Ajo ishte në skenë për më shumë se 5 dekada, me këngën e saj të lehtë qytetare. Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.
Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës kosovare.
Sonte, KultPlus ju sjell ‘Kam një mall e kam një zjarr’, ndër këngët më të njohura e më të dëgjuara të Çavollit. Kjo këngë vazhdon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite.
Liliana Çavolli u shqua si artiste e rrallë, e cila pushtoi majat e muzikës zbavitëse, por shkëlqeu edhe në zhanre të tjera. Liliana u lind në Prizren më 5 maj të vitit 1942 nga nënë Miseretja-aktore dhe këngëtare dhe babai Isak Çavolli, mësues.
Po në Shkup Liliana pati paraqitjen e parë në radio pa e ditur se ky ishte hapi i saj i parë në karrierë. Nëna e Lilianës ishte këngëtare dhe një mëngjes e mori si shoqëruese në një paraqitje në radio. Fati përsëri e këtheu në Prizren ku Liliana filloi të hedh shtat si vajzë por edhe si këngëtare. Njëkohësisht ndoqi mësimet e solokëndimit në shkollë të mesme të muzikës dhe u anëtarësua në SH.K.A. “Agimi”. Talenti, zëri dhe puna në Prizren bënë që Liliana të shquhet shpejt si emër premtues.
Këto karakteristika e bënë ardhjen më të lehtë të saj në Radio Prishtinë. Këtu fillon një kapitull tjetër shumë i rëndësishëm për jetën dhe karrierën artistike të Liliana Cavollit. Zëri, si dhuratë nga natyra, dhe dashuria për këngën ishin adutet kryesore të Lilianës që e bënë të admiruar. Por nuk ka munguar edhe mbështetja dhe mirëkuptimi nga kolegët dhe kompozitorët si: Skënder Gjinali, Musa Piperku, Severin Kajtazi, Gjergj Kaqinari, Isak Mucolli etj. ndaj të cilëve Liliana është shumë mirënjohëse. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës bëri të ditur se Plani i ri i Menaxhimit të Butrintit vjen si kërkesë ligjore, në përmbushje të të gjitha rekomandimeve të UNESCO-s dhe duke huazuar modele të suksesshme menaxhimi të siteve të rëndësishme në botë, nga Italia, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas informacionit nga Ministria e Kulturës, ky plan parashikon administrimin përmes një Fondacioni të posaçëm, i themeluar nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
Ministria e Kulturës jo vetëm është e mirëpërfaqësuar në bordin drejtues të Fondacionit, por ka tagrin të kontrollojë veprimtarinë e tij. Fondacioni është shqiptar, ai funksionon sipas Ligjit të OJF-ve, pra është jofitimprurës.
“AADF ka kontribuar deri tani me një donacion prej gati 1,2 milionë USD dhe do të kontribuojë me 4,990,000 USD të tjera, nëpërmjet një granti (donacioni). Fondacioni do të këtë mundësi të ngrejë fonde dhe të tërheqë donatorë të tjerë, duke qenë i hapur për të përfshirë në Bordin e tij Drejtues donatorët. Të gjitha të ardhurat e realizuara do të mbeten në Fondacionin e Butrintit, madje një përqindje e këtyre të ardhurave do të kontribuohen në arkën e Fondit të Trashëgimisë Kulturore në ndihmë të zhvillimit të qendrave të tjera të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. AADF nuk ka asnjë përfitim financiar nga ky projekt, dhe pjesëmarrja e tij në fondacion është tërësisht e natyrës filantropike dhe bazohet në marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik të datës 10 qershor 1992, lidhur mes shtetit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, bëri të ditur Ministria e Kulturës.
Sipas saj, ky model administrimi nga një fondacion jofitimprurës nuk ka asgjë të përbashkët me koncesionin.
Ministria e Kulturës sqaron se Butrinti ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pronë e shtetit shqiptar dhe do të vazhdojë të administrohet nga shteti në bashkëpunim me një fondacion të besueshëm amerikan siç është AADF, që në Shqipëri ka realizuar projekte të suksesshme.
Marrëveshja e Administrimit dhe Menaxhimit lidhet për një periudhë 10-vjeçare, ajo nuk është automatikisht e rinovueshme dhe në përfundim të saj, Fondacioni do i transferojë Ministrisë së Kulturës administrimin e Parkut të Butrintit dhe të gjitha llogaritë dhe të ardhurat e realizuara.
“Plani i ri i menaxhimit rrit mundësinë e investimeve në kërkim shkencor, restaurim, kërkim, më shumë shërbime për vizitorët dhe vetë stafin, si dhe përmirësim dhe modernizim të infrastrukturës së parkut dhe në ndihmë të komunitetit lokal. Hartimi i këtij plani është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin, specialistët e fushës dhe institucionet përgjegjëse”, thekson Ministria e Kulturës.
Përmes nënshkrimit të një protokolli bashkëpunimi me Institutin e Arkeologjisë, do të çohen përpara kërkimet shkencore përmes ngritjes së qendrës kërkimore, Butrinti Research Group, gërmimet arkeologjike, restaurimet e konservimet.
Fondacioni do të ofrojë mbështetje financiare projekteve arkeologjike, duke i dhënë prioritet arkeologëve shqiptarë. Mbrojtja e mjedisit, florës dhe faunës është një nga pikat kyçe në këtë menaxhim të ri, duke vënë në jetë filozofinë “carbon free”, duke shmangur trafikun e automjeteve dhe duke vënë në qarkullim për transportin e vizitorëve nga qendra e pritjes deri në park, mjete që nuk ndotin ajrin.
Çdo marrëveshje në emër të Butrintit është bërë në funksion të ruajtjes dhe promovimit të këtij Parku Kombëtar nën mbrojtjen e UNESCO-s, për ta kthyer në një lider të trashëgimisë kulturore e turistike në rajon.
Ministria e Kulturës ka treguar në këto vite, se është tërësisht e angazhuar në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, duke pasur në thelb të punës së saj transparencën dhe të mirën kombëtare./ KultPlus.com
Ylli i Hollivudit, Angelina Jolie është parë në Ukrainë, gjatë një vizite në qytetin e Lviv.
Në një video të shpërndarë në Facebook, aktorja shihet duke buzëqeshur dhe duke ua bërë me dorë fansave teksa porosiste një kafe.
Jolie ka punuar si e dërguar speciale për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) për shumë vite, por specifikat e udhëtimit të saj në Ukrainë janë të paqarta.
Videoja, e cila tregon Jolie duke nënshkruar një copë letre dhe duke përshëndetur kamerën, u postua në Facebook nga ukrainasja Maya Pidhorodetska dhe që atëherë ka pasur më shumë se 19 000 shpërndarje.
Pidhorodetska shkroi një postim me videon në gjuhën ukrainase, e cila, e përkthyer nga Google, thoshte “Asgjë e veçantë. Vetëm Lviv. Unë shkova vetëm për të pirë kafe. Vetëm Angelina Jolie. Ukraina thjesht mbështetet nga e gjithë bota”.
Qyteti i Lvivit, në Ukrainën Perëndimore, ka qenë nën sulm nga ushtria ruse javët e fundit dhe në fillim të këtij muaji, një sulm me raketa në qytet la të paktën shtatë të vdekur.
Në shkurt, Jolie foli për luftën në Ukrainë në një postim për 12,7 milionë ndjekësit e saj në Instagram.
Ajo shkroi se “si shumë prej jush, unë po lutem për njerëzit në Ukrainë”./ KultPlus.com
Lodra, libra, këpucë, fanella e pantallona fëmijësh janë ekspozuar në dollapë prej xhami, në Muzeun e Fëmijërisë së Luftës në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Aty dëgjohen e lexohen rrëfimet e kohës së luftës të fëmijëve nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Kroacia, Serbia, Siria, Afganistani, Palestina, e së fundmi edhe nga Ukraina. Të njëjta janë përvojat, të ngjashme janë ngjarjet, kurse e përbashkëta e tyre është lufta e dhimbshme e shkatërruese.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Saranda Bogujevci, e cila i mbijetoi masakrës së forcave paramilitare serbe kundër familjes së saj në vitin 1999, e vizituan ekspozitën.
Një muze shumë i rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përkujtim e mospërseritje, tha kryeministri Kurti teksa rikujtoi që 1133 fëmijë u vranë e u masakruan gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Është detyrë e secilit prej nesh, shtoi ai, që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, e që e vërteta të dalë në pah për të gjitha këto jetë të humbura të fëmijëve.
Muzeu i Fëmijërisë së Luftës, ka selinë kryesore në Sarajevë, por ka dy javë që është hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku është plotësuar edhe me rroba e gjësende nga fëmijëria e luftës e fëmijëve kosovarë.
Ekspozita është hapur me bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galerisë Kombëtare të Kosovës, ForumitZFD dhe Zyres së BE-së në Kosovë./21Media/ KultPlus.com
Me rastin e 1 Majit, Ditës së Punëtorëve, do të protestohet në Prishtinë.
Protesta do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke filluar nga ora 12:00, përcjell Klankosova.tv.
Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në rrjetin social, nga faqja “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”.
“Përgatitjet e fundit për protestën e 1 majit. Nesër, punëtore/ë, të papuna/ë, studente/ë, pensioniste/ë, bashkohemi e qëndrojmë bashkë kundër patriarkatit hetero-seksist, kapitalist, racist, ksenofob e transfob dhe ritheksojmë se ndryshimet rrënjësore e çlirimi i përket klasës punëtore”, thuhet tutje në njoftim./ KultPlus.com
Sot janë shënuar 23 vjet nga Masakra e Llashticës së Gjilanit.
Më 30 prilli 1999, forcat serbe sulmuan banorët e fshatit Llashticë të Gjilanit. Fillimisht i vranë, më pas i dogjën kufomat, rrënuan shtëpinë, pastaj i varrosën viktimat në gërmadhat e shtëpisë së tyre.Në përkujtim të të rënëve, me mbështetjen e Komunës së Gjilanit, u hap ekspozita e autorit Mili Grabovci ku për herë të parë u publikuan fotografitë e realizuara nga fotografisti kanadez Brian Honeybur.
Feride Rushiti ka ndarë sot një rrëfim nga e mbijetuara Vlora Shabani, e cila në atë kohë ishtë 14-vjeçare.
Në vijim gjeni postimin e plotë të saj:
Masakra e Llashticës 30 Prill 99, rrefime rrënqethese nga të mbijetuarit!
Adolf Hitler, një nga diktatorët më të këqinj ndonjëherë, mbase edhe më i keqi në tërë historinë njerëzore, ishte përgjegjës për 60 deri në 85 milion vdekje gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Emri i tij sjell konotacione të vrasjes, mjerimit, luftës, holokaustit dhe përpjekjes së shfarosjes së çifutëve dhe minoriteteve tjera. Pavarësisht se Hitleri ishte një nga njerëzit më të dokumentuar në historinë njerëzore, ende ka pak fakt të njohura për të. Sot janë bërë 133 vite që kur ai lindi, prandaj KultPlus iu sjellë këto fakte të padëgjuara rreth tij.
Hitleri duhej të jetonte në strehimore për të pastrehët për një kohë: Si shumë austriakë, edhe Hitleri filloi të tërhiqej nga idetë nacionaliste gjermane që nga mosha e re. Babai i tij vdiq kur ai ishte 14 vjeç, dhe më pas performance e Hitlerit në shkollë ra. 2 vite më vonë ai ndërroi shkollën dhe u regjistrua në një shkollë në Austrinë e Epërme.Nëna e tij vdiq nga kanceri I gjirit në moshën 47 vjeç. Ndërsa në moshën 18-19 vjeç, ai u refuzua nga Akademia e Arteve të Bukura, pasi u shpall i papërshtatshëm për pikturë. Hitleri nisi të shiste piktura, por për shkak të mungesës së cilësisë dhe burimeve, ai dështoi. Ai vazhdonte të lëvizte nga një vend në tjetrin, pasi kursimet e tij gradualisht zvogëloheshin dhe stili i jetës u përkeqësua. Gjysëm i uritur dhe i ngrirë, i duhej të jetonte në strehimore në Vjenë, por pas 3 vitesh ai mori trashëgiminë e babait të tij dhe u transferua në Mynih.
Hitleri u verbua përkohësisht të paktën një herë nga sulmi me gaz: Gjatë sulmit në kampin e tij me 15 tetor 1918, gjaatë Luftës së Dytë Botërore u verbua përkohësisht dhe u shtrua në spital. Gjatë kohës sa ishte atje, ai mësoi për humbjen e Gjermanisë dhe armëpushimin me Britaninë e Francën. Thuhet se kur dëgjoi një lajm kaq të tmerrshëm për gjermanët, pësoi verbërim të përkohshë.
Vuante nga sëmundja e Parkinsonit: Studiuesit kanë sugjeruar që Hitleri vuante nga një numër sëmundjesh, përfshiirë edhe sëmundjen e Parkinsonit. Disa e përshkruanin atë si një psikopat neurotic. Sëmundja e Parkinsonit është një çrregullim degjenerues i sistemit nervor qendror, që ndikon në lëvizjen, kujtesë, në të menduarit dhe sjelljet e pacientit.
Hitleri nuk vizitoi kurrë një kamp përqendrimi: Shumica e 11 milion hebrenjve, dhe pakicave të tjera të vrarë gjatë Holokaustit nga forcat naziste të Hitlerit, u vranë në 1200 kampe të përqendrimit nazist. Kampi i parë u krijua në Gjermani me 1933, ato u ndërtuan për të mbajtur dhe torturuar organizatorët e sindikatave dhe kundërshtarët politikë. Hitleri nuk vizitoi kurrë një kamp të tillë, edhe pse këto kampe ishin të ndërtuara në lindje. Kjo distancë që mbajti Hitleri mes vetes dhe vendit të vrasjes, ka nxitur pretendimet e bëra nga mbështetësist neo-nazistë se Hitleri nuk ishte përgjegjës për atë që po ndodhte.
Hitleri dëshironte të bëhej prift kur ishte fëmijë: Ai lindi nga një nënë katolike dhe një baba antiklerik. Kur ishte 8 vjeç, ai këndonte në korin e kishave dhe mori mësime për të kënduar që të përmirësonte vokalin e tij. Ai madje aspironte të behej prift.
Hitleri merrte kokainë dhe koktej drogash në mënyrë të rregullt: Ai përdori një inhalator për të marrë rregullisht kokainë, për të ndihmuar problemet e fytit dhe sinusit, nga të cilat vuante. Gjithashtu përdori pikat e syve të përziera me 10% kokainë. Mjeku i Hitlerit, Dr Theodore Morel ishte përgjegjës për përshkrimin e këtyre ilaçeve dhe hetuesit amerikanë deshën ta dinin nëse Morell, ishte një agjent i dyfishtë që përpiqej ta dëmtonte shëndetin e tij.
Hitleri u nominua për çmimin Nobel për paqe në 1939: Stalini dhe Hitleri, të dy personazhet u nominuuan për çmimin Nobel për paqe. Por nominimi i Hitlerit supozohej të ishte një ironi dhe shaka. Një anëtar i parlamentit suedez nominoi atë, me synimin që të kritikonte qeverinë suedeze. Kjo gjë nuk u prit mirë dhe ai u detyrua të tërhiqte këtë nominim.
Hitleri hoqi një pjesë të mustaqeve të tij, pasi ato gati e vranë atë: Mustaqet e Hitlerit nnuk ishin gjithmonë ashtu si duken. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai kishte mustaqe të plota. Por gjatë sulmeve me gaz, Hitleri nuk mund të hiqte maskën e tij të frymëmarrjes nga fytyra e tij për shkak të mustaqeve, kështu ai pothuajse vdiq për shkak të pranisë së gazit. Si rezultat, mbikëqyrësit e Hitlerit urdhëruan atë të hiqte mustaqet e tij, për të lehtësuar veshjen e maskave të gazit.
Si përfundim, veprat e Hitlerit ishin aq shkatërruese, saqë emri i tij mbetet padyshim i njohur dhe i përçmuar nëpër botë edhe disa vite më vonë./gazetametro.net/ KultPlus.com
Kori Siparantum po merr pjesë në festivalit evropian, “European Music Festival for Young People”,shkruan KultPlus.
Ky kor ka fituar çmimin e parë në Kategorinë G, ndërkaq nesër do të garojnë edhe në Kategorinë F.
Kombinimi i angazhimit social dhe krijimit të muzikës së bashku e bën Festivalin Evropian të Muzikës për të Rinjtë një ngjarje unike në Evropë! Neerpelt tashmë po përgatitet për edicionin e 70-të të festës më të madhe të muzikës në Evropë.
Në këtë edicion do të marrin pjesë 50 kore nga 11 vende që vijnë nga e gjithë bota.
Siparantum do të garon në dy kategori. Repertori i korit përmban vepra stilistike të periudhave të ndryshme që nga Renesanca, muzika shqiptare deri tek muzika bashkëkohore. Kënga e vjetër fllamane “’Ik seg adieu” (1544), vepër e obligueshme në festival do të paraqitet me një version ndryshe e cila është përpunuar enkas për këtë konkurs, nga kompozitori dhe dirigjenti i korit Memli Kelmendi./KultPlus.com
Ishe vogeloshe…isha mituri… Kur me dole mbudhe, ti moj lumja ti!
Vinte perendimi me te vagelluar Pa m’i shtire tines ata syt’ e shkruar. Ata syt’ e shkruar, syte moj te fjetur, shtate vjet me-radhe t’i kam pershendetur. Kur me pe se pari, more-e m’u largove, Kur me pe se dyti, more-e m’u afrove, Kur me pe se treti, more-e me pushtove, Te putha ne gushe, ti m’u turperove, Papo ule kryet e shkove vajtove./ KultPlus.com
Teatri Metropol prezanton premierën e re me titull “FLI”, një konceptim modern dhe aktual i veprës “Ifigjenia në Aulidë” të Euripidit, e sjell nga regjisori Enton Kaca.
Kjo vepër, premiera e së cilës do të ngjitet sot në skenë ora 19:00 dhe do të vijojë në datat 29, 30 prill, 1, 11, 12, 13, 14, 15 maj, është një nga veprat më të njohura të Euripidit që përfshin brenda intriga, mashtrime, rivalitet politik, luftë, hakmarrje, konflikte, ambicie, vetmohim në skenat kryesore të tragjedisë.
A është lufta mjeti i duhur për të zgjidhur konfliktet?! A “sakrifikohet” familja për karrierën personale?! A vlen më shumë krenaria dhe lavdia se arsyeja?! Janë këto linjat dhe idetë mbi të cilat vërtitet historia e shfaqjes “FLI”, personazhet e së cilës përfshihen thellësisht në një diskurs politik, filozofik, ekzistencial mbi luftën dhe pasojat e saj, duke krijuar një pasqyrë të qartë të identitetit njerëzor, ngjashmërisë dhe paralelizmave të këtij identiteti në periudha të ndryshme kohore.
Ushtria greke është mbledhur në portin e Aulidës. Por nisja për luftë vonon në mënyrë të pashpjegueshme. Agamemnoni, komandant i kësaj ushtrie mëson që nisja do të bëhet e mundur vetëm nëse vajza e tij, Ifigjenia, flijohet. Agamemnoni ndërton një skemë që ta bindë gruan ta dërgojë vajzën dhe ndërsa pret ndërron mendje. Ifigjenia vjen në kamp, dhe plani i Agamemnonit zbulohet. Ushtria greke krijon presion dhe në fund Agamemnoni dorëzohet. Ifigjenia kur shikon se nuk ka asnjë shpresë merr vendimin për të shkuar drejt altarit për tu bërë fli.
“Drama vërtitet rreth pavendosmërisë dhe konflikteve që gjeneron komandanti i ushtrisë greke në lidhje me një çështje me të cilën ai duhet të negociojë. Do ta vazhdojë rrugën drejt luftës së premtuar apo do ta braktisë atë? Sakrifica që i kërkohet e ka bërë të pamundur zhvillimin e ngjarjeve dhe ngatërresat midis personazheve vijnë e bëhen më të komplikuara. Konfliktet lindin nga tensioni i krijuar i pritjes, i mos ecjes përpara, mos vënia në plan të qëllimit kryesor pse janë mbledhur të gjithë në Aulidë” shpjegon regjisori Enton Kaca./atsh/ KultPlus.com
Në 11-vjetorin e vdekjes së shkrimtarit argjentinas me prejardhje arbëreshe, Ernesto Sabato, KultPlus ua sjell një fragment nga libri i tij, ‘Tuneli’.
Kur e pashë të ecte në anën tjetër të trotuarit, të gjitha variantet në kokën time u bënë troç dhe u rrotulluan. Mjegulltazi, ndjeva në ndërgjegjen time dallgën e atyre frazave të komplikuara, të përpunuara e të mbajtura mend, përgjatë procesit përgatitor që kisha kaluar: A jeni e interesuar në art? Pse e shikuat vetëm dritaren e vogël?, e kështu me radhë. Dhe, më ngulmuese se secila, më vinte në gojë një frazë që e kisha hedhur poshtë për të vrazhdë, e që, në atë moment, më mbushte turp e më bënte të ndihesha edhe më qesharak: Ju pëlqen Kasteli?
Frazat, të shfrenuara dhe konfuze, formësonin një enigmë fjalëkryqi misterioz, derisa e kuptova se qe e kotë të brengosesha në atë mënyrë: më pas, më ra në mend se ishte ajo e cila do të duhej ta merrte nismën për çfarëdo bisede. Dhe, që nga ai moment, u ndjeva marrëzisht i qetë dhe, madje, munda të mendoja, gjithashtu, marrëzisht: Tani kemi për të parë se si do t’i shkojë kësaj.
Në ndërkohë, pavarësisht këtij gjykimi, aq ndihesha nervoz dhe i emocionuar sa s’isha në gjendje të bëja gjë tjetër përveç ta përcillja marshin e saj anës tjetër të trotuarit, pa menduar se nëse do të doja t’i jepja, të paktën, mundësinë hipotetike të më pyeste ndonjë adresë, më duhej të kaloja në anën tjetër të rrugës dhe të afrohesha. Vërtet, s’kishte gjë më absurde sesa të supozosh se ajo do të bërtiste prej atje për të më kërkuar ndonjë adresë.
Ç’të bëja? Sa do të zgjaste kjo situatë? U ndjeva krejtësisht i mjerë. Ecëm disa blloqe. Ajo vazhdoi të ecte vendosmërisht.
lsha shumë i trishtuar, por më duhej t’i shkoja gjer në fund kësaj pune: ishte e pamundur që, pasi e kisha pritur muaj të tërë këtë moment, ta lija këtë mundësi të më shkiste nga duart. Dhe, të ecurit e shpejtë, derisa shpirti më lëkundej aq shumë, më shkaktonte një ndjesi të pazakontë: mendja ime ishte si një krimb qorr e i ngathët, brenda një automobili me shpejtësi të madhe.
U kthye në qoshen e San Martinit, bëri ca hapa dhe hyri në ndërtesën e Kompanisë T. E kuptova se më duhej të veproja shpejt dhe e ndjeka pas, edhe pse, në ato momente, ndjeva se po bëja diç të tepruar e monstruoze.
E priste ashensorin. S’kishte tjerë njerëz. Njëri brenda meje, më guximtar se unë, shqiptoi këtë pyetje tmerrësisht të marrë: Kjo është ndërtesa e Kompanisë T?
Një tabelë, e madhe ca metra, që mbulonte gjithë pjesën e përparme të ndërtesës, shënjonte se kjo ishte ndërtesa e Kompanisë T.
Sidoqoftë, ajo u kthye me thjeshtësi dhe m’u përgjigj duke pohuar. (Më vonë, duke reflektuar mbi pyetjen time dhe thjeshtësinë e qetësinë me të cilën ajo m’u përgjigj, konkludovase, në fund të fundit, ngjan që shumë herë njerëzit nuk i shohin këto tabela tepër të mëdha se, kësisoj, pyetja s’ishte aq e marrë, siç e mendova në momentet e para.)
Por, menjëherë, kur më shikoi, u skuq aq fort, sa e kuptova se më njohju. Të tillë variant s’kisha paramenduar kurrë. Sidoqoftë, ishte mjaft logjik, sepse fotografia ime ishte shfaqur shumë shpesh nëpër revista e gazeta.
U emocionova aq shumë, sa qeshë në gjendje t’i drejtoja vetëm edhe një tjetër pyetje bajate. E pyeta befas:
Pse u skuqët?
Ajo u skuq edhe më dhe ndoshta deshi të më përgjigjej kur unë, i dalë krejtësisht nga vetja, shtova vrik
U skuqët ngaqë më njohët. Me gjasë mendoni se kjo ështe një rastësi, por nuk është e tillë, nuk ka rastësi kurrë. Kam menduar rreth jush me muaj të tërë. Sot ju pashë tek ecnit në rrugë dhe ju përcolla. Më duhet t’ju pyes diçka, diçka në lidhje me dritaren e vogël, kuptoni?
Dukej e frikësuar:
– Dritarja e vogël? – belbëzoi. – Ç’dritare e vogël?
Ndjeva këmbët të më dridheshin. Ishte e mundur mOS kujtohej? Pra, s’çonte peshë për të dhe e kishte shikuar veç për kureshtje. U ndjeva qesharak dhe mendova, marramendthi, se gjithë ç’kisha bërë e menduar tërë këta muaj (përfshirë edhe këtë skenë) ishte maja e marrëzisë dhe budallallëkut, një nga ato trillet e mia imagjinare, mendjemadhe aq sa ato rindërtimet e një dionsauri nga një gjetje vertebre të thyer.
Vajza sa s’ia nisi vajit. Mendova se bota do të më shembej mbi kokë, pa më dhënë afat të ndërmirrja gjë efikase. E zura veten duke thënë diçka që tani më vjen turp ta shkruaj:
Shoh se paskam gabuar. Ditën e mirë.
Dola rrëmbimthi dhe eca, pothuajse duke vrapuar, pa cak e adresë. Kisha ecur një bllok të tërë kur dëgjova një zë prapa të thoshte:
Zotëri, zotëri!
Ishte ajo; më kishte ndjekur, pa marrë guximin të më ndalte. Ishte aty dhe s’dinte si ta shpjegonte atë që kishte ndodhur. Me një zë të ulët më tha:
Më falni, zotëri… Faleni marrëzinë time… Isha aq e frikësuar…
Ca momente më parë, bota më ishte një kaos gjërash dhe njerëzisht të padobishëm. Ndjeva sikur tani po formësohej përsëri dhe po rimerrte frerët në duar. E dëgjova i heshtur.
S’e kuptova se po më pyesnit rreth skenës së pikturës – tha, me angështi.
Pa menduar fare, e kapa për krahu.
Atëherë, ju kujtohet?
Ndenji një moment pa e hapur gojën, me sytë mbërthyer në tokë. Pastaj, tha ngadalë:
– Më kujtohet vazhdimisht .
Më pas, diçka e çuditshme ngjau: u duk se u pendua për ato që kishte thënë sepse, papritur,ma ktheu shpinën dhe gati nisi të vrapojë. Pas një çasti habie, vrapova pas saj, derisa ma kapi truri se sa qesharake ishte kjo skenë; shikova majtas e djathas dhe vazhdova të ecja me hapa të shpejtë, por normal. Vendosa kështu për dy arsye: e para, sepse ishte qesharake që një njeri i famshëm të vraponte rrugës pas nje vajze dhe, e dyta, sepse s’ishte e nevojshme. Kjo e fundit ishte më esencialja, mund ta shihja sa herë të doja, kur ajo të hynte apo dilte nga zyrja e saj. Pra, pse të vrapoja si i çmendur? E rëndësishmja këtu, më e rëndësishmja ishte se asaj i kujtohej skena e dritares: I kujtohej vazhdimisht. Isha i kënaqur, ndihesha i gatshëm për gjëra të mëdha, vetëm se e qortoja veten pse kisha humbur kontrollin atje te ashensori dhe tani, përsëri, që vrapova pas asaj sikur buda;;a. kur ishte më se e qartë se mund ta takoja në çfarëdo kohe, në zyrë./KultPlus.com
Tirana International Film Festival është përzgjedhur si një nga 29 festivalet më të mira evropiane të filmit, përfshirë Berlinin, Cannes, Venecian, Locarno, dhe të tjerë, për të nominuar Filmin më të mirë të shkurtër evropian për çmimet EFA.
Pas kualifikimit për çmimin e Akademisë Oscars në 2018, kjo është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë TIFF në vitin e 20-të si edhe një çmim i merituar për përpjekjen e jashtëzakonshme të bërë gjatë gjithë këtyre viteve sfiduese por të suksesshme.
Shqipëria po tenton të integrohet në Europë këto 30 vite, ndërsa TIFF ka përfunduar detyrën e saj.
Faleminderit Akademisë Evropiane të Filmit, për njohjen tuaj të veçantë, si dhe të gjithë ata që ndihmuan që ky të jetë një sukses./atsh/ KultPlus.com
Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për negocimin e marrëveshjes për bashkëprodhim të filmit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së shtetit të Izraelit, e po ashtu është aprovuar edhe negocimi i marrëveshjes për bashkëprodhim kinematografike ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Francës.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se qëllimi për të krijuar kushte më të mira në zhvillimin e politikave për kinematografinë, MKRS në bashkëpunim me institucionet përkatëse të shtetit të Izraelit, kanë marrë iniciativë për negocimin e marrëveshjes së bashkëprodhimit filmik ndërmjet Qeverise të Republikë së Kosovës dhe Qeverisë së shtetit të Izraelit.
“Duke pas parasysh se bashkëpunimi i ndërsjellët i shërben zhvillimit të prodhimit të filmit, inkurajon zhvillimin e mëtejme të lidhjeve kulturore dhe teknologjike mes dy vendeve tona, si dhe ky bashkëprodhim mund të kontribuojë edhe në rritjen ekonomike të industrisë së prodhimit të filmit. Konsiderojmë se me anë të nënshkrimit të kësaj marrëveshje për bashkëprodhim filmik, përveç përfitimit direkt që do të ketë komuniteti i kinematografisë, po ashtu do të thellohet edhe bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve tona”, tha ajo.
Osmani ka shtuar se duke marrë për bazë sukseset e ndërvitshme, sidomos këto të dy viteve të fundit në fushën kinematografisë, MKRS-ja është angazhuar për të mbështetur zhvillimet e talenteve të jashtëzakonshëm që janë në këtë fushë, e po ashtu të fuqizojnë edhe investimet e nivelit institucional në kinematografi.
Sipas saj, MKRS dhe Ministria e Kulturës së Francës kanë arritur të dakordohen për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëprodhimit në kinematografinë ndërmjet vendit tonë dhe Francës.
“Si ministri së bashku me Ministrinë e Kulturës së Francës kemi arritur dakordim për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëprodhimit në kinematografinë ndërmjet Francës dhe Kosovës. Kjo marrëveshje e cila planifikohet të nënshkruhet në festivalin e Kanës, është hapi i radhës për ngritjen e industrisë së kinematografisë kosovare në nivel botëror. Kjo hap rrugë për të gjithë komunitetin artistik të kinematografisë dhe do të krijojë mundësi të reja të bashkëpunimit”, tha ajo./ KultPlus.com
“Akoma është e lirë për shpirtrat e mëdhenj jeta e lirë. Vërtet, ai që pak zotëron aq më pak zotërohet, andaj bekuar qoftë varfëria.” – Friedrich Nietzsche
“Brengosu për ato që i thonë të tjerët dhe gjithmonë do të jesh i burgosuri i tyre.” – Lao Tzu
“Një ditë ju do të jeni mjaftueshëm i vjetër për të filluar përsëri leximin e përrallave.” – C.S. Lewis
“Gjëja më tragjike në botë është kur njeriu i gjenialitetit nuk është edhe njeri i nderit.” – George Bernard Shaw
“S’ka pasuri që do ta vë në paqe me veten njeriun e keq.” – Platoni
“Ata që mund të heqin dorë nga liria thelbësore për të fituar pak siguri të përkohshme, nuk e meritojnë as lirinë e as sigurinë.” – Benjamin Franklin
“Simptoma e parë e dashurisë së vërtetë tek një burrë, është ndruajtja, ndërsa tek një grua, guximi.” – Victor Hygo
“Të mendosh është e vështirë, prandaj shumica e njerëzve gjykojnë.” – Carl Gustav Jung
“Kur do të kesh një mik, duhet të jesh gati të luftosh për të; dhe për të luftuar, duhet të jesh i aftë për të qenë armik.” – Friedrich Nietzsche
“Mos shko andej nga të dërgon shtegu, por në vend të kësaj shko andej ku s’ka shteg dhe lëre një gjurm.” – Ralph Waldo Emerson
“Para se të niseni në udhëtimin e hakmarrjes, hapini dy varre.” – Confucius
“Sa herë që të gjithë pajtohen me mua, e ndjej se jam diçka gabim.” – Oscar Wilde
“Plagët morale e kanë këtë karakteristikë – ato mund të fshihen, por ato kurrë nuk mbyllen; gjithmonë të dhimbshme, gjithmonë të gatshme të gjakosin sa herë që preken. Ato mbesin të freskëta dhe të hapura në zemër.” – Alexandre Dumas
“Mosbindja është themeli i vërtetë i lirisë. Të dëgjueshmit janë skllavë.” – Henry David Thoreau “Zoti është dhimbja e frikës nga vdekja.” – Fyodor Dostoyevsky/filozofia.al /KultPlus.com
Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka fituar çmimin e trajnerit më të mirë për vajza në Evropë për gjatë vitit 2021, në kohën kur edhe Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi fituan medaljet e arta në Lojërat Olimpike, shkruan KultPlus.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka ndarë lajmin për publikun, derisa edhe ai ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së këtij çmimi.
“I nderuar që isha pjesë e ceremonisë së @europeanjudo në Sofje për nder të trajnerit kosovar @KukaToni . Atij iu nda çmimi i trajnerit më të mirë për vajzat në Europë 2021. Momente të tilla na mbushin krenari e emocion. Përgëzime Driton, të jemi përzemërsisht mirënjohës”, ka shkruar Ministri Çeku.
Në anën tjetër, Kosova ka arritur që të fitojë dy medalje evropiane në Kampionatin “Sofia 2022”. /KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ndjekur nga afër ekspeditën e ekipit të xhudos së Kosovës që ka pasur në Kampionatin Evropian në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.
I pari i Kulturës ka uruar në llogarinë zyrtare në “Facebook”, punën e jashtëzakonshme të sportistëve në këtë ngjarje madhore për vendin.
Postimi i plotë i Çekut:
“Në europianin e xhudos në Sofje, Laura fiton të argjendtën, Disi të bronztën. Kampionatin Europian 2022 që po mbahet në Sofje të Bullgarisë e nisëm me medaljen e bronztë të Distria Krasniqit, kampiones sonë olimpike. Suksesi vazhdoi edhe sot, në ditën e dytë, kur Laura Fazliu fitoi medaljen e argjendtë duke e marr titullin e nën-kampiones europiane. Paraqitje të mirë në kampionat patën edhe Flaka Loxha dhe Akil Gjakova. Kënaqësi e papërshkrueshme të përcjell nga afër ekipin tonë të xhudos. Rezultatet e tyre ndërkombëtare janë krenari për shtetin tonë. Mirënjohje të veçantë dhe përgëzime të përzemërta kryetarit të Federatës së Xhudos Agron Kuka, trajnerit Driton Kuka dhe xhudisteve e xhudistëve tanë të shkëlqyer”, ka shkruar Çeku.
Kosova në dy Kampionatet e fundit Evropiane ka arritur që të fitojë pesë medalje. /KultPlus.com
Laura Fazliu ka arritur që të fitojë medaljen e saj të parë në garat seniore, duke fituar medaljen e argjendtë në finale të Kampionatit Evropian që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.
Në një përballje të vështirë me xhudisten nga Mbretëria e Bashkuar, Gemma Howell, kjo e fundit tregoi eksperiencën e saj dhe arriti që të fitojë takimin, përkundër luftës që Fazliu e shfaqi.
Majlinda Kelmendi u mundua gjatë tërë kohës ta udhëzojë me mbështetje dhe mesazhe të njëpasnjëshme në këtë takim.
Kjo do të jetë medalja e dytë për Kosovën në këtë Evropian, pasi Distria Krasniqi fitoi medaljen e bronztë ditën e djeshme.
Kosova është duke u përfaqësuar në këtë Evropian nga katër xhudistë: Distria Krasniqi (fitoi medaljen e bronztë), Flaka Loxha (u eliminua në repesazh), Akil Gjakova (është eliminuar gjatë ditës së sotme) dhe Laura Fazliu. /KultPlus.com
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeff Hovenier, është parë duke shikuar ndeshjen e Prishtinës mes Dukagjinit, e cila do të jetë shumë interesante në garën për të siguruar mbijetesën, shkruan KultPlus.
Komentatori i sportit në Art Motion, Arlind Sadiku, e ka takuar atë në shkallët e stadiumit dhe ka vendosur që ta pyes se si ai vendosi ta mbështes Prishtinën.
“Unë jetoj në Prishtinë dhe e dua futbollin, më pëlqen të shkojë e t’i shikoj ndeshjet kudo që jetoj. Jam i lumtur që stadiumi është këtu dhe gjithashtu luhet futboll kualitativ dhe më pelqen të mbështes një ekip, kështu tani është Prishtina. Mundohem t’i shikoj ndeshjet dhe e di që ka fituar ndeshjen e kaluar. Gjithashtu, e di që Prishtina ka më së shumti tituj në Superligën e Kosovës”, ka thënë Hovenier.
Prishtina është duke luajtur për të siguruar mbijetesën në një përballje direkte me ekipin e Dukagjinit. /KultPlus.com
Gjashtë gra ukrainase udhëtuan në Kosovë për të ndjekur një kurs për pastrimin e minave tokësore derisa vendi i tyre po përballet me agresionin e Rusisë.
Mediat e huaja kanë shkruar për këtë gjë, duke treguar se si këto gra nuk kishin menduar asnjëherë në të kaluarën se do të ushtroheshin për një gjë të tillë.
Më poshtë mund të lexoni një pjesë të asaj se çfarë Associated Press ka shkruar.
Të mësosh të identifikosh dhe çaktivizosh eksplozivët është diçka që Anastasiia Minchukova nuk e kishte menduar kurrë se do t’i duhej të bënte si mësuese e anglishtes në Ukrainë. Megjithatë atje ajo kishte veshur një mburojë fytyre, e armatosur me një detektor minash tokësore dhe po shkonte në një fushë të mbushur me paralajmërime rreziku.
Lufta e Rusisë në Ukrainë e çoi Minchukovën, 20 vjeç, dhe pesë gra të tjera në Kosovë, ku po ndjekin një kurs praktik për pastrimin e minave tokësore dhe rreziqeve të tjera që mund të mbeten të fshehura në të gjithë vendin e tyre pasi të përfundojë lufta.
“Ka një kërkesë të madhe për njerëzit që dinë të bëjnë çminim sepse lufta do të përfundojë së shpejti,” tha Minchukova. “Ne besojmë se ka shumë punë për të bërë.”
Kampi i trajnimit 18-ditor zhvillohet në një zonë në qytetin perëndimor të Pejës, ku një kompani me bazë në Maltë ofron rregullisht kurse për punëkërkuesit, firmat që punojnë në ish-zonat e luftës, organizatat humanitare dhe agjencitë qeveritare.
Kosova ishte vendi i një konflikti shkatërrues të armatosur 1998-99 midis separatistëve shqiptarë etnikë dhe forcave serbe që vrau rreth 13,000 njerëz dhe la mijëra mina të pashpërthyera në nevojë për pastrim. Gama e Praedium Consulting Malta përfshin ndërtesa të bombarduara dhe të braktisura, si dhe hapësira bimore. /KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë tha se do ta shqyrtojnë nismën për anëtarësim të Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave apo Konventën e Parisit.
Kurti para kabinetit qeveritar tha se me anëtarësimin e Kosovës bëhet faktorizimi në skenën ndërkombëtare përmes prezantimit të burimeve njerëzore.
“Ne po ecim përpara me reformat në drejtësi dhe ekonomi, po ecim përpara me nisma të tjera që kanë për qëillim promovimin e Kosovës, një të tillë do ta shqyrtojmë tani në mbledhjen e qeverisë, atë për anëtarësimin e Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, apo aderimin në Konventen e Parisit që ka për qëllim përfundimtar faktorizimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare përmes prezantimit të burimeve njerëzore, kulturore dhe potencialeve ekonomike si dhe avantazheve për investime në vendin tonë”, tha ai në mbledhjen e qeverisë. /KultPlus.com
Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ka përfunduar restaurimi i ikonës “Joan Pagëzori me skena”, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar.
Vepra është një ikonë despotike (ikonat e mëdha që qëndrojnë sipër ketabeve të poshtme të ikonostasit) me përmasa 117 x 83cm, marrë prej Kishës së Manastirit Shën Pjetri dhe Pavli në Vithkuq të Korçës. Ikona daton vitin 1726 dhe është realizuar nga një autor anonim.
Gjatë muajve të fundit, vepra iu nënshtrua një ndërhyrjeje të plotë restauruese, të kryer nga specialistët e IKTK-së.
Instituti Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur se “ndërhyrja konsistoi në dezinfektimin e suportit (drurit) dhe pastrimin e tij nga depozitimet e ndryshme, përforcimin me fletë druri në hapësirën e krijuar ku bashkohen dy pjesët e ikonës, konsolidimin e gruntit dhe pelikulit piktorik, pastrimin e vernikut të dekompozuar, stukimin dhe në fund integrimin piktorik”. /ATSH /KultPlus.com
Xhudistja Laura Fazliu ka siguruar medalje për Kosovën, duke arritur kështu të kualifikohet për finalen e Kampionatit Evropian, shkruan KultPlus.
Fazliu pas një lufte të dominuar arriti të fitojë ndaj spanjolles Cristina Perez Cabana në kategorinë 63 kilogramë.
Kjo do të jetë medalja e dytë për Kosovën në këtë Evropian, pasi Distria Krasniqi fitoi medaljen e bronztë ditën e djeshme.
Kosova është duke u përfaqësuar në këtë Evropian nga katër xhudistë: Distria Krasniqi (fitoi medaljen e bronztë), Flaka Loxha (u eliminua në repesazh), Akil Gjakova (është eliminuar gjatë ditës së sotme) dhe Laura Fazliu. /KultPlus.com