Një fragment nga “Një fije shprese, një fije shkrepëse”

Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj

Pashka u dogj nga indiferenca. Djemtë e saj ishin më të mirët, dhe ajo donte t’i tregonte botës këtë. Armiku ia mori, ia vrau, si gjithë të tjerët, pa dallim. Ia sollën në qese si gjithë të tjerët, pa dallim. Ky mosdallim, kjo indiferencë, e sosi durimin e saj. Djemtë e mi, mendonte ajo, ishin më të mirët, ishin ndryshe për se gjalli, ndryshe duhet të jenë edhe për se vdekuri. Ajo nuk e kishte inatin vetëm me dheun indiferent që i mbulonte të gjithë njësoj. Një inat, më të madh, e kishte edhe me Hyjin. Si kishte mundur të rrinte indiferent ndaj lutjeve të saj dhe ndaj krimeve mbi bijtë e saj? Para se të vdiste, diçka brenda saj kishte vdekur. Tashmë për të, ai atje lart nuk ishte qiell, po qefin. Prandaj ajo, në mëngjes, kaloi rrugën, shkoi pranë një shkurreje dhe dogji veten. Po të ishte ndonjë Mojsi në malin përreth, do të shihte shkurren që nxirrte flakë. Një shkurre që djeg Zotin brenda saj, si një e dashuruar që vret të dashurin, për shkak se nuk mund ta durojë xhelozinë e vet, apo shpërfilljen e tij.

Kështu, Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj.

Marrë nga: “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, Ag Apolloni, Bard Books, Prishtinë, 2020 /Express/ KultPlus.com

Kryetari Rama: Vitet e pasluftës po shtohen, sivjet u bënë 23, e nga 1641 të pagjeturit ende nuk ka asnjë gjurmë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, e cila përkon me datën e Masakrës së Mejës ka theksuar se vitet e pasluftës po shtohen e nga 1641 të pagjeturit ende nuk ka asnjë gjurmë.

“Më 27 prill 1999 forcat sërbe kryen në fshatin Mejë njërën nga masakrat më të tmerrshme ndaj civilëve shqiptarë. Në nderim të viktimave të kësaj ploje dhe të gjitha të tjerave të luftës, Kosova shpalli 27 prillin si Ditën e të Pagjeturve.

Vitet e pasluftës po shtohen, sivjet u bënë 23, e nga 1641 të pagjeturit ende nuk ka asnjë gjurmë.
Bashkëndjejmë me familjarët e me gjithë popullin, me shpresën se drejtësia do të vihet në vend për viktimat dhe gjithë të pagjeturit e Luftës në Kosovë”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale. / KultPlus.com

‘Kur do të pushoj ma kjo kangë’

“Jericho” është një rok grup i formuar nga disa të rinj shqiptarë nga Kosova, në maj të vitit 1997 në Prishtinë. Ky grup njihet per muzikën dhe tekstet e tyre mjaft të veçanta, shkruan KultPlus.

Muzika e tyre është përzierje e muzikës rok, alternative, elektronike dhe muzikës tradicionale shqiptare e cila është karakteristikë e regjionit te Kosovës dhe Shqipërisë veriore. Përveç instrumenteve standarde të rokut, ata përdorin edhe instrumente orientale të cilat bëjnë pjesë në muzikën tradicionale shqiptare, siç është tupani, kavalli dhe zurna.

Tekstet e këngëve në përgjithësi janë të shkruara në dialektin gegë, i cili flitet në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipërinë veriore, ku, shpesh përdoret edhe në poemat epike shqiptare. Të gjitha këngët e grupit trajtojnë tema sociale, me theks të veçantë për problemet që populli shqiptar i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë me qeverisjen e vendit.

Grupi “Jericho” njihet për shumë këngë si: ”Zgjohu”, ”Tomlin e nonës”, ”Kur do t’pushojë kjo kangë”, ”Albanian Rhapsody” e shumë të tjera.

Sot po e risjellim këngën e tyre me titull “Kur do t’pushoj kjo kangë” me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur në Prishtinë.

Kur do të pushoj ma kjo kangë
Mërzinë kjo bukuri dot nuk e thanë

2x
Sytë mu kan ronu
Zemër rri me mu

Në vena gjaku i djallit po më lëviz
Duart i hap e muret po i grithë

2x
Sytë mu kane ronu
Zemër ri me mu
/ KultPlus.com

Çeku: Konfirmohet vullneti i qeverisë franceze për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëprodhimit kinematografik me Kosovën

Sot edhe në kopje fizike, ministri Hajrulla Çeku ka pranuar letrën e ministres franceze të kulturës Roselyne Bachelot – Narquin, përmes së cilës ajo konfirmon vullnetin e qeverisë franceze për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëprodhimit kinematografik me Kosovën.

Marrëveshja përkatëse mes dy shteteve do të nënshkruhet gjatë Festivalit të Kanës në pjesën e dytë të muajit Maj. Kjo marrëveshje u ofron mundësi dhe mbështetje shtesë filmbërësve të Kosovës për bashkëpunime kinematografike me partnerët francezë.

“Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për zyrtarët e Ambasadës së Francës në Kosovë, duke filluar nga ambasadorja Marie-Christine Butel, këshilltari për kulturë Donato Giuliani, dhe atasheu për kulturë Valon Ibraj. Angazhimi i tyre këmbëngulës ka qenë vendimtar për jetësimin e kësaj marrëveshje bilaterale”, ka shkruar Çeku në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Hillary Clinton: Albright ishte gjithmonë në nxitim për të bërë vepra të mira

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në ceremoninë e varrimit të Madeleine Albright, kujtoi veprën dhe jetën e kësaj të fundit.

Clinton tha se Albright ishte gjithmonë me nxitim për të bërë vepra të mira.

“Kam pasur privilegjin ta njihja Madeleinen në shumë sfera të jetës, por ajo ishte gjithmonë në nxitim për të bërë vepra të mira”, ka thënë Clinton.

Clinton kujtoi edhe momentin kur u takuan për herë të parë, dhe ku, siç thotë ajo, mbollën farat e miqësisë.

“U takuam së pari në vitet e 80 në një ngjarje humanitare për fondin e mbrojtjes së fëmijëve në Uashington dhe farat e miqësisë sonë u mbollën aty. Ajo i mësonte studentët e saj që heshtja mund të jetë e artë por nuk fiton argument, ju duhet të ndërprisni njeriun kur flet”, tha ajo.

Ajo madje e pranoi se ishte iniciatore që Albright të ishte sekretare e parë e Shtetit, njofton KlanKosova.

“Tashmë është thënë se kisha inkurajuar unë burrin tim që ta emëronte si sekretare të parë të Shtetit, kjo është e vërtetë dhe kam pasur kënaqësinë më të madhe kur ai u pajtua. Në kohën kur ambasadorët ngurronin fjalët, ajo asnjëherë nuk hezitonte të fliste”, shtoi ajo.

Clnton tha se mikesha e saj ishte e pandalshme, me humor, me shumë stil dhe e buzëqeshur.

“Nëse Madeleine do të ishte sot me ne, do të na përkujtonte që kjo është stina e të vepruarit”, vazhdoi ajo.

“Zoti të bekoftë Madeleine, nuk do të harrojmë asnjëherë”, përfundoi Clinton. / KultPlus.com

Vajza e Madeleine Albright: Sa herë kishim nevojë për të ajo e hapte telefonin dhe vinte shpejt tek ne

Vajza e ish-sekretares Madeleine Albright, ka thënë se nëna e saj ishte aty për të gjithë familjes sa herë që ata kishin nevojë, pa marrë parasysh se çfarë angazhime kishte.

Ajo tha se nëna e saj kishte energji të pashterrshme.

Vajza e ish-sekretares ka kujtuar disa nga momentet më të bukura që nga vegjëlia.

“Pa marrë parasysh se çfarë barre kishte mbi vete, sa nga bota kishte në pjatën e saj, gjithmonë e dinim se sa herë të kishin nevojë për të, ajo do ta hapte telefonin dhe do të vinte shpesh tek ne. Tek ajo kishte afate, kishte orare, kishte energji të pashterrshme. Ajo e përshkruante vetën si optimiste që brengoset shumë dhe ne jemi dëshmitarë të brengave të saj”.

“Të gjitha nënat kanë ato të metat e veta. Ne motrat e dëgjonim nënën duke folur për ato atomet dhe molekulat. Nëna ngritej shumë më herët, për të punuar në disertacionin e doktoratës, për të na përgatitur mëngjesin dhe çantat”.

“Kur shkonim në kampe verore, ajo gjithmonë na dërgonte letrat për atë që e mendonte, për gjendjen e kopshtit ose të gypave të ujit ose nëse ne mendonim që është mirë që ajo të merrte një pozitë në kryeqytet”.

“Dorëshkrimi i saj ishte shumë i veçantë dhe i palexueshëm. M-jat dukeshin sikur e-ju. Nënshkrimi i saj dukej sikur Wadeleine Albright”. /klankosova/ KultPlus.com

Clinton në Katedralen e Washingtonit: Busti i Albright i ndërtuar në Prishtinë shërben si nderim për atë që kishte bërë për Kosovën

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, në shpalosjen e kujtimeve të bukura që kishte me ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, në ceremoninë e varrimit të saj në Katedralen e Washingtonit, e veçoi një ditë me diell qershori në Kosovë kur bashkë ecën dorë për dore shesheve të Prishtinës.

Ai tha se busti i saj i ndërtuar në Prishtinë shërben si nderim për atë që kishte bërë për Kosovën.

“Ne kaluam një ditë të bukur bashkë dy vjet më parë në Kosovë, 20 vjet pas konfliktit atje. Ecëm dorë për dore, në një ditë me diell qershori. Kishte plot njerëz në një vend të vogël si ai. Të gjitha gjërat që bëri për Kosovën dhe Bosnjën, i shohim në shumë mënyra. Ndaluam në një bulevard ku edhe e kishin ngritur një bust të bukur si dedikim për Sekretaren Albright. E shohim se trashëgimia e saj u nderua. Sot, ne kemi presidenten, kryeministrin dhe ish-presidenten e Kosovës këtu. Kemi ministrin e Jashtëm të Bosnje e Hercegovinës”.

Clinton duke lavdëruar të bëmat e Albright, tha se tha se ndikimi i saj në shumë çështje ishte “elektrik”.

Në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares Albright po marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ish-presidentja Atifete Jahjaga./Express/ KultPlus.com

Kumbaro: Parku i Butrintit është pronë publike

Mirela Kumbaro në një deklaratë për mediat nga Pogradeci ka hedhur poshtë pretendimet se Parku i Butrintit do të jepet me koncesion për një periudhë 10-vjeçare një fondacioni të huaj. Ajo theksoi se parku është pronë publike që menaxhohet dhe administrohet nga ministria e Kulturës.

Sipas saj ministria e Kulturës në bazë të ligjit të trashëgimisë kulturore të vitit 2018 po krijon një fondacion sipas ligjit të OJF-ve që prej vitesh është në fuqi në Shqipëri për të rritur investimet kulturore me statusin jofitimprurës, ndërkohë që cilëson si të pavërtetë dhe keqinformim për opinionin publik faktin e një kontrate koncesionare apo mospublikimin e dokumenteve.

Debate mbi projektligjin për miratimin e marrëveshjes së menaxhimit të parkut kombëtar të Butrintit ka qenë prezent edhe sot në Komisionin e Politikës së Jashtme nga përfaqësues të opozitës të cilët janë shprehur se janë akoma të paqartë për planin e menaxhimit mes ministrisë së kulturës dhe fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. /gazetamapo.al/ KultPlus.com

Presidenti Biden me fjalim emocionues për jetën e Albright: Ajo s’kishte frikë të përballej me diktatorët

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka mbajtur një fjalim emocionues për jetën dhe veprën e Sekretares së parë grua në historinë e SHBA-së në ceremoninë mortore që po mbahet në Katedralen Kombëtare në Washington.

Shefi i shtëpisë së Bardhë tha se Sekretarja Albright s’kishte frikë të përballej me diktatorët e botës.

“Ajo e kuptoi diçka që unë e besoj gjithmonë se të gjithë politikat ndërkombëtare janë personale, ajo nuk frikësohej të përballej me diktatorët më të fuqishëm dhe pastaj ta mësonte një ish-ambasador si të kërcente në Këshillin e Sigurimit. Ajo gjithmonë u sigurua që gratë e reja të kenë mundësinë të jenë të pranishme në çdo tavolinë që kishte të bënte me sigurinë kombëtare të SHBA-së”, tha Biden.

Presidenti Biden tha se Albright ishte aleatja kryesore e Senatit në përpjekjet për të ndalur gjenocidin në Ballkan.

“Emri i saj është sinonim i Amerikës si forcë e së mirës në botë. Në punën tonë për të ndalur gjenocidin në Ballkan për të përkrahur demokracitë në lindje të Evropës, Madeleine ishte një aleate dhe përkrahëse në Komitetin për Punë të Jashtme në Senat”, tha Biden.

Biden shtoi se për vdekjen e Albright mori vesh teksa ishte duke fluturuar për Evropë për t’u takuar me aleatët e NATO-s.

“Kur më erdhi lajmi se Madeleine Albright ka vdekur isha në mes të fluturimit për në Evropë për t’i takuar aleatët e NATO-s. Sekretarja Albright është pjesë e madhe e arsyes që NATO është e fuqishme siç është sot”, tha Biden. / KultPlus.com

Arrin në Katedralen Kombëtare në Washington arkivoli i Sekretares Albright

Në Katedralen Kombëtare në Washington DC ka arritur arkivoli i ish-Sekretares së parë grua në historinë e Amerikës, Madeleine Albright.

Në ceremoni po marrin pjesë presidenti aktual Joe Biden dhe ish presidentët Bill Clinton dhe Barack Obama.

Në këtë ceremoni mortore me ftesë të familjes së ish-Sekretares Albright po marrin pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Të udhëhequr nga presidenti amerikan, Joe Biden, dhe paraardhësit e tij, Barack Obama dhe Bill Clinton, rreth 1,400 veta janë mbledhur në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, për të kujtuar arritjet e saj.

Albright, e zgjedhur nga Clinton, ka qenë gruaja e parë amerikane në pozitën e sekretares së Shtetit.

Ajo ka vdekur nga kanceri në moshën 84-vjeçare. / KultPlus.com

Raporti i Këshillit të Evropës: Rriten kërcënimet ndaj gazetarëve

Numri më i madh i rasteve të maltretimeve dhe frikësimit të gazetarëve gjatë vitit 2021 dhe fillimit të vitit 2022 u regjistrua në Poloni, Rusi, Serbi, Slloveni dhe Britani, sipas raportit të Këshillit të Evropës “Mbrojtja e lirisë së shtypit në kohë tensionesh dhe konfliktesh”, botuar më 27 prill.

Raporti i 15 organizatave të medias, partnerë të Këshillit të Evropës, tregoi se përqindja e kërcënimeve ndaj lirive të medias u rrit në mënyrë dramatike në vitin 2021 dhe se po këtë vit u regjistruan 41 për qind më shumë kërcënime serioze ndaj lirisë së medias sesa në vitin 2020.

“Shumica e kërcënimeve ndaj gazetarëve ishin të përqendruara ndaj jetës, shëndetit dhe integritetit fizik të tyre. Numri më i madh i këtyre kërcënimeve është bërë nga persona të panjohur, në komunikim me shkrim dhe online, ndërsa si trend i ri janë vërejtur edhe kërcënimet përmes telefonit. Në këtë kuptim, dallohen Rusia, Serbia, Qiproja dhe Bullgaria”, thuhet në raport.

Theksohet se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka pasur raste kur zyrtarë shtetërorë kanë sulmuar edhe gazetarë të mediave kombëtare dhe sulmet kanë qenë veçanërisht të theksuara në mitingje dhe protesta.

“Siguria e stafit të medias në këto ngjarje ishte aq e rrezikuar sa në disa raste organizatat e medias dhe stafi i tyre ndaluan së shfaquri logon e tyre gjatë raportimit nga terreni”, thuhet në raport.

Theksohet se ka pasur kërcënime me vdekje ndaj gazetarëve, veçanërisht në Francë, Rusi, Spanjë, Holandë dhe Serbi.

Ndërkaq, në këtë raport përmendet edhe Kosova, pavarësisht se nuk është pjesë e Këshillit të Evropës.

Sipas raportit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës më 2021 ka regjistruar 29 raste të kërcënimeve dhe shkeljeve të tjera të lirisë së shtypit.

“Këto raste përfshijnë sulmet fizike, kërcënime ligjore të iniciuara nga prokurorët dhe fushatat e shpifjeve”, thuhet në raport.

Këshilli i Evropës përmend edhe votimin në Kuvendin e Kosovës më 6 dhjetor të vitit 2021 për të miratuar bordin e ri për transmetuesin publik Radion Televizionin e Kosovës.

“Procesi i rekrutimit dhe përbërja janë lavdëruar si brenda vendit ashtu edhe nga ndërkombëtarët”, thuhet në raport.

Raporti i Këshillit të Evropës vë në dukje se ka pasur edhe zhvillime pozitive dhe se disa vende që miratuan plane që synojnë përmirësimin e sigurisë së gazetarëve në përputhje me planet e veprimit britanik, holandez dhe suedez për sigurinë e gazetarëve, duke përfshirë Serbinë, e cila thuhet se në këtë drejtim ishte gjysmë e suksesshme.

Në tekstin e raportit thuhet se Qeveria e Serbisë krijoi një grup pune për sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve, në dhjetor 2020, por se në mars të vitit 2021 pesë shoqata të gazetarëve dhe mediave u tërhoqën nga ai grup, duke përmendur “mungesën e besimit në institucione dhe fushatën e orkestruar të shpifjeve dhe kërcënimeve ndaj grupit drejtues të gazetarëve hulumtues KRIK”.

Theksohet se në Serbi “paditë SLAPP [padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike] janë taktikë e zakonshme kundër mediave të pavarura në dhe në shënjestër është veçanërisht rrjeti kërkimor jofitimprurës për krimin dhe korrupsionin – KRIK”.

“Zakonisht, prokurorët i kërkojnë gjykatës që të detyrojë gazetarët dhe mediat të heqin publikimet, të kërkojnë falje, të publikojnë korrigjimin dhe të angazhohen që të mos raportojnë për një temë të caktuar në të ardhmen”, thuhet në raport. /REL/ KultPlus.com

Kongresisti amerikan kërkon drejtësi për të zhdukurit: Jam me popullin e Kosovës

Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, sot kur Kosova shënon Ditën e të Zhdukurve, ka thënë se është krah popullit kosovar për të kërkuar drejtësi për të zhdukurit dhe familjet e tyre.

“27 Prilli shënon Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë që nderon personat e pagjetur të Luftës së Kosovës. Jam me popullin e Kosovës në kërkesën për drejtësi për ata që humbën dhe familjet e tyre”, ka shkruar Torres në Twitter.

Torres ka qenë i zëshëm për të shtyrë përpara shumë çështje me interes të Kosovës. Ai u kishte dërguar një letër pesë shteteve anëtare të BE-së që s’e njohin Kosovën, ta ndryshojnë këtë qëndrim. Së fundi, ai i ka shkruar edhe presidentit amerikan Joe Biden, duke kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO. / KultPlus.com

Kosova zë pjesë të madhe në profilin e Albrightit, para varrimit të saj

Pas pak nis ceremonia e varrimit të ish-sekretares amerikane Madeleine Albright. Në një profil të përgatitur për gruan e parë që barti pozitën më të lartë në politikën e jashtme amerikane, nuk ka se si të mungojë Kosova. “Pse jeni kaq pasiononte kur bëhet fjalë për Kosovën”, ishte pyetur dikur Albright. Përgjigja e saj është ritransmetuar pak para se të nisë ceremonia ku Zonjës Sekretare i jepet lamtumira e fundit.

Karriera politike e ish-sekretares Albright përshkruhet me Kosovën, pjesë të rëndësishme të saj.

Në një profil që e ka përgatitur PBS, pak para se të nis ceremonia mortore në Katedralen Nacionale në Washington, D.C, është rikujtuar rrugëtimi i refugjates që u bë Sekretare e Shtetit.

Albright është kujtuar për vendosmërinë e saj për të ndihmuar shqiptarët e Kosovës, pasi regjimi i Sllobodan Millosheviqit po kryente spastrim etnik ndaj tyre.

Intervenimi i forcave të NATO-s për t’i ndalur krimet e forcave serbe në Kosovë dhe bombardimet e 1999-s janë një prej ngjarjeve të cilat e shënojnë karrierën e Albrightit në lidership.

Në një përgjigje të saj, kur ishte pyetur se pse është kaq e lidhur me Kosovën, ajo thoshte se bëhej fjalë për regjimin e një personi, Sllobodan Millosheviqit që po kryente spastrim etnik. Për t’i dhënë kontekst insistimit të saj që të mbronte popullësinë shqiptare në Kosovë nga Millosheviqi, ajo përmendte atë që kishte bërë Hitleri e Stalini.

“Kurrë më s’do të ketë shtëpi dhe fshatra të djegura. Kurrë më nuk do të ketë masakra dhe varre masive”, kishte thënë Albright në Kosovë, pjesë nga fjalimi i së cilës është ripublikuar nga transmetuesi publik amerikan.

Në një bisedë të PBS me Presidentin Clinton, ai ka përmendur rastin e Kosovës si një nga ngjarjet që ndante krenarisht me miken dhe bashkëpunëtorën e tij të afërt, Sekretaren Albright.

Clinton kujtoi një nga momentet më të mira me Sekretaren Albright kur vizituan Kosovën në vitin 2019 për të shënuar 20 vjetorin e çlirimit të cilin e përshkroi si festim të fitores së Kosovës dhe ShBA-së.

“Po e kujtoja kohën kur së bashku me Sekretaren Albright udhëtuam në Kosovë para tre vjetëve kur po festohej 20 vjetori i fitores së tyre dhe tonës, në parandalimin e spastrimit etnik dhe vet ekzistencës së Kosovës”, tha presidenti Clinton.

Albright vdiq më 23 mars, në moshën 84 vjeçe. Ceremonia e varrimit të saj mbahet sot prej orës 11 të paradites, sipas kohës lokale në Ëashington D.C, që i bie në orën 5 te pasdites, sipas kohës në Prishtinë. /Express/ KultPlus.com

Në funeralin e saj, Bill Clinton kujton momentet e veçanta me Madeleine Albright në Kosovë

Me fillim nga ora 16:00 ka filluar edhe funerali i Sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, e cila vdiq këtë vit, shkruan KultPlus.

Gjatë ceremonisë së varrimit, në një bisedë telefonike është lidhur edhe ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i cili ka përmendur Kosovën duke folur për punët e suksesshme të Albright.

“Ajo ishte e mrekullueshme. Unë po mendoja këtë gjë edhe në udhëtimin tonë të fundit në Kosovë kur ata po festonin 20 vjetorin e çlirimit dhe fitores sonë këtu dhe ndaljen e një spastrimi etnik në këtë vend. Dhe ne po ecnim në një ditë të nxehtë në një paradë me gjithë zyrtarët e Kosovës. Më pas ndaluam kur pamë një bust të bukur të bërë për nder të Madeleine, duke e falënderuar për punën që ka bërë. E kam njohur në vitin 1988, kur u bëmë miq të mirë”, tha Clinton mes tjerash.

Më pas, ish-Presidenti i Amerikës përmendi Kosovën edhe një herë tjetër.

“Ajo bëri punë të shkëlqyeshme gjatë karrierës së saj, duhet përmendur punën e saj në shtetin e Bosnjës dhe më pas edhe si sekretare në Kosovë. Jam shumë krenar me punën që ajo e ka bërë”.

Ndërkohë, për këtë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë udhëtuar në ShBA me ftesë të familjes Albright, ku edhe do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit. /KultPlus.com

‘Si gurët që zënë vend në tokë, një jetë vend ne kemi zënë’

Poezi nga Ismail Kadare

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç’ish për t’u thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetarë
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën kur i lodhur truri
Portat i Mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh mbrenda
Një shteg që vetëm ti e di.

Futesh dhe si n’rrugica parqesh
Shetit mes cirkonvolucionesh.
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë ofrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë. / KultPlus.com

Violina e rrallë në ankand, shitja mund të arrijë shifra të frikshme

Një violinë e rrallë e bërë nga lutieri italian Giuseppe Guarneri në 1736 dhe në pronësi të violinistit francez Regis Pasquier do të dalë në ankand në një periferi të Parisit në Qershor pas një periudhe të shkurtër ekspozimi.

Violina me ngjyrë të ndezur është një nga vetëm rreth 150 të prodhuara nga Guarneri.

“Ka shumë violina, por kjo është e barazvlefshme me shitjen e një pikture të Rembrandt, një Goya apo edhe të Leonardo Da Vinçit“, tha drejtuesja e ankandit Sophie Perrine. E krijuar në kulmin e karrierës së Guarnerit, ajo u ble nga Pasquier më shumë se 20 vjet më parë, në një takim përrallor mes muzikantit dhe instrumentit.

Pasquier e zgjodhi atë nga më shumë se një duzinë violina dhe e luajti të nesërmen në Nantes “pa u praktikuar, sepse për të, ky instrument ishte i përsosur, ai nuk kishte nevojë të praktikonte“, thotë më tej Perrine.

Perrine tha se violina kishte një “tingull të jashtëzakonshëm” dhe kishte mbushur salla të mëdha koncertesh nga Carnegie Hall në Nju Jork deri në Opera Garnier në Paris, pavarësisht se ishte vetëm 351 mm në lartësi. Violina do të dalë në ankand më 3 Qershor, pas një ekspozite treditore, dhe vlerësohet nga 4 deri në 4.5 milionë Euro, por Perrine tha se mund të shitet deri në 10 milionë Euro. /Klan News / KultPlus.com

Linku për të parë drejtpërdrejt funeralin e Sekretares Madeleine Albright

Me fillim nga ora 16:00 do të fillojë edhe funerali i Sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, e cila vdiq këtë vit, shkruan KultPlus.

Për ta ndjekur drejtpërdrejt këtë funeral, ju duhet të klikoni këtu.

“Sot në orën 4:00, miqtë, familjarët dhe kolegët e saj po mblidhen në Katedralen Kombëtare për shërbimin e funeralit. Shërbimi do të transmetohet drejtpërdrejt”, ka njoftuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Ndërkohë, për këtë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë udhëtuar në ShBA me ftesë të familjes Albright, ku edhe do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit. /KultPlus.com

Mbi 30 kompani dhe organizata morën pjesë në Panairin e Karrierës të organizuar nga Kolegji Universum

Panairi i Karrierës i organizuar nga Kolegji Universum mblodhi mbi 30 kompani, organizata dhe institucione publike në qytetin e Ferizajit.

Panairi zgjoi interesim të madh nga studentët dhe mbi 300 maturantë nga shkollat e mesme të regjionit të Ferizajit të cilët u takuan me kompanitë pjesëmarrëse dhe u njoftuan për mundësitë e angazhimit.

Ky event përfaqësoi një mundësi të jashtëzakonshme ndërveprimi në mes Kolegjit Universum, kompanive, organizatave dhe institucioneve publike. Qëllimi i organizimit të këtij Panairi ishte që të krijohen mundësi rrjetëzimi dhe kontakte direkte në mes të studentëve dhe punëdhënësve të tyre potencial. E poashtu të bëhet promovimi i punës/produkteve të këtyre kompanive dhe institucioneve para të pranishmëve në panair.

Për më shumë informata rreth Kolegjit Universum dhe aktiviteteve të tilla na ndiqni në facebook & instagram, kontaktoni në [email protected] apo telefononi në +383 44 144 062. / KultPlus.com

Puna me mbetjet mortore e vështirë, EULEX-kërkon përkushtim dhe këmbëngulje nga të gjithë ekspertët e përfshirë

Sot, derisa Kosova shënon Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) rithekson përkushtimin për të vazhduar mbështetjen për Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ndërsa njofton se puna me mbetjet mortore të paidentifikuara është proces shumë sfidues, i cili kërkon përkushtim dhe këmbëngulje nga të gjithë ekspertët e përfshirë.

Së bashku me IML-në, EULEX-i aktualisht është i angazhuar në mbështetjen e autoriteteve dhe homologëve nga vendi me ekspertizë të specializuar në fushën e operacioneve në teren në një sërë lokacionesh për të cilët urdhrat gjyqësorë janë ende në pritje, kërkimin e varrezave të reja klandestine të mundshme, çka mund të shpije në identifikimin e personave të tjerë të zhdukur, dhe rishikimin e mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës.

Rishikimi i mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës koordinohet nga një grup punues i udhëhequr nga ekspertët mjekoligjorë të IML-së, në bazë të strategjisë dhe planit të veprimit të grupit punues 2021-2023.

Qëllimi kryesor është rishikimi i të gjitha mbetjeve njerëzore që ruhen në morg si dhe i dosjeve të ndërlidhura, dhe përcaktimi i statusit të të gjitha rasteve që përfshijnë: rastet e ndërlidhura me konfliktin e që janë të interesit mjekoligjor, rastet e interesit mjekoligjor të cilat nuk janë të ndërlidhura me konfliktin, dhe rastet që nuk janë të interesit mjekoligjor.

Procesi i rishikimit, i cili tashmë është në vijim e sipër, deri më tani ka rezultuar në dorëzimin e mbetjeve mortore të shtatë personave të zhdukur nga masakra e Krushës së Vogël tek familjarët e tyre.

Antropologia mjekoligjore e EULEX-it, Luísa Marinho, tha se puna me mbetjet mortore të paidentifikuara është proces shumë sfidues, i cili kërkon përkushtim dhe këmbëngulje nga të gjithë ekspertët e përfshirë.

“Ne do të ndërmarrim një qasje më strategjike dhe do t’i shterojmë të gjitha mjetet hetimore mjekoligjore për zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur që aktualisht janë nën përkujdesjen e IML-së”, tha Marinho.

Duke folur për strategjinë dhe planin e punës 2021-2023, Marinho tha se aty janë të përfshira dy strategji që kanë potencial të lartë për të ndihmuar për identifikimin e disa mbetjeve mortore të paidentifikuara.

“Strategjia e parë është kontaktimi i familjarëve të personave të zhdukur dhe kërkimi nga ta që të ofrojnë mostra të gjakut aty ku nuk ka, apo ku ato janë të pamjaftueshme për analiza të ADN-së. Kjo mund të shpije në përshtatje pozitive të ADN-së dhe në identifikimin e personave të zhdukur. Strategjia e dytë është adresimi i identifikimeve të gabuara që kanë rezultuar nga procesi i quajtur ‘identifikim tradicional’, përmes përdorimit të ADN-së”.

Marinho po ashtu tha se dy faktorët kryesorë që mund të pengojnë apo të parandalojnë identifikimin e mbetjeve mortore janë kushtet e ruajtjes së mbetjeve mortore, pra nëse ato janë të djegura apo shumë të fragmentuara, dhe pamundësia për marrjen e mostrave të duhura referente të gjakut për identifikimin e bazuar në ADN.

Megjithatë Marinho theksoi se “teknologjia në fushën e ADN-së e cila po zhvillohet me shpejtësi mund të shpije në rezultate pozitive me përsëritjen e testimeve të pasuksesshme të disa mostrave të mëparshme të ADN-së. Për fund, investimi në hulumtimet arkivore ndërkombëtare, me përpjekje të ripërtërira për qasjen dhe analizimin e informatave nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë dhe i të dhënave të organizatave të tjera ndërkombëtare, po ashtu mund të hapin shtigje të reja në hetimin mjekoligjor të disa rasteve”.

Që nga fillimi i mandatit e deri më sot, EULEX-i ka kryer 684 operacione në teren për gjetjen e vendndodhjeve të personave të zhdukur, përfshirë 181 zhvarrime, ndërkaq, janë identifikuar mbetje mortore të 477 individëve, përfshirë 332 persona të zhdukur. /KultPlus.com

Pas dy dekadash, bashkë me të pagjeturit, mungon edhe drejtësia

Uranik Emini

“Qe 23 vjet t’u pritë, 1620 persona të pagjetur”, është thirrja përmes të cilës organizata “Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut”, ka shënuar sot Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë me një aksion simbolik në sheshin e qytetit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Formimi i numrit 1620 me lule të verdha nga qytetarët ishte qëllimi kryesor i kësaj proteste ose ndryshe edhe si një lloj thirrje ndaj Qeverisë së Kosovës që të bëjë më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në shtetin më të ri të Evropës.

Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Marigona Shabiu, ka thënë para mediave se përmes kësaj proteste janë përpjekur të bëjnë presion ndaj Qeverisë së Kosovës që të shtojë intensitetin e punës në zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve në Kosovë.

“Sot është Dita Kombëtare e Personave të Pagjetura dhe ne si organizatë çdo ditë e shënojmë këtë ditë si thirrje e jona për të bërë presion ndaj Qeverisë së Kosovës për të shtuar intensitetin e punës së saj në zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturëve në Kosovë. Aktualisht i kemi 1620 persona të cilët figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë nga të gjitha grupet etnike, e për ne kjo çështje është shumë shqetësuese”, ka thënë fillimisht ajo.

Tutje, Shabiu ka shtuar se edhe pas 23 viteve nga lufta, shoqëria kosovare po vazhdon të pres se çfarë ka ndodhur me këta persona.

Përveç të zhdukurve mungon edhe drejtësia

“Ne konsiderojmë se kjo çështje po shtyhet shumë, kjo çështje po politizohet shumë, si nga ana e Kosovës dhe asaj e Serbisë dhe kërkesa jonë kryesore është që kjo çështje të trajtohet me prioritet dhe të trajtohet si çështje humane. Pra, të zhvendoset nga fokusi politik dhe të mos përdoret si çështje politike për të fituar pikë politik nga të dyja palët, por të trajtohet si çështje humane dhe përfundimisht të gjithë këta persona që figurojnë si të zhdukur të dihet e vërteta se çka ka ndodhur me ta si dhe pastaj të vazhdohet më tutje në vendosjen e drejtësisë në krimet që janë bërë ndaj këtyre personave”.

Ky aksion është një nga aksionet e shumta të organizuara nga Nisma për të Rinjtë dhe të Drejtat e Njeriut dhe qëllimi i tyre parësor është t’u tregojë familjarëve që kanë humbur të dashurit se kjo çështje nuk është e izoluar brenda mureve familjare, por gjithnjë e më shumë kërkohet që e vërteta dhe drejtësia për këta persona të vihet në vend.

Lulet dhe ribonat e verdhë

“Vendosja e numrave 1620 me lule ngjyrë të vedhë ribonave, është simbolikë e çështjes së personave të pagjetur, ngjyra e verdhë simbolizon në nivel ndërkombëtarë çështjen e personave të pagjetur dhe ne kemi menduar që t’i përfshijmë qyetetarët në thirrjen e protestën tonë ndaj qeverisë në zbardhjen e personave të pagjetur”, ka thënë Shabiu.

Thirrja ndaj Qeverisë së Kosovës

“Është një aksion simbolik që tenton të përfshijë qytetarët, të punojnë në këtë çështje, por mbi të gjitha kjo është thirrje kryesore që i drejtohet Qeverisë së Kosovës për të bërë më shumë në këtë drejtim”, përfundoi ajo.

Gjatë viteve të fundit, në Kosovë janë zhvilluar disa gërmime për të gjetur mbetje mortore nga të zhdukurit e luftës së fundit, ndërkaq, në Rezallë të Skenderajt, më 9 tetor të vitit të kaluar janë rivarrosur mbetjet mortore të shtatë personave, që u vranë në luftën e fundit në Kosovë më 1998-99, mbetje të cilat u gjetën në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.

Shërbimi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për persona të zhdukur, që nga viti 1999 ka trajtuar çështjen e personave të zhdukur si pasojë e konfliktit në Kosovë, dhe që nga viti 2003 ka ndihmuar Kosovën përmes identifikimit të bazuar në ADN, fillimisht në bashkëpunim me Misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe që nga dhjetori 2008 në bashkëpunim me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Që nga viti 2001, KNPZH-ja ka ofruar gjithashtu asistencë teknike për Qeverinë e Serbisë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur nga konflikti i Kosovës. Deri më sot, ICMP-ja ka lëshuar raporte identifikimi të ADN-së për Serbinë, UNMIK-un dhe më vonë EULEX-in. /KultPlus.com

“Misteri i Marilyn Monroe”, dokumentari që tregon anën e errët të vdekjes së ikonës

Tashmë që nga data e vdekjes së aktores ikonike Marilyn Monroe e deri tek viti 1962, pyetjet për të zbuluar më shumë rreth saj ende vazhdojnë.

Platforma e njohur Netflix, që prej kësaj të mërkure shfaq dokumentarin e titulluar “Misteri i Marilyn Monroe” i cili synon të tregojë të gjitha realitetet e errëta rreth vdekjes së saj.

“Vdekja tragjike e ikonës së Holivudit, Marilyn Monroe, shkaktoi komplote dhe thashetheme për dekada, shpesh duke lënë në hije talentin dhe mendjemprehtësinë e saj”, thuhet në përmbledhjen zyrtare.

“Duke bashkuar javët, ditët dhe orët e saj të fundit përmes regjistrimeve të padëgjuara më parë, të atyre që e njihnin më mirë, ky dokumentar e ndriçon më shumë jetën e saj magjepsëse, të ndërlikuar dhe ofron një këndvështrim të ri të natës fatale të vdekjes”.

Traileri nis me një pamje të afërt të fytyrës së Monroe, teksa dëgjohet një zë: “Gjërat e vërteta rrallë dalin në qarkullim – zakonisht dalin vetëm gjërat e rreme. Është e vështirë të dish se ku të fillosh nëse nuk e nis me të vërtetën”. / KultPlus.com

Tashmë që nga data e vdekjes së aktores ikonike Marilyn Monroe e deri tek viti 1962, pyetjet për të zbuluar më shumë rreth saj ende vazhdojnë.

“The Batman 2” konfirmohet dhe Robert Pattinson do veshë sërish pelerinën

Robert Pattinson do të përsërisë rolin e heroit me pelerinë në pjesën e dytë të filmit “The Batman”. Warner Bros ka konfirmuar lajmin gjatë një eventi në Las Vegas, ndërsa regjisori Matt Reeves do të ketë sërish timonin e projektit.

Filmi ka regjistruar fitime mbi 760 miliardë Dollarë dhe është parë mbi  4.1 milionë herë vetëm në platformën HBO duke tejkaluar filmat e mëparshëm të Warner Bros: “Suicide Squad”, “Dune”, “Wonder Woman 1984” and “The Matrix Resurrections”.

Në “The Batman” Robert Pattinson luan rolin e Bruce Wayne i cili ndjek vrasësin sadist The Riddler që masakron figura të rëndësishme politike në Gotham. Ai zbulon korrupsionin e mbuluar të qytetit dhe historinë tronditëse të familjes së tij. Në rrugëtimin e tij, ai takon Catwoman, e cila luhet nga Zoë Kravitz.

Teksa nuk dihet ende se ç’do shohim në kapitullin e dytë, Reeves ka publikuar së fundmi edhe një skenë të fshirë nga filmi ku Joker bisedon me Batman. Megjithatë në versionin e transmetuar, u dha një shenjë e rikthimit të Joker, i referuar si “i burgosuri i pazbuluar i Arkham”.  Këtë herë, famëkeqi do të portretizohet nga ylli i Eternals,  Barry Keoghan i cili ndjek hapat e yjeve si Jack Nicholson, Heath Ledger, Jared Leto dhe Joaquin Phoenix./tvklan.al / KultPlus.com

Kryeministri Kurti në përvjetorin e masakrës së Mejës: Asnjë vonesë dhe asnjë harresë

Sot shënohet përvjetori i 23-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona.

Në përvjetorin e kësaj masakre ka reaguar edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke u shprehur se nuk duhet të ketë më asnjë vonesë dhe asnjë harresë. Sepse, përndryshe, ne vëmë mbi baza të dyshimta çdo të ardhme.

Ky është shkrimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Në përvjetorin e masakrës së Mejës, në ditën e të zhdukurve me dhunë në Kosovë

Asnjë vonesë dhe asnjë harresë. Sepse, përndryshe, ne vëmë mbi baza të dyshimta çdo të ardhme.

Krimi nuk duhet liberalizuar, as viktima, as i pagjeturi, as i përdhunuari. Sepse, përndryshe, do të relativizohet vetë jeta dhe do të na bëhet e durueshme vrasja, rrëmbimi, përdhunimi.

Andaj raportet edhe marrëveshjet tona kanë dhe duhet të vijojnë të kenë në prioritet temën e të zhdukurve me dhunë. I pagjeturi vendos në shoqërinë tonë dhe në familjarët e tij nga një anë dhimbjen, dhe, nga ana tjetër, shpresën. Do të bëjmë gjithë ç’mundemi për ta kthyer shpresën në besim e në realitet.

Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se ka tema të patejkalueshme. Së pari, njeriu dhe jeta nuk mund të jenë temë negociatash. Së dyti, shpëtimi i ndërgjegjes kryhet vetëm nëse vështrojmë dhe vlerësojmë nga këndi i dhimbjes dhe mungesës – vetëm atëherë mund t’i garantojmë vetes dhe të tjerëve një ekzistencë të emancipuar. Nuk mund të anashkalohet plani njerëzor në asnjë prej marrëveshjeve mes shteteve. Nëse shtetet ekzistojnë, ata janë të themeluara prej njerëzve dhe për hir të njerëzve. Tema e të zhdukurve me dhunë është çështja parimore dhe konkrete. Me këtë natyrë të dyfishtë, ajo është tema më e ngutshme mbi të cilën mund të ndërtohet politika e fqinjësive të mira e të sigurta.

Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se rikthimi i të pagjeturve të mbetur do të jetë akt gjithnjë e më i vështirë. Prandaj kjo çështje ka marrë prioritet në kuadrin e marrëdhënieve dhe bisedimeve me Serbinë. Asnjë vështirësi në zgjidhjen e kësaj çështjeje nuk mund të krahasohet me ankthin dhe dhimbjen e familjeve. Dhe asnjë vështirësi lidhur me këtë temë nuk mund të anashkalohet për hir të realizimit të marrëveshjeve. Marrëveshjet që fshijnë historinë, nuk janë jetëgjata. Fshirja e historisë, revizionizmi i historisë, e bën të mundshme ripërsëritjen, dhe jo vetëm të mundshme, por edhe më të dhunshme. Po u lejua një gjë e tillë, numri i pengjeve të agresioneve prej shteteve shoviniste, të shndërruar në aparate ushtarake dhe paraushtarake, do të rëndojë edhe më shumë shpirtrat e njerëzve. Pengjet mbi shpirtrat nuk do të lejojnë kurrë të lulëzojë paqja.

Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se i pagjeturi nuk është brengë subjektive, por mungesë objektive. Sipas të dhënave që disponojmë në bazë të një pune për më shumë se dy dekada, na mungojnë ende 1617 persona. Pra, ne na mungojnë ende 1617 prej njerëzve tanë, të familjeve e të vendit tonë. Komisioni ynë dhe organizatat po punojnë. Në fillim të rrëmbyerit ishin pothuaj katër herë më shumë. Gjetja e të pagjeturve të mbetur vështirësohet prej vonesës sonë, por edhe më shumë nga fakti se shoqëria e shtetit fqinj nuk është ende e vetëdijshme për peshën e krimit që është kryer shtetërisht në emër dhe nga anëtarë të saj.

Ne jemi po ashtu të vetëdijshëm se, në kuadrin e sotëm, me agresionin e invazionin rus mbi popullin ukrainas dhe krimet e shumta e të përditshme atje, çdo rezultat pozitiv nga ana jonë në kthimin e të pagjeturve, është rritje e pjekurisë dhe ndërgjegjes së organizmave ndërkombëtarë dhe shoqërisë demokratike mbi tmerrin e agresioneve të pajustifikueshme ushtarake, në emër të fuqisë dhe diktatit. Gjetja është edhe kërcënim për të gjithë dhunuesit e kriminelët, sepse ekziston skena për viktimën. Sepse, falë përvojës së Bosnjës dhe Kosovës, kombet e shtetet e sotme demokratike e dinë mirë se agresionet e paprovokuara kryejnë krime të tmerrshme. Ata e dinë mirë se ç’masë krimi pritet të zbulohet ditë pas dite në territorin e Ukrainës.

Ne jemi të vetëdijshëm se dëshmia e saktë nga ana jonë e tmerreve të luftës, e krimeve kundër njerëzimit, e krimeve të luftës dhe krimit të gjenocidit, është paraqitja e një tjetër horizonti, më i shëndetshëm për shoqërinë njerëzore, për paqen pozitive. Në një mori ditësh të vitit ne përkujtojmë viktimat e masakrave. Sot është dita e përkujtimit të masakrës së Mejës, në të cilën u vranë 376 civilë. Ata u rrethuan që të shfaroseshin, si shqiptarë që ishin në tokën e tyre ku jetonin. Duke e nxjerrë në dritë krimin ndaj popullit tonë, ne mund të shtyjmë ndërgjegjen ndërkombëtare të kërkojë pastrimin e ndërgjegjes dhe trupit të shteteve agresorë dhe gjenocidalë. Trupi i territorit të Serbisë ishte dhe ende është përplot me trupa të pajetë të njerëzve tanë, të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer. Shumë janë zbuluar e nxjerrur prej atje. Dhe kështu duhet të vijohet.

Sepse nuk kemi për detyrë vetëm qetësimin dhe ngushëllimin e familjeve, popullit e shtetit e kombit tonë, por edhe shërbimin ndaj shoqërisë njerëzore në tërësi. Dëshmia jonë mund ta ndalë sado pak krimin e mundshëm në treva të tjera të rruzullit tonë.

Me dhembje e mall e pikëllim, sot dhe jo vetëm sot, nderojmë martirët e Mejës e të Kosovës! / KultPlus.com

Fituesja e çmimit Nobel për Paqe dënohet sërish me burg


Një gjykatë në Mianmar, më 27 prill, dënoi udhëheqësen e rrëzuar civile Aung San Suu Kyi me pesë vjet të tjera burg për korrupsion.

Në këtë pjesë të gjykimit, 76-vjeçja fituese e çmimit Nobel për Paqe u akuzua për marrjen e një ryshfeti prej 600,000 dollarësh dhe më shumë se njëmbëdhjetë kilogramë ar nga një ish-zyrtar i rajonit Jangon.

Ajo i mohon të gjitha akuzat. Aung San Suu Kyi u rrëzua në një grusht shteti në shkurt të vitit 2021 dhe që atëherë ka qenë në burg.

Në procesin gjyqësor kundër saj, më herët, ajo ishte dënuar me gjashtë vjet burg.

Sipas Shoqatës për ndihmë ndaj të burgosurve politikë, organizatë kjo joqeveritare lokale, në grusht shtetin më 1 shkurt të vitit 2021, forcat e sigurisë së Mianmarit vranë më shumë se 160 protestues dhe arrestuan rreth 13.000 njerëz./ topchanel / KultPlus.com