Tridhjetë vite pa skenografin Nuredin Loxha, artisti që artit skenik ia fali jetën

Teatri Kombëtar i Kosovës ka përkujtuar skenografin Nuredin Loxha, ku janë bërë 30 vjet që kur ai vdiq, shkruan KultPlus.

Postimi i plotë i TKK-së:

Pikërisht me datën 7 mars të këtij viti u bënë 30 vjet qysh se u nda nga jeta Nuredin Loxha, i cili na mësoi se skenografia është pjesë e domosdoshme e plotënisë skenike, për më tepër është art Shkolla e Mesme e Artit në Pejë, me të drejtë mund të quhet fidanishte talentesh dhe kuadrosh të artit pamor, sepse nga ajo dolën personalitetet më të spikatura të skenës tonë artistike në përgjithësi.

Nga kjo shkollë doli edhe Nuredin Loxha (1935 – 1992), pishtari i skenografisë kosovare, piktori, poeti, veprimtari, dhe artisti i cili ishte dhe mbeti njëra nga figurat më të shquara që dha kjo shkollë.Natyrisht se fjalët nuk e kanë fuqinë për të shprehur, për të thënë atë që do të duhej të thuhej për këtë njeri, mik e prind hovarda, për këtë qenie krijuese poliedrike.Skenografia e parë ndër ne, ajo e NuredinitPejanët me siguri e mbajnë në mendje bashkëvendësin e tyre Nuredinin, apo Nurën, siç e quanin ata që ishin më të afërt me të, djaloshin flokëkaçurrel, biond, iu kujtohet aktiviteti i tij në SHKA “Përparimi”, aktrimi në shfaqjen “Te kulla e Rrustemit”, të inskenuar nga Teatri i Pejës, i cili, siç dihet, ishte teatri dhe kultivuesi më i madh dhe më i vjetër i kuadrove aktoreske kosovare. Aktorët e njohur si: Kristë Berisha, Ragip Loxha, Malo Gami, pastaj Ahmet Spahija, Istref Begolli etj, me të cilët filloi të punojë Teatri Profesional, së pari në Prizren e pastaj në Prishtinë, dolën pikërisht nga Teatri i Pejës.

Dhe pikërisht në këtë teatër, Nuredin Loxha, bëri skenografinë e tij të parë, për komedinë “Dredhitë e Shaptukut”, që në vitin e largët, 1954.Me të mbaruar shkollën e mesme të artit, në vendlindje, pra në Pejë, Nura nis studimet universitare në Akademinë e Arteve të Aplikuara në Beograd, duke u përcaktuar për pikturën, ku ishte talent i rrallë.

Por meqë dëshira për artin e skenografisë kishte lindur më herët në shpirtin pinok të tij, braktis pikturën që në vitin e dytë të studimeve dhe u orientua kah skenografia, të cilën e mbaroi në vitin 1964. Me diplomë fakulteti Nuredini vjen në Teatrin (sot) Kombëtar, në vitin sezonal 1964/1965, dhe që nga atëherë e deri në çastet e fundit të jetës, realizoi mbi 200 skenografi teatrore, filmime por edhe sosh për balet e për manifestime të ndryshme skeniko – muzikore. Pos kësaj, Nuredini realizoi edhe 130 kostumografi, shkroi radiodrama, teledrama e skenarë filmash, shkroioastaj librete për balete e opera, shkroi gjithashtu përmbledhjen e dramave “Të vdekur, të pavarrosur” dhe “Vajaku”, e mbi të gjitha Nura u mor edhe me poezi. Krejt kjo tregon se kemi të bëjmë me një artist, i cili artit në përgjithësi, dhe atij skenik në veçanti, ia dhuroi tërë qenien krijuese, ia dhuroi madje edhe frymën e fundit të jetës.Kulmet e skenës shqiptareMe punën e tij të palodhshme, Nuredin Loxha i kontribuoi shumë zhvillimit të artit skenik kosovar, duke ndryshuar shumëçka në botëkuptimet tona për skenografinë.

Ai na bindi se skenografia nuk është dekor, siç mendonte shumëkush, por është pjesë përbërëse, madje e domosdoshme e plotënisë skenike, është për më tepër art. Skenografia e Nuredin Loxhës ishte e drejtpërdrejtë dhe komunikatave. Ajo përmbante në vete elementet e arkitekturës, skulpturës, pikturës, dhe varësisht nga përmbajtja apo zhanri skenik, bëhej e lehtë – poetike, apo e rëndë – tronditëse, por përherë gjendej në funksion të lojës skenike. Në të mirë të këtij konstatimi flasin shumë skenografi për shfaqjet: “Tartufi” (Molieri), “Kryet e hudrës” (K.Berisha), “Revizori” (Gogoli), “Sfinga e gjallë” dhe “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (R. Qosja), “Nita” (J. Rela), “Mbreti Edip” (Sofokliu), “Trungu Ilir” (S. Hamiti), “Golgota” (M.Kërlezha), “Hamleti” (Shekspiri), “Shtetrrethimi” (A. Kamy), “Princi i hijeve” (M.Kraja), “Mosha e bardhë” (D. Agolli), etj., si dhe dy skenografitë e fundit: “Antigona” (Sofokliu) dhe “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit” (T.Dervishi). Janë këto realizime me rëndësi antologjike për artin skenik shqiptar, në përgjithësi. Skenografi ynë përherë u shmangej improvizimeve, prandaj në krijimet e tij nuk kishte kurrgjë të rastit dhe pa funksion të caktuar.

Çdo element, çdo detaj i vogël, lozte rolin e vet në mozaikun e gjithmbarshëm skenik. Dhe sapo ngrihej perdja, para shikuesve shfaqej një art i njëmendët, me krejt madhështinë dhe shkëlqimin që kishte. Mund të ndodhte të dështojë teksti, të mos ketë sukses aktrimi, apo të mos jetë e qëlluar muzika, por nuk mund të ndodhte të dështonte skenografia e Nures gjithmonë monumentale, gjithmonë funksionale e llamburitëse. Dhe mu për këtë ajo u nderua me shpërblime dhe mirënjohje të shumta kudo që u paraqit.Mirëpo, sipas këtij artisti të skenografisë, kritika e artit skenik, nëse mund të quhej kritikë, nuk e vlerësonte artin e tij, ose e përgjithësonte me fjalët “skenografia e filanit ishte funksionale”. Po të ishte kritika e mirëfilltë – thoshte ai – do të kontribuonte që edhe spektatorët ta përjetonin më shumë këtë art. Aktorit të mirë – thoshte ai – skenografia i ndihmon të ndihet sikur në shtëpinë e tij, ndërsa të dobëtin nuk mund ta shpëtojë as skenografia as regjistra. E konsiderojmë të qëlluar konstatimin e regjisorit dhe dramaturgut tonë Fadil Hysaj, i cili par thënë se veprimtaria e Nuredin Loxhës është e madhe dhe e begatë, dhe si e tillë shënon kulmet më të ndritshme të afirmimit të skenës shqiptare brenda dhe jashtë Kosovës. Mesazhet pikturaveNura gjithmonë frymonte me shpirtin e teatrit, frymonte sakaq, edhe me dhembjen, dhe agoninë e tij në rrethana okupuese. Rëndë e përjetoi Nura pushtimin e këtij tempulli të Talisë, nga i cili nuk e ndante dita as nata, ku la pjesën më të bukur të jetës.Si artist euridit që ishte, Nura ynë merrej edhe me pikturë. Dy vjet para se të ndërrojë jetë, ai krijoi numër të madh pikturash, duke i përmbledhur në ciklin “Vragë të Kosovës”. Janë këto vragë që klithin nga kafshimet e fantazmave apokaliptike të Karpateve, të cilat kurrë nuk u ngopën së thithuri gjak shqiptari. Kishte në ato imazhe diçka profetike, diçka që paralajmëronte golgotën e madhe në të cilën do të gjendej populli ynë. Në qendër të imazheve pikturave autori vendos njeriun me plis të bardhë, biografia e të cilit gjendet shtatë palë nën tokë, dhe në lartësitë e bardha, të rezervuara vetëm për perënditë dhe shqiponjat. Flasin pikturat e Nures edhe për ëndrrën e tij, për ta parë kombin të përbashkuar në një trung, në një gjak, në një gjeografi fizike estetike e shpirtërore, të cilën aq bukur e shprehu rapsodi shqiptar kur këndoi: “Veç një gjak na rrjedh ndër vena, gjaku i shqipes me dy krena”. Këtë mesazh Nuredin Loxha deshi t’ua përcjellë brezave të reja, përmes pikturës së tij të papërfunduar, të quajtur “Shqiponja krahëthyer”.Misionet e NuredinitArtisti i Popullit Agim Zajmi, i njohur si skenograf, por edhe si piktor, për Nuredin Loxhën, tha se ishte njëri ndër artistët më produktivë të arteve aplikative, me një veprimtari të vazhdueshme krijuese 30 vjeçare si skenograf dhe piktor profesionist, pikturën e të cilit e stolis ndjenja e jashtëzakonshme për hapësirën, funksionalitetin dhe dinamikën e kompozimit të shtruar, kurse veprën e tij skenografike e shquan intelekti i veçantë, intuita profesionale, kultura e dhënë artistit të skenës.

Përafërsisht kështu mendojnë edhe ata që vite e dekada me radhë punuan me te, siç është regjisori Agim Sopi, sipas të cilit, “me ndjenjën e Magut të vërtetë skenik, Nuredin Loxha thurte harmoninë e dhembjes dhe pikëllimit njerëzor dhe me lehtësinë e misionarit krijonte rend të përsosur në rrëmujën e skajshme mitike”. Në rolin e misionarit, Nuredin Loxha u angazhua edhe në aksionin për zhdukjen e analfabetizmit në Kosovë, gjithnjë i vetëdijshëm se edhe përmes këtij misioni arsimues e human, do t’i ndihmojë popullit të vet. Dhe pikërisht gjatë kryerjes së misionit të tillë, pikërisht në ditën e shënimit të 105 vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe, dhe pikërisht mbi dërrasat skenike, qenia e artistit të quajtur Nuredin Loxha kaloi në amshueshmëri, dhe duke lënë zbrazëti të madhe që sot po hetohet në jetën tonë skenike. /KultPlus.com

Çeku: Gëzuar Ditën Botërore të Teatrit

Në Ditën Botërore të Teatrit u ndanë çmimet vjetore në fushën e teatrit 2021.

Në ceremoninë e sotme ku morën pjesë emra të njohur të skenës teatrore, u dëgjua edhe performancë nga Orkestra Frymore e Prizrenit me dirigjent Edon Ramadanin.

Përmes një postimi në “Facebook”, Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka uruar ditën botërore të teatrit.

“Me pjesëmarrjen e tij na nderoi edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës Glauk Konjufca, i cili çmimin për vepër jetësore në teatër ia ndau aktores Kumrije Hoxha. Çmimi Vjetor për aktorin më të mirë i është dhënë Ernest Malazogut, Çmimin Vjetor për shfaqjen më të mirë e mori vepra e David Alen Mamet dhe Arian Krasniqit “+18”, kurse Çmimi Vjetor për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar i është ndarë aktorit Mentor Zymberaj dhe dramaturgut Jeton Neziraj.Një falënderim i veçantë për jurinë profesionale me kryetaren Majlinda Bregasi dhe anëtarët Afrim Spahiu, Kushtrim Mehmeti, Qëndresa Jashari dhe Vlora Merovci–Berisha. Gëzuar Ditën Botërore të Teatrit!”. /KultPlus.com

Osmani nga forumi i Dohas: Duhet të mbledhemi bashkë për të dënuar Rusinë, ose na presin kohë të errëta

Edicioni i 20-të i Doha Forum, do të mbledhë liderë nga e gjithë bota për të diskutuar në një takim dy ditor rreth marrëdhënieve ndërkombëtare, zhvillimit ekonomik, ndryshimeve klimatike dhe sigurinë, shkruan KultPlus.

Në këtë forum ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pati edhe një fjalim të shkurtër. “

“Kosova ka ndërtuar marrëdhënie dypalëshe me vende mike në mbarë botën dhe ka forcuar aleatët si Katari”, tha fillimisht Osmani.

Tutje, presidentja shtoi edhe pjesën se Kosova është e gatshme që të ofrojmë ndihmë njësoj. “Kosova ishte shteti i prë që u ofroi vendbaim refugjatëve afganë”.

Për fund, marrë parasysh rrethanat dhe luftën që po ndodhë në Ukrainë, Osmani nuk harroi ta përmendte edhe Rusinë.

“Është thelbësore që të gjithë ne të mblidhemi dhe të dënojmë aktet e Rusisë përndryshe, të gjithë do të përballemi me kohë të errëta”.

Gjatë vizitës zyrtare në Doha, Osmani Sadriu ka takuar Emirin e Shtetit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani. /KultPlus.com

Kosova fiton 2 medalje në Greqi, Kuka: Traditë është ba që shtetet që ende sna njohin, shkojnē xhudistat dhe i njoftojnë me realitetin

Shteti i Kosovës ka arritur që të fitojë dy medalje të tjera në sportin e xhudos, kjo pasi Fatjona Kasapi dhe Erza Muminoviq triumfuan në Greqi, shkruan KultPlus.

Këtë gjë e ka bërë të ditur trajneri Driton Kuka, i cili ka thënë se tashmë është bërë traditë që Kosova të fitojë medalje në vende të cilat nuk e njohin pavarësinë e këtij shteti.

Postimi i tij i plotë:

“Kupa Evropiane U21 Athinë Greqi!
Dy medalje për Kosoven 🇽🇰
Traditë është ba që shtetet që ende sna njohin,shkojnē xhudistat dhe i njoftojnë me realitetin.
Fatjona e artë sot ishte në krye të detyres në kategoinë 57 kg.
Mposhti me radhë garueset nga Izraeli,Polonia,Franca e në finale garuesen turke.
Qasja e saj serioze ka filluar të jap frytet dhe sukseset.
Erza sot fitoj medaljen e bronztë dhe performansa e saj nuk sihte ajo që realisht e ka dëshiruar marr parasysh që ishte favorit për medalje të artë.
Në Athinë përshtypje të mirë lan edhe Lorisi e Riosi që arritën të tregojnë që po vjen koha e tyre.
Arritën të shënojnë fitore dhe me pak më shumë taktikë do hynin në zonën e medaljeve.
Dardani fitoj dy luftëra dhe realisht kishte potencial për medalje por diçka me përqendrimin e tij gjatë luftës sishte si duhet.
Debora humbi dhe realisht ka potencial por shumë gjëra duhet ti përmirësoj,e poashtu të përkushohet seriozisht sepse ska kohë ma për qasje gjysmake”. /KultPlus.com

Osmani takoi Emirin e Katarit: Jemi të përkushtuar të thellojmë raportet ndërshtetërore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu ka takuar Emirin e Shtetit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani gjatë vizitës zyrtare në Doha.

Osmani falënderoi Emirin për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dy vendeve tona dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin diplomatik, ekonomik dhe tregtar. Veç kësaj, Presidentja e informoi Emirin për progresin e gjithmbarshëm në Kosovë, duke përfshirë sektorët e bujqësisë, turizmit dhe infrastrukturës si fusha potenciale për investim nga Shteti i Katarit.

Presidentja Osmani përmendi ndihmën e popullit dhe Shtetit të Katarit ndaj Kosovës përgjatë ditëve më të errëta për popullin tonë si dhe pas shpalljes së pavarësisë. “Populli i Kosovës nuk do ta harrojë asnjëherë zemërgjerësinë e Shtetit të Katarit në momente të vështira e deri më sot. Ne mbesim të përkushtuar që të thellojmë raportet ndërshtetërore” ka thënë ndër tjera Presidentja. 

Presidentja Osmani po qëndron në Doha të Katarit për të marrë pjesë në edicionin e njëzetë të Forumit të Dohas i cili ka mbledhur liderë botëror, politikbërës, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar hapat përpara pas zhvillimeve të shkaktuara nga pandemia në të gjitha aspektet e jetës dhe zhvillimeve të fundit gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë. /KultPlus.com

Rama: Shtëpia e shkrimtarit Sterjo Spasse, nga rrënojë në muze dinjitoz

Shtëpia e shkrimtarit të njohur Sterjo Spasse nga një rrënojë është kthyer në një muze.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje si ishte dhe si është transformuar kjo shtëpi muze.

“Nga një rrënojë, shtëpia e shkrimtarit Sterjo Spasse në Gollomboç, është shndërruar tashmë në një muze dinjitoz”, tha Rama.

Kthimi në muze i shtëpisë së Sterjo Spasses është edhe një vlerë e shtuar për fshatin Gollomboç, por edhe për të gjithë bashkinë e Pustecit. Shtëpia e shkrimtarit është pajisur me objekte, të cilat janë përdorur prej tij apo edhe me dorëshkrime dhe dokumente.

Veprimtaria letrare e Sterjo Spasses është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane etj. Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar.

Kjo ishte një periudhë në të cilën Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit. Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kuror rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë iqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983). /atsh/ KultPlus.com

Papa Françesku: Të ndalojmë luftën para se të fshijë njerëzimin nga historia

Papa Françesku përsëriti thirrjen e tij për paqe në Ukrainën të dielën dhe tha se tani është koha për të shfuqizuar luftën përpara se ajo të fshijë njerëzimin nga historia.

“Ka kaluar më shumë se një muaj nga pushtimi i Ukrainës, që nga fillimi i kësaj lufte mizore dhe të pakuptimtë, e cila, si çdo luftë, është një humbje për të gjithë, për të gjithë ne. Ne duhet të hedhim poshtë luftën, një vend vdekjeje ku baballarët dhe nënat varrosin fëmijët e tyre, ku burrat vrasin vëllezërit e tyre pa i parë as ata, ku të fuqishmit vendosin dhe të varfërit vdesin. Lufta nuk shkatërron vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen e shoqërisë ”, ka thënë më tej ai.

Papa përsëriti apelin e tij për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

“Përballë rrezikut të vetëshkatërrimit, njerëzimi duhet të kuptojë se ka ardhur koha për të shfuqizuar luftën. Ta fshijë atë nga historia njerëzore para se të fshijë njeriun nga historia. Mjaft. Ndaloni. Le të heshtin armët. Negocioni seriozisht për paqen. Lufta nuk mund të jetë diçka që është e pashmangshme. Ne nuk mund të mësohemi me luftën”, u shpreh Papa./ KultPlus.com

Dashuria

Poezi nga Andon Zako Çajupi

E mban mënd, moj Marë,
dashurin’ e parë?
Njeri nuk e gjegji,
se jeshmë te vegji.
Unë pa ty s’rrojë,
vij’ e të kërkojë;
tl pa mua s’rroje,
vij’ e me kërkoje.
Në lule me erë
putheshim ngahere,
dhe si burr’ e grua
losnim nënë ftua.
Një ditë, të dyza
losnim mbylla-syza:
U fshyem pa dukur
Cinë të besoj taninë,
perëndin’ a dashurinë?
Perëndi në këte jetë
është dashuria vetë.
——
Bukuria jote, leshërat e tua
posi pëndë korbi, të gjata
mbi thua,ballëtë si diell,
faqetë si mollë,qafa jot’ e gjatë,
mesi yt i hollë,sisëtë si shegë,
dhëmbët si thëlpënjë,buzët si
burbuqe, sytë si gështënjë,
dora si dëborë, fjala jote mjaltë,
kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë;
gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua,
po zëmëra jote u bë gur për mua!
—–
Pika-pika bie shiu
dhe dëbora flokë-flokë,
vetëtin e fryn veriu,
breshëri kërcet mi tokë!
Le të fryjë er’ e ftohtë,
s’ka ç’më bën dimëri mua:
Dashuria më mban ngrohtë,
se pushtoj atë që dua.
Kur fryn era me tallas,
kur bie dëbor’ e shi,
sa flë njeriu me gas,
kur ka mikenë në gji!

Margariti: Gulielm Radoja, artist i niveleve ndërkombëtare

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot aktorin e njohur Gulielm Radoja, në kuadër të “Muajit të Teatrit”.

“Kujtojmë sot aktorin Gulielm Radoja, artist i niveleve ndërkombëtare”, tha Margariti.

Gulielm Radoja u lind më 2 korrik 1945 në Shkodër. Ai u shkollua për dramaturgji dhe filloi fillimisht punë si aktor në teatrin e Librazhdit, ndërsa më tej iu dha mundësia të angazhohej edhe si regjisor në Fier dhe Durrës.

Krahas interpretimeve të spikatura në teatër, Radoja pati një veprimtari të shkëlqyer edhe në kinematografi ku interpretoi në rreth 40 filma nga viti 1970 deri në vitin 2019. Nga filmat mbetet i paharrueshëm në interpretimet me rolet e Stefan Bardhit te “Mësonjëtorja” (1979), Petro Nini Luarasit te “Kush vdes në këmbë” (1984) apo roli i Albertos te “Gjeneral Gramafoni” (1977).

Për veprimtarinë e shkëlqyer artistike ai qe nderuar me titullin “Artist i Merituar”.

Radoja u nda nga jeta në 5 maj 2021 në moshën 75-vjeçare pasi u prek nga COVID-19./ atsh/ KultPlus.com

Themelohet Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur

Sot, në Ditën Botërore të Teatrit është themeluar Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë aktori Shkëlzen Veseli i cili thotë se ky festival sivjet nisë rrugëtimin për t’u shndërruar në një ngjarje tradicionale që do të mbahet në qytetin e Prizrenit.

Në vijim gjeni postimin e plotë të tij:

Më 27 Mars, në Ditën e Teatrit ndajmë me ju lajmin për themelimin e

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur!

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur, këtë vit nis rrugëtimin për tu shëndrruar në ngjarje tradicionale, e që do të mbahet në qytetin e Prizrenit.

Kjo ngjarje kulturore ishte planifikuar të mbahej vitin e kaluar, por situata pandemike që përfshiu mbarë botën, bëri që edicioni i parë të shtyhet për këtë vit.

Ky festival i themeluar nga artistët, Shkelzen Veseli, Adrian Morina dhe Zana Duraku, do të mbahen në fund të muajit Korrik dhe në filllim të muajit Gusht, nën patronatin e kryetarit të Komunës së Prizrenit z.Shaqir Totaj.

N’Prizren do të nis festival i vecant i teatrit, ashtu sic është unik edhe vet qyteti i Prizrenit, i cili si për nga natyra ashtu edhe për nga programi do të jetë aktivitet teatror unik në rajon dhe më gjerë. Festivali synon të bëjë bashkë teatro e trupa teatrore nga vendi, rajoni dhe Evropa.

Shtrirja e aktiviteteve do të bëhet në gjithë qytetin, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat e përshtatshme që janë në dispozicion në Prizren, përshirë hapësirat publike dhe private si:

Kalaja e Prizrenit, Hamami, Kino Lumbardhi, Lidhja e Prizrenit, , Xhamitë, Kishat, Teqet, Ura e gurit, Teatri Qytetit, Kino Bistrica, si edhe sheshe të qytetit.

Programin qëndrorë do ta shoqërojnë edhe shfaqjet mysafire të cilat do të jenë jasht konkurencës, shfaqje për audiencën e re,për publikun e nesërm,

Krahas prezantimit të shfaqjeve do të organizohen punëtori e diskutime të ndryshme lidhur me teatrin, trashëgimine teatrore, historike si edhe master klasa nga artist vendor dhe ndërkombëtar.

Pse n’Prizren?

Për shkak të trashëgimisë së pasur kulturore e shpirtërore, qendrave të shumta historike, multietnicitetit dhe diversitetit kulturor,e mbi të gjitha mikepritjes.

Mbi te gjitha, n’Prizren, do të jetë një festival shpresëdhënës, me të cilin do të mund të bëhemi pjesë e hartës teatrore të Evropës dhe Botës.

Na priftë e mbara!./ KultPlus.com

Aktorja Kumrije Hoxha nderohet me çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore

Në ditën Botërore të Teatrit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë çmimet vjetore për teatër, përcjell KultPlus.

Këtë vit juria është përbërë nga Majlinda Bregasi , Vlora Merovci Berisha, Qendresa Jashari, Afrim Spahiu dhe Kushtrim Mehmeti.

Çmimin kombëtar për vepër jetësore iu nda aktores, Kumrije Hoxha.

“Aktorja Kumrie Hoxha, vlerësohet sot me çmimin më të lartë, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës për vepër jetësore, si falënderimi më i lartë shtetëror për gjithë emocionin që i dhuroi këtij publiku” – tha Bregasi.

Fjalën e mori edhe vetë aktorja e cila falënderoi të gjithë pjesëmarrësit.

“Për mua, teatri është dashuri, kjo dashuri u pagëzua me çmim kombëtar për vepër jetësore. Falënderoj jurinë që më kanë vlerësu, falënderoj publikun që kanë qëndru gjithmonë afër nesh”- tha Hoxha pasi mori çmimin./ KultPlus.com

MKRS ndan çmimet vjetore për teatër, Mentor Zymberaj dhe Jeton Neziraj marrin çmimet për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar

Në ditën Botërore të Teatrit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë çmimet vjetore për teatër, përcjell KultPlus.

Këtë vit juria është përbërë nga Majlinda Bregasi , Vlora Merovci Berisha, Qendresa Jashari, Afrim Spahiu dhe Kushtrim Mehmeti.

Çmimin për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar këtë vit e morën dy artistë, Mentor Zymberaj dhe Jeton Neziraj.

“Duke marrë parasysh se ky çmim ka si kriter numrin e performancave dhe vlerësimet e suksesshme jashtë vendit, kandidatët kanë përmbushur të dyja këto kritere. Njëri me numrin e performancave dhe tjetri me numrin e çmimeve nëpër konkurse ndërkombëtare, ndaj secili e Meriton vlerësimin më të lartë nga shteti i tyre për prezantim ndërkombëtar.” – tha kryetarja e jurisë, Majlinda Bregasi./ KultPlus.com

MKRS ndan çmimet vjetore për teatër, ‘+18’ merr çmimin ‘Shfaqja më e mirë’

Në ditën Botërore të Teatrit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë çmimet vjetore për teatër, përcjell KultPlus.

Këtë vit juria është përbërë nga Majlinda Bregasi , Vlora Merovci Berisha, Qendresa Jashari, Afrim Spahiu dhe Kushtrim Mehmeti.

Çmimin për shfaqjen më të mirë e mori shfaqja ‘+18’ nga David Mamet dhe Arian Krasniqi, me regji të Qendrim Rijanit.

“Shfaqja ‘+18’ vjen në skenën e teatrit të Gjakovës ‘Hadi Shehu’ vetëm me 14 aktorë, në një hapësirë të vogël skenike. Në këtë shfaqje, regjisori ka përshtatur me mjeshtëri karakteret, figurat dhe kontekstin. Skenografia racionale, minimale me në qendër lojën dhe emocionet e aktorëve, shfaqja ‘+18’ Meriton të quhet shfaqja më e mire e vitit 2021 sepse nuk na është paraqitur vetëm si një realizim skenik, por si një krijim skenik ku çdo gjë ka funksionuar në mënyrë perfekte”- tha Bregasi pas ndarjes së çmimit.

Çmimin e pranoi drejtori i teatrit të Gjakovës, Edi Kastrati i cili falënderoi bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e vlerësuan këtë shfaqje/ KultPlus.com

MKRS ndan çmimet vjetore për teatër, Ernest Malazogu merr çmimin ‘Aktori më i mirë’

Në ditën Botërore të Teatrit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë çmimet vjetore për teatër, përcjell KultPlus.

Këtë vit juria është përbërë nga Majlinda Bregasi , Vlora Merovci Berisha, Qendresa Jashari, Afrim Spahiu dhe Kushtrim Mehmeti.

Çmimin për aktorin/aktoren më të mirë e mori aktori Ernest Malazogu.

“Me kontributin në skenën teatrore, me talentin dhe përkushtimin deri në perfeksion, edhe këtë vit aktori Ernest Malazogu na pasuroi duke na dhuruar performanca të shkëlqyera në rolet kryesore në shfaqjet si: ‘Provoje edhe njëherë, Sam’, ‘OK, natyrë’, ‘Jerusalem’, ‘Shtetrrethimi’ etj”- tha Bregasi në arsyetimin për dhënien e këtij çmimi nga juria./ KultPlus.com

E premtja e Ujmirit

Poezi nga Sali Bashota

E PREMTJA E UJMIRIT

Kujtoj të premten e Pazarit të Ujmirit
Çastet e gëzimit të papërmbajtur
Përshkrimin e ngjyrave të çuditshme
Në çdo të pestën ditë të javës
Si rriste shtatin fëmijëria
Me hatërmbetje
Kujtoj orën e saktë të udhëtimit
Deri te Pazari i Ujmirit
Për të blerë syze dielli
Këmishë me vija të kaltra
Pantallona bashkë me rrip të zi
Për t’i veshur vetëm për ditëlindje
Në ditën e fundit të muajit gusht
Dalëngadalë kështu argëtohet
Jeta e rrëfimeve përrallore
Me shkëndijat e para të mallit
Andej nga ikte gjumi i vendlindjes
Kujtoj lojën symbylltas skutave të shtëpisë
Plot çaste të shndritshme
Gjithë ato copa ëndrrash të lazdruara
Që ngjanin me aromën e mollëve të ëmbla
Kujtoj të premten e Pazarit të Ujmirit
Plisbardhët si Babain tim dritë pastë
Duke i larguar dhimbjet në të gjitha drejtimet
Me trenin e udhëtarëve Prishtinë-Pejë
Sa herë bartej
Liria e fshehur në librat e poezisë
Nëna thoshte mos e harro etjen
Duke imagjinuar fjalët më të bukura
Kur pi ujë në Kroin e Çabiqit
Shpirti bëhej më i lumtur
Pastaj të shtunën në mbrëmje
Shkonim bashkë te dajat
Nën soditjen e hënës
Më mbante në prehër
Duke treguar historinë e asaj kohe
Syri i keq të mos më shikonte
Të nesërmen fluturat e bardha
Pushonin në të dy krahët e mi
Sa herë kujtoj të premten e Pazarit të Ujmirit
Mallëngjimi flet me zë tjetër
Si përfytyrimi i një fëmije gazmor
Tani aty nuk zgjohet dashuria
As përmallimi i buzëqeshjes
As shiu i shndërruar në metaforë

(Nga cikli i kujtimeve të paharruara të fëmijërisë. Shkruar më 27 mars 2022)./ KultPlus.com

‘Filmat do t’ju bëjnë të famshëm; televizioni do t’ju bëjë të pasur, por teatri do t’ju bëjë të ndiheni mirë’

27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës.

KultPlus iu sjellë disa thënie për teatrin në ditën ndërkombetare të tij.

1. “Teatri është një folje përpara se të jetë emër, një akt para se të jetë vend”.

– Marta Graham.

2. “Fjala teatër vjen nga grekët. Do të thotë vendi që sheh. Është vendi ku njerëzit vijnë për të parë të vërtetën për jetën dhe situatën sociale. Teatri është një rreze x shpirtërore dhe sociale e kohës së tij.”

– Stella Adler, ‘New York Times’, dhjetor 1992.

3. “Filmat do t’ju bëjnë të famshëm; televizioni do t’ju bëjë të pasur, por teatri do t’ju bëjë të mirë.”

– Terrence Mann.

4. “Unë e konsideroj teatrin si më të madhin nga të gjitha format e artit, mënyrën më të menjëhershme në të cilën një qenie njerëzore mund të ndajë me një tjetër ndjenjën se çfarë është të jesh njeri.”

– Oscar Wilde.

5. “Teatri është një hapësirë ​​e shenjtë për aktorët. Ju jeni përgjegjës, jeni në sediljen e makinës.”

– Greta Scacchi.

6. “Nëse është e vërtetë që vera e mirë nuk ka nevojë për shkurre, është e vërtetë që një lojë e mirë nuk ka nevojë për epilog.”

– William Shakespeare, “Si të duash”.

7. “Drama është ekspozim; është ballafaqim; është kontradiktë dhe çon në analizë, ndërtim, njohje dhe përfundimisht në një zgjim të mirëkuptimit”.

– Peter Brook.

8. “Ne nuk shkojmë në teatër si të parët tanë, për të shpëtuar nga presioni i realitetit, aq sa për të konfirmuar përvojën tonë prej tij”.

– Charles Lamb.

9. “Teatri, kur thuhet dhe bëhet gjithçka, nuk është jetë në miniaturë, por jetë jashtëzakonisht e zmadhuar, jetë e ekzagjeruar tmerrësisht.”

– H. L. Mencken.

10. “E gjithë bota është një skenë, dhe të gjithë burrat dhe gratë janë thjesht lojtarë; Ata kanë daljet dhe hyrjet e tyre; Dhe një burrë në kohën e tij luan shumë role…” /KultPlus.com

‘I varfëri rron më mirë s’ai që do madhërinë’

Poezi nga Andon Zako Çajupi.

Jam i varfër, po i lirë,
ndaj më pëlqen varfëria;
kush do të rrojë më mirë,
s’urdhëron dot veten e tia.
Mbreti, sikur të më thotë:
«Hajde në pallat me mua,
të gëzosh dhe ti në botë,
do t’i them: Zot, nukë dua;
për të ngrën’ e për të pirë
nukë mund të shes lirinë;
i varfëri rron më mirë
s’ai që do madhërinë.
S’më duhet ergjëndi mua,
dua lirinë dhe nderë,
dua të bëj si të dua,
jo si të duan të tjerë
Kush mund e bën si do vetë,
bën si thotë Perëndia,
nukë ka në këtë jetë
gjë m’e vyer se liria.
(Andon Zako Çajupi)

Reutersi përgënjeshtron Rusinë manipuluese, imazhet e postuara nuk janë të bombardimit të Serbisë nga NATO

Një fotografi e shkrepur në vitin 2003, shfaq qiellin e Bagdadit duke shndrit natën si pasojë e raketës që shpërthen mbi një ndërtesë, e ajo është shpërndarë në llogarinë e misionit të përhershëm të Rusisë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duke tentuar të manipulojnë sërish – kinse është fotografi nga bombardimet e NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës së Sllobodan Millosheviqit, shkruan Reuters.

Llogaria e verifikuar shpërndau imazhin gjatë 24 marsit me tekstin: “më 24 mars 1999 koalicioni i NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kryen agresionin e paprovokuar dhe ilegal kundër Republikës Federale të Jugosllavisë që zgjati 78 ditë”, transmeton Telegrafi.

Fotografia e përdorur në postim mund të shihet në Getty Images me një kërkim të thjesht që shkruhet: “Zjarr në ndërtesën e Këshillit të Ministrave të Saddam Husseinit, gjatë valës së parë të sulmeve në operacionin ‘Liri Irakut’, e shkrepur më 21 mars të vitit 2003 në Bagdad, Irak.

Ndryshe Shtetet e Bashkuara së bashku me NATO-n filluan bombardimet mbi caqet ushtarake të Serbisë gjatë vitit 1999, për të ndalë vrasjet masive të civilëve shqiptarë në Kosovë si dhe dëbimin e një milion qytetarëve.

NATO që më 24 mars filloi sulmet kundër makinerisë së ushtrisë dhe policisë së Sllobodan Millosheviqit, duke e goditur për 78 ditë derisa Serbia u dorëzua dhe u largua përfundimisht nga Kosova. /KultPlus.com

Nji gurloti për Bekimin

Arif Kryeziu

(Kushtuar Bekim Lumit)
E falenderoj shpirtnisht miken time të mirë, Ardiana Salihun, për ndihmesën e saj. Pa sygjerimet e saja, këtij rrëfimi, kishte me i mungue diçka e qenësishme!

Bekimin e mbaj mend prej se ishte f’mi. Bekimi ishte nji njeri aq i payrrnekshëm si askush tjetër, as para as mbas tij. Ai ishte ma princ se “Princi i vogël”! Ma “Joker” se t’gjithë “Jokerat!” Ma “Peter Pan” se “Peter Pan”-i vet, për mos me thanë edhe ma “Col” se vet “Coli” nga filmi “Debatiku! Bekimi m‘kujtohet qysh si f’mi krejt i vogël, pasi tezja e tij asht njerka e jeme dhe gati çdo herë kur motra e tij e madhe vinte me e vizitue tezen e vet, e merrte Bekimin për dore. Kurrë nuk e harroj atë kaçuruben që e kishte në flokët e tij bash aty ku i fillonte balli edhe ashtu i madh, e i cili për shkak të kaçarubes i dilte edhe ma shumë në pah. Nji ball që shquan fëmijët gjeni!
Ai m’ka dashtë shumë. Veç unë e di si!
N’atë kohë kur ai nisi me u rritë, unë isha tashmë n’moshën rinore dhe merresha shumë me pikturë. Ateleja jeme ishte oda e jonë n’fund t’oborrit, e ndame nga shpija e ai vinte thuajse çdo ditë e më vizitonte, shpesh edhe pa e takue tezen e vet, përveç në ato raste kur ajo e vërente duke ardh apo duke u largue, ashtu gati si tinza. Do t’merrte shumë kohë me nisë me i rrëfye gjithë ato përjetime që kam pasë me të. Po i bie ma shkurt duke u përqëndrue në nji përjetim temin me të, e që ashtë përjetimi ma i prekshëm që kam pas‘ unë me dikë, gjatë krejt jetës teme! N’kjoftë se nuk gaboj, unë isha njeriu i parë t’cilit ai i pat besue t’i tregojë për sëmundjen e tij. Kur ai iku në Gjermani tek motra e tij Luljeta, për t‘u kujdesë për shnetën e tij në Mynih, m‘u pat lutë me shku me e pa dhe unë pata shkue me nji jangjik plot me barna natyrale. Dilema e tij (dhe jo vetëm e tij) ishte, se për cilën formë të kurimit me u përcaktue. Për kurimin medicinal apo atë alternativ. Ai i ka provue të dyja, dhe fatkeqësisht, pa sukses.
Gjatë kohës së vizitës, dilnim të dy me shetitë e shpesh përfundonim tek nji varrezë, pranë së cilës pastaj uleshim dhe qanim halle. Aq shumë jemi dashtë, sa nganjiherë banim sikurse edhe ziheshim. Ai rreban, unë rreban! Njiherë, kur ishim duke u zanë ashtu me shaka mes veti, bash n‘atëçast kapërcen gardhin e varrezës nji qen, po jo çfarëdo qeni, por nji pitbull që i kishte ikë nji personi nga dora dhe he bir e ia nisë me na ndjekë mbas, si t’ishte ndonji qen robot i kurdisun! Bekimi u asht frigue qenve dhe ia nisi me ngâ. Ai para, unës mbas tij, pitbulli mbrapa nesh dhe nuk asht’ pun me u ndal ai i virani. Dikur lodhemi e unë e kapi Bekimin për dore dhe ashtu t‘ulun e mbaj krahut ashtu që të mos mundej me u çue. Këtë metodë e kisha pasë mësue nga nji film, e meqë nuk kishim çka t‘humbshim, nuk më mbeti tjetër pos me e provue edhe këtë! Dhe kjo njimend bani punë! Bekimi kur e pa se,mbasi na u ulëm, qeni u qetësue, u befasue. Bile qeni, jo vetëm u qetësue, po dhe u kthye tek i zoti i tij, i cili tashma ishte afrue tek ne duke ngâ mbas neve e qenit të tij. Bekimi gati kurrë nuk m‘ka thirrë n‘emën. Ai gjithmonë m’ka thanë “shtrigan”. “O shtrigan pse nuk na hangri qeni?” Unë, për me e ngucë, i them, “aiii Bekim, a i ha qeni qent?” Ai ia nisi me u sarrakuqë siç i ndodhte shpesh, e m’tha, “N’kjoftë se ktu dikush asht’ ma qen se qeni, atëherë ai je veç ti e jo unë!”, dhe më pat gjuejt me një guri.
Njiherë tjetër duke folë me të afër nji lumi që kalonte krejt afër banesës së motrës së tij, pasi nisi me më rrëfye diçka, ia nisi me u sarrakuqë, por jo sikurse atëherë, por disi ndryshe. Mundohej me vazhdue rrëfimin, po nuk mundej! Ku ta dija pse. Dukej si të kishte pasë përbi nji perlë e që, si t‘thuesh nuk mund ta qitte jashtë. I vinte me kjajtë, por nuk i dilnin lotët. Dikur i them, „qite jashtë e hangt nama e zez‘ se nuk bahet nami!“ Ai, me atë krenarinë e tij shpesh pak të teprueme, më shikon me ata sytë e tij t’ullinjtë dhe ma kthen: „o Arifi i vogël, me ia nis unë me kjajtë, nuk m’dalin lot nga sytë, po gurë“! K’tu kjava unë për të.
Kur ai m‘pat qëllue me gur, unë, pa e vu re ai, e pata marrë atë gur dhe e pata futë n‘xhep. Ende e kam atë gur. Ai gur ishte nji gur aq i bukur, sa edhe i ngjante nji loti! Sikurse ta kishte zgjedhun ai apostafat atë gur veç për mue, për me ma gjuejtë si kujtim! Ma vonë, edhe pse unë veçse pata pushue t’merrem me pikturë, gurin e Bekimit e kam pikturue dhe m‘asht dashtë goxha kohë për me e ba, po për këtë, pak ma vonë…
Filmi i fundit që e ka pa Bekimi, ishte filmi „ Doctor Strange.“ Mbasi e kishte pa filmin, nuk ishte durue pam‘thirrë, diku aty pas mesnate. „O shtrigan, a je çutë? A e ke pa filmin „Doctor Strange“ apo jo?“ Unë isha ra, po ende pa m’marrë gjumi. Këtë film e njihja. Ai, pasi e kritikoi n‘fillim filmin me t‘drejtë si pak shumë t‘ekzagjeruem dhe me ekscese t’teprueme, njashtu “alla amerikançe”, megjithatë e cilësoi si nji film jashtëzakonisht t‘mirë. I kishte ba shumë përshtypje qasja e tematikës aty, mes të „mirës“ dhe të „keqes!“ Ndihej se m’kishte pa mue tek figura e “Doctor Strange!” Mbase dëshira dhe nevoja e tij për me u shërue e kishin shty atë me besue n‘aftësitë e mia shëruese, por fati im, për dreq i ngjashëm me atë tek “Doctor Strange”, nuk ma mundësoi këtë. Megjithatë, sa herë më thërriste në telefon, gjithnji më drejtohej me “Docktorr Strange”! “Docktorr Strange”, a me i marr’ dy hapa t’temjanit n’dit’ apo tri?” Doctorr Strage”a me e marr “Zeolitin” para apo mas buke? “Doctorr Strange”, atij ilaçit tand sekret që nuk na tregove çka ka mrena, i kemi ra n’fije, un’ e Lulja! Baza asht “Gentiana Lutea, tjerat ke me naj kallzue vet’ herën tjetër se përndryshe t’gjuej prap’ me ’i gur bile hala ma t’madh se ai i pari! Ha, ha, ha!” Fatkeqësisht, nuk pat edhe njiherë tjetër mes nesh, mirëpo nofkën që ma la ai mue, më shkonte! I shkonte altruizmit tem, tragjedisë teme, sikurse ajo tek Docktorr Strange. Njisoj si protagonisti n’fjalë, edhe unë isha n‘kërkim t’shërimit t’tij derisa erdha n’përfundim, (pasi ai iku) se ai nuk ishte i smuet! “Smunja” e tij ishte veç nji inskenim që i duhej si nji pretekst për ta justifikue ikjen e tij nga kjo skenë e tokës për me iu dhanë asaj të qiellës. Ai ishte i thirrun! Ishte i zgjedhuni i Zotit për me e udhëhequn regjinë atje nalt ku engjëjt lozin si ku ma s’miri. Bekimi ishte nga ato qenie që „Gurdjieff“ i quan „Qenie solare“! Këta fmijë t’diellit, simbas „Gurdjieff“-it, janë vetëm të huazuem ktu! Ata vijnë ktu veç atëherë kur nevojiten ma s’shumti, japin gjithçka dhe kthehen mbasi e kryejnë misionin e tyne. Duke e ditë se nuk do t’jenë gjatë ktu, ata duket edhe sikur e harxhojnë energjinë e tyne ma shpejt sesa për aq sa u asht dhanë ajo t‘jenë ktu pari dhe pak pa ikë, ata i palojnë ato pak gjana që kanë. I palojnë ashtu sikurse duen me i gjetë ashtu t’palosuna, kur të ktheheshin këtej edhe ndonjiherë tjetër! Nji gja t’tillë e bajnë veç lamaistët! Po t’kishte ndrrue jetë Bekimi diku në Tibet, tibetasit do ta kërkonin vendin dhe njeriun në të cilin ai ka rilindë! Bekimi duhet kërku! Për ta gjetë atë, na duhet së pari të „artësohemi!“ Veç ashtu dhe veç atëherë i kuptojmë ma lehtë e ma s‘miri këta udhëtarë kohe që flasin me nji gjuhë nga ata vijnë, e gjuha që fliste Bekimi ishte e tillë, e bekueme. Nji gegnishte që mbase veç n‘qiell flitet ashtu si e fliste ai,e që e kishte msue ashtu aq bukur hala pa ardh knej, e ndoshta edhe nga vet At Gjergj Fishta, diku atje nalt! Njiherë, kur ia pata recitue nji poezi temen tek ajo varreza ku dilnim me shetitë, mbasi mbarova së recituemi, ai m’tha: “E tash e morra vesh pse e ke lanë pikturën! Tash ty t’vyen vetëm edhe t’msosh me ba kaiher edhe asi gabime t’qëllimta, sikurse bante “Xhems Xhoisi”, se jo gjithkush din me ba gabime si duhet!Ishte komplimenti ma i mirë që ma pat ba kush, ndo‘iher! Garant ma ka thanë këtë ma gegnishçe sesa dita me e shkrue unë ktu!
Bekimi ishte aq bujar, sa të shtronte jo veç bukë e kripë në sofrën e shpirtit t’tij, por edhe zemrën e vet, ashtu aq t‘gjallë e t‘freskët sa të dukej se sa herë ai hapej, e nxirrte aty për aty, direkt nga krahnori i tij i vramë! Dhe jo vetëm kaq, por të vinte edhe sikur t’thoshte “ja, kjo asht zemra jeme, merrne, hane, veq aman, ngopuni e mbi t‘gjitha “artësohuni!“
Kur e pata marrë atë guri msheftas tij, ai kishte ba sikurse nuk m‘kishte vërejtë. Sa patëm ardhë tek banesa e motrës së tij, pak para se të hynim mrenda, ai, me ’i za pak t’marrun e me ’i buzëqeshje si t’nji “jokeri”, më pëshpëriti n‘vesh: „Tash e di ti, si janë lotët e Bekimit!” Pas nji heshtje t’shkurtë e t’randë, m’tha: „Kushedi, noshta ti ma pikturon ndo’ihere, gurin tem!? Edhe n’ma kthefsh, bile ma kthen t‘stolisun!” Kur tha kshtu, atij i rrodhi nji lot i vetëm dhe besomëni, ai lot i ngjante gurit me të cilin më pat gjuejtë! Nji lot i qullt, por që t’jipte përshtypjen, sikur t’ishin edhe t‘gjithë ata lotët e tij kurrë t’dalun ma parë! Ishte ’i lot i madh që mue ma kujtoi nji pikturë t’nji jetimi që ai (kur ishte ende i ri) m’u pat lutë me ia pikturue për motrën e tij t’madhe, që ai e donte shumë. M’kujtohet se këtë pikturë ia kam ba me shumë pasion, mbase edhe për shkakun se edhe vetë isha jetim. Bekimi, edhe pse ka pasë‘i familje t’shkëlqyeme, ndihej diku si nji jetim, pasi ai nga prindërit e tij ishte vetëm nji fmi‘, si të thuesh, i birësuem. Po, po, i huazuem e i birësuem nga vet dielli! Fmij‘t e diellit ashtu janë, edhe kur birësohen nga prindt‘ ma t’mirë, megjithatë ndihen jetima dhe u randojnë lotët kur i qesin. Zoti e di pse! Mbase kjo asht n’natyrën e fmij‘ve t‘diellit. Ata nuk kjajnë lehtë, por kur e bajnë këtë, e bajnë sikurse vet dielli. Lotët e tyne t’djegin sikurse rrezet e tij, n’pik t‘ditës! Unë e kam pa nji lot t‘tij. Loti i i tij,n‘atë moment kur e pashë duke i ra faqes, u duk sikur ndonji lajthi që i bie nji kitre nga dega, ashtu zgabim, kur sapo ajo asht ba gati me e hangër e bash atëherë, i rrëshket nga shputat! Mbasi hymë mbrenda, ai shkoi në nji dhomë tjetër ta merrte veten. Unë i tregova motrës së tij, e asaj iu mbushën sytë me lot. Pastaj ajo tha, “çudi, kurrë nuk e kemi pa duke kja”!
Bekimi ishte vërtet nji fmi’ dielli. Kush ka ditë me e pa, ashtë ngrohë prej tij ashtu si ngrohet dikush nga dielli, e kush jo, asht djegë mbase pak, n’kjoftë se i asht afrue atij pak tepër ngat, si i afrohet dikush diellit, atëherë kur nuk duhet! Unë jam shumë i sigurt se ai rrebani nuk m’ka gjuejt vetëm mue me gur! Nëse ndokush nga ata që mbajnë plagë t’vockla nga ai rrebani,asht’ duke e lexue këtë rrëfim, iu kisha lutë t’i ngacmojë ato plagët e bekueme nga Bekimi, ashtu siç baj unë me plagën teme, saherë që ajo nisë me u shërue! Veç mos me harrue Bekimin, këtë fmi‘ të diellit! Unë nuk t’kam harrue Bekim! Ngom mirë. Gurin veç ta kam ujdisë e ta kam stolisë. Shikoje mirë, t’lutem! Shikoji gjithë ata sy t‘përlotun! Janë sytë e jetimëve tanë që presin mos po i kthehen helbete prind’t e tyne t‘humbun gjatë luftës. Janë edhe sytë e t’vejave. Janë edhe sytë tanë t’lodhun,që u orvatëm t‘ndihmojmë ty që të shëroheshe. A shërohet dielli, pash Zotin! Ky gjigant që na ngrohë dhe vetë digjet e përcëllohet, vetëm që ne t’kemi dritë! Eh mor Bekë, prej se ike ti, asht ba mazamakeq k’tu pari! “Kaja bylbyl nanën”, u ba Bekë! S’po dihet sa asht kah shkon pazari, shoq! Neve kurbanve të Europës që dijmë me u flijue, veç atëherë kur nuk kemi ma çka t‘humbim, pos robnisë apo lirisë sonë, krejt simbas nevojës së dashakeqve tanë. A t’kujtohet kur m’thoshe se „pa i hy “armikut” n’hak, si ai neve, kurrë nuk kanë me na u terë “kmishat tona t’përgjakuna!” M’fal shoq, se hyna thellinave e nuk jam kah e di si me e nxjerrë gjithë këtë zi teme për ty. Ku mos me mbajtë zi, kur na ike duersh, siç i ik dielli reve. Ta jap besën Bekë, se edhe unë kam me u ikë reve t’tilla, pa çka se unë nuk jam nji fmi’ i diellit sikurse ishe ti. Unë jam nji fmi‘ i hanës, Bekim. Ndrij veç hera-herës. Nji re e vetme ma errëson nurin! Nuk jam si do, që edhe kur falin toka e dete, nuk u prishet aspak fiqiri! Nejse Bekë, po e la me kaq se për besë po ta kam lakmi, shoq! Eu, po kohë e keqe erdh, o Bekë! Beso, tash mem‘lshue shpirti, marak nuk m‘jet!
Eh, more rreban! Lehtë e ke ti tash aty ku je, mes engjëjve t’praruem, i vetmi ngjyrë blu mes tyne! Po m‘duket se jam duke t’pa aty mes tyne, ashtu pak të hakarruem, duke u bërtitë, e rujna Zot, mbase edhe duke i gjuejtë lehtë me gur, për me i shkundë e me i nisë t’kthjelltë për ktu: “Hajt tash nisuni dhe banjav ‘i çare shqiptarve!”
Jo bre Bekë, neve as engjëjt e besa as Zoti nuk mundet me na ndihmue! Si, kur na vetes nuk i ndihmojmë? Na, që bajmë luftë deri në Çanak-kala, por jo si duhet kur e lypë nevoja me luftue për mëmëdheun tonë! Ose s’paku me e mbrojtë n’liri! Po çfarë lirie e hamamit, pash njat Zot! A lirohen të vetrobnuemit?! A lirohen „Bordellot e Ballkanit“ me do kmisha ma t’përgjakuna se n’dramat e Shekspirit?!
E di se t’merr malli për t’dashtunit e tu, veç bane e erdhe edhe njiherë këtej, oh bre Bekë, ka me t’u gërditë me krejt çka ka! E di se t’merr malli për nanëlokën tande, që aq bukur i shkrove poezi. E di se t’merr malli edhe për Jetonin, për Adrianën, për Astritin, për Gresën, për…, ah po e la me kaq, se e di që t’dhemb me t‘i numrue krejt me rend. Boll t’kanë kja ty ata. Boll t’kjava edhe unë. Boll t’vajtova. Si s’na u thanë kurrë lotët o Bekë, breh! Neve t’harruemit e Evropës, t‘botës e besa po get, edhe t’Zotit!? Na jemi me u vajtue, e jo ti, o Bekë!
M’fal, pash’ atë nanloken tande o burrë, po nuk po mundem ndryshe! Neve, që jo veç ktu, po po get as mas deke nuk kem’ me gjetë lirinë! Si me e gjetë atje, pa e gjetë ktu, pa e gjetë kërkund! Si me gjetë atë, kur as nuk dijmë çka asht’ ajo! Kurrë s‘e patëm atë virane. Kurrë s‘e njoftëm. As para, e as mbas lufte. Ani Bekë, bash n‘kjoftë se nuk t’durohet pa ardhë knej, atëherë eja, po eja ma mirë vetëm si nji ide te na. Ose a di çka! Eja vetëm si nji mendim i koduem që i ik cenzurës. Apo, eja si nji andërr që e shofim disa herë si vazhdim, saherë na del e na nxen gjumi! Eja, se edhe neve na ka marrë malli, po eja këtej njashtu si vjen nji re e bekueme nji ditë t’nxehtë gushti e, e lshon shiun dhe ik ashtu si pa u vue re, e krejt pak pa u shue,merr formën tande, ashtu shpejt e shpejt (veç sa me u çmallë nâ pak) e pastaj nis me u shu ashtu ngadal, avullueshëm! Ashtu që na, për‘i çast t’kemi mundësinë me kujtue se ti ke ikë veç sa me e ndrrue kostumin e me na u paraqitë prapë përmes ndonji reje tjetër pak ma t’sarrakuqne bash aty ku len apo perëndon dielli! Me ikë siç dije ti shpesh me ikë, edhe bukës (hala pa e sos‘) veç me i vazhdue provat tua, n’teatrin tand që ishte vetë jeta jote, o artist i payrrnekshëm! Eja, ma mirë, veç n’andrrat tona! Eja aty, bash kur na merr gjumi e çona! Mos rri gjatë, se na kshtu jemi, lazdrohemi shpejt me ty! Presim që t’na vizitosh çdo natë e kjo mundme ta prishë pak atë qetësinë tande tash engjëllore. Jo, jo, eja veç pak dhe ik aty, ku ti je tash ma s’miri, se na ktu edhe n’andrra bahemi lakmiqarë! Eja ashtu veç ditlindjeve tua, siç vjen çdo herë n’andrra t’mija. Vjet e përvjet që ti tashma e ke ba adet këtë, me mue! Mbramë n’nji andërr m‘u duk se mu idhnove pak kur’thashë „O rreban, shka po fryhesh me ato flatra prej engjëlli, a veç pse si kam un‘ a? Qyreniherit!“ Apo ndoshta, veç pse t’thashë rreban. Ani, idhnomu n’dash, se unë s‘kam me ia da me t’quejtë ty kshtu! Ti ishe nji rreban dhe çfarë rrebani se! Rreban i rrebavtë. A e mban n‘mend kur t’thashë atëherë tek ajo varreza se “ksi rrebani as amerikant nuk kanë!“ ti ma ktheve, „ksi shtrigani nuk kan as anglezt!“ “Po çfarë shtrigani unë, allahile! Me pas kenë unë farë shtrigani, kisha ditë si me t’shnoshë, o Bekë! Unë që kam shërue njerëz kurrë pa i njoftë. E bash kur u desh me t’shnoshë ty, nuk t’hynë n’punë as gjithë ato barna t’mija, as magjija jeme, e besa as gjithë ajo dashni që kisha për ty. Edhe njiher‘ po t‘lutem, shoq! N’ardhsh ktu pari, eja tinëz dhe atëherë kur na jemi duke shikju ndonji shfaqje tande, mbasi ajo t‘ketë mbarue. Bash atëherë eja, ashtu siç shfaqeshe ti pas çdo shfaqjeje tande, me gjithë atë thjeshtësi t’pashoqe! Pastaj t’na vjen neve bash kështu, sikurse kur ikje pas duartrokitjes së parë dhe ktheheshe çdo herë i përulun e ma i përulun. Veç me i nderu artistat tu! Po, po, mu njashtu eja, dhe, para se me ardhë, paloj pak ato rrudhat tua. Jo për tjetër, po veç që t’mos brengosemi e t’menojmë se ty edhe atje ku asht ma s’miri, t’paskan rrokë do gajle t’randa.
S’po hyj ma thellë, shoq, se boll hina e edhe dora dhe zemra m’janë randue. Nashtë. Kryesore u shfryva pak me ty. Gurin kam me ta ruejtë vjerrtë si ’i “kmishë t’përgjakun” derisa t’vjen çasti me t’pa diku mes yjesh. Kam me ta zanë pritën aty diku Rrugës së Kumshtit, për me ta kthye hakun! Nuk kam me pasë zor me t’gjetë për me ta kthye gurin. Ai yll që ndrin ma s’shumti, atij kam me ia gjuejtë gurin tand! Po, po, mu aty kam me t‘gjuejtë ty me t’njajtin gur, bile tani edhe ma t’randuem, nga gjithë ata lotë, pa çka se ka me t‘dhimbtë pak edhe ty, sikurse m‘pat dhimtë mue. Ani, le t’dhemb’ edhe ty pak e jo veç mue, qyreniherit! E ti “tevona”, n’dash hakarrehu, n’dash m’gjuej me ndonji kometë, n’dash me ndonji meteorit, n’dash më quaj shtrigan i shtrigaft, n’dash thirrëm “Docktorr Strange” e çka di unë, veç nji dëshirë ma plotëso, shoq: mundësisht, mos eja ma ktu pari! Anipse na do t’gzoheshim. Rri aty mes engjëjve tu t’praruem dhe tregoju se si nji shtrigan ta stolisi ty gurin me lot jetimash, veç mos me u harrue as ata e as ti, o rreban i Zotit! Prehu n’paqe Bekë, rrebani ynë i dritaft!
Hajt tash, rahatohu bile ti s‘paku n‘liri, engjëlli ynë blu, me flatra t’diellta!
Për s’brami herë po tlutem, Bekim! N’kjoftëse nuk t’durohet pa ardhë ktu pari, eja! Eja se unë ty edhe ktu t’gjej! Qaq shtrigan jam, sa me t’njoftë ty edhe tek ndonji “rrfe” e sert”. Ta jap fjalën se “dy gurë bashkë nuk kam me i lanë”, derisa kam met’gjetë edhe si ’i “carrok” t’rilindun, pa çka se për këtë ka me m’u dashtë pak ma shumë magji se sa pata atëherë për ty. Jam duke u ushtru shoq, bash si ai mjeku i çmendun nga ai filmi “Doctorr Strange”! Edhe me vetë Zotin kam me u shtye veç me t’ra n’fije kah je ka mshifesh! E n‘kjoftëse nuk m‘hyjnë n’punë as ato magjitë e reja t‘mijat, atëherë kam me e dhanë kushtrimin an‘ e kand botnave! Kam me i shkund krejt shtrigat e shtriganat derisa kam me t‘ra n’fërkem, se ka mundësi që ty ndonji shtrigë apo ndonji shtrigan, tashma t’ka ra ty diku n’gjurmë.
Këta t‘rijt po përparojnë, Bekë. Unë tash jam plakë e kush e di, munden prapë me më lanë magjitë, sado t‘serta që mund t‘jenë. Prandaj, ngoni mirë ju shtrigat e shtriganat, anë e mbanë universit, nëse e keni taku diku nji fmi‘që duket pak:
“i mvrejtun i trembun i drojtun i ambël i këputun
si ‘i çarrok i braktisun
në shkallët e mermerta i mbledhun kruspull
me sytë e ullinjtë turbullue nga andrrat e l’byrta“,

… e n’kjoftëse e ka edhe nji kaçurubë mbi ballë, e n’kjoftëse edhe sarrakuqet pak kur flet e sytë i qesin xixa sikurse ato t’yjeve, ta dini se ai asht Bekimi, dora vetë! Ju lutem, mos ngurroni me më lajmrue për kthimin e tij! Kam nji gurloti, për me ia kthye atij rrebani, bashkë me nji magji temen t’msheftë aty n’atë gur e që tashma veç ia kam ba hajmali, atij rrebani t’praruem. /KultPlus.com

Teatri i Berlinit solidarizohet me teatrin e Mariupolit

Përpara Ditës Botërore të Teatrit, Teatri Deutsches në Berlin tregoi solidaritet me Teatrin e shkatërruar Akademik të Dramës në Mariupol duke shkruar fjalën “fëmijë” përpara hyrjes së tij.

Kështu bëri të ditur Ambasada e Ukrainës në Berlin në faqen e saj zyrtare në Facebook të premten, ku aktorët, aktivistët dhe diplomatët ukrainas në Berlin shkruanin “fëmijë” me shkronja të mëdha të bardha të premten, ashtu si e njëjta fjalë ishte shkruar në rusisht në terren jashtë teatrit në Mariupol.

”Deutsches Theatre Berlin qëndron së bashku me Teatrin e shkatërruar Akademik Dramatik të Mariupolit. Në teatrin ku fshiheshin fëmijët nga bombardimet ruse, ndërsa Mariupoli bërtiste dhe lutej që të paktën të mos hidheshin bomba atje duke shkruar këtë fjalë me shkronja të mëdha.. Fatkeqësisht, kjo nuk e ndaloi armikun” tha Ambasada.

Autoritetet ukrainase thanë se rreth 300 njerëz vdiqën dhe deri në 1,300 njerëz kërkuan strehim në teatrin më 16 mars, kur u bombardua nga forcat ruse. CNN nuk ka qenë në gjendje të verifikojë numrin e të vdekurve./ KultPlus.com

Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Mëmëdhe quhet toka
ku më ka rënë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes.

Më 27 mars vdiq Tiepolo, njëri nga gjenitë e pikturës klasike

Muaji mars solli në jetë shumë artistë të mëdhenj që mahnitën botën me talentin e tyre.

Giovanni Battista Tiepolo është njëri nga ta. Tiepolo lindi dhe vdiq në muajin mars. Ai ishte piktor Italian nga Republikës e Venedikut e asaj kohe. Ka qenë mjaft i suksesshëm me punimet e tij, të cilat dolën edhe jashtë kufijve italianë, si fjala vjen në Gjermani dhe Spanjë.

Tiepolo nga kritikët, konsiderohet si një nga mjeshtrit tradicional të asaj periudhe. Ndryshe është konsideruar si “piktori më i madh dekorativ i Evropës së shekullit tetëmbëdhjetë”.

Në vitin 1716 ai pikturoi afreskun e parë, ndërsa më vonë ai do të krijojë edhe shumë të tilla që përgjithësisht përshkruanin mure dhe tavane të kishave.

Tiepolo në vitin 1722 ishte njëri nga dymbëdhjetë artistët e porositur për të kontribuar në një pikturë ku shfaqej një nga apostujt, si pjesë dekorative e një kishe në Venedik. /KultPlus.com

156 vjet nga lindja e veprimtarit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Andon Zako Çajupi

Andon Zako Çajupit, lindi më 27 mars të vitit 1866 ndërsa vdiq më 11 korrik të vitit 1930. Andon Zako Çajupi ishte poet, dramaturg dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare, shkruan KultPlus.

U lind Sheper të Zagorisë, i biri i Harito Zakos, një tregtari duhani me tregje në zgjerim e sipër deri në Itali. Mori mësimet fillore në Nivan të Zagorisë, në shkollën greke të atjeshme.

Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vite tek Sainte Catherine des Lazaristes. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avoketër të huaj, që i dhanë bindjen të vazhdonte studimet për jurisprudencë në Zvicër,[1] ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vite në këtë disiplinë. Atje takoi bashkëshorten e tij Eugjeninë, me të cilën pati një djalë, Stefanin.

Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, ku kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin e njohur Klubi i Selanikut, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt.

Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919 në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu./ KultPlus.com