Andrej Tarkovski, gjeniu më me ndikim i kinemasë ruse

“Kur zbulova filmat e Tarkovskit, për mua qe një mrekulli. Papritur u gjenda para dyerve të një dhome, çelësin e së cilës nuk e kisha. Një dhomë ku gjithmonë, kisha dashur të futem” (Ingmar Bergman).

Andrei Tarkovskij (4 prill 1932-29 dhjetor 1986) mbetet gjeniu më me ndikim i kinemasë ruse, filmat e të cilit renditen ndër më të mirët në historinë e kinemasë, ai është hieratik, mrekullibërës. Në kinemanë e tij realizohet magjia e një ekzistence tjetër. Futesh në një tjetër botë, në një botë ku gënjeshtra nuk ka vend, ku njeriu nuk luan me zare, por e shikon realitetin në fytyrë. Në të mjerimi i njeriut përshkruhet pa joshje: është një mjerim kaq i pështirë dhe i neveritshëm, saqë kërkon praninë e Zotit.

Në “Solaris” (1972) Tarkovski e imagjinon planetin të përbërë nga një lëndë koloidale e aftë të pasqyrojë shpirtin e atyre që kalojnë nëpër të. Astronautët papritmas përballen me gjendjen e tyre morale. Jo me atë që duan të jenë, por me atë që janë në të vërtetë. Zbulimi i të vërtetës së brendshme të dikujt rezulton i padurueshëm dhe i neveritshëm. Astronautët zbulojnë meskinitetin e unit të tyre, të ndërthurur me falsitetin dhe egërsinë. Shfaqen obsesionet, pendimet, ndjenjat e fajit, për atë që kanë bërë, për vrazhdësinë e të mosdashurit. Kelvin takon fantazmën e së shoqes, e cila kreu vetëvrasje për shkak të tij. Vuan mundimin që nuk mund të ndryshojë asgjë, e rijeton me keqardhje atë që ka bërë, pa mundësi korrigjimi.

Neveria për thelbin e vet moral është i llahtarshëm. 

I njëjti përshkrim i pamëshirshëm i mjerimit, që banon në shpirtin njerëzor (i korruptuar nga një materializëm gjithëpërfshirës) ndodh te “Stalker”. Në fund të filmit, në pragun e dhomës së dëshirave, dhoma që ka fuqinë të përmbushë atë që secili dëshiron në thellësi të tij (jo atë që thotë se dëshiron, por atë që dëshiron në të vërtetë) Shkrimtari vendos të mos hyjë, duke e shoqëruar zgjedhjen e tij me këtë frazë “nuk do të hyj në dhomë, sepse nuk dua t’i vjell askujt në fytyrë neverinë që kam brenda vetes”. E njëjta njohje dëshpëruese ndodh me Porkospinon, personazh enigmatik që vendos të hyjë në dhomë me dëshirën për të ringjallur të vëllanë, por që shpërblehet me një pasuri të papritur. Kjo nënkupton se dëshira për para në zemrën e tij ishte më e fortë se dëshira për të rikthyer në jetë të vëllanë, Porkupine bën vetëvrasje. Mjerimi dhe kalbëzimi i shpirtit njerëzor janë arsyeja nxitëse për të gjithë filmat e Tarkovskit (në fakt të paktë, 8 në 25 vjet). 

Kësaj gjendjeje mjerimi, të cilin njeriu e ka arritur për shkak të prirjes së theksuar për hedonizëm dhe materializëm, si dhe për skllavërimin e plotë të shkencës dhe teknologjisë (pa kundërpeshën e nevojshme të etikës dhe ndërgjegjes), Tarkovski nuk ofron mundësi të mëdha shpengimi. Në të vërtetë, në filmat e tij, në mënyrë intransigjente dhe rigoroze, ai duket se pohon (në gjurmët e Haidegerit) se “vetëm një Zot mund ta shpëtojë njeriun nga degjenerimi i tij”.

Përballë divorcit midis njeriut dhe natyrës, përballë përkeqësimit që teknologjia dhe materializmi kanë gjeneruar brenda dhe jashtë qenies njerëzore, duke e shndërruar natyrën e njeriut në një natyrë të dytë (të cunguar, false, urbane) dhe duke e transformuar tokën në një gërmadhë shkatërrimi dhe spekulimi, kinemaja e Tarkovskit propozon rrugën e mundimshme dhe të vështirë të besimit.

Besimi në Zot, në atë Zot që u bë njeri.

Një njeri i pastër, që zgjodhi mërgimin nga bota, për të mos u përballur me përçmimin e shtypjes dhe mizoritë e historisë, që pranoi martirizimin për të shlyer mëkatet e njerëzimit. Protagonistët e filmave të Tarkovskit janë personazhe të krishterë: murgu “Rublev”, i çmenduri “Stalker”, protagonistët e “Sakrifica” janë personazhe që pranojnë të heqin dorë nga gjithçka (familja, shtëpia), madje pranojnë të konsiderohen edhe të çmendur, mjaft që të ndërtojnë një mburojë autenticiteti dhe shenjtërie; një zonë e shkëputur nga pjesa tjetër e botës, jashtë logjikës së shkatërrimit dhe rrënimit, një zonë që ruan shkëlqimin e ndjenjës, një vend i rigjeneruar vazhdimisht nga uji dhe era, i banuar nga Zoti. Heqja dorë nga bota dhe krijimi i këtij vendi të shenjtë përbëjnë aktin e besimit të personazheve tarkovskiane. Në këto vende, të kursyera nga shkatërrimi i fuqisë bërthamore, ose ndoshta të rigjeneruar pasi shkatërrimi bërthamor (simboli i mëkatit njerëzor) është përhapur në dëm të Krijimit, në këto vende, thuhet, personazhet kristikë të Tarkovskit lëvizin dhe ecin, të përjashtuar, por krenarë.

Ata nuk duan asgjë

Jam mirë kështu, – thotë Stalkeri, – nuk kam zili asgjë, kërkoj të më lënë të qetë Zonën time”, në këtë vend të shenjtë që kam krijuar për të mbijetuar, larg telit me gjemba dhe torturave që ju ia impononi vazhdimisht vetes. Në këtë vend, përsërit Stalker, gjithçka është e qetë, e heshtur, por mbi të gjitha “nuk ka burra, që mund të bëjnë keq”. […] I detyruar në mërgim (për të mos iu përmbajtur diktateve të propagandës imperialiste), Tarkovski na sjell filma të përjetshëm, ku ngjyra, lënda dhe bardh/e zi depërtojnë dhe vërtetojnë njëra-tjetrën, ku fotografia merr një rol artistik të bukurisë së pakufishme.

Në to, çdo shkrepje është një pikturë, një ikonë e shenjtë. Dimensioni poetik tregon një prirje ngarkese, deri në thithjen e hipotezës së çdo komploti apo gërshetimi.

Filmat e Tarkovskit janë filma asketikë, por pa tension, të përulësisë së skajshme. Duke përdorur sekuenca të gjata dhe të mençura, Tarkovski vë në skenë lutjen vetjake. Lutja e një kthimi në origjinë, në atë vend ku unë dhe Zoti jemi një. Në të cilën nuk ka varfëri, por mirësi. Atje ku është e mundur të shijoni bekimet e tokës, të miqësoheni me kafshët, të kapërceni frikën e mjerimin. /Konica.al/ KultPlus.com

Në qytetin e Durrësit vijon puna për rijetësimin e monumenteve të kulturës

Në qytetin e Durrësit vijon puna për rijetësimin e monumenteve të kulturës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi sot një takim me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, me të cilin bisedoi mbi projektet e rijetësimit të disa prej monumenteve të qytetit bregdetar.

“Me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako për të çuar përpara punët e mira që kemi nisur për rijetësimin e monumenteve të kulturës, që nga amfiteatri, muzeu arkeologjik, TID Durrës e të tjera objekte me një rëndësi të veçantë për qytetin dhe trashëgiminë tonë kulturore”, tha Margariti.

Në qytetin e Durrësit gjenden objekte mjaft të rëndësishme, të cilat përbëjnë potenciale mjaft të favorshme për turizmin kulturor siç janë: Amfiteatri i Durrësit, forumi bizantin, Muzeu Arkeologjik ku janë të paraqitura periudhat greke dhe romake, Torra Veneziane, xhamia e Fatihut, Muzeu Etnografik etj. / KultPlus.com

“Vogue” publikon listën e yjeve të veshura më së miri në “Grammy 2022”

Ceremonia “Grammy” është zakonisht një ngjarje ku rregullat e modës nuk zbatohen. Organizatorët e natës më të madhe në industrinë e muzikës, mburren me faktin se yjet mbi qilim të kuq zgjedhin të guxojnë me stilin e modës, duke sjellë fustane unike dhe veshje që habisin, në përpjekje për t’u bërë virale. Edhe këtë vit, emrat më të njohur të muzikës dukeshin të etur për të sfiduar pritshmëritë.

Disa prej emrave që revista prestigjioze e modës, “Vogue”, ka zgjedhur t’i përfshijë në listën e veshjeve më të mira të ceremonisë “Grammy”, janë: Lady Gaga, e cila dukej elegante me një fustan bardh dhe zi të markës, “Armani Privé” dhe stoli prej diamanti nga “Tiffany & Co”, pastaj Dua Lipa, e cila u shfaq plot stil mbi qilim të kuq, e veshur me fustanin klasik të shtëpisë së modës, “Atelier Versace”. Dukjen, këngëtarja kosovaro-britanike e kompletoi me stilin e ri të flokëve të bardha dhe një mori stolish prej ari. Lenny Kravitz shkëlqente me stilin unik të një ylli të muzikës rok, i veshur me pantallona prej lëkure të kombinuara me këpucë me take dhe një bluzë që ngjasonte me një rrjetë prej argjendi, raportoi të hënën “Vogue”.

Jack Harlow dukej mjaft elegant i veshur me një kostum të zi të markës “Givenchy”, derisa Lil Nas X u shfaq në stilin barok me kostumin e mbushur me margaritarë të markës “Balmain”. Kurse, aktorja dhe komediania, Tiffany Haddish, e përjetoi një eksperiencë divash e veshur me fustanin ngjyrë ari të markës “Prada”.

Listën e “Vogue” e përbëjnë edhe yjet: SZA, Halsey, Allison Russell, Cynthia Erivo, Snoh Aalegra, Justin dhe Hailey Bieber, Giveon, Jared Leto, St. Vincent, Leslie Odom dhe Rachel Zegler. / KultPlus.com

Margariti: Andon Zako Çajupi, një prej personaliteteve të letrave shqipe

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti kujtoi sot Andon Zako Çajupin, në kuadër të “Muajit të Librit” me disa fjalë të mençura të thëna prej tij: “Me qiejt mos u mbani, se nuk mbahen gjëkundi”.

“Me këto fjalë të urta, thënë nga një prej personaliteteve të letrave shqipe, Andon Z. Çajupi, ju uroj një javë të mbarë”, tha Margariti.

Çajupi lindi më 27 mars të vitit 1866. Për hir të së vërtetës, quhej Andon Çako, ndonëse identifikohet gjerësisht si “Çajupi”. Me këtë emër mundi të mbarte në krijimtarinë e tij gjurmë të pashlyeshme të vendlindjes, Zagorisë, ku gjendet mali prej nga derivon pseudonimi i tij letrar.

Pas shkollimit bazë, do ta linte Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare. Atje do të ndiqte një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim evropian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku në vitet 1887-1893, kreu studimet për drejtësi.

Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit. U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar.

Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”, veçohet si vepra e tij kryesore. Në gjallje, u botuan “Përrallat e La Fontenit” (1921) përshtatur prej tij në shqip, “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskrishte. Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909).

Ndërkaq, la në dorëshkrim pjesën më të madhe të veprave të tij, sikurse mund të përmendim poemën “Baba Musa lakuriq”, tragjedinë “Burri i dheut” dhe komedinë “Pas vdekjes”.

Çajupi ndërroi jetë në Kajro, më 11 korrik 1930. / KultPlus.com

BE-ja gati të dërgojë hetues për krimet e luftës në Ukrainë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka reaguar përmes një postimi në Twitter në faqen e saj, ku thotë se BE-ja është e gatshme të dërgojë ekipe të përbashkëta hetimore në Ukrainë për të dokumentuar krimet e raportuara të luftës.

Postimi i saj vjen pas bisedës telefonike me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, , për “vrasjen mizore të civilëve në Bucha dhe gjetkë në Ukrainë”.

Ekipet do të jenë në koordinim me prokurorin e përgjithshëm të Ukrainës, me mbështetjen e agjencisë evropiane të policisë Europol dhe agjencisë së drejtësisë penale Eurojust. Imazhet tronditëse të trupave të civilëve në rrugët e Bucha, pranë kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, kanë çuar në një shpërthim të dënimit ndërkombëtar të Rusisë.

“Unë fola me Presidentin Zelenskyy për vrasjen mizore të civilëve në Bucha dhe gjetkë në Ukrainë. BE-ja është e gatshme të dërgojë ekipe të përbashkëta hetimore për të dokumentuar krimet e luftës në koordinim me Prokurorin e Përgjithshëm të Ukrainës. Europol dhe Eurojust do të mbështesin po ashtu,”- shkruan Ursula von der Leyen në postimin e saj në Twitter. / KultPlus.com

Përkujtohet në 100 vjetorin e lindjes aktori Ndrek Shkjezi

Si sot më 4 prill 1922 në Shkodër lindi aktori Ndrek Shkjezi. Ai ka qenë ndër bashkëthemeluesit e Teatrit të Shtetit në vitin 1947, ku edhe ka dhënë kontributin e tij në skenën e këtij teatri deri në vitet ’80.

I njohur edhe në kinema me rolin e tij të parë të vitit 1953, tek filmi “Skënderbeu” dhe jo vetëm, përmendim, shfaqjet “Cuca e maleve”, “Prefekti”, “Mëngjese lufte”, “Një djalë dhe një vajzë”, “Radiostacioni”, “Shoku ynë Tili” e shumë të tjerë, janë veprat ku Ndrek Shkjezi ka lënë gjurmë me karakterin e spikatur të personazheve, të cilat do të mbeten në memorien e kinemasë dhe teatrit tonë.

Aktori është ndarë nga jeta në vitin 2000. Për meritat e tij artistike Ndrek Shkjezi është vlerësuar me urdhrin “Naim Frashëri” dhe në vitin 1989 ka marrë titullin “Artist i Merituar”, të cilin Arkivi Qendror Shtetëror e publikoi sot, duke e kujtuar kështu në ditën e tij të lindjes. / KultPlus.com

Mu në zemër të Nju Jorkut, artistja Teuta Ibriqaj me vepër artistike në qendrën botërore ‘Rockfeller’

“Rockefeller Center” është një pikë referimi historike kombëtare në zemër të Midtown Manhattan. Shtëpia e “Top of the Rock Observation Deck”, “NBC Studios”, “Radio City Music Hall” dhe shumë më tepër, së fundmi pati dalë me një thirrje për të dizajnuar një flamur që do të valvitej krahas punës së mrekullueshme nga artistë të shquar si: Jeff Koons, Carmen Herrera, Christian Siriano, Hank Willis Thomas, Jenny Holzer, KAWS, Laurie Anderson, Marina Abramovic, Faith Ringgold, Sarah Sze, Shantell Martin, Steve Powers, me c’rast në mesin e tyre është bërë pjesë edhe artistja Teuta Ibriqaj, shkruan KultPlus.

Artistja Teuta Ibriqaj është paraqitur me veprën e saj në formën e instalacionit, që përmban titullin “Earth and Sea”, në kuadër të #TheFlagProject.

E pyetur se si erdhi ideja për realizimin e këtij intalacioni, Ibriqaj për KultPlus thotë se ndonëse ajo gjithmonë paraqet diçka në formë abstrakte në një mënyrë moderne që është e dukshme për publikun dhe që i jep mundësi asaj që të flas në një mënyrë artistike, kësaj radhe ajo ka vendosur që të shfaq diçka ndryshe nga e zakonshmja.

“Doja të shfaqja diçka tjetër në një pikturë dhe të paraqes Tokën dhe bukurinë e saj, edhe pse unë jam në një proces të një skice të krijimit të Tokës me bukurinë e saj, ende vazhdoj të krijoj. Ideja më erdhi si: “Tokë dhe Deti”, ku shtrova pyetjet si: Si ta duam?, Si ta ruajmë?, Si ta çmojmë më tepër vendin?”, thotë Ibriqaj.

Sipas saj, në vepër është shpalosur një sipërfaqe që ndahet në dy ngjyra të bukura, atë krem në të kaft të hapur që paraqet Tokën në një mënyrë të pastër, ndërsa në anën e djathtë shihet ngjyra e gjelbër në të kaltër të hapur që paraqet bukurinë e ujit të kristaltë, për të shprehur kështu harmoninë e jashtëzakonshme të Tokës dhe Detit.

“Unë krijoj në vazhdimësi dhe ajo më jep kënaqësi të tejskajshme. Që të kam mundësinë të shpreh në mënyrë artistike atë qe kam si artiste dhe se si e shoh atë bukuri përmes syve te mi në këtë pjesëmarrje, po më bënë të lumtur shumë. Por ndihem e lumtur edhe që po prezantoj popullin shqiptar me një vepër arti mu në zemër të New York dhe aq më tepër nëpërmjet një projekti të madh ndër artistë të shkëlqyer”, thotë Ibriqaj për KultPlus.

Këto vepra artistike që shfaqen në formën e një flamuri në kuadër të #TheFlagProjcet, do të valviten nga data 1 prill deri më 1 maj.

Qëllimi i këtij instalacioni është mjedisi ku jetojmë dhe kjo është një përzgjedhje e punimeve në bashkëpunim me “Climate Museum” nga United Nations Environment Programme, gjithashtu me qëllim të ruajtjes së gjithë globit tokësor. / KultPlus.com

Të huaj jemi

Shkruan: Ismail Kadare

Të huaj jemi

Te huaj jemi ne prej kohesh,
C’ish per t’u thene eshte thene,
Si guret qe zene vend ne toke,
Ne jete vend ne kemi zene.
Drejt njeri-tjetrit kemi mbyllur
Te gjitha rruget edhe shtigjet,
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.
Por naten, kur i lodhuri truri,
Portat i mbyll me qetesi,
Ti gjen nje shteg dhe futesh brenda,
Nje shteg qe vetem ti e di.
Pastaj si ne rrugica parqesh,
Shetit mes cirkovolucionesh,
Hyn neper endrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma ben me dore.
Pok kur mengjesi ze afrohet,
Nis shqetesohesh befas ti,
Dhe heshturazi del perjashta
Nga shtegu, qe del vec ti
E dita vjen. Rrjedh prape jeta.
Dhe ne te dy si dhe me pare
Te ftohte rrime e te pamposhtur
Si dy qytete mesjetare. /KultPlus.com

Destinacionet turistike të Shqipërisë prezantohen në forumin “New Deal Europe” në Londër


Shqipëria do të marrë pjesë sot në forumin New Deal Europe në Londër, Britani e Madhe, ku janë prezentë turoperatorët britanikë, amerikanë dhe evropianë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Mirëmëngjes me një lajm të mirë për pjesëmarrjen e Shqipërisë në forumin e New Deal Europe në Londër ku janë prezentë turoperatorët britanikë, amerikanë dhe evropianë. New Deal Europe është platforma e tregut të udhëtimeve dedikuar destinacioneve turistike në rritje e ku do të prezantohet më e mira e Shqipërisë për këtë sezon turistik”, theksoi Kumbaro.

Në këtë forum turoperatorët britanikë, amerikanë dhe evropianë do të njihen me destinacionet turistike të Shqipërisë.

Si një destinacion turistik i njohur për shumë turistë nga shumë vende të botës, Shqipëria gjithnjë e më shumë po bën për vete turistë dhe vizitorë të huaj, të cilët rezervojnë udhëtime turistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë përgjatë sezonit veror dhe dimëror. / atsh / KultPlus.com

Osmani në konferencë shpalos punën e saj 1-vjeçare, nga krizat lokale e deri te angazhimi për anëtarësim në NATO

Kur janë bërë 1 vit që posti i Presidentit të Kosovës udhëhiqet nga një grua, Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim për të shënuar sukseset dhe pritshmëritë për të ardhmen, shkruan KultPlus.

Përmes një fjalimi në kabinetin e saj, Osmani e filloi fjalimin duke thënë se viti i kaluar është karakterizuar nga shumë sfida lokale e globale.

“Pandemia, kriza energjetike dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian. Kosova është sot një kontribuuese aktive dhe një anëtare e respektuar e komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Osmani.

Si udhëheqëse e politikës e jashtme, ajo thotë se ka punuar për të siguruar që të përfaqësohemi me dinjitet dhe krenari në çdo cep të botës.

“Jam angazhuar që zëri ynë të dëgjohet edhe te vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë tonë”, shprehet tutje Osmani.

Ajo edhe gjatë ditës por edhe gjatë fjalimit ka potencuar se Kosova mbetet e përkushtuar në angazhimin e saj për anëtarësim në familjen e NATO-s.

“Shteti i së drejtës është përkushtimi im i vazhdueshëm me qëllim që ta rrënjosim atë në të gjithë vendin. Në këtë frymë kamë punuar secilën herë kur kam marrë një vendim , kur kam bërë një emërim dhe kjo ka jehuar në çdo deklarim e takim timin”, ka thënë Osmani.

Osmani gjithashtu shprehet se gjatë punës së saj një vjeçare është angazhuar edhe në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, ndërgjegjësimin dhe adresimin e sfidave me të cilat përballen fëmijët me nevojat e veçanta dhe rritjen e vetëdijes mbi kërcënimet që i kanosen shëndetit tonë nga shkatërrimi i ambientit.

“Pres të punojmë drejt arritjeve të sukseseve të reja. Do të vazhdoj të punoj për të udhëhequr politikën e jashtme dhe për t;i treguar botës që Kosova është më shumë se sa dinamikat e përditshme politike dhe që është një vend paqedashës”, njoftoi 39 vjeçarja.

Presidentja gjatë ditës së sotme ka publikuar në llogarinë e saj zyrtare në “Instagram” opsionin për të bërë pyetje, në mënyrë që çdo qyetetarë të pyes për punën 1 vjeçare dhe të ardhmen e vendit. /KultPlus.com

‘Urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë këtë’

Martin Luther King, Jr. i kaloi vitet e tij si aktivist dhe udhëheqës i lëvizjes për të drejtat civile. Ai ishte i njohur për fjalimet, predikimet dhe shkrimet e tij që synonin të motivonin shoqërinë për të nxitur ndryshimin, përcjell KultPlus.

Fjalimi i tij më i shquar ishte “I Have a Dream”, e në anën tjetër Dr. King u nderua edhe me Çmimin Nobel për Paqe për përpjekjet e tij në vitin 1964. Këto citate të Martin Luther King, Jr. rreth guximit, unitetit, dashurisë dhe barazisë racore janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që ai la pas.

Disa prej thënieve të tij më të njohura KultPlus ua sjellë më poshtë:

  1. “Unë kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një komb ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre. Unë kam një ëndërr sot.”
  2. “Le të kuptojmë se harku i universit moral është i gjatë, por ai përkulet drejt drejtësisë.”
  3. “Masa përfundimtare e një njeriu nuk është vendi ku ai qëndron në momentet e rehatisë dhe komoditetit, por ku qëndron në momentet e sfidave dhe polemikave.”
  4. “Koha është gjithmonë e duhur për të bërë atë që është e drejtë.”
  5. “Kam vendosur të qëndroj pas dashurisë. Urrejtja është një barrë shumë e madhe për ta mbajtur.”
  6. “Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë këtë. Urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.”
  7. “Në një të nesërme jo shumë të largët, yjet rrezatues të dashurisë dhe vëllazërisë do të shkëlqejnë mbi kombin tonë të madh me gjithë bukurinë e tyre shkëlqyese.”
  8. “Ju mund të vrisni ëndërrimtarin, por nuk mund ta vrisni ëndrrën.”
  9. “Falja nuk është një akt i rastësishëm. Është një qëndrim i përhershëm.”
  10. “Ne duhet të pranojmë zhgënjimin e fundëm, por kurrë mos e humbim shpresën e pafund.”

Kanë kaluar më shumë se 50 vjet që kur Dr. Martin Luther King, Jr., u vra në Memphis, Tennessee, por fjalët e tij janë po aq kuptimplote sa ishin gjatë kulmit të Lëvizjes për të Drejtat Civile. /KultPlus.com

Poetizimi i rebelimit personal përmes kontekstuales dhe universales

Përmbledhja poetike “Bëhu i bukur”, e autores Mimoza Ahmeti, është i shkruar kryesisht gjatë viteve 1982-88, me variante e variacione të botimit, shtimit e heqjes së poezive të caktuara. Kjo është një përmbledhje e cila vjen me një sensibilitet dhe standard tjetër të komunikimit e modelimit të tekstit poetik, realizuar me një potencial kreativ të mirëmenduar dhe mirërealizuar në diskursin poetik të veprës. E gjithë kjo vazhdë e krijimtarisë dhe  të të qenit ndryshe, vjen si vetëdije për letërsinë në kontekstin e  sistemit politik që  reflekton konsiderata të caktuara për prodhimin letrar të kohës. Mbi këtë logjikë dhe duke  mirënjohur gjendjen e  tillë statike të produksionit letrar, autorja  ofron  një refuzim estetik individual të asaj tradite të shkrimit, si dhe bën përpjekje për krijimin e risive letrare me ide novatore, bazuar në mendimin   se letërsia nuk duhet t’i shërbejë sistemit ngase  ajo nënkupton më shumë se aq. Autorja, për të hapur shtigje të reja ofron modelin e saj krijues, i cili tregohet mospërfillës ndaj konvencave dhe standardit të determinuar nga sistemi sociopolitik. Si vazhdimësi e kësaj, me një sharm të ri krijues  sidomos në nivelin figurativ, autorja krijon përmbledhjen e saj e cila mund të lexohet në dy pamje: kontekstuale dhe universale.

Në pamjen e parë duke konstatuar dhe hetuar lidhjen e autores me aktualitetin dhe zhvillimet e realitetit, të vrojtuara dhe gjykuara nga ajo me intuitën poetike  hetohet dhe reflektohet mbi gjendje e situata të caktuara internale e eksternale në tekstin poetik të cilat parimisht kushtëzohen interpretativisht,  pikërisht nga këto elemente, t’i quajmë kushtimisht biografike. Si rezultat i kësaj, pamja e parë që është kontekstuale realizohet në poezi specifike dhe pjesë të cilat konotojnë historinë  e përjetimeve të autores të cilat janë një kolorit aq i natyrshëm i të shprehurit saqë paraqesin një dramë në vetvete për mënyrën e përjetimit dhe realizimit artistik të veprës.

Pamja e dytë ndërlidhet me universalen si shtrirje e problemit të qenies në fenomene e ndjesi të cilat janë substancialisht  humane. Në këtë plan autorja i qëndron më afër purizmit lirik e poetik teksa i shkruan dashurisë, frymës, jetës, vdekjes e kujtimeve, të cilat në parim ikin kah abstraktja e konceptualja e  ku poezitë rezultojnë të jenë më meditative në aspekt  emocional .

Diskursi metaforik si vlerë poetike dhe ikje ndaj cenzurës

Ndjesia e subjektit lirik lëviz duke u artikuluar  me tone të përshkallëzuara në cikle të caktuara që  vjen  si revoltë për gjendjen sociopolitike e cila rezulton të jetë më  emfatike, duke u prirur  drejt prodhimt të  ndjesive të caktuara që vijnë si trysni e jashtme nëpërmjet cenzurës që  penalizon procesin e shkrimit si proces dhe mjet shprehës për autoren. Në poezitë e këtij libri hetohen  fenomene të caktuara të cilat dërgojnë tek kërkesa për arritjen subjektive të  së vërtetës, natyrisht nëpërmjet shprehjes poetike si vetëdije personale që i jep kuptim jetës dhe botës.

Poezitë në disa raste  kanë impuls personal por më tepër shkojnë drejt një përgjithësimi impersonal dhe arrijnë të transformohen nga shqetësime personale në shqetësime nacionale, si një trajektore e vazhdueshme e kësaj zhvendosjeje,  e reflektuar dhe e dhënë në një tablo sintetike si në poezinë “Ars Poetica”, e cila realizohet ne dy variante:

Ka ngrirë boja në shishe,

gishtërinjtë mpirë në xhepa,

mendimi – pezull në nerv

pa mundur të vijë gjer në buzë…

Kjo situatë e agresionit dhe presionit të vazhdueshëm të manifestuar në një kategori sociale, vjen si pasojë e ndrydhjes së kreativitet ku për pasojë  fjala qëndron e stepur brenda qenies si mungesë guximi për shprehje. Të gjitha këto situata reale transformohen duke prodhuar sekuenca dramatike/poetike që dalin si impulse kreative të cilat  i transcendojnë situacionet personale  dhe i aksiologjizojnë universalisht . Ambienti dhe atmosfera që përjetohen si manifestim i kontaktit me realitetin, prodhon situata të pasigurisë, tmerrit dhe ankthit të vazhdueshëm duke  materializuar situata paranojake të subjektit lirik në relacion me shoqërinë që e rrethon; kjo edhe si kërkim i vazhdueshëm i qenies për prehje shpirtërore.. Ikja nga realiteti ngelet gjithmonë si shpëtim, por ikja nga e vërteta gjithmonë si brejtje e ndërgjegjes. Kësisoj poezia “Letër mamkës”,  në aspektin emocional shkon kah personalja dhe prodhimi i një situate shprehëse brenda një relacioni të ngushtë familjar, duke mos u rezervuar në pohimin dhe deklarimin e rrezikut që i kanosej shoqërisë:

Diç parandiej, mamka!

Kurrë shteti nuk ka qenë kaq përballë njeriut,

kurrë tradhtia e burrave nuk ka qenë më në modë,

kurrë gjumë më të rëndë nuk kanë fjetur netët

dhe gratë më të humbura, më të zbrazura.

Diskursi poetik osmozon mes territ – dritës si dy ekstremitete, e tanishmja është gjithmonë e zezë me nuanca pesimiste ndërsa vazhda e ndryshimeve vjen si dritë e optimizëm.

Identifikimi si një akter influencues i subjektit lirik përbën që të mbahet një qëndrim stoik përballë vorbullës së realitetit sociopolitik të një inercie shoqërore që përcakton ky diskurs: tradhtia, gjumi, nata, parandjenja e keqe, etj. Forca poetike e shprehjes për Mimoza Ahmetin ngelet edhe arma e saj e ndryshimit që i kundërvihet rrjedhës:

E dashur, dëgjomë pa shqetësim,

unë do t’i grij, do t’i grij, po të them,

si në makinën e mishit

në vargjet e mia.

Intimiteti si kapërcim nga eksternalja në internale, si ndijim dhe përjetim kulminant i emocionit, nuk diferencohet aspak nga tradita dhe mënyra e jetesës. Në realitet ajo ikën kah dashuria platonike por projektohet në rrafshin tokësor për faktin se shqetësimi ngelet tek siguria e individit i cili nuk mund të konkretizojë dhe diferencojë raportin me subjektin që prodhon ndjenjën e dashurisë nga ajo që i kanoset si armik i padukshëm e që mund ta vrasë nga hapi në hap. Andaj për Mimozën jeta dhe vdekja qëndrojnë krejt afër. Jeta që identifikohet me dashurinë dhe vdekja që qëndron me terrin, me natën, me një atmosferë të befasishme, ku e keqja mund të ishte kudo dhe kushdo:

“Druhem mos ndonjë natë, pas shpine,

më qëllon befas një dorë e zezë.

E ndiej, një natë yjesh ëndërrtarë

kanë për të më vrarë,

një natë yjesh dritëgëzuar…”,

duke paraqitur njëherësh edhe dobsinë e individit para sistemit i cili viktimizohet për shkaqe arbitrare ose pothuajse të panjohura , ndërsa sistemi gjithmonë është dominanant karshi individit:

“Gazetat, opinionin do ta qetësojnë, sigurisht.

Vrasësi i vërtetë do të shpëtojë

dhe fare i qetë do të shëtisë kryeqytetit…”

Me sistemin janë edhe të gjitha instrumentet që e forcojnë dhe përbëjnë atë; në fragment specifikohen gazetat si një mjet i fuqishëm për të influencuar masat dhe për të amnistuar vrasësit e vërtetë.

E gjithë kjo trajektore e zhvillimeve, kapet nga syri i poetes dhe përjetësohet në jetën e saj dhe në vepër për t’u realizuar me një mprehtësi të përdorimit të figurës, të zhvendosjes së problemit brenda  ambiguitetit. Fakti se u interpretuan disa nga këto poezi në kontekstin kohor/hapësinor, janë tendencë e zbulimit të po atyre goditjeve që ishin edhe intencë e autorës si demaskim dhe shpërfytyrim i sistemit komunist dhe tranzicionit të shoqërisë shqiptare.

Stili dhe figurshmëria janë vlerë e etabluar në veprën poetike të Mimoza Ahmetit duke realizuar një diskurs metaforik e metonimik si dy figura dominante të këtyre poezive. Shmangia ndaj cenzurës e kushtëzon poeten në prodhimin e një figurshmërie funksionale polivalente që në parim kishte natyralitetin dhe thjeshtësinë por që artikulonte një semantikë që konotonte në kuptime të shumta të cilat arriheshin falë përdorimit të figurës letrare. Në rradhë të parë aplikimi dhe modifikimi i figurave në tekstin poetik vjen si afinitet dhe mjeshtëri e konstruktimit të poezisë dhe vargut, ndërsa në planin e dytë realizohet si semantikë asociative latente brenda kuadrit metaforik.   

Shpërfillja e kanoneve – konceptimi i lirisë

Pamja e dytë ka të bëjë me një shtrirje të përgjithshme si kalim nga individualja e nacionalja kah e përgjithshmja dhe universalja, ku në esencë lëvizet në motive dhe dukuri që kanë të bëjnë me njeriun dhe shoqërinë vështruar universalisht . Loja mes të kaluarës si traditë, të tashmes dhe të ardhmes është një gërshetim që lidhet me funksionin dhe përmbajtjen e jetës që i është dhënë asaj.

Nëpërmjet lirikës, duke i kënduar dashurisë, vetmisë, lumturisë, forcës të së brendshmes, kundërshtive të dogmës, moralit që i servohet individit nga shoqëria duke u marrë si i mirëqenë, i japin veprës një dimension të thellë të përmbajtjes dhe arritjes së impersonales.

Mimoza Ahmeti duke lëvizur me figurën poetike, shpërthen në pjesë të caktuara duke përdorur ironinë, sarkazmën për botën në të cilën jeton, ku në emër të së drejtës dhe së vërtetës abuzohet dhe cenohet liria e individit; dhe mbi konceptin e lirisë dhe interpretimin e saj, refuzohet çdo imponim që vie nga jashtë:

“Lërmëni të qetë!

Ç’më keni kapur kështu si fëmijë, si foshnjë,

ç’më keni ndrydhur krahët!

Ç’më keni rrethuar me mure, shtretër, libra-

të gjitha sendet të ftohta!

Lërmëni të arrij atë që dua,

sepse ajo që dua është jeta ime.”

Në këtë aspekt të diskutimit dhe konceptimit të lirisë dhe njohjes, kemi të bëjmë me një rrjet referencash që janë frymë filozofike e letrare drejt dekonstruksionizmit të mbetjeve që servohen për vlera pragmatike. Intuita e autores është në kërkim të vazhdueshëm për paqe me vetveten dhe ky meditim mbi jetën e dërgon në kontestimin e moralit të shoqërisë duke pohuar se vetëm individi ka afinitetin të krijojë botën dhe prehjen për vete. Çdo gjë tjetër është e ftohtë dhe e sëmurë.

Dashuria për autoren Mimoza Ahmeti është motivi më pikant dhe poenta e gjithë levërdisë jetësore për të cilën dhe me të cilën njeriu transformohet dhe vetë dashuria është poetike, si funksion e si përmbajtje. Dashuria idealizohet në superlativa duke u shkëputur nga pragmatika, duke u projektuar edhe si titull, “bëhu i bukur”, e duke konotuar në krijimin  e një dashurie jashta të zakonshmes, një dashurie platonike që nuk e lejon konsumin e tepërt në kuptimin erotik:

“Nuk të kërkon cektësia, po thellësia.

Të dua të ndershëm, të pakfjalë e të mençur;

të lodhur nga puna, kurrsesi nga jeta!

Të jesh i pastër, të biesh erë ujë si guri!

Të pafund të dua, të kem ku të mas vetveten…”

Këtu asgjë nuk është a priori e mirëqenë, gjithçka nisë nga hiçi, nga zero për të fituar përmbajtje të re të konsoliduar. Një individ është një botë më vete, një vepër arti që nuk duhet shpërfillur por duhet marrë në konsideratë dhe parë me sy tjerë jashtë skemës, ngase ajo që ndjejmë duhet thënë edhe po qe jashtë kontekstit; ngase nuk duhet të jemi të një shijeje sepse kjo botë është divergjenteve;

Kënga si kënga

me britmat e saj.

Ti mos këndo, më thua, në këtë zi.

Kënga nuk mbahet,

po dhe sikur të mbahej,

kam qejfin tim

dhe s’pyes asnjeri!

Njeriu nuk mund të definohet dhe të kanonizohet, ai e ka natyrën e tij fluide dhe e ka të qartë konceptin e lirisë që ia garanton dhe arsyeton veprimet që dalin nga natyrshmëria shoqërore.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale”, tek Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Nga Halim Halimi / KultPlus.com

Halim Halimi

 

Osmani: Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në familjen e NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar për 73 vjetorin e themelimit të Alenancës Euro-Atlantike, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Osmani ka shkruar se Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në familjen e NATO-s.

“Sot, 73 vjet më parë, anëtarët themelues të NATO-s u bashkuan me një vizion të përbashkët për paqen, stabilitetin dhe sovranitetin. Aleanca na erdhi në shpëtim dy dekada më parë dhe vazhdon të jetë një kontribues i rëndësishëm për paqen në botë. Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim në familjen e NATO-s!”, shkruan ajo.

Pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në Ukrainë, Kosova është angazhuar maksimalisht që të anëtarësohet në familjen e NATO-s. /KultPlus.com

Gramoz Vokrri dhe avokati i tij ende nuk e kanë marrë vendimin, e FFK ‘krenohet’ me refuzimin e Gjykatës

Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar vendimin e refuzimit të ankesës së Gramoz Vokrrit për pezullimin e Kuvendit Zgjedhor të FFK-së, përcjell KultPlus.

Gjykata Themelore e Prishtinës, sipas njoftimi thuhet se nuk është kompetente në pikëpamjet ligjore për ta gjykuar këtë lënde, dhe kësisoj edhe e kanë refuzuar.

“Gjykata pas shqyrtimit paraprak të padisë, në përputhje me nenin 17 dhe 19 të LPK-së, shqyrtoi kompetencën lëndore të Gjykatës në këtë çështje juridike dhe vlerësoi se Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk është kompetente në pikëpamje lëndore për të gjykuar këtë lëndë”, thuhet në aktvendimin e gjykatës.

KultPlus ka kontakuar me Gramoz Vokrrin dhe ky i fundit ka deklaruar se përkundër faktit që FFK ka publikuar këtë vendim të Gjykatës, ai dhe avokati i tij nuk kanë pranuar një vendim të tillë.

“Është e çuditshme se si FFK-ja ka qasje në këto dokumente. As unë e as avokati s’kemi asnjë njoftim për këtë çështje”, thotë Vokrri për KultPlus.

Kuvendi Ligjor i FFK-së ia refuzoi kandidimin për kryetar, duke ia shpallur disa nënshkrime të pavlefshme, përfshirë klube sikurse Ulpiana e Prishtina.

FFK përmes një postimi në “Facebook”, ku edhe ka përfshirë pjesën e vendimit, e ka quajtur “fitore” këtë çështje, pasi fjalët e vendimet e tyre dolën të jenë të sakta.

FFK pritet që të mbajë zgjedhjet më 6 prill, derisa ato do të monitorohen nga UEFA, MKRS dhe organizata të tjera kompetente për këtë çështje.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e FFK-së rreth kësaj çështjeje. /KultPlus.com

Zelensky viziton Buchan, thotë se Rusia ka kryer gjenocid në Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vizituar Buchan, pas shfaqjes së imazheve të civilëve të vrarë.

Ai vizitoi rrugën në të cilën një kolonë ruse ishte në pritë, si dhe foli me banorët vendas, raporton BBC.

Zelensky përsëri tha se Rusia ka kryer krime lufte dhe gjenocid në Ukrainë.

Ai u pyet nga gazetarët nëse ende ka gjasa që të vazhdojnë negociatat për paqe, ku u përgjigj: “Po, sepse Ukraina duhet të ketë paqe. Ne jemi në Evropën e shekullit të 21-të. Ne do të vazhdojmë përpjekjet diplomatike dhe ushtarake”. /Zëri / KultPlus.com

Gratë iraniane denoncojnë dhunën në industrinë e filmit

Qindra gra që punojnë në kinemanë iraniane kanë kritikuar dhunën sistematike ndaj grave në industrinë e filmit dhe kanë bërë thirrje për mekanizma që ndalojnë këto veprime. Sipas tyre dhuna dhe ngacmimet në punë janë bërë endemike.

Në një deklaratë të formuluar këtë të premte, më shumë se 200 gra, duke përfshirë disa nga aktoret më të njohura iraniane në nivel lokal dhe ndërkombëtar dënuan dhunën dhe ngacmimet seksuale. “Jo vetëm që nuk ka asnjë mekanizëm për të parandaluar ushtrimin e dhunës nga individët në pushtet, por ekziston edhe një marrëveshje e pashkruar që dhuna ndaj grave në ambientet e punës është normalizuar, pa pasoja serioze që kërcënojnë agresorin”, u shprehën ato.

Gratë denoncuan gjithashtu pabarazinë financiare dhe në vendimmarrje krahasuar me burrat dhe kërkuan të drejtën themelore për të punuar në një hapësirë të sigurt. Ndër të tjera, aktoret iraniane u kërkuan figurave të industrisë që të mobilizohen përmes entiteteve të tilla si Aleanca Iraniane e Filmit Guilds për të formuar një komitet me shumicë gra në mënyrë që të trajtohet dhuna seksuale, të ndëshkohen financiarisht dhe të pezullohen nga puna ata të cilët ngacmojnë gratë në industrinë e filmit, raporton Al Jazeera.

Kazem Gharibabadi, i cili kryeson Këshillin e Lartë të vendit për të Drejtat e Njeriut, tha se gratë në film duhet të mbrohen. Ai i bëri thirrje Ministrisë së Kulturës dhe Shoqatave të Esnafeve në Iran që të dalin me mekanizma që do të mbështesin gratë dhe tha se gjyqësori është gjithashtu i gatshëm të shqyrtojë denoncimet e bëra. Për më tepër, Gharibabadi pohoi se një projekt-ligj i cili synon mbrojtjen e grave nga dhuna do të ratifikohet së shpejti nga parlamenti. / qika.org / KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi ministrin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare të Luxemburgut, Franz Fayot

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka pritur sot në takim ministrin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare të Luxemburgut, Franz Fayot, përcjellë KultPlus.

Gjatë takimit u bisedua për raportet dhe bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Luxemburgun si një nga kontribuesit kryesor në projekte zhvillimore e të cilat janë në dobi të qytetarëve të Kosovës.

Në veçanti, Presidentja Osmani u falënderua për angazhimin e Luxemburgut për kontributin e pashoq në fushën e shëndetësisë ndër vite, si dhe në fushën e arsimit.

Ministri Fayot vlerësoi progresin e gjithmbarshëm në Republikën e Kosovës, duke theksuar në veçanti angazhimin për luftim të korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Palët u dakorduan për bashkëpunim të mëtejmë në drejtim të zhvillimit të kapitalit njerëzor, dhe diskutuan potencialin për investim në fushën e digjitalizimit, energjisë, si dhe në drejtim të mbledhjes dhe gjenerimit të të dhënave si parakusht për politikbërje më efektive. / KultPlus.com

Takimi Kurti dhe Fayot, diskutohet për rritje të bashkëpunimit mes dy shteteve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, njëherit ministër i Ekonomisë i Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Franz Fayot.

Kryeministri shprehu mirënjohjen e Qeverisë për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë në vazhdimësi nga shteti i Luksemburgut. Duke e falënderuar për kontributin në zhvillimin e Kosovës, Kryeministri Kurti theksoi mundësitë e rritjes së mëtejme të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Ministri Fayot e përgëzoi kryeministrin Kurti për të arriturat në vitin e parë të mandatit qeverisës, për stabilitetin institucional dhe progresin në shumë fusha. Duke theksuar se ky progres është inkurajues, ai tha se si vend mik e partner i vjetër, shteti i Luksemburgut është i interesuar për të ndërmarrë hapa të mëtejmë drejt bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët.

Ministri Fayot shprehu interesimin për forcim të miqësisë, rritje të bashkëpunimit afat-mesëm dhe kalim nga perspektiva e zhvillimit, në partneritet të rregullt ndërmjet dy shteteve evropiane të barabarta.

Kryeministri Kurti foli për progresin në një vit qeverisje, për prioritetet e qeverisë si dhe për potencialin e bashkëpunimit në fushën e edukimit, digjitalizimit e transformimit e gjelbër.

Duke biseduar për tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike të cilat ofrojnë siguri të furnizimit, kryeministri potencoi kapacitetet për energji të ripërtëritshme, me fokus të veçantë në atë diellore dhe të erës. Kryeministri veçoi  parkun e erës “Selac Windpark” me kapacitet prej 105 MW dhe 27 turbina, si dhe projektin “Solar4Kosovo” me kapacitet prej 70 MW, që njëherësh do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë, me sipërfaqe prej 69 mijë metër katror.

Kryeministri Kurti tha se digjitalizimi është një nga objektivat e programit qeverisës që parashihet të jetë pjesë e të gjitha fushave të qeverisjes. Nëpërmjet digjitalizimit synojmë që të rrisim transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e qeverisjes dhe në të njëjtën kohë të përmirësojmë shërbimet ndaj qytetarëve dhe bizneseve, shtoi kryeministri.

U bisedua edhe për synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës rreth reformimit të Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe rolit që ka në plotësimin e hendekut të shkathtësive dhe potencialit për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së. /KultPlus.com

1 vit si Presidente, Osmani fton qytetarët të bëjnë pyetje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë detyrën e saj si presidente saktësisht një vit më parë, shkruan KultPlus.

Për punën e deritashme dhe prishtmëritë për vitet në vijim, Osmani ka ftuar qytetarët që të parashtrojnë pyetje.

Këtë gjë presidentja e ka bërë përmes një postimi në llogarinë në “Instagram”, ku ka shtuar opsionin për të bërë pyetje.

“Ju ftoj t’i parashtroni pyetjet tuaja për punën e deritashme dhe prishmëritë për vitet në vijim”. /KultPlus.com

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pulla të reja postare (FOTO)

Nga sot, Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim të rregullt emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Flora – Bimët shëruese”, me imazhet e katër bimëve që zhvillohen në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Në këtë emision të ri , hyjnë bimët si:

Shtogu-bresa: – Shtogu rritet si kaçubë apo dru në lartësi prej 3 deri në 10 metra. Lulet janë të grumbulluara në formë kurore, kanë ngjyrë të bardhë me nuancë të verdhë. Nga lulet zhvillohen kokërrzat (frutat), në fillim të gjelbra, pastaj me ngjyrë gështenje në të kuqe dhe në fund bëhen të zeza. Kokërrzat janë të vogla dhe të lëngshme. Lulet kanë erë të këndshme të fortë, erë kjo që në gjendje të thatë është më e butë. Frutat e freskëta kanë shije të pakëndshme, kurse të përgatitura si komposto, janë të shijshme.

Dëllinja e kuqe: – Dëllinja mund të krahasohet me një thesar të çmuar vlerash për organizmin. Kokrrat e saj janë përdorur gjerësisht për të detoksifikuar organizmin, përmirësuar tretjen, paraqitjen e lëkurës dhe jo vetëm. Ajo konsiderohet si një bimë e rrezikuar nga zhdukja dhe shumë shkencëtarë kanë kërkuar hapa konkretë për mbrojtjen e saj.

Rrush arusha: – Shkurre e shtrirë 30 – 50cm me gjethe të plota, të qëndrueshme gjatë dimrit, 12 – 30 x 4 – 12mm. Lulet (petalet) e bardha, me një ngjyrë trëndafili. Fruta kur piqet është e kuqe. Lulëzon nga maji deri në qershor. Në Kosovë e përhapur kryesisht në vendet me diell, në kullota e shkëmbinj të zonës subalpine dhe alpine të Maleve të Sharrit dhe Alpeve Shqiptare.

Burdullaku: – Çdo pjesë e kësaj bime është e ngrënshme—lulet, gjethet, kërcelli, madje edhe farat, sepse kjo perime nuk përmban vetëm kalcium, por edhe minerale të tjera të rëndësishme për kocka të forta. Ajo përmban edhe mangan, magnez dhe hekur.

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj për çdo vit emeton pulla postare me bukuritë natyrore të vendit tonë me qëllim të promovimit të tyre kudo nëpër botë. / KultPlus.com

Dua Lipa dhe lulëzimi i saj ndër vite në çmimet ‘Grammy’

Nga një refugjate në Londër, Dua Lipa ka arritur që ndër vite të krijojë një identitet të saj edhe realisht të arrijë majat e botës, shkruan KultPlus.

Paraqitjet e saj të fundit në publik dhe koncertet e organizuara kanë mundësuar që Lipa të zgjerojë muzikën e saj edhe më shumë.

Së fundmi, 26 vjeçarja ka bërë një prezantim special në çmimet ‘Grammy’ së bashku me këngëtaren tjetër Megan Thee Stallion, derisa ajo është vlerësuar për veshjen e mrekullueshme.

Ndërkohë, KultPlus iu sjellë edhe veshjet e saj ndër vite duke filluar nga vitit 2017 deri në 2021.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme me një prezantim special, Dua Lipa dhe Megan Stallion bëjnë paraqitje glamuroze në ‘Grammys’. /KultPlus.com

73 vite nga themelimi i NATO-s

NATO, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior, është blloku perëndimor ushtarak. Kjo organizatë u themelua me firmosjen e Traktatit Atlantiko-Verior më 4 prill 1949 me qendër në Bruksel. Organizata ka themeluar një sistem mbrojtjeje kolektiv ku vendet anëtare bien dakord të mbrojnë njëra-tjetrën në rast sulmi nga një palë e jashtme.

Gjuhët e përdorura nga NATO janë anglishtja dhe frëngjishtja, dhe roli kryesor i kësaj aleance është të ruajë lirinë e Shteteve Anëtare dhe mbrojtjen me anë të forcës ushtarake. Kjo organizatë luan një rol nëpër krizat politike, dhe të gjitha shtetet anëtare të saj kontribuojnë me forcat dhe pajisjet e tyre ushtarake.

Palët mund të ftojnë për akordim në këtë Traktat me akordim anonim çdo shtet Evropian në pozitë të çojë më tutje principet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut. Çdo shtet i ftuar mund të bëhet Palë e këtij Traktati duke depozituar dokumentacionet e pranimit në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të njoftojë çdonjërën nga palët për depozitimin e çdo dokumentacion të tillë pranimi.

Aktualisht NATO ka 30 shtete anëtare (nga të cilat 21 janë anëtarë të Bashkimit Evropian). Anëtarja e 30-të e NATO-s zyrtarisht është Maqedonia e Veriut. / KultPlus.com

Regjime gjenocidale në Ukrainë, Kurti: Rusia duhet të mbajë përgjegjësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për luftën dhe gjenocidin që po ndodhë në Ukrainë nga pushtimi rus, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Twitter”, i pari i ekzekutivit ka shkruar se autorët e masakrave duhet të sillen përpara drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi.

“Varrezat masive, njerëzit e vrarë brutalisht me gjymyrë të humbur, shtëpi të djegura dhe qytete të kthyera në rrënoja janë të gjitha skena të njohura nga regjimet gjenocidale. Autorët e Masakrës Bucha duhet të sillen para drejtësisë dhe Rusia duhet të mbajë përgjegjësi”, ka deklaruar Kurti.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për kryerjen e vrasjeve në qytetet afër Kievit, duke përfshirë Bucha, Irpin dhe Hostomel, me presidentin Volodymyr Zelenskyy që i cilësoi forcat ruse si “vrasës, torturues dhe përdhunues” që po kryenin “gjenocid” në vendin e tij. /KultPlus.com

54 vjet nga vrasja e Martin Luther King-ut, aktivisti më i madh i të drejtave civile

Sot bëhen 54 vjet qëkur u vra Martin Luther King Jr në Memphis, Tennessee, shkruan KultPlus.

Data 4 prill 1968 shënoi fillimin e një periudhe pikëllimi e zemërimi në Amerikë. Bota e kujton si një nga figurat më të zëshme në histori, Marthin Luther King Jr, i cili kërkoi të drejtat bazike për njerëzit me ngjyrë në SHBA.

“I have a dream” apo në shqip “Unë kam një ëndërr” është titulli i fuqishëm i fjalimit madhështor të King, përmes të cilit la një thirrje e mesazh frymëzues i cili kujtohet edhe sot.

Më 1963 në marshin protestues në Washington ai i kërkonte SHBA-së që t’i jepte fund diskriminimit racor. Ai ishte zëri i 250 mijë protestuesve të cilët qëndronin në heshtje duke ndjerë çdo fjalë të këtij fjalimi, ndërsa brohoritnin fort pas çdo fjalie. / KultPlus.com