‘Gjithë njerztë faje kanë, për ne si pasqyrë janë’, poezi e Çajupit me mezazh tejet të fuqishëm

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Një njeri pa mënd në kokë,
mburrej e lëvdohej vetë,
pandehte me të vërtetë
q’ish i bukur e s’kish shokë,
ndaj ishte shum’ i gëzuar.
Vërtet pasqyra s’kishte mëshirë
ta tregonte të shëmtuar.
Po thosh: pasqyra nuk’ është e mirë.
Nga kjo lajthitje që ta kërrejnë
dhe të duket e vërteta,
gjithë pasqyrat e shkreta
kur i shikon, e rrëfejnë
me një fytyrë
shumë të ndyrë.
Që të mos shohë kurrë pasqyrë,
ç’punoi miku?
U ngre dhe iku
lark, ndëpër ara
Për fat të keq, sheh përpara
një liqen të pashënuar,
me ujë fort të kulluar.
Ndë këta ujë kur u shikua
u zemërua,
se prap ju duk fytyra
si te pasqyra,
Domethënë, me një fjalë,
kjo përrallë
Eshtë bërë
për të tërë:
për veten tonë, të gjithë ç’jemi
këtë mendje kemi.
Gjithë njerztë faje kanë,
për ne si pasqyrë janë:
ky njeriu
faqeziu
që qesh o mburr vetëhenë,
është shpirti yne vetë,
Sa për liqenë
ndë vënd të shkrete,
me ujëkulluar,
tregon librat qe ke shkruar./ KultPlus.com

‘Refuzoj mendjen ta ndaj, lotët djegin zjarr në sy, por s’mund të qaj…’

Alban Skënderaj është emër i njohur i muzikës shqipe. Me këngët e tij të mrekullueshme ai ka qenë fitues i çmimit kryesor në disa festivale. Ndërsa me këngët e publikuara para publikut shqiptar, ai cilësohet si një ndër artistët me tekstet më të mira në botën e muzikës.

KultPlus, ju sjell tekstin dhe këngën ‘Refuzoj’:

Si më le në ëndërr të jetoj?
Si më le të verbër të kërkoj?
Më fal veç një kujtim
Një blitz nga sytë e tu si ngushëllim
Me imazhin tënd ditët kaloj
Ty në çdo fytyrë të pikturoj
Më fal, më fal vërtetë
Jetoj si një i marrë një gjysëm jetë

Dhe refuzoj mendjen ta ndaj
Lotët djegin zjarr në sy, por s’mund të qaj
Përse s’të gjej, përse s’të gjej
Universin e sfidoj edhe më tej
Të kërkoj, por nuk të gjej… ty nuk të gjej

Zemrën e kam nisur skaj më skaj
Yjet veç për ty ndezur i mbaj
Për ty… është pak për ty
Kjo bote nuk ka kuptim pa ne të dy

Dhe refuzoj mendjen ta ndaj
Lotët djegin zjarr në sy, por s’mund të qaj
Përse s’të gjej, përse s’të gjej
Universin e sfidoj edhe më tej
Të kërkoj, por nuk të gjej… ty nuk të gjej

Dhe refuzoj mendjen ta ndaj
Lotët djegin zjarr në sy, por s’mund të qaj
Përse s’të gjej, përse s’të gjej
Universin e sfidoj edhe më tej

Dhe refuzoj mendjen ta ndaj
Lotët djegin zjarr në sy, por s’mund të qaj
Përse s’të gjej, përse s’të gjej
Universin e sfidoj edhe më tej
Të kërkoj, por nuk të gjej… ty nuk të gjej/KultPlus.com

102 vite më parë lindi intelektualja Nermin Vlora, stërmbesa e Ismail Qemalit

Nermin Falaski Vlora, lindi më  18 prill 1921 në Tiranë, ka qenë shkrimtare, intelektuale dhe studiuese shqiptare, stërmbesë e Ismail Qemal bej Vlorës, shkruan KultPlus.com.

Nermin Vlora, qysh në shkollën e mesme kishte filluar të merrej me shkrime e përkthime nga gjuha frënge e italiane për radion e Tiranës.

Më pas me largimin e saj në Itali, ajo filloi  të studionte shkencat juridike.  Njohja e disa gjuhëve të huaja, e ndihmoi në gjurmimet e saja njëzet vjeçare mbi çështjen etruske ku bëri deshifrime-përkthime të kësaj gjuhe nëpërmjet të idiomave të gjuhës shqipe. Ajo pohonte gjuha etruske mund të shpjegohet vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe.

Ndër veprat më të njohura të saj janë: Zotëruesi i kohës, Nga gjysëmhëna tek hëna, Momente kolumbiane, Enesërmja e Kohës; Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët; Etruskishtja gjuhë e gjallë etj.

Nermin Vlora Fallaschi ndërroi jetë në vitin 2004 duke lënë pas vehtes një pasuri, një monument të gjallë shkrimesh me një vlerë të jashtëzakonshme.

Si njohëse e disa gjuhëve të huaja dhe studjuese erudite, numëron mbi 35 vëllime poetike, romane, studime, etj.

Ndërkaq me rëndësi për kulturën shqiptare është studimi i saj: “Lashtësia e gjuhës shqipe –sipas dokumenteve epigrafike nga Egjeu deri në Atlantik”./ KultPlus.com

465 vite nga vdekja e një prej grave më të fuqishme të historisë, Roxelanas (Sulltanesha Hyrrem)

Sot bëhen 465 vite nga vdekja e Roxelanas (Sulltaneshës Hyrrem), shkruan KultPlus.

Roxelana konsiderohet si një nga gratë më të fuqishme dhe me ndikim në historinë otomane, e po ashtu edhe “sulltanesha më e fuqishme në tërë botën”.

Ajo ka lindur në Ruthenia (asokohe një rajon lindor i Mbretërisë së Polonisë). Roxelana u kap si skllave nga Tatarët e Krimesë gjatë një sulmi në luftërat e asaj kohe, e cila më pas u dërgua në Stamboll.

Pas hyrjes në Haremin Perandorak, ajo u bë e preferuara e Sulltan Sylejmanit. Dhe më vonë edhe u martua me Sulltan Sylejmanin, kështu duke shkelur edhe traditën osmane, pra duke u bërë gruaja e parë e legale e një sulltani.

Si bashkëshortja e parë perandorake, Hyrrem që mori titullin Haseqi Sulltan. Ajo lindi gjashtë fëmijë, ndër të cilët edhe Sulltan Selimin ll, prej të cilit erdhi Muradi i tretë.

Hurrem gjatë kësaj kohe pati pushtet të madh dhe ndikoi në politikën e Perandorisë Osmane përmes burrit të saj, duke luajtur një rol aktiv në punët e Perandorisë. Ajo veproi si këshilltarja kryesore e Sulltanit, korrespondoi për çështjet shtetërore me mbretin Sigismund II Augustus të Polonisë (r. 1548-1572), dhe patronizoi vepra të mëdha publike (që përfshinin Kompleksin e Haseki Sultan dhe Hurrem Sultan Bathhaus).

Ajo vdiq në 1558 në Stamboll dhe u varros brenda kompleksit të Xhamisë Süleymaniye./ KultPlus.com

Blerta Zeqiri: E nderuar që mu besua udhëheqja e institucionit më të zhvilluar të vendit

Blerta Zeqiri, pas marrjes së pozitës së drejtoreshës së Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka thënë se ndjehet shumë e lumtur që do të udhëheqë institucionin më të zhvilluar në vend, prej ku edhe është zotuar se do të shkrij gjithë përvojën e saj të fituar brenda dy dekadash për zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së filmit, shkruan KultPlus.

‘’Ndjehem jashtezakonisht e nderuar qe me eshte besuar udheheqja e Qendres Kinematografike te Kosoves, institucionit me te zhvilluar te vendit. Te gjitha njohurite e fituara gjate ketyre dy dekadave qe punoj ne kete industri do t’i perdore per zhvillimin e metejme te industrise se filmit ne vendin tone – mision ky per te cilin kam punuar vazhdimisht dhe aktivisht bashke me koleget e mi filmberes.’’, ka thënë Zeqiri.

Ajo më tutje ka thënë se Kosovën e presin punë dhe suksese të mëdha, pasi ajo do të punoj me nder duke e bërë më të mirën për vendin.

‘’Na presin shume pune, shume sfida dhe shume suksese per filmin Kosovar! Ju faleminderit Minister per besimin! Do te punoj me zell e me nder per te bere me te miren qe di!’’, ka thënë Zeqiri./ KultPlus.com

‘Nëse pak e nga pak ti ndal të më duash, unë do të ndal të dua pak e nga pak’

Poezi nga Pablo Neruda

Përktheu: Elida Buçpapaj

Ti e di se si është kjo:
nëse unë vështroj
në hënën e kristaltë, në degën e kuqe
të vjeshtës të ngadaltë në dritaren time,
nëse unë prek
pranë zjarrit
hirin e imët
ose trupin e rrudhosur të drurit,
gjithçka më sjell tek ty,
sikur gjithçka që ekziston,
aromat, dritat, metalet,
të ishin anije të vogla
që lundrojnë
drejt atyre ishujve të tu që më presin mua.

E pra tani,
nëse pak e nga pak ti ndal të më duash,
unë do të të ndal të të dua pak e nga pak.

Nëse papritmas
ti më harron
ti do të ndalësh të më kërkosh
sepse unë do të të kisha harruar tashmë.

Nëse e mendon gjatë dhe marrëzisht,
erën e flamujve
që kalon përmes jetës time,
dhe ti vendos
të më lësh mua në bregun
e zemrës ku i kam rrënjët e mia,
mos harro
se atë ditë.
se atë orë,
unë do të ngre krahët e mi për fluturim
dhe rrënjët e mia do të çrrënjosen
në kërkim të një toke të re.

Por
nëse çdo ditë dhe,
çdo orë,
ti e ndjen se je fati im dhe unë jam fati yt,
me buzëqeshjen që s’të shqitet,
nëse çdo ditë një lule
ngjitet në buzët e tua duke më kërkuar,
ah dashuria ime, ah vetja ime,
tek unë është kthyer rishtaz zjarri,
tek unë asgjë s’është fikur dhe as harruar,
dashuria ime ushqehet prej tëndes dashuri, e dashur,
dhe deri sa ti të jetosh do të jetë në krahët e tu
shtrënguar e lidhur pazgjidhshëm me të mijtë/ KultPlus.com

G7 merr vendimin për asetet e ngrira ruse, do mbeten peng deri në zgjidhjen e konfliktit me Ukrainën

Asetet ruse që janë aktualisht në juridiksionet e vendeve të G7, do të mbeten të palëvizura derisa të ketë një zgjidhje të konfliktit me Ukrainën, thanë ministrat e jashtëm të G7 në një deklaratë të përbashkët pas takimit të tyre në Karuizawa të Japonisë.

“Ne jemi të vendosur, në përputhje me sistemet tona ligjore përkatëse, që asetet e Rusisë në juridiksionet tona do të mbeten të palëvizura derisa të ketë një zgjidhje të konfliktit që adreson shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nga Rusia”, thuhet në deklaratë.“Çdo zgjidhje e konfliktit duhet të sigurojë që Rusia të paguajë për dëmin që ka shkaktuar,” vunë në dukje ministrat e jashtëm të G7/Ballkanweb/ KultPlus.com

Blerta Zeqiri nga sot drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës

Blerta Zeqiri është zgjedhë drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës. Për këtë përzgjedhje ka njoftuar kryeministri i vendit, Albin Kurti, shkruan KultPlus.

Më poshtë po ju sjellim të plotë njoftimin e kryeministrit Kurti.

Blerta Zeqiri nga sot drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Bashkë me ministrin Çeku, në zyrën time pritëm drejtoren e sapozgjedhur të Qendrës Kinematografike të Kosovës, regjisoren Blerta Zeqiri.

Blerta është ndër emrat më të suksesshëm në kinematografinë e Kosovës. Ajo njihet për cilësinë e krijimtarisë dhe kontributin për zhvillimin e sektorit të filmit. Blerta nisi një angazhim të ri, duke e bartur zërin dhe potencialin e komunitetit brenda institucionit më të lartë të filmit.

Me Blertën në krye të QKK-së fuqizohet tutje reforma jonë në kinematografi. Me buxhet të rritur për prodhim të filmit dhe ligjin e ri në prag të miratimit përfundimtar, kinematografia jonë do të arrijë nivele të reja të suksesit ndërkombëtar./ KultPlus.com

Çfarë i shkruan së bijën, gjeniu Ajnshtajn në një nga 1400 letrat mbajtur sekret për dy dekada

Në vitin 1896, Ajnshtajni hoqi dorë nga shtetësia e tij gjermane dhe u regjistrua në Shkollën e Zvicrës, Federal Politeknik, në Zyrih. Atje, ai u përfshi në një histori dashurie pasionante me Mileva Mariç, një vajzë me origjinë nga Serbia. Çifti pas diplomimit u martua dhe kishte dy djem Eduard dhe Hans Albert. Por një vit para kësaj lidhje fizikanti kishte patur një tjetër lidhje, nga e cila pati një vajzë të paligjshme me emrin Lieserl. Ajnshtajn nuk foli në familje për këtë fëmijë, dhe biografët nuk ishin as në dijeni të ekzistencës së saj, deri në shqyrtimin e letrave të tij private në fund të viteve 1980. Fati i saj mbetet një mister sot e kësaj dite. Disa dijetarë mendojnë se Lieserl vdiq nga fruth i keq në vitin 1903, ndërsa të tjerë besojnë se ajo i mbijetoi sëmundje dhe i është dhënë për adoptim serbes, Mileva Mariç.

Eduard, Hans Albert dhe Liesersl ishin tre fëmijët që kishte Albert Ajnshtajn. Vetëm një nga dy djemtë mundi të ishte ndjekës i gjurmëve të të atit, por pa mundur të ngjitet aq lart sa babai i tij. Djali i tij më i vogël u pranua në një azil pleqsh. Por ajo që ka ngjallur interes dhe ka përfshirë një shtjellë debatesh familjen e fizikantit të madh është “letërsia epistolare” e gjeniut të shkencës, një letërkëmbim që zbulon vajzën që trashëgoi ai nga një lidhje jashtëmartesore. Jo pak por bëhet fjalë për 1400 letra që ai i ka dërguar asaj. Ndaj këtij letërkëmbimi u ngritën shumë dilema dhe dyshime mbi autorësinë, gjë e natyrshme për mjeshtrat e pështjellimeve, të cilët janë më shumë të prirur të vënë pikëpyetje rreth këtyre ngjarjeve se sa të shprehin afirmim dashamirës.

Në fund të viteve 1980, Lieserl Ajnashtajn, e bija e gjeniut të famshëm, i ka dhuruar Universitetit Hebraik në Jeruzalem, koleksionin prej 1,400 letrash, të cilat i ka shkruar Ajnshtajni asaj. E bija kishte ruajtur amanetin e të atit që të mos e publikuar këtë letërkëmbim për një periudhë jo më pak se 20-vjeçare pas vdekjes së tij.

Kjo është një prej tyre, për Lieserl Einstein.

“Kur propozova teorinë e relativitetit shumë pak njerëz më kuptuan. Ajo çfarë do të zbuloj tani për njerëzimin gjithashtu do të pritet me keqkuptim dhe paragjykim.

Po të kërkoj të ruash letrat e mia për sa kohë të jetë e nevojshme: vite, dekada, derisa shoqëria të ketë bërë aq progres sa të arrijë të pranojë çfarë do të shpjegoj më poshtë.

Ekziston një forcë kaq e fuqishme sa deri sot shkenca nuk ka arritur t’i gjejë një shpjegim. Është një forcë që përfshin dhe i sundon të gjithë; që fshihet pas çdo fenomeni në univers. Kjo forcë është dashuria.

Kur shkencëtarët kërkonin për një teori të unifikuar të  universit harruan më të fuqishmen forcë të padukshme. Dashuria është dritë që ndriçon ata që e japin dhe e marrin. Dashuria është gravitet, sepse i bën disa njerëz të tërhiqen nga të tjerë. Dashuria është pushtet, sepse shumëfishon më të mirën tonë dhe i bën njerëzit mos të humbasin në egoizmin e verbër.

Dashuria shpaloset dhe zbulon. Për dashurinë jetojmë dhe vdesim. Dashuria është Zoti dhe Zoti është dashuri.

Kjo forcë jep shpjegimin e gjithçkaje, i jep kuptim jetës. Është pikërisht ajo që kemi anashkaluar për kaq shumë kohë, mbase sepse kemi frikë nga dashuria, sepse është e vetmja energji në univers që njeriu nuk ka mësuar ende ta manipulojë.

Për t’i dhënë dashurisë vendin që meriton bëra një ndryshim të thjeshtë në ekuacionin tim më të famshëm.

Nëse në vend të E = mc2 të pranojmë se energjia që shëron botën mund të përftohet nga shumëzimi i dashurisë me shpejtësinë e dritës në katror do të arrinim në përfundimin se dashuria është forca më e fuqishme që ekziston… sepse nuk njeh limite.

Pas dështimit të njerëzimit në shfrytëzimin e forcave të universit që na janë kthyer kundër është e rëndësishme që të ushqejmë një tjetër lloj energjie.

Nëse duam mbijetesën e specieve, nëse duam të gjejmë kuptimin e jetës, nëse duam të shpëtojmë botën dhe çdo gjallesë që e popullon atë, dashuria është përgjigjja e vetme.

Mbase nuk jemi ende gati të shpikim një bombë me dashuri, një pajisje të fuqishme që të shkatërrojë urrejtjen, egoizmin dhe lakminë që po gërryejnë planetin. Megjithatë, çdo individ mbart një “gjenerator” të vogël, por të fuqishëm dashurie, energjia e të cilit pret të çlirohet.

Atëherë kur të mësojmë të japim dhe marrim këtë energji universale, e dashura ime Lieserl, do të konfirmojmë se dashuria sundon mbi gjithçka; dashuria është e aftë të kapërcejë mbi çdo gjë, sepse dashuria është jetë.

Jam thellësisht i penduar që nuk kam qenë i aftë të shpreh çfarë kam në zemër, që ka rrahur për ty gjatë gjithë jetës sime. Mbase është vonë për të të kërkuar ndjesë. Por, meqë koha është  relative, dua të të them se të dua. Falë teje kam gjetur përgjigjen themelore.

Babai yt,

Albert Ajnshtajn”. / Albert Vataj / KultPlus.com

Shpëtoi 669 fëmijë nga Holokausti, befasia që i bënë pas 50 vitesh emocionon pafund (VIDEO)

Ky burrë ishte i ftuar si një spektator në një spektakël televiziv. Nuk arrinte të kuptonte përse papritur të gjithë u ngritë në këmbë. Përgjatë 50 vjetëve ai ka ruajtur një sekret të madh, i cili më në fund u zbulua.

Nicholas Winton filloi i vetëm të shpëtonte fëmijë hebre nga holokausti, arriti të shpëtonte 669 fëmijë, pjesa më e madhe ishin fëmijë hebre nga Cekoskollavkia duke i dërguar në Angli. I ndihmoi duke u gjetur familje të reja për ta. Pjesa më e madhe e prindërve të këtyre fëmijëve kishin vdekur në kampin e përqendrimit të Auschwitz. Winton nuk ka folur kurrë me askënd për këta fëmijë, deri në momentin që Greta, gruaja e tij, gjeti një album të dhënash, 50 vite pas ndodhisë.

Albumi përmbante emrat edhe fotografit e  çdo fëmije të shpëtuar nga Winton. Gruaja e tij dërgoi njërin prej albumeve një gazetari dhe Nicholas u ftua në një spektakël televiziv. Ishte gjithçka e qartë se njerëzit ulur afër tij ishin fëmijët që ai kishte shpëtuar. Ishin rritur dhe kishin ardhur personalisht ta falënderonin për ndihmën e dhënë.

Nicholas Winton vdiq në vitin 2015 në moshën 106 vjeçare. /KultPlus.com

Izraeli përkujton viktimat e Holokaustit dhe rezistencës hebreje

Izraeli përkujtoi rezistencën hebraike dhe miliona hebrenj të vrarë gjatë Holokaustit.

Yom HaShoah, Dita e Përkujtimit të Holokaustit, festohet në Izrael që nga viti 1951.

Këtë vit, rezistenca hebreje kundër trupave esese gjermane në geton e Varshavës, e cila filloi më 19 prill 1943, do të përkujtohet në 80-vjetorin e saj.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier do të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore në Varshavë të mërkurën.

Nacional-socialistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre vranë rreth gjashtë milionë hebrenj gjatë regjimit nazist që zgjati nga viti 1933 deri në vitin 1945.

Sipas shifrave zyrtare, 147 199 të mbijetuar të Holokaustit ende jetojnë në Izrael./ atsh / KultPlus.com

Gustave Moreau, piktori i magjisë së detajit dhe simbolikës metaforike

Gustave Moreau ishte një piktor francez i lindur në vitin 1826 në Paris, i cili u bë një nga piktorët më të njohur të periudhës së romantizmit në Evropë. Ai ishte një artist i veçantë që shërbeu si inspirim për shumë piktorë të tjerë në shekullin e 19-të, shkruan KultPlus.

Moreau ishte i njohur për vizionin e tij të mrekullueshëm dhe për përdorimin e teknikave të ndryshme për të shkruar histori më të mëdha në piktura të mëdha. Ai ishte një piktor që kultivonte shumë ide në veprat e tij, duke përfshirë në to mitologjinë, historinë, muzikën dhe poezinë.

Një nga veprat më të njohura të Moreau është piktura “Salome”, e cila shfaqë princeshën e lashtë Salome në momentin e saj të fundit, kur ajo kërkonte kokën e pejgamberit Gjonit Përbindësh për të kënaqur dëshirën e saj për hakmarrje. Piktura është një shembull i përkryer i stilistikes së Moreau, me detaje të mrekullueshme dhe shumë ngjyra të ndryshme që ndërthuren në mënyrë magjepsëse.

Një tjetër vepër e njohur e tij është “Galatea”, një pikturë që shfaq një skulpturë të gjallë të një gruaje të bukur që po çlirohet nga shkumët e detit. Kjo pikturë është një tjetër shembull i artit të Moreau, me detaje të thella dhe shumë kuptime metaforike që mund të shihen nëpër detaje të ndryshme të pikturës.

Përveç punës së tij artistike, Moreau ishte gjithashtu një profesor në Ecole des Beaux-Arts në Paris dhe kishte një numër të madh nxënësish, duke përfshirë Henri Matisse dhe Georges Rouault. Ai u nda nga jeta në vitin 1898 në moshën 72 vjeçare.

Gustave Moreau mbetet një nga piktorët më të rëndësishëm të historisë së artit, duke krijuar vepra të mrekullueshme që kanë mbetur klasike edhe sot. Ai i ka dhënë artit një vlerë të jashtëzakonshme, duke shfaqur qartë vizionin dhe talentin e tij në të gjitha veprat e tij. / KultPlus.com

Berat, ekspozohen zbukurimet e banesave dhe monumenteve të kultit

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat organizoi ekspozitën “Zbukurimorja në brendësi të objekteve monument kulture në Berat”.

Kjo ekspozitë u çel në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, e cila vjen si dita e ndërgjegjësimit, vëmendjes dhe promovimit të trashëgimisë sonë kulturore.

Në ekspozitë u prezantuan 20 panele me hollësi të zbukurimores që gjenden në banesa dhe monumente kulti.

Ato përmbajnë punime të gdhendjes ne dru, stuko reliev(allci), pikture murale dhe dysheme të ndërtuara me materiale guri, tulle, zaje lumi.

Në aktivitet morën pjesë kryetari i bashkisë Berat Ervin Demo, deputetë të qarkut dhe drejtues të institucioneve./ atsh / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Nga 1 janari, qytetarët do të udhëtojnë lirshëm, kjo është meritë e të gjithëve

Parlamenti Evropian ka miratuar sot vendimin final për liberalizimin e vizave për Kosovën, përmes një seance plenare, shkruan KultPlus.

Pas këtij vendimi të shumëpritur nga kosovarët, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili është shprehur se kjo është meritë e të gjithëve, e veçanërisht e qytetarëve të Kosovës.

Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Liberalizimi i vizave ndodhi sot.

Nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën shengen.

Kjo është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve tanë. Andaj urime të gjithëve, sepse është për të gjithë.

Falënderojmë eurodeputetët, Parlamentin Evropian dhe shtetet e Bashkimit Evropian për votën, vendimin dhe mbështetjen. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Liberalizimi i vizave është meritë e popullit të Kosovës

Përmes një seance plenare, Parlamenti Evropian ka miratuar sot vendimin final për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Për këtë vendim ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila është shprehur se ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme.

Postimi i plotë i presidentes Osmani:

Vendimi i sotëm final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme.

Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj. Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha.  / KultPlus.com

Albert Ajnshtajn, urtësia dhe largëpamësia që pasuroi botën me dije

Mbamendja e historisë njerëzore nuk ruan në kujtimet e saj një të dytë si ai. Asnjëherë nuk ka gjalluar faqe kësaj toke një krijesë kaq e jashtëzakonshme dhe kaq me të papritura. Një jetë të tillë të stuhishme dhe rrapëllitëse, s’kishte kapluar as marinari më i stërvitur i deteve. Ai u dha vullnetlirë nëpër krejtçka përbën ndryshesat, kapërcyellin dhe kaplimin në kreshtën më të lartë të famës, ku u ngjit, për të mos zbritur sandejmi askurrë. Ç’skutë e errët e mendjes njerëzore, universit dhe kureshtisë ishte, ku ai nuk u kredh si një eksplorator triumfues.

Si krejt gjenitë e tjerë edhe Albert Ajnshtajn e gatuan çdo mozaik të jetës së tij në shtjellën e të papriturave dhe befasive, diku-diku cingëritëse, të debatueshme dhe të larë nga shkëlqimi i lavdisë, tjetërkund. Ai erdhi dhe iku si një përjashtim. Mbamendet se kur lindi, koka e tij ishte kaq e madhe dhe e shtrembëruar, sa e ëma kujtonte se mos ishte i deformuar. Nën këtë makth u ngjeshën e gjithë familja, e cila mendonte se mos kishin të bënin me një monstër. Dhe habia vazhdon në familjen ku rritej gjeniu i ardhshëm. Ajnshtajn kur ishte fëmijë fliste rrallë dhe ngeshëm. Ajo që më vonë u quajt “sindroma e Ajnshtajnit” zgjatoi deri në moshën 9-vjeçare. Kur Ajnshtajni ishte pesë vjeç dhe lëngonte i sëmurë në shtrat, babai i tregoi diçka që i ndezi interesin e tij për shkencën dhe hamendet se ajo shkëndi i vuri zjarrin një yjësië e tij të gjenialitetit. Ndërsa qëndronte i shtirë, i ati i dha një busull xhepi. Ndryshimi i vendodhjes dhe drejtimi i gjilpërës manjetike që trekonte kahun e orjentimit, u kthye në kureshtinë fillimore të tij. Ndërsa vëzhgonte busullën tek djaloshit 5-vjeçar zuri fill mendimi se duhet të kishte ndonjë forcë në atë që konsiderohej si hapësirë boshe që e bënte gjilpërën të lëvizte. Kjo ndodhi e fëmijërisë udhëtoi nëpër shumë rrëfenja dhe tregimtari të fizikantit të ardhshëm.

Kësisoj mori hov në botë e të panjohurave, Albert Ajnshtajn, ai që do të kaplonte dhunshëm vlerësimin si shkencëtari më i rëndësishëm i shekullit XX. Një prej arritjeve që ktheu faqen e historisë së shkencës, ishte ekuacioni E=mc2. Ai fitoi çmimin “Nobel” në vitin 1921 për punën në lidhje me efektin fotoelektrik. Ai zhvilloi Teorinë e Relativitetit, të cilën e kishte përfunduar me kohë, por u deshën 25 vite që të tjerët ta kuptonin. Gjithashtu, kontributi i tij bëri një ndryshesë të themeltë pikëpamjen e botës. Para Ajnshtajnit, disa gjëra besoheshin si të vërteta. Mes tyre ishin dhe ligjet e gravitetit dhe trupave në rënie, të përmendur më parë nga Isak Njutoni. Në asohere, besohej se “koha” në vetvete ishte një konstante fizike: Të gjithë dhe gjithçka përjetonte kalimin e kohës ashtu si kushdo dhe gjithçka tjetër. Teoria e tij e Relativitetit special parashikonte se kjo s’ishte e vërtetë dhe më vonë u vërtetua nga eksperimentet me orën bërthamore.

Nëpër kthinat e jetës

Mundi të strukej deri vonë, por jo të mbetej përgjithmonë një enigmë, një episod i jetës së njeriut që u përpoq të çburgoste nga pikëpyetjet botkuptimin e një shekulli. Në vitin 1980, letrat private të Ajnshtajnit kanë tronditur themelet e gjeniut. Në to mësohet se Ajnshtajn kishte një vajzë të paligjshme me ish-studenten Mileva Mariç, e cila më vonë lindi një tjetër vajzë me emrin Lieserl, pas vdekjes së  të cilës ata shpallën martesën. Hans Albert dhe Eduard ishin dy djemt e jëts së tyre bashkëshortore.

Ajo që do të ekzekutonte këtë lidhje do të ishte fama. Lindja e fizikantit gjenial të Albërt Ajnshtajn do të zgjonte tek ai mashkullin prepotent, akt i cili u firmos në një kontratë, zbatimin e së cilës njeriu i shkencave ekzakte kërkonte korrektësi në zbatim. Në këtë kontratë bëhej fjalë, sa vijon: “Rrobat të ishin të pastra dhe të hekurosura. Ti çonte tre vakte të ngrohta në dhomë, e cila duhet të pastrohej me kujdes, përveç tavolinës së punës. Veç këtyre, të pushonte së foluri ishte një tjetër kush i kësaj detyrese bashkëshortore. Ajo mësohet se kishte pranuar në këmbim të besnikërisë. Por kjo skllavëri nuk ndryshoi azgjë deri në momentin kur vargonjt e kësaj zgjedhe bashkëshortësh ti këpuste divorci. Gratë në jetën e fizikantit do të ishin të shumta, të stuhishme dhe përplot të papritura njëra prej së cilave ishte martesa me kushërirën e tij Elsa Loëenthal. Për të mos e mbyllur me kaq këtë zell çmendurie pasioni ai mësohet se kishte shfaqur interes të martohej me të bijën e bashkëshortes, e cila ishte frut i një loidhje të mëparshme të saj Në të vërtetë ai donte të martohej edhe me vajzën e Elsës nga një martesë e mëparshme. Edhe ajo pati këtë fat me këtë burr besnik, i cili e tradhtoi me sekretaren, Betty Neumann dhe gjashtë gra, mes tyre dhe një spiune ruse. Kësisoj dëshmojnë korrespondencat e tij.

Pendesë e një pacifisti

Në vitin 1939, i alarmuar nga shumimi i Gjermanisë naziste, Leo Szilard e bindi Ajnshtajnin t’i shkruante një letër presidentit amerikan, Franklin Roosevelt, ku e paralajmëronte se Gjermania naziste po ndërtonte një bombë atomike dhe i sugjeronte SHBA-ve të zhvillonin bombën e tyre. Letra e Ajnshtajnit dhe Szilardit konsiderohet si një nga arsyet që Roosevelti filloi “Projektin Manhattan”,  për të zhvilluar bombën, edhe pse më vonë u zbulua se bombardimi i Pearl Harbor në vitin 1941 e bindi më shumë qeverinë se sa letra e tyre. Edhe pse ishte fizikant i shkëlqyer, ushtria e konsideronte si rrezik sigurie dhe nuk e ftuan në projekt.

Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore jeta e fizikantit të madh do të gjendej në një rrezik serioz. E pabesueshme por e vërtetë. Do të ishte Shqipëria dhe shtetësia shqiptare ajo që do të shpëtonte Albërt Ajnshtajn. E kush mund ta mendonte se fizikanti i madh ka shkelur tokën shqiptare? Dhe jo vetëm kaq. Ai u pajis me pasaportë shqiptare nga mbreti Zog, si një mbrojtje që ai i dha hebreut më të famshëm të shekullit të 20-të. Edhe pse për shumë pak kohë, Ajshtajni në vitin 1931 ka qëndruar në portin e Durrësit, në pritje të anijes.

Të pazakontat e  jetës së njeriut të jashtëzakonshëm

Veç pasionit dhe jetës së dendur krevatore, ky mendimtar i madh rrekej në tëzakonshmen e tij edhe në të tjera gjëra të zakonta, jetësimi i të cilave vetëm se e bëjnë më interesante rrugëtimin e një gjeniu. Përveç sportit të preferuar, lundrimit Ajnshtajni i shmangej çdo aktiviteti çlodhjeje që kërkonte shkathtësi mendjeje, siç mësohet nga një rrëfenjë prestigjozen amerikane “New York Times”, “Sapo përfundoj projektet që kam në dorë, nuk dua të merrem me asgjë tjetër që kërkon punë mendjeje”. Ajnshtajni ishte një kokëfortë fanatik. Ai refuzoi të vishej ashtu siç e këshillonin, kushdo të ishte ai apo ajo. Njerëzit ose e njihnin mirë, ose nuk e njihnin fare, arsyetonte ai, kështu që nuk kishte rëndësi në e shihni me të njëjtin kostum një vit të tërë. Edhe pse jetoi për shumë vite në Shtetet e Bashkuara dhe i fliste mirë të dyja gjuhët, Ajnshtajni thotë se kurrë nuk ka mundur të shkruajë në anglisht, për shkak të “shqiptimit të pabesë”. Një ndër gurët e tjerë të mozaikut është duhani, llulla e tij emblematike. Mësohet se ai ishte pjesë në “Klubit të duhanxhinjve me llullë”, kur jetonte në Montreal. Së këndejmi mbamendet të ketë thënë se “Duhani me llullë kontribuon në gjykimin më të qetë dhe objektiv të çështjeve njerëzore”.

Poza  e tij histori

Ishte ditëlindja e Albert Ajnshtajnit dhe i mbytur nga një mori fotografësh, i lodhur prej tyre, ai nxori gjuhën me shpresën se do t’ia prishte foton. Sigurisht që kjo kapriço nuk mori ato pritshmëri që u bënë zanafillë e këtij gjesti joganat. Meqë shkencëtari kishte një reputacion si njeri i çuditshëm, fotoja u konsiderua si një shembull tjetër i sharmit të tij gjaknxehtë dhe u bë një prej fotove të tij më të bukura.

Kësisoj ishte ky njeri, i pazakontë në çdo gjë dhe i jashtëzakonshëm në gjithçka. Vetëm një gjeni dhe mendimtar i përmasave të tilla mund të derdhtë përmendoren e tij në këtë kallep befasishë. / Albert Vataj / KultPlus.com

Thomas Middleton, shkrimtari që kundërshtoi fuqishëm hierarkinë dhe injorancën

Thomas Middleton ishte një shkrimtar i njohur anglez i shekullit të 17-të, i cili shkroi disa nga dramat më të njohura të kohës së tij. Sot, më 18 prill, shënohet përvjetori i ditëlindjes së tij, i cili do të ishte 434 vjeç.

Middleton u lind në vitin 1580 në Londër dhe u bë shkrimtar i njohur në shekullin e 17-të. Ai shkroi shumë drama të njohura, si “The Revenger’s Tragedy” dhe “A Chaste Maid in Cheapside”. Veprat e tij ishin të njohura për të qenë shumë të ndjeshme ndaj konfliktit të klasave dhe marrëdhënieve njerëzore, duke shprehur një kritikë të ashpër ndaj shoqërisë së kohës së tij.

Në veprat e tij, Middleton kritikonte gjithashtu moralin dhe pushtetin, duke treguar një tendencë të fortë për të kundërshtuar hierarkinë dhe injorancën. Ai shkroi me një gjuhë të ndjeshme dhe elegante, duke përdorur poezinë dhe metaforat për të shprehur ide dhe ndjenja.

Megjithatë, Middleton nuk ishte një shkrimtar pa kontroversa. Ai u konsiderua si i skandalshëm për shkak të dramës së tij “A Game at Chess”, që u ndalua nga censura për shkak të përmbajtjes së saj skandaloze.

Thomas Middleton ishte një shkrimtar i njohur i shekullit të 17-të që shkroi disa nga dramat më të njohura të kohës së tij. Ai u konsiderua si një kritik i ashpër i shoqërisë së kohës së tij dhe shpesh kritikonte moralin dhe pushtetin. Megjithatë, ai ishte një shkrimtar që shpesh shkaktoi kontroversa dhe u censurua për disa prej veprave të tij. Përvjetori i tij i ditëlindjes është një mundësi për të festuar kontributin e tij të rëndësishëm në letërsinë angleze. / KultPlus.com

Imazhe të trashëgimisë kulturore do të “veshin” Universitetin Politeknik

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve të Kulturës dhe Siteve kujtohet prej vitit 1983 kohë kur Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s u rekomandoi shteteve anëtare që të shqyrtonin mundësinë e deklarimit të 18 prillit të çdo viti si “Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, “kjo është një ditë për të reflektuar dhe promovuar pasurinë tonë të jashtëzakonshme”.

Gjithashtu, ministrja informon se në kuadër të kësaj dite, sot në orën 20:00, godina monumentale e Universitetit Politeknik të Tiranës (Korpusi) do të mbulohet me imazhe të objekteve të trashëgimisë sonë.

Dita ndërkombëtare e monumenteve dhe siteve arkeologjike paraqet një mundësi për të gjithë komitetet kombëtare të ICOMOS-s që të mbrojnë qëllimet e tyre të përbashkëta në të njëjtën ditë. Në këtë ditë ofrohet mundësi për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, banorëve të zonave historike, rreth vlerave muzeale dhe kërkohet përpjekje për të mbrojtur, konservuar, restauruar dhe rijetësuar dhe vënë ato në dobi të një turizmi kulturor me cilësi. / atsh / KultPlus.com

Miratohet vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën

Përmes një seance plenare, Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin final për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Pas këtij hapi pason nënshkrimi i tekstit që garanton liberalizimin e vizave për Kosovën, përcjell teve1.info

Liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi në datën e funksionalizimit të sistemit ETIAS por jo më vonë se 1 janari 2024, pra, edhe nëse ky sistem nuk hyn në funksion deri në atë datë.

Sipas rregullave të Parlamentit Evropian, liberalizimi i vizave nënkupton që qytetarët e Kosovës do të kenë kohë të qëndrojnë 90 ditë në Zonën Shengen, në një periudhë prej 180 ditësh. / KultPlus.com

Sot hapet ekspozita “Prishtina në vitet e 90-ta” nga artisti Afrim Hajrullahu

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës, sot me fillim nga ora 18:00, do të hapet ekspozita me fotografi, ekspozitë kjo që shpërfaq jetën në Prishtinën e viteve të 90-ta.

Mbi ekspozitën:

David Gothard CBE
Poezi Virtuale

Si një shuplakë seksi në faqe, Afrim Hajrullahu na demonstron në vitet nëntëdhjetë, një dekadë lumturie dhe ripërtëritjeje. Janë të nëntëdhjetat e prapështa si për artistin ashtu edhe për pjesëmarrësit e subjektit, pavarësisht nëse e dinë apo jo. Megjithatë, ato janë vëzhgimet e një dadaisti Kosovar me vetë objektet që na befasojnë dhe provokojnë mister dhe argëtim. Mbi të gjitha, ata janë njerëzit e përditshëm të rrugëve. Ata janë të njohur, ama kur kapen në perceptimin tonë janë, po ashtu, edhe një arratisje. Fotografi na jep shenjë, ne spiunojmë dhe qeshim me zë të lartë.

Ashtu si në referencën e Tennessee Williamsit për „mirësinë e të huajve”, ai përqafim është gjithashtu një botë vizuale e befasisë dhe pjesërisht e voajerizmit. Është një botë ku artisti e njeh veten në detajet e turmës, ndarjen nga turma dhe vetë rruga. Në të ka shaka dhe ka sekrete. Para së gjithash, ata janë kosovarë që mund të njihen, pjesërisht pastoral në ato rrugë të atij kopshti me bukurinë shpeshherë urbane të atij vendi. Gjithçka perceptohet në befasi, aty nuk pozohet e më pas shpërndahet nga zgjuarsia e qetë e artistit.
Afrimin e njihja si një dritare për Parisin, shtëpi e fotografisë së madhe dhe traditës humaniste, por me vitet nëntëdhjetë bëhet e qartë se ai radhitet me artistët e Pragës dhe Krakovës, me fotografët dhe poetët e mëdhenj çekë dhe polakë. Vitet e nëntëdhjeta janë të tijat ato që lulëzojnë e festojnë, bile edhe si flaneur, si endacak në intimitetin dhe batutat e rrugëve të qytetit. Kjo është poezia virtuale.

Nick Danziger
Kronist i Jetës së Përditshme

Afrim Hajrullahu ka shumë shigjeta për harkun e tij: ai është një artist që tregon në inkuadrimin e punës së tij dhe në aftësinë e tij për të kapur çastin, ai është kronist i jetës së përditshme dhe na çon në një udhëtim nëpër vitet ’90 të tokës së tij të dashur, dhe ai është humanist që jo vetëm po përpiqet të kuptojë botën përmes imazheve të tij, por duke punuar me Afrimin, e kam parë se ai i trajton me ngrohtësi, mirëkuptim dhe respekt ata që e rrethojnë.

Ne kemi nevojë për më shumë fotografë si Afrimi, të cilët janë të përkushtuar për të dokumentuar jo vetëm mundimet, por edhe gëzimet e njerëzve që bëjnë jetën e tyre të përditshme. Arti i tij ka qenë që t’i përkushtojë emulsionit të ndjeshëm të dritës shumë aspekte të Kosovës për pasardhësit. Afrimi jo vetëm që na çon në një udhëtim, por na ofron patos të një kohe dhe një vendi që do të farkëtohet në mendjen tuaj sapo të shihni këto imazhe.

Ekspozita vjen e mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Eurodeputeti Waitz: Sot është ditë gëzimi për Kosovën, BE u vonua me vizat

Parlamenti Europian sot do të japë dritën jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Para seancës, eurodeputeti austriak, Thomas Ëaitz, ka thënë se sot është një ditë e gëzuar për Kosovën, derisa ka kritikuar BE-në për vonesën në këtë proces.

“Sot është një ditë gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Pas vitesh bllokadë në Këshill, Parlamenti Europian më në fund do të miratojë sot liberalizimin e vizave për vendin më të ri në Europë. Ky hap në rrugën e Kosovës drejt BE-së është i vonuar”, ka thënë ai.

Waitz, i cili vjen nga Të Gjelbërit dhe mori mandatin pas dotëheqjes së Ulrike Lunacek, bashkë me të , kanë luftuar që ky hap të ndërmerret përfundimisht.

EP Plenary session – European Climate Law

Eurodeputeti austriak tha se Të Gjelbërit kanë qenë duke avokuar për vite dhe do të vazhdojnë që të mbështesin rrugën europiane të Kosovës.

Parlamenti Europian pritet që sot ta miratojë dosjen për liberalizimin e vizave për Kosovën nga ora 12:00.

Ky institucionet i BE-së vazhdimisht ka përkrahur lëvizjen e lirë për kosovarët. /Express/ KultPlus.com

Nëse keni pasur llogari nga maji 2007 deri në dhjetor 2022, Facebook ju detyrohet për pagesë

Nëse keni qenë përdorues të Facebook nga maji i vitit 2007 deri në dhjetor të vitit 2022, atëherë ju jeni përfitues i një shpërblimi që gjiganti i rrjeteve sociale ju detyrohet. Po, është e vërtetë dhe bëhet fjalë për një pagesë prej 725 milionë dollarësh që “Meta” pranoi të paguante në një padi në grup.

Sipas DailyMail, përdoruesit e kualifikuar janë ata që kishin një llogari në Facebook nga 24 maj 2007 deri më 22 dhjetor 2022, duhet të paraqesin një kërkesë drejt “Meta” deri më 25 gusht 2023.

Padia e ngritur, në të cilën Meta nuk pranoi asnjë keqbërje, pretendon se platforma e mediave sociale mori të dhëna të përdoruesve dhe të miqve të tyre pa leje, për t’i vendosur në dispozicion të palëve të treta.

Nga këtu rrjedh skandali i “Cambridge Analytica” i vitit 2018, i cili pretendonte se kompania kishte keqpërdorur të dhënat nga dhjetëra miliona llogari në Facebook duke lejuar aksesin te palët e treta.

“Facebook dyshohet se ka ditur për mbledhjen e pahijshme të të dhënave të Cambridge Analytica që nga viti 2015 dhe nuk ka ndërmarrë veprime për të ndaluar aktivitetin ose për të njoftuar përdoruesit deri në mars 2018. Kjo i lejoi aplikacionet e palëve të treta të “bashkojnë dhe të shesin akses në informacionin privat të përdoruesve të Facebook, duke përfshirë firmën e konsulencës politike Cambridge Analytica, pa dijeninë ose pëlqimin e përdoruesve”, thuhet në padinë e dorëzuar.

Padia u ngrit në vitin 2019 nga paditësit që pretenduan se Facebook nuk shpërndante vetëm të dhëna bazë, si gjinia dhe mosha, por edhe fotografitë e tyre, videot që ata bënë, videot që shikuan dhe fjalët nga mesazhet e tyre të drejtpërdrejta personale.

Në gusht 2022, u arrit një marrëveshje dhe u soll në gjykatë, e ndjekur nga muaj negociatash deri më 22 dhjetor, kur paditësit paraqitën një mocion duke kërkuar miratimin paraprak të zgjidhjes. Gjykata mbajti një seancë dëgjimore për miratimin paraprak të Marrëveshjes më 2 mars 2023 dhe dha miratimin paraprak të marrëveshjes më 29 mars 2023.

Përdoruesit që mendojnë se kanë të drejtë për një pjesë të zgjidhjes mund të plotësojnë një formular me emrin, adresën dhe e-mail-in e tyre. Formulari pyet nëse keni jetuar në SHBA gjatë një kohe të caktuar dhe keni qenë përdorues i Facebook. Do t’ju kërkohet gjithashtu të jepni emrat e përdoruesve tuaj në Facebook dhe numrin e telefonit të lidhur me llogarinë tuaj. / a2cnn / KultPlus.com

“South Outdoor Festival” rikthehet më 25-28 maj në Borsh

Fshati turistik në jug të Shqipërisë, Borsh do të mirëpresë edhe këtë vit “South Outdoor Festival” një event që jo vetëm promovon turizmin dhe traditën, por gjithashtu gjallëron jetën dhe ndihmon ekonominë e zonës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e cila bëri të ditur se, “me verën që po afrohet dhe përgatitjet e fundit për sezonin, bashkë me festivalet që i ndezin shpirtin bregdetit siç është “South Outdoor Festival”, më 25-28 maj në Borsh”.

“South Outdoor Festival” këtë verë do të ofrojë për turistët mbi 40 aktivitete të ndryshme, kampingje, aktivitet nga ajri, deti, ecje në natyrë për turistët e aventurës dhe mjaft aktivitete kulturore ku përveç bregdetit turistët njihen dhe me historinë dhe trashëgiminë kulturore, shkruan ATSh.

Gjithashtu do të ofrohen mbi 30 aktivitete për fëmijë me workshop-e, forume dhe lojëra të ndryshme, ku nuk do të mungojnë në mbrëmje koncertet dhe festat nën tingujt e artistëve dhe DJ vendas dhe ndërkombëtarë. / KultPlus.com

Ligjvënësit e BE-së kërkojnë samit për të kontrolluar inteligjencën artificiale

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje liderëve botërorë që të mbajnë një samit për të gjetur mënyra se si të kontrollohet zhvillimi i sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale (AI), sikurse ChatGPT, duke thënë se këto sisteme po zhvillohen më shpejt seç pritej.

Dymbëdhjetë ligjvënës evropianë – që punojnë për legjislacionin e BE-së lidhur me teknologjinë – i kanë bërë thirrje presidentit amerikan, Joe Biden, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që të thërrasin një takim, duke theksuar se inteligjenca artificiale duhet të jetë më e përgjegjshme.

Kjo deklaratë vjen disa javë pasi pronari i Twitter-it, Elon Musk, dhe mbi 1.000 personalitete të teknologjisë kërkuan një pauzë gjashtëmujore të zhvillimit të sistemeve më të fuqishme sesa sistemi i krijuar nga OpenAI dhe i mbështetur nga Microsoft, ChatGPT, që imiton njerëzit dhe krijon tekste dhe imazhe bazuar në kërkesa.

Në letrën e hapur, që ishte publikuar në mars, paralajmërohej se inteligjenca artificiale mund të përhapë dezinformata në një shkallë të paprecedent dhe makinat mund të “tejkalojnë në numër dhe mund të zëvendësojnë” njerëzit, nëse nuk kontrollohen.

Megjithatë, ligjvënësit evropianë thanë se nuk pajtohen plotësisht me këtë letër të hapur të përfaqësuesve të industrisë së teknologjisë.

“Megjithatë, ne jemi dakord me mesazhin kryesor të letrës: me evolucionin e shpejtë të inteligjencës së fuqishme artificiale. Ne e shohim se ka nevojë për veprim politik”, shtuan ata.

Në letër iu bë thirrje shteteve demokratike dhe “jodemokratike” që të reflektojnë mbi sistemet e mundshme të qeverisjes dhe të ushtrojnë përmbajtje sa i përket dëshirës së tyre për inteligjencës të fuqishme artificiale.

Zëdhënësit e von der Leyen nuk kanë reaguar menjëherë për këtë koment.

Javën e kaluar, rregullatori i Kinës për hapësirën kibernetike paraqiti masa për të menaxhuar shërbimet e inteligjencës artificiale, duke thënë se dëshiron që kompanitë të paraqesin vlerësimet e tyre para autoriteteve para se të lansojnë ofertat e tyre para publikut.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po ashtu ka kërkuar nga publiku mendimin për masat e mundshme ndaj sistemeve të inteligjencës artificiale, teksa janë rritur pyetjet lidhur me ndikimin që mund të ketë inteligjenca artificiale në sigurinë kombëtare dhe edukimin në SHBA.

Para pothuajse dy vjetësh, Komisioni Evropian kishte propozuar disa rregulla për inteligjencës artificiale, sipas të cilave, teknologjia e inteligjencës artificiale do të duhej të klasifikohej në bazë të nivelit të rrezikut. /REL/ KultPlus.com