Çka po ndodh me Çernobilin aktualisht?

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dërgoi një mision në Çernobil për të kontrolluar vendin e ish-stacionit të energjisë bërthamore pasi forcat ruse e patën atë nën pushtim për javë të tëra.

Duke i cilësuar nivelet e rrezatimit si “jonormale”, drejtori i përgjithshëm i agjencisë Rafael Grossi tha: “Ka pasur disa momente kur nivelet janë rritur për shkak të lëvizjes së pajisjeve të rënda që forcat ruse po sillnin këtu dhe kur ato u larguan. Ne po e vëzhgojmë atë ditë pas dite”.

“Situata ishte absolutisht jonormale dhe shumë, shumë e rrezikshme”, shtoi ai.

AFP raportoi se ai po fliste pikërisht kur mbërriti në “sarkofagun” që kishte në synim të kufizonte ndotjen radiaktive nga reaktori numër katër i ish-centralit bërthamor pas katastrofës së vitit 1986.

IAEA tha se misioni i saj në Çernobil kishte për qëllim të dërgonte pajisje, të kontrollonte nivelet e rrezatimit dhe të rivendoste sistemet mbrojtëse dhe monitoruese në vend.

Trupat ruse morën ish-centralin bërthamor më 24 shkurt, ditën e parë të pushtimit të Ukrainës dhe qëndruan atje për disa javë.

Punëtorët i thanë BBC-së se ishin të detyruar të vidhnin karburant për të mbajtur gjeneratorët në punë dhe për të parandaluar një rrjedhje të rrezikshme të materialit radioaktiv. / KultPlus.com

‘Nëse dëshironi hidhni ato bomba muti mbi trupat tanë’

Shpëtim Selmani

Artistët

Kanë pushtuar çdo gjë
Jashtë asaj që kanë pushtuar
Politikanët

Të dyja palët
Duan dominim në
Shpirtin njerëzor

Që ka trashëguar
Traumën dobësinë
Vetëdijen fatale

Nëse dëshironi hidhni ato
Bomba muti mbi
Trupat tanë

Pasi të jeni strehuar në
Bunkerët e juaj
Antibërthamor

Nëse dëshironi shpëtoni
Epokën tonë të dhunës
Me veprat e juaja të çfarëdoshme

Simone Weil thotë
Edhe komedia është e
Pamundur

Sa për mua vetëm pyetjet
E fëmijëve drejtuar zotit
Kanë kuptim. / KultPlus.com

Një vajzë

Ezra Pound

Pema më ka depërtuar në duar,
Limfa e saj më ka mbushur krahët,
Pema është rritur në gjirin tim –
Teposhtë,
Degët rriten nga unë, si krahë.

Pemë je ti,
Myshk je ti,
Ti je si manushaqet me erën sipër tyre.
Një fëmijë – kaq i madh – je ti,
Dhe e gjithë kjo për botën është një çmenduri.

Përktheu: Redi Sheqeri / KultPlus.com



DPA: 107 vjetori i firmosjes së Traktatit të Fshehtë të Londrës

Si sot, më 26 prill 1915, u firmos Traktati Fshehtë i Londrës.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot dokumente duke përkujtuar këtë ngjarje.

Më 26 prill të vitit 1915 u nënshkrua “Traktati i Fshehtë i Londrës”, një marrëveshje e fshehtë në mes të fuqive të Antantës (Britanisë, Francë dhe Rusisë) dhe Italisë, thekson DPA.

DPA shton se, ky plan famëkeq, nëse do të realizohej do të ndante Shqipërinë në disa pjesë pasi në 2 nene të traktatit parashikohej:

Neni 5 i traktatit parashikonte që bregdeti shqiptar prej derdhjes së Bunës në veri deri në derdhjen e Drinit në jug, përfshirë edhe Shëngjinin, do t’i kalonte Serbisë dhe Malit të Zi.

Neni 6, Vlora dhe ishulli i Sazanit i kalonte Italisë. Më tej edhe me Nenin 7, shkruhej se:  “Italia detyrohej të mos e kundërshtojë dëshirën eventuale të Francës, Anglisë dhe Rusisë, që pjesët veriore e jugore të Shqipërisë të ndaheshin midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, ndërsa në Shqipërinë e Mesme, do të formohej shteti shqiptar “autonom”, i cili do të ishte nën protektorat të Italisë”./ atsh / KultPlus.com

Bob Dylan: Vdekja, e vërteta e vetme

Nëse mendoni se do lexoni ndonjë opinion në lidhje me ndonjë dhënie çmimi, atëherë gaboheni rëndë. Të vetmen gjë që do gjeni këtu, është Vdekja.

‘Not dark yet’ apo, “Nuk është errësuar ende”, është njëra nga shumë poezitë(këngët) e Bob Dylan-it. Më shumë se një poezi ajo paraqet krejt përpjekjet e kota të njeriut për ti dhënë kuptim jetës përballë vdekjes. A do ishim kaq fallc nëse do ishim të përjetshëm?

Qysh në fillim të poezisë, Bob Dylan godet:

‘Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër 

Vdekja nuk ka trokitur ende por është në rrugë e sipër. Në fakt, vdekja gjithmonë është në rrugë e sipër, ajo vazhdimisht është duke ardhur por asnjëherë nuk vjen. Ose së paku, ne nuk e kuptojmë edhe kur vie (nëse vie). Injoranca jonë mbi vdekjen, na vë përballë dy ndjesive: tmerrit (nga hiçi) dhe shpresës (për përjetësi). Më tmerrues ende, është fakti që për këtë shpresë, të gjithë e dimë se është e “pa shpresë”, por prapë vazhdojmë. Njeriu e gënjen veten duke u gënjyer. Ai e di këtë gënjeshtër të dyfishtë por nuk mund të largohet nga loja. Loja paraqet mundësinë e tij për të harruar vdekjen. Të gjitha përpjekjet e njeriut janë drejt lumturisë, por papritur shfaqet vdekja-kjo zonjë e paftuar. Rrjedhimisht të gjitha përpjekjet kthehen në përpjekje për të gënjyer veten në përballjen me fundin.

Për të qenë më korrekt me gjuhën, njeriun nuk e mundon vdekja, por “ideja e vdekjes” Ideja e vdekjes na tmerron sepse na kujton sa pak kohë kemi. Ideja e vdekjes na bën të mendojmë se kurrë nuk do ti arrijmë të gjitha. Pse, a mund të arrihen të gjitha?

“Not dark yet”, është poezi “pesimiste” dhe e “errët” por e sinqertë në thelb. Nga këndvështrimi ekzistencialist, kjo poezi mund të ishte, “poezi e absurdit”. Në paraqitjen e këtij absurdi apo pa-kuptimësie të jetës në raport me vdekjen, Dylan është shumë i pamëshirshëm dhe i ashpër. Në vazhdim ai shkruan:

‘Humanizmi më ka humbur thuajse,
 Pas së bukurës gjithmonë fshihet dhembja’

Humbja e humanizmit ndodh pas ballafaqimit të njeriut me botën. Ndonëse jeta mund të duket e bukur, në esencë është një dhembje e pafundme, është një skëterrë. Sipas Schopenhauer, bota apo jeta, është e zymtë dhe e errët sepse udhëhiqet nga vullneti i cili është i verbër dhe i cili nuk ka qëllime madhore. I vetmi qëllim i vullnetit është që “të jetë”. Lumturia sipas Schopenhauerit mund të arrihet duke e shuar vullnetin dhe shmangur vuajtjet. Por përderisa jemi, vuajtja është domosdoshmëri.

‘Kam rrahur të gjithë lumenjtë dhe të gjithë detërat.
Preka edhe fundin e botës të mbushur me gënjeshtra.
Madje nuk pashë asgjë as në sytë e njeriut.
Barra tanimë është bërë e papërballueshme,
Errësira nuk ka rënë ende por është në rrugë e sipër.’

Çdo varg i poezisë sa shkon e bëhet më i errët. Në vazhdim Dylan thotë: ndonëse dallgët e jetës më kanë përplasur në shkëmbinjtë më të thepisur, ndonëse kam shkuar deri në fund të botës për të gjetur kuptimin dhe humanizmin, në fund, prapë se prapë kam hasur vetëm gënjeshtra dhe intriga. Kam takuar ziliqarë e grabitqarë. Bota është e ligë dhe e zezë.

Pasi humba shpresën në botën, e kërkova të vërtetën në sytë e njeriut. Ajo që pashë ishte edhe më e pamëshirshme, goditja e saj ishte përfundimtare, ishte goditja ndaj vetes. Sytë e njeriut janë bosh-pa kuptim. Ato nuk më thonë asgjë, prandaj nuk më mbetet tjetër vetëm të pres vdekjen, duke shpresuar që të vonojë sa më shumë.

Në fund të poezisë vie kulmi. Pas reflektimit mbi botën dhe pas vetëdijesimit se bota është e verbër dhe e shurdhërt, pasi e kuptojmë se bota nuk na flet, se ajo është vetëm një shkëmb i ftohtë, pasi kuptojmë që nuk mund të gjejmë përgjigje as tek tjetri, më në fund i kthehemi vetes. Kthimi drejt vetes është pamundësia jonë për të kuptuar botën. Në botën jashtë nesh, nuk bëjnë pjesë vetëm objektet pa vetëdije, por edhe njeriu. Quhet njeri vetëm sepse ka vetëdije përkundër gurit. Quhet njeri sepse kështu ka vendosur ta quaj veten. Kur i kthehemi vetes mund të reflektojmë. Ky reflektim fillon me një konstatim që të kall datën:

“Unë kam lindur dhe do vdes pa dëshirën time”

Kjo paraqet një nga të vërtetat më të dhimbshme të njeriut. Nga kjo e vërtetë fillon jo-liria. E si mund të jem i lirë, kur nuk jam pyetur nëse dua të vi në jetë? Askush nuk më ka pyetur nëse dua të jem pjesë e një bote plotë me sëmundje, plot me frikëra dhe pasiguri. Frika nuk vjen nga jashtë, por nga brendia ime. Frika ime jam unë, frika është mosnjohja e vetes.

Si mund të jem i lirë kur askush nuk më ka pyetur nëse dua ta pasuroj botën me dhimbje. Lindja ime ka ardhur përmes vuajtjeve. Të ekzistuarit tim do të shkaktojë vuajtje. Prania ime prodhon vuajtje. Dikush do pikëllohet edhe për largimin tim. Ai largim paraqet ligësinë time ndaj tjetrit, ligësi e cila është vetëm pjesë e ligësisë së madhe, asaj të ekzistencës së jetës. Kam nevojë të vegjetoj.

Përveç që nuk më kanë pyetur nëse dua të vi në jetë, askush nuk më pyet nëse dua të vdes. Askush nuk më pyet nëse kam frikë nga terri i nëntokës; askush nuk pyet nëse kam frikë nga mungesa e ajrit; askush nuk pyet nëse kam frikë nga krimbat; prandaj jeta është vuajtje dhe bota një skëterrë.

‘Më bëhet sikur po lëviz por prapë qëndroj në vendnumëro’

Ka raste kur angazhohem, kur përpëlitem, kur më duket sikur kam arritur ca synime. Por vetëm po gënjej veten. A mund ti japim kuptim një gjëje e cila është e destinuar të shuhet? Rrugëtimit tashmë po i vie fundi. Po largohem nga ajo që quhet “jetë”. Pyetja ende vlen: A kishte kuptim gjithë kjo? Përgjigja nuk vonon dhe është e ftohtë si mermeri dhe e heshtur si varri:

‘Nuk mbaj mend asgjë, unë erdha vetëm për tu larguar nga këtu’

Këtu është kulmi i dhimbjes. Bota nuk ka qëllim; jeta nuk ka qëllim; absurdi paraqet njohjen e pa-kuptimshmërisë së botës; kur kuptimi i vetëm i gjithë ekzistencës është vetëm të vetëdisuarit mbi ekzistencën si diçka e ligë, ky është fundi i mundësive të mia. Vdekja paraqet kufirin tim.

‘Nuk dëgjohen madje as pëshpërimat e lutësit,
 Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër’

Kryevepra e kësaj poezie qëndron në vargun e parafundit. Në përballjen përfundimtare, aty në shtratin e vdekjes, nuk bën punë më as Zoti. Ai paraqet vetëm një qiell të zymtë me ca re kaotike. Ironia e Dylan-it është therrëse. Ai thotë se në fund të gjithë do jemi vetëm me veten. Do jemi përballë jetës tonë; do përjetojë momentet më intime që mund ti ketë njeriu: të jetoj vdekjen e tij. Vdekja është momenti më personal dhe i vetmi moment sinqeriteti i kristaltë me veten. Vetëm përballë vdekjes ne bëhemi të sinqertë. Kemi frikë nga të tjerët. Nga sytë e tyre. Vetëm përballë vdekjes ambiciet mjegullohen dhe të gjithë do përfundojmë si Ivan Ilichë. (L.Tolsoti-Vdekja e Ivan Ilichit)

Epilog: Vdekja, e vërteta e vetme

Çfarë kuptimi ka jeta, kur e dimë që do vdesim? Çfarë kuptimi kanë përpjekjet tona kur në fund do mbesim vetëm në varr? Çfarë kuptimi kanë gjithë arsyetimet ndaj të tjerëve, kur në fund do ti arsyetohemi vetëm vetes dhe territ? Dikush edhe mund të thotë:
“Së paku do hysh ne histori”.

Me të vërtetë? Po a nuk e di që edhe historia do vdes? A nuk e di se gjithçka do kthehet në pluhur? Çdo vetëdije njerëzore do mbetet vetëm një grusht pluhuri? Historia është vetëm mjet për të arsyetuar ekzistencën dhe për të luftuar absurdin e jetës. A ka kafsha histori? Po. Vetëm historinë tonë për të. Edhe ne një ditë do të përfundojmë histori për dikë tjetër.

Atëherë cili është qëllimi jonë këtu? Ne jemi këtu vetëm si kalimtarë, si produkt i egos. Kjo është kuptimi i pakuptimtë i ekzistencës. Këtë e thotë edhe Dylan. E kush do ja lexoj Bob Dylan-it tekstet pas 1 milion vjetësh? Me falni, a keni menduar ndonjëherë si do jetë bota pas 1 milion vjetesh? Dyshoj. Nëse vetëm pak do mendonit, do bëhej edhe pyetja tjetër, po pas 1 miliardë vjetësh??? Më mirë të mos mendoj, kushedi se ku do shkoj me pyetje.

Mungesa e pyetjeve është largim nga përballja me të vërtetat. Mungesa e pyetjeve paraqet frikën e njeriut nga vetja. Mallkuar qoftë dita kur lindi pyetja; mallkuar qoftë Filozofia, ky makth i pafundëm… Më mirë të jem kafshë, pa pyetje, pa ankth, pa ekzistencë.

Por kot e keni, sepse ju tashmë keni lindur, apo më mirë, Ju kanë lindur (pa ju pyetur). Dhe ju të gjithë do vdisni. Sado që mundoheni të mos pajtoheni me ato që thashë, prape ju siguroj që do vdisni. Do vuani, do klithni, do tmerroheni, do përpëliteni, dhe në fund prapë nuk i ikni vdekjes.

I çmendur?? Ndoshta edhe jam! Por një gjë ju siguroj, edhe çmenduria ime do harrohet një ditë (nëse do ekzistojnë ditët). Të gjithë të çmendurit që kane jetuar ndonjëherë do shuhen. Më falni, a njihni ndonjë të çmendur që ka jetuar para 1000 vjetësh? Po para 2000 vjetësh?? Kështu edhe unë do ngjas pas 1000 vjetësh. Nuk më plas fare se si do kujtohem. Madje ekziston edhe një mundësi tjetër:  koncepti i çmendurisë pas 2000 vjetësh mund të ndryshojë. Ndoshta nuk do jetë më “çmenduri” por “mençuri” ahahahahah vërtetë mendoni se çaj kokën se si do jetë koncepti i çmendurisë pas 2000 vjetësh?

Për fund po ju lus vetëm një gjë: nëse po gënjej, ju lutem ma tregoni mua dhe Botës të vërtetën! Por nëse nuk mundeni dhe nëse nuk dini ndonjë të vërtetë tjetër përveç vdekjes, ju lus të heshtni përgjithmonë.

Shkruajti: Ardian Batusha. / KultPlus.com

Margariti: Musine Kokalari, shembulli i njeriut që u sakrifikua për fjalën e lirë

Në kuadër të muajit të Librit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka kujtuar shkrimtaren dhe disidenten, Musine Kokalari.

“Musine Kokalari është shembulli i njeriut që u sakrifikua për fjalën e lirë”, shprehet ministrja.

Musine Kokalari lindi në 10 shkurt 1917 në Adanë të Turqisë. Tre vite pas lindjes së saj, familja e Musinesë u kthye në Shqipëri. Musineja mori mësimet e para në qytetin e Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Itali, në Universitetin e Romës, ku u diplomua me rezultate të larta në degën e Letërsisë. Deri në vitin 1944 botoi dy libra “Seç me thotë nënua plakë” dhe “Rreth vatrës”.

Musine Kokalari u arrestua më 23 janar 1946 me akuzën se, si socialdemokrate, solli përçarje gjatë luftës. Të njëjtën akuzë i patën bërë ballistët kur ajo i pati lajmëruar për formimin e Partisë Socialdemokrate.

Qëndrimi i saj në gjyq ishte shuplakë ndaj regjimit dhe dëshmi e forcës morale që intelektualët po tregonin kundrejt totalitarizmit. U mbrojt vetë, pa avokat, ku mes argumenteve spikati: “Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”.

Vuajti 17 vite në burg, dhe më pas u internua në Rrëshen të Mirditës, ku jetoi në kushte tejet të vështira ekonomike dhe plotësisht e izoluar nga shoqëria.

Musine Kokalari ndërroi jetë në vitin 1983 nga një sëmundje e rëndë. Pas shembjes së diktaturës, figura dhe vepra e saj dolën në pah dhe u vlerësuan nga institucionet e sistemit demokratik. Në vitin 1993 iu dha titulli “Martir i demokracisë”./ atsh / KultPlus.com

Piktorët shqiptarë Ben Kamili dhe Artan Shabani ekspozitë të përbashkët në Vjenë

Në praninë e një numri të madh dashamirësh të artit pamor, në Galerinë “Desiderio“ në qendër të Vjenës, të premten, me datë 22 prill, u hap ekspozita e përbashkët e dy artistëve shqiptarë Ben Kamili nga Tetova dhe Artan Shabani nga Vlora.

Me një fjalim shumë të thellë e domethënës me rastin e hapjes, u paraqit historiani i artit, gjermani, Wilhelm Ziehr, i cili i vlerësoi lart veprat e piktorëve që ishin të shfaqura në muret e galerisë, por edhe ato që autorët i kanë në thesaret dhe atelietë e tyre.

Benin dhe Artanin nuk i lidh vetëm viti i njëjtë i lindjes, por edhe e bukura, e pathëna me fjalë, e pikturuara, e fshehta, harmonia e ngjyrës, thellësia e imagjinatës, muza etj. Prandaj ekspozita mban emrin “Fuqia e ngjyrës“, sepse në veprat e tyre vërehet një shpërthim ngjyrash, zhvillimi i tyre i brendshëm shpërfaq tërheqshëm ndjenjat dhe idetë e autorëve, gjersa motivi është i ndryshëm dhe na sjell pamje nga përditshmëria, impresionizmi, abstraksioni, erotizmi, peizazhi etj. Në disa piktura paraqiten mjedise të ndryshme shqiptare, brigje e lumenj, por edhe pamje nga vende të ndryshme të botës, ku autorët e kanë gjetur frymëzimin e tyre. Prania e femrës është gjithashtu një element përmbajtësor i veprave, ku ajo shfaqet në akte të ndryshme, e bukur, me stil dhe veçori romantike e artistike. Njashtu edhe gjelbërimi, lulet e bota bimore, objektet e jetesës, kasollet etj. janë në një përputhje të mahnitshme. Veprat flasin për një shije estetike dhe një cilësi të ngritur krijuese të dy piktorëve.

Historiani i artit, Wilhelm Ziehr pasi tregoi disa të dhëna mbi personalitetin e piktorëve, Benit dhe Artanit, teksa lexoi sukseset e tyre me ekspozitat individuale dhe kolektive në shumë vende të botës, paraqiti para të pranishmëve mbresat e tij nga veprat figurative të ekspozuara këtu në Vjenë, duke gjetur fjalët e veçanta, duke analizuar mprehtësinë krijuese dhe frymëzimin e artistëve.

Të pranishëm në ekspozitë ishin një numër i madh bashkatdhetarësh shqiptarë nga Vjena, si: shkrimtari Besim Xhelili, kompozitori Jozef F. Pjetri, piktori Endrit Mema, afaristët Aki Nuredini dhe Argtim Hani etj., gjersa ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, z. Roland Bimo pasi i përshëndeti autorët dhe të pranishmit, i përgëzoi piktorët Kamili dhe Shabani, duke u treguar i befasuar nga arti i tyre dhe njëkohësisht i gëzuar me arritjet e tyre.

Ekspozita do jetë e hapur një muaj dhe mundet të vizitohet në Galerinë “ Desiderio”, në adresën: Johannesgasse 17, 1010 Vjenë./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Festivali ArchiTech po sjell edicionin e tretë

OJQ-ja ‘Youth Are the Real Leaders’ (YARL) dhe Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) po sjellin edicionin e 3-të të Festivalit ArchiTech.

Festivali ArchiTech promovon përfshirjen e të rinjve në (ri)dizajnimin e hapësirave publike dhe planifikimin e nismave hapësinore përmes qasjes së ‘të mësuarit duke bërë’. Ai shërben gjithashtu edhe si medium fuqizues për të rinjtë dhe banorët në përgjithësi, për të ruajtur dhe zhvilluar zonat publike, duke promovuar kështu ndjenjën e bashkëpronësisë dhe ‘përkatësisë’.

ArchiTech nis më 28 prill në ora 17:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. / KultPlus.com

557-vjetori i betejës së parë të Vajkalit sjell arbëreshë në Bulqizë

557-vjetori i betejës së parë të Vajkalit solli në Bulqizë një grup arbëreshësh nga Italia, të cilët u bënë pjesë e një sërë aktivitetesh të organizuara në kuadër të kësaj dite.

Kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, i shoqëruar nga deputetët e qarkut Dibër Aurora Mara, Lavdrim Krrashi, kryetarja e Këshillit të Qarkut Valentina Haliti, dhe drejtues të tjerë vendorë, mirëpritën në mjediset e Bashkisë, kryetarja e komunës San Benedetto Ullano, Rosaria Capparelli, zv/kryetari i komunës Casalvecchio di Puglia, Antonio Andreola dhe Loris Castriota Skanderbegh, pasardhës i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Aktivitetet vijuan më tej në mjediset e Pallatit të Kulturës, ku kryebashkiaku Alla, ndër të tjera e vlerësoi këtë event si një ndër më të rëndësishmit të organizuar në bashkinë e Bulqizës. “Nga njëra anë përkujtojmë aktet historike të betejës së Vajkalit, nga ana tjetër,  na nderojnë me praninë e tyre në Bashkinë tonë përfaqësues të njërës prej diasporave më të veçanta në botë, e cila, edhe pas shumë shekujsh, ka mundur të ruajë me fanatizëm origjinën e saj, duke i dalë për zot përpjekjes shumë shekullore të trimave shqiptarë dhe gjakut të tyre, të derdhur për kauzën më të shtrenjtë, mbrojtjen e lirisë së atdheut”, tha ai.

Alla theksoi se arbëreshët kanë ditur se si gjatë periudhës tashmë 5-shekullore në Itali, të formojnë një fizionomi të tyren në lëmin e kulturës, të artit dhe të letërsisë.

“Prej tyre kanë dalë poetë e studiues  të shquar  të përmasave evropiane, si Jeronim Derada, Vinçenc Dorsa, Zef (Giuseppe) Skiro Senior, të cilët mbeten figura të mëdha mendimtare, politike e kulturore të rilindjes shqiptare në shek. XIX. Ky komunitet në tërësi, këta burra të shquar arbëreshë, veprat e tyre, jeta e puna që kanë bërë për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën arbëreshe, meritojnë respekt dhe mirënjohje të pakufishme nga vendi mëmë”, tha ai ndër të tjera.

Aktiviteti vijoi edhe me një program artistik të organizuar nga bashkia Bulqizë dhe disa pjesë të luajtura nga arbëreshët. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Profesionistët po braktisin Kosovën

Braktisja e vendit nga njerëzit profesionistë, po vazhdon ende në Kosovë. Sipas ekspertëve, Kosova shumë shpejt do të përballet me mungesë të fuqisë punëtore, por edhe të kuadrove të fushave të ndryshme. Ata thonë se kjo ndodh për arsye të pagave të ulëta, mangësitë që ka sistemi arsimor për të prodhuar të rinj të aftë për treg të punës si dhe shumë faktorë të tjerë.

Nga hulumtimet e bëra, që nga pas lufta e deri tani rreth 300 mijë persona janë larguar nga Kosova për në shtetet e Evropës e më gjerë. Ndërkaq, Zyra e BERZH-it për Kosovë, kohë më parë ka deklaruar se sfida vjetore për Kosovën është ikja e trurit, ose braktisja e vendit nga njerëzit profesionistë. Ekspertët thonë se kjo rrezikon që në një të ardhme shumë të afërt, Kosova mund të mbetet pa fuqi punëtore dhe me mungesë të njerëzve profesionistë.

Donjeta Krasniqi, e cila është e diplomuar për ekonomi, tha për Radio Kosovën se ka vendosur të largohet nga vendi për arsye se nuk punon në sektorin për të cilin është e kualifikuar dhe se e ka pagën shumë të ulët.

 “Kam vendosur të largohem nga Kosova, pasi këtu edhe pse përfundon fakultetin, nuk mund të punësohesh në drejtimin tënd”, tha Krasniqi. “Arsyeja tjetër është se paga është e ulët si dhe kushtet e punës nuk janë të mira”.

Sociologu, Blerim Shabani, tha për Radio Kosovën se në Kosovë ende nuk janë të rregulluara të drejtat e punëtorëve në sektorin privat, teksa theksoi se nga Kosova po ik e gjithë struktura e re që është e gatshme për të ndikuar në aktivitetin ekonomik.

 “Ikja e qytetarëve tanë është një trend që përbën të gjitha nivelet e shkollimit të qytetarëve, e që është e theksuar te gjenerata e re.

Njohja e meritokracisë dhe respektimi i konkurrencës dhe i mundësive të barabarta, ka ndikuar ndër vite që qytetarët të fillojnë të humbin besimin në mundësinë për krijimin e një vendi të punës dhe e kanë orientuar interesin për të shkuar në vende të tjera”, u shpreh ai.

Rinor Qehaja, nga Instituti ‘EdGuard’, tha për Radio Kosovën se emigrimi i të rinjve është shumë i lidhur me padrejtësinë sociale dhe ekonomike në vend. Ai e lidh këtë perceptim me sistemin arsimor, që sipas tij, nuk prodhon të rinj të aftë për treg të punës.

 “Emigrimi i të rinjve ka shumë faktorë, mirëpo në mendimin tim besoj që është shumë i lidhur me padrejtësinë, pra, perceptimi i tyre për padrejtësinë sociale dhe ekonomike në vend”, thotë Qehaja. “E burim i këtij perceptimi është edhe vetë sistemi arsimor. Sistemi ynë arsimor nuk prodhon të rinj të aftë për treg të punës, që u siguron një punë të mirëfilltë, por u ofron një diplomë për çfarëdo pune, që dikur kthehet në dëshpërim. Vendi ynë duhet të sigurojë shkollim të mirëfilltë për të rinjtë, në mënyrë që të njëjtit i bën të shkathët për treg të punës dhe të aftë për të gjeneruar ekonomi për vendin. Në të njëjtën kohë, sistemi arsimor duhet të edukojë të rinjtë për vlera dhe bindje që promovojnë punën dhe jo gjithherë paranë.”

Ndërkohë, Radio Kosova ka tentuar që të marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës, nëse ka ndonjë plan për kthimin e njerëzve të kualifikuar, por nuk ka marrë përgjigje.

Ligji mbi emigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani, ka ngritur shqetësime në Kosovë se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, kryesisht atyre të kualifikuar, do të largohen nga vendi. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në dekadën e fundit, më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin. / KultPlus.com

Kërkohet kushtëzimi i Serbisë për të ofruar të dhëna për të pagjeturit

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, Andin Hoti, ka kërkuar të martën, 26 prill, që bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin dhe të kushtëzojë Serbinë për të ofruar informacione për personat e pagjetur.

“Kërkesa jonë e parë është kushtëzimi ndaj Serbisë. Kërkesa jonë e dytë ka qenë garancia e Bashkimit Evropian që të ketë një afat kohor kur Serbia detyrohet të japë informacionet për personat e zhdukur, dhe kërkesa e tretë është për hapjen e të gjitha dokumenteve sekrete të Serbisë, të kohës së luftës në Kosovë”, ka thënë Hoti, teksa ka kryer homazhe te memoriali në Prishtinë kushtuar të pagjeturve.

Dita e të Pagjeturve në Kosovë shënohet më 27 prill.

Ai ka thënë se së shpejti në Serbi pritet të fillojnë gërmimet në një tjetër lokacion.

Sipas Hotit, delegacioni i Kosovës u ka kërkuar shteteve mike tash e një vit për të siguruar imazhet satelitore përmes Kryqit të Kuq ndërkombëtar.

Megjithatë, Hoti ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, u ka bërë thirrje autoriteteve që të merren me këtë proces, mirëpo ka thënë se e di që “kjo çështje nuk do të kryhet shpejt”.

Kosova ka dalë nga lufta e vitit 1998-99, me mbi 13,000 persona të vrarë, mbi 800,000 të zhvendosur dhe mbi 5,000 të zhdukur.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët janë bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet.

Deri më tani, nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth 1,000 personave.

Mbi 23 vjet pas luftës, të zhdukur vazhdojnë të jenë mbi 1,600 njerëz.

Një zyrtar i Bashkimit Evropian ka thënë më 25 prill, se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë afër arritjes së marrëveshjes për të pagjeturit, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga blloku evropian në Bruksel.

“Sa i përket çështjes së të pagjeturve, praktikisht ka mbetur të zgjidhen vetëm dy fjalë, pra një gjysmë fjalie, që të kemi marrëveshjen”, ka thënë ky burim.

Në BE thonë se është e domosdoshme që të ketë shpejt marrëveshje, në mënyrë që të krijohen kushtet për takimin e nivel të lartë politik mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ka nisur më 2011. / KultPlus.com

Sot bëhet shpallja e Çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2021

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të organizojë ceremoninë e shpalljes së Çmimit “Lumo Skëndo” dhënë për librin më të mirë studimor/publicistik/eseistik për vitin 2021, një çmim ky në nderim të figurës së Mid’hat Frashërit dhe kontributit të tij në bibliofilinë dhe letrat shqipe.

Kandidatët për Çmimin “Lumo Skëndo”, pas një pune disa mujore të jurisë së kryesuar nga Uran Butka dhe me anëtarë Piro Misha, Dorian Koçi, Dhurata Shehri dhe Belina Budini, janë: Fatmir Toçi, “Arbëreshët”, Fatos Lubonja, “Jetë burgu”, Kujtim M. Shala, “Zbulimi i Zef Pllumit”, Lea Ypi, “Të lirë” dhe Rubens Shima, “Posteri shqiptar”.

Ceremonia do të mbahet ditën e sotme më 26 prill 2022, ora 18:00, në mjediset e Hotel PLAZA, Salla “Jeronim de Rada” Kati 23. / KultPlus.com

Së shpejti fillon të botohet fejtoni për Gjergj Fishtën, për imagjinatën e tij kreative dhe erudicionin krijues

Studimi për imagjinatën krijuese, artistike të Gjergj Fishtës, ka për qëllim t’i ofrojë lexuesit e studiuesit të veprave të këtij krijuesi të madh, edhe këtë segment të krijimtarisë së tij, sepse, me sa di unë, ka pak shkrime e studime në letrat tona që trajtojnë imagjinatën e krijuesve, ato kreativet, të dobishmet, të domosdoshmet, të cilat janë vënë në funksion të idesë për krijimtari të gjithanshme, të dobishme, kurrsesi si qëllim për vetvete.

Duhet pasur parasysh edhe faktin se krijimtaria e Gjergj Fishtës tashmë i përket epokës së tij, shekullit të kaluar dhe ajo kundrohet në këtë aspekt, në kohën e hapësirën e tij, kjo nuk do të thotë të pushojnë gjurmimet e studimet për jetën dhe veprën e tij, sepse Fishta mbi të  gjitha  ishte krijues erudit, meqë për kohën e tij dispononte mendjen e eruditit, të gjeniut shqiptar të kohës.

Diapazoni mendor, krijues, i Gjergj Fishtës shtrihet gjerë e gjatë në historinë e së kaluarës shqiptare dhe ballkanike përgjithësisht, duke veçuar ngjarjet me rëndësi të së kaluarës dhe duke ndalur interesimin në historinë shqiptare të shekujve 19-20-të, në rajonin e Malësisë  së Madhe  dhe Shkodrën si epiqendër e botës shqiptare, qyteti i Mbretëreshës Teutë dhe i Shqipërisë veriore, i shtrirë në pashallëkun e kohës së Turqisë, në kohën e lulëzimit të Pashallëkut të Janinës dhe në kohën kur shqiptarët edhe pse nën flamurin e Perandorisë jetonin në  katër vilajete të Shqipërisë, të “Arnautistanit”.

Gjergj Fishta edhe pse klerik me profesion, njohës i fesë krishtere dhe i feve përgjithësisht, njohës fenomenal  i botës shqiptare, turke, sllave lindore dhe krishtere perëndimore, ai mbi të gjitha mbeti një shqiptar i madh, një ideolog i shqiptarisë, një bard i vërtetë i kombit në krijimtari dhe në të gjitha fushat ku veproi e punoi. 

Në këtë studim për Gjergj Fishtën, fokus i interesimit është imagjinata krijuese e tij, diapazoni i vrojtimit autentik në ngjarjet që i ka përshkruar, veçmas në “Lahutën e Malësisë”, sikur janë: intuita, pajisja me njohuri dhe aftësia në përshkrimin e realitetit faktik e dokumentar, duke e pasuruar me spektrin krijues imagjinar, artistik, jo duke emituar autorët klasikë, por duke vjelë përvojat e tyre, ashtu sikur kanë bërë dhe bëjnë përgjithësisht krijuesit e mëdhenj. ( Ahmet Qeriqi) / KultPlus.com

Zërat e paharruar të Bashotëve

Nga Sali Bashota

Çdo ditë më merr malli
Për zërat e paharruar të Bashotëve
Më kujtohet si pagëzohej dashuria
Me ninullat më të bukura të fëmijërisë
Si i lidhnim kujtimet duke i numëruar hapat e dremitur
Pastaj iknin kukuvajkat nga kulmi i shtëpisë
Ndërsa shpirtrat bënin gjumë të ëmbël
Më vonë i palonim në heshtje të gjitha dallgët e jetës
Për t’i gëzuar buzëqeshjet pa brenga
Çdo ditë më merr malli
Për zërat e paharruar të Bashotëve
Si thurej nostalgjia me pëshpëritjet e mëngjesit
Nëpër thellësitë e përndritura të kujtesës
Kur i gdhendnim gurët e durimit
Për të ndërtuar shtëpi me pamje kah dielli
Pastaj vraponim fushave të blerta
Bashkë me aromën e zambakëve të lulëzuar
Ashtu vinte e lumtur buzëmbrëmja
Sepse aty kurrë nuk trembeshin shqiponjat
As fjala s’e humbte besimin e vet
Edhe pse qielli mbulohej me re të zeza
Edhe pse toka gjëmonte në të katër anët
Edhe pse zjarri përpinte të gjitha legjendat
Çdo ditë më merr malli
Për zërat e paharruar të Bashotëve
Aty nuk mungonte asnjë pjesë e dhimbjes
Secila përshëndetje ishte më e ngrohtë se tjetra
Ndërsa rrudhat e ballit ngjanin me vrullin e stuhisë
Secili plis i bardhë kishte krenarinë e vet
Dhe vdekja ikte nga hija e gjarpërinjve
Çdo ditë më merr malli
Për zërat e paharruar të Bashotëve
Pikërisht aty bekohej çasti i lumturisë
Dhe zgjohej ofshama e zemrës
Në formën e krahëve të dallëndyshes
Ndërsa imazhi më i përmallshëm
Mbështillej me lotët e mërgimtarëve
Nëpër librat e historisë së patreguar
Sa herë në lisin e gjakut skalitej liria
Çdo ditë më merr malli
Për zërat e paharruar të Bashotëve

(Prishtinë, 26 prill 2022) / KultPlus.com






“Luaneshat e Kodrës”, britma e jetës dhe moderniteti

Nga Luan Rama

Qendra Kombëtare e Filmit francez (CNC) shfaqi në Paris në një nga sallat e saj filmin « Kodra ku hungurojnë luaneshat » i regjisores së re Luana Bajrami. Është filmi i saj i parë me metrazh të gjatë dhe i dyti si regjisore pas një filmi me metrazh të shkurtër, ndërkohë që ka interpretuar role të ndryshme në shumë filma francezë. Ajo vjen nga një shkollë teatri në Francë, e cila Kosovën e ka lënë që në moshën shtatë vjeçare dhe ka brenda vetes një shije të veçantë letrare çka duket e ka ndihmuar të ngjisë me shpejtësi shkallët e Artit të Shtatë. E takova para shfaqjes, bashkë me producenten e saj. Do të shikonim një bashkëpunim franko-kosovar, një trupë krijuesish të rinj çka shpejt do na dëshmonin për mjeshtërinë e tyre. Mbrëmë ky film për mua ishte një nga surprizat e bukura të kinematografisë kosovare meqë interpretuesit dhe dekori janë të Kosovës, në një qytezë si duket pranë Prishtinës. Vitet e fundit kinematografia e Kosovës na ka shfaqur surprizë pas surprize, por ky film nuk di pse më dha ndjesinë të pikëtakoja “nouvelle vague” franceze, për nga aspekti i një gjuhe të re filmi, një risie të re, siç e sollën atë në vitet ’60 regjisorë si Godard, Truffaut, Rohmer, Chabrol me aktorë si Depardieu, Belmondo, Deware, Miou-Miou, Huppert, etj. Një frymëmarrje si duket e ngjashme, çka më bën të mendoj për këtë “Valë të Re”. Një histori e thjesht po aq dhe dramatike. Tri vajza të reja në jetën e tyre të përditshme në një fshat disi të humbur pas traumave të luftës dhe varreve që i ndesh ngado. Një botë monotone ku jeta e femrës ndeshet parreshtur me barrierat e një mentaliteti të vjetër, çka ehot e Kanunit nuk janë shumë të largëta. Janë vajza që e duan jetën, që mendojnë për të ardhmen, ëndërrojnë, ku në shpirtrat e tyre ka një lloj mederniteti të cilën këto tri vajza e shfaqin gradualisht, me forcë dhe ndjeshmëri, ku trupi flet dhe dëshira pulson, ku kamera i ndjek në lirinë e plotë të shpirtit dhe trupit. Ka një lloj egërsie në shfaqje të parë por që shpejt spektatori prek ndjesinë delikate të shpirtit të tyre. Dhe kur portat e shkollimit në universitet u mbyllen, çka ishte ëndrra e tyre, ato rebelohen, dhe kërkojnë ti kundërvihen shoqërisë së mbyllur maçiste. Aktoret janë të çliruara dhe të ngjan se luajnë vetë jetën e tyre, pa artifise, ku një kamera poetike dhe dinamike njëkohësisht na zbulon luhatje, tronditje, shpirti, edhe pse në sfondin muzikor disi të ngarkuar. Brenda kësaj drame ndërthuret një linjë tjetër, ajo e një vajze po nga Kosova e ardhur në Francë, si të ishte simotra e Luanës, ardhur aty për pushime për të parë gjyshen e saj, e dashuruar pas letërsisë franceze dhe që në duar, jo më kot ka librin e Zolasë, « L’Assommoir », që siç thotë personazhi « është një kryevepër ». Është vetë fati i trishtë i një gruaje që e do jetën dhe që pesha e shoqërisë e thyen atë.

Filmi i rikthehet gjithnjë asaj kodre që na prezanton në fillim, si të jetë një kodër mitike, magjike, asaj kodre ku tri vajzat klithin njëherësh britmën e tyre të shpirtit, e vajzave të ndrydhura dhe pa shpresë. Një britmë migjeniane në atë kodër të xhveshur, me gurë e me varre, si shenjë e një realizmi magjik. Nga një aventurë euforike dhe pikëtakimi me lirinë, ato më së fundi rikthehen në fshat pa mundur të shkojnë jashtë vendit të tyre dhe ku një vizë-kalimi është hipotetike. Por rikthimi i tyre është i dhimbshëm. Luaneshat duket se bien në një çark të shoqërisë ku vetëm britma u ka mbetur. Janë padyshim personazhe plot dritë, portrete plot humanizëm me vetë dramën e një shoqërie që kërkon të kapë trenin e kohës. Dhe gjithë kjo më ngjan me shfaqjen e një “Vale të Re” të kinematografisë kosovare. / KultPlus.com

Ndahen çmimet “Ibrahim Kodra” për të rinjtë shqiptarë

Jepen katër çmime “Ibrahim Kodra” për të rinjtë shqiptarë. Në konkursin e organizuar nga “Fondacioni “Ibrahim Kodra” në Milano, në bashkëpunim me Galerinë e Artit Tiranë, u ndanë çmimet “Ibrahim Kodra”.

Në këtë konkurs të ideuar me rastin e 104-vjetorit të lindjes së piktorit shqiptar me famë ndërkombëtare, Ibrahim Kodra, arti i të cilit njihet në të gjithë botën, morën pjesë të rinj nga e gjithë Shqipëria.

Janë kryesisht nxënës  të shkollave të mesme artistike nga e gjithë Shqipëria, të cilët prezantohen me mbi 70 punime në pikturë, të realizuara në teknika të ndryshme.

Gjatë këtij eventi, i cili përkoi me ditën e ditëlindjes së post-kubistit shqiptar, çmimi i parë iu dha Orianda Priftit nga Liceu i Tiranës. Çmimi i dytë shkoi në Shkodër për të riun Endris Hysa dhe çmimin e tretë e fitoi Mikela Taragjini.

Ndërkaq gjatë konkursit u nda dhe një çmim special për Sindi Thartorin. Këto çmime u mundësuan nga fondacioni “Ibrahim Kodra” që mban emrin e piktorit, me seli në Milano të Italisë.

“Ky aktivitet organizohet për të mbajtur gjallë emrin e Ibrahim Kodrës, por gjithashtu edhe për t’i qëndruar gjithmonë besnikë dëshirës së tij të madhe: “Të ndihmoj të rinjtë” – shprehet kryetari i fondacionit Fatos Faslliu. Këto punime, të cilat do të qëndrojnë të ekspozuara për më shumë se një javë në ambientet e Galerisë së Artit në Tiranë, janë përzgjedhur dhe kuruar nga kuratorja e ekspozitës Ina Elezi.

“Më vjen mirë që iu përgjigjën kaq shpejt dhe kaq shumë të rinj thirrjes sonë për të realizuar punime për çmimin “Ibrahim Kodra” dhe kjo është shumë shpresëdhënëse për artin shqiptar” thotë Elezi.

Ndërkaq sipas drejtorit  të GAT, Abaz Hado, ky event organizohet për të lartësuar emrin e një prej figurave më të njohura të artit shqiptar Ibrahim Kodrës, i cili edhe pse aktivitetin e tij artistik e kishte jashtë kufijve, asnjëherë nuk e harroi dhe gjithmonë e mbështeti Shqipërinë. / KultPlus.com

35 vjet nga katastrofa bërthamore në Çernobil

Më 26 prill 1986, Ukraina u trondit nga shpërthimi gjatë një testi të zhvilluar në reaktorin bërthamor në Çernobil. Nga retë radioaktive që u krijuan si pasojë e shpërthimit, u dëmtuan afërsisht 7 milionë persona.

Shpërthimi ka bërë që një re e madhe e materialit radioaktiv të kalojë kufijtë e Ukrainës, në Rusi, në Bjellorusi dhe në Evropën veriore.

Numri i njerëzve të vrarë nga katastrofa mbetet i diskutueshëm.

Mendohet se 30 persona kanë vdekur në momentin e shpërthimit dhe në operacionin e shpëtimit.

Por, një raport i Kombeve të Bashkuara, i publikuar në vitin 2005, ka llogaritur se 4,000 veta mund të kenë vdekur nga sëmundje që lidhen me materialin radioaktiv, transmeton KultPlus.

Niveli i radioaktivitetit vazhdon të mbetet i lartë edhe sot në zonat përreth vendit të fatkeqësisë. Një organizatë bamirëse, “Urat në Bjellorusi”, tërheq vërejtjen se foshnjat në rajonin pranë kufirit me Ukrainën vazhdojnë të lindin me deformime të rënda, ndërsa një numër jashtëzakonisht i lartë i njerëzve kanë forma të rralla të kancerit.

Përvjetori i fatkeqësisë ka marrë vëmendje shtesë për shkak të përfundimit të afërt të një strukture të veshur me çelik, që do të forcojë reaktorin e goditur dhe do të parandalojë rrjedhjet e mëtejshme radioaktive për 100 vjetët e ardhshëm.

Projekti është financuar me donacione nga më shumë se 40 qeveri. Kryeministri i Ukrainës, Volodymyr Groysman, ka thënë se mësimet e nxjerra nga Çernobili duhet të merren parasysh në gjithë botën.

Fatkeqësia në Çernobil dhe reagimi i qeverisë patën nxjerrë në pah të metat e sistemit sovjetik, me burokraci të papërgjegjshme dhe kulturë të sekreteve. Për shembull, urdhri për evakuim është bërë 36 orë pas aksidentit.

Ish-udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev, ka thënë se e konsideron Çernobilin si një nga gozhdat kryesore në arkivolin e Bashkimit Sovjetik, i cili është shpërbërë në vitin 1991.

Ngjarja në Çernobil mbetet katastrofa më e keqe bërthamore në histori. / KultPlus.com

Tragjedia e ligjërimit

Gjer më 1948 Ionesco kishte shkruar disa ese, pak poezi dhe ndonjë artikull, ku spikatnin tashmë dukshëm përjetesat e absurdit. Mirëpo, kur vendos t’i hyjë mësimit të anglishtes, me metodën Assimil, i shkrep mendimi i një pjese, ku brofin fjali mekanike të një doracaku bisedimor. Këtu zë fill universi i pjesëve të tij aq të arrira, duke nisur me “Këngëtarja tullace”, ku këmbimi në erë e rrakapjekthi i fjalëve që s’ta mbushin syrin shndërrohen në pikënisje të një padie të hatashme ndaj pakuptueshmërisë dhe cektësisë së marrëdhënieve njerëzore.

Nga: Eugene Ionesco
Përktheu: Luan Canaj

Më 1948-ën, para se të shkruaja pjesën time të parë “Këngëtarja tullace”, nuk ma kishte fort ënda të bëhesha dramaturg. Thjesht, kisha vetëm ambicien të mësoja anglisht. Mësuarja e anglishtes nuk të çon medoemos te dramaturgjia. Përkundrazi, ngaqë nuk ia dola dot mbanë të mësoja anglishten, pa u bëra shkrimtar pjesësh teatrore. Nuk është se këto pjesë i shkrova si për t’u hakmarrë ndaj dështimit tim, megjithëse është thënë që “Këngëtarja tullace” përbënte një satirë të kulluar ndaj borgjezisë angleze. Po të më kishte shkrepur në kokë dhe të mos ia kisha dalë dot mbanë të mësoja italishten, rusishten a turqishten, do të thuhej po kaq ashiqare se pjesa ishte rrjedhojë e kësaj përçapjeje të kotë, përbënte një satirë të hatashme për shoqërinë italiane, ruse a turke.

E ndjej se duhet të jap shpjegime më imtësore. Ja se çfarë ngjau: pra, për t’i hyrë anglishtes, bleva këtu e nëntë a dhjetë vjet të shkuara, një doracak bashkëbisedimesh franko-angleze, për përdorim nga fillestarët. Iu futa punës. Me vetëdije të plotë, për t’i mësuar përmendsh, kopjoja fjali të tëra, të shkëputura nga librushka. Duke i rilexuar me shumë vëmendje, do ti që nisa të mësoja, jo anglishten, por disa të vërteta befasonjëse: kështu, bie fjala, java paskësh shtatë ditë, gjë që gjithsesi e dija, ose ta zëmë që dyeshemeja ndodhet poshtë, kurse tavani lart, gjë që e dija po ashtu, ndoshta, por, për të cilën nuk e kisha vrarë kurrë mendjen aq seriozisht a që mund ta kisha harruar fare dhe që, befas, po më shfaqej sa habitshëm, aq edhe padiskutueshmërisht e njëmendtë. Pa dyshim që unë e kam aq ftillim filozofik, sa ta pikas që nuk po rishkruaja në fletorkën time vetëm disa fjali thjeshtake angleze, të përkthyera në frëngjisht, por disa vërtetësi themelore, konstatime të thella.

Megjithatë, ende nuk hoqa dorë nga anglishtja. Për fat të mirë sepse, pas të vërtetave universale, autori i doracakut më zbulonte edhe disa të vërteta të veçanta, dhe për t’ia dalë mbanë, ky autor, i frymëzuar, padyshim, nga metoda platonike, i shprehte ato me anë të dialogut. Qysh nga mësimi i tretë spikat prania e dy personazheve, të cilët sot e kësaj dite nuk e di, nëse qenë të vërtetë a të sajuar: z. dhe znj. Smith, një çift anglez. Si për të më mrekulluar të gjithin sa s’thuhet, zonja Smith i bënte të ditur të shoqit se ata kishin shumë fëmijë, se banonin në rrethinat e Londrës, se mbiemrin e kishin Smith, se zoti Smith ishte zyrtar, se kishin një shërbyese, Mary-n, po ashtu angleze, se që prej njëzet vjetësh kishin miq që quheshin Martin, se shtëpia e tyre ishte një pallat ngaqë “shtëpia e një anglezi përbën pallatin e tij të vërtetë”.

Po thosha pak më sipër që zoti Smith duhej të ishte disi në dijeni për gjithë këtë. Mirëpo, ku i dihet, ndonjëherë ka edhe njerëz tejet të hutuar. Nga ana tjetër, bëjmë mirë t’u kujtojmë të ngjashmëve tanë gjëra që mund t’i harrojnë a për të cilat nuk janë edhe aq të vetëdijshëm. Përtej këtyre vërtetësive të veçanta, gjithëkohore ishin edhe disa të vërteta të tjera çastore, që shfaqeshin qartas: bie fjala, që Smith-ët sapo kishin ngrënë darkë dhe që ishte ora nëntë e mbrëmjes, me orën angleze, sipas sahatit me lavjerrës.

Më lejoni t’ju tërheq vëmendjen rreth karakterit të padyshueshëm, përsosmërisht aksiomatik të pohimeve të zonjës Smith, si dhe rreth përçapjes kryekëput karteziane të përpiluesit të doracakut tim të anglishtes, sepse ajo që shquante në të ishte përparimi sipëror metodik i kërkimit të së vërtetës. Në mësimin e pestë ia behnin Martin-ët, miqtë e Smith-ëve. Ndizej bashkëbisedimi mes të katërve dhe, përmbi aksiomat fillestare ngriheshin të vërteta më plotësore: “Fshati është më i qetë se qyteti i stërmadh”, pohonin disa, “po, por në qytet popullsia është më e dendur ama, ka më shumë shitore”, ia prisnin të tjerët, çka është mëse e vërtetë dhe dëshmon, për më tepër, që vërtetësitë kundërshtore mund të bashkëjetojnë për bukuri.

Sakaq, më shkrepi befas një mendim. Për mua nuk bëhej më fjalë të përsosja njohjen e gjuhës angleze. Të jepesha pas pasurimit të fjalorit tim në anglisht, të mësoja fjalë për të përkthyer në një gjuhë tjetër, atë çka mund ta shprehja bukur fort në frëngjisht, pa marrë parasysh “përmbajtjen” e këtyre fjalëve, se ç’kumtonin ato, do të ishte njëlloj si të bije në mëkatin e formalizmit, të cilin sot diturakët e mendimit e dënojnë me plotë të drejtë. Ambicia ime kishte marrë përmasa më të mëdha: t’u përcillja bashkëkohësve të mi të vërtetat thelbësore, që më kishte sjellë ndërmend doracaku i bashkëbisedimeve franko-angleze.

Nga ana tjetër, dialogjet e Smith-ëve, Martin-ëve, e Smith-ëve dhe Martin-ëve, ishin mirëfilli teatër, meqë teatri është dialog. Më duhej, pra, të shkruaja pikërisht një pjesë teatrore. Dhe shkrova, kështu, “Këngëtarja tullace” e cila është një pjesë teatrore kryekëput didaktike.

Po përse kjo vepër quhet “Këngëtarja tullace” e jo, bie fjala, “Anglishtja pa mundim”, siç më shkrepi ta emërtoja së pari, as “Ora angleze”, siç ma pat ënda ta quaja një çast më pas?

Ha gjatë, po t’i vihesh ta shkoqitësh: njëra nga arsyet për të cilat “Këngëtarja tullace” u emërtua kështu, qëndron në faktin që aty nuk shfaqet asnjë këngëtare, tullace a ma flokë qoftë. Ky detaj duhej të mjaftonte. Një pjesë e mirë e veprës përbëhet nga vënia kokë më kokë e fjalëve të nxjerra prej libërthit të anglishtes. Smith-ët dhe Martin-ët e të njëjtit doracak janë Smith-ët dhe Martin-ët e pjesës sime. Janë po ata, shqiptojnë të njëjtat thënie, bëjnë të njëjtat veprime a të njëjtat “joveprime”. Në çdo “teatër didaktik” nuk të mbetet të jesh origjinal, as të thuash atë që mendon vetë: kjo gjë do të përbënte një gabim të rëndë kundër “të vërtetës” objektive. Nuk na mbetet veç të përcjellim, urtësisht, vetë mësimin që na ishte përçuar, idetë që na ishin ngulitur. E si mund t’i lejoja vetes t’u ndryshoja gjënë më vocërrake atyre fjalëve që shprehnin në mënyrë kaq të përkorë të vërtetën absolute? Duke qenë “autentikisht” didaktike, pjesa ime nuk duhej të ishte kurrsesi, sidomos origjinale, pa le shpërfaqëse e talentit tim!

…Megjithatë, teksti i “Këngëtares tullace”, qe mësim (dhe kopjim) vetëm në fillim. Nuk di ta them se si ngjau një dukuri mjaftë e çuditshme: krejt pa u ndjerë, teksti u shndërrua në sytë e mi, përtej çdo dëshire nga ana ime. Fjalitë tejet të thjeshta e regëtuese, që pata mbajtur shënim me aq ëndje në fletorkën time, të braktisura aty, pas njëfarë kohe, sikur u tjetërsuan, lëvizën vetiu, u shkapërdrodhën, u shpërfytyruan. Fjalitë bisedimore të doracakut të cilat, gjithsesi, i pata kopjuar me mjaftë saktësi e në mënyrë aq sqimatare, u çakërdisën njëra pas tjetrës. Po kështu, e pësoi edhe kjo e vërtetë e pamohueshme, mëse e sigurt: “Dyshemeja ndodhet poshtë, tavani është lart”. Pohimi – po aq i prerë, sa edhe i qëndrueshëm: shtatë ditët e javës janë, e hënë, e martë, e mërkurë, e enjte, e premte, e shtunë, e dielë – u zhbë dhe z. Smith, heroi im, këmbëngulte se java u përbëkësh nga tri ditë, të cilat qënkeshin: e marta, e enjtja dhe e marta.

Personazhet, borgjezët e mi çapkënë, Martin-ët, burrë e grua, i goditi sëmundja e amnezisë: edhe pse shiheshin e flisnin çdo ditë me shoshoqin, ata nuk e njohën dot më njëri-tjetrin. Ndodhën edhe gjëra të tjera llahtarisëse: Smith-ët na vunë në dijeni për vdekjen e njëfarë Bobby Watson-it, që nuk kish Zot ta identifikonte, sepse ata na vinin po ashtu në dijeni që tre të katërtat e banorëve të qytetit, burra, gra, fëmijë, maçokë e ideologë mbanin emrin Bobby Watson. Një personazh i pestë i papritur ia beh, më në fund, për të theksuar turbullirën ë dergjjeve paqtore, kapiteni i zjarrfikësve, i cili tregonte rrëfenja në të cilat, me ç’dukej, bëhej fjalë për një dem riosh që mund të kishte pjellë një vemje të stërmadhe, për një mi të mbarsur që mund të pillte një mal. Mandej, zjarrfikësi ikte që të mos i shkonte huq një zjarr i cili duhej të binte në anën tjetër të qytetit, i paralajmëruar qysh prej tri ditësh, shënuar në bllokun e tij të xhepit. Ndërkohë, Smith-ët dhe Martin-ët po nisnin sërish bashkëbisedimin. Ta hajë dreqi! Të vërtetat e mirëfillta dhe diturake që shkëmbenin, të kokolepsura njëra pas tjetrës, qenë çmendur plotësisht. Ligjërimi kishte lajthitur. Personazhet ishin shpërbërë. Fjala, absurde, qe zbrazur e s’i kishte mbetur më përmbajtje. Gjithçka përfundonte në një grindje, që vështirë se mund t’ia merrje vesh shtysat, ngaqë heronjtë e mi nuk ia ngjishnin shoshoqit në surrat me fjali a copëza fjalish, as me fjalë, por ose me rrokje, ose me bashkëtingëllore a zanore…!

…Për mendimin tim, duhej të kishte ngjarë ndonjë shkrehje e reales. Fjalët qenë shndërruar në lëvozhga tingullore pa pikë kuptimi. Afërmendsh që edhe personazhet qenë zbrazur nga psikologjia dhe bota më shfaqej në një zbardhëllimë të pazakontë, ndoshta me dritën e saj të njimendtë, përtej interpretimeve e ndonjë shkakësie arbitrare.

Duke shkruar këtë pjesë (sepse kjo qe shndërruar në një lloj pjese a anti-pjesë, domethënë një parodi e vërtetë pjese, një komedi komedie), më kishte mbërthyer një angushti e njëmendtë, marramendje, neveri. Hera-herës isha i detyruar të ndërprisja punën dhe duke i bërë pyetjen vetes se ç’dreqin më shtynte të vazhdoja të shkruaja, shkoja e shtrihesha në kanape me frikë se mos shembesha tok me të në zbrazëtirë. Kur e përfundova, ama, këtë punë, e ndjeva veten shumë krenar. Përfytyroja që kisha shkruar diçka si “tragjedia e ligjërimit”!

Kur u vu në skenë, unë thuajse habitesha, tek dëgjoja të qeshurat e spektatorëve që e morën (dhe vazhdojnë ta marrin) këtë gjë gëzueshëm, duke e mbajtur gjithçka për komedi. Disa nuk u gabuan (në mes tyre Jean Pouillon-i), teksa e ndjenë angushtinë. Madje, disa të tjerë pikasën se aty vihej në lojë teatri i Bernstein-it dhe aktorët e tij. Komedianët e Nicolas Baille-it e kishin vënë re këtë gjë qyshkur, teksa e luanin pjesën (sidomos në shfaqjet e para) porsi melodramë.

Më pas, duke e zbërthyer veprën, disa kritikë seriozë e diturakë e interpretuan vetëm si kritikë ndaj shoqërisë borgjeze dhe si parodi të teatrit të Boulevard-it. Sapo thashë që edhe unë e tumir këtë interpretim: megjithatë, në mendjen time nuk bëhet fjalë për satirizim të mendësisë mikroborgjeze në lidhje me këtë apo atë shoqëri. Në të, bëhet fjalë, sidomos, për njëfarë mikroborgjezie universale, meqë mikroborgjezi është njeri i mendimeve kallëp, i sloganeve, konformist i kudogjindshëm: këtë konformizëm, sigurisht, e ngërthen “ligjërimi i tij automatik”.

Teksti i “Këngëtares tullace”, a i doracakut për të mësuar anglisht (rusisht a portugalisht), i përbërë nga shprehje të ngurta, klishera nga më pataksëset, po më zbulonte dora-dorës shtampat e ligjërimit, të sjelljes së njerëzve, “të folurën për të mos thënë kurrgjë”, të folurën ngaqë s’të ka mbetur gjë vetjake për të thënë, mungesën e jetës shpirtërore, mekanikën e përditshmërisë, njeriun që dremit në mjedisin e vet shoqëror, pa e bërë fare qejfin qeder: Smith-ët, Martin-ët nuk dinë më të flasin, sepse ata nuk dinë më të mendojnë. Ata nuk dinë më të mendojnë, sepse nuk dinë më të emocionohen, nuk kanë më pasione, nuk dinë më të jenë, ata mundin “të shndërrohen” në tjetërkënd, në shumëçka, sepse duke mos qenë vetja, janë thjesht të tjerët, bota e jovetjakësise, ata janë vetëm të ndërkëmbyeshëm: mund të vendoset Martin-i në vend të Smith-it e anasjelltas, pa rënë në sy kurrgjë.

Personazhi tragjik nuk ndryshon lehtë, por thyhet. Ai është vetvetja, është real. Personazhet komike janë njerëz që nuk ekzistojnë. / KultPlus.com

Policia e Kosovës sulmohet me armë zjarri në veri

Një njësi patrulluese e Policisë së Kosovës është sulmuar mëngjesin e sotëm me armë zjarri në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar policia.

Sulmi i sotëm ndaj Policisë së Kosovës është vazhdimësi e disa sulmeve të ndodhura ditëve të fundit.

Konfirmimi i plotë i policisë:

Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve. / KultPlus.com

Zelensky: Fati i Evropës dhe i demokracisë vendoset në Ukrainë

“Në botë, të gjithë, edhe ata që nuk na mbështesin hapur bien dakord që në Ukrainë vendoset fati i Evropës, fati i sigurisë globale, fati i sistemit demokratik”. Kështu deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të fundit.

Ai nënvizoi se Rusia gjithashtu mund të shpenzojë burime të mëdha për të mbështetur luftën dhe mund të kundërshtojë të gjithë botën e lirë.

“Por mësimet e historisë janë të njohura. Nëse keni ndërmend të ndërtoni një Reich mijëvjeçar, ju humbni. Nëse keni ndërmend të shkatërroni fqinjët, ju humbni. Nëse doni të rivendosni perandorinë e vjetër, humbni”, theksoi Zelensky.

Ndërkohë tre sulme ajrore ruse u regjistruan mëngjesin e sotëm në qytetin jugor të Ukrainës, Zaporizhzhia. Kjo është raportuar nga agjencia ukrainase Ukrinform duke cituar administratën ushtarake rajonale./A2CNN / KultPlus.com

Ma vranë Sarajevën

Robert Shvarc ishte një përkthyes hebreo-shqiptar, i cili njihet për shqipërimin e letërsisë gjermane, shkruan KultPlus.

Robert Shvarci lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor, 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani, ai filloi të mësojë gjuhën shqipe në moshën gjashtëvjeçare. Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit.

Sot në 19 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit nga Sarajeva me prejardhje shqiptare, KultPlus ju sjell njërën nga poezitë më të njohura të tij ‘Ma vranë Sarajevën’, një poezi në të cilën shpaloset një dhimbje e nostalgji e madhe.

Ma vranë Sarajevën

Ma vranë Sarajevën,
qytetin ku më ka rënë koka,
qytetin përjetësisht të dashuruar,
ku puthej lindja me perëndimin
dhe kishat rrinin pranë xhamive
dhe pranë sinagogave
të zëna për dore,
ku gjindja ishte përherë gazmore
dhe i donte këngët
dhe i donte lulet…

Ma vranë Sarajevën –
dhe Milaçka e kristaltë
gjarpëron tani e kuqe
përmes qytetit të martirizuar…
Ah, ç’ngjyrë tjetër veç asaj të gjakut
mund të lerë pas thundra e një viçi –
iliçi, visarionoviçi,
milosheviçi?

Ma vranë Sarajevën! –
pesëdhjetë vjet kam pritur
ta shihja edhe një herë
qytetin ku kam lindur,
qytetin vetëm pesëqind kilometra larg
që këtej! –
pesëdhjetë vjet kam pritur…

Tani s’dua ta shoh më:
s’kam zemër që të shoh gjithë atë gjak,
gjithë ato kufoma,
mu në zemër të Evropës,
mu në fund të këtij shekulli!

Do ta ruaj në kujtesë
ashtu të hirshme siç e lashë
në fëmijëri,
ashtu të butë dhe njerëzore,
ashtu gjithë tinguj e poezi…

Ma vranë Sarajevën!
Sarajevën më s’e pashë! / KultPlus.com

‘Çdo vjershë e mësuar harrohet’

Shpëtim Selmani

Të gjithë

Kemi humbur diçka
Dhe jetojmë nën
Pushtetin e mallit

Asnjëri nga ne
Nuk është i paprekur
Nga brutalitetet

Nga aksidentet
Nga rastësitë
Që kanë një autor

Të habitur kryejmë
Detyrat e caktuara
Prej shekujsh

Dhe në fund
Askush nuk i kontrollon

Çdo vjershë e mësuar
Harrohet

Dyert e shkollës mbyllen
Furishëm
Brraaam

Sall vuajtja luan me top. / KultPlus.com

‘O ti, dashnija e eme e andrrueme, ke mbetun veç e gjallë në lotin tonë’

Poezi nga Robert Shvarc 

O ti, dashnija e eme e andrrueme
ke mbetun veç e gjallë në lotin tonë,
ke mbetun si dëshira e plagueme
ndrydhë n’nji varrë të vjetër që më dhemb…

Kush je, ku je, kur vjen e kur po shkon –
pse shkon si vjen, e prap ti mue më len
n’nji terr të zi, ku drita nuk agon,
n’nji vuejtje prore, që vuejtje t’tjera m’bjen.

A thue kanë me kalue dhe shumë agime
tue t’thirrë ndër andrrat, vash’e mallit tem,
me shpresa që veniten si gjetht në vjeshtë?…

A thue gjithmonë e trishtë kanga ime,
Si kanga e bylbyl-qytetit n’gem
ka me tingllue n’kte shekull kaq të thjeshtë?!… / KultPlus.com

‘Vera Andrron Detin’ triumfon në goEast Film Festival, shpallet filmi më i mirë

Filmi i njohur “Vera Andrron Detin” ka fituar çmimin për filmin më të mirë në konkursin kryesor të festivalit të filmit ‘goEast’, përcjell KultPlus.

Filmi kosovar me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës po korr tashmë suksese të njëpasnjëshme.

Ndërkaq, lajmin e bëri të ditur regjisorja Kaltrina Krasniqi, nëpërmjet një postmi në rrjetin social Facebook.

“E lumtun që e ndaj kët’ moment me ty, Teuta❤️🌊 #veradreamsofthesea shpërblehet #Filmi më i mirë në konkursin kryesor të #goeastfilmfestival2022 🌊”, ka shkruar Krasniqi.

Ky film ka si personazh kryesor Verën, përditshmëria e qetë e e së cilës, çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hap rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi./ KultPlus.com