‘Teksa të shoh populli im, ndiej krupë, ma ke zhvatur shpresën dhe më ke lënë fillikat me politikën’

Poezi nga Margaret Atwood

E di që do t’jua kish ënda një zot

që zbret t’ju ushqejë

e t’ju ndëshkojë. Ajo pallto

varur mbi shkopinj s’merr frymë

                        nuk ka engjëj gjëkundi

veç engjëjve të urisë,

grabitqarë dhe të butë si gurmazet

                         Teksa të shoh

populli im, ndiej krupë,

ma ke zhvatur shpresën

dhe më ke lënë fillikat me politikën…

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

“The Voice Australia” rikthehet me sezonin e ri, Rita Ora pjesë e jurisë

Për të gjithë adhuruesit e emisioneve muzikore, “The Voice Australia” rikthehet me sezonin e ri.

Qytetarë të talentuar nga pjesë të ndryshme të vendit, fusha të ndryshme të jetës e mosha të ndryshme, dolën në skenë për të kënduar me zemër në përpjekje për t’u zgjedhur nga ndonjëri prej anëtarëve të jurisë, që t’i drejtojë ata në këtë shou garues të njohur anembanë botës.

Edhe këtë vit, katërshja e mentorëve të “The Voice” përbëhet nga yjet e muzikës, Rita Ora, Keith Urban, Guy Sebastian dhe Jess Mauboy, raportoi të martën portali “7News”. 

Ata e bënë hapjen e emisionit me një performancë të shkëlqyeshme ‘live’, të këngës, “High Hopes”, për t’ia liruar më pas skenën konkurrentëve, disa prej së cilëve tashmë kanë pak eksperiencë si performues derisa të tjerët janë talent i pastër natyral.

“The Voice Australia” transmetohet çdo javë. Fillimisht është duke u shfaqur faza e parë e konkurrimit e njohur si “Blind Auditions”, për të vazhduar tutje me fazat tjera të përzgjedhjes së pjesëmarrësve deri në netët e performancave ‘live’.

Gjasat që këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Rita Ora, ta fitojë këtë sezon janë të mëdha, marrë parasysh se ajo është një prej anëtareve më të pëlqyera nga konkurrentët.

Aromë molle

Shkruan: Xhabir Tabaku

Kur isha fëmijë, i kam pas kaluar një pjesë të mirë të pushimeve verore e dimnore në krahinën e Matit. Kryesisht në nji katund me emnin Pleshë, në Guri Bardhë dhe Klos. Kishim shumë miq atje. Ishin miqt e babës. Baba ka pas punue në Mat për gjashtë vite rresht pothuaj. Ka qenë mësues në Burrel, Klos e Guri Bardhë. Baba banonte atje dhe e vizitonte shtëpine një herë në gjashtë muaj. Atje ai s’kishte shtëpi, banonte në shtëpinë e Ymer Efendi Hoxhës. Ata kurrë s’i morën qira babës, je djali jonë i thonin. Kishte miq krejt fshatin por shtëpitë ku ndjehej si në shpinë e tij përveç Hoxhejve ishin shtëpia e Kaçelit, Baletës, Laskut, Musa Karajt, Dezhgiut etj. Akoma sot mbajmë lidhje familjarisht me të gjithë. Kurse unë e motra dhe vëllau, ndjeheshim ma mirë në Pleshë e Klos. Në Pleshë miqtë tanë ishin Balejt, në Klos familja Laçi. Bedriu i biri i Ismailit ishte shoku im si vëlla. Sadiku, i zoti i shpisë i ka pas bâ babës tim vend në një nga odat e kullës, ku flinin krejt familja e tij. Pra si bir të vetin. Ma vonë edhe baba si mirënjohës i mirë që ka qenë mundohej me sa mundte me iu gjend prane bijve e bijave të tyre që vinin me studime në Shkodër. Dihet arsimdashja e matjanëve. Vetëm në Mat kam pa biblioteka në pothuaj çdo shpi të miqve në fshat. E veçantë ishte ke Baleta (shpia e të mirënjohurit Abdi Baleta, baba i ka dhanë mësim dhe e donte shumë), ke Tahir e Selman Hoxha muret dyshem e tavan mbushë sergjenët me libra. Ke Hazizi i Balejve etj. Ke shpija e Balejve në Pleshë pra dhe te shpia e Ismail Laçit në Klos rehatoheshim për pushime ne femijët, sidomos unë. Mama e Izetit (kështu e thirrnin gruan e shpise te Balejt), ishte shpirt njeriu. Zojë e pakrahasueshme. Na donte ne fëmijëve e sidomos mua më llastonte si s’ka ma. Na bënte banjë në mes t’oborrit me ujë kroi, finjë kazani mes avllisë. Mbrëmjeve na lante kambët me duart e saj në një legen bakri të kallaisur.

Më kujtohet si tash kur vinin ca grekër nga jugu dhe kallaisnin enët prej bakri të krejt katundit. Thërrisnin t’madhe: – kallaisi bakri! kallaisi bakri! Jorgo e i vëllai ishin mjeshtra për ketë punen e kallajit.
Kur na shtronte me fjetë Shemja, (mama e Izetit) na puthte krenat ne fëmijëve dhe shtrihej poshtë këmbëve tona derisa na shihte fjetë. Më vjen në hundë akoma sot aroma e mollës që u vinte çarçafëve të bardhë si biluri. Shemja kujdesej për ketë, fuste mollë në turrën me jorganë e çarçafa.

Sigurisht që ditët kulmore kanë qenë përveç vajtjeve ne shé (përrua), dhe lodrimi hurdhave me shokë e shoqe edhe vajtjet ne qytetin e Burrelit. Burreli asht qytet i vogël dhe shtrihet në një rrafsh me rrugë të drejta. Më bante përshtypje që atje ndryshe nga likustrat e blijt që kishim ne në Shkodër, ata e kishin hijeshuar bulevardin e tyre me pemë molle. Mbanin duke u thyer degësh mollat e Burrelit, dhe lëshonin aromë të kandshme. Edhe fakti që askush s’i prekte me dorë ma tërhiqte vemëndjen. Çuditesha si ishin aq të mirë e të ndershëm matjanët.

***

Mbas një mungese të madhe, vjet shkova për vizitë në Mat. Mbajta frymën në Pleshë ke Bala. Aty na prisnin Hazizi me zojen e tij Naimen, Aliu, Isufi e Izeti me zojat e tyre. Nuk ishin fëmijët. Kanë emigruar në Angli, na thanë disi të pikëlluar. Hangrëm drekë. E kush shtron bukë ma bukur se matjanët! Në Klos shkuam bri lumit ke rrapi në një restorant-kafé të dorës së parë, e në Guri Bardhë as u ngjitëm fare. Është boshatisur fshati na thanë. Do do në Tiranë e Durrës e do tjerë jashtë shteti. Mbasdite u shtrimë ndër petka me pushue pak. Nuk u vinte era mollë mâ. Shemja kishte ndërrue jetë, tradita ishte këputur. Në kthim për Shkodër ndaluam në Burrel. Gjithçka kishte ndryshue. Nuk kisha derë me trokit mâ. Të gjithë miqt e babës kishin ndërrue jetë. Mollat i kishin prerë. As aty nuk kishte ma aromen e dikurshme. Tek zbrisnim rrafshnaltës poshtë për kah Shkodra, ma pat qejfi të mbyllja sytë si në të dremitur e si në andërr bashkë. Pashë veten me babën dorëpërdore duke këputun rrugën Klos-Guri Bardh për shkurt nga qaf shkoza tek më tregonte për kohët e shkuara atje. I fola Raufit, djalit të hallës që po grahte makinën në kthim, të më zgjonte kur të mbërrinim te ura e Zogut. Nga ana e Mirditës e urës më kujtohet ka pas qenë një klub. Aty ndalnim me babën dhe më blente gjithçka doja vetë. Baba e merrte ngadalë me Jakun. Jaku ishte banakjer aty për tri dekada. Baba e kishte mik. Me siguri edhe Jaku do ketë vdekur, mendova, e më ra mall. / KultPlus.com

Me autor Shpëtim Selmani dhe regjinë e Zana Hoxhës, së shpejti premiera e shfaqjes “Çimka”

Më 1 Maj në ambientet e Muzeut të Pergjimeve të Sigurimit të Shtetit “SHTËPIA E GJETHEVE” do të shfaqet premiera e shfaqjes “ÇIMKA”, një krijim unik dhe bashkëproduksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Tiranë dhe Qendrës për Art dhe komunitet – Artpolis, me autor Shpëtim Selmani dhe regjinë e Zana Hoxha, përcjell KultPlus.

“Çimka” është një shfaqje që hedh dritë mbi dy botë paralele të përgjimit të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, gjatë periudhës komuniste në Shqipëri dhe asaj të regjimit jugosllav në Kosovë. E bazuar në personalitete historike sikurse disidentja Musine Kokalari dhe rapsodi Dervish Shaqa si dhe në fiksion, “ÇIMKA” dekonstrukton kontrollin e ideologjive të caktuara politike mbi vullnetin e lirë të njeriut, si e drejtë e patjetërsueshme e tij/saj.

E konceptuar nga regjisorja Zana Hoxha më shumë si një eksperiencë e cila buron nga vet “SHTËPIA E GJETHEVE”, personazhet dhe skenat e krijuara përmes një qasjeje eksperiementale synojnë që të nxisin emocione, reflektim dhe edukim të përbashkët për këtë periudhë të errët të viteve 1960.

Kjo shfaqje si rrallëherë bën bashkë një kastë impresive të artistëve nga Shqipëria dhe Kosova, dhe është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor.

Aktorë: Lulzim Zeqja, Loredana Gjeçi, Myzafer Zifla, Xhulia Musagalliu, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Urim Aliaj dhe Altea Dulellari.

Kompozitor: Liburn Jupolli

Skenografia dhe Kostumet: Youliana Voykova – Najman

Asistentë regjie: Greta Baci & Kevin Rrapaj / KultPlus.com

Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi nderohen me çmimin “Ditët e Shqipes” për kontributin e dhënë për shtetin e Kosovës

Trajneri dhe sportistja më e mirë në histori të Kosovës janë shpërblyer sot me çmimin “Ditët e Shqipes”.

Ky nder iu bë atyre në ditën e veteranëve të betejës së Koshares, ku u vlerësua lartë sakrifica e madhe e dëshmorëve në betejën e Koshares.

Organizimi u bë nën patronatin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ish-brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Kuka dhe Kelmendi u vlerësuan lartë për punën dhe përkushtimin e madh në sport, i cili i solli rezultate kulminante Kosovës

Atyre, çmimin ua ndau Rrustem Berisha, ish-komandant i kësaj brigade.

Me këtë rast, Kuka u shpreh i nderuar me çmimin e marrë.

Trajneri pejan shtoi se ai dhe garuesit e tjerë po e ndjekin rrugën e luftëtarëve.

Ndërsa, Majlinda Kelmendi tha se ndihet krenare që e ka ngritur lart flamurin shtetëror të Kosovës.

Ajo ndihet me fat dhe e nderuar që e pati mundësinë t’ia tregojë botës vlerat që i ka vendi i saj.

Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi ia kanë sjell Kosovës sukseset më të mëdha në sport, duke fituar medalje të artë olimpike. / KultPlus.com

Kanadaja vendos sanksione ndaj vajzave të Putinit

Kanadaja i është bashkuar Britanisë së Madhe, BE-së dhe SHBA-së në vendosjen e sanksioneve ndaj dy vajzave të rritura të Vladimir Putinit.

Katerina Vladimirovna Tikhonova dhe Maria Vladimirovna Vorontsova, që besohet se fshehin pasurinë e babait të tyre, janë midis 14 individëve të sanksioneve kundër Rusisë të sapo shpallura nga qeveria kanadeze./abcnews.al/ KultPlus.com

Lord Bajroni në letrën dërguar nënës: I dua shqiptarët shumë, janë të ashpër, por janë raca më e bukur në botë

Poeti romantik anglez, Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey. Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë.

Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.

Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.

Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Të gjithë shqiptaret janë të lindur të ndershëm dhe besnik, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”

Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare. / KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëton në SHBA, ftohet të marrë pjesë në varrimin e Sekretares Albright

Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë, ka vdekur në moshën 84 vjeçare më 24 mars të këtij viti, shkruan KultPlus.

Vdekja e saj u konfirmua në një email drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga Albright. Ndërkaq, në fillim të javës që vjen do të bëhet edhe varrimi i Sekretares Albright ku e pranishme do të jetë edhe Presidentja Vjosa Osmani.

Lajmin për KultPlus e bëri të ditur këshilltari për media, Bekim Kupina, i cili thotë se Presidentja Osmani do të marrë pjesë me ftesë të familjes Albright.

“Presidentja Osmani do të udhëtoj për SHBA në fillim të javës që vjen për të marrë pjesë në varrim të Sekretares Albright, me ftesë të familjes Albright, si dhe për disa takime të tjera”, ka thënë Kupina për KultPlus.

Madeleine Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasadore e SHBA-se në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më e lartë e vendit në mandatin e saj të dytë.

Albright konsiderohet si një mike e madhe e Kosovës dhe kontributi i saj ishte i madh, sidomos gjatë kohës së luftës. / KultPlus.com

“Jeta e Re”, publikohet numri i parë i revistës letrare për këtë vit

Posa ka dalë në qarkullim numri i parë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”.

Revista hapet me rubrikën ‘Dëshmi’, në të cilën autorja agjentinase Silvina Okampo vjen me shkrimin “Shëmbëlltyra e Borges-it”.

Ndërkaq, si shenjë kujtimi e nderimi për shkrimtarin e mirënjohur Luan Starova që vdiq sivjet, te rubrika e prozës botohen pjesë të përzgjedhura nga romanet e tij “Librat e babait” dhe “Koha e dhive”, për të vazhduar me tregimet “Kopshtari” të Eqrem Bashës, “Pak para se të binte errësira” dhe “Një letër pa paralajmërim” të Ndue Ukajt, “Në kthetrat e krimit” të Andres Caicedo-s, “Ikanaku” të Cessare Pavese, “Pata ime e parë” të Issac Babel-it dhe “Selvia” të Krono Llokotar-it.

Në rubrikën e poezisë me nga një cikël poezish janë prezantuar Muhamed Kërveshi, Bardhyl Londo, Jonuz Fetahaj, Ermira Vrella, Juan Ramon Jimenez, Cesar Vallejo, Alberto Bertoni dhe Durs Grunbein.

Ndërkaq, te kritika janë paraqitur tekste të autorëve të njohur, si “Origjina dhe interpretimi figural” (vazhdimi i tretë dhe i fundit) i Erich Aurebach-ut, “Zëri dhe koha” i John Brenkman-it, “Sarkazma dhe kremtimi” i Michel Tourner-it, “Zhanret mbretërore” i Irineusz Opacki-t, “Fëmija sarkastik” i Durs Grunbein-it, “Shpirti shqiptar në petkun e tjetrit” i Fatmir Sulejmanit, “Poetika e ninullave” i Arsim Canollit dhe “Desindentizmi kompozicional konician në tregime dhe ese” i Alba Gegës.

Përkthyesit që kontribuan në këtë numër janë: Alket Çani, Arben Idrizi, Erion Karabolli, Feride Papleka, Alfred Beka, Arta Hallaçi, Ilir Breca, Qerim Ondozi dhe Valon Veliqi. / KultPlus.com

Reagon Adriana Matoshi: Askush nuk ka mundësi të vendosë qysh unë vishem në Kuvend


Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, ditën e sotme mori vëmendje të madhe me paraqitjen e saj në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.

Ajo u komentua mjaft shumë për dukjen e veçantë, në një triko të gjerë, fustan interesant e atlete të bardha.

Kjo ka bërë që të ketë reagime të shumta, e madje për këtë veshje mori edhe kritika e ofendime në rrjete sociale.

Lidhur me këtë, aktorja nga Gjilani ka bërë një reagim në rrjetin social Facebook duke thënë që veshja nuk e bën as deputete më të mirë, e as më të keqe.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:

Për miqtë gazetarë, që po kërkojnë prononcim për veshjen time në Kuvend!

Sinqerisht, më me dëshirë kisha marrë pyetje për sukseset e kësaj qeverie, për rikthimin e shkëlqimit të skenës kulturore etj.

Por, unë nuk kam as mundësi që të zgjedh pyetjet, njëjtë siç askush nuk ka mundësi të vendosë qysh unë vishem në Kuvend.

Veshjet e mia gjithmonë janë artistike, pasi unë, mbi të gjitha, jam artiste, dhe ashtu do të mbetet përjetësisht!

Shijet janë relative, por edhe individuale. Veshja nuk më bën as deputete të keqe, as të mirë. Unë po e luaj riolin tim si deputete, për çfarë jam votuar. Kjo ka rëndësi!

Por, edhe një gjë e kam pritur: më shumë mbështetje nga gazetaret.

Jam shumë e lumtur që jetoj në një kohë kur gratë në të gjithë botën e mbeshtesin fuqishëm njëra – tjetrën, në çdo rrethanë, në çdo situatë.

Gratë e Kosovës, pa përjashtim, duhet që sa më parë ta kuptojnë këtë trend të rëndësishëm dhe kaq të nevojshëm për njerëzmim dhe të bëhen pjesë e forcimit të gruas.

Ndërsa për ata që ofendojnë, tashmë jam rexhur! / KultPlus.com

Kur ne të dy u ndamë

Poezi nga Xhorxh Bajron

Kur ne të dy u ndamë
Në heshtje dhe lotë
Zemërthyer vitet
Vallë i kaloj dot

E ftohtë faqe e zbehtë
Akull puthje e mjerë
Orë e ligë kish parë
Zi kish parandjerë

Kjo vesë e mëngjesit
Vetullën palcë me ngriu
Oh ç’haber i zi
Vajtoj unë i ziu

Betimet u shkelën
Fjalët nuk m’i mbajte
Kur të dëgjoj emrin
Vetes i them ç’pate

Emri yt përfolur
Si këmbanë në veshë
Pse me le e dashur
Vallë ku do të jeshë

Në fshehtësi u takuam
Në heshtje mbaj zi
Shpirti s’më mashtron
Zemra s’të harron ty?

Vite do kalojnë
Vallë do shihemi si sot
Në vend të përshëndetjes
Heshtje, dhimbje e lotë

Përktheu: Servet Bytyçi / KultPlus.com

Parku Arkeologjik “Ulpiana”, përfitues i projektit të financuar nga fondi i BE-së dhe MKRS-së

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, zëvendësministrja Daulina Osmani së bashku me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, Ambasadorë, përfaqësues të OSBE dhe përfaqësues të UNDP, vizituan Parkun Arkeologjik “Ulpiana”.

Ky Park Arkeologjik është përfitues i projektit “Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Iustiniana Secunda” i financuar nga fondi i BE-së ndërsa bashkë financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në kuadër të tij do të zbatohen kompletimi i incizimit gjeofizik dhe dokumentimi i të gjitha gjetjeve dhe strukturave mbi tokë, gërmimet arkeologjike në dy sektorë, të cilat pritet të zgjerojnë parkun arkeologjik, themelimin e qendrës së hulumtimit dhe furnizimin me pajisje moderne si dhe trajnimet për arkeologji në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Gjatë kësaj vizite në teren u fol për rëndësinë që ka për të ardhmen angazhimi dhe puna në mbrojtje të trashëgimisë kulturore. / KultPlus.com

Unikkatili: Është koha që Gegnishtja të kthehet si gjuhë standarde në veri të trojeve shqiptare

Reperi shqiptar, Viktor Paloka i njohur me nofkën Unikkatil, ka thënë se dallimet mes dialekteve të gjuhës shqipe toskë e gegë janë substanciale dhe e ka quajtur kriminale nëse lejohet që njëri dialekt të zhduket shkaku i dialektit tjetër. Ai ka kërkuar që gegnishtja të kthehet si gjuhë standarde në rajonet veriore.

“Dallimet mes Shqipes Gheg (Arbënishtes/Arbanishtes) e Shqipes Tosk (Arbërishtes) jòn substanciale e ôsht kriminale me e lejú njonën me u zhdukë sherri i tjetrës, sepse të dyjat jòn barabar të bukura”, ka shkruar ai.

Paloka ka thënë se është poashtu kriminale që t’i thuhet një fëmije të veriut se nuk e di gjuhën shqipe vetëm se nuk e njeh dialektin toskë.

“Ôsht kriminale edhe me i thônë nji fëmije të veriut: “ti nuk e njeh Shqipen” nëse ata thjeshtë nuk e njohin dialektin Tosk (standardin e imponúm për arsye vetjake) e padrejtësisht me krijú kompleks inferioriteti në mendjen e tyne. Fëmija verior shkollën fillore e kanë ferr sepse torturohen kur mësojnë landët në nji dialekt totalisht ndrýshe nga ai që e folin e që me vështirësí e kuptojnë”, ka shkruar Paloka.

Tutje, reperi ka thënë se është koha që dialekti gegë të rikthehet si gjuhë standarde në veri.

“Ka ardhë koha që Shqipja Gheg, me u kthý si gjuhë standarde në veri të trojeve tona e Toskëríshtja, le të mbetë standarde në jug. Mbetet evidente që kjo ôsht e pashmangshme e nuk kena kah me i ikë përndryshe kemi me pagú çmim të naltë me dômtim të matejshëm të fëmijëve tonë”, ka thënë ai. / KultPlus.com

Ministri Mehaj: Gjenerali Clark mbetet udhërrëfyesi ynë më i qartë në procesin e zhvillimit

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka falënderuar Gjeneralin Wesley Clark, këshillat e së cilit u konsideruan tejet të rëndësishme në rrugëtimin drejt realizimit të synimeve strategjike, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, ministri Mehaj ka treguar se përveç temave në kontinuitet, ata diskutuan edhe për zhvillimet në kontekstin e ri gjeopolitik dhe ndikimin në mjedisin e sigurisë në rajonin tonë.

KultPlus më poshtë ua sjell postimin e tij të plotë:

Këshillat e Gjeneral Clark janë tejet të rëndësishme në rrugëtimin tonë drejtë realizimit të synimeve tona strategjike.
Sot pata kënaqësinë të pres në takim Heroin tonë, Gjeneralin Wesley Clark, me të cilin, përveç temave në kontinuitet, diskutuam edhe për zhvillimet në kontekstin e ri gjeopolitik dhe ndikimin në mjedisin e sigurisë në rajonin tonë.
Gjeneral Clark, përveç personalitetit të tij madhështor në mendjet dhe zemrat tona, mbetet udhërrëfyesi ynë më i qartë në procesin e zhvillimit dhe realizimit të synimeve tona strategjike.
Falënderim dhe mirënjohje e përjetshme Heroi ynë, Gjeneral Clark! / KultPlus.com

‘Në një vijë me Visar Kryeziun’, nesër hapet ekspozita në KultPlus Caffe Gallery

Visar Kryeziu i cili së fundi është bërë shumë i njohur me portretet me një vijë, do të prezantohet me ekspozitë personale në KultPlus Caffe Gallery.

Kjo ekspozitë përfshin portretet e figurave më të rëndësishme të kulturës e historisë shqiptare, duke përfshirë: Mbretëreshën Teutë, Gjergj Kastriotin, Pjetër Bogdanin, Gjergj Fishtën, Pandeli Sotirin, Shote Galicën, Nënë Terezën, Marie Shllakun, Adem Jasharin, Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e Anton Çettën, portrete këto që do të prezantohen me një vijë në kornizë, por edhe portrete në një vijë të realizuara në tel.

Ekspozita do të hapet nesër duke filluar nga ora 20:00.

Të gjitha punimet që do të paraqiten në këtë ekspozitë do të jenë në shitje. Ndërkaq, kjo ngjarje është organizuar nga KultPlus më mbështetje nga MKRS. / KultPlus.com

Elon Musk: Gati çdokush mund të kursejë 100 mijë dollarë për të shkuar në Mars

Elon Musk, zyrtarisht njeriu më i pasur në botë, po komentohet për deklaratat që ai i dha gjatë një paraqitje të tij në “TED Talk”.

Musk, ndër të tjera ka thënë se “gati gjithkush” mund t’i kursejë deri në 100 mijë euro, shkruajnë mediat britanike.

Pronari i “Tesla”-s ka folur për biletat për në Mars me raketat “Space X”, sipas të cilit, ato do të ishin të përballueshme për gati çdokënd.

“Nëse shkuarja në Mars do të kushtonte, ta zëmë, 100,000 dollarë, atëherë mendoj se çdokush do të mund të punonte dhe të kursente 100 mijë dollarë dhe do të mund të shkonte në Mars, nëse do”, ka thënë ai.

Musk thotë se dëshiron që ta bëjë të mundur që të shkojë Mars kushdo që do.

Një deklaratë tjetër e Musk që bëri bujë është pohimi i tij se nuk ka një shtëpi të tij dhe se ndonjëherë fle nëpër shtëpi të miqve të tij. / KultPlus.com

Bajroni dhe historia e byrekut nga Lunxhëria

Gatimet tradicionale që bëjnë banorët e Lunxhërisë kanë vjedhur zemra e turistëve ndër vite. Në mesin e të pasionuarve pas ushqimeve tradicionale ka qenë edhe shkrimtari Xhorxh Gordon Bajroni.

Kur Bajroni kaloi nëpër Lunxhëri dhe qëndroi në Labovë të Kryqit, Qestorat e gjetkë, në mes të ushqimeve të tjera, patjetër që i bënë edhe byrekun lunxhiot, me lakra, me cerepulicë brenda, erëza e çfarë jo tjetër.

Aq i shijoi byreku sa ai ka shkruar në kujtimet e tij, se e pyeti të zonjën e shtëpisë me se e kishte bërë byrekun kaq të shijshëm dhe i mbajti shënim gjithë përbërëse të tij.

Kur mbërriti në Londër, i thotë së ëmës t’i gatuante një të tillë me ç’kishte shkruar në listë, shkruan trahana-lunxheria.com.

Kur Bajroni provoi ta hante atë, u tha: “Faleminderit, por s’është si ai byreku që hëngra në Lunxhëri…”.

Parku Arkeologjik Kombëtar i Antigonesë është ndalesa kryesore e pothuajse çdo turisti që viziton Gjirokastrën, ndërsa fshatrat e Lunxhërisë kanë nisur të zhvillojnë turizmin malor, duke ofruar vizitorëve pasuritë natyrore të zonës.

Kërkesa e turistëve të huaj për të provuar gatimet tradicionale ka bërë që banorët e Lunxhërisë të shohin turizmin malor si një nga mënyrat, me të cilat mund të bëjnë biznes me produktet e tyre origjinale.

Gatimet vendëse ku kryesojnë bulmeti, mjalti i luleve dhe gatimet me saç, i joshin akoma turistët e huaj.

“Turistët preferojnë sidomos byrekun me lakra të pjekur në saç dhe mjaltin, i cili është artizanal dhe traditë e kësaj zone. Në dimër duan më shumë kulaçin e ngrohtë me djathë, por edhe petullat me mjaltë i pëlqejnë. U duken më të shijshme gatimet tona dhe të tilla janë sepse ne bëjmë çdo gjë vetë”, tregon 68 vjeçarja, Elisaveta Premti për gsh.al.

Krahina e Lunxhërisë është një trevë etnografike, me kostumet e veçanta të saj, e cila shtrihet përgjatë malit të Lunxhit përballë Gjirokastrës. /KultPlus.com

‘Qëllimi i pushtetit është pushteti’

Nga: George Orwell (pjesë nga vepra “1984”)
Përktheu: Çelo Hoxha

… Tani do të të sqaroj pyetjen time, përgjigjja e së cilës është: Partia e kërkon pushtetin vetëm për qëllimet e saj. Nuk na intereson mirëqenia e të tjerëve, ne jemi të interesuar vetëm për pushtetin.

S’bëhet fjalë për pasuri, luks, jetëgjatësi apo lumturi, por vetëm pushtet, pushtet i kulluar. Se çfarë nënkuptohet me pushtet të kulluar do ta kuptosh tani.

Ndryshimi mes nesh dhe oligarkive të së shkuarës qëndron në faktin që ne jemi të vetëdijshëm për atë që bëjmë. Gjithë të tjerët, bile edhe ata të ngjashëm me ne, qenë frikacakë dhe hipokritë. Nazistët gjermanë dhe komunistët rusë përdorën gati të njëjtat metoda me ne, por ata nuk e patën kurrë kurajon që t’i bënin të njohura motivet e tyre. Ata pretendonin, e ndoshta e besuan, që e kishin marrë pushtetin pa dëshirë dhe vetëm për një afat kohor të shkurtër dhe pas kthesës më të afërt shtrihej parajsa ku njerëzit do të ishin të lumtur dhe të barabartë. Ndërsa ne nuk jemi si ata. Ne e dimë që askush nuk e merr pushtetin me qëllim që të heqë dorë prej tij.

Pushteti nuk është mënyrë, por fund. Njeriu nuk vendos diktaturën të mbrojë revolucionin, por bën revolucionin që të vendosë diktaturën. Qëllimi i persekutimit është persekutimi. Qëllimi i torturës është tortura. Qëllimi i pushtetit është pushteti. Fillove të kuptosh ndonjë gjë? / KultPlus.com

Restaurimi i Kalasë së Bashtovës, aset i trashëgimisë kulturore

Kalaja e Bashtovës është një prej xhevahireve të trashëgimisë kulturore shqiptare që do t’i nënshtrohet restaurimit të plotë.

Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë, bën të ditur se, falë programit EU4Culture, financuar nga BE dhe implementuar nga UNOPS, Kalaja e Bashtovës do të restaurohet sipas teknikave më bashkëkohore, duke ruajtur të veçantën dhe historiken e saj.

Kalaja e Bashtovës është një nga më të bukurat në Shqipëri dhe restaurimi synon të rijetësojë atë e ta kthejë në një qendër tërheqëse për vizitorët.

E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521.

Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve për shkëmbime tregtare. Zona e Bashtovës është përmendur si një port lumor në Shkumbin si dhe një qendër e eksportit të drithërave. Kalaja ka trajtë katërkëndore me përmasa 60×90 metra. Pjesa perëndimore e saj është rindërtuar në shekullin XVIII. Muret e saj kanë një lartësi prej 9 metrash.

Mendohet se kjo kala ka qenë dykatëshe, ku një kat i saj është i fundosur nën sipërfaqen e tokës. Ajo që e bën Bashtovën të veçantë në krahasim me kështjellat e tjera që mund të vizitohen në Shqipëri është fakti se ajo është e vetmja kështjellë e ndërtuar në një fushë dhe jo në majë të kodrave apo maleve./ atsh / KultPlus.com

Ministrja Nagavci: I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët

Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) mbajtën sot protestë me moton “S’po shkohet n’shkollë”.

Përmes kësaj protesë në të gjitha qytetet e Kosovës, KNK synon të fuqizojë zërin e të gjithë nxënësve të shkollave të mesme të Republikës së Kosovës duke e paraqitur realitetin shqetësues me të cilën nxënësit tonë ballafaqohen në baza ditore.

Cilësia e arsimit, përmbajtjet mësimore, sjelljet e profesorëve, infrastruktura e institucioneve shkollore si dhe fenomenet negative prezente me të cilat përballen nxënësit e shkollave, janë vetëm disa prej pikave të cilat i kanë shtyrë nxënësit të marrin një hap të tillë.

Menjëherë pas kësaj protestë ka reaguar edhe Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë.

Nagavci është shprehur e lumtur për aktivizmin e të rinjëve për përmirësimin e cilësisë në arsim. Sipas saj, angazhimi ditor në Ministrinë e Arsimit ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim.

Ky është reagimi i plotë i Nagavcit:

I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët,

Të dashur nxënës, mësimdhënës, prindër e qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ndajmë shqetësimin plotësisht legjitim të shprehur nga nxënësit për gjendjen në sistemin e arsimit! Prandaj, angazhimi ditor në Ministrinë tonë ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim.

MASHTI veçse ka dëshmuar, me një numër të madh takimesh e marrëveshjesh bashkëpunimi të nënshkruara, që është i hapur për bashkëbisedim e bashkëpunim me të gjitha palët me interes për ndërmarrjen e hapave konkret për ndryshimin e gjendjes në arsim.

Për një vit sa jemi në qeverisje kemi punuar në përmirësimin e infrastrukturën ligjore, kushteve në shkolla dhe procesit mësimor. Po ndajmë me juve disa nga vendimet dhe punët konkrete tona, që janë edhe në linjë me hulumtimin e prezantuar nga studentët:

• Rritja e buxhetit për arsim për 12%, për vitin 2022;

• Ndarja e 3,500.000€ për institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional për përmirësimin e praktikës profesionale dhe sigurimin aksidental të nxënësve gjatë punës praktike;

• Themelimi i pesë Qendra të Karrierës; tre të tjera janë në proces;

• Hartimi i PSAK 2022-2026 si dokument orientues për zhvillimin e arsimit në proces të finalizimit (që përfshin investime domethënëse në infrastrukturë, digjitalizim dhe në cilësinë e arsimit);

• Ndryshimi i formulës së financimit për arsimin parauniversitar duke mundësuar ri-organizimin e rrjetit të shkollave, duke ofruar kushte më cilësore për punë;

• Planifikimi që secila klasë në Kosovë të ketë së paku një kompjuter dhe projektor, brenda pesë vitesh;

• Mbështetja e më shumë se 3,000 mësimdhënësve në zhvillim profesional;

• Rishikimi i sistemit të vlerësimit të performancës, trajnimit dhe licencimit të mësimdhënësve, si dhe i organizimit të brendshëm të shkollës, me qëllim të sigurimit të mësimit cilësor në shkolla;

• Bashkëpunimi me të gjitha palët për shtimin e sigurisë në shkolla dhe krijimin e mjedist miqësor për të gjithë fëmijët;

• Ofrimi i mbështetjes për organizatat e shoqërisë civile që punojnë me fëmijë me talente të veçanta, me fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe me qendrat mësimore për fëmijët rom, ashkali dhe egjiptian;

• Vërja në fokus ndaj rritjes së besueshmërisë së testeve kombëtare, në mënyrë që të shtohet përgjegjësia dhe llogaridhënia në shkolla;

• Ndarja e mbi 3000 bursa për të rejat e të rinjtë tanë që studiojnë brenda dhe jashtë vendit;

• Nëshkrimi i marrëveshjeve me BE dhe anëtarësimi në HORIZON;

• Nënshkruami i programit ,,Fulbright” me Ambasadën Amerikane për hulumtime akademike;

• Ndarja e 30 mijë euro për projekte shkencore;

• 100 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta;

• 500 bursa për nxënës nga grupet e margjinalizuara;

• Funksionalizimi i Këshillit Kombëtar të Shkencës;

• Rifunksionalizimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Po përmirësojmë infrastrukturën fizike e ligjore. Rezultatet në arsim duhet dhe do të përmirësohen. Si ministre e pranoj seriozisht çdo shqetësim të nxënësve për cilësinë në arsim, për vendimet e tanishme të MASHTI-t, por edhe për simptomat që përjetojmë tani e që kanë burim një kohë e situatë tjetër.

Të ardhmen e sigurojmë me angazhim të përbashkët, me dije dhe arsim. / KultPlus.com

“50 vjet shoqe”, Alida Hisku publikon fotografinë e rrallë me Liljana Kondakçi dhe Ema Qazimin (FOTO)

Ato janë tre nga zërat më të bukur të muzikës shqiptare. Janë tre figura shumë të dashura për publikun shqiptar, të cilat në çdo shfaqje publike kanë padyshim vëmendjen maksimale.

Janë artiste të rralla, me një zë brilant dhe mund të themi pa u menduar dy herë se janë të papërsëritshme. E kemi fjalën për këngëtaret e njohura Alida Hiskun, Liljana Kondakiun dhe Ema Qazimin.

Së fundmi Alida Hisku, e cila prej vitesh jeton në Gjermani, është kthyer pas në kohë dhe ka publikuar një fotografi të para shumë viteve në rrjetin e saj social Instagram.

“50 vjet shoqe”, ka shkruar ajo përkrah postimit ku shihet me dy miket e saj Liljana Kondakiun dhe Ema Qazimin.

Epo ku ka më bukur se kur mes artisteve ka miqësi të vërtetë, e cila i ka rezistuar kohërave. / KultPlus.com

Në vitin 1910 botohej në gjuhën rumune revista “Glasul Albaniei”

“Glasul Albaniei’ (Zëri i Shqipërisë) ishte një revistë politike, letrare dhe shkencore në gjuhën rumune, drejtuar nga C. Podrescu, profesor rumun.

Kjo revistë botohej në Bukuresht dhe numri i parë doli në tetor 1910.

Faqja e parë hapet me foton e Heroit Kombëtarë, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe një shkrim historik për kontributin e Shqipërisë në luftën kundër perandorisë osmane.

Gjithashtu më tej shkruhet një profil i detajuar për figurën e Skënderbeut. Gjithashtu në revistë është përmendur edhe kontributi i Diasporës shqiptare në luftën kundër perandorisë Osmane.

“Rumunët dhe shqiptarët janë vëllezër gjaku” theksonte C. Predescu, profesor universitar dhe drejtor i revistës Glasul Albaniei (Zëri i Shqipërisë), që delte në Bukuresht më 1910. C. Predescu theksonte asokohe se fjala është për lidhje farefisnore, për “degë të të njëjtit trung”, për “një simpati permanente dhe kontinuitive”, si dhe për “afrimin e tyre në gjuhë dhe zakone, siç ka deklaruar shpeshherë filologu erudit Bogdan Petriceicu Hasdeu, se Shqiptarët janë Prindërit e Rumunëve (Albanezii suntPărinţii Românilor).

Rumania ka qenë gjithmonë (sidomos para blasfemisë komuniste), një vend tejet i lirë dhe tejet mikpritës, madje tejet tolerant ndaj komuniteteve tjera, duke i admiruar dhe konsideruar shqiptarët si bij shqipesh që e mbajnë fjalën e dhënë dhe besën e Zotit. Shqiptarët, shkruan C. Predescu, kanë të drejtën legjitime të gëzojnë këto liri nga ana e rumunëve, si pasojë e disa arsyeve të fuqishme, të njohura dhe të stabilizuara. /Diaspora Shqiptare / KultPlus.com 

Vdiq në moshën 87-vjeçare kompozitori britanik, Harrison Birtwistle

Kompozitori i mirënjohur Harrison Birtwistle ka vdekur në moshën 87-vjeçare, ka konfirmuar botuesi i tij.

Ai është ndoshta më i njohur për veprën orkestrale të vitit 1971 “Triumfi i kohës”, si dhe operat “Maska e Orfeut”, “Gawain” dhe “Minotauri”.

Botuesit Boosey & Hawkes dhe agjencia Rayfield Allied njoftuan me se ai vdiq në shtëpinë e tij në Mere, Wiltshire më 18 prill.

Shoqëria Mbretërore Filarmonike e quajti atë “një kolos të vërtetë muzikor”.

Muzika e tij është shfaqur në festivale të mëdha dhe seri koncertesh në Evropë, ShBA dhe Japoni, duke tërhequr dirigjentë ndërkombëtarë duke përfshirë Daniel Barenboim dhe Simon Rattle.

Në vitin 1975 ai ishte drejtor muzikor i Teatrit Kombëtar Mbretëror në Londër, ku qëndroi deri në vitin 1983.

Në vitin 2001 u shpall “Shoqërues i Nderit”.

Gruaja e Harrison, Sheila Duff, vdiq në vitin 2012 dhe ai la pas tre djemtë dhe gjashtë nipa. / KultPlus.com

Prani normale

Nga Ibrahim Berisha

Nën sipërfaqe është thellësia
E mbjetesës, nuk është e vogël
Tejmbushur peshë specifike
Rrënjë dhe degë

Mbi sipërfaqe është lartësia
E mbjetesës, nuk është e madhe
E tejmbushur peshë specifike
Shkumë dhe pështymë

Rrënjët dhe degët
Shkuma dhe pështyma
Dmth poshtë e lart jemi prani normale. / KultPlus.com