Tre vjet pa Rikard Ljarja, aktori karizmatik i sa e sa roleve

Tri vjet më parë u nda nga jeta Rikard Ljarja, aktor, regjisor dhe skenarist.

Ljarja lindi më 1 prill 1943 në Shkodër. Në vitin 1960 mbaroi maturën dhe në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu” në Tiranë.

Pas diplomimit, punoi për 8 vjet me radhë si aktor i teatrit “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga Kinostudio. Prej vitit 1996 deri në 2002, kur doli në pension, shërbeu si drejtor artistik në Televizionin Publik Shqiptar.

Aktori karizmatik, realizues i sa e sa roleve, ka mbetur në kujtesën e publikut si fillrojtësi Dedë tek “Rrugë të bardha”, mësuesi Dritan Shkabaj tek “Komisari i dritës” apo Skënderi tek “Duel i heshtur”.

Rikard Ljarja mbetet ende një prej aktorëve më të dashur prej publikut. / atsh / KultPlus.com

Letra që Napoleon Bonaparti i dërgoi Ali Pashë Tepelenës nga Malta

Nga Aurenc Bebja

Në librin “Œuvres de Napoléon Bonaparte, Tome 2, 1821 – Vepra të Napoleon Bonapartit, Vëllimi 2, 1821”, gjejmë dy letra ekskluzive (f. 230 – 231) ku Napoleon Bonaparti, pas pushtimit të Maltës, kërkonte të komunikonte me Ali Pashë Tepelenën, përmbajtjen e të cilave Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Maltë, 17 qershor 1798.

Shtetasit Lavalette,

Shtetas, “L’Arthémise” ka urdhërin që t’ju ankorojë në bregdetin e Shqipërisë dhe t’ju vendosë në gjendje të bisedoni me Ali Pashën. Letra e bashkangjitur që do të duhet t’i jepni atij, nuk përmban asgjë tjetër veçse t’i jepni besueshmëri asaj që do t’i thoni dhe ta ftoni që t’ju japë një mënyrë të sigurt për të folur vetëm me të.Do t’ia jepni vetë letrën e përmendur, në mënyrë që të siguroheni se do ta lexojë vetë.

Pas kësaj, ju do t’i thoni atij se, pasi sapo kam pushtuar Maltën dhe duke u gjendur në këto dete (ujëra) me tridhjetë anije dhe pesëdhjetë mijë burra, do të kem marrëdhënie me të dhe se dua të di nëse mund të mbështetem tek ai; se do të doja që edhe ai të dërgonte pranë meje, duke e hipur në fregatë, një njeri fisnik dhe që do të kishte besimin e tij; se për shërbimet që u ka bërë francezëve, për trimërinë dhe guximin e tij, nëse më tregon besim dhe dëshiron të më ndihmojë, unë mund t’ia shtoj shumë lavdinë dhe fatin e tij.

Në përgjithësi do të mbani shënim gjithçka që ju thotë Ali Pasha dhe do të hipni sërish në fregatë për të ardhur tek unë dhe do të më raportoni për gjithçka që keni bërë.

Duke kaluar nëpër Korfuz, ju do t’i thoni gjeneralit Chabot të na dërgojë anije të ngarkuara me dru dhe t’u bëjë një shpallje banorëve të ishujve të ndryshëm që t’i dërgojnë skuadriljes verë, rrush të thatë dhe se do të paguhen mirë për këtë. 

BONAPARTI

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Maltë, 17 qershor 1798.

Ali Pashës,

Miku im shumë i respektuar, pasi ju kam ofruar urimet e mia më të mira për begatinë dhe ruajtjen e jetës tuaj, kam nderin t’ju informoj se e njoh prej kohësh lidhjen (simpatinë) që keni për republikën franceze, gjë që do të më bënte të dëshiroja të gjeja një mënyrë për t’ju dhënë prova të vlerësimit që kam për ju.

Meqë sot rasti mu duk i favorshëm, u nxitova t’ju shkruaj këtë letër miqësore,dhe kam udhëzuar një nga ndihmësit e mi në terren që t’jua sjellë, t’jua dorëzojë personalisht.

E kam porositur gjithashtu që t’ju bëjë disa propozime në emrin tim dhe meqë nuk e njeh gjuhën tuaj, ju lutemi të zgjidhni një përkthyes besnik dhe të besueshëm për bisedimet që do të ketë me ju.

Ju lutem t’i jepni besueshmëri gjithçkaje që ai ju thotë nga ana ime dhe ta ktheni menjëherë tek unë me një përgjigje të shkruar në turqisht nga vetë dora juaj.

Ju lutem pranoni urimet e mia të mira dhe sigurinë e përkushtimit tim të sinqertë. 

BONAPARTI

https://www.darsiani.com/la-gazette/1798-letra-qe-napoleon-bonaparti-i-dergoi-ali-pashe-tepelenes-nga-malta/ / KultPlus.com

Eklipsi i rrallë hibrid ndodh pas gati 10 vitesh

Një eklips diellor hibrid, i pari i këtij lloji në gati 10 vjet u shfaq të mërkurën. Gjatë kësaj ngjarjeje të rrallë qiellore, hëna kaloi midis Tokës dhe Diellit duke përfshirë pjesë të Australisë, Timorit Lindor dhe Indonezisë.

Eklipsi hibrid filloi mbrëmjen e së mërkurës dhe zgjati deri në orët e mëngjesit, sipas EarthSky.

I njohur ndryshe si një eklips unazor total, një eklips hibrid është një funksion i lakimit të Tokës.

Për shkak të afërsisë së tyre me hënën, në disa zona hëna do të duket të jetë e njëjtë me madhësinë e diellit ndërsa njerëzit në vende të tjera do ta perceptojnë hënën si më të vogël se dielli.

Një eklips total, i krijuar nga hija qendrore dhe më e errët e hënës, shkakton një errësim të shkurtër të qiellit, pasi hëna bllokon pothuajse të gjithë diellin. / KultPlus.com

Përzgjedhje nga krijimtaria letrare e Ymer Elshanit, shkrimtari që u masakrua nga paramilitarët serbë

Jusuf Buxhovi

Opusi letrar i njërit ndër shkrimtarët tanë më të njohur për fëmijë, Ymer Elshanit, u ndërpre dhunshëm, në prillin e vitit 1999, kur bashkë me një pjesë të familjes u masakrua nga paramilitarët serbë. E bija, Teuta, prej kohësh është përkujdesur që vepra letrare e të etë, në disa vëllime me vjersha, tregime dhe romane, të prezantohet si një tërësi. Së fundit, kemi botimin e një përzgjedhje prej katër veprash: romaneve “Aventurat mbi trotinetin e vjetër” dhe “Ndodhitë e Hundëkarotës” , tregimeve të përzgjedhura për fëmijë, “Planeti i mirësisë” si dhe vëllimit me poezi “Kur vallëzojnë buzëqeshjet”, të përzgjedhura nga kritiku letrar Anton Nikë Berisha.

Katër veprat e përzgjedhura nga krijimtaria letrare, nxjerrin në pah vlerat e veçanata letrare të Ymer Elshanit në prozë dhe poezi, të cilat pasqyrohen në këto dy romane të botuara për herë të parë në vitet e shtatëdhjeta, me të cilat asokohe Elshani tërhoqi vëmendjen. Kjo vlen veçmas për romanin “Ndodhitë e Hundëkarrotës” (1971), prozë kjo, që më të drejtë, nga kritika letrare u vlerësua vepër që solli një frymë të re në prozën tonë për fëmijë. Por, njësoj u prit edhe roman tjetër “Avanturat në trotinetin e vjetër” (1975), për të cilën mund të thuhet se radhitët ndër rimanët më të mira të prozës sonë për fëmijë.

Në këtë përzgjedhje të veprave të Ymer Elshanit është përfshirë edhe vëllimi me poezi “Kur vallëzojnë buzëqeshjet”, nën përkujdesjen e kritikut letrar Anton Nikë Berisha. Poezitë përcillen edhe me pareathënie të Berishës rreth opusit të gjithëmbarshëm të Ymer Elshanit për fëmijë, që përfshinë disa vepra. Për Berishën “poezia për fëmijë e Ymer Elshanit mbruhet nga një art i opasur që i jep asaj përmasën e gjithëkohëisi dhe se çështjet që shqiptohen nëpërmjet tekstit poetik janë të lidhura ngushtë me botën e tyre të fëmijëve, me gëzimet dhe me shqetësimet; ato janë veçanti të jetës së tyre të sotme, po do të jenë të tilla ose të ngjashme edhe në të ardhmen”. / KultPlus.com

Bajroni: Gratë shqiptare në rast rreziku shkojnë në luftë përkrah burrave dhe kurrë nuk dorëzohen për të mbrojtur nderin e tyre

Si mësuese letërsie prej më shumë se tri dekada,kam pasur fatin qe ta studioj dhe ta komentoj veprën e Bajronit me nxënësit e shkollës së mesme. E shoh me vend për situatën e tanishme të bëjmë një udhëtim imagjinar me Bajronin nepër trojet shqiptare, në ato vende,ku i ka lënë të shkruara në kujtimet e tij .

Nuk di deri më sot të jetë bërë një promovim kaqë i detajuar i Bukurive natyrore dhe njerëzore të Shqipërisë siç e ka bërë Bajroni për ne. Nuk ka dokument më autentik se letrat e Bajronit drejtuar nënës dhe miqëve të tij ,200 vjet më parë,që vertetojnë vendbanimet shqiptare deri në Prevezë,ku ai i përshkoi me këmbë.

Brezi i ri duhet ta njohi këte poet, si njeri me temperament të lirë,me aftësi dhe mprehtësi konceptimi,me pjekuri dhe prirje drejt virtytit.Edhe pse mbarte titullin Lord, dëshironte të ishte pranë njerëzive të thjeshtë dhe të eksploronte në vende të pashkelura, të cilat i gjeti, kur erdhi në Shqipëri.
Eshtë krenari për ne shqiptarët, që një i huaj,si Lordi Bajron t’i drejtohet Shqipërisë me këto vargje:”Shqipëri,lejomë të kthej sytë e mi // Mbi ty,o nënë e rreptë burrash t’egër.

Shqipëria për Bajronin qe një botë sa e fshehur aq dhe interesante ku shkruan “Me të vërtetë që unë e kam parë Shqipërinë më shumë se kushdo anglez tjetër, sepse është vend i vizituar rrallë,ndonëse i bollshëm në stoli natyrore .
“Në vendet e Ilirisë dhe të Epirit ka vende pa emër dhe lumenj të pahedhur në hartë,mundet që një ditë, kur të njihen më shumë, të jenë temat më të çmuara e të dorës së parë për penën”….

Ai nga leximet e veta dinte, se Shekspiri i kishte vendosur disa ngjarje në Iliri.Kjo e la me kuptue se këto vise nuk ishin të zbrazta,por kishin vlera historike, kulturore dhe pasuri shpirtërore. Qëndrimi i tij në Patra ,në Prevezë,në gjirin e Artës drejtë Tepelenës,….në majat e Papingjit ……. mrekullohesh duke thënë “Kudo që shohim : rrotull,sipër,poshtë,na lë pa mend magjia ngjyrë ylberi..të gjithë njerëzit që takuam me fustanellat e bardha përshëndetnin shqiptarçe,ushtarët nuk dallohen nga fshatarët nga veshja, të gjithë mbajnë armë të stolisura…..Kur arritëm në Epirin e qëmotshëm,afër malit të Tomorrit,u mirëpritëm nga i pari i vendit Ali Pasha.”

Duke qëndruar në ato vende,kishte mësuar se deri ku shtriheshin krahinat shqipfolëse,si provincë e Turqisë Evropiane ………”Në perëndim ka gjirin e Venecias,në lindje Maqedoninë,Thesalinë dhe Greqinë.Ndërsa në jug mbërrinë deri në gjiun e Lepantos ose , gjiri i Artës”

Tablonë e Shqipërisë së jugut,sidomos pjesën e Çamërisë,poeti anglez e paraqiti me admirim.Ashtu siç bëri më vonë anglezja Meri Edith Durham për Shqipërinë e veriut.
Të dy bashkë e plotësojnë tablonë e Shqipërisë dhe shqiptarët i përshkruajnë trima, të ndershëm dhe bujarë,edhe në varfërinë e tyre.

Kur Bajroni mbërriti në Qefaloni,suliotët të përqëndruar në lartësitë në lindje te Paramithisë, dëgjoheshin së tepërmi me kapedanin e tyre, Marko Boçari.Ata ishin thjeshtë shqiptarë. Ja disa vargje nga “Çajld Harold” ,-Kush ia shkon në trimëri suliotit brun//Me të bardhë fustanellë e me gunë”

Ishin suliotët ata që kërkonin ta kishin si prijës Bajronin në periudhën e Revolucionit Grek.Ishin ata që Bajroni i vlerësonte si luftëtarët më të mirë dhe më besnikë.Edhe pse për Bajronin ishte një detyrë përtej mundësive të poetit, Ai e mori përsipër sepse i printe Ideali i Lirisë,para të cilit nuk tërhiqej kurrë.

Historianët kanë faktuar se Gjon Boçari (paraardhësi i Marko Boçarit) ka qenë një nga luftëtarët më besnikë të Skenderbeut,prandaj Bajroni i drejtohet Shqipërisë:

“O Shqipëri,ku lindi Iskanderi,këngë e trimërisë,fanar i të urtëve.//Dhe Iskanderi tjetër që i tmerroi armiqtë me kordhen e tij kreshnike.(Thuhet se Aleksandri i Maqedonisë e kishte nënen epirote P.L.) Në letrat dërguar miqëve shkruante :

“I dua shumë shqiptarët….nuk janë të gjithë myslimanë,disa nga fiset janë të krishterë, porse feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre dhe se janë kaq tolerantë dhe kaq të lirë në paragjykimet fetare..Me sa kam parë vetë….Ata shëmbëllejnë me malësorët e Skocisë,në veshje,në fytyrë dhe në mënyrën e jetesës,trupi i tyre i hollë dhe i gjatë,dialekti keltik dhe zakonet e tyre te rrepta më shpien në Morven .”

Duke u nisur nga këto vlerësime që Bajroni u bënte shqiptarëve,Marko Boçari i përgjigjet letrës së Bajronit “Ju falenderoj për mendimin e mirë që keni për bashkatdhetarët e mi.

Ju falenderoj akoma më shumë për kujdesin,që me kaq zemërgjerësi keni treguar për ta, Me besnikëri, Marko Boçari”

Bajroni duke qenë për një kohë në mes të shqiptarëve,kishte mësuar edhe shumë fjalë shqip ,që i duheshin për të komunikuar.
Interes kishte për këngët popullore siç janë vargjet
e këngës,Tamburxhi, në veprën e tij “Çajd Harold”
“Tamburxhi,Tamburxhi,//Kushtrimi yt u jep shpresë trimave në luftë i cyt //
Ngrihen bijt e maleve si ndonjë sqotë//Himariotë,Ilirë,ezmerët suliotë”
Polifoninë e kishte për zemër, Ai mundi të regjistronte fjalët e disa kengeve popullore:
Në sevda tënde u lavosa//Vetëm u përvëlofsha,//Ah,vajzë më përvëlofshe,//Zemërën më lavose,//Unë të thashë rroba s’dua//Po sytë e vetullat e tua.

Këte këngë Byron edhe e përktheu:”I am wounded thy love,and have loved,//but to scorch muself .// Thou hast consumed me! //Ah maid !Thou has struck me to the heart//
I have said I wish no downy,//But thine eyes and eyelashes//”

Keto këngë Byron i këndonte në shtëpi dhe në rrethe të ngushta.

Kishin kaluar 5 vjet që Bajroni ishte larguar nga Shqipëria,por kënga i zgjoi kujtimin e atij vendi të mrekullueshëm duke u thënë miqëve së bashku me poetin Shellin, me të cilët po bënte një shetitje në Liqenin e Gjenevës:”Tani bëhuni sentimentalë e dëgjomëni me tërë vëmendjen tuaj “Dhe melodia e këngës labe tingëlloi fuqishëm dhe mori udhë bashkë me valet e liqenit.
Shumë pëlqente meloditë baritore, i kishte mbetur në mendje,një djalë 15 vjeçar që kishte bërë një fyell prej krahut të shqiponjës nga ku nxirrte melodi rrenqethëse.

Bajroni kur ishte në Shqipëri, argëtohej duke parë vallet e bukura,sidomos ato me karakter luftarak,që shoqëroheshin me këngë trimërie dhe kërceheshin rreth zjarrit para ose pas përpjekjeve e luftimeve.Sidomos vallja Çame,vallja e vjetër e Konispolit me ate çastin kulminant kur valltari përkulet pas në “urë” me kokën mbështetur përdhe,të tjerët kalojnë mbi gjoksin e tij,duke shprehur kështu guximin e sakrificën sepse: armiqtë do ta shkelin këte truall ,vetëm kur të shkelin mbi gjokset e tyre.

Bajroni pëlqente akoma më shumë veshjen shqiptare,të cilën e quante,petkun më të bukur në botë.”Shih të egrin shqiptar me fustanellë // e rrobat të qëndisura me arë,//

Armët të lara me flori,sa bukur!”

I mahnitur nga kjo bukuri,Bajroni kishte marrë disa veshje popullore .Me kostumin shqiptar Ai pozoi për piktorin Tomas Filips. Ky portret ndodhet në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër (National Portrait Gallery) dhe paraqitet në çdo botim të denjë për Bajronin.
Duke qenë Bajroni përhapës i tematikës shqiptare,me përmbledhjen e këngëve
popullore shqiptare u bë objekt studimi nga albanologët si Gustav Myer,apo baronesha Xhuzepina Knorr,albanologe e njohur austriake, cila për misionin e
Bajronit u shpreh: “T’i bësh mirë njerëzimit është dëshira më bujare” Ndërsa për letrën e Bajronit dërguar nënës së tij ajo thekson se Bajroni e ka marre frymëzimin për Liri nga shqiptarët.
Për burrat shqiptarë ,- shkruan Bajroni – kanë trupa shumë të mirë,nuk shquhen si
kalorës,por në këmbë janë të palodhur dhe shumë të duruar.Armën kur e hedhin supit të djathtë e mbajnë pa asnjë sforcim,ndërsa vrapojnë përpjetë maleve të tyre me lehtësi e zhdërvjelltësi.Ndoshta jane raca më e bukur në botë.

Nga tiparet edhe gratë janë të hijëshme,vajzat arnaute janë shumë të bukura dhe kostumi i tyre është shumë piktoresk.Ata edhe hijeshine e trupit e ruajnë më gjatë pasi rrojnë përjashta në ajër të lirë.Ata bëjnë jetë patriarkale,por kjo ndrydhje e përkohshme e personalitetit të tyre u duket e natyrshme,madje u jep krahë për të gjetur kuptimin e jetës në dashurinë dhe detyrën amtare.Janë po ata gra që në raste rreziku e nevoje shkojnë në luftë përkrah burrave dhe kurrë nuk dorëzohen për të mbrojtur nderin e tyre…..Ishin gratë e fshatit Dhoksat që ndërtuan urën e prishur nga përroi i rrëmbyer,kur morën vesh se do të kalonim ne në udhën e bllokuar nga gurët”

Edhe një numër piktorësh u frymëzuan nga vepra e Bajronit si Eugene Delacroix(1798-1863).
Nuk është rastësi që Delakrua,i cili nuk erdhi kurrë në Shqipëri, por u frymëzua nga vepra e Bajronit duke dhënë kryevepra me temën Suliotët si “Burrë me veshje suliote”, “Etyd për Boçarin”.etj.
Apo kështu Arry Scheffer me pikturën “Gratë e Sulit” frymëzohet nga Bajron për aktin heroik të suliotëve.

Mbi të gjitha, vepra e Bajronit frymëzoi luftëtarët e Lirisë dhe pati jehonë në të gjithë botën,në Spanjë lufta kundër pushtuesit Francez e përjetësuar me vargjet “Vajza e Saragosës “në veprën “Çajld Harold”.Në Itali në luftën kundër pushtimit austriak, ku Bajroni mori pjesë në lëvizjen e Karbunarëve. Më vonë projektuesi i bashkimit të Italisë, Giuzeppe Mazzini.,i çoi më tutje idetë për liri,pavarësi dhe unitet për mbarë Evropën.Vlen për t’u përmendur ndikimi tek arbëreshët,të cilët e treguan veten si luftëtarë të Garibaldit.Pa përmendur,De Raden,Dora D’Istria,Kulluriotin ,Rilindësit tanë, të cilët e kishin në qendër të vëmendjes,Lirinë ,Pavarësinë dhe bashkimin e shqiptarëve .

Jehona e poetit të lirisë arriti deri në Amerikë:Ishte koha e ashpërsimit të kontradiktave ndërmjet pushtuesve anglezë dhe kolonive në Amerikën e Veriut që arriti në luftë të armatosur, deri në fitoren e pavarësise.Ai e gjeti veten të përshkruar në gazetat e kohës si poeti më i preferuar i amerikanëve “The favourite poet of the Americans”

Në Shqipëri,Bajroni njohu një popull kryengritës,të lirë e të pavarur në shpirt,trim, besnik,të paepur,krenar,të ndershëm e mikpritës,me të cilët luftoi në “Betejën e Mesolongjit “.

Jehona e tematikës shqiptare në botë në sajë të veprave të Bajronit ishte shumë e gjerë dhe me shtrirje të madhe në kohë.Të gjitha këto shtojnë nderimin dhe mirënjohjen e popullit shqiptar për Bajronin,të cilin askush s’e detyroi të pohonte kaq hapur në favor të shqiptarëve.Bajroni të gjitha këto i gjeti të mbjellura në tokën e Ilirëve, në Sul,Paramithi, në Çamëri.Edhe sot vepra e e Bajronit është nxitje për brezat,për të njohur trojet e shqiptarëve dhe trimëritë e tyre ,që luftuan me Bajronin,prijësin e tyre ,së bashku me luftëtarët grek kundër pushtuesve turq deri në pavarësi,për të cilin vend Bajroni dha edhe jetën.

Vdekja e Bajronit në Greqi është simboli më i bukur i misionit të artit. Bajroni kishte bërë një betim,pa kushte, me kauzën e popullit kur thotë: “Për ty Greqi dhashë gjithçka …..tani po jap edhe jetën.” I gjithë ky angazhim i mendimit dhe veprimit të Bajronit në luftën për liri të popujve kishte të vetmin ideal, emancipimin e shoqërisë njerëzore.Kështu poezia e tij e realizoi misionin e vet, për atëhere edhe për sot, për të zgjidhur kontradiktat mes popujve,si në rastin e shqiptarëve me fqinjët.Në rastin në fjalë,luftëtarët e Sulit dhanë jetën, kundër pushtuesit otoman për lirinë dhe pavarësinë e Greqisë dhe sot shtetet përkatëse duhet t’i venë në ballancë veprimet e tyre në aleanca të ndershme për t’i bërë ballë sfidave të kohës,me urtësi,paqë e drejtësi. Pertefe Leka /KultPlus.com

Twitter etiketon postimet fyese, pa i eliminuar ato

Gjiganti Twitter do të prezantojë etiketa të reja që informojnë përdoruesit për natyrën problematike të disa cicërimave.

Vullneti i rrjetit social të drejtuar nga Elon Musk është të zvogëlojë dukshmërinë e përmbajtjeve të tilla, pa i censuruar apo eliminuar ato fare, një mënyrë për të rritur transparencën e platformës, edhe në favor të investitorëve.

Kjo nuk është një risi e vërtetë, duke qenë se Twitter tashmë kufizon shfaqjen e tweet-eve që janë në kundërshtim me rregullat, por është një mënyrë për të sqaruar më mirë disa procese.

Etiketa është në fakt një menu e klikueshme e cila, kur hapet, do të shpjegojë arsyet e kufizimeve. Ekipi i Twitter, i reduktuar në mënyrë drastike pas shkarkimit të adminit të ri Elon Musk që nga ardhja e tij në vitin 2022, do të fillojë të nxjerrë në pah postimet që përdorin gjuhë fyese, si ndaj përdoruesve të tjerë, ashtu edhe në përgjithësi.

Gjatë muajve të ardhshëm do të aplikohen “filtra” të tjerë, të cilët do të mundësojnë identifikimin e përmbajtjeve të mëtejshme të papërshtatshme, duke përfshirë foto dhe video./KultPlus.com

Mbi 100 botime nga Shqipëria në panairin e librit në Leipzig

Shqipëria do të marrë pjesë në panairin e librit në Leipzig 2023 në bashkëpunim me projektin TRADUKI, ku këtë vit vendet e Evropës Juglindore prezantojnë letërsinë dhe autorët e tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada gjermane në Tiranë, e cila informon se, nga data 27 deri më 30 prill në “Traduki Kafana” do të zhvillohen më shumë se 15 evente.

Ambasada bën të ditur se, “Shqipëria shkon në Panairin e Librit në Leipzig 2023 me një katalog me mbi 100 botime të reja të suksesshme të vitit të kaluar. Aktivitetet letrare fokusohen në njohjen e autorëve të rinj premtues që janë vlerësuar me çmime të rëndësishme letrare”.

Në bashkëpunim me Tradukin, autorja Lindita Arapi prezanton librin e saj “Motrat Shqiptare” dhe Arian Leka librin e tij “Porta e Mbyllur”. Lindita Arapi është një shkrimtare dhe gazetare shqiptare me banim në Gjermani. Në vitin 2011, romani i saj i parë “Vajzat me çelës në qafë” u vlerësua si Libri i Vitit në Shqipëri.

Arian Leka është një poet dhe eseist shqiptar i cili ka marrë disa çmime letrare./ KultPlus.com

23.03.2019, Sachsen, Leipzig: Besucher der Leipziger Buchmesse gehen in der Glashalle über eine Treppe mit dem Logo der Messe. Die Buchmesse findet noch bis zum 24.03.2019 statt. Foto: Jan Woitas/dpa-Zentralbild/dpa

Miss Qyqja, Miss Histeria, Miss Shtriga …, epitetet thumbuese të Haveit

Grupi i katër grave që përbëjnë “Haveit” e që janë të zëshme për të drejtat e vajzave dhe grave kanë lansuar edhe projektin e tyre të fundit, projekt në të cilin kanë përfshirë epitete që janë të shpeshta në shoqërinë tonë, epitete që i drejtohen vajzave dhe grave.

Për të luftuar këtë dukuri, gratë e Haveit kanë realizuar një fotosesion duke përfshirë epitetet: qyqe, histeri, shtrigë e kurvë, e që nëpërmjet kësaj kauze, natyrisht synojnë ngritjen e vetëdijes se si të drejtohen vajzave dhe grave.

“Rol i lëkundshëm në këtë shoqëri: shtrigë, kurvë…
Lufta e Gruas Histori e pazaptuar,
E drejta e gruas: kaq e errët, kaq provokuese
Si ti kënaqë, si ti mallkojë.
Djegni hijen time”, kanë shkruar në faqen e tyre, duke ia bashkangjitë edhe fotografitë të cilat KultPlus ju sjell në tregim./KultPlus.com

Charles Darwin: Njeriu që guxon të humbasë një orë kohë, nuk e ka zbuluar vlerën e jetës

Disa thënie për jetën.

“Mendoj se të biesh në dashuri me jetën është çelësi i rinisë së përjetshme” – Doug Hutchison

“Jeni në këtë botë vetëm për një vizitë të shkurtër. Mos u ngutni, mos u shqetësoni. Dhe sigurohuni që t’u merrni erë luleve rrugës” – Walter Hagen

“Njeriu që guxon të humbasë një orë kohë, nuk e ka zbuluar vlerën e jetës”– Charles Darwin

“Nëse jeta do të ishte e parashikueshme, ajo do të pushonte së qeni jetë dhe do të ishte pa aromë” – Eleanor Roosevelt

“E gjithë jeta është një eksperiment. Sa më shumë eksperimente të bëni, aq më mirë” – Ralph Waldo Emerson

“E gjithë jeta është maja malesh dhe lugina. Mos lejoni që majat të jenë shumë të larta dhe luginat shumë të ulëta: – John Wooden

“Misioni im në jetë nuk është thjesht të mbijetoj, por të lulëzoj; dhe ta bëj këtë me pak pasion, pak dhembshuri, pak humor, dhe pak stil” – Maya Angelou

“Jeta është si të ngasësh një biçikletë. Për të mbajtur ekuilibrin, duhet të vazhdosh të lëvizësh” –Albert Ajnshtajn

“Gjëja më e rëndësishme është të kënaqeni me jetën tuaj – të jeni të lumtur – kjo është gjithçka që ka rëndësi – Audrey Hepburn

“Jeta është e shkurtër. E ke ti në dorë që ta bësh të ëmbël” – Sarah Louise Delany

“Gjithmonë më pëlqen të shikoj anën optimiste të jetës, por jam mjaftueshëm realist për të ditur se jeta është një çështje komplekse” – Walt Disney / KultPlus.com

Ndërthurje zhanresh, Geasy e Kresha bashkë me Inva Mulën prezantojnë projektin “Jem njo” (VIDEO)

Këngëtarët e njohur Ghetto Geasy dhe MC Kresha kanë bashkuar forcat së bashku për të kurorëzuar bashkëpunimin e tyre të parë së bashku me ikonën e muzikës, Inva Mula, shkruan KultPlus.

Kënga me titull “Jem njo” është publikuar sot në orën 18:00.

Teksti është shkruar nga reperët Geasy dhe Kresha.

Këngën mund ta dëgjoni duke klikuar në linkun më poshtë:

Kënga ka arritur më shumë se 30 mijë klikime tri orë pas lansimit. /KultPlus.com

Lord Bajroni në letrën dërguar nënës: I dua shqiptarët shumë, janë të ashpër, por janë raca më e bukur në botë

Poeti romantik anglez, Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey. Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë.

Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.

Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.

Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Të gjithë shqiptaret janë të lindur të ndershëm dhe besnik, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”

Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare. / KultPlus.com

Elektrifikimi i Gjirokastrës, ekspozitë me foto të centralit të parë me ndihmën e italianëve

Më 28 Nëntor 1932, datë që përkoi edhe me përvjetorin e 20-të të Pavarësisë Gjirokastra festoi njëherazi festën kombëtare dhe elektrifikimin e lagjeve dhe banesave kryesore, duke u renditur mes të parave qytete që përqafuan zhvillimet në teknologji.

91 vite më parë u vu në funksion centrali elektrik i ndërtuar me ekspertizë italiane si një dëshmi e hershme e industrializimit dhe tendecës për të sjellë frymë perëndimore.

Në një ceremoni të veçantë shoqëruar me memorie fotografike dhe filmike të rrugës së gjatë të dritës qyteti nderoi këtë rrugëtim dhe disa prej kontributorëve kryesore ndër vite.

Anesti Kosta që ka shërbyer për më shumë se 40 vjet në ndërmarrjen elektrike dhe që i përmblodhi të gjitha kujtimet dhe dëshmitë e kohës në një libër foli për rrugëtim të gjatë dhe qindra elektricistë që i dhanë kuptim eventeve kryesore që ka jetuar Gjirokastra ndër vite.

Në ceremoni u nderuan me certifikata mirënjohjeje 8 punonjës të spikatur të ndërmarrjes elektrike mes të cilëve edhe elektricistë që nuk jetojnë më. Vetëm gjatë 3 viteve të fundit në Gjirokastër kanë humbur jetën në krye të detyrës 4 elektricistë./ KultPlus.com

Finlanda ofron pushime falas për të mësuar vizitorët se si të jenë të lumtur

Vitet e fundit nuk kanë qenë aspak të lehta. Koronavirusi, rritjet e vazhdueshme, presioni, luftërat që shpërthyen e bënë shumë të vështirë nëse ndihemi të lumtur. Pavarësisht gjithë kësaj, Finlanda ka ruajtur vendin e parë në listën e banorëve më të lumtur për gjashtë vjet radhazi. Vendi nordik kryesoi Raportin e OKB- së për Lumturinë Botërore 2023 bazuar në të ardhurat e kombeve, shëndetin mendor dhe fizik dhe lirinë.

Finlandezët duket se e dinë vërtet se çfarë po bëjnë kur bëhet fjalë për lumturinë dhe tani vendi ka njoftuar se do të ndajë ‘recetën e tij sekrete’ për lumturinë.

Po, e keni lexuar mirë: Finlanda do të ofrojë ‘Mësime në Gëzimi’ plotësisht falas. Për të qenë të saktë, 10 persona do të mund të marrin pjesë në Masterclass of Happiness për katër ditë. Ekspertët do t’i mësojnë grupit të njerëzve që do të jenë në vend se si të gjejnë ekuilibrin e tyre të brendshëm dhe të lidhen me natyrën dhe veten. Masterclass do të zhvillohet nga 12 deri më 15 qershor.

Ata që dëshironin të merrnin pjesë duhej të plotësonin një aplikim online, të cilin mund ta gjeni këtu dhe të ndiqnin një sfidë të vogël në rrjetet sociale. Megjithëse regjistrimi online ka përfunduar, llogaria në Instagram mund t’ju japë shumë ide se si edhe ju mund të jeni të lumtur duke jetuar mënyrën finlandeze të jetesës.

Duke shpjeguar frymëzimin pas masterklasës për herë të parë, Heli Jimenez, drejtuese e programit pas masterklasës, tha: “Një pyetje që ne shpesh bëjmë është: ‘Si je kaq i lumtur?’ Ne besojmë se lumturia finlandeze buron nga një marrëdhënie e ngushtë me natyrën dhe nga mënyra jonë e jetesës me këmbë në tokë: nuk është një gjendje mistike, por një aftësi që mund të mësohet dhe të ndahet. Tani ne duam t’i ndihmojmë njerëzit të gjejnë dhe zotërojnë këtë mentalitet finlandez. Ne zgjodhëm trajnerët më të mirë, një nga resortet më emocionuese në Finlandë, në natyrën finlandeze dhe një periudhë të hershme vere për klasën tonë master.“/ KultPlus.com

Del në ankand birra e përgatitur 86 vjet më parë, për kurorëzimin e Eduardit VIII

Birra, e bërë për kurorëzimin e Eduardit të planifikuar për vitin 1937, u vendos në ruajtje në fund të vitit 1936. Ajo u zbulua sërish në vitin 2011, gjatë rinovimit të bodrumit të fabrikës së birrës “Green King”.

Birra e bërë nga elbi anglez, nuk është konsumuar kurrë dhe do të dalë në ankand për bamirësi.

Sipas raporteve, paratë e mbledhura nga ankandi do t’i dhurohen një qendre bamirësie të themeluar në vitin 1976 nga Mbreti aktual Charles III.

Fabrika e birrës “Green King” thotë se birra në momentin e prodhimit kishte 12 për qind alkool, por që tani nuk mund të pihet dhe do të shitet ekskluzivisht për t’u koleksionuar./ KultPlus.com

Ermonela Jaho zgjedhet ‘Artistja e Vitit’ nga International Classical Music Awards

Sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho, është nderuar me çmimin ‘Artistja e Vitit’ nga International Classical Music Awards, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Jaho përmes një postimi në Facebook.

Në vijim gjeni postimin e plotë:

Nderuar që jam zgjedhur « Artisti i Vitit « =

(Nga International Classical Music Aëards)

“Me bukurinë unike të zërit të saj të lavdishëm, të udhëhequr në mënyrë të sigurt dhe shkëlqyes vezullues, Ermonela Jaho magjeps me estetikën e saj të pastër vokale. Por kjo është vetëm njëra anë e artit të madh të këngëtares, tjetra është prania e saj teatrale elektrizuese. Pak këngëtarë e arrijnë një të tillë. shkallë e lartë e identifikimit me rolet e tyre, një vërtetësi kaq totale dhe emocion thellësisht prekës. Pasi del në skenë, Ermonela Jaho hedh si një mantel personalitetin e saj dhe mishëron plotësisht personazhin që duhet të interpretojë.”

https://www.icma-info.com/winners-2023/

Faleminderit ♥️🙏🏼./ KultPlus.com

Guy Ritchie paditet për plagjiaturën e filmit “The Gentlemen”

Guy Ritchie thuhet se po përballet me një padi për filmin e tij “The Gentlemen”, me skenaristin Mickey De Hara që pretendon se regjisori britanik ka kopjuar skena nga një skenar që ai i kishte dorëzuar.

Filmi i vitit 2020 ndjek një tregtar droge, të luajtur nga Matthew McConaughey, i cili përpiqet të shesë perandorinë e tij.

Akuza për Guy Ritchie

Në një padi të ngritur në Gjykatën e Lartë të Londrës muajin e kaluar, sipas Variety, De Hara pretendon se Guy Ritchie e ngarkoi atë të shkruante një vazhdim të filmit RockNRolla të vitit 2008 bazuar në “përvojat e tij personale të jetës” pasi dikur ishte dënuar për posedim kokaine dhe kanabis “me qëllim furnizimi” për të cilin u përball me burg.

Di Hara thuhet se pretendon se në vitin 2018, pasi i dërgoi Ritchie skenarin e tij për një protagonist që drejton një biznes marijuanë, Ritchie i tha atij se projekti nuk do të ndodhte.

Filmi The Gentlemen u publikua dy vjet më vonë dhe De Hara pretendon se është një riprodhim i skenarit të tij. Sipas padisë, filmi kopjoi personazhet e De Hara-s dhe “aspektet unike të komplotit” të skenarit të tij. Shikoni pamjet nga filmi:

Skenaristi pretendon se pas publikimit të filmit, ai i dërgoi një mesazh Richie duke thënë se sa të ngjashëm ishin të dy projektet dhe regjisori u përgjigj: “Mickey, unë dhe njerëzit e mi jemi përpjekur të kemi kontakt me ty prej disa vitesh. Nuk pati asnjë përgjigje. Jam i lumtur që do të ulemi dhe do të diskutojmë”.

De Hara mohon që Ritchie u përpoq të kontaktonte me të për këtë çështje përpara publikimit të filmit. Guy Ritchie thuhet se refuzoi kërkesën e skenaristit për të përfshirë emrin e tij në titullin e filmit, por sugjeroi që ai të vlerësohej si skenarist në një projekt tjetër, në të cilin ai nuk ishte i përfshirë.

De Hara po kërkon 250,000 dollarë “për veprën e tij origjinale të përdorur në filmin “The Gentlemen” pa pëlqimin e tij dhe pa pagesën e tarifës së rënë dakord”./abcnews.al/ KultPlus.com

Të rinjtë mësojnë për xhubletën, veshja 4 mijë vjeçare është pasuri e UNESCO

Të rinjve në Shkodër po iu mësohet si punohet xhubleta. Veshja tradicionale e grave të veriut, e vjetër 4 mijë vjet ka qenë në fokus të aktivitetit të organizuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër, me nxënës të shkollës teknologjike ” Hamdi Bushati” dhe asaj artistike ” Prenk Jakova”.

“Jam duke qendisur punën zinxhir, kemi qenë te shtëpia e Oso Kukës dhe morëm ide për xhubletën”.

“Jam duke punuar xhubletën, teknikë në pikturë”, ka thënë një tjetër.

Synimi është njohja e të rinjve me trashëgiminë kulturore dhe mbrojtja e saj.

Ndënëset po përformojnë në mënyra të ndryshme me elemente të zanatit të aplikuar të jetë një pikënisje për sensibilkimin e tyre dhe bashkëmoshatarëve të tyre,”, ka thënë përfaqësuesi i DRKK Shkodër, Petrit Nilali.

Xhubleta është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit. Veshja tradicionale unike në llojin e saj u mor në mbrojtje nga Unesco nëntorin e vitit të kaluar. /abcnews.al/ KultPlus.com

Poezia ka fuqinë e stuhisë

Poezi nga Herman Çuka

poezia ka fuqinë
e stuhisë
(…)
çlirimin e rrezes së diellit,
agimit, mbi butësinë e trëndafilit

hapat provukuese të tangos
harmoninë e valsit

oshëtimën e oqeanit
shushurimën e burimit

marrinë e erës
në buzët e fundvjeshtës
fjollën e dëborës mbi pëllëmbë
ledhatimin e flladit të pranverës
krahët e fluturës
zukatjen e bletës

aromën e shiut t’verës
mbi barin e kositur
dridhjen e lulekuqes
në arat me grurë,
aromën e trupit të gruas lëshuar
në shtratin e dashurimit

klithmën e shtërgut
cicërimën e harabelit

vrapin e pelës së egër
në stepat e pashkelura
prej gjahtarit
me dhimbjen e skllavit

gëzimin e fëmijës
puthjen e nënës
urtësinë e babait
lotin e burrit,
dhe shi’lotin e largët
prej të dashurit

guximin e të marrit
të krijojë kaosin,
paskëtaj të lindë rikrijimin
(…)
poesia është liria e shpirtit
muzikë e ardhur prej qiellit / KultPlus.com

Dilema e Charels Darwinit: Të martohem apo të mos martohem?!

Shkencëtari i njohur anglez nuk mund të rrinte pa gruan që e rrëmbeu me një vështrim. Ja çfarë i shkruan ai më 2 janar 1839 Emma Wedgwood.

“Nuk mund ta shpreh se sa e shijova vizitën në Maer, sepse ndjeva qetësinë e jetës sime të ardhshme. Sa shumë shpresoj se do të jesh aq e lumtur sa unë di! Po frikësohem sa herë që mendoj pjesë e ç’familje ke qenë. Po mendoja sot në mëngjes se si ndodhi që unë, një njeri kaq i dhënë pas të folurit dhe rrallëherë në humor jo të mirë, e mbështeta nocionin tim mbi lumturinë, te qetësia dhe vetmia.

Por besoj se shpjegimi është shumë i thjeshtë. Gjatë pesë viteve të udhëtimit tim (dhe, mund të shtoj, edhe këtu dy të fundit), që për nga mënyra aktive me të cilën u jetuan, mund të thuhet se janë fillimi i jetës sime të vërtetë, gjithë kënaqësia ime rridhte nga ajo çka kalonte në mendjen time, ndërsa admiroja pamjet duke udhëtuar përgjatë shkretëtirave të egra, ose pyjeve të lavdishme.

Të kërkoj ndjesë për kaq shumë egoizëm! Ta shpreh ty, sepse mendoj se do të më japësh formë më njerëzore dhe së shpejti do të më mësosh se ekziston një lumturi më e madhe se krijimi i teorive dhe mbledhja e fakteve në heshtje dhe vetmi” .

Charels Darwin është një ndër shkencëtarët e njohur .Ai argumentoi se të gritha speciet e jetës kanë prejardhje të përbashkët dhe propozoi teorinë shkencore se evolucioni është një proces.

Kur, në vitin 1836 Charles-i i kthye në shtëpi nga udhëtimi i tij pesëvjeçar rreth botës, që përfshiu udhëtimin në ishujt Galapagos, kishte filluar tashmë ta shihte jetën dhe krijimin në një mënyrë të re. E ndërsa i bënte komplimente Emma WedgWood-it, kushërirës së tij, ai vendosi të martohej me të.

Charles-i shkarraviti mendime të shpërndara mbi karrierën dhe perspektivën në dy copa letrash, një me shtyllë “Të martohem” dhe një të titulluar “Të mos martohem”. Avantazhet përfshinin “shoqëri e vazhdueshme dhe një mikeshë në pleqëri…, sidoqoftë më mirë se qeni”, përkundër pikave si “Më pak para për libra” dhe “Humbje e tmerrshme kohe”.

Ata u martuan në 29 janar 1839. Charles-i dhe Emma patën 10 fëmijë bashkë. Tre prej fëmijëve vdiqën. Vdekja e vajzës së tyre, Annie, sigurish u hapi plagë në zemra. Ajo humbje mund t’i kishte ndarë përgjithmonë.

Por humbja forcoi besimin e Emmës dhe, nga ana tjetër, mbylli derën e besimit te Zoti për Charles-in. Megjithatë, ata luftuan për martesën e tyre. Ditën që vdiq Annie, Emma i shkroi Charles-it: “Duhet të kujtosh që je thesari im kryesor (dhe ke qenë gjithmonë)”.

Charles-i dhe Emma jetuan të martuar për 43 vjet. Emma, e cila më parë nuk kishte qenë fare e interesuar për shkencën, këtë herë ju bashkua bashkëshortit. Në fund, secili prej tyre pranoi dhe, me sa duket vërtetë kuptoi, çfarë besonte tjetri. Charels Darwin vdiq më 19 prill 1882 dhe u varros në Westminster, pranë Isaac Newton. /filozofia.al/ KultPlus.com

Monedha e artë romake e gjetur në Pompei shitet për 22 mijë e 400 dollarë në ankand

Një monedhë romake ari që feston pushtimin e Britanisë nga Perandori Claudius – një monedhë e zbuluar për herë të parë në vitin 1895 në hirin e Pompeit – është shitur në ankand për gati 22 mijë e 400 dollarë.

Ekspertët thanë se nuk ishin të befasuar që monedha, e lidhur me dy nga ngjarjet më dramatike të botës së lashtë, arriti një çmim kaq fantastik në ankand, vuri në dukje i njëjti burim.

Monedha e vogël, e cila ka parë një interes të madh nga koleksionistët dhe muzetë në të gjithë Evropën, shihet si edhe më e vlefshme tani që gjuetia e thesarit është e ndaluar në zonat e mbrojtura nga UNESCO përreth Pompeit, tha SWNS.

Antikuarët e gjetën për herë të parë monedhën në vitin 1895 nën tumat e hirit vullkanik brenda vilës romake të shkatërruar dhe ruajtur nga shpërthimi i Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit.

Shpërthimi i Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit vrau mbi 16,000 banorë të qytetit dhe rrethinave të tij përreth, duke përfshirë qytetin e vogël Herculaneum dhe qytete dhe fshatra të tjerë në rajon në bregun e Amalfit.

Monedha u zbulua së bashku me trupin e një shërbëtori në dhomën e shtypjes së verës të Villa della Pisanella në periferi të qytetit Boscoréale, vuri në dukje SWNS.

Temperaturat vullkanike të shpërthimit e tonifikuan monedhën me një nuancë dalluese të kuqërremtë.

Kjo monedhë e veçantë u varros mjaft thellë nën hi, saqë shkëlqimi i saj i artë u ruajt.

Sidoqoftë, kjo monedhë e veçantë u varros mjaft thellë nën hi, saqë shkëlqimi i saj i artë u ruajt, tha SWNS.

Monedha vlerësohet të ketë qenë me vlerë ekuivalente me pagën e barabartë me gjashtë deri në tetë javë për një ushtar mesatar romak, tha SWNS./klankosova/KultPlus.com

Nënshkruhet akti ligjor i BE-së: Nga janari pa viza në Evropë

Ky nënshkrim vjen një ditë pasi Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për heqjen e vizave për Kosovën,  duke përmbyllur kështu procedurat vendimmarrëse për këtë çështje. Miratimi u bë pa votim, pasi nuk pati asnjë kundërshtim, dhe i hapi rrugën qytetarëve të Kosovës që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është në Strasburgut, ku po merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, ku është ftuar edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Bislimi do të mbajë një konferencë për media në Parlamentin Evropian, së bashku me Eurodeputetin dhe Raportuesin për Kosovën për çështjen e vizave Thijs Reuten, me fillim nga ora 15:15 / rtk./ KultPlus.com

Rita Ora zbulon datën e publikimit të albumit: Është si ditari im i viteve të fundit

Rita Ora ka paralajmëruar albumin e ri “YOU & I” teksa ka zbuluar edhe datën e publikimit, shkruan KultPlus.

14 korriki është rezervuar për këtë prurje të re muzikore, por albumi është i disponueshëm për ta porositur qysh tani.

Ora është shprehur se ky album është si një ditar i viteve të fundit për të.

“Albumi im i tretë “YOU & I” do të dalë më 14 KORRIK dhe është i disponueshëm për ta porositur TANI. https://RitaOra.lnk.to/YouAndIFA

Ky album do të thotë vërtet shumë për mua – është si ditari im i viteve të fundit, është tingulli im dhe thjesht ndihet kaq i vërtetë për mua dhe për atë se kush jam sot.

Mirë se vini në epokën e re, RO3 po vjen. Shijoni historinë time të dashurisë për ju!”, shkruan Rita. / KultPlus.com

Ermonela, po sikur të kishe hapur një Big Brother?

Mentor Kikia

Ermonela Jaho erdhi në Tiranë të bënte një kurs, “master class”, për disa ditë, për studentët dhe pedagogët e rinj të kantos. Por u zhgënjye shumë, sepse në sallë nuk ishte asnjë student dhe asnjë pedagog. Zhurmës së krijuar, iu përgjigj një nga pedagogët e kantos, i cili tha se ne të rriturve na i kanë dhënë leksionet njerëz më të zotë se Ermonela, ndërsa studentëve ua kemi mësuar ne, kështu që s’kanë as ata nevojë. Me pak fjalë, Ermonelës i thanë: “U bëre ti të vish të na mësosh neve. Këto që na thua ti, ne i dimë me mire se ti”. Ndoshta pedagogët mund ta ndjenin të panevojshëm leksionin e Ermoneles, por studentët do të duhej ta kishin për nder. Sepse Ermonela është sot në majën e suksesit në fushën e saj, në të gjithë botën.

Padyshim që Ermonela e mori vesh qe bëhej fjalë për xhelozi dhe cmirë. Është genetike kjo. U bëre ti, kush je ti, nga na dole ti?

Por, të ishte thjeshtë dhe vetëm geni i kapadaiut, do të ishte e keqja më e vogël. Ka një problem shumë më të madh sesa ky.

Ermonela, i ke parasysh programet televizive që bëjnë eksperimente sociale?

Me këtë popull është bërë një eksperiment social masiv. I pari në botë. Si do të sillet një popull nëse i ndërpret kulturën?

Eksperimenti konsistonte në disa faza:

-U prishën kinematë. Në çdo qytet, njëra pas tjetrës ato u shfarosën dhe në vend të tyre u ndërtuan pallate e qendra tregtare. Sot shqiptarët nuk shkojnë askund në kinema. Edhe nja dy kinema private që janë, nuk mbushen asnjëherë sepse turma eksperimentale u largua nga kinemaja.

-U prishën teatrot. Diku u shkallmuan me themel e diku thjeshtë u zhbënë. Edhe aty ku janë në këmbë si ndërtesa, kanë vetëm pastrues e punëtor skene, por jo aktorë. Sallat e tyre mbushen vetëm kur kanë takime elektorale partitë politike.

-U shkatërrua humori, si gjini e artit. Ai vdiq bashkë me mjeshtrat e tij, që ikën njëri past tjetrit nga kjo botë dhe nuk u zëvendësuan më. Shqiptarët nuk dinë të qeshin. Vakumi u mbush me ca programe televizive që degjeneruan shpejt në banalitete ordinere.

-U shkatërruan qendrat kulturore dhe edukative për fëmijë, kur të vegjlit të kalojnë kohë në mënyrë të kulturuar e të ushqejnë talentet e tyre.

-U braktisën gradualisht bibliotekat dhe libri.

-Nuk ka kionemtografi. Ca filma që prodhohen modestisht kanë gjithmonë në qendër një vajzë prostitutë dhe një djalë tutor dhe filmat më të shikuar janë ende ata të realizmit socialist.

-Në festivalet e muzikës i këndohet edhe “të bardhës”, “të kuqes” dhe “jeshiles”, dhe prezantueset i nxjerrin lakuriq që të rritet audienca.

Kishte ndodhur dekulturalizmi i një populli…..

Ndërkohë që ti Ermonela i ftoje studentët e kantos të vinin të të dëgjonin ty, jashtë ndodhte diçka tjetër.

Ke dëgjuar ti për Mevlanin e “Përputhen”i? Jo? Kur shkote Mevlani nëpër qytetet e Shqipërisë, lëshoheshin lukunia, burra, gra, fëmijë, të rinj që ta shikon nga afër, ta preknin për të parë nëse është real apo është mirazh. Bënin foto, i merrnin autografe… Nëse shkon ti, as do ti bejë ndërmend njeriu…

I njeh ti Ermonela Luizin dhe Kiarën? Ata janë sot njerëzit më të famshëm në Shqipëri dhe diasporë. Do të thuash çfarë bëjnë këta që janë të famshëm? Kiara është e dashura e Luizit, ndërsa Luizi është i dashuri i Kiarës dhe puthen nën jorgan. Ti ke vetëm 13 mijë ndjekës në rrjet, ata kanë nga 1 milion.

Big Brotheri nuk mbaron Ermonela, sepse populli duartroket dhe programi zgjatet. Njësoj si ti në skene, kur pasi ke kënduar adhuruesit nuk të lënë të largohesh nga skena. Fiks njësoj. Por ti s’je aq e famshme sa Kiara.

E megjithatë Big Brotheri do të mbarojë një ditë. Por turma do të argëtohet sërish. Një tjetër program po bëhet gati. “Ishulli i Dashurisë” quhet. Ndryshe nga BB, atje gocat thuhet se nuk do të kenë bikini fare. Madje do të bëjnë dashuri Live, që ti shikojmë të gjithë. Për një javë kishin shprehur interes 30 mijë të rinj për tu bërë pjesë e këtij show, që duan të bëhen të famshëm.

Eh sa do të kënaqemi moj Ermonela!

Por te kthehemi tek eksperimenti. Ndërpreja e kulturës, një shoqëri e shndërroi shumë shpejt në një turmë.

Të nderuar miq. Ata që e njohin nga afër Ermonelën e dinë që ajo e do vërtet vendin e saj. Nuk është nga ata patriotë që bëjnë shqiponjën me duar për ta hedhur në Fb. Idenë e “akademisë”, apo “master class”-it, ia kam dëgjuar gjatë një bisede që pata më te, rreth një vit e ca më parë. “Dua të bëj një gjë për vendin tim, për të rinjtë e talentuar, dua të kontriboj…”

Ermonela, ti u zhgënjeve, por mos u tërhiq në atë gjënë tënde modeste që do të bësh. Turma sot është në një vrap drejt theqafjes, por njerëzit e medhënej janë ata që i dalin përpara.

Jeta jote, ikja me një “copë bukë në trastë”, talenti, puna e lodhja, për të mbërritur në majën e suksesit botëror, një ditë do të bëhet film. Ndërsa kjo historia e “master clas”-it do të jetë si ajo pjesa e fimit “Koncert në vitin 36”, kur ato “zonjat nga Vjena e Parisi kishin ardhur të engledisnin miletin në Lushnje, me pjanon Hartman. Merr vesh ti!”

Por ato nuk mund të këndonin, pasi më parë programin duhej ta shikonte Zoti Xhevo dhe Zoti Fotaq.

Foto: Ermonela Jaho duke punuar me ato 3-4 artiste te rinj qe erdhen nga Kosova apo Italia./ KultPlus.com