Kujdes me fjalën

Nga Dritëro Agolli

Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri
Pushteti i fjalës është i veçantë
Gatuan male dhe kakërdhi.

Me fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë
Pikojnë çezma me helm të zi
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Nga fjala humbën Judë e Pilatë
Strategë e mbretër me mbretëri
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Kur fjala nxiret nga buzët jashtë
Si dallëndyshja s’vjen në shtëpi
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Unë fjalën vetë e shtroj në kartë
Dhe brenda syve se ç’është e di…
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Kosovare Asllani e kualifikon Suedinë në Kupën e Botës (VIDEO)

Futbollistja shqiptare, Kosovare Asllani, ka arritur që t’ia sigurojë pjesëmarrjen Suedisë në Kupën e Botës, shkruan KultPlus.

Përmes një goli të shënuar në barazimin 1-1 ndaj Irlandës, Suedia ka siguruar plasmanin në botërorin e ardhshëm që do të mbahet në vitin 2023.

Asllani arriti të shënojë në minutën e 79-të pasi e mori një top nga zëvendësuesja Olivia Schough për t’ia dhënë primatin Suedisë në Grupin A me 19 pikë pas 7 ndeshjesh të zhvilluara.

“U kualifikuam në Botëror, shihemi në Australi/Zelandë të Re 2023”, ka shkruar Asllani në rrjetet sociale.

Golin mund ta shikoni nga minuta 01:23. /KultPlus.com

Kalush Orchestra, grupi ukrainas që do të sjell përzierjen e tyre të elementeve moderne dhe instrumenteve etnike në skenën e Eurovision

Faqja zyrtare e Eurovision Song Contest në facebook, sot ka njoftuar publikun me grupin folklorik të hip-hopit të Ukrainës Kalush Orchestra të cilët do të sjellin përzierjen e tyre të elementeve moderne dhe instrumenteve etnike në skenën e Eurovision në Torino, shkruan KultPlus.

Kalush Orchestra është një grup hip-hop ukrainas që ndërthur motive etnike me tinguj modernë duke përdorur instrumente të ndryshme popullore.

Grupi mori emrin e qytetit ukrainas të Kalush. I vendosur në rrëzë të maleve Karpate, ai shërben si një nuskë që frymëzon grupin të përfshijë elemente të ndryshme folklorike dhe muzikë autentike ukrainase në këngët e tyre. Për më tepër, është vendlindja e anëtarit të grupit Oleh Psiuk.

Hyrja e tyre në Eurovizion, është një homazh për nënën e Oleh.

Një nga anëtarët e grupit tashmë ka përvojë në Eurovision Song Contest: Ihor udhëtoi në Roterdam vitin e kaluar për të konkurruar me grupin e tij tjetër, Go_A. / KultPlus.com

Marigona Qerkezi po pëlqehet shumë nga publiku italian (VIDEO)

Sopranoja shqiptare, Marigona Qerkezi, ka ndarë një video nga performanca e saj e fundit në Itali, shkruan KultPlus.

Në atë video, Qerkezi sipërfaq duartrokitjet që mori nga publiku, pasi përfundoi shfaqja në të cilën ajo mori pjesë.

“Faleminderit publikut te mrekullueshëm mbrëmë”, shkroi ajo në “Facebook”.

Qerkezi mori pjesë në Teatrin “Lirico di Cagliari”, e për suksesin e saj kanë shkruar edhe shumë media italiane. /KultPlus.com

Teza e një psikologu: Ja pse njerëzimi e “dashuron” luftën

Lufta vazhdon ta prekë njerëzimin. Filozofia dhe teologjia kanë prodhuar shumë reflektime mbi këtë dukuri. Që në fillesat e mendimit perëndimor, Herakliti shkroi se “konflikti është ‘babai’ i të gjitha gjërave”. Por është psikologjia ajo që na bën të kuptojmë origjinën e luftës.

Kështu Xhejms Hillman, një psikolog i shkollës Jungiane, që u nda nga jeta në vitin 2011, trajton gjerësisht këtë temë në librin e tij të famshëm “Dashuria e tmerrshme për luftën”. Ky libër na ofron një panoramë të plotë mbi luftën dhe mekanizmat e zhvillimit të saj.

Hillman shkruan: “Në rast se nuk e kuptojmë këtë dashuri të fortë që ka njerëzimi për luftën, nuk do të jemi kurrë në gjendje që ta parandalojmë atë, apo të flasim në mënyrë të arsyeshme për paqen dhe çarmatimin. Nëse nuk e shtyjmë imagjinatën tonë tek gjendja luftarake e shpirtit të njeriut, atëherë s’do të jemi në gjendje të kuptojmë forcën e saj tërheqëse.

Pra ne duhet të “shkojmë në luftë”, dhe ky libër është menduar të jetë një thirrje nën armë për mendjen tonë. Dhe ne nuk do të shkojmë në luftë “në emër të paqes”, siç pretendon shpesh retorika hipokrite. Përkundrazi ne do të shkojmë në luftë në emër të luftës, ose siç e thekson Hillamn për të kuptuar marrëzinë e dashurisë që kemi ndaj saj.

Ishte Xhiambatista Viko i pari që u interesua mbi arsyet themelore të ligjit, gjuhës, letërsisë: temat e përsëritura, strukturat dhe forcat e përjetshme, të kudogjendura, emocionale dhe të pashmangshme që veprojnë mbi çdo jetë njerëzore, në çdo shoqëri njerëzore, ndaj së cilës ne duhet të përkulemi.

Pra janë ato forcat që ne mund t’i etiketojmë si arketipale. Nëse gërmojmë pak më thellë do të zbulojmë se ka forca arketipale që nxjerrin në dritë temat mitike që përshkojnë kohërat dhe që janë të përjetshme. Dhe lufta është një forcë e tillë. Lufta është një temë e përjetshme e ekzistencës njerëzore, e cila merr kuptim nga mitet. Këtu qëndron edhe madhështia e kulturës greke: njohja e tragjedisë.

Ne e trajtojmë dukurinë e luftës, pa marrë parasysh mitet dhe Perënditë, a thua sikur këto të fundit të kenë vdekur dhe janë zhdukur. Megjithatë, tragjedinë dhe atë bashkim të çuditshëm midis dashurisë dhe luftës, e gjejmë ende sot duke lexuar gazetat e këtyre ditëve mbi luftën në Ukrainë.

Një luftë e pakuptueshme dhe e paimagjinueshme, ngrihet në nivelin e një situate mitike me Perëndi të gjalla dhe reale. Marsi dhe Afërdita janë gjithmonë mes nesh.

Duhet reflektuar mbi pyetjen: A është vërtet anormale lufta? Mua më duket se nuk është kështu. Nëse shohim me vëmendje zhvillimet e pas Luftës së Dytë Botërore dhe ato pas konflikteve të mëdha që pasuan. Prandaj, po flasim për normalitetin e luftës duke supozuar një faktor tjetër: “pranueshmërinë” e saj.

Luftërat nuk do të ndodhnin nëse nuk do të kishte njerëz të gatshëm që të kontribuonin për zhvillimin e tyre. Rekrutët, skllevërit, ushtarakët e karrierës: ka pasur gjithmonë njerëz të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjes për t’u vendosur nën armë, për t’u regjistruar në ushtri, për të luftuar.

Por pse lufta është normale? A është kështu sepse i ka rrënjët tek natyra njerëzore, apo sepse është thelbësore për shoqëritë? A është në thelb ajo një shprehje e instinktit të agresionit dhe vetë-ruajtjes së qenieve njerëzore, apo është një zgjatim i sjelljes së tufës?

Sidoqoftë, në të dyja rastet, gjithçka i referohet nevojës për të pasur imazhin e një armiku. Lufta, shkruan Tomas Hobs, është një situatë në të cilën çdo njeri është armik i çdo njeriu tjetër. Pa armiq është e vështirë të bësh luftë.

Si një psikoanalist investigativ, Xhejms Hillman na thotë se lufta nuk është çnjerëzore, por njerëzore dhe i përket njerëzimit ashtu si racionaliteti dhe mendimi shkencor. Si mund të themi se lufta na bën të zbresim në nivelin e kafshëve, nëse luftën e bëjnë vetëm njerëzit?

James Hillman ishte pacifist, ndaj thotë në librin e tij se lufta mund të ndalet vetëm duke e shndërruar në një mit kultin e tij. Nëpërmjet njohjes së miteve si standardizim i së paarsyeshmes, mund të gjendet tek identifikimi virtyti i tyre terapeutik. Kështu, duke depërtuar në sekretet e luftës, ne mund të zbulojmë mënyra të tjera për të kënaqur kërkesat e saj. Mënyra të tjera për të shkuar në luftë, pa e zhvilluar atë vërtet. / Giorgio Boratto, “Il Fatto Quotidiano”. / Bota.al / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës merr vendim, paga minimale rritet në 250 euro

Në mbledhjen e radhës të mbajtur nga Qeveria e Kosovës është miratuar projektligji që cakton pagën minimale në vlerë prej 250 euro neto apo 264 euro bruto, përcjell KultPlus.

Gjatë kësaj mbledhje u vendos edhe për heqjen e tatimit për 250 euro pagë.

Kryeministri, Albin Kurti tha se pavarësisht sa është lartësia e pagës, për pjesën e 250 eurove nuk do të ketë tatim në pagë.

Ndërkaq, ministri Financave, Hekuran Murati tha se nevojitet të ndryshohen ligjet që ndërlidhen me pagën minimale. /KultPlus.com

“Kosova” në anglisht në bibliotekën e Stokholmit

Krahas depërtimit gjithnjë e më të madh në bibliotekat e universiteteve dhe të instituteve shkencore amerikane si dhe në shumë qendra të tjera universitare botërore, “Kosova” në anglisht, këto ditë, në saje të angazhimit të Ilir Canhasit, gjeti vend edhe në Bibliotekën e Stokholmit.

Këtyre veprave së shpejti do t’u bashkohen edhe “Maqedonia” dhe “Dosja B” në anglisht. / KultPlus.com

Joe Biden e akuzon për gjenocid Putinin

Joe Biden ka akuzuar Rusinë për kryerjen e gjenocidit në Ukrainë, duke thënë se Vladimir Putin ka kryer krime lufte, përcjell KultPlus.

Biden ka qenë vazhdimisht i hapur në denoncimin e vrasjes me shumicë ruse të civilëve ukrainas, duke e etiketuar Putinin si “kriminel lufte” në mes të marsit.

Hetime të shumta janë duke u zhvilluar për mizoritë ruse në Ukrainë, të cilat përfshijnë rrënimin e Mariupolit dhe ekzekutimet e civilëve në periferi të Kievit, Bucha.

Prokurori në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë hapi një çështje në shkurt duke thënë se kishte “një bazë të arsyeshme për të besuar se në Ukrainë janë kryer si krime lufte ashtu edhe krime kundër njerëzimit”.

Për të vërtetuar një gjenocid, sipas Konventës së Gjenocidit të vitit 1948 thuhet se një një njeri ose dikush i akuzuar duhet të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar. /KultPlus.com

Kritikat e komunistëve për veprën e Petrlo Markos

Në fund të dhjetorit 1973, një stuhi kritikash do të zbrazeshin mbi krijimtarinë e Petro Markos, për disa “gabime të rënda” që kishin ndodhur në botimin e disa artikujve në revistën “Nëntori”. Për Komitetin Qendror, Xhemal Dini harton një relacion për mbledhjet e organizatës bazë të Partisë, ku ishin trajtuar pikërisht këto “çështje”: romani i Petro Markos “Një emër në katër rrugë”, një dramë e tij botuar në revistën “Nëntori” me titull “Niku i Martin Gjinit” dhe disa artikuj të botuar po në “Nëntori” ku dukej – sipas hartuesit të relacionit – se nuk është reflektuar pas mbajtjes së Plenumit të IV-të dhe nuk goditet “veprimtaria armiqësore e rrufjanëve politikë F. Paçrami dhe T. Lubonja…”

Në relacionin e tij, Xhemal Dini informon se përgjegjësit për këto gabime në revistën “Nëntori” janë: Fatmir Gjata, kryeredaktori i revistës, Andon Kuqali, sekretar i kolegjiumit të revistës dhe redaktori Gjergj Zheji. Pak më poshtë ai komunikon vendimin për ti larguar nga detyra Gjatën, Kuqalin e Zhejin.

Më tej ai shkruan për mbledhjen e datës 18 dhjetorit 1973 ku u diskutua mbi romanin “Një emër në katër rrugë” të Markos dhe përgjegjësinë që mban për botimin e tij anëtari i organizatës bazë shoku Llazar Siliqi, si redaktor i librit. Mes 13 pikave ku evidentohen “pikat e dobëta dhe të gabuara” në këtë vepër letrare, bie në sy pika e pestë ku shkruhet: “Figura e Profesorit (shoku Enver Hoxha) në roman del mjaft e dobët, e zbehtë, ashtu siç nuk duhej të jepej figura e udhëheqësit tonë. Një trajtim i tillë është krejtësisht i patolerueshëm”, shkruan Xhemal Dini në këtë relacion. Dokumenti i plotë botohet për herë të parë për lexuesit e Shqiptarja.com dhe ruhet në fondin 14 në AQSH.

***

Shokut Jakup Mato, Komiteti Qendror i PPSh-së
Relacion

Në disa mbledhje të fundit të organizatës bazë të Partisë si dhe në mbledhjen e organizatës profesionale, u mor në analizë gjendja në revistën “Nëntori” dhe masat për rregullimin e gjendjes. Gjithashtu, në mbledhjen e fundit të organizatës bazë të partisë u diskutua rreth romanit të Petro Markos “Një emër në katër rrugë” dhe mbi përgjegjësinë që mban për botimin e këtij romani, anëtari i organizatës sonë shoku Llazar Siliqi, i cili ka qenë redaktor i librit.

Për sa i përket gjendjes në revistën “Nëntori”, ku në disa numra janë botuar artikuj që kanë të meta e dobësi të karakterit ideor si dhe drama e gabuar ideologjikisht “Niku i Martin Gjinit” e Petro Markos, organizata bazë e partisë, pas një diskutimi të gjerë vuri në dukje se:

1. Artikulli i Arsen Mustaqit, botuar në numrin 10 të revistës, mbi pasqyrimin e luftës kundër revizionizmit në poezinë popullore, megjithëse është botuar pas punimeve të Plenumit IV të KQ të PPSH, nuk lidhet me idetë e plenumit dhe nuk godet veprimtarinë armiqësore të rrufjanëve politikë F. Paçrami dhe T. Lubonja, të cilët e përbuznin këtë traditë. Nga të meta të tilla vuajnë edhe artikulli i V. Qurkut mbi dekadentizmin dhe artikulli i N. Z. Tomës mbi disa probleme të traditës në tregimin tonë, botuar po në këtë numër.

2. Drama e Petros Markos është krejtësisht e gabuar nga ana ideore. Ajo ka këto të meta kryesore:

a) Ngatërrohet dhe vulgarizohet principi i historizmit në letërsi. Në vend që të interpretohen ngjarjet dhe fenomenet e epokës së Skënderbeut sipas botëkuptimit tonë, aktualiteti ynë vishet me një petk historik dhe realitet ynë transplantohet mekanikisht në shekullin XV.

b) Në qendër të veprës vendoset një hero i sëmurë, i lëkundur, që është gati të dezertojë e të tradhtojë, pra kemi tendencë të deheroizmit.

c) Veprën e përshkon një frymë patologjizmi, sensualizmi. Personazhet pozitivë janë skematikë e pa botë të brendshme.

d) Vepra ka dobësi të theksuara artistike, një gjuhë e stil arkaik e klasikegjant.

Për të gjitha këto u ngarkuan me përgjegjësi shokët drejtues të revistës “Nëntori” dhe redaktorët përkatës.

Organizata bazë e partisë vuri në dukje se shoku Fatmir Gjata në punën e tij si kryeredaktor i revistës ka pasur të meta. Këto qëndrojnë në mungesën e organizimit të mirë të punës në revistë, në mungesën e vigjilencës revolucionare dhe mprehtësisë së punonjësit të shtypit të partisë, në nënvleftësimin e detyrës, ka lejuar të botohen në revistë materiale të gabuara.

Shoku Andon Kuqali, si sekretar i kolegjiumit të revistës, nuk e ka kryer mirë detyrën e tij, nuk e ka organizuar mirë punën, nuk u ka kërkuar llogari redaktorëve dhe i ka munguar vigjilenca revolucionare e mprehtësia politike, ka bërë teorizime të gabuara në artikujt e tij.

Përgjegjësi për këto gabime të revistës ka gjithashtu redaktori Gjergj Zheji, si redaktor i sektorit të kritikës, të cilit gjithashtu i ka munguar vigjilenca revolucionare dhe mprehtësia politike e punonjësit të shtypit. Në artikujt e tij ai ka bërë teorizime të gabuara.

Për të gjitha këto organizata bazë e partisë vendosi se është e nevojshme të merren masa për rifreskimin e kuadrit të redaksisë:

1) Të largohet nga detyra e tij si kryeredaktor shoku Fatmir Gjata.

2) Të largohet nga detyra e tij si sekretar kolegjiumi shoku Andon Kuqali.

3) Të largohet nga detyra e tij si redaktor shoku Gjergj Zheji.

4) Të diskutohet në mënyrë të veçantë me qëllim që edhe të ndihmohet konkretisht redaktori i revistës Faik Ballanca, i cili krahas të metave si redaktor, si interesimi i pakët për problemet e revistës, ka dërguar për botim një roman të cilin Shtëpia Botuese ia ka kthyer si libër me të meta ideore.

Shokët F. Gjata dhe A. Kuqali i pranuan vërejtjet e organizatës bazë dhe u solidarizuan me vendimet e saj.

Të gjitha këto probleme, një komision i përbërë nga shokët Th. Frashëri, K. Buza, F. Kongoli dhe V. Koreshi, pasi studioi gjendjen në revistën “Nëntori” i shtroi në mbledhjen e organizatës profesionale. I tërë kolektivi diskutoi gjerësisht dhe aprovoi vendimet e mësipërme.

Në mbledhjen e organizatës bazë të partisë dhe në organizatën profesionale shokët drejtues të Lidhjes, D. Agolli, Xh. Dini, A. Kondo, bënë autokritikë për një drejtim e kontroll më të afërt dhe shtruan detyra për të ardhmen si për sekretariatin, ashtu edhe për kryesinë e Lidhjes që duhet të merren më tepër me këto probleme dhe të forcojnë në mënyrë të veçantë kontrollin paraprak.

Më datë 18.12.1973 u mblodh organizata bazë e partisë për të diskutuar mbi romanin “Një emër në katër rrugë” të P. Markos dhe përgjegjësinë që mban për botimin e tij anëtari i organizatës bazë shoku Llazar Siliqi, si redaktor i librit.

Organizata bazë vuri në dukje se romani vuan nga të meta të theksuara ideore:

1) Në roman mungon një analizë marksiste e fenomeneve dhe problemeve shoqërore, politike, ekonomike të kohës për të cilën bën fjalë autori.

2) Regjimi shtypës i Zogut paraqitet vetëm në anën e tij morale të degjeneruar, por nuk del e nuk jepet në radhë të parë se Zogu dhe aparati i tij, regjimi i tij, ishin miq të egër të popullit, shtypës të tij, përfaqësonin interesat e feudo-borgjezisë, përfaqësonin një pushtet politik thellësisht reaksionar e të urryer.

3) Jepet me fjalë të përgjithshme varfëria e masave, por nuk jepet revolta e tyre kundër sistemit. Nuk jepet në mënyrë të drejtë lufta klasore.

4) Nuk del gjendja e mjeruar e fshatarësisë dhe e klasës punëtore në regjimin zogolljan.

5) Figura e Profesorit (shoku Enver Hoxha) në roman del mjaft e dobët, e zbehtë, ashtu siç nuk duhej të jepej figura e udhëheqësit tonë. Një trajtim i tillë është krejtësisht i patolerueshëm.

6) Aktiviteti i grupit komunist dhe komunistët dalin të zbehtë e skematikë. Veç kësaj del ideja sikur komunizmi tek ne është importuar nga jashtë.

7) Romanin e përshkon një frymë aventurizmi, sensualizmi. Ka tendenca natyralizmi, frojdizmi dhe ekzistencializmi. Ana biologjike sundon mbi anën sociale.

8) Femra shqiptare nuk del si forcë sociale, por si një faktor që shpërdorohet, bile edhe si e keqe e shoqërisë.

9) Libri ka tendenca përçarjesh krahinore.

10) Në roman idealizohet jeta e fshatit Dhrimarë.

11) Disa figura reale si Demiri nga Peqini e ndonjë tjetër i ka trajtuar nga pozita subjektiviste.

12) Emigracioni nuk trajtohet si një plagë e rëndë ekonomiko-shoqërore e asaj kohe, por jepet me ngjyra ekzotike, turistike.

13) Romani është pa vlerë edhe nga ana artistike, ka kompozicion të dobët, i mungon dramaciteti, karakteret janë të patipizuar, është i mbushur me retorizëm, deklaratizëm, emfazë etj.

Organizata bazë e partisë kritikoi shokun Llazar Siliqi si redaktor i këtij libri për konceptim jo të drejtë e jo të shëndoshë ideologjik mbi parimet e pasqyrimit të realizmit socialist në një vepër, për sentimentalizëm dhe familjaritet ndaj autorit, për mungesë vigjilence revolucionare.

Shoku Llazar pranoi gabimin jo plotësisht, nuk reagoi plotësisht ndaj vërejtjeve që iu bënë dhe organizata bazë i la kohë të reflektojë e të thellohet më tej në autokritikën e tij.

Përballë të gjithë këtyre gjërave organizata bazë e partisë vendosi të merren këto masa:

1) Të luftojmë konceptin se ndikimet e huaja janë kapërcyer, se s’kemi më për të bërë në këtë drejtim.

2) Të ngremë nivelin tonë ideo-politik.

3) Të forcojmë më tej kontrollin në procesin krijues.

4) Të forcojmë kontrollin punëtor në krijimtarinë letrare dhe artistike.

5) Të shkruhen në shtypin tonë disa artikuj mbi problemet që dalin nga drama, nga romani dhe të trajtohen ato.

6) Të bëhet një mbledhje e gjerë me shkrimtarë e artistë ku të shtrohen këto probleme.

7) Të forcohet praktika e filluar mbi diskutimin paraprak të veprave në procesin krijues. (sic.)

Sekretari i organizatës bazë
Xhemal Dini / KultPlus.com

Kamarda së bashku me De Radën iniciatorët e lëvizjes kulturore italo-shqiptare

Më 13 Prill 1882, në Livorno të Italisë, vdiq jetë Dhimitër Kamarda (Demetrio Camarda) gjuhëtari arbëresh, atdhetari i madh dhe botuesi i folklorit shqiptar, me njohuri shkencore edhe në fushën e gjuhëve indo-evropiane.

Kamarda, së bashku me Jeronim De Radën (Girolamo De Rada) ishin dy iniciatorët kryesorë të lëvizjes kulturore italo-shqiptare (arbëreshe) në Itali gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX.

Puna kryesore e Kamardës “Sprovë e Gramatikës Krahasuese të Gjuhës Shqipe” është puna e parë shkencore e studimit historik krahasues mbi temën.

Ai dha një kontribut të rëndësishëm me botimin e Alfabetit të përgjithshëm shqiptar në 1869. /KultPlus.com

Projektligji për pagën minimale pritet të miratohet sot në Qeveri

Sot do të mbahet mbledhja e Qeverisë, ku pritet të miratohet projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.

Lajmin për këtë e bëri të ditur dje kryeministri Kurti, i cili tha se paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, dhe paga deri më këtë shumë do të lirohet nga tatimi. “Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, e cila do të mbahet nesër, do të miratojmë projektilgjin që do t’i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto dhe heqjen e tatimit për 250 euro pagë. Pra, edhe do ta rrisim pagën minimale dhe do ta lirojmë nga tatimi”, ka deklaruar dje Kurti.

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se nga kjo rritje do të përfitojë secila familje në Kosovë.

“Ligji për pagën minimale, përveç se rrit pagën për të gjithë përfituesit nën nivelin 264 euro, ofron rritje për pagës neto, si për sektorin privat, ashtu edhe për atë publik. Secili që e ka pasur pagën mbi 250 euro deri më tani, do të përfitojë rreth 80 euro në vit, apo 6.80 euro në muaj, pas lirimit nga tatimi”, ka deklaruar Murati./Express / Kultlus.com

Nganjiherë s’mundesh me marr frymë

“Stuff I’ve Been Feeling Lately” nga Alicia Cook

Veprimet e mia t’gabueme
ma randojnë gjoksin,
duke m’shtyp’ pa ndalë
me m’thye çdo brijë,
me shpresë me m’hy n’zemër
për me ma shkatërrue krejt
edhe ma t’mbramen thërmijë
të qenies teme
t’ma herëshme.

Po ndodhi kjo,
po mu prek thelbi i shejtnisë
kam mbarue me t’tana.

Kam me humbë çdo grimcë
të identitetit t’em.

Nuk muj’ me shkue hupë.
S’kam send mbas shpirtit.
” I can’t lose me.
I’m all I’ve got”.

Shqipëroi: Xhabir Tabaku / KultPlus.com

Psy rikthehet në muzikë me albumin e tij të nëntë pas një mungese pesëvjeçare

Këngëtari nga Korea Jugore, Psy, më së miri i njohur për hitin e vitit 2013, “Gangnam Style”, do të rikthehet me muzikë të re pas një mungesë pesëvjeçare.

Në mëngjesin e së martës, artisti 44-vjeçar e shfrytëzoi rrjetin social Instagram për ta bërë të ditur rikthimin e shumëpritur në skenën muzikore.

Psy zbuloi se albumi i tij i nëntë me titull “Psy 9th”, do të lansohet në treg më 29 prill të këtij viti, raportoi të martën portali “NME”.

Në klipin e postuar në Instagram, që është xhiruar në një koncert të këngëtarit në vitin 2013, ai dëgjohet duke folur për faktin se i ishin dashur 10 vjet për ta shkruar hitin global, “Gangnam Style”. Kështu, duke bërë shaka, ai u thotë fansave të pranishëm se ndoshta do t’i duhen edhe dhjetë vjet tjera për ta lansuar një këngë të ngjashme.

Në vitin 2017, Psy e lansoi albumin e tij të fundit pjesë e së cilit ishin edhe këngët, “I Luv It” dhe “New Face”. Një vit më vonë ai u largua nga labeli me të cilin kishte bashkëpunuar për shumë kohë, “YG Entertainment”. Në fillim të 2019-s, këngëtari e themeloi kompaninë e tij incizuese, “P Nation”, e cila nga atëherë ka nënshkruar kontrata bashkëpunimi me disa artistë të njohur nga Korea Jugore.

“Gangnam Style” mbetet suksesi i madh i karrierës së këngëtarit Psy. Kënga deri më tani i numëron më shumë se 4.3 miliardë klikime në platformën muzikore YouTube. / KultPlus.com

Mikel Maruli, poeti me prejardhje arvanitase

Një poet latin i Rilindjes evropiane për të cilin është thënë se ka prejardhje arvanitase ishte Mikel Maruli (Michele Marullo Tarchaniotes, 1453-1500), i njohur në latinishte si Michaelis Marullus. Mendohet se ka lindur nga një familje greko-shqiptare me prejardhje nga Moreja pak muaj pas rënies së Konstantinopojës. Familja e tij iku në Raguzë (Dubrovnik), ku që në vogëli, ndjeu së pari ndikimin e qytetërimit të Rilindjes italiane.

Më 1470 ai i hyri një karriere ushtarake dhe shërbeu dhjetë vjet si ushtar energjik i fatit në vise të ndryshme të Italisë. Më 1491-1492 ai rivalizoi me Politianin (1454-1494) në Firence dhe më 1495 u martua me poeteshën Alesandra Skala (Alessandra Scala, 1475-1506), ndonëse martesa nuk zgjati shumë. Neaera, së cilës ai i drejtonte vargjet e tij katuliane të dashurisë, duket se ka qenë personifikimi kolektiv i shumë marrëdhënieve pasionante, shkruan në “Historia e Letërsisë Shqiptare” Albanologu kanadezo-gjerman, Robert Elsie. Maruli është autor i katër librave me epigrame latine, mjaft prej tyre të mbrujtura me një notë melankolie, si dhe i katër librave me ‘himne për natyrën’, në të cilët ai, me një stil lukrecian, ngre lart forcat mitologjike të natyrës. Maruli, për të cilin Sandro Botiçeli (Sandro Botticelli, 1444-1510) na ka lënë një portret klasik rilindës, u mbyt aksidentalisht në lumin Cecina më 11 prill 1500.

Ishte fillimi i gjysmës së dytë të shekullit XV kur Kostandinopoja ra ndër duart e barbarëve osman të cilët nuk kursyan asgjë, përfshirë edhe kulturën e artin (si mund të dojë një barbar artin?!). Familjet e kulturuara që e donin artin nuk mund të vazhdonin të jetonin në një vend që po gëlonte nga dhuna dhe spastrimi kulturor, prandaj morën rrugët e atyre vendeve të Evropës ku akoma nuk kishte hyrë tymi i zjarrit të injorancës osmane.

Në Kostandinopojë, duke qenë se ishte një ndër dy qendrat e krishtërimit, qenë vendosur për t’u mbrojtur edhe familje nga vende ku tanimë osmanët qenë “turrur” duke marrë para çdo gjë. Mes tyre ishte edhe familja e Marulëve e cila u shpërngul nga Moreja, vendi të cilit i kushtohet edhe kënga “Moj e bukura More” kur osmanët erdhën dhe u vendos në “të pathyeshmen” Kostandinopojë.

Në fillim të vitit 1453, kjo familje përjetoi një gëzim të shumëpritur. Një djalë i vogël i cili do të pagëzohej me emrin Mikel lindi që ashtu sikurse engjëlli Mikel është rojtar i Parajsës, të bëhej rojtar i Atdheut.

Fare pak pas lindjes së tij, Kostandinopoja ra dhe Marulët u shpërngulën në Raguzë, vend ku Mikeli jetoi deri në rininë e hershme. Formimi i marrë aty la mbresa të pashlyeshme në kujtesën dhe krijimtarinë e tij në të ardhmen, gjë që shihet qartë në poezinë “Lavdi Raguzës”, shkruar vite pasi qe larguar nga aty.

Marulët e panë se Raguza nuk ishte vendi “ideal” për to, prandaj vijuan sërish udhëtimet, këtë herë drejt bregdetit apenin ku pas disa zhvendosjesh jo të gjata, përfundimisht u vendosën në Ankona.

Duke qenë se qysh në Raguzë xhevahiri i diturisë së Mikel Marulit pati shkëlqyer, me t’u vendosur në Itali ai vijoi studimet fillimisht në Venedik e më pas në Padova, njëlloj si paraardhësit e pasardhësit e tij humanistë.

Ai nuk ishte aspak indifernet ndaj politikës. Me të marrë vesh se atdheu, tani më i marrë nga osmanët rrezikontë të “bënte shokë”, rrokë armët dhe shkon në luftë deri në brigjet e Detit të Zi, luftë që detyrohet ta lërë pasi merr vesh se i vëllai Gjoni dhe e ëma Efrosinë kishin ndërruar jetë.

Vihet re që herët si poet dhe poezia e tij vlerësohet shumë e botohet, para e pas vdekjes së hershme e aksidentale ku u mbyt në Çeçino të Toskanës teksa kalonte me kalë në vitin 1500.

AlbertVataj / KultPlus.com

‘Mbi buzët e tua do rri, do zbres të pushoj dhe të pi, limfen e zjarrtë që ke ti’ (VIDEO)

Kur malli dhe pasioni gërshetohen brenda vargjeve të tingujve muzikorë, artit i lihet pas një vepër e paharrueshme, shkruan KultPlus.

E tillë është kënga “Buzët e tua”, tekstin e së cilës e ka realizuar Elton Deda.

Kjo këngë për cilindo mbetet një kujtim i veçantë për një person që e ka larg.

KultPlus më poshtë ua sjell këngën dhe tekstin e “Buzët e tua”:

Shijen lë, mbi buzët e mia atë natë,
nën terrin e ëndrrës ti shkon, por nuk e di,
që unë sot…
Mbi buzët e tua do rri…do zbres të pushoj dhe të pi…limfen e zjarrtë që ke ti…se unë e di…

Ref.

Buzët e tua pak fjalë thonë…
dhe s’e di si më kuptojnë..
buzët e tua janë me kripë…
që ti puthësh ke shumë frikë…
n’buzët e tua ku ka jetë…buzët e mia du me i tret!

Më mungon, aroma e buzëve që ke, deshirën e zjarrtë gjithmonë le…t’i puth ato.
Unë e di..keto buzë që kërkojnë gjithmone, që qeshin por presin si kose…ndoshta jam me fat, që t’i puth gjatë.

Ref.

Buzët e tua pak fjalë thonë…
dhe s’e di si më kuptojnë..
buzët e tua janë me kripë…
që ti puthësh ke shumë frikë…
n’buzët e tua ku ka jetë…buzët e mia du me i tret!

Më mungon, aroma e buzëve që ke, deshirën e marrë gjithmonë le…t’i puth ato.

Buzët e tua pak fjalë thonë…
dhe s’e di si më kuptojnë..
buzët e tua janë me kripë…
që ti puthësh ke shumë frikë…
n’buzët e tua ku ka jetë…buzët e mia du me i tret! / KultPlus.com

522 vjet nga vdekja e poetit arbëresh Mikel Maruli

Dje u shënua 522-vjetori i vdekjes së poetit të periudhës së Rilindjes, Mikel Maruli (1453-1500), i njohur në latinishte si Michaelis Marullus. Sipas historianëve, mendohet se ai ka lindur nga një familje greko-shqiptare me prejardhje nga Moreja, pak muaj pas rënies së Konstandinopojës.

Familja e tij iku në Raguzë (Dubrovnik), ku që në vogëli, ndjeu ndikimin e qytetërimit të Rilindjes italiane. Maruli është autor i katër librave me epigrame latine, mjaft prej tyre të mbrujtura me një notë melankolie, si dhe i katër librave me ‘himne për natyrën’, në të cilët ai, me një stil lukrecian, ngre lart forcat mitologjike të natyrës.

Ai nuk ishte aspak indiferent ndaj politikës. Me të marrë vesh se atdheu, tanimë i marrë nga osmanët rrezikonte të “bënte shokë”, rrokë armët dhe shkon në luftë deri në brigjet e Detit të Zi, luftë që detyrohet ta lërë pasi merr vesh se i vëllai Gjoni dhe e ëma Efrosinë kishin ndërruar jetë.

Vihet re që herët si poet dhe poezia e tij vlerësohet shumë e botohet, para e pas vdekjes së hershme e aksidentale. Maruli, për të cilin Sandro Botiçeli na ka lënë një portret klasik rilindës, u mbyt aksidentalisht në lumin Cecina, më 11 prill 1500. / KultPlus.com

Ekspozita e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës vjen të shtunën për herë të parë në GKK

Ekspotiza e WCM është në Prishtinë për herë të parë, përcjell KultPlus.

Përmes tregimeve personale, objekteve dhe provave videot që janë pjesë e koleksionit të Muzeut të Fëmijërisë së Luftës, ekspozita do të hedhë dritë mbi përvojat e rritjes në BE-së Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë.

Pas hapjes më 16 prill, duke filluar nga ora 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 30 prill.

Ekspozita realizohet në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Kosovës, ForuminZFD Kosovë dhe BE-në në Kosovë. / KultPlus.com

50 libra të sugjeruar nga shkrimtari Ag Apolloni

Shkrimtari i njohur Ag Apolloni na sugjeron 50 libra nga letërsia botërore të cilat patjetër duhet të lexohen nga secili.

Kjo është lista e librave të sugjeruar nga shkrimtari Ag Apolloni:

1. Milan Kundera: Lehtësia e padurueshme e qenies

2. Philip Roth: Ankimi i Portnoit

3. Julian Barnes: Zhurma e kohës

4. D. M. Thomas: Hoteli i Bardhë

5. T. S. Eliot: Toka e shkretë

6. Michel Houellebecq: Nënshtrimi

7. Umberto Eco: Varreza e Pragës

8. Italo Svevo: Rrëfim për plakun e mirë dhe vajzën e bukur

9. Dante Alighieri: Komedia hyjnore

10. Nikos Kazantzakis: Tundimi i fundit

11. Jorge Luis Borges: Aleph

12. Voltaire: Kandidi

13. Hermann Hesse: Ujku i stepës

14. Mario Vargas Llosa: Pesë qoshet

15. Juan Rulfo: Pedro Paramo

16. Jean-Paul Sartre: Muri

17. Charles Baudelaire: Lulet e së keqes

18. Orhan Pamuk: Unë jam e kuqja

19. Isaac Bashevis Singer: Shosha

20. N. V. Gogol: Shpirtra të vdekur

21. L. Tolstoj: Atë Sergi

22. F. M. Dostojevski: Idioti

23. Gustave Flaubert: Zonja Bovari

24. Joseph Conrad: Zemra e errësirës

25. Franz Kafka: Procesi

26. G. G. Marquez: Njëqind vjet vetmi

27. J. D. Salinger: Rojë në thekërishten buzë greminës (anglisht: The Catcher in the Rye)

28. Kurt Vonnegut: Thertorja pesë

29. José Saramago: Ungjilli sipas Jezu Krishtit

30. Ernesto Sabato: Tuneli

31. Victor Hugo: Katedralja e Parisit

32. Denis Diderot: Nipi i Ramoit

33. Ariel Dorfman: Vdekja dhe vasha

34. Herman Melville: Kopisti Bartëlby (origjinal: Bartleby, the Scrivener)

35. F. Scott Fitzgerald: Getsbi i madh

36. John M. Coetzee: I ngadalti

37. Elie Wiesel: Natë

38. Albert Camus: I huaji

39. Vladimir Nabokov: Lolita

40. Doris Lessing: Fëmija i pestë

41. Mihail Bulgakov: Mjeshtri dhe Margarita

42. Yasunari Kawabata: Bukuroshet e fjetura

43. Yukio Mishima: Kinkakuxhi

44. John Steinback: Njerëzit dhe minjtë

45. Thomas Mann: Tonio Kröger

46. Marguerite Duras:

47. J. M. G. Le Clezio: Afrikani

48. Shakespeare: Hamleti

49. Cervantes: Don Kishoti

50. Goethe: Fausti / KultPlus.com

Mbi 20 mijë civilë të vrarë në qytetin Mariupol në Ukrainë

Kryetari i qytetit Mariupol ka deklaruar se shifrat e fundit flasin për më shumë se 20 mijë civilë të vrarë nga sulmet ruse që nga fillimi i agresionit në Ukrainë.

Kryetari Vadym Boichenko ka thënë se është e pamundur të kalkulohet numri i saktë i të vrarëve shkaku i luftimeve në rrugë shkruan The Guardian.

Ndërkaq në qytetin Bucha aty ku ndodhi masakra më e madhe deri më tani e ushtrisë ruse, janë gjetur 403 trupa të civilëve të vrarë deri tash.

Mariupoli, që gjendet në juglindje të Ukrainës, është i rrethuar nga trupat ruse. Ky qytet është goditur më së keqi nga bombardimet dhe sulmet ajrore ruse.

Ukraina ka thënë se banorët që ende gjenden në qytet nuk kanë qasje në ujë, rrymë dhe nevoja të tjera bazike.

Rrethimin e qytetit të Mariupolit zyrtarët ukrainas e kanë quajtur krim lufte. Ky qytet është i një rëndësie të madhe për Rusinë, pasi nëse bie nën kontrollin rus, do të krijonte një urë tokësore midis Krimesë së aneksuar nga Moska dhe rajonit lindor ukrainas të Donbasit, pjesë të së cilit, që prej vitit 2014, kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia. / KultPlus.com

175 vite nga lindja e gazetarit dhe politikanit hungaroamerikan, Joseph Pulitzer

Joseph Pulitzer ishte një gazetar, editor dhe politikan hungaroamerikan.

Lindur në Makó, në Hungari, dhe emigruar në Shtetet e Bashkuara, Pulitzer u bë një reporter dhe editor i famshëm. Një shpërblim i tij, Pulitzer, më i rëndësishmi në fushën e gazetarisë, që u caktua për herë të parë në vitin 1917, sipas dëshirës së lënë nga gazetari i ndarë nga jeta pak vite më parë.

Pulitzer emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 1864, gjatë luftës së secessionit amerikan. Pas përfundimit të konfliktit u vendos në St. Louis, në Missouri, filloi të punojë për një gazetë në gjuhën gjermane, Westliche Post, më 1868.

Në zgjedhjet parlamentare në Missouri, më 1869, Partia Republikane e paraqitën si kandidat të saj në një kolegj që demokratët e konsideronin të blinduar. Befas ai u zgjodh duke mundur kandidatin demokrat. Vazhdoi një periudhë të shkurtër me republikanët për të kaluar tek Partia Demokratike, deputet i së ciës u bë më 1885.

Më 1872, Pulitzer bleu The Post për 3.000 dollarë. Pastaj, në vitin 1878, bleu edhe St. Louis Dispatch për 2.700 dollarë, si dhe dy gazeta, të cilat e shndërruan The St. Louis Post-Dispatch, e cila mbetet ende sot e përditshmja kryesore e qytetit.

Në vitin 1883, Pulitzer bleu edhe The New York World (një gazetë që po qëndronte me humbje prej rreth 40.000 dollarë në vit) për 346.000 dollarë nga Jay Gould. Pulitzer e ktheu vëmendjen tek lajmet me interes njerëzor, skandalet dhe sensazionalizmi. Pulitzer ishte bërë një urë ndërmjet shoqërisë amerikane dhe emigrantëve që e popullonin Nju Jorkun në vitet e fundit të shekullit XIX. Në brendësi të gazetës së tij vendosi rubrika të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në gjithë shtypin botëror, përfshiu reklama tregtare. Emigrantët e shohin gazetën e Pulitzerit si një pikëtakim ku ata grumbullohen në një vend që nuk ishte (ende) i tyre. Në vitin 1885, një vit më vonë, kur do të zgjidhej në Dhomën e Përfaqësuesve, punësoi Richard F. Outcaultin për të sjellë ilustrime bazuar në jetën e përditshme në rrethinat më të varfëra; kështu gazeta arriti në 600.000 kopje – kundrejt 15.000 sa ishte kur e bleu gazetën – duke e bërë The New York World të parën të përditshme të Shteteve të Bashkuara. Atë vit u bë protagonist i mbledhjes së fondeve për ndërtimin e bazamentit për Statujën e Lirisë, i cili u përurua më 26 tetor 1886. Falë kësaj iniciative u grumbulluan 100.000 dollarë.

Në vitin 1887, filloi të punojë në The New York World gazetarja  Elizabeth Cochran, e cila do të bëhej e famshme me pseudonimin Nellie Bly, së cilës Pulitzer ia beson disa hetime të bëra më vonë të famshme si, si keqtrajtimet ndaj pacienteve femra në spitalin psikiatrik të qytetit me titull “Ten Days in a Mad-House” ( “Dhjetë Ditë në një shtëpi të çmendur “). Ky hetim pati jeohnë tejet të madhe në publik dhe i deturoi autoritetet të marrin masa të posaçme.

Më 1888 Pulitzer kishte idenë e realizimit të asaj që shkrimtari francez Jules Verne kishte imagjinuar në një nga librat më të famshëm të tij, Udhëtim rrotull botës për 80 ditë. Pulitzer ia ngarkoi këtë mision gazetares Nellie Bly dhe ajo e sfidoi duke realizuar udhëtimin në më pak se 80 ditë. Më 14 nëntor 1889 ajo u nis nga Hoboken, në Nju Xhersi, për udhëtimin e saj prej 40 000 kilometrash. Më 25 janar 1890 Nellie arriti në New York, pas shtatëdhjetë ditësh, një rekord absolut (edhe pse u përmirësua pak muaj pas nga George Francis Train, i cili përfundoi udhëtimin në 60 ditë). Ditari i saj Around the World in Seventy-two Days (Rrotull botës në shtatëdhjetë e dy ditë) ishte një sukses i madh.

Po më 1890, botuesi i revistës “New York Sun”, e sulmoi Pulitzerin në gazetën e tij, duke e definuar “hebreu që ka braktisur fenë e tij” (babai i Pulitzerit ishte hebre, nëna katolike, ndërsa gruaja, Kate Davis, ungjillore). Ky veprim, që kishte për qëllim t’ia largonte Pulitzerit lexuesit e besimit të krishterë, e përkeqësoi shëndetin e gazetarit, tashmë jo në gjendje të mirë, dhe e detyroi atë të largohet nga drejtimi i gazetës, duke mbajtur, megjithatë, kontrollin financiar.

Në vitin 1895, William Randolph Hearst bleu The New York Jurnal, duke filluar një betejë gazetareske kundër The New York World të Pulitzerit. Kjo garë me Hearstin, sidomos para dhe pas Luftës Spanjollo-Amerikane, e lidhi emrin e Pulitzerit me gazetarinë e karakterizuar nga sensacionizmi apo spekulimet skandaloze.

Më 1896, The New York World inauguroi një shtojcë me ngjyra, një inovacion absolut për atë kohë. The New York World denoncoi një skandal që përfshinte një pagesë mashtruese prej 40 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara në kompaninë franceze të French Panama Canal Company në vitin 1909, dhe Pulitzer u hodh në gjyq nga Theodore Roosevelt dhe John Pierpont Morgan. Gjykata hodhi poshtë akuzat duke vendosur një fitore të rëndësishme për lirinë e shtypit.

Më 1892, Pulitzer i propozoi presidentit të Universitetit të Kolumbias, Seth Low, të krijonte një shkollë të gazetarisë dhe ofroi veten si huadhënës i kursit. Do të ishte shkolla e parë e gazetarisë në botë. Universiteti fillimisht nuk pranoi propozimin dhe paratë, por në vitin 1902 presidenti i ri i Universitetit, Nicholas Murray Butler, pranoi kërkesën. Por projekti u realizua vetëm pas vdekjes së Pulitzerit, i cili nuk mund të admirojnë ëndrrën e tij të realizuar. Me vullnetin e tij, Pulitzer dhuroi 2 milionë dollarë në universitet, gjë që çoi në krijimin e Shkollës së Studimeve të Avancuara të Gazetarisë në vitin 1912; megjithatë, nuk ishte shkolla e parë e gazetarisë në botë, pasi u parapri nga Universiteti i Misurit.

Më 1917 u dha Çmimi i parë Pulitzer, në përputhje me dëshirat e Pulitzerit; shkolla e gazetarisë që ai donte mbetet më prestigjiozja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sot. Joseph Pulitzer vdiq ndërsa ishte në bordin e jahtit të tij në portin e Charleston, Karolina e Jugut, në vitin 1911.

Ai është varrosur në Varrezat e Woodlawn në Nju Jork (në rrethin e Bronksit). / KultPlus.com

‘Aspiroj të jem deputet, sepse dua të vjedh sa më shumë dhe të “rregullohem” sa më mirë’

Fjalimi i Roberto Arlt

(Argjentinë 1900 – 1942)

NËSE DONI TË BËHENI DEPUTET

Në qoftë se doni të bëheni deputet, mos përrallisni për shtimin e prodhimit të panxharit të sheqerit, të karburanteve, të grurit; mos flisni për tatimin mbi të ardhurat; mos u betoni për besnikëri ndaj Kushtetutës dhe Atdheut, mos dërdëllisni për mbrojtjen e interesave të punëtorëve, të nëpunësve, të fëmijëve. Jo. Nëse ju doni të bëheni deputet, duhet të mbani këtë fjalim:

« Zotërinj! Aspiroj të jem deputet, sepse dua të vjedh sa më shumë dhe të “rregullohem” sa më mirë. Qëllimi im nuk është të shpëtoj vendin nga rrënimi; jo, zotërinj, nuk është ky qëllimi im kryesor; unë, me lakmi dhe babëzi të papërmbajtur, dëshiroj të marr pjesë në veprimtarinë plaçkitëse për të boshatisur arkën e shtetit, aspiratë fisnike kjo, që ju duhet ta kuptoni se, për çdo kandidat për deputet, është më e fuqishme dhe më zjarrtë se mbajtja pastër e shpirtit të tij.

Zotërinj, të vjedhësh nuk është e lehtë. Për të vjedhur e grabitur nevojiten kushte të caktuara, që besoj se nuk i kanë rivalët e mi. Para së gjithash, nevojitet të jesh një cinik i përsosur, dhe ju siguroj se jam i tillë. Zotërinj qytetarë, mos e vini në dyshim këtë. Në radhë të dytë, duhet të jesh tradhtar, dhe unë i tillë jam, zotërinj. Duhet të dish të shesësh në kohën e duhur, jo në mënyrë të paturpshme, po në mënyrë “evolutive”. Jam i aftë të sajoj edhe termin që do të zëvendësojë fjalë tradhti, që është aq i nevojshëm në këto kohë; t’i shesësh vendin ofruesit më të mirë, është një punë sa e mbrapshtë aq edhe e vështirë, sepse e kam kuptuar, zotërinj, që pozicioni ynë, domethënë, pozicioni i vendit tonë është i tillë që nuk gjen dot blerës as për pesë lekë, sidomos në këtë moment historik dhe tejet të rëndësishëm, në të cilin ndodhemi. Kini besim, zotërinj, unë do të jem një hajdut, por, para se të shes vendin për një pjatë groshë, besomëni, preferoj të jem i ndershëm. Mbështetni madhështinë e sakrificës sime dhe do ta shikoni se unë jam kandidati më i përsosur për deputet.

Është e vërtetë se dua të vjedh, por, më thoni: cili nuk do të vjedhë? Më thoni, ju lutem, kush është ai i pafytyrë që në këto kohë të turbullta nuk dëshiron të vjedhë? Nëse më gjeni një njeri të tillë të ndershëm, unë do të vrasë veten. Edhe shokët e mi duan të vjedhin, këtë s’e luan as topi, por ata nuk dinë të vjedhin. Ata do ta shesin vendin për hiçgjë, dhe kjo nuk është e drejtë. Kurse unë do ta shes atdheun tim, ashtu siç duhet. Ju e dini se arka e shtetit është katandisur mos mëkeq, domethënë, ka mbetur pa një kacidhe dhe s’ka me se të paguhen borxhet e jashtme; epo, mirë, unë do ta nxjerr vendin në ankand për njëqind rroga mujore, që nga jugu në veri, dhe jo vetëm do të tregtoj shtetin, por do të bie në ujdi me biznesmenë të fuqishëm, me falsifikatorë ushqimesh e ilaçesh, me koncesionarë; do të siguroj armë të paefektshme për shtetin, gjë që është shumë efikase për të shmangur luftën, sesa kur ke armë ofensive, domethënë të efektshme; do të blej tagji të mirë për kalin e drejtorit të burgjeve dhe gjellë-lëtyrë për të burgosurit, do të blej afishe për spote, do t’u vendos taksa mushkonjave dhe qenve, taksa për tullat dhe kalldrëmet…

Po çfarë nuk do të vjedh unë, zotërinj? Ja, më thoni ju, zotërinj të nderuar, çfarë nuk do të vjedh unë. Nëse ju jeni në gjendje të më thoni qoftë edhe një gjë materiale të vetme që unë nuk jam i aftë ta vjedh, atëherë, unë “ipso facto” heq dorë nga kandidatura ime…

Mendojeni për një minutë, qytetarë të nderuar. Mendojeni. Unë di të vjedh. Jam një hajdut i madh. Dhe në qoftë se nuk besoni në fjalën time, shkoni në Drejtorinë e Policisë dhe kontrolloni dosjen time. Do të shihni se ç’performancë kam. Kam qenë i ndaluar për hetim bëmash të tilla nja tridhjetë herë; ndër të tjera për trafik armësh, që natyrisht nuk ishin të miat, po ashtu jam aktivizuar dhe kam kryer detyrën e konkurrentit të rremë në tendera e ankande, domethënë, duke ulur çmimin kot; kam bërë punën e sekserit, të lojtarit hileqar, të zhvatësit, të fshehësit; edhe kur më kanë hequr si zbulues apo hetues, kam bërë punën e ndihmës hetuesit apo ndihmës hileqarit; pastaj kam shkuar si agjent gjyqësor apo edhe si president i komitetit të famullisë, me kusht; kam shitur loto, ka pasur raste që kam qenë edhe baba të varfërish e nënë jetimësh; kam pasur biznes dhe kam dështuar, madje, kam qenë i akuzuar për djegie të qëllimshme të një klubi nate që pata…

Zotërinj, nëse nuk më besoni, shkoni dhe verifikoni dosjen time… dhe atëherë keni për të parë se jam i vetmi midis tërë atyre hipokritëve që duan të shpëtojnë këtë vend, absolutisht i vetmi që mund të shesë qoftë edhe pëllëmbën e fundit të kësaj toke… Kam ndërmend ta shes edhe Kuvendin, ndërsa Pallatin e Drejtësisë do ta kthej në një banesë kolektive apo hotel, sepse, po të mos ketë fare drejtësi, atëherë unë jam më i lirë, zotërinj qytetarë…»

Dhe keni për të parë se me një fjalim të tillë ose ju vrasin, ose ju zgjedhin në postin më të lartë të vendit.

Buenos Aires, 1936.

Përktheu: Bajram KarabolliKultPlus.com

Ministri Çeku takohet me kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, diskutohet për zhvillimet në sport

Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministri Hajrulla Çeku ka pritur kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, Morinari Watanabe, i shoqëruar nga Kryetari i Federatës së Gjimnastikës së Kosovës, Besim Halilaj, sekretari i përgjithshëm, Amir Tahiraga dhe nënkryetarja Sherife Qerimi, përcjell KultPlus.

Në takim me ministrin Hajrulla Çeku dhe zëvendësministren Daulina Osmani, diskutuan për zhvillimet në sport, veçanërisht në fushën e gjimnastikës.

Ministri Çeku e njoftoi për punët dhe planet që ka MKRS-ja për zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti ndërsa u diskutua për projekte dhe bashkëpunim konkret mes MKRS dhe Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës. / KultPlus.com

Autostrada Biennale prezantohet në konferencën ndërkombëtare të artit bashkëkohor në Sardinia të Italisë

Autostrada Biennale prezantohet në konferencën ndërkombëtare të artit bashkëkohor “Cosa non fare, la febbre dell’arte!” në Sardinia të Italisë, përcjell KultPlus.

Autosrada Biennale u prezantua nga dy prej bashkëthemeluesve: Vatra Abrashi dhe Leutrim Fishekqiu, së bashku me prezencën e ambasadores së Republikës së Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, kryetarit të Komunës së San Vero Milis, (Sardinia), Luigi Tedeschi, kritikut të artit dhe anëtarit të bordit këshillues të Autostradës Biennale, Yehuda Emmanuel Safran dhe artistit dhe anëtarit të bordit këshillues të Autosradës Biennale, Sislej Xhafa.

Me ftesë të kryetarit të komunës së San Vero Milis, Luigi Tedeschi dhe drejtorit artistik të konferencës Sislej Xhafa, ekipi i Autostrada Biennale ka prezantuar “Autostrada Hangar” si institucion unik dhe kreativ i artit bashkëkohor dhe edukimit në Kosovë, gjatë diskutimit në sesionin e titulluar “Kur shkretëtira bëhet qendër”.

Përgjatë tre ditëve të konferencës ku morrën pjesë profesionistë nga fushat e ndryshme, pati shumë diskutime të frytshme bazuar në tre temat kryeseore: “Unwanted grace”, “When desert becomes center”, “Creativity in daily resistance” që ndërlidhen me artin, arkitekturën, rezistencën, mjedisin dhe krijimtarinë në të gjitha fushat. / KultPlus.com

120 vite nga lindja e sopranos së njohur shqiptare, Gjyzepina Kosturi

Gjyzepina Kosturi ishte një nga themelueset e artit operistik shqiptar. Sopranoja e talentuar Kosturi lindi më 12 prill 1902, në Shkodër, në një familje shkodrane në Tivar dhe është Artiste e Merituar.

Ajo u diplomua nga Konservatori “Santa Cecilia” e Romës. Pas kthimit në atdhe, ashtu si shumë artistë të tjerë edhe ajo u angazhua me koncerte të ndryshme nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë së bashku me pionierët e kantos shqiptare.

Me hapjen e Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë në vitin 1946, Gjyzepina është një ndër pedagoget e para të kantos dhe më pas edhe një ndër pedagoget e para të Konservatorit Shtetëror të Tiranës.

Me krijimin e Teatrit të Operas në vitin 1953, Gjyzepina Kosturi u bë një ndër solistet e para të këtij teatri duke dhënë kontributin e saj të çmuar në këtë teatër në interpretime me nivel të lartë artistik dhe muzikor. Gjyzepina Kosturi si një artiste e madhe operistike, shquhej me zërin dramatik, me diksionin e pastër dhe për teknikën e lartë të interpretimit.

Merr pjesë që në operan e parë “Rusallka” (1953), të vënë në vendin tonë nga ky teatër, me rolin e Knjagina; për të vazhduar me rolin e Ludmillës nga opera “Nusja e shitur”1956; Violetta nga “La Traviata” 1956, Santuzza në “Cavalleria Rusticana” 1958; Tatiana tek “Evgjeni Onjegin” 1959 dhe kulmin e karrierës së saj artistike në interpretimin e Cio-Cio San në operan “Madama Butterfly” 1961 si dhe Donika në operan “Skenderbeu”1968.

Edhe në jetën koncertale Gjyzepina Kosturi ka një aktivitet të pasur artistik, si brenda , ashtu dhe jashtë vendit. Këngët popullore, ariet, romancat etj. që janë interpretuar prej saj në skena të ndryshme, dëshmuan për një artiste të madhe. Por kontributi i saj i madh është pedagogjia, si në Liceun Artistik, ashtu edhe në Konservatorit, ku ajo përgatiti me nivele të lartë, breza solistësh të TOB, që u bënë shtylla kryesore e këtij teatri.

Për kontributin e saj të çmuar në fushën e artit tonë operistik, ajo është nderuar me urdhra, çmime dhe mban titullin “Artiste e Merituar”. / KultPlus.com