Kurti në Ditën e Kushtetutës: Ajo që na bën të lirë nuk është mungesa e rregullave, por prania e drejtësisë

Sot bëhen 14-vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit, shkruan KultPlus.

Për Ditën e Kushtetutës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kushtetuta është dokument i gjallë që na ndihmon të realizojmë potencialin tonë.

“Kushtetuta jonë është një dokument i gjallë, jo vetëm për të përsosur liritë dhe të drejtat tona, por edhe për të na ndihmuar të realizojmë potencialin tonë. Ajo që na bën të lirë nuk është mungesa e rregullave, por prania e drejtësisë”, shkruan Kurti në “Twitter”.

I pari i ekzekutivit, është duke marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit. /KultPlus.com

Kurrë

Shkruan: Shpetim Selmani

Kurrë

Nuk më ka shkuar mendja
Të bëhem artist i madh

Të bëhem i njohur
Apo të lë autografe
Në lëkurën e grave

Të dalldisem duke
E quajtur veten mbret

Më ka shqetësuar gjithmonë
Jehona e muzikës që vinte
Nga malet e largëta

Parisi Londra New York
Jo shpirt
Hollywood i përket pretenduesve
Të pashpirt

Librat e harruar
Dhe një grua që qan treg

Apo një bari që kërkon
Terfilin me katër fletë

Gjuetari George Harrison
Dhe perrallat.

Kaq. /KultPlus.com

Johnson befason të gjithë, viziton Kievin dhe ulet të diskutojë me Zelenskyn

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson ka zhvilluar bisedime në Kiev me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, përcjell KultPlus.

Vizita e zotit Johnson në Kiev nuk u njoftua paraprakisht dhe treguesi i parë se ai ishte në qytet erdhi kur fotografia e takimit të tij me Presidentin Zelensky është postuar në Twitter nga ambasada e Ukrainës në Londër.

“Ata do të diskutojnë mbështetjen afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën dhe kryeministri do të përcaktojë një paketë të re ndihme financiare dhe ushtarake”, bëhet e ditur nga MB.

Andriy Sybiha, nënkryetari i zyrës së presidentit ukrainas, tha: “Britania e Bashkuar është lider në mbështetjen e mbrojtjes për Ukrainën. Lider në koalicionin kundër luftës. Lider në sanksionet kundër agresorit rus.”

Johnson është lideri i fundit perëndimor që udhëton në kryeqytetin ukrainas për bisedime me presidentin e vendit.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell bënë vizita të dy të premten dhe kancelari austriak Karl Nehammer më herët të shtunën. /KultPlus.com

Sopranoja Mirlinda Koci triumfon në garat ‘Mozart Preis’

Sopranoja nga Kosova, Mirlinda Koci, ka arritur që të triumfojë në garat “Mozart Preis”, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Koci, e cila ka ndarë disa fotografi në “Facebook”, dhe ka njoftuar për çmimin e fituar.

“Miq te dashur, jam shume e lumtur te ndaj me ju, qe sot ne garat “Mozart Preis” isha fituese e cmimit te trete”, shkruan ajo.

Medalja Mozart është një çmim i administruar nga Fondacioni Ndërkombëtar “Mozarteum”. /KultPlus.com

Botohet libri i Don Lush Gjergjit për Nënë Terezën: Tani shenjtorja jonë flet anglisht me gjithë botën

Sot ka dalur nga shtypi libri i autorit Don Lush Gjergji, “I hold the Albanian people in my heart” Conversations with Mother Teresa” që është përkthim nga gjuha shqipe i librit “E kam në zemër popullin tim shqiptar”, përcjell KultPlus.

Në këtë libër përfshihen intervistat e vizitat e Nënës Terezë në Kosovë, e gjithashtu edhe vizitat e saja me shqiptarët në amerikë.

“Tani Shenjtëresha jonë Nënë Tereza përmes intervistave, fjalimeve dhe vizitave të saja në Kosovë, flet anglisht me gjithë botën”, thotë autori Don Gjergji.

Botimi është bërë me një bashkëpunim me Sh. B. “ILIRIA” New York City ndërsa përkthimi nga Avni Spahiu.

Librin mund ta gjeni nga e hëna, në Rezidencën e Ipeshkvisë në Prishtinë dhe në librarinë “Alphabet J&M” që gjendet nën shkallët e Katedrales, kurse shumë shpjet edhe në librarit e qytetit në Prishtinë. /KultPlus.com

Nesër përkujtohet Asdreni me një koncert artistik në 150 vjetorin e lindjes së tij

Koncerti artistik “Na Flet Asdreni” do të nesër më 11 prill në Teatrin Kombëtar të Kosovës me rastin e 150 vjetorit të lindjes së poetit, publicistit dhe veprimtarit shqiptar, Asdreni, shkruan KultPlus.

Nën drejtimin artistik të kompozitorit Josif Minga, artistë të shquar nga Kosova dhe Shqipëria do të performojnë në këtë koncert të veçantë.

Me pjesëmarrjen e: Korit Kameral “Dardanica” nën drejtimin e Edon Ramadanit, formacionit orkestral nën drejtimin e Visar Kuçit, Zhulieta Sheremeni, Artan Bakija, Zamira Kita, Ligoraq Riza, Kristian Koroveshi, Grupit Polifonik të Burrave Drenovë, si dhe intervistave të personaliteteve dhe imazheve të shumta dokumentare do të kujtohet dhe rrëfehet jeta e veprimtaria e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare.

I gjithë ky koncert do të fillojë nga ora 20:00, derisa dy ditë më vonë do të mbahet edhe në Korçë. /KultPlus.com

Will Smith reagon ndaj ndalimit 10-vjeçar të Oscars

Will Smith e ka pranuar vendimin e akademisë së filmave për ta përjashtuar atë nga Oscars për 10 vjet, përcjell KultPlus.

“Unë e pranoj dhe respektoj vendimin e akademisë,” tha aktori në një deklaratë të marrë nga Fox News Digital të premten.

Akademia njoftoi së fundmi se Smithit iu ndalua të merrte pjesë në Oscars ose në ndonjë ngjarje tjetër të akademisë për 10 vjet pas shuplakës së prezantuesit Chris Rock në ceremoninë e këtij viti.

Vendimi erdhi pas një takimi të bordit të guvernatorëve të akademisë për të diskutuar një përgjigje ndaj veprimeve të Smith. /KultPlus.com

Lef Nosi, firmëtari i pavarësisë që u pushkatua nga diktatura

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot firmëtarin, filatelistin, poliglotin, arkivistin, etnografin dhe politikanin shqiptar Lef Nosi pushkatuar nga diktatura.

Lef  Nosi lindi në qytetin e Elbasanit më 9 prill të vitit 1877 në një familje ortodokse të lagjes së vjetër të quajtur “Kala”. Vitet e para të shkollës i kreu në qytetin e lindjes dhe më pas vazhdoi studimet e larta për farmaci në Athinë.

Pa mbyllur ende studimet, u kthye në Shqipëri duke u angazhuar thellësisht në drejtim të çështjeve rreth historisë e kulturës kombëtare. Që në moshë të re, Lef Nosi kishte në zotërim bibliotekën e dytë më të madhe në Shqipëri, pas asaj të Mit’hat Frashërit. Në vitin 1908, ai mori pjesë në punimet e Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908). Në vitin 1909 u zgjodh kryetar i klubit “Vëllazëria” të Elbasanit dhe po atë vit themeloi shoqërinë kulturore “Afërdita”.

Një vit më vonë, themeloi në Elbasan gazetën “Tomorri”, e para gazetë në historinë e qytetit. Artikujt e botuar në këtë gazetë që karakterizoheshin nga fryma kombëtare, nxitën reagimin e autoriteteve xhonturke, të cilët arrestuan Lef Nosin dhe e dënuan me vdekje. Për shkak të protestave të patriotëve shqiptarë, dënimi me vdekje iu kthye në internim.

Në vitin 1909 ndihmoi në hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit. Më 28 nëntor 1912, ishte një prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës dhe  një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Në kabinetin e Qeverisë së Vlorës me në krye Ismail Qemalin, u emërua si Ministër i Postë-Telegrafëve, ku firmosi disa nga aktet e rëndësishme të kësaj qeverie.

Shumë i rëndësishëm konsiderohet fakti se Lef Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Mendohet që origjinali të ketë qenë pjesë e koleksioneve të tij, por ky fakt mbetet ende dhe sot i pasqaruar.

Në mars të vitit 1914, ishte pjesë e delegacionit që priti ardhjen e princ Vidit në Shqipëri.

Në vitin 1918 mori pjesë në qeverinë e Durrësit dhe dha një ndihmesë të posaçme në përbërje të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Mori pjesë në jetën politike të fillim viteve 20’ në kuadrin e Federatës “Atdheu”. Gjatë qeverisjes së Fan Nolit në vitin 1924, u caktua kryetar bashkie i Elbasanit. Me largimin e Nolit, Lef Nosi u tërhoq nga politika dhe iu dedikua botimit të dokumentave me vlerë historike, studimeve gjuhësore, mbledhjes së objekteve arkeologjike, folklorike, numizmatike dhe filatelike.

Me pushtimin italian, u internua në Itali dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1942, ku filloi të angazhohet në rradhët e Ballit Kombëtar. Me pushtimin nazist të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Regjencës. Gjatë kësaj kohe, ai ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve të cilët përndiqeshin nga autoritetet naziste.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Lef Nosi u arrestua në veri të Shqipërisë nën akuzën për bashkëpunim me pushtuesit.

Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar si “gjyq ushtarak i Tiranës”, ndonëse i akuzuari nuk kishte qenë ndonjëherë ushtarak. Gjatë gjyqit do të deklaronte që: “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”. U dënua me pushkatim më 15 shkurt të vitit 1946.

Përgjatë viteve të demokracisë u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Elbasanit” në vitin 2004 dhe me urdhrin “Gjergj Kastrioti” në vitin 2007./atsh/ KultPlus.com

‘Mirë se erdhe, ndarja zgjati shumë’

Poezu nga Nazim Hikmet Ran

Mirë se erdhe!
Zbrazëtia jote qëndroi
krah nesh si një dorë e këputur.
Mirë se erdhe!
Ndarja zgjati shumë,
Malli na mori
sytë na mbetën nga oborri.
Mirë se erdhe!
Ne,
jemi siç na le.
Vetëm se u bëmë më mjeshtra
gurë duke thërrmuar
mikun nga armiku duke shquar…
Mirë se erdhe!
Kemi plot, për të thënë e dëgjuar
Por shumë gjatë, kohë s`kemi.
Le të ecim…

Burg, 1932./ KultPlus.com

YouTube bllokon kanalin e Parlamentit të Rusisë

Platforma për transmetimin e videove, YouTube ka bllokuar Duma TV që transmeton nga Dhoma e Ulët e Parlamentit të Rusisë.

Kjo ka shkaktuar një përgjigje të zemëruar nga zyrtarët rusë të cilët thanë se shërbimi më i popullarizuar i transmetimit në botë mund të përballet me kufizime si përgjigje

Të shtunën, një mesazh në YouTube tha se kanali i Dumës ishte “ndaluar për një shkelje të Kushteve të Shërbimit të YouTube”.

YouTube, në pronësi të Alphabet Inc, ka qenë nën presionin e rregullatorit rus të komunikimeve Roskomnadzor dhe zyrtarët u përgjigjën shpejt.

” Ruani përmbajtjen, transferojeni (atë) në platformat ruse. Dhe nxitoni,” tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme, Maria Zakharova në shërbimin e mesazheve Telegram.

Mbikëqyrësi i komunikimit tha se i kishte kërkuar Google të rivendoste menjëherë qasjen në kanalin Duma.

“Kompania amerikane e IT i përmbahet një pozicioni të theksuar anti-rus në luftën e informacionit të nisur nga Perëndimi kundër vendit tonë,” tha Roskomnadzor.

Rusia ka kufizuar tashmë qasjen në Tëitter dhe platformat e Meta, Facebook dhe Instagram, që kur dërgoi mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt.

Rusia ishte përpjekur më parë të ndalonte aplikacionin e mesazheve Telegram, i cili tani përdoret gjerësisht nga zyrtarët, por e hoqi ndalimin e tij në mesin e vitit 2020.

Disa media ruse e cilësuan këtë veprim si kapitullim, por Roskomnadzor tha se kishte vepruar ashtu siç veproi sepse themeluesi rus i aplikacionit, Pavel Durov, ishte i përgatitur të bashkëpunonte në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në platformë./ KultPlus.com

Reagimi i presidentes së Komisionit Evropian kur pa varrezën masive në Bucha (VIDEO)

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha dje se vrasjet e civilëve në Bucha tregojnë fytyrën mizore të ushtrisë së presidentit rus Vladimir Putin dhe u zotua të mbështesë Kievin në mbrojtjen e kufijve të Evropës.

Gjatë një vizite në Bucha, ku ekspertët mjeko-ligjorë filluan gërmimin e trupave nga një varr masiv, Von der Leyen u trondit dukshëm nga ajo që pa.

Në media është publikuar momenti kur kryetarja e Komisionit Evropian ka mbërritur në varrezën masive në Bucha.

“E pamendueshme ajo që ka ndodhur këtu”

“Këtu ndodhi e paimagjinueshme. Ne pamë fytyrën mizore të ushtrisë së Putinit. Ne pamë pamëshirshmërinë dhe indiferencën me të cilën ata pushtuan qytetin”, tha Von der Leyen.

“E gjithë bota vajton me banorët e Buçës dhe janë ata që mbrojnë kufijtë e Evropës, duke mbrojtur njerëzimin, duke mbrojtur demokracinë, prandaj ne jemi me ta në këtë luftë të rëndësishme”, tha kreu i Komisionit Evropian.

Ajo mbërriti në Kiev për të shprehur mbështetjen e saj morale për Zelensky dhe për të premtuar ndihmë financiare. Duke udhëtuar me tren nga Brukseli, ajo u tha gazetarëve se mesazhi më i rëndësishëm që ajo mbart është se Ukraina po përballet me një rrugë evropiane. Ajo premtoi të ndihmojë Ukrainën të dalë nga lufta si një vend demokratik, në të cilin, theksoi ajo, do të ndihmojnë BE-ja dhe donatorët e tjerë./ KultPlus.com

Sonte në Teatrin Kombëtar jepet repriza e shfaqjes ‘La Rrem’

Sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet repriza e shfaqjes ”La Rrem”.

Repriza fillon në orën 21:00.

”La Rrem” është shfaqje për artistin shumëdimensional, aktorin, regjisorin, këngëtarin dhe dramaturgun Muharrem Qena.

”La Rrem” është artisti antikonformist, jokonvencional, bohemi e dashnori i veçantë.

”La Rrem” është dashuria dhe pasioni për artin, për të bukurën. Është kënga, që buron nga shpirti, nga vuajtja e nga gëzimi. La Rrémi ynë është universal. Ai i flet kohës edhe botës sonë. Kudo dhe kurdo. La Rrém është njeriu revoltues, kryengritës dhe mosnënshtrues.

Shfaqja ”La Rrem” është më shumë se sa dramë muzikore. Është pasioni, emocioni, talenti i rrallë i artistit të madh.

Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Shengyl Ismaili, Arta Selimi, Flaka Latifi, Bujar Ahmeti dhe Tristan Halilaj./ KultPlus.com

Abigeila Voshtina dhe Artemida Qarri-Haxhiaj, dyshja e fuqishme shqiptare e ReMusica

Era Berisha

Madhështia e gjithsej katër veprave të mrekullueshme nga kompozitorë të huaj dhe shqiptarë, u jetësuan mbrëmë nga talenti i violinistes Abigeila Voshtina dhe pianistes Artemida Qarri-Haxhiaj në natën e katërt të festivalit ReMusica. Këto vepra gjatë tërë natës frymuan tinguj e melodi të cilat vinë të gërshetuara magjishëm mes vete nga dy instrumentet vezulluese, me ç’rast ritmi i pakrahasueshëm dhe gjallëria perfeksioniste ishin dy aspektet që përkuan me këtë koncert, shkruan KultPlus.

Me dymbëdhjetë reflektorë në ngjyrë të kaltër, drita që rrethakon hapësirën për dy instrumentistet mu në mes të skenës, emri i festivalit që me shkronja të gjelbër gjallëronte fuqishëm në prapaskenë si dhe dritat e ngrohta të drejtuara nga ana e instrumenteve, tashmë është shndërruar në simbolin kyç të koncerteve që po mbahen në Sallën e Kuqe në Prishtinë. Kjo sallë e cila për tri net rresht priti artistë të shkëlqyer, tashmë është bërë gati të pushtohej edhe nga dy artistet që sonte sollën një muzikalitet dhe teknikë të jashtëzakonshme.

Fotografia: Rrahman Osmani

Me një duartrokitje nga ana e publikut, në skenë me një elegancë të tejskajshme, doli violinistja Abigeila Voshtina dhe pianistja Artemida Qarri-Haxhiaj, por para se programi të gjente fillimin e tij, violinistja Voshtina iu drejtua audiencës për të treguar për një ndryshim të vogël në interpretimin e veprave.

“Dua të ju informoj për një ndryshim të vogël në program. Ne sonte do të fillojmë me sonatën e Çesk Zadejës sepse mendoj që ka një identitet shumë të spikatshëm të muzikës shqiptare. Është e shkruar në vitin 19 2 dhe e luajtur për herë të parë në 19 4. Sonata është shumë atipike jo vetëm për kohën, jo vetëm për ideologjizmin e komunizmit, por edhe për kohën që jemi sot sepse ka vetëm dy kohë. E shikoni që koha e parë ka një hapësirë që mund ta quajmë mjegullore kurse koha e dytë është gjatë gjithë kohës me një ritëm shumë folklorik tonin, shumë të thyer dhe kjo tregon se sa e fuqishme ka qenë pena e Çeskut dhe pse ai quhet ‘babai i muzikës shqiptare’. E them këtë për arsye se e di që ky festival është për të gjithë ata që janë krijues të rinj dhe kompozitorë të rinj të Kosovës”, thotë Voshtina.

Pas kësaj hyrjeje, në sallë mbizotëroi heshtja për të dëgjuar veprën “Sonata për violinë e piano” e kompozitorit Çesk Zadeja. Dyshja shqiptare solli një fillim tejet të bukur ku në njërën anë lehtazi dalloheshin lëvizjet e mprehta të gishtërinjve në piano dhe në anën tjetër ishte teknika e fuqishme dhe përqendrimi preciz në instrumentin e violinës ato që dëshmonin për ritmin dinamik që gërshetohej në atmosferë me ç’rast shpirti i tyre artistik dilte jashtë çdo kufiri për të përfunduar kështu magjishëm veprën e parë për këtë natë.

Fotografia: Rrahman Osmani

Ndërkaq, në radhë ishte vepra e titulluar “Sonata për violinë e piano No.1 la minor Op.105” nga kompozitori Robert Schumann, vepër kjo që me precizitetin, shprehjet e fytyrës, luhatjet e tërë trupit dhe qetësinë adhuruese që shpërfaqnin dy instrumentistet, bëri që çdo melodi e krijuar të gjente rrugën për të hyrë në shpirtin e të pranishmëve. Performanca e tyre frymëzuese erdhi nën inkuadrimin e harkut të violinës në ngjyrë gjaku që vazhdimisht lëvizte pa ndalim dhe çelësave bardh e zi të instrumentit gjigand në ngjyrë të zezë të cilat përjetuan prekje sa të lehta aq edhe të çmendura për të sjell kështu tinguj që furishëm përçuan ndjenja diversive.

Pas interpretimit të veprës së dytë me radhë, një pauzë e shkurtër zuri vend dhe violinistja Voshtina përsëri iu drejtua publikut para se fillonte vepra e tretë.

“Kur vendosa programin dhe fola me pianisten Artemidën zgjodhëm kompozitorin Johannes Brahms i cili është jashtëzakonisht i rëndë dhe kjo nganjëherë nuk duket sepse njerëzit mendojnë që instrumentistët bëjnë ‘la la la’ por nuk është kaq e thjeshtë. Atëherë ideja se pse zgjodhëm këta dy autorë gjerman si R.Schumann dhe J.Brahms është jo sepse Gjermania për fatin tonë të madh ka shkruar me të vërtetë shumë, por këta të dy lidhen shumë me njëri-tjetrin. Kjo ishte arsyeja pse ne zgjodhëm këta dy autorë, por që me të vërtetë, kush ka dëgjuar dhe kush ka luajtur, e di natyrisht se sa e rëndë është muzika gjermane, e rëndë jo si muzikë sepse muzika është jashtëzakonisht e bukur, por që kërkon me të vërtetë shumë po shumë fuqi. Jam e sigurt se do t’iu pëlqej”, thotë Voshtina.

Fotografia: Rrahman Osmani

Një piano dhe një violinë sollën veprën e radhës të titulluar “Sonata për violinë e piano No.2 në la maxhor, op.100” nga kompozitori Johannes Brahms. Dy instrumentet kësaj here u futën në teknikën e fuqishme të dy pronareve të tyre, me ç’rast muzika e fuqishme që pasonte në çdo moment bëri që edhe flokët e interpretuesve të dridheshin me lëvizjet e tyre të shpejta dhe të sakta. Ndeshja e pianos dhe violinës tërë kohën po krijonte një gërshetim plotësues dhe të gjithanshëm që solli një gjallëri që herë vinte në formën e ngadaltë dhe më lirike, ndërsa në momentin tjetër ndryshonte duke sjell një rrotullim të zhurmshëm dhe energjik të paparë.

Ndërkaq para se edhe vepra e fundit të jehonte, violinistja Voshtina përsëri mori fjalën.

“Kemi një ‘Scherzo’ e cila po luhet për herë të parë. Duhej patjetër që ta futnim një kompozitor kosovar dhe me një krijim të ri, kështu që shpresoj të ju pëlqej”, thotë ajo.

Ishte kjo dyshe shqiptare që mbrëmë solli një interpretim magjepsës me tërë programin e luajtur, duke kapur kështu vëmendjen e të pranishmëve me performimin e notave që dukshëm buronin nga brendësia e tyre shpirtërore e kjo vërehej sidomos nga vepra “Schero” të kompozitorit Drinor Zymberi që shënoi fundin e kësaj nate, duke lënë pas momente dhe kujtime që do i përcjellin të pranishmit për një kohë të gjatë.

Krejt në fund, publiku me duartrokitjet e pa ndalura dhe brohoritjet e shumta falënderoi violinisten Abigeila Voshtina dhe pianisten Artemida Qarri-Haxhiaj për performancën e bukur dhe të paharrueshme, duke i rikthyer ato për të dytën herë në skenë, me ç’rast edhe violinistja Voshtina mori fjalën për të përmbyllur këtë koncert.

“Ky koncert ka pasur shumë episode sepse donim ta fillonim që në vitin 2019 por ra pandemia, pastaj pas pandemisë Artemida ka pasur një vajzë dhe tani më në fund erdhi ky moment, kështu që faleminderit shumë për ftesën dhe punën që ju e bëni. Faleminderit dhe publikut për pjesëmarrjen ngase pa ju asgjë nuk do të funksiononte”, thotë Voshtina.

Fotografia: Rrahman Osmani

Ndërkaq, kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte në Teatrin Oda duke filluar nga ora 20:00, vjen koncerti i radhës “Electroacoustic and Acousmatic Night (Earth and Wind)” nga kompozitorja Elizabeth Anderson. Ndërkaq, nga ora 21:00 po ashtu në Teatrin Oda mbahet koncerti audio-vizual “Isolation Music” nga kompozitori Mehmet Can Ozder dhe kompozitori Ilir Bajri.

Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani / KultPlus.com

Fotografia: Rrahman Osmani

“Nënë, do të bëhem i mirë që të takohemi në parajsë”, deputetja publikon letrën e një fëmije ukrainas

Deputetja e Parlamentit të Ukrainës, Lesia Vasylenko, ka publikuar një fotografi të letrës së një fëmije, nëna e të cilit u vra në një sulm rus.

Ai kishte ngecur në veturë pas trupit të nënës së tij kur artileria ruse qëlloi makinën e tyre, sipas deputetes.

 “Mami, faleminderit për nëntë vjetët më të mira të jetës sime! Faleminderit shumë për fëmijërinë time! Unë kurrë s’do të të harroj ty! Premtoj se do të jem mirë që të takohemi në parajsë”, ka shkruar djali në letër.

Sipas përditësimit të fundit të OKB-së të datës 6 prill, nga agresioni rus në Ukrainë janë vrarë 1611, prej tyre 131 fëmijë. Megjithatë, këto shifra janë para sulmit që ndodhi në një stacion treni ku po evakuoheshin civilët, e që la të vrarë mbi 50 persona./ KultPlus.com

‘Epitaf’, ekspozita me punime të qëndisura të traditës etnografike shqiptare

Trashëgimia etnografike konsiderohet njëzëri si një nga pasuritë më të vyera të kulturës shqiptare. Artistja Egla Memaj solli përmes ekspozitës “Epitaf”, të çelur në galerinë FAB, pranë Universitetit të Arteve, punime të qëndisura ku pasqyrohen vlerat etnografike.

Në ekspozitën e saj personale artistja Egla Memaj  ka përzgjedhur si subjekt “Epitafin i Gllavenicës”, një ikonë e qëndisur dhe arritje kulmore e traditës etnografike mesjetare. E zbërthyer figurativisht në 27 vepra të reja, “Epitafi i Eglës” endur kryesisht në fill të artë, na fton në një përftim të ri mbi këtë kryevepër të trashëgimisë sonë kulturore.

Studiuesi Ermir Hoxha theksoi se “gjithë ekspozita është një tribut ndaj vlerave etnografike, një thirrje për rivlerësimin e asaj pasurie të shquar liturgjike, por dhe një dialog me të shkuarën, si ftesë për të mos harruar”.

Për studiuesin Hoxha, trashëgimia etnografike konsiderohet njëzëri si një nga pasuritë më të vyera të kulturës shqiptare.

E zhvilluar në shekuj, sipas funksionit ajo mund të grupohet si punime artistike shtëpiake për nevoja të përditshme dhe zejtari artistike e realizuar në format profesional nga mjeshtër e zanatçinj popullorë. Studiuesi Ermir Hoxha thotë se krijimtaria e artistes Egla Memaj propozohet si sintezë e këtyre dy qëndrimeve. “Si e tillë, ajo mbart dhe dashurinë e punimeve vetjake mbrujtur në ngrohtësinë e ambienteve familjare dhe nivelin e lartë profesional të mjeshtërve zanatçinj, konsoliduar në shekuj”, shprehet Hoxha.

“Epitafi i Gllavenicës” është realizuar në vitin 1373. I gjendur në bazilikën e Shën Mërisë në Ballsh, ai paraqet figurën e Krishtit të vdekur, shtrirë mbi një çarçaf dhe rrethuar nga shenjtorë, serafinë e engjëj. Me përmasa 212 x 114 cm, në këtë “ikonë të qëndisur” me fije tekstile dallohen katër ngjyra bazë: e kuqe, blu, jeshile dhe e verdhë, të shoqëruara me nuancat përkatëse. Epitafi është një nga objektet më të rëndësishme që trashëgon Shqipëria nga Mesjeta; një brilant historie e teknologjie.

Ekspozita “Epitaf” do të qëndrojë deri më 17 prill në galerinë FAB, pranë Universitetit të Arteve. Kjo është ekspozita e dytë e çelur nga Memaj pas asaj të parë në vitin 2018, “Psalm”, ku përcolli me kërshëri për publikun një dashuri të harruar, atë për qëndistarinë, përthyer mbi subjekte të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore shqiptare./atsh/ KultPlus.com

Asaj që shkoi

Poezi nga Sharl Bodler

Përktheu: Fan S. Noli

Rreth meje rruga ulërin edhe buçet.
E gjat’e hollë, sterrë, kujë madhështore,
Një grua shkoj me një fustan të zi për dore,
Q’e kolovitte posht’e lart me salltanet.

Si ëngjëll, si statuj’e gjallë vetëtin.
Si i shastisur dhe i cakërdisur unë,
Nga syr’i saj si qjell që mbrun furtunë
Thëthinja mjaltë që magjeps, dëfrim që grin.

Ia shkrepi dhe u-err. Moj flutur e farosur,
Që me vështrimin tënt më bëre flag’e furrë,
S’të shoh më vallë veç në jetën e pasosur

Ah, gjetkë, tutje, tepër vonë, nofta kurrë,
Se unë s’di ku ike, ti ku shkonj’s’e di,
Të desha, moj, e dinje, vetë moj, dhe ti. / KultPlus.com

Presidentja uron Ditën e Kushtetutës: Ta ruajmë dhe ta mbrojmë sovranitetin që buron nga populli

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Kushtetutës, duke kujtuar sakrificën e popullit për ta jetësuar atë.

Ajo tha se në këtë përvjetor duhet kujtuar se sjellja konform Kushtetutës është ruajtja e sovranitetit të vendit.

“Sot në Ditën e Kushtetutës, kujtojmë sakrificën e gjatë e të dhimbshme të popullit tonë, në mënyrë që një ditë, në kushtetutën e vendit tonë, të jetësohet ëndrra për të jetuar të lirë.  Në përvjetorin e Kushtetutës, sikurse edhe çdo ditë tjetër, duhet veprojmë, të sillemi e të ecim, siç thuhet në aktin më të lartë juridik: ta ruajmë dhe mbrojmë sovranitetin, i cili buron nga populli dhe i takon popullit. Urime Dita e Kushtetutës!”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Krahas urimit, ajo ka publikuar edhe një fotografi të vajzave të saj pranë Kushtetutës.

201 vjet nga lindja e poetit të njohur francez, Charles Baudelaire

Poeti i njohur francez, Charles Baudelaire, lindi më datë 9 prill të vitit 1821 në Paris.

E ëma e tij, pas vdekjes të së shoqit, u martua me një kolonel i cili duke qenë shumë i ashpër nxiti e provokoi urrejtjen e të birit. Marrëdhëniet me të ëmën nuk i kishte fort të mira dhe ky faktor shkaktoi te ai krizën ekzistenciale që e shoqëroi për tërë jetën.

Në vitin 1833 njerku e regjistroi në “Kolezh Ruajal”. Sjellja e tij nuk ishte nga më të mirat kështu që njerku i zëmëruar e detyroi të shkonte në Indi. Ky udhëtim ndikoi për mirë te Sharli, e njohu me kultura dhe njerëz të ndryshëm. Që këtu lindi dhe dashuria e tij për ekzotizmin, që duket më së miri në kryeveprën e tij “Lulet e së Keqes”. Sidoqoftë 10 muaj më pas u kthye në Paris dhe duke qenë se ishte në moshë madhore mori pjesën që i takonte nga pasuria e të atit.

Në vitin 1842, njohu poetët Gerard de Nerval, dhe Gautier; me këtë të fundit u afrua shumë pasi për më tepër shikonte tek ai një udhëheqës artistik dhe moral. Gjatë kësaj kohe njohu Jeanne Duval, me të cilën pati një marrëdhënie shumë pasionale. Ndryshe nga zakonisht, lidhja e tyre vazhdoi për një kohë të gjatë. Charles gjente frymëzim të Jeanne e cila i qëndroi pranë deri në ditën e fundit të jetës së tij.

Ndërkohë jeta që Bodleri bënte në Paris nuk ishte kushedi se cfarë. Kur e ëma zbuloi se ai kishte harxhuar gjysmën e trashëgimisë e hodhi në gjyq. Gjykata i caktoi një administrator të cilit Bodleri duhet ti kërkonte para për çdo gjë që i nevojitej.

Në vitin 1845 publikoi krijimet e tij të para, ndërsa për të fituar disa para më shumë filloi punë nëpër disa revista si: “L’Art romantique” e “Kuriosite estetik”.

Në 1848 mori pjesë në lëvizjet revolucionare në Paris, ndërsa në 1857, publikoi në shtëpinë botuese Pule-Malassiz kryeveprën e tij “Lulet e së keqes”, që përmban rreth 100 poezi. Libri gjykohet për imoralitet, ndërsa botuesi, detyrohet të censurojë disa prej poezive.

Bodleri ra në depresion të thellë. Në vitin 1861 u përpoq të vetëvritej. Në 1864, pasi nuk u pranua nga Akademia Fronsez, u largua nga Parisi për të shkuar në Bruksel, por edhe qëndrimi në kryeqytetin belg nuk i ndryshoi mendimet e tij për borgjezinë.

I sëmurë, kërkonte qetësinë te hashashi, opiumi dhe alkooli. Pas një paralize që e bllokoi në shtrat për disa vite ai vdiq në moshën 44 vjeçare. Eshtrat e tij prehen në varrezat Montparnasse, së bashku me ato të mamasë dhe njerkut. Në 1949 Gjykata Kasacionit e Francës vendosi që vepra dhe jeta e tij të kishin vendin e merituar në piedestalin e kulturës frënge. / KultPlus.com

Sot 61 vjet nga vdekja e Ahmet Zogut

Më 9 prill 1961, në Paris vdiq Ahmet Zogu, i lindur Ahmet Muhtar Zogolli.

Ishte data 8 tetor e vitit të largët 1895 kur lindi Ahmet Zogolli, i cili do të bëhet Mbreti i Parë i shqiptarëve, dhe do ta marr kështu emrin Mbreti Zog.

Ai lindi në Burgajet nga prindërit Xhemal Pasha Zogu dhe Sadije Toptani. Pas 13 vjetëve Ahmet Zogu i ri bëhet shef i krahinës së Matit. Më pas ai dërgohet në liceun Francez dhe në Galatasarai të Turqisë për t’i kryer studimet.

Më vonë, në moshë të re Zogu do të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912.

Tutje, vite më vonë, Zogu i emëruar nga qeveria Delvina arrin të bëhet ministër i brendshëm si 25-vjecare.

Më 31 janar të vitit 1925 Zogu shpallet President i Republikës Shqiptare, kurse më 1 shtator të vitit 1928 ai e shpall Shqipërinë monarki, dhe ai shpallet Mbret i Shqiptarëve.

Pas shpalljes së mbretërisë, më 5 shtator u krijua qeveria e parë e Mbretërisë Shqiptare. Gjatë viteve të monarkisë administrata shtetërore u forcua më tepër megjithëse jo me rrugë demokratike, por me mjete autoritare. Pluralizmi politik u asgjësua. Pati përndjekje politike, burgosje dhe internime. Vendi u shoqërua me trazira të brendshme. Në vitin 1932 ndodhi lëvizja e Vlorës, më 1935 Kryengritja e Fierit, më 1937 rebelimi i Delvinës.

Më 12 shkurt 1946, u nis në Egjipt mbasi merr një ftesë nga ambasadori egjiptian në Mbreti Faruk i Egjiptit. Në qëndrimin e tij nga shkurti i 1946 e deri në verën e 1955, organizoi Lëvizjen e Legalitetit dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e shqiptarëve antikomunistë në mërgim.

Në këtë hulli më 25 korrik 1951 udhëtoi për në New York me Princ Tatin me ftesë të shërbimeve sekrete amerikane, me çrast edhe bleu një pronë në Long Island, por iu pamundësua nga autoritetet e emigracionit në Amerikë për shkak të shqiptarëve që donte të merrte me vete. Asokohe, i sëmurë nga kanceri në mushkëri, donte të lëvizte nga Egjipti që kishte ardhur duke u bërë i paqëndrueshëm politikisht. Korrikun e 1955 oborri mbretëror i organizuar nga mbretëresha u zhvendos për në Francë, ku u vendosën në Ville St Blaise në Kanë, buzë Rivierës.

Mbreti ndërroi jetë më 9 prill 1961 në spitalin Foche në Suresnes, pranë Parisit. U shti në dhé në varrezat në Thiais. I biri, Princ Leka, u shpall mbret i shqiptarëve në një ceremoni në mërgim në hotelin Bristol në Paris. /KultPlus.com

23 vjet nga Beteja e Koshares

Beteja e Koshares e zhvilluar më 9 prill 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit Kosovë-Shqipëri më 9 prill 1999 shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e Aleancës veri-atlantike NATO.

Rënia e kufirit Kosovë-Shqipëri kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar, transmeton KosovaPress.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë edhe motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

Për nder të 20-vjetorit të Betejës së Koshares nën përkujdesjen e kryeministrit Ramush Haradinaj sot është mbajtur manifestimi tradicional “Ditët e shqipes”./ KultPlus.com

Sot, Dita e Kushtetutës

Sot bëhen 14-vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

 9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot e kanë ditë pushimi. / KultPlus.com

“Kujt t’i ankohem? Kë të mallkoj?”

Poezi nga Teodor Keko

Vetvetes
(Teodorit të dashur)

Nga jeta ime shtegtuan zogjtë
dhe njerëzimi e humbi seksin.
Tani unë flas për ç’do të lindë
pa parë turmat që po vdesin.

O miku im, oportunizëm,
ma hëngre kokën, ma bëre gropën!
Kujt t’i ankohem? Kë të mallkoj?
Më mirë po ik’, të plehëroj botën!

1993 / KultPlus.com

Bekim Fehmiu luan rolin e një romi në filmin ‘Mbledhësit e puplave’ (VIDEO)

Në filmin e vitit 1967 – “Mbledhësi i Puplave”, aktori shqiptar Bekim Fehmiu luante rolin e një romi.

Dhe këtë ditë kur shënohet Dita Ndërkombëtare e Romëve, duhet ta kujtojmë performancën e aktorit me përmasa botërore, i cili lindi më 1 qershor 1936 në Sarajevë.

Filmi 94 minutësh tregon mbi jetën e ciganëve dhe romëve në Jugosllavi, ndërsa krahas Bekimit – në rolin e Beli Pora Perjar, luan edhe Olivera Katarina e Bata Zhivojinoviq.

Në film ka edhe aktorë që e flasim gjuhën rome dhe që i përkasin komunitetit rom.

Titulli origjinal i filmit është ‘Skupljaci Perja’, ndërsa në anglisht ‘I even met happy gypsies’, me regji nga Aleksandar Petroviq.

Filmi u nominua në kategorinë “Academy Award for Best Foreign Language Film” dhe “Golden Globe Award for Best Foreign Language Film”. / KultPlus.com

Will Smith përjashtohet nga Oscars për një dekadë

Will Smith është përjashtuar nga Akademia e Oscars dhe çdo ngjarje tjetër e tyre për 10 vjetët e ardhshëm.

Ky vendim vjen pas një takimi me bordin e guvernatorëve të Akademisë për të vendosur fatin e aktorit, pasi e goditi komedianin Chris Rock në Oscars më 27 mars, shkruan The Independent.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit njoftoi, në fillim të kësaj jave, se do të merrte një vendim në takimin e saj vjetor, në mënyrë që të diskutonte sanksionet për Smithin.

Vendimi parasheh ndalimin e Smithit për një dekadë në çdo ngjarje të Akademisë, personalisht dhe virtualisht.

Ndalimi është “përfshirë, por pa u kufizuar, në çmimet e Akademisë”, sipas Jesse Rodriguez, zëvendëspresident i Editorial & Rezervimit për MSNBC.

Pesë ditë pas shuplakës, Smith dërgoi një dorëheqje zyrtare në Akademi, duke e hequr atë nga anëtarësimi në organin e çmimeve Oscars.

Dorëheqja e Smithit u pranua, por presidenti i AMPAS, David Rubin, komentoi: “Ne do të vazhdojmë të ecim përpara me procedurat tona disiplinore kundër zotit Smith për shkelje të standardeve të sjelljes së Akademisë.” / KultPlus.com