Ashanti është artistja e radhës e nderuar me yll në Hollywood

Këngëtarja Ashanti u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood. Me këtë rast, këngëtarja, aktorja dhe autorja e famshme, u vlerësua për karrierën e saj të suksesshme.

Në zbulimin e yllit të saj, ajo shoqërohej nga familjarët e saj, bashkëpunëtori i kamotshëm, Ja Rule dhe aktorja, Tichina Arnold, raporton agjencia e lajmeve “AP”.

Të pranishmëve në ceremoni, fituesja e çmimit “Grammy” u tha se nuk është persona që qan lehtësisht, por megjithëkëtë e pati të vështirë t’i përmbajë lotët kur foli për rrugëtimin e saj drejt suksesit.

“Së bashku kemi sakrifikuar shumë për të arritur në këtë pikë. Ju dua shumë të gjithëve. Kemi përjetuar sfida të mëdha dhe momente mjaft të errëta, prandaj të jesh këtu sot duke e festuar jetën bashkë me miq dhe familje, është një ndjenjë e veçantë për mua. Jam shumë falënderuese”.

Ashanti nuk ngurroi ta falënderojë edhe stafin e saj, që ka punuar me shumë mund dhe përkushtim, e ka përkrahur atë në çdo hap të karrierës si dhe e ka mbrojtur çdo herë nga personat e ligë të industrisë së muzikës.

Reperi Ja Rule me të cilin këngëtarja i ka realizuar disa hite të suksesshme, si “Always On Time”, “Happy” dhe “Mesmerize”, para të pranishmëve deklaroi: “Kam 20 vjet që e njoh Ashantin dhe më kujtohet kur e takova për herë të parë, ajo ishte e thjeshtë në dukje e veshur me një bluzë të gjerë, dhe e kalonte gjithë kohën në studio incizuese duke iu dedikuar këtij arti të quajtur muzikë. Është shumë e vështirë për një artist ta menaxhojë jetën dhe karrierën në mënyrën si e ke bërë ti, dhe ta shndërrohet në personin që t’i je sot në këtë industri. Thjeshtë dua të të them se jam shumë krenar me ty. Të dua”.

Ylli i hitit “Foolish”, Ashanti, gjatë karrierës së saj i ka lansuar gjashtë albume të incizuara në studio, i ka pranuar tetë shpërblime “Billboard”, një “Grammy”, dy çmime “American Music Awards”, dy “Soul Train Awards” dhe gjashtë shpërblime “ASCAP”. Ajo e ka fituar një vend në librin e rekordeve botërore “Guinness”, si artistja debutuese me më së shumti albume të shitura. Po ashtu e gëzon një karrierë si aktore, duke luajtur në disa filma dhe seriale televizive. / KultPlus.com

Kumbaro: Shqipëria potencial për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro falënderoi sot BERZH-i për mbështetjen e agrobiznesit dhe turizmit në Shqipëri, ndërsa theksoi se “turizmi është pa asnjë dilemë e ardhmja e Shqipërisë, në të gjitha format e tij si eko turizmi, turizmi natyror, agroturizmi dhe turizmi detar”.

Në fjalën e saj në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së huasë për programin e BERZH-it për mbështetjen e Agrobiznesit dhe Turizmit, Kumbaro Shqipëria ka potencial për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë muajve të vitit. Në vitin 2019 që e quajmë një vit të mirë për turizmin kemi pasur një numër prej 6.4 milionë turistësh të huaj në vit që shkon 3 herë më shumë se sa është popullsia rezidente”.

“Viti 2020 ishte një vit i keq për të gjithë për shkak të pandemisë, por në fakt interesante është si reagoi Shqipëria, biznesi dhe ekonomia rurale në atë vit. Duke qenë se ishte kryesisht turizëm vendas, turizmi vendas me 2.5 milionë vizitorë të huaj bëri një eksplorim të territorit të Shqipërisë dhe i dha arsye investitorëve të vegjël apo të mesëm në zonat rurale të kuptojnë se që prodhimi i tyre nuk është thjesht konsum që shitet ne tregje, por në fakt territori dhe pasuritë që ata kanë është një aset fantastik për të zhvilluar një ekonomi të re dhe turizëm”, nënvizoi Kumbaro.

Sipas saj, iu dha një rëndësi e madhe agroturizmit duke zgjeruar hartën jo thjesht nga bregdeti në thellësi të vendit, jo nga plazhi në mal, por edhe në lumenj, pyje e ne kulinari që sot është një atraksion më vete turistik.

“Në vitin 2021 shkuam në 5.6 milionë vizitorë të huaj dhe dy muajt e parë të këtij viti ishin 10 mijë turistë të huaj më shumë se e njëjta periudhë e viti të kaluar”, tha Kumbaro. / k.s / KultPlus.com

“South Outdoor Festival”, 5 ditë aktivitete për promovimin e turizmit

“South Outdoor Festival” në edicionin tij të pestë do të sjellë në bregdetin e Borshit, Sarandë, 5 ditë të mbushura me aktivitete të shumta.

Ky aktivitet, që do të zhvillohet nga 29 prilli deri në 5 maj në rivierën e bukur shqiptare, ka për qëllim promovimin e turizmit të qëndrueshëm gjithëvjetor në fshatrat e bregdetit jonian, si një kombinim i turizmit të detit me atë të traditës e aventurës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot videon promovuese të këtij aktiviteti që mbledh turistë të shumtë vendas e të huaj.

“Si mund ta fillonim më me ritëm sezonin se sa me South Outdoor Festival. Në edicionin e pestë vjen me ditë festë mes sporteve, muzikës, kulinarisë lokale dhe lojërave. Të gjitha nën frymën e mjedisit, riciklimit dhe të ardhmes së gjelbër që na duhet. Nga data 29 prill deri në 3 maj, rezervoni në #Borsh për të shijuar shumëçka që ofron mrekullia e rivierës së jugut”, tha Kumbaro.

Turistët vendas dhe të huaj si dhe të rinjtë do mund të shijojnë në këtë festival aktivitete sportive në natyrë, lojëra, argëtime por edhe ture kulturore e mbrëmje festive, të gjitha këto nën shijen e kuzhinës tradicionale dhe pamjeve magjepsëse të Jugut.

Përgjatë 5 netëve të festivalit, do të performojnë këngëtarë dhe grupe të njohur shqiptarë dhe të huaj si: Feddle Le Grand, Kadebostany, Eiffel 65, Elvana Gjata, Elita 5, Eugent Bushpepa, Madman’s Choice, Offchestra, Gipsy Grove, Sardi Strugaj, Kullua, Mixed Up Everthing, Urban Band, Abelomania, Mickey, Goce, Aldo Boocky Elio Lleshi, Equinoxx, Liburn, etj.

Ky është edicioni i pestë i këtij festivali që zhvillohet në vendin tonë dhe tashmë është kthyer në traditë.

Borshi është një nga fshatrat më të mëdhenj të Shqipërisë së Jugut dhe është shumë i njohur për fushat e ullishteve, prodhimi i vajit të ullirit si dhe për plazhin e gjerë (7 km të gjatë) të krijuar nga delta e lumit. Ai karakterizohet nga një diversitet i jashtëzakonshëm gjeologjik, një përzierje e detit, maleve dhe burimeve të mahnitshme natyrore, si dhe një trashëgimi e pasur kulturore, traditë dhe kuzhinë të shijshme që e bën atë ideal për të gjitha llojet e aktiviteteve në natyrë dhe një destinacion perfekt turistik./k.s/ KultPlus.com

UP-ja e 3.027-a në botë, vetëm Universiteti i Tiranës më dobët nga ato të rajonit

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” radhitet i 3.027-i në ranglistën prestigjioze “Webometrics”, ku rangohen të gjitha universitetet botërore për cilësi.

E kjo pozitë i mjafton UP-së që të jetë institucioni arsimor i dytë më i dobët nga ato publike në rajon. Vetëm Universiteti i Tiranës qëndron më keq, në vendin e 3.786-të.

Sa u përket universiteteve publike të rajonit, ai i Beogradit renditet më së miri – i 447-i, pastaj Universiteti i Zagrebit i 571-i, Universiteti i Sofjes 988-i dhe Universiteti i Podgoricës i 1.939-i.

Në vitin 2019, UP-ja kishte shënuar ngritje rekorde, duke u renditur në vendin e 1471-të në botë, por në vitet e fundit ka pësuar rënie të dukshme.

Kësaj rangliste i prin Universiteti i Harvardit.

Sa u përket universiteteve në Evropë, mes 10 më të ranguarave, 7 janë nga Britania e Madhe./ Koha.net / KultPlus.com

Zelensky: 938 institucione arsimore dhe pothuajse 300 spitale të shkatërruara në Ukrainë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i është drejtuar Parlamentit të Koresë së Jugut, ndërsa vazhdon thirrjen e tij për ndihmë ndërkombëtare.

Ai tha se forcat ruse kishin shkatërruar 938 institucione arsimore dhe pothuajse treqind spitale që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt.

Zelenskyy tha gjithashtu se trupat e Kremlinit kishin shkatërruar ‘me vetëdije’ zonat e banuara dhe qytetet me tanket dhe artilerinë e tyre.

“Tani kemi vetëm rrënoja në vend të qyteteve normale paqësore. Ne nuk mund të numërojmë as numrin e vdekjeve”, tha ai.

Udhëheqësi ukrainas tha se ekipet e urgjencës në veri të vendit po vazhdonin të pastronin rrënojat pas bombardimeve ruse, por një pjesë e rajonit ishte ende një fushëbetejë aktive.

Ai vazhdoi duke thënë se pushtuesit rusë kishin dërguar mijëra ushtarë dhe një numër kolosal pajisjesh në vend, në një përpjekje për të përgatitur sulme të reja.

Duke trajtuar situatën e rëndë në Mariupol, Zelensky tha se qyteti i rrethuar kishte mbetur i bllokuar që nga 1 marsi, me autokolona ushqimore të paaftë për të hyrë. / Klan Kosova / KultPlus.com

In this image from video provided by the Ukrainian Presidential Press Office, Ukrainian President Volodymyr Zelenskyy speaks from Kyiv, Ukraine, early Monday, March 21, 2022. (Ukrainian Presidential Press Office via AP)

“Kur ta ktheva Kosovë shpinën”, dhimbja për vendlindjen e shprehur përmes këngës nga Dervish Shaqa

Sot janë bërë plot 37 vite nga vdekja e rapsodit Dervish Shaqa.

Dervish Shaqa ishte rapsod i shquar popullor dhe i njohur në të gjitha trevat shqiptare. Shaqa lindi në Llukë të Epërme të Deçanit më 1912 dhe vdiq më 11 prill 1985.

Devish Shaqa deri në vitin 1956 jetoi në Kosovë, mirëpo në këtë vit iu desh të lëshonte Kosovën për shkak të përndjekjes nga aksioni i njohur “mbledhja e armëve” që ndërmerrte në atë kohë Sigurimi i Punëve të Brendshme i Jugosllavisë (UDB-ja) kundër shqiptarëve.

Ai së bashku me kolegun e tij të këngës Demush Neziri, u vendosën në Rashbull afër Durrësit. Aty e vazhdojë shprehjen e ndjenjave nëpërmjet këngës që për të ishte e vetmja mënyrë e shprehjes së dhimbjes që kishte për familjen dhe vendlindjen që për të ishin të ndaluara. Këtë e shpreh në këngën “Kur ta ktheva Kosovë shpinën, e lame borë e gjetëm dimën…”.

Dervish Shaqa në Shqipëri e vazhdoi traditën e këndimit të historisë së vendlindjes së tij. Në vargjet e këngëve të tij të përcjella me çifteli përshkruhen kullat e gurta të Dukagjinit, figurave kombëtare, patrioteve te devotshëm, trimave e luftëtarëve të atdheut.

Në Rashbull, Dervish Shaqa arrin të themelojë e të udhëheqë grupin e rapsodit. Po me këtë grup në vitin 1968 prezantohet për herë të parë në Festivalin e Folklorit Kombëtar ne Gjirokastër.

Që nga kjo kohë së bashku me kolegun e tij rapsodin Demush Neziri prezantojnë një sërë këngësh të cilat për disa gjenerata ende janë të njohura si p.sh.: “Ç`janë këto gjamë që i bjen era”, “Prej Prokuplje deri n`Nish”, “Moj e mira porsi bora”, këngët për Azem dhe Shote Galicën, Nak Berishën e shumë të tjera…

Pjesa më e madhe e regjistrimeve muzikore të bëra nga Dervish Shaqa dhe kolegu i tij gjenden në arkivin e Radio Tiranës.

Përpos këngëve popullore dhe të përpunuar nga ai vetë, për Dervish Shaqën ka kompozuar edhe kompozitori Tish Daija si këngën “Festë të madhe ka sot Shqipëria” që për disa vite ka dominuar në përsëritjen e saj në Radio Stacionin e Tiranës

Populli ku ai kalojë pjesën më të madhe të jetës së tij e mban mend si këngëtar të lindur që këndon për këngën dhe jo për para. / KultPlus.com

“Pse qesh, je para trupit gjykues”, një grua përballë regjimit komunist

Kur vajza e saj e adoptuar e pyeste Meshan Çinin nëse ishte penduar për zgjedhjet që kishte bërë në jetë, 80 vjeçarja do i përgjigjej: “Njeriu në jetë zgjedh për t’u mbajtur mend për diçka. Dikush për pasuri, dikush për famë, dikush për aventurë. Unë doja të mbahem mend për besnikëri. Ia arrita qëllimit”.

Kjo është vetëm një copëz e historisë së një gruaje, jeta e të cilës mori të tatëpjetën që në rininë e saj për shkak të persekutimit të regjimit komunist. Historia e një gruaje, e cila pavarësisht të gjitha sprovave, vendosi të qëndrojë e fortë dhe nuk u thye nga vështirësitë e jashtëzakonshme që provoi përgjatë gjithë jetës.

HISTORIA

Meshan Çini u lind në vitin 1928 në Delvinë, në një familje patriotike dhe të pasur. Por shumë shpejt jeta e saj do të merrte të tatëpjetën me ardhjen në pushtet të regjimit komunist.

Në moshë të re ajo u fejua me Selman Ndreun, anëtar i një tjetër familje patriotike që luftoi për vendin. Por në vitet pas luftës, regjimi vendosi t’i arrestojë, internojë e torturojë anëtarët e familjes Ndreu.

TAKIMI NË BURG

Siç ka treguar vetë Meshani, ajo shkonte përherë në burg për të takuar të fejuarin, i cili i kishte thënë se nuk kishte pse të vinte më, duke patur parasysh se më e keqja mund të ndodhte edhe për të.

Edhe më thotë i fejuari im, Selmani: “Ke të drejtë të më lësh sepse je shumë e re”.

-Atë se çfarë do bëj, është punë për mua. Kam ardhur të të pyes, çfarë nevoje ke? Se të lë apo nuk të lë, është puna ime.

Në këtë kohë, Hito Çako (kolonel, pjesë e hetuesisë, por i njohur Mershanit) thotë…”do dënohet me 101 vjet, mund edhe të pushkatohet”.

-Po u dënua me 101, boll që të vete ta shikoj në derë të hekurit, thashë.

Unë deri në atë minutë nuk kisha menduar që do ta lë apo nuk do ta lë. Kur më tha Hito Çakoja që ta lija dhe “do ta dënojmë me 101 vite”, m’u mbush mendja që nuk do ta lë.

-Selman,- i thashë,- rri i qetë. Ç’nevojë ke, unë nuk të lë deri në vdekje.

-I kanë torturuar shumë. Kur dilte jorgani i tij, gjithë gjak. Në atë kohë thoshin “torturat e Koçi Xoxes”. Pasi i nxorën në gjyq, i dënuan, i çuan në burg në Kalanë e Gjirokastrës. Shkova i pashë. Ishin 11 vëllezër në burg, me gjithë këtë timin. Në Burrel, kam shkuar i kam parë, në Peshkopi po, në Tiranë po, gjithandej. 

ARRESTIMI I MERSHANIT

Në ‘52-shin isha në Kavajë, në shtëpi, me grip spanjoll. Venë te ajo që mbante librin e pasaportizimeve. Panë librin që isha unë atje. Djali i vogël i motrës thotë: Erdhën ata, pyetën për abllanë. Në orën 3.00 të natës, bie dera. “Deshëm pak Meshanin, sa për një pyetje, në Degën e Brendshme të Kavajës”. Unë u ngrita. Nuk më lanë as të krihesha. Hodha një rrobdishan mbi këmishën e natës dhe pallton sipër. Motra më ndiqte. “E sjellim ne”,- thanë ata.

Më lanë përjashta, te Dega e Brendshme, deri në 7.00 sa erdhi kryetari i Degës, Banush Veliu. “Do ikim deri në Durrës!” Thotë motra: “Do vij dhe unë”.

“Jo, do ta bie unë”, tha ai. Më morën me tren, jo me xhips sepse nuk donin të binin në sy sepse më njihte gjithë Kavaja, vajzë shumë e re, që ndjek burrin burgjeve, më njihnin njerëzit. Shkuam në Degën e Brendshme, kryetar dege ka qenë Jashar Kazimati, hetuesi im ishte Sotir Xharja. Sekretar: Vesel Damsi.

Më futi në zyrë. -Mirëmëngjes, i thashë unë.

-Je e arrestuar!-ai.

Unë u mbështeta te muri. U mpiva e gjitha. U shtanga. Pse të isha e arrestuar? E dija që nuk kisha bërë asgjë.

Më bëri ca pyetje. “Në birucë”,- thotë. Unë isha e sëmurë. Atje biruca gjithë ujë. I bija derës. Kërkoja të shkoja në tualet. –“Aty ta bësh!” Vetëm se nuk qava ndonjëherë, nuk ua bëra qejfin. Më rrahën në hetuesi. Ishte shumë kriminel hetuesi im. Një fjalë, një grusht. Një fjalë një grusht. Kur më goditi te veshi që më çau timpanin, donte të më godiste në fytyrë, ktheva kokën, më goditi këtu, m’u nxi menjëherë syri.

Katër muaj hetuesi.

PËRBALLJA PARA GJYKATËS

Dola në gjyq. Kisha avokat sepse më kishte sjellë motra. I thashë: Çfarë kemi?

Ai më tha: Rrezikun tënd një fije floku e ndan.

-Do më pushkatojnë?-i thashë. Ika u ula në vend. Dëgjoja nga prapa personelin e gjykatës: Pu, pu gjynah si do e dënojnë këtë kreaturë!

Unë mblodha veten dhe mendova: “Shiko Meshan, siç t’i kanë vënë të gjithë titujt e mirë, mba dhe trimërinë!” Dhe qëndrova e fortë. Filloi seanca. Thotë: Ke qenë me profesion peshkatare? Unë qesha me ironi. -Pse qesh? Je para trupit gjykues.- Po, i thashë, unë as nuk i kam parë peshkatarët, jo të jem vetë peshkatare.

-Ti,- tha- nusja e djalit të Cen Elezit, ti, krushqi me Hysni Demën, ka qenë komandant i përgjithshëm, dibran, u arratis, burrin e motrës, Syrja Golja, dibran dhe ai, në burg. M’i numëroi. Vajzën e Shefqet Vërlacit, shoqe të ngushtë.

-Të gjithë këta më kanë gjetur, s’i kam gjetur unë, i thashë.

Filloi seanca. Pretenca 25 vjet burg.

-Ç’kërkon,- tha,- për herën e fundit?

-Asnjë gjë, thashë. Deshën të kërkoja mëshirë. Siç më thoshte hetuesi: Fol, se po të thuash të vërtetën, nga ne do kesh privilegje. I thashë: Aq sa vihet gjarpri në gji, aq besohet fjala juaj.

Po këtë parrullë, ku e gjete?-më thanë.

Më lindi tani spontanisht,- u thashë.

Vendimi: 20 vjet burg

Nuk kërkova mëshirë. 20 vjet burg, sekuestrim i pasurive të tundshme, të patundshme. Po ku kisha unë? Të gjitha m’i kishin marrë, edhe rrobat e trupit dhe orën e dorës që e kisha në shtëpi.

I fejuari i Meshanit doli para saj nga burgu dhe u internua në Llakatund. Kur mësoi për burgosjen e saj u sëmur dhe ndërroi pak vite më vonë. Meshani ende nuk kishte dalë nga burgu kur i erdhi letra se Selmani kishte vdekur.

Një vit më vonë ajo del prej burgut (viti 1963).

“Unë kudo që të veja duhet të lajmëroja të plotfuqishmin që sot jam te filani se po të mos lajmëroja, do i  hidhnin gjobë të zotit të shtëpisë. Unë kudo që veja, nuk lajmëroja, shkoja fshehurazi. Rrija në Mëzez, te Nishtullat, në Tiranë, dhomë me baltë pa tavan, në Yzberisht. Qepja. Me lagjen e kisha mirë, grurë.

Në ’91-shin, vij në Delvinë, sepse më kërkonin një dëshmi kur kishte vdekur babai im, për një pronë që kishim në Greqi. Atje mora vesh sesi arratiseshin”-tregonte Mershani.

Meshani nuk u martua kurrë. Adoptoi një vajzë dhe pjesën e mbetur të jetës e lidhi me të. Fillimisht u largua në Greqi e më pas u nis drejt Kanadasë, atje ku kishte një vëlla që ishte arratisur dekada më parë përmes Jugosllavisë. Takimi i tyre, pas dekadash, është kujtuar nga vajza e Meshanit, Edlira, e cila tregonte se e ëma ishte me paterica pasi kishte thyer këmbën në një aksident, ndërsa i vëllai, Jaho, ishte në karrocë për shkak të moshës së thyer.

Meshani u shua në Kanada në vitin 2017, e lumtur dhe pa pengje në jetën e saj. Kur e bija e pyeste nëse ishte penduar, ajo i përgjigjej: “Njeriu në jetë zgjedh për t’u mbajtur mend për diçka. Dikush për pasuri, dikush për famë, dikush për aventurë. Unë doja të mbahem mend për besnikëri. Ia arrita qëllimit”./ Kujto.al / KultPlus.com

Në Britani të Madhe u shfaq premiera e filmit epik “The Northman”

Alexander Skarsgård dhe Anya Taylor-Joy, parakaluan mbi qilimin e kuq të shtruar për premierën e filmit të tyre historik, “The Northman”, në Londër.

Filmi i cili vjen me regji të Robert Eggersit, i njohur për filmat “The Witch” dhe “The Lighthouse”, është një triler epik i hakmarrjes. Ai e eksploron historinë e një princi viking dhe faktin se sa larg është i gatshëm të shkojë, për ta siguruar drejtësinë për babanë e tij të vrarë.

Skenari është bashkëshkruar nga Eggers dhe shkrimtari e poeti islandez, Sjón, raporton agjencia e lajmeve “AP”.

Xhirimi i filmit në Irlandën Veriore ishte një proces i komplikuar dhe i shoqëruar me disa sfida. Pandemia e koronavirusit shkaktoi vonesa diku rreth pesë muaj dhe aktori protagonist, Alexander Skarsgård, i cili kishte kaluar muaj të tërë duke formuar muskuj për këtë rol, u detyrua të vazhdojë ta mbajë dietën e ashpër dhe të presë deri sa ekipit të filmit t’iu mundësohej rikthimi në punë.

“Ky është një moment emocional për mua. Realizimi i këtij filmi ka qenë një aventurë e jashtëzakonshme, një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë për të arritur deri në këtë premierë. Prandaj, të jem i sinqertë, po ndihem paska i emocionuar”, tha Skarsgård.

Edhe Anya Taylor-Joy e cila në të kaluarën ka luajtur në filmin e regjisorit Eggers, “The Witch”, ishte përballur me vështirësi të shumta gjatë xhirimeve të këtij projekti. Gjëja më e vështirë për aktoren ishte t’i bënte ballë të ftohtit.

Në premierë ajo tregoi se për të, bashkëpunimi më regjisorin ishte i lehtë pasi e njeh mirë stilin e tij të punës.

“Të jem e sinqertë, unë kurrë më parë nuk kam parë diçka të tillë. Çdo skenë e filmit është kaq tërheqëse vizualisht, dhe mendoj se performancat që të gjithë aktorët i kanë bërë dhe përkushtimi që ata kanë dhënë për këtë projekt, janë vërtet të veçanta. Kjo ishte një eksperiencë e paharruar për mua”, shtoi aktorja.

Regjisori i filmit tha se, Skarsgård, po ashtu ishte një person i cili kërkonte që gjërat të realizoheshin në mënyrë të përkryer.

“Alexander ishte shumë i përkushtuar dhe dëshironte ta arrinte perfeksionin absolut në këtë film. Dhe sado që ankohej se po e çmendja me kërkesat e mia për t’i rixhiruar skenat, më kujtohen disa raste kur ishte vet ai i cili kërkonte ta përsërisnim ndonjë skenë, ngase dëshironte që gjithçka të ishte e përkryer”, deklaroi Eggers.

Pjesë e kastës së aktorëve të filmit janë edhe yjet: Ethan Hawke, Nicole Kidman, Willem Dafoe, Claes Bang, Bill Skarsgård dhe këngëtarja Björk.

Historia e filmit bazohet në një përrallë popullore skandinave që gjithashtu e frymëzoi tragjedinë e William Shakespearet, “Hamlet”.

“The Northman” lansohet nëpër kinematë e Britanisë së Madhe më 15 prill, kurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës fillon së shfaquri nga 22 prilli. / KultPlus.com

Adem Demaçi: Profesor Zekeria Rexha guxoi të na i hapte sytë…

Nga Adem Demaçi

Në klasën e shtatë na u shtuan edhe disa lëndë të reja: latinishtja e psikologjia. Këto lëndë bashkë me frëngjishten na i jepte Zekeria Rexha. Ky ishte një burrë shtatmesëm, zeshkan, me syze prapa të cilave qëndronin sytë e mëdhenj e të zi. Ky ishte fort i përkushtuar që të na pajiste me dije. Para lufte kishte pas qenë nxënës i Liceut francez të Korçës dhe kishte pas studiuar në Francë. Kishte marrë pjesë në luftën antifashiste dhe pas luftës, për disa kohë, kishte qenë në post të lartë, mirëpo serbët e kishin pas shkarkuar nga detyra dhe i kishte ardhur radha që të na bëhej profesor. Djali i tij, Dukagjini, ishte në klasë me ne, por ai kurrë nuk pranonte që të fliste çfarëdoqoftë për babain e vet. Ne kishim dëgjuar nga fjalët në qytet se ai ishte shkarkuar për shkak se kishte kundërshtuar turqizimin me zor të shqiptarëve. Ishte tejmase tolerant me ne. Më në fund, ne, përsëri e gjetëm Kolën tonë të humbur, thoshim ne nxënësit e pakët që kishim kaluar nëpër duart e Kolë Nikajt. Ne e lusnim që të na i përsëriste leksionet e kaluara nga psikologjia dhe ai e bënte këtë pa përtesë. Ne filluam ta pyesnim edhe për shumë çështje jashtë programit mësimor dhe ai e bënte këtë me kënaqësi të madhe. Ne, me pyetjet tona, filluam të hynim edhe “lakrave”. Dhe ai, nuk hezitonte të hynte “lakrave” bashkë me ne. Ne e patëm pyetur për “Rezolutën e Bujanit” dhe ai na pati folur për atë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë, një muaj rresht, duke marrë nga pesëmbëdhjetë minutat e para të orëve që mbante çdo ditë me ne. Ai kishte pas qenë edhe njëri nga hartuesit e kësaj rezolute. Ai na e citonte pothuaj në tërësi “Rezolutën e Bujanit” të nxjerrë nga Këshilli Nacional-Çlirimtar i Luftës Antifashiste të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit. Pasi pati përfunduar këto leksione, profesori ynë, pati nxjerrë shaminë dhe pati fshirë djersët. Vetëm shpirti i tij e dinte se si ndihej. Tani, ne nuk ishim krejt të vegjël që të mos dinim se nga sa po shkonte fasulja në Serbi. Të gjithë ishim mbi shtatëmbëdhjetë vjeç. Mirëpo, kureshtja jonë për të mësuar të vërtetën tonë ishte aq e madhe saqë nuk përmbaheshim dot. Edhe një çështje na kishte mbetur e pasqaruar. Të gjithë e dinim se pyetja ishte fort, fort e rrezikshme, mirëpo ne nuk kishim kë të pyesnim tjetër. Ajo pyetje na shqetësonte pamasë dhe nuk u duruam dot.

Një ditë, gjatë shëtitjes së gjatë mes orëve, më futën në mes Shefqet Popova, Ali Buçinca, Feti Badivuku, të gjithë nga Vushtrria dhe Avdi Sinani e Enver Tali. Shefqeti e hapi i pari muhabetin:

-Shiko Filan! Ty profesori të do më së shumti në klasën tonë…

-Edhe? – thashë unë.

-Edhe,-vazhdoi Shefqeti,- ne, shokët e klasës, e kemi një lutje për ty…

–Po, ta pyes profesorin, çka?

–Dëgjo,-ndërhyri Enveri-kjo është pyetje fort e vështirë dhe mund ta ngushtojmë fort profesorin

– Dëgjo Filan, – ndërhyri Avdiu. – Ta pyesësh profesorin se ku qëndron shkaku që ne kosovarët mbetëm në robëri? Vetëm kaq…

Unë u ndala dhe po i shikoja të gjithë me radhë. Më në fund thashë: -More, po ju a po doni që profesorin ta fusim në burg e ndoshta të bëhemi shkaktar që ai ta humbë edhe kokën?!…

Heshtje. Pas pak, foli Aliu: -Dëgjo! Profesori edhe me kaq sa na ka folur e ka fituar burgun e ndoshta edhe ta humbë kokën. Kur i pata treguar unë në shtëpi vllaut tim, Isakut, se çfarë po na thoshte ne profesori, ai lëkundej prej vendit dhe kapte kokën me duar. Më pati thënë: “Hej, more, juve djalli ju marrtë! Do ta merrni në qafë profesorin”!…

–Mirë po thotë Aliu! Ne, në qafë e morëm se e morëm dhe le të shkojë me një harxh!… Të paktën do ta marrim vesh të vërtetën e plotë. A s’është kështu?- na i hapi sytë prapa syzeve, Feti Badivuku.

-Ashtu është!- thanë të gjithë njëzëri dhe ndër ta vazhdoi Shefqeti:

-Paj, Filan, ty të intereson edhe më shumë se neve e vërteta e plotë…

Rrudha krahët. Ia qëlluan. Po i shikoja të gjithë me radhë dhe ula kokën. Ata buzëqeshnin dhe ia bënin njëri tjetrit me sy. N’ata ra zilja e shkollës për të hyrë brenda në klasa…

Ishte ora e frëngjishtes. Hyri profesori Zekeria dhe pyeti:

-Ku kemi mbetur?

Ata të pestët e oborrit m’i hapën sytë si në mënyrë kërcënuese. Unë

hezitoja. Enveri foli:

-Filani e ka një pyetje për juve, profesor…

– Mos e keni Filanin mësit, ju? – tha profesori duke mos i dhënë rëndësi kësaj pune dhe m’u drejtua mua: -Fol, Filan!

Unë u ngrita në këmbë dhe me zë që dridhej thashë:

– I dashur profesor, kush ka faj që Kosova, përkundër “Rezolutës së Bujanit”, mbeti nën Serbi?…

Profesori, për një çast u pre, pastaj i shkoi një qehre e zbehtë, por menjëherë pas kësaj, mori veten dhe fytyra iu skuq. Ai, me duar që ende i dridheshin, nxori pakon e cigareve, nxori shkrepsën, ndezi cigaren, iu afrua dritares, hapi njërin krah të saj dhe qëndroi ashtu me fytyrë kah rruga. Ai thithte tymin në qetësi të plotë. Ne u bëmë vetëm sy e veshë. Kur e kreu cigaren, profesori fiku duçin duke e shtypur mbi teneqen e jashtme të dritares dhe hodhi duçin në oborrin e shkollës kah rruga. Pastaj, iu afrua ngadalë djalit të vet në bankën e parë, pranë meje dhe i tha:

-Dukagjin, ti merr çantën dhe shko në shtëpi!- Pastaj ai, ua bëri me gisht dy anëtarëve të komitetit të rinisë të gjimnazit, Nazmi Kajtazit e Nazmi Junikut, duke u thënë butësisht:-Ju të dy, përcilleni Dukagjinin deri në shtëpi!

Ata të tre u larguan dhe profesori na u drejtua me zë shumë të sigurt:- Jeni shumë të ri, por edhe ne, në kohën tonë kemi qenë shumë të ri kur jemi marrë me punë shumë serioze, si ju sot. Janë kohëra fort të rrezikshme e fort të vështira, por më duhet t’ua them të vërtetën e kulluar, pa le të dalë, ku të dalë!… Fajin e kemi ne komunistët shqiptarë që komunistëve jugosllavë u besuam qorrazi. Fajin e kemi ne që kërkuam ndihmën e tyre. Fajin e kemi ne që fare i besuam idesë komuniste, e cila s’kishte pas qenë gjë tjetër përveçse një gënjeshtër e madhe me bisht të përgjakur. Krejt ato që ndodhën dhe që po ndodhin pas mbarimit të luftës e provuan dhe po e provojnë një të vërtetë të këtillë. Krimet që u bënë deri më sot dhe që po bëhen sot ndaj shqiptarëve në Goli Otok e në burgjet tjera, vrasja nën tortura çnjerëzore e Omer Çerkezit me shokë flet mjaft qartë se komunizmi kishte pas qenë një përrallë për fëmijët e vegjël…

Profesori u ndal për një çast, Na shikoi të gjithëve, një nga një e pyeti me zë të lartë:

-A dëgjuat? –

Ne të gjithë u përgjigjëm me një “po” të gjatë.

-Atëherë, – foli profesori duke na e luajtur gishtin,- prej këtij momenti e tutje, nëse ju pyet dikush, ju do të thoni se nuk keni dëgjuar asgjë!…

Të gjithë ne, prapë, u përgjigjëm me një “asgjë”.

Ora vazhdoi me frëngjishte, por në kokat tona u thadrua thellë e vërteta e hidhur për komunizmin dhe na u ndriçua fort dashuria për kombin tonë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani e kujton në 23 vjetorin e rënies: Heroi Agim Ramadani është simbol i lirisë, guximit dhe përbashkimit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar në 23 vjetorin e rënies heroin Agim Ramadani.

“Heroi Agim Ramadani është simbol i lirisë, guximit dhe përbashkimit. Lirinë e portretizuar me vargje e brushë, e bëri realitet me angazhimin e tij në UÇK, duke qenë një ndër shtyllat e operacionit “Shigjeta”, me të cilin u thye kufiri ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. Në 23-vjetorin e rënies, fjalët janë të pakta në krahasim me veprën e heroit të papërsëritshëm. Sot përkulemi para veprës së tij dhe e kujtojmë më respekt heroin që i dha kuptim dhe formë lirisë sonë”, thuhet në përkujtimin e Presidentes Osmani.

Presidentja Osmani ka theksuar se Agimi e realizoi ëndrrën për lirinë që ne të jetojmë të lirë, falë tij e bashkëluftëtarëve.

“Çdo përvjetor do të na sjellë në vëmendje vlerën e lirisë, heroizmin dhe  pavdekësinë e tyre! Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Agim Ramadanin!”, ka theksuar Presidentja në përkujtimin e saj. / KultPlus.com

150 vite nga lindja e Asdrenit, autori i Himnit të Flamurit

Më 11 prill 1872 në Drenovë të Korçës lindi Aleksandër Stavre Drenova, më i njohur me emrin e tij të stilografit Asdreni, një nga poetët më të njohur shqiptarë, përcjellë KultPlus.

I mbetur jetim qysh në fëmijëri ai u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani më 1889. Bëri punë të ndryshme dhe kaloi një jetë me vështirësi. Mori pjesë gjallërisht në përpjekjet e kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit në luftën për çlirimin kombëtar dhe u shqua si veprimtar i saj. Nisi të shkruante poezi dhe publicistikë nga fillimi i shek. XX. Në krijimet e para poetike, të cilat i përmblodhi në librin “Rreze dielli” (1904), Asdreni vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartësoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke. Vepra më e rëndësishme e Asdrenit, “Ëndrra e lotë” (1912) shquhet për pasurinë e motiveve, frymën demokratike dhe nivelin e denjë artistik. Në krijimet e këtij vëllimi poeti demaskoi ashpër pushtuesit e huaj, i këndoi heroizmit të masave popullore në kryengritjet e armatosura të viteve 1911-1912, fshikulloi parinë frikacake dhe oportuniste, e cila iu resht detyrës ndaj atdheut («Zëri i kryengritësve», «Krerëve tradhëtorë», «Çpërblimi»). Te ky vëllim u përcaktuan tiparet themelore të krijimtarisë së Asdrenit: fryma luftarake, karakteri demokratik, interesimi për problemet shoqërore, notat e ligjërimit të gjallë. Ajo shënoi një hap në kalimin nga romantizmi te realizmi në letërsinë shqiptare. Në krijimtarinë e Asdrenit motivi i luftës për çlirim kombëtar u ndërthur me idenë e luftës shoqërore, në shumë vjersha gjeti pasqyrim pakënaqësia e njeriut të thjeshtë ndaj shoqërisë borgjeze të kohës, është gjithashtu autor i Himnit të Flamurit, një himn kombëtar për të gjithë shqiptarët.

Ngjarja që pasoi, shembja e shtetit të lirë kombëtar, shkaktuan tek poeti një dëshpërim të thellë, që u shpreh në krijimet e periudhës 1914-1920 («Shqipëria më 1914» etj.). Në gjysmën e parë të vitit 20, nën ndikimin e lëvizjes demokratike, poezia e Asdrenit përjeton një hov të ri. Në një sërë veprash të kësaj kohe poeti shprehu aspiratat e masave popullore për drejtësi shoqërore. Në heroin e poemës “Burri i dheut” (1920), Asdreni mishëroi përfaqësuesin e vegjëlisë që derdhi gjakun më 1920 për dëbimin e pushtuesve italianë dhe për një të ardhme më të mirë. Në këtë periudhë poeti shkroi një radhë vjershash të rëndësishme si «Hymni i festës», «Fisnikët e Shqipërisë», «Republika shqiptare», në të cilat demaskoi forcat e vjetra shoqërore dhe antipatriotike, që përvetësuan frytet e sakrificave të masave popullore në luftën për çlirim dhe nisën të sundojnë vendin sipas interesave të tyre. Dështimi i Revolucionit Demokratikoborgjez të qershorit 1924 e forcoi frymën e pesimizmit dhe të fatalizmit në krijimtarinë e Asdrenit (Psallme murgu, 1930, dhe një varg krijimesh poetike të viteve 30). Herë-herë poeti u përpoq të çlirohej nga ndikimet moderniste: në poemën «Trashëgimi» (1935) kritikoi qeverinë për krizën ekonomike e cila në atë kohë kishte përfshirë thuajse mbarë rruzullin. Vëllimin e vet të katërt Kambana e Krujës nuk e botoi dot me gjallje. Në vjershat e viteve të fundit të jetës përshëndeti ngadhënjimin e revolucionit popullor në Shqipëri.

Poeti, publicisti dhe patrioti shqiptar, Asdreni, vdiq më 1947 në Bukuresht, Rumani. / KultPlus.com

Ermal Meta do të debutojë me romanin “Domani e për sempre”, publikon datën

Përmes këngëve të tij, Ermal Meta na ka dëshmuar që është një tekstshkrues i mrekullueshëm. Por për të na forcuar edhe më shumë këtë bindje, Meta po sjell në treg librin e tij të parë të zhanrit roman.

Kantautori shqiptar që jeton prej vitesh në Itali është gati të debutojë me romanin “Domani e për sempre”. Duke nisur nga data 19 Maj, libri do të dalë në shitje jo vetëm nëpër librari por edhe online.

Romani do të tregojë historinë e jashtëzakonshme të Kajanit, një djali që bëhet një talent i padiskutueshëm i pianos falë mësimeve të një mësuesi gjerman, të cilit familja e tij i ofron strehim gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kështu nis një sagë familjare e vendosur në Shqipëri.

Edhe pse nuk është një libër autobiografik, muzika nuk mund të mungojë në rrëfimin e Ermal Metës: “Përfaqëson dy vitet e fundit të jetës sime ose ndoshta dyzet e fundit”, shkruan artisti duke bërë të ditur romanin e tij të parë në rrjetet sociale.

“Gjithçka kisha brenda dhe çfarë nuk kisha, e huazova nga e ardhmja. Faleminderit paraprakisht atyre që do ta lexojnë, atyre që do ta bëjnë të tyren, atyre që do ta duan siç e kam dashur unë që në fjalët e para”, ka shkruar këngëtari shqiptar. / KultPlus.com

View this post on Instagram

A post shared by Ermal Meta (@ermalmetamusic)

23 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

Sot bëhen 23 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

Agim Ramadani, i njohur ndryshe me nofkën KATANA, ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si dhe komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, gjegjësisht i Koshares.

Lindi më 3 Maj 1963 në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit dhe ra dëshmorë më 11 Prill 1999 në Koshare gjatë një luftimi fyt për fyt me forcat serbe. Mori pjesë në Betejën e përgjakshme të Koshares e cila u zhvillua më 9 Prill të vitit 1999, ku edhe ishte komandant i Brigadës 138 deri në ditën e rënies së tij. Pas përfundimit të Luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.

Të parët e familjes së tij ishin me prejardhje nga Malësia e Karadakut, pikërisht nga fshati Depcë afër Preshevës. Shkollimin Fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Gjilan në vitin 1980, dhe më pas e vazhdoi Akademinë Ushtarake–Drejtimi i Komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak dhe në Zvicër ku jetoi si emigrant politik, dhe me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtarë nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

Ndonëse e kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke lënë në Zvicër gruan dhe tre fëmijët e tij.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur “Zharret”, ai ra dëshmor heroikisht për të mos vdekur kurrë. Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit-Katanës. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas Luftës së Kosovës në vitin 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Laurinën. / KultPlus.com

Dhe ikim ikim ikim…

Poezi nga Petro Marko

Mbase ikim ikim ikim
Nga dhomat e mbushura ofshamë
Dhe dalim shesheve
Po sheshet janë të lara në gjak

Ndodh largohemi nga rrugët
Që klithin në fytyra fëmijësh
Dhe i mbyllim sytë

Kur Mezia i ngul ushtën
Demit tonë të Zi
Në Mozomazinë e përhumbur
Dheu na rrëshqet nën këmbë. / KultPlus.com

Vdes autori i ‘The Eagle has Landed’, Henry Patterson

Henry Patterson, autori i librit “The Eagle has Landed”, ka vdekur në moshën 92-vjeçare. Sipas BBC, autori i mirënjohur britanik ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Jersey, i rrethuar nga familja.

Shkrimtari i njohur ndryshe dhe me emrin e tij artistik si Jack Higgins, nisi të shkruante kur ishte mësues. Ai ka realizuar 85 romane nga viti 1959 deri në 2017.

Patterson njihet për veprën e mirënjohur “The Eagle has Landed”, e cila përveç romanit, është realizuar edhe një film.

“The Eagle has Landed” flet rreth një komploti nazist për të rrëmbyer Sir Winston Churchill në Luftën e Dytë Botërore. Kjo vepër shiti më shumë se 50 milionë kopje.

Patterson shiti më shumë se 250 milionë libra gjatë karrierës së tij, me veprat e tij të tjera duke përfshirë Comes the Dark Stranger, Hell is Too Croëded dhe To Catch a King.

Patterson lindi në Neëcastle upon Tyne dhe u rrit në Belfast përpara se të transferohej në Leeds. Ai shkroi romane në kohën e lirë pasi u bë mësues dhe mori një paradhënie prej 75 £ për romanin e tij të parë, Era e trishtuar nga deti, në 1959.

Libri i tij i fundit, The Midnight Bell, u botua në 2017 dhe ishte një bestseller i Sunday Times. Shtëpia botuese “HarperCollins” tha se në kohën kur doli romani i tij i fundit, ata i referoheshin atij thjesht si “legjenda”./ KultPlus.com

Red Hot Chili Peppers tregojnë mbështetje e tyre për Ukrainën

Wladimir Klitschko ka falënderuar grupin amerikan të rrokut Red Hot Chili Peppers për mbështetjen e tyre për refugjatët ukrainas, përcjell KultPlus.

Duke iu referuar këngës së tyre Can’t Stop, të cilën ai e përdori si muzikë hyrëse për një pjesë të karrierës së tij në boks, vëllai i kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko thënë se e gjithë mbështetja është e nevojshme.

Rokerët nga Kalifornia u kishin bërë thirrje liderëve botërorë dhe njerëzve në mbarë botën që të mbështesin refugjatët në një postim në Twitter. /KultPlus.com

Në një vjetorin e vdekjes së Shaqir Hotit, promovohet dokumentari ‘Okarina e Runikut’

Sot në Kino Armata është bërë promovimi i dokumentarit “Okarina e Runikut” për nder të një-vjetorit të vdekjes së kantautorit, instrumentistit dhe krijuesit të instrumenteve muzikore, Shaqir Hoti, përcjell KultPlus.

Kështilltari i ministrit të Kulturës, Liburn Jupolli, tha se Shaqir Hoti ishte një prej figurave që arriti ta ngërthente çdo element të folklorit tonë dhe ta jetësonte edhe në kohërat moderne.

“Sot jemi një vit që prej se e humbëm një prej figurave më të mëdha të trashëgimisë tonë muzikore-folklorike, është fjala për figurën e posaçme të muzikës, të ndjerit Shaqir Hoti. Njërin prej personaliteteve që përfaqësonte çdo element të muzikës tonë, që prej punës së tij me instrumente frymore-folklorike, që prej punës së tij si një prej pionierëve të flautit si njëri prej flautistëve të parë në Kosovë. Me punë shumë të zellshme me mbi 180 këngë të kompozuara, me punë të madhe, me bashkëpunime që ngërthenin një mori të bashkëpunëtorëve të të gjitha zhanreve.”, tha Jupolli

“Ai atë e bëri duke e rivitalizuar aspektin e instrumenteve tona folklorike, duke u nisur që nga viti 2010 ku ai e kthy Okarinën e Junikut duke bërë shumë ekzemplarë të këtij instrumenti dhe e bëri atë një simbol të instrumenteve folklorike-frymore të këtij vendi.”, vazhdoi ai.

Pas tij, fjalën e mori kompozitori, Valton Beqiri, i cili thotë se instrumenti muzikor “Okarina” përveç vlerave arkeologjike dhe historike, është i lidhur ngushte me jetën dhe veprën e instrumentistit Shaqir Hoti.

“Ai njihet jo vetëm si instrumentist dhe krijues, por edhe si personaliteti më i rëndësishëm i ruajtjes së traditës muzikore, përmes ndërtimit apo rindërtimit të instrumenteve frymore… Pa dyshim se njëri nga instrumentet që ai ka studiuar dhe ka punuar me pasion të veçantë është edhe Okarina. Dëshira e tij e madhe ishte që këto njohuri t’i përcjellë jo vetëm kolegëve dhe studiuesve, por në veçanti gjeneratave të reja”, thotë Beqiri i cili shton se në periudhën shtator 2019/2020, kishin organizuar nëpër disa shkolla të Kosovës punëtorinë me Shaqir Hotin, ku ai ka shpjeguar historinë e instrumentit, tingujt e instrumentit dhe bashkë me këta fëmije ka punuar prej argjilës në murin e madh të okarinave e që nga kjo periudhë datojnë edhe xhirimet në këtë dokumentar.

Pas këtij fjalimi, u promovua edhe dokumentari për Shaqir Hoti, ku paraqiste vetë instrumentistin e ndjerë duke krijuar instrumentin e Okarinës./ KultPlus.com

Dua Lipa ripublikon fotografinë e Vjosa Osmanit me këngën ‘Levitating’

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar së fundmi se hiti i Dua Lipës “Levitating” është kënga që ajo ka dëgjuar më së shumti këtë vit, shkruan KultPlus.

Menjëherë pasi e ka parë këtë postim, Lipa ka ripublikuar fotografinë e Osmanit, ku shihen së bashku me Blerta Bashollin dhe Yllka Gashin.

“Levitating” është njëri prej hiteve shumë të suksesshme të 26 vjeçarjes dhe gjithashtu është pjesë e albumit “Future Nostalgia”. /KultPlus.com

‘Levitating’ nga Dua Lipa është kënga që Vjosa Osmani e ka dëgjuar më së shumti këtë vit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po i përgjigjjet pyetjeve që qytetarët i kanë bërë në kuadër të 1 vit qeverisje nga ajo, shkruan KultPlus.

Përmes rrjetit social “Instagram”, Osmani ka shtuar mundësinë e pyetjeve për gjithë qytetarët, ndërsa sot edhe është përgjigjur në disa pyetje nga më të ndryshmet, duke filluar nga falënderimet e deri te raportet me të parin e qeverisë.

Në mesin e shumë pyetjeve, e parja e shtetit është pyetur edhe për këngën që e ka dëgjuar më së shumti këtë vit, dhe përgjigjja e saj ishte e veçantë.

Hiti “Levitating” i këngëtares shqiptare, Dua Lipa është kënga që Osmani ka dëgjuar më së shumti këtë vit.

Dua Lipa e ka ripublikuar foton e Osmanit, duke përfshirë edhe këngën e saj. /KultPlus.com

6 fakte interesante që sipërfaqin madhështinë e Kadaresë

Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.

Kadare ka shënuar një numër rekord të përkthimeve me veprat e tij(në mbi 45 gjuhë të huaja). Më poshtë gjashtë fakte që s’i keni ditur për të:

1. Në moshën12 vjeçare Kadareja është arrestuar nga regjimi i sapo vendosur komunist me akuzën falsifikues monedhash

2. Eksiston një fondacion në Francë me emrin “Mapo”, që jep çmimin “Kadare” për letërsi

3. Ismajl Kadare ka tymosur mariuhanë në Amsterdam, bashkë me gruan e tij Helenën. Këtë e ka bërë të ditur vetë Helena Kadare në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme”

4. Më 30 maj 2016, presidenti francez François Hollande i ndau Kadaresë titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, titull që jepet vetëm për figurat e shquara botërore

5. Kadare ka jetuar në një pallat me shkrimtarin Dritëro Agolli në Tiranë, në Pallatin e Shkrimtarëve

6. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me cmimin Lerici Pea . Dhënia e cmimit Lerici Pea 2010 nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve i janë mohuar liritë themelore. /KultPlus.com

Osmani njofton qytetarët për raportet e saj me Kurtin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po i përgjigjjet pyetjeve që qytetarët i kanë bërë në kuadër të 1 vit qeverisje nga ajo, shkruan KultPlus.

Përmes rrjetit social “Instagram”, Osmani ka shtuar mundësinë e pyetjeve për gjithë qytetarët, ndërsa sot edhe është përgjigjur në disa pyetje nga më të ndryshmet, duke filluar nga falënderimet e deri te raportet me të parin e qeverisë.

E pyetur nga qytetarët për raportet me kryeministrin Albin Kurti, Osmani ka dhënë një përgjigjje të shkurtër.

“Të shkëlqyeshme deri tani”, duke përfshirë edhe një fotografi së bashku me Kurtin, Donika Gërvallin dhe Glauk Konjufcën.

Përpos kësaj pyetje, Osmani ka marrë edhe disa të tjera sikurse për dialogun me Serbinë, ku ka thënë se është aktive në këtë proces. /KultPlus.com

‘Çka nuk mund të bëjë armiku, ndonjëherë ta bën miku’

Sami Frashëri është një autor shumë i njohur, i cili ishte një shkrimtar, filozof dhe dramaturg shqiptar, dhe një figurë kryesore e Rilindja Kombëtare, lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare të fundit të shekullit të 19-të, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdyl dhe Naim. Ai fitoi një vend në historinë e letërsisë osmane si një autor i talentuar nën emrin Şemseddin Sami Efendi dhe kontribuoi në reformimin e gjuhës turke osmane, përcjell KultPlus.

Pas vetes, jo vetëm Samia por të gjithë vëllezërit Frashëri lënë vepra që s’do të harrohen asnjëherë.

‘Çka nuk mund të bëjë armiku, ndonjëherë ta bën miku’. /KultPlus.com

Para se të vish

Poezi nga Alda Merini

Para se të vish
Sillmë tre trëndafil të kuq
Para se të vish
Sillmë një Gishtëz të madh
Sepse duhet të qep zemrën
E më sill një qetësi të gjatë
Të madhe si një Telajo dashurie
Para se të vish
Jepi një shqelm murit përball
Sepse aty brenda është një spiun
Që ka parë në fytyrë dashurinë time
Para se të vish
Mbylle lehtë derën
Dhe nëse unë jam duke qarë
thërrit Violinat më të mira
Para se të vish
Thuamë që tashmë ke ikur
Sepse unë do të trembesha
Dhe para se të ikësh
rresht së përshëndeturi
Sepse unë shumë gjatë nuk do të jetoj…. / KultPlus.com