa në ujë na u tretën
Dhe e pamë veten të mjerë e të stërmjerë.
(Errësohet skena. Në ekran pas dy-tre sekondash transmetohen pamje arkivore nga gjenocidi serb: djegie shtëpish, kolona refugjatësh, varreza masive. Transmetohen materiale televizive të medieve botërore që kanë mbuluar ato ngjarje. Pastaj skena ndriçohet. Ekrani nxin.)
I pamë si na i vranë para syve fëmijët tanë
I pamë dhe si na i dhunuan gratë e motrat.
I pamë si na grinë e si na vranë,
Si na i dogjën edhe varret edhe votrat.
I patë të gjithë ju, siç i pashë edhe unë
Me zemër të ngrirë, me sy të errësuar.
As unë nuk bëra ndonjë trimëri, ndonjë punë
Megjithëse bëra një varrim të padëgjuar.
(Skena errësohet. Ekrani aktivizohet. Pas disa çastesh, fillon transmetimi i pamjeve nga qytetet antike, më së miri është të mirren pamje nga amfiteatri i Butrinti dhe nga ai i Durrësit. Pastaj jipet një sekuencë teatrore, ose filmike qe ka të bëjë me tragjedinë antike, “Antigonën” e Sofokliut, ose ndonjët ragjedi tjetër. Ndriçohet skena. )
Ato ditë/ net që më ngërdhesheshin si shtriga
E zbraznin tërbimin e huaj mbi jetët tona,
Unë nuk dija gjë për Sofokliun nga antika,
Nuk e kisha idenë kush kishte qenë Antigona.
Atij lloj varrimi nga e para duhej t’ia filloja
Pasi që kujtesën na e kishte fshirë barbaria,
Nga e para do të duhej vetë ta përjetoja
Atë gjëmë që e kishte provuar veç njëherë historia.
Më vonë, shumë më vonë, e mora vesh
Që Antigona e theu një dekret,
Ajo kishte varrosur veç një vëlla të lënë në shesh
E jo si unë, që varrosa gjashtëdhjetë.
(Në ekran jipen pamje nga varreza në Fortesë, ku në gurvarre janë të shënuar emrat e personave që përmenden, Nazmiut, Agonit, Shëndetit dhe të tjerëve të vrarë në masakrën e Bellacërkës (Fortesës.)
Ajo e kishte një kufomë, vëllanë, e kishte lehtë,
Ndërsa unë nga t’ia filloja më parë,
Nga im vëlla Nazmiu a nga bijtë e mi të shtrenjtë,
A nga kufoma fëmijësh të tjerë, që dergjeshin në bar.
( Dridhet, lebetitet. Bie në gjunj. Godet kokën lehtë me grusht, si për ta yshtur kthimin e kujtesës. Në ekran fiksohet fotografia e Sabri Popajt, por mbahet dridhshëm, si kur ka pengesa në transmetim.)
Ishte e zorshme të krijoja një radhë me mend
Sepse kisha harruar edhe të numëroja.
Prekja gishtërinjtë, po nuk i ndieja në vend,
Fërkoja sytë me thonj, por asgjë nuk shikoja.
Nuk e dija as kush isha dhe pse isha aty kot
Sabri Popaj po thua, nuk e di a jam, a je i sigurt?
More, mos jam ëndërr unë e nuk po zgjohem dot?!
E po si mund të zgjohet një njeri i gurtë?
Po pastaj e rrokja qartë me mend
Se isha unë, Sabri Popaj, dhe se isha i zgjuar,
Dhe se duhej të formoja patjetër një rend
Nga kufoma e djalit të vogël, që e mbaja në duar.
(Ngrihet, vrapon nëpër skenë i tmerruar. Kërkon dikend, kërkon diçka. Skena errësohet pjesërisht. Aktori fokusohet me nje dritë të zbehtë, tek ka në dorë një lopatë dhe duket sikur rërmih dheun, hap varre. Pas disa çastesh, ndalon dhe flet, në atë gjysmerrësirë.)
Kush po më ndihte ta dija se kush isha tevona
Dhe se çfarë duhej të bëja vërtet?
Nuk e besoj se ishte ajo motra fatzezë, Antigona,
E dalë nga miti dhe e rikthyer në jetë.
Nuk ishte ajo dhe nuk kishte si të ishte
Sepse atë e paskëshin pasur vrarë sipas ligjit.
Zëri që më fliste, në të vërtetë, zëri im ishte,
I dalë nga thellësia e panjohur e shpirtit.
(Aktori ndalon. Mbahet për lopate. Ndizet ekrani. Transmetohen pamje të qiellit. Aktori lëvizë drejt mesit të skenës, përballë publikut. I fokusuar veëtm me atë dritë ët zbehtë.Më meditativ.)
Duke ndjekur atë zë që më dilte i mnerët
E nisa varrimin prej Shëndetit e Agonit,
Pastaj vëllain e nipat dhe me radhë të tjerët
Secilin me një lutje sipas zakonit.
(Aktori ndalon. Errësim i plotë i skenës. Në ekran paraqiten shtëpi të djegura në luftën e fundit në Kosovë. Pastaj Aktori fokusohet me një dritë të zbehtë.)
Ditën strukesha nëpër shtëpitë-rrënoja,
Mblidhja batanije për t’i përdorë si qefin,
Emrat e të vdekurve nëpër shishe i shënoja
E nën krahë secilit të varrosur ia lija si një kujtim.
Ta dinte toka e zezë cili ishte banori i saj i ri
Dhe ne ta dinim kush kishte qenë ai për të gjallë,
Me shpresën e mjegullt që kur të vinte e shtrenjta liri,
T’i rivarrosnim me nderim e t’i ritakonim me mall.
Natë pas nate e varr pas varri, të gjithë i varrosa
Të gjithë, në atë varrezë pa asnjë epitaf.
Krejt në fund edhe pallton time e groposa,
Të kishte edhe shpirti im një kenotaf.****
(Heq pallton, bën sikur po e varros edhe atë në skenë. Bën një lutje me duart e ngritura lart. )
Sepse aty e kam varrosur edhe veten për së gjalli
Dhe, jam arratisur e nuk kthehem më.
Edhe në më pjektë mërzia, edhe në më djegtë malli
As kthehem prapa, as lëshoj një zë.
(Ngrihet. Qëndron triumfues. Në ekran rishfaqen pamjet e shqiponjës së vetmuar, Malet e Sharrit dhe qielli, ato që janë transmetuar në fillim të shfaqjes. Dhe fiksohet fotografia e Sabri Popajt, ajo fotografia e bërë nga fotografi i Tribunalit të Hagës, në qershor 1999. Pastaj lëvizë nëpër skenë. I afrohet cepet të skenës përballë publikut.)
Jam bërë gur nga dhembja dhe jam shkrumbuar
Nga dhembja që nuk e përshkroi as Sofokliu,
Jam blegtor me gunë, me shkop në duar
I rilindur, i përtëritur, unë jam vetë Sabriu.
Dhembjen dhe frikën unë i mposhta vetë
Me durimin që se nga vinte e më bënte trim.
Ndërsa lirinë time tashmë e ruaj përjetë
I arratisur nga liria juaj, të cilën e ndotët me krim.
(Errësim i plotë i skenës. Ekrani i ndezur, por vetëm bardh. Dëgjohet kënga “Përjetësisht” e grupit ‘Ritmi i Rrugës”. )
FUND
29 nëntor 2015
*Sabri Popajt nga fshati Bellacërkë (Fortesë) e Rahovecit, më 25 mars 1999, forcat serbe ia kanë ekzekutuar para syve të tij të dy djemtë, që kanë qenë të moshës së mitur. Në atë masakër atij ia kanë vrarë edhe vëllain, Nazmiun, dy djemtë e vëllait dhe shumë kushërinj e fqinj, burra, pleq, gra e fëmijë. Ai tregon se tërë atë tragjedi e ka vrojtuar nga një kanal, diku dyqind metra larg, ku ishte fshehur, që të mos e pësonte edhe vetë. Ai tregon se si në netët në vijim, fillimisht krejtësisht i vetmuar, më vonë i ndihmuar nga dy bashkëfshatarë, i ka varrosur natën djemtë e vet, të vëllain dhe nipat e tij, si edhe të gjitha kufomat e tjera të asaj masakre. Ai tregon se si tërë natën hapte varre e i varroste kufomat, duke hyrë nëpër shtëpitë e mbetura pa banorë e duke marrë atje batanije, që t’i mbështillte të vdekurit me to, meqë nuk kishte qefin. Po ashtu mblidhte shishe dhe në to fuste emrat e të varrosurve, që të ruhej identiteti i tyre. Sabri Popaj ka dëshmuar për këtë masakër në Tribunalin e Hagës, kundër Sllobodan Millosheviqit. Sabri Popaj ka një kope dhensh, me të cilat e kalon një kohë si blegtor në malet e Sharrit.
**Fjalë e re, me këtë kuptim figurativ: shqiponjat janë stuhia vetë.
***Emrat e dy djemve të Sabri Popjat, të cilët ia vranë forcat serbe.
**** Varr i zbrazët, në të cilin futej një rrobë e një personi të vdekur, të cilit nuk i ishte gjendur trupi. Në Greqinë antike besohej se edhe shpirtit të të vdekurit të pavarrosur i duhej një varr, ku do të kthehej të gjente prehje. / KultPlus.com
Will Smith pati një fjalim plot lot kur pranoi Oscar-in e tij të parë pas një sherri në skenë me Chris Rock.
Ylli 53-vjeçar fitoi “aktorin më të mirë” në ndarjen e 94-të vjetore të ‘Academy Awards’ të dielën, duke fituar një tjetër vlerësim për performancën e tij si Richard Williams.
Fitorja erdhi disa minuta pasi Smith goditi komedianin Rock në skenën e Oscars pasi Rock bëri një shaka me flokët e gruas së Smith, Jada Pinkett Smith. Pas komentit, Pinkett Smith rrotulloi sytë dhe Smith u ngjit në skenë dhe goditi Rock.
Në fjalimin e tij të pranimit, Smith tha mes lotësh: “Në këtë kohë të jetës sime, në këtë moment, unë jam i mbingarkuar nga ajo që Zoti po më thërret të bëj dhe të jem në këtë botë. … Unë jam duke u thirrur në jeta ime për të dashur njerëzit dhe për të mbrojtur njerëzit dhe për të qenë një lumë për njerëzit e mi”.
“Unë e di të bëjmë atë që bëjmë, duhet të jeni në gjendje të abuzoni; duhet të jeni në gjendje t’i bëni njerëzit të flasin të çmendur për ju. Në këtë biznes duhet të jeni në gjendje të keni njerëz që nuk ju respektojnë, dhe duhet të buzëqeshni dhe të pretendoni se kjo është në rregull.”
Ai e krahasoi veten me personazhin e tij të mbretit Richard, i cili ishte një “mbrojtës i ashpër i familjes së tij”.
Smith gjithashtu tregoi se Denzel Washington i tha atij disa minuta para fitores se “në momentet tuaja më të larta, ki kujdes sepse atëherë vjen djalli për ty”.
Smith më pas iu drejtua drejtpërdrejt incidentit, duke i kërkuar falje Akademisë dhe kolegëve të tij aktorë për incidentin.
“Dua t’i kërkoj falje Akademisë. Dua t’u kërkoj falje të gjithë kolegëve të mi të nominuar,” tha ai.
Smith më pas bëri shaka, “Arti imiton jetën: Unë dukem si babai i çmendur. Ashtu siç thanë për Richard Williams. Por dashuria do t’ju bëjë të bëni gjëra të çmendura.”
Ai më vonë shtoi, “Duke qenë në gjendje të dua dhe të kujdesem për nënën time dhe familjen time, gruan time … Faleminderit për këtë nder. Faleminderit për këtë moment … Shpresoj që Akademia të më fton përsëri.” / KultPlus.com
Julien Ezanno – Këshilltar i Çështjeve Bilaterale në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë të Francës, përfundoi vizitën speciale në Kosovë në cilësinë e ekspertit të jashtëm të kinematografisë, për procesin e hartimit të koncept-dokumentit të kulturës.
Takimin e parë ai e realizoi me Ministrin Çeku dhe zyrtarët e Ambasadës së Francës në Kosovë ku u diskutua edhe rreth bashkëpunimit Kosovë-Francë që do të konkretizohet së shpejti në fushën e kinematografisë, përmes marrëveshjes për bashkëprodhim filmik mes film bërësve të Kosovës dhe Francës.
Ezanno në kuadër të kësaj vizite ishte edhe në Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe Kosova film. Gjithashtu mbajti një punëtori një ditore me akterë të ndryshëm institucional, të pavarur dhe edukativ të kinematografisë kosovare dhe një punëtori tjetër me akterët e festivaleve të filmit dhe kinemave të Kosovës.
Ai shprehi gatishmërinë e plotë për të mbështetur zhvillimin e kinematografisë Kosovare përmes bashkëpunimit Kosovë-Francë në nivel të legjislacionit dhe bashkëprodhimit. / KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar 23-vjetorin e Masakrës ndaj 16 anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu dhe Selman Gashit në Podujevë si dhe Masakrës afro 150 personave në Izbicë të Skënderajt.
“Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja”, thotë Kurti.
Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e tij të plotë:
7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç dhe 7 gra të familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, u pushkatuan 23 vjet më parë në Podujevë nga njësiti rezervë policor serb “Shkorpionët”.
Në këtë masakër humbi 16 anëtarë të familjes e u mbijetoi 16 plumbave Saranda Bogujevci. Ajo sot është Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Rreth 80 kilometra më larg, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe rrethuan mijëra civilë të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth. Nga turma i morën 147 burra dhe djem, të cilët i ekzekutuan në vend.
Të dy masakrat u kryen më 28 mars 1999, katër ditë pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe në 10 vjetorin e Kushtetutës së Serbisë, që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.
Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me përfaqësuesit e klubit të xhudos – Gjilani, ka pritur sot në takim një delegacion të Federatës së Xhudos së Kosovës në përbërje, Agron Kuka – kryetar, trajnerin e njohur Driton Kuka dhe kampionen olimpike dhe krenarinë e sportit kosovar, Majlinda Kelmendi.
Kryetari Hyseni tha se temë kryesore në takim ka qenë mundësia e bashkëpunimit dhe ndërtimi i palestrës së xhudos në Gjilan.
“Unë e njoftova kryetarin e Federatës për gatishmërinë e Komunës për bashkëpunim, ndërkaq ne veç e kemi identifikuar vendin ku mund të bëhet ndërtimi i palestrës së xhudos. Na mbetet që bashkë me MKRS-në të dakordohemi edhe për pjesën e ndërtimit dhe finalizimit të projektit. Me vullnetin që e kemi për ta përfunduar këtë punë, besojmë që Gjilani do të jetë njëra prej komunave ku do të bëhet ndërtimi i kësaj palestre e shpresojmë që do të nxjerrim edhe ne kampionë olimpikë”, ka thënë kryetari Alban Hyseni.
Në emër të Federatës së Xhudës ka folur kryetari i saj, Agron Kuka, i cili e ka falënderuar kryetarin Hyseni për pritjen dhe për lajmin e mirë për gjetjen e parcelës për ndërtimin e palestrës së xhudos.
“Duke e ditur faktin që jemi për një qëllim të mirë, për promovimin dhe zhvillimin e sportit të xhudos, e falënderojmë kryetarin për gatishmërinë e tij dhe të Komunës së Gjilanit për ndarjen e një parcele për ndërtimin e një palestre specifike për sportin e xhudos. Uroj që ky projekt të realizohet sa më shpejt dhe klubi i xhudos Gjilani të ketë një hapësirë adekuate për zhvillimin dhe avancimin e sportit të xhudos”, ka thënë Kuka. / KultPlus.com
Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prishtinë ka kërkuar nga qytetarët që të largojnë antenat satelitore nga ndërtesat e tyre, të trashëguara nga sistemet e vjetra të transmetimit të cilat rrezikojnë sigurinë e qytetarëve, përcjell KultPlus.
Afati për largimin e këtyre antenave satelitore është 90 ditë, që nga data e publikimit të këtij njoftimi.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të tyre:
Të nderuar qytetarë,
Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim fton qytetarët për bashkëpunim, duke larguar kështu antenat satelitore në ndërtesat e tyre të trashëguara nga sistemet e vjetra të transmetimit të cilat rrezikojnë edhe sigurinë e qytetarëve, për shkak se ato nuk mirëmbahen dhe gjithashtu ndikojnë edhe në estetikën e qytetit.
Afati për largimin e antenave satelitore në ndërtesat e Prishtinës do të jetë 90 ditë, që nga data e publikimit të këtij njoftimi.
Në rast se nuk respektohet afati kohor për largimin e antenave satelitore, për largimin e tyre detyrohet të intervenojë Drejtoria e Inspeksionit.
Prandaj, ju bëjmë thirrje qytetarëve që ta respektojnë thirrjen e Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në mënyrë që ta transformojmë Prishtinën në një qytet më të sigurt dhe modern. / KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022, të mërkurën hapin ekspozitën me titull “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”.
Kjo ekspozitë përbëhet nga rreth 25 stenda, të cilat përmbajnë objektet e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut. Muzeu Historik Kombëtar krahas objekteve të shumta, ka edhe një koleksion të pasur artefaktesh arkeologjike prej të cilave mund të përmendim: koleksionin e objekteve prehistorike; koleksionin e skulpturave; enët prej qeramike; monedhat ilire, greke e romake; objekte të shumta të zejtarëve vendas në qeramikë e metal etj., me një shtrirje të gjerë në kohë nga prehistoria, antikiteti greko – romak, periudha antike e vonë e deri në mesjetë. Larmia e objekteve mesjetare të ekspozuara synon të ofrojë një panoramë gjithëpërfshirëse të kulturës materiale, që u formua në territorin e Shqipërisë.
“Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” hapet me datën 30 Mars 2022, ora 18:00, në Muzeun Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com
Vepra “Ora e shkrimtarit 2”, është një përmbledhje studimesh e vështrimesh me karakter okazional të kujtesës dhe evokimit të vlerave letrare të shekullit të kaluar. Produkt i një opusi studiuesish e letrarësh aktualë të Kosovës, brenda kësaj vepre shkrihen e sintetizohen mendime, përceptime, pikëpamje e qëndrime aksiologjike mbi vlerat e veprat letrare të shkrimtarëve shqiptarë të shekullit XX. Të pranëvendosur njëri pas tjetrit sipas një parimi selektues e kronologjik, këta shkrimtarë parakalojnë në shekullin e ri duke u reprezantuar si poetë, prozatorë, publicistë e estet dhe si rrjedhojë ofrojnë një diversitet interpretimesh e një polimorfizëm varësisht prej zhanrit me të cilin paraqiten.
Duke selektuar emra personalitetesh si Din Mehmeti, Ramiz Kelmendi, Rrahman Dedaj e Musa Ramadani, studiuesit e kësaj përmbledhjeje ravijëzojnë herë mbi rrafshe të ndryshme të veprës e herë mbi personalitetin e krijuesit për të derivuar si produkt final një portret të përgjithshëm mbi poetikën e mbi vetë autorin. Si rrjedhojë, në vepër do të hetohet integrimi i një rrjeti metodash e qasjesh që do të manifestohen si: ravijëzim i dimensioneve të ndryshme të jetës së autorit përmes finesave të pozitivizmit; gjurmim i tematikës, stilistikës, narracionit, personazhit, përgjithësisht poetikës përmes qasjes strukturale; dhe si hetim i ndërliteraritetit të mundshëm të autorëve shqiptarë me letërsinë botërore përmes qasjes krahasimtare. Duke përzgjedhur kush një metodë dominante e kush një tjetër, këta studiues do të përpiqen të nxjerrin së paku disa elemente kruciale të vizionit të përgjithshëm krijues të këtyre autorëve.
Gjurmimi i binomit figurativ e semantik në poezinë e Din Mehmetit e Rrahman Dedajt
(Dije Demiri – Frangu, Anton Berishaj, Adil Olluri)
Përpjekja e studiueses Dije Demiri – Frangu për të dhënë një imazh sa më besnik dhe të plotë të Din Mehmetit është përkthyer në praninë e finesave të metodës integrale në thelb, sepse në nismë studimi i saj nis rrugëtimin si një përmbledhje e informacioneve rudimentare të biografisë dhe filleve të veprimtarisë krijuese, vazhdon si ilustrim minimal i kontekstit historiko – politik të kohës kur shkruan autori, por tutje studimin e objektit Demiri – Frangu e projekton si orientim drejt rrafshit përmbajtësor që ka poetika e Din Mehmetit, pra përqendrimin në semantikën e poezisë nëpërmjet figuracionit letrar. Diskursin e vet përmbajtësor mbi semantikën dhe figuracionin e këtij autori, studiuesja në fjalë e artikulon mbi parimin e leximit ndërmjet dy kohëve, që vë përballë leximin e së shkuarës dhe të së tashmes, leximin e krijimtarisë nistare e fundore të Din Mehmetit për ta përshkruar tejkohësinë tematike e evolucionin figurativ.
Në esencë, semantikën e poezisë së Dinit, studiuesja Dije e koncepton si të lidhur ngusht me fatin e atdheut dhe ngjarjet historike e politike të viteve ’90, që në thelb kundërmojnë mushtin atdhetar, siç e quan ajo. Por, duke e vështruar paralel me kohën e krijimit dhe aposteriorin e krijimit, Demiri – Frangu heton dy faqe të semantikës: poezi që dikur trumbetonin luftën, bomba që na zgjonte nga letargjia e realitetit të trishtë, të ashpër e dhunues konstaton Demiri – Frangu duke nënvizuar sot një rol më tepër ilustrativ të kësaj poezie që sipas saj vjen si një dëshmi e fortë, si një reliev poetik i një dhembjeje të shndërruar në kujtesë. Pashkëputshmëria prej kontekstit historik të kohës, megjithatë nuk i shpëton syrit kritik të studiueses, e cila nuk e sheh tërësisht pa rezerva këmbimin e detyruar estetik me kërkesat ideologjike të kohës, megjithatë e arsyeton pozicionin utilitar të autorit me kërkesat e kohës, bile vlerëson se poezia e Dinit është frymë e kohës…aritmi e zemrës së popullit të tij.
Me frymën e përqasjes, Demiri – Frangu trajton edhe rrafshin e figurave, duke u fokusuar sidomos në procesin evolutiv të metaforës, që e piketon si determinantë përfaqësuese të poezisë së Din Mehmetit. Duke iu referuar edhe një studimi të Ramadan Musliut në shenjë konkretizimi, kjo studiuese shpërfaqë transformimin e metaforës prej metaforash të zgjeruara e të hipertrofuara me karakter popullor, drejt evoluimit në metafora më të koncentruara, apo metafora semantike siç zgjedh t’i quajë Ramadan Musliu.
Ndonëse kanë një objekt të përafërt studimi, karakterit pak më integral të studimit të Demiri – Frangut, i vihet përballë një qasje më e koncentruar e studiuesit Anton Berishaj teksa rreket të hulumtojë kodin simbolik tashmë të poezisë së Rrahman Dedajt. Berishaj vetë e paralajmëron kufizimin e interesave të veta vetëm në kodin simbolik, sepse niset nga kredot e teorikëve e estetëve se veprat artistike janë simbole dhe se kodi simbolik vetiu lidhet edhe me nënkode tematike e ligjërimore. Me një stil dhe leksik të koncentruar shkencor dhe me një qasje argumentuese që ndalet në vargje, jep shembuj poezish, Berishaj studimin e vet e hap me interesimin mbi arkitektonikën e kodit simbolik, përherë të lidhur ngusht me përmbajtjen, tematikën e poezive. Duke hulumtuar origjinën e kodit simbolik, Berishaj konstaton se simboli te Dedaj krijohet mbi bazën e konstrukteve metaforike, ku segmenti i dytë është bartës i vlerës simbolike.
Megjithatë, përqendrimi më i madh i Berishajt rrëshqet drejt evoluimit që pëson kodi simbolik e bashkë me të edhe semantika e poezive nëpër faza. Në odisejadën e vet hulumtuese, Berishaj gjurmon kodin simbolik e tematik duke identifikuar një mori metaforash e temash prej përmbledhjeve të para e gjer në ato të fundit, vetëm e vetëm për të konstatuar se vëren një amplifikim, një transformim sinjifikativ të metaforës, simbolit e të temave prej poezive të para krahasuar me ato të fundit. Natyra fitomorfe, zoomorfe, kozmogonike dhe më popullore e metaforave dhe simboleve në përmbledhjet e para, sipas Berishajt zgjerohet dhe lidhet me aktualitetin, ndaj siç thotë ai në përmbledhjet e fundit do të krijohen edhe simbolet si: tanku, gazeta, komunikata, grushtshteti…e bashkë me simbolet edhe temat më filozofike e individuale që shquajnë përmbledhjet e para, do të përfshijnë tema të reja si dhuna, hipokrizia, nëpërkëmbja e lirisë njerëzore, trazirat politike e sociale, tema pra që e shqetësojnë njeriun aktual.
Me rrafshin simbolik do të merret edhe Adil Olluri, që njëjtë sikur studiuesi Berishaj, por me një stil më eliptik e qasje afirmative, evidenton e përshkruan simbolet nëpër fazat e krijimtarisë së Dedajt. Në studimin e vet, Olluri identifikon tri faza, tri mënyra krijimi simbolesh, që nisin rrugëtimin si simbole konvencionale të lëvruara edhe më herët në letërsinë shqipe, së dyti integrohen si struktura simbolike jokonvencionale dhe së treti, sipas Ollurit, Dedaj bën një përdorim të spikatur jokonvencional e personal të simboleve konvencionale. Studimi i Ollurit përshkon edhe rrafshin tematik dhe përmbajtësor të poezisë së Dedajt, që për të del mjaft diverse. Olluri vë theksin në një varg temash e konceptualizimesh që sjell poezia e Dedajt që nga origjina, nostalgjia, arti i fjalës së bukur, tëhuajësimi, zvetënimi e sidomos vendlindja e fëmijëria që për Ollurin janë pjesë e pandashme e të gjitha përmbledhjeve. Mbi këtë laramani temash e simbolesh, sipas Ollurit, e gjitha poezia e Dedajt e bart vulën e një poezie në thelb meditative, refleksive, sepse siç shprehet edhe vetë, poezia e Rrahman Dedajt ështëkryekëput ligjërim i një krijuesi mendimtar që shpreh mendime për çështje e dukuri, se sa që shpreh ndjesi për to. Studimi i Ollurit herë – herë shpalosë edhe shkëndija pozitiviste e aksiologjike ku projektohen dromca të jetës e krijimtarisë së Dedajt, bashkë me vlerësime subjektive ku Olluri ngre në piedestal poezitë e Dedajt, që madje i quan edhe perla poetike, por që këto shkëndija mbesin më terciare në krahasim me qasjen dukshëm më pozitiviste që do të sjellin në vazhdim Ibrahim Kadriu e Agron Gashi.
Poliedrizmi i Ramiz Kelmendit e Musa Ramadanit në dritën e dialogut
(Ibrahim Kadriu, Binak Kelmendi dhe Agron Gashi)
Kur thuhet qasje pozitiviste për Ibrahim Kadriun e Agron Gashin nënkuptohet shpërfaqja eksplicite e personalitetit të krijuesit, pa dhënë informacione direkte biografike, por duke u vënë në bisedë direkte me vetë autorin, ashtu që në studimet e të dyve, nuk janë studiuesit, por janë kryesisht autorët ata që e prezantojnë veten përpara lexuesve.
Studimin e vet, studiuesi Ibrahim Kadriu e artikulon prej pozitës së bashkëbiseduesit e asaj të lexuesit. Në pjesën e parë të studimit, Kadriu, në vend të monologimit mbi figurën e Ramiz Kelmendit, kryesisht dialogon bashkë me Ramiz Kelmendin duke e bërë këtë autor të afërt e të prekshëm për lexuesin. Prej evokimit të një episode në tren dhe prej dialogut direkt me Ramiz Kelmendin, studiuesi Kadriu nxjerr autorin prej katër prizmash të ndryshëm: R.Kelmendin si njeri te i cili shquan modestinë e humorin; si përkthyes te i cili ndërfut vlerësimin e Kelmendit mbi përkthimin në letërsinë shqipe; gazetar e krijues që vetë Kelmendi i sheh si dy fusha të pandashme dhe veten si homoduplex të tyre dhe së fundmi Ramiz Kelmendin si kritik dhe preokupimet e tij mbi mosleximin, nepotizmin në kritikë e përdorimin jo të drejtë të gjuhës shqipe. Po këtë portretizim poliedrik që e nxjerr prej revistës, Ibrahim Kadriu do ta gjejë edhe prej pozitës së lexuesit. Me një stil të çliruar prej dromcave teorike e kritike dhe me ligjërimin që më tepër i ngjan përshtypjes prej lexuesi, Kadriu përqendrohet në veprën “Ditari” të autorit Kelmendi, te e cila çmon stilin e autorit, poliedrizmin e polimorfizmin që shfaq vepra. Kadriu heton në këtë vepër shkrirjen e biografemave, kontekstit historiko – politik, dromcat gazetareske e letrare të Kelmendit, që e plotësojnë personalitetin e Kelmendit, sepse siç ka vënë re Ibrahim Kadriu, deshifrimi i veprave përmes ngjyrosjes biografike më së miri vjen në shprehje pikërisht te shkrimtari Ramiz Kelmendi. Ndaj, te “Ditari” Kadriu gjen referencën dominantë për të depërtuar brenda figurës së Kelmendit ose siç thotë vetë Kadriu për të shëtitur bashkë me autorin rrugëve kah kishte shkuar ai.
Prej figurës poliedrike të Ramiz Kelmendit që e nxjerr Kadriu, studiuesi tjetër Binak Kelmendi, që gjithashtu merret me të njëjtin autor, do të përqendrohet në Ramiz Kelmendin – publicist, megjithatë duke ia njohur kontributin edhe në veprimtarinë përkthyese e krijuese. Që në hyrje të studimit, Binak Kelmendi reflekton një qasje aksiologjike të admirimit për publicistikën e Ramiz Kelmendin, duke e gërshetuar me një historik të shkurtër të inkuadrimit të R. Kelmendit në publicistikë, dhe fokusohet në tri vepra publicistike “Letra prej Ulqini”, “Fytyra dhe turinj” dhe “Kokrra kripe”. Kelmendi hyn në mënyrë koncize në përmbajtjen e secilës vepër dhe derivon prej andej elemente të përgjithshme të përmbajtjes, por theksin e vë në diversitetin zhanror që sjellin të tri veprat si korrespondencë, polemikë dhe përmbledhje publicistike. Me këto tri vepra, studiuesi Kelmendi e karakterizon publicistikën e autorit si stisje edhe mbi rrethanat politike të kohës, madje vepra “Letra prej Ulqini” sipas tij tejkalon zhanrin thjesht gazetaresk dhe merr kontura të kronikës e dëshmisë historike mbi shqiptarët e viteve ‘90 brenda e jashtë Kosovës. Jo vetëm në këtë vepër, por përgjithësisht sipas studiuesit Kelmendi ky autor ka ditur të shfrytëzojë hapësirën që ia ka lejuar koha e rrethanat politike për të shprehur atë që ka qenë me interes për publikun. Ndaj, lidhjen e ngushtë mes rrafshit krijues dhe rrafshit historik e politik të kohës, duket sikur Binak Kelmendi e shpallë si veçori krijuese të Ramiz Kelmendit prej cilitdo prizëm. Prej rrethanave historike të kohës s’mund të shkëputet as vetë Binak Kelmendi, ndaj ky studim i tij karakterizohet për një përdorim të gjerë të digresioneve me karakter historik e politik të raporteve shqiptare – jugosllave, e herë – herë edhe me digresione të karakterit pozitivist që nxjerrin detaje më anësore nga jeta e autorit.
Forma e dialogut që në përmbledhje nisi me Ibrahim Kadriun, aplikohet edhe prej Agron Gashit, këtë herë te Musa Ramadani. Krahas një qasjeje të përgjithshme ndaj krijimtarisë së Musa Ramadanit që depërton prej dromcave biografike të autorit, nëpër historikun e krijimtarisë dhe nëpër një paraqitje të elementeve rudimentare nëpër veprat e tij, një fokus të veçantë studimi i Agron Gashit merr në pjesën e dialogimit me autorin. Përmes dialogimit, Agron Gashi e nxjerr Musa Ramadanin nën prizmin e estetit e me premisa prej filozofi dhe e lë të flasë vetë para lexuesit. Me një stil konciz e të koncentruar të pyetjeve, Gashi shpërfaq përpjekjen e Musa Ramadanit si estet për të krijuar një manifest letrar, estetik e i – medial të ndërtuar mbi pesë parime të paracaktuara. Këtë manifest, që autori Ramadani e kishte emërtuar si verrleizëm, në dialog e sipër me studiuesin Gashi, e koncepton si kthim në të njëjtën pikë të fillimit e mbarimit, si diçka që përsëritet në mënyrë ciklike, duke ia referuar këtë proces ciklik edhe vetë procesit të krijimtarisë që përmbyllet në një rreth të caktuar, me fillim e fund të ngjashëm. Idenë për verrleizmin e nxjerr prej filozofisë ekzistencialiste, ndaj Gashi prej dialogut derivon edhe dromcat filozofike të autorit e admirimin për ekzistencializëm. Duke zgjatur komunikimin me autorin, Gashi në mënyrë implicite nxjerr një lexim sistematik që Musa Ramadanit ua bën ekzistencialistëve në fillimin e fundin krijues, në të cilin heton një ndryshim të qëndrimeve prej një mohimi absolut, së paku drejt qëndrimeve që divergjojnë në tjera drejtime pak më relative. Sado që në dialog, studiuesi Gashi mban një qëndrim më të përmbajtur dhe neutral ndaj Musa Ramadanit duke u mjaftuar me prezentimin e këtij autori prej dy këndeve të reja, pra finesat estetike e filozofike, në qëndrimin e përgjithshëm të Gashit, hetohet një qasje admirimi ndaj këtij autori. Për Gashin, Musa Ramadani mbetet jo vetëm avangardist e eksperimentues në forma e fusha të ndryshme të letërsisë, por edhe sharmi e eleganca e brezit të kohës kur krijoi.
Kundrimi multipërspektiv i Osman Gashit mbi prozën e shkurtër të Musa Ramadanit
Trajtimi i prozës së shkurtër të Musa Ramadanit prej disa rrafshesh e përspektivash, i ka dhënë studimit të Osman Gashit një karakter më integral, më përgjithësues, ani pse ligjërimi dhe stili i tij artikulohen si detajizues e argumentues përmes gërshetimit me citate e fokusimit në tregime të caktuata. Gashi që në nismë trajton binomin strukturë – përmbajtje të tregimeve, prej nga bën me dije se strukturalisht tregimet e Musa Ramadanit e plotësojnë kërkesën kruciale të një fillimi influentiv konciz dhe një efekti rrëmbyes për t’u receptuar vëmendshëm prej lexuesit. Ndërkaq, në rrafshin e përmbajtjes, Gashi i identifikon tregimet e disa romane të këtij autori kryesisht si prozë refleksive e të rrjedhës së ndërdijes, ku siç thotë Gashi shpalos të fshehtat e një bote të trazuar, e një individi të pasigurtë e gjithsesi të rrezikuar nga agensët e ndryshimit. Gashi përmend këtu edhe produksionin tematik me origjinë popullore, si risemantizim prej Eposit të kreshnikëve, ndërkohë që temat si ambienti urban, njerëzit e margjinave, pleqtë, gratë dilemat e njeriut të thjeshtë, përpjekja për shkëputje e distancim nga jeta publike e herë ajo politike shenjojnë produksionin tematik që kap syrin e studiuesit Gashi teksa flet për tregimet e Musa Ramadanit e me theks të veçantë përmbledhjen “Fluroma”.
Duke u vënë syrin tregimeve të veçanta, kësaj here të përmbledhjes “Satana ma vodhi gurin e urtisë”, Gashi rrëshqet në fushën e personazheve ku përshkruan shkurtimisht, por qartë tipat e personazheve që ndërton Musa Ramadani në tregimet e veta, e që për Osman Gashin konotojnë në njerëz që vijnë nga periferia e jetës e në individë me shpresa të thyera, të vetmuar e të tëhuajësuar e ndonjëherë edhe viktima të mentalitetit provincial. Gashi shpreh interesim edhe për kategorinë e narratorit dhe narracionit, duke veçuar si specifikë sidomos rrëfimin nga veta e parë e narratorin homodiegjetik, dhe një përzgjedhje e përdorim i tillë sipas Gashit i ka bërë të mundur Musa Ramadanit që në mënyrë më të natyrshme të derdh tërë potencialin e tij krijues e emocional. Modernizmi dhe postmodernizmi sipas Gashit bëhen rrymat midis të cilave observon e huazon penda krijuese e Musa Ramadani, ndaj siç thekson Gashi, kjo bën që vepra e tij të jetë në linjë me zhvillimet në letërsinë bashkëkohore që krijohet në botë. Kjo linjë e përbashkët i hap rrugë një relacioni përqasës, ndaj dy studiuesit Gashi bëjnë me dije ngjashmërinë e Musa Ramadanit me Buxatin, Borhesin e Kafkën. Sidomos ngjashmërinë me Buxatin, Osman Gashi e sheh edhe si influencë të mundshme të përkthimit që i kishte bërë Musa Ramadani në gjuhën shqipe. Po kjo influencë sipas Gashit përcakton edhe relacionin me autorin iranian Sadek Hedajat e Upanishadat indase, që ndërfuten në tregimet e M.Ramadanit si reminishenca që derivojnë nga Lindja, sepse siç heton Osman Gashi, sidomos ky raport me Lindjen në prozën krijuese të Musa Ramadanit shndërrohet në preokupim të thellë e obsesion. Kjo qasje krahasimtare shenjon rrafshin e fundit të studimit të Gashit mbi prozën e M.Ramadanit, në të cilin studim, Osman Gashi e identifikon Musa Ramadanin si një shkrimtar risish, me të cilin lidhet ngusht përdorimi për herë të parë i formave vizuale e qasjeve tjera eksperimentale në letërsinë shqipe.
Përgjithësisht, duke përshkuar me penelatë të trashë gati të gjitha metodat e me penelatë të hollë një formë e metodë më përfaqësuese brenda një autori, me finesa të holla të një stili herë poetik e herë shkencor, herë eliptik e herë detajizues, studiuesit e kësaj vepre kanë ndërtuar pikëpamjet e veta sinjifikative për secilin autor dhe artin që ai autor përfaqëson. E këto pikëpamje nxjerrin në pah krijues që marrin rolin e misionarit duke iu afruar zhvillimeve të kohës si rasti i Din Mehmetit, por edhe krijues që rrethanat e kohës i gërshetojnë me qasje eksperimentale moderne e postmoderne si rasti i Musa Ramadanit. Nga vëzhgimet e këtyre studiuesve del një spektër letrar, publicistik, estetik me aplikimin e gati të gjitha formave e të gjitha zhanreve deri në ato më komplekse që, për studiuesit e kësaj përmbledhjeje, bëhet vlerë në letërsinë shqipe.
Ndaj, me një variacion qëndrimesh ndaj këtyre autorëve, duke i parë herë me neutralitet e herë me admirim e përzemërsi, studiuesit e kësaj përmbledhjeje përpiqen që, kush më pak e më tepër, t’i afrojnë këta shkrimtarë me lexuesin aktual dhe përfundimisht ta shpallin eternalitetin e veprave të tyre, duke u siguruar vend të përhershëm në Parnasin e krijuesve.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu ka takuar Kryetarin e Kuvendit Konsultativ të Shtetit të Katarit, Hassan bin Abdulla Al-Ghanim me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në mes të dy vendeve tona.
Presidentja falënderoi Kryetarin Al-Ghanim për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetit të Katarit, duke ritheksuar gatishmërinë të forcojmë bashkëpunimin ndërshtetëror në fusha të ndryshme duke përfshirë ekonominë, energjetikën dhe bujqësinë.
Dy bashkëbiseduesit këmbyen mendimet për ndikimin e agresionit rus kundër Ukrainës në kontinentin evropian dhe rajonin tonë, sigurinë energjetike dhe atë të ushqimit.
Presidentja Osmani bëri thirrje për rritje të bashkëpunimit ndërparlamentar si një mjet i fuqishëm bashkëpunimi mes dy shteteve. Si dy vende mike, Kosova dhe Katari mbeten partnerë të besueshëm dhe të përkushtuar për të thelluar raportet bilaterale. /KultPlus.com
Naim Frashëri ka qenë poet dhe shkrimtar shqiptar, një nga përfaqësuesit më të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe figura qendrore e letërsisë së Rilindjes. Për së gjalli u pagëzua “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe”.
Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare.
Në anën tjetër, njëra prej thënieve më të njohura që Naim Frashëri ka lënë pas është ajo me diturinë dhe njeriun.
“‘Pa pasur dituri, njeriu nuk quhet njeri”./KultPlus.com
Henry Charles Bukowski është një nga poetet më të njohur botëror. Ai ka shkruar shumë poezi, e tregime të shkurtra. Është autor i rreth 50 librave, përfshirë “Femrat” dhe “Zyra postare”, “Zonja vdekje” shkruan KultPlus.
Duke qenë se thëniet e tij tashmë janë shumtë njohura dhe shpesh përdoren në rrjete të ndryshme, KultPlus ju sjellë disa nga citatet më të mira të tij.
1. “Doja ta thoja me zë të lartë atë që ndieja, por qëndrova i heshtur nga frika se nuk do të më kuptonin”. 2. Disa njerëz nuk bëjnë asnjëherë çmendurira, sa të tmerrshme duhet të jenë jetët e tyre. 3.“Mua më pëlqejnë personat e hutuar, ata që sapo i përqafon duken të plotë, ndërkohë që më parë të dukeshin të thyer në mijëra copëza”. 4. “Unë nuk kam nevojë për dikë që të më përsërisë vazhdimisht se do të jetë aty, se nuk do të më lëshojë, apo se nuk do të më tradhtojë kurrë. Më mjafton dikush që në të gjitha rastet që të më dërgojë në djall, sërish të rikthehet tek unë”. 5. “Shpreheni atë që ndjeni. Mos kini frikë nga pasojat, sepse koha nuk fal askënd. Dashuroni, urreni, shpreheni çdo emocion të fortë që po përjetoni. Njerëzit janë spektakli më i bukur në botë, dhe për të cilin nuk paguhet ndonjë biletë”. 6. “Një nga ndjesitë më të bukura në botë është kur përqafon dikë dhe ai person të shtrëngon akoma më fort”. 7. “Mund të them se dashuria është si alkooli. E provon një herë, të trullos kokën, por sërish do një gotë tjetër, një tjetër, e kështu me radhë. Të bën të ndihesh keq, aq keq sa nuk do ta provosh më. Por, më vonë, që me gotën e parë do të tundohesh dhe nuk do të thuash dot “Jo””. 8. “Asnjë marrëdhënie nuk është një humbje kohe : nëse personi tjetër nuk të ka dhënë atë që kërkoje, dije se të ka mësuar gjënë për të cilën kishe vërtet nevojë”. 9. “Do të të duhet të vdesësh disa herë përpara se të jetosh me të vërtetë”. 19. “Gjej atë çfarë e dëshiron dhe më pas leje që të të vras”./ KultPlus.com