Përparim Rama: Lajm fantastik për Prishtinën, Kino Rinia i rikthehet në menaxhim Komunës së Prishtinës

Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama ka njoftuar se objekti i Kino Rinisë do ti kthehet në menaxhim Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Gazeta online KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës Përparim Rama.

Objekti i KINO RINIA i rikthehet në menaxhim Kryeqytetit pas shumë vitesh.

Pas një pune disa mujore të Drejtorisë së Pronës, e cila ka siguruar dokumentacionin dhe ka bërë verifikimin e tij, Agjencia Kosovare e Privatizimit në mbledhjen e djeshme të Bordit ka votuar pro kërkesës së Komunës së Prishtinës për rikthimin e Kino Rinisë nën menaxhimin tonë.

https://www.pak-ks.org/Page.aspx?id=1,%208,611

Kjo, pasi kemi vërtetuar nga Arkivat Komunale e Ndërkomunale që ky objekt është pronë e Komunës së Prishtinës, dhe se deri tash, padrejtësisht është menaxhuar si ndërmarrje shoqërore nga AKP.

E falenderoj shumë Drejtoren e Pronës, Doruntinë Maloku dhe gjithë stafin për përkushtimin disa mujor për kthimin e KINO RINISË në menaxhimin tonë. Javën tjetër menjëherë do të nisim me planin e rigjenerimit të një prej ikonave të kryeqytetit./ KultPlus.com

Një muaj paraburgim për 50-vjeçarin që dyshohet se sulmoi seksualisht 6-vjeçaren në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit H.M, i cili dyshohet për sulm seksual ndaj një 6-vjeçarje në Prishtinë.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Gjykata ka treguar arsyet pse ia ka caktuar paraburgimin.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurores së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.M, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, të pandehurit H.M masa e paraburgimit i caktohet në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 pika dhe 1.2.3 të KPPRK-së.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës së ndjeshme – e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale,ndikimit në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të pandehurin në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti pë Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Sulm seksual nga neni 229 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurores së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.M, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, të pandehurit H.M masa e paraburgimit i caktohet në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 pika dhe 1.2.3 të KPPRK-së.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës së ndjeshme – e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale,ndikimit në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të pandehurin në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./ Express / KultPlus.com

Nga 1 gushti Kosova nuk i lëshon në kufi shtetasit me dokumente të Serbisë

Nga e hëna, shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një “dokument hyrje/dalje”, raporton Gazeta Express.

Përmes një kumtese në gjuhën shqipe dhe serbe, Qeveria e Kosovës tregon se qytetarët serbë, nga 1 gushti, sapo të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një dokument “hyrje/dalje”.

“Bazuar në vendimin e Qeverisë nga mbledhja e 85 e saj, ju rikujtojmë se nga data 1 gusht 2022, çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë do të pajiset me Dokument Hyrje/Dalje”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë, Kosova brenda territorit të saj i bën të pavlefshme dokumentet e lëshuara nga autoritetet serbe, si masë reciprocitetit ndaj shtetit që nuk i njeh dokumentet identifikuese të lëshuara nga Kosova./ KultPlus.com

Margariti: Nderim aktorëve Edi Luarasi dhe Rikard Ljarja

Në kuadër të muajit të kinematografisë shqiptare, ministrja Margariti sot risolli në vëmendje filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen”. Filmi i vitit 1967, ka regjinë e Gëzim Erebarës e Piro Milkanit. Ministrja e Kulturës në postimin e saj në rrjetet sociale, veçon aktorët e nderuar Edi Luarasi e Rikard Ljarja, të ndarë nga jeta pak kohë më parë.

Filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen” është xhiruar në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Skenaristi i tij është Peci Dado, ndërsa muzika është e Feim Ibrahimit.

Ngjarjet zhvillohen në kohën e Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin nazist. Gjermanët arrestojnë 2 vajza dhe i torturojnë, në përpjekje për të zbuluar lidhjet e tyre me elementë komunistë.

Vajzat interpretohen nga Edi Luarasi dhe Eglantina Kume, ndërsa komunisti që strehohet në shtëpinë e njërës prej tyre, interpretohej nga Rikard Ljarja. Ne rolin e oficerit gjerman, interpretonte i mirënjohuri Naim Frashëri.

Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të dy heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima./ata/ KultPlus.com

Jasharaj: Më 1 shtator i gjithë sistemi arsimor do të jetë në grevë

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar se me datë 1 shtator i gjithë sistemi arsimor do të jetë  në grevë nëse deri atëherë qeveria nuk reflekton karshi kërkesave të tyre. Ndërkaq, drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës bënë të ditur se me 10 gusht do të mbajnë një mbledhje të jashtëzakonshme me Kryesinë e BSPK-së për të vendosur për hapat e ardhëm sindikalë. Ndërkohë, Qeveria ka  thënë se Projektligji për Paga është në fazën finale.

Pas vonesës së Projektligjit për Paga dhe mos përmbushjes së kërkesave për ndarjen e 100 eurove shtese për të gjithë të punësuarit në sektorin privat, Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar grevë në tërë sistemin arsimor nga data 1 shtator. Ketë e bëri të ditur për Radio Kosovën  kryetari i kësaj sindikatë, Rrahman Jasharaj, i cili tha se deri me tani po mungon dialogu me qeverinë.

“Ne do të fillojmë me grevë para se të fillojë viti shkollor, pra me 24 gusht, kur mësimdhënësit do të jenë në shkolla. Ata nuk do ta kryejnë asnjë detyrë që e kanë obligim. Grevën do ta fillojmë një javë para se të fillojë mësimi e me shpresë se kjo do të ndikojë te qeveria që të ulet dhe të bisedojë për kërkesat tona 100 euro shtesë në paga që të dimë për ligjin e pagave dhe të marrim pjesë aktive në përgatitjen e tij”, thotë kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Po ashtu,  edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, i tha Radio Kosovës se  me 10 gusht do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e kryesisë së BSPK-së, ku pritet të marrin vendim për hapat e mëtutjeshëm sindikalë e që nuk përjashtohet edhe greva./KultPlus.com

Melina…

Luan Rama

Erdha Melina
njëzet vjet rrugë mu deshën
të vija tek ti në zemër të Athinës,
një kafe piva në lagjen «Plaka»,
«Kafenea Melina» shndriste në diell si një vajzë e dashuruar,
rrugën mora nga Akropoli për tek ti
atje ku flije nën mermerin e nxehtë të Moresë,
merre këtë cigare Mërkuri,
çohu dhe ndize si njëherë
ngjitu në këtë trapez të mermertë dhe kërce një «rebetiko»
kujto «djemtë e Pireut» dhe klith një «sagapo»,
çou dhe këndo këngën e trishtë të “qirja Andonit”
që i lumtur ishte veç në ëndërr,
Melina, gjaku im i shprishur,
i dua sytë e tu të mëdhenj siç dua detin
dhe diellin që bie e shuhet në të,
gjithë dashuritë e Greqisë janë në sytë e tu
dhe shkuma e Jonit dhe e Egjeut që vjen e të mbulon gjer këtu,
Kërce Melina ime, kërce dhe njëherë për mua,
se të puthurën tënde ende e kam në faqe
dhe përqafimi yt krahët mi ngroh,
ah, duart dhe gishtërinjtë e tua
që dikur mbanin në drithërimë një hënë të argjendë
dhe vargjet e rënda të Janis Ricos,
shko tani Melina, u bë vonë,
shko ti vajzë e Argolidhës arvanitase
Dasin dhe Haxhidhakis të presin atje nën dhé,
shko ashtu përhumbur në tymin e cigares
se agimi po afron dhe bota do të zgjohet,
ndryshe do duhet të të mbart mbi vete,
të shkoj si bohemi i legjendës nëpër erë
ku ca fjalë të prushta pas nesh do jehojnë:
një i gjallë me një të vdekur shkon…/ KultPlus.com

Momenti kur një ekran gjigant në skenë shkëputet dhe zë dy kërcimtarë

Një ekran gjigant ra dhe plagosi dy kërcimtarë derisa po performonte grupi i njohur “Mirror” në një skenë koncerti në Hong Kong.

Ekrani goditi një interpretues përpara se të rrëzohej mbi të tjerët, treguan pamjet që q Koncerti muzikor u ndërpre menjëherë dhe menaxheri i grupit u kërkoi turmës të dilte me qetësi nga salla.

Policia e Hong Kongut konfirmoi për shtypin lokal se dy kërcimtarë të gjinisë mashkullore u shtruan në spital.

Nga spitali thanë se njëri prej tyre kishte marrë lëndime në qafë dhe ishte në gjendje të rëndë në kujdesin intensiv ndërsa një tjetër ishte stabil, raportoi South China Morning Post.

Gjithashtu, edhe disa persona u trajtuan për tronditje.

Qeveria e qytetit ka urdhëruar që pjesa e mbetur e turneut të pezullohet derisa të kryhen kontrolle sigurie në vendet e tjera, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

“Jam i tronditur nga incidenti”, tha udhëheqësi  i qytetit, John Lee, duke shtuar “u shpreh ngushëllimet për ata që u plagosën dhe shpresoj se ata do të shërohen shpejt”./ KultPlus.com

Koncert me hitet e pop-rock bendeve të Gjilanit 

Naser Berisha, këngëtari i njohur për hitet e shumta të viteve të 90-ta është duke organizuar koncertin pop-rock, koncert që do të mbahet sonte në qendër të Gjilanit, shkruan KultPlus.

Naser Berisha ka njoftuar se koncerti “#eJona” do të fillojë prej orës 20:00 dhe do të përfshijë këngë hite origjinale prej viteve të 70-ta e këndej.

“I gjithë koncerti do të jetë live dhe të gjitha grupet do të performojnë këngët e tyre origjinale”, ka thënë Berisha për KultPlus, i cili këtë koncert e ka sjell për audiencën gjilanase, që vlerësohet si koncert nostalgjik për bendet e pop-rock që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë në Gjilan. / KultPlus.com

109 vjet nga përfundimi i Konferencës së Ambasadorëve

109 vjet më parë, më 29 korrik të vitit 1913, nënshkruhej Traktati i Londrës, pjesë e Konferencës së Ambasadorëve të zhvilluar gjatë viteve 1912-1913.

Kjo konferencë,  ishte një takim ndërkombëtar i fuqive të mëdha të asaj kohe  dhe erdhi si nevojë e zhvillimeve të ndodhura gjatë ndryshimeve të ekuilibrit të forcave, të dalë nga luftërat ballkanike.

Kufijtë e Shqipërisë dhe të gjitha çështjet e tjera lidhur me të, do të zgjidheshin nga Fuqitë e Mëdha sipas marrëveshjeve midis palëve.

Perandoria Osmane kishte humbur shkëlqimin e saj. Shqipëria dhe fati i qytetarëve të saj do të bëhej pjesë e kësaj rrokopuje dhe produkt i një harte që do të prodhonte ndër vite veç tensione, duke lënë rreth 40 përqind të territorit të saj, jashtë këtij ridimensionimi të Ballkanit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një imazh ilustrues, të këtij zhvillimi historik të rëndësishëm./ atsh /KultPlus.com

Rama: Kryeqyteti evropian i rinisë festoi lidhjen me SHBA dhe me BE

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga koncerti festiv që u mbajt mbrëmjen e djeshme në sheshin “Skënderbej”.

“Mirëmëngjes me shijen e jashtëzakonshme të mbrëmjes së djeshme të Tiranës, kryeqytetit evropian të rinisë 2022, që festoi lidhjen 100 vjet më parë me Shtetet e Bashkuara dhe atë 10 ditë më parë me Bashkimin Europian, ju uroj një ditë të qetë”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Mijëra qytetarë festuan mbrëmë në sheshin “Skënderbej” në koncertin festiv me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në këtë koncert performuan hitet e tyre muzikore disa nga artistët më të dashur për publikun shqiptar, si Soni Malaj, Alban Skënderaj, Ylli Limani, Xhensila Myrtezaj, Çiljeta Xhilaga, Threedots, Anxhela Peristeri, Eneda Tarifa, Fifi dhe Flori Mumajesi. /KultPlus.com

Shtyhet transformimi i Instagram-it

Zyrtarë të rrjetit social, Instagram, kanë thënë se do të shtyjnë për pak kohë përditësimin e aplikacionit me mundësitë e reja, pas pakënaqësive të shprehura nga njerëz me ndikim.

Në kuadër të transformimit ishte paraparë rritja e përmbajtjes me video dhe rekomandimi i tyre më i shpeshtë.

Megjithatë, përdoruesit kanë thënë se diçka e tillë bllokon përmbajtjen e miqve të tyre.

Më herët gjatë kësaj jave, shefi i Instagram-it, Asam Mosseri, ka postuar disa video në Twitter duke i bërë të ditura ndryshimet, ndonëse ka thënë se dëshiron “të vazhdojë mbështetjen për fotografitë”.

Mirëpo të enjten, një zëdhënës i Meta-s, kompanisë amë të Instagram-it, ka thënë se është marrë vendim që përditësimet të shtyhen për disa kohë, ashtu që të merren vendimet e duhura.

“Bazuar në gjetjet tona dhe reagimet e komunitetit, ne do të pauzojmë testimin e plotë në Instagram, në mënyrë që të analizojmë edhe mundësi tjera. Përkohësisht do të ulim numrin e rekomandimeve që shihni te përmbajtja juaj”, ka thënë një zyrtar i Meta-s për The Hollywood Reporter.

“Ndonëse ne e dimë se Instagram-i duhet të evoluojë në hap me ndryshimet botërore, neve na duhet kohë për ta bërë këtë gjë si është më së miri”.

Pas postimeve të Mosserit në Twitter, disa njerëz kanë nisur peticion online me thirrjet kundër ndryshimeve në këtë platformë. / KultPlus.com

Qendra Historike e Prizrenit dhe Kalaja e Prizrenit drejt zbatimit të dy Planeve të Menaxhimit (DOKUMENT)

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur sot hapat e parë drejt zbatimit të dy Planeve të Menaxhimit, për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Kalanë e Prizrenit, përcjellë KultPlus.

Pas aprovimit dhe publikimit të Planeve të Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe atij për Kalanë e Prizrenit, janë zhvilluar një numër i takimeve konsultuese me palët kyçe të interesit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka emëruar Komisionin Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit të Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Njësinë Menaxhuese për Kalanë e Prizrenit.

Komisioni Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit të Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit përbëhet nga përfaqësues të institucioneve qendrore, lokale dhe të shoqërisë civile, dhe ka për detyrë koordinimin e veprimeve për të siguruar zbatim efikas të prioriteteve dhe objektivave të paraqitura në planin e veprimit dhe menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit.

Njësia Menaxhuese për “Kalanë e Prizrenit” përbëhet nga përfaqësues të MKRS, IAK dhe Komunës së Prizrenit, ndërsa është përgjegjëse për administrimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe promovimin e Kalasë së Prizrenit, duke mundësuar shfrytëzimin si hapësirë multi-finksionale, në përputhje me vlerat e trashëgimisë kulturore.

Bashkangjitur gjeni dy vendimet:

https://mkrs-ks.org/repository/docs/3293.pdf

https://mkrs-ks.org/repository/docs/3292.pdf

Brenda një muaji “43 klinika në SHBA i kanë pamundësuar abortet”

Të paktën 43 klinika nëpër Shtetet e Bashkuara nuk ofrojnë më mundësinë e aborteve, pasi Gjykata Supreme ka përmbysur një ligj që mundësonte këtë procedurë.

Këto të dhëna janë publikuar nga Instituti Guttmacher, grup kërkimor që mbështet qasjen në aborte.

Me vendimin e Gjykatës Supreme, aborti nuk është bërë me automatizëm ilegal në SHBA – mirëpo shtetet mund të vendosin nëse do të lejojnë diçka të tillë.

Prej vendimit të Gjykatës – të marrë më 24 qershor – 11 shtete kanë ndaluar abortet pas javësh së gjashtë të shtatzënisë apo tërësisht procedurën.

Si rezultat 43 klinika – duke përfshirë 23 në Teksas, pesë në Okllahama dhe pesë në Allabama – nuk ofrojnë më këtë shërbim.

“Gjendja veçse e mjerueshme në qasjen për abort do të vazhdojë të përkeqësohet, pasi më shumë shtete do të miratojnë ndalesa në abort në javët apo muajt vijues”, kanë thënë autorët e studimit.

Disa shtete, sikurse Luiziana dhe Dakota Veriore, kanë ligje për ndalim të aborteve.

Rreth gjysma e shteteve amerikane, sidomos në jug, pritet që të ndalojnë tërësisht këtë procedurë./REL / KultPlus.com

Mbramja asht’ larg

Poezi nga Martin Camaj

Mbramja ashtë larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.

Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve

e ndër gjujt e mij ndieva
peshen e tramit tue u ndalue me turr.
Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.

Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell./ KultPlus.com

Ukraina e gatshme ta shkatërrojë urën më të madhe në Evropë që lidh Krimenë me Rusinë

Ukraina do ta shkatërrojë edhe urën e Kerçit, në rast nevoje për ta ndaluar përparimin rus, deklaroi sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Oleksiy Danilov, raportoi BBC-ja të enjten.

Ai tha se ky vendim do të merret në rast nevoje, duke shtuar se aktualisht “gjithçka është nën kontroll”.

“Nëse është e nevojshme, ky vendim (për rrëzimin e urës) do të merret nga ushtria. Sa i përket urës së Krimesë apo infrastrukturës tjetër, më besoni, gjithçka është nën kontroll të ngushtë. Sapo të ketë nevojë, mundësi e detyrë gjithçka do të bëhet dhe jo vetëm në lidhje me këtë objekt”, potencoi Danilov.

Ai shtoi se suksesi ushtarak i Ukrainës do ta varet nga ajo se sa shpejt trupat ukrainase do të furnizohen me armë moderne.

Ukraina tashmë ka nisur shkatërrimin e urave, me qëllim të stopimit së vrullit rus. Së fundmi, ura e qytetit Antonovskiy mbi lumin Dnieper, që lidh Ukrainën me Krimenë, u shkatërrua nga forcat ukrainase.

Ura e Kerçit, e njohur ndryshe si Ura e Krimesë, përfundoi së ndërtuari në vitin 2018 nga rusët, pasi Rusia aneksoi Krimenë. Gjeografikisht, ura lidh Krimenë me Rusinë, gjersa ka gjatësi prej 19 kilometrash, që e bën më të gjatën në Evropë./ KultPlus.com

Notre-Dame në rrugë për t’u rihapur në vitin 2024, tha ministri francez i Kulturës

Katedralja Notre-Dame në Paris është në rrugën e duhur për t’u rihapur për adhuruesit dhe publikun në vitin 2024, tha të enjten Ministrja e Kulturës Rima Abdul Malak, më shumë se tre vjet pasi çatia e saj u shkatërrua nga një zjarr masiv.

Ajo tha se faza e pastrimit të projektit të restaurimit kishte përfunduar, duke lejuar që puna e rindërtimit të fillonte në fund të verës.

Notre-Dame është mbyllur për restaurim që kur zjarri në vitin 2019 shkatërroi çatinë e saj dhe bëri që maja e saj të rrëzohej, për tmerrin e shikuesve dhe njerëzve që shikonin në Francë dhe në mbarë botën në televizion dhe media sociale.

“Ne kemi besim se viti 2024 do të jetë viti i përfundimit të një pjese të madhe të kësaj pune, viti i rihapjes së katedrales për besimtarët dhe publikun”, tha Abdul Malak teksa vizitoi vendin.

Menjëherë pas zjarrit të prillit 2019, Presidenti Emmanuel Macron tha se katedralja – e cila daton në shekullin e 12-të – do të rindërtohej dhe më vonë premtoi se do ta rihapte për adhuruesit deri në vitin 2024, kur Franca pret Lojërat Olimpike.

Katedralja do të rikthehet në modelin e saj të mëparshëm, duke përfshirë majën 96 metra (315 këmbë) të projektuar nga arkitekti Eugene Viollet-le-Duc në mesin e viteve 1800 dhe për të cilën është zgjedhur druri i ri.

Pas përfundimit të fazës së sigurisë në vitin 2021 dhe punës për pastrimin e brendësisë së katedrales, rindërtimi përfshin veçanërisht rindërtimin e strukturës së çatisë prej druri, qemereve dhe majës./ KultPlus.com

Muzika, deklaratë e heshtur dhe jehonë dashurie

Prej shekujsh muzika klasike mbart në vetvete një sërë misteresh dhe mesazhe të fshehura përmes notave, të kompozuara dhe të fshehura nga vetë kompozitorët, nga nënshkrimet e thjeshta muzikore, deri te shprehjet e dashurisë, përfshirë mesazhe të fshehura me natyrë politiko-fetare.

Përtej bukurisë zanore, jo rrallëherë muzika mund të përçojë në vetvete të gjitha llojet e imazheve, historive dhe referencave abstrakte, që shërbejnë për ta çuar atë më tej.

Gjithsesi, hera-herës ka mesazhe të fshehura, të futura me zgjuarsi nga kompozitori midis temave dhe zërave të ndryshëm muzikorë. Kjo surprizë e fshehur merr rëndom formën e nënshkrimit të thjeshtë muzikor të emrit të kompozitorit, një referencë personale e autorit, si në rastin e regjisorit Alfred Hitçkok, i cili shfaqet si figurant në filmat e tij.

Mjeshtri absolut i vetëreferencës është Johann Sebastian Bach. Muzika e tij është e stëpikur me motive kompozuar me shkronja të emrit: si bemol – la  – do – si naturel, ose B-A-C-H në shënimet muzikore gjermane, që shërbyen si frymëzim për Art de la Fugue (Artin e arratisjes). Mirëpo, Bach nuk është i vetmi, përkundrazi. Edhe Robert Schumann fsheh një referencë të vogël në koleksionin për piano “Carnaval”, përmes notave S-C-H-A (mi bemol-do-si naturel-la). Dmitry Shostakovich gjithashtu luan me motivin D-S-C-H, duke përdorur D-në e emrit dhe tri shkronjat e para të mbiemrit në transliterimin gjerman, Schostakowitsch. Puna e tij është nën kërcënimin e vazhdueshëm nga diktatura dhe censura staliniste, si rrjedhojë motivi shërben si gjurmë e përhershme në disa prej veprave, përfshi Simfonitë nr.8, nr. 10 dhe nr. 15, apo në disa kuartete dhe koncerte për violinë dhe violonçel. Por jo vetëm, gjejmë po ashtu nënshkrime muzikore të Schubert (F-S-C-H), Schoenberg (A-S-C-H-B-E-G) dhe Béla Bartók (B-E-B-A ose B-A-B-E).

Mirëpo, përtej vetëreferencës së disave, të tjerët zbaviteshin duke fshehur mesazhe tejet të rëndësishme, qoftë për arsye admirimi profesional, dashurie apo faji, politike, devocioni fetar apo edhe për arsye ende të panjohura gati një shekull më pas. J.S.Bach duket si aktual, madje motivi B-A-C-H shfaqet në punët e shumë kompozitorë që dëshirojnë t’i bëjnë homazhe mjeshtrit të madh të muzikës, përfshi Schumann, Liszt, Rimsky-Korsakov, Honegger, Schönberg, Poulenc, Webern, Koechlin dhe Pärt. Veçse duket sikur referenca e parë e motivit B-A-C-H nuk është për Jean-Sébastien, por më shumë për një nga paraardhësit e tij (gjithashtu muzikantë shumë të njohur) nga kompozitori hollandez Jan Pieterszoon Sweelinck.

Emocioni më i fuqishëm dhe burim i pashtershëm frymëzimi, dashuria, mbetet burimi i veprave të panumërta muzikore. Kështu, të panumërt janë kompozitorët që shpalosin në kompozimet e tyre deklarata të vërteta miqësie dhe dashurie, si Robert Schumann. Kompozitor romantik i jashtëzakonshëm dhe adhurues i zjarrtë i enigmave muzikore, pra s’është për t’u habitur që ky i fundit të ketë luajtur me idenë e fshehjes në muzikë mesazhe dhe deklarata dashurie për dashurinë e tij të përjetshme, Clara.

Kështu, më 1841, Robert Schumann kompozoi brenda dy javëve një Fantazi për piano dhe orkestër, që më vonë do të bëhej lëvizja e parë e Koncertit të tij për piano në 1845, e kompozuar për Clara-n, me motivin C-H-A, një referencë për pseudonimin Clara, “Chiara”, që dominon lëvizjen e parë dhe punohet dhe ripunohet në mënyrë të përsëritur në forma të ndryshme. Për disa, një deklaratë dashurie. Për të tjerët, një miratim i një lidhjeje jashtëmartesore ose një dashuri e paharruar. Edward Elgar ishte një njeri i apasionuar pas enigmave, kriptogrameve dhe lojërave të fjalëve (për shembull, ai shkroi në 1897 një mesazh të koduar me 87 karaktere për shoqen e tij Dora Penny, i cili vijon të jetë i padeshifruar). Madje, për disa muzika shërben edhe si një mjet i shprehjes fetare, pavarësisht konteksteve politiko-fetare ndonjëherë shumë të rrezikshme për ata që nuk i përmbahen asaj.

Në shekujt 16 dhe 17, Anglia luhatej midis katolicizmit të Mbretëreshës Mary I dhe Protestantizmit të Mbretëreshës Elizabeth I, një autoritet monarkik me fare pak tolerancë ndaj refraktarëve. Një nga kompozitorët më të njohur nën Mary I, William Byrd, një katolik i supozuar, gëzoi mbështetjen dhe mbrojtjen e Mbretëreshës së re Protestante Elizabeth I, në sajë të talentit të tij muzikor. Kompozitor i Kapelës Mbretërore, ai kompozoi një sërë veprash muzikore për liturgjinë e Kishës Anglikane. Megjithëkëtë, ai kompozoi po ashtu, në kundërshtim me monarkinë protestante, vepra të shumta të muzikës së shenjtë në mbështetje të komunitetit katolik refraktar dhe klandestin në Angli, kundër protestantëve./Konica.al/ KultPlus.com

Përfundojnë ndërhyrjet restauruese në shtëpinë e banimit të Islam Shipolit në Mitrovicë

Kanë përfunduar ndërhyrjet restauruese dhe konservuese në shtëpinë e banimit të Islam Shipolit, që gjendet në qendër të qytetit në Mitrovicë.

E ndërtuar në fillim të shek. XX, i takon ndërtimeve të objekteve me stil të arkitekturës moderne evropiane.

Renovimi i elementeve të drurit, dyshemeja, tavanet, shkallët dhe gardhi i shkallëve janë vetëm  disa nga punët e përfunduara në këtë shtëpi, duke i ruajtur gjithmonë vlerat origjinale./ KultPlus.com

“Përrallë nga e kaluara”, ndër komeditë më të bukura të ekranit

Në kuadër të muajit të kinematografisë shqiptare, ministrja e Kulturës, Margariti kujtoi një nga filmat-komedi më të bukur, “Përrallë nga e kaluara”. Filmi, prodhim i vitit 1987, është krijim i regjisorit të shquar, Dhimitër Anagnosti, i cili ka shkruar edhe skenarin. Muzika e filmit është vepër e Limos Dizdarit.

Para disa vjetësh Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit finalizoi projektin e restaurimit të dy filmave nga fondi Anagnosti, filmit artistik “Përrallë nga e kaluara” dhe dokumentarit të shkurtër “Përjetësi”.

Filmi “Përrallë nga e kaluara” nuk ka mundur të hyjë në festivale të rëndësishme, pikërisht sepse ka qenë prodhuar jashtë kushteve teknike.

“Përrallë nga e kaluara” është ekranizim i komedisë “14 vjeç dhëndër” nga Andon Zako Çajupi. Anagnosti rrëfen historinë e martesës së Gjinos 14-vjeçar me Marigonë 28-vjeçare. Me ndihmën e të dashurit të saj, Trimit, Marigoja hakmerret me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe në fund “mori atë që deshi”.

Një kast i mrekullueshëm aktorësh, garantoi suksesin e filmit. Në rolet kryesore interpretojnë Elvira Diamanti, Robert Ndrenika, Xhevdet Feri, Admir Sorra, Hajrie Rondo e Xhemil Tagani. / KultPlus.com

Kryeministri Rama: Mos e humb koncertin festiv në sheshin “Skënderbej”

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje nëpërmjet rrjeteve sociale për të mos e humbur koncertin festiv, sot, në sheshin “Skënderbej”, në orën 19:00.

Më herët, kryeministri Rama, ka njoftuar për secilin nga artistët që do të jenë pjesëmarrës në koncertin e 28 korrikut, i cili kremton dy ngjarje speciale: 100 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri- SHBA dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Lista e këngëtarëve që do të performojnë sonte, është e gjatë dhe premtuese për një superkoncert të suksesshëm. Disa prej tyre janë Anxhela Peristeri, Soni Malaj, Fifi, Ylli Limani, Alban Skënderaj, Xhensila Myrtezaj, Çiljeta Xhilaga, Flori Mumajesi etj.

Gjithashtu organizatorët kanë njoftuar se muzika do të pasohet nga një spektakël fishekzjarrësh.

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbajtën në 19 korrik Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes tyre në Bruksel, që shënoi edhe hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim të vendit tonë në BE.

Për të kremtuar këtë ngjarje të shënuar si dhe me rastin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë e SHBA, u organizua ky superkoncert i cili do të zhvillohet sonte, në sheshin “Skënderbej”. / KultPlus.com

Sonte nis edicioni i 6-të i “ZA Fest” në Shkodër

ZA Fest, një krijim artistik i kantautorit Vlashent Sata, vjen sot në edicionin e tij të gjashtë, që do të mbahet në qytetin artdashës të Shkodrës.

ZA Fest, i cili ka marrë mbështetjen e një sërë ambasadash të huaja në Tiranë, të Bashkisë Shkodër e cila është në rolin e mikpritëses, si dhe të Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, do të sjellë artistë shqiptarë e të huaj, të cilët do të performojnë përgjatë 3 netëve.

Sonte festivali do të zhvillohet në oborrin e Dr. Shirokës, në një shtëpi karakteristike shkodrane, ku do të performojnë Jeton Neziraj, Erenik Beqiri, Arben Bajraktaraj e Linda Rukaj.

Vetë drejtori artistik i ketij eventi, Vlashent Sata, do të performojë natën e dytë, gjatë së cilës publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një tjetër emër të mirënjohur që përfaqëson muzikën shqiptare edhe përtej kufijve, Elina Duni. Ndërsa natën e tretë përveç artistëve nga Italia e Spanja, do të jetë dhe i mirënjohuri Jericho nga Kosova.

ZA Fest me misionin e tij kryesor, promovimin e traditës, vlerave dhe kulturës së Shkodrës, më herët është zhvilluar edhe në Theth, duke tërhequr një numër të madh vizitorësh. Kësaj here vëmendja mbetet brenda qytetit, e sidomos te kalaja e Rozafatit.

Festivali mund të ndiqet falas për fëmijët deri në 12 vjeç si dhe për të rriturit mbi 65./atsh/ KultPlus.com

Lahaj: Tash e një javë studentët fatlumë kanë qenë nën mësimin e mjeshtrit Jean Bernard Thomas, ai është ‘fajtor’ për natën e sotme

Sonte në festivalin ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ do të mbahet koncerti i radhës, përcjell KultPlus.

Në këtë mbrëmje do të bëhet prezantimi i studentëve të cilët përgjatë këtyre ditëve të festivalit kanë pasur mundësinë të punojnë me mjeshtrin e vokalit Jean Bernard Thomas.

Ramë Lahaj ka ftuar artdashësit ta ndjekin këtë festival duke falënderuar Bernard Thomas për puënn e tij gjatë këtyre ditëve.

Postimi i plotë:

ash e një javë, studentët fatlumë të festivalit kanë qenë nën mësimin e mikut tonë Jean Bernard Thomas. Mjeshtri ynë i vokalit është ‘fajtor’ për natën e sotme, ku talentet e reja do të performojnë pasi kanë përcjellë klasat e Jean Bernard Thomas dhe janë përzgjedhur nga vetë ai, një profesionist i fushës dhe një artist me vokal të jashtëzakonshëm. E falenderojmë shumë për angazhimin e tij të palodhur e të vazhdueshëm që nata e sotme të ketë një repertor të mrekullueshëm.

Ju presim sonte!./ KultPlus.com

Fillon festivali i ansambleve folklorike në Stamboll

Ka filluar ditën e sotme në Stamboll edicioni i 23-të i festivalit më të madh të ansambleve folklorike Bujukçekmexhe. Pjesë e programit të këtij viti është edhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare nga Republika e Maqedonisë së Veriut, i cili ngjitet në skenë pas fitores në festivalin e Budapestit në Hungari.

“Çdo vit, ne përpiqemi të zgjerojmë Festivalin tonë Ndërkombëtar të Kulturës dhe Artit në Stamboll Büyükçekmece, i cili do të organizohemi për herë të 23 këtë vit.

Duke bashkuar artistë nga e gjithë bota dhe artistë vendas dhe duke mbushur çdo pjesë të Stambollit me kulturë dhe art, ky festival i madh premton një javë të mrekullueshme të mbushur me pikturë, muzikë, kërcim, skulpturë dhe dhjetëra degë arti”, thotë presidenti i festivalit Hasan Akgun.

Ky festival i themeluar në vitin 2000 këtë vit ngjit në skenë pjesëmarrës nga 25 shtete nga e gjithë bota.. Në vitin 2003, festivali i bë pjesë e Shoqatës së Festivaleve Botërore të Vallëzimit të UNESCO-s. Ndërsa është vlerësuar 3 herë rresht si festivali tradicional më i mirë në botë. / KultPlus.com

“Krim dhe ndëshkim” i Dostojevskit, 8 gjëra që nuk i dinit

Romani zhvillohet në një Shën Petersburg shumë real

Është ndoshta fakti më i dukshëm për “Krim dhe Ndëshkim”, por nëse po lexoni tekstin origjinal, ose një përkthim besnik të tij, do të zbuloni se Dostojevski i ka fshirë emrat e shumicës së vendeve që ai përmend (për shembull, “V -Y Prospect”qëndron për Voznesensky Prospect). 

Guri i saktë nën të cilin Raskolnikov fshehu plaçkën e grabitur, është gjithashtu i vërtetë

Tani kjo është saktësi: gruaja e Dostojevskit, Anna Grigorievna, tregoi më pas në kujtimet e saj se jo shumë kohë pas martesës së tyre, shkrimtari e kish çuar në një oborr gjatë një shëtitjeje dhe i kishte treguar gurin nën të cilin vrasësi i tij më i famshëm kishte vënë sendet e vjedhura.  

Emrat kanë kuptim

Raskolnikov nuk është aspak një emër i rastësishëm, i vrazhdë, i keq. Vjen nga rusishtja për ‘skizma’, raskol, dhe derivati ​​i tij raskolniki, që i referohet një grupi të veçantë skizmatikësh:domethënë, Besimtarët e Vjetër, të cilët u shkëputën nga Kisha Ortodokse Ruse në mesin e shekullit të shtatëmbëdhjetë. Razumikhin, ndërkohë, vjen nga razum – arsyeja, mendja, inteligjenca – dhe Lebezyatnikov u krijua nga folja “lebezit”, që do të thotë të bësh lajka në një mënyrë të ethshme.

Svidrigailov ishte një person real

Svidrigailov historik nuk ishte, me sa dimë, i njëjti lloj dhunuesi i pabesë-përdhunuesi-ngacmuesi minorenesh si homologu i tij imagjinar, ai gjithashtu nuk ka asnjë nga tiparet shpenguese – të ndihmuarit e prostitutës Sonya apo gjetjes së një shtëpie për familjen e saj. Svidrigailovi i vërtetë njihej në Shën Petersburgun e viteve 1860 si mik i një pronari provincial. Emri në fakt përdorej shpesh në biseda për të treguar një lloj tregtari dhe intriganti të dyshimtë.

Shumica e copëzave të lajmeve të gjetura në roman janë origjinale

Kjo është më e dukshme kur Raskolnikov inspekton letrat ndërsa është ulur në një tavernë, si dhe në bisedën delirante që pasoi me policin e ri Zamyotov. Incidenti i saktë për të cilin ata përfunduan duke folur ndodhi në të vërtetë: historia e një bande prej 50 falsifikatorësh, ku përfshihej edhe një pedagog universiteti, u raportua në Gazetën e Moskës në 1865. Ashtu si edhe fakti që llogaria e bashkëpunëtorit nervoz që shkoi në bankë, ngjalli dyshime dhe fundosi të gjithë operacionin.

Lexuesit rusë dinë diçka për Dunya-n, që të tjerët vetëm mund ta hamendësojnë

Nga fundi i “Krim dhe Ndëshkim”, motra e Raskolnikovit, Dunya, zhvillon një bisedë të paharrueshme me të fejuarin e saj të mundshëm dhe ish-punëdhënësin Svidrigailov, i cili zbulon se vëllai i saj është një vrasës. Në origjinalin rus, Dunya, e tronditur, fillon t’i drejtohet burrit në vetën e dytë njëjës, një mënyrë që zakonisht përshtatet vetëm për familjen dhe miqtë intimë. Kjo sugjeroi për lexuesit rusë se marrëdhënia e tyre ishte më tepër se sa u shfaq në fillim. Ajo përfundon duke u përpjekur ta qëllojë (sigurisht) përpara se të largohet vetë, duke e lënë të kryejë vetëvrasje jo shumë kohë pas kësaj.

Është një fotografi e mirë e politikës radikale në Shën Petersburgun e viteve 1860

Socializmi utopik i francezit Furier, shumë me ndikim në atë kohë, përmendet në të gjithë librin. Nga ‘falansteria’, një koncept i përdorur për të treguar një shoqëri të ardhshme komunale dhe e tallur nga Razumikhin, tek një citim i drejtpërdrejtë nga Victor Considérant, një ndjekës i njohur i Furierizmit – “Unë po mbaj një tullë të vogël për lumturinë universale, dhe kështu kam një ndjenjë të paqes në zemrën time “- e përdorur nga Raskolnikov, dhe duke llogaritur të gjithë personazhin e Lebezyatnikovit: ndikimi i tij është i gjithëpranishëm. Po kështu, është edhe nihilizmi, i eksploruar me një efekt të jashtëzakonshëm gjatë një prej bisedave të shumta të tensionuara midis Raskolnikovit dhe Petrovichit, si dhe ato që protagonisti ka me Sonya-n.

Ka shumë Dostojevsk tek Raskolnikovi

Nuk është befasuese, ndoshta, por vlen të përmendet – “Krim dhe Ndëshkim” përmban tre pasazhe të rëndësishme si kujtime. I pari është ëndrra e rrëfyer herët, në të cilën një Raskolnikov i ri dëshmon për një pronar që rreh kalin e tij për vdekje; kujtesa është të paktën pjesërisht autobiografike. Autori tregon në shënimet e tij se kujton mirë këtë ngjarje që e kishte parë kur ishte fëmijë.

Po kështu, është edhe ndjenja që personazhi merr pasi ndihmon të venë e Marmeladovit dhe fëmijët e saj – “mund të krahasohet me ndjesinë e një burri të dënuar me vdekje, të cilit i jepet falja e papritur”. Ky imazh pasqyron nga afër dënimin gati me vdekje të Dostojevskit në vitin 1849, kur, pasi u arrestua për shoqërimin e tij me qarqet Furieriste, dënimi iu zbut me një letër nga Cari, disa minuta para ekzekutimit të supozuar.

Më në fund, natyrisht, burgimi i Raskolnikovit në Siberi është i informuar nga katër vitet që Dostoevsky kaloi si i burgosur në Omsk për krimet politike të përmendura më lart: “Siberia. Në brigjet e një lumi të gjerë e të shkretë qëndron një qytet, një nga qendrat administrative të Rusisë; në qytet ka një kështjellë; në kështjellë, një burg.”/bota.al/ KultPlus.com