Mbi 1 mijë të mitur vdesin çdo vit nga ndotja e ajrit në Europë

Ndotja e ajrit shkakton vdekjen e parakohshme të të paktën 1200 fëmijëve dhe adoleshentëve çdo vit në Europë, sipas një raporti të Agjencisë Europiane të Mjedisit (EEA) të publikuar të hënën.

Ashtu si për të rriturit, ndotja e ajrit është rreziku kryesor për shëndetin e të miturve, duke ndikuar në jetëgjatësinë e tyre.

Studimi mori në shqyrtim mbi 30 vende, përfshirë 27 vendet anëtare të BE-së.

“Ndotja e ajrit shkakton më shumë se 1200 vdekje të parakohshme në vit (në grupmoshën) nën 18 vjeç në Europë dhe rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve” për të miturit, thekson EEA në raportin e saj.

“Pavarësisht progresit gjatë viteve të fundit, niveli i ndotësve kryesorë të ajrit mbetet i lartë pavarësisht rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, veçanërisht në Europën Qendrore dhe Lindore, si dhe në Itali”, thuhet në raport.

Disa vende në Europë, përfshirë Britaninë dhe Ukrainën nuk ishin pjesë e studimit, duke sugjeruar se numri i viktimave në kontinent ka të ngjarë të jetë edhe më i lartë, raporton abcnews.al.

Sipas një raporti tjetër, të publikuar nga EEA në nëntor, të paktën 238,000 njerëz pavarësisht moshës  vdiqën në vitin 2020 për shkak të ndotjes së ajrit në vendet anëtare të organizatës (BE, Norvegji, Zvicër, Islandë, Liechtenstein dhe Turqi).

Raporti i publikuar sot është i pari i EEA që fokusohet te të miturit. Megjithëse përqindja e fëmijëve dhe adoleshentëve të prekur nga ndotja e ajrit është “relativisht e vogël” në krahasim me popullsinë në tërësi.

EEA rekomandon fokusimin në cilësinë e ajrit rreth shkollave dhe çerdheve, si dhe objekteve sportive dhe transportit. Efektet e ndotjes fillojnë edhe para lindjes, pasi ekspozimi i nënës ndaj tij “është i lidhur me peshën e ulët të foshnjëve dhe lindjet e parakohshme”, thekson raporti.

Pas lindjes, ndotja e mjedisit rrit rrezikun e problemeve shëndetësore si astma,  e cila prek 9% të fëmijëve dhe adoleshentëve në Europë, problemet me frymëmarrjen dhe sëmundje të ndryshme të sistemit të frymëmarrjes, thekson gjithashtu EEA në raport. /abcnews.al / KultPlus.com

292 vjet nga vdekja e shkrimtarit anglez, Daniel Defoe

Daniel Defo lindi në Londër më 1660. Ai ishte djali i një kasapi të quajtur Xhejms Fo (Danieli më vonë e ndryshoi mbiemrin e tij në Defo sepse tingëllonte më bukur). Danieli i ri mëson në një shkollë fetare dhe më pas filloi tregtinë duke shitur dhe blerë mallra të ndryshëm. Kështu, ai udhëtoi në të gjithë Europën.

Daniel Defo luftoi kundër mbretit Xhejms ll dhe më vonë u bashkua me ushtrinë e mbretit Uilliam lll. Ai u burgos dy herë, sepse shkroi disa tekste kundër kishës dhe qeverisë. Daniel Defo punoi shumë edhe me gazetën e tij, në të cilën shkroi më shumë se 500 shkrime me emrin e vet, më shumë se çdo shkrimtar tjetër në gjuhën angleze.

Ai pati një jetë shumë aktive. Vdiq në 1731 në Londër. Kur ishte pothuajse 16 vjeç, Daniel Defo filloi të shkruante novela. Të kësaj periudhe janë veprat: “Kapiten Singëlltoni”, “Moll Flanders” dhe “Roksana”, por libri që e bëri të famshëm në të gjithë botën është “Robinson Kruzo”. Kjo ishte novela e tij e parë, e shkruar më 1719 dhe pati sukses të menjëhershëm. Defoja u mbështet në historinë e vërtetë të një detari të quajtur Aleksandër Selkirk, i cili u braktis nga piratët në ishullin Juan Fernandes, një ishull i vogël në Oqeanin Paqësor.

Ai jetoi atje i vetmuar për katër vjet dhe mundi të largohej me ndihmën e një anijeje në vitin 1709. Shumë studiues letërsie e mbajnë Robinson Kruzonë si novelën e parë në krijimtarinë letrare angleze. Ajo është përkthyer në mjaft gjuhë të botës, madje konsiderohet nje ndër veprat më të përkthyera në të gjithë botën pas Biblës.

Ai është një nga katër shkrimtarët më popullor dhe themelues i romanit anglez. Defoe ka shkruar edhe shumë trakte politike të cilat i kanë shkaktuar shqetësime autoriteteve angleze, të cilat e kanë ndëshkuar duke e futur në burg për pak kohë. Njëherësh ai ishte pionier i gazetarisë ekonomike dhe të biznesit. /KultPlus.com

Në UP hulumtohen rastet e ngacmimeve seksuale

Shumë shpejt Universiteti i Prishtinës do të fillojë një hulumtim në të gjitha njësitë akademike për rastet e ngacmimeve seksuale.

Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën zyrtarja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në këtë universitet, Drita Hyseni. Ndërkohë, ekspertët thonë se studentët duhet të vetëdijesohen për denoncimin e rasteve.

Universiteti i Prishtinës, për herë të parë do të fillojë një hulumtim në të gjitha njësitë akademike për rastet e ngacmimeve seksuale në këtë institucion të lartë të arsimit. Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën, zyrtarja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në këtë universitet, Drita Hyseni, e cila theksoi se në kuadër të rregullores për parandalimin e ngacmimeve seksuale, së bashku me prorektoren, Njomza LLullaku, dhe me mbështetjen e menaxhmentit, janë përgatitur pyetjet dhe janë në përfundim të metodologjisë së hulumtimit, ku fokus i pyetësorit janë studentët.

 “Nuk do të kenë as emër e as mbiemër. Neve na duhen vetëm të dhënat nga terreni, për të parë gjendjen faktike. Po bëhet një hulumtim për herë të parë për sa i përket kontekstit të ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës. Do të ketë edhe një raport final, ku besoj se deri në muajin qershor do të realizohet. I kemi formuar grupet punuese, të cilët do të punojnë për të mbledhur të dhënat dhe për ta çuar deri në fund këtë kauzë dhe ta vërtetojmë nëse është fenomen i dukshëm në UP”, tha ajo.

Hyseni, bëri të ditur se që nga viti i kaluar e deri tani janë raportuar pesë raste të ngacmimeve në Universitetin e Prishtinës. Ndërkohë,  sqaroi se me rregulloren për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale dhe ngacmimi në Universitet, përcaktohen edhe procedurat disiplinore dhe masat e zbatueshme në rastet e tilla.

 “Për vitin 2022, ka qenë numri katër, ndërsa në vitin 2023 kemi një rast. Këshilli i Etikës ka marrë tri vendime, ndërsa në procedurë janë dy. Gjithashtu është edhe vendimi i senatit të Universitetit të Prishtinës për rastin e fundit ndaj profesorit Betim Bejta”, tha ajo.

Drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha për Radio Kosovën se ngacmimet seksuale në institucione arsimore, përveç që me ligj, duhet të denoncohen edhe me rregullore të secilit institucion.

 “Ngacmimet seksuale në institucione arsimore, përveç që me ligj, duhet të denoncohen edhe me rregullore të secilit institucion të arsimit të lartë, dhe atë jo të fshehur diku në sirtarë të njësive akademike, por të dukshme për të tërë komunitetin e universitetit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo student të jetë i vetëdijesuar për denoncimin e ngacmimeve seksuale. Aktivitetet vetëdijesuese duhet t’i synojnë vetë studentët, duke i fuqizuar të njëjtit për identifikim, reagim dhe denoncim të menjëhershëm të ngacmimeve seksuale”, tha ai.

Policia e Kosovës, në një përgjigje përmes adresës elektronike, ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i rasteve nga vepra penale “Ngacmimi Seksual” për vitin 2022 ishte 91.

Në kuadër të Universitetit të Prishtinës, ekziston rregullorja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale dhe ngacmimi në Universitet. Kjo rregullore përcakton rregullat materiale, procedurat disiplinore dhe masat e zbatueshme në rastet e tilla. Në marrjen e vendimeve dhe masave disiplinore në procedurën për shqyrtimin e denoncimeve për ngacmim apo ngacmim seksual, Këshilli i Etikës zbaton këtë rregullore, Statutin e Universitetit të Prishtinës, Ligjin për Arsim të Lartë, Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, Ligjin për Barazi Gjinore, Ligjin e Punës dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore të zbatueshme./ KultPlus.com

Statistikat e “Gallup”: Shqiptarët e Kosovës ndër të parët në Evropë për bujarinë

Bujaria, mbështetja për atë që ka nevojë, së bashku me mikpritjen kanë qenë historikisht tradita të shqiptarëve, që theksoheshin vazhdimisht në tekstet shkollore, apo në histori e libra të autorëve të ndryshëm.

Por, këto tradita tashmë duket se i përkasin vetëm historisë. Sondazhi i fundit i “Gallup”, i kryer në funksion të indeksit të lumturisë 2023, tregon se Shqipëria renditet ndër të fundit në Europë, sa i takon treguesve të bujarisë dhe mbështetjes sociale.

Krejt ndryshe është situata për shtetasit e Kosovës, që vijojnë t’í ruajnë e zbatojnë këto tradita, duke u renditur ndër të parët në botë sa i përket bujarisë.

Mbështetja sociale është një tregues që sipas metodologjisë së raportit lidhet me pasjen e dikujt ku të mbështetesh në kohë telashesh.

Pyetja që u drejtohet të anketuarve është: “Nëse keni qenë në telashe, a keni të afërm ose miq që mund të mbështeteni për t’ju ndihmuar sa herë që keni nevojë, apo jo?”

Shqipëria në këtë tregues renditet e fundit në Europë dhe e 29-a nga fundi në botë dhe ka diferencë nga shtetet e tjera të Europës. Mbështetja sociale e shqiptarëve është njëlloj me atë të shteteve si Congo, Zimbabwe, Kenya, Honduras etj.

Në rajon, pas Shqipërisë, mbështetje më të ulët sociale ka në Maqedoninë e Veriut.

Kosova renditet ndër 40 vendet në botë që mbështesin njëri-tjetrin, ndërsa nuk ka të dhëna për Serbinë e Malin e Zi.

Shtetet me mbështetjen sociale më të lartë në botë janë Zelanda e Re, Danimarka, Finlanda, Islanda.

Edhe në indikatorin tjetër, atë të bujarisë, Shqipëria renditet ndër të fundit në Europë.

Për të matur treguesin e bujarisë, të anketuarve u drejtohet pyetja: “A keni dhuruar para për një bamirësi muajin e kaluar?”

Sipas raportit, ky është një tregues i qartë për një ndjenjë të angazhimit pozitiv të komunitetit dhe një mënyrë kyçe që njerëzit të lidhen me njëri-tjetrin. Hulumtimet tregojnë se në të gjitha kulturat, duke filluar nga fëmijëria e hershme, njerëzit tërhiqen nga sjelljet nga të cilat përfitojnë njerëzit e tjerë.

Shqipëria është ndër vendet më pak bujare të Europës, por rekordin (negativ) e mban Greqia, së bashku me Bullgarisë, Rumaninë, Portugalinë. Shtetasit e Kosovës sërish renditen shumë më mirë sesa ne, ndër 25 shtetet më bujare në botë.

Mbështetja e ulët e pritshme nga miqtë e të afërmit, së bashku me të ardhurat e ulëta për frymë, e perceptimin e lartë të korrupsionit janë disa nga faktorët që e rendisin Shqipërinë ndër shtetet më të palumtura të Europës.

Në raportin e fundit të Lumturisë, të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ka humbur një pozicion, duke u renditur në vendin e 91 nga 146 shtete gjithsej.

Nga vendet e Europës, Shqipëria lë pas Maqedoninë e Veriut (92), Turqinë (102) dhe Gjeorgjinë (106).

Ndonëse të ardhurat për frymë të Kosovës janë më të ulëta sesa të Shqipërisë, sërish shtetasit e Kosovës renditen shumë më mirë se Shqipëria në indeksin e lumturisë, pasi fitojnë pikë nga mbështetja e lartë, që kanë për njëri-tjetrin.

Kosova u rendit në vendin e 34 në botë dhe më e lumtura në rajon. Pas saj është Serbia në vendin e 45. Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi u renditën përkatësisht në vendin e 63-të dhe 71./ Express / KultPlus.com

Kuleba: Rusia ka vjedhur paqen e Evropës

Rusia jo vetëm që ka vjedhur territorin në Ukrainë, por edhe paqen në Evropë dhe stabilitetin në botë, sipas ministrit të Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

“[Rusia] ka shkatërruar parimet bazë të njerëzimit duke kryer mizori të papërshkrueshme”, shkroi Kuleba në një shkrim për edicionin e së dielës të së përditshmes gjermane ”Die Welt”.

”Asnjë paqe e vërtetë në rajon nuk do të ishte e mundur nëse Moska nuk mban përgjegjësi për të gjitha krimet e saj”, tha kryediplomati ukrainas.

”Shpresat për një shekull të 21-të paqeje u shuan herët”, shkruan Kuleba në artikull.

“Në vend të kësaj, Rusia na ka kthyer në një shekull të gjatë të 19-të të shënuar nga pushtimet koloniale”, shtoi ai.

“[Lufta në Ukrainë] ka treguar se siguria në rajon është e pandashme. Një kërcënim për një është një kërcënim për të gjithë”, sipas tij.

Kuleba hodhi poshtë thirrjet për negociata të shpejta midis Moskës dhe Kievit.

“Nëse ne duhet të bëjmë një gabim tani dhe të zgjedhim të shpërblejmë Putinin për agresionin e tij në çfarëdo forme, në vend që ta mposhtim atë si një mësim për të gjithë agresorët e tjerë të mundshëm, atëherë e ardhmja e Ukrainës, Evropës dhe mbarë botës do të jetë e rrezikuar”, tha ai.

”Paqja e vërtetë do të arrihet vetëm duke rivendosur kufirin e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës”, përfundon Kuleba në një shkrim për edicionin e së dielës të së përditshmes gjermane ”Die Welt”./ atsh / KultPlus.com

‘Shakespeare and Co’, libraria më e famshme në botë

“Dashuritë e mia ishin Adrienne Monnier dhe James Joyce dhe ‘Shakespearei and Company’”, shkruante Sylvia Beach, libraria legjendare parisiene e së cilës hapi dyert më shumë se 100 vjet më parë.

Bashkë me Monnierin, partnerja e saj jetësore dhe profesionale, La Maison des Amis des Livres, ishte një pikëtakim për njerëzit kryesorë të letrave franceze. Beach do të miqësohej me dy breza shkrimtarësh amerikanë, anglo-irlandezë dhe francezë, përfshirë André Gide, Paul Valéry, TS Eliot, Ezra Pound, Ernest Hemingway dhe, natyrisht, James Joyce.

Libraria e parë në gjuhën angleze dhe ajo në Paris mundësuan qasje të paparë për letërsinë anglo-amerikane për një popullatë xhepcekët të pasluftës që nuk kishin asnjë dyshkë për të blerë libra. Ishte gjithashtu edhe burimi kryesor i shpërndarjes së “revistave të vogla” avangarde, duke u bërë vendi i parë për botimin e disa prej poetëve, novelistëve dhe kritikëve më të rëndësishëm të dekadave të para të shekullit njëzet. Ata përfshinin revistën “Egoist” të Harriet Weaverit, që ishte e para që botoi veprën e Joyceit.

“Modernizmi mendohet të jetë i vështirë, por Beach asnjëherë nuk e pranoi këtë gjendje të tij”, thotë Keri Walsh, botuese e letrave të saj. Vlerësimi i thellë i Beachit për letërsinë bëri që ajo t’i inkurajonte vizitorët të shfletonin e të lexonin për orë të tëra pa qenë të obliguar të blinin libra. Kjo e bëri dyqanin e saj një port të natyrshëm thirrjeje për një valë shkrimtarësh anglo-irlandezë dhe amerikanë në kryeqendrën franceze në vitet ndërmjet luftërave.

Joyce arriti me mbështetësin e tij të flaktë Pound në verën e vitit 1920, i pasuar së shpejti nga TS Eliot dhe Wyndham Lewis. Ernest Hemingway, Thornton Wilder dhe Robert McAlmon erdhën vitin tjetër, kur libraria u zhvendos në hapësira të reja kundrejt Monnierit në “Rue de l’Odéon”.

Disa ishin vizitorë më të përhershëm sesa të tjerët, por për shumëkënd libraria mbeti vendtakimi i tyre, por edhe dhomë leximi, zyrë postale e këmbimore parash.

Pound, që e pa veten si zbulues i talentit të ri, e nxiti interesimin e Beachit në revistat e vogla. Ajo i përcillte dorëshkrimet e shkrimtarëve të rinj tek botuesit dhe promovonte me entuziazëm të rejat që shfaqeshin, përfshirë “Criterion” të TS Eliot. Beach e adhuronte Eliotin edhe para se të takoheshin, dhe dritarja e saj shfaqte veprat e tij e kështu rriteshin shitjet.

Hemingway do të bëhej një mik jete.

“Askush që e njoha nuk ishte më e dashur me mua”, kishte thënë për Beachin, që e lejoi atë të huazonte libra falas kur ai ishte tepër i varfër që të regjistrohej. Përmes librarisë ai do të bëhej mik i ngushtë me Poundin, i cili endej nëpër librari kur ai lexonte. Të dy u bënë bashkë dhe flisnin për letërsi.

“Ishte koha kur rrinte me Sylvia Beachin kur ai filloi më të vërtetë të zbulonte kush do të ishte si shkrimtar”, thotë Walsh për Hemingwayin.

Por është natyrisht Joyce, me të cilin “Shakespeare and Company” do të afrohej përgjithnjë. Kur “US Little Review”, e cila po botonte “Uliksin” me vazhdime, ishte paditur për paturpësi dhe ishte ndaluar që ta botonte më tej, Beach doli dhe ofroi botimin e krejt novelës.

“Ajo e pa si një mundësi profesionale. Ajo e njihte veprën dhe mendonte se ishte e jashtëzakonshme për librarinë e saj, por edhe për botën”, thotë Walsh.

Por mbase ajo nuk ishte në dijeni se çfarë do të përftonte. Beach përfundoi marrjen e regjistrimeve, nisi të punësonte daktilografë, lektorë, të kujdesej për nevojat e familjes së Joyceit dhe të bindte botuesin, Maurice Darantière, që të shtonte kohën e dorëshkrimit.

Botimi i saj u solli famë të përbotshme Joyceit, Beachit dhe “Shakespeareit and Company”, por gjatë kësaj kohe për pak sa nuk u shemb libraria. Dhe kjo nuk ndodhi për shkak se Joyce kishte zakonin që të ndihmonte fondin e librarisë.

Shfaqja e librit e ktheu librarinë në një Mekë për modernistët dhe lexuesit e tyre. Tani edhe Elioti, Poundi e McAlmoni shisnin, në mos më shumë, sesa Jamesi, Whitmani e Conradi.

Një stuhi botimesh risuese zuri vend brenda dhe rreth librarisë. Ardhja e Ford Maddox Fordit në Paris bëri që të fillonin punën me Pound për revistën jetëshkurtër, por me ndikim transatlantik.

Vepra kampione nga shkrimtarë amerikanë, ajo botoi E. E. Cummingsin, Poundin, Hemingwayin dhe McAlmonin.

Monnier e shpalosi punën e tyre para lexuesve frëngjishtfolës në zhurnalin e saj, Le Navire d’Argent, për të cilën bashkë me Beachin ajo e përktheu Eliotin. Pasi iu dha kontrata franceze për “Uliksin”, ajo nisi të botonte përkthimet e para franceze në revistën tjetër të vogël, “Commerce”.

Megjithatë, fërkimet mes përkthyesve tendosën marrëdhëniet mes tyre dhe Joyceit. Më pas gjërat u përkeqësuan ndjeshëm më 1932 kur, pavarësisht se kishte nisur një kontratë me Beachin, që i jepte të drejtat për Uliksin, ai më pas bëri trysni që të hiqte dorë nga këto të drejta, përpara se të hynte në kontratë me Random House.

“Bota ishte e tij”, psherëtinte Beach më vonë.

Humbja e të hyrave nga shitjet e “Uliksit” ishte kompensuar në shumë mënyra nga mungesa e kërkesave të vazhdueshme financiare të Joyceit, por megjithatë depresioni i viteve ‘30 pati pasoja të prekshme në “Shakespeare and Company”.

Miq besnikë si Gide dhe Valéry organizuan grupe miqsh për të mbështetur librarinë, duke nisur regjistrimet dhe organizuar lexime nga tashmë të famshmit Eliot dhe Hemingway.

Regjistrimet e mbajtën ujkun te dera, por atëherë ia behu lufta. Kur Beachi, ende e përkushtuar për veprat e Joyceit pavarësisht gjithçkaje kishte ngjarë, refuzoi të shiste kopjen e saj të fundit të “Zgjimi i fineganëve” për një oficer gjerman më 1941, ai kërcënoi se do të kthehej prapë e do të konfiskonte krejt librat e saj. Brenda një kohe të shkurtër, Beach ia doli të fshihte krejt librat e saj në apartamentin e saj në katin e katërt dhe të arratisej.

Sidoqoftë Beachi vazhdoi të jepte libra për miqtë e vjetër si Gide dhe Simone De Beauvoir, që kishin nisur të vizitonin librarinë në vitet ’30, dhe ca të rinj, përfshirë autorin e “Native Son” Richard Wright.

Beach do të pranonte nënshkrime nga Wright në librarinë e re, “Le Mistral”, që ishte ngritur nga një bashkatdhetar ekscentrik amerikan, George Whitman. Ai qe “frymëzuar krejtësisht nga ajo dhe donte të vazhdonte atë çfarë kishte bërë ajo”, thotë e bija e tij Sylvia Whitman, që e kishte marrë emrin prej Beachit.

Whitman ka mirëpritur një brez të ri shkrimtarësh, përfshirë Henry Millerin, Anaïs Ninin, Lawrence Durrellin dhe William Burroughsin, që bënin kërkime në Naked Lunch në librarinë mjekësore të dyqanit.

Në një darkë të mbajtur për James Jonesin, autor i “From Here to Eternity”, më 1958, në të cilën Whitmani kishte ftuar Beachin, ajo i kishte thënë atij se donte që ai t’i vinte emrin “Shakespeare and Company”. I ngazëllyer, Whitman e riemëroi dyqanin e tij në nderim të Beachit më 1964, dy vjet pas vdekjes së saj dhe në 400-vjetorin e lindjes së Shakespeareit.

Disa vite më vonë, në ditëlindjen e njëzetë të bijës së tij, ai ia dha asaj botimin e parë të “Uliksit”, me faqet ende të paprera. Nëse kjo përpjekje ishte për të bartur përgjegjësinë, Sylvias iu deshën disa vite për t’u bindur. Por tani ajo drejton “Shakespeare and Company” në të njëjtën mënyrë si Beach dhe i ati i saj. Pasi ka ngritur një festival letrar dhe një çmim të ri për novela, ajo tani po kuturis edhe me botime.

Kur Whitman foli për “BBC Culture”, ajo ishte në procesin e ngritjes së një ekspozite kushtuar për Beachin dhe njëqindvjetorin. “Jam mjaft e befasuar nga ajo si u vura në lëvizje nga kjo”, thotë ajo. “Mendoj se tash po e kuptoj sa e pranishme është ajo për ne këtu”.

Me vepra autorësh të promovuar nga Beach, që ende zënë vend të nderuar nëpër raftet e “Shakespeare and Company”, si mund të mos jetë ajo e pranishme? /KultPlus.com

Pianistja Melisa Ibrahimi realizon koncertin e dytë recital në Vjenë

Pianistja kosovare Melisa Ibrahimi ka realizuar koncertin e saj të dytë recital në Vjenë, përcjell KultPlus.

Ajo përmes në postimi në Facebook ka njoftuar se ka marrë shumë kritika të mira nga personalitete të muzikës klasike.

“Një publik i ngrohtë i Vjenës me duartrokitje shumë të gjata, i rikthyer dy herë në skenë për bis, kam marrë edhe shumë kritika të mrekullueshme nga personalitete të muzikës klasike! Falënderoj Profesoreshën time Alberta Troni që gjithmonë vazhdon të më shtyjë në rrugët e sukseseve. Përgjithmonë mirënjohës. Faleminderit për ftesën dhe këtë mundësi i nderuar z. Hans and Brahms Hall Salon! Shihemi shumë shpejt!”, ka shkruar Ibrahimi./ KultPlus.com

Gjen pas 10 vitesh mesazhin në një shishe, zbulon çfarë shkruhej në të

Anëtarja e një ekipi pastrimi plazhi në Australi gjeti një mesazh në një shishe që kishte 10 vjet në ujë. Ros Evans po pastronte me Beach Patrol 3280 në Warrnambool, kur gjeti shishen plastike që përmbante një mesazh të shkruar nga një vajzë 8-vjeçare.

“Unë quhem Ines Zapcan, jam 8 vjeç, kushdo që e gjen këtë shishe do të ketë fat të mirë për jetën nga unë dhe familja ime”, thuhej në mesazh.

Ndërkohë, Evans ishte në gjendje të gjente Zapcanin tashmë 18-vjeçare në Instagram.

“E dërgova atë shishe nga një skelë në Portland, Victoria, saktësisht 10 vjet më parë,” tha Zepcan në një mesazh për Evans. “Më vjen keq që nuk mundëm të dërgonim një milion paund së bashku me mesazhin, por jam shumë e lumtur që ju më keni kontaktuar, me të vërtetë ka sjellë shumë kujtime për mua dhe familjen time.”/abcnews.al/Kultplus.com

‘Kam mësuar’, mësimet më me vlerë nga William Shakespeare

“Kam mësuar” nga William Shakespeare përbën ndoshta mësimet më të mëdha të dramaturgut tënjohur anglez. Janë mësimet që autori ka nxjerrë përgjatë jetës së tij dhe që vendosi t’i ndante me të gjithë. Njëkohësisht, edhe pse kohërat kanë kaluar, janë mesazhet që vlejnë ende në ditët e sotme për të gjithë ne.

“Kam mësuar se nuk mund të kërkoj dashuri nga të gjithë. Unë mund t’u jap arsye të mira për tëmë pëlqyer dhe pastaj të tregoj durim që jeta të merret me pjesën e mbetur. Kam mësuar se pavarësisht se disa gjëra janë të rëndësishme për mua, disa njerëzve nuk u interesojnë ato dhe nuk kam pse t’i bind për t’i pëlqyer. Kam mësuar se mund të shpenzoj vite për të ndërtuar një tëvërtetë dhe ta shkatërroj atë në disa sekonda.

Unë mund ta përdor sharmin tim për 15 minuta, por pas kësaj duhet ta kuptoj për çfarë jam duke folur. Kam mësuar se mund ta bësh diçka në një minutë dhe pastaj të duhet të mbash përgjegjësi për atë gjë përgjatë gjithë jetës. Kam mësuar se mund të duhet shumë punë për t’u bërë personi që dëshiron të bëhesh, ama duhet të tregosh edhe durim. Por kam mësuar edhe se çdokush mund të shkojë përtej kufijve që i vendos vetes.

Kam mësuar se duhet të zgjedh midis kontrollit të mendimeve të mia, ose të jem i kontrolluar prej tyre. Kam mësuar se heronjtë janë njerëz që bëjnë atë që mendojnë se duhet të bëjnë në njëkohë të caktuar, pavarësisht frikërave të tyre.

Kam mësuar se falja kërkon shumë praktikë. Kam mësuar se në kohëra të vështira, ndihma mund të të jepet nga një person që kurrë nuk e mendoje se do të bënte mirë. Kam mësuar se nuk duhet t’i thuash asnjëherë një fëmije se ëndrrat e tij janë të pamundura për t’u realizuar. Kjo gjë mund të jetë tragjike për ta.

Kam mësuar se nuk mjafton të të falin të tjerët, duhet ta falësh fillimisht veten tënde. Kam mësuar se pavarësisht se zemra ime mund të lëndohet, bota nuk do të ndalet për këtë arsye. Kam mësuar se situatat e kaluara në fëmijërinë time janë përgjegjëse për atë që jam, por jo për zgjedhjet që unë bëj si një i rritur. Kam mësuar se kur dy njerëz debatojnë, kjo gjë nuk do të thotëse ata e urrejnë njëri-tjetrin. Nuk do të thotë as se e duan njëri-tjetrin.

Kam mësuar se sado t’i mbroj fëmijët e mi, ata do të lëndohen një ditë. Kjo gjë është pjesë e jetës. Kam mësuar se jeta ime mund të ndryshojë përgjithmonë në disa orë, për shkak të disa njerëzve që mund të mos i kem parë ndonjëherë më parë.

Kam mësuar se diplomat në mur nuk të bëjnë më të respektueshëm, apo më të zgjuar. Kam mësuar edhe se fjalët e dashurisë e humbasin kuptimin e tyre, kur përdoren pa pjekuri. Kam mësuar se disa njerëz largohen nga jeta jonë, edhe pse ne do të donim t’i kishim pranëpërgjithmonë. Kam mësuar, mbi të gjitha, se është e vështirë të jesh xhentil, të mos i lëndosh tëtjerët dhe të mësosh të luftosh për gjërat që beson”./bota.al/ KultPlus.com

Holanda hap një nga kopshtet më të mëdha të tulipanëve në botë

Kopshti holandez Keukenhof, i cili konsiderohet si një nga kopshtet më të mëdha të tulipanëve në botë, ka hapur dyert për vizitorët.

Kopshti shtrihet jo shumë larg qytetit Lisse. Keukenhof tërheq çdo vit jo vetëm përfaqësues të botës së biznesit të kopshtarisë, por edhe fotografë të shumtë dhe adhurues të tjerë të luleve me koncepte të ndryshme. Parku është emëruar sipas Kalasë Keukenhof.

Shtëpia e pothuajse çdo lloj tulipani, kopshti Keukenhof mirëpret më shumë se një milion vizitorë në vit. Për shkak të jetëgjatësisë së shkurtër të tulipanëve, kopshti qëndron i hapur nga data 23 mars deri më 14 maj. Tulipani merr formën e saj më të mirë në mes të prillit.

Këtë vit, në Keukenhof i cili shtrihet në 32 hektarë, 40 kopshtarë mbollën 7 milionë lule të më shumë se 1.600 llojeve, kryesisht tulipanë. Në park ka edhe një shteg ecjeje prej 15 kilometrash ndërsa në kopsht mbahen ekspozita të ndryshme.

Sipas të dhënave të Keukenhof, 80 për qind e vizitorëve janë turistë të huaj. Pas holandezëve, kopshti është më i vizituari nga gjermanët, britanikët, kinezët dhe amerikanët.

Keukenhof, i cili u themelua në vitin 1949 me idenë e mbajtjes së një ekspozite të përbashkët të 10 prodhuesve të tulipanëve, në vitin e parë u vizitua nga 236 mijë njerëz.

Keukenhof i kushton rëndësi të madhe kulturës, kështu që tulipanët e rritur në këtë kopsht janë emëruar sipas artistëve si Vincent van Gogh, Rembrandt dhe Andre Kuipers, Bach, Beethoven, Einstein, Kant, Marx dhe Goethe kanë këndet e tyre në kopsht. Kopshti gjithashtu njihet edhe si vendi ku bëhen më së shumti foto.

Çdo vit në Holandë mbillen mbi 4 miliardë tulipanë, ku gati gjysma e tyre eksportohen. Nga këto, 25 për qind eksportohet në SHBA ndërsa 60 për qind në vendet evropiane./KultPlus.com

Pas 80 viteve gjenden rrënojat e anijes së goditur nga një nëndetëse amerikane gjatë LIIB

Rrënojat e fatkeqësisë më të madhe detare në historinë e Australisë u zbuluan, më shumë se 80 viteve, pasi anija u godit nga një nëndetëse amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke vrarë rreth 1 060 persona, thanë sot organizatorët e kërkimit dhe qeveria.

”SS Montevideo Maru”, një anije transporti japoneze, u gjet në brigjet e Filipineve, në një thellësi prej më shumë se 4 000 metrash”, tha në një deklaratë fondacioni jofitimprurës ”Silentworld”.

“Vendndodhja e anijes së transportit ka qenë një mister, që kur ajo u godit me torpedo më 1 korrik 1942 nga ‘USS Sturgeon”, tha grupi i arkeologjisë detare.

Oficerët amerikanë në nëndetëse nuk e dinin që ”Montevideo Maru” mbante robër lufte dhe civilë.

Nga 1 060 që humbën jetën, rreth 980 ishin australianë – të paktën 850 prej tyre anëtarë të shërbimit.

Në total, ai transportonte njerëz nga 16 vende.

Anija japoneze po transportonte australianë dhe qytetarë të disa kombeve të tjera në ishullin Hainan nga Rabaul, në Guinenë e Re Papua, pasi qyteti i administruar nga Australia ra në duart e forcave japoneze.

“Më në fund, u gjet vendi i prehjes së shpirtrave të humbur të ‘Montevideo Maru”, tha kryeministri australian Anthony Albanese.

“Shpresojmë që lajmet e sotme të sjellin ngushëllim për të dashurit që kanë mbajtur një vigjilencë të gjatë”, shtoi ai.

Drejtori i ”Silentworld”, John Mullen, tha se zbulimi “mbyll një kapitull të tmerrshëm në historinë ushtarake dhe detare australiane”.

”Montevideo Maru” u gjet më 18 prill, pas vetëm 12 ditësh kërkime.

Mbytja u zbulua me ndihmën e një automjeti autonom nënujor.

Mbetjet qëndrojnë në një thellësi prej mbi 4 000 metrash nën det, më e madhe se rrënojat e ”Titanic”-ut.

“Sot ne kujtojmë shërbimin e tyre dhe humbjen e të gjithë atyre që ishin në bord, duke përfshirë 20 rojat dhe ekuipazhin japonez, marinarët norvegjezë dhe qindra civilë nga shumë kombe”, tha shefi i ushtrisë australiane, gjenerallejtënant Simon Stuart./KultPlus.com

‘S’ka rëndësi se sa ashpër më kundërvihet bota ngase brenda vetes kam diç më të fortë’


Poezi nga Albert Kamy
.

E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.

Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.

Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara. / KultPlus.com

Panairi i zejeve në Lezhë, ekspozohen punime me dorë edhe nga Kosova

Artizanë nga veriu i Shqipërisë dhe Kosova prezantuan punime të ndryshme në panairin “Arte dhe Zeje” në sheshin “Gjergj Kastrioti” në Lezhë.

Shumica e tyre gra, sjellim punime të bëra me dorë, që ruajnë traditën e lashtë dhe i trashëgojnë ato brez pas brezi.

“Ky panair organizohet jo vetëm për të promovuar vlera kulturore të krahinave të tyre, por edhe për të kujtuar traditat dhe punimet artizanale duke i trashëguar në breza për të mos i humbur”, tha, Dizi Brahimi, organizatore.

Disa nga artizanët thonë se kjo është një punë e vështire dhe e veçantë, që ka nevojë për më shumë mbështetje për të marrë vlerësimin e duhur.

Veshje tradicionale të punuar nga artizanët, u prezantuan në një sfilatë, ku binte në sy pasuria e ngjyrave dhe tradita e veriut të vendit dhe Kosovës./abcnews.al/KultPlus.com

‘Të dua, të dua, të dua dhe ti e disa herë s’ta kam thënë, ta kam fshehur, por je vetëm ti’

Poezia “Të dua”  nga Andi Bejtja

Sa herë dora ime prek trupin tënd të zhveshur
dhe shtrati i djersitur ngjan me një re,
me duart që të dridhen me sytë e një fëmije
papritur më pyet, “a ka të tjerë si ne”?

Pastaj ora ndalet dhe toka s’rrotullohet
hëna plasaritet, nuk fryn më as erë
me muskuj të tendosur në pritje të një britme
sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne”?!

Të dua, të dua, të dua – unë kaq di
të tjerat nuk i gjejmë nuk i gjejmë dot as unë, as ti.

Loti yt rrokulliset edhe zbret në gjoksin tim
ne botën nuk e njohim, parajsën e dimë
akrepat po lëvizin, toka rrotullohet
hëna e plotë – asgjë nuk pipëtin…

Të dua, të dua, të dua dhe ti e di
sa herë s’ta kam thënë, ta kam fshehur, por je vetëm ti.

Dhe ndiej dorën tënde mbi trupin tim të zhveshur
shrati i djersitur, kjo dritë kaq e zbehtë
me gjunjët e këputur, me sytë e përhumbur
tani unë të pyes: “a ka të tjerë si ne?!”

Dhe prapë ora ndalet dhe toka s’rrotullohet
hëna plasaritet, nuk fryn më as erë
me muskuj të tendosur, në pritje të një britme
sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne”? / KultPlus.com

Elon Musk padit Microsoft për përdorim të paautorizuar të të dhënave të Twitter-it

 Shefi ekzekutiv i Twitter-it, Elon Musk deklaroi se do të padisë Microsoft-in, të cilin e akuzon se ka përdorur të dhënat e platformës së tij të mediave sociale pa leje.

Sipas lajmit të BBC-së, Musk postoi në Twitter se Microsoft do të heqë Twitter-in nga platforma e saj e reklamave të korporatave. “Ata morën trajnime të paligjshme duke përdorur të dhënat e Twitter-it. Është koha e procesit gjyqësor”, tha Musk.

Megjithatë, ai nuk ndau asnjë provë apo ndonjë detaj për të mbështetur pretendimin e tij.

Në një postim të veçantë, Musk tha se ai është i hapur ndaj ideve për diskutimin e të dhënave të Twitter-it, por grabitja e bazës së të dhënave të Twitter-it, demonizimi i saj duke hequr reklamat dhe më pas shitja e të dhënave të tij tek të tjerët nuk është një zgjidhje fituese.

Microsoft-i nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me këtë çështje. Microsoft-i raportoi më parë se platforma e saj e reklamave nuk do të mbështesë më Twitter-in nga 25 prilli.

Si rezultat, blerësit e reklamave nuk do të jenë në gjendje të hyjnë në llogaritë e tyre në Twitter përmes mjetit të menaxhimit të mediave sociale të Microsoft-it. /KultPlus.com

William Shakespeare: Duaji të gjithë, besoju disave, mos i bëjë keq askujt

KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të famshme të William Shakespeare.

“Duaj vajzë, duaj marrësisht, dhe nëse të thonë që dashuria është mëkat, duaje mëkatin dhe do jesh e pafajshme.”

“Njeriu shpesh është Zot i fatit të vetë. Faji, i dashur Brutus, nuk është yjet tanë, por në vetën tonë.”

“Shpresa është rrënja e secilit dëshpërim.”

“Mos u zoto në Hënë, sepse ajo ndryshon vazhdimisht, e pastaj do të ndryshojë gjithashtu edhe dashuria juaj.”

“Ndonjëherë ne e urrejmë atë që më së shumti i frikësohemi.”

“A nuk e di se unë jam grua? Kur unë mendoj, më duhet patjetër të flasë.”

“Këto kënaqësi të dhunshme i kanë edhe përfundimet e dhunshme.”

“Duaji të gjithë, besoju disave, mos i bëjë keq askujt.”

“Mos keni frikë nga madhështia. Disa lindin të mëdhenjë, disa e arrijnë atë, ndërsa të tjerët madhështin e kanë të ngulur mbi vete.”

“Do të sfidoja në një betejë të mençurisë, por e shoh se je i paarmatosur.”

“Ferri është i zbrazët. Të gjithë djajtë janë këtu.”

“Mos e humbisni dashurinë tek dikush që nuk e vlerëson atë.”

“Dyshimet tona janë tradhëtare, sepse na bëjnë ta humbasim atë që shpesh mund ta fitojmë, duke na frikësuar të tentojmë.”

“Nuk dashurojnë ata që nuk e shfaqin dashurinë e tyre.”

“Mos keni frikë nga madhështia. Disa lindin të mëdhenjë, e disa e arrijnë, ndërsa të tjerët e kanë madhështin të ngulur mes tyre.”

“Ferri është i zbrazët. Të gjithë djajt janë këtu.”

“Ne e dim çka jemi, por nuk e dim çka mund të bëhemi.”

“Frikacakët vdesin mijëra herë para vdekjes; guximtari vdekjen e shijon vetëm njëherë.”

“Mos e humb dashurinë tënde aty ku ajo nuk vlerësohet.”

“Të lindësh është sikur të rrëmbehesh. Dhe pastaj të shitesh në skllavëri.”

“Për tu ngjitur kodrave të rrëpira nevojiten hapa të ngadalshëm në fillim.”

“Se e vërteta duhet të jetë e heshtur thuajse kisha harruar.”

“Heshtja shpesh e pafajësisë së pastër bind kur të folurit dështon.”

“Asgjë nuk është aq e shpeshtë sa dëshira për të qenë i mrekullueshëm.”

“Dashuria që nuk mund të e kemi është ajo që zgjat më së shumti, dhemb më së thelli, por ndihet më së forti.”

“Dashuria është e rëndë dhe e lehtë, e errët dhe ndriçuese, e nxehtë dhe e ftohtë, e shëndetshme dhe e sëmurë, e përgjumur dhe e zgjuar – dashuria është gjithçka përveç asaj që është.” / KultPlus.com

OKB: Shkrirja e akullnajave po thyen të gjitha rekordet

Akullnajat e botës u shkrinë në vitin 2022 me një shpejtësi dramatike dhe mbrojtja e tyre është në fakt një kauzë e humbur, deklaroi Oranizata e Kombeve të Bashkuara( OKB).

“Loja tashmë është e humbur për akullnajat sepse përqendrimi i CO2 është tashmë shumë i lartë,” tha Petteri Taalas, kreu i Organizatës Botërore Meteorologjike që publikoi raportin vjetor të gjendjes së klimës.

Sipas WMO, “akulli i detit Antarktik ka arritur nivelin e tij më të ulët në rekord dhe shkrirja e disa akullnajave evropiane ka thyer fjalë për fjalë rekorde”.

Temperatura mesatare globale në vitin 2022 ishte 1.15 gradë mbi mesataren e viteve 1850-1900, dhe vitet 2015 deri në 2022 ishin tetë vitet më të ngrohta që nga fillimi i rekordit instrumental në 1850.

Për më tepër, shkrirja e akullnajave dhe rritja e nivelit të detit, e cila përsëri arriti nivele rekord në 2022 do të vazhdojë për mijëra vjet”, sipas raportit të fundit vjetor nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), në Gjenevë. /KultPlus.com

Immagine relativa allo studio pubblicato dalla rivista Nature Geoscience. Che i ghiacciai di montagna che si stiano sciogliendo e’ un dato di fatto, ma secondo uno studio pubblicato dalla rivista Nature Geoscience il fenomeno è relativo praticamente solo agli ultimi 30 anni, quando il processo ha avuto un’accelerazione di 100 volte. I ricercatori guidati da Neil Glasser dell’università di Exeter hanno ideato un nuovo metodo per misurare gli oltre 270 ghiacciai della Patagonia, trovando che a partire dall’ultimo picco positivo, registrato a metà del diciassettesimo secolo, si sono sciolti oltre 600 chilometri cubici. ANSA / NEIL GLASSER – NATURE +++NO SALES – EDITORIAL USE ONLY+++

Dita e dytë e festivalit të filmit polak “Visua”

Dita e dytë e Festivalit te Filmit Polak “Visua”, solli për publikun, filmin fitues të disa çmimeve dhe nominuar nga European Film Awards, “Other People”, me regji të Aleksandra Terpinski.

Vetë regjisorja, e cila ka ardhur në Tiranë në kuadër të festivalit, mbajti një diskutim me publikun pas shfaqjes.

Ndërsa e diela solli në ekran filmin “Prindërit e çiftit” një komedi-dramë që zhvillohet pas një martese në të cilën nusja dhe dhëndri nuk shkëmbyen “po-në” e shenjtë. Askush nuk e di pse Łukasz, dhëndri, e ndërpreu lidhjen. Por të ftuarit që kanë ardhur, disa nga shumë larg, duhet të ftohen të paktën për darkë. Mbrapa sallës së dasmës, prindërit e të rinjve takohen duke u takuar njëkohësisht dy botë të ndryshme, nga klasa të ndryshme sociale. Fillimisht të dy palët shokohen por mbetet për t’u parë çfarë ka ndodhur vallë mes dhëndrit e nuses?

Ditën e hënë, salla e kinemasë rezervohet për dy orare në kuadër të festivalit: në orën 17:00 do të shfaqet një bllok filmash të shkurtër studentorë nga shkolla e filmit “Krzystof Kieslowkski” dhe në orën 19:00 nis shfaqja e filmit të gjatë “Amatorët”.

Ky është edicioni i dytë i festivalit “Visua”, që kësaj here vjen me organizimin e Agjencisë së Industrisë Kreative, si partner kryesor./atsh/KultPlus.com

33 vite nga vrasja e aktivistes Nurije Zeka

Kosova dhe historia e shqiptarëve në përgjithësi numëron shumë gra e vajza që u bënë heroina të historisë shqiptare, e tillë ishte edhe Nurije Zekaj nga fshati Raushiq i komunës së Pejës e cila në moshë të re iu bashkua karvanit për Pajtimin e Gjaqeve.

Nurie Zekaj u lind më 11 mars 1967 në fshatin Raushiq.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa, të mesmen në Gjimnazin “11 Maji“ (drejtimin e pedagogjisë) në Pejë.

Nurija ishte sdudente e vitit të tretë në Degen e Pedagogjisë në Fakultetn Filozofik të Prishtinës ku humbi jetën tragjikisht me 23 prill 1990.

Më 23 prill të vitit 1990 në një komplot të përgatitur nga shërbimet sekrete të shtetit të atëhershëm Jugosllav, në një aksident të orkestruar nga UDB-ja jugosllave, humbi jetën veprimtarja e shquar e çështjes kombëtare, Nurije Zekaj.

Nurije Zekaj është femra e parë e cila u bie në mend shqiptarëve sapo të kujtohet Lëvzja për Pajtimin e Gjaqeve.

Në atë botë Nurija edhe pse ishte vetëm 23 vjeçare, ishte në ballë të këtij aksioni bashkë me Anton Çetën dhe këto dy figura të shquara, njihen si simbolet e lëvizjes për pajtimin shqiptar.

Kujtojmë se në vitin 2012 Presidentja, Atifeten Jahjaga, pati dekoruar 30 personalitete në mesin e tyre edhe Nurije Zekaj, e cila mori dekoratën MEDALJA E PAQES DHE PAJTIMIT “ANTON ÇETTA” për kontributin e dhënë për paqen dhe pajtimin midis njerëzve./GazetaPapirus/KultPlus.com

“16.6 për qind e kosovarëve nuk lexojnë asnjë libër në vit”, të dhëna nga raporti hulumtues i shtëpisë botuese “Dukagjini” dhe organizatës ETEA

Një raport hulumtues i organizatës ETEA dhe shtëpisë botuese “Dukagjini” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, thotë se 16.6 përqind e qytetarëve të vendit nuk lexojnë asnjë libër në vit, përderisa 38.3 për qind e tyre thonë se lexojnë deri në 3 libra gjatë tërë vitit, shkruan KultPlus.com

Në hulumtimin me titull ‘Niveli i të lexuarit në Kosovë: Sfidat e të kultivuarit të një kulture leximi’, të realizuar gjatë muajve shkurt dhe mars 2023, dëshmohet edhe një herë interesimi i ulët të qytetarëve të vendit për leximin dhe librin në përgjithësi.

Edhe pse Kosova ka një numër të madh të qytetarëve të papunë, 67.5 për qind e tyre thonë që nuk kanë kohë për të lexuar libra, dhe se po të kishin më shumë kohë të lirë do të lexonin më shumë.

Në raport thuhet se 45. 8 përqind e popullsisë preferojnë që gjatë kohës së lirë to shohin programe argëtuese.

Vetëm 11.3 për qind e popullsisë arrin të përmendin vetëm një titull të librit, përderisa 52.24 për qind nuk arrijnë të listojnë tre tituj librash në total./ KultPlus.com

Përurohet dega kosovare e  Ambasadës Ndërkombëtare Krishtere në Jeruzalem, Kosova edhe njëherë dëshmon harmoninë e shkëlqyer ndërfetare, si vlerë e rrallë në botë

Hapja solemne e degës kosovare të Ambasadës Ndërkombëtare Krishtere në Jeruzalem, Kosovës i jep edhe një ngjyrim më shumë në harmoninë e nuancave fetare ekzistuese në Kosovë, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje e cila u zhvillua të shtunën, në ambientet e Hotelit Sirius në Prishtinë, tregon edhe njëherë për bashkëjetesën e shkëlqyer të feve të ndryshme në Kosovë, dhe po ashtu miqësinë dhe të kaluarën historike midis dy vendeve dhe popullsive, si ajo e hebrenjve dhe shqiptarëve.

Fjalimin më emocionues të kësaj ngjarje me vlerë të vyer për Kosovën dhe marrëdhëniet e saj me Izraelin dhe komunitetin e gjerë të kishave ungjillore anembanë botës, e mbajti një pastor i nderuar gjerman, i cili do të theksonte se për shkak të origjinës së tij nga Gjermania, vendi që ishte dikur përgjegjës për vrasjen makabre të gjashtë milionë hebrenjve të pafajshëm gjatë Holokaustit, ai ndihej edhe më i privilegjuar për praninë e tij në Prishtinë.

“Ishte prekës vlerësimi i tij pikërisht për shqiptarët, që nuk dorëzuan kurrsesi asnjë hebre të gjendur në gjirin e tyre dhe në trojet e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, përkundër trysnisë së ushtruar nga nazistët për këtë qëllim, jo vetëm duke i shpëtuar hebrenjtë e tyre, por duke u shtuar popullata me prejardhje hebraike në trojet shqiptarë pas këtij konflikti botëror, ndryshe thuajse nga çdo vend tjetër në Europë.”, thuhet në njoftim.

Më tutje në njoftim tregohet se mes himneve hebraike dhe biblike të kënduara mjeshtërisht, dhe lutjeve për mirëqenien dhe paqen në Kosovë dhe Izrael, fjalën gjithashtu e morën edhe pastorët Artur Krasniqi dhe Driton Krasniqi nga Kisha Bashkësia e Popullit të Zotit në Prishtinë, pranë së cilës tashmë do të ndodhet edhe Ambasada e Ndërkombëtare Krishtere në Jeruzalem.

Gjithashtu në këtë ngjarje të shënuar, u dëgjua edhe mesazhi i Ambasadores së Izraelit në Kosovës, shkëlqesisë së saj, zonjës Tamar Ziv, ndërsa fjalimi i aktivistit hebraik të Kosovës, Flori Zevi, u përqendrua në praninë historike të hebrenjve në Kosovë, në kontributin e tyre në shoqërinë kosovare, dhe në gjendjen e këtij komuniteti në ditët e sotme, midis Prishtinës dhe Prizrenit.

Më pas gjithçka u kremtua me një koktej të rastit, ku edhe u përurua zyrtarisht Ambasada Ndërkombëtare Krishtere në Jeruzalem, në mjediset e Kishës Bashkësia e Popullit të Zotit./KultPlus.com

Fondi i Bibliotekës Kombëtare në Shqipëri pasurohet me paisje të teknologjisë së lartë

Në Ditën Botërore të Librit, Fondi i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë është pasuruar me pajisje të reja të teknologjisë së lartë, të cilat i mundësojnë bibliotekës për të ruajtur librat dhe për të publikuar online, shkruan KultPlus.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë është pasuruar me: servera, skanerë të librave dhe barkodeve, laptopë, tabletë, pastrues të specializuar, dezinfektues dhe makina e deacidifikimit.

“Falë programit #EU4Culture Fondi i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë është pasuruar me pajisje të reja të teknologjisë së lartë. Këto pajisje moderne, si servera, skanerët e librave dhe barkodeve, laptopët, tabletët, pastruesit e specializuar, dezinfektuesit, ​​makinat e deacidifikimit, do të rrisin më shumë mundësitë e bibliotekës për të ruajtur librat dhe publikuar online.”, thuhet në njoftimin e Ministres Elva Margariti./KultPlus.com

Lettres Champenoises (1820)/ Pas Mbretëreshës së Anglisë, personazhi që zë më shumë vëmendjen e publikut është pashai i famshëm i Janinës

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Prill 2023

“Lettres champenoises” kanë botuar, më 1820, në faqet n°226 – 228, një shkrim mbi Ali Pashë Tepelenën (Janinën), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Pas Mbretëreshës së Anglisë, personazhi që zë më shumë vëmendjen e publikut është pashai i famshëm i Janinës, i cili ka hedhur zgjedhën dhe është bërë i pavarur nga Porta.

Nëse despotizmi bëhet burrë, me siguri që ai dë të përhapet në botë nëpërmjet Aliut. Thuhet se thesaret e tij, të cilat qëndrojnë në pasazhe të mëdha nëntokësore dhe që mund të krahasohen me ato të Abulkasemit, në “Një mijë e një net”, arrijnë në dyqind milionë.

Kjo shumë e madhe është fryt i plaçkitjeve, grabitjeve dhe mizorive të tij. Kushdo që gjendej në sundimin e saj, nëse dyshohej se ishte i pasur, vihej menjëherë në shënjestrën e tij; e cila ishte e barazvlefshme me një dënim me vdekje. Atij i ka ndodhur të rrafshojë fshatra të tërë për t’u marrë atë që kishin.

Ai komunikonte shpesh me Bonapartin, sepse kishte dëgjuar se ai ishte një njeri që e kuptonte despotizmin në mënyrë të admirueshme; madje pretendohet se ai fshehurazi ishte xheloz. Ai foli për këtë një ditë me Z. de Pouqueville dhe e pyeti se çfarë dobie kishte për të një organ legjislativ :

— Për të bërë ligje, u përgjigj Z. de Poucqueville.

— Çfarë, ligje! Pra, ekzistojnë gjëra të tjera përtej vullneteve të tij?

— Pa dyshim, madje ka edhe disa anëtarë të këtij organi legjislativ që kanë guxuar t’i thonë të vërtetën, dhe Z. de Poucqueville përmendi emrat e Z. Laîné dhe Z. Raynouard.

— Dhe çfarë u bë me ta?

— Ata jetojnë.

— Ata jetojnë!!! Ky është Bonaparti juaj! mos më flisni më për këtë.

Ali Pasha është mbi gjashtëdhjetë vjeç; e mundon përdhesi, i cili e pengon të hipë në kalë.

Porta po bën përgatitje të jashtëzakonshme kundër tij dhe po përgatitet për ta sulmuar nga toka dhe nga deti.Këto përgatitje e shqetësojnë shumë; dhe duket se kjo luftë do t’i japë fund si pushtetit, ashtu edhe mizorive të tij./KultPlus.com

Mehmet Kraja në ditën e librit: Shkruani bukur dhe bëjeni botën një vend më të mirë

Në Ditën Botërore të Librit, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja , ka uruar komunitetin e shkrimtarëve me mesazhin për të shkruar bukur dhe për ta bërë botën një vend më të mirë, shkruan KultPlus.com.

Akademik Kraja, ka thënë se gjuha dhe shkrimi janë mrekulli të universit, dhe se shkrimtarët janë të vetmit të cilët mund të depërtojnë brenda vetes dhe njeriut duke parë pjesën emocionale dhe duke gërmuar edhe më tej pjesë të pa zbuluara.

KultPlus ju sjellë postimin e plotë të akademik Mehmet Krajës në facebook:

Shkrimtarë, autorë!

Sot është dita juaj. Shkruani bukur dhe bëjeni botën më të mirë. Ju e dini se librat janë për ëndërrimtarët, por ju e dini po ashtu se libri është një oqean fjalësh, se gjuha dhe shkrimi janë mrekulli të universit. Ju e dini gjithashtu se afër jush rrinë shumë fjalë të gënjeshtërta dhe dinake!

Ju jeni të vetmit që e dini se fjalët kanë ngjyra; ju jeni të vetmit që mund të dëgjoni si klith heshtja; ju jeni të vetmit që e shihni dritën që vjen nga zemra e errësirës. Ju mund t’i shihni njerëzit në sy, derisa të pikasni dhembjen dhe trishtimin në thellësi të tyre. Sepse ju e dini se depërtimin e mendjes në gjëra të panjohura, e zbulon vetëm dhembja!

Vetëm ju mund ta shihni shiun që vrapon pas një reje!

Ju e dini se nganjëherë humbja është më dinjitoze se ngadhënjimi, sepse çdo fund i lumtur është një histori që nuk ka përfunduar ende!/ KultPlus.com