Projekti “What After We Leave” nga Vullnet Jakupi shfaqet të enjten në Paper Gallery, përcjell KultPlus.
Ky projekt realizohet në bashkëpunim me “Në Duart Tona”, projekt i bazuar në komunitet, i cili bën pjesë në Prishtina Biennale. Bazuar në anekdotat e njerëzve që kanë jetuar në fshatin Stresdka, disa prej të cilëve ende jetojnë.
Shkolla, e vendosur në zemër të Malit të Sharrit, ku askush nuk dinte për të, tani është e shkretë dhe e braktisur, e “përhumbur” nga zhurmat e të vegjëlve, ku fëmijët vrapojnë si kur shkolla ishte funksionale.
Projekti i cili hapet më 14 prill do të shfaqet nga ora 10:00, ndërkaq biseda me artistin Vullnet Jakupi nis nga ora 14:00. / KultPlus.com
Në pranverë, shegët e ftonjtë freskuar nga rrymat e lumenjve të hazdisur, atje ku Muzat kanë kopshtet e tyre të virgjër e ku vilet rrushit shpërthejnë bumbeskat e brishta, ngazëllyer lulëzimin harlisur rriten poshtë velurit t’thijeve endur, prej hardhive.
Eros-i, sipas meje s’pushon asnjë stine.
Si erë tërbuar e acartë boreale i buçkaritur kacek, mbushur me rrufe, fryrë prej Afërditës e ndezur në flakë çmëndurake të egra si sprija, e pa ndalim m’a tund e m’a shkund nga përfund mëndjen e zemrën time.
Enigma e një fotoje të shkrepur në Shkodër nga Marubët, më 16 shkurt të vitit 1938, lidhet me një ngjarje të rrallë, historike për kulturën. Është një foto ekskluzive në “çajin e profesorëve të Gjimnazit Shkodër”. Fotoja fillimisht është publikuar para pak kohësh nga e bija e Lasgush Poradecit, nxjerrë nga arkivi i poetit, ku ruhej prej 80 vjetësh.
Historia duket e thjeshtë: Asdreni, i plakur tashmë, po vinte për një vizitë në Shqipëri, i ftuar në Shkodër nga shoqëria e arteve të bukura “Rozafat”, të cilit iu bashkua edhe Lasgush Poradeci. Për nder të kësaj vizite u organizuan tri ditë festime. Shtypi i kohës e ka pasqyruar gjerësisht këtë ngjarje, udhëtimin e dy poetëve në Shkodër, duke u pritur “me shfaqje të nxehta simpatie e admirimi”. Para një publiku jashtëzakonisht të dendur, në sallën e kinema “Rozafat”, Atë Gjergj Fishta u dha mirëseardhjen dy poetëve toskë, duke mbajtur një fjalim të jashtëzakonshëm. Në fund: Përqafim patetik, me lot e fjalë ngashëryese nga Asdreni, duke prekur gjithë popullatën e mbledhur në nderim të tij.
Fotoja dhe kronika e ngjarjes publikohet në “Përpjekja” e Branko Merxhanit, si dhe në gazetën “Drita”, në këtë të fundit del një botim i posaçëm, me foton e rrallë të Fishtës gjatë ligjëratës për Asdrenin, të gjendur në Bibliotekën Kombëtare, bërë nga Marubët.
Në çajin e profesorëve të gjimnazit në Shkodër, shkurt 1938
Në grupin e të ftuarve që dhanë koncert, ishte edhe sopranoja Tefta Tashko Koço, si dhe pianistja Lola Aleksi, të dyja personalitete të kohës, të cilat, në nderim të Asdrenit, luajtën për herë të parë pjesë nga opera “Traviata”.
Shoqëria “Rozafat” ishte bujtësja e personaliteteve, e cila kishte 20 vjet jetë, dhe pak ditë para kësaj ngjarjeje kishte kremtuar 20-vjetorin e themelimit të saj, duke shënuar një rast unik në Shqipëri, për kontributin në artet e bukura, pothuaj në të gjitha fushat.
Por, nxitur nga përmbajtja e fotos, prej ku zbardhet kronika e kësaj ngjarjeje, një tjetër personazh historik, drejtor e mësues i gjimnazit të Shkodrës, Gasper Ljarja, bën një organizim të befasishëm duke nxjerrë në rrugë bandën e Shkodrës së asaj kohe, për të nderuar dhe për të pritur Asdrenin e Lasgushin. Këta dy poetë nuk ishin rastësisht së bashku në udhëtimin e Shkodrës. Çfarë dallon në këto marrëdhënie të viteve ’30, është vlerësimi dhe koshienca për vlerat e këtyre personaliteteve, duke i nderuar në kohë reale. Asdrenin dhe Lasgushin e lidhte një miqësi e jashtëzakonshme, ku njihemi se Asdreni e ka ndihmuar kur ai kishte vështirësi financiare gjatë studimeve në Austri, si rezultat i mosdërgimit të bursës.
Por viti kur Asdreni u ftua në Shqipëri, ardhur nga Bukureshti, me nismën e Koliqit, ministër Arsimi në këtë kohë, përkonte me kremtimet e 25-vjetorit të shtetit shqiptar, dhe ishte një kujdesje e posaçme e shtetit shqiptar për dy poetët.
Më poshtë botojmë të plotë kronikën e ngjarjes, çfarë ndodhi në kinema “Rozafa” më 1938, botuar në gazetën “Drita”, e përditshme nacionale, si një numër i posaçëm më 13 shkurt.
Çfaqje artistike për nder të vjershëtorit plak, z. Aleksandër Drenova
Shkodër, 13-Sikur e dini, kemi tash nji javë në mes t’onë atdhetarin e vjershtarin plak, zotin Aleksandër Drenovën (Asdren), i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë nji idhull (idol) i atdhetarëve, jo vetëm të Shkodrës, por i të tanë Shqipnis. Pse, jeta e Asdrenit, asht nji brilant qi shkëlqen madhnueshëm ndër virtyte e vepra atdhetarije, sikur e vërtetojnë botimet e tija krejt urti e flakë dashunije për atdhe. Qarqet e Shkodrës, pra intelektuale-patriotike, ndijnë nji gëzim të jashtëzakonshëm qi kanë pasun fatin e mirë t’i shohin syt e t’i ndigjojnë kuvendin këtij atdhetari letrar. Dhe kët gëzim e kënaqë të posatshme e provojnë prej se:
a) Asdreni qe ndër puntorët ma të parë të shvillimit t’ides kombëtare, asht nji veteran prandej në kuptimin ma të këthellë qi ka fjala;
b) Asdreni nderoi përherë secilën vepër qi qe në dobi t’atdheut pa u tërhjekë prej kurrnji pasioni dhe pa vështrue se çelsi a misjoni kishte në jetë ai qi e kryente;
c) Asdreni qëndroi përherë larg ndërlikimesh e kundërshtimesh të pjelluna përgjithësisht prej rase a nakari.
Në fund Asdreni, tërhjekë të gjitha zemrat e atdhetarëve të mirë e të drejtë, pse asht urtoja apo modestija e mishnueme.
Të gjitha këto arsye e shtynë Shoqnin e Hartëve të bukura të Shkodrës “Rozafat”, të bajnë të vetin dishirin e intelektualve dhe atdhetarve të qytetit t’onë për t’i çfaqun këtij patrioti letrar, me anën e njij manifestale publike e të çqueme, nderimin e miradijen për shërbimet qi i ka bamë kombësisë.
Edhe, të shtundën në mëngjes më 12 të këtij moji, mbas njij vendimi qi mirrte Këshilli i Shoqnisë “Rozafat” dhe pregatitjeve të para qi bante, i çpallte popullit të Shkodrës se, për nderë t’Aleksandër Drenovës, po ipte, në sallën e Kinemas “Rozafat” nji koncert me anën e orkestrës së saj, tue marrë pjesë edhe artistët shqiptarë, Zojushat Tashko e Aleksi. Çpallja njoftonte edhe se poeti kombëtar, At Fishta do të hapte çfaqjen artistike me nji ligjëratë të tij simpathije ndaj Mikut e çquem qi ka urdhnue në Shkodër.
Menjëherë pas kësaj çpallje, të gjitha lozhat, parterre dhe galeritë e kinemas “Rozafat”, u kaparuan. Në kohën kur po fillonte koncerti, s’kishte jo vend për të ndejun, por as nji pllambë shesh për të lëvizë. Publiku pothuej as frymë nuk mirrte me kaqë respekt e urti qëndronte. Të dukej sikur t’ishe në nji tempull e jo në nji sallë theatric. Vetëm, kur mërrijtën poetent Fishta, Asdreni, Lasgushi e Ernesti, për të cilët ish rezervue nji lozhë e posatshme pranë palkit, shpërthyen duertroktijet në të katër anët.
Çfaqja artistike nisi me marrjen e njij cope muzike prej anës s’orkestrës së Shoqnis “Rozafat” dhe, fill mbas kësaj, duel në palko At Gjergj dhe nisi ligjëratën nën heshtjen e plotë të publikut. Përkujtoi, ndër fjalët e tija të thjeshta, kohën e robnis e peripetit dhe andrrat e asaj kohe dhe shënoi shkurtazi veprat e ndryshme qi kanë krye ata qi u përpoqën për shvillimin e idealeve kombëtare, tue ramë edhe dëshmorë për ta.
Tha se këta ideale i ngjalli e i plazmoi fuqija e fjalës së shkrimtarëve e sidomos të poetenve kombëtarë dhe theksoji se nji prej këtyne asht Aleksandër Drenova, ai për të cilin po bahej ajo manifestatë prej anës së popullit shkodranë në shej nderimi dhe evarije. Shoqnis “Rozafat” qi kishte organizue kët çfaqje i drejtoj përgëzimet e tija dhe i uroi ditë përherë ma të mira për përparimin të kombit e lumni t’Atdheut e të Fronit. Duertrokitjet, mbas këtynë fjalve, plasën në të katër anët dhe vazhduen për nji kohë të gjatë.
Në kët moment, duel në palko Aleksandër Drenova, i cili, i prekun aqë thellë në zemër për çfaqjet qi iu drejtojshin, nuk muejti të nxjerrë fjalë prej goje, por përqafi me nji thjeshtësi At Gjergjin, përqafje qi ju këmbye po me at semplicitet, çka provokoi duertrokitje e enthusjasëm aqë të thekshëm në publik sa ishin asish qi nuk mbajshin lotët. Ky akt, duem me thanë përqafja e dy vjershtarve në palko, qe me të vërtetë pathetik e i madhnueshëm.
Mbasi mori nji copë tjetër orchestra, Ernest Koliqi, duel në palk me nji djalë të vogël, të nipin e dëshmorit Zef Harapit, të cilin e paraqiti tue thanë se do të lexonte nji vjershë patriotike t’Asdrenit nji prej aso vjershash qi ngallnuen axhen e tij për të dhanë jetën për atdhe. Leximi i vjershës provokoi duertrokitje tjera të zjarta e të parreshtuna.
Mbrapa mandej vazhdoi eksekutimi i copave t’orkestrës dhe të këndimit të Zojushës Tashko e përcjellun me piano prej Zojushës Aleksi.
Zojusha Tashko, sikur dy netë ma parë, tregoi nji aftësi të çqueme në këndim dhe zotnimin e njij zani të pastër dhe të shprehjeve lirike. Artistija e ynë u çfaq në naltësin e hartit të saj sidomos në këndimin e copës së Traviatës, Follie, Follie, të cilën e këndoi plot mjeshtëri e gjallni në fund të koncertit.
Gjithashtu, tregoi zotsi e shkathsi të çqueme në piano Zojusha Aleksi. Si sosi koncerti, z. Aleksandër Drenova, falenderoi publikun nga lozha ku kish zanë vend. Edhe ky e drejtoi përsëri duertrokitje dhe çfaqje nderimi ma të përzemërt e të nxehtë. Asdreni po vazhdon të vizitojë institutet kulturale të qytetit t’onë. Trupi i profesorave të gjimnazit shtetnuer e ftoi në drejtorin e shkollës dhe e gostiti me nji vermouth, ku morën në grup edhe nji fotografi kujtimi.
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës së shpejti vjen ekspozita e titulluar “Rrethi” nga artisti Gani Gashi, përcjell KultPlus.
Ekspozita e cila hapet të premten është e kuruar nga Krenar Zejno. Ndërkaq, “Rrethi” do të hapet duke filluar nga ora 20:00.
“Rrethi” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 5 maj.
Gani Gashi u lind më 27 shkurt 1944 në Mramur të Komunës së Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën Normale në Prishtinë në vitin 1963. Akademinë e Arteve Figurative (drejtimi i grafikës) si dhe studimet pasdiplomike i mbaroi në Prishtinë. Nga viti 1963 deri në vitin 1967 punoi në arsim, ndërsa në vitin 1968 filloi punën në redaksinë e gazetës së përditshme “Rilindja” në Prishtinë, ku punoi në vendin e redaktorit artistik, e ku herë pas herë botoi edhe shkrime autoriale nga lëmi e artit figurativ deri më 21 shkurt 2002.
Është anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës që nga viti 1980. Tani jeton dhe vepron si artist i lirë në Prishtinë. / KultPlus.com
Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis! Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke, …Si vashë e virgjen: nuse sikur je; Dhe malet me bor Mi krye i ke kunor!
Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis! Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon Difto-u e zonja; koha sot e don Ti t’çohesh përseri N’luftë t’mbarë për liri!
Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija, Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë Si luaj e si dragoj plot forcë që janë, Që e derdhin gjakun prrue Atdheun për m’e shpëtue!
Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë Anmikut kur i sulen me rrebtsi Si breshni mi te hidhen me duhi.
Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue! Për nder të shtëpis s’vet; E falin shpirt e jet!
Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue Se mjaft e kanë robnue Dhe n’ zjarm e kanë prue!
A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë Që të huejt para syve të t’venë ledhe Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del Dhe duersh mos të lëshojn’ Prej faqes s’dheut të t’shojn!
Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë “Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë! Atyne si u pëlqen kufijt i venë Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë; Mendojnë pa turp kurrfarë Se s’ka nji komb Shqiptarë!
Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur, Me lott qi qan e ankon E asnji nuk i ndihmon!
Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe Po nanën ju kujtoni qi u ka le Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve Prej bijet e harrume mi ket dhe! Se ansht turp i math për ju Të huejt me i u çnderu!
Sot ora mbrrini, dita e bekueme Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme! Kosovës emnin me ja ngref te qilli Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli Me rrnue një Shqypni Si zonjë në lumni.
Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini! Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë Si ç’trimit mirë i prek Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com
Një nga artistët më të suksesshëm bashkëkohor shqiptar, Petrit Halilaj po përgatitet për prezantimin e instalacionit të tij “Shkreptimë dhe Ru” në ‘Fries Museum’ në Holandë, përcjell KultPlus.
Muzeu i Fries do të prezantojë ekspozitën e parë personale të Petrit Halilajt në Holandë. Me një praktikë që përfshin instalacione, vizatime dhe video, Halilaj (1986, Kostërrc, Kosovë) shpesh përdor biografinë e tij si pikënisje për të hetuar identitetin kulturor, kombësinë dhe trashëgiminë. Puna e tij përfshin rregullisht zogj dhe kafshë të tjera si metafora për transformimin; Për shembull, kostumet e molës dhe skulptura të ngjashme me zogjtë, janë shfaqur shpesh në instalimet e tij në shkallë të gjerë. Ru (2017) dhe Shkrepëtima (2018), dy nga projektet e tij monumentale më të njohura, mund të përjetohen në Leeuwarden nga pranvera e 2022 e tutje.
Në Muzeun e Fries, Halilaj gërsheton realitetin dhe imagjinatën në instalacione që hedhin dritë mbi rolin e artit dhe trashëgimisë kulturore brenda një komuniteti.
“Fluturon Fluturon Runikuuuuu!!!!✨✨✨✨❤️🐣💫🦜
Edhe pak ditë përgaditje për prezantimin e Shkrepëtimes edhe Ru në Fries Museum në Holandë!!! Këtë herë, kam provu me instalu më ndryshe në ajër pjesët e rrënojave të marra nga Shtepia e Kulturës edhe sa të jetë e përfundume i ndaj materialet me ju! ❤ 🐣💫💗”, ka shkruar artisti Halilaj në rrjetet sociale.
Nga data 16 April 2022 deri më 5 March 2023. / KultPlus.com
Liam Neeson vazhdon të jetë një prej yjeve më të angazhuar të filmave aksion. Aktori irlandez rikthehet me filmin e ri të titulluar, “Memory”, raportoi të hënën portali “Female”.
Filmi e rrëfen historinë e Alex Lewisit, një vrasës profesionist me një reputacion për saktësi të matur. I ngatërruar në një situatë që e prekë anën morale të njeriut, ai refuzon ta përfundojë një punë e cila shkel kodin e tij etik dhe kështu detyrohet t’i vrasë njerëzit që e punësuan atë, përpara se ata dhe agjenti i FBI-së, Vincent Serra, ta bëjnë të njëjtën gjë. Alexi është ndërtuar për hakmarrje, por marrë parasysh faktin se ka filluar të ketë probleme me kujtesën, ai detyrohet ta vërë në dyshim çdo veprim të tij. Kjo ia bënë të vështirë ta dallojë kufirin midis së drejtës dhe së gabuarës.
“Memory” është realizuar nga regjisori i Zelandës së Re, Martin Campbell, dhe bazohet në filmin belg të vitit 2003, “The Memory of a Killer”. Krahas yllit Neeson në film luajnë edhe aktorët, Guy Pearce, Monica Bellucci, Ray Stevenson, Stella Stocker dhe Antonio Jaramillo.
Filmi “Memory” do të debutojë në kinematë e Amerikës më 29 prill të këtij viti. / KultPlus.com
“Stamboul” ka botuar, të mërkurën e 30 majit 1883, në ballinë, një shkrim në lidhje me lajmin e emërimit të Naim Frashërit si inspektor i shkollave greke, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.
Shkollat greke
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Gazeta “L’Avghi” beson se është në gjendje të njoftojë, sipas informacioneve të veçanta të saj, se gjithçka që është publikuar deri më tani në lidhje me emërimin e një inspektori të shkollave greke është e pasaktë.
Thjesht bëhet fjalë për të marrë vesh për gjendjen e shkollave greke që Ministria e Arsimit e urdhëroi Naïm Beun të vizitonte njëherë e përgjithmonë këto shkolla për të mbledhur informacionet e nevojshme.
Nëpunësi shtetëror, shton fleta greke, që u ngarkua për këtë vizitë të thjeshtë, Naïm beu, është një i ri shqiptar, i familjes Frashëri, shumë i arsimuar dhe me karakter të shkëlqyer, që ka studiuar me hollësi gjuhën greke në vetë shkollat greke.
Prandaj edhe lajmi i emërimit të Naim Beut, si inspektor i shkollave greke me kompetenca shumë të gjera, u prit me gëzim dhe si lehtësim nga e gjithë popullsia greke.
Jeff Charest është amerikani që ka doktoruar për instrumentin e çiftelisë në Universitetin Cardiff në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan KultPlus.
Amerikani Jeff Charest e ka pasur një çifteli qysh prej vitit 1992 dhe duke qenë se studimet e tij kanë qenë të lidhura me këtë instrument, ai vazhdimisht dëgjon rapsodët shqiptarë.
Ai ka një listë të këngëtarëve e instrumentistëve që i dëgjon vazhdimisht. Ai në një intervistë për KultPlus pati treguar se në mesin e instrumentistëve shqiptarë që i dëgjon vazhdimisht është edhe Dervish Shaqa.
Instrumentistët e këngëtarët e të tjerët që i pëlqejnë më së shumti janë: Dervish Shaqa, Ndue Shyti, Fatmir Makolli, Rexhep Hajrizi, Esat Gashi, Sali Mani dhe Esat Ruka.
Sot bëhen 37 vite prej që është ndarë nga jeta rapsodi më i njohur shqiptar, Dervish Shaqa, shkruan KultPlus.
Dervish Shaqa lindi në Llukë të Epërme të Deçanit më 1912, ndërsa vdiq më 11 prill 1985. Ai mbetet rapsodi më i shquar popullor në të gjitha trevat shqiptare. / KultPlus.com
Ndërsa Finlanda dhe Suedia konsiderojnë anëtarësimin në NATO, Kremlini ka paralajmëruar se zgjerimi i aleancës nuk do të sjellë më stabilitet në Evropë.
“Ne kemi thënë vazhdimisht se vetë aleanca është më shumë një mjet për konfrontim. Kjo nuk është një aleancë që siguron paqe dhe stabilitet dhe zgjerimi i mëtejshëm i aleancës, natyrisht, nuk do të çojë në më shumë stabilitet në kontinentin evropian”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Zyrtarët e NATO-s i thanë CNN se diskutimet për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në bllok janë bërë jashtëzakonisht serioze që nga pushtimi i Rusisë. Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA thanë se çështja doli në takimin ministror të NATO-s të kësaj jave, ku morën pjesë ministrat e jashtëm nga Stokholmi dhe Helsinki.
Qeveria finlandeze do të paraqesë një dokument sigurie që përfshin një anëtarësim të mundshëm në NATO për diskutim parlamentar të mërkurën, njoftoi të hënën Ministri i Jashtëm i vendit.
“Kjo i jep Parlamentit tani një mundësi për të diskutuar të gjitha aspektet e anëtarësimit të mundshëm në NATO dhe/ose zgjidhje të tjera të sigurisë. Dhe më pas bazuar në atë debat, sigurisht, qeveria do të nxjerrë përfundimet së bashku me Presidentin e Republikës”, u tha Pekka Haavisto gazetarëve përpara takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg.
Haavisto shtoi se ishte “e rëndësishme” që Suedia fqinje po ndjek një “proces të ngjashëm” për të cilin ai pret të marrë kohë. “Por sigurisht që ne shkëmbejmë informacione gjatë gjithë kohës dhe, shpresojmë, nëse marrim lloje të ngjashme vendimesh, ne mund t’i bëjmë ato në të njëjtën kohë”, tha ai./ KultPlus.com
Instrumentisti i njohur kosovar, Shaqir Hoti me muzikën e tij të bukur do të mbetet gjithmonë artisti që do të mbahet mend për veçantinë e tij, shkruan KultPlus.
Hoti krahas krijimtarisë të madhe muzikore që la pas vetes, ishte i njohur edhe për punimin e veglave frymore nga thesari i trashëgimisë kulturore artistike.
KultPlus sot ju sjellë interpretimin ‘Malli për vendlindjen’ nga Shaqir Hoti, ku në secilin tingull përcillen emocione të mëdha. /KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot firmëtarin e pavarësisë, gjuhëtarin dhe patriotin Arisidh Ruçi, burgosur nga diktatura.
Aristidh Ruçi lindi më 11 mars 1875 në Sheper të Zagorisë. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit, më pas u zhvendos në Janinë për të ndjekur studimet e mesme në gjimnazin “Zosimea”. Për një periudhë 2 vjeçare jetoi në Stamboll dhe u kthye sërish në Janinë gjatë viteve 1899-1904. Këto lëvizje i dhanë mundësinë që të binte në kontakt me figura të mëdha si Naim Frashëri, Shahin Kolonja apo Kadri Gjata dhe të kishte letërkëmbim me anëtarë të diasporës së Bukureshtit, Egjiptit dhe Bostonit.
Në vitin 1906 u vendos në qytetin e Vlorës për të qëndruar aty deri në fund të jetës se tij, ku u bë një ndër tregtarët më të njohur të qytetit. Aristidh Ruçi kthehet në një figurë të rëndësishme dhe më një veprimtari të gjerë kombëtare.
Në 1908 u bë anëtar i klubit patriotik “Labëria” të Vlorës. Emri i tij lidhet me përpjekjet për përhapjen e gjuhës shqipe. Sëbashku me Tod Lubonjarin siguronin libra e gazeta shqip dhe i shpërndanin në Lubonjë, Picar, Armen e Treblovë, apo duke çelur kurse të fshehta ku mësohej gjuha shqipe. Në korrik të 1911 ishte ndër organizatorët e Kuvendit të Drashovicës. Po në të njëjtin vit, së bashku me një grup atdhetarësh shkon në Itali për të takuar Ismail Qemalin për organizimin e Lëvizjes Kombëtare.
Në Kuvendin Kombëtar më 28 nëntor 1912 ishte delegat i Tepelenës dhe firmëtar tek Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë. Ndihmoi në ngritjen e administratës në Fier, Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër e Delvinë. Veprimtaria e tij patriotike u intensifikua gjatë viteve 1918-1920 kundër pushtuesve italianë. Ishte ndër themeluesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” që ndihmoi në organizimin e Luftës së Vlorës në 1920. Në vrullin e kësaj lufte, u krijua shoqëria patriotike “Përlindja Kombëtare”, ku komisioni ngarkoi: Aristidh Ruçin dhe disa atdhetarë të tjerë për hartimin e rregullores se saj. Komiteti ”Mbrojtja Kombëtare” e ngarkoi për të shoqëruar bandën muzikore të Federatës: “Vatra” dhe Komisionin e Kryqit të Kuq Amerikan në frontin e luftës në vitet 1920-1924.
Gjatë viteve në vijim u përfshi në jetën demokratike te vendit, siç ishte federata “Atdheu” dhe shoqëria “Bashkimi” Në vitet 1921-1939 ishte edhe anëtar i Këshillit Administrativ të Bashkisë së Vlorës. Në vitin 1937 u zgjodh anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare. Në prill të vitit 1939, së bashku me kryetarin e Bashkisë Vlorë Ali Asllanin dhe mjekët Vasil Dhimitri e Pavlo Pavli krijuan Degën e Kryqit të Kuq për Vlorën. Gjatë pushtimit, si pasojë e veprimtarisë antifashiste, u arrestua dhe internua në Itali.
Me kthimin e tij në Shqipëri u arrestua nga sistemi i vendosur komunist për arsyen e të qenurit tregtar i madh. Pas 2 vitesh burgim lihet i lirë, por duke i sekuestruar çdo gjë që kishte pasur, madje dhe orenditë shtëpiake. Vdiq në 11 prill të vitit 1950 ku vdekja e “Mendjes së Vlorës”(siç e cilësonin bashkëkohësit e tij) u la në hije nga shtypi i kohës. / KultPlus.com
Europa është shtëpia e një rrjeti të madh hekurudhor, që mundësojnë udhëtime vërtet spektakolare, të cilat mund të konsiderohen pushime në vetvete. CNN Travel rendit 10 nga udhëtimet më të bukura me tren që mund të përjetoni në Europë.
1. Linja Derry-Coleraine, Irlanda e Veriut
“Një nga udhëtimet më të bukura hekurudhore në botë”, kështu është konsideruar nga ata që kanë pasur mundësi të shijojnë këtë aventurë. Udhëtimi 38-minutësh ndjek lumin Foyle nga Derry, duke kaluar nëpër fshat, derisa derdhet në Oqeanin Atlantik. Treni kalon edhe pranë një prej vendbanimeve më të hershme njerëzore në të gjithë Irlandën, Forti Mountsandel, që mendohet se është banuar nga 7600 deri në 7900 p.e.s.
2. Linja Firence-Napoli, Itali
Vetëm në Itali, një nga rrugët kryesore të vendit mund të jetë kaq e bukur. Linja veri-jug e Italisë kalon përmes tuneleve malore nga Bolonja në Firence, duke vazhduar në jug, ku do të shihni disa nga peizazhet më klasike të Italisë.
Gjithashtu, do të keni mundësi të shijoni gjatë rrugës një panoramë fantastike malore, si dhe një nga qytetet e lashta më të bukura të Italisë qendrore, i skalitur në një bllok shkëmbi nga qytetërimi etrusk. Duke ardhur në Romë, do të kaloni pranë mureve të qytetit të lashtë. Pas Romës në Napoli do të mahniteni nga pamja spektakolare e Vezuvit teksa kaloni në qytet.
3. Linja Barcelonë-Montserrat, Spanjë
Placa d’Espanya është pika e nisjes për udhëtimin e jashtëzakonshëm në Montserrat. Linja hekurudhore kalon nëpër fshatrat katalanase në rrëzë të maleve, duke tërhequr vizitorë në mal që nga viti 1892. Është një udhëtim vërtet mahnitës, ku gjatë gjithë rrugës do të shihni jo vetëm peizazhe unike, por edhe site arkeologjike, ndërtime të vjetra, e vende kulti si p.sh. një abaci e shekulli të 11-të.
4. Linja Semmering, Austri
Gati 200 vjet pasi u hap në vitin 1854, hekurudha Semmering është ende një nga hekurudhat më të bukura dhe madje gëzon statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Mund ta merrni këtë linjë nëse jeni duke udhëtuar midis Vjenës dhe Venecias, duke e bërë kështu një mënyrë shumë të mirë për të udhëtuar midis dy prej qyteteve më të bukura të Evropës.
Duke kaluar nëpër alpet austriake midis Gloggnitz dhe Semmering, treni përshkon edhe nëpër 16 tunele,100 ura, si dhe nëpër shumë kthesa emocionuese. E ndërtuar si hekurudha e parë malore në Europë, e projektuar për të lidhur Vjenën me Triesten (që ishte në atë kohë porti i perandorisë austro-hungareze), ajo është ende një nga më të mëdhatë.
5. Linja Bohinj, Slloveni
Sllovenia është një vend magjepsës për të bërë një udhëtim me tren, falë vendndodhjes së saj. Linjat e saj hekurudhore lidhin Italinë me Hungarinë dhe Austrinë me Kroacinë e Italinë. Gjithashtu, njëra linjë lidh Pragën me Triesten, ose me fjalë të tjera, Evropën qendrore pa dalje në det me Detin Adriatik.
Një nga linjat më historike të Sllovenisë, Bohinj përfshin 28 tunele (njëri prej tyre afërsisht 17 500 metra i gjatë) dhe 65 ura, duke përfshirë urën e Solkanit, urën më të madhe hekurudhore prej guri në botë, që shtrihet mbi lumin Soça.
Një nga linjat më historike të Sllovenisë, Bohinj përfshin 28 tunele (njëri prej tyre afërsisht 17 500 metra i gjatë) dhe 65 ura, duke përfshirë urën e Solkanit, urën më të madhe hekurudhore prej guri në botë, që shtrihet mbi lumin Soça.
6. Linja Bergen, Norvegji
E ndërtuar në vitin 1909, hekurudha Bergen lidh kryeqytetin e Norvegjisë me qytetin e Bergen. Ky nuk është një tren i zakonshëm udhëtarësh, megjithatë kalon nëpër një peizazh spektakolar, nëpër rrafshnaltat malore të Norvegjisë dhe liqenet e kaltra.
7. Linja Ventimiglia, Francë, Monako, Itali
Në më pak se një orë ju do të kaloni në tri vende, duke filluar nga Franca, në Monako dhe duke përfunduar përtej kufirit italian. Në pjesën më të madhe të udhëtimit, duke filluar nga stacioni Nice Riquier, do të keni mundësi të shijoni pamje të bukura, si vilat e Art Deco-s, pyje të harlisur dhe qytete të grumbulluara buzë shkëmbinjve. Do të kaloni gjithashtu nëpër disa nga qytetet më fantastike në Cote d’Azur, si Èze dhe Menton të mbushur me limona, si dhe do të mahniteni nga pamjet përrallore të Monte-Carlo.
Linja nga Nice në Ventimiglia ju kalon pranë disa fshatrave fantastikë
8. Linja Sarajevë dhe Mostar, Bosnjë-Hercegovinë
Rruga ndërmjet kryeqytetit dhe një vendeve më turistike të Bosnjës, Mostari, është shumë e bukur, por udhëtimi dyorësh me tren, i shtrirë poshtë maleve të gjelbra dhe shkëmbinjve, duke ndjekur lumin e kristaltë Neretva, do të jetë një eksperiencë krejt tjetër.
9. Linja West Highland, Skoci
Nuk është çudi që ky është një nga udhëtimet më spektakolare me tren në botë, pasi pamjet epike të Skocisë përgjatë rrugës, do të mbeten gjatë në kujtesën tuaj. Duke u nisur nga Glasgou, ai shtegton drejt veriperëndimit, duke përfunduar në Mallaig, ku mund të merrni një traget për në Isle of Skye.
Gjatë rrugës, do të kaloni nëpër Loch Lomond dhe Parkun Kombëtar të Trossachs, ku linja hekurudhore “lundron” mbi moçalet me torfe.
10. Linja Lidköping në Mariestad, Suedi
Suedia shquhet për rrugët e bukura hekurudhore. Linja Stokholm në Narvik (në Rrethin Arktik të Norvegjisë) është një “ikonë e vërtetë”, por për të bërë këtë udhëtim duhet planifikuar më parë. Për diçka më të shpejtë, është linja nga Lidköping në Mariestad, e cila u përzgjodh si udhëtimi më i bukur me tren në Suedi, nga përdoruesit e hekurudhave në vitin 2018. Hekurudha me një binar shtrihet rreth liqenit më të madh të vendit, Vänern, duke kaluar në pllajën Kinnekulle./A2CNN/ KultPlus.com
Shfaqja mysafire “Que du bonheur (?)” nga Franca vjen nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.
Kjo shfaqje e cila nesër fillon nga ora 21:00, paraprakisht do të shfaqet në kuadër të Festivalit “Dance Fest” në Shkup.
“Que du bonheur (?)”, -që mund të përkthehet si: “Çfarë lumturie(?)”, është pjesë e studimeve të një triptiku që zbërthen dhe zbërthen lëvizjet e trupit.
Tre pjesët e Triptych eksplorojnë lëvizjen e trupit në dekompozim, përsëritjen dhe disa mjete të marra nga kinemaja eksperimentale.
Çfarë do të thotë të jesh grua? Cilat kode, çfarë presioni social duhet t’i nënshtrohen gratë?
«Tomeo Vergés ka gjetur një metaforë të bukur skenike për të gërmuar në pyetje dhe për të vënë në dyshim imazhet e pritshme ose të kërkuara që i mbajnë gratë në një rrugë të caktuar.»
Dhe në një rrugë është vendi ku e gjen veten interpretuesja Sandrine Maisonneuve: në ritmin e një metronomi hipnotik, kadencën e të cilit ajo e detyron veten ta ndjekë, ajo përsërit dhe transformon një sërë lëvizjesh të përditshme. Një e burgosur pavarësisht vetvetes, ajo përfshihet në një betejë mbrapa dhe mbrapa, luan me klishetë dhe gjuhën e trupit duke filluar nga kompozimi i imazhit të një gruaje të përsosur deri tek shndërrimi i saj në një luftëtare stërgjyshore. Komike, thumbuese dhe çliruese! / KultPlus.com
mbi të gjitha kënaqem kur gjej tituj librash të lezetshëm
p.sh. Natalia Ginzburg apo shkrimtar të panjohur me kalorës në kopertinë
shitësit në të shumtën e rasteve janë serioz të mbyllur dhe agresiv
nëse ju thua se je nga Kosova sillen mirë dhe të thonë eja prapë
kënaqem kur shoh tituj të lezetshëm e ekzemplarë të rrallë shkrihem nga qejfi
por Ben Andoni më thotë në vesh shsh mos ju thuaj se janë kopje të rralla
mbi të gjitha kënaqem në Tiranë kur gjej libra të rrallë, kur Xhevat Caushi ma ngul në çmim dhe kur shoh gruan time se me sa pasion ha akulloren me arra gjysmë të karamelizuar pa ja ndier fare për letërsinë. / KultPlus.com
Koncerti artistik “Na Flet Asdreni” do të nesër më 11 prill në Teatrin Kombëtar të Kosovës me rastin e 150 vjetorit të lindjes së poetit, publicistit dhe veprimtarit shqiptar, Asdreni, shkruan KultPlus.
Nën drejtimin artistik të kompozitorit Josif Minga, artistë të shquar nga Kosova dhe Shqipëria do të performojnë në këtë koncert të veçantë.
Me pjesëmarrjen e: Korit Kameral “Dardanica” nën drejtimin e Edon Ramadanit, formacionit orkestral nën drejtimin e Visar Kuçit, Zhulieta Sheremeni, Artan Bakija, Zamira Kita, Ligoraq Riza, Kristian Koroveshi, Grupit Polifonik të Burrave Drenovë, si dhe intervistave të personaliteteve dhe imazheve të shumta dokumentare do të kujtohet dhe rrëfehet jeta e veprimtaria e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare.
I gjithë ky koncert do të fillojë nga ora 20:00, derisa dy ditë më vonë do të mbahet edhe në Korçë. / KultPlus.com
Sot gjatë ditës janë publikuar pamje kur disa qenë në kryeqytet kanë sulmuar një grua e cila është rrëzuar derisa ka tentuar të mbrohet. Derisa nuk dihen pasojat, nëse gruaja është kafshuar nga qentë, ka reaguar kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama.
Kryetari Rama ka thënë se me shqetësim i ka para pamjet duke e quajtur problemin e qenëve kompleks.
“Me shqetësim pashë sot pamjet, ku një qytetare e Prishtinës sulmohet nga qentë endacakë! Ne jemi të vetëdijshëm për problemin shumë kompleks që kemi para vetes dhe në këtë drejtim kemi ndërmarrë disa veprime, si trajtimi i qenve endacakë përmes procesit KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho) dhe hapjes së 18 pikave të reja ushqyese” ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për veprime tjera që janë ndërmarrë.
“Gjithashtu, po punojmë dhe kemi filluar procedurat për ndërtimin e strehimores për qentë. Por, kjo nuk mjafton për të eliminuar në tërësi këtë problem” ka thënë i pari i Prishtinës.
Rama ka kërkuar edhe bashkëpunimin e Komunave tjera dhe Qeverisë.
“Ky problem kompleks nuk mund të zgjidhet vetëm nga Komuna e Prishtinës, andaj kërkojmë bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve edhe me Qeverinë e Kosovës dhe Komunat e tjera”. / KultPlus.com
Gazeta gjermane ‘Die Welt’ ka punësuar gazetaren ruse Ovsyannikova, 43 vjeç, e cila protestoi kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia, gjatë edicionit të lajmeve në mbrëmje.
E përditshmja gjermane deklaroi se gazetarja ruse do të jetë një korrespondente e pavarur për Die Welt, duke raportuar lajme nga Ukraina dhe Rusia, si dhe do të jetë një bashkëpunëtore e rregullt në kanalin e saj televiziv të lajmeve.
Ovsyannikova, një redaktore në televizionin rus të Channel One, u shfaq në setin e lajmeve të mbrëmjes së saj kryesore Vremya (Time) në mars duke mbajtur një poster që lexonte “No War” në anglisht. Ishte një ngjarje shumë e pazakontë në Rusi, ku media shtetërore kontrollohet rreptësisht.
Pas protestës së saj, ajo u ndalua dhe u mor në pyetje për 14 orë përpara se të lirohej dhe u urdhërua të paguante një gjobë prej 30,000 rubla (280 dollarë).
Por ajo mund të përballet me ndjekje të mëtejshme, duke rrezikuar vite burg sipas ligjeve të reja. / KultPlus.com
Xhavit Beqiri njihet për shkrimet e tij me veçori gjuhësore dhe stilistike. Është autor i tri botimeve me poezi dhe i katër librave diskursivë. Krijimet e tij janë prezantuar te disa antologji shqip dhe gjuhë të huaja. Poashtu ka botuar një numër të konsiderushëm analizash, recensionesh dhe ese në të cilat ka trajtuar dukuri të ndryshme (socio)linguistike dhe vepra të autorëve tanë dhe të huaj. Shumë vonë hodhi në treg veprën “Shtëpia Në Breg” me proza të shkurtra poetike në të cilat autori dërgon drejtëpërdrejtë në një lloj imagjinate dhe në një kujtesë shumë të hershme, me një farë mënyre përplasë me dallgët e jetës së tij dhe njëkohësisht edhe protagonistëve që i paraqet brenda veprës. Me veprën “Shtëpia Në Breg” autori secilën nga prozat poetike i klasifikon me tituj përfaqësues, pra duke i paraqitur në nëntë cikle; Buzëqeshje N’andërr, Zemra e Territ, I Kthyeri, Otava, Pamje hyjnore, Bariu i mirë, Zemra e Tokës si dhe Udha. Secili prej tyre ka nga shtatë proza poetike, ku numrin shtatë autori e paraqet si simbolikë. Duke dhënë një laramani temash e motivesh aq sa duken të verteta apo reale aq bëjnë edhe për vete të futemi brenda busullës të ngjarjeve të llahtarisura e me plot befasi.
Misteri element thelbësor tek “Shtëpia Në Breg”
Prozat e shkurtra poetike paraqesin një vijë mes një realiteti dhe një ëndrre. Është pikërisht misteri që i përfaqëson personazhet e shtjelluar nga autori e që i shpie në një hutim apo edhe kaplimi i një frike se çfarë do të ndodhë tutje, mirëëpo prapë ata janë të gjendur në melankolinë e natyrës, edhe pse tërbimi pa dyshim ishte i pranishëm në dallgët e lumit, një lum i tërbuar e i frikshëm, zemërim i zi e që lidhet me zemërimin e njeriut. Ndjesitë e personazheve brenda prozave poetike kaplohen nga ambienti edhe toka qe ata jetojnë. Fshatin e dhënë tek kjo vepër autori e paraqet me një gjallëri, por duke e kthyer në një idilë të jetës së qetë, kur pothuajse shuhet çdo gjë dhe për një moment mbizotëron Apokalipsi. E këtë e vërejmë pikërisht tek proza “Apokalipsi”. Gjatë tërë kohës tretej diçka në mendjen e secilit, koka e tyre ngopej nga hutitë e gjithë kjo mbetet një mister në jetë. Një gjë e tillë e shoqëron edhe gjithë vendin, e kjo qëndron tek “Shtëpia Në Breg” se përkundër furtunave rrënjët e saja mbesin po në atë vend. Koha, hapësira, vendi që zhvillohen këto ngjarje, specifikohen nga një imazh duke e esencializuar pjesën shpirtërore dhe atë jetësore. Një pikë interesante që trajtohet brenda këtyre prozave poetike është njeriu si qenie e mirë. Por thelbi i kësaj që paraqitet nga autori, është ajo fshehtësia e misterit, që duhet të ekzistojë mundësia që të jesh në parajsë, pra në mbretërinë e mrekullueshme të Hyjit krijues, nëse ai ka mëshirë për ty. Është krejt njësoj nëse ti e ke dëshiruar një vend në mbretërinë qiellore,me një përkufizim përmbyllës sa je një dhuratë në tokë, aq je edhe një asgjë. Ajo çka na bie në sy në kuadër të prozave poetike është përmendja e Zotit shpeshherë autori e lartëson lart e më lart dhe është për t’u lartësuar, ku çdo gjendje, veprim, çkado qoftë tjetër, autori e specifikon që varet nga vullneti i Zotit.
Koha e kaluar në relacion me ndjenjat e njeriut
Jo të giitha ngjarjet janë të vërteta, lidhja e tyre është me ngjashmërinë e të vërtetës, jo efekti i të vërtetës, por pasqyrimi i të vërtetës. Koha e kaluar si një kohë e specifikuar shpie në një ndjeshmëri tepër të lartë, mirëpo ndikimin e lartë të kësaj periudhe e gjejmë edhe tek personazhet, një kohë e kaluar por në përputhshmëri me dashurinë, epshin, lumturinë e harmoninë, le të themi edhe si një lloj sfide në jetën e tyre. Ndjenja e tyre është një ndjenjë krejtësisht e pastër por me një torturë që po ndodhte me veten e tyre. Ndjenja për t’u bërë i dobët para një personi tjetër përcjellet tek njeriu e kjo shihet me së miri tek mashkulli para një vajze, paraqitja e ndjenjave është hezitim pra si një fëmijë i ndrojtur, por shpërthimi i një ndjenje atëherë autori e vënë në situatë të duhur, me forcën e mbledhur për ta shprehur atë ndjesi, e këto elemente autori i paraqet në mënyrë autobiografike që më së miri edhe di t’i realizojë. Kujtimet e kaluara tashmë ishin të zbehura, kthimi i autorit në vendin e tij ishte diçka krejtësisht e pa njohur, duke u ndalur apo ngecur në atë çka vetë autori e paraqet që sado që të na dhembë e shkuara, gjithmonë është një e nesërme që na pret krahëhapur në bregun tjetër të lumit.
Gjuha, simbolika dhe figuracioni
Gjuha në të cilën autori i shkruan këto proza është një gjuhë e pastër, në gegërishten verilindore, mandje me tone të të folurit lokal, që lidhet me të folurit e të parëve, ku pastaj kalon në standarden. Sa i përket figuracionit ajo ҫka vë në pah me së shumti autori është figura e krahasimit ku në tregimin “Mirënjohja” rënien e njeriut në Botën e poshtme e krahason me mënyrën si bien gjethet e verdha në vjeshtën e tretë. Element tjetër krahasues shihet edhe tek tregimi “Kur dole ti” që daljen, mbylljen e derës së shtëpisë nga Vasha e zemrës, autori e vë në krahasim me mbylljen e kapakut të arkës së varrit. Madje se zemra e saj dhe ai zjarr që ajo posedon ishte më i nxehtë se secili zjarr që po e shponte zemrën e tij. Simbolikën e dhënë nga autori e gjejmë tek tregimi “Guri i jetës” i cili njofton me vetminë e tij shoqëruese gjatë tërë kohës, e që ngushëllimi i vetëm ishte një mulli i vjetër ku aty e priste muhabetin me të tjerēt, përkundër mungesës së personit me të afërt të zemrës është njeriu si guri që e tejkalon edhe këtë gjendje.
Imagjinata, bëhet kategoria thelbësore e kësaj vepre, të cilën autori e fillon me imagjinaren, e zhvillon mbi premise imagjinative dhe e përfundon pikërisht me këto premise, duke ngjallur kështu një kureshtje që nga fillimi e deri në mbarim të veprës. Në mënyrë shumë simbolike, një dritare e lënë hapur është aty për të kuptuar se çfarë po ndodhë, për të parë jetën brenda kornizave të mundshme. Rrjedhja e ngjarjeve lehtësohet me një butësi te vetë situatave duke lënë vetë një shenjë se gjithçka përfundoi, gjithçka u kthye në fillim duke e parë vetën buzë ure, e duke mos ndjerë qoftë një lehtësim të vetëm, por veçse në mendje vie koha e ecur aq shpejtë.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë shqipe, Fakulteti i Filologjisë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot shkrimtarin Petro Marko, në kuadër të “Muajit të letërsisë”.
Margariti solli në vëmendje disa fjalë të thëna prej tij, “Për mua kufiri ishte i papërcaktueshëm. Edhe kjo është një nga dhimbjet e mia. E dua Kosovën gjer në dhimbje, se është Shqipëri”.
“Me dhimbjen e bukur të Petro Markos, që e tejkalon veç dashuria dhe arti, ju uroj një javë të mbarë”, tha Margariti.
Petro Marko lindi më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës. Kreu shkollën Tregtare të Vlorës. Më 1 mars 1936 botoi numrin e parë të së përdyjavshmes letrare “ABC”. Po atë vit vajti në Luftën Civile të Spanjës me një grup prej dyzetë shqiptarësh dhe hyri në repartin Garibaldi të Brigadave Ndërkombëtare.
Në Madrid, së bashku me Skënder Luarasin, filloi botimin e një reviste me 20 faqe në gjuhën shqipe me titullin “Vullnetari i Lirisë”, që doli vetëm dy numra. Më 1940 u shtrëngua të kthehej në atdhe nga mërgimi në Francë. Një vit më vonë u arrestua nga italianët dhe u internua bashkë me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin Ustika në detin Tirren.
Në tetor 1944 u kthye në Shqipëri si partizan. Pas disa vitesh si kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” më 1947 u arrestua nga komunistët dhe u burgos në Tiranë. Pas rënies së Koçi Xoxes, u lirua dhe u lejua të punonte si mësues në Tiranë. Pas botimit të romanit “Një emër në katër rrugë” (Tiranë,1973), iu ndalua botimi për një periudhë prej tetë vitesh. Vdiq në Tiranë, më 27 dhjetor 1991.
Veprat e tij më të mira janë cilësuar: “Hasta la vista”, Tiranë,1958; “Qyteti i fundit”, Tiranë, 1960; “Rrugë pa rrugë”, Tiranë 1964; “Nata e Ustikës”, Tiranë 1989 etj./k.s/ KultPlus.com
Në vitin e Kryeqytetit Evropian të Rinisë, Tirana themelon një strukturë të re kushtuar artit, kulturës dhe teknologjisë. Agjencia e Industrisë Kreative është institucioni më i ri në varësi të bashkisë së këtij qyteti, që ka si qëllim kryesor zhvillimin e industrisë, sipërmarrjes dhe ekonomisë krijuese.
“Kjo agjenci është si një pikëtakimi për artin dhe kulturën në Tiranë. Do të kujdeset për disa asete të bashkisë së Tiranës, siç është kinemaja “Maks Velo” në Laprakë, kinema “Agimi”, një kinema klasike e qytetit, por unë besoj se aseti më i madh në këtë qytet janë njerëzit dhe teksa shoh fytyrat e shumë prej jush, që ju kam takuar stacione të ndryshme të jetës sime, them se më në fund, si përfaqësues dhe shërbëtor i këtij qyteti, kemi edhe një agjenci që do të jetë në të njëjtin nivel me ambiciet dhe ëndrrat që ju keni dhe ku ne mund të jemi sadopak të dobishëm”, tha Veliaj, gjatë ceremonisë së hapjes së Agjencisë së Industrisë Kreative.
Programi i Agjencisë së Industrisë Kreative do të ndikojë në fushën e artit, të filmit, kinemasë, ariktekturës, dizajnit, modës, turizmit, prodhimeve audio vizuale, të rekreacionit dhe të teknologjisë. Agjencia e Industrisë Kreative synon rivitalizimin e kinemave të qytetit, si e famshmja Kinema Agimi, si dhe ngritjen e zyrës së filmit në Tiranë.
Kjo do të realizohet përmes një ekipi tërësisht të krijuar nga vajza dhe djem të rinj, ekspertë të njohur, të ardhur nga fusha të ndryshme, të cilët do të angazhohen për të krijuar strategji, aktivitete, shërbime, trajnime dhe hapësira të dedikuara për individë dhe sipërmarrje aktive në Tiranë.
Tregu global ka dyfishuar kërkesën e tij për prodhime kreative përgjatë viteve të fundit, falë zhvillimit të jashtëzakonshëm të teknologjisë dhe rrjeteve sociale, përdoruesit e përfituesit më të mëdhenj të këtij boom-i mbeten të rinjtë./ atsh/ KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta ka nderuar sot rilindasin e ndritur, Aleksandër Stavre Drenova (ASDRENI), autorin e himnit tonë kombëtar, në 150-vjetorin e lindjes.
Meta vlerëson Asdrenin si një nga frymëzuesit më të spikatur të popullit shqiptar.
“Në 150-vjetorin e lindjes, nderojmë sot kujtimin e paharruar dhe veprën e shquar të atdhetarit, patriotit të madh dhe rilindasit të ndritur, Aleksandër Stavre Drenova (ASDRENI), autorit të Himnit tonë Kombëtar dhe një prej frymëzuesve më të spikatur të popullit tonë në luftën për pavarësi, krijim të shtetit të lirë shqiptar dhe emancipim shoqëror”, shprehet ai.
Meta publikoi edhe një video të rrallë të viti 1929 të këndimit të himnit kombëtar.
“Në këtë ditë, po ndaj me ju një filmim të rrallë me zë dhe figurë, të vitit 1929 në Tiranë, më të vjetrin e publikuar deri më tani të këndimit të Himnit Kombëtar, të prezantuar nga akademiku i njohur, Vasil Tole”, shprehet Meta. / KultPlus.com