‘Lumturi do të thotë të jesh pranë personit që dashuron’

Thënie nga Orhan Pamuk

“Dikur lexova një libër dhe e gjithë jeta ime ndryshoi”.
“Lumturia është të mbash dikë në krahë dhe të mendosh se je duke mbajtur botën”.
“Unë s’dua të jem një pemë. Unë dua të jem kuptimi i saj”.

“Çdo person inteligjent e di se jeta është diçka e bukur dhe qëllimi i saj është të jesh i lumtur”.
“Njerëzit thonë gënjeshtra, vetëm atëherë kur ka diçka që tremben se mund ta humbasin”.
“Kur humbasim njerëzit që duam, nuk duhet t’i shqetësojmë shpirtrat e tyre, të gjallë apo të vdekur. Përkundrazi, duhet të gjejmë ngushëllim në një objekt që na kujton diçka për ta”.

“- Cila është gjëja që pëlqen më shumë tek unë? Çfarë duhet të bëj unë për të më dashur?
– Ji vetvetja, – tha Ipeku”.

“Lumturi do të thotë të jesh pranë personit që dashuron”.
“Jeta nuk ka lidhje me parimet, por me lumturinë”.
“Përpiqu që në fund të jetës, t’i lësh të gjithëve të kuptojnë se jetove një jetë të lumtur”. /KultPlus.com

Presidentja Osmani gati për vizitën e radhës

Presidentja, Vjosa Osmani, do të vazhdojë serinë e vizitave nëpër Komunat e Kosovës, derisa në rend për nesër është qyteti i Mitrovicës, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, Osmani do të ketë një sërë takimesh:

Në orën 12:00, do të ketë takim me kryetarin e komunës së Mitrovicës, z. Bedri Hamza.

Në orën 13:00, vendosë lule tek pllaka përkujtimore në lagjen e Kovaçëve.

Në orën 13:30, viziton shkollën fillore të mesme të ulët “Ismail Qemali”. 

Gjatë vizitës në Mitrovicë, do të ketë takime me OJQ dhe do t`i vizitoj disa biznese. /KultPlus.com

Katër këshilla vetes

Azem Shkreli

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh 
me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë. 

ngrehu mbi veten në dot t’rrokësh frerët e erërave, 
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat 
e gjakut tënd. 

n’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë, 
jo në sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi. 

mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh 
për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë. / KultPlus.com

‘Të parët tanë me brengë të lanë, sa kohë më nuk të panë’ (VIDEO)

Një ndër këngët që dëgjuesve ia fal ndjenjën e nostlagjisë së atdheut është “Moj e bukura Arbëri”, e sjellur nga zëri magjik i Vaçe Zelës, shkruan KultPlus.

Kjo këngë nga Vaçe Zela është xhiruar nga RTSH në Institutin e Arteve, e shndërruar në një studio të televizionit, për programin e Vitit të Ri. Ky regjistrim u improvizua e mbeti një nga regjistrimet më dinjitoze të të pakrahasueshmes Vaçe Zela, nën regjinë e Mevlan Shanajt dhe Vera Grabockës.

KultPlus ua sjell tekstin dhe këngën “Moj e bukura Arbëri”:

Në breg pulëbardhat çajnë fluturim
si kënga jonë plot mall.
Këndojmë nga larg me dashuri,
moj Arbëri.

Të parët tanë me brengë të lanë,
sa kohë më nuk të panë?
por sot si lule më je ti,
moj Shqipëri.

(refreni)
Valët e detit shkumojnë plot dallgë,
bashkë me shokët në breg kemi dalë.
Sa kemi mall s’ka deti valë,
o moj e bukura Arbëri.
Shikojmë nga larg, mendojmë për ty,
o moj e bukur Shqipëri.

Këtej ne degë, ti rrënjë matanë,
N`mes deti me stuhi.
Shkuan kaq mote e degët s’u thanë,
moj Arbëri!

Kjo kënga jonë, për ty përherë
na djeg si zjarr në gji.
Tek zjarri yt ne jemi përjetë,
moj Shqipëri!

(refreni)
Valët e detit shkumojnë plot dallgë,
bashkë me shokët në breg kemi dalë.
Sa kemi mall s’ka deti valë,
o moj e bukura Arbëri.
Shikojmë nga larg, mendojmë për ty,
o moj e bukur Shqipëri./ KultPlus.com

Hugh Laurie sjell romanin mister-krim të Agatha Christie në shfaqje televizive

Aktori britanik Hugh Laurie, i njohur më së shumti për rolin e një mjeku ekscentrik në serialin televiziv “House”, sjell në ekran romanin e tij të preferuar të Agatha Christie me shfaqjen e tij të re televizive “Why Didn’t They Ask Evans?”, transmeton KultPlus.

Mini-seriali me tre pjesë është shkruar, prodhuar dhe drejtuar nga Laurie, e cila gjithashtu luan në një rol dytësor.

“Unë do të thosha se romani ka qenë një pasion i imi për një kohë të gjatë,” tha Laurie, 62 vjeç, për Reuters në prag të debutimit të shfaqjes.

“Sa më shumë që mendoja për këtë, aq më shumë më pëlqente ideja e përpjekjes për të sjellë në ekran atë që mendoja se ishte një lloj fryme aventure komike.”

Christie’s “Pse nuk e pyetën Evans?” u botua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në 1934.

Romani dhe shfaqja televizive përqendrohen rreth të dashuruarit Bobby Jones (Will Poulter), i cili gjen një burrë që po vdes pranë shkëmbinjve të bregdetit të Uellsit. I huaji është në gjendje të shqiptojë pyetjen e çuditshme të titullit vetëm para se të vdesë. Së bashku me shoqen e tij të fëmijërisë, Lady Frances “Frankie” Derwent (Lucy Boynton), Bobby vendos të gjejë se çfarë i ndodhi burrit dhe t’i japë një përgjigje pyetjes së tij të fundit.

“Ka një stil të shkëlqyeshëm, pothuajse amerikan në të, për të cilin mendoj se ajo (Christie) po shkonte,” tha Laurie për materialin e tij burimor./ KultPlus.com

Diana Çuli në një rrëfim me 7 shkronja

B

E bardha:

E bardha është dritë, është mëngjes, është fillim dite. Është punë, energji dhe optimizëm. Ajo vjen pas një nate të errët, kur mendimet e zymta marrin rrugë dhe kanë më pak pengesa. E bardha i shpërndan, ose të paktën i dobëson, i amortizon, i tulat.

E bardha është ngjyra e veshjeve të para të fëmijës, e ditës së dasmës…E shtratit të sapo shtruar e të paprekur.

Është freskia.

Është fleta e letrës së pashkruar. Mbi të mund të përshkruash, të ëndërrosh, të krijosh botë të tëra, personazhe, marrëdhënie njerëzore…Përmes saj mund të japësh dritë ose mund të dëshpërosh, mund të kalosh në fantazitë më të çuditshme e më të papara.

E bardha është ngjyra e parë e horizontit të largët ose të afërt.

Është Çlirimi.

K

E kaltra :

Është deti, udhëtimi, harrimi, lumturia, thellësia, mrekullimi.

Bashkë me të Bardhën, formon shkumën dhe dallgën, rrëmbimin dhe ethen, pështjellimin dhe dëshirën, gezimin e aventurës, ngjethjen dhe arritjen, kur prej kreshtës së saj mund të shohësh qiellin dhe pamatësinë e detit.

Është Qielli. Pafundësia, mahnitja, ngjashnjimi, misteri. Është ngrohtësia, pasqyrimi, vështrimi, çiltërsia.

Është kaltërsia që mbështjell botën me ujë dhe ajër. Është vështrimi i brendshëm i shpirtit kur është në paqe.

L

Libri

Është rrugëtim i pambarimtë, mundim, rënkim, dëshirë…Jetë të panumërta që jetohen brenda një jete, shekuj të përshkuar në pak muaj, botë e shkelur që nga malet e panjohur në oqeanet e frikshëm, në polet e ngrirë, në rrugët e pakthyeshme, në tropikun e nxehtë, në shpellat e errëta, në bulevardet marramendëse të qyteteve të pashkelur.

Libri që depërton në zemër, në shpirt, në mendje, në frymë, në fjalët që flasim, në shkëndijat që shohim, në sendet që prekim. Libri që e anulon botën dhe krijon të tijën, të vërtetën dhe, në këtë haluçinacion, bota e mund, e mposht, por pastaj ai rifillon të ngrihet e të përsërisë betejën, që është njëherazi e dhimbshme, e bukur, e dëshiruar, ngjethëse, ngazëllyese.

M

Mendja

Kjo gjendje njerëzore, e papërsëritshme, që rrekemi të gjemë në është ide, prodhim i shpirtit, i energjisë kozmike, i perëndisë, i energjisë së brendshme të trupit apo thjesht prodhim i evolucionit të qënies, të përkryerjes së fijeve nervore, qelizave, muskujve të trurit, veprimtarisë së tij të jashtëzakonshme, që natyra e ka krijuar të tillë, për të mos e zbuluar dot lehtë, por për ta kërkuar çelësin e të fshehtës së funksionimit të tij derisa të rrojë njerëzimi vetë.

Mendja është vetë bota dhe jeta, është fantazia dhe realiteti, E Keqja dhe e Mira, Urtësia dhe Zemërimi, Pamaturia dhe Pjekuria, Dashuria dhe Dhembshuria. Po edhe Hidhërimi. Prej saj varet lufta dhe paqja, varfëria dhe mirëqenia, vetë gëzimi dhe lumturia.

Mendja mund të jetë dhe Helmimi.

Po mund të jetë dhe Shpëtimi.

Gj

E gjelbra.

Gjelbërimi. Që është jetë, fllad, aromë, lëndina të shtruara me bar, male që gjelbërojnë në pranverë, lumenj të thellë që gjarpërojnë mes tyre, pyje plot të fshehta, me pikëla rrëzëllitëse të mbetura në gjethet, pas shiut.

Shpresë. E gjelbra është shpresë, pritje e këndshme, është përkujdesje. Ajo e kundërshton tymin e errët që nxin qiellin, rrugët, shtëpitë, dhomat, xhamat e dritareve. Ajo lodhet, pastron dhe mbron.

Ajo është prehja e gjallesave mbi dhé, e njerëzve, kafshëve e shpendëve, është zëri i Tokës, ndjenja e saj, frymëmarrja e saj. Ajo është Lashtësia, Qëndresa, E Ardhmja.

Rr

Rruga.

Që na rrëmben, na kërkon, që e kërkojmë, e duam, edhe kur e dimë se na shpie në zgrip të humnerës. Sepse gjithnjë pandehim që do të gjejmë Zbulimin, Përmbushjen, realizimin e Ëndërrës.

Asnjëherë nuk i vidhemi, nuk i fshihemi, asnjëherë nuk bëjmë sikur nuk e shohim. Aq më tepër kur ndalojmë para një udhëkryqi. E panjohura na tërheq si magnet, e paditura na nxit të mësojmë e të pikasim atë që nuk e ka parë askush apo që të tjerët e dinë dhe ne ende nuk e kemi prekur, kuptuar, shijuar. Rruga drejt një liqeni, për shembull, që struket i vogël me kodrash të buta. Drejt një tempulli, fenë e të cilit nuk e njohim, por duam të dimë përse është i tillë. Përse? Dhe gjithnjë – përse? Drejt një anijeje të nxjerrë nga fundi i detit, të mbuluar me alga, drejt një shtëpize

buzë rrugës, drejt një qiellgërvishtëseje që duket si mal i panatyrshëm e që shkëlqen natën nga dritat. Nuk i jemi ndarë rrugës, qoftë ajo me karroca e kuaj, qoftë me makina e avionë. Dikush mbetet në gjysmë të saj, dikush rrëzohet para se të mbërrijë në fund, po të tjerë ia dalin.

Ata janë fitimtarët.

D

Dyshimi

Nuk jetojmë dot pa dyshimin, edhe kur e zbojmë dhe nuk e duam. Dyshojmë në dimë të jetojmë, në kemi ditur të ecim apo kemi bërë vetëm gabime. Jo, nuk kemi bërë vetëm gabime, por ato janë më të shumta se veprimet e drejta. Por, përse duhen quajtur të drejta? Cilat janë kriteret? Ku e kam cënuar të drejtën e tjetrit, duke mbrojtur timen?

Shumë prej nesh qëndrojnë të heshtur para dritares, të grirë nga dyshimet: A kam gabuar në rritjen e fëmijëve? Jo, nuk kam gabuar, mendoj se kam bërë më të mirën. Por, jo, ndoshta nuk e kam kuptuar dot shekullin e ri, botën e re, epokën e re dhe kam prekur atje ku nuk duhet të prekja, kam anashkaluar atë që duhet të jepja.

A kam bërë atë që kam dashur? Po, shpesh herë. Po a ka qenë kjo më e mira? Jo, për fat të keq. Sa shpesh, më vonë, ka dalë që ka qenë më e keqja.

A kam nxjerrë nga duart, nga mendja, nga shpirti atë që duhej? Oh, kush e di. As unë vetë, as ju, as shumë të tjerë. Po si do të jetë gjykimi ? po përse të duhet ky gjykim? Dyshon se je dikushi ? Jo, askushi, pa dyshim. Po nuk ekziston shprehja « «pa dyshim », është kontradiktore e pasaktë, e pavërtetueshme.

Dyshimi. Si mund të jetojmë dhe të përsosemi vazhdimisht pa dyshimin ?

(gazeta-Shqip.com) / KultPlus.com

Ai që di më së shumti, e di sa pak ai di

Thomas Jefferson (1743 – 1826) ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më vonë shërbeu si Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara nga viti 1801 deri më 1809.

Për lexuesit tanë sjellim një koleksion me thëniet më briliante të Jefferson:

“Demokracia do të mbarojë ditën kur do të taksohen ata që duan të punojnë për të mbajtur ata që duan të rrinë”

“Një Ligj i të Drejtave është diçka të cilin njerëzit ia kërkojnë çdo qeveri dhe të cilin asnjë qeveri nuk duhet ta refuzojë ose ta vonojë.”

“Një burracak është shumë më tepër i prirur të grindet se çdo njeri shpirtmirë.”

“Një trup i fuqishëm e bën mendjen të fuqishme.”

“Një qeveri e zgjuar dhe kursimtare, e cila do t’i lërë njerëzit të lirë që t’i rregullojnë vetë prodhimet dhe vlerat, dhe të mos ua marrë nga goja bukën që kanë fituar – ky është përkufizimi i një qeverie të mirë.”

“Reklamat janë e vetmja e vërtetë që përmban një gazetë.”

“E gjitha për çfarë tiranitë kanë nevojë për të mbijetuar është që njerëzit me të vetëdijë të lartë të heshin.”

“Gjithashtu duhet ta ngulitim në mendje parimin e shenjtë se, ndonëse vullneti i shumicës në të gjitha rastet merr rëndësi, për të qenë i drejtë, duhet të jetë i arsyeshëm; se të gjitha pakicat zotërojnë të drejtat e tyre të barbarta, të cilat ligji i barbartë duhet t’i mbrojë, dhe shkelja e tij do të ishte shtypje.”

“Gjithmonë mbaji gjërat nga doreza e lëmuar.”

“Një shoqëri njerëzish të cilët nuk grinden me njëri tjetrin është një gjë e cila nuk ka ekzistuar kurrë, që nga perandoria më e madhe tek mëhalla më e vogël e katundit.”

“Armiku përgjithësisht thotë dhe beson çfarë dëshiron ai.”

“Një mik i lënduar është më i hidhur se të gjithë armiqtë.”

“Ashtu si thonë armiqtë tanë, ne mund të arsyetojmë si njerëz, prandaj le t’iu tregojmë atyre se mund të luftojmë gjithashtu si njerëz.”

“Ji i sjellshëm me të gjithë, por hape zemrën vetëm me pak prej tyre.”

“Trupi i sëmurë është i padurueshëm, por më i padurueshmi nga të gjitha gjërat njerëzore është trupi pa mendje.”

“Librat përbëjnë kapital. Një bibliotekë është jetëgjatë sa edhe një shtëpi, me qindra vjet. Pra librat nuk janë një artikull konsumi, por një kapital. Dhe shpesh, në rastin e njerëzve profesionistë, është i vetmi kapital.”

“Miqësia është e çmueshme, jo vetëm në hije, por edhe në dritën e jetës, dhe falë qeverisjes së mirë të miqësisë pjesa më e madhe e jetës sonë është dritë.”

“Bëj tregti me të gjitha vendet, aleancë me asnjërin, kjo duhet të jetë motoja jonë.”

“Pushtimi nuk është në parimet tona. Është i papajtueshëm me qeverinë tonë.”

“Shtyrja për më vonë është më e pëlqyeshme se gabimi.”

“Ndryshimi i opinionit është i dobishëm në religjion. Disa sekte kanë zyrën e Censorit – ndaj njëri – tjetrit.”

“Mos e kafsho karremin e kënaqësisë, gjersa ti e di se përtej ti është grepi.”

“A do ta dish se kush je? Mos pyet. Veprimet do ta përvijojnë dhe përkufizojnë se kush je.”

“Mos fol për çfarë ke bërë apo për çfarë ke ndërmend të bësh.”

“Arsimoje dhe informoje krejt masën e popullit…Ata janë e vetmja mbështetje e sigurt e ruajtjes së lirisë sonë.”

“Ndriçoi njerëzit përgjithësisht, dhe tirania e shtypja e trupit dhe mendjes do të shuhen sikurse shpirtërat e ligj në agimin e ditës.”

“Gabimet e opinionit mund të tolerohen atje ku arsyeja lihet e lirë t’i luftojë ato.”

“Secili qytetar duhet të jetë një ushtar. Kështu bënin grekët dhe romakët, dhe duhet të bëhet kështu në çdo shtet të lirë.”

“Cdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre.”

“Përvoja ka treguar se njeriu është e vetmja kafshë që e ha dikë të llojit të vet, sepse unë nuk mund të gjej një term më të butë për të përkufizuar sjelljen e të pasurit ndaj të varfërit.”

“Përvoja ka treguar se madje edhe format më të mira të qeverive të cilave iu është besuar pushteti, me kohë dhe ngadalë janë shndërruar në tirani.”

“Për një popull që është i lirë dhe dëshiron të jetë i tillë, një polici e armatosur mirë dhe e organizuar mirë do të ishte siguria e tij më e mirë.”

“Forca është parimi vital dhe prindi i afërt i despotizimit.”

“Miqësia është një tjetër emër për aleancën me marrëzitë dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Pjesa jonë e halleve është e mjaftueshme: pse atëherë vullnetarisht hyjmë në ato të të tjerëve?”

“Ai që di më së shumti, e di sa pak ai di.”

“Ai që di më pak është më pranë së vërtetës, se ai mendja e të cilit është e mbushur me rrena dhe gabime.”

“Historia në përgjithësi na informon ne vetëm sa e keqe është qeveria.”

“Ndershmëria është kapitulli i parë në librin e mençurisë.”

“Sa shumë dhimbje na kanë kushtuar ne ligësitë që nuk ndodhën kurrë.”

“Unë e urrej luftën dhe e shoh atë si ndëshkimin më të madh të njerëzimit.”

“Unë jam një epikurian. I konsideroj doktrinat burimore (jo të interpretuaraI të Epikurit si thelb të gjithçkaje racionale në filozofinë morale të cilën grekët dhe romakët na e lanë trashëgim.”

“Jam shokuar kur më thanë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shitja e një libri mund të bëhet temë e një hetimi, dhe e një hetimi kriminal gjithashtu.”

“Unë besoj se çdo mendje njerëzore ndjen kënaqësi kur i bën mirë tjetrit.”

“Unë nuk mund të jetoj pa librat.”

“Unë nuk blej asnjë gazetë dhe nuk lexoj asnjë gazetë një muaj, dhe pastaj e ndiej veten pafundësisht më të lumtur.”

“Mendoj se më i lumturi është ai për të cilin bota flet më pak, mirë apo keq.”

“Nuk kam synim të qeveris njerëz; është një detyrë e dhimbshme dhe e pagratshme.”

“Unë nuk druaj se rezultati i eksperimentit tonë do të jetë që njerëzve t’iu besohet ta qeverisin veten pa një padron.”

“Unë kam parë mjaft një luftë, sa që nuk dua më të shikoj një luftë tjetër kurrë.”

“Unë jam betuar në alatarin e Zotit të kem armiqësi të përjetëshme kundër çdo forme të tiranisë mbi mendjen e njeriut.”

“Unë shpresoj se zgjuarsia jonë do të rritet bashkë me fuqinë tonë, dhe të na mësojë ne se, sa më pak ta përdorim fuqinë tonë, aq më të mëdhenj do të jemi.”

“Mua më pëlqejnë më shumë ëndërrat e së ardhmes se historia e së kaluarës.”

“Unë kurrë nuk e konsiderova një ndryshim opinioni në politikë, në religjion, në filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik.”

“Unë kurrë, me fjalë as me veprime, nuk do të përkulem përballë intolerancës as nuk do të pranoj të drejtën e hetimit ndaj opinioneve religjioze të të tjerëve.”

“Unë pranoj se nuk jam miqësor ndaj një qeveri shumë energjike. Ajo është gjithmonë shtypëse.”

“Unë parashikoj të ardhmen e lumtur të amerikanëve nëse ata mund të parandalojnë qeverinë nga shkatërrimi i sindikatave nën pretekstin se po kujdesen për to.”

“Unë mendoj si romakët: se gjenerali i sotëm duhet të jetë nesër një ushtar po të jetë nevoja.”

“Më kapin drithmat për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë; se drejtësia e tij nuk mund të flejë gjithmonë.”

“Jam i vendosur në kërkimin e dijes, pa u druajtur kurrë se kërkimi i së vërtetës dhe arsyes pavarësisht në çfarë rezultati mund të çojnë, dhe në rrëzimin e çdo autoriteti që iu del pengesë atyre në rrugë.”

“Më mirë do të pranoja të papriturat e lirive të tepërta se zvogëlimin e tyre.”

“Nëse një komb pret që të jetë injorant dhe i lirë, në një shtet të qytetëruar, ai pret diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë.”

“Nëse ka një parim më thellë të rrënjosur në mendjen e çdo amerikani, ai është që ne kurrë nuk do të bëjmë diçka nëpërmjet pushtimit.”

“Në çdo vend dhe në çdo kohë, kleri ka qenë armiqësor ndaj lirisë.”

“Nga pikëpamja e stilit, noto në drejtim të rrymës; nga pikëpamja e parimit, qëndro si shkëmb.”

“Injoranca është më e pranueshme se gabimi, dhe është më larg së vërtetes ai që nuk beson në asgjë se ai që beson në diçka të gabuar.”

“Mua nuk më lëndon fqinji im nëse thotë se janë njëzet zota apo se nuk është asnjë një Zot.”

“Është më mirë gjithmonë të mos kesh fare ide sesa të kesh ide të rreme; dhe të mos besosh në asgjë, sesa të besosh në mënyrë të gabuar.”

“As pasuria, as luksi, por qetësia dhe puna ju japin lumturinë.”

“Religjioni ynë duhet të lexohet në jetët tona dhe jo në fjalët tona.”

“Nuk duhet të ketë asnjë autoritet i cili të mos jetë përgjegjës para popullit.”

“Njerëzimi është më shumë i prirur të vuajë sesa të luftojë për t’i larguar format me të cilat janë mësuar.”

“Tregtarët nuk kanë atdhe.”

“Droja ime e vetme është se mund të jetoj tepër gjatë. Kjo do të ishte burim frike për mua.”

“Nga leximi i historisë jam bindur se qeverisja më e keqe vjen nga tepërimi i qeverisjes.”

“Teoria ime ka qenë gjithmonë se nëse ne ëndërrojmë, flatrat e shpresës janë shumë më të lira dhe më të kënaqshme se tmerri i dëshpërimit.”

“Nuk ka detyrë më të lartë për një Qeveri se të përpiqet të vendosë njeriun e duhur në vendin e duhur.”

“Asnjë punë nuk është më e kënaqshme për mua se kultura e punimit të tokës, dhe asnjë kulturë nuk është e krahasueshme me atë të kopshtit.”

“Askush në botë nuk mund të ndalë njeriun me prirjen e duhur mendore që të arrijë qëllimin e tij; asgjë në botë nuk mund ta ndihmojë njerin me prirjen e gauar mendore.”


“Nuk ka epërsi më të madhe ndaj të tjerëve se gjakftohtësia dhe qetësia në çfarëdo rrethane.”

“Asgjë tjetër nuk është e pandryshueshme përveç të drejtave të paprekshme dhe të pashtrembërueshme të njeriut.”

“Individi guximtar është shumicë.”

“Njeriut i bën më mirë të udhëtojë vetëm, sepse mediton më shumë.”

“Paqja dhe korrektësia ndaj ndërhyrjeve evropiane janë qëllimet tona, dhe kështu do të vazhdohet ndërkohë që rendi ekzistues në Amerikë mbetet i pandërprerë.”

“Paqja dhe miqësia me gjithë njerëzimin mbetet politika jonë më e zgjuar, dhe unë dëshiroj që ne të jemi të përkushtuar t’iu përmbahemi atyre.”

“Politika është një tronditje e tillë sa do t’ia këshilloja kujtdo që ia dua të mirën të mos përzihet me të.”

“Pushteti nuk është ndjellës për mendjet e varfëra.”

“Fjalimet që maten me orë do të vdesin brenda orës.”

“Shija nuk mund të kontrollohet nëpërmjet ligjit.”

“Qeveria më e fuqishme është ajo ku çdo njeri ndjehet pjesë e saj.”

“Deti zhurmëmadh i lirisë nuk është kurrë pa dallgë.”

“Kujdesi për jetën dhe lumturinë njerëore, dhe jo shkatërrimi i tyre, është qëllimi i parë dhe më i mirë i çdo qeverie.”

“Toka iu përket të gjallëve, nuk iu përket të vdekurve.”

“Shkëlqimi i një mendimi të ngrohtë vlen për mua më shumë se vlera e çdo paraje.”

“Zoti që na krijoi, na e dha njëkohësisht edhe lirinë.”

“Mendimi i mirë i njerëzimit, si leva e Arkimedit, sapo t’i jetë dhënë pika e mbështetjes, e lëviz botën.”

“Njeriu që nulk lexon asgjë është më i ditur se ai që nuk lexon asgjë tjetër veç gazetave.”

“Në çastin që një njeri formon një teori, përfytyrimi i tij shikon në çdo objekt vetëm të dhënat që e favorizojnë teorinë e tij.”

“Edhe lufta më e suksesshme rrallë paguan për humbjet e shkaktuara.”

“Pema e lirisë duhet njomur nga koha në kohë prej gjakut të patriotëve dhe të tiranëve.”

“Shpirti i rezistencës ndaj qeverisë është kaq i vlefshëm në disa raste sa do të doja ta mbaja gjithmonë të gjallë.”

“Ka një aristokraci natyrale tek njerëzit. Bazat e saj janë virtuti dhe talentet.”

“Nuk ka të vërtetë që unë i trembem … ose që do të doja të ishte e panjohur për tërë botën.”

“Njerëzit e druajtur parapëlqejnë më shumë qetësinë e despotizmit se detin e zhurmshëm të lirisë.”

“Për të depërtuar dhe për t’i davaritur retë e errësirës, mendja njerëzore duhet të forcohet nëpërmjet shkollimit.”

“E vërteta sigurisht që është një degë e moralit dhe tejet e rëndësishme për një shoqëri.”

“Ecja është ushtrimi më i mirë fizik. Bëjeni zakon të ecni shumë shpejt.”

“Kalimi nga depostizmi në liri nuk është shesh me lule.”

“Kur një njeri merr një besim publik, ai asnjeherë nuk duhet ta konsiderojë veten një pronë publike.”

“Nëse më lihej mua në dorë të vendos a duhej të kishim një qeveri pa gazeta apo të kemi gazeta pa një qeveri, unë do ta parapëlqeja menjëherë pa nguruar këtë të dytën.”

“Kur njerëzit janë të mirinformuar ata mund t’i besojnë qeverisë së tyre.”

“Kurdo që jeni duke bërë diçka, veproni sikur e gjithë bota është duke ju parë.”

“Atje ku shtypi është i lirë dhe ku çdo njeri mund ta lexojë, gjithçka është e sigurt.”

“Ne nuk mund të stivosemi në qytete të mëdha si në Evropë, ne do të bëhemi të korruptuar si Evropa.”/KultPlus.com

Turneu historik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore rikthehet pas 30 vjetësh

Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor me Republikën e Kosovës, Teatri i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, realizojnë një turne historik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Zana Cela: Ansambli i këngëve dhe valleve popullore rikthehet pas 30 viteve në një turne të tillë në qytete e Kosovës. Në datën 25 prill në Prizren, 26 prill në Gjakovë, 27 prill në Gjilan dhe në datën 28 prill në Luginën e Preshevës për të mbyllur në qytetin e Shkupit.

Ky turne rikthehet pas më shumë se 30 vjetësh në qytetet e Kosovës. Programi artistik do të bazohet në krijimet më të bukura të muzikës së kultivuar nga të gjitha trevat shqiptare si edhe në folklorin e pasur kombëtar.

Sokol Marsi:  Përsa i përket repertorit ai është ndërtuar duke përfshirë të gjitha trevat shqiptare. Nga Çamëria në Shkup. po kështu edhe vallen e shqipeve dhe vallen e Tiranës.

Pas shpalljes së thirrjes nga Ministria e Kulturës për drejtor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe përfundimit të mandatit të drejtoreshës aktuale ajo konfirmon rikandidimin.

Zana Cela:  Sigurisht do të rikandidoj me një qëllim, sepse projekti që unë kam prezantuar në platformën time dhe në vazhdimësi, është një projekt që është në gjysmë të rrugës dhe unë se bashku me stafin tim e kam për detyrë që ta vazhdoj dhe definoj sepse i gjithë ai projekt që kam definuar të përfundojë të gjithë objektivat e tij.

Me rastin e inaugurimit të Teatrit të ri kryeministri premtoi dyfishim të rrogave të artistëve, në lidhje me këtë premtim Cela ka këtë përgjigje.

Zana Cela: Në dijeninë time nuk ka asgjë që e ka penguar këtë gjë. Unë jam në pritje dhe jam shumë e sigurt që kryeministri i vendit do të fillojë impelemtimin e këtij premtimi

Top Channel./ KultPlus.com

Bosh dhe vetëm

Poezi nga Günter Grass
Përktheu Fatmir Alimani

Dhoma ime është erëqetë,
e përshpirtshme, një cigare,
kaq mistike, saqë askush s’guxon
të ngrejë qeranë
ose të pyes për gruan time.
Dje kur miza vdiq,
unë kuptova pa kalendar,
tetorin, një mësues vallëzimi që përkulet,
ai don të më shesë mua tablo të vogla, të ndaluara.
Për vizitë unë pres para derës.
Posta ngjitet te xhami,
jashtë, shiu lexon bashkë me mua.
Brenda, dhoma ime është erëqetë,
asnjë grindje mbi tapet,
puthje të përpira nga orët,
kurrë s’pengohemi, që të godasim gjurin,
sepse gjithçka jepet,
e përshpirtshme, një cigare,
vertikalisht beson ajo,
vertikalisht merimanga, një balancë,
e ndjek pas çdo thellësi të madhe.
Ne nuk do të dështojmë kurrë./ KultPlus.com

Djali i John Lennon performon për herë të parë këngën ‘Imagine’, si mbështetje për Ukrainën

Julian Lennon performoi këngën e babait të tij John Lennon “Imagine” për herë të parë të premten, duke thënë se ai ishte i frymëzuar të këndonte himnin e paqes për të treguar mbështetjen e tij për Ukrainën, transmeton KultPlus.

Në një video të shpërndarë në llogarinë e tij në Instagram, Lennon, 59 vjeç, mund të shihet duke kënduar këngën e babait të tij të ndjerë në një sfond të ndezur qirinj.

“Lufta kundër Ukrainës është një tragjedi e paimagjinueshme”, shkroi Lennon në postimin e tij. “Si njeri dhe si artist, u ndjeva i detyruar të përgjigjesha në mënyrën më domethënëse që mundesha. Kështu që sot, për herë të parë ndonjëherë, performova publikisht këngën e babait tim, IMAGINE.”

Në mbishkrim, ai shtjelloi më tej vendimin për të realizuar këngën ikonë.

“Pse tani, pas gjithë këtyre viteve? – E kisha thënë gjithmonë, se e vetmja herë që do të mendoja të këndoja ‘IMAGINE’ do të ishte nëse do të ishte ‘Fundi i Botës’”, shkroi ai. “Por edhe sepse tekstet e tij pasqyrojnë dëshirën tonë kolektive për paqe në mbarë botën. Sepse brenda kësaj kënge, ne transportohemi në një hapësirë, ku dashuria dhe bashkimi bëhen realiteti ynë, nëse vetëm për një moment në kohë…”

“Kënga pasqyron dritën në fund të tunelit, që të gjithë po shpresojmë…”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Vdes në moshën 67-vjeçare komediani, Gilbert Gottfried

Gilbert Gottfried, komediani që i dha zërin e tij ikonik personazhit Iago në “Aladdin” të Disney-t, ka vdekur në moshën 67-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë, tha familja e tij, transmeton KultPlus.

Miku dhe publicisti shumëvjeçar i Gottfried, Glenn Schwartz, tha në një deklaratë se komiku vdiq nga takikardia ventrikulare e përsëritur për shkak të distrofisë miotonike të tipit II, një çrregullim i rrallë gjenetik që ndikon në zemër.

“Ne jemi të thyer për të njoftuar vdekjen e të dashurit tonë Gilbert Gottfried pas një sëmundje të gjatë,” shkroi familja e tij në Twitter. “Përveç se ishte zëri më ikonë në komedi, Gilbert ishte një bashkëshort, vëlla, mik dhe baba i mrekullueshëm për të. dy fëmijë të vegjël”.

Edhe pse sot është një ditë e trishtuar për të gjithë ne, ju lutemi vazhdoni të qeshni sa më shumë që të jetë e mundur për nder të Gilbert”, shtuan ata.

I lindur në Brooklyn në vitin 1955, Gottfried filloi të bënte komedi standup në moshën 15 vjeçare në Nju Jork përpara se të bashkohej përfundimisht me kastin e “Saturday Night Live” të NBC në 1980 për një sezon. Ai gjithashtu fitoi vlerësim mbarëkombëtar për një seri promosh për rrjetin e sapoformuar MTV.

Gottfried u bë gjithashtu një mysafir i shpeshtë në “The Howard Stern Show” duke filluar në vitet 1980, ku ai ishte i njohur për humorin e tij të shpejtë, megjithëse të papërpunuar, si dhe përshtypjet e tij për Drakulën e Bela Lugosit dhe shokun e tij të humorit Andrew “Dice” Clay.

Ai gjithashtu nuk ishte i panjohur për polemika. Gottfried kishte një aftësi të çuditshme për të pastruar një dhomë me një shaka pa ngjyra dhe për ta fituar atë po aq shpejt me zgjuarsinë dhe kohën e tij. Në një Roast Club Friar of Hugh Hefner, i cili u incizua disa ditë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Gottfried u përshëndet dhe u sulmua nga turma për të thënë një shaka në lidhje me sulmet. Por ai shpejt u rrotullua dhe filloi të interpretonte shakanë “The Aristocrats”, e cila rrëzoi shtëpinë.

Në vitin 2011, pasi ai tregoi një sërë shakash në Twitter pas një tërmeti shkatërrues në Japoni, Aflac e shkarkoi Gottfriedin nga roli i tij si Duck Aflac./ KultPlus.com

Publikohet traileri i ri i serialit ‘Stranger Things’

Në trailerin e ri të “Stranger Things” të sezonit 4, shihet se fëmijët janë rritur dhe se futen në luftë me përbindësha.

Personazhet si Mike me rolin e të cilit paraqitet Finn Wolfhard, të Dustin, Gaten Matarazzo, të Lucas aktori Caleb McLaughlin, e të Max, hyjnë në shkollë të mesme, ndërkaq personazhi Eleven, me rolin e të cilës paraqitet aktorja Milli Bobi Braun dhe Will, me rolin e të cilit paraqitet Noah Schnapp, janë në Kaliforni. Derisa ata marrin drejtimet e tyre, u shfaqet një kërcënim i mbinatyrshëm, që edhe një herë i detyron të përballen me horrorin në Upside Down.

Personazhi Hopper, rolin e të cilit e luan aktori David Harbour, del të jetë gjallë, por jo aq mirë, pasi që ai është i burgosur në Rusi dhe detyrohet të luftojë me një grup ushtarësh.

Ky hit i Netflix, i cili me fjalë të tjera paraqet qytetarët në Hoking, duke luftuar me një fenomen të mbinatyrshëm, episodet e mëparshme i lansoi në vitin 2019. Sezoni 3 përfundoi me episodin ku u paraqitën ndryshime në personazhe, ku personazhi Huper shihet duke vdekur, dhe familja Byers shpërngulet nga qyteti.

Xhirimet e sezonit të katërt filluan në vitin 2020, por produksioni u përball me vonesa për shkak të pandemisë së COVID-19. Gjatë vitit të kaluar, Netflix-i lansoi tiserë të ndryshëm për sezonin e katërt.

Ai u nda në dy volume, njëri që do të prezantohet me 27 maj 2022, e tjetri me 1 korrik të po këtij viti./ KultPlus.com

‘Ngjan si e stisur, po unë qeshë i tëri aromash e tingujsh e shpirtrash dehur’

Shkruan: Adem Gashi

Më zuri nata midis shavarësh e shelgjesh
bregut të lumit
(Sa ngjan me një stisje romantike!)
dhe Hëna qe e palindur a e fshehur,
dhe pa një zog çerdhet,
dhe… mbretëria e pagjumit.

Ju thashë si e stisur ngjan,
po Ajo qe me mua
në trajtën e pranisë së mungesës
si një cigane shpërthyese a lule Shëngjergji….dhe yjet qenë fshehur.

Ngjan si e stisur, po unë qeshë i tëri
aromash e tingujsh e shpirtrash dehur. /KultPlus.com

140 vite nga vdekja e Dhimitër Kamarda, studiuesit arbëresh të shqipes

Dhimitër Kamarda ishte gjuhëtar e atdhetar arbëresh, botues i folklorit, me formim shkencor edhe në fushën e gjuhësisë indoevropiane.

Vepra e tij kryesore, “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe”, është vepra e parë shkencore nga një studiues shqiptar, i cili trajton faktet e gjuhës shqipe në planin historik-krahasues.

Kamarda ndërroi jetë më 13 Prill 1882, në Livorno të Italisë. Ai së bashku me Jeronim De Radën (Girolamo De Rada) ishin dy iniciatorët kryesorë të lëvizjes kulturore italo-shqiptare (arbëreshe) në Itali gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX.

Puna kryesore e Kamardës “Sprovë e Gramatikës Krahasuese të Gjuhës Shqipe” është puna e parë shkencore e studimit historik krahasues mbi temën. Ai dha një kontribut të rëndësishëm me botimin e Alfabetit të përgjithshëm shqiptar në 1869.

Kamarda shkroi edhe një gramatikë të gjuhës shqipe dhe botoi një libër me poezi shqiptare kushtuar Dora d’Istrias, me titullin “A Dora d’Istria gli Albanesi” (“Dora d’Istrias, shqiptarët”)./ Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Nuk ndikojnë masat e qeverisë, SBASHK-u do të mbajë grevë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka reaguar rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës, e cila ka ndarë nga 100 euro për disa kategori, në të cilën përfshihen edhe punonjësit e arsimit, përcjell KultPlus.

Ata përmes një njoftimi për media kanë thënë se ky vendim nuk i tërheq ata nga greva e paralajmëruar me 20 prill.

Reagimi i plotë:

Pjesa e parë e deklaratës së kryeministrit Kurti  para medieve të nderuara për 100 euro shtesë edhe për të punësuarit në sektorin publik krijoi një lloj entuziazmi dhe sindikatat menduan se Qeveria ka ndryshuar qëndrimin e gabuar  ndaj sindikatave dhe kërkesave të tyre legjitime, por pjesa e dytë e deklaratës së tij tregoi se ai bashkë me Ministrin Murati këtë veprim e kanë bërë pse u është tekur ashtu dhe se mbështetja me 100 euro vlen vetëm për një muaj.

SBASHK-u  i thotë Kryeministër t’u rrittë ndera, por kërkesat e SBASHK-ut dhe sindikatave tjera mbesin të parealizuara sepse nuk ka dialog fare e as takime përmbajtjesore me sindikatat për të gjetur zgjidhje të përbashkët e të pranueshme për kërkesat e tyre që me 100 euro mbështetje të vazhdohet për gjithë të punësuarit në arsim, që nga çerdhet e deri në universitete dhe për shumë institucione të kulturës edhe në tërë sektorin publik  deri të nis së implementuari Ligji i pagave. Që përfaqësuesit e sindikatave  të jenë të kyçur e të barabartë në procesin e përgatitjes së versionit të këtij Ligji, që është jetik për gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe që të merren parasysh propozimet konkrete e të argumentuara të tyre dhe të inkorporohen në këtë Ligj me qëllimin e vetëm që punëtorët arsimorë të kenë vend meritor në këtë Ligj. Që të ketë  takime me Ministrit gjegjëse në vazhdimësi për të zgjidhur edhe kërkesat tjera legjitime të anëtarësisë. Kjo nuk po ndodh dhe pas 20 prillit do të fillohet me veprime sindikale  në tërë sektorin e arsimit sepse kështu kanë vendosur, jo një individë, por delegatët e Kongresit të SBASHK-ut, që janë përfaqësues dhe zë i gjithë të punësuarve në sektorin e arsimit, që nga çerdhet, Arsimi Parauniversitar, Universitete dhe në shumë institucione të kulturës.

Në fund Kryeministër me qëllimin më të mirë SBASHK po të këshillon qortoj pak dofarë zëdhënësish të Partisë, dofarë analistësh, që po flasin në emër të partisë tuaj e madje edhe ndonjë deputet, po ashtu të partisë suaj, që të ndalin deklaratat me plot shpifje e fyerje e kërcënime ndaj SBASHK-ut dhe në veçanti ndaj kryetarit Jasharaj. Ato nuk i bëjnë  nder as atyre e as Qeverisë dhe as Kosovës”. /KultPlu.com

18 vjet nga vdekja e ‘babait’ të letërsisë për fëmijë, Bedri Dedja

Bedri Dedja është një emër i nderuar i letrave dhe arsimit shqiptar, personalitet i kulturës dhe shkencës së Kosovës, i cili njihet edhe si “babai” i letërsisë për fëmijë, siç e kanë cilësuar me të drejtë për së gjalli; ai është i pranishëm në ballë të bibliotekave të mbarë shqiptarëve; romanet, librat me poezi e rrëfenjat, përkthimet nga letërsia botërore, janë të shumta e cilësore; ato kanë ushqyer dhe edukuar me ndjenjën e dashurisë dhe solidaritetit shoqëror, me frymën e atdhetarizmit dhe bukurisë artistike të shqipes mijëra e mijëra lexues, anembanë vëndit.

Akademik Bedri Dedja u nda nga jeta më 13 prill 2004.

Voal.ch po sjell nga arkivi mendime të personaliteteve për Akademik Bedri Dedjan

Alfred Moisiu, Presidenti i Republikës së Shqipërisë

…Bedri Dedja ishte njëri nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës shqiptare, Akademisë së shkencave, studiuesve në fushën e psikologjisë e pedagogjisë, Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, themeluesi i letërsisë shqiptare për fëmijë, Miku i Madh i fëmijëve, Humanisti shumëdimensional, i cili deri në ditët e fundit nuk reshti pa dhënë kontributin e çmuar për të sotmen e për të ardhmen e tyre.Vepra e tij poliedrike, shkencore dhe letrare do të jetojë për brezat e ardhshëm si një vlerë e madhe e kulturës sonë Kombëtare.

Dritëro Agolli,

Bedri Dedjen e kam njohur edhe para se të shkoja në Tiranë, në vitin 1970: e kam njohur permes prozave të tij për fëmijë që në Kosovë ishin sjellë prej profesorëve, të cilëve u ishte bërë e mundur të shkojnë në Shqipërinë shtetërore pas vendosjes së mardhënieve kulturore midis Shqipërisë dhe Kosovës. Mbas këtij viti, në Tiranë do të shkojë edhe shumë herë të tjera dhe gjithnjë, kur kthehesha në Prishtinë, kisha me vete vepra të reja të Bedri Dedjes. Si të mos kisha? Bedri Dedja ishte krijues shumë i lexuar e shumë i dashur dhe njëkohësisht, krijues shumë i frytshëm. Ai ishte krijues i tregimeve, i përrallave dhe i romaneve për fëmijë, por ai ishte edhe kritik e studiues i gjithë letërsisë shqipe për fëmijë. Bedri Dedja ishte, kështu, krijues me prirje të gjithanshme. Si cilësia ashtu edhe numri i veprave të tij letrare dhe shkencore e dëshmojnë një të vërtetë tashmë të pranuar nga studiuesit e psikologjisë së krijimtarisë: e dëshmojnë të vërtetën se përkushtimi ndaj krijimtarisë artistike e asaj shkencore, apo artistike dhe shkencore njëkohësisht është përbërës i domosdoshëm i dhuntisë së madhe krijuese.

E Bedri Dedja ishte krijues me dhunti të madhe krijuese.

Në veprën e tij shumëvëllimshme letrare dhe studimore janë bashkuar vlera e lartë artistike e shkencore dhe vlera e madhe humaniste. Janë këto dy cilësi që veprën e një krijuesi e bëjnë të përhershme, kurse krijuesin e saj të pavdekshëm.

Akademik Rexhep Qosja

…Psikolog, pedagog, historian i arsimit dhe i pedagogjisë, kulturolog, mendimtar erudit, shkrimtar i shquar për fëmijë, një shëmbull i rendimenti të lartë në punë: me të drejtë Bedri Dedja konsiderohet si dekani i letërsisë së sotme shqiptare për fëmijë. Në këtë fushë ai na shfaqet tejet i gjithanshëm – krijues, teoricien cilësor, kritik, historian. Hartues i mbi 60 veprave letrare, midis të cilave shquhen “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Kalamajtë e pallatit tim”, “Republika e 1100 çudirave”, etj. Në Shqipëri Bedriu është një figurë popullore, por atë e njohin mirë edhe jashtë truallit amë, kudo që ka shqiptarë e në vënde të tjera.

Me kthjelltësi të rrallë mendimi, me një të folur të qartë e të shtruar, të rrjedhshëm e të këndshëm, shquhej në komunikimin me të gjithë, që nga kolegët e deri tek lexuesit e vegjël, fëmijët.
Akademik Hamit Beqja

…Bedri Dedja (1930-2004) është kolosi, themeluesi dhe babai i modernitetit në letërsinë tone për fëmijë, të cilin do ta nderojmë për një kohë të gjatë, sepse puna e tij shënon një epokë kthesash të mëdha. Prej tij kemi mësuar se letërsia shkruhet edhe ndryshe…
Agim Deva, shkrimtar Kosovë

…Bedri Dedja u bë prijëtar në pavarësimin e shkencës psikologjike shqiptare. Krijues si ai janë njëkohësisht edhe dëshmitarë të asaj pikëpamjeje, sipas së cilës, të menduarit krijues në shkencë dhe në art kanë pikëtakim dhe, në kushte të veçanta, shfaqen si në njërin, ashtu edhe në lëmin tjetër krijues.
Akademik Pajazit Nushi, Kosovë

…Akademiku Bedri Dedja ka qënë një nga themeluesit dhe shtyllat e letërsisë për fëmijë të pasçlirimit. Ishte një personalitet shumëplanësh: poet e prozator, përrallëtar e tregimtar, dramaturg, novelist e romancier, përkthyes e kritik, studiues e teoricien i letërsisë shqiptare për fëmijë. Fitues i shumë çmimeve letrare, mbajtës i “Çmimit të Republikës” dhe titullit “Mjeshtër i Madh i Punës”, Bedri Dedja është vlerësuar gjithashtu nga Qëndra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh, duke zënë një vend nderi në vëllimin XVI të biografive, si një nga autorët më të shquar të shekullit XX.
Astrit Bishqemi

Bedri Dedja ka fatin e njerëzve, të cilët jetën e këputur e zgjatin me emrin që lënë. E kisha pedagog Fakulteti e ai ishte vetëm katër vjeç më i rritur se studenti (më pas, e takoi studentin – punëtor Metalurgjie, mbuluar çizmet me baltë e sytë, gati në përlotje i morën një ndriçim qielli në fytyrë njeriu).

Qe koha kur njeriut për të mbijetuar i duhej të tkurrej sadopak. Por ai, tërë jetën, si mësues e si shkrimtar, me fjalën e tij ushqeu rritjen dhe lulëzimin e njeriut. I përkushtuar tërë jetën diturisë e artit, ai arriti që të krijonte mbretërinë e Fjalës së vet, prej nga buronte humanizëm e çiltërsi. Me inteligjencën e veçantë në sytë e ëmbël e me fisnikëri të bukur në shpirt ai ruante përfytyrimin e figurës që u takon të gjithëve. Në letërsi, ai jo rastësisht na foli nga bota e fëmijëve, sepse vetë, edhe i rritur kish’ diçka prej fëmijë në qënien e tij. Duke përshkruar jetën e brishtë të të vegjëlve, tërthoraz i thoshte dhe shoqërisë së rritur që ta ruante çiltërsinë fillestare të njeriut nga shtrëmbërimi i mundshëm i shpirtit në diktaturë. Në tërë krijimet e tilla që la, nëpër rreshtat e librave ecte fëminija e tij, e cila Bedriun e mbante përdore, si një fëmijë të rritur me të qeshurën e të vegjëlve në buzë.
Të tillë, brezat do ta kujtojnë gjithmonë përpara tyre.
Agim Shehu, poet Gjenevë

…Me punën e tij të gjithanshme drejtuese e krijuese, ai ishte shëmbulli i një njeriu virtuoz, me një kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual. Në çdo çast ai punonte, edhe kur pinte kafe, edhe kur shëtiste ; mëndja e tij për shkollën, për arsimin, për edukimin e fëmijëve e të brezit të ri, do të mendonte. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, kur tashmë, në laboratorin e punës së tij krijuese numërojmë mbi 70 vepra pedagogjike, të dala nga dora e tij e që kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e arsimit tonë kombëtar ; mbi 60 vepra për letërsinë për fëmijë dhe po aq përkthime nga klasikët botërorë. Nga duart e tij kanë dalë me qindra artikuj publicistikë, të shpërndara në shtypin e kohës e që mbushin bibliografinë e tij me një numër prej 2000 zërash. E kjo është vetëm pjesa e dukshme e krijimtarisë, ndërsa ajo e padukshmja, si korrespondencat, reçensat, studimet, raportet, etj. mund të kapin edhe aq vëllime sa janë botuar…

Prof.Dr. Ilinden Spasse

…Kultura e gjërë poliedrike e Prof. Bedri Dedes ishte rezultat i një pune skrupuloze, sistematike, e cila filloi që kur u ul në bankën e shkollës, si nxënës dhe deri sa mbylli sytë. Gjithë jetën në libër, pranë librave, penës, fjalës dhe miqve. Kaq shumë kulturë kishte, saqë ishte njëri nga njerëzit, tek i cili personaliteti i tij autoritar dhe kultura ishin bërë një dhe të pandarë. Ishte vështirë të dalloje te Profesor Bedri Dedja, se ku fillonte kultura e akumuluar nga të tjerët dhe ku fillonte kultura që buronte prej personaliteti të tij. E gjithë qënia e tij rrezatonte kulturë. . . Prof. Bedri Dedja nuk ishte vetëm letrar, shkencëtar dhe akademik : ai njëherësh ka qënë qytetar me vlera dhe i spikatur. . Ai ishte njeriu me dinjitet, i fortë përballë dallgëve, burrëror dhe konstant në vlerat si qytetar. Tek ai ishin bashkuar bukur dimensioni i shkencëtarit me qytetarin, pa asnjë sforcim. Kjo ka qënë mbase edhe vlera më e madhe e tij si njeri i dijes, i inteligjencës, i popullit…
Gëzim Tushi

…Bedri Dedja, që në vitet e ngurtësisë më të madhe të konformizmit të përgjithshëm komunist, mendonte se edukimi njerëzor i fëmijëve vinte shumë më përpara edukimit ideologjik të tyre. Bënin sikur nuk e vinin re, ose nuk dinin ta lexonin siç duhej, kjo është një çështje e personalitetit të tij : ndonëse akademik, nuk u deformua nga asnjë sforcim tendencash politike…Në fillim e deri në fund të viteve 80-të, kur eksperimentit komunist kishte nisur t’i rrëzoheshin një e nga një panciret e ndryshkura, me të cilat kishte shushatur për vite me rradhë të pamësuarit dhe të paditurit, Bedri Dedja ishte në harmoni me mendimin e ri të bijve të tij dhe të miqve të tyre, se këtij sistemi i kishte ardhur fundi. Ai ishte një pedagog dhe shkrimtar humanist, më tepër se moralist…veprat e tij mund ta vërtetojnë lehtësisht se sa ishte dhe mbetet novator ky anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë…
Hysen Sinani

…Tani, ne kemi në dorë veprën pesëdhjetë-vjeçare të Prof. Beri Dedes, krenarinë që Ai do të rrojë mes nesh si model i Njeriut të Mirë, studiuesit e shkrimtarit, pedagogut, luftëtarit të paepur për progres, me vështrim përherë tek e ardhmja e shoqërisë dhe e atdheut tonë të dashur.
Ferhat Cakaj.

…Një shkrimtar i madh e i talentuar shqiptar… e sidomos e madhe është puna e Bedri Dedes në fushën e letërsisë për fëmijë dhe problemeve të ndryshme të rinisë…
Llambro Mallamas, kritik letrar grek

…Membre de l’Académie des Sciences à Tirana, Prof. Bedri Dedja a su représenter brillamment et avec distinction le génie albanais au travers de sa féconde activité littéraire qui réserve une place spéciale aux besoins de l’enfance. Fin connaisseur et ami de la Suisse, il a apporté sa contribution au renforcement des liens d’amitié entre nos deux pays par le biais de ses écrits.
Francis Cousin Ambasador, Ministria e Jashtme, Zvicër.

…Bedri Dedjen nuk e kemi më midis nesh, por e ndjejmë përherë pranë nëpërmjet librave të tij të mrekullueshëm. Ndodh si me yjet, që ndonëse ndodhen miliarda kilometra larg nesh, edhe kur shuhen, vazhdojnë të na dërgojnë dritën e tyre. Bedri Dedja mbetet një yll i pashuar i letërsisë për fëmijë. Ai vazhdon të përhapë dhe të dërgojë dritë vezulluese, ngrohtësi, mirësi dhe dashuri njërëzore, mesazhe paqeje dhe humanizmi, veçanërisht te lexuesit e vegjël, që ai i donte aq shumë dhe që u kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të energjisë krijuese.
Viron Kona

…Sivjet xhaxhi Bedriu do të mbushte 74 vjet. Por u nda nga jeta kaq papritur. Ai mbetet i gjallë mes librave të tij. Po, lexues të vegjël, është aty, mes fletëve, si një personazh i gjallë dhe me zërin e tij atëror u thotë ngadalë: “Na ishte njëherë”. . . Po, ja se kush…Një njeri i mirë, i dashur, një mësues dhe mik besnik i fëmijëve: Bedri Dedja.
Shpresa Vreto

…Shuhet Bedri Dedja, “babai” i Fatbardh Pikaloshit, i cili nuk mundi ta përdorë në kohë shkopin e tij magjik, për t’i ridhënë jetë krijuesit të tij. . .
Moikom Zeqo

…Të gjithë ata të rritur, që dikur harroheshin pas aventurave të Fatbardh Pikaloshit, me fyej magjikë e katallanë, dje janë ndjerë nga pak jetimë…Babai i letërsisë për fëmijë dhe akademiku Bedri Dedja është ndarë nga jeta…
Alma Mile /KultPlus.com

Për herë të parë në histori, Venecia hap një nga ndërtesat më të famshme në botë

Turistët në Venecia nuk mungojnë kurrë, por pamja e saj më e re synon të shfrytëzojë problemin e mbiturizmit të qytetit duke i drejtuar vizitorët drejt përgjegjësisë sociale.

Procuratie Vecchie në sheshin e San Marco, një nga ndërtesat më të famshme në një nga hapësirat më të famshme të qytetit në botë, është hapur për publikun për herë të parë në histori.

E ndërtuar në fillim të viteve 1500 në fund të Bazilikës së San Marco, duke krijuar sheshin, pasi një ndërtesë e mëparshme u shkatërrua nga zjarri, fasada neoklasike e ndërtesës 500 metra është një nga imazhet më të famshme të Venecias. Portikat e saj në katin e parë strehojnë kafene historike si Quadri.

Tani, për herë të parë, vizitorët mund të hyjnë në katin e katërt dhe të fundit të saj, ku një ekspozitë e përhershme është instaluar nën çatinë me trarë të pjerrët të ndërtesës.

Ish selia qendrore e kompanisë italiane të sigurimeve Generali që nga viti 1832, ndërtesa i është nënshtruar një rinovimi pesë-vjeçar të kryesuar nga arkitekti David Chipperfield.

Ndërsa Generali ka mbajtur zyra në katin e dytë të pallatit me afreske dhe do të japë me qira të tretin (përfshirë ekspozitat, të cilat do të jenë të hapura për publikun), i katërti do të bëhet selia e Rrjetit të Sigurisë Njerëzore, një projekt që ndihmon personat dhe familjet në rrezik, përfshirë refugjatët.

Pjesë e kësaj është një ekspozitë e teknologjisë së lartë e llojit që rrallë shihet në Venecia. Në vend që të mbulojë historinë ose artin, “Bota e Potencialit” shikon aftësitë sociale nëpërmjet teknologjisë. Ekspozitat praktike, të krijuara për të ngjallur mendim dhe ndjeshmëri tek vizitorët, përfshijnë lojëra të punës në grup dhe një ushtrim në të cilin vizitorët mund të ngrenë një top në ajër vetëm me fuqinë e përqendrimit.

Blerja e një bilete për ekspozitën (gjysma e së cilës shkon te The Human Safety Net) gjithashtu u mundëson vizitorëve hyrjen në kafenenë e katit të katërt, e cila ka dy tarraca në çati që drejtohet drejt kupolës së Bazilikës së San MArcos dhe kambanores së famshme (kambanë ).

Tarracat nuk kanë pamje nga sheshi, pasi janë poshtë vijës së çatisë së ndërtesës. Megjithatë, dhomat e katit të fundit kanë dritare që shikojnë në zonën që Napoleoni thuhet se e ka quajtur “dhoma e pritjes së Evropës”./ Lapsi.al / KultPlus.com

Ed Sheeran po provon diçka të re përpos muzikës, fillon të merret me astronomi

Këngëtari britanik, Ed Sheeran, raportohet se ka shpenzuar një shumë të parave për të blerë një çantë speciale në mënyrë që të mund t’i shikojë ata çdo natë, duke filluar kështu të merret edhe me astronomi, përcjell KultPlus.

Artisti ka investuar në një kupolë observatori në kopshtin e tij të pasmë dhe e ka mbushur me pajisje moderne për hobin e tij të ri.

“Ed nuk ka shumë netë pushimi dhe do të ketë edhe më pak kur të shkojë në turne. Por kur e bën këtë, i pëlqen të jetë në gjendje të shikojë qiellin  natën. Ai i ka të gjitha pajisjet për të vëzhguar yjësitë dhe di një ose dy gjëra për të gjitha, gjë që mund të befasojë shumë njerëz”, tha një burim për tabloidin The Sun.

Ed nuk do të jetë në gjendje të përfitojë nga pajisjet e tij të reja astronomike për një kohë, pasi turneu i tij i ri fillon në Dublin pas dhjetë ditësh. /KultPlus.com

Vepra arti përmes shisheve të plastikes

“Mural Fest Kosova” këtë vit organizoi kampin e Artit Reciklues, i cili është mbajtur për 5 ditë radhazi në Jezerc të Ferizajt, nga 4 deri më 8 prill.

Nga “Mural Fest Kosova” kanë thënë se ky kamp është program i ri i “Mural Festit” që do jetë i përvitshëm. Në këtë kamp trajtohen tema të ndryshme të cilat konsiderohen shqetësues për shoqërinë, por gjithmonë duke i qëndruar besnik artit.

“Qëllimi kampit të organizuar nga “Mural Fest Kosova” është që të trajnojë të rinjtë në disiplina të ndryshime të artit dhe t’i edukojë ata për çështje të ndryshme sociale përmes artit”, thuhet në përgjigjen e “Mural Festit”.

Në këtë kamp kanë qenë 20 pjesëmarrës nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe komunitete të ndryshme.

Për të qenë pjesë e këtij kampi pjesëmarrësit është dashur të mbledhin më së paku 20 shishe të plastikës, për shfrytëzim si material për krijimin e veprave të artit.

“Pjesëmarrësit si kusht për tu pranuar në këtë kamp kanë pasur mbledhjen e më së paku 20 shisheve të plastikës, që ka qenë edhe materiali bazë për punimin e veprave të artit përgjatë pesë ditëve sa është mbajtur kampi”, kanë treguar nga “Mural Fest”.

Tutje bëhet e ditur se përveç punës praktike, ka pasur edhe aktivitete të tjera të cilat kanë shërbyer për vetëdijesimin e të rinjve për riciklimin e materialeve të ripërdorshme si dhe aftësi të buta.

Veç këtyre pjesëmarrësit gjatë 5 ditëve qëndrimi në kamp kanë pasur edhe detyra tjera, kanë shikuar filma e dokumentare si dhe janë mbajtur diskutime rreth tyre./21Media / KultPlus.com

Filmi ‘Vera Andrron Detin’ do të marrë pjesë në festivalin e mirënjohur të filmit ‘Wiebaden’

Filmi kosovar me regji të Kaltrina Krasniqit, “Vera Andrron për Detin”, është rikthyer sërish në Gjermani këtë muaj, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në rrjete sociale nga vetë faqja e filmit është njoftuar se “Vera Andrron Detin” do të marrë pjesë në Festivalin e Filmit “Wiebaden”.

Ky festival është shtëpia e kinemasë së Evropës Qendrore dhe Lindore për dekada.

“Prandaj, ne jemi të kënaqur t’i bashkohemi në festival këtë vit”, thuhet në njoftim.

Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.

Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com

Paumen kryen pagesa me mikroçip në dorë, pa pasur nevojë për kartë

Patrick Paumen shkakton bujë sa herë që paguan diçka në një dyqan apo restorant, përcjell KultPlus.

Kjo pasi 37-vjeçari nuk ka nevojë të përdorë kartën bankare apo celularin për të paguar. Në vend të kësaj, ai thjesht vendos dorën e majtë pranë lexuesit të kartave pa kontakt dhe pagesa kalon.

“Reagimet që marr nga arkëtarët janë të paçmueshme!” thotë zoti Paumen, një roje sigurie nga Holanda.

Ai është në gjendje të paguajë duke përdorur dorën e tij, sepse në vitin 2019 i është injektuar një mikroçip pagese pa kontakt nën lëkurë. /KultPlus.com

Në Somali hapet shtëpia e parë mediatike vetëm për gra

Në Somali është hapur shtëpia e parë mediatike vetëm për gra, duke krijuar kështu një mundësi të rrallë për gazetaret gra në vend për të hulumtuar dhe publikuar historitë që duan të tregojnë.

Ekipi prej gjashtë vetash do të prodhojë përmbajtje për TV, radio dhe media online për çështje të tilla si dhuna me bazë gjinore, gratë në politikë dhe gratë ndërmarrëse. Më e rëndësishmja, ato do të kenë autonominë për të marrë vendime editoriale.

“Ne duam t’i mbulojmë këto çështje dhe të sfidojmë besimet shoqërore se gratë duhet të qëndrojnë në shtëpi”, tha kryeredaktorja, Nasrin Mohamed Ibrahim, e cila ka punuar si gazetare për 12 vjet dhe është një anëtare themeluese e Organizatës së Gazetareve Somaleze.

Bilan, emri i shtëpisë mediatike, që në Somali do të thotë diçka e ndritshme dhe e qartë, do të ketë selinë në kryeqytetin, Mogadishu, në Dalsan Media Group, një nga organizatat më të mëdha mediatike të vendit. Bilan do të publikojë lajme dhe do të ofrojë trajnime dhe mentorim nga gazetarë të njohur somalezë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë Lyse Doucet dhe Razia Iqbal të BBC-së, Lyndsey Hilsum të Channel 4 dhe Mohammed Adow të Al Jazeera. Praktika gjashtëmujore do t’u ofrohen studenteve më të mira të gazetarisë në vitin e fundit në dy universitete në Mogadishu.

Financuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), projekti është njëvjeçar, por Jocelyn Mason, përfaqësuesja rezidente e UNDP-së në Mogadishu, është e bindur se do të bëhet një strukturë e përhershme dhe gjithashtu mund të shtrihet në rajonet e Somalisë. “Ne shpresojmë se ky do të jetë një ndryshim i lojës për skenën mediatike somaleze, duke hapur mundësi të reja për gratë gazetare dhe duke ndriçuar temat që janë injoruar, veçanërisht ato që janë të rëndësishme për gratë” tha Mason. / Qika.org / KultPlus.com

Gruaja italiane përgatitet që të fillojë shkollën e mesme në moshën 90 vjeçare

Një grua italiane 90 vjeçare, që nuk mundi ta vijoj shkollimin për shkak të Luftës së Dytë Botërore, është kthyer në klasë për të studiuar, në mënyrë që të pranohet në shkollë të mesme.

Annunziata Murgia është personi më i vjetër në klasën e saj që ndjek mësime për t’u pranuar më pas në shkollë të mesme.

“Më pëlqen të studioj, më ka pëlqyer gjithmonë. Por kur shpërtheu lufta, gjithçka ndryshoi për mua. Më duhej të shkoja dhe të punoja, pasi familja ime kishte vështirësi dhe unë duhej të luaja rolin tim. Njëherë e një kohë, vetëm ata që kishin para mund të studionin”, thotë ajo.

Murgia tha se mësoi të qepte kur ishte fëmijë dhe vazhdoi të bëhej rrobaqepëse. Por ajo lexoi shumë libra dhe tha se studionte vetëm, sa herë t’i jepej mundësia.

Pasionet e saj janë historia dhe muzika.

“Unë i kam dashur gjithmonë librat e historisë, edhe sepse kam përjetuar një pjesë të mirë të historisë së shkruar në libra – kam parë pasojat e Luftës së Parë Botërore dhe kam përjetuar të dytën”, u shpreh 90 vjeçarja.

Kalimi i provimit, i cili përfshin teste për shkrim e këndim dhe matematikë italiane, kërkohet për të pranuar në arsimin e mesëm të lartë, i cili në Itali përfundon në moshën 18 vjeçare.

Marina Pilia, mësuese e letërsisë në shkollë, e përshkroi Murgian si një nxënëse shumë të pasionuar dhe të angazhuar, shkruan Guardian, transmeton Klankosova.tv.

“Edhe pse ka disa vështirësi në dëgjim, ajo është aktive në orët e mësimit, veçanërisht në histori”, tha Pilia.

Shkolla kryesisht kujdeset për mësimin e të rriturve, dhe ata të moshës 16-20 vjeç që kanë nevojë të mësojnë përsëri. Mosha mesatare e nxënësve në klasën e Murgias është mbi 40 vjeç, disa prej të cilëve po përgatiten edhe për diplomën e shkollës së mesme.

“Shpesh ato janë gra që rikuperojnë arsimin pasi kanë lindur fëmijë, ose njerëz që nuk e kanë marrë kurrë diplomën dhe kanë nevojë për punë, pasi është kërkesa minimale e arsimit”, tha Pilia.

Personi i fundit në grupmoshën e Murgias që u ul për provimin në shkollë ishte një grua 87-vjeçare, në vitin 2016.

“Disa më shoqërojnë në shtëpi në mbrëmje, kur është errësirë, shokët e klasës janë si nipërit e mi”, shtoi ajo. / Klan Kosova / KultPlus.com