Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nesër do të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Atje të dy, me ftesë të familjes Albright, do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares amerikane, Madeleine, e cila ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare më 23 mars.
Përveç pjesëmarrjes në këtë ceremoni, në kuadër të kësaj vizite në ShBA, Osmani dhe Kurti kanë paraparë edhe disa takime të tjera. / KultPlus.com
Robert Shvarci lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor, 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani, por ai dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, që nisi ta mësonte në moshën gjashtëvjeçare.
Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Robert Shvarc u nda nga jeta para kohe, më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.
Robert Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli Mjeshtër i Madh. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të Qytetarit të Nderit të Tiranës. Ky titull iu dha atij me rastin 70-vjetorit të lindjes.
Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane”. Duhet kujtuar këtu se Shvarci ishte i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit. Gjithashtu ky titull është dhe i pari që presidenti gjerman i asaj kohe akordoi për një figurë të shquar të vendeve të Lindjes. Pas titullit që mori nga presidenti Alfred Moisiu dhe titujve të lartpërmendur, qëndrojnë një varg i gjatë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton që të hapësh kopertinat e një serie të gjatë librash për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc.
Mes këtyre librave, që janë ndër më mjeshtërorët, vlen të përmenden: Tre shokë, Harku i Triumfit, Asgjë e re nga fronti i Perëndimit, Shkëndija e jetës apo Obelisku i zi nga Erih Maria Remark; Çifutja e Toledos, Françesko Goja nga Lion Fojtvanger; dhe drama të Bertolt Brehtit, Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, Kënga e një nëne gjermane, Ditët e Komunës, Arturo Ui, Pushkët e nënës Karrar, Opera për tre grosh, Baali; nga Heinrich Heine: Gjermania, përrallë dimri; nga Gëte dhe Shileri: Poezi dhe balada. Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Qosja etj./ KultPlus.com
Kishim mundur me i dhuru çizmet e gomës të birit tonë për Muzeun e Fëmijërisë së Luftës, Ekspozita udhëton në galeritë kombëtare të kombeve pa shtet, të kombeve pa marifet Libri i përshtypjeve te dera, tu dal. S’kam përshtypje, kam vetëm lot. Çizmet nuk i kemi më, ndoshta ia kemi fal ndonjë fëmisë që të ik, nga kufiri në kufiri, ndoshta i ka fshehur nana thellë në podrum, se tash jetojmë në paqë. Çizmet nuk i kemi më, nana nuk është më. Pushon në paqë, pushoi së mbathuri çizmet nipit, në kohërat pa kohë. / KultPlus.com
Bëhet një javë që kur është hapur ekspozita ”War Child Museum” , ku ekspozohen përjetimet e fëmijëve në luftë.
Kjo ekspozitë që bazën e ka në Bosnjë, për herë të parë ka ardhur në Prishtinë në Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe do të qëndrojë e hapur deri më 30 prill.
Është një shembull i rrallë i muzealizimit të vuajtjeve të fëmijëve në rrethana të luftës. Aty prezentohen përvojat personale, provat, objektet që dëshmojnë jetën e fëmijëve në rrethana luftë në Kosovë, Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë.
Ekspozita është vizituar nga studentët e Departamentit të Sociologjisë dhe Historisë të cilët patën mundësinë të mësojnë rreth këndvështrimeve të fëmijëve për luftën, siç tregohet përmes sendeve të tyre personale dhe historive të regjistruara gojore. / KultPlus.com
Bordi i kompanisë Twitter është duke negociuar me kreun e kompanisë “Tesla”, Elon Musk mbi ofertën e tij për të blerë platformën e mediave sociale dhe një marrëveshje mund të njoftohet që të hënën, njoftojnë mediat amerikane.
Drejtuesit e kompanisë Twitter dhe Musk negociuan në orët e para të së hënës mbi ofertën e tij për të blerë platformën e mediave sociale, thuhet në një njoftim të gazetës The New York Times, më pak se dy javë pasi miliarderi njoftoi për herë të parë përpjekjet për blerjen e një pjese të madhe të aksioneve të kësaj kompanie.
Musk tha javën e kaluar se kishte përgatitur 46.5 miliardë dollarë në fonde për të blerë platformën Twitter, duke ushtruar presion mbi bordin e kompanisë për të negociuar një marrëveshje.
Gazeta The New York Times, duke cituar persona në dijeni të negociatave për situatën, të cilët nuk i identifikoi, tha se të dyja palët po diskutonin detajet, duke përfshirë një afat kohor dhe tarifat nëse palët tërhiqen pas nënshkrimit të një marrëveshje. Njoftohet se gjërat po ndryshojnë me shpejtësi në negociatat mes dy palëve.
Aksionet e kompanisë Twitter Inc. u rritën me 4% sot pas hapjes së bursës në Nju Jork.
Twitter kishte miratuar një masë kundër blerjes, e cila do ta bënte shumë të vështirë dhe me kosto jashtëzakonisht të lartë një përpjekje për ta blerë atë. Por bordi vendosi të negocionte pasi Elon Musk doli me një propozim të ri që demonstronte se ai e kishte siguruar financimin për blerjen e kompanisë Twitter, njoftoi gazeta The Wall Street Journal, e cila ishte e para që raportoi se negociatat ishin duke u zhvilluar.
Nuk pritet të ketë një ofertë të shpejtë rivale ndaj asaj të Musk sepse shumë kompani i frikësohen punës së madhe të monitorimit të përmbajtjes së publikuar në platformë. Musk është zotuar se do të bënte më pak ndërhyrje në këtë drejtim.
“Bordi i kompanisë Twitter nuk mundi të gjente një blerës tjetër dhe me financimin e siguruar nga Musk, presioni ndaj bordit u rrit, duke çuar në fillimin e negociatave për arritjen e një marrëveshjeje”, tha Dan Ives, i cili ndjek zhvillimet në kompaninë Twitter për organizatën “Wedbush Securities”.
Më 14 prill, Elon Musk njoftoi një ofertë për të blerë platformën e mediave sociale për 54.20 dollarë për aksion, ose rreth 43 miliardë dollarë, por nuk dha hollësi në atë kohë mbi mënyrën si do ta financonte blerjen.
Javën e kaluar, ai tha në dokumentet e depozituara në zyrën amerikane që merret me rregullimin e shitblerjeve të këtij niveli se paratë do të vinin nga Morgan Stanley dhe banka të tjera, disa prej tyre të siguruara nga aksionet e tij të mëdha në prodhuesin e makinave elektrike, “Tesla”.
Kompania Twitter nuk ka bërë komente mbi këtë çështje.
Miliarderi Musk ka thënë se dëshiron të blejë platformën Twitter sepse nuk mendon se ajo po e përmbush potencialin e saj si një platformë në mbështetje të fjalës së lirë.
Në javët e fundit, ai ka shprehur një sërë ndryshimesh të propozuara për kompaninë, nga lehtësimi i kufizimeve të përmbajtjes, si rregullat që çuan në pezullimin e llogarisë së ish-presidentit Donald Trump, deri tek eliminimi i problemit të platformës me llogaritë e rreme dhe të automatizuara.
Sipas vlerësimit të revistës “Forbes”, sipërmarrësi Elon Musk është personi më i pasur në botë, me një pasuri prej rreth 279 miliardë dollarësh. Por, sipas organizatës “FactSet”, shumica e parave të tij janë të lidhura në aksionet e kompanisë Tesla dhe kompanisë tjetër private të hapësirës SpaceX. Musk zotëron rreth 17% të aksioneve të kompanisë “Tesla”, e cila mendohet të ketë vlerën e mbi 1 trilionë dollarëve. / KultPlus.com
Performanca e vallëzimit e titulluar “‘K’tu jemi!” së shpejti vjen si protestë e koreografëve kundër shkeljes së dinjitetit profesional, përcjell KultPlus.
“K’tu jemi!”, do të organizohet më 29 prill pikërisht në Ditën Botërore të Vallëzimit, duke filluar nga ora 10:00.
Performanca-protestë do të mbahet në sheshin Zahir Pajaziti, para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
KultPlus më poshtë ua sjell postimin e plotë të koreografit Robert Nuha:
Kjo performancë-protestë organizohet nga koreografë e kërcimtarë profesionistë që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës, me qëllimin e vetëm që zëri i tyre të dëgjohet qartë dhe të mos injorohet si deri më tash nga institucioni i MKRS-së.
Me këtë rast ne kërkojmë vlerësimin e shkollimit tonë në Koreografi, angazhimin dhe konsulencën me ekspertizën e kësaj pjese të rëndësishme të shoqërisë!
Fyerjet publike, të cilat tentojnë të zh’bëjnë shkollimin tonë, janë të papranueshme. Është ky edukim universitar që bën të mundur kontributin tonë në shkollimin e brezave të ardhshëm në Kosovë.
Baleti, Kërcimi dhe Koreografia egzistojnë në Kosovë qe pas lufte. Detyrë e Ministrisë dhe e ministrit është mbështetja dhe përkrahja e jo të fyhet e degradohet për ditë pa marrë përgjegjësi askush! / KultPlus.com
“Kur bien pemët e mëdha” është një nga poezitë më prekëse të autores Maya Angelou. Shkrimtarja trajton ndryshimet që ndodhin dhe pasojat që sjell largimi nga jeta i një personi të dashur për ne. Poezia nga vargu në varg nis të bëhet më e fuqishme. Mund të ndihet dhimbja dhe mllefi që dëshiron autorja të shprehë përmes kësaj poezie, sidomos në vargjet: “Kur vdesin shpirtrat e mëdhenj, pas njëfarë kohe çerdhon paqja. Ngadalë dhe gjithmonë. Në mënyrë të parregullt”.
“Kur bien pemët e mëdha”
Shkëmbinjtë në distancë, kodrat rrëqethen Luanët ulen poshtë Në lëndina të gjata. Edhe elefantët madje, Rendin pas sigurisë. Kur bien pemët e mëdha Në pyje Gjërat e vogla tërhiqen në heshtje Shqisat e tyre Gërryhen përtej frikës. Kur vdesin shpirtrat e mëdhenj Ajri rreth nesh bëhet I lehtë, i rrallë, steril. Ne marrim frymë shkurtimisht, Sytë tanë, shikojnë Shkurtimisht Me një qartësi të dhimbshme Kujtesa jonë papritur mprehet Heton Gërmis fjalët e mira Të pathëna Ecjet e premtuara Që s’u bënë kurrë… Shpirtrat e mëdhenj vdesin dhe Realiteti ynë, i lidhur me to Ndahet prej nesh. Shpirtrat tanë Varen nga natyra e tyre Tani tkurren, fishken. Mendjet tona, të formuara Dhe informuara nga rrezatimi i tyre përmbysen. Ne nuk jemi dhe aq të çmendur Por të nënshtruar ndaj injorancës së pashqiptuar Të shpellave të terrta, të ftohta. Dhe kur vdesin shpirtrat e mëdhenj pas njëfarë kohe çerdhon paqja Ngadalë dhe gjithmonë Në mënyrë të parregullt. Hapësira mbushet me një lloj vibrimi elektrik. Shqisat tona, të restauruara Që nuk do të jenë më kurrë të njëjtat Na pëshpërisin. Ato ekzistonin. Ato ekzistonin. Ato mund të jenë. Të jenë dhe të jenë më mirë Sepse ato kanë ekzistuar. /bota.al/ KultPlus.com
Në kuadër të festivalit “Balkan Trafik”, një mural i ri i artistes shqiptare Ledia Kostandini u zbulua ditën e premten në Brandhoutkaai në Vismarkt.
Vepra e artit tashmë pjesë e qytetit të Brukselit është e vendosur në Parcours Street Art.
Vepra mban emrin ‘Wink’ dhe i referohet bashkëpunimit të Bashkimit Evropian me vende jashtë unionit, si Shqipëria. Në të njëjtën kohë, është një pasqyrë e kryeqytetit shqiptar, Tiranës, kryeqytetit evropian të të rinjve të këtij viti.
Muralja tregon sytë që notojnë në një qiell blu. Sytë vezullojnë dhe shikojnë kalimtarët e Brukselit me ndjenja dashurie dhe solidariteti. Artistja thotë se për të realizuar këtë vepër u frymëzua nga René Magritte.
“Është një nderim për Magritte. Ai ka qenë gjithmonë një referencë për mua”, thotë Kostandini. “Për mua është një referencë për pasqyrat e tij false ku ka një lidhje mes shikuesit dhe subjektit. Sytë shikojnë njerëzit, por njerëzit e shohin edhe frymëzimin tim nga Tirana në sy”, shpjegon artisti.
Ky mural, i pesti i Balkan Trafik është rezultat i një bashkëpunimi midis qytetit të Brukselit, Balkan Trafik dhe Komisionit Evropian. Në këtë mënyrë, edhe qyteti i Brukselit përpiqet të punojë në diversitetin dhe të rrisë dukshmërinë e grave në hapësirën publike.
Festivali Balkan Trafik do të zhvillohet javën e ardhshme nga 28 prilli deri më 1 maj në De Brouckèreplein./diasporashqiptare/ KultPlus.com
“Sunny Hill” është tatuja e parë e këngëtares së njohur, Dua Lipa, përcjell KultPlus.
Këtë tatu ajo e bëri në janar të vitit 2015, atëherë kur ishte 19 vjeçare, sipas festivalit “Sunny Hill”.
“Sunny Hill” është përkthimi në anglisht i lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
“Është lagjja ku janë rritur prindërit e mi në Kosovë”, u shpreh ajo në videon e publikuar në rrjetin social Twitter.
“Sunny Hill” është edhe njëri nga festivalet që bëri bujë të madhe ndërkombëtare dhe zgjoi kureshtje për të njohur më shumë vendin e kulturën tonë.
Ky festival drejtohet nga babai i Dua Lipës, Dukagjin Lipa, i cili në edicionet e mëparshme solli yje e artistë të mëdhenj të tregut ndërkombëtar. / KultPlus.com
“Sunny Hill” written on the inside of Dua’s right arm was her first tattoo. She got it in January 2015. when she was 19, as a tribute to her home in Kosovo. Sunny Hill is the English translation of the ‘Bregu i Diellit’ district in Kosovo’s capital city of Prishtina. pic.twitter.com/vQpA08gOnA
… And even though she was born in London, she says that Sunny Hill has always felt like home to her. “It’s the neighborhood my parents grew up in Kosova.” “Sunny Hill” became the name of our foundation and then the name of our festival. It holds a special meaning 4 me.” pic.twitter.com/rFyrlzeRgo
SHBA ka premtuar një ndihmë ushtarake prej 713 milionë dollarësh për Ukrainën dhe 15 vende aleate, pas takimit të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken me presidentin Zelensky të dielën në Kyiv, raporton BBC.
Sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes, rreth 322 milionë dollarë nga kësti i fundit i parave janë caktuar për vetë Ukrainën, për të lejuar vendin të blejë armët e nevojshme për të rifurnizuar forcat e tyre.
Fondet e mbetura do të ndahen midis anëtarëve të NATO-s dhe vendeve të tjera që i kanë ofruar Ukrainës furnizime kritike ushtarake që nga fillimi i luftës dy muaj më parë.
Vetëm javën e kaluar presidenti Biden njoftoi 800 milionë dollarë më shumë armatime “për të rritur më tej aftësinë e Ukrainës për të luftuar në lindje, në rajonin e Donbas”.
Presidenti Biden tha se ajo paketë përfshinte “armë të rënda artilerie, dhjetëra obus dhe 144,000 fishekë municionesh”, si dhe drone taktike.
Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan njoftoi 500 milionë dollarë “për popullin e Ukrainës”. Kjo ndihmë e drejtpërdrejtë ekonomike për qeverinë ukrainase do të mbështeste komunitetet lokale “të shkatërruara nga sulmi rus”, tha ai.
Ai e çon ndihmën ushtarake totale të Shteteve të Bashkuara për Kyivin në 3.7 miliardë dollarë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt. / KultPlus.com
Jam lindur pranë lumit Në një tendë të vogël Dhe porsi lumi, që atëherë Kam lëvizur.
Ka kaluar shumë Shumë kohë e gjatë, por e di Ndryshimi do të vijë Po, do të vijë.
Është bërë e vështirë jetesa Ama frikësohem të vdes Se nuk e di ç’ka atje Qiellit përmes.
Shkoj në kinema Dhe zbres në qytet Dikush vazhdon të më thotë: “Mos u sorollat!”.
Pastaj shkoj te vëllau im I them: “Më ndihmo të lutem, vëlla” Por, nuk i intereson Më godet Dhe në dy gjunj më rrëzon. Ka kohë që kam menduar Se shumë gjatë s’mund të duroj Por, tash jam i kalitur Të vazhdoj.
Ka kaluar shumë Shumë kohë e gjatë, por e di Ndryshimi do të vijë Po, do të vijë. / KultPlus.com
Në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, është prezantuar periodiku i Akademisë së të Rinjve – Akademia e Shkencave të Shqipërisë “Journal of the Albanian Young Academy”.
Akademia e të Rinjve u themelua me vendim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në prill të vitit 2017 si organizëm bijë e saj.
Në dhjetor të po atij viti Akademia e të Rinjve mbajti konferencën e parë me temën e përgjithshme “Metodologjia dhe kërkimi shkencor. Traditë e risi”.
Aktet e kësaj konference u botuan në formën e parë të “Journal of the Albanian Young Academy” më 2019.
Për shkak të tronditjeve që pësoi Shqipëria dhe globi mbarë, që më nëntor 2019 dhe deri para pak muajsh, në fillim me tërmetin lokal e më pas me pandeminë globale, promovimi i këtij numri të parë të këtij organi shkencor u lëndësua në kuadrin e këtij Panairi.
Në këtë periodik prezantohen 10 punime nga lëmitë e shkencave humane dhe 6 punime nga lëmitë e shkencave të natyrës dhe të shkencave ekzakte.
Sikundër dhe njoftohet nga tematika e propozuar, artikujt synojnë të shqyrtojnë traditën e kërkimit shkencor përmes metodologjisë, duke sugjeruar, njëkohësisht, propozime të reja të kërkimit shkencor, në përputhje me shembujt më të mirë të kërkimit shkencor lokal dhe botëror.
Periodiku u prezantua nga bashkëkryetarët e Akademisë së të Rinjve, Andi Rembeci dhe Rigers Bakiu dhe u moderua nga Sokol Çunga./ atsh / KultPlus.com
Me rastin e 555 vjetorit të Çlirimit të Krujës, qyteti legjendar i Skënderbeut është vizituar ditën e djeshme nga arbëreshët e ardhur nga Kalabria e Italisë.
Të mahnitur nga bukuritë e qytetit të Krujës, fillimisht Arbëreshët janë ndalur tek monumenti i heroit tonë Kombëtar Skënderbeu. Më pas grupi i Arbëreshëve ka përshkuar rrugën nga sheshi i qytetit në pazarin e vjetër karakteristik.
Përgjatë këtij udhëtimi kanë kënduar këngë të ndryshme arbëreshe dhe tradicionale shqipe. Të mahnitur nga performanca, qytetarët krutanë janë bashkuar himnit të këngëve arbëreshe.
Në ambientet e Muzeut Kombëtar është zhvilluar dhe ceremonia e përshëndetjeve nga autoritetet e pranishme.
Në ceremoni kanë përshëndetur Presidenti i Vatra në Stamboll Bora Zukali, Drejtues të komunave San Benedetto dhe Casalvechios, si dhe trashëgimtari i Heroit Skënderbe Loris Castriota, të cilët kryen homazhe dhe më pas vizituan kështjellën e Krujës.
Gjithashtu është inauguruar dhe sheshi me ermin “Tanush Topia” komandanti i kalasë së Krujës./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com
Shoqëria “Malli i Mëmëdheut” ishte shoqëria e parë shqiptare e krijuar në SHBA. Kjo shoqëri e cila u bë shembull për shumë shqiptarë të tjerë të Diasporës u themelua më 1 janar 1906 në shtëpinë e Thanas Viso Mborjes në Buffalo New York.
Pjesë e themelimit të shoqërisë ishin patriotët: Mina Grameno, Petro Nini Luarasi, Kol Rikashi, Pandi Lipi Kallanxhiu, Thimi Nuni Boçka, Pandi Mihal Furxhi, Dhimitraq Zisi Negovani, Vani Odo Karameta, Vani Vangjel, Thanas Halle, Mihallaq Kristaq Bimbli dhe Thanas Viso Mborja.
Shoqëria krijoi dhe statusin e saj e cila u bë shembull për shqiptarët e qyteteve të tjera në SHBA. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë shoqëri ishin punëtorë ku sundonte fryma patriotike. Ata që kishin mbaruar shkollën shqipe dhe kishin një farë kulture u bënë udhëheqësit shpirtërorë të tyre.
Kjo shoqëri në vitin 1909 kishte si kryetar Gaqi Themelin, N/Kr.Vangjel Camçen dhe kontrollorë Koço Gramenon dhe Janko Vishnjën.
Më 25 nëntor 1913, shoqëria u bashkua me Federatën “VATRA” dhe u krijua Dega No.25, Jamestoën, N.Y. me 100 anëtarë. Kjo degë zgjodhi këta drejtues: Kryetar Ilo Furxhi, arkëtar Lambi Cale, sekretar Perikli Murzaku, pleqësia Vasil Argjir, Hysen Belortaja, Sali Selman.
Por si lindi ideja për krijimin shoqërisë së parë shqiptare në SHBA?
Ja si e kujton vetë Thanas Viso Mborja këtë ditë: “Unë i thashë një ditë një shoku, se ne që kishim qenë në Rumani dhe kishim parë atje se si ishin organizuar shoqëritë patriotike, nuk mund të rrinim duar kryq, por duhet të merrnim iniciativën për krijimin e shoqërive të tilla në Amerikë. Për këtë ishte e mira të ftoheshin nga qyteti Xhejmstoun. Këtu ndodheshin rreth 80 shqiptarë dhe patriotët Petro Nini Luarasi e Mina Grameno me qëllim që të na ndihmonin. Shoku im e pëlqeu mendimin tim dhe kështu nuk mbeti veçse ta vinim në zbatim. Më 1 Janar të vitit 1906, në konakun tim u mblodhën patriotë për të vendosur në lidhje me çështjen e themelimit të shoqërisë.”
Costandin A. Demo në librin e tij për një nga këta drejtues shkruan: “Petro Nini Luarasi ishte “The Paul Revere” i shqiptarëve mbasi vinte në ç’do vend ku kishte shqiptarë dhe predikonte patriotizëm. Ai ishte një librari me dy këmbë, me xhepat mbushur plot pamfleta, revista e gazeta. Ai përgatiti udhën e lëvizjes kombëtare për ata që erdhën pas tij. Shoqëria “Malli i Mëmëdheut” krijoi edhe një bibliotekë me libra në gjuhën shqipe, anglishte dhe greke, gjuhë këto që pak a shumë i njihnin punëtorët shqiptarë të Bufalos. Fondin e parë të librave e dhuroi Thanas Viso Mborja i cili kur u largua nga Rumania mori dy sundukë me libra në gjuhën shqipe nga shoqëria e shqiptarëve të Bukureshtit. Këto libra ishin shkrojtur nga patriotët e Rilindjes dhe shtypur në tipografinë e shoqërise “Dituria” të Bukureshtit. Anëtarët e shoqërisë paguanin si kuote ½ dollarë në muaj. Ata ishin lidhur me punëtorë dhe intelektualë amerikanë. Një nga këta, Zt. Moss, në gazetën “Morning Post” e popullarizoi shumë luftën e popullit shqiptar dhe kërkesat e tij.” / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com
Gazeta tradicionale e Kosovës “Rilindja” më 25 Prill 2005 në kryetitullin në ballinë shkruante: Deklarata, komente dhe qëndrime për Kosovën, të gjithë flasin për pavarësinë: Bashkësia Ndërkombëtare ka marrë vendim Kosova të jetë e pavarur.
E kryelajmi në këndin lart te logoja ishte: Presidenti Rugova në Bruksel.
Rilindja në faqet e brendshme, mes tjerash, botonte: Një këndvështrim i ri për Kosovën – shkrim nga Riçard Holbruk në The Washington Post;
Një Kosovë pezull është fitore për Milosheviçin – shkrim nga Jonathan Steele në The Guardian.
Ndërsa tituj të disa shkrimeve tjera ishin:
GNK: Pavarësia e Kosovës është vetëm çështje kohe (Grupi Ndërkombëtar i Krizave);
Ekspertët serbë thonë se Kosova po shkon drejt pavarësisë;
Kryekuvendari i Shqipërisë angazhohet për zgjidhjen e statusit të Kosovës sipas vullnetit të popullit;
Rupel është i mendimit se duhet të shpejtohet procesi i bisedimeve për statusin e Kosovës;
Në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s u diskutua për Kosovën;
Presidenti Rugova hedh poshtë mundësinë e bisedimeve me presidentin serb;
Komisioni Evropian: Një e ardhme evropiane për Kosovën;
Statusi i Kosovës në epiqendër të bisedimeve.
NË VIJIM DY NGA SHKRIMET E GAZETËS RILINDJA TË 25 PRILLIT 2005:
Drejtori i Grupit të Krizave për Serbinë dhe Malin e Zi, Xhejms Llajon
“PERËNDIMI E KA VENDOSUR PAVARËSINË E KOSOVËS”
-Bashkësia ndërkombëtare ka vendosur – Kosova do të jetë e pavarur! Pret vetëm që kjo të shpallet publikisht/
Kosova do të jetë e pavarur për më pak se pesë vjet, vetëm se është duke u diskutuar se nën cilat kushte do të ndodhë kjo, kur dhe në çfarë mënyre, tha në një intervistë për të përditshmen sebe “Veçernje Novosti”, drejtori i Grupit të Krizave për Serbinë dhe Malin e Zi, Xhejms Llajon.
Kush ju ka thënë dhe pse keni vendosur që pikërisht në këtë moment ta bëni publike. Mos ndoshta ndërkohë janë dakorduar qëndrimet rreth statusit përfundimtar të Kosovës?
Asgjë e re nuk ka ndodhur. Por, para disa ditësh më pyetën për këtë gjë dhe unë u përgjigja. Të gjithë e kanë të qartë se Kosova ‘de fakto’ është e pavarur dhe kurrë më nuk do të kthehet nën administrimin e Beogradit. Sinjale të tilla, Perëndimi disa herë i ka dërguar në drejtim të Beogradit. Por, disa në Serbi vazhdojnë të flasin se Kosova kurrë nuk do të jetë e pavarur. Siç duket, vetëm Serbia nuk e ka të qartë, por gjithë të tjerët e dinë.
A është ky vendim i nivelit të lartë apo spekulim i kulisave?
Vendimi është marrë. Çështja nuk është më se a do të ndodhë kjo apo jo, por në çfarë kushtesh dhe kur.
Kush konkretisht e ka marrë këtë vendim? A është shkruar e zeza mbi të bardhë?
Nuk ka: e zeza mbi të bardhë. Nuk kishte mbledhje ku kjo është shpallur. Por ka kaluar një kohë e gjatë e dakordimit të ideve dhe ky vendim është pjekur tek të gjithë faktorët relevantë.
Njëqind për qind? Pa asnjë votë që e kundërshton?
100 për qind është qëndrimi pro pavarësisë së Kosovës.
Kush jua tha juve këtë gjë? Dikush nga Shtëpia e Bardhë?
Nuk e kam thënë këtë gjë. Nuk dua ta zbuloj burimin. Në fakt janë shumë burime nga BE-ja dhe SHBA-ja. Si t’ju besojmë se e gjitha ka marrë fund?
Nuk ka nevojë të më besoni. Më 20 prill, Komisioni Evropian ka dërguar një raport për Kosovën, në të cilin thuhet se “Kosova duhet t’i bashkohet BE-së në kuadër të programit të Stabilizim- Asociimit. Kjo është shumë interesante dhe indikative, sepse BE-ja këtë procedurë e përdor vetëm për shtetet sovrane. Secili që është pak i mençur, mund ta kuptojë se çfarë do të thotë kjo. Pra kjo do të thotë se BE-ja, edhe pse nuk dëshiron të flasë publikisht për këtë çështje, tregon se çfarë ka vendosur Brukseli për Kosovën.
Domethënë, kështu i bie që nuk ka nevojë të vendoset dialogu për standardet dhe statusin, nëse e gjitha ka marrë fund…
Beogradi duhet të përcaktojë interesat e tij dhe të gjejë se çfarë është për të më e përshtatshme, me rastin e realizimit të kësaj pavarësie… Çfarë mund të jetë këtu e përshtatshme? Të lusin shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare, që të mos i dëbojnë edhe ata pak serbë që kanë ngelur atje?
Që të luftojnë për kushtet sa më të mira të jetesës së atyre serbëve që kanë ngelur dhe të atyre që eventualisht kthehen.
Nëse Beogradi paraqitet me një strategji, që të fitojë të paktën një pjesë të Kosovës, a mund të ndryshojë kjo diçka?
Jo. Bashkësia ndërkombëtare ka vendosur që Kosova të jetë e pavarur në kuadër të kufijve ekzistues. Ndarja do të ishte e mundshme vetëm nëse serbët dhe shqiptarët bien dakord që kjo të bëhet në mënyrë paqësore, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë që kjo të ndodhë në mënyrë të dhunshme. Nëse nuk bien dakord, Kosova do të jetë e pavarur në kufijtë ekzistues. Kjo është shumë më e mundshme, sesa varianti ku shqiptarët do të pajtohen që ta japin një pjesë të Kosovës.
Jeni shprehur se pavarësia do të ndodhë për pesë vjet. Pse pikërisht brenda kësaj periudhe? Dhe çfarë deri atëherë? Pavarësia e kushtëzuar nën ombrellën e protektoratit?
Kjo nuk do të ndodhë brenda natës. Ende nuk dihet natyra e vërtetë e pavarësisë. Për këtë arsye politikanët serbë kanë mundësi të kenë rol në përcaktimin e saj.
Çfarë mund të përfitojnë më së shumti në këtë përcaktim? Që Kosova të jetë Republika e tretë në kuadër të Serbisë dhe Malit të Zi?
Kjo ende nuk është vendosur. Nuk dihet se çfarë mund të përfitojnë serbët nga kjo. Asgjë nuk është vendosur, kur është fjala tek procedura. Por, pavarësia e Kosovës në princip nuk do të vihet më kurrë në pikëpyetje.
Pra, rrëfimi mbi standardet nuk ka më kuptim. Domethënë nuk ka më kurrfarë kuptimi…
Me sa di unë, bashkësia ndërkombëtare ka vendosur që parullën “standardet para statusit” ta zëvendësojë me formulimin “statusi me standardet”. Standardet para statusit është një rrëfim joreal, është një parullë dhe jo politikë. Sado që tingëllon shumë keq, bashkësia ndërkombëtare do të insistojë në standarde, por statusin nuk do ta presë për këtë gjë. Ndërsa para Beogradit do të lindë dilema e pranimit sa më të shpejtë në BE apo mbijetimit të Kosovës?
Jo. Nuk është më çështja shpejt ose më ngadalë, por Serbia nuk do të futet në BE, nëse nuk heq dorë nga Kosova. Dhe pikë.
EKSPERTËT SERBË THONË SE KOSOVA PO SHKON DREJT PAVARËSISË
Në shkollën e gazetarisë në Novi Sad është mbajtur një takim me temën “Çfarë do të ndodhë me Kosovën”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, por edhe të strukturave qeveritare dhe organizatave joqeveritare nga Beogradi. “Te bashkësia ndërkombëtare, pak a shumë tashmë është marrë vendimi që statusi i ardhshëm i Kosovës do të jetë pavarësia”, ka vlerësuar James Lion, drejtor i zyrës së Beogradit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave. “Tani nuk ka dilema nëse Kosova do të bëhet e pavarur apo jo, por çështja është se nën çfarë kushtesh, brenda cilit afat kohor dhe çfarë do të fitonin të dyja palët nga ajo pavarësi. Gjykuar sipas të gjitha gjasave, me siguri që ora do të fillojë të numërojë aty nga fillimi i vitit 2006 dhe kjo mund të zgjatë deri 3 vjet. Afatet kohore ende nuk janë përcaktuar”, ka thënë Lion. Beogradi një kohë të gjatë ka luajtur në letrën e ndarjes së Kosovës, dhe për këtë, partnerin e ka kërkuar në Tiranë, por në këtë fatmirësisht nuk ka patur sukses, ka deklaruar Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi. “Tashmë ekziston një atmosferë në rajon, e cila shkon në favor të pavarësimit të Kosovës , dhe mendoj se është shumë me rëndësi që Beogradi në këtë moment të përcaktojë një politikë konstruktive,” tha Biserko. Kemi elitë të papërgjegjshme të njerëzve, të cilët nuk e bëjnë publike të vërtetën e plotë për Kosovën, konsideron Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizimin. “Na gënjejnë për diçka, e cila kurrdo që të jetë, një ditë do të na kthehet mbi kokë. Këtu nuk është fjala vetëm për pushtetin, por edhe për opozitën,” tha Popov. Ndërkaq kryetarja e komisionit të Kuvendit të Serbisë për Integrime Evropiane Gordana Çomiq, konsideron se është e domosdoshme të jepen përgjigje në këto pyetje. “Kush e ka përgjegjësinë për dështimin evident të projektit, i cili nuk solli përmirësime as në Bosnjë 10 vjet pas Dejtonit, e as në Kosovë 6 vjet pas bombardimeve? Partitë politike në Serbi do të duhet të jenë partner i mirë në ato bisedime, madje edhe në bisedimet për të cilat askush nga ne nuk dëshiron të mendojë,” ka thënë Çomiq, në takimin në Novi Sad me temën “Çfarë do të ndodhë me Kosovën”.
(Nga Behlul Jashari – kryeredaktor i Gazetës tradicionale të Kosovës RILINDJA nga Janari 2002 deri në numrin e fundit të shtypur të 30 Dhjetorit 2008 – vitit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik dhe ridaljes simbolike pas 10 vitesh botim digjital në 31 Dhjetor 2018) / KultPlus.com
Në Tiranë hapet cikli i Javës Kulturore Ndërkombëtare, i cili do të nisë me Francën.
Motoja e këtyre javëve është: Shqipëria mikpret botën! Do të jetë një paradë ku marrin pjesë 17 vende, plus Bashkimin Europian, si një ndërthurje e të gjitha kulturave nën flamurin e familjes së madhe europiane.
Të parët që hapin këtë udhëtim janë francezët, për të vijuar me Bashkimin Europian; më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Italia, Izraeli, Spanja, Britania e Madhe, Suedi, Egjipt, Kinë, Gjermani, Japoni, Austri, Turqi, Hungari, Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e përmbyllur me një festë, me rastin e Festave të Nëntorit me Kosovën.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë një konference për shtyp me ministren e Kulturës Elva Margariti për nisjen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, ku tha se synohet që të jetë një program ku të gjitha moshat të mund të gjejnë arsye për t’i frekuentuar.
Sipas Ramës, kjo nismë do të rrisë eksponencialisht intensitetin e aktiviteteve kulturore me natyrë socializuese jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera.
“Cikli i ri i aktiviteteve kulturore dhe argëtuese vjen në kuadrin e një nisme të re të qeverisë shqiptare, që e kemi quajtur “Shqipëria mikpret Botën” dhe që zhvillohet në bashkëpunim me vende të tjera mike, partnere apo prezente në Shqipëri përmes përfaqësive të tyre dhe është organizuar përmes një serie javësh kulturore ndërkombëtare. Këto javë synojmë të jenë traditë e përvitshme për të shpalosur tradita e kultura të ndryshme dhe për të shpalosur forma dhe shprehje nga më të larmishmet të aktivitetit të çdo qytetërimi dhe patjetër për të krijuar hapësira të reja të ndërveprimit me kultura të tjera dhe argëtimit të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve që mund të gjenden në vendin tonë përgjatë zhvillimit të një jave kulturore ndërkombëtare”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Rama shprehu bindjen se ky program i ri që është i gjithi në një fazë nisjeje do të pasurohet në vitet e ardhshme.
“Është një eksperiencë e re prej së cilës reciprokisht do të mësojmë e kuptojmë më shumë. Fillojmë me javën e Francës dhe më pas vazhdojnë sipas një kalendari. Ndërkohë dua të theksoj se disa prej vendeve të përfshira janë të angazhuara prej kohësh në organizimin e javëve të tyre kulturore si Italia, Gjermania apo Franca, por në njëfarë mënyre ky angazhim i përbashkët i nxjerr këto javë nga suaza e tyre përgjithësisht e mbyllur dhe i bën më të aksesueshme për publikun e gjerë duke përfshirë, jo vetëm aktivitetet ngushtësisht artistike, por duke përfshirë edhe aktivitetet që janë, le të themi, më popullore, aktivitete në rrugë, ose edhe drejtpërdrejtë kulturën dhe traditën e gatimit të vendeve të tjera. Është një program që ne synojmë të jetë një program ku të gjitha moshat të mund të gjejnë arsye për ti frekuentuar Javët Ndërkombëtare të Kulturës. Kjo do të rrisë eksponencialisht intensitetin e aktiviteteve kulturore me natyrë socializuese jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se qëllimi i këtij programi është të shtrijë këtë përzierje kulturash në të gjithë hartën e Shqipërisë, por, kuptohet, hap pas hapi, pasi edhe palët e angazhuara nga vendet e tjera kanë nevojë të shikojnë ecurinë e progamit.
“Pastaj vetvetiu disa shkëndija të shpirtit të konkurrencës mes vendeve që kemi vënë re që tani do të vazhdojnë“, tha Rama.
Nga data 27 prill nis në Shqipëri programi i Javëve Kulturore, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga 18 vende të botës.
Javët Kulturore Ndërkombëtare do të sjellin për 17 javë në vendin tonë një larmishmëri kulturash, duke filluar me javën e Francës e për ta përfunduar me Kosovën. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar.
Deklarata e kryeministrit u bë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministren e Kulturës, Elva Margariti për nisjen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare.
“Për fat të keq u bënë tani 3 vite që bëjmë plane dhe kemi projekte për të realizuar, ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje masivisht të forta faktorësh, jashtë nesh, fatkeqësisht të mëdhenj, si tërmeti, pandemia apo lufta që ka nisur në Ukrainë, e cila faktikisht ka goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi dhe rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit në veçanti”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se është duke u diskutuar për të ndryshuar manualin teknik të çmimeve të punimeve të ndërtimit pasi kompanitë nuk shohin interes për të marrë pjesë në garat për investime publike.
“Jemi duke diskutuar pikërisht këtë fakt që ka pasur një ndikim jo të vogël në industrinë e ndërtimit. Nuk ka asnjë ndryshim sa i përket projektit të Teatrit dhe se i gjithë problemi qëndron te ky moment i vështirë i kalimit nga letra në realitetin e zbatimit për shkak të rritjes së çmimeve dhe jemi duke rishikuar manualin që kemi për këtë qëllim, sepse është e kotë që me manualin ekzistues tu kërkosh kompanive të marrin pjesë nëpër gara, apo që të mund të zhvillojnë investime në funksion të interesit publik, të cilat janë de fakto shumë më të shtrenja se sa figurojnë në manualin e vjetër. Po merremi me këtë çështje dhe besoj do të gjejmë në zgjidhje. Dhe Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar. Por si e kam thënë edhe herë të tjera, jo të gjitha planet mund të zbatohen sipas afateve të parashikuara, kur midis teje dhe afateve futen ngjarje që as mund të parashikohet as mund të evitohet”, deklaroi Rama. /atsh / KultPlus.com
Ka vdekur personi më i vjetër në botë në moshën 119-vjeçare në Japoni.
Kane Tanaka lindi më 2 janar 1903, në rajonin jugperëndimor Fukuoka të Japonisë, në të njëjtin vit që vëllezërit Wright fluturuan për herë të parë dhe Marie Curie u bë gruaja e parë që fitoi një çmim Nobel.
Zonja Tanaka ishte në gjendje relativisht të mirë shëndetësore deri vonë dhe jetonte në një shtëpi pleqsh, ku i pëlqente lojërat në tavolinë, zgjidhjen e problemeve matematikore, pijet e gazuara dhe çokollatat, shkruan Dailymail, përcjellë KultPlus.
Në vitet e saj të reja, zonja Tanaka drejtonte biznese të ndryshme, duke përfshirë një dyqan petësh dhe një dyqan ëmbëlsirash.
Një shekull më parë, ajo u martua me Hideo Tanaka në vitin 1922, duke lindur katër fëmijë dhe duke adoptuar një të pestë.
Ajo kishte planifikuar të përdorte një karrige me rrota për të marrë pjesë në stafetën e pishtarit për Lojërat Olimpike të Tokios në vitin 2021, por pandemia e pengoi atë ta bënte këtë.
Në ditëlindjen e saj të 119-të më 2 janar, anëtarët e familjes së zonjës Tanaka thanë se ajo shpresonte të jetonte deri në 120 vjeç.
Kur Rekordet Botërore Guinness e njohën Tanaka si personin më të vjetër në jetë në vitin 2019, ajo u pyet se në cilin moment ishte më e lumtur në jetë.
Gruaja, e cila në atë kohë mezi fliste, u përgjigj me një fjalë të vetme: ‘Tani’.
Rutina e përditshme e zonjës Tanaka përshkruhej në atë kohë duke përfshirë një zgjim në orën 6:00 të mëngjesit dhe pasditeve të kaluara duke studiuar matematikë dhe duke praktikuar kaligrafi.
“Një nga argëtimet e preferuara të Kane është një lojë e Othello-s dhe ajo është bërë eksperte në lojën klasike të tavolinës, shpesh duke mposhtur stafin e shtëpive të pushimit,” tha Guinness.
Lufta Ruso-Japoneze filloi vetëm një vit pasi lindi zonja Tanaka dhe në fëmijërinë e saj jetoi vitin e fundit të epokës Meiji të Japonisë, e konsideruar si një periudhë transformuese e modernizimit.
Ajo u njoh si personi më i vjetër i gjallë në botë nga Rekordet Botërore Guinness kur ajo ishte 116 në 2019.
Në vitin 2020 ajo u bë personi më i vjetër në Japoni me 117 dhe 261 ditë.
Në moshën 90-vjeçare, zonja Tanaka kishte një operacion të kataraktit. Rekordmenja gjithashtu iu nënshtrua një operacioni të kancerit kur ishte 103 vjeç.
Japonia ka popullsinë më të moshuar në botë, sipas të dhënave të Bankës Botërore, me rreth 28 përlind të moshës 65 vjeç e lart.
Në fund të vitit të kaluar, personi më i vjetër i Kinës, i cili pretendonte se ishte personi më i vjetër ndonjëherë, vdiq në moshën 135-vjeçare.
Personi më i vjetër i gjallë i verifikuar nga Guinness ishte francezja Jeanne Louise Calment, e cila vdiq në moshën 122 vjeç e 164 ditë në 1997. / Dailymail / KultPlus.com
Duke nisur që nga data 1 qershor i këtij viti do të ndalohet prodhimi, shitja dhe importi i qeseve plastike për përdorim individual.
Qytetarët apo bizneset do të penalizohen me gjoba në rast se kapen duke përdorur qeset plastike.
Në kuadër të kësaj nisme me qëllim mbrojtjen e mjedisit nga mbetjet, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka sjell shembullin e artizanatëve nga Gjirokastra të cilët po dizajnojnë çanta me elementë të qytetit të gurtë.
“Kemi edhe shumë të tjera me riciklime”, thotë Alma, që i ka marrë masat për dizajnimin e çantave me elementë nga Gjirokastra.
“Torbat janë në modë, janë të bukura, janë shumëpërdorimshe”, shprehet ajo.
“Moda e fundit e riciklimit, se ne në Gjirokastër nuk lemë gjë të na vejë dëm”, shprehet Kumbaro.
Ministrja Kumbaro ka sugjeruar bizneseve të këtij sektori, të konvertojnë teknologjinë në prodhimin e qeseve të plehrave, apo qeseve të trasha që nuk dalin nga përdorimi, as nga prodhimi.
Ligji parashikon penalizime për shitësin dhe konsumatorin. Parashikohet ndëshkim me gjobë deri në 30 mijë lekë për konsumatorin dhe deri në 150 mijë lekë për prodhuesit e importuesit./ atsh / KultPlus.com
Pas një Kuvendi Zgjedhor të mbajtur të shtunën nga Bashkësia e Tarikateve të Kosovës (BTK), kjo bashkësi fetari doli me një deklaratë kundër homofobisë. Në këtë kuvend u votua statuti i plotësuar i BTK, disa rregullore të reja dhe u zgjodhën funksionarë të ri.
E veçanta e kësaj deklarate qëndron në zotimin se kjo bashkësi do të punojë me institucionet e vendit në luftimin e homofobisë dhe mizogjinisë.
Kjo deklaratë e publikuar të dielën me 24 prill, shënon deklaratën e parë të ndonjë bashkësie fetare në Kosovë, e cila njeh publikisht homofobinë, racizmin, dhe mizogjininë si probleme të shoqërisë kosovare, dhe e cila ofron gatishmëri në luftimin e tyre.
Dy muaj më parë, bashkësitë fetare, përkatësisht prijësit fetarë të Bashkësisë Islame të Kosovës, Kishës Protestante Ungjillore, Dioqezës Prizen-Prishtinë (Kisha Katolike) dhe Bashkësisë Hebraike të Kosovës, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët kundër martesave mes seksit të njëjtë, në mes të diskursit publik mbi miratimin e Kodit Civil në Kuvendin e Kosovës, i cili parashihte rregullimin e bashkësive civile për çiftet e seksit të njëjtë.
Bashkësia e Tarikateve të Kosovës (BTK) është bashkësia fetare e dytë me madhësi në vend, dhe i përfshinë në veti tarikate (komunitetet e dervishëve) në Kosovë dhe diasporë.
“Dylberizm” e ka përshëndetur mesazhin e BTK-së ndaj institucioneve të Kosovës, duke uruar që ky të jetë një shembull i cili do të ndiqet edhe nga bashkësitë e tjera fetare në Kosovë.
Deklarata e plotë nga BTK:
MESAZHI PËR INSTITUCIONET E KOSOVËS
NGA KUVENDI I BASHKËSISË SË TARIKATEVE
Bashkësia e Tarikateve e përkrah rrugën e demokracisë dhe ndërtimin e shtetit modern, si një realizim i vizionit Profetik për një shoqëri të diturisë, një shoqëri të solidaritetit, tolerancës dhe barazisë, shoqëri të sendërtimit të vlerave etke, ndërgjegjes dhe respektit gjithëpërfshirës, dhe si shoqëri e cila e kultivon të bukuren.
Bashkësia e Tarikateve e përkrah shtetin e Kosovës në realizimin e sigurisë, mirëqenies dhe realizimin e një shoqërie të hapur për vlerat njerëzore.
Bashkësia e Tarikateve do ti mbështet institucionet e Kosovës në ndërtimin e shtetit juridik i cili i realizon vlerat e përmendura e kundër korrupsionit, neglizhencës, keq menaxhimit, jo barazisë, përjashtimit dhe jo transparencës në shoqëri.
Bashkësia e Tarikateve në veçanti dëshiron të punon s’bashku me institucionet e Kosovës në ndërtimin e një shoqërie pa paragjykime të cilat i njohim si racizmi, urrejtja etnike, homofobia, mizogonia, islamofobia, sufifobia dhe forma tjera përjashtuese që prishin mirëbesimin në shoqëri.
Bashkësitë fetare në Kosovë ende nuk e kanë të realizuar statusin juridik dhe funksionojnë ilegalisht, çka ju mundëson që disa prej tyre të punojnë edhe pa përgjegjësi duke përfituar nga situata. Institucionet e Kosovës duhet me marrë këtë çështje me seriozitet. Pamundësia e ekzistencës juridike dhe mungesa e përgjegjësisë që vjen me atë, i krijoj kushtet në të cilat Kosova u reshtua në radhën e shteteve eksportues të terrorizmit, me pasojat ngecjen në integrime Euro-Atlantike.
Kuvendi i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës poashtu i thërret institucionet e Kosovës që ta hapin derën për komunikim dhe dialog shoqërorë i cili në fushen e bashkësive fetare mungon, sepse nuk ekziston demokracia me veshët e shurdhët dhe dyer të mbyllura.
Me lutje për prosperitet shpirtërorë të shoqërisë Kosovare, për mirëqenie të gjithmbarshme dhe për liri autentike, ju dëshirojmë qeverisjen e suksesshme dhe shërbimin e ndërgjegjshëm ndaj popullit.
Kuvendi i Bashkësisë së Tarikateve. / KultPlus.com
Një banesë 200 vjeçare në Krujë, pasqyron arkitekturën e hershme të ndërtimit dhe stilin e veçantë. Që pas tërmetit të vitit 2019 objekti rrezikon të shkatërrohet prandaj pronarët e saj të moshuar apelojnë për rikonstruksionin e banesës me qëllim që vlerat e saj të mos humbin.
Kjo ndërtesë dykatëshe konsiderohet si një nga ndërtimet më të hershmet në Krujë.
Muret e brendshme të ndërtesës vlerësohen se kanë ngjyrat dhe dizajnin mbi 200 vjeçar që pasqyrojnë.
Shtëpia është pronë e Gani Kuqit, një ndër fiset krutane më të vjetra. Nga familja këtu jeton vetëm njëra prej trashëgimtarëve, Lirija.
Së bashku me të i shoqi Xhevat Gjana tregon veçantinë e arkitekturës së saj.
“Këtu sapo vjen një njeri e kupton si ka jetuar një krutan para 200 vjetëve. Është me avlli, tualet jashtë, me pus në oborr, dy dyer, e madhe dhe e vogël, dhoma dhe sallone”.
Ndërtesa vizitohet shpesh nga turistët, por edhe nga studentët e historisë.
“Kanë ardhur vazhdimisht turistë, kosovarë, studentët e historisë vijnë shumë”.
Objekti ka nevojë për restaurime duke qenë se pas tërmetit ka pësuar dëmtime.
Xhevati kërkon që të merren masa për ruajtjen e ndërtesës e cila mbart vlera të trashëgimisë kulturore e që do ti shërbejë brezave në vijim.
“Duhet të vihet dorë që kjo godinë ti mbetet Krujës, trashëgimtarëve”.
Sipas tij, historia 200 vjeçare e shtëpisë nuk duhet të humbasë ndaj kërkohet ndërhyrja e Ministrisë së Kulturës./oranews.al / KultPlus.com
James Eugene Carrey, i njohur përgjithësisht si Jim Carrey, është një aktor dhe këngëtar Kanadez i famshëm i cili gjatë karrierës së tij filmike ka luajtur shumë role komike.
Ky aktor është protagonist i filmave të tillë si: Ace Ventura: Pet Detective, The Mask, Dumb and Dumber e shumë të tjerë.
Gjatë karrierës së tij, Carrey ka fituar dy Golden Globes dhe është nominuar në çmimet BAFTA për aktorin më të mirë, konkretisht në 2005.
Përkundër që Jim Carrey njihet si një prej komikëve më të mëdhenj që është shfaqur në ekran, ai nuk e ka pasur aspak të lehtë jetën.
Kur ka qenë i ri, babai i tij ka humbur punën dhe, si rezultat i kësaj, e tërë familja është dashur të jetojnë në një furgon të vogël, transmeton Telegrafi.
Pavarësisht kësaj, Carrey gjithmonë ka besuar në ligjin e tërheqjes.
Nëse e pyetni atë, Jim Carrey do të insistojë se jeta e tij është dëshmi që universi na i dëgjon dëshirat.
Por, çdo histori ai e tregon duke na rikujtuar se duhet të përkushtohemi dhe të punojmë shumë për t’i realizuar dëshirat që i kemi.
Prandaj, më poshtë ju sjellim disa prej thënieve të tija më inspiruese që do t’jua ndryshojnë pikëpamjen mbi jetën dhe do t’ju ndihmojnë ta vazhdoni rrugën drejt suksesit.
– “Jeta gjithmonë hapë mundësi për ju, dhe ose duhet t’i shfrytëzoni ato ose të frikësoheni për t’ i shfrytëzuar”
– “Më mirë të rrezikoni të vdisni nga uria sesa të hiqni dorë. Nëse hiqni dorë nga ëndrrat tuaja, çfarë ju ka mbetur?”
– “Fokusi im është ta harroj dhimbjen e jetës. Ta harroj dhimbjen, të bëjë shaka me të, ta zvogëlojë atë. Dhe të qesh!”
– “Mendoj se çdo njeri duhet të bëhet i pasur dhe i famshëm dhe të arrijë çdo gjë që ka dëshiruar në mënyrë që ta sheh se kjo nuk është përgjigja”
– “Dëshpërimi është përbërësi i domosdoshëm për të mësuar çfarëdo, ose për të krijuar çfarëdo. Pikë. Nëse nuk jeni të dëshpëruar ndonjëherë, ju nuk jeni interesantë”
-“Jam duke e bërë një zgjedhje për t’i parë sfidat si fitimprurëse në mënyrë që të ballafaqohem me to në mënyrën më produktive të mundshme”. / KultPlus.com
Alfred James Pacino lindi më 25 prill 1940 në New York.
Al Pacino është një aktor dhe regjisor, biri i Salvatore dhe Rose Pacino, me origjinë italiane nga Korleone e Siçilisë. Kalon një fëmijëri të varfër, në shkollë është i dalluar si përsëritës, me përjashtim të literaturës angleze. Nga fundi i viteve 60-të studion teatër me Lee Strasberg i cili dallon në të prirje të jashtëzakonshme për recitim dhe dëshirë të flaktë për tu larguar nga jeta e varfër e fëmijërisë. Me filmin Me Natalie shënon fillimin e karrierës së tij, ndjek pas dy vitesh The Panic in Needle Park në të cilin merret parasysh edhe nga regjisori Francis Ford Coppola. Ky i fundit shënon thelbin e famës së tij në vitin 1972 me filmin The Godfather në të cilin interpreton rolin e Michael Corleone.
Në vitin 1993 shpërblehet me Oscar si aktori më i mirë protagonist me filmin Scent of a Woman, në të cilin interpreton një kolonel të verbër.
Aktori i famshëm Al Pacino, i cili feston sot 83-vjetorin e lindjes, ka një jetë interesante personale dhe profesionale.
Më poshtë janë disa kuriozitete që kanë shënjuar jetën e tij:
Alfredo James Pacino nuk është martuar kurrë, por ka pasur marrëdhënie romantike me 11 aktore.
Me dy prej tyre, Jan Tuarant dhe Beverly D’Angelo ka tre fëmijë, një vajzë dhe dy binjakë për të cilët u kujdes më vonë.
Marrëdhëniet e tjera janë me Jill Clayburgh, Tuesday Weld, Marthe Keller, Carol Cane, Diane Keaton, Penelope Ann-Miller, Madonna, Lucila Solà dhe Meital Dohan, izraelitja me të cilën jetoi deri shkurtin e kaluar.
Në karrierën e tij, që ka pothuajse çmim në çdo paraqitje në ekran, lista e filmave të refuzuar fillon nga ”Taxi Driver” deri te ”Star Wars”, nga ”Apocalypse Now” te ”Kramer vs Kramer”, nga ”Once Upon a Time in America” te ”Pretty Woman”.
Al Pacino është djali i dy emigrantëve sicilianë (babai u largua nga familja kur Al ishte ende me rroba banjo).
U lind në Harlem më 25 prill 1940.
Kaloi fëmini të vështirë në Bronx dhe përjetoi ligjet e ashpra të rrugës: duhanpirës dhe konsumator i drogave të lehta që nga mosha 10 vjeç.
17 vjeç la shkollën.
20 vjeç troket më kot në dyert e ”Studio Actors”.
Lee Strasberg njohu te ai cilësi të pazakonta aktoriale.
Fillon karierën kur Jerry Shatzberg i ofron atij rolin e protagonistit, tregtarit të ri të drogës Bobby, në ”Panic in Needle Park”.
Francis Coppola vëren se ai është aktori i duhur për rolin e Michael në ”The Godfather”.
U nominua për Oscar për rolin më të mirë mbështetës në këtë film, por Al Pacino sfidon jurinë duke thënë se roli i tij nuk është inferior ndaj atij të Marlon Brando, që e fitoi çmimin Oscar. Rezultati? Të dy nuk morën pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Që atëherë Al Pacino u bë aktori i preferuar i kineastëve amerikan. /KultPlus.com