Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, presidentja Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale të Meritave, dramaturgun Nexhip Menekshe



Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësues të këtij komunitetit të kryesuar nga deputeti Ergjan Galushi, përcjellë KultPlus.

Presidentja Osmani ka uruar përfaqësuesit rom në Ditën Ndërkombëtare të tyre dhe ka theksuar se Republika e Kosovës është shtet i lirë dhe demokratik në të cilin respektohen standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Sipas Presidentes Osmani, komuniteti rom krahas komuniteteve të tjera është pjesë e rëndësishme e diversitetit kulturor të Kosovës dhe se ka dhënë kontribut në procesin e shtetndërtimit të vendit. 

“Në Kosovë, të gjitha komunitetet duhet kenë mundësi të barabarta, sikurse edhe ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Komuniteti rom ka dhënë kontribut në shtetformim, në ndërtimin e fundamentit të shtetit tonë”, ka thekuar Presidentja Osmani.

Me rastin e kësaj Dite, Presidentja Osmani ka dekoruar post mortem me Medaljen Presidenciale të Meritave, dramaturgun, gazetarin dhe mësuesin e gjuhës rome,  Nexhip Menekshe. / KultPlus.com

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësues të këtij komunitetit të kryesuar nga deputeti Ergjan Galushi, përcjellë KultPlus.

Kofi Annan pranë dhimbjes së refugjatëve të Kosovës në Kukës dhe Stenkovec (FOTO)

Kofi Annan, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, ka qenë padyshim një person kyç gjatë viteve 1999 ku në Kosovë kishte plasur genocidi serb, shkruan KultPlus.

Kofi Annan ka vizituar Kosovën por edhe kampet e refugjatëve gjatë luftë së fundit, në ato vite ai u takua me autoritetet lokale dhe pa nga afër lagjet e shkatërruara nga forcat serbe.

KultPlus sot ju përcjellë dy fotografi të shkrepura në majin e vitit 1999-të kur Kofi Annan kishte vizituar kampin e refugjatëve në Stenkovec të Maqedonisë dhe kampin e refugjatëve në Kukës të Shqipërisë.

Gjatë kohës kur ai ishte pjesë e OKB-së, ndoqi me kujdes dhe përkushtim situatën e krijuar mes dy vendeve, ku akuzonte Serbinë për shkatërrimin e Kosovës dhe dënonte krimet e saj ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Ai insistoi dhe realizoi me sukses dy qëllimet që e favorizuan Kosovën, kthimi i refugjatëve të Kosovës dhe që Kosova të vihet nën administrimin e OKB-së, përpara se të nënshkruhej më vonë dhe paqja mes dy vendeve./ KultPlus.com

United Nations Secretary General Kofi Annan (L) shakes hands with Ibrahim Rugova, Kosovo’s independence leader, 01 June 1998 at UN headquarters in New York. Kosovo’s population is 90 per cent ethnic Albanian, many of whom are demanding independence from Serbia. AFP PHOTO Stan HONDA / AFP / STAN HONDA (Photo credit should read STAN HONDA/AFP/Getty Images)

Si bëhet kënga shqiptare

Nga Qëndrim Popaj

Merre një grusht marrëzi,
shto ca pika racizmi, budallakije e patriarkalizmi,
e pak patriotizëm fallc e t’harxhun,
pak gurë të përmendoreve dhe beton,
pak gjelbërim që e merr n’Serbi,
pak aromë t‘premtimeve të politikanëve,
Në fund i shton egoizëm
dhe i hedh ca gënjeshtra përsipër
dhe e le të piqet nën tingujt e muzikës tallava
deri sa t’na thotë Amerika: u pjekë.

Inspiruar nga poezia “Si bëhet kënga rome” e Kujtim Paçaku, e kthyer në satirë. / KultPlus.com

Vrasja e Donjeta Pajazitajt, sot mbahet seanca e radhës e rigjykimit ndaj Naser Pajazitajt

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, sot pritet të mbahet seanca e radhës e rigjykimit ndaj të akuzuarit Naser Pajazitaj, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt më 2015 në Deçan.

Seanca e e fundit për këtë rast është mbajtur dje më 7 prill, ku i akuzuari Naser Pajazitaj pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, ndërsa u deklarua i pafajshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitaj , raporton “Betimi për Drejtësi“.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, më 17 mars 2022, Gjykata e Apelit e ka hudhur si të palejuar kërkesën e avokatit të Pajazitajt, Gëzim Kollçaku, për përjashtimin e trupit gjykues.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019.

Por, në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë.

Vendimi për delegimin e lëndës në Ferizaj ishte marrë nga Gjykata e Apelit.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 27 maj 2021, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë.

Më pas, Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, Naser Pajazitaj po akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e ka bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunjë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Sipas aktakuzës, Pajazitaj akuzohet se më parë e gjerë më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke , në atë mënyrë që më revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe gjerë më 23.05.2017, në fshatin Strellc i Ulët Komuna e Deçanit, i akuzuari pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 me numër serik 120331141 dhe 2 karikator të zbrazet, ashtu që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes ka gjetur dhe sekuestruar armën e cekur si më lartë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK–së./ KultPlus.com

Kërkesat e paplotësuara të sindikalistëve për të cilat do të protestojnë para Qeverisë

Miratimi i Ligjit të pagave, zbatimi i Ligjit për sigurime shëndetësore dhe ndryshimi i Ligjit për skemat pensionale janë tri kërkesat e Federatave dhe Shoqatave Sindikale, që më 8 prill protestojnë në Prishtinë.

Më poshtë mund të mësoni detaje për ligjet për të cilat po protestojnë sindikalistët.

Projektligji për paga, që parasheh rritje të pagave në bazë të koeficientit, apo detyrave që kanë punonjësit publikë, ka mbetur pezull që nga viti 2020.

Ky ligj ishte miratuar në shkurt të vitit 2019 dhe kishte hyrë në fuqi në mars të po atij viti. Por, Avokati i Popullit e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të përputhshmërisë së tij me Kushtetutën e vendit.

Më 2020, Gjykata Kushtetuese nxori vendimin dhe tha se ky legjislacion nuk ishte në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”, duke e shfuqizuar vendimin e Kuvendit të Kosovës.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se janë në proces të rihartimit të këtij projektligji dhe i njëjti pritet të dërgohet në Kuvend gjatë muajit prill.

Sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), protestuesit do të kërkojnë që deri në zbatimin e Ligjit të pagave, të ketë rritje të pagave për 100 euro për punëtorët e sektorit publik.

Kjo pasi, siç kanë thënë më herët sindikalistët, në Kosovë në muajt e parë të vitit 2022 janë rritur çmimet e konsumit, duke bërë që inflacioni në muajin shkurt të arrinte në 7.5 për qind.

Ligji i ‘harruar’ i sigurimeve shëndetësore

Policët e zjarrfikësit, janë ndër punëtorët në profesione që konsiderohen me rrezik, e të cilët punojnë pa sigurime shëndetësore. Ndërsa, një numër i vogël i qytetarëve në Kosovë, përmes kompanive private, paguajnë për sigurime shëndetësore. Kjo pasi, në vend nuk zbatohet Ligji për sigurime shëndetësore.

Një ligj i tillë ishte miratuar më 2014, por asnjëherë nuk është zbatuar për askënd.

Zbatimi i ligjit ishte parashikuar që t’i paraprinte një periudhë gjashtëmujore për mbledhjen e fondeve. Mbledhja e fondeve ishte paraparë që të niste më 1 korrik të vitit 2017.

Atëbotë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.

Prej atëherë çështja e sigurimeve shëndetësore ka mbetur pezull.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në programin për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të vitit 2021 – zgjedhje në të cilat fitoi mbi 50 për qind të votave – kishte thënë se “funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore publike është detyrë e jonë për të cilën zotohem para jush se do të përmbushet”.

Por, deri më tani ekzekutivi kosovar i udhëhequr nga Albin Kurti nuk ka marrë ndonjë vendim për jetësimin e këtij ligji.

Kontributet pensionale

Kërkesa e tretë e sindikalistëve është që të ndryshohet Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, përkatësisht, të ndryshohet neni ku kërkohet që të ketë 15 vjet kontribute pensionale para 1 janarit të vitit 1999.

Para këtij viti, të gjithë qytetarët që kanë pasur kontribute pensionale, të njëjtat nuk iu figurojnë pasi Serbia që nga përfundimi i luftës ende nuk i ka kompensuar ato kontribute ndaj qytetarëve të Kosovës.

Sipas ligjit aktual të pensioneve, çdo person që mbush 65 vjet, e që ka qenë kontributpagues, duhet të dëshmojë pagesën e kontributeve para datës së vitit 1999. Nëse nuk arrijnë të dëshmojnë se kanë pasur kontribut 15 vjet para 1 janarit të vitit 1999, ata nuk e gëzojnë të drejtën e pensionit kuntributpagues, por vetëm marrin pensionin e moshës.

Buxhetit të Kosovë skemat sociale dhe pensionale brenda një viti i kushtojnë 43.3 milionë euro.

Vlera më e madhe shkon te pensionet bazike të moshës apo 14.9 milionë. Kjo kategori merr pagesë prej 100 eurosh në muaj.

Ndërkaq, në kategorinë e pensionit kontributpagues të moshës, vlera varion në bazë të nivelit të shkollimit.

Në kategorinë e parë hyjnë pensionistët e parsimuar ose ata me arsim fillor dhe pensioni është në vlerë prej 182 eurosh. Ata me arsim të mesëm marrin 198 euro në muaj, pensionistët me arsim të lartë marrin pension prej 214 eurosh në muaj dhe pensionistët me arsim universitar paguhen me 265 euro.

Në Kosovë ka edhe skema të tjera pensionale dhe sociale përfshirë edhe pensionet për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të punëtorëve të kompleksit “Trepça” e të tjerë./REL / KultPlus.com

Pablo Picasso: Arti është një gënjeshtër që na ndihmon të realizojmë të vërtetën

E kam të vështirë ta kuptoj rëndësinë që i jepet fjalës “kërkim“ në lidhje me pikturën moderne. Simbas meje, në pikturë, kërkim nuk do të thotë asgjë. Të gjesh: ky është problemi. Askujt nuk mund t‘i zgjojë kureshtje një njeri që vështron ngultazi përtokë, duke kërkuar kuletën që rastësia mund ta ketë hedhur në rrugë. Kush gjen diçka, nuk ka rëndësi se çfarë, edhe nëse kërkimi i asaj gjëje s’ishte qëllimi i tij, ai po që na zgjon kureshtjen, pse jo dhe admirimin.

Më kanë akuzuar se kam kryer shumë mëkate: por akuza më e rreme është se unë paskam si qëllim kryesor të punës sime prirjen për të kërkuar. Kur pikturoj, qëllimi im është të tregoj atë që kam gjetur dhe jo atë që po kërkoj. Në art qëllimet nuk janë të mjaftueshme dhe, siç themi ne në Spanjë, dashuria duhet të tregohet me vepra dhe jo me argumente. Vlerë ka ajo që bëjmë dhe jo ajo që synojmë të bëjmë.

Të gjithë e dimë se arti nuk është e vërteta. Arti është një gënjeshtër që na ndihmon të realizojmë të vërtetën, së paku të vërtetën që na është dhënë të kuptojmë. Artisti duhet të dijë mënyrën me të cilën do t’i bindë të tjerët për të vërtetën e gënjeshtrave të tij. Nëse nëpërmjet punës së tij ai arrin të na tregojë vetëm faktin se ka kërkuar dhe rikërkuar mënyrën e realizimit të gënjeshtrave të tij, ai kurrë nuk do mund të arrijë diçka.

Shpeshherë ideja e kërkimit e ka nxjerrë pikturën nga udha, ndërsa artistin e ka bjerrë nëpër stërhollime mendore. Ndoshta ky ka qenë gabimi kryesor i artit modern. Shpirti i kërkimit i ka helmuar ata që nuk i kanë kuptuar plotësisht të gjithë elementët pozitivë dhe përmbyllës të artit modern dhe i ka bërë të përpiqeshin të pikturonin të padukshmen, pra të papikturueshmen.

Ata flasin për natyralizëm dhe kundërvënie ndaj pikturës modene. Do më pëlqente të njihja ndokënd që ka parë një vepër arti natyrale. Natyra dhe arti, duke qenë dy realitetet krejtësisht të ndryshme, nuk mund të jenë e njejta gjë. Nëpërmjet artit ne shprehim konceptimin e asaj që natyra nuk është.

Velázques na ka përcjellë shëmbëlltyrën e njerëzve të epokës së tij: pa dyshim që ata ishin ndryshe nga ç’i ka pikturuar ai, por ne nuk mund të konceptojmë Filipin IV ndryshe nga ç’e ka pikturuar Velázques. Edhe Rubens ka bërë një portret të të njejtit mbret, por duket tjetër njeri. Ne besojmë në atë që ka pikturuar Velázques sepse ai na bind me të drejtën e pushtetit.

Qysh nga origjina, nga primitivët, veprat e të cilëve janë qartësisht të ndryshme nga natyra, dhe deri tek artistë si David, Ingres, e deri dhe Bouguereau, të cilët besonin se e pikturonin natyrën ashtu siç është, arti ka qenë përherë art dhe jo natyrë. Dhe nga pikëpamja e artit nuk ka forma konkrete apo abstrakte, por vetëm forma, të cilat s’janë gjë tjetër veçse gënjeshtra bindëse. Nuk ka dyshim se këto gënjeshtra janë të nevojshme për pjesën tonë mendore, sepse pikërisht përmes tyre ne mund të krijojmë këndvështrimin tonë estetik mbi jetën.

Kubizmi nuk është i ndryshëm nga asnjë shkollë tjetër e pikturës. Për të gjitha shkollat janë të përbashkëta të njejtët parime e të njejtët elementë. Fakti se për shumë vite kubizmi nuk është kuptuar, dhe ka ende sot ka njerëz të cilët nuk arrijnë ta shohin, nuk do të thotë kurrgjë. Unë nuk di të lexoj në anglisht. Një libër në anglisht për mua është një libër i bardhë. Por ama kjo s‘do të thotë se gjuha angleze nuk ekziston. Përse duhet të qortoj ndokënd, veç vetvetes, nëse nuk arrij të kuptoj diçka rreth së cilës nuk di kurrgjë?

Shpesh dëgjoj të shqiptohet fjala evolucion. Më kërkojnë të shpjegoj se si evoluon piktura ime. Për mua, në art nuk ka të shkuar apo të ardhme. Nëse një vepër arti nuk mund të jetojë përngahera në të tashme, nuk duhet të merret në konsideratë. Arti i grekëve, i egjiptianëve, i piktorëve të mëdhenj që jetuan në kohë të tjera, nuk është art i së shkuarës. Mbase sot është më i gjallë nga ç’ka qenë ndonjëherë. Arti nuk evoluon vetvetiu, idetë e popujve ndryshojnë e bashkë me to ndryshojnë edhe mënyrat e shprehjes. Kur dëgjoj të flitet për evoluimin e ndonjë artisti, më duket sikur njerëzit e shikojnë atë në këmbë midis dy pasqyrave që riprodhojnë shëmbëlltyrën e tij në sasi të panumërt- e që kundrojnë edhe shëmbëlltyrat vijuese të pasqyrës tjetër si të ardhmen e tij- teksa shëmbëlltyra e tij e vërtetë ndodhet në të tashme.

Ndryshimi nuk do të thotë evolucion. Nëse një artist ndryshon ekspresionin e tij, kjo do të thotë se ai ka ndryshuar vetëm mënyrën e tij të të menduarit, gjë që mund të jetë për më mirë ose për më keq. Mënyrat e shumta që kam përdorur unë nuk duhet të konsiderohen si një evolucion apo si shkallë që çojnë drejt një ideali të panjohur të pikturës. Gjithë ç’kam bërë ka qenë gjithnjë për të tashmen, me shpresën e të mbeturit përherë në të tashmen.

Kur kam gjetur diçka për të shprehur, e kam bërë pa menduar për të shkuarën apo të ardhmen. Nuk besoj se në mënyrat e mija të ndryshme kam përdorur elementë rrënjësisht të ndryshëm; nëse objektet që kam dashur të shpreh më kanë propozuar mënyra të ndryshme ekspresioni, unë nuk kam ngurruar fare t’i përdor. Unë nuk kam bërë as eksperimente e as prova. Kur kam diçka për të thënë, e them në mënyrën që më duket më natyrale. Motive të ndryshme kërkojnë në mënyrë të pashmangshme metoda të ndryshme ekspresioni. Kjo nuk do të thotë evoluim apo ecje përpara, por përshtatje e idesë që duam të shprehim me mënyrat e shprehjes së kësaj ideje.

Arti kalimtar nuk ekziston. Në historinë kronologjike të artit ka periudha që janë më pozitive dhe më të plota se të tjerat; kjo do të thotë vetëm se ka periudha në të cilat ekzistojnë artistë më të mirë se në periudhat e tjera. Nëse historia e artit do mund të paraqitej në mënyrë grafike, ashtu siç veprohet me digramat që shënojnë ndryshimet e temperaturës së të sëmurit, do viheshin re të njejtat linja që ulen e çohen, duke provuar kështu që në art nuk ka ngjitje dhe përparim, por shënohen do lloj uljesh e ngritjesh si në çdo tjetër fushë. E njejta gjë ndodh edhe në punën individuale të një artisti.

Shumë njerëz mendojnë se kubizmi është një art kalimtar, një eksperiment që nuk mund të sjellë rezultate të mëtejshme.  Ata që mendojnë kështu nuk e kanë kuptuar. Kubizmi nuk është një farë apo fetus, por art që trajton një shkallë formash parësore, dhe kur një formë realizohet shfaqet aty për të jetuar jetën e saj. Një lëndë minerale që ka një formë gjeometrike nuk është bërë për qëllime kalimtare; ajo është aty për të mbetur dhe mbetur përherë në formën e saj; nëse duam të zbatojmë në art ligjet e evolucionit dhe të transformizmit, atëherë duhet të pranojmë që gjithçka është kalimtare. Por, në të kundërt, arti nuk hyn në këto absolutizma filozofike. Në qoftë se  kubizmi ishte art kalimtar, unë jam i bindur se e vetmja formë që do mund ta pasonte kishte për të qenë një formë tjetër e kubizmit.

Janë bërë përpjekje për ta shpjeguar kubizmin nëpërmjet matematikës, trigonometrisë, kimisë, psikanalizës, muzikës, e kushedi ç’gjëje tjetër. E tërë kjo s’ka prodhuar send tjetër përpos letërsi, për të mos thënë “pa kuptim“, dhe ka sjellë rezultatin e keq të verbimit të njerëzve përmes teorive.

Kubizmi ka qëndruar përherë brënda kufinjve të pikturës, duke mos mëtuar kurrë të dalë jashtë saj. Vizatimi, piktura dhe ngjyra janë mirëkuptuar dhe përkushtuar në kubizëm po me të njejtin shpirt dhe mënyrë siç janë mirëkuptuar në shkollat tjera. Kohërat tona mund të jenë të ndryshme sepse ne kemi ndërkallur në pikturë objekte dhe forma të panjohura më parë, kemi hapur sytë mbi gjithë çfarë na qarkon, e edhe mendjen.

Formës dhe ngjyrës u kemi dhënë kuptimin e tyre të veçantë gjer ku kemi arritur ta shohim. Në objektet tanë ruajmë harenë e zbulimit, kënaqësinë e së papriturës; vetë objekti ynë duhet të jetë një burim vëmendjeje. Por ç’dobi ka vallë të flasim rreth asaj që bëjmë, në një kohë kur të gjithë mund ta shikojnë, nëse duan?

Pablo Picasso

Përktheu: Shpëtim Kelmendi /KultPlus.com

Ribotohet e plotësuar libri ‘Kosova” I-V nga Jusuf Buxhovi

Nga Jusuf Buxhovi

Shtëpitë botuese “Faik Konica” nga Prishtina dhe “Jalifat Publishing” nga Houstoni i Teksasit  së shpejti nxjerrin nga shtypi, të plotësuar,   veprën historiografike të Jusuf Buxhovit “Kosova” I-V, tashmë të përkthyer edhe në anglisht dhe e pranishme në unviersitetet amerikane dhe botërore.

 Do të jetë ky botim i tretë i radhës nga ai i vitit 2017.

Botimi më i ri i “Kosovës” në pesë vëllime (Antika, Mesjeta, Perandoria Osmane, Kosova 1912- 1945 dhe Kosova 1645-1999),  shfaqet i plotësuar por edhe me disa rishkrime.

Plotësimi ka të bëjë me përforcimin e tezës pellazge dhe lidhjes ilire-shqiptare me të, pastaj me rolin e madh të trinomit mbretëror ilir në  antikitet: Maqedonisë, Dardanisë dhe Epirit në rrjedhat e kohës si dhe demistifikimit të mëtutjeshë  të tezave të historiografisë serbe rreth të ashtuquajturit shtet mesjetar serb, i konvertuar nga Rasha tribale. Kësaj problematike, i shtohet kapitulli i veçantë në pjesën “Mesjeta”, me ç’rast sillen fakte të shumta nga autorët nga mesjeta ndlr ta edhe ajo e perandorit Kantakuzeni, që hedhin dritë të re rreth falsifikimeve të historiografisë serbe si dhe rolit të faktorit arbëror në Bizant dhe gjatë Perandorisë osmane. Vemendje e veçantë i kushtohet edhe periodës së Rilindjes kombëtare, asaj midis dy luftërave botërore si dhe ripushtimit të Kosovës nga Serbia me ndihmën e partizanëve të Shqipërisë në vitin 1944, me ç’rast kemi edhe krimet e përbashkëta të përmasave të gjenocidit ndaj shqiptarëve që kundërshtuan pushtimin sllavo-komunist . Në vëllimin e pestë, vemendje e madhe i kushtohet rrethanave në Jugosllavinë e Titos si dhe shpërbërjes së saj, që u përcoll me lëvizjen kombëtare që vuni në binarët historik pavarësinë e Kosovës./ KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Romëve

Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë, traditave dhe kulturës rome, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale.

Kjo ditë synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komunitetet Rome në të gjithë botën.

Kjo ditë është deklaruar zyrtarisht në vitin 1990 në Poloni gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë i mbajtur në prill të vitit 1971.

Romët kanë zhvilluar traditat e tyre në muzikë, poezi, kërcim dhe pikturë. Muzika tradicionale rome është ndoshta pjesa më e njohur e kulturës rome. Muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike të tillë si Franz Liszt dhe Johannes Brahams. Violina, kitara she klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë.

Kërcimi tradicional është një tjetër element i rëndësishëm i kulturës rome, ka ruajtur elemente nga India, ashtu siç edhe ka përfshirë elemente nga kultura e vendeve në të cilat romët kanë jetuar. Kërcimi Flamengo përfaqëson shembullin më të dukshëm të kontributit të romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve.

Gjuha rome është ruajtur mirë dhe flitet në të gjithë botën në dialekte të ndryshme. Vitet e fundit shumë studiues kanë punuar për ta standardizuar gjuhën rome duke prodhuar abetare dhe fjalorë.

Analizat gjuhësore kanë treguar se ajo është shumë e ngjashme me gjuhët e folura në Indinë qendrore dhe veriore, dhe kjo lidhje gjuhësore besohet se dëshmon origjinën gjeografike të romëve.

Romët kanë shkëlqyer edhe në punimet artizanale si në punimin e metalit, qëndisjen dhe gdhendjen e bizhuterive. Shportat e kashtës të punuara me dorë janë një tjetër produkt tipik i romëve.

Veshjet tradicionale përdoren akoma gjerësisht në disa komunitete rome, ku gratë veshin fund të gjatë të lidhur në të majtë të belit, një bluzë dekolte, një jelek bolero, një përparëse dhe vathë me ngjyra.

Flamuri rom është flamuri ndërkombëtar i romëve. Ai është krijuar nga Unioni i Përgjithshëm i Romëve në Rumani në vitin 1933 dhe u miratua nga përfaqësuesit ndërkombëtar romë në vitin 1971.

Ngjyra blu simbolizon qiellin, ndërsa jeshilja përfaqëson tokën dhe të korrat. Flamuri mban gjithashtu një rrotë të kuqe (chakra) në kujtim të origjinës indiane të romëve, e cila simbolizon zjarrin, lëvizjen dhe progresin.

Kjo ditë në Kosovë do të shënohet me disa aktivitete të paralajmëruara nga institucionet e vendit. / KultPlus.com

Bafta Games Awards 2022, Returnal triumfon me katër çmime

Loja horror sci-fi Returnal u bë fituesi i madh në Bafta Games Awards të këtij viti, duke marrë katër çmime.

“Kjo është e mrekullueshme sigurisht dhe ne jemi shumë krenarë për ekipin që ia doli”, ka thënë kreu i studios Housemarque, Ilari Kuittinen.

Jane Perry fitoi interpretuesin më të mirë kryesor për interpretimin e Returnal’s Selene, një astronaut që ngec në një lak kohore pas uljes së përplasjes në një planet alien.

Në fjalimin e saj, aktorja falënderoi Bafta për “njohjen e artit dhe talentit të jashtëzakonshëm në industrinë e lojërave”.

“Performuesit ëndërrojnë të kenë një rol të tillë për të na zhytur dhëmbët. Ajo është një grua e moshës së mesme, është një nënë beqare dhe është e guximshme dhe e fortë. Dhe pavarësisht humbjes dhe traumës së saj të konsiderueshme, ajo nuk dorëzohet kurrë. Ajo shpreson për një të ardhme më të mirë dhe unë mendoj se duke pasur parasysh gjendjen shumë serioze të botës tani që ne të gjithë mund të marrim frymëzim nga Selena”, ka thënë aktorja./21Media / KultPlus.com

49 vjet nga vdekja e Pablo Picassos

Sot shënohet 49 vjetori i vdekjes së piktorit Pablo Picasso.

Pablo Picasso u lind më 25 tetor 1881 në Málaga të Spanjës. Ai ishte piktor, skulptor, punues qeramike, projektues grafik, poet dhe dramaturg, publicist dhe kumtues. Ç’mos ishte ai. Kudo la gjurmë me sprova t’kurajshme dhe ndryshesa çapërluese e transformuese. Me ç’nuk i mbushi ai të 91 vitet e moshës, deri më 8 prill 1973 kur u shua.

Rreth 15.000 piktura, vizatime, grafika, plastika dhe qeramika, dëshmojnë jo dhe aq volumin e tij të jashtëzakonshëm, se sa vlerat shumëdimensionale, me të cilat ai promovoi emrin dhe veprën e tij, duke qëmtuar kështu për të vendosur majën më të lartë. “Kur isha fëmijë, dëshiroja të pikturoja si të rriturit. Tani kur jam rritur, e madje, edhe moshuar, dëshiroj të pikturoj si fëmijë”, – është kjo perifrazë shkëputur nga ligjërimet e piktorit të madh, dhe njëherazi, një nga filozofitë e krijimit dhe përjetimit.

Në punën e tij, çdo gjë përqendrohej te ndjeshmëria, te dëshira, forca dhe hapësira, që i veshi këtij dimensioni prej nga erdhi kumtimi krijues. Qëllimi i Pablo Picassos nuk ishte të argumentonte koherencën, por që të arrinte të ndiente nivelin më të lartë të ndjeshmërisë, forcën e shprehisë dhe formën e çartun të artikulimit. /KultPlus.com

‘Njeriu ka nevojë për dashuri: të dojë dhe të duhet’

Mid’hat bej Frashëri ka qenë diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar. Mes të tjerësh, ai ka qenë ndër etërit e nacionalizmit shqiptar.

Nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani.

Më 1901 ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, përmbledhjen “Hi dhe shpuzë ”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese socio-politike dhe etnike “Plagët tona” (1924) etj. Mit’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Albanais et Slaves” (1919) e të tjera.

Si njëri nga mendjendriturit shqiptar, Mid’hat beu njihet edhe për shumë thënie me interes për shqiptarët, disa prej të cilave i kemi përzgjedhur më poshtë.

“Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe”.

“Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë”.

“Liria është që të mos të trazojë njeri ty dhe ti të mos të trazosh të tjerët”.

“Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm”.

“Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve”.

“Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit”.

“Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër”.

“Mos u hidhëro po të shkojë tjetri para, edhe pse nuk ndenj dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar”.

“Është i lumtur ai që di dhe mund të punojë, që di dhe mund të bëjë edhe të tjerët të punojnë”.

“Që ta zgjojmë frymën e iniciativës, duhet të pushojmë së shpresuari gjë prej qeverisë”.

“Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë”.

“Gjithë vlefta, gjithë fuqia, gjithë virtyti në këtë botë është, puna”.

“Shqiptari ikën jashtë Atdheut me lehtësi, jo se ai emigron, po ai shkon të kërkojë fatin gjetiu dhe është mbase ky eksod që pengon vendlindjen e tij që të kultivohet më mirë”. /KultPlus.com

Presidentja Osmani do të vizitojë Shtetet e Bashkuara në prill dhe maj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit prill dhe muajit maj, përcjell KultPlus.

Këtë gjë e ka konfirmuar Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela, në emisionin “Rubikon me Adriatik Kelmendin”.

“Presidentja i ka dyert e hapura në ShBA, në muajin prill dhe maj do të ketë vizitë në SHBA, do të ketë takime të niveleve të ndryshme, qoftë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongresin Amerikan. Ajo ka ftesë nga zyrtarë të ndryshëm të Shtëpisë së Bardhë që të ketë takime me ata. Disa në Shtëpinë e Bardhë disa në Kongres”, ka thënë Vela.

KultPlus do t’iu mbajë të informuar sapo të bëhet e ditur edhe agjenda zyrtare e kësaj vizite. /KultPlus.com

‘Njeri i zoti nuk është ai që s’ka të meta, por ai që pranon të metat e tij’

Sami Frashëri është një autor shumë i njohur, i cili ishte një shkrimtar, filozof dhe dramaturg shqiptar, dhe një figurë kryesore e Rilindja Kombëtare, lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare të fundit të shekullit të 19-të, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdyl dhe Naim. Ai fitoi një vend në historinë e letërsisë osmane si një autor i talentuar nën emrin Şemseddin Sami Efendi dhe kontribuoi në reformimin e gjuhës turke osmane, përcjell KultPlus.

Pas vetes, jo vetëm Samia por të gjithë vëllezërit Frashëri lënë vepra që s’do të harrohen asnjëherë.

Njëra prej më të njohurave ka të bëjë me njeriun e zoti dhe se si të metat e bëjnë atë një njeri më të “mirë”.

“Njeri i zoti nuk është ai që s’ka të meta, por ai që pranon të metat e tij”. /KultPlus.com

‘Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se te Vaçe Zela’

Vaçe Zela lindi më 7 prill 1939, në qytetin e vogël të Lushnjës. Padyshim mund të themi se ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare.

Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.

Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë kohës komuniste dhe iu dha titulli ‘Artist i Merituar’ në vitin 1973 dhe ‘Artist i Popullit’ në vitin 1977.

Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

U nda nga jeta më 6 shkurt 2014, në Bazel të Zvicrës.

Në vijim mund të lexoni se çfarë mendonin Dritëro Agolli dhe Nexhmije Pagarusha për Vaçe Zelën:

Dritero Agolli: “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”

Nexhmije Pagarusha: “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela.” /KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pritur në takim të rregullt ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.

Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe thellimin e bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë.

Osmani diskutoi me ambasadorin Hovenier realizimin e projekteve zhvillimore ne fushën e energjetikës në Kosovë me mbështetje nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

Me tej, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier biseduan edhe për agjendën e takimeve ndërkombëtare te Presidentes në vende të ndryshme të botës. /KultPlus.com

Pink Floyd po publikon këngën e parë pas tri dekadave për të mbledhur para për Ukrainën

Pink Floyd po publikon muzikën e parë të re në pothuajse tre dekada për të mbledhur para për popullin e Ukrainës, njoftoi grupi të enjten, përcjell KultPlus.

“Hey Hey Rise Up” përfshin anëtarët e Pink Floyd, David Gilmour dhe Nick Mason, me vokal nga këngëtari ukrainas Andriy Khlyvnyuk i grupit BoomBox.

Kënga paraqet Khlyvnyuk duke kënduar një këngë patriotike ukrainase nga një klip që ai regjistroi përpara Katedrales së Shën Sofisë në Kiev dhe e postoi në mediat sociale.

Gilmour, i cili performoi me BoomBox në Londër në vitin 2015, tha se videoja ishte “një moment i fuqishëm që e bëri atë ta rikthejë edhe në muzikë”.

Pas pushtimit të Rusisë, Khlyvnyuk ndërpreu një turne në SHBA për t’u kthyer në Ukrainë dhe për t’u bashkuar me një njësi të mbrojtjes territoriale.

Kënga do të publikohet të premten dhe grupi thotë se të ardhurat do të shkojnë për Fondin e Ndihmës Humanitare të Ukrainës.

Pink Floyd u themelua në Londër në mesin e viteve 1960 dhe ndihmoi në krijimin e skenës psikedelike në Mbretërinë e Bashkuar përpara se të publikonte albumet me ndikim të viteve 1970, duke përfshirë “The Dark Side of the Moon”, “Wish You Were Here” dhe “The Wall”.

Anëtari origjinal Roger Waters u largua në 1985, dhe anëtarët e mbetur të Pink Floyd regjistroi për herë të fundit së bashku për albumin e vitit 1994 “The Division Bell”. /KultPlus.com

‘The POET Magazine’ publikon poezinë e Arbër Selmanit “Kirillin e vranë”

Poezia e poetit Arbër Selmani “Kirillin e vranë” është përfshirë në një antologji për Ukrainën – “Poetry for Ukrainë”, e cila është botuar nga The POET Magazine, shkruan KultPlus.

“Unë uroj me gjithë zemër që të mos na duhej të bënim shkrime të tilla, por disa prej nesh, vetëm përmes shkrimit e kemi të mundur të përballemi me pamje shkatërruese sikurse nga Ukraina. Njerëz dhe institucione të ndryshme kanë dhënë donacione për magazinën “The POET”, për përpilimin e kësaj antologjie të mahnitshme dhe të përzemërt”, ka shkruar autori në postimin e tij në “Facebook”.

Ai gjithashtu ka thënë se nëse dëshironi që të dhuroni donacione për uebsajtin “Poetry for Ukraine”, duhet të shkoni në faqen e tyre të internetit dhe të klikoni mbi “support us”.

“Ju gjithashtu mund të blini antologjinë, dhe kështu do të dhuroni për mirëqenien e popullit ukrainas”, shkruan tutje Selmani.

Kirilli është foshnja e cila u vra në Ukrainë më 7 mars, ndërkohë, KultPlus iu sjellë edhe poezinë e Selmanit më poshtë:

Kush i copëton zorrët e foshnjës 18 muajshe?
Kush?

Kujt i plasë për foshnjën
së cilës
ia nënshkruam traktatin e vdekjes?

Kujt?

A del më shumë tym prej një ndërtese në gërmadha
A prej një Putini
A prej një njeriu mut
A prej një foshnje që lëshoi të fundit klithmë sot?

Kë ta kapë për fyti tash kjo nënë?
Kah t`ia mbajë këmbëve ky babë?
Kush numëron sa pika gjak u shtrydhën nga një kokë e vogël
e një foshnje?
Kush i pastron të vjellurat e fëmijëve poshtë bombardimeve?

Në Ukrainë, Kirillin sot e vranë, Kirilli është i vrarë
… se duhet të jetojë lufta, nafta, Kremlini, punëtorët nuklearë
… të përgjakur, rrugëve jetojnë ukrainasit me kokën e çarë.

A buzëqesh sot, nëse ka Zot, ajo dorë e prekur prej një nëne ruse?
… dora që vrau një bebe, një jetë të mbështjellur në çarshaf lufte
… dora ruse, dora ruse, e vran Kirillin, po vran fetuse.

Në Ukrainë, Kirilli është tash në nëntokë
… nuk i ha palla botës as atij mizorit për një fëmijë më pak
… Kirill, gjuaje Putinin me granata, prej ku fle tash, o foshnje pafat, gjuaje me gjak… /KultPlus.com

Serbia voton ‘pro’ pezullimit të Rusisë nga OKB, Rama: Lajm i mirë për rajonin

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të enjten pezulloi Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut për shkak të raporteve për “shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzime të të drejtave të njeriut” nga pushtimi i trupave ruse në Ukrainë, raporton Reuters, përcjell KultPlus.

Për këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur për rrështimin e Serbisë me Perëndimin.

“Pezullimi i Rusisë nga Human Rights Council në OKB refuzim i fortë për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie e të drejte dhe krimet mizore të luftës në Ukrainë.Rreshtimi i Serbisë përsëri me Perëndimin në këtë përshkallëzim të ri kundër agresionit rus, lajm i mirë për rajonin!”, ka shkruar ai.

Propozimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u votua pro nga 93 anëtarë, derisa 24 vende votuan kundër dhe 58 të tjera abstenuan. /KultPlus.com

OKB-ja pezullon Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të enjten pezulloi Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut për shkak të raporteve për “shkelje të rënda dhe sistematike dhe abuzime të të drejtave të njeriut” nga pushtimi i trupave ruse në Ukrainë, raporton Reuters, përcjell KultPlus.

Propozimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u votua pro nga 93 anëtarë, derisa 24 vende votuan kundër dhe 58 të tjera abstenuan.

Befasia në këtë votim ishte rreshtimi i Serbisë përkrah vendeve perendimore, duke votuar “pro” pezullimit të Rusisë nga OKB-ja.

Pezullimet janë të rralla. Libia u pezullua në vitin 2011 për shkak të dhunës kundër protestuesve nga forcat besnike të liderit të atëhershëm Muammar Gaddafi.

Rezoluta e miratuar nga drafti i Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh shpreh “shqetësim të madh për krizën e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe humanitare në Ukrainë”, veçanërisht për raportet për abuzime të të drejtave nga Rusia. /KultPlus.com

The Weeknd, befasia kryesore e ‘Coachella’ së bashku me grupin e njohur të muzikës dance

Këngëtari i mirënjohur, The Weeknd, do të performojë në “Coachella”, duke zënë vendin e Kanye West, përcjell KultPlus.

Organizatorët e Coachella njoftuan të mërkurën se The Weeknd, dhe supergrupi i muzikës shtëpiake Suedeze House Mafia do të marrin përsipër vendet e reperit më 17 prill dhe 24 prill.

Suedisht House Mafia bashkëpunoi me Weeknd në këngën e re “Moth to a Flame” vitin e kaluar. Më pas grupi ripërpunoi këngën e këngëtares në Dawn FM “Sacrifice”. Më 15 prill, Swedish House Mafia do të publikojë albumin e tyre debutues, Paradise Again, prandaj dëgjuesit dhe adhuruesit e këtij grupi kanë çfarë të dëgjojnë. /KultPlus.com

Albumi ‘Future Nostalgia’ vazhdon të thyejë rekorde, Lipa po shijon suksese të mëdha

Kur janë bërë 2 vite që këngëtarja Dua Lipa ka lansuar albumin e saj “Future Nostalgia”, albumi po vazhdon që të thyejë rekorde të jashtëzakonshme, shkruan KultPlus.

“Future Nostalgia” ka kaluar tashmë 2 vjet në tabelën e Billboard 200.

Është albumi i parë i një gruaje i publikuar këtë dekadë që arrin këtë moment historik.

Përmes revistës “Billboard” publikohen edhe popullariteti i këngëve dhe albumeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në përgjithësi në botë.

Në anën tjetër, Lipa është duke e mbajtur këtë vit turneun nëpër ShBA dhe Evropë të albumit “Future Nostalgia”. /KultPlus.com

‘Me shëndet çdo gjë na duket e kënaqshme, kurse kur jemi të sëmurë asgjë nuk na kënaq’

7 Prilli, Dita Botërore e Shëndetit, ditë e cila shënohet në gjithë botën nga viti 1950, përcjellë KultPlus.

Më poshtë gjeni disa thënie që kanë të bëjnë me shëndetin dhe sa i rëndësishëm është ai për jetën e njeriut:

Me shëndet çdo gjë na duket e kënaqshme, kurse kur jemi të sëmurë asgjë nuk na kënaq. – Artur Shopenhauer

Shëndeti është njësh të cilit mund t’i shtosh shumë zero si vlera të tjera, por që pa të gjitha mbeten zero. – Kineze

Jemi tre: unë, ti dhe sëmundja; nëse ti do të bashkëpunosh me mua, ne të dy do ta mposhtim sëmundjen, por nëse ti nuk bashkëpunon me mua, sëmundja do të na mposhtë të dyve. – Një mjek arab

Nuk ka asnjë dobi nga të gjitha të mirat, pa përjashtim, po që se mungon shëndeti. -Lukiani

Shëndeti dhe mendja janë dy të mira të mrekullueshme në jetë. Çdo njeri i shëndoshë shumë kollaj i jep këshilla atij që është i sëmurë. – Menandri

Më e bukura nga ditët tona është ajo kur qeshëm. – Aristoteli

Gjellë, pije, gjumë, dashuri trupore, të gjitha me masë.

Parandalimi i sëmundjes është më i mirë se terapia.

Dietat që arrijnë cakun e fundit të dobësimit janë të dëmshme, por edhe të ngrënët e shumtë gjithashtu është i dëmshëm.

Sëmundja që përballohet në mënyrë të studiuar qëndron më lart se mirëqënia e shthurur. – Hipokrati

Mjeku i të sëmurëve është gjumi i rregullt. – Teofil

E qeshura ndihmon tretjen, nxit zemrën për punë dhe përforcon muskujt, ngacmon në veprimtarinë krijuese të trurit dhe ruan gatishmërinë e reflekseve. – Ë.Fry

Një sëmundje e rëndë mund të shërohet, përveç të tjerash, edhe me forcën e të qeshurit; një e qeshur e mirë, nga ato që të shkrijnë, lëviz edhe i bën të dridhen të gjitha organet trupore, njësoj si lëvizjet fizike. – N.Kousins

Gëzimi hyn në jetën tonë, kur kemi diçka për të bërë, diçka për të dashur dhe diçka për të cilën shpresojmë. – J.Addison

I gjithë interesi për sëmundjen dhe vdekjen është një shprehje tjetër e interesit për jetën. – Tomas Man

Morgu është vendi ku vdekja gëzon t’i vijë në ndihmë jetës. – Latine

Nuk ka qelizë ose ind aq të vogël, saqë të mos ketë shpirtin dhe forcën jetësore brenda tij. – J.Kent

Trupi i njeriut ëshët një shtet i individëve të barabartë, një shtet demokratik i qelizave, një federatë qelizash. Megjithëse qelizat e një shteti të individëve të lirë me të drejta të barabarta nuk kanë aftësi të njëjta, në të vërtetë ato persitojnë për shkak të varësisë së ndërsjellë që kanë nga njëra-tjetra.

Nëse sëmundja është një shprehje e jetës vetjake në rrethana të pafavorshme, atëherë epidemitë duhet të jenë tregues i çrregullimeve të popullatës. – Rudolf Virchov

Natyrës i takojnë falenderime të mëdha sepse i ka dhënë jetës së qënieve aq shumë fuqi shteruese. – Gëte

Më mirë të të shtypë tramvaji se sa të të marrë inat virusi. – J.J. Walsh

Mesazhi im për biznesmenët e këtij vendi kur ata udhëtojnë jashtë shtetit për punë është që, për të parandaluar infektimin nga SIDA, ka një gjë mbi gjithë të tjerat që ata duhet ta marrin me vete, dhe kjo është gruaja. – Edëina Currie

Zemra është një organ i fuqishëm, një mekanizëm i mrekullueshëm, që, pa riparime, mund të bëjë një shërbim të fortë pompues që zgjat deri në 100 vjet. – Villis J. Potts

Gjaku është ajo pemë e kuqe dhe e brishtë të cilin e mbajmë gjithmonë me vete. – Osbert Sitëell

Veshkat janë kimistet mjeshtre të mjedisit tonë të brendshëm, të cilat, si të thuash, bëjnë sintezën në sensin invers. – Homer Villiam Smith

Të ushqehem, të pi ujë, të meditoj. Edhe me kaq mund të jem i kënaqur. Pasuria dhe nderimet janë si retë, ikin. – Konfuc./ KultPlus.com

Balerini italian braktis teatrin rus

Italiani Jacopo Tissi është rikthyer në La Scala të Milanos pasi lufta në Ukrainë shkaktoi largimin e tij të papritur nga Baleti Bolshoi në Moskë, ku ai ishte promovuar si balerin kryesor në fund të vitit. 27-vjeçari performoi për herë të fundit në Teatrin Bolshoi më 3 Mars para largimit të tij të papritur.

“Ishte vërtet e vështirë, sepse emocioni më pushtoi. Por ishte shfaqja ime dhe doja ta bëja, kështu që, pavarësisht kësaj, ishte një moment që nuk do ta harroj lehtë. Më duhej t’u thosha lamtumirë kolegëve, mësuesve dhe miqve, në një gjendje kaq të vështirë dhe të çuditshme”.

Tissi, qëndroi për 5-vite n֝ë Rusi. Balerini vendosi të largohej për shkak të atmosferës së rëndë që ishte krijuar dhe e kishte të pamundur të bënte punën e tij. Tissi do të performojë në një gala për refugjatët ukrainas në një teatër tjetër të Milanos përpara se të marrë rolin e balerinit kryesor të ftuar në sezonin e baletit La Scala.

Ai thotë se ka mësuar shumë në Moskë, por nuk është penduar që është larguar. I prekur ai e përshkruan situatën në Ukrainë pas sulmit rus më 24 Shkurt, si “të tmerrshme, të trishtueshme dhe të pabesueshme gjithashtu“. / Klan News / KultPlus.com