198 vjet pa Xhorxh Bajron, poeti që u këndoi traditave dhe zakoneve të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë

Sot, kujtojmë 198-vjetorin e vdekjes së Xhorxh Gordon Bajron (1788-1824). Poet romantik anglez.

Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey. Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë. Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.

Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.

Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aq të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”

Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare. / KultPlus.com

Bojken Lako: Më thirrën në ministri, duan të bëj koncerte në burg për të ndryshuar imazhin e burgjeve

Nga Ben Blushi

Dëgjova që Bojken Lako mund të shkojë në burg.

I çova një sms. Mu përgjigj pas dy ditësh. A mund te takohemi pas orës 11 paradite, më tha. Deri në atë orë punoj.

U takuam te Rruga e Ambasadave.

Ça bën, i thashë

Punoj në një televizion, tha. Zgjohem çdo ditë në ora 5 të mëngjesit.

Ça thua, i thashë, kur unë drejtoja një televizion askush nuk zgjohej në 5 të mëngjesit.

Epo varet ça televizioni ke punuar, tha Bojken.

Me ça shkon në punë kaq herët, i thashë

Lëre, tha, paguaj 200 mijë lekë taksi çdo muaj

Po pse nuk ke makinë?

E demolova, tha, e shkatërrova me qëllim

Si e demolove?

Piva shumë, tha, dhe doja të bëja një dëm. Për fat nuk vrava asnjeri

As veten, i thashë

Jo, tha, shpëtova me një dhëmb të thyer. Isha me 100 km në orë te rruga Myslym Shyri

Vetëm një herë jam dëmtuar në makinë dhe kjo ka ndodhur kur makina ishte e parkuar, thashë unë

Unë e kam për herë të dytë, tha Bojken. Herën e parë rashë në Lanë

Kishe marrë ndonjë gjë, e pyeta

Jo, tha. Askush nuk e beson që nuk marr asgjë që nga viti 2004

Po me makinën çu bë?

Atë e hodha. Kam një makinë të babait, Bujos, (Bujar Lakos), është një Suzuki e 1994. Me nja dy milion bëhet e re. Është komplet mekanike. E mbaj në garazh.

Pse do të fusnin në burg?

Kishin të drejtë, tha, po u sollën mirë

Si u sollën mirë duke të çuar në burg?

Kam marrë një magazinë me qira. Për koncerte. Aty bëheshin bukët për ushtrinë. Dritaret ishin mbyllur me tullë. Vendosëm ti hapnim për ajër. I ramë me vare. I prishëm.

Shumë mirë bëre, ça ndodhi pastaj

Na spiunuan komshinjtë. Ata do ndërtonin pas nesh dhe muri duhej të ishte kallkan. Pa dritare. Sipas kodit penal dënimi ishte nga 3 në 6 vjet burg. Ishte shtuar një nen i ri.

Paske shpëtuar mirë,

Po, tha, me shërbim prove, duhet të paraqitem.

U morën të gjithë me ty, a thua se kishe bërë ndonjë pallat pa leje,

Çe pyet, tha Bojken, më thirrën dhe në Ministri

Ça donin, i thashë

Duan të bëj koncerte në burg për të ndryshuar imazhin e burgjeve

Do të paguajnë, e pyeta

Se besoj, tha. Ku kanë lekë burgjet

Do shkosh?

Do shkoj, më vjen keq për ata aty brenda. Kam jetuar me një grua që tani është në burg

Po tani me kë jeton?

Që kur u ndava me Semin, jetoj me mamin

Pse u ndave, e pyeta, ajo ishte vajzë e mirë

E mirë ishte, po kishim diferencë. Ajo 26 unë 47

Si është të jetosh me mamin?

Shumë mirë, tha Bojken. Tani më shkruajnë shumë vajza në instagram

I takon?

Kur kam kohë,

Po flokët i lyen, e pyeta

I lyej, duhet të dukem pak më i ri. Pse ti nuk i lyen?

Skam kaq guxim sa ty,

Të shkojnë të thinjur, tha Bojken, mos i lyej

Dua të të bëj një fotografi, i thashë

Po, tha, patjetër. Edhe Bujo nga fundi bënte fotografi. Ça nuk sajonte. Me celular. Ti paske aparat. Sa fotografi ke?

Për katër muaj rreth 40 mijë.

Shumë, tha. Bashkë me mua dyzet mijë e një.

Mbase bëjmë më shumë se një shkrepje, i thashë.

Dolëm jashtë

Ja këtu, i thashë, po s’kemi shumë dritë

Unë nuk di të pozoj, tha

Ska lidhje, i thashë, kur një fotografi del keq fajin s’e ka ai që fotografohet, por ai që fotografon

Ja tregova.

Boo, tha, jam i fryrë. Nga alkooli

Në bardhë e zi nuk do dukesh, i thashë

Duhet te iki, tha Bojken. Do shkoj te magazina. Argonaut Art Factory. Është Berlin style.

A të vi dhe unë, e pyeta

Jo jo, një herë tjetër, sot do vijnë ca tipa që ke parasysh pinë pak. Janë këngëtarë të rinj

Ska gjë, i thashë, më pëlqejnë këta tipa, mund ti fotografoj

Jo jo, tha Bojken do të them një herë tjetër

Shiko, i thashë do i shkruaj këto që biseduam

Shkruaj çfarë të duash, tha

Jo, i thashë ato që më the për atë gruan në burg nuk i shkruaj

Si të duash, tha.

Dhe iku. / KultPlus.com

‘Roja e Natës në Muzeun e Artit Amerikan në Prishtinë’ sjellë me ligjëratë Alfred Barr nga New Yorku

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Muzeu i Artit Amerikan në Prishtinë kanë kënaqësinë të prezantojnë serinë e ngjarjeve ‘Roja e Natës në Muzeun e Artit Amerikan në Prishtinë’, me ligjëratën e Alfred Barr, drejtori i parë i Muzeut të Artit Modern në Nju Jork, titulluar “Kabineti Abstrakt dhe Tregimi Modern”. Ngjarja mbahet sonte, 19 prill në ora 21:00. Ligjëratën e dytë, do të mbahet nga shkrimtarja dhe koleksionistja Gertrude Stein, e titulluar “Krijimi i amerikaneve”.

Në ligjëratën, Alfred Barr do të transmetojë një histori për Alexander Dorner, një drejtor novator i Landesmuseum Hannover. Në veçanti, biseda flet për bashkëpunimin e Dorner me El Lissitzky, i cili u materializua në vitin 1928 në një nga instalimet më të rëndësishme të shekullit të njëzetë, i njohur si Kabineti Abstrakt. Ligjëratën e ndjek zhvillimi i narrativës së artit modern bazuar në historinë e ekspozitave. Vëmendje e veçantë i kushtohet Muzeut të Artit Modern në Nju Jork; që nga hapja e tij në 1929, rrëfimi i muzeut bazohej tërësisht në artin modern evropian, me fokus në lëvizjet avangarde. Në vend të “Shkollat ​​Kombëtare”, ekspozita e tij e vitit 1936 Kubizmi dhe Arti Abstrakt prezantoi “Lëvizjet Ndërkombëtare” si një mjet dhe koncept kyç për të treguar historinë e njohur si Historia e Artit Modern. Kjo histori përfaqësonte riinterpretimin e artit modern, u adoptua më vonë nga evropianët dhe u bë themeli i skenës së artit siç e njohim sot.

Ligjëratat nga Gertrude Stein dhe Alfred Barr u regjistruan në e-flux në vitin 2015 me rastin e ekspozitës The Un-making of Art which që ishte e bazuar në ligjeratën e Walter Benjamin, dhe bashkëpunëtorëve të MoAA.

‘Roja e Natës në Muzeun e Artit Amerikan në Prishtinë’ është një seri ngjarjesh të dizajnuara si pjesë e Programit Rilindja Rilindja nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë kur Muzeu i Artit Amerikan në Prishtinë hapet pas orëve të zakonshme të vizitës. Këto ngjarje synojnë një qasje edhe më  të drejtpërdrejtë dhe të veçantë në veprat dhe tregimet e ekspozitës së përhershme dhe koleksionit të Muzeut të Artit Amerikan në Prishtinë përmes diskutimeve, shfaqjeve, punëtorive dhe leximeve brenda hapësirës muzeale.

Muzeu i Artit Amerikan është insitucion edukativ dedikuar mbledhjes, ruajtjes dhe ekspozimit të kujtimeve kryesisht për Muzeun e Artit Modern në Nju Jork dhe programit Internacional të Ekspozitave Qarkulluese të Artit Amerikan. Janë pikërisht këto ekspozita të MoMA, disa prej të cilave janë kuruar nga Dorothy Miller, që ndihmuan krijimin e identitetit të parë të përbashkët kulturor të pasluftës në Evropën Perendimore, identitet që bazohej në internacionalizëm, modernizëm dhe individualizëm.

Çdo ngjarje në këtë seri është një ushtrim kërkimor dhe mësimor për një vepër të vetme ose seri veprash nga koleksioni i Muzeut të Artit Amerikan në Prishtinë. Një ese, dokumentar ose diskutim ndriçon temën në detaje dhe vendet që funksionojnë brenda jetës dhe karrierës së artistit ose vizitorëve dhe konteksteve më të gjera historike. Kjo seri është një udhëzues i vlefshëm për të eksploruar dhe interpretuar disa prej veprave më të dashura të artit në koleksionin e Muzeut të Artit Amerikan në Prishtinë.

Rilindja Rilindja Rilindja mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Muzeu i Artit Amerikan në Prishtinë, Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung Zyra në Kosovë, Trembelat dhe DZG. / KultPlus.com

Ligjet themelore të budallallëkut njerëzor

Nga: Carlo M. Cipolla
Përktheu: Eliana Pilika

Ligji i parë themelor i budallallëkut njerëzor ngulmon pa asnjë dyshim te fakti që: Gjithmonë e në mënyrë të pashmangshme secili prej nesh nënvleftëson numrin e individëve budallenj që ndodhen në qarkullim.

Në pamjen e parë ky pohim mund të duket pak banal, apo tepër i qartë, apo ca si meskin, apo të treja së bashku. Megjithatë, po të shihet më me vëmendje kuptohet plotësisht vërtetësia e tij. Të ndalemi pak. Sado që të mendojmë se numri i budallenjve është shumë i madh, mbetemi gjithmonë në mënyrë të pashmangshme të çuditur nga fakti që:

a) njerëz që në të kaluarën i kemi gjykuar racionalë dhe inteligjentë, papritur tregohen pa asnjë pikë dyshimi budallenj të pandreqshëm;

b) ditë për ditë, me një monotoni të pandërprerë, ndjehemi të penguar dhe të dëmtuar në veprimtarinë tonë të përditshme nga individë budallenj kokë ngjeshur që në befasi, pa pritur e pa kujtuar na dalin përpara në vendet e në momentet më të papërshtatshme. / KultPlus.com

Ky është linku përmes të cilit mund të aplikojnë për 100 euro punëtorët e sektorit privat

Punëtorët e sektorit privat do të aplikojnë në web faqen zyrtare të ATK-së.

Link: https://www.atk-ks.org/

Kurse të gjithë studentët do të aplikojnë përmes e-kosova.

Link: https://ekosova.rks-gov.net/

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për herë të parë qeveria do të ndajë nga 100 euro për secilin punëtor të sektorit publik dhe privat. / KultPlus.com

Ganimete Shala, kandidatja e parë shqiptare për parlamentin slloven

Ganimete Shala është kandidatja shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Slloveni.

Përmes një lidhjeje direkte në “Edicionin Special”, ajo tha se është kandidatja e parë shqiptare dhe për këtë fakt ndihet shumë mirë.

“Jam shqiptarja e parë që kandidon për zgjedhjet parlamentare të parlamentit të Republikës së Sllovenisë. Është një ndjenjë shumë e mirë dhe e bukur, sepse për mua është një vlerësim shumë i madh”, tha ajo.

Shala u shpreh se do të punojë që të përforcojë raportet mes Kosovës dhe Sllovenisë.

“Kosova dhe Sllovenia kanë raporte të mira. Unë do të mundohem që të përforcoj raportet, të kenë raporte edhe më të mira. Por, do të mundohem për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Slloveni”, u shpreh ajo.

Tutje, Shala tha se fushata në Slloveni është shumë më e qetë sesa në Kosovë.

“Ne kemi disa premtime që asnjë parti tjetër nuk i ka. Fushata mund të them që është shumë më e qetë sesa në Kosovë, janë tejet të organizuar dhe fillon një muaj para datës së zgjedhjeve”, tha ajo. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Restaurimi i kishës në Maligrad, pasuri kulturore e historike në ishullin e Prespës

Në kishën e Shën Mërisë, në ishullin Maligrad po vijon puna për restaurimin e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore.

Restaurimi i çatisë në kishën e Shën Mërisë, platformës së vizitorëve dhe shtegut në ishullin Maligrad do i kthejë identitetin këtij monumenti të kulturës ku nuk ishte vënë dorë prej 50 vitesh.

Kjo kishë është një atraksion turistik i rëndësishëm jo vetëm për parkun Kombëtar të Prespës, por për mbarë rajonin dhe Shqipërinë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thekson se restaurimi i kishës së Shën Marisë në ishullin Maligrad dhe rehabilitimi i shtegut panoramik, një prej pasurive kulturore më të rëndësishme në rajonin e Prespës, për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore.

Ajo shprehet se ky projekt po realizohet nga DRTK Korçë, në bashkëpunim me Bashkinë Pustec.

Kisha e Shën Mërisë ndodhet ne liqenin e Prespës, në ishullin e Maligradit. E ndërtuar në shekullin XIV është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore e cila ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë.

Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.

Ishulli ka një gjatësi prej rreth 800 m e gjerësi rreth 200 m dhe rrethohet nga shpati shume të pjerrët e mahnitëse, me përjashtim të pjesës perëndimore të tij dhe ka një bimësi natyrore barishtore dhe shumë pak shkurre, si dhe shpella.

Mund të vizitohet duke ndjekur itinerarin Korçë – Zvezdë – Liqenas, ku për t’u futur në ishull përdoren varkat e peshkatarëve apo së fundmi edhe ato turistike. Udhëtimi me varka nëpër liqen është një tjetër kuriozitet për vizitorët e shumtë. Prespa në stinën e nxehtë tërheq pushues nga zona rreth saj për të bërë plazh në ujërat e liqenit, por edhe turist të largët që interesohen për historinë, kulturën, biodiversitetin për dhe për gastronominë e kësaj zone.

Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte si tjegulla, kolona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit./ atsh / KultPlus.com

“S’po shkohet në shkollë”, sot protestojnë nxënësit në gjithë vendin

Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) më datë 19 prill organizon marshin e nxënësve “S’PO SHKOHET N’SHKOLLË”, përcjellë KultPlus.com

KNK në këtë ditë synon të fuqizojë zërin e të gjithë nxënësve të shkollave të mesme të Republikës së Kosovës duke e paraqitur realitetin shqetësues me të cilën nxënësit tonë ballafaqohen në baza ditore.

“Cilësia e arsimit, përmbajtjet mësimore, sjelljet e profesorëve, infrastruktura e institucioneve shkollore si dhe fenomenet negative prezente me të cilat përballen nxënësit e shkollave tona janë vetëm disa prej pikave të cilat na kanë shtyrë të marrim një hap të tillë”, thuhet në njoftim.

KNK ju bën thirrje të gjithë nxënësve, prindërve, organizatave dhe çdo individi që solidarizohet me këtë mesazh dhe të bashkëngjiten në këtë marsh.

“Heshtja nuk është zgjidhje! T’i kthehet vëmendja ARSIMIT!”, thuhet tutje.

Linku i eventit: https://www.facebook.com/events/969876663696750?ref=newsfeed / KultPlus.com

Del në shitje shtëpia më e izoluar në botë

 

Një shtëpi në SHBA, që konsiderohet si më e izoluara në botë, pasi ndodhet në një ishull të shkretuar, ka dalë në shitje për rreth 300 000 euro.

Kjo shtëpi, e ndërtuar në vitin 2009, ndodhet në Gjirin Wohoa, në Maine, dhe ka një pamje fantastike nga Oqeani Atlantik.

Banesa ka vetëm një dhomë gjumi dhe asnjë fqinj pranë, kështu që është perfekte për ata njerëz që janë në kërkim të një vendi të qetë për të jetuar./ KultPlus.com

‘Skybridge’ thyen rekordin e urës më të gjatë në botë

Një urë e varur do të hapet në verilindje të Republikës Çeke, midis kreshtave të malit Kralicky Snezník, duke ofruar një pamje spektakolare për alpinistët.

Sipas zyrtarëve çekë të turizmit, ‘Skybridge’ ka një gjatësi prej 721 metrash dhe regjistron kështu urën më të gjatë të varur në botë, midis dy kreshtave malore.

E vendosur pranë vendpushimit të ‘Dolní Morava’, përmes luginës ‘Mlynicke udolí’ në lartësinë 95 metra, përurimi zyrtar i urës është planifikuar për më 9 maj, pikërisht në kulmin e sezonit të ecjes.

Sipas zyrtarëve çekë të turizmit, ura u ndërtua pranë ‘Skywalk’, një platformë prej 55 metrash e lartë, nga e cila mund të rrëshqasësh poshtë deri në rreth 100 metra.

Vendpushimi i sporteve dimërore dhe ecjes në ‘Dolní Morava’ ndodhet rreth 200 kilometra (124.2 milje) në lindje të Pragës, afër kufirit polak. / KultPlus.com

Petrit Halilaj hap ekspozitën e parë personale në Holandë me dy projektet e tij monumentale më të njohura

Artisti nga Kosova, Petrit Halilaj ka hapur ekspozitën e parë personale në Holandë, që përfshinë projektet e tij “RU” dhe “Shkrepëtima”. Ekspozita është hapur në Muzeun e njohur holandez Fries Museum në Leeuwarden.

Nga praktika tashmë e njohur e artistit Halilaj, ekspozita përmban instalacione, vizatime dhe video-pamje, duke përdorur biografinë e tij, identitetin kulturor, kombëtar dhe trashëgiminë. Puna e tij artisitike përmban zogj dhe kafshë të tjera si metaforë e transformimit.

Në një ceremoni ku morën pjesë shumë personalitete holandeze nga arti e kultura, artistë dhe pjesëtarë të diasporës tonë, u vlerësua lartë puna dhe misioni i Petrit Halilajt. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Kosovës në Hagë, Ambasadori Dren Doli, Këshilltari Besnik Ramadanaj dhe Sekretarja e Tretë Ardita Halilaj.

Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, artisti Halilaj tha se ndjehet shumë i lumtur që po e paraqet punën e tij për herë të parë në Holandë.

Ambasadori Doli e vlerësoi lartë punën e artistit Petrit Halilaj, për të cilin tha se po vazhdon të na bëjë krenar dhe po dëshmon për potencialin artistik të popullit tonë.

Edhe drejtori i përgjithshë i Muzeut Kris Callens dhe kuratorja Judith Spijksma e vlerësuan punën e Halilajt po ashtu.

Ekspozita e Halilajt do të jetë e hapur për publikun deri më 5 mars 2023. / KultPlus.com

Dy anekdotëza të Nastradinit në tregime gazmore (AUDIO)

Dy anekdotëza të Nastradinit me titujt “Nastradini i bjen çitelisë” dhe “Nastradini i shpëton vdekjes” nga përmbledhja “Prozë popullore nga Drenica II”, përgatitur nga Anton Çetta dhe botuar nga Rilindja në Prishtinë në vitin 1972, vinë të lexuara nga Plator Gashi, përcjell KultPlus.

Dy anekdotëza të Nastradinit, ndeshtrashat e të cilit janë shndërru në tregime gaztore qi kanë ndjellë gaz në shumë cepe të botës. Kështu shkruhet për prapavijën e tij në “Proza popullore nga Drenica II” (Rilindja, 1972) nga Anton Çetta:

“Anekdotat e Nastradinit tregohen ndër shumë popuj të botës e sidomos ndër ata të Lindjes së Afërme dhe të Ballkanit […].

Në një anë është pohuar se ‘nuk mund të thohet gjë me siguri për të si person historik’ (Fehim Bajraktareviq, Nastradin Hodžin problem, Prilozi XIV, 1934) ndërsa në botimin e tregimeve të Nastradinit nga Ahmet Halit Jasharogllu, Stamboll 1950, ky i fundit, duke u mbështetur në të dhënat e shkrimtarit turk Mehmet Fuat Kyprilizades, pranon si gjë të sigurtë qenjen e tij si person historik.

Anekdotat e Nastradinit janë përhapur nëpërmjet të kulturës turke (letërsisë gojore apo të shkruar), por njëkohësisht, shumë sosh, janë edhe prodhim i popujve të ndryshëm ku ato tregohen;

Përpos qëllimit gaztor, një pjesë e tyre ka bazën në kushtet ekonomike dhe shoqërore të vendit ku janë thurur;

Në një pjesë të zgjedhur të tyre çfaqen aspiratat e njerëzve të vegjëlisë, nga të cilët edhe janë trilluar. Nastradini është përshkruar si njeri i thjeshtë, pa kurrfarë pasurie, por është i pajisur me atë squetësi të mprehtë natyrore, për çka dallohen njerezit e popullit. Ndonëse i pashkollë, ai ja del në krye të gënjejë krerët e pushtetit feudal, të cilët, ndër ato anekdota paraqiten mjaft të pagdhendur e te trashë. Poashtu ja del ne krye të nxjerrë në shesh korrupcionin e aparatit byrokratik (si domos ndër gjyqe) dhe të qëndroje përballë arrogancës dhe vrazhdësisë së njerëzve të klikës sunduese. Shikuar nën këtë prizëm, tregimet e Nastradinit janêëshprehja e njerezve të vegjëlisë të etshëm për drejtesi.

Fjalorth:

me u koçitë – me ngecë
dyzen, -i – akordim i rregullt, mirëtingëllim
melaq/e, -ja (sh. meleq) – engjëll
me dekë – me ia (dikujt) shpirtin
madhni, -a – perëndia
myhlet, -i – afat
reqat, -i (sh. reqate) – pjesë përbërëse e lutjes myslimane – namaz. Dy, tri ose katër reqate e përbejnë një namaz
namaz, -i – lutja myslimane që bëhet pesë herë në ditë në kohë të caktuar.
baj kabull – pranoj
me u ngi – me u ngopë

Marrë nga llogaria e Plator Gashit në ‘Soundcloud’, ku ai herë pas here do të ngarkojë lexime të përrallave, kallëzimeve, anektdotave dhe në përgjithësi të letërsisë popullore gojore shqiptare, duke mos i lanë anash as krijimet e tjera letrare me vlerë, të shkruara në shqip. / KultPlus.com

Fundjavë e mbushur me yje në festivalin “Coachella”

Befasitë nuk reshtën së mbaruari në tri ditët e para të festivalit “Coachella”.

Adhuruesit e mbledhur për këtë ngjarje, patën rastin t’i ndjekin performancat fantastike ‘live’ të idhujve të tyre, si The Weeknd, Justin Bieber, Snoop Dogg, Doja Cat dhe të tjerë.

Nata e parë e festivalit, të premten (15 prill), u hap me performancën fantastike të këngëtarit britanik, Harry Styles. Ai i befasoi adhuruesit e pranishëm me të ftuar në skenë yllin legjendar të muzikës, Shania Twain. Dyshja e interpretoi hitin ikonik të Twainit, “Man, I Feel Like A Woman” dhe turma e mirëpriti këtë befasi me brohoritje e duartrokitje të vazhdueshme, raportoi të hënën portali “NME”.

Ndër performuesit e tjerë që e entuziazmuan turmën jashtëzakonisht shumë, ishin Justin Bieber dhe Snoop Dogg, të cilët i bashkuan forcat në skenë me artistët, Daniel Caesar dhe Anitta.

Edhe Big Sean e mahniti turmën e adhuruesve me ta ftuar në skenë këngëtaren, Jhene Aiko, e cila njëherësh është e dashura e tij.

Në natën e dytë ishte këngëtarja, Billie Eilish, ajo e cila e rrëmbeu vëmendjen e publikut me performancën e saj. Ajo po ashtu u bë artistja më e re në moshë që ka performuar në skenën e festivalit “Coachella”.

Eilish i interpretoi disa prej hiteve të saja më të njohura, e shoqëruar nga bendi dhe vëllai i saj, Finneas. Në një moment gjatë mbrëmjes, këngëtarja 20-vjeçare e ftoi në skenë vokalistin e grupit “Gorillaz”, Damon Albarn, me të cilin i performoi disa këngë, përfshirë këtu edhe hitin, “Feel Good Inc.”. Khalid ishte artisti tjetër i cili iu bashkua Eilishit në skenë për ta interpretuar këngën e tyre të përbashkët, “Lovely”.

Në fund të performancës së saj, Billie Eilish, e shfrytëzoi rasti për t’i falënderuar adhuruesit e saj duke thënë: “Kjo është një ndjenjë e çuditshme. Unë nuk duhet të isha këtu si performuesja kryesore e mbrëmjes. Por, për këtë ju falënderohem juve dhe ndihem mirënjohëse që jam këtu bashkë me të gjithë ju. Kjo është një ëndërr e shndërruar në realitet për mua. Një çmenduri e vërtetë”.

Nata e dytë gjithashtu e shënoi debutimin e reperes Megan Thee Stallion, në festivalin e famshëm të Kalifornisë. Ajo nuk i zhgënjeu fansat e saj duke i interpretuar disa prej hiteve më të njohura, përfshirë edhe një këngë të re të padëgjuar më parë.

Nata e tretë i takoi këngëtarit kanadez The Weeknd, grupit “Swedish House Mafia” dhe rep artistes, Doja Cat. Ata ishin ndër performuesit kryesorë të mbrëmjes dhe u kujdesën që ta argëtonin publikun me interpretimet fantastike të hiteve të tyre më të njohura. Edhe muzika latine ishte pjesë e rëndësishme e kësaj mbrëmjeje me interpretimin fantastik të yllit, Karol G.

Festivali i njohur i muzikës “Coachella” vazhdon edhe fundjavën e ardhshme. Fansat kanë mundësi të argëtohen me interpretimet live të idhujve të tyre, nga 22 deri më 24 prill kur edhe përmbyllet festivali./koha.net/ KultPlus.com

Forbes: Kosova, një shembull se si profesionistët e rinj mund ta transformojnë industrinë e teknologjisë

Revista prestigjioze Forbes i ka kushtuar një shkrim zhvillimit të hovshëm teknologjik në Kosovë, ku e ka cilësuar transformimin e teknologjisë si diçka të jashtëzakonshme.

Më poshtë është shkrimi i plotë i përkthyer pa ndërhyrje:

Kosova ka kohë që njihet për mikpritjen e saj, frymën properëndimore dhe jetën e lulëzuar të natës. Megjithatë, një gjë që zakonisht harrohet është shkalla e përparimit që ka bërë në 20 vitet e fundit dhe sasia e talentit, veçanërisht në teknologji, që prodhon.

Fontana e Rinisë së Kosovës

Kosova jo vetëm që është vendi më i ri në Evropë, pasi ka shpallur pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, por është gjithashtu një vend i dominuar tërësisht nga të rinjtë e saj. Me një moshë mesatare 26 vjeç, ajo ka popullsinë më të re nga të gjitha vendet evropiane, ku mosha mesatare është afër 40 vjeç.

Të jesh një vend rinor sigurisht që ka përfitimet e veta. Në epokën digjitale, të kesh një popullsi të re të jep një avantazh të konsiderueshëm; ndërsa fuqia punëtore e vendeve tuaja konkurrente plaket dhe ngadalësohet, popullsia juaj është në vitet e saj të mira të punës.

Megjithatë, deri vonë, të qenit i ri në Kosovë nënkuptonte të ngecesh mes një fluksi ekonomik dhe politik dhe, në të njëjtën kohë, të ndiheshe i izoluar pas një muri vizash. Kjo gjendje e pasigurisë krijoi urgjencë për popullin e Kosovës për të krijuar vende të reja pune cilësore që sigurojnë shfrytëzimin e mirë të talenteve të të rinjve.

Talent shumëdimensional

Natyrisht, këto janë vështirësi që çdo vend në zhvillim duhet të mësojë t’i përballojë në mënyrën e vet. Për Kosovën, rinia e saj po dëshmohet se është zgjidhja. Vështirësitë me të cilat ballafaqohen të rinjtë kosovarë duket se po krijojnë një gjeneratë të ndërmarrësve që u është dashur të ndërtojnë një vend të ri nga themelet. Këto vështirësi kanë rezultuar në një vendosmëri të pakrahasueshme për të promovuar vlerën e tyre në një shkallë globale.

Kjo ka të ngjarë të jetë një nga arsyet pse Kosova, me një popullsi prej 1.8 milionë banorësh, gjeneron një numër të madh të talenteve të klasit botëror (përfshirë medalistët e artë olimpike si Majlinda Kelmendi dhe të famshëm si Dua Lipa dhe Rita Ora) për frymë në tërësi. Kam vërejtur gjithashtu se edukimi i IT-së në Kosovë fillon që në moshë të re, me fëmijë deri në shtatë vjeç që marrin pjesë në kampe për robotikë, kodim dhe Intelegjencë Artificiale, duke u dhënë atyre një fillim të mirë të karrierës së tyre në TI.

Gjendja e Sektorit Kosovar të TIK-ut

Interneti nuk ka kufij; ju nuk keni nevojë për vizë për të hyrë në të, dhe vetëm një kompjuter dhe disa njohuri lehtësisht të arritshme mund t’ju gjejnë një punë. Kjo është ndoshta një nga arsyet pse Kosova ka shkallën më të lartë të përdoruesve të internetit në rajon, me 93% të popullsisë që kanë qasje në internet. Kjo ka lejuar që sektori i TIK-ut të ngrihet si flakë. Sipas PwC, numri i përgjithshëm i kompanive të regjistruara në sektorin e TIK-ut në Kosovë është 982. Vetëm në vitin 2019 janë regjistruar 621 kompani të reja.

Dhe raporti i PwC thekson se sektori i TIK-ut në Kosovë ka dy përparësi të rëndësishme: qasjen në inkubatorë dhe përshpejtues dhe disponueshmërinë e hapësirës së punës të përballueshme. Ekosistemi ekzistues i TIK-ut në Kosovë është i gjerë, me laboratorë të shumtë, qendra inovative dhe hapësira pune (ICK, ITP, etj.) që u ofrojnë startup-eve mentorim, financim, inkubacion, trajnim dhe hapësira bashkëpunimi. Ky është një inkurajim i jashtëzakonshëm për startup-et, sepse u jep atyre një fillim, duke u mundësuar atyre të fokusohen në projektin e tyre dhe të mos shqetësohen për çështjet teknike.

Ajo që është vërtet e jashtëzakonshme në lidhje me këto startup është se ato ndonjëherë udhëhiqen nga sipërmarrës më të rinj se 20 vjeç, të cilët vijnë me një ide dhe angazhohen për të. Ata kanë një gatishmëri për të ndërmarrë rreziqe sipërmarrëse për të zgjidhur problemet dhe një aftësi të veçantë jo vetëm për të inovuar, por edhe për të përfituar nga risitë e të tjerëve.

Mësime nga Industria Teknologjike e Kosovës

Për sa kohë që ka njerëz me kreativitet, do të ketë gjithmonë risi. I takon çdo vendi dhe bizneseve të tij që t’i pajisin të rinjtë e tij me mjetet dhe burimet e duhura për t’i kthyer idetë e tyre në realitet. Nëse po përpiqeni të nxisni inovacionin, merrni parasysh ofrimin e aksesit më të madh në mjetet e duhura, fondet dhe grantet për qendrat e inovacionit, në mënyrë që të shtyni idetë përpara dhe të fuqizoni novatorët e rinj. Një ekosistem mbështetës është një domosdoshmëri për një industri të suksesshme të TIK-ut. Kosova është një shembull i shkëlqyer për këtë, pasi këto fonde dhe qendra inovative mund të marrin pjesën më të madhe të kredisë për sektorin e lulëzuar të TIK-ut në Kosovë.

Mendoj se mund të mësosh shumë nga të rinjtë e përkushtuar në vende si Kosova, Estonia apo Izraeli dhe vullneti i tyre për të kapërcyer pengesat dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për vendet e tyre. Me vendosmërinë e tyre, ata dëshmojnë se të qenit nga një vend i vogël nuk është domosdoshmërisht një disavantazh. Në përvojën time, të jetuarit në afërsi të njëri-tjetrit stimulon bashkëpunimin dhe konkurrencën, të cilat të dyja mund të prodhojnë një popullatë novatorësh dhe të suksesshëm. / KultPlus.com

‘Dikë e vrava duke i dhënë jetë’

Poezi nga Dea Basha

Portret i ndryshkur

Atë natë
Kur kova e mbushur me mbetje cigaresh
Miklohej nga ashpërsia e piklave ujore
Asaj iu zhubros fytyra
I ra ndër sytë e lodhur
Ngrica e akujve të përjetshëm
Pisllëqet e dheut të kujtesës
Ulërinin për pak vëmendje
Atë natë
Shurdhimi frymonte qetësi të rreme
Në kafshimin e secilit thua
Buzës i errej melodia
Vetullës i kamxhikosej ngjyra
E duarve
U dha shëndet përkëdhelja
Atë natë i bëra dhe pikturën
Legjendare si vetmohimi që e gënjente
Virtuoze si mjeshtëria e sapomësuar
Mizore
Lemeritëse
Shpirtçjerrëse (Përsosmëri!)
Si ëndja për ndjësi të bukura
Njëherë e një ferr
Kur pikturat nuk pikturoheshin
Veç shkretoheshin me gjilpëra
Dikë e vrava duke i dhënë jetë
Teksa prisja
Me gjilpër në duar
Të gëlltis pak ujë nga ky pus i ndytë! / KultPlus.com

Empire State Building shkëlqen me ngjyrat e flamurit ukrainas

Empire State Building, rrokaqielli ikonë i Nju Jorkut, u ndriçua me ngjyrat e flamurit të Ukrainës.

Nisma, në solidaritet me popullsinë dhe forcat ukrainase që po luftojnë kundër Rusisë do të vazhdojë për 15 minuta çdo mbrëmje, pas perëndimit të diellit, deri më 1 qershor.

Shumë shtete kanë ndriçuar ndërtesat e tyre të rëndësishme me flamurin ukrainas, në shenjë solidariteti me atë çka po ndodh në ish-republikën sovjetike. / KultPlus.com

Memli Kelmendi me kompozim dhe punëtori për muzikën ballkanike në Belgjikë

Dirigjenti i njohur Memli Kelmendi së fundmi është ftuar për të drejtuar një punëtori për “Muzikën Ballkanike” me theks të veçantë në muzikën korale kosovare, përcjell KultPlus.

I ftuar nga Festivali i Muzikës Evropiane për të Rinjtë, në këtë punëtori po ashtu do të prezantohet kompozimi i dirigjentit Kelmendi me titull “Me një lule”.

“Me një lule” është kompozuar enkas për Festivalin Evropian të Muzikës për të Rinjtë në kuadër të projektit “WeBEUnited”.

Festivali Evropian i Muzikës për të Rinjtë është një festival muzikor që mbahet në Neerpelt, Belgjikë për 5 ditë. / KultPlus.com

‘Një copëz hëne në xhep është hajmali më e mbrothët edhe se putra e lepurit’

Poezi nga Jaime Sabines

Hëna

Hëna mund të gëlltitet me lugë
ose me kapsula rregullisht çdo dy orë.
Është tepër e vyer si përgjumëse dhe qetësues
ndërsa gjithashtu ua lehtëson rropatjet
atyre që janë marrosur nga filozofia.
Një copëz hëne në xhep
është hajmali më e mbrothët edhe se putra e lepurit:
ndihmon në gjetjen e dikujt që dashurojmë,
për t’u pasuruar pa e ditur askush tjetër
dhe për t’i mbajtur larg mjekët dhe klinikat.
Ajo mund t’u jepet si ëmbëlsirë çiliminjve
që akoma nuk i ka zënë gjumi mbrëmjeve,
kurse disa pikëla hëne të derdhura në sytë e të moshuarve
ndihmojnë në vdekjen e mbrothët.
Mjafton të vendosim një gjethe të brishtë hënore
poshtë nënkresës
dhe menjëherë do të ëndërrojmë sipas ëndjes çdo vegim.
Mbani një pagure me ajër hënor me vete për çdo rast
kur t’ju merret fryma,
ndërsa çelësin e hënës t’ua jepni patjetër
gjithë të burgosurve dhe të zhgënjyerve.
Për këdo që është dënuar me vdekje
dhe për të dënuarit që duhet ta jetojnë këtë gjallim
nuk ka nxitje më të çmuar se hëna
me doza të sakta dhe të matura syresh.

Përktheu: Elvi Sidheri / KultPlus.com

64 vjet nga vendosja për lirimin e poetit Ezra Pound

Ezra Pound gjatë periudhës në të cilën u internua në azil, i burgosur në spitalin “St. Elizabeths”, i rrethuar nga një park i madh, Pound u vizitua rregullisht nga gruaja e tij dhe miqtë e vjetër dhe të rinj artistë: Eliot, Cummings, William Carlos Williams, Marianne Moore dhe, midis të rinjve: Robert Lowell, James Laughlin (i cili, me “New Directions”, ishte botuesi i tij), Sheri Martinelli dhe shumë të tjerë. Midis këtyre, një Piero Sanavio shumë i ri (autor i një teze mbi të, absolutisht e para, së paku në Itali, e paraqitur në Universitetin Ca ‘Foscari të Venecias), i cili tani erdhi ta vizitojë atë nga Harvard. Pound gjeti edhe prozelitë për idetë e tij shoqërore dhe frymëzoi botimin e veprave të rralla nga Louis Agassiz, Alexander Del Mar, Edward Coke, etj.

Të njëjtët autorë u bënë, ndërkohë, protagonistë të këngëve që ai vazhdoi të shkruante dhe botojë. Sidoqoftë, miqësia e tij me John Kasper, një aktivist i ekstremit të djathtë dhe anëtar i Ku Klux Klan ishte i dëmshëm për reputacionin e tij. Kasper kishte filluar të admironte Pound gjatë kurseve të letërsisë universitare, dhe pasi i shkruante Poundit më 1950, ai shpesh e vizitonte atë në një azil, dhe në një kohë të shkurtër të dy u bënë miq. Kasper hapi një librari në Greenwich Village në 1953 me titullin “Make it New” “Bëni atë të re”, duke pasqyruar angazhimin e tij për idetë e Poundit; dyqani i specializuar në materiale të ekstremit të djathtë, përfshirë letërsinë naziste, dhe poemat dhe përkthimet e Pound u shfaqën në pragun e dritares, duke kontribuar në mendësinë popullore që e lidhte Poundin me Fashizmin dhe Nacional Socializmin.

Më 1948 Këngët Pisan mori çmimin Bollingen për poezi nga Biblioteka e Kongresit, duke shkaktuar mjaft polemika, duke pasur parasysh që Pound ishte në të njëjtën kohë “mysafir i pavullnetshëm” i qeverisë amerikane në një azil kriminal. Juria përfshiu T.S. Eliot dhe W.H. Auden, i cili në këtë mënyrë mendoi se ata do të tërhiqnin vëmendjen për situatën e mëshirshme të poetit jo më të ri. Por polemika përfundoi duke dëmtuar sesa të përfitonte dhe, për shumë vite, çështja Pound nuk u diskutua më.

Në vitin 1957 një grup miqsh, shkrimtarësh dhe poetë, përfshirë Ernest Hemingway (ish luftëtar antifashist), Robert Frost, Archibald MacLeish dhe gjithashtu botuesin e ri Vanni Scheiwiller, punuan shumë për të gjetur një zgjidhje. MacLeish mori përsipër avokatin prestigjoz Thurman Arnold, një ish-ndihmës i Prokurorit të Përgjithshëm gjatë presidencës së Roosevelt, i cili prezantoi para të njëjtit gjyqtar që kishte burgosur Pound-in në një spital mendor për jetë, një lëvizje që ishte terapeutikisht e dëmshme për shëndetin e poetit për tu kufizuar gjithnjë larg shoqërisë, dhe që nga ana tjetër ishte e pashërueshme, por jo e rrezikshme.

Prokurori publik, pasi kishte verifikuar që Pound as nuk mund të gjykohej, sepse një gjykim ishte i papajtueshëm me sëmundjen e tij të pretenduar mendore, tërhoqi akuzat, nuk e kundërshtoi mocionin dhe poeti u kthye në liri më 18 prill 1958, duke lënë Amerikën dhe duke u nisur për në Itali. / KultPlus.com

“Mjeshtër i Madh” për kompozitoren Lejla Agolli

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi kompozitoren e shquar, Lejla Agolli me titullin “Mjeshtër i Madh”.

“Me mirënjohje për vlerat e saj të mëdha në fushën muzikore shqiptare, të dhëna përmes krijimtarisë së vyer, me vepra të të gjitha gjinive. Në vlerësim, të promovimit të vlerave të muzikës shqiptare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për kontributin e veçantë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj të artistëve.”

Në fjalën e tij drejtuar familjarëve dhe kolegëve artistë të pranishëm në ceremoninë e vlerësimit, Meta u shpreh se “është kënaqësi që jemi së bashku, për të vlerësuar kontributin e çmuar të një artisteje, me dimension të gjerë në fushën e muzikës, kompozitoren Lejla Agolli”.

Lejla Agolli ka studiuar kompozim dhe orkestrim, me kompozitorin e shquar Tish Daija dhe ka qenë e vetmja  grua krijuese, që ka shkruar muzikë instrumentale simfonike, për vite me radhë, çka i jep një vlerë të veçantë figurës së saj artistike.

“Aktiviteti i Agollit, është karakterizuar nga një krijimtari e pasur muzikore, me vepra të mëdha instrumentale e simfonike, me koncerte për piano e rapsodi, të interpretuara nga orkestrat simfonike dhe solistët më të mirë të vendit”, vijoi Meta.

Karakteri shumë dimensional i krijimtarisë muzikore të Agollit është pasuruar duke shkruar muzikë në të gjitha gjinitë, duke filluar nga muzika e dhomës, kuintete, kuartete, albume pianistike, violinë, koncerte për piano, rapsodi, vepra simfonike, muzikë dhome, muzikë filmi, këngë, etj, që përbëjnë një kapital të çmuar të krijimtarisë sonë muzikore.

Agolli është fituese e shumë çmimeve në festivale dhe veprat e saj janë luajtur brenda dhe jashtë vendit, duke marrë vlerësime edhe jashtë vendit. Në vitin 2000, Agolli u përzgjodh të luante në Vatikan, në prani të Papës, një eveniment që sigurisht pasuroi, jo vetëm karrierën e saj, por edhe na bëri krenarë si shqiptarë. Për 7 vite, nga viti 2003 deri në vitin 2010, Agolli ishte drejtuese artistike e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke dhënë një kontribut të qenësishëm për këtë institucion, me krijimet e saj, përpunimet dhe përgatitjen e koncerteve të shumta brenda dhe jashtë. Përveç krijimtarisë, Lejla Agolli ka një kontribut të veçantë në edukimin e formimin e brezave të rinj të artistëve.

Si pedagoge e lëndës teorike e formuese të muzikës, ka punuar në vazhdimësi me përkushtim. Sot shumë nxënës të Agollit, janë artistë shumë të njohur që japin kontributin e tyre në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare. Ndërkohë, që puna kërkimore në Institutin e Kulturës Popullore, për gjatë gjithë karrierës, ka qenë baza e krijimtarisë muzikore me motive të traditës së hershme shqiptare të Agollit.

Meta the se, “me pasion, dedikim e punë të palodhur, Agolli ka treguar se muzika është një urë lidhëse mes njerëzve, një gjuhë që tejkalon kufijtë dhe që afron popujt dhe kulturat e ndryshme, sepse arti, në vetvete, është pasqyrim i shpirtit të një kombi”, teksa vuri në dukje se, “me punën e saj kompozitorja Lejla Agolli ka kontribuar në pasurimin e trashëgimisë sonë muzikore”./ atsh / KultPlus.com

Deputetja ukrainase: Asnjë pjesë nga territori ynë nuk duhet të jetë në tryezën e negociatave

“Asnjë pjesë e Ukrainës nuk duhet të jetë në tryezën e negociatave”. Kështu ka deklaruar deputetja ukrainase Lesia Vasylenko,  ndërsa vendi vazhdon rezistencën, pavarësisht nga bombardimet e Rusisë të qyteteve në të gjithë vendin të hënën.

Vasylenko, një deputete i Partisë Holos, e zgjedhur në vitin 2019, foli për CNN pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina nuk do të hiqte dorë nga territori në lindje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

“Ukraina po shkruan historinë e saj, të re dhe po shkruan gjithashtu historinë e re të botës,” tha Vasylenko për CNN New Day nga Praga, Republika Çeke.

“Nëse në ndonjë rrethanë Ukraina detyrohet të heqë dorë nga territoret, do të jetë një rrezik jo vetëm për ukrainasit që jetojnë në Ukrainë, por për të gjithë botën”, shtoi ajo.

“Sepse atëherë agresorëve do t’u dërgohet një mesazh me zë të lartë dhe të qartë se është në rregull të hysh për të rrëmbyer toka, është në rregull të fillojmë luftëra agresive dhe të terrorizojmë popullatën civile, sepse askush në fakt nuk do të bëjë asgjë për këtë.”

Ajo tha gjithashtu se Rusia ka kryer krime të shumta lufte gjatë luftës në Ukrainë, një pretendim i bërë nga disa zyrtarë ukrainas që Kremlini e ka mohuar.

Vasylenko mori vëmendjen disa javë më parë, pasi në nisje të pushtimit mori armën për të mbrojtur vendin e saj nga agresioni ushtarak i Rusisë. /abcnews.al / KultPlus.com

UEFA jep lajmin e mirë, Kosova kualifikohet direkt në Champions League

Shtëpia më e madhe e futbollit evropian i ka dhënë një lajm të madh futbollit të Kosovës.

Kampioni i Kosovës nga ky edicion nuk do të garoj në rundin para kualifikues, por direkt në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Për këtë risi, ka reaguar menjëherë edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi i cili ka thënë se kjo është një dëshmi se futbolli i Kosovës po shënon rritje në çdo aspekt.

Ky është postimi i plotë i Agim Ademit:

Meqë jemi në fazën përfundimtare të garave kampionale, dhe kohës kur do të përcaktohen klubet që do ta përfaqësojnë futbollin tonë në garat evropiane, konfirmohet edhe një lajm i mirë për futbollin tonë.

Siç u pa edhe në ranglistën e fundit të UEFA-s, për renditjen e ligave kombëtare, liga e Kosovës ka shënuar përparimin e radhës. Dhe në bazë të këtij përparimi, konfirmohet lajmi qe ne FFK-ja e ka dhënë edhe para fillimit të edicionit, se nga ky edicion, liga jonë do të përfaqësohet me 4 klube. 3 nga kampionati dhe fituesi i kupës.

Mirëpo risia tjetër është se si rezultat i ngritjes së rangimit të ligës, kampioni i Kosovës nga ky edicion nuk do të garoj në rundin para kualifikues, por direkt në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Përparimi i Ligës, përfaqësimi me më shumë klube në garat evropiane dhe rritja e cilësisë në kuadër të garimit tê brendshëm, është një tjetër dëshmi se futbolli i Kosovës po shënon rritje në çdo aspekt, që është edhe mision kryesor i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Presidentit Agim Ademi. / KultPlus.com

Shtohen divorcet, avokatja: Gratë nuk e durojnë më dhunën

Statistikat e fundit si nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, por edhe nga gjykatat e rretheve, tregojnë, se iniciatoret për të shkuar drejt divorcit janë gratë.

Avokate kryesisht divorcesh, prej gati 20 vjetësh, Vjollca Pustina shpjegon disa nga arsyet, pse janë gratë ato që i lënë burrat:

“Arsyeja e parë është që gratë nuk e pranojnë më dhunën që ushtrojnë burrat. Njëkohësisht kjo ka ardhur si pasojë e pavarësisë që kanë ato, dhe sidomos pavarësisë ekonomike. Çiftet e reja mendoj që kanë filluar të mos e vuajnë mentalitetin dhe paragjykimet, gratë sidomos. Dy rastet e fundit që kam pasur, kanë të bëjnë me një zonjë me një fëmijë në moshën 10 vjeçare. Pavarësisht se bashkëshorti i lutej në momentin që i erdhi në dyert e gjykatës, ajo nuk pranoi të kthehej, me pretendimin, se ai nuk ndryshon dhe do të vazhdonte të ishte i dhunshëm. Rasti tjetër kishte lidhje po me ushtrim dhune. Tre herë kishin bërë kërkesë për divorc, pajtoheshin, dhe në fund fare të dy u ndanë”.

Mungesa e gjyqtarëve të çështjeve familjare kanë ndikuar që edhe gjyqet për divorce të zgjaten shumë duke e agravuar më shumë situatën, nëse ka konflikte që nuk shuhen.

Avokatja pohon se ka një ndryshim mes grave të fshatit dhe atyre në qytet.

 “Gratë e fshatit mendohen 100 herë për të shkuar drejt divorcit, apo për të denoncuan në polici burrin për dhunë në familje. Ndërsa gratë e qytetit kanë filluar të çlirohen nga ai mentalitet se çfarë tha X apo Y për familjen time. Unë këmbëngul që çiftet të mos shkojnë drejt divorcit pa provuar dhe pa i dhënë mundësinë njëri-tjetrit, pasi ata që vuajnë më shumë pasojat e një divorci janë fëmijët. Ndarja ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor të fëmijës”, thotë Pustina. / topchanel.tv / KultPlus.com