Ellis Marsalis Jr., pianist dhe edukator që u bë forcë prijatare e rilindjes së jazzit në fund të shekullit XX.
Marsalis ka kaluar dekada të tëra si muzikant dhe mësues në New Orleans, para se dy djemtë e tij të mëdhenj, Wyntoni dhe Branfordi, që mishëronin një përtëritje të freskët të jazzit tradicional, të fitonin famë kombëtare në fillim të viteve ’80.
Përkushtimi i zotit Marsalis për bebopin e gjysmës së shekullit dhe pasardhësve të tij për një kohë të gjatë e ka bërë atë njëfarë jabanxhiu në qytet me një besnikëri shtrënguese për rrënjët e hershme të jazzit.
Megjithatë, ai siguroi respektin e kolegëve muzikantë falë dhuntisë së tij të patjetërsueshme si pianist dhe kompozitor dhe mënyrës së tij të rreptë dhe mbështetëse si mësues. Sapo ata shkelën skenën kombëtare, mbrojtja që Marsalisët i bënë jazzit të kulluar i bëri ata renegatë të një lloji tjetër. Trumbetisti Wynton shpalosi me guxim devocionin e të atit për heronj si Charlie Parker dhe Thelonious Monk, madje ai fshikulloi publikisht kundër përzierjes së ligshtë mes jazzit dhe rockut që e zhvendosi me të madhe jazzin akustik në fund të viteve ‘60 dhe ‘70.
Të pashëm, eruditë dhe jashtëzakonisht të dhuntishëm, fëmijët e zotit Marsalis dhe shumë muzikantë të rinj të jazzit që i mësoi – përfshirë Terence Blanchard, Donald Harrison Jr., Harry Connick Jr. dhe Nicholas Payton – u bënë prijatarë në lëvizjen tradicionale në rritje, përhumbshëm e quajtur edhe si “Luanët e rinj”.
“Im atë ishte një gjigand prej muzikanti e mësuesi, por edhe një baba i madh”, ka thënë në një kumtesë Branford Marsalis. “Ai vuri gjithë çka kishte për të na bërë më të mirët”. Si mirënjohje për ndikimin e patriarkut dhe për dhuntitë e tij, “National Endowment for the Arts” më 2011 i emëroi Marsalisin dhe të bijtë e tij si mjeshtër të jazzit.
Ai konsiderohet si një prej ndereve më të larta për një muzikant amerikan të jazzit, dhe deri asokohe ai ishte dhënë vetëm në baza individuale. Në këtë pikë Maraslisët konsideroheshin gjerësisht si familja mbretërore e jazzit. Wynton ishte bërë drejtor artistik që themeloi jazzin në “Lincoln Center”, organizatë e shquar jofitimprurëse që i kushtohet jazzit, dhe ai fitoi çmimin “Pultizer” për muzikë më 1997. /KultPlus.com
Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu, është kualifikuar në gjysëmfinale të Kampionatit Evropian, i cili po mbahet në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.
Fazliu arriti që pas vazhdimeve ta mposht Renata Zachovan nga Republika Çeke, derisa tani ajo do të luajë për finalen e madhe,
Kosova është duke u përfaqësuar në këtë Evropian nga katër xhudistë: Distria Krasniqi (fitoi medaljen e bronztë), Flaka Loxha (u eliminua në repesazh), Akil Gjakova (është eliminuar gjatë ditës së sotme) dhe Laura Fazliu. /KultPlus.com
Lirije Buliqi do të prezantohet me ekspozitë personale në KultPlus Caffe Gallery, ekspozitë që përfshinë elemente të artit qeramik.
“Lirije Buliqi i ka ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, të cilat ndjehen në riforcimin e mendimit përmes qasjeve eksperimentale dhe estetikës jokonvencionale.
“Këtu ne eksplorojmë punën novatore të saj në qeramikën bashkëkohore”, ka vlerësuar Zeni Ballazhi, kuratori i kësaj ekspozite.
Elementet e artit qeramik mbi të cilat janë vendosur shkallë të ndryshme të theksimit në kohë të ndryshme, janë forma e objektit, dekorimi grafik i saj me pikturë, gdhendja dhe metodat tjera, si dhe lustrimet e gjetura në shumicën e qeramikave.
Shumica e prodhimeve tradicionale qeramike janë bërë nga argjila (ose balta e përzier me materiale të tjera), të formuara dhe të ekspozuara ndaj nxehtësisë. Përgjithësisht, qeramika dekorative. Në përdorimin modern të inxhinierisë qeramike, qeramika është arti dhe shkenca e bërjes së objekteve nga materialet inorganike, jometalike, por nga veprimi i nxehtësisë.
Çdo artist i qeramikës hulumton nga historia e së kaluarës sipas përdorimit të praktikave të vjetra, në mënyrë që t’i japë një përmirësim modern teknikave të reja.
Lirije Buliqi i ka ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, të cilat ndjehen në riforcimin e mendimit përmes qasjeve eksperimentale dhe estetikës jokonvencionale. Këtu ne eksplorojmë punën novatore të saj në qeramikën bashkëkohore.
Qeramikat duken magjike. Ato imitojnë materiale të ndryshme në copa dhe në mënyrë efektive tërheqin vëmendjen në shkaqet e rëndësishme. Qeramikat nga balta, të krijuara nga ky nivel, demonstrojnë shkathtësinë dhe diversitetin.
Buliqi kërkon ta spikatë bukurinë që shpesh rezulton nga prishja, ndërsa në të njëjtën kohë, duke e bërë shikuesin të vë në pikëpyetje perceptimin e tij mbi veten dhe botën.
Në veprat e saj, objektet etnike dhe detajet nga veshjet tradicionale janë të inkuadruara në marrëdhënie profesionale mjaft të thjeshta. Ato formulojnë imazhet si kujtime të ndjera për kombin, të cilat artistja i përket vazhdimisht me artin e saj. Detaje nga kostumet popullore, thasët apo torbat e lidhura, herë me bukë dhe herë bosh, lëvizin vazhdimisht në shumë sipërfaqe të qeramikave, sikur të vizatuara pas mureve të rrjepura nga koha.
Krijimtaria e saj është një imazh me dritë të pasur e të fuqishme, ku objektet-shenja përbejnë fillimin dhe rrugën tonë të ardhshme.
Qeramikat e Lirije Buliqit dëshmojnë një rrugë të gjatë, ku eksperimenti artistik konkurron në vazhdimësi një imazh mjaft personal, tashmë plotësisht të formuluar. /KultPlus.com
Për nder të Ditës Botërore të Vallëzimit, mbrëmë Teatri Kombëtar i Kosovës mirëpriti një ceremoni festive e cila mblodhi rreth vetes një numër të madh të artdashësve dhe një numër të madh të balerinave të vogla të cilat për këtë ditë po shpërndanin fotografi tejet të bukura të artit të baletit që vinin të shtypura në formën e kartolinave për të pranishmit, shkruan KultPlus.
29 prilli festohet si Ditë Ndërkombëtare e Vallëzimit pasi që në këtë datë në vitin 1727 lindi veprimtari i baletit bashkëkohor, Zhan-Zhorzh Nover.
Që nga viti 1982, çdo vit nëpër botë mbahen shfaqje në të cilat loja dhe vallëzimi janë gjuhë universale me mision t’i afrojë dhe miqësojë njerëzit. E kjo më së miri u dëshmua edhe mbrëmë me pjesëmarrjen e miqve artdashës të cilët shkrepnin fotografi nga çasti në çast, për të festuar këtë ditë të veçantë që iu dedikua atyre dhe jo vetëm.
Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi i cili përkujtoi ata që më nuk janë në mesin tonë fizikisht, për kontributin e tyre dhe pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.
“Vallëzimi është gjuha më universale e komunikimit në mes të njerëzve dhe si i tillë e zë një vend të rëndësishëm në traditën shpirtërore dhe intelektuale tek i gjithë populli. Baleti Kombëtar i Kosovës tash e 50 vite ka dhënë kontributin e vet në pasurimin e kësaj tradite ku përmes punës së palodhshme të balerinëve tanë, bashkëpunimeve me artistë nga e gjithë bota, shfaqjeve artistike të dhëna në vend e në qendra të ndryshme të Evropës, pashmangshëm është bërë pjesë e nevojës sonë kolektive por edhe pjesë e vlerave universale botërore të vallëzimit dhe kjo dëshmohet më së miri përmes faktit që BKK që nga viti 2014 është anëtarësuar në Këshillin Ndërkombëtar të Vallëzimit, organizatë kjo me seli në UNESCO”, thotë Kajtazi.
Sipas tij, duke shfrytëzuar këtë ditë dhe moment të veçantë, ai falënderoi të gjithë ata që janë dhe nuk janë në mesin e tyre fizikisht, për kontributin e tyre për pasurimin e vlerave të vallëzimit në vendin tonë.
“Mirënjohja ndaj tyre përveçse na nderon, shërben si model për gjeneratat e reja të kërcimtarëve të cilët kanë talentin dhe dëshirën për të nisur rrugën e vështirë por edhe të bukur të kërcimit. Në fakt, mirënjohja, falënderimi dhe motivimi i atyre që merren me gjininë e bukur të vallëzimit, në këtë rast, Baletit, është edhe qëllimi i shërbimit të Ditës Botërore të Vallëzimit që prej vitit 1982”, përfundon Kajtazi.
Ndërsa, këshilltari i ministrit të Kulturës, Librun Jupolli, tha se tashmë është bërë ndarja e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e të shumëpritur.
“Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit është festë botërore e cila është nisur nga komuniteti i vallëzimit të institutit ndërkombëtar të teatrit, partneri kryesor i arteve skenike të UNESCO-s, dhe si i tillë festohet tashmë për çdo vjet. Të dhënat më të hershme historike që tregojnë për origjinën e vallëzimit janë pikturat e shpellave në Indi që datojnë rreth vitit 8000 p.e.s. e po ashtu evidencë të tillë të vallëzimit gjejmë edhe në pikturat egjiptiane të cilat paraqesin vallëzimin rreth 3300 vite p.e.s. Baleti dhe gjegjësisht vallëzimi është gjuha e trupit tonë dhe shprehja më direkte që e kemi si qenie. Gjuha e trupit të një populli dhe kapaciteti shprehës trupor i një vendi, njihet më së miri nga valltarët e vet. Akterët tanë të profilit të vallëzimit dhe kontributi i tyre profesional janë shprehja më e lartë e fisnikërimit të shpirtit përmes lëvizjes”, thotë Jupolli.
Sipas tij, sot Kosova dhe mbarë kultura e profilit të vallëzimit njeh një histori me lëvizje që nga shekulli i njëzet me Baletin e parë kosovar ‘Sokoli e Mirusha’ nga kompozitori Akil Mark-Koci pastaj me zhvillime të tjera përgjatë shekullit njëzet ku kompozitorët vazhdojnë me kompozime të tjera të baleteve të reja.
“Në shekullin njëzet e një, po ashtu njohim edhe kompozime të baletit modern dhe produksione të tjera të ngjashme. Vallëzimi sot në Kosovë njeh edhe zhvillime të shumta në edukim dhe pedagogji të cilat padyshim që do të sjellin frytet e veta për gjeneratat e reja dhe të lartësojmë më lart, artin e lëvizjes në vendin tonë. Këtë herë, Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit koincidoi me një lajm shumë të mirë, pra me ndarjen e lokacionit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit ku komuniteti i muzikës dhe në veçanti ai i Baletit, do të kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme të shumëpritur e shumë merituar. Shumë shpejt vazhdojmë me konkursin arkitektonik ndërsa faza pasuese do të kryhet me efikasitet e cilësi deri në inaugurimin e ndërtesës”, përfundon Jupolli.
Ai tutje foli rreth veçantisë së 50 vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe si rast ky i veçantë, është konsideruar të jetë i rëndësishëm për t’i kujtuar sakrificat për këtë profil të cilat janë bërë që nga shekulli njëzet me gjeneratën e të ndjerit, Abdurrahman Nokshiqi e gjerë tek vitet pasuese e drejtuesit e tjerë duke përfshirë edhe punën e të ndjerit, Ahmet Brahimaj si dhe punën e palodhshme të trupës artistike.
Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit tutje vazhduan brenda sallës së Teatrit Kombëtar të Kosovës për të shikuar dhe rishikuar edhe një herë talentin e BKK-së që lehtazi shfaqej nëpërmjet shfaqjes ‘Romeo dhe Zhulieta’, shfaqje kjo e cila pati ardhur premierë më 25 mars. / KultPlus.com
Koha është të duhemi, të kesh besim ne mua kur të them: Trime, të kem besim në ty kur më thua: Trim. Por kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite, shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt, një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën. E nën një kulm banonim, nga frëngjia me ditë më peshove, me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës, se mos do të takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime, ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari! Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ, kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët. Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejme këtë ujë të madh, i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme. Në fund të livadhit të kositur a po sheh: ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë. Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet. Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës, do ta ndez llambën në kullë, do ta hedh farën në tokën e re.
Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve e të rënat të forta i kishe. Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë e mëhalla jehonte nga shpifjet. Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete. Koha është të duhemi. / KultPlus.com
Muzika xhaz është ndër më të dëgjuarat e të gjitha kohërave. Vlerat e xhazit shkojnë përtej bukurisë së kësaj rryme. Ajo shihet si mjet edukativ dhe forcë për paqen, bashkimin, dialogun dhe bashkëpunimin mes njerëzve. Xhazi është një lloj muzike shumë intelektuale, e cila shquhet për një teknikë të veçantë, improvizime dhe fantazi. Ajo ndikon te mënyra e të menduarit, krijon ndjenja dhe emocione të veçanta te njeriu dhe ata të cilët e njohin këtë lloj muzike kanë në përgjithësi njohuri të mëdha edhe për llojet e tjera të muzikës. Melodia, ritmi, harmonia dhe loja që e karakterizon e bëjnë xhazin një lloj arti të veçantë në vetvete.
Origjina e muzikës së xhazit është shumë e pazakontë. Zhvillimi i saj ishte dinamik dhe i ndritur, i shoqëruar nga ngjarje të jashtëzakonshme dhe të mrekullueshme, të cilat ndikuan në zhvillimin e artit muzikor të botës.
Instrumentet më të përdorura të muzikës xhaz janë: saksi, tromba, tromboni, bateria, kontrabasi, ksilofoni dhe, mbas viteve ’70, instrumentet elektrike. Në zemër të muzikës xhaz është një kombinim i improvizimit me një melodi muzikore të menduar më parë, jo domosdoshmërisht të regjistruar. Përdorimi i përhershëm i veglave ritmike me qëllim krijimin e një ritmi themelor, si edhe krijimin e melodisë xhaz, nën përsëritjen e përhershme sikurse individuale (solistike) apo kolektive (improvizimi), e bëjnë këtë lloj muzike shumë unike dhe rrallë të konkurrueshme me llojet e tjera të muzikës kudo në botë.
Instrumenti i trombës ka një vend shumë të rëndësishëm në muzikën xhaz. Tromba si një instrument shumë i veçantë për muzikën në përgjithësi, është edhe simboli i muzikës xhaz. Krahas instrumenteve të tjera, ajo është përdorur nga shumë kompozitorë të xhazit. Përveç një numri instrumentistësh të mëdhenj në instrumente të ndryshme, një rol të madh kanë luajtur edhe trombistët amerikanë Louis Armstrong, Dizzy Gillespie, Miles Davis, ndërsa në ditët e sotme këtë rol vazhdojnë ta luajnë Wynton Marsalis dhe Arturo Sandoval.
Xhazi është një stil muzikor që u shfaq në fund të shekullit të 19-të e fillim të shekullit të 20-të. Xhazi është shkrirje e të shprehurit muzikor laik e shpirtëror të afroamerikanëve dhe e elementeve muzikore evropiane. Kjo lloj muzike filloi në jug të Shteteve të Bashkuara dhe më vonë u përhap në mbarë botën. New Orleans-i është vendlindja e xhazit dhe veçanërisht Sheshi “Kongo”, të cilët simbolizojnë hapat e para të shkëlqimit të kësaj muzike. Karakteristikë e tij është ritmi i çrregullt, forma josimetrike, sinkopat e shpeshta dhe intervalet e zbritura e të zvogëluara. Nga fillimet e saj e deri në ditët e sotme, muzika xhaz ka marrë edhe disa elemente nga muzika popullore amerikane. Mund të përmendim disa forma të ndryshme të saj, si: “New Orleans Jazz” që daton në fillim të viteve 1910, “Gypsy Jazz” nga vitet 1930-1940, “Bebop” nga mesi i viteve ’40, “Cool Jazz”, “Soul Jazz”, “Avant-gard Jazz”, “Boogie Woogie” e të tjerë.
Jelly Roll Morton, Buddy Bolden, Kid Ory ishin ata që bënë tranzicionin e muzikës popullore afrikane në format e para të xhazit.
Një nga datat më të rëndësishme në zhvillimin e muzikës xhaz ishte dita e 26 shkurtit 1917. Atë ditë, në studiot e regjistrimit të qytetit të Nju-Jorkut pesë muzikantë, përfaqësuesit tipikë të garës “Europoid”, bënë regjistrimin e parë të xhazit. Pas këtij regjistrimi të dëgjuar në të gjithë Amerikën, nga grupi legjendar “Original Dixieland Jazz Band”, e gjithë popullsia e këtij vendi të madh ishte e tronditur dhe habitur nga ai tingull i pazakontë, i cili pushtoi shtëpitë diskografike gjithmonë e më shumë dhe u kthye në një markë amerikane që pushtoi botën, duke sjellë fitime marramendëse.
Një nga grupet e para të xhazit e viteve ’30, që më pas, për nga stili, u ndoq edhe nga shumë të tjerë, ishte orkestra e njohur nën drejtimin e mjeshtrave të muzikës xhaz si Glenn Miller, Duke Ellington, Fletcher Henderson, Count Basie dhe Benny Goodman. Duke Ellington në vitet ’40 të shekullit të kaluar, në punën e tij është bazuar në traditat e muzikës popullore latinoamerikane, duke e zgjeruar edhe më shumë muzikën xhaz.
Muzikantë të talentuar dhe interpretues të xhazit, si Charlie Parker, Dizzy Gillespie, Thelonious Monk dhe shumë të tjerë eksperimentuan me zhanrin “Bebop” dhe “Bop”, duke e bërë xhazin edhe më shumë të kuptueshëm nga masat. “Bebop” ngelet ndër më të njohurat edhe në ditët tona.
Në mesin e viteve ’60, zhvillimi i xhazit, si tendencë stilistike në muzikë, ka shkuar në dy drejtime të ndryshme. Një ndër to është stili “West Coast”, ndërthurje kjo e ritmeve klasike dhe moderne të asaj kohe, por me bas të rëndë dhe tejzgjatje të notave të çrregullta. Këngëtarja që sot thuajse e sjell atë lloj muzike tek ne është Lana Del Ray. Drejtimi i dytë është “Soul Jazz”, ku kombinohen bazat e “Bebop”-it dhe traditat negro folklorike, ritmet e zjarrta dhe meloditë fetare, këngët e nipërve amerikanë të atyre që luanin notat e para të xhazit nëpër lagjet e thella, ku lindi kjo lloj muzike, të ashtuquajturit muzikantët shpirtërorë.
Xhazi është popullor në shumë vende të botës. Kudo ka yje, të cilët janë të rrethuar nga një ushtri tifozësh, por disa emra janë bërë një legjendë e vërtetë. Ata janë të njohur dhe të dashur nga të gjithë. Kur mendon për xhazin, mendja të shkon menjëherë te Louis Armstrong-u, Aretha Franklin, Rey Charles, Billie Holiday, Ella Fitzgerald, Janis Joplin, etj. Xhazi live është sot ndër më të preferuarit dhe më të paguarit në lokalet më luksoze të shtresave të larta në botë, por edhe në baret e vogla tradicionale të ShBA-së, Europës e Azisë, ku çdokush mund të shkojë për të kaluar disa orë me miqtë për të dëgjuar muzikën “soul”, muzikën e shpirtit. Muzika xhaz i ka rezistuar të gjitha kohërave, duke u bërë pa dyshim frymëzim edhe për muzikën moderne të ditëve të sotme.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në senatin amerikan, Bob Menendez ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Washington.
Menendez pas takimit, publikoi një status në llogarinë zyrtare në “Twitter”, duke e falënderuar atë dhe ka thënë se partneriteti ShBA-Kosovë është më i fortë se kurrë.
“Kënaqësi ta pres presidenten Vjosa Osmani për një bisedë të rëndësishme për të luftuar ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. I lumtur që pata mundësinë ta falënderoj atë për pritjen me zemër të hapur të Kosovës për afganët dhe refugjatët ukrainas. Partneriteti ShBA-Kosovë është më i fortë se kurrë”, ka thënë ai.
Presidentja Osmani ka marrë pjesë në funeralin e ish-sekretares Madeleine Albright, derisa më pas ka zhvilluar edhe takime me senatorë e kongresistë të shumtë amerikanë. /KultPlus.com
Sot bëhen 23 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.
Me këtë rast do të mbahet një tubim përkujtimor te pllaka përkujtimore në Vërboc dhe një akademi përkujtimore nën përkujdesjen e kryeministrit Ramush Haradinaj në Teatrin Kombëtar.
Ilaz Ismajl Kodra lindi më 3 maj të vitit 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.
Ndikimi atdhetar, që kishte ushtruar te rinia përparimtare dhe revolucionare e Prekazit e më gjerë, akti heroik dhe qëndresa e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, kundër policisë jugosllave, i kishte dhënë impulse idesë së vazhdimit pa kthim të rezistencës së armatosur kundër pushtuesit. Edhe Ilazi, ashtu si më parë Adem dhe Hamëz Jashari kishin mendime identike lidhur me nevojën e fillimit të luftës së armatosur, në kohën kur po shihej mirëfilli se Jugosllavia do të shpërbëhej dhe kur tashmë kishte filluar shkatërrimi i saj me ndar jen e Sllovenisë dhe me fillimin e luftës në Kroaci e më vonë edhe në Bosnje e Hercegovinë./ KultPlus.com
30 prilli njihet si dita ndërkombëtare e muzikës Jazz , e cila festohet me qëllim të rritjes së vetëdijes për vlerat e Jazzit si një mjet edukativ dhe forcë për paqen, unitetin, dialogun dhe bashkëpunimin e zgjeruar mes njerëzve.
Për të shënuar këtë datë, në shumë vende bëhen organizime të ndryshme duke u promovuar këtë rrymë të muzikës, e cila nëpër botë është mjaft e popullarizuar.
UNESCO ka caktuar 30 prillin për këtë ditë, me rezolutën e miratuar në Konferencën e Përgjithshme të kësaj organizate, në nëntor të 2011-ës.
Muzika Jazz është një lloj muzike shumë intelektuale. Ajo ndikon për një ormë tjetër të menduarit të njeriut. Ajo krijon ndjenja dhe emocione të veçanta tek individi. Melodia, ritmi, harmonia dhe loja modale e bëjnë muzikën Jazz një lloj i veçantë arti.
Muzika e Jazzit është një stil muzikor që u shfaq në fillim të shekullit të 20-të, në komunitetet zezakëve në Jug të Shtetet e Bashkuara. Ka lindur nga një përzierje e traditave të muzikës afrikane dhe evropiane. Nga fillimet e saj e deri në ditët e sotme, muzika Jazz ka marrë edhe elementë nga muzika popullore amerikane për shumë stile të dallueshme si: New Orleans Jazz që daton nga fillim të 1910, Gypsy Jazz nga vitet 1930 dhe 1940, Bebop nga mesi i viteve 1940, Cool jazz, Avant-gard jazz e të tjerë.
Instrumentet më të përdorur të muzikës Jazz janë: Saksi, Tromba, Tromboni, Bateria, Contra Basi, Ksilofoni dhe instrumentet elektrike mbas viteve 70-të. / KultPlus.com
Më 30 prill 1789 u bë përurimi i George Washingtonit si president i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nga procesverbalet e asaj kohe del se ka qenë një ditë e ftohtë dhe e kthjellët, kur George Washingtoni mbërriti në sallën ‘Federal Hall’ në qytetin e Nju Jorkut, i cili ishte atëherë kryeqytet i Shteteve të Bashkuara.
Me këtë rast ndërtesat pranë ishin stolisur me shirita në ngjyrë të kuqe, të bardhë e blu. Një turmë e gëzuar u mblodh në rrugën poshtë ballkonit, ku George Washingtoni bëri betimin si president.
George Washingtoni mbështeti dorën mbi një bibël të familjes dhe premtoi se do të ruante, mbronte e do t’i dilte për zot Kushtetutës. Pas kësaj presidenti Washington shkoi për t’u falur në një kishë aty pranë. /KultPlus.com
Poezi nga William Butler Yeats Përktheu: Orjela Stafasani
Zemrën askujt mos ia fal krejt se grave pasionante dashnia u duket e lehtë, e padenjë për kujdes, kur për të siguri kanë dhe ato s’andrrojn’, n’mend s’e mbajn’ se prej puthjes n’puthje atë e kap nji dobësi; çdo gja e bukur asht veç nji knaqësi andrruese, e kandshme, që kalon përherë. Oh, zemrën kurrë mos e jep përnjiherë se, pavarsisht çka buza e ambël nxjerr, zemrat si zaret n’lojë i kanë hedhë. Dhe si mundet vallë n’lojë me fitu’ ndonja që shurdh, memec e qorr dashnia e ka ba? Kush e ka provu’ e di cili asht çmimi dhe mundi sepse e fali gjithë zemrën dhe humbi. / KultPlus.com
Muharrem Qena, një shpirt i veçantë që krijoi art në fusha të ndryshme, me zërin e tij na la disa këngë të cilat dëgjohen edhe sot.
Përtej këngëve, tekstet e tyre të cilat shpesh i shkroi ai vet kanë vlerën e tyre dhe tej emocionit janë edhe të thella dhe poetike.
A thu asht ma lehtë pa dhimbje A thu ma bukur pa lot A thu ti ke me u kthye Dhe prapë me qenë na të dy A thu me është fati i tillë A thu gjithmonë me vuajtje A thue ti dot më kthehesh Dhe prapë me qen na të dy
Çdo gjë kalon në jetë Atëherë dhe dielli kur të lind Mbas diellit prapë shi do t’ ketë Kështu asht me të vërtetë
Ndoshta të tillë e kam fatin Ndoshta gjithmonë me vuajtje Ndoshta ti kurrë s’do t’më kthehesh Edhe kjo ngjan në këtë jetë. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me kongresistët Jim Himes dhe Ritchie Torres, si dhe nga anëtari i grupit, kongresisti Robert Aderholt, shkruan KultPlus.
Osmani përmes një positmi në rrjetin social “Twitter”, ka falënderuar dy bashkëudhëheqësit e Grupit për çështje shqiptare në Kongres, për angazhimin e jashtëzakonshëm në përkrahje të Kosovës.
“I falënderova kongresmenët për të gjitha iniciativat që mbështesin Kosovën, axhendën tonë euroatlantike dhe anëtarësimin në IO. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të forcuar marrëdhëniet tona të veçanta Kosovë-Amerikë. Populli i Kosovës është vërtet i bekuar me miqtë dhe avokatët tanë të shumtë”, ka shkruar Presidentja.
Osmani ka zhilluar disa takime derisa po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /KultPlus.com
Shfaqja “a.y.l.a.n” nga Jeton Neziraj, regjisore Blerta Neziraj, prodhim i Teatrit të Gjilanit, fiton çmimin kryesor në Festivalin Kontrapunkt 56 në Poloni, shkruan KultPlus.
Festivali bëri të ditur se çmimin më të lartë të Jurisë e ka marrë vepra “a.y.l.a.n” e Teatrit të Qytetit të Gjilanit për interpretimin mjeshtëror të dramaturgjisë në lidhje me temën shumë të vështirë, që është lufta e së mirës kundër së keqes.
Për këtë çmim ka reaguar edhe Teatri i Qytetit të Gjilanit, duke thënë se ky është një lajm i jashtëzakonshëm dhe ata ndjehen super të lumtur. /KultPlus.com
Sot bëhen 93 vjet që nga lindi Maria Poliduri, për nder të saj ju sjellim poezinë “Sepse më dashurove”.
Poezi nga Maria Poliduri Shqipëroi Maksim Rakipaj
Nuk këndoj meqë re në dashuri me mua vitet që shkuan. Edhe gjatë verës, në zagushi edhe në borë, edhe në shi, s’po këndoj meqë u dashuruam.
Por vetëm sepse më mbajte ndër krahë dhe më puthe në buzë atë natë ja përse ndjehem çelur si zambak dhe ky shpirti ende fërgëllon, kur më duket sikur më përqafon.
Vetëm sepse më shikoje me ngulm, qe shpirti yt që vështronte, që shpirtin ma zbukuronte gjithçka ty të dhuronte vetëm sepse më shikoje me ngulm.
Sepse veç më vije re kur shkoja dhe shihja ndër sytë e tu të kalonte si ëndërr e brishtë hija ime që lodronte, që lëngonte, Sepse veç ti më vije re kur shkoja.
Sepse më fole ashtu, me drojtje dhe unë të zgjata duart të pashë të turbulluar i shtrenjti im i paharruar, sepse më fole ashtu, me drojtje.
Sepse, vetëm sepse ty të pëlqente, prandaj më qe e këndshme ecja më dukej se të kisha pas kudo dhe ndokur pranë do të të ndjeja Sepse, vetëm sepse ty të pëlqente.
Vetëm sepse më deshe ti jam lindur, ndaj jeta s’m’u dha kot. Mjerim jeta bosh, e palumtur, por imja është plot. Vetëm sepse më deshe ti jam lindur.
Veç për dashurinë tënde të veçantë më zbret agimi nëpër duar. Të të ndrit udhën çdo çast Me yje m’i mbush sytë çdo natë, Veç për dashurinë tënde të veçantë.
Vetëm se më deshe mrekullisht u linda dhe jetova ti mbret, në ëndrrat e tua mbretërova dhe vdekja më vjen kaq ëmbëlsisht vetëm se më deshe mrekullisht./KultPlus.com
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, me iniciativën e Ministrisë së Kulturës, ka përfunduar procesin e hartimit të “Planit për Ruajtjen, Mbrojtjen dhe Administrimin e qendrës historike të Elbasanit dhe zonës mbrojtëse të saj”.
Pas miratimit në Këshilli Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), procesi do të vijojë me fazën e miratimit me vendim të Këshillit të Ministrave.
Qyteti i Elbasanit, me fillesa të tij që në shek. II pas Kr., por edhe më herët si itinerar kalimi, njihej me emrin Candavia. Më pas, është bërë i njohur si qendër antike kur ka nisur jetën si një pikë e itinerarit të “Via Egnatias”. Duke pasur një pozitë të favorshme gjeografike, shpejt u kthye në stacion kryesor të rrugës Egnatia.
Qendra historike e Elbasanit përfshin të gjithë lagjen brenda mureve rrethuese të kalasë si edhe sipërfaqen që kufizohet nga 3 rrugë. Kalaja e Elbasanit, së bashku me muret rrethuese dhe banesat me arkitekturë vernakulare, përfshihen në grupin e ansambleve urbane tradicionale.
Urbanistika e ansamblit të banuar brenda kalasë, ruan trajtat organike, origjinale në shtrirje, tipike e vendbanimeve të traditës.
Ndër vite, struktura urbane, duke ruajtur identitetin e saj, pranoi ndryshimin, përshtatjen dhe transformimin si elemente konceptualë të domosdoshëm të formës urbane, në përpjekje për t’iu përgjigjur ndryshimeve të jetës shoqërore dhe urbane të qytetit. /KultPlus.com
Kosova ka filluar suksesshëm Evropianin në sportin e xhudos, i cili po mbahet në Sofje të Bullgarisë, duke fituar medalje përmes Distria Krasniqit, shkruan KultPlus.
Trajneri Driton Kuka ka thënë që edhe kur nuk ecin gjërat sipas planit prapë një medallje vjen për Kosovën, kjo për faktin se Krasniqi fitoi medaljen e bronztë.
Postimi i plotë i Kukës:
“Medalja Elitare e para për sivjet u fitua… Xhudo edhe kur nuk ecin gjërat sips planit prapë sjell medalje për Kosovën! Distria e bronztë … Kampionati Evropian për të rritur! Kategoria e saj e re 52 kg! Edhe në një ditë jo të mirë me disponim për luftë Distria merr medaljen e radhës! Flaka Loxha vendi i 7 me dy fitore e dy humbje kategoria 57 Kg! Plasmani i saj më i mirë në gara zyrtare për të rritur. Meritoj plasman më të mirë ndoshta edhe medalje,por me randësi që tregoj që i përket kreut të xhudos Evropiane Neser garojnë Akili e Laura shpresojmë në rezultat e medalje! Kënaqësi që gjatë garës kishim mysafir Ministrin Çeku gjatë tërë ditës ishte me ekipin e tij në përkrahje të sportistëve tanë. Mirënjohje edhe Ambasadorit të Kosovës në Bullgari dhe stafit të Ambasadës! E unë si trener po jau shpalos një gëzim timin si trener! Është viti i 10 me radhë që kemi fituar medalje në Kampionate Evropiane për të rritur! E kemi filluar me 2013 e sivjet 2022 bahen plot dhjetë vite që kthehemi me medalje nga Evropiani për të rritur. Kosova mbi të gjitha … Xhudo për Kosovën e popullin Shqiptar po vazhdon tutje”. /KultPlus.com
Fisnike i duket lufta atij që s’e ka provuar kurrë me parë Nëse bota është Art, Dhe kombet janë bashkësi njerëzish, Përse i duket lufta fisnike, Atij që s’e ka provuar kurrë me parë! Gjysmërreth i përfytyruar në sipërfaqen e Tokës, Atje larg në Ukrainë, Ndeshje e armatosur ndërmjet shtetesh, Betejë, luftim, Për një copë tokë Që nuk u ngop kurrë, Poshtëroj veten, ul veten në sy të botës. Liria është të njohësh kufijtë e tu, Me fisnike është ta ndalosh egërsinë, Shkatërrim e shtypje çnjerëzore, Njeriu nuk e ndërton fatin e vet, Sepse bombat nuk zgjedhin, ato godasin çdo gjë. /KultPlus.com
1-Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër. 2-Meqenëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyre që, së bashku, formojnë kombin, do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katër orë dhe të hetojë nga thellësia e vetes së tij se ç’shërbim ka bërë për shoqërinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që quajmë komb. 3- Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë. 4- Liria është që të mos të trazojë njeri ty dhe ti të mos të trazosh të tjerët. 5- Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm. 6- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve. 7- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit 8- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër. /KultPlus.com
Distria Krasniqi ka arritur që të fitojë medaljen e bronztë në Evropianin që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, derisa Flaka Loxha ka zënë vendin e shtatë në këto gara, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një postimi në “Facebook”, ka njoftuar për fitoren dhe suksesin e Kosovës, duke treguar se i pranishëm ishte edhe Hajrulla Çeku.
Postimi i plotë:
“Distria Krasniqi fiton medaljen e bronztë
Kampionia olimpike Distria Krasniqi fitoi medaljen e bronztë në Evropianin e xhudos që po mbahet në Sofia. Ajo mundi gjermanen Mascha Ballhaus në kategorinë -52 kg.
Flaka Loxha (-57 kg), zuri vendin e shtatë, suksesi më i madh i saj në Evropianin e seniorëve.
Garat i përcolli nga afër edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku“. /KultPlus.com
Sa herë dora ime prek trupin tënd të zhveshur dhe shtrati i djersitur ngjan me një re, me duart që të dridhen me sytë e një fëmije papritur më pyet, “a ka të tjerë si ne”?
Pastaj ora ndalet dhe toka s’rrotullohet hëna plasaritet, nuk fryn më as erë me muskuj të tendosur në pritje të një britme sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne”?!
Të dua, të dua, të dua – unë kaq di të tjerat nuk i gjejmë nuk i gjejmë dot as unë, as ti.
Loti yt rrokulliset edhe zbret në gjoksin tim ne botën nuk e njohim, parajsën e dimë akrepat po lëvizin, toka rrotullohet hëna e plotë – asgjë nuk pipëtin…
Të dua, të dua, të dua dhe ti e di sa herë s’ta kam thënë, ta kam fshehur, por je vetëm ti.
Dhe ndiej dorën tënde mbi trupin tim të zhveshur shrati i djersitur, kjo dritë kaq e zbehtë me gjunjët e këputur, me sytë e përhumbur tani unë të pyes: “a ka të tjerë si ne?!”
Dhe prapë ora ndalet dhe toka s’rrotullohet hëna plasaritet, nuk fryn më as erë me muskuj të tendosur, në pritje të një britme sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne”? / KultPlus.com
“Ndërtimi i Televizionit Shqiptar në vitet 1959-1981”, është ekspozita e hapur sot në ambientet e jashtme të Radio Televizionit Shqiptar, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Radio Televizioni Shqiptar.
Në këtë ekspozitë publiku i gjerë ka për herë të parë mundësinë që të vërejë nga afër procesin e zhvillimit teknologjik përgjatë ndërtimit të kësaj medieje shtetërore.
62 vjet më parë Radio Televizioni Shqiptar lëshoi sinjalin e parë televiziv, duke çelur epokën e lindjes së medias audiovizive shqiptare.
Mes materialeve arkivore të përzgjedhura, gjendet e evidentuar veprimtaria e përbashkët e disa gjeneratave të teknikëve, drejtuesve të kohës, arkitektëve, inxhinierëve etj., që u përfshinë në këtë sipërmarrje të vështirë dhe të kushtueshme për kohën.
Ekspozita parashikon edhe prezantimin e shumë objekteve teknike, të cilat kanë qenë produkt i punës televizive ndër vite.
Në stendat e kësaj ekspozite gjenden dokumentet e projekt ideve për ndërtimin e Radio Tiranës dhe më pas zgjerimin e godinës dhe për televizion.
Gjithashtu në ekspozitë paraqitet edhe projekt vendimi mbi ngritjen e godinës së radio-difuzionit apo Vendimi i Këshillit të Ministrave mbi centralizimin për ndarjen e radio-frekuencave sipas shërbimeve.
Gjithashtu në stendat e ekspozitës “Ndërtimi i Televizionit Shqiptar në vitet 1959-1981”, gjenden edhe dokumentet historike mbi projekt marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e radio-difuzionit dhe televizionit midis Republikës së Demokratike të Gjermanisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë.
Kjo ekspozitë paraqet edhe foto arkiv mbi antenën e parë të transmetimit televiziv, aspekte nga montimi i aparaturave apo procese të montimit të transmetuesit.
Gjithashtu pjese e ekspozitës janë edhe pajisjet që përdoreshin dikur në RTSH, si kamera, pajisje regjistruese/riprodhuese portabile apo njësi të kontrollit të kamerës./atsh/KultPlus.com
Distria Krasniqi ka arritur të fitojë medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, shkruan KultPlus.
Krasniqi ndonëse pati probleme në ndeshjen ndaj Amandine Buchard, në fund gjithsesi arriti të sigurojë medalje për vendin e Kosovës.
Distria përfundoi e treta në kategorinë deri 52 kilogramë, duke fituar ndaj gjermanes Mascha Ballhaus.
Për Distrinë është medalja e katërt në kampionate evropiane, derisa ajo ka edhe një të bronztë tjetër, një të argjendtë e një të artë.
Kosova është duke u përfaqësuar në këtë Evropian nga katër xhudistë: Distria Krasniqi, Flaka Loxha (u eliminua në repesazh), Akil Gjakova dhe Laura Fazliu, të cilët luajnë nesër. /KultPlus.com