Stacionet e trenit në Kosovë në fokusin e fotografit Bujar Gashi (FOTO)

Nga Prishtina në Pejë ka 20 stacione treni. Fotografi kosovar Bujar Gashi ka marrë iniciativë t’i fokusojë këto stacione e t’i sjell për publikun, shkruan KultPlus.

Sipas Gashit, disa nga këto stacione nuk janë në gjendje të mirë dhe po shkojnë drejt shkatërrimit.

Gashi i ka sjell për publikun vetëm disa nga këto stacione që sipas tij janë më të bukurit.

“Disa prej tyre janë shumë simpatik, ndërsa shumica janë në gjendje jo të mire. Në vazhdim do ti postoj disa nga më të bukurit dhe disa nga më interesantet.

Më pëlqen shumë ai i fshatit Bardh, më duket në gjendje shumë të mirë, nuk ndaluam ta shikojmë nga brenda, por kam përshtypjen se edhe brenda është i bukur!”, ka shkruar Gashi. / KultPlus.com

Vlerësimi për librin e Lea Ypit, reagon Belina Budini: Kemi nevojë për shpjegim shkencor të përvojës tragjike që patëm me komunizmin, sesa një rrëfim me qasje ideologjike

Nga Belina Budini

Vlerësimi i një libri me frymë interpretuese dhe ideologjike haptazi marksiste mund të shihet si dy herë kontrovers. Së pari, për faktin që kundërshtitë ndaj qasjes së librit nuk kanë munguar në opinionin publik shqiptar nisur pikërisht nga vënia në diskutim e legjitimitetit të saj për të shqyrtuar regjimin diktatorial në Shqipëri, dhe së dyti, për vetë faktin që çmimi i dhënë kësaj radhë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit mban emrin e një figure emblemë të anti-komunizmit shqiptar sikurse është Mid’hat Frashëri, alias Lumo Skëndo, një politikani të djathtë par excellence, njëherazi kryetar i Ballit Kombëtar dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë”.

Ndodhi të isha pjesë e kësaj vendimmarrje kontroverse në cilësinë e anëtares së jurisë për akordimin e këtij çmimi, pa qenë domosdoshmërisht dakord me idetë apo bindjet e autores Lea Ypi. Për më tepër që fusha e vlerësimit ishte ajo e publicistikës, eseistikes dhe studimore, ku pikëpamjet dhe qëndrimet janë edhe më të ndara. E patëm pak më të lehtë vlerësimin e një tjetër autoreje grua vetëm një javë më parë me një çmim kombëtar sikurse është Çmimi Letrar Kadare që akordohet nga Universiteti Europian i Tiranës, të cilin e mori libri “Pusulla letre” i Vera Bekteshit. Ky revansh i lehtë i autoreve gra është më tepër i vonuar sesa kontrovers, por sërish është një lajm i mirë, aq më tepër që të dy këto çmime shkojnë për herë të parë tek autore gra në dy fusha të ndryshme si letërsi dhe publicistikë, ku në garë ende dominojnë autorët burra, për hir të së vërtetës.

Përtej të ndjerit mirë për një vlerësim balancues, në rastin e Lea-s kënaqësia lidhet edhe me faktin se përfaqësojmë ekzaktësisht të njëjtën gjeneratë dhe thuajse të njëjtin formim akademik e rrugëtim profesional. Për më tepër, nuk mund ta mohoj që ndiej se më përkasin edhe mua ca nga ato rrëfime të vogla fëmijërie nga libri i saj, si pjesë e kujtesës kolektive të një brezi, të lidhur pa qenë takuar e njohur kurrë nga afër. Rituale të njëjta, po ato vende dhe ngjarje, një fat i përbashkët, edhe pse në nivelin e përjetimit dhe botëkuptimit krejt të ndryshme. Për sa më përket, në vend të nostalgjisë, është pështjellimi ai që mbizotëron në kujtimet dhe reflektimet e mia për atë periudhë të errët në përvojën tonë jo thjesht si fëmijë, por si individë. Një pështjellim të tillë dhe një reflektim të thellë për dinjitetin njerëzor të nëpërkëmbur në përvojën e ish-të borgosurve të regjimit komunist, e sjell me vërtetësi tronditëse në librin e tij “Jetë burgu” Fatos Lubonja, që u vlerësua gjithashtu në short-listën finale për këtë çmim.

Koncepti i lirisë dhe burgut janë dikotomia që ndoshta i bashkon të dy këto libra, edhe pse krejt të ndryshëm për nga stili dhe zëri i rrëfimit. Në rastin e Lubonjës auto-referenca thuajse mungon duke u dhënë zë historive të burgut të personazheve që ai ka njohur e takuar, pa i zbukuruar apo marrë në mbrojtje, në demistifikim të plotë. Në rastin e Ypi-t zëri i rrëfimit është tepër vetjak, ndërsa lexohet përpjekja për të interpretuar dhe shpjeguar gjithçka dhe gjithkënd në terma marksiste. Jo si diçka e keqe! Është për t’u vlerësuar fakti që ajo është e gatshme që t’i ekspozojë angazhimet e saj etike dhe ideologjike jo vetëm përballë ithtarëve të marksizmit në komunitete të ngushta sikurse ndodh zakonisht, por përpara një publiku të gjerë, brenda dhe jashtë vendit. Pa i shmangur as strukturat e pushtetit, sepse në fund të fundit struktura e pushtetit është e pashmangshme, sidomos për një studiuese apo autore të angazhuar sikurse është Ypi.

Pavarësisht kundërshtive me të cilat është pritur në opinionin publik në Shqipëri libri i saj, ai mund të shërbejë më së paku për të provokuar diskutime etike apo ideologjike në lidhje me realitetet shqiptare të periudhës së diktaturës komuniste dhe të ashtuquajturit tranzicion demokratik. Ndoshta çmimi i akorduar rishtas do të ringjallë diskutime, pasi kritika për një libër është njëherësh edhe vlerësim për të. Mirëpo, ndoshta merita kryesore e librit të Lea Ypit është se ofron një mënyrë të re të kuptuarit të botës shqiptare për një audiencë të huaj, e cila kureshtinë më të madhe për Shqipërinë e ka të lidhur ende me periudhën e izolimit diktatorial. Përmes vetë-përfshirjes dhe rrëfimit thellësisht personal, libri ofron një strukturë shpjeguese të orientuar drejt një publiku të huaj, ndërsa qasja marksiste që në aulat shqiptare tingëllon kaq e përbuzshme, konsiderohet “fashionable” dhe madje influente në disa universitete e mjedise akademike, edhe në Angli. E shndërruar në një lloj sensacioni brenda fushës së saj, Lea Ypi është kudo në mediat e huaja dhe në promovime ndërkombëtare, duke ofruar një shpjegim “normalizues” dhe një reflektim bashkëkohor për atë që ishte përvoja e saj dhe e një brezi të rinjsh të rritur nën diktaturë dhe në kapërcyell të shndërrimeve demokratike. Dukshëm ka mbledhur tashmë një bashkësi mbështetëse për perspektivën e saj.

Së fundi, pa dashur të futem vetë këtu në diskutim me librin, për vetë faktin se ky tekst u konceptua si fjalë e shkurtër për ceremoninë e vlerësimit të autores me çmimin Lumo Skëndo, me duhet të pohoj se personalisht jam për një shpjegim objektiv dhe shkencor të përvojës tragjike që ne si popull dhe si individë kemi patur me komunizmin, ashtu si edhe me demokracinë pas rënies së diktaturës, më tepër sesa për një rrëfim me frymëzim apo qasje ideologjike. Gjykoj se vetë-përfshirja si pjesë përbërëse e konstruksionit ideologjik apo teorisë shpjeguese të autores është po aq një vegjë komunikuese e efektshme sa edhe një kufizim metodologjik, nga pikëpamja studimore, sidomos në rast se pretendimet e saj janë edhe shkencore. Sidoqoftë narrativa e saj fton për narrativa të tjera dhe për një kuptim-dhënie më të shumanshme dhe të plotë të përvojës së individit në kushtet e shtypjes dhe kufizimit të lirisë e cënimit të dinjitetit njerëzor.

*Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, UET dhe Profesore e ftuar në Universitetin e Oksfordit. / KultPlus.com

“Të jesh me këmbë në tokë është ndoshta nevoja më e rëndësishme dhe më pak e njohur e shpirtit njerëzor”

Simone Adolphine Weil ishte një filozofe, dhe aktiviste politike franceze. Matematikani i njohur André Weil ishte vëllai i saj.

“Filozofe. Luftëtare. Shenjtore”, kështu shkruhet në biografinë e saj.

Sot po i sjellim disa nga thëniet më të mira të Weil:

Burrat na kanë borxh atë që imagjinojnë se do të na japin. Ne duhet t’ua falim këtë borxh.

Vëmendja është forma më e rrallë dhe më e pastër e bujarisë.

E keqja imagjinare është romantike dhe e larmishme; e keqja e vërtetë është e zymtë, monotone, shterpe, e mërzitshme. E mira imagjinare është e mërzitshme; e mira e vërtetë është gjithmonë e re, e mrekullueshme, dehëse.

Të gjitha mëkatet janë përpjekje për të mbushur zbrazëtitë.

Ngjitja është fabrikuesi i madh i iluzioneve; realiteti mund të merret vetëm nga dikush që është i shkëputur, i distancuar.

Një grua e bukur që shikon imazhin e saj në pasqyrë mund të besojë shumë mirë se imazhi është vetvetja. Një grua e shëmtuar e di që nuk është kështu.

Dashuria nuk është ngushëllim. Është dritë.

Ekzistenca njerëzore është një gjë kaq e brishtë dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve të tilla sa nuk mund të dashuroj pa u dridhur.

Të jesh me këmbë në tokë është ndoshta nevoja më e rëndësishme dhe më pak e njohur e shpirtit njerëzor.

Nëse zbresim në vetvete, zbulojmë se posedojmë pikërisht atë që dëshirojmë.

Çdo gjë e bukur ka një shenjë përjetësie.

Deti nuk bëhet më pak i bukur në sytë tanë, edhe pse e dimë që ndonjëherë anijet mbyten prej tij.

Dashuria për Perëndinë është e pastër kur gëzimi po ashtu edhe vuajtja frymëzojnë një shkallë të barabartë mirënjohjeje.

Vëmendja e papërzier, dhe me përkushtim absolut, është lutje.

Dhembshuria e drejtuar ndaj vetvetes është përunjësia e vërtetë.

Përkufizimi i vërtetë i shkencës: studimi i bukurisë së botës.

Bota është dera e mbyllur. Është një pengesë. Dhe në të njëjtën kohë është rruga për të kaluar.

Imagjinata dhe fiksioni përbëjnë më shumë se tre të katërtat e jetës sonë reale.

Njeriu inteligjent që është krenar për inteligjencën e tij është si njeriu i dënuar që është krenar për qelinë e tij të madhe.

Unë mundem, prandaj jam.

Ai që nuk ka Zotin në vetvete, nuk mund ta ndiejë mungesën e Tij.

Nuk mund të lindesh në një periudhë më të mirë se e tashmja, kur kemi humbur gjithçka.

Një mendje e mbyllur në gjuhë është në burg.

Përulësia është durim i vëmendshëm.

Në luftën kundër ankthit, njeriu nuk prodhon kurrë qetësi; lufta kundër ankthit prodhon vetëm forma të reja ankthi.

Arti është simboli i dy përpjekjeve më fisnike njerëzore: për të ndërtuar dhe për t’u përmbajtur nga shkatërrimi.

Një shkencë që nuk na afron me Zotin është e pavlerë.

Mëkati nuk është një distancë, është një kthesë e shikimit tonë në drejtimin e gabuar.

Ne nuk mund të bëjmë një hap drejt qiejve. Zoti e kalon universin dhe vjen tek ne.

E keqja kur jemi në pushtetin e saj nuk ndihet si e keqe por si domosdoshmëri, apo edhe detyrë.

Vëmendja, e marrë në shkallën e saj më të lartë, është e njëjta gjë si lutja. Ai presupozon besim dhe dashuri. Vëmendja e plotë, absolutisht e papërzier me gjë tjetër, është si lutja.

Dy forca sundojnë universin: drita dhe graviteti.

Elektra qan për Orestin e vdekur. Nëse e duam Zotin duke menduar se ai nuk ekziston, ai do të shfaqë ekzistencën e tij.

Pjesa më e rëndësishme e mësimdhënies është të mësosh atë që duhet të dish.

Gëzimi i të mësuarit është po aq i domosdoshëm në studim sa edhe frymëmarrja për vrapimin.

Shkatërrimi i së kaluarës është ndoshta më i madhi nga të gjitha krimet.

Rreziku nuk është që shpirti të dyshojë nëse ka bukë, por që me gënjeshtër të bindë veten se nuk është i uritur.

Liria, duke e marrë këtë fjalë në kuptimin e saj konkret, konsiston në aftësinë për të zgjedhur.

Të duash thjesht do të thotë të pranosh distancën, do të thotë të adhurosh distancën mes vetes dhe asaj që duam.

Çfarëdo që poshtëron inteligjencën degradon të gjithë qenien njerëzore.

Vëmendje krijuese do të thotë t’i kushtojmë vëmendje asaj që nuk ekziston.

Largësia është shpirti i së bukurës.

Rendi shoqëror, edhe pse i domosdoshëm, është në thelb i keq, sido që të jetë.

Dhimbja ekstreme që i kaplojnë qeniet njerëzore nuk krijon mjerim njerëzor, por thjesht e zbulon atë.

Le ta duam këtë distancë, e endur tërësisht me miqësi, pasi ata që nuk e duan njëri-tjetrin nuk ndahen.

Për të qenë një hero, duhet t’i japësh një urdhër vetes. / KultPlus.com

Ambasadori Hovenier: Duhet bërë më shumë për të garantuar drejtësi për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre

Më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur, e për këtë gjë ka shkruar edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, përcjell KultPlus.

Nga lufta e fundit në Kosovë janë 1620 persona të pagjetur që ende mungojnë.

Ambasadori Hovenier thotë se duhet të bëhet më shumë për familjarët e këtyre personave.

“Sot në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur qëndrojmë pranë familjarëve të cilët edhe pas më shumë se 20 vitesh nuk kanë përgjigje për fatin e të dashurve të tyre. Duhet bërë më shumë për të garantuar drejtësi për këto familje dhe ata që nuk janë gjetur ende,” shkroi Hovenier në Twitter.

Për të shënuar Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, YIHR KS do të organizojë një aksion rrugor në Sheshin “Skënderbeu” më datë 27 prill, duke filluar nga ora 12:00. /KultPlus.com

Rrugë e pagjetur

  

Nga Albulenë Krasniqi

Si shkëndija e zjarrtë u nisën atë ditë,
Ejani, thërret zëri!
Me gjysmë hapi fërkonin tokën, sytë kthyer nga ne.
Ulkonjës së Romës djemtë nga gjiri iu shkëputen, në rrugën pakthim, në vendin pa vend.
Ejani, thërret zëri!
U shqye trupi e mishi e shpirti, por s’e di nëse shpirt mbeti.
S’e di nëse Ulkonjës së Romës, djemtë i gjetën rrugën, e rrugët i gjetën vajzat.
Vajzat e bardha si borë e akullt, flokëlëshuara në trupin e njomë.
Ejani, thërret zëri!
Si akrep ore dekadat lëvizin, si shi vjeshte e ngricë dimri, mbesin lotët e shtjerrur në gjirin e Ulkonjës së
Romës.
 Ejani, thërret zëri!
Pranverë e re po vjen, zëri i vjetër bërtet.
Ejani.

(Poezi për të pagjeturit) / KultPlus.com

Albulenë Krasniqi

Rreth 26 mijë familje sot do të marrin dyfishin e vlerës së socialit

Ministri Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se sot familjet në skemën e ndihmës sociale do të marrin dyfishin e vlerës.

Këtë e ka konfirmuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka thënë se në kuadër të pakos mbështetëse, rreth 26 mijë familje pritet të marrin dyfishin e vlerës të ndihmës sociale.

Ditë më parë, po ashtu janë ndarë nga 100 euro shtesë për pensionistët.

Postimi i plotë i Muratit:

Gjendet “perëndesha” e lashtë e bukurisë, dashurisë dhe luftës

Një statujë guri e një perëndeshe të lashtë të bukurisë, dashurisë dhe luftës është gjetur në Rripin e Gazës.

Arkeologët palestinezë thonë se koka e hyjnisë kananite, Anat, daton 4500 vjet më parë në epokën e bronzit të vonë.

Zbulimi u bë nga një fermer duke gërmuar tokën e tij në Khan Younis, në jug të brezit.

Në mediat sociale, disa po bëjnë komente të hidhura duke sugjeruar se shoqërimi i perëndeshës me luftën duket i përshtatshëm.

Në vitet e fundit, ata kanë parë një seri shpërthimesh shkatërruese në konfliktin midis Izraelit dhe grupeve militante në Gaza, e cila qeveriset nga Hamasi.

Megjithatë, zbulimi i kësaj statuje gëlqerore është një kujtesë se si brezi – pjesë e një rruge të rëndësishme tregtare për qytetërimet e njëpasnjëshme të lashtë – ishte fillimisht një vendbanim kananit.

Gdhendja 22 cm e lartë tregon qartë fytyrën e perëndeshës që mban një kurorë gjarpri, transmeton rtv21.tv.

“E gjetëm rastësisht. Ishte baltë dhe e lamë me ujë”, tha fermeri Nidal Abu Eid, i cili hasi kokën teksa kultivonte arën e tij.

“E kuptuam se ishte një gjë e çmuar, por nuk e dinim se kishte një vlerë kaq të madhe arkeologjike”, tha ai për BBC.

Statuja e Anat – një nga hyjnitë më të njohura kananite – është tani e ekspozuar në Qasr al-Basha, një ndërtesë historike që shërben si një nga muzetë e paktë të Gazës.

Duke zbuluar artefaktin në një konferencë për shtyp të martën, Jamal Abu Rida i Ministrisë së Turizmit dhe Antikiteteve të drejtuar nga Hamasi tha se statuja ishte “rezistente ndaj kohës” dhe ishte ekzaminuar me kujdes nga ekspertët.

Jo të gjitha gjetjet arkeologjike në Gaza janë vlerësuar aq shumë ose janë vlerësuar aq mirë.

Hamasi – një organizatë islamike militante – është akuzuar më parë për shkatërrimin e mbetjeve të një qyteti të madh, të fortifikuar kananit, Tell al-Sakan, për t’i hapur rrugë strehimit dhe bazave ushtarake në jug të qytetit shumë të populluar të Gazës.

Një bronz i lashtë me madhësi njeriu i perëndisë greke Apollo u zbulua nga një peshkatar në vitin 2013 , por më vonë u zhduk në mënyrë misterioze./ KultPlus.com

40 vjet nga vdekja e patriotit, dramaturgut e studiuesit shqiptar, Skënder Luarasi

Skënder Luarasi, ishte arsimtar, përkthyes, dramaturg, publicist, studiues, vullnetar në Luftën e Spanjës, komunist idealist e hartues fjalorësh.

Ishte i pari shqiptar që u nis në dhjetor të 1936 nëpërmjet kufirit grek nga Follorina për të shkuar në Athinë, më pas në Francë e në fund në Spanjë. Në dhjetor të 1936 Luarasi takoi në Parsi Llazar Fundon dhe Ali Kelmendin.
Në vitet 1939-44 vuajti në kampet e pëqendrimit në Francë, pastaj në vitin 1945 u kthye përsëri në atdhe.

Mbas çlirimit të vendit, ishte nismëtar në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe anëtar i Kryesisë deri në nëntor 1949, kur u përjashtua për disa vjet nga Lidhja për qëndrimin e tij antikonformist ndaj metodave e qëndrimeve jodemokratike që ndiqte Kryesisë e Lidhjes në fushën e letërsisë e të arteve e nënshtruar ndaj diktatit të partisë në pushtet.

Ishte deputet në vitet 1946-50. Më 1950 nis punë në ndërmarrjen e botimeve të Institutit të Shkencave.

Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike-antifashiste-demokratike, edukative e letrare është nderuar me urdhrat e lartë: Urdhëri i Flamurit (1960) dhe Nderi i Kombit (1996).

Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi i viteve 30-të e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar.

Ka qenë editor-përgjegjës në revistat: “Studenti” ShBA më 1920, “Djalëria” Austri më 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës “Vullnetari i Lirisë” Spanjë më 1937. Ky i fundit organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës.

Deri në vitin 1992 veprimtaria e tij (monografi, publicistikë, drama, studime dhe kritikë letrare e historike) botohej pjesërisht (kryesisht përkthimet) dhe nuk analizohej nga pikëpamja shkencore. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Të zhdukurit me dhunë janë thirrja jonë për drejtësi, Meja dhimbje e madhe e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, e cila përkon me datën e Masakrës së Mejës ka theksuar se kjo Ditë është përkujtim, pritje e ankth për familjarët dhe shtetin e Kosovës.

“Janë mbi 1600 të zhdukur me dhunë, thirrja jonë për drejtësi, e cila do të vihet në vend kur para saj do të dalin autorët e krimeve dhe do të zbardhet fati i secilit nga njerëzit tanë. Duam dhe do të insistojmë të dijmë për fatin e tyre.

Kjo ditë na bën ta kthejmë kokën pas jo vetëm për t`i kujtuar ata që nuk janë në mesin tonë, por edhe për ta thënë fuqishëm se për ta nuk është vetëm një ditë si kjo, por çdo ditë. Me kujtimin për ta, do të bëjmë çdo ditë përpjekje që pritja e familjeve të marrë fund”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, forcat e regjimit gjenocidal, kanë kryer edhe shumë krime të tjera monstruoze në Kosovë, e ndër më të tmerrshmet është Masakra e Mejës, në të cilën u vranë barbarisht 376 djem e burra shqiptarë.

“Synimi i regjimit gjenocidal serb ishte spastrimi etnik ndaj aksioni kriminal u shtri në 15 fshatra të Rekës së Keqe dhe Luginës së Çarragojës në Gjakovë. Meja është dhimbje e madhe e Kosovës dhe ndër rrëfimet më të përgjakshme të luftës. Nuk do ta harrojmë kurrë, sepse vetëm kësisoj do ta dimë vlerën e lirisë dhe shtetit.

Do t`i kujtojmë përherë martirët e Mejës duke u angazhuar vazhdimisht që autorët të vihen para drejtësisë”, ka theksuar Presidentja Osmani në përkujtimin e Masakrës së Mejës. /KultPlus.com

23 vjet nga masakra në Mejë

Sot shënohet përvjetori i 23-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill  1999 u vranë 376 persona.

Në përkujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, sot Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur vendos kurora lulesh para përmendores së personave të pagjetur  – sheshi “Skënderbe” në Prishtinë, në orën 09:00.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bën homazhe pranë Obeliskut të të pagjeturve te Kuvendi, në orën 9:00 dhe Mejë të Gjakovës në orën 11:00. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku bën homazh te Kompleksi Memorial “Lëndina e pikëllimit”, në ora 10:30.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, bëjnë homazhe te Kompleksi Memorial në Meje, në ora 11:00.  Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje do të mbjellë fidanë në kujtim dhe nderim të 1617 personave të pagjetur nga lufta e fundit, te Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, ora 14:00.

23 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës.  Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit.

Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Slobodan Millosheviqit më 27 prill 1992.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë./ Gazeta Express / KultPlus.com

Së shpejti vjen koncerti me krijimtarinë e pianistes së parë shqiptare, Lola Gjoka

Në datën 5 maj për të gjithë shqiptarët dhe adhuruesit e muzikës shqiptare në Suedi do të mbahet një koncert me këngët klasike të arranzhuara nga pianistja e parë shqiptare Lola Aleksi Gjoka.

Këngët do të interpretohen nga sopranot e njohura si: Mariana Leka, Feride Gillesberg, Erinda Agolli, pjesëmarrës edhe artistët Gerald Murrja, Antonio Zefi, si dhe pianistet Rudina Ciko dhe Ermira Lefort.

Koncerti i cili organizohet me mbështetjen e ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës në Suedi të mbahet në datë 5 Maj 2022 në ora 12:00 në Sankta Clara Kyrka, Klara Ostra kyrkogata 7-9 Stokholm. / KultPlus.com

‘Më shkoi mendja të ja fus një grusht turinjëve, por në vend të kësaj i thashë a dëshiron një akullore’

Shpëtim Selmani

Po haja

Akullore dhe shihja
Libra të vjetër në njërën
Nga rrugët e Tiranës

Që ishin të mbështjellura
E të ruajtura si sytë e
Ballit

Marr Majakovskin në duar
Dhe e pyes shitësin
Sa kushton

Thotë pesëqind lekë
Dhe duke e ditur se
Ma ngulin i them shtrenjtë

Po pra se ti e ke mendjen
Te Stoma
A e di çfarë do të thotë

Stoma nga greqishtja
Do të thotë gojë
Aty e ke mendjen

E ndërron Majakovskin
Për një akullore
Mos më fajëso mua

Fajëso kapitalizmin
Dhe këtë dreq
Nxjerre celularin dhe e godet

Ju dëshironi të ja shihni
Bythën Shakirës
Nuk e keni mendjen te Majakovski

Më tha çdo gjë pasi kisha
Mbetur i ngrirë duke e
Shikuar

Çuditërisht më shkoi mendja
Të ja fus një grusht
Turinjëve

Por në vend të kësaj i
Thashë a dëshiron
Një akullore

Nuk hahet akullorja në
Mbrëmje më tha dhe
Përsëri Stoma Stomaaaa. / KultPlus.com

Kuturu

Sot është datëlindja e aktorit shqiptar, Timo Flloko. Ai lindi më 26 prill 1948 në Pejë, shkruan KultPlus.

Më poshtë gjeni njërën nga poezitë e tij më të njohura:

Eci rrugëve kot, kuturu
dhe s’di ku shkoj,
xurxull jam prapë unë- se ajo,
një bohem nuk e do.

Sa të desha, shpirt s’mund ta dish,
të vodhën ty – pabesisht,
me pije mbys dhimbjen pa fund…

Sa e lumtur je, unë s’e di,
me atë që jeton,
mund ta blejë ai për ty dhe botën,
vetëm zemrën, jo!

Mbeti shkretë tani streha jonë,
në luks je ngrirë, në kyç trishton,
si në muze, si një Xhokondë.

Unë në jetë i pasur s’jam vërtet,
por në ëndërr e shoh veten mbret,
nëpër pube tok me miqtë harxhoj,
unë hënën si monedhë.

Ti po fle tani, Xhokonda ime,
shiu si det mbi mua zbrazet,
as rrufetë s’më vrasin dot.
se ka një Zot! / KultPlus.com

Publikohet programi për edicionin e sivjetëm të ‘Chopin PianoFest Prishtina’

Chopin Piano FEST Prishtina 2022 e nis rrugëtimin e sivjetmë më 9 maj 2022, me dy deri në tre netë ngjarjesh gjatë çdo jave të muajit deri në koncertin përmbyllës, më 8 qershor 2022. Festivali do të ofrojë koncerte, masterklasë me studentë, konkursin tradicional të Çmimit Special si dhe konkursin kompozicional ‘Për nder të Chopin-it’.

Edicioni i sivjetshëm do të sjellë muzikantë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Hungaria, Holanda, Sllovenia dhe Spanja.

Ndërkaq sot është bërë i ditur edhe programi tejet i pasur dhe i larmishëm i këtij edicioni, program ky të cilin mund ta shihni më poshtë:

Pra, festivali do të mbledhë pianistë të shquar vendas dhe ndërkombëtar, që interpretojnë jo vetëm veprat e Chopin-it, por edhe kompozitorë të tjerë të njohur, klasikë dhe bashkëkohorë.

Të ftuarit do të prezantohen me kompozime për solo piano dhe ansamble muzikore për piano (trio, duo, sekstet). Niveli i lartë artistik i programit është përgatitur nga drejtoresha artistike e festivalit Lejla Haxhiu-Pula dhe do të ofrojë përjetime të reja të interpretimit të repertorit kryesor të muzikës për piano siç u veprua edhe në edicionet e fundit, ku performuan pianistë të mëdhenj botëror. / KultPlus.com

Çmimin “Lumo Skëndo” e fiton Lea Ypi me librin ‘Të lirë’

Lea Ypi një prej personazheve më të përfolur muajt e fundit me librin e saj “Të lirë” ka fituar çmimin “Lumo Skendo” për vitin 2021 si libri më i mirë.

Çmimi për këtë libër u akordua për vlerat e shquara në trajtesën origjinale, artistike e filozofike të konceptit të lirisë në kohën e diktaturës komuniste dhe të tranzicionit demokratik në Shqipëri, nëpërmjet kujtimeve të fëmijërisë dhe adoleshencës, dhënë me vërtetësi, sinqeritet, ndjeshmëri, humor, meditim politik e filozofik bashkëkohor.

Në këtë libër autorja sjell kujtimet e fëmijërisë dhe adoleshencës, të cilat janë vlerësuar se përcjellin vërtetësi, sinqeritet, ndjeshmëri, humor dhe meditim politik.

Kujtojmë se në garë për këtë çmim ishin dhe autorë si Fatos Lubonja me librin e tij të fundit “Jetë burgu”, Rubens Shima me “Posteri shqiptar”, Fatmir Toci me “Arbëreshët” dhe Kujtim Shala me “Zbulimi i Zef Pllumit”.

Të pranishëm në ceremoni kanë qenë një sërë figurash të shquara nga bota artit të shkruar si dhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. /gazetamapo.al/ KultPlus.com

PriFest hapë thirrjen për projekte filmike për ‘BEST PITCH 2022’

PriFest sot ka hapur thirrjen për projektet filmike për garën Best Pitch.

BEST PITCH” është një cikël trajnimesh zhvillimore dhe garë e projekteve filmike e cila zhvillohet çdo vit në PriFest.

Mundësi aplikimi kanë projektet filmike të mentrazhit të gjatë që janë në fazë zhvillimi dhe financimi dhe që janë projekt i parë apo i dytë i një filmbërësi (regjisori-e apo producenti-e) nga rajoni i Ballkanit.

Apliko dhe përfito nga rasti mundësinë e pjesëmarrjes në trajnim me ekspertë prestigjioz Europian nga kompani dhe rrjete filmbërësish të njohura në Europë.

Përfito mundësinë për seancë në zhvillim skenari, apo seancë kokë më kokë me eksperten e financave dhe koproduksionit me një përvojë shumë vjecare në këtë fushë;

Tako distributorët dhe agjentët e shitjes së filmit nga kompanitë më të rëndësishme në Europë në Prishtina Rendezvous!

Fito një nga çmimet që do të ndahen në Best Pitch garë e vlerësuar nga Juria Ndërkombëtare.

Producentë, distributorë, përfaqësues të marketeve të filmit, kompani dhe agjent shitjeje, fonde filmi nga regjioni, profesionist filmi nga Europa si dhe përfaqësues të festivaleve të rëndësishme të filmit pritet të marrin pjesë si çdo vit në PriFest. Puna e PriFORUM dhe PriFest vleresohet jashtë mase nga filmbërësit vendorë dhe Shoqata e Producentëve të Kosovës si mundësi e mirë për të përfituar nga aktivitetet e shumta brenda festivalit dhe PriFORUM-it.

PriFest ka planifikuar që edicioni i 14të i PriFest të mbahet në datat 26-31 korrik 2022.

Data e fundit për dorëzimin e projekteve është 25 Maj 2022.

Për aplikim kliko në këtë link* dhe plotëso të dhënat.

*Nëse linku më lartë nuk funksionon, aplikacionin për Best Pitch mund ta gjeni në këtë link që do ta kopjoni dhe hapni në faqen tuaj të internetit:

https://forms.gle/bfiKi5ii3YKKDQQa6 / KultPlus.com

Së shpejti hapet ekspozita ‘Loja’ nga artisti Nusret Salihamixhiqi

Galeria e Ministrisë së Kulturës së shpejti mirëpret hapjen e ekspozitës “Loja” të artistit Nusret Salihamixhiqi, e kuruar nga Jakup Ferri, përcjell KultPlus.

Ekspozita hapet me datën 5 maj 2022 duke filluar nga ora 19:00.

Element i rëndësishëm i artit të Nusret Salimaxhiqit (1931 – 2011) është edhe ngjyra me të gjitha nuancat e saj spektrale. Autori shfrytëzon maksimalisht krejt spektrin kolorit për të njëmendësuar botën e vet kreative, në të cilën koha dhe hapësira shkrihen në një, njësoj siç shkrihen forma me përmbajtjen në muzikë. Duke u zhytur i tëri në magjinë e ngjyrave, ndonjëherë harron se megjithatë ato duhet të racionalizohen sipas parimit piktural. Në të vërtetë, piktori i racionalizon ngjyrat, i harmonizon ato sipas parimit të shpirtit të vet estetik, dhe jo në bazë të rregullave mekanike, që mund të shpijnë në manierizëm, madje edhe ilustrim“, shkëputur nga shkrimi i Mustafa Ferizit për katalogun e ekspozitës së Salihamixhiqit në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Jakup Ferri (1981, Prishtinë, Kosovë, jeton në Prishtinë dhe Hagë) është artist bashkëkohor dhe profesor në Akademinë e Arteve të Prishtinës. Ka studiuar në Akademinë e Arteve të Prishtinës dhe në Rijksakademie në Amsterdam.

Në vitin 2003 ai mori dy çmime prestigjioze në Prishtinë: Çmimin Muslim Mulliqi dhe Çmimin Artistët e së nesërmes. Në vitin 2008 ai mori çmimin Buning Brongers në Amsterdam. Ai ka qenë artist-në-rezidencë në vende të shumta, duke përfshirë ISCP Nju Jork, Kultur Kontakt Austria. Përveç koleksioneve private, vepra e tij është gjithashtu pjesë e koleksionit të Muzeut Ludwig – Muzeu i Artit Bashkëkohor, Budapest. Këtë vit, Ferri prezanton Pavilionin e Republikës së Kosovës në edicionin e 59-të të Bienalës së Venedikut.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datën 26 korrik 2022. / KultPlus.com

“Chernobyl”, seriali më i mirë i të gjitha kohërave

Në 01:23 më 26 prill 1986 reaktori numër katër në uzinën e Çernobilit, pranë Pripyat – shpërtheu.

Konsiderohet të jetë fatkeqësia bërthamore me e madhe në histori, dy persona vdiqën në shpërthimin e parë me avull, por vdekjet më pas janë shkaktuar nga helmimi me rrezatim, transmeton Klan Kosova.

Në vitin 2005 Raporti i përgatitur nga Forumi Çernobilit, të udhëhequr nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë tregon se 56 të vdekje të lidhura drejtpërdrejt me helmimin, 47 punëtorë dhe nëntë fëmijë.

Më pas thuhet të ketë pasur mbi 4 mijë vdekjeve nga kanceri në mesin e rreth 600 mijë njerëzve të ekspozuar.

Shpërthimi që rezultoi me avull në uzinën nxori aq shumë rrezatim saqë pjesa më e madhe e zonës përreth do të jetë e pabanueshme për 20 mijë vjet – atë kohë 336 mijë njerëz ishin shpërngulur.

Izotope të dëmshme u përhapën nga erërat deri në Irlandë brenda vetëm një jave.

Këto ngjarje, si dhe intrigat politike të veprimeve të qeverisë sovjetike, janë subjekt i serisë së dramës historike të HBO-së, “Chernobyl”.

Seria ishte ranguar nga kritikët si më e mira e të gjitha kohërave. Komentet erdhën menjëherë pas episodit të fundit i cili ishte transmetuar në Amerikë më 3 qershor.

“Chernobyl” pati lënë pas edhe seritë historike si “Breaking Bad”, “American Crime Story” dhe “The Crown”. / KultPlus.com

O nënë

Poezi nga Ibrahim Kodra

Nuk i ndiej më ledhatimet e tua të ëmbla
ashtu si era e prillit që përkëdhel lulet,
o nënë.
Ku je fshehur?
Nuk e shoh më buzëqeshjen tënde,
sytë e tu, sytë e tu gjithë vëmendje,
që asnjëherë nuk lodheshin
së ndjekuri ecjen time të pasigurt.
Ishe gjithçka për mua.
Fytyra jote: më e bukura
mes muzave.
Dhe flokët e tu
të gjatë e të zinj
mbulonin faqet e gëzueshme,
kur gjoksi ngjallte ngrohtësinë
nëpër venat fëminore.
Tani ku je fshehur?
E freskët në kujtesën time,
rikthehu, o nënë,
të përkëdhelësh fytyrën time të lodhur. / KultPlus.com

‘El Dorado’, historia e vërtetë pas legjendës

El Dorado, ishte një qytet mitik që thuhet se ishte shumë i pasur me ar, dhe i raportuar për herë të parë në Evropë në shekujt XVI-XVII. Vendndodhja e përfolur e El Dorados është diskutuar në burime të ndryshme, por më së shpeshti thuhet se ndodhej në Amerikën e Jugut.

Shumë eksplorues dhe ata që kërkojnë ar ose pasuri, janë vënë në kërkim të El Dorados.

Po sipas disa ekspertëve, El Dorado, ishte në fakt një kombinim i disa miteve, dhe jo një vendndodhje fikse. Në disa rrëfime El Dorado rezulton të jetë një njeri, në të tjera një liqen ose një luginë.

Në vitin 1835, ishin mbushur mbi 3 shekuj nga lindja e mitit të El Dorados. Por origjina e tij, dhe nëse ka ekzistuar vërtet një qytet prej ari, është ende e diskutueshme. Një nga historitë më të famshme të origjinës së El Dorados, u përmend për herë të parë kur Juan de Kastelanos, një konskuistador i kthyer në prift, e përfshiu atë si pjesë të historisë së tij mbi heroizmin e spanjollëve në Amerikë, të shkruar në vitet 1570.

Historia lidhet me kreun e një fisi Muiska që banonte në një pllajë të madhe – pushtuesit e njihnin si Kundinamarka – në vargmalin lindor të Andeve, në Kolumbinë e sotme. Atje Kastelanos tregon se një herë në vit, shefi mbulohej nga koka te këmbët me vaj terpentine dhe pluhur ari.

Nga këtu rrjedh edhe emri “El Dorado”, që përkthehet “i artë”. Sipas Kastelanos, shefi i fisit hipte mbi një varkë dhe shkonte në mesin e liqenit Guatavita. Njerëzit e fisit këndonin këngë, ndërsa ai i bënte liqenit dhurata në ar dhe smerald. Pastaj zhytej brenda tij, dhe ky ishte sinjali për fillimin e një festivali. Në fakt, nuk ka asnjë të dhënë që dikush ta kishte parë këtë ritual. Thuhej se ai ishte ndërprerë rreth 40- 50 vjet përpara se të mbërrinin spanjollët.

Versioni i dytë i historisë së origjinës së El Dorados daton në vitin 1541, rreth 20 vjet pasi Kortez pushtoi Aztekët dhe 8 vjet pasi perandori inkas Atahualpa ishte vrarë nga Francisko Pizarro. Deri në atë moment, spanjollët nuk kishin depërtuar ende në pjesën më të madhe të kontinentit, pra pjesa më e madhe e territorit ishte ende e pa eksploruar nga evropianët.

Versioni i vitit 1541 gjendet në shkrimet e një konkuistadorit Gonzalo de Oviedo, dhe ngjarjet zhvillohet në Kuito në Ekuadorin Verior. Në atë kohë, ky territor u pushtua rishtazi si pjesë e shkatërrimit të perandorisë inkase nga spanjollët. Sipas Oviedos, El Dorado ishte një “Zot ose monark i madh, që ishte vazhdimisht i mbuluar me ar në formën e pluhurit të imët si kripa e bluar”.

Në shkurtin e apo atij viti, një tjetër konkuistador spanjoll i quajtur Gonzales Pizarro grumbulloi disa njerëzh dhe u nis nga Kuito, Ekuador, në kërkim të tokës së mbretit mitik El Dorado. Në rrëfimet e tij për aventurën e tij, Pizarro e përshkruan El Doradon si një liqen, dhe jo një njeri.

Një burim i tretë i kohës, kronisti Pedro de Leon, duke përshkruar të njëjtën ekspeditë, e cilëson El Dorado një luginë. Pizarro udhëtoi drejt lindjes me disa qindra njerëz (burimet flasin për 220-340 burra) dhe 4000 shërbëtorë vendas.

Ata mbaheshin të lidhur në zinxhirë dhe me pranga, së bashku me kuaj, lama, rreth 2000 derra, dhe po aq qen gjuetie. Pizarro priste të gjente shumë shpejt një qytetërim të ri, së bashku me fusha të punuara, fshatra dhe qytete. Por edhe pse marshoi për javë e muaj nëpër errësirën e pyllit tropikal dh në kulmin e sezonin të shirave, nëpër male, këneta dhe lumenj, ai nuk u përball me asgjë tjetër përveçse vështirësi, zi buke dhe mjerim.

Sipas LiveScience, gjatë atij udhëtimi, spanjollët i kapën banorët vendas dhe i morën në pyetje. Kur ata nuk jepnin përgjigjet që donte Pizarro, u torturuan. Me afrimin e fundit të vitit, gjërat mbërritën në një pikë dëshpëruese. Të gjithë derrat kishin ngordhur.

Ata kishin mbërritur në një lumë të madh, me shumë mundësi Koka, në jug të ekuatorit në atë që është sot Ekuadori Verior. Atje, një kryetar fisi lokal i quajtur Delikola, pasi kishte dëgjuar për mizoritë e spanjollëve ndaj atyre që kishin marrë në pyetje, u tha atyre atë që donin të dëgjonin.

Ai foli për “popullsi shumë të mëdha më tej poshtë lumit”, dhe për “rajone shumë të pasura plot me padronë të fuqishëm”. Pizarro urdhëroi të ndërtohej një varkë; që do të transportonte njerëz dhe materiale në drejtim të rrymës, ndërsa njerëzit dhe kuajt rrugëtuan përgjatë bregut.

Ata vazhduan të ecnin në këtë mënyrë për 43 ditë, por gjetën pak ushqim dhe nuk ndeshën asnjë njeri. Në dhjetor 1541, një nga njerëzit e Pizarros, Francisko de Orelana, doli vullnetar të merrte varkën dhe rreth 50 burra për të gjetur ushqim dhe për t’u kthyer.

Orelana gjeti ushqim, por nuk u kthye. Ai bashkë më njerëzit që e shoqëronin zbuluan Amazonën,  të cilën e njohën si Maranon. Ata përshkruan për muaj të tërë gjithë gjatësinë e tij duke arritur në bregun e oqeanit Atlantik më 26 gusht 1542. Orelana pretendoi se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të vazhdonte përpara.

Pizarro e quajti tradhti aktin e tij. Ai u rikthye me njerëzit e tij të mbetur në Kuito. Rrugës ata hëngrën qentë dhe kuajt e mbetur, madje zienë dhe hëngrën dhe lëkurës e shalës së kuajve. Mbërritën të raskapitur në Kuito në muajin qershor. Ajo e Pizarros ishte përpjekja e parë e qartë për të gjetur El Doradon.

Por sapo u përhap kjo histori, më shumë konkuistadorë u nisën në kërkim të saj. Veç spanjollëve pati edhe holandezë, flamandë, gjermanë, italianë, shqiptarë, anglezë, skocezë etj. Nga gjithë ata gjatë viteve 1530 më të spikaturit ishin gjermanët.

Kjo sepse në vitin 1528, mbreti spanjoll Karli V i detyrohej familjes bankare Velser të Augsburgut një shumë prej 143.000 florinash. Në pamundësi për të paguar, Karli u dha leje të kryenin kërkime në provincën e Venezuelës, duke vendosur një taksë prej 20 për qind mbi thesarin e gjetur, dhe po ashtu mbi skllevërit,një marrëveshje që vazhdoi deri në vitin 1546.

Ajo e Federman ishte vetëm njëra nga disa ekspedita të udhëhequra nga gjermanët në atë periudhë. Eksplorues të tjerë gjermanë ishin Georg Hohermut dhe Filip von Huten. Një nga ekspeditat e para nën drejtimin e Ambrozius Ehinger, mblodhi rreth 184 kilogramë ar, kryesisht përmes zhvatjes dhe dhunës ndaj vendasve.

Kjo i kushtoi jetën pothuajse të gjithë njerëzve të përfshirëve në atë ekspeditë, përfshirë vetë Ehinger. Kur të mbijetuarit u kthyen në Koro, kryeqytetin e Venezuelës, pas 2 vitesh, ata zbuluan se e kishin varrosur thesarin nën një pemë. Por ai nuk e gjet më kurrë. /bota.al/ KultPlus.com

‘Vajto për herën e mbrame’

Poezi nga Giacomo Leopardi

Vetes së vet

Tanimë do prehesh përgjithnjë,
E lodhura zemra ime. Dha shpirt mashtrimi’ tejmë
Q’e dija të përjetshëm. Dha shpirt. Ndiej vërtet,
Ndër ne mashtrime të përzemërta,
Jo se uzdaja, dëshira është shuar.
Prehu përgjithnjë. Shumë
U përpëlite. Kurrgjë vlejnë
Shtytjet e tua, as psheritmat s’i ka hak
Dheu. Hidhësi dhe mërzi
Jeta, hiçmosgjë tjetër; dhe baltë është bota.
Qetim të jep tashmë. Vajto
Për herën e mbrame. Krijesash si ne fati
S’i fali tjetër veç të vdesësh. Tashmë të përbuz
Ty, natyra, rrekje
Shëmtake që, e qasët, sundon zinë botore
Dhe kotësinë pa cak të gjithçkasë.

Firenze, 1833

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Publikohet monografia “Parashkollorët- në njohjen e parë me gjuhën amtare” e autores Zamira Shkreli

Monografia “Parashkollorët- në njohjen e parë me gjuhën amtare”, e autores Zamira Shkreli është një punim i pasur në fushë të studimeve gjuhësore, ku rroken disa disiplina të dijes.

Autorja Zamira Shkreli vjen para lexuesit të kualifikuar me këtë botim duke shkelur në një rrugëtim relativisht të gjatë, që fillon me formimin e saj universitar në dy degë të USH, në atë të Ciklit të Ulët, e më pas në Gjuhë shqipe e Letërsi, duke vazhduar me studimet në ciklin e thelluar të Doktoraturës, ku ka mbrojtur gradën shkencore “Doktor”në Gjuhësi, pranë Fakultetit të Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Në përvojën e saj si kërkuese shkencore pranë QSA të U SH-ës, e lektore në kursin “Didaktikë e gjuhës shqipe”, në Fakultetin e Mësuesisë, si dhe në degën Gjuhë shqipe e Letërsi, ajo është tërhequr e joshur prej dëshirës për të kërkuar dhe hulumtuar drejtpërsëdrejti aty ku buron e fillon e përftohet gjuha amtare te të vegjëlit, e duke shkuar hap pas hapi si zhvillohet ajo bashkë me rritjen fizike, mendore e shpirtërore.

Në hyrje të monografisë, autorja Shkreli shkruan:”… Ky punim ka si qëllim t’u përgjigjet disa pyetjeve që më kanë lindur gjatë punës sime:

Si e përvetësojnë gjuhën amtare fëmijët parashkollorë? Cilët janë faktorët e jashtëm e të brendshëm që ndikojnë në ndërtimin e përftimin gjuhësor të tyre? Cilët janë elementet didaktikë që ndihmojnë të vegjëlit, dhe sa leksik aktiv përftojnë parashkollorët gjatë këtij harku kohor?

Studiuesja Shkreli në këtë hulumtim disavjeçar ka bashkërenduar shumë mirë përvojën profesionale me përvojën jetësore, si nënë duke ndjekur procesin e rritjes së dy fëmijëve të tyre.

Duke ju referuar objektivit të punimit të saj, si dhe pikave mbështetëse mund të themi, se kemi të bëjmë me një punë të mirëmenduar e duke shfletuar me kujdes faqet e librit kuptojmë, se është mbarështruar me kujdes i gjithë materiali teorik e praktik që përmbledh autorja falë dhënies saj për një botim të kësaj natyre./atsh/ KultPlus.com

Jon Stewart nderohet me çmimin ‘Mark Twain’ për arritjet jetësore si humorist

Një radhë personalitetesh të njohur botëror u mblodhën në Qendrën Kenedi në Uashington me rastin e nderimit të humoristit amerikan Jon Stewart me çmimin ‘Mark Twain’. Ky çmim iu nda për arritjet jetësore si humorist.

Stewart me këtë nder u bë pranuesi i 23-të i çmimit Mark Twain, që është njëri prej çmimeve më të rëndësishme për humor në SHBA.

Ceremonia e nderimit me të u mbajt dy vite me vonesë për shkak të pandemisë së COVID-19. Stewart u bë personi i parë që u shpërbyle me të që prej nderimit të Dave Chappelle në vitin 2019.

Stewart i cili është 59 vjeçar, u vlerësua si shtyllë e televizionit amerikan për 16 vite. Ai me humorin e tij është zhytur në politikë, përfshirë këtu me kritika drejtuar qeverisë.

Ky personalitet, para arritjes së famës në vitin 1999 me shoun The Daily Shou, dështoi me disa shou si nikoqir. Por më në fund ia doli, dhe falë Daily Shout u bë një lloj force kulturore e politike.

Stewart arriti të ndikojë tek njerëzit me humorin e tij edhe jashtë kufinjve amerikan. Kirurgu egjiptian Bassem Youssef filloi një shou modest në YouTube modeluar sipas atij të Stewart, dhe u bë figurë ikonike.

Youssef e ka pranuar se për shoun  e tij është inspiruar nga Stewart, dhe ka thënë se Stewart është dashur të nderohet me këtë çmim  para 15 vitesh.

Që prej largimit nga “The Daily Show” në vitin 2015, Stewart u bë zëri për një radhë çështjesh sociale, si dhe njëri prej atyre që doli në përkrahje të shëndetësisë, përfshirë këtu për ndihmë të viktimave nga sulmet e 11 shtatorit në Nju Jork.

Stewart u kthye sërish si nikoqir në televizion, tani i shout “The Problem with Jon Stewart” në Apple TV+.

Në mesin e të nderuarve të tjerë të çmimit Mark Twain vitet e kaluara janë: Carol Burnett, që ishte më e moshuara nga të gjithë të vlerësuarit, 80 vjeçe, Tina Fey, më e reja, në moshën 40 vjeçe, pastaj Eddie Murphy, Jonathan Winters, George Carlin e Lily Tomlin. Bill Cosby-it në vitin 2018 iu anulua çmimi për shkak të akuzave që iu bënë për ngacmime seksuale./21Media/ KultPlus.com