Ekspozita e ‘Muzeut të Fëmijërisë së Luftës’, dokumentim i vuajteve të fëmijëve në kohë të luftës

Flonja Haxhaj

Vizatimet janë bërë në fillim të luftës nga motra ime, Aida Mehmedagie. Jetonim pranë spitalit të qytetit, në një lagje që ishte objekt i shpeshtë i granatimeve. Ishte shumë e rrezikshme të dilnim dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonim në shtepi ose në bodrum. Ajo në njëfarë mënyre mbante gjithmonë një libër ose ngjyra në duar. I pëlqente të vizatonte, ishte e talentuar dhe shpesh krijonte vepra te vërteta artistike nën dritat e Ilambave! Ndonjëherë ajo shkruante letra drejtuar shoqes por në fakt ato ishin një lloj ditari per shënime.

Së shpejti pas këtyre letrave dhe pak pas ditëlindjes së saj te shtatëmbëdhjetë, një mbrëmje relativisht te qetë, dikush trokiti në derë. Ne ishim vetëm në shtëpi. Babai ishte te komshiu lart, luanin shah, dhe nëna ishte në detyrë në punë. Ishte njëra nga shoqet e motrës. Një ditë më parë kishin pasur një debat dhe i ka bërë thirrje të ‘pajtohen’. Motra mbeti në pragun e gjerë para derës dhe unë hyra në kuzhinë me qellim qe t’iu bashkohesha atyre së shpejti. Papritur u dëgjua një zhurmë e fortë, e gjithë shtëpia u dridh dhe gjithçka u mbulua nga pluhuri. Dëgjova britma dhe zërin e babait. U ula, pa mundur të lëvizja nga tronditja. Menjëherë pas kësaj, babai hyri në dhomë, krejtësisht i shqetësuar dhe mori vetëm batanijen! Nuk e pashë më Aidën time.”, thuhet në rrëfimin e Selmas nga  Bosnja, rrëfim ky i bashkëngjitur me vizatimin e motrës së saj e që u ekspozuan në mesin e shumë objekteve dhe rrëfimeve të tjera në ekspozitën e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës që u hap dje për herë të parë në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Kjo ekspozitë paraqet objekte dhe rrëfime nga fëmijë që kanë përjetuar luftën në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë.

Në mesin e shumë objekteve, në këtë muze paraqitet edhe bluza e Edonit 3 vjeç e gjysmë i cili ishte vrarë gjatë luftës në Kosovë së bashku me shumë fëmijë të tjerë, e rrëfimin për historinë e tij e sjell kushëriri i tij, Blinori.

Në rrëfimin e tij, ai shpjegon se si së bashku me nëntë shokë të tjerë gjatë lojës në fushë hasën në një objekt të pazakontë e i cili u nxiti kureshtje për të ditur se çka është. Përderisa ai vrapoi për t’i kontrolluar kafshët, Blinori tregon se dëgjoi një shpërthim në vendin ku ndodheshin shokët e tij.

“I pashë miqtë e mi të shtrirë përtokë, me fytyra të nxira dhe të mbuluar me gjak Me kujtohet frika dhe një ndjenjë ç’ orientimi. Nuk dija si të kthehesha në shtëpi, por gjithsesi fillova të ecja. Rrugës takova një kushëri timin. U përpoqa t’i tregoja se kishim gjetur një objekt të çuditshëm, se nga ajo gjë ishte dëgjuar një ‘bum’ dhe se i kishte vrarë të gjithë, por nuk mund të flisja. Unë isha në lidhje familjare me shumë fëmijë që vdiqën atë ditë. Fisniku ishte 9 vjeç, Burimi dhe Osmani 13 vjeç dhe Valdeti 15 vjeç. Edoni i vogël ishte vetëm 3 vjeç e gjysmë. Ai ishte djali i xhaxhait tim, kushëriri im i parë. Kjo është bluza e tij.”, përfundon rrëfimi i Blinorit.

Këto dhe shumë rrëfime të tjera do të jenë të ekspozuara deri më 30 prill në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Në hapjen e kësaj ekspozite, e cila vjen për herë të parë në Kosovë, foli Amina Krvava, drejtoreshë ekzekutive e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës e cila fillimisht falënderon ata që e mundësuan realizimin e kësaj ekspozite në Prishtinë.

“Muzeu i Fëmijërisë së Luftës ka filluar si një platformë në të cilën njerëzit, fëmijët e asaj kohe që tani janë të rritur, kanë mundur të flasin dhe të shprehnin ndjenjat e tyre, të ndihen të sigurte dhe të kenë një vend ku ata mund të flasin për historitë e tyre meqë i gjithë ekipi i muzeut që kanë ardhur në Kosovë janë vetë fëmijë që e kanë përjetuar kohën e luftës. Me kalimin e vitit, kjo platformë ka fillu me u rritë më shumë edhe më pas është marrë iniciativa me u shndërru në muze. Në bashkëpunim me një profesor nga Prishtina kanë marrë edhe tregime të fëmijëve të kohës së luftës në Kosovë, të cilat më pas kanë vendosur t’i prezantojnë në vendin tonë dhe të bëhet një bashkëpunim ku do të mund të tregohen ngjarjet dhe ndodhitë e viteve të 90-ta të luftës në Bosnje dhe të viteve 98/99 të luftës në Kosovë.”, thotë Krvava, e cila shton se përveç historive të luftës në Bosnje e Kosovë, ky muze paraqet edhe tregime të fëmijëve të luftërave që tani janë edhe aktuale si në Palestinë, Ukrainë dhe në shumë  regjione të tjera.

I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporit në Kosovë, Hajrulla Çeku i cili vlerëson se Muzeu i Fëmijërisë në Bosnje është një shembull shumë i rrallë i muezealizimit të vuajtjeve të fëmijëve në situata të luftës.

“Çmimet ndërkombëtare që i ka fituar ky muze, shtrirja e tyre, koncepti dhe mënyra se si evoluojnë gjatë gjithë kohës, tregojnë se ky nuk është një muze statik, por është një mundësi e jashtëzakonshme edhe për ne, për të fituar nga kjo përvojë”, thotë ministri Çeku i cili shton se është dakorduar me drejtoreshën Krvava që edhe Kosova ta ketë institucionin e vetë ku muzealizohet fëmijëria e luftës.

“Storjet tona janë ende të freskëta, vuajtjet tona janë të dokumentuara deri diku por kemi nevojë edhe më shumë të bëjmë dokumentim. Kemi organizata, individë e artistë që kanë punuar në Kosovë gjatë këtyre viteve për ta dokumentuar dhe ekspozuar këtë pjesë të dhimbjes tonë, vuajtjet e fëmijëve të luftës së fundit dhe në bashkëpunim me Muzeun e Fëmijërisë së Luftës dhe institucionet përgjegjëse, shpresojmë që Kosova shumë shpejt ta ketë muzeun e vetë kushtuar fëmijëve në rrethana të luftës”, vazhdon Çeku.

Në fund foli edhe profesori, Atdhe Hetemi i cili ka ndihmuar që Muzeu i Fëmijërisë së Luftës të ketë edhe rrëfime dhe objekte që tregojnë për vuajtjet e fëmijëve gjatë luftës në Kosovë.

“Në pamundësi për t’i përfshirë të gjithë ata fëmijë që kanë tregimet e tyre për t’i ndarë, unë jam munduar që përzgjedhjen ta bëj në atë formë që do të jepte mesazhe që në  tërë territorin e Kosovës, fëmijët që kanë jetuar këtu gjatë viteve 1997, 1998 dhe 1999 kanë pësuar traumat e veta”, thotë Hetemi.

Muzeu i Fëmijërisë së Luftës është një muze historik në Sarajevë, Bosnje-Hercegovinë që u hap në janar 2017. Muzeu paraqet përvojat e fëmijëve që jetuan luftën në Bosnje, Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë, të treguara përmes objekteve, dëshmive video dhe fragmente nga historitë gojore. Çmimi i Muzeut të Këshillit të Evropës 2018, një nga çmimet më prestigjioze në industrinë e muzeve, iu dha Muzeut të Fëmijërisë së Luftës si pjesë e Çmimit të Muzeut Evropian të Vitit 2018./ KultPlus.com

Kurti përkujton Omer Kaleshin, do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar piktorin Omer Kaleshi i cili vdiq dje në moshën 90-vjeçare, përcjell KultPlus.

Kurti përmes një postimi në Facebook thotë se Kaleshi do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Për kujtim të Omer Kaleshit (1932 – 2022) 

Një kokë piktoreske e bardhë, me flokë dhe mustaqe të thinjura, do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave, piktorit të madh shqiptar Omer Kaleshi. Një ekspozitë në Hamamin e Daut Pashës në Shkup, ku ai pa disa gravura të artistit anglez Henry Moore, me njerëz të strehuar në metro nga bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore, e shtyen Omerin e ri të hiqte dorë nga profesioni i elektricistit për tu bërë piktor. “Rrënjët e artit tim u zunë në Shkup, trungu iu rrit në Stamboll, kurse frutet e tij u poqën në Paris” – thoshte shkurt Omer Kaleshi, kur përshkruante rrugëtimin e tij jetësor prej artisti. Ai nisi duke kopjuar një vepër të Paul Cezanit, për të krijuar gjithë veprën e tij artistike atje ku pikturoi edhe vetë Cezani, në Paris. 

I lindur në Kërçovë më 1932, pas gjashtë vitesh studime në Akademinë e Arteve në Stamboll, Omer Kaleshi u vendos në Paris ku jetoi derisa u nda nga ne, dje më 16 prill 2022, në moshën 90 vjeçare. Ai ekspozoi veprat e tij në mbi 150 ekspozita personale dhe kolektive në kryeqendrat europiane, duke tërhequr vëmendjen e shumë kritikëve të artit, që shkruajtën me vlerësime aq të larta për pikturat e tij.

Koka dervishësh, koka çobanësh, koka me plisa, koka me shamie, koka nga Anadolli dhe koka nga Ballkani, të gjitha të pikturuara pa model. Shumë koka, koka pa trup, vetëm koka, por edhe pse pa trup, kokat e Kaleshit nuk kanë gjak meqë ato nuk janë koka të prera, sepse janë koka të gjalla, siç shpjegonte vetë ai. Koka me sy, por koka shpesh pa vesh, koka të mbështjellura, të dala nga imagjinata e kokës së Kaleshit dhe të pikturuara mjeshtërisht prej tij. Ai pikturonte i vetëm në atele, pa u parë nga askush, ngase duke qenë i vetëm ai besonte se ishte i plotë. Në historinë e artit, piktori i kokave Omer Kaleshi, do të regjistrohet edhe si piktori unik që hapësirat e bardha brenda pikturave të tij, i linte në vetë të bardhën e pëlhurës. Në mbamendjen e shqiptarëve, Omer Kaleshi mbetet piktori model që frymën e tij shqiptare, e përktheu në artin e tij me vlera të përbotshme./ KultPlus.com

Omer Kaleshi, i fundit i artistëve

Nga Arben I. Kastrati

Për herë të parë e kam takuar në Strugë, vite më parë. Shqipja dhe unë, e ftuam për vizitë.

Nga balkoni i shtëpisë tonë, Omeri i pa fjalë, e shikonte liqenin i menduar dhe e shijonte rakinë e rrushit. E refuzoi gotën e tretë, që i solli Shqipja, duke e fajsuar moshën dhe, ishte fjalia e dytë që foli. Sikur e kishte zët të fliste.  Fjalia e parë ishte, përshkrimi që i bëri liqenit; “I bukur shumë”. Fjalia e tretë dhe e fundit ishte, përshëndetja.

Edhe pse qëndroi deri pasdreke, kishte nevojë të rrinte dhe më gjatë. Sikur nuk ngopej me pamjen e liqenit. Sikur ushqehej me qetësinë të cilën na e dhuronte vendi.

Bëmë foto lamtumirëse dhe secili shkuam udhëve tona.

Në Paris, isha për të përfunduar përgatitjet e fundit, para nisjes së xhirimit të filmit. Saktësisht në mesditë, zbriti të më takonte, para portës së ndërtesës ku rronte.

I ngjitëm shkallët me ngadalë deri tek kati i sipërm i ndërtesës, ashtu siç ja kërkonte mosha. Koridori i katit të sipërm ishte i gjatë. Ndaluam para një dere.  

Kam shijuar shumë atelie, gjatë vizitave që u kam bërë artistëve. Atelieja-shtëpi e Z. Kaleshi, do të ishte më e veçanta. Ishte, si të hyje brenda një hapësirë të ndërtuar nga pamundësia. Një hapësirë që të dukej e pavërtet, një hapësirë ireale. Në, afërsisht, pesëdhjetë metrat katrorë të shtëpisë-atelie të Z. Kaleshi, ishte banjoja, kuzhina, dhoma e ndejës, dhoma e gjumit dhe atelieja. Brenda asaj hapësire, që dikur kishte shërbyer shtëpi shërbëtorësh, dhe i gjithë kati i epërm i ndërtesës e kishte WC-në e përbashkët, Z. Kaleshi e kishte ndërtuar mbretërinë e tij.

U ula në orman, sipër së cilit, qëndronte shtrati i tij i gjumit. Në tavolinë kishte një telefon fiks, thirrja e të cilave bëhej me rrotullime numrash. Çdo gjë, që besoja se kishte dalur nga përdorimi, rronte aty, në ato pak metra katrorë, ku një artist parekselancë, krijonte vepra të përjetshme.

Qetësia që mbretëroi në vazhdim, m’u duk shumë e gjatë. Sepse ngurronte të fliste, u ngrita të ikja. Besova që isha një i padëshiruar, si gjithë të tjerët, që ia shpenzonim kohën. Isha i bindur që kishte pranuar të më takonte sepse ishte një lloj obligimi moral të takonte një shqiptar (sepse nuk më mbante në mend). Të prisje një shqiptar për vizitë, ishte detyrim.

Sikur u përmend nga reagimi im. E përshkroi kujtimin për liqenin dhe shijen e rakisë së rrushit gjatë vizitës në Strugë. Më pyeti për Shqipen dhe veprën e saj.

Më gostiti me një gotë raki rrushi. Përnjëherë, i pafjali Omer, filloi të fliste. Me qetësinë që e karakterizonte, më dëftoi historinë e tij, në formë të shkurtuar, nga ardhja në jetë e deri tek ardhja në Paris. Pastaj më foli për motivet dhe gjetjen e inspirimeve për punë.

Nuk e besoja që ai ishte në gjendje të fliste, të fliste gjatë, rrjedhshëm dhe me aq domethënie. Ai lironte një ngrohtësi të pashpjegueshme, teksa fliste. Ishte i sinqertë. Mburrja nuk gjeti vend në asnjë fjali të tij.

Kur e shikon një artist të shtyrë në moshë, që rron i vetëm dhe në kushte të tilla, ndjenë keqardhje. Besova që arsyeja e një jete të tillë, ishte pamundësia. Jo, në rastin e Z. Kaleshi. Ai nuk dinte sa para kishte. As nuk i interesonte. Ai kishte vetëm një kënaqësi në jetë, të krijonte. Asgjë tjetër, për të, s’kishte kuptim. Prandaj, ai rronte dhe krijonte në atë hapsirë, në atë ndërtesë, në ato kushte, dhe ishte tejet i lumtur. Aq sa kishte, i mjaftonin për të krijuar dhe për të qenë i lumtur. Ç’qenie e mrekullueshme. Një qenie që të gjithë me ngulm kërkonim ta përvetësonin, ndërsa ai kërkonte të ishte artist, i lirë, që nuk e mohonte origjinën, por që origjina nuk i dhuronte ndonjë domethënie të veçantë. Ai ishte një artist prej vërteti.

I zbritëm shkallët me të njëjtën shpetësi me të cilën hipëm. Më përcolli deri tek hyrja e Metro-së. Dëftimi në vazhdim, për trajtimin që i bëjnë vizitorët, ishte një lloj i kërkimfaljes. Vizitorët, nuk dinë të bëjnë dallimin mes mirësisë dhe naivitetit, më tha.

Nganjëherë, modestia e tepruar lë përthypje të gabuar, sidomos në moshë të shtyer, mendova.

Më kërkoi ta vizitoja sërish.

Lash pas, një njeri të lumtur. Lash pas, një artist. I vetmi artist që kisha takuar në jetë. Artist, që s’kishte nevojë për asgjë materiale. Arstist që vetëm krijonte.

Gjëja e parë që kujtova, pasi mora lajmin për vdekjen e Z. Kaleshi, ishte kërkesa e tij. Kërkonte hapsirë në qytetet shqiptare, në të cilat do të ekspozoheshin përjetësisht veprat e tij. Ishte dëshira e tij e fundit, një dëshirë e sinqertë dhe e papërmbajtur.

Unë nuk pata as forcë dhe as autoritet të mjaftueshëm që t’a ndihmoja, mjeshtrin. Të gjithë ishin të prirur ta dëbonin, se nuk qe mjaftueshëm – patriot shqiptar. Artsiti nuk i hynte në punë askujt.

Me ose pa galeri në viset tona, Omar Kaleshi ngelet i përjetshëm, Ai na la, ashtu siç na gjeti kur erdhi në këtë botë; të mjerë./ KultPlus.com

Zelensky: Ukraina nuk do të heqë dorë nga territori i saj për t’i dhënë fund luftës me Rusinë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina nuk është e gatshme të heqë dorë nga territori në pjesën lindore të vendit për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Ai gjithashtu njoftoi se ushtria e Ukrainës është e përgatitur të luftojë ushtrinë e Moskës në rajonin e Donbasit në një betejë që ai thotë se mund të ndikojë në rrjedhën e gjithë luftës.

Zelensky shtoi se vendi i tij nuk ka asnjë garanci se Rusia nuk do të përpiqet përsëri të pushtojë Kievin nëse është në gjendje të pushtojë Donbasin.

“Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme për ne që të mos i lejojmë ata, të qëndrojnë në këmbë, sepse kjo betejë … mund të ndikojë në rrjedhën e të gjithë luftës. Sepse nuk i besoj ushtrisë ruse dhe udhëheqjes ruse,” vazhdoi ai. “Kjo është arsyeja pse ne e kuptojmë se fakti që ne i luftuam ata dhe ata u larguan, dhe ata po iknin nga Kievi — nga veriu, nga Chernihiv dhe nga ai drejtim — nuk do të thotë nëse ata janë në gjendje të kapin Donbas, ata nuk do të shkojnë më tej drejt Kievit”, ka thënë Zelensky. /KultPlus.com

m

Gorilla më e vjetër e njohur në botë festoi ditëlindjen e 65-të

Fatou, një gorillë e ultësirës perëndimore që besohet të jetë më e vjetra në botë, sapo festoi ditëlindjen e saj të 65-të në kopshtin zoologjik të Berlinit, shkruan CNN, përcjell KultPlus.

“Zonja jonë Gorilla sot feston ditëlindjen e saj të 65-të, duke e bërë atë Gorillan më të vjetër në botë”, ka shkruar kopshti zoologjik në Instagram.

“Torta tradicionale e ditëlindjes nuk mund të mungonte as këtë vit. Vakti i ditëlindjes është gjithmonë diçka shumë e veçantë për Fatoun”, tha kopshti zoologjik.

Fotografitë e përfshira në postim treguan primatin e madh duke shijuar një tortë të zbukuruar me manaferra dhe fruta për të formuar numrat “65”.

Fatou mbërriti në Berlin në vitin 1959 përmes asaj që kopshti zoologjik i përshkruan si “rrethana të pazakonta” në një njoftim nga ditëlindja e saj e 61-të.

Një marinar përdori gorillan e re për të paguar tavernën e tij në një tavernë në Marsejë, Francë, pas së cilës ajo u transportua nëpër Evropë përpara se të blihej përfundimisht nga kopshti zoologjik në Gjermani. Ajo u vlerësua të ishte vetëm dy vjeç në momentin e mbërritjes së saj.

Në vitin 2019, Fatou u emërua “gorilla më e vjetër e gjallë në robëri” nga Guinness World Records pasi Trudy, një gorilla e lindur në 1956, vdiq.

Fatou është një nga kafshët e vetme në kopshtin zoologjik të Berlinit e lindur në natyrë, sipas njoftimit për shtyp.

Gorillat zakonisht jetojnë deri në 50 vjet, vuri në dukje Guinness. /KultPlus.com

Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor në Tiranë

Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor zhvillohet sivjet, në kuadër të vitit të akademizmit shqiptar, shpallur në nderim të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si nismë e përbashkët e saj dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Vendi i zhvillimit të këtij panairi do të alternohet: një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt. Panairi organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë,  Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Panairi i parë do të hapet më 22 prill, që përkon me Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit dhe do të zgjasë deri më 24 prill 2022. Qëllimi i panairit është që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në gjithë hapësirën shqiptare, duke synuar një prani përfaqësuese sa më të gjerë.

Krahasuar me letërsinë dhe artet, nga vetë natyra e tij, libri akademik dhe shkencor e ka më të vështirë rrugën për të mbërritur tek lexuesi. Kjo është një nga arsyet pse duhet të ketë një panair të dedikuar për të, me qëllim që libri shkencor dhe akademik t’i afrohet lexuesit të vet dhe të lehtësohet komunikimi mes tyre.

Panairi i librit akademik dhe shkencor do të ketë gjithashtu dhe karakter promovues e manifestues, sepse do të mundësojë pranë vendosjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga gjithë hapësira shqiptare, duke synuar që në një të ardhme të jenë të pranishme edhe botimet nga qendrat albanologjike në botë.

Krahas botimeve prej institucioneve akademike dhe universitare, do të kenë vendin e tyre të merituar edhe botimet cilësore nga ente jopublike. Organizuesit duan që përmes panairit të ndikojmë për të krijuar një rrjet kombëtar të botuesve të librit shkencor, para së gjithashtu të universiteteve dhe institucioneve të tjera të specializuara; rrjet që do të lehtësojë marrjen e informacionit dhe më tej shkëmbimet, sidomos të periodikëve shkencorë, që tani për tani mbeten brenda institucioneve që I botojnë.

Studiuesit kanë nevojë të shkëmbejnë informacion shkencor për të njohur me shpejtësi veprat e njëri-tjetrit. Dhe rruga më e frytshme është njohja përmes veprimtarive të tilla si panairet, që shënjojnë manifestime publike për librin.

Libri shkencor që botohet në hapësirën shqiptare ka hyrë në një rrugë kodifikimi e vlerësimi me standarde të njësuara evropiane e botërore.

Ky panair i parë do të jetë një faktor tjetër nxitës për të përuruar arritjet e përvitshme në këtë fushë.

Në ditët e panairit do të ketë promovime të botimeve akademike shkencore dhe universitare: monografi dhe periodikë shkencorë të institucioneve dhe qendrave kërkimore etj. Panairi i parë i librit akademik dhe shkencor, përveç ekspozimit të literaturës shkencore e informuese për veprimtarinë kërkimore shkencore në hapësirën shqiptare, përmes promovimeve të arritjeve në nivel akademik; përmes paraqitjes së disa botimeve të kërkuesve shkencorë, studiuesve, trupave pedagogjike, do të krijojë hapësira dhe mundësi diskutimi mbi çështje e tema specifike të dijeve shqiptare. Libri shkencor për herë të parë në këtë panair sjell pranë e bashkon në një eksperiencë të veçantë akademikët, kërkuesit, studiuesit, pedagogët, lexuesit e specializuar, duke ofruar mundësi më të drejtpërdrejta kontaktesh, duke krijuar hapësira bashkëpunimi dhe ndërveprimi të mendimit dhe kërkimit akademik universitar.

Promovimet do të zhvillohen me pjesëmarrje të hapur, me mundësi diskutimi. Në dispozicion të përfaqësuesve të institucioneve pjesëmarrëse do të jenë tri salla: dy mjedise në Akademinë e Shkencave dhe një mjedis në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. /ATSH /KultPlus.com

Papa Françesku bën thirrje për paqe: Zemrat tona janë të mbushura me frikë dhe ankth

Papa Françesku u është drejtuar njerëzve në sheshin Shën Pjetri, e gjatë meshës së tij të Pashkave ka mbajtur edhe një fjalim, përcjell KultPlus.

Papa u ka kërkuar liderëve botërorë të dëgjojnë lutjen e popullit për paqe në Ukrainë.

“Ne kemi parë shumë gjak, shumë dhunë. Zemrat tona gjithashtu janë mbushur me frikë dhe ankth”, shtoi Papa teksa jepte bekimin e tij vjetor të Pashkëve.

Ukraina u “sprovua shumë nga dhuna dhe shkatërrimi i luftës mizore dhe të pakuptimtë në të cilën u detyrua që të merrte pjesë”, shtoi ai në meshën e tij të parë të Pashkëve që nga viti 2019 që u mbajt fizikisht për herë të parë që nga viti 2019. /KultPlus.com

Kokat qiellore të Omer Kaleshit

Ilir Muharremi

Ajo që më bënë të kontaktojë me pikturat e krijuesit Omer kaleshi është ngjyra, ideja, koncepti dhe mesazhi. Kokat, një emër kuptimplotë ngaqë çdo gjë rrjedh nga kokat, vërtitet, shërbehet gjithnjë nën ndihmën e kokës. A thua vallë pse janë këto koka, pa veshë, enigmatike, melankolike, të heshtura, pa zhurmë, pa zë, ngaqë janë ngopur me zhurmë dhe nuk duan asgjë të dëgjojnë. Gjenialiteti, qëndron mu në kryqëzimin e realizmit dhe idesë, të një lëvizje të ngjyrës, kufizimit të figuracionit dhe psikologjisë ballkanike, duke identifikuar popujt, por jo psikologjitë, apo duke i unifikuar mendimet, që çojnë në një globalizim efektiv , egocentrik, kalamendës, me plotë shpresë, magmë poetike, që kërkon pjekuri për perceptim dhe konkretizim. Ky është Kaleshi, i sinqertë, si një fëmijë që shpreh tërë realitetin objektiv dhe subjektiv. Ne pranojmë, dëgjojmë, ngacmohemi, prekemi nga arti i tij, por e vërteta vërtitet rreth të gjitha kokave që na vështrojnë me sy të padefinuar, si duket, krijuesi gjymtojë shpirtin Eskilian tragjik dhe e shndërroj në një qetësi absolute që bredh në mes galaksisë enigmatike. Kokat e piktorit Omer Kaleshi, zbrazën nga një kokë qiellore e një universi dhe galaktike që shtrydhet nga ngjyrat e ngrohta, por edhe neutrale, e që vërshohen dhe aterojnë mbi hapësirën e pëlhurës. Pse janë këto koka?! Çfarë përmbajtje kanë në thelb? Mos vallë shpalosin forcën morale dhe historike, apo meloditë antike, ose tragjeditë e Sofokliut? Gjymtimi i tyre, të krijuar në treshe sikurse apostujt e Jezu Krishtit ku në mesin e tyre mungon Juda, paraqesin realitetin Ballkanik. Gjërat që i shohim janë po ato që ekzistojnë brenda nesh. S’ka asnjë realitet jashtë asaj që kemi brenda vetes. Portretet nuk jetojnë jashtë nesh, por përbrenda dhe rrokullisin realitetin e botës së dukshëm dhe të pa dukshme, aspak nuk duhet të jemi  kundër kërkimeve të thelluara dhe të përparuara, që puqen mbi egon tonë. Arti shpesh provon atë që është thelbësore brenda nesh dhe që nuk lidhet me bot tyren të jashtme. I ngjanë rrezatimeve të brendshme që projektohen jashtë, kështu që nuk ka rëndësi të madhe objektive nëse i ndërtojmë në formën e miteve, kënaqësive, zotave, dervishëve, të humburve, të gjykuarve, jo udhëheqësve, kjo është mimika dhe pantomima e heshtur e kokave të Kaleshit. Ato  kanë kujt t’i binden, kanë një e pavarësi artistike të bindjes, pavarësia e tyre nuk i nënshtrohet ligjeve objektive, por subjektive, dhe bindja e tyre i bindet ligjeve të unit. Arti i tyre është shpirt i gjakut, dhe krijohet nga diçka e prekshme dhe nuk na qon në abstraksion, por ateron në rrënjët e realizmit shpirtëror dhe përkthimit ideor të ndjenjës.  Kokat nuk buzëqeshin rrezikshëm, por si engjëjt vështrojnë mbi mishërimin ballkanik kohor, të një globalizmi postmodern. Gjëja më qetësuese dhe pajtuese është bukuria e tyre e artit, dhe të gjithë jemi të dhënë pas kësaj dukurie, arrijmë të harrojmë vetveten, dhe mbi të gjitha dhimbjen përvëluese të  një bote artistike. Lumturia kthehet tek vetëdija e një uni të dhimbjes, kokat shpërthejnë nga paqja, por të kapluar nga një trishtim, dhe qielli i tyre vezullues është si një luginë e humbur e errët që ndodhet vetëm në hapësirë dy dimensionale të figuracionit. Tingujt nuk janë belbëzues, e as gjestet nuk janë të reja, ngaqë ju ka ardhur në maje të hundës, sepse gjuha e së shkuarës, përpëlitet mbi sy të pa definuar dhe shprehë një melodi vallëzuese me kapelë të mbrapshtë ballkanike të një kulture të vjetër. Ne luajmë muzikën tonë me monedha mbi kapele, dhe është moraliste dhe intelektuale. Çdo rrugë krijohet në mes hapësirës së madhe dhe të çon tek arti i qetë i një nevoje dhe lëvizje që sjell siguri artistike, dhe të sjellë ndërmend, ashtu si ylli dritën, idenë e rregullit, harmonisë, orientimit të një kaosi pa peshë dhe gravitet. Ne ballkanasit nuk jemi shumë të zotë të depërtojmë në misterin e bashkësisë, aftësia jonë bazohet në aftësinë për të vlerësuar subjektivisht, duke pohuar gjithnjë s’ka art, por artin krijuesi Kaleshi e bashkon dhe e krijon në bashkësisë, jo në individualitet figurativ, por individualiteti , vetmia e Nietzches, dominon prapa syve të tij, të cilat dhurohen pa definim dhe kuptim.  Dhe për fund,  shpirti i piktori Kaleshi është fisnik ngaqë i bindet së vërtetesës subjektive dhe krijon rregull në parregullsi galaktike. /KultPlus.com

‘Nëse do ta dija se kjo do të jetë hera e fundit që të shoh’

Nga Gabriel García Márquez

Nëse do ta dija se kjo do të jetë dita e fundit që do të shoh, do të mbaja afër duke të shtrënguar dhe do ta lusja Zotin ta ruaj shpirtin tënd.

Nëse do ta dija se kjo do të jetë hera e fundit që ti kalon nëpër këtë derë, do të përqafoja, do të puthja.

Nëse do ta dija se kjo do të jetë hera e fundit që do të ta dëgjojë zërin, do ta ruaja secilën fjalë tënden, për të qenë në gjendja ta kujtojë pa pushim.

Nëse do ta dija se kjo do të jetë hera e fundit që të shohë, do të thoja se të dua dhe nuk do të pretendoja si budalla se ju tashmë e dini. /KultPlus.com

Aventurieri arbëror i shekullit XVI që sundoi në brigjet e largëta të Indisë

Hulumtuar dhe përgatitur nga:

Elvi Sidheri

Pikërisht në agun e shekullit XVI, saktësisht në vitin jubilar 1500, që shënonte edhe mesin e mijëvjeçarit të dytë mbas Krishtit, në Otranto, në cepin jugor të takës së çizmes së gadishullit Apenin, do të lindte njëri nga personazhet më emblematikë të këtij shekulli, gjithashtu edhe të historisë arbërore.

I ashtuquajturi Khoja Zufar apo Coge Çofar, Cogeatar, ose Khwaja Safar, akoma vijon të mbahet mend në analet e historisë portugeze, italiane dhe njëherësh në historinë indiane dhe turke, si një nga ushtarakët dhe sundimtarët më të çuditshëm të Mesjetës.

Po kush ishte vallë ky njeri kaq i veçantë?

Khoja Zofar lind sikundër e përmendëm në Otranto, pjesë e Mbretërisë së Napolit, në vitin 1500, sipas burimeve të kohës, nga një familje katolike arbërore, ndërkohë që nëna e tij është nga Brindizi, shumë pranë vendlindjes së tij, dhe duke marrë parasysh rrethanat historike të kësaj periudhe, vetëkuptohet që me shumë mundësi familja e tij mund t’i ketë përkitur valës së parë të mërgimeve arbërore nga Arbëria tashmë e pushtuar përdhunshëm nga osmanët, mbas rënies së kështjellave të Krujës dhe Shkodrës në 1478 dhe 1479 dhe vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468.

Pasi kish nisur qysh herët karrierën si aventurier ushtarak nëpër Itali dhe Flandër, në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare ai do të rrëmbehej në det nga turqit dhe pastaj sulltanit osman të kohës, Selim I (i shquar për sundimin e shkurtër vetëm tetë vjeçar, nga 1512 në 1520, por të shoqëruar me zgjerim të jashtëzakonshëm të perandorisë sakaq), do t’i mbeteshin përshtypje kaq të thella nga robi arbëror, saqë Khoja Zufar me urdhër të tij vihet në krye të një flote osmane që do të niset nga Konstandipoja për të luftuar kundër portugezëve.

Pasi arrin në Cambaya (Khambhat i sotëm, në shtetin indian të Gujarat), Khoja Zufar, në vitin 1527 vendoset në Diu, një ishull me rëndësi kyçe strategjike në brigjet e Oqeanit Indian, për të cilin luftojnë ashpërsisht sundimtarët myslimanë përgjithësisht me origjinë turkofone të Indisë, Perandoria Portugeze që mbizotëron detërat në këtë shekull, dhe gjithashtu edhe osmanët në zgjerim e sipër të ndikimit të tyre.

Në Indi, aventurieri arbëror do të njihet me sulltanin Bahadur Shah të Gujarat, pinjoll i dinastisë sunduese Muzzafarid, që fillesat e saj i gjente nën ombrellën e dinastisë turkofone Tughlaq të Sulltanatit të Delhit.

Ndërkaq, sipas të dhënave historike, në vitin 1531, arbërori Khoja Zufar apo Coge Çofar siç do të njihet gjerësisht nga portugezët, armiq, por gjithaq shpesh bashkëpuntorë të tij, do të hyjë në gjirin e Diut në Indi, ku ishte ngritur ndërkaq një fortesë tejet e rëndësishme e portugezëve, krahas admiralit osman Mustafa.

Mbas vitit 1532 Khoja Zufar arrin të fitojë pozita të volitshme sunduese në Surat dhe Diu, duke prirë vendasit myslimanë, në bashkërendim gjithsesi me portugezët që ia lënë arbërorit drejtimin e Diut, gjersa një ekspeditë ushtarake detare në vitin 1538, udhëhequr nga Hadim Sulejman Pasha i Egjiptit, e dërguar nga osmanët për të pushtuar Fortesën e Diut në duart e portugezëve, e bind Khoja Zufar të ndërrojë mendje dhe të kalojë sërish në anën e turqve.

Një vit më parë ndërkaq, në 1537, Khoja Zufar i shpëton për një fije vdekjes, pasi portugezët patën vrarë në anije sulltanin Bahadur Shah, gjatë një takimi me guvernatorin portugez Nuno da Cunha.

Khoja Zufar pati arritur të arratisej duke notuar gjer në breg me anijen portugeze të Antonio de Soto-Maior, ndërkohë që Bahadur Shahut pas vrasjes do t’i flakej trupi në det dhe gjithë ekuipazhi i tij do të vritej gjithashtu.

Megjithatë, Nuno da Cunha kishte një vlerësim tepër të lartë për Khoja Zufar, dhe guvernatori portugez ia beson arbërorin komandantit portugez Antonio da Silveira, por gjithsesi Khoja Zufar largohet përsëri dhe shkon në oborrin e Mbretit Mahmud të Cambaya.

Pasi emërohet Guvernator i Suratit nga sulltani i ri, në vitin 1538 do të fillojë Rrethimi i Diut, nga Sulltanati i Gujarat dhe Perandoria Osmane, kundër portugezëve, ku Khoja Zufar luan një rol kyç, veçanërisht me ndihmën e një portugezi, të quajtur Ruy Freire, që spiunonte për llogari të tij.

Nga burimet portugeze të kohës, Khoja Zufar përmendet tepër shpesh, si për shembull një fjalim i tij, ku ai u drejtohet ushtarëve të tij në lidhje me portugezët, me këto fjalë:

“Que temos que recear deste Império de loucos, que com um braço na Ásia e outro no Ocidente, querem abarcar o Mundo?”

Në shqip:

“Për çfarë nevojitet t’i druhemi kësaj perandorie të çmendurish, që me një dorë në Azi dhe tjetrën në Perëndim, dëshiron të pushtojë gjithë botën?”

Khoja Zufar përmendet edhe nga ati i letërsisë portugeze, i madhi Luís Vaz Camões (autori i “Os Lusíadas”, veprës më të rëndësishme të shkruar ndonjëherë në portugalisht), në letrat e të cilit, të botuara në vitin 1776, thuhet se Khoja Zufar dhe Nuno da Cunha patën qenë së bashku në shërbim të portugezëve, përpara se arbërori të kalonte në anën e Hadim Sulejman Pashait.

Gjithashtu flitet se Khoja Zufar pati mbajtur për një kohë të gjatë lidhje të ngushta miqësore me mjekun dhe natyralistin e njohur portugez me origjinë sefardite hebreje, Garcia de Orta, i cili gjithashtu ishte vendosur në Indi, në koloninë tjetër portugeze të Goas.

Në vitin 1546 Khoja Zufar do ta sulmojë për të disatën herë Diun e mbrojtur nga portugezët dhe në 24 qershor të këtij viti, gjatë mbikëqyrjes së llogoreve, Khoja Zofar do të goditet në kokë nga një e shtënë topi nga Fortesa e Diut.

Do theksuar se sipas Diogo do Couto, kujdestari i Zyrës Portugeze të të Dhënave në Goa të kësaj periudhe, në vitet 1540, Khoja Zufar vijonte të merrte rregullisht letra nga e ëma e tij katolike nga Italia, ku vazhdimisht shprehej mëria e saj për ndërrimin e fesë nga i biri.

Nga historianë të ndryshëm, Khoja Zufar është cilësuar si njeri me mendjemprehtësi të shquar dhe vendosmëri të paepur, maturi dhe qëndrim largpamës, ndërsa edhe Papa julius III i kohës e përmend arbërorin aventurier në “Praeclara Charissimi in Christo” të vitit në 30 dhjetor të vitit 1551.

Mauzoleu monumentel ku prehen eshtrat e Khoja Zufar, sot gjendet në qytetin indian të Suratit, në shtetin Gujarat, i restauruar për herë të fundit në vitin 1934.

Kërshërinë për këtë aventurier arbëror kaq piktoresk të shekullit XVI, të lindur me gjasë si brez i parë i mërgimit të përdhunshëm në Gadishullin Apenin pas vërshimit të hordhive turke në Arbëri, dhe të mërguar sërish gjer në Indinë e largët për shkak të një ndërthurje të pabesueshme rrethanash, ku do të bëhej sundimtar i shquar i brigjeve të Oqeanit Indian, duke luajtur mjeshtërisht mes vendasve, osmanëve dhe portugezëve gjer në vdekjen e tij, e shton fakti që Khoja Zufar është gjithashtu personazh kryesor i një vepre operistike.

Opera në fjalë titullohet “O Cerco de Diu”, në shqip “Rrethimi i Diut”, me autor Manuel Innocencio Liberato dos Santos, kompozitor i njohur portugez (1805-1884), dhe bëhet fjalë për një dramë me dy akte e shfaqur në Real Theatro de São Carlos në Lisbonë (Teatri Mbretëror Shën Karli) në vitin 1840.

Kjo vepër përshkruan në formë romantike, me tinguj dhe frymë lirike, ngjarjet gjatë rrethimit të fundit të Diut, ku personazhe kryesore janë pikërisht Khoja Zufar, në versionin portugez të emrit të arbërorit, Coge Çofar, krahas komandantit portugez të Fortesës së Diut, João Mascarenhas, oficerit të lartë portugez Almeida dhe të fejuarës së tij, Leonorës së hijshme.

Ngjarjet nisin me dashurinë e fshehtë dhe të pamundur midis Leonorës portugeze, të ndryrë brenda fortesës së rrethuar nga njerëzit e arbërorit në shërbim të vendasve dhe osmanëve, dhe vetë Khoja Zufarit; një pasion që bie kundër me rrethanat dhe palët kundërshtare, përveç fesë së ndryshme, por gjithsesi Leonora e hijshme është gati të arratiset nga fortesa portugeze, për t’u bashkuar me Khoja Zufarin.

Megjithatë dashuria e fshehtë e saj me arbërorin aventurier dikur zbulohet, dhe Leonora përballet me një dënim të ashpër, për tradhëtinë e fesë dhe popullit të saj, për hir të armikut të dashuruar që ia sundon asaj zemrën, gjersa fillon mësymja ndaj fortesës nga Khoja Zufar dhe trupat e tij, dhe atëherë Leonora vendos ta shlyejë mëkatin e saj, duke luftuar trimërisht bashkë me ushtarët portugezë.

Në këtë dramë dhe opera të suksesshme, të cilës ia kam gjetur botimin origjinal, ka sidoqoftë edhe plot personazhe të vërtetë, si vetë Mascarenhas, që mirëfilli pati komanduar Fortesën e Diut gjatë këtij rrethimi, ashtu si patjetër Khoja Zufar, i cili do të vritet në këtë betejë, përveçse gratë portugeze vërtet patën luftuar gjatë rrethimit.

Për ta mbyllur, do vënë në dukje se emri i këtij aventurieri kaq të habitshëm me origjinë arbërore, përkundër versioneve dhe deformimeve të shumta, përputhet në faktin se gjithmonë gjejmë emrin “Koja”, qoftë të shtjelluar si “Khoja”, “Coge”, “Khwaja”, e rrjedhimisht mund të bëjmë edhe një hamendësim aspak të tepërt në këtë këndvështrim.

Edhe në ditët tona, mbiemri “Koja” haset anembanë viseve shqiptare, nga veriu (Koja e Kuçit në Malësi), gjer në Tiranë dhe në Toskëri.

Për këtë arsye, mbase ky personazh emblematik mund të ketë pasur pikërisht mbiemrin arbëror “Koja”, të mbetur pastaj si emër i tij në burimet e kohës. /KultPlus.com

‘Omer Kaleshi nuk arriti ta mbarojë autoportretin e tij’

Luan Rama

Dy ditë parë duke folur me video me Omer Kaleshin më pyeti se kur do të shkoja ta shikoja në shtëpinë e tij në Stamboll. Në fillim të majit, i premtova. Por sot mora vesh se dje miku im i mrekullueshëm nuk do ti shihte më krijimet e tij, pikturën që aq shumë e deshi. Një piktor që nuk punon thua se ka vdekur, më thoshte shpesh në spital si ta ndjente këtë. Dhe kishte të drejtë.

Njëzet vjet më parë kisha shkuar me të të shikonim varrin e prindërve të tij rrethuar nga selvitë jo larg Bririt të Artë. Më së fundi Omer Kaleshi shkoi dje të përshëndesë atin dhe nënën e tij pranë Bririt të Artë, buzë Bosforit.

Atelieri i tij mbeti jetim përjetësisht. Ai nuk do të lutet më para tyre, pasi krijimi për të ishte një lloj lutje. Autoportretin e fundit që la mbi kavalet, mbeti i pambaruar!

Omeri lutet

Omeri «lutet» çdo ditë
në ritin e tij piktural ballë kavaletit
suretet e tij janë tablo, koka
dervishë që kanë pirë verë në tryezën e tij të drunjtë,
fqinjët poshtë ndjejnë këmbët e tyre që rrahin,
atelieri i ngjan një skene hyjnore,
një copëz qielli tej xhamit,
veç një këmbë me një çorape nderet në tavan,
koka e Jezusë e shikon paqësisht nga një ikonë ortodokse,
bariu në miniaturë ka kohë që fle mbi oxhak,
«ney» kumbon dhe shpërndahet me hare tej dritares,
Omeri lutet i përkulur mbi paletë,
me spatulën e tij rrëmben pak të zezë,
pastaj të gjelbërt të zezë okër
dhe dansi bektashi vazhdon gjer në ag
«Ne jemi vetë Zoti», thonë dervishët
«sepse Zoti është brenda nesh»,
pastaj ata braktisin tablotë në korniza
dhe sillen rreth atelierit në ekstazën e tyre,
në vorbullën mistike që ngrihet lart,
Omeri lutet gjithnjë me heshtjen e tij proverbiale
me spatulën e tij në atë dorë ngritur
si një muzikant popullor ardhur nga rruga e gjatë e Konjas
kështu, nga mbrëmja në ag,
Omeri lutet bashkë me dervishët e tij
që krijohen nga paleta e tij e zjarrtë… /KultPlus.com

Ka vdekur piktori i madh shqiptar, Omer Kaleshi

Artisti dhe piktori i madh shqiptar Omer Kaleshi ka vdekur në moshën 90 vjeçare, lajmi është bërë i ditur në web faqen zyrtare të artistit, përcjell KultPlus.

Omer Kaleshi u lind në vitin 1932 në fshatin Kastriot (Serbicë) të Kërçovës. Mësimet fillestare i morri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Shkup, përcjell INA.

Në vitin 1956 emigroi në Turqi me gjithë familje, përveç vëllait të tij Hasanit. Në vitin 1959 regjistroi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Stamboll, dega e pikturës.

Në vitin 1963 hap ekspozitën personale në galerinë “Robert College” në Stamboll, kurse në vitin 1965 përfundon studimet dhe njëkohësisht hap disa ekspozita në Ankara, Beograd, Shkup dhe po këtë vit Omer Kaleshi vendoset në Paris.

Gjithkund i pranishëm me ekspozita personale dhe kolektive. Në vitin 1967-1977 ka ekspozuar punimet e tij, ndër të tjera edhe në: Hagë-“Salloni i piktorëve të pavarur”, “Salloni internacional i pikturës”, në Paris-Salloni i realiteteve të reja, “Qendra kulturore 17”, në Leçe të Italisë në “Salloni i Majit” etj.

Në vitin 1979-1989, Omer Kaleshi është i pranishëm në Paris, në Amerikë, në Kanada, në Stamboll, në Londër, në Ankara e pastaj edhe në Egjipt, Spanjë,ë Zvicër, Moskë, Izmir e gjetiu. Ka hap ekspozitë në Galerinë e arteve në Tiranë dhe galerinë e Arteve të Kosovës në Prishtinë. Punon dhe jeton në Francë.

Në Shkup për nder të tij para gjashtë viteve u hap Galeria e përhershme me emrin e tij në Galerinë Kombëtare e Arteve në Shkup. Ai po ashtu ishte një personalitet akademik i nderuar nga shumë universitete dhe akademi. /KultPlus.com

‘Unë jam këtu e do të jem, – dem baba dem – sa mali të bëhet hi, e hiri mal përsëri’ (VIDEO)

Mirush Kabashi është një aktor shqiptar i cili numëron rreth 100 role në teatër dhe filma. Kabashi tek publiku mbahet mend veçmas për interpretimet artistike të poezive të ndryshme.

Me interpretimet e tij të disa poezive shqipe, ai ka dëshmuar potencialin e rrallë të një interpretuesi. Shumë poezi janë gjetur, rilexuar pikërisht si rezultat i interpretimit të aktorit Mirush Kabashi. Tonaliteti e përjetimi i tij në secilën strofë arrin të krijojë një komunikim tejet të afërt me publikun dhe këto poezi përjetohen me emocion, e përcillen me duartrokitje gjatë recitimit.

Sot në datëlindjen e 74-të të aktorit të madh, KultPlus ju sjell 5 interpretime të mahnitshme poezish nga aktori Mirush Kabashi.

‘Vërtet ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë’

Një shprehje e Homerit shqiptar, kolosit të letrave Gjergj Fishta gjen vend dhe sot ndër shqiptarë.

“Vërtet ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, kjo thënie e poetit të madh ka treguar se ndër shekuj shqiptarët e kanë pasur bashkëjetesën fetare një shembull për të gjithë duke e përcjellë brez pas brezi.

Edhe sot, në këtë ditë festë për besimtarët mysliman , shumë klerik kanë uruar për festën e Bajramit, duke dëshmuar paqe e mirëkuptim pavarësisht bindjeve fetare ndërmjet njerëzve. /KultPlus.com

Mjeshtri i madh i skenës shqiptare, sot Mirush Kabashi feston 74-vjetorin e lindjes

Artisti i Merituar dhe Mjeshtri i Madh i skenës shqiptare, Mirush Kabashi feston sot 74-vjetorin e tij. Ai vijon të përcjellë emocion, me forcën e vërtetë të fjalës shqipe në skenat më prestigjoze të botës.

Me një karrierë shumë të pasur 48- vjeçare, mes skenës dhe ekranit, aktori i mirënjohur vazhdon të punojë intensivisht brenda dhe jashtë vendit, kudo ku ka shqiptarë.

Ai ka lartësuar gjuhën dhe teatrin shqiptar në skenat më prestigjioze të Parisit, Vjenës Kajros, Kievit, Torontos, Athinës, Beogradit, duke marrë duartrokitje dhe vlerësime të veçanta.


Që nga mesi i viteve ’90, kur ngriti në skenë “Apologjinë e vërtetë të Sokratit”, ai punon në mënyrë unike, duke krijuar një profil të veçantë aktorial.

Aktori Mirush Kabashi numëron në karrierën e tij mbi 100 role në teatër dhe më shumë se 20 të tjerë në kinematografi.

Çmimet dhe Nderimet

Pasioni për aktrimin u shfaq që në fëmijëri tek artisti. Interpretimi dhe ngjyrimi emcional i roleve, e veçojnë Mirush Kabashin.

Personazhet e mishëruara nga Kabashi bien në sy për origjinalitet, për elegancën, duke frymuar karaktere me ndryshime të ndjeshme nga njëri te tjetri, të përzgjedhur me mençuri dhe intuitë. Spikat në rolet satirike dhe komike.

Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës.

Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” të Ilir Bezhanit.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes 1000 aktorëve pjesëmarrës nga 46 vende të botës.

Mirush Kabashi, në vitin 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, duke iu shtuar titujve të fituar më parë “Artist i Merituar”dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. /KultPlus.com

‘Tragjedia e jetës është se plakemi shumë herët dhe mësojmë shumë vonë’

I vogli i familjes Franklin nuk i lexonte librat, ai i përpinte ato. Ai ngrihej në 5:00 të mëngjesit çdo ditë dhe lexonte një libër, përmbajtjen e të cilit ia rrëfente të atit ndërsa ai merrte kafenë.

Benjamin Franklin ishte më i vjetri nga burrat e shquar që themeluan shtetin amerikan dhe i pari amerikan i nderuar në Evropë si shkencëtar dhe burrë shteti, si mbrojtës i të drejtave të kolonive amerikane para mbretit të Anglisë.

Benjamin Franklin përfaqëson suksesin amerikan: nga djali i një sapunbërësi, me punë të madhe, e të pavarur ai e ngriti veten në lartësinë e madhështisë.

Biografi i tij Alfred Tamarin e përmbledh kështu rritjen e personalitetit të Benxhamin Frenklinit.

“Benjamin Franklin ishte amerikani i parë që u bë figurë botërore. Nga një djalë i ri me prirje për shkollë ai u bë shkencëtar, shpikës, legjislator, diplomat dhe burrë shteti me famë botërore”.

Emri i Benxhamin Franklinit është i vetmi emër të cilin e shohim në katër dokumentet kryesore të themelimit të Shteteve të Bashkuara: Deklaratës së Pavarësisë, Kushtetutës, Traktatit të Aleancës me Francën dhe Traktatin e paqes me Anglinë. Derisa sot shënohet përvjetori i vdekjes së tij, plot 232 vite që kur ai vdiq.

40 thënie nga Franklin

1. Fshatari mes dy avokatëve është sikur peshku mes dy macesh.

2. Zemra e një të çmenduri është në majën e gjuhës së tij, por gjuha e një të mençuri është në zemrën e tij.

3. Mësoji tët biri/vajzës të heshtë, të flasë mëson vetë.

4. Të rebelohesh ndaj tiranëve është t’i bindesh Zotit.

5. Nëse macja mban doreza, zor se do të zërë minj.

6. Tragjedia e jetës është se plakemi shumë herët dhe mësojmë shumë vonë.

7. Çdo gjë që nis me tërbim, mbaron me turp.

8. Një varkë me vela dhe një femër shtatzënë, janë gjërat më të bukura që mund të shihen.

9. Nëse e dashuron jetën, mos e shpërdoro kohën, pasi koha është substanca nga e cila përbëhet jeta.

10. Kujdes me shpenzimet e vogla, pasi një peshë e vogël mund të fundosë një anije të madhe.

11. Tre persona mund ta mbajnë një sekret, nëse dy prej tyre janë… të vdekur.

12. Ata që mund të heqin dorë nga liria thelbësore për të fituar pak siguri të përkohshme, nuk e meritojnë as lirinë e as sigurinë.”

13. Kurrë s’ka ekzistuar paqe e keqe ose luftë e mirë.

14. Nëse dështon të planifikosh, ti je duke planifikuar të dështosh.

15. Investimi në dituri paguan interesin më të mirë.

16. Luftoji gjithnjë veset e tua, jeto në paqe me fqinjët e tu dhe bëj që çdo vit i ri të të gjejë më të mirë.

17. Shtëpia nuk është vendbanim, përveç nëse ka ushqim dhe ngrohtësi për mendjen edhe për trupin.

18. Një lek i kursyer është një lek i fituar.

19. Të jesh i ngadalshëm në përzgjedhjen e shokëve, edhe më i ngadalshëm në ndërrimin e tyre.

20. Bukuria dhe marrëzia janë miq të vjetër.

21. Të jesh injorant nuk është turp aq i madh, sa të mos duash të mësosh.

22. Zoti u ndihmon atyre që ndihmojnë veten.

23. Mysafirët, si peshqit, fillon t’u vijë era pas tri ditësh.

24. Gjysmë e vërteta shpesh është një gënjeshtër e madhe.

25. Të jesh i varfër nuk është turp, por të turpërohesh për atë, është.

26. Ai i cili i ekspozon shumë shpesh gruan dhe kuletën është në rrezik t’i huazohen që të dyja.

27. Ai i cili është i mirë për arsyetime, rrallë është i mirë për ndonjë gjë tjetër.

28. Kush jeton veç nga shpresa do të vdesë nga uria.

29. Ai i cili ngrihet vonë, duhet të ecë shpejt gjithë ditën.

30. Kush dashurohet me veten e tij nuk do të ketë asnjë rival.

31. Nëse njeriu zbraz kuletën në kokë, askush nuk mund t’ia marrë.

32. Nëse nuk rrimë bashkë, patjetër duhet të rrimë të ndarë.

33. Nëse dëshiron shumë gjëra, shumë gjëra do të duken pak.

34. Nëse dëshiron të jesh i dashur, duaj dhe bëhu i dashur.

35. Mosha e humbur nuk është gjetur asnjëherë përsëri.

36. Shumë njerëz mendojnë se po blejnë kënaqësinë, kur ata në të vërtetë i shesin veten asaj.

37. Asnjë komb nuk është shkatërruar ndonjëherë nga tregtia.

38. Vrojto të gjithë njerëzit, veten më së shumti.

39. Mos fol keq për asnjë njeri, por i thuaj të gjitha të mirat që i di, për të gjithë. / KultPlus.com

BBC me artikull të veçantë për Dua Lipën: Ajo është ylli më i mirë i popit në Britani

“Kjo është mikpritja më e mirë në shtëpi që më është bërë ndonjëherë” ka thënë Dua Lipa në koncertin e saj të albumit “Future Nostalgia”, i cili filloi me dy vite vonesë për shkak të pandemisë, përcjell KultPlus.

Media e njohur ndërkombëtare, BBC, i ka kushtuar një artikull të veçantë Lipës dhe koncertit të saj duke e quajtu edhe si artistja me mirë pop star në Britani të Madhe.

“Kemi pritur kaq shumë, kaq gjatë për të shfaqur këtë shfaqje. E kemi zhvendosur dhe shtyrë dhe më në fund jemi këtu.”

Më shumë se 21 mijë fansa po prisnin artisten shqiptare që të ngjitej në skenë dhe të elektrizonte të gjithë njerëzit e pranishëm.

Ky nuk ishte thjesht një koncert pop – ishte një ribashkim.

Turneu Future Nostalgia u njoftua për herë të parë në dhjetor 2019, pasi raportet për një virus të ri, potencialisht vdekjeprurës filluan të dilnin nga Kina.

Në kohën kur albumi i dytë i Duas (i titulluar gjithashtu Future Nostalgia) mbërriti marsin e vitit 2020, bota ishte në izolim dhe turneu ishte në pritje e nuk dihej nëse do të zhvillohej.

Këngëtarja u shqetësua për publikimin e një albumi me dance-pop derisa njerëzit po vuanin.

“Nuk jam e sigurt nëse po bëj gjënë e duhur,” u tha ajo fansave në një live të Instagramit të përlotur, “por mendoj se gjëja që na duhet më shumë për momentin është muzika, dhe ne kemi nevojë për gëzim dhe duhet të përpiquni të shihni dritën.”

Instinktet e saj ishin të drejta.

Në vend që të na kujtonte atë që kishim humbur, albumi dërgoi përpara në një kohë kur ne do të ishim të shtrënguar përsëri me njëri-tjetrin, duke kënduar këto këngë. Ose, për të përdorur fjalët e vetë Duas, ajo kishte një “parandjenjë se ne ramë në një ritëm ku muzika nuk ndalet përgjithmonë” – dhe Future Nostalgia u bë albumi më i transmetuar i 2020-ës.

Megjithatë, kufizimet e Covid bënë kërdi me turneun e saj. Ai u shty dhe u riplanifikua tre herë, duke e detyruar Duan të gjente mënyra për ta mbajtur gjallë muzikën e saj – një album remix, një transmetim të drejtpërdrejtë spektakolar dhe një rrjedhje të vazhdueshme këngësh të reja, duke përfshirë duetin e Elton John-it, Cold Heart, i cili është në krye të listave botërore.

Gjatë gjithë kohës, pritjet për koncertet u rritën dhe zhurma e madhe që u bë nga fansat e përshëndeti yllin të premten mbrëma ishte një përzierje kurioze eksitimi dhe lehtësimi.

Dua e hapi shfaqjen duke luajtur muzikën klasike të Hot Streak të viteve 1980, “Body Work” (“muzika të bën të humbasësh kontrollin”), duke sinjalizuar synimin e saj për të kaluar një mbrëmje të veçantë.

Nivelet e energjisë mezi u ulën për 40 minutat e ardhshme, ndërsa ylli shpërtheu nëpër këngët e saj më të mëdha – New Rules, Break My Heart, Love Again, Be The One – e rrethuar nga 12 kërcimtarë të pashtershëm.

Skena dhe njerëzit aty ishin të përshtatshëm tamam për një këngë pop, duke e përqendruar fokusin në vokalin mbresëlënës të Duas dhe duke i lejuar grupit të zgjeronte këngët e saj për ndikim maksimal në pistën e vallëzimit.

Break My Heart u kompletua me Justice’s Dance, ndërsa Hallucinate u zbukurua me elementë të Daft Punk’s Technologic. Edhe balada e fuqizimit të grave, Boys Will Be Boys, u përfshi në një remiks karnavalesh të zhurmshme, duke përfshirë një mostër të “Hollaback Girl” të Gwen Stefanit.

Është një truk që Dua e ka huazuar nga Madonna – duke e vendosur muzikën e saj direkt në kanunin e popit – duke bërë homazhe në të njëjtën kohë me pohimin e dominimit të saj. Në duar më të vogla, do të ishte një ushtrim mendjemadhësie, por hitet e veshura me platin të Future Nostalgia i përballuan krahasimet.

Që nga viti 2019, ajo është shndërruar në një interpretuese komanduese, me vetëbesim, e cila mund të hedhë edhe një hit gjigant si New Rules dy këngë në grupin e saj, e sigurt në dijeninë që ajo ka një duzinë këngë të tjera që publiku i njeh po aq mirë.

Jo për herë të parë, fansat e mbytën atë… thuajse sikur e kishin kaluar karantinën duke mësuar këngët e Lipës dhe më në fund po merrnin mundësinë të jetonin fantazinë e tyre. Të njëjtën gjë po e përjetonte edhe Dua në skenë. /KultPlus.com

Letra e lamtumirës nga Gabriel García Márquez

Nëse për një çast Zoti do të harronte se
jam një kukull lecke e
do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se
nuk do të them gjithçka që mendoj,
por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.

Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë,
por për kuptimin që kanë.

Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,

e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim
sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.

Do të ecja përpara kur të tjerët do të ndaleshin,
do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin,
do të dëgjoja kur të tjerët flasin dhe
dhe sa do të shijoja një akullore të mirë çokolate!

Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë,
do të vishesha thjeshtë,
do të shtrihesha në pishë të diellit duke lënë zbuluar jo vetëm
trupin tim por edhe shpirtin tim.

Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja
urrejtjen time në akull dhe
dhe do të prisja që të shkrihej në diell.

Do të pikturoja me një ëndër të Van Gogut
sipër yjeve një poemë të Benedettit
dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata
që do t’ia kushtoja hënës.

Do t’i ujitja me lotët e mi trëndafilët,
për ta ndjerë dhimbjen e gjembave të tyre
dhe puthjen e mishtë të petaleve të tyre…

Zoti im, nëse do të kisha paksa jetë…

Nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetma
pa iu thënë njerëzve se dua,
se i dua. Do t’i bindja të gjithë burrat e gratë
se janë të parapëlqyerit e mi dhe
do të jetoja i dashuruar nga dashuria.

Njerëzve do t’ua provoja
sa gabojnë tek mendojnë
të heqin dorë së dashuruari
kur plaken, pa e ditur
se plaken kur heqin dorë së dashuruari.

Një fëmije do t’i jepja flatra,
por do ta lija ta merrte fluturimin vetë.

Të moshuarit do t’i mësoja
se vdekja nuk vjen me pleqërinë
por me harresën.

Kaq shumë gjëra kam mësuar nga ju, Njerëzit!

Ka mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë
mbi majën e malit,
pa e ditur se lumturia e vërtetë
është në ngjitjen e shpatit.
Kam mësuar se
kur i sapolinduri shtrëngon me grushtin e tij të vogël,
për herë të parë, gishtin e babait të tij,
e mban shtrënguar për gjithmonë.
Kam mësuar se një njeri
ka të drejtë ta vështrojë një tjetër
nga lart poshtë vetëm
kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur.

Janë aq shumë gjëra
që kam mundur të mësoj nga ju,
por realisht,
nuk do të më shërbejnë shumë,
sepse kur do të m’i vendosin
brenda asaj valixheje,
palumturisht do të jem duke vdekur.

Shqipëroi: Elida Buçpapaj. / KultPlus.com

95 vjet nga lindja e aktorit të shquar shqiptar, Enver Dauti

Më 17 Prill 1927, në Tiranë lindi aktori i mirënjohur Enver Dauti, njëri prej themeluesve të Estradës së Tiranës dhe Teatrit Kombëtar Shqiptar.

Gjatë karrierës ai ka interpretuar disa role në filma, si drejtorin te Historiani dhe kameleonët, atë të drejtorit të burgut te Kolonel Bunker, babanë e Petritit te Fushë e blertë fushë e kuqe, kooperativistin te Zambakët e Bardhë, drejtorin e gjimnazit te Qortimet e vjeshtës, përkthyesin te Këshilltarët, Kozin te [[Koncert në vitin 1936], ministrin e brendshëm te Nga mesi i errësirës, Kopin te Cirku në fshat, Lonin te Lulëkuqet mbi mure, xha Hakiun te Prita, Bardhokun te Toka Jonë, si dhe role te Fejesa e Blertës, Ne vinim nga lufta, Rrugicat që kërkonin diell, Kur hiqen maskat, Shtigje të luftës, Odiseja e tifozave, etj.

Veprimtaria e Dautit do të rrojë gjatë në historinë e teatrit dhe filmit në Shqipëri.

Ai vdiq më 16 shkurt të vitit 2012, duke lënë prapa një karrierë të jashtëzakonshme. /KultPlus.com

I urrej akulloret me kaush

Poezi nga Fitim Majkovci

shoh në shesh çifte plot
dorë për dore shumë dashni
në rreze dielli si këto sot
mbi mu asht reja që sjell shi.

pak më tej zë pëllumbi
e mu m’shoqnon’ tingulli i mortjes
në qytetin pa lum, më mori lumi
kaq shumë çifte, dhembje koke.

një kafe, supë e akullore
porositë renditen varg
unë në tym me fletore
rri vështroj si një fikan.

ç’kisha unë s’pati njeri
asnjë çift n’asnjë qytet
po ç’kisha unë e mori lumi
bashkë me të edhe ëndërrimet.

as supë, as akullore
e urrej çdo romantikë
akull, ftohtë, prej dëbore
as zë pëllumbi, asnjë muzikë.

s’më duhet çift, as askush
njëherë provova at’ episod
edhe i urrej akulloret me kaush
se një e tillë m’kujton n’ty sot.

pak më tej zë pëllumbi
mu m’shoqnon’ reja me shi
në qytetin pa lum, më mori lumi
e bashkë me ëndërrimet, m’ike edhe ti./ KultPlus.com

“Kurrë s’e harrojmë Kukësin”, kosovarët kujtojnë eksodin e vitit 1999

Shqiptarët e Kosovës kanë përkujtuar këtë të shtunë në Kukës 23 vjetorin e eksodit të vitit 1999.

Në kujtim të vuajtjeve të luftës, kalvarit, historisë, por edhe në shenjë falënderimi për pritjen e ngrohtë nga familjet kuksiane, shqiptarët e Kosovës ndan përkujtimet e eksodit, raporton a2cnn.

Organizatorë të “Eksod 99” janë pritur në doganën e Morinit nga drejtues të Bashkisë e më pas ceremonia përkujtimore është pasuar me hapjen e një ekspozite me fotografi dhe një koncert në sheshin kryesor të qytetit.

Kukësi nga një qytet i vogël, u mbipopullua me më shumë se 500 mijë banorë nga Kosova, qëndresa dhe lufta e të cilëve u kthye në qendër të mediave botërore për më shumë se 3 muaj me radhë./KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Siddhartha’ i autorit Herman Hesse

Herman Hese është një nga romancierët më në zë të shekullit 20. Fitues i çmimit “Nobel” për letërsi dhe autor i një sërë romanësh filozofik, mes së cilëve edhe “Siddhartha” të cilin po e rekomandojmë sonte.

“Siddhartha” është roman i botuar në vitin 1922, i cili rrëfen udhëtimin drejt njohjes së vetvetes të personazhit kryesor Siddhartës në periudhën kur jetonte Gautama Buddha. Shumica e romaneve të Heses kanë pikërisht fokusin këtu, tek njohja e vetvetes. Ndaj, Hese konsiderohet si shkrimtar-filozof që përkushtohet gjatë gjithë krijimtarisë së tij në këtë aspekt.

Si njohës i mirë i budizmit, Hese zgjedh emrin Siddharta që do të thotë arritje e gjetjes së kuptimit të ekzistencës. Siddha – arritje dhe Artha – kërkim.

Për ta shkruar këtë roman Heses iu deshën më shumë se dy vjet, kurse me të dalur në treg libri, ngjalli interesim dhe kureshtje të madhe, por gjithashtu pati edhe kritika ndaj tij. Siddharta ky djalosh, është shpirt i trazuar që dëshiron të nis rrugën drejt të vërtetës, ai don të jetë një “Samana”, pra mendimtar – i riu nuk mjaftohet me mësimin e artit të savanasë, ai shkon përtej kësaj, te Buda, mjeshtri, ideve të të cilit Siddharta nuk iu bindet, ndaj vendos të largohet sepse kishte diçka që e pengonte në këtë drejtim, pra në përqafimin e ideve të Budës.

Me t’u larguar, djaloshi i rij do të provojë shumë gjëra të kësaj bote, pasurinë, dashurinë, lidhjen me prostitutën Kamala, e tregtinë. Gjithnjë duke kërkuar që gjatë rrugëtimit të gjejë të vërtetën brenda vetes.

Romani në fjalë lexuesit i lë përshtypje për meditacionin dhe trajtesën mjeshtërore të jetës askete brahmanë, tradtië fetare jo aq e njohur në Evropë para se Hese ta sillte në këtë vepër. Herman Hese i qaset në aso mënyre rrëfimit, duke treguar mjeshtërinë e tij me rrjedhshmërinë, elementet narrarive, të cilat shkrihen natyrshëm në tërësinë kompozicionale të veprës.

“Siddhartha” mbetet njëra nga veprat më të lexuara të letërsisë botërore për shkak se trajton një temë universale, temën e kërkimit të dijes dhe jetës – krahas konceptit budist të njësisë së qenieve.

“Diturinë mund ta rrëfesh, urtësinë jo”

Libri na zbulon konceptin budist për jetën përmes personazhit Siddharta, i cili nis rrugën e tij jetësore duke hulumtuar misteret e jetës.

Fragment nga libri

Nën hijen e shtëpisë, në diell të breglumit pranë kaikeve, nën mriz të ajdësit e të fikut, u rrit Siddharta, pinjoll i bukur i brahmanëve, djaloshi syshqiponjë, bashkë me Govindën, mikun e tij, një tjetër bir brahmani. Dielli ia nxinte shpatullat e zbardhulëta në breg të lumit, teksa lahej, merrte abdest e dhuronte flijime të shenjta.

Hije i shkisnin mbi sytë e zinj në korije mangosh, në lojëra fëmijësh, në të kënduarit zëbilbil të së ëmës, në flijimet e shenjta, në mësimet që merrte prej të atit e prej të diturve, në bisedat me të urtët. Prej kohësh tashmë, Siddharta merrte pjesë në kuvendimet e të urtëve, kalitej me Govindën në beteja ligjërimi, ushtrohej me të në vëzhgime, stërvitej duke u thelluar në meditime.

Tashmë, ai dinte të thoshte Omin, fjalën e fjalëve; dinte ta shqiptonte atë pa zë, në brendësi të vetes, me ajrin që thithte, siç dinte ta shqiptonte edhe jashtë, përsëri pa zë, me frymën që nxirrte, me shpirtin të mbledhur, me ballin të qarkuar nga ndriçimi i shpirtit që mendonte kthjellët. Tashmë ai kuptonte se, në brendësi të qenies së vet, kishte njohur Atmanin, të parrënueshëm, një me gjithësinë.

Herman Hese ka lindur më 2 korrik 1877 në Calv të Vuertembergut në Gjermani. Bir i një misionari gjerman dhe i një vajze të indologut të njohur vuertembergas. Hese vdiq si një nga shkrimtarët më të njohur gjermanë të të gjitha kohërave, më 9 gusht të vitit 1962 në Montanjola të Luganos, në Zvicër.

Pas mësimeve të tij si bibliotekar, ai që nga viti 1904 kishte jetuar si shkrimtar me profesion të lirë, së pari në Gainhofen të Bodensesë dhe më pas edhe në Tesin e Zvicrës. Hese, i njohur edhe për romanin “Ujku i Stepës”m në vitin 1946 mori Çmimin Nobel për Letërsi. Herman Hese vazhdon të jetë një ndër shkrimtarët më të lexuar të botës. /KultPlus.com

Charlie Chaplin: Sapo fillova ta dua veten, unë ndalova së tentuari për të pasur gjithmonë të drejtë

“Sapo fillova ta dua veten, e zbulova se ankthi dhe vuajtja emocionale janë vetëm shenja paralajmëruese që më tregonin se unë isha duke jetuar në kundërshtim me të vërtetën time. Sot e di, ky është “AUTENTICITETI”.

Sapo fillova ta dua veten e kuptova se sa ofenduese mund të jetë për një person nëse unë tentoj ta i’a imponoj dëshirat e mia, edhe pse e dija se nuk ishte koha e duhur dhe personi nuk ishte i gatshëm për atë. Sot unë këtë e quaj “RESPEKT”.

Sapo fillova ta dua vetën unë nuk pata më dëshirë për një jetë më ndryshe, dhe mund ta shihja se çdo gjë që më rrethonte, me ftonte të rritesha. Sot këtë e quaj “PJEKURI”.
Sapo fillova ta dua veten, unë e kuptova se në çfarëdo rrethana, unë jam në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, dhe se çdo gjë ndodh saktësisht në momentin e duhur. Kështu që unë mund të jem i qetë. Sot këtë e quaj “VETË – BESIM”.

Sapo fillova ta dua veten, unë ndalova së vjedhuri kohën time, dhe ndalova së krijuari projekte të mëdha për të ardhmen. Sot, unë e bëjë vetëm atë që më sjell kënaqësi dhe lumturi, i bëjë gjërat që i dua dhe që ma ngazëllejnë zemrën, dhe ato i bëjë në mënyrën dhe në ritmin tim. Sot këtë e quaj “THJESHTËSI”.

Sapo fillova ta dua veten, unë ndalova së tentuari për të pasur gjithmonë të drejtë, dhe kurrë s’kam qenë më pak herë gabim prej atij momenti. Sot unë e zbulova se kjo është “MODESTI”.
Ne s’kemi më nevojë ti frikësohemi argumenteve, konfrontimeve ose cilitdo problem me veten tonë ose me të tjerët. Madje edhe yjet përplasen dhe nga përplasja e tyre lind një botë e re. Sot e di e “KJO ËSHTË JETA”./ Charlie Chaplin

Vajza shqiptare

Poezi nga Ali Asllani

Vajza shqiptare

Kush të ka dërguar, hëna apo dielli?
Pa më thuaj, të lutem, sa pate ka qielli?
Nëpër ato pate, madhëri e artë,
Ka të tilla shtate, si të zotris’ sate?

Në je ndonjë ëngjëll, udhën ke lajthitur,
Apo sjell melhemin zemrës së goditur?
Në je ndonjë valë, kush ësht’ ai mall,
Që të ndez e derdhe e utrin’ mbi zall?

Në je ndonjë çupë, do të mbaj mbi sup,
Do të ngjesh në zemër, do të pi me kup’!
Në je ndonjë lule, e ku do keç mbirë,
Si mundet e bënet lulja kaq e mirë?

Në se je sorkadhe, lumthi kush ka çapa,
Lum ai q’i vete zotris’ sate prapa!
Kush të paska rritur, kush të ka selitur?
Trupi i yt i bukur si flori i situr!

Në je ndonjë xhinde, xhinde e arratisur,
Cilin ke vithisur, kujt i je kolisur?
Ku është ai pyll, ku është ai mur
ku ti vete fute dhe qëllon me gur?

II
Kush të ka dërguar, Hëna apo Djelli?
Pa më thuaj, të lutem, sa yje ka qjelli?
Ka të tilla pyje nëpër ata yje?
Ka të tilla xhinde nëpër ata pyje?

Qofshi të ërgjënda, ka të tilla xhinde?
Rrofsh e qofsh, sa malet, zotrote ku linde?
Desha që ta dija ku është ylli yt,
Desha që ta dija ku ësht’ pylli yt!

Në je ndonjë dritëz, dritëz perëndie,
Lum kush të ka afër, kurse nata bie;
Në je ndonjë hije, hije hyjënore,
Kthema zemrën time, zemrën që ma more!

Në je ndonjë erë, një veri në ver’,
Nga se po të digjet trupi ylyver?
Në je ndonjë ëndërr, shum’ të lutem shum’,
Në të dasht’ qejfi të të shoh në gjum’!

Në je xhevahire, nga se ku je dukur?
Nga se xhevahiri rri në kuti futur?
Në je ndonjë flutur, kush të ka qëndisur?
Kush është ajo dorë, që të ka stolisur?

Pa le ta dëgjojmë një herë e dy herë,
fol, moj dallëndyshe, që këndon mbi derë!
Fol moj dallëndyshe, se sa më vjen mirë,
Mos je ndonjë vajzë nga një vend i lirë?

– Un’ jam një arbreshe, rroj këtu në rrëza,
Një gjak e një gjuhë kemi me thëllza;
Pullumb e sorkadhe jemi farë e fis,
Kemi dhe shqiponjën gjyshen e shtëpisë!

Çdo të mira kemi, djelli si ar
Derdhet përmbi neve nga çdo vënd më par’,
Lul’ e vëndit tënë katër stinat çel
Edhe erë e bukur na deh e na vel!

A e more vesh kush më ka qëndisur?
Është dritë e djellit që më ka stolisur,
Është drtië e djellit, është dritë e hënës,
Më shum’ nga të gjithë është sisë e nënës!/ KultPlus.com