Hapësira shumëngjyrëshe dhe plot jetë e Pavijonit të Kosovës po tërheq vëmendjen e artdashësve në Bienalen e Venedikut

Edhe pak orë kanë mbetur deri në hapjen zyrtare të Pavijonit të Republikës së Kosovës në edicionin e 59-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, përcjellë KultPlus.com

Hapësira shumëngjyrëshe dhe plot jetë e Pavijonit të Kosovës po tërheq vëmendjen e artdashësve.

Në këtë instalacion të veçantë po prezantohen pikturat, qilimat dhe qëndisjet e artistit Jakup Ferri, ndërsa interesimi për të parë punimet në parahapje të Bienales ishte i madh.

Zyrtarisht Kosovo Pavilion / 59th Venice Biennale / Jakup Ferri do të hapet sot në orën 16:30. / KultPlus.com

Grupi Gillespie vjen me koncert të premten në Pejë

Grupi  Gillespie të premten do të mbajë koncert në hapësirat e kinemasë ‘Jusuf Gërvalla’ në Pejë, përcjell KultPlus.

Ky koncert është organizuar nga Anibar në kuadër të projektit Rietësimi i Kulturës në Pejë.

Në vijim gjeni njoftimin e plotë të Anibar:

Anibar në kuadër të projektit Rrijetësimi i Kulturës në Pejë, ka nderin të ju ftoj në koncertin e grupit Gillespie këtë të premte duke filluar nga ora 20:00 në hapësirat e Kinema Jusuf Gërvalla.

Ju mirëpresim!

Ky projekt mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)./ KultPlus.com

UP-ja dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Qëllimi i marrëveshjes së nënshkruar nga rektori i UP-së, Naser Sahiti dhe ministri, Liburn Aliu, është përcaktimi i kornizave të bashkëpunimit institucional në fushat me interes të përbashkët.

Përmes këtij bashkëpunimi, rektori Sahiti potencoi që UP-ja dhe Ministria mund të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme, si në: hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta; organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale në fushat relevante për palët; realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët; harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore.

“Bashkëpunimi i UP-së me Ministrinë mund të shtrihet edhe në kuadër të bordeve industriale që i kemi në fakultete, sidomos në drejtimet aplikative, ku mund të përfshihen edhe përfaqësues të Ministrisë, për të shkëmbyer përvoja dhe të kontribuojmë në mënyrë reciproke,” ka thënë rektori Sahiti.

Në anën tjetër, ministri Aliu theksoi se një marrëveshje e tillë është e domosdoshme për përmbushjen e objektivave të të dyja institucioneve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale. Ai shtoi që Ministria do të vlerësonte në veçanti bashkëpunimin në nivel të ekspertizave nga ana e UP-së, ku nevoja për një autoritet profesional është shumë e shprehur.

Nënshkrimi i marrëveshjes zyrtarizon zotimin e të dyja palëve drejt implementimit të aktiviteteve të përbashkëta. / KultPlus.com

EBC vjen me zbritjen më të madhe vjetore në të gjithë artikujt

EBC Cosmetics është kompani lidere në industrinë e kozmetikës në vend, e njohur për origjinalitet dhe e vetmja kompani në Kosovë e autorizuar për shitjen në 8 pika dhe online të brendeve më të njohura ndërkombëtare.

Edhe këtë vit si çdo vit tjetër, EBC njofton për zbritjen vjetore me datat 21 deri më 24 Prill.

Zbritje vlen per te gjitha dyqanet e EBC qe ndodhen në këto lokacione:

1. Bregu i Diellit , Rr.Eqrem Qabej
2. Rr. Nëna Terezë
3. Rr.Garibaldi, perballë hotel Grand
4. ETC Fushë Kosovë
5. Royall Mall, Rruga B
6. Galeria Mall, Prizren
7. Albi Mall, Veterrnik kati 0
8. Albi Mall, Veterrnik kati 1

Si dhe ne Platformen për blerje online në të gjitha qytetet e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë EBC SHOP : www.ebc.shop.

Për çdo blerje të procesuar përmes EBC SHOP, fitoni dhurata të ndryshme./ KultPlus.com

Portrete të realizuara në vetëm një vijë, Visar Kryeziu sjell figura të rëndësishme shqiptare në KultPlus Caffe Gallery

Flonja Haxhaj

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, mbrëmë kishin ateruar figurat më të njohura të historisë dhe kulturës shqiptare. Një frymë ndryshe kishte mbërthyer këtë ambient që si dukej po dërgonte porosi se ata ishin aty dhe ju nuk duhej munguar.

Mbretëresha Teutë, Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta, Pandeli Sotiri, Shote Galica, Nënë Tereza, Marie Shllaku, Adem Jashari, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Anton Çetta, Agim Ramadani, Madeleine Albright e Leze Qena, mbrëmë kishin marrë formë tjetër. Me një thjeshtësi dhe elegancë të jashtëzakonshme, artisti Visar Kryeziu, i kishte sjell këto figura të rëndësishme shqiptare përmes artit të tij të veçantë. Me vetëm një vijë, këto figura kishin marrë formën perfekte dhe sikur komunikonin me të pranishmit dhe një qetësi të pashoqe, përcjell KultPlus.

Këto portrete të veçanta dhe unike, të realizuara në vetëm një vijë erdhën të shoqëruara edhe me punimet e realizuara me anë të telit për tu ekspozuar mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery.

Artisti Visar Kryeziu i cili jeton në Zvicër, këto punime i nisi me vetëm një qëllim, që në shtëpinë e tij të ketë një ambient ku fëmijët të rriten duke i parë figurat e rëndësishme shqiptare. Por, ky qëllim madhor i Visarit, rezultoi të shndërrohet në një art që e përqafuan të gjithë e në këtë formë ta sjellin në vendlindje edhe më një ekspozitë që mblodhi shumë artdashës.

Hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e KultPlus, e cila falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen e më pas tregoi se si erdhi deri tek realizimi i kësaj ekspozite.

“Këtë herë në KultPlus e kemi ftuar Visar Kryeziun, i cili ka ardhur nga Zvicra. Ideja për realizimin e kësaj ekspozite ka ardhur qysh nga realizimi i portretit të Skënderbeut, që Visari e postoi në ciklin e parë dhe vazhdoi tutje, vazhdimisht duke sjellë edhe figura të tjera poashtu shumë të njohura të kulturës dhe historisë shqiptare ndaj edhe vendosëm me e mbajt këtë ekspozitë”, tha Pajaziti e cila falënderoi artistin Kryeziu për këtë përzgjedhje të figurave, me të cilat sipas saj krenohet i gjithë populli shqiptar.

Në hapjen e kësaj ekspozite foli edhe kuratori, Ilir Muharremi, i cili vuri në pah se krijimi i këtyre portreteve ka bërë që artisti Visar Kryeziu tashmë të identifikohet me stilin e tij, atë të vizatimeve me një vijë.

“Për mua si kurator, është një përvojë e madhe duke qenë kurator në shumë ekspozita, në pothuajse 60-70 ekspozita, por kjo ekspozitë për mua është shumë e veçantë, sidomos te vizatimi, sepse ne e dimë që tek arti pamor, pikënisja, baza ose zanafilla e çdo emocioni është vizatimi, qoftë skulptor, qoftë mozaik, qoftë bitrazh, vizatimi është baza. Visari trajton një vizatim shumë të veçantë, një vizatim që kuadron gjestin, sikurse skulptori i cili me talentin e kap gjestin në skulpturë, Visari në vizatim ka gjestin e figurave të famshme historike që i kemi ne, qoftë nga rilindja apo nga antikiteti”, u shpreh Muharremi.

E në hapjen e kësaj ekspozite e cila kishte bërë bashkë shumë dashamirë të artit, ishte i pranishëm edhe gazetari i njohur, Enver Robelli, i cili e konsideron shumë të rëndësishme këtë ngjarje, që “bëri bashkë” shumë figura të rëndësishme kombëtare.

“Visari po vjen nga Cyrihu për të sjellë një ekspozitë me figura kombëtare, disa nga këta njerëz kanë një përvojë në botën perëndimore, pak kush e di që Adem Jashari ka qenë në Zvicër, Agim Ramadani ka ardhur nga Zvicra këtu, Ibrahim Rugova ka fluturuar vazhdimisht prej Cyrihut nëpër botë për ta internacionalizuar çështjen e Kosovës, Adem Demaçi po ashtu”, tha Robelli i cili tutje u shpreh i bindur që Visari do të vazhdoj që me këtë thjeshtësi dhe elegancë të sjellë edhe më shumë figura shumë të rëndësishme të historisë, kulturës, të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare që kufizohen me Kosovën.

Më pas, për KultPlus foli edhe vetë artisti Kryeziu i cili tregoi se si erdhi ideja e realizimit të këtyre portreteve në një vijë, stil ky i cili në Kosovë vjen për herë të parë.

“Punimi i parë ka qenë portreti i Skënderbeut, e publikova në rrjete sociale dhe u pëlqye shumë, sa nuk e kam prit fare. Më pas vendosa të vazhdoj edhe në punime të tjera të cilat u pëlqyen shumë, pastaj pata kontakt edhe me KultPlus të cilën më ftuan për hapje të ekspozitës dhe më dhanë guxim, motivim dhe mbështetje dhe për këtë vendosa të vijë dhe ta realizoj ekspozitën”, deklaroi Kryeziu për KultPlus.

Ai tutje shpjegoi se në realizimin e këtyre portreteve të figurave që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare ka ndikuar edhe fakti që ai jeton në Zvicër.

“Kam dashur ta kem një ambient në shtëpi ku fëmijët e mi rriten brenda frymës shqiptare, ku do të jenë prezentë portretet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”, shtoi më tutje ai.

Ndërkaq, artisti Kryeziu përveç realizimeve të portreteve me një vijë, artin e tij po e dëshmon në realizimin e portreteve në vetëm një tel. Ai tregon për KultPlus se pas vizatimeve në një hapësirë të bardhë, u intrigua që ato portrete t’i realizojë edhe me një tel.

“Ideja për realizimin e portreteve me tel erdhi duke i parë këto vizatime me një vijë në hapësirën e bardhë, e thashë me vete sa interesante do të dukej sikur ky portret të qëndronte në ajër, e mendja më shkoi tek teli”, thotë Kryeziu i cili shton se më pas e provoi me një tel që e kishte pranë vetes, i cili ndonëse më vështirë i punueshëm, arriti ta bëjë figurën e Rugovës.

Kryeziu, i cili tashmë po identifikohet me këtë stil arti, thotë se do të vazhdojë të realizojë edhe shumë portrete të tjera të historisë shqiptare.

Ekspozita ‘Në një vijë me Visar Kryeziun’ është realizuar nga KultPlus dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ujë Rugova dhe do të qëndrojë e hapur deri më datë 2 maj në KultPlus Caffe Gallery. Të gjitha portretet janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit duhet të kontaktojnë me artistin për t’i blerë ato./ KultPlus.com

Presidentja Osmani takon përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu takon përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile për të diskutuar procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit.

Presidentja Osmani falënderoi përfaqësuesit e shoqërisë civile për pjesëmarrjen aktive në monitorimin e procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, duke nënvizuar se çdo rekomandim i identifikuar përgjatë procesit do të shqyrtohet me kujdes të veçantë.

“Është thelbësore që çdo emërim të jetë rezultat i një procesi transparent dhe të drejtë, dhe çdo kandidat të ketë integritet të dëshmuar përgjatë karrierës. Këto janë parime themelore të cilat i kam ndjekur në çdo emërim që kam bërë”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani do t’i vazhdojë konsultimet edhe me akterë të tjerë të përfshirë në këtë proces për t’u siguruar që procesi ka qenë i drejtë dhe i pranueshëm. / KultPlus.com

Mark Twain: Dy ditët më të rëndësishme të jetës suaj janë dita kur keni lindur dhe ajo që e kupton pse

Sot shënohet 112-vjetori i vdekjes së shkrimtarit amerikan Mark Twain, shkruan KultPlus.

Krijimtaria e tij e pasur si shkrimtar, botues dhe lektor e bënë që të cilësohej nga William Faulkner si “Babai i Letërsisë Amerikane”.

E gjithë vepra e Mark Twain inspirohet nga ngjarje dhe vende ku jetoi apo vizitoi, ndaj konsiderohen si autobiografike. Vepra e tij ndahet përgjithësisht  në përshtypjet e tij nga udhëtimet, kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë së hershme, narracionet satirike të ambientura në Mesjetë dhe Rilindje.

Në përvjetorin e vdekjes së Mark Twain, KultPlus ju sjell thëniet e tij më të famshme:

Dy ditët më të rëndësishme të jetës suaj janë dita kur keni lindur, dhe ajo që e kupton pse

Problemi me këtë botë nuk është se njerëzit dinë shumë pak, por se dinë kaq shumë gjëra që s’qëndrojnë.

Kur miqtë tuaj fillojnë të të lavdërojnë se dukesh i ri, kjo është një shenjë e sigurt që je duke u plakur.

Karakterin e njeriut mund ta mësosh nga mbiemrat të cilët ai zakonisht përdor në bisedë.

Rrudhat duhet thjesht të tregojnë se nga ka kaluar buzëqeshja.

Mund të mësoj çdo person se si të arrijë atë që do në jetë. Problemi është se nuk gjej asnjë që di se çfarë do.

Njeriu që nuk lexon libra nuk ka përparësi nga njeriu që nuk mund ta lexojë.

Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje të fjetur: Kjo është jeta ideale.

Më keq se vetmia është kur një person nuk ndihet rehat me veten e tij.

Unë kurrë nuk e kam lejuar shkollën të përzihet me edukimin tim.

Në moshën 50 vjeç, njeriu mund të jetë budalla pa qenë optimist, por kurrë optimist pa qenë budalla.

Liria është e drejta t’u thuash njerëzve atë që ata nuk duan të dëgjojnë.

Diçka ‘klasike’: Një libër që njerëzit thonë se e pëlqejnë, por ata kurrë nuk e lexojnë. / KultPlus.com

Hapet uebfaqja për të aplikuar për 100 eurot për punëtorët e sektorit privat

Është hapur uebfaqja në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës për të aplikuar punëtorët e sektorit privat për të përfituar nga 100 euro, në kuadër të pakos së fundit të Qeverisë.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës vendosi për të ndarë mbi 100 milionë euro. Nga 100 euro janë ndarë për ata që përfitojnë nga skemat sociale, për punëtorët e sektorit publik dhe ata të sektorit privat.

Pensionistët tashmë kanë marrë shtesat, ndërsa sektori publik do t’i marrë me shtesën e muajit të ardhshëm.

Klikoni KËTU për të aplikuar. 

Ministria e Financave ka thënë se kusht për kualifikim për të marrë 100 eurot shtesë është që punëtori të jetë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore shkurt 2022. Ndërkaq për ata të deklaruar si punëtorë në mars, mund të aplikojnë mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, që nënkupton se subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022.

Aplikimi për mbështetje nga kjo masë do të jetë i hapur nga data 21 prill deri më 20 maj 2022. / KultPlus.com

Parashikimi i frikës

Nga Sali Bashota

Mos e hap derën
Brenda është frika
Gjithçka mund të ndodh
Për një fije floku
Me një fije shkrepëse
Pas pak digjet
Xhelozia e ëndrrave të bukura
Ndonjë pëshpëritje zilie
Në veshin e djathtë
Për çudi mahnitemi
Nga ai zjarr i madh
Pa filluar ende mrekullia
Për më shumë fantazi
Mos e hap derën
Asnjë shenjë tjetër
Nuk krahasohet me heshtjen
Si zakonisht fjala e parë
Thuhet në vend të fjalës së fundit
Në çdo mëngjes të pazakonshëm
Sa herë nis rrëfimi për vetveten
Pse në këtë botë ekzistojnë ngjyrat
Për ta pikturuar amshimin
E bardha si këmisha e lotve
E zeza si mëkati
E kuqja si buzët e lumtura
E verdha si trëndafilat e tharë
E kaltra si sytë e mi
Mjaftojnë vetëm këto
Dhe thellësia e admirimit
Ndoshta prapë mahnitemi
Deri në çastet e fundit
Pa mbaruar kurrë pendimi

(Prishtinë, 21 prill 2022) / KultPlus.com

E harruar nën pluhurin e depos, piktura 400-vjeçare që mund të vlejë miliona dollarë

Një pikturë 400-vjeçare, e cila sipas ekspertëve mund të vlejë miliona dollarë, është zbuluar në një depo të braktisur në Australi.

Vepra e artit e quajtur “Still Life” (Jetë e Qetë), u mbajt për shumë vite në muzeun “Akademia Woodford” në Uellsin e Ri Jugor, por përgjatë viteve kishte mbetur gjithnjë në hije.

Piktura e vlefshme i përket Epokës së Artë holandeze, e realizuar në shekullin e 17-të, dhe u zbulua mes një koleksioni prej 60 000 pikturash, pjesë e veprave të muzeut të cilat iu dhuruan Fondit Kombëtar të Australisë.

Piktura tregon një tavolinë të mbuluar përgjysmë nga një shtrojë e bardhë e zhubrosur, një kek i filluar, arra, bukë dhe enë qelqi.

Piktura “Still Life” para se të restaurohej/ Fondi Kombëtar i Australisë
Vepra i atribuohet Gerrit Willemsz Heda, djali i piktorit të famshëm holandez të shekullit të 17-të, Willem Claesz. Heda, njihet si një nga mjeshtrit e mëdhenj të epokës së artë holandeze, por megjithatë ekspertët janë ende duke e hetuar origjinën e saktë të “Still Life”.

Nënshkrimi i Hedës mbi pikturë, është shumë i ngjashëm me atë të babait të tij dhe ndaj dyshimet janë, se kjo vepër e rrallë, mund të jetë edhe një bashkëpunim babë e bir.

Sipas ekspertëve, vlera e veprës së artit është ende në diskutim, por ekspertët besojnë se mund të vlejë miliona dollarë.

Zëdhënësja e kompanisë që ka marrë përsipër restaurimin dhe kujdesin për pikturën, ka pohuar për publikun se zakonisht veprat e Hedës vlerësohen nga 2,9 deri në 3,7 milionë dollarë.

Momenti kur gjatë procesit të pastrimit, mbi vepër u gjet nënshkrimi i artistit
“Të gjeja një pikturë autentike të shekullit të 17-të në depon time në National Trust më la pa frymë”, është shprehur për mediat menaxherja e koleksioneve të National Trust, Rebecca Pinchin.

Piktura do të shfaqet për herë të parë për publikun, në Festivalin Australian të Trashëgimisë 2022, në Woodford Academy, më 14 maj. / KultPlus.com

Vera Bekteshi, e para grua fituese e çmimit letrar “Kadare”

Me romanin “Pusulla të Verdha” Vera Bekteshi bëhet e para grua që fiton çmimin letrar “Kadare”. Mes 22 pjesëmarrësve, 5 finalistëve dhe tri herë renditjes së saj në top listën e këtij çmimi, Bekteshi sjell një libër të fortë dhe emancipues. Një rrëfim në vetë të parë, i gërshetuar me përjetime personale, ky libër u kushtohet personave me aftësi ndryshe dhe sfidave të tyre në një shoqëri ende skematike dhe përjashtuese për të ndryshmin.

Letërsia pa detaje nuk vlen, e këshillonte dikur shkrimtari Ismail Kadare. Ishte kohë kur ajo i rrëfeu vendimin për të shkruar dhe ai e nxiti ta mbushte letërsinë e saj me hollësi, veçanërisht nga ato të jetuarat.

Këshillë që nuk e harroi as në botimin e librit të saj të gjashtë, që u shpall edhe fitues i edicionit të shtatë të Çmimit Kadare, çmimi letrar prestigjioz i akorduar  nga Universiteti Europian i Tiranës, në një ceremoninë e zhvilluar pasditen e së mërkurës. Tri herë finaliste, Vera Bekteshi bëhet kështu e para grua që fiton këtë çmim pas shkrimtarëve si Rudolf Marku, Musa Ramadani, Virgjil Muçi e të tjerë.

Një aleancë grash, e cilësoi Belina Budini, dekane e Fakultetit të Shkencave Humane dhe Arteve Liberale në UET dhe anëtare e jurisë së Çmimit Kadare për vitin 2022. Votimi për romanin “Pusulla të Verdha”, zbuloi më tej Budini ishte unanim, ndërsa në jurinë e këtij edicioni vihej re një dominim i grave. Krahas Budinit, ishte studiuesja Diana Kastrati, në rolin e kryetares, pedagogia Myzeqari, si edhe shkrimtarët Adil Olluri e Namir Lapardhaja.

“Rrëfimi në vetë të parë, me një ndjenjë intimiteti dhe i lidhur me përjetimin personal të shkrimtares, e bën “Pusulla të Verdha”, një roman të veçantë”, u shpreh Budini ndërsa i akordoi shkrimtares çmimin.

Libër të vështirë e cilësoi vetë shkrimtarja Vera Bekteshi romanin e saj më të ri, duke zbuluar se iu deshën katër vite ta sillte në jetë.“”Pusullat e Verdha”, ia kushtoj njeriut që njoh më shumë, që ka mbetur i dëlirë, megjithëse mbush 49 vjeç këtë pranverë”, u shpreh shkrimtarja në një dedikim për të birin Arturin, duke zbuluar ngjashmërinë hera-herës me personazhin kryesor të romanit.

Marini, heroi i romanit të Vera Bekteshit, zbuloi më tej ajo, ngjan me vetë autoren. Në një ndërmendje të shkrimtarit Gustav Flober dhe pohimit të tij “Madame Bovary c’est moi”, autorja rrëfeu për të pranishmit – miq dhe personazhe të njohur të jetës publike – se kishte rënkuar e kaluar net pa gjumë me Marinin e saj, të cilin e cilësoi si hallemadh.

Ajo nuk ua fshehu lexuesve të ardhshëm të veprës frikën se përmbajtja e romanit do t’i trondiste … “Ani, mos u tutni, do të thoshte gjyshja ime, po të ishte ende gjallë, sepse mbesa ime diçka di dhe do t’ju udhëheqë në këtë libër përmes shumë kurtheve që në fund zgjidhen jo si me mrekulli, por pas përpjekjesh të jashtëzakonshme, ashtu siç ka bërë secili prej nesh”, tha më tej Bekteshi.

Shkrimtarja zbuloi atë që e quajti tërheqje fatale për njerëzit me aftësi ndryshe, të cilët vijnë në këtë libër përmes një mesazhi emancipues.

Ata me inteligjencë të epërme apo ata që ia dilnin të mbijetonin në kushte ekstreme me dinjitet, si të përmbysurit nga regjimi, dha ajo hollësi të mëtejshme, historia personale e së cilës i ngjet këtyre të fundit. Histori që Bekteshi e ka përshkruar me detaje në romanet e saj “Vila me dy porta” dhe botimin e më vonë “Vila me tri porta”.

Ajo kujtoi të atin, gjeneralin Sadik Bekteshi, i dënuar nga regjimi komunist më 1974-n, si njeriun nga i cili mësoi kuptimin e dinjitetit. “…i cili përmendte pa fre një shprehje të Gëtes veçanërisht gjatë internimit, mbase druante se mos ne thyheshim nga presioni i papërballueshëm i shtetit”, kujtoi shkrimtarja.

Mes traumave që shkaktoi dhe la pasoja regjimi i shkuar, Bekteshi përshkroi atë të Dhimos. Një personazh erudit, thatim, trupvogël e me një kollë që nuk i ndahej as në korrik, pat kaluar një tronditje të thellë psikologjike kur motra dhe i vëllai u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tronditje që e bëri të humbte të folurit, që edhe pasi e rifitoi mbeti një njeri me aftësi ndryshe. Dhimoja, që siç rrëfeu më tej autorja, ishte një personazh i vërtetë bashkëkohës i saj, kishte parathënë komplotet që do të zbuloheshin nga diktatori në vitet ’70, gjatë periudhës kur u dërgua për kurim në Republikën Popullore të Kinës.

Ndonëse personazhi ishte tërheqës për llojin e romanit të pusullave, ajo zgjodhi të mos bazohej në këtë fabul.

“Të gjithë ne jemi të helmuar nga e kaluara e hidhur dhe e pandëshkuar si duhet”, tha ajo, duke sjellë shembullin gjerman që vuri përballë drejtësisë përgjegjësit kryesorë të regjimit hitlerian dhe atij komunist.

Për tranzicionin, bullizmin dhe njerëzit me aftësi ndryshe

“Doja të shkruaja një temë aktuale, me probleme të shkaktuara nga tranzicioni i vështirë që ende po vuajmë, që u shoqërua dhe shoqërohet nga plagë të ndryshme. Të flisja për një Dhimokle të ditëve tona, se sa të vështirë e ka të orientohet, krahasuar me të vjetrin të rrethuar vetëm me dashuri. Asokohe, qesëndisja apo bullizmi siç njihet sot, ishte i huaj, për arsye që nuk di t’i shpjegoj, ndoshta nga frika e regjimit”, shpjegoi autorja.

Duke ia lënë në dorë lexuesit të nxjerrë mesazhet nga ky libër, ajo theksoi dëshirën që i pari mesazh të iste dashuria. “Dashuria dhe vëmendja e ndershme që duhet t’u japim personave me aftësi ndryshe, familja, shoqëria, mjekët, shtet në tërësi dhe institucionet përkatëse në veçanti”.

Ky është një roman, saktësoi Bekteshi dhe jo libër klinik apo metodik. “Nëse ka ndonjë vlerë ajo është letrare dhe jo klinike”. Megjithatë, duke besuar në fuqinë shëruese të fjalëve, ajo tha se bashkë me kryeredaktoren e shtëpisë botuese “UET Press”, nën logon e të cilit vjen ky libër, ishte përpjekur për gjetjen e fjalëve të nevojshme. “Ato mund të jenë një udhërrëfyes, rrugë shpëtimi që gjendet vetëm në hartat e copëtuara të shpirtit”, tha ajo, duke e parë gjuhën si një përpjekje për të çliruar nga errësira, që ndërtojnë këto sindroma.
Libër i guximshëm e cilësoi kryeredaktorja e UET Press, Suela Mino romanin më të ri të zonjës Bekteshi, që erdhi i botuar si fitues i Çmimit Kadare.

“Duhet shumë kurajë për të shkruar, treguar të vërtetën, për të dëshmuar të vërtetën tënde dhe për të zgjuar të vërtetën e gjithsecilit”, tha Mino, duke prekur mentalitetin e një shoqërie, që e cilësoi si skematike. “”Pusulla të Verdha” vjen si një kumt i dobishëm, i vlerë, shumë emancipues dhe fort i rëndësishëm për mjedisin shqiptar”, përfundoi ajo.
Zonja Bekteshi u ndal tek dy pusulla që shoqërojnë librin. E para “Keep the faith”, ku besimi tha ajo është kryesori në shërimin e njerëzve, të cilëve u dedikon këtë roman dhe e dyta në një varg të një kënge të Sting “Sa të brishtë jemi”, që sipas saj është i pari burrë që e ka pranuar se edhe ata janë të brishtë. Këto, Bekteshi i cilësoi si rrugëtime drejt shërimit.

Duke falënderuar miqtë e saj fizikanë, me të cilët ndau pesë vite jetë profesionale para se jeta e saj të shtillej në një spirale vuajtjesh në internime, ajo e cilësoi këtë libër po aq të vështirë sa provimet e fizikës kuantike apo asaj bërthamore. “Pa i bërë ato provime, nuk do të vija dot te ky roman”, tha ajo. Bekteshi zbuloi se shtysë për ta shkruar “Pusulla të verdha”, kishte marrë nga e motra. Në një punë katërvjeçare për shkrimin e tij, para këtij romani Bekteshi solli për lexuesit përmbledhjen me tregime, kushtuar kryesisht periudhës së pandemisë dhe aftësive të grave për t’ia dalë mbanë edhe në situata të jashtëzakonshme.

Fituesit “Kadare” ndër vite
Me këtë libër, Bekteshi u bashkohet botimeve të autorëve të tjerë fitues të Çmimit Kadare, që sapo kurorëzoi edicionin e shtatë. I pari fitues, me romanin “Tre divorcet e Zotit Viktor N.”, ishte shkrimtari Rudolf Marku, në vitin 2015, i pasuar një vit më vonë nga Shkëlqim Çela me novelat “Embriologji”.
Në 2017-n, fitues shpallet shkrimtari nga Kosova, Musa Ramadani me romanin “Profeti nga Praga” dhe një vit më vonë, Virgjil Muçi me “Piramida e Shpirtrave”. Loer Kume, fituesi i vitit 2019, me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala”, u cilësua si fenomeni i përfaqësuesve të shkrimtarëve të rinj. Më 2021-shin, fitues i Çmimit Kadare u shpall autori Gani Mehmetaj me romanin “Zogjtë e Qyqes”, që aktualisht po përkthehet në gjuhën frënge.

Çmimi më nderues dhe prestigjioz i letërsisë shqipe, e cilësoi atë “Kadare”, fituesi i parë Rudolf Marku. Ai u ndal te shkrimtari Ismail Kadare, që e clësoi si emancipues dhe një zhbërës të rrjedhës së kohës, duke e parë atë si një shkrimtar nga e ardhmja. “Çmimi Kadare i jep shkrimtarit prestigj dhe emër të veçantë”, tha Marku, duke shtuar se fitorja e zonjës Bekteshi si e para grua, do ta përforcojë këtë çmim.

Në këtë edicion të shtatë u paraqitën 22 vepra në konkurrim, ndërsa mes finalistëve ishin autorët Durim Taçi, Shpresa Qeriqi, Entela Kasi dhe Biser Mehmeti.Prej edicionit të parë të Çmimit Kadare, që mori edhe bekimin e shkrimtarit, e deri më sot kanë konkurruar për këtë çmim, ndër më prestigjiozët të letrave shqipe afro 200 autorë, zbuloi botuesi Henri Çili, i cili e cilësoi si një kontribut për prozën shqipe. Ai e cilësoi shkrimtaren Vera Bekteshi si një personazh të paneglizhueshëm të metropolit shqiptar. “Personazhi është vetë Vera Bekteshi dhe jeta e saj, me realitetin, rrëfimin, betejat që ka fituar dhe fiton, me rrethanat dhe atë fat që shumë pak njerëz e kanë, që kanë një jetë-vepër apo një vepër- jetë”, e përshkroi botuesi Çili shkrimtaren e njohur.

Ishte pikërisht historia e jetës që e çoi në ngasjen e të shkruarit letërsi në vitin 2000. Kishte kaluar kohë nga përjetimet e vuajtjeve dhe zemërata ia kishte lënë vendin dalëngadalë pjekurisë. Atëmot trokiti në derën e Kadarenjve dhe u ul në kolltukët bojëbezhë në hollin e shtëpisë së vjetër, tashmë të kthyer në muze. E pranishme në akordimin e këtij çmimi ishte edhe bashkëshortja Ismail Kadaresë, Elena, prania e së cilës shihej jo vetëm si një mbështetje për çmimin letrar që mban emrin e shkrimtarit të madh, por edhe si një inkurajim për një grua dhe një mike të vjetër, e cila prej asaj dite që ua rrëfeu vendimin për t’i hyrë letërsisë si autore nuk u ndal./ Gazeta MAPO / KultPlus.com

112 vjet nga vdekja e shkrimtarit të shquar Mark Twain

Samuel Langhorne Clemens (30 nëntor 1835 – 21 prill 1910) njihet me emrin Mark Twain (Mark Tuejn), ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai shquhet për novelat e tij, The Adventures of Tom Sawyer (Aventurat e Tom Sojerit, 1876), si dhe për (Adventures of Huckleberry Finn) (Aventurat e Hakëllberri Finit), e cila me vone njihej si “Great American Novel” (Novela e famshme Amerikane). Twain u rrit në Hannibal, Missouri, ku shkroi Huckleberry Finn dhe Tom Sawyer, te cilat i shkroi me makine shtypi.

Ai gjithashtu punoi si daktilograf, duke kontribuar kështu në gazetën e vëllait te vjetër Orionit. Derisa ai punoi si daktilograf dhe reporter ai shkroi storien humoristike “The Celebrated Jumping Frog of Calaveras Country”, e cila u be aq e popullarizuar saqë e tërheqi vëmendjen e publikut mbarkombetar. Ai arriti sukses mjafte te madh si një shkrimtar dhe spiker. Mençuria dhe satira e tij ishin te vlerësuara prej shume kritikeve dhe letrareve, dhe ai ishte shok me presidente, artiste, industrialiste te ndryshëm si dhe me Mbretërinë Evropiane. Gjendja e tij financiare ishte e dobët, megjithëse ai fitoi mjaft para nga shkrimet dhe ligjëratat e tij. Ai ishte i njohur si humoristi me i famshëm amerikan i moshës se tij, dhe William Faulkner e quajti Twain “babai i literaturës amerikane”.

Jeta e hershme
Mark Twain lindi në Florida, Missouri, me 30 nëntor, 1834 Ai ishte i biri i Janë, një shtetas i Kentucky dhe John Marchal Clemens nga Virginia. Prindërit e tij u takuan kur babai i tij u shpërngul në Missouri dhe u martuan disa vite me vone, me 1823. Ai ishte femiu i gjashte nga 7 fëmijët ishin gjithsej, prej te cilëve vetëm 3 mbijetuan. Vëllau i tij Orion (1825-1897), Henry dhe Pamela (1827-1904) vdiqën në një shpërthim në anije. Motra e tij e quajtur Margaret (1833-1836) vdiq kur ishte 3 vjeç, dhe vëllai i tij Benjamin (1832-1842) që vdiq 6 vite me vone. Kur Twain ishte 4 vjeç, familja e tij u shpërngul për në Hanibbal, Missouri, një port detar në qytetin e Missisipit, i cili ishte një inspirim për shkrimin e librit “The Adventures of Tom Sawyer and Adventures of Huckleberry Finn”. Kur Twain ishte 11 vjeq, me 1847, i vdiq babai nga pneumonia. Një vit me vone ai u be daktilograf. Në vitin 1851 ai filloi te punonte si daktilograf dhe kontribuoi në artikujt dhe skeçet humoristike për gazetën Hannibal, një gazete që posedohej nga vëllau i tij. Kur ishte 18 vjeçar, ai e leshoi Hannibalin dhe punoi si shtypes në New York City, Philadelphia, St. Luis, Cincinnati. Ai iu bashkëngjit Bashkimit Ndërkombëtar Tiografik te posaformuar, bashkimit te shtypësve dhe gjate mbrëmjeve u edukua në bibliotekat publike, duke gjetur kështu informata me te gjera sesa në shkollën tradicionale. Clemmens kane ardh St. Louis në Keokuk me 1854, dhe jetuan në Muscatine gjate periudhës se verës te vitit 1855. Gazeta Muscatine publikoi 8 storie te cilat kishin pothuajse 6000 fjale.

Martesa dhe fëmijët
Përgjatë vitit 1868, Twain dhe Olivia Langdon u fejuan, ndërsa në shkurt te vitit 1870 u martuan në Elmira, New York. Langdon vinte nga një familje e pasur dhe liberale dhe nëpërmjet saj Twain takoi shume aboltioniste, socialiste dhe aktiviste për te drejtat e grave dhe barazi shoqërore. Ai gjithashtu takoi edhe shkrimtarin dhe socialistin Eutopian, William Dean Howels, me te cilin pati shoqëri për një periudhe te gjate. Ata kishin 3 vajza : Susy (1872-1896), Clara (1874-1962), Jean (1880-1909), dhe një djalë i cili vdiq kur ishte 19 muajsh nga sëmundja e difterisë. Martesa e Twain dhe Olivias zgjati 34 vite, deri me 1904 kur Olivia vdiq. Te gjithë anëtaret e familjes Clemens janë varrosur në varrezat e Woodlawn në Elmira.

Dashuria për shkencën dhe teknologjinë
Twain ka qene i fascinuar pas shkencës dhe hetimeve shkencore. Ai pati një shoqëri te afërt dhe te gjate me Nikola Tesla. Ata kalonin shumë kohe sebashku në laboratorin e Tesles. Ai zotëroi 3 zbulime duke përfshire një përmirësim në rregullimin rripave (shiritave) për ndarjen e rrogave (për te zëvendësuar rripat llastik) Libri i tij A Connecticut Yankee in King Arthur’s Court karakterizon një udhëtues te kohës nga Amerika bashkohore duke përdorur dijen e tij për shkencën për te prezantuar teknologjinë moderne Arturianit te Anglisë. Ky lloj i linjës se storieve me vone do te kthehej në një karakteristike te përbashkët te fanta-shkencës nen-zhanër, historisë alternative. Në vitin 1909 Tomas Edisoni vizitoi Twain në shtëpinë e tij në Redding, Connecticut, dhe e filmoi atë. Një pjesë e filmit u përdor në “Prince and the Pauper“ (1909), i cili ishte një film i shkurte.

Jeta e mëvonshme dhe vdekja
Twain kaloi në një periudhe te depresionit te thelle, e cila filloi me 1896 kur vajza e tij Susy vdiq nga Meningjit. Vdekja e Olivias me 1904 dhe e Janë me 1909 e thelluan errësirën e tij. Me 20 maj te vitit 1909 miku i tij i ngushte Henry Rogers vdiq papritmas. Në vitin 1906, Twain filloi autobiografinë e tij në North Amerikan Review. Në prill Twain dëgjoi që mikesha e tij Ina Coolbrith humbi te gjitha pronen e saj në San Francisko nga tërmeti. Twain e formoi në vitin 1906 një klub për vajzat që ai i shihte si mbesat zëvendësuese, the Angle Fish dhe Aquarium Club. Shumica e anëtareve ishin te moshës 10-16vjet. Twain shkëmbente letra me vajzat e klubit “Angel Fish” dhe i ftonte ato në koncerte dhe teatre si dhe për te luajtur lojëra. Universiteti i Oksfordit e nderoi Twain me një doktorate nderi për shkrimet e tij, me 1907. Në vitin 1909 është cituar për thënien e tij : ”Unë erdha në ketë bote me Halley’s Comet me 1835. Kjo do te vije prape vitin tjetër dhe un pres që te shkoj me te. Do te ishte zhgënjimi me i madh i jetës sime në rast se unë nuk shkoj me Halley’s Comet. Almighty ka thëne, padyshim : “Tani këtu janë këto dy kapriqe te pa numërueshme ; ato kane ardhur sebashku dhe duhet te shkojnë sebashku.” Parashikimet e tij ishin te sakta- Twain vdiq nga një sulm në zeme me 21 prill 1910 në Redding Connecticut, një dite pas qasjes me te afërt te kometës në Toke. Kur presidenti William Howard Taft dëgjoi për vdekjen e Twain tha: “ Mark Twain dhuroi kënaqësi-gëzim te vërtet intelektual për miliona njerëz, dhe puna e tij do te vazhdoj te dhuroje kënaqësi për miliona njerëz që do te vijnë… Humori ishte Amerikan, por ai ishte njësoj i vlerësuar nga njerëzit e Anglisë dhe njerëzit e vendeve tjera si dhe njerëzit e vendit te tij. Ai ka dhuruar një pjesë te pavdekshme te literaturës Amerikane“. Funerali i Twain ishte në “Old Brick”, Press Byterian në kishën e New Yorkut. Ai u varos me familjes e tij në varrezat Woodlawn në Elmira-New York.

Vepra
E gjithë vepra e Mark Twain inspirohet nga ngjarje dhe vende ku jetoi apo vizitoi, ndaj konsiderohen si autobiografike. Vepra e tij ndahet përgjithësisht : Përshtypjet e udhëtimit ; Kujtimet e fëmijërisë dhe rinise se hershme Narracionet satirike te ambientuara në Mesjete dhe Rilindje. Mark Twain, në maksimumin e famës se tij, ishte një celibritet në Amerike, për kohen e tij.

Veprat :

The Celebrated Jumping Frog of Calaveras County, 1867, novele
Innocents Abroad, 1869, novele udhëtimi
Roughing It, 1872, udhëtim nga Mississipi në Las Vegas
The Gilded Age: A Tale of Today, 1873, novele
The Adventures of Tom Sawyer, 1876, novele
A Tramp Abroad, 1880, kujtime udhëtimi
|1601: Conversation, as it was by the Social Fireside, in the Time of the Tudors, 1880, novele
The Prince and the Pauper, 1881, novele
Life on the Mississippi, 1883, tregim autobiografik
The Adventures of Huckleberry Finn, 1884, novele
Tom Sawyer Abroad, 1894, novele
Pudd’n’head Wilson (Wilson lo Zuccone), 1894, novele
Tom Sawyer Detective, 1896, novele
A Connecticut Yankee in King Arthur’s Court, 1889, novele
Following the Equator, 1897, tregime udhëtimi
The Man That Corrupted Hadleyburg, 1900, novele
King Leopold’s Soliloquy, 1905, satire politike
The War Prayer, 1905, novele * The Eva-s diary, 1906, novele
The $30,000 Bequest and Other Stories, 1906, novele
What Is Man ?, 1906
A Horse’s Tale, 1907
Captain Stormfield’s Visit to Heaven, 1909, tregim i gjate
Letters from the Earth, 1909, novele e botuar pas vdekjes
The Mysterious Stranger, 1916, novele e botuar pas vdekjes /KultPlus.com

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Gjergj Fishta

Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá tokën e Shqypnís

Për me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje
Njata burra qi m’ kto brigje
Për tý vehten bâne flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije?

Át Gjergj Fishta, Lahuta e Malcís, Kanga XIII, vargjet 40–49 (Shkoder, 1933). / KultPlus.com

Akademiku Tole: Panairi i Librit Akademik dhe Shkencor, mundësi unike për autorët e botimet

Akademiku Vasil Tole e cilësoi një mundësi unike, panairin e parë kushtuar librit akademik dhe shkencor, që do të zhvillohet nga 22-24 prill në Tiranë.

Ky panair zhvillohet në kuadër të vitit të akademizmit shqiptar, shpallur në nderim të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si nismë e përbashkët e saj dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Tole tha se “është një mundësi unike, për të bërë bashkë autorët, botimet institucionet e kërkimit që merren me botimet dhe studimet dhe mbi të gjitha publikun e gjerë që së bashku të çmojmë rëndësinë që kanë studiuesit, autorët, shkenca për një shoqëri moderne”.

Ndërsa drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli tha se “për herë të parë në akademinë e shkencave do të kemi një histori të shkencës, dhe mendimit shqip, përmes botimeve më të mira të botuara në vite nga akademikët, studiuesit, profesorët shqiptarë, pasi duke u mbështetur fort tek shkenca ne do të kemi një shoqëri dhe një komb më të mirë nesër. Ashtu siç besonte dhe rilindasi ynë i madh Naim Frashëri: “Vetëm drita e diturisë përpara do na shpjerë””.

Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor ka për qëllim të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në gjithë hapësirën shqiptare, duke synuar një prani përfaqësuese sa më të gjerë.

Krahasuar me letërsinë dhe artet, nga vetë natyra e tij, libri akademik dhe shkencor e ka më të vështirë rrugën për të mbërritur tek lexuesi. Kjo është një nga arsyet pse duhet të ketë një panair të dedikuar për të, me qëllim që libri shkencor dhe akademik t’i afrohet lexuesit të vet dhe të lehtësohet komunikimi mes tyre.

Panairi i librit akademik dhe shkencor do të ketë gjithashtu dhe karakter promovues e manifestues, sepse do të mundësojë pranë vendosjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga gjithë hapësira shqiptare, duke synuar që në një të ardhme të jenë të pranishme edhe botimet nga qendrat albanologjike në botë.

Krahas botimeve prej institucioneve akademike dhe universitare, do të kenë vendin e tyre të merituar edhe botimet cilësore nga ente jopublike. Organizuesit duan që përmes panairit të ndikojmë për të krijuar një rrjet kombëtar të botuesve të librit shkencor, para së gjithashtu të universiteteve dhe institucioneve të tjera të specializuara; rrjet që do të lehtësojë marrjen e informacionit dhe më tej shkëmbimet, sidomos të periodikëve shkencorë, që tani për tani mbeten brenda institucioneve që i botojnë.

Ky panair i parë do të jetë një faktor tjetër nxitës për të përuruar arritjet e përvitshme në këtë fushë.

Vendi i zhvillimit të këtij panairi do të alternohet: një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt. Panairi organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare e Librit dhe Leximit. / KultPlus.com

Frascineto, një nga katundet më të bukur arbëresh të Kalabrisë

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës zyrtare disa ditore që po zhvillon në komunat e banuara nga arbëreshët në Kalabri ishte edhe në Frascineto, një nga katundet më të bukur arbëresh të Kalabrisë.

Meta u shpreh se në Frascineto spikat mikpritja tradicionale shqiptare dhe prej shekujsh trashëgohen gjuha, traditat, zakonet, veshjet, ritet fetare dhe kultura e “Motit të Madh” të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

“Mirënjohje Arbëreshëve tanë të dashur dhe autoritetet të larta vendore dhe rajonale për pritjen e veçantë, që më nderon”, tha Meta.

“Të marrim forcë nga rrënjët tona shumë të forta, për të fituar të gjitha sfidat e së ardhmes!”, theksoi Meta. /atsh/ KultPlus.com

Aktori Depp dëshmon në gjykatë: Qëndrova në martesë problematike ashtu si babai im

Johnny Depp ka deklaruar se ka qëndruar në martesën e tij problematike me Amber Heard, para se ajo të hidhte akuza ndaj tij për dhunë, sepse “donte që ta bënte martesën të funksiononte”.

Gjatë dëshmisë së tij të mërkurën në Fairfax të Vixhinias, aktori 58-vjeçar ka deklaruar se ish-bashkëshortja 35-vjeçare e sulmonte atë gjatë periudhave frustruese të saj.

“Mund të niste me një shuplakë, me një të shtyrë, me gjuajtjen e telekomandës në kokën time”, ka thënë Depp duke shtuar se sjellja e Heardit ishte e pandryshueshme.

I pyetur nga gjykatësi se përse nuk e ka lënë Heardin gjatë kohës së abuzimit të supozuar, Depp ka thënë se kjo do të ishte “një përgjigje e komplikuar”, duke shtuar se është munduar të veprojë njëjtë si babai i tij dikur, shkruan People, transmeton Koha.net.

“Pse vazhdova? Mendoj se arsyeja është sepse babai im ka qëndruar në martesën e tij abuzive, dhe unë nuk doja të dështoja. Doja të mundohesha ta bëja atë që të funksiononte. Mendoja se ndoshta mund ta ndihmoj atë. Mendoja se mund ta sillja në vete. Sepse Amber Heard që e njoha vitin e parë, një vit e gjysmë më pas nuk ishte kjo, papritur e kundërta. Nuk ishte kjo vajza ime, ajo u bë kundërshtarja ime”, tha Depp.

Aktori i famshëm hollivudian ka qenë i martuar më parë me Lori Anne Allison, nga viti 1983 deri më 1985. Ai ka qenë po ashtu për një kohë të gjatë në lidhje me aktoren Vannessa Paradis, me të cilën ka edhe dy fëmijë: Lily-Rose Depp dhe Jack Depp.

Johnny Depp edhe motra e tij më e madhe, Christi Dembroëski kanë dhënë dëshmi për nënën e tyre, e cila ka qenë abuzive gjatë fëmijërisë së tyre e po ashtu ndaj babait të tyre.

Aktori ka paditur Heardin për shpifje në lidhje me një shkrim të vitit 2018 që ajo shkroi për “Washington Post” për mbijetimin e dhunës në familje, megjithëse ajo nuk e përmendi Deppin me emër në artikull.

Depp ngriti padinë duke kërkuar 50 milionë dollarë dëmshpërblim në mars të vitit 2019.

Heard nuk ka marrë ende qëndrim në këtë çështje gjyqësore. Gjatë deklaratave hapëse javën e kaluar, avokati i saj Ben Rottenborn tha se provat do të tregojnë se ajo është abuzuar nga Depp duke përfshirë dhunën fizike, emocionale, verbale, psikologjike, madje edhe dhunën seksuale.

Heard dhe Depp janë njohur gjatë xhirimeve të filmit “The Rum Diary” në vitin 2011 dhe u martuan në vitin 2015. Ata janë ndarë në maj të vitit 2016, pasi Heard lëshoi një varg akuzash ndaj tij, për abuzim mirëpo Depp i mohoi ato.

Në nëntor të vitit 2020, Depp humbi padinë e tij për shpifje në Mbretërinë e Bashkuar kundër tabloidit britanik “The Sun”, pasi e quajti atë një “rrahës të gruas”. Gjykata mbështeti pretendimet e gazetës si “thelbësisht të vërteta” dhe Heard dëshmoi për të mbështetur pretendimet. Në mars të vitit 2021, përpjekja e tij për të rrëzuar vendimin u anulua. / KultPlus.com

Presidenti Meta: Të dyfishojmë përpjekjet që trashëgimia kulturore arbëreshe të jetë pjesë e UNESCO-s

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës zyrtare disa ditore që po zhvillon në komunat e banuara nga arbëreshët në Kalabri u prit nga Ipeshkvi i Eparkisë së Ungrës, Hirësia e Tij Donato Oliverio në Katedralen e Civita.

Meta u shpreh se, pati gjithashtu kënaqësinë e veçantë të merrte pjesë në meshën e shenjtë të Javës së Madhe të Pashkës.

“Mirënjohje të thellë për veprimtarinë e çmuar të Hirësi Oliverio në mbështetje të bashkësisë Arbëreshe në Itali, në veçanti për përpjekjet e Tij të pareshtura në ruajtjen dhe përcjelljen e riteve fetare dhe të traditave kishtare në gjuhën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, theksoi Meta.

“Të dyfishojmë përpjekjet tona që trashëgimia kulturore Arbëreshe, “Moti i Madh”, të jetë pjesë e UNESCO-s, sepse është një pasuri unike jo vetëm për Shqipërinë dhe Italinë, por edhe për Europën dhe botën”, nënvizoi Meta./atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Përmes Serbisë, Rusia ka krijuar tensione në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë e Mal të Zi

Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë për mediumin britanik Times Radio, ku ka folur për agresionin rus mbi Ukrainën dhe gjendjen në Ballkan.

Osmani ka thënë se Rusia ka destabilizuar Ballkanin Perëndimor, përmes Serbisë, duke krijuar tensione në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë e Mal të Zi. Ajo shton se vonesat në rrugën drejt BE-së të këtij rajoni, kanë lëshuar terren për Rusinë që të veprojë.

“Ka pasur një interes të vazhdueshëm rus për destabilizim të Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm Kosovën por edhe shtetet tjera. Dhe e kanë bërë me veprime konkrete përmes Serbisë. Rusia është munduar të krijojë tensione në kufi me Kosovën dhe destabilizim të Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Në këto shtete Rusia ka treguar interes për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, pasi përmes destabilizimit të këtij rajoni, destabilizon edhe BE-në. Këtu ka të vërteta, procesi ka ecur më ngadalë që kemi shpresuar për arsye se sa më ngadalë të ec procesi i anëtarësimit të Ballkanit Perendimor në BE, atëherë ka më shumë mundësi për Rusinë dhe interesat e saj që të jenë prezente në rajon”, ka thënë ajo.

Tutje ajo shton se Serbia është vendi i vetëm që nuk ka vënë sanksione ndaj Rusisë dhe në anën tjetër po e përkrah atë.

“Ajo që po ndodh në Ukrainë tregon se është një imperativ sigurie që të kemi edhe Kosovën edhe Bosnjën si dy vendet e fundit që duan të bashkohen me NATO-n në rajon, pasi Serbia nuk do anëtarësimin. Pra është e qartë se kush në rajon është kundër aksioneve të Putinit dhe kush po i mbështetë. Pavarësisht nga fakti se Serbia ka thënë se do të anëtarësohet në BE, nuk ka përshtatur politikat e saja me ato të BE-së e NATO-s”, përfundoi Osmani./ KultPlus.com

Bie numri i përdoruesve të Netflix për herë të parë pas një dekade

Për herë të parë në një dekadë, Netflix humbi abonentë – 200,000 në total në tre muajt e parë të vitit – rezultat i ndryshimit të forcave ekonomike, konkurrencës gjithnjë e më të ashpër nga platformat e tjera të transmetimit dhe konfliktit në Ukrainë.

Njoftimi, plus paralajmërimi i kompanisë se priste të humbiste dy milionë abonentë në tremujorin e dytë, e uli aksionin me rreth 37% në tregtimin e mëngjesit të së mërkurës.

Në një letër drejtuar aksionerëve, Netflix ia atribuoi humbjen e abonentëve të saj një sërë faktorësh, duke përfshirë një ngadalësim në adoptimin e televizorëve me brez të gjerë dhe smart; ndarja e fjalëkalimeve ndërmjet familjeve; dhe rritja e konkurrencës nga TV tradicionale kabllore dhe transmetuese dhe shërbime të tjera në zhvillim.

U përmendën gjithashtu faktorë makroekonomikë duke përfshirë rritjen e inflacionit dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia, gjë që e shtyu Netflix të mbyllte shërbimin e tij në Rusi, duke përmbysur rritjen modeste të abonentëve në rajonin evropian me një humbje prej 700,000 llogarish ruse.

Por një ndryshim i peizazhit në transmetim mund të jetë gjithashtu në lojë.

Për vite, Netflix shihej si ndërprerësi origjinal në argëtim. Shfaqja e saj në këtë fushë bëri që çdo studio e madhe në Hollywood të miratojë një strategji transmetimi për të konkurruar më mirë me revolucionin e Netflix-it të pangopshëm dhe pa reklama.

Tani me hyrje si Disney+ dhe HBO Max që kanë shërbimet e tyre bindëse, kompania mund të detyrohet të adoptojë disa nga rrjedhat e të ardhurave që i kanë bërë kompanitë tradicionale të mediave të suksesshme për dekada: shpërndarje teatrale, shërbime abonimi të mbështetura nga reklamat dhe ndoshta produkte të konsumit./21Media/ KultPlus.com

“Bota të na ndihmojë, na kanë mbetur pak orë”, thirrjet që forcat ukrainase po i bëjnë në Mariupol

“Na ndihmoni, na kanë mbetur vetëm pak orë kohë!” Është kjo thirrja e dëshpëruar që i bën botës, një prej komandantëve të forcave që po mbrojnë qytetin ukrainas të Mariupolit.

Rusia u ka dhënë një ultimatum të ri forcave të rezistencës që strehohen në fabrikën e hekurit dhe çelikut, Azovstal, të ulin armët gjatë orëve në vazhdim. Por në një mesazh të publikuar në orët e para të së mërkurës, major Serhiy Volyna i batalionit Azov, tha se trupat e tij nuk do të dorëzoheshin, ndërsa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndihmojnë 500 ushtarët e plagosur, dhe qindra gratë e fëmijët, që siç tha po fshihen bashkë me ta në bunkerët e impiantit.

“Kjo është deklarata jonë për botën. Mund të jetë e fundit. Mund të na kenë mbetur vetëm pak ditë, ose pak orë. Njësitë e armikut janë 10 herë më shumë sesa ne. Kanë epërsi në ajër, artileri, dhe njësitë që janë dislokuar në tokë, pajisje dhe tanke. U bëjmë thirrje liderëve botërorë të na ndihmojnë”, deklaroi Serhii Volyna, Komandant i Brigadës së 36 të Marinës.

Por ndërsa forcat ukrainase vazhdojnë të refuzojnë ultimatumin për dorëzim, edhe pas raportimeve se Rusia ka vendosur të rrafshojë xhepin e fundit të rezistencës, Moska dhe Kievi u dakordësuan për një korridor humanitar për evakuimin e civilëve.

Ukraina shpreson të dërgojë 90 autobusë për evakuimin e 6000 grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Rreth 130 mijë qytetarë janë të bllokuar në qytetin e rrethuar ku prej 50 ditësh vuajnë mungesën e ushqimeve, ujit dhe ilaçeve.

Presidenti Volodymyr Zelensky e përshkoi situatën në Mariupol si tejet të vështirë dhe tha se nëse Ukraina do të kishte qasje më të mirë ndaj armëve do t’i kishte dhënë fund luftës.

“Situata në Mariupol mbetet tejet e vështirë, pa asnjë ndryshim. Trupat ruse po bllokojnë përpjekjet për korridoret humanitare për të shpëtuar njerëzit tanë, dhe përpiqen t’i deportojnë apo edhe t’i mobilizojnë ata me forcat pushtuese. Fati i dhjetëra mijëra banorëve është i panjohur”, tha Zelensky.

Sakaq, forcat ruse vijojnë ofensivën e shkallës së gjerë në lindje të Ukrainës, në përpjekjen për të marrë kontrollin e plotë të rajoneve të Donetsk dhe Luhanks.

Inteligjenca britanike thotë se prania ushtarake ruse në rajon vazhdon të rritet dhe luftimet po intensifikohen. Në shënjestër të sulmeve në 24 orët e fundit janë vënë qytetet e Rubizhne dhe Sieviero Donetsk, në rajonin e Luhanks ku 130 trupa të plagosur u dërguan në spital. Shpërthime janë raportuar edhe në qytetin jugor të Mikolaiv.  / KultPlus.com

Dhjetë “urdhëresat” e Niçes

Çdo libër i mirë, kur shfaqet, ka shije të athët: ka mossuksesin e risisë.

Për më tepër, të qenit gjallë të autorit e dëmton atë, nëse ai është njeri i shquar dhe zbulohen shumë gjëra për të: pasi çdonjëri është i detyruar ta shkëmbejë autorin me veprën e tij. Ajo çfarë në të vërtetë libri përmban në vetvete mençuri, ëmbëlsi dhe shkëlqim të praruar, mund të zhvillohet vetëm me kalimin e viteve, me kujdesin e një përnderimi, i cili rritet, moshohet dhe në fund shuhet. Mbi të duhet të kalojnë shumë orë, merimanga të shumta duhet të thurin rrjetat mbi të. Lexuesit e mirë e bëjnë një libër gjithnjë e më të mirë, ndërsa kundërshtarët e mirë e bëjnë të njohur.

Çdo libër i mirë është shkruar për një lexues të caktuar dhe llojin e tij, pikërisht për këtë arsye konsiderohet i dobët nga pjesa tjetër e lexuesve, shumica dërrmuese: për të cilin fama e tij qëndron mbi një bazë të kufizuar dhe mund të ndërtohet vetëm ngadalë. Libri mediokër dhe i keq, është i tillë pikërisht sepse kërkon t’i pëlqejë, madje i pëlqen, shumicës.

Këto dhjetë rregulla, Niçe i parashtroi në një seri letrash, mes 8 dhe 24 gushtit të vitit 1882, dërguar Lou Andreas-Salomé:

1-Si nevojë e parë e jetës, stili i një autori duhet të jetë i gjallë;

2-Stili duhet t’i përshtatet tipit të personit të cilit i drejtohet vepra;

3-Shkrimi është imitim i pastër: para se të nxjerrë jashtë çfarëdo qoftë, shkrimtari duhet ta ketë fare të qartë çka dëshiron të komunikojë dhe si dëshiron ta paraqesë;

4-Shkrimtari duhet ta mbajë prore në mendje një model shprehjeje, një lloj nevoje personale që duhet të shndërrohet në fjalë të shkruar për ta kuptuar plotësisht domethënien e saj;

5-Pasuria e fshehur në hollësi është çelësi: shkrimtari duhet të mësojë ta kapë dhe ta perceptojë çdo gjë: nga frazat e gjata dhe të tepërta te pikësimi, zgjedhja e fjalëve të caktuara, pauzave dhe sekuencave të argumentimeve;

6-Bëj kujdes me periudhat tepër të gjata: vetëm ata që ia dalin ta mbajnë frymën gjatë mund t’i durojnë. Pjesa më e madhe e njerëzve ka nevojë për fraza të thata dhe të shkurtra;

7-Të kesh stil do të thotë të dëshmosh se i beson një ideje, ta ndiesh e jo vetëm ta mendosh;

8-Sa më shumë që është abstrakte një e vërtetë të cilën dëshiron ta bësh të kapet, aq më shumë do të kesh nevojë t’i bindësh dëgjuesit e tu ta perceptojnë kuptimin e idesë tënde;

9-Strategjia e një shkrimtari të zot në prozë konsiston në afrimin kah stili poetik në kompozimet e tij pa u shërbyer me të kurrë në të vërtetë;

10-Është një sjellje e edukuar dhe me mend t’i lejosh lexuesit të bëjë vërejtje dhe ta zhvillojë një gjykim të vetin përkitazi me atë që është shkruar nga autori; është gjithmonë më mirë t’ia lësh lexuesit mundësinë ta zbulojë që nga konsiston kuintesenca e urtësisë njerëzore. /Express/ KultPlus.com

Pak dhembje zemra le ta ketë

“Pak dhembje zemra le ta ketë”, (Kujtimit të motrës), është njënga poezitë më të bukura nga autori shqiptar Petrit Ruka. I dedikohet dashurisë për motrën e humbur. Autori gjithë dhimbje, vajton në çdo varg për ndarjen nga jeta të motrës së tij. Dashuria e vëllait për motrën dhe motrës për vëllanë nuk mund tëpërshkruhet dot me fjalë, por autori mundohet që në vargje tëshprehë ndjenjat e tij dhe dhimbjen e madhe që ndjen për humbjen e motrës. Është një dhimbje që asgjë nuk mundet ta zbehë, as koha, edhe pse autori shprehet se dhimbja e tij ështëtretur e zbehur. Petrit Ruka i referohet si “Motra” me shkronjë tëmadhe, për t’i dhënë rëndësinë e veçantë që ka në jetën e tij.

“Pak dhembje zemra le ta ketë”

– kujtimit të Motrës –

Pa bie një mall më dredh në zemër,
Se paç një Motër që më iku,
Sa zë me të e luaj në ëndërr,
Më zë një vesë, laget qerpiku.

Si në një lojë me mbyllje sysh,
Diku u fsheh dhe me s’u gjet…
Oh, sa herë shoh shoqet e saj
Një dhembje çan si thikë e mprehtë.

Më mori malli, Motër xhani,
Ti ç’bën akoma, eja pak,
Të shoh se si çel mani,
Se si qershia u përflak.

Të shkojmë atje mes malesh tutje,
Ku ti më thoshje se është deti,
Ku është një peshk i madh, i kuq,
Sa një pallat i madh qyteti.

Ç’e doje detin aq shumë, Motër,
Ç’ia kishe kaltërsinë në sy,
Dhe unë sa herë tek deti shkoj
Pak det me vete marr për ty.

Po ti më ike, shoqe e bukur,
Moj leshraverdha, dritë e hënës,
Ti jetëshkurtra sa një flutur,
U bëre rrudhë në ballë të nënës.

Ka zënë kjo dhembja të më meket, –
Tretet, shuhet… po a ka fund,
Se malli ende trazon degët,
Si bli i gjelbër degët tund.

Po ndoshta unë vetë nuk dua…
Pak dhembje zemra le ta ketë,
Se pa atë, Motër moj,
Ç’do ishim vallë në këtë jetë?! /bota.al/ KultPlus.com

Fotografi Burim Myftiu hap ekspozitën “Kujtesa” në Fier

Fotografi shqiptaro amerikan Burim Myftiu sjell tmerret e luftës në dimensionin artistik.

Në ekspozitën e artistit të lindur në Prizren vijnë portrete njerëzish të panjohur që përpiqen të mbulojnë dhe të fshehin gjendjen e tyre shpirtërore, kujtimet dhe tmerret e së kaluarës.

Arti i Myftiut përcjell ankthin e luftës, një sfidë kjo për çdo artist që zgjedh ta pasqyrojë. Ekspozita “Kujtesa” është hapur në Fier për t’u zhvendosur më vonë në Maqedoninë e Veriut. / KultPlus.com

Johnny Depp: Asnjëherë në jetë nuk kam përdorur dhunë ndaj grave

Ylli hollywoodian, Johnny Depp, insiston se kurrë në jetë nuk e ka goditur një grua.

58-vjeçari i famshëm po e padit ish-gruan, Amber Heard, duke kërkuar 50 milionë dollarë dëmshpërblim për shpifje ndaj tij, pasi aktorja e kishte shkruar një artikull për gazetën “The Washington Post”, ku e përshkruante veten si viktimë të dhunës familjare. Megjithëkëtë, aktorja 35-vjeçare nuk e kishte emëruar yllin e filmit “Dark Shadow” në këtë shkrim, prandaj ajo ka vendosur ta kundërpaditë Deppin duke kërkuar 100 milionë dollarë dëmshpërblim, raportoi të mërkurën portali “Female”.

Ylli i filmave “Pirates of the Caribbean” dha dëshmi në gjykatë të martën (19 prill), për ta mbrojtur veten nga akuzat për përdorim të dhunës fizike ndaj Heardit.

Depp i hodhi poshtë deklaratat e ish-gruas së tij duke i quajtur ato “të neveritshme dhe shqetësuese”, dhe insistoi se ato nuk bazohen në fakte të vërteta.

Teksa e pranoi se çifti kishte diskutuar shpesh gjatë martesës një vjeçare, Depp tha: “Unë kurrë nuk e kam goditur zonjën Heard dhe nuk e kam lënduar në atë mënyrë. Asnjëherë në jetë nuk kam përdorur dhunë ndaj grave”.

Aktori i filmit “Fantastic Beasts and Where to Find Them”, tutje deklaroi se akuzat e Heardit në njëfarë mënyre janë përhapur në industrinë e filmit, prandaj dëshironte që me çdo kusht të dëshmonte në gjykatë për ta mbrojtur veten për hir të dy fëmijëve, Lily-Rose dhe Jack, të cilët i ka me ish-partneren Vanessa Paradis.

“Ndihem përgjegjës për ta pastruar emrin tim dhe të fëmijëve, nga këto spekulime të tmerrshme të cilat i kanë lexuar për babanë e tyre. Synimi im është që e vërteta të dalë në shesh, sepse më vret fakti që njerëzit të cilët i kam takuar ndër vite, tani mund të mendojnë se kam qenë person jo i vërtetë dhe i kam gënjyer ata”, deklaroi aktori në gjykatë.

Tutje ai diskutoi për ndikimin që këto akuza të rënda kanë pasur në karrierën e tij hollywoodiane.

“Është shumë e çuditshme kur në njëfarë forme konsiderohesh një hirushe, dhe pastaj brenda vetëm një sekonde shndërrohesh në personazhin e ligë të përrallave. Unë nuk e meritoja këtë. Unë krenohem me ndershmërinë dhe faktin se jam person i drejtë. E vërteta është gjëja e vetme që më intereson sepse gënjeshtrat nuk t’i hapin rrugët në jetë. Unë jam i fiksuar pas të vërtetës”.

Gjatë dëshmisë së tij, Johnny Depp, e përshkroi martesën me Amber Heardin si jo të zakonshme për të, duke thënë se aktorja ishte person problematik me shumë rregulla strikte të cilat ai nuk guxonte t’i shkelë, sepse në të kundërtën reagimet e saj ishin të ashpra./koha.net/ KultPlus.com