Në moshën 17-vjeçare, u lodha duke u quajtur budalla, dhe vendosa të bëhem aktor

Nga Elsa Fernandez-Santos

Ndërsa mençuria e moshës dhe prania në mediat sociale, kanë zbuluar për publikun anën e tij më të dashur, Anthony Hopkins, është ende një aktor i paparashikueshëm. Vështrimi i tij i pazbërthyeshëm si kupë–mbajtësi në filmin e James Ivory të vitit 1993 “The Remains of the Day” (Ç’mbetet nga një ditë) dhe Hannibal Lecter i tij sardonik, ndoshta personazhi i tij më i përjetshëm, janë të paharrueshëm.

Por aktori i lindur në Margam të Britanisë së Madhe, nuk është një dikush koha e të cilit ka perënduar. Hopkins mbetet ende një nga aktor kryesorë sot në tregun e kinemasë. Më shumë se 3 dekada më parë, ai fitoi Osacar-in e tij të parë për interpretimin e tij në filmin “Silence of the lamës” (Heshtja e qingjave).

Më së afërmi, Hopkins fitoi çmimin e tij të dytë Oscar për rolin e tij në filmin dramatik “The Father” (Babai) të Florian Zeller, në të cilën aktori britanik luan një të moshuar të prekur nga demenca. Hopkins luan gjithashtu në vazhdimin e tij “The Son” (Biri). Me gjithë reputacionin që ka si një aktor i fiksuar pas përpikërisë dhe detajeve, biseda me të zbulon një anë tjetër të aktorit 85-vjeçar. Nga këndvështrimi i mençur që i ofron mosha, Hopkins duket se pajtohet me filozofinë e lehtësimit dhe shijimit të jetës. Hopkins thotë se karrierea e tij u frymëzua nga gjyshi nga ana e nënës, i cili besonte tek aktori kur ishte një fëmijë i vetmuar dhe i trazuar që nuk shkonte mirë në shkollë.

Si fëmijë keni qenë një nxënës i dobët. A keni parë ndonjë ngjashmëri me veten tek personazhi i nipit tuaj në filmin e vitit të kaluar “Koha e Apokalipsit”?

Po, ka një ngjashmëri. Kur isha i vogël më quanin një “njeri me zhvillim të ngadaltë”. Ndoshta mendja ime nuk ishte e pajisur për të kuptuar shkollën. Po ashtu isha një fëmijë shumë i vetmuar. Nuk kisha asnjë shok. Mendoj se kjo ishte zgjidhja ime. Diçka në natyrën time ndjente nevojën për t’u izoluar.

Megjithatë kisha një anë krijuese. Në moshën 17-vjeçare, vendosa se isha lodhur duke u quajtur budalla. I thashë vetes:”Do të bëj diçka, nuk e di se si, por do të bëhem aktor”. Gjyshi im, babai i nënës sime, më inkurajonte: ”Mos dëgjo çfarë të thonë njerëzit. Bëj atë që dëshiron. Beso tek ajo që dëshirosh të bësh dhe do t’ia dalësh”.

A i keni përdorur kujtimet me gjyshin tuaj për rolin tuaj në film?

Për mua ky rol ishte i lehtë sepse unë jam nipi i gjyshit tim. Mundohem që t’ua bëj të lehtëpunën partnerëve në sheshin e xhirimit. Unë jam thjesht mirënjohës që jam aktor dhe argëtohem duke luajtur në film. E marr seriozisht çdo rol, punoj shumë. Por thjesht nuk e teproj me angazhimin.

Keni qenë gjithmonë kështu?

Jo, ka qenë një kohë kur unë isha një aktor i ri. Punoja me shumë ritëm dhe isha shumë ambicioz. Por kur plakesh mendon se kjo punë nuk është ndonjë gjë e madhe, se në botë ka gjëra më të rëndësishme sesa të jesh aktor.

Gjatë jetës tuaj të gjatë e keni parë botën të kalojë nëpër shumë kriza. A është bërë problem harresa?

Unë mendoj që ne jemi të kushtëzuar të kalojmë një krizë dhe pastaj ta harrojmë atë. Mjerisht shumë herë harrojmë edhe mësimet e së kaluarës. Harrojmë se pozicioni ynë më i mirë në jetë është të bëjmë kompromis me ide të tjera. Duhet të ruash kompromisin që arrin më te tjerët, dhe të jeni i respektueshëm, i sjellshëm dhe tolerant me ta. Jeta është e vështirë dhe njerëzit harrojnë, sepse ne jemi mbrojtës dhe sulmues. Ne bëhemi mbrojtës pas mbijetesës,dhe kjo është arsyeja pse nuk e vrasim shumë mendjen.

A mendoni se bota po kalon aktualisht një moment kritik?

Po, por mendoj gjithashtu se duhet të jetojmë me shpresë. Vetëm 60 vjet më parë, ishte Kriza e Raketave Kubane midis Amerikës dhe Rusisë. E gjithë bota ishte në pragun e luftësbërthamore. Mendoj se kemi arritur në një moment të krizës, ku shpresojmë t’i rikthehemi rendit botëror të vitit 2018 dhe një bashkëjetese paqësore.

Sepse nëse nuk e bëjmë këtë, do të jetë fundi i planetit, fundi i qytetërimit njerëzor. Por nuk mendoj se dikush është aq i çmendur sa t’i japë fund të gjithave. Unë jam optimist. Ne i mbijetuam krizës së Covid-19, dhe bota i mbijetoi edhe Luftës së Dytë Botërore, Adolf Hitlerit…

A ju pëlqen ende aktrimi?

Më shumë se kurrë më parë! Më pëlqejnë metodat e mia të punës. Më pëlqen shumë procesi i mësimit të teksteve, mësimi i fjalëve me kaq nxitim dhe më pas zbërthimi i tyre. Zbërthimi i rreshtave në mënyrë që të tingëllojnë reale, të natyrshme. Për ta realizuar këtë gjë duhet shumë kohë. Unë kam shumë përvojë gjatë viteve, ndaj i di të gjitha shtigjet.

A ka ndonjë sekret për ta bërë këtë?

Sekreti i aktrimit është të dëgjosh aktorin tjetër. Kjo është fjala kyçe. Kur dëgjon, kjo krijon një ndërgjegje tjetër në mendje dhe fjalët ecin rrjedhshëm.

Pse nuk morët pjesë në ceremoninë ku fituat Oscar-in tuaj të dytë për rolin në filmin “The Father”…

Ia kalova shumë bukur gjatë kohës së xhirimit, por nuk mora pjesë në ceremoni. M’u duk sikur nuk kisha bërë ndonjë sakrificë të madhe. Unë thjesht lexova disa rreshta.

Një nga gjërat e mira të pleqërisë është se bien maskat apo jo?

Po. Ke më shumë mundësi të jesh i pranishëm për njerëzit e afërt. Të rrish me miqtë e tu, të argëtohesh dhe kënaqesh.

Joanne Woodward thoshte dikur se pianistët kanë pianon, balerinët kanë këpucët e tyre tipike, por aktorët kanë vetëm veten e tyre…

Të gjithë ne njerëzit kemi një ego. Por nëse ajo fillon t’ju thotë se jeni i veçantë, atëherë jeni në telashe. Egoja është gjëja që ju nxit të ngriheni në mëngjes për të punuar. Por sapo egoja fillon të të thotë se je i veçantë, je ndryshe, atëherë injoroje. Egoja është një strukturë shumë e fuqishme. Ajo bart dy personalitete. Njëri është vetë-lavdërimi që të bën të mendosh se je një Zot.

Tjetri është ana që ju bën të ecni përpara, por ajo mund të jetë gjithashtu shumë shkatërruese. Këtë e shihni çdo ditë në politikë dhe në kinematografi. Unë mendoj se sapo arrin një moshë të caktuar, kockat e tua fillojnë të kërcasin, shpina të dhemb. Pajtohesh me faktin se asgjë nuk jeton përgjithmonë. Ky është momenti kur egoja fillon të të thotë:”Merre lehtë, relaksohu. Asgjë nuk është aq e rëndësishme.

Ç’doni të thoni me këtë?

Jeta është e rëndësishme. Ajo ka brenda shumë dhimbje, vuajtje dhe vështirësi. Ju e shihni këtë çdo ditë. Njerëzit punojnë fort gjatë gjithë vitit shumë për një pushim vjetor 2-javor. Unë shoh jetën time dhe mendoj:”O Zot i mirë, çfarë kam bërë që ta meritoj këtë komoditet?”.Nuk e di, por nuk mund ta marr veten kaq seriozisht. Njerëzit që ndërtojnë një avion apo një makinë, hidrauliku që vjen t’iu rregullojë një defekt në shtëpinë tuaj, njerëz që shihni duke riparuar një rrugë. Këta janë ata që e bëjnë botën të ecë përpara, dhe jo ndonjë aktor që shkon në studio në mëngjes.

A ka ndonjë rol që do të kishit dashur të luanit, por nuk mundeni?

Jo… Do të doja të luaja Hamletin, por jam shumë i moshuar (qesh). Por nuk jam penduar për asgjë. Përpiqem ta pastroj mendjen nga çdo dëshirë. Të mos kërkoj asgjë, të mos pres asgjë dhe të pranoj gjithçka. Kjo është motoja ime. Kështu heq dorë nga ndjenja e pasigurisë, sepse frika nuk është një konkurrente e mirë.

A keni ndonjë projekt të ardhshëm?

Po, do të luaj në 3 filma të rinj. Njëri ka të bëjë me Sigmund Freud.

Kur përgatiteni të luani personazhe historikë, si Freud, a lexoni shumë për ta? A bëni shumë kërkime?

Po, por jo shumë. Aq sa mundem. Unë nuk jam një lexues i shpejtë, nuk jam intelektual. Lexoj, kam ide dhe ia komunikoj drejtorit me e–mail. Mbaj mend që kur luajta në filmin“Mbreti Lir”, ndenja zgjuar gjithë natën sepse ata po filmonin, dhe mua më duhej të mbaja vajzën time në rol, Cordelia-n, në fakt trupin e saj të pajetë.

E kuptova se me kalimin e viteve e kisha humbur pak forcë fizike. Ndaj i sugjerova regjisorit: “Pse Mbreti Lir nuk e tërheq atë në një thes?”. Ai m’u përgjigj:”O Zot”. Sepse kjo do të dukej shumë brutale, dhe ai e kupton natyrën e vdekjes. Sapo vdesim, trupi ynë nis të kalbet. Kjo është ana e errët e realitetit. Nuk është poetike, por në thes ka një kufomë. Kjo e bëri skenën shumë më të tmerrshme, sepse me gjithë dashurinë dhe gjithë lavdinë e jetës, në fund ka një trup të vdekur e të dekompozuar, dhe kjo gjetje funksionoi.

Marrë me shkurtime nga El Pais. / Koha.mk / KultPlus.com

5 gjërat që fëmijët nuk i harrojnë kurrë nga prindërit e tyre

Të gjithë prindërit duan të kenë fëmijë të mrekullueshëm, duan që ata të jenë të sjellshëm si fëmijë dhe të jenë njerëz të përgjegjshëm dhe të dobishëm për shoqërinë si të rritur. Pavarësisht kësaj, ata shpesh bëjnë shumë më tepër përpjekje për të planifikuar atë të nesërme, në vend që të hedhin themelet e duhura në të tashmen. Disa prindër mendojnë se kur fëmijët e tyre janë të vegjël, ata thjesht duhet të binden dhe se rritja e një fëmije ka të bëjë vetëm me këtë.

Rezultati i këtij qëndrimi është prania gjithnjë në rritje e fëmijëve transgresivë dhe të rriturve të pakënaqur. Kur rritni një fëmijë, por nuk keni kritere të forta, logjike dhe të qëndrueshme, gjasat që ai të shfaqë sjellje rebele dhe/ose hermetike rriten. Ndoshta do të jenë kapriçiozë, ndoshta do të jenë autoritarë, por, në të gjitha rastet, do të jenë fëmijë të paqëndrueshëm. Ata nuk janë në gjendje të krijojnë një lidhje emocionale dhe intime me prindërit e tyre, por jetojnë një luftë të heshtur ose të hapur me ta.

Një nga fazat më të rëndësishme të jetës sonë është fëmijëria. Pikërisht gjatë kësaj periudhe ndërtohen themelet e një mendje të shëndoshë. Në këtë mënyrë, disa sjellje prindërore lënë gjurmë të pashlyeshme: herë pozitive, herë negative, por gjithmonë të thella. Le të shohim se cilat janë 5 nga ato sjellje që fëmijët rrallë i harrojnë.

Fëmijët nuk i harrojnë kurrë rrahjet

Asnjë marrëdhënie nuk është perfekte, aq më pak një marrëdhënie kaq intensive sa ajo midis prindërve dhe fëmijëve. Do të ketë gjithmonë momente kontradikte apo konflikti dhe kjo është krejtësisht normale. Megjithatë, ajo që i ndryshon gjërat është mënyra se si përballen ato vështirësi dhe, për fat të keq, shumë prindër e konsiderojnë, duke bërë një gabim, se rrahja është një mjet i dobishëm për edukimin e fëmijëve të tyre.

Ndoshta me dhunë fizike është e mundur të frikësosh një fëmijë që të bëjë pikërisht atë që dëshiron prindi. Megjithatë, po ato rrahje do të shndërrohen në farën e mungesës së vetëvlerësimit të fëmijës dhe në burim pakënaqësie.

Dhuna i vendos fëmijët në një situatë shumë komplekse: dashuri dhe urrejtje në të njëjtën kohë. Gjithashtu, i bën ata të njohin frikën. Zemra e një fëmije është shumë e ndjeshme dhe nëse lëndohet vazhdimisht, me kalimin e kohës do të bëhet një person i pandjeshëm.

Fëmijët nuk e harrojnë kurrë mënyrën se si njëri prind trajton prindin tjetër

Marrëdhënia midis prindërve është baza nga e cila fëmija fillon të krijojë qëndrimin e vet ndaj marrëdhënieve në çift. Ka shumë mundësi që, me vetëdije ose jo, si i rritur të përsërisë me partnerin atë që ka parë në shtëpi me prindërit e tij në fëmijëri. Është gjithashtu e mundshme që ai i trajton njerëzit për të cilët kujdeset fillimisht në të njëjtën mënyrë.

Mos harroni se konfliktet midis prindërve janë një burim ankthi për një fëmijë. Një nga pasojat e mundshme do të jetë që ai të futet në telashe vetëm për të tërhequr vëmendjen e prindërve, të cilët nuk kujdesen sa duhet për të, sepse janë shumë të fokusuar në konfliktin që ekziston mes tyre. Për më tepër, ai mund ose nuk mund të jetë në gjendje të gëzojë marrëdhënie dashurie në varësi të sjelljeve që ka mësuar.

Fëmijët nuk i harrojnë kurrë momentet kur janë ndjerë të mbrojtur

Frika e fëmijëve është më e madhe dhe më tinzare se ajo e të rriturve. Të vegjlit e shtëpisë nuk janë në gjendje të dallojnë mirë vijën që ndan realitetin nga imagjinata. Prindërit janë njerëzit të cilëve u besojnë më shumë nëse kanë nevojë për atë ndjenjë sigurie që i ndihmon të mësojnë dhe të eksplorojnë atë që nuk dinë. Në këtë mënyrë, nëse prindërit e tyre e nxisin atë frikë tek ata, ata do të ndihen plotësisht të pambrojtur.

Prindërit duhet t’i dëgjojnë me shumë kujdes këto frikëra të tyre, pa i kritikuar apo minimizuar ato. Ne duhet t’i bëjmë të kuptojnë se ata nuk janë realisht në rrezik. Kjo do të rrisë ndjenjën e sigurisë tek fëmijët dhe do ta bëjë shumë më të fortë lidhjen e dashurisë dhe respektit me prindërit e tyre.

Fëmijët nuk e harrojnë kurrë mungesën e vëmendjes

Për një fëmijë, dashuria që prindërit ndjejnë për të lidhet thellësisht me vëmendjen që ai merr prej tyre. Për shembull, për fëmijët, puna e tepërt për të paguar shkollën e shtrenjtë nuk është një mënyrë për të shprehur dashurinë. Fëmijët nuk do të mendojnë se prindërit e tyre i duan nëse nuk ndajnë kohën me ta për t’i njohur ata dhe çfarë po ndodh në botën e tyre.

Djali nuk harron kurrë se babai ose nëna e tij i dhanë një këmishë jeshile kur ai kishte përsëritur deri në rraskapitje se donte një të kuqe ose se ata bënë një premtim që nuk e mbajtën kurrë. Të gjithë këtë fëmijët e përjetojnë si një lloj braktisjeje, si një mesazh që thotë: “Ti nuk je mjaftueshëm i rëndësishëm”. Dhe kjo do të lërë një gjurmë dhimbjeje në zemrat e tyre.

Fëmijët nuk harrojnë kurrë vlerën që prindërit i japin familjes

Fëmijët nuk do të harrojnë kurrë nëse babai ose nëna e tyre ishin në gjendje t’i jepnin përparësi familjes së tyre në rrethana të ndryshme. Fëmijët kanë nevojë dhe u pëlqejnë festimet, qofshin ato me shumë apo pak dhurata. Është gjithashtu shumë e rëndësishme për ta që prindërit t’i marrin seriozisht Krishtlindjet.

Nëse prindërit e vënë familjen në radhë të parë, fëmijët do të mësojnë vlerën e besnikërisë dhe dashurisë. Si të rritur, ata gjithashtu do të jenë në gjendje të lënë mënjanë çdo angazhim për të vizituar prindërit e tyre kur të kenë nevojë. Ata do të jenë më të kënaqur dhe do të kenë një aftësi më të madhe për të dhënë dhe marrë dashuri.

Të gjitha këto gjurmë që mbeten të ngulitura në fëmijëri, na shoqërojnë gjatë gjithë jetës. Shumë shpesh ato përfaqësojnë ndryshimin midis një jete të shëndetshme mendore dhe një jete të dominuar nga konfliktet.

Një fëmijëri e mbushur me dashuri është dhurata më e mirë që një qenie njerëzore mund t’i bëjë tjetrës. / KultPlus.com

Muriqi e akuzon Spanjën për diskriminim ndaj Kosovës: Familja ime s’mund të vijë këtu

Spanja nuk e njeh ende Kosovën si shtet dhe ky fakt është bërë një problem serioz për Vedat Muriqin.

Futbollisti kosovar ndihet i shqetësuar për faktin se familja dhe miqtë e tij nuk po mund ta vizitojnë në Mallorca për faktin se shtetasit e Kosovës nuk kanë të drejt të futen në territorin spanjoll përkundër pajisjes me viza “schengen”.

Në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Ultimahora”, “Pirati” theksoi se ky është një diskriminim dhe shkelje e të drejtave të njeriut, duke kërkuar nga autoritetet spanjolle që të reflektojnë, përcjell “Gazeta Express”.

“Së shqetëson shumë ky fakt sepse kjo do të thotë se familja ime ose miqtë nuk mund të vijnë këtu. Duhet të marrësh vizë nga Maqedonia, por del se vizat janë vetëm për maqedonasit. Unë vetë pata shumë probleme me lejen e qëndrimit dhe arrita në një pikë që thashë: Do të flas me klubin dhe po iki. Në fund u rregullua. Gjithashtu nuk më pëlqen që La Liga nuk na njeh. Një gjë është politika dhe një tjetër, sporti. Pastaj flitet shumë për ‘Jo për racizmin’, por ky është racizëm. Sporti duhet të shërbejë për t’i bashkuar njerëzit, jo për t’i ndarë ata”, deklaroi njëri prej sulmuesve më të mirë të La Ligas.

Muriqi edhe pak kohë më parë kishte bërë thirrje nga Spanja që ta njohë shtetin e Kosovës.

Ai po luan me sukses tek Mallorca me të cilën e i ka realizuar 12 gola dhe i ka bërë dy asistime, duke shkuar me hapa të sigurt drejt thyerjes së rekordeve në klubin ishullor. / KultPlus.com

MALLORCA, SPAIN – MAY 15: Vedat Muriqi of RCD Mallorca celebrates scoring his team’s first goal during the LaLiga Santander match between RCD Mallorca and Rayo Vallecano at Estadio de Son Moix on May 15, 2022 in Mallorca, Spain. (Photo by Rafa Babot/Getty Images)

9 vjet nga vdekja e Marquez, shkrimtarit që në fillim ju tha se mund të merrej me çdo gjë përveç se me letërsi

Gabriel Garcia Marquez (Gabriel Garsia Markez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur kolumbian lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.

Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.

Tetë vjetët e para të jetës së Markezit kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të bananes, ku u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe Uribe, protagonist absolut i Luftës Njëmijë Ditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë.

Në vitin 1935 humbi gjyshin dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12 vjeçarit Márquez, i cili një vit me pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më 1942 u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Ne moshën 20 vjeçare fitoi të drejtën e studimit në Universitetin e Bogotá, dega drejtësi. I mërzitur nga jeta e përshpejtuar e kryeqytetit kolumbian dhe nga i ftohti i krahinës se Andeve, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e autorëve me të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia, filloi të shkruante duke braktisur studimet.

Megjithë pasionin e madh për librat, Márquez ishte një nga ata që vuanin situatën e Kolumbisë që po kalonte një periudhë ku dhuna ishte gjithnjë e pranishme. Me 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e drejtuesit liberal Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre ditëve të përgjakshme disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë ku gjeti punë si redaktor e më pas si reporter për gazetën “El Universal”.

Në vitin 1949 vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u bashkua me “El Gruppo de Barranquilla”, që përbehej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas publikoi në faqet e gazetës “El Espectador” të Santa Fésë një tregim me titull “La tercera resignación”. Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë, “La hojarasca” (përkthyer shqip si Gjethurinat) dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh në përgjigjen që i erdhi shkruhej që mund të merrej me çdo gjë përveç se me letërsi.

Në vitin 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi. Te gjitha punimet e tij deri në 1956, u publikuan si një libër i vetëm me titull “Relato de un náufrago”, që trazoi skenën politike në vend pasi aty trajtoheshin trafiqet e drogës nëpërmjet detit. Qëndrimi i Markezit ndaj këtij fenomeni gjeti aprovimin e popullit, por provokoi keqas politikanët. Në nëntor të vitit 1956 drejtori i gazetës “El Espectador”, për të cilën punonte Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin. Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit që ndodhi një vit me pas, Markez vendosi të qëndronte në Zvicër. Gjatë jetës në Evrope, ai vizitoi shumë qytete të famshme të kontinentit të vjetër së bashku me mikun Plinio Apuleyo Mendoza. Udhëtimi në fjalë shërbeu si frymëzim për të shkruar “90 días en la cortina de hierro”. Më 1958, pas një qëndrimi në Londër, García Márquez u kthye në Amerikë, për t’u vendosur më pas në Venezuelë.

Në Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo (lindur në Bogotá në 1959) dhe Gonzalo (lindi në Meksiko në 1962). Më 1961 u transferua në New York ku filloi punën si korrespondent i Prensa Latina. Kërcënimet e vazhdueshme nga ana e CIA-s dhe kubanëve e shtynë të transferohej në Meksikë. Më 1967 realizoi kryeveprën e krijimtarisë se tij “Cien años de soledad“ (përkthyer shqip si Njëqind vjet vetmi), një libër që shënon kulmin e të ashtuquajturit realizëm magjik. Më 1974 dolën në treg “Ojos de perro azul” dhe “El otono del patriarca” (Vjeshta e patriarkut), dy veprat më komplekse të krijimtarisë së tij, një metaforë e gjerë mbi vetminë, mjerimin si pasojë e pasurimit.

Nga viti 1975, Márquez jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsinë. Më 2002 publikoi vëllimin e parë të Vivir para contarla (Të jetosh për të treguar), ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, të paktën deri tani Memorias de mis putas tristes(përkthyer në shqip nga Mira Meksi me titull Kujtim kurvash të trishta). Ndër veprat e tij me të mëdha përmenden Dashuri në kohërat e kolerësKronikë e një vdekjeje të paralajmëruar dhe “Njëqind vjet vetmi” e cila është përkthyer në shqip nga i madhi Robert Shvarc, Gjenerali në labirintin e tijErendira etj. Veprat e Markezit në shqip i kanë përkthyer Ramiz Kelmendi, Veton Surroi, Aurel Plasari, Mira Meksi e Robert Shvarc. / KultPlus.com

“Zemra që rreh”, zbulohet diamanti i rrallë

Një diamant brenda diamantit është zbuluar sipas një kompanie në Surat të Indisë, një nga më të rrallët në historinë e këtyre gurëve.

V D Global e quajti gurin 0.329 karatësh “Zemra që rreh” dhe tha se ai përbëhet nga një diamant më i madh që mban brenda tij një diamant më të vogël, i cili lëviz lirisht.

Sipas mediave indiane, guri në fakt është zbuluar tetorin e kaluar nga prodhuesi i diamanteve që operon nga surati në Mumbai.

Ai tani, i është bashkuar një grupi të vogël diamantësh natyralë të ngjashëm, si p.sh. diamanti Matrioshka i zbuluar në Siberi. Autenticiteti i gurit u konfirmua përmes analizave, duke përdorur mikroskopë optikë.

“Unë nuk kam parë kurrë diçka të ngjashme me ‘Zemrën që rreh’ gjatë 30 viteve të mia në sektorin e diamanteve”, thotë Samanta Sibley, nga grupi De Beers.

Në 2019, një tjetër diamant brenda diamantit u zbulua në Siberi. Guri 800 milionë vjeçar thuhej se është i paçmueshëm dhe i vetmi i këtij lloji në botë.

I ashtuquajturi diamanti Matrioshka, i ngjason kukullave tradicionale ruse që futen brenda njëra-tjetrës. / KultPlus.com

24 vjet nga masakra, Osmani bën homazhe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të bëjë homazhe në kompleksin memorial në Poklek dhe në Çikatovë të Vjetër, Komuna e Drenasit, më 24 vjetorin e masakrës në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër.

E para e vendit, fillimisht do të bëj homazhe në kompleksin memorial në Poklek, e më pas do të vizitojë edhe shtëpinë e familjes Muçolli, në Poklek.

Qëndrimi i saj në këtë fshat është paralajmëruar për në ora 11:00.

Ndërsa më pas, në ora 12:00, presidentja Osmani bën homazhe në kompleksin memorial në Çikatovë të Vjetër, në Komunën e Drenasit.

​24 vjet nga Masakra e Poklekut dhe Çikatovë të Vjetër

Sot bëhen 24 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu do të bëjë sot homazhe në kompleksin memorial në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.

Vetëm në fshatin Poklek i Vjetër, ushtria barbare serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 53 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Sipas dëshmitarëve të shumtë, masakra e Poklekut ka patur këtë rrjedhë:

-Me 17 prill, diku rreth orës pesë të mëngjesit, familjet Muqolli, Caraku e Elshani, janë nisur të shkojnë prej Poklekut të Vjetër për në Drenas, ku ishte e tubuar dhe po mbahej peng popullata e fshatrave përreth Drenasit. Diku 1,5 Km larg fshatit, ka ardhur një picgauer me policë serb dhe i ka urdhëruar ata të kthehen nëpër shtëpia. Ata janë kthyer sepse janë kërcënuar, madje përanash është gjuajtur edhe me armë. Kur familjarët janë kthyer nëpër shtëpi, aty kanë ardhur, dy policë me shirita të zi në kokë. Në oborr e kanë vrarë qenin, pastaj e kanë thirrur Sinanin jashtë dhe me të kanë folur diç në gjuhën serbe. Pas kësaj këta dy policë kanë shkuar në oborrin e shkollës së fshatit, tek policët e tjerë që ndodheshin atje.

Në ndërkohë Sinani është kthyer dhe u ka treguar familjeve se atë e kanë pyetur, “a ka këtu terroristë “?Në këtë gjendje ankthi e terrori, familjarët janë mbajtur tërë ditën deri rreth orës 17 e 30, atëherë ka ardhur njëri nga ata policët dhe në dhomën e shtëpisë së Sinanit, ku kanë qenë të grumbulluar të gjitha familjet, fëmijë, gra e pleq, polici e ka hedhur një bombë e cila nuk ka eksploduar. Pas kësaj polici ka hedhur edhe bombën tjetër, e cila ka rënë dhe ka eksploduar në prehrin e Miradije Rifat Muqollit (55).

Menjëherë pas kësaj polici ka zbrazur mbi të gjithë ata që kanë qëlluar në dhomë, shtatë karikator të automatikut. Krimineli që kishte kryer masakrën, kishte hyrë në dhomë dhe me këmbë i kishte rrotulluar kufomat, se mos rastësisht dikush kishte mbetur i gjallë. Në ndërkohë, Elhemja e plagosur ka kërcyer nga dritarja e dhomës së masakrës dhe ka ikur. Pas dy orë e gjysmë të masakrës ka ikur edhe Lumnija me vajzën e vogël katër vjeçe, duke lënë të plagosur lehtë Eminen me Fatosin e vogël dy vjeçar.

Më vonë sakoja e Emines është gjetur në bunarin e shtëpisë. Pas tri orësh, që kur është kryer masakra, policia është kthyer dhe e ka djegur dhomën me të gjitha kufomat që ishin në të. Natën e dytë të masakrës, kemi shkuar në shtëpi dhe aty kemi gjetur eshtrat e të masakruarve, kur kemi shkuar një ditë më vonë, më nuk kemi mundur të shohim as eshtra njerëzish. Tashmë nuk ishte djegur vetëm dhoma e koridori, por e tërë shtëpia.

Lista e plotë e masakrës në Poklekut të Vjetër më 17 prill 1999

1.Sinan Rexhep Muqolli (52), Poklek i Vjetër

2.Elheme Rifat Muqolli (50), Poklek i Vjetër

3.Emine Sinan Muqolli (22), Poklek i Vjetër

4.Elife Sinan Muqolli (18), Poklek i Vjetër

5.Sherife Sinan Muqolli (17), Poklek i Vjetër

6.Hafije Sinan Muqolli (10), Poklek i Vjetër

7.Feride Selman Muqolli (33), Poklek i Vjetër

8.Shehide Fadil Muqolli (13), Poklek i Vjetër

9.Naser Fadil Muqolli (12), Poklek i Vjetër

10.. Ylber Fadil Muqolli (10), Poklek i Vjetër

11.. Egzon Fadil Muqolli (4), Poklek i Vjetër

12.. Hyle Selman Muqolli (22), Poklek i Vjetër

13.. Florentina Qamil Muqolli (3), Poklek i Vjetër

14.. Lirie Qamil Muqolli (gjashtëmuajshe), Poklek i Vjetër

15.. Mehreme Muqolli (58), Poklek i Vjetër

16.. Bahrije Halil Muqolli (24), Poklek i Vjetër

17.. Naime Halil Muqolli (22), Poklek i Vjetër

18.. Hidajete Nebih Muqolli (33), Poklek i Vjetër

19.. Menduhie Liman Muqolli (11), Poklek i Vjetër

20.. Mirsad Liman Muqolli ( Poklek i Vjetër

21.. Mergim Liman Muqolli (5), Poklek i Vjetër

22.. Bahtije Halil Caraku (34), nga Dobrosheci

23.. Besart Ejup Caraku (13), nga Dobrosheci

24.. Hasan Ejup Caraku (12), nga Dobrosheci

25.. Kunata e Bahtije Halil Carakut- nuk i dihet emri (45),

26.. Miradije Rifat Muqolli (55), Poklek i Vjetër

27.. Zarife Rrahman Muqolli (23), Poklek i Vjetër

28.. Arife Rrahman Muqolli (20), Poklek i Vjetër

29.. Florije Salih Muqolli (23), Poklek i Vjetër

30.. Eronita Xhavit Muqolli (4), Poklek i Vjetër

31.. Fatos Xhavit Muqolli (1,5), Poklek i Vjetër

32.. Shemsije Muqolli (42), Poklek i Vjetër

33.. Vezire Ilmi Muqolli (20), Poklek i Vjetër

34.. Fatmire Ilmi Muqolli (17), Poklek i Vjetër

35.. Rexhep Ilmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër

36.. Agron Ilmi Muqolli (10), Poklek i Vjetër

37.. Albulena Ilmi Muqolli (5), Poklek i Vjetër

38.. Nexhmije Ramadan Muqolli (25), Poklek i Vjetër

39.. Hasime Ramadan Muqolli (37), Poklek i Vjetër

40.. Avdullah Fehmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër

41.. Shehrije Xhemail Muqolli (27), Poklek i Vjetër

42.. Vahide Mehdi Muqolli (4), Poklek i Vjetër

43.. Dy djem të Mehdiut, njëri 10 muj, Tjetri dy vjeçar, Poklek i Vjetër

44.. Ymer Elshani (55), Poklek i Vjetër

45.. Nafije Elshani (50), Poklek i Vjetër

46.. Shukrije Elshani (37), dhe katër djemët e Ymer Elshanit, prej 22 vjeç e më të rinjë

47.. Kimete Fadil Muqolli (20), Poklek i Vjetër

48.. Lindita Skender Hoxha (25), nga Korrotica e Epërme

(…)

Të zhdukur konsiderohen edhe tre persona

1.Halim Kluna (75),

2.Nëna e Ymer Elshanit (75). / Express / KultPlus.com

Vermoshi, zonës turistike i shtohen edhe disa bujtina

Vermoshi, 100 km nga qyteti i Shkodrës në një lartësi prej 1100 metra mbi nivelin e detit, vitet e fundit është kthyer në një prej destinacioneve turistike më të vizituara alpine.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjete sociale pamje nga bujtinat e ndërtuara në Vermosh.

“Columbus Villas është një nga sipërmarrjet më të reja në Vermosh të Malësisë së Madhe mes peizazhit të mrekullueshëm që i shtohet ofertës turistike të kësaj zone”, tha Rama.

Fshati i Vermoshit është i ngritur mbi një fushë malore të krijuar nga lumi i Limit. Në të dyja anët e luginës ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Bimësia drunore përbëhet kryesisht nga ahu dhe haloret. Vermoshi shquhet për panoramën e tij, si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit./atsh/KultPlus.com

Arkeologët peruanë zbulojnë banjën ceremoniale 500-vjeçare

Arkeologët në Andet peruane kanë zbuluar një kompleks banje të inkëve të ndërtuar 500 vjet më parë, për të cilin ata besojnë se mund t’i ketë shërbyer elitës së Perandorisë së Inkëve që dikur dominonte zona të mëdha të Amerikës së Jugut.

E gjetur pranë “Shtëpisë së Inkëve” në zonën arkeologjike Huanuco Pampa në Perunë qendrore, arkeologët vendas besojnë se banja mund të ketë shërbyer për një qëllim fetar për anëtarët e rangut të lartë të Perandorisë Inka, e cila 500 vjet më parë shtrihej nga Ekuadori jugor në qendrën e Kilit.

Banja është mesatarisht rreth dy metra e thellë, me pishina dhe derdhje të pavarura dhe një kalim qendror që çon ujin në një kanal kullimi që e ndan dhomën në dy platforma të vogla ose “stola” për inkët, tha Ministria e Kulturës e Perusë në një deklaratë, shkruan Reuters, përcjell Klankosova.tv

Vendi arkeologjik Huanuco Pampa është pjesë e projektit Qhapaq Nan, një rrjet kompleksi rrugor 25,000 kilometra i gjatë që lidh Ekuadorin, Kolumbinë, Perunë, Bolivinë dhe Argjentinën. Sistemi rrugor u shpall pjesë e Trashëgimisë Botërore në vitin 2014.

Peruja është shtëpia e qindra vendeve arkeologjike në të gjithë vendin, duke përfshirë kështjellën Machu Picchu në kryeqytetin e Inkëve në Cusco./KlanKosova/KultPlus.com

‘Silluni mirë me tokën: atë nuk jua dhanë prindërit tuaj, ju është dhënë hua nga fëmijët tuaj’, thënie mbi jetën

Në sezonin e mbjelljes vizitorët vijnë veç e veç dhe në kohën e korrjes vijnë me turma.

Ata që humbën ëndrrën janë të humbur.

Sa më shumë të dini, për aq më pak gjëra keni nevojë.

Përplasja e ideve nxjerr shkëndijën e së vërtetës.

Një punëtor i keq fajëson mjetet e tij.

Silluni mirë me tokën: atë nuk jua dhanë prindërit tuaj, ju është dhënë hua nga fëmijët tuaj. Ne nuk e trashëgojmë Tokën nga paraardhësit tanë, ne e huazojmë atë nga fëmijët tanë.

Mbajini sytë nga dielli dhe nuk do t’i shihni hijet.

Ju nuk mund të zgjoni një person që shtiret sikur është në gjumë.

Një këpucë e bukur shpesh shtrëngon këmbën.

Spiritualiteti ynë është njëshmëri dhe një ndërlidhje me gjithçka që jeton dhe merr frymë, madje edhe me gjithçka që nuk jeton apo nuk merr frymë.

Udhëtar, nuk ka udhë. Udha bëhet duke ecur.

Vakti i një njeriu është helm i një njeriu tjetër.

Ne jemi pjesërisht zjarr, dhe pjesërisht ëndërr.

Nëse dëshironi të lini gjurmë në rërë, vishni çizmet e punës.

Jeta e një njeriu është një rreth nga fëmijëria në fëmijëri, dhe kështu është në çdo gjë ku lëviz fuqia.

Unë kam parë se në çdo sipërmarrje të madhe nuk mjafton që një njeri të varet thjesht nga vetja.

Zoti i ndihmon ata që ndihmojnë veten e tyre.

Humbni durimin dhe humbisni një mik: gënjeni dhe humbisni veten.

Kudo është qendra e botës.

Çdo kafshë di më shumë se ju.

Sa më e madhe të jetë kapela, aq më e vogël është prona.

Një popull pa histori është si era në barin e buallit.

Një herë kafshuar dy herë i turpëruar.

Miqësia mes dy personave varet nga durimi i njërit.

Njerëzimi nuk e ka thurur rrjetën e jetës. Ne jemi vetëm një fije brenda saj. Çfarëdo që i bëjmë rrjetës, ia bëjmë vetes.

Kur tregojmë respektin tonë për gjallesat e tjera, ata përgjigjen me respekt për ne.

Merrni vetëm atë që ju nevojitet dhe lëreni tokën ashtu siç e gjetët.

Të gjitha bimët janë vëllezërit dhe motrat tona. Ata flasin me ne dhe nëse u vëmë veshin, mund t’i dëgjojmë.

Ne e kultivuam tokën tonë, por në një mënyrë ndryshe nga njeriu i bardhë. Ne u përpoqëm të jetonim me tokën; dukej se jetonin me të. Më kanë mësuar të ruaj, të mos shkatërroj kurrë.

Kërkoni mençuri, jo njohuri. Dituria është e së kaluarës, Urtësia është e së ardhmes.

Një zog bën folenë e tij pak nga pak.

Një ndërgjegje e mirë është një jastëk i butë.

Nëse nuk shihni arsye për të falënderuar, faji qëndron tek ju.

Për ne, shëndeti është shumë më tepër sesa thjesht të mos sëmuremi. Ka të bëjë me gjetjen e një ekuilibri midis shëndetit fizik, mendor, emocional, kulturor dhe shpirtëror. Shëndeti dhe shërimi janë të ndërthurura, që do të thotë se njëri nuk mund të ndahet nga tjetri.

Qeni nuk duhet të vjedhë nga qeni.

Një zog në dorë vlen sa dy në shkurre.

Asnjë nuk është aq i shurdhër sa ata që nuk duan të dëgjojnë.

Një komb, një popull, një fat.

Një burrë njihet nga miqtë e tij.

Bamirësia fillon në shtëpi.

Ai që qesh i fundit, qesh më gjatë.

Fjalët e zemëruara ndezin zjarrin si erë.

Të jesh ndryshe është e lehtë. Të bësh diçka më të mirë se të tjerët është e vështirë.

Distanca e bën zemrën të rritet.

Ku ka vullnet ka mënyrë.

Urrejtja është e verbër si dashuria.

Është më mirë të mposhtësh në parime sesa të fitosh me gënjeshtra.

Sa të ketë jetë do të ketë shpresë./shkollaesuksesit/KultPlus.com

Studiuesit përkujtojnë Jakov Xoxën në 100 vjetorin e lindjes

Shkrimtari Jakov Xoxa është kujtuar në 100-vjetorin e lindjes në një takim me ish studentë të tij, kritikë letrare e të afërm. I njohur kryesisht për “Lumin e vdekur” i biri Agron Xoxa, Bashkim Kuçuku e Primo Shllaku e portretizuan sa si njeri të thjeshtë po aq edhe të tërhequr, si një pedagog të mirë që mungonte shumë dhe si një shkrimtar të lirë që nuk shfaqej shpesh ne Lidhje.

“Jakovi nuk ka qenë prindi edukator klasik, këtë rol ia kishte lënë Dhuratës, mamasë”, shprehet Agron Xoxa.

“Me një motor “Java” të kuq  nisej të hënën për në Apolloni dhe vinte të shtunën”, thotë Bashkim Kuçuku.

“Kam idenë se ai ishte një njeri shumë për ngut, shumë i nxituar. Ose edhe mund të jetë që e kishte me (bërë me) be, të rrinte sa më pak me njerëz”, shprehet, Primo Shllaku.

Studiuesit e letërsisë e lëvruesit e saj, megjithatë nuk bien dakord nëse ai lëvroi realizmin apo realizmin socialist. A mund t’i shpëtohej këtij të fundit në kohët e dogmë?  Dallimi mes realizmit dhe realizmit socialist, vjen sa si luftë brezash po aq qasjesh e vlerash.

“Nuk është problemi që Jakovi jep ideologjinë, Jakovi jep kohën ju lutem, jep kohën”, thotë Shllaku.

“Megjithë rrethanat e kohës, Jakov Xoxa ishte shkrimtar realist me taban dhe unë nuk arrij të kuptoj se si mund të mos zhvillohet një shkrimtar i tillë në tekstet e shkollës sonë. Është një problem shumë i madh kjo ndodh sepse edhe ata që hartojnë programet e bëjnë tekstet nisen në mënyrë sipërfaqshme nga pikëpamjet pak dilentanteske e pak jo profesioniste të shumë njerëzve që kanë marrë guximin të gjykojnë letërsinë. Edhe një shkrimtar që ka përfaqësuar letërsinë e realizmit socialist në mënyrën më tipike, edhe ai përfshihet sepse përfaqëson një proces. Është tjetër gjë pastaj qëndrimi që mbahet”, shprehet Floresha Dado.

“Nëse e themi që romani nuk është i realizmit socialist, duam të shkpëtojmë Jakovin, nëse themi  që është i realizmit socialist po është i mirë, duam të shpëtojmë realizmin socialist.  Në fund të romanit ai jep idenë se do vijë partia edhe do zgjidhë problemin se do krijojë ideologji përbashkuese. Në këtë pikëpamjhe unë e shoh skemën komplet marksiste pavarësisht se është i drejtë konstatimi”, tha Shllaku.

Xoxa ka shkruar romane, drama, e reportazhe./Ballkanweb/KultPlus.com

‘Romantika’, kënga që nuk harrohet nga artistja Violeta Rexhepagiqi (VIDEO)

Kompozitorja, këngëtarja dhe gazetarja e njohur Violeta Rexhepagiqi u largua nga kjo botë më 16 prill të vitit 2020.

Violeta Rexhepagiqi, si spikere e programeve për fëmijë në “Radio Prishtinë” filloi të ndjekë mësimet edhe në shkollën e ulët të muzikës. Si rrjedhë e angazhimit të saj pasojnë edhe mirënjohjet në festivalin e fëmijëve “Akordet e Kosovës”. Njëkohësisht, Violeta interpretoi më se 40 këngë për fëmijë, dhe luajti zërin e personazheve në radio-dramat për fëmijë. Violeta shquhej për avangardë që në vitet e ’80, si në muzikë e poashtu edhe në modë. Në vitin 1984 Violeta për publikun e gjerë shqiptar u bë e njohur me paraqitjet e saja në grupin e muzikës “Vivienne”. Gjatë kësaj kohe, ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhen e përfaqësueses së Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”. Ajo ishte e angazhuar në Radio Televizionin e Prishtinës dhe aty punoi deri në uzurpimin e kësaj qendre nga forcat serbe. Pas okupimit të RTP-së punoi si reportere lufte për agjensitë e huaja: “News Network”, “WTN”, “Sky NEWS” etj. Nga viti 2010, Violeta punoi për “RTK”, shkruajti tekste këngësh dhe bëri komponime për këngëtarë të ndryshëm.

Më 16 prill 2020, në orët e hershme Violeta Rexhepagiqi u gjet e vdekur në banesën e saj. Në pamundësi për të organizuar mbledhje komemorative dhe pjesëmarrje në varrim për shkak të gjendjes së karantinës nga virusi COVID 19, kryetari i qytetit të Prishtinës, Shpend Ahmeti njoftoi publikun se në shenjë respekti për kontributin e saj për kulturën shqiptare, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet do të lëshohen këngët e saj.

KultPlus ju sjell sot një ndër këngët më të mira të Violetës, “Romantika”, këngë kjo që nuk harrohet lehtë. / KultPlus.com

Fisi i Hotit, pozita dhe popullsia e tij

Robert ELSIE, Fiset shqiptare

Pozita e territorit të fisit

Rajoni i fisit të Hotit ndodhet në qarkun e Malësisë së Madhe, në veri të Shqipërisë. Ai shtrihet në verilindje përpjetë luginës që fillon në fund të pjesës lindore të liqenit të Shkodrës, afër kalimit të kufirit shqiptaro-malazez të Hanit të Hotit dhe vazhdon të shtrihet përpjetë maleve që kalojnë pranë Brigjës deri te maja e fshatit Rapshë-Starje. Rruga nga bregu kah territori i Kelmendit dhe i Vermoshit ,në fillim shpie në këtë luginë, që shkon paralel me kufirin shqiptaro-malazez. Territori i Hotit shtrihet edhe përgjatë liqenit, në Malin e Zi, dhe vazhdon nëpër gjirin e Humit, duke u ngjitur deri në luginën e parë të Helmes dhe Traboinit, në anën veriore të Malit Bukoviq. Hoti kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Grudës në veri të Malit të Zi, në verilindje me Kelmendin dhe me Kastratin në jug.
Ngulimet kryesore të Hotit janë: Rapsha e Hotit në Shqipëri dhe Arza, Helmesi dhe Traboini në Mai të Zi.

Popullsia

Termi Hoti është shënuar si një emër personal më 1330. Më 1474, rajoni quhej montanee octorum, montanea attanorum (Malet e Hotit). Trajta e termit hoti përmendet në raportin dërguar Romës, në shtatorin e vitit 1621, nga peshkopi shqiptar i Sap-ës dhe i Sardë-s, Pjetër Budi dhe në raportin kishtar të Pietro Stefano Gasparit, më 1671. Hoti gjithashtu shfaqet në raportin e Gjorgjo Stampaneos, aty kah viti 1685 dhe në hartën e vitit 1689, të hartografit italian Gjakomo Kantelli da Vinjola.

Më 1614, shkrimtari venedikas, Mariano Bolizza nga Kotori i përmend 212 shtëpi të Hotit nën zotërimin e një farë Marash Papës, me 600 burra të armatosur.66 Më 1838, doktori austro-hungarez , Jozef Myller, ishte informuar nga At Deda i Vuklit se në Hot kishte 1500 banorë.67 Pothuajse në të njëjtën kohë (1841), në “Një informatë e shkurtër mbi fiset e Malësisë së Shqipërisë së veriut, në veçanti mbi malet e pavarura”, Nikolla, Princi i Vasojeviqve, pohon se popullata e Hotit përbëhej prej 2400 banorëve, prej të cilëve 600 ishin të armatosur. Në saje të regjistrimit të vitit 1854, diplomati francez, Hajsinth Hekardë, ka cekur se Hoti ka 450 familje.

Një diplomat tjetër francez, Emil Vjetë, konsulli francez në Shkodër, ka cekur se Hoti kishte 400 shtëpi që përfshinin 2442 katolikë, plus pesë shtëpi të tjera myslimane në trevën e quajtur Sunci.70 Autorë të tjerë të fimdit të shekullit nëntëmbëdhjetë përmendin gjithashtu 400 dhe 500 familje. Nga këto të dhëna, mund ta kemi të qartë se popullata e Hotit ka pasur rreth 400 banorë në atë kohë. Edith Durhami i referohet Hotit në dekadën e parë të shekullit njëzet si një bajrak i përbërë prej 500 shtëpive.

Hoti, tradicionalisht, ka qenë fis katolik. Mbrojtësi i shenjtë i fisit është Gjoni i Pagëzuar, dita e të cilit (Shënjoni i Hotit) kremtohet për çdo vit, më 29 gusht. Kisha e famullisë së Brigjës, e ndërtuar më 1699, i është kushtuar Shën Gjonit Pagëzues. Vetëm disa gurë dhe një varrezë e vjetër kanë mbetur nga kisha. Ky fis e ka edhe festën dimërore të Shën Nikollës, e cila kremtohet tërë javën. Kisha në Hot i është dedikuar Shën Venerandës. Kisha në Rapshë të Hotit është ndërtuar në vitin 1699 nga françeskanët, të cilët pas një kohe të shkurtër qenë të detyruar të largoheshin prej saj. Një shtëpi e famullitarit u ngrit aty më 1907, e financuar nga Austro-Hungaria. Në Traboin ka qenë një famulli katolike që nga viti 1648, megjithëse shpesh braktisej.

Disa familje në Hot, gjatë periudhës së sundimit Osman u konvertuan dhe kaluan në fenë islame. Megjithatë, ndasitë fetare nuk duket të kenë shkaktuar probleme të mëdha brenda fisit. Dhjetë familje në Rapshë, bie ijala, kaluan në fenë islame më 1800 dhe nga Pasha fituan të drejtën që të kenë Bylykbashin ose (Vojvodën e vet); këtë post e pati vazhdimisht familja e Hasan Agës./ KultPlus.com

‘O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka…Më je nënë, më je motër, më je vlla…’

Poezi nga Naim Frashëri

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!/KultPlus.com

‘Vajza me kaçurrela’, nga Avni Mula

Avni Mula është këngëtar dhe kompozitor i famshëm shqiptar. Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Karrierën e tij e nisi si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shqipëri. Pas vetes la një veprimatri të bujshme dhe shumë këngë të famshme mbajnë firmën e tij.

Vajza me kaçurrela:

Po ecja që më natë mes shkrepave pa udhë
Takova tek burimi një vajze tu mbush ujë
I thash se mu dogj xhani moj vajzë me kaçurrela
Pak uje partizanit, te lutem nga bucela (X2)

Ajo nuk tha një fjale dhe uji i fresket rrodhi
Shikimin vale vale mu duk se vajza më hodhi
Në sytë e mi e ne faqe kur ngrita dy bucela
Më ra një tufë manushaqe te verdhat kaçurrela

Shkembyem buzëqeshje dhe djersa krejt mu ter
Mu shkrin tere malet dhe udha mu bë det
Dhe ika nëpër pyje mes pritave me tela
S’më hiqeshin prej syve të verdhat kaçurrela (x2)/KultPlus.com

‘E tërheq mbrapsht gjithçka që kam thënë’

Poezi nga Nicanor Parra

Para se t’përshëndetem

kam të drejtë me e shprehë nji dëshirë t’fundit:

Lexues bujar

…………………………. digje kët’ libër

nuk tregon at’ që doja me thanë.

Edhe pse qe shkrue me gjak,

nuk tregon at’ që doja me thanë.

Gjendja ime nuk mundet me qenë ma e trishtë,

u munda prej hijes sime:

fjalët morën hak n’mu’.

Falëm lexues

lexues miqësor

që s’mundem me u përshëndetë me ty

me nji përqafim t’ngrohtë:

Por po t’them lamtumirë

me nji buzëqeshje t’detyrueme e të trishtë.

Ka gjasë që s’jam ma tepër se kaq,

por dëgjoji fjalët e mia të fundit:

E tërheq mbrapsht gjithçka që kam thanë.

Me hidhërimin ma të madh n’botë,

e tërheq mbrapsht gjithçka që kam thanë.Përktheu Orjela Stafasani/KultPlus.com

Gjashtë mijë njerëz jetojnë në një fshat në Poloni në një rrugë të vetme

Një foto e një fshati nga Polonia ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale ditët e fundit dhe bëhet fjalë për Suloshovën, ku të gjithë banorët jetojnë në një rrugë.

Vendi piktoresk 45 minuta nga Krakovi – fshati Suloshova, falë paraqitjes së pazakontë të shtëpive të banorëve vendas, tërheq vëmendjen në rrjetet sociale, dhe fotot nga pamja e një zogu janë veçanërisht të njohura kohët e fundit.

Suloszowa është në fakt një nga rrugët më të gjata në Poloni dhe shtrihet për rreth 9 kilometra. Grupe shtëpish dhe ndërtesash shtrihen përgjatë rrugës, dhe ndërsa “në tokë” nuk duket veçanërisht mbresëlënëse – nga ajri ato përfaqësojnë një panoramë piktoreske.

“6000 njerëz jetojnë në Suloszów të Polonisë në një rrugë”, është përshkrimi i fotos së postuar në Twitter, e cila është parë afro 7 milionë herë.

Tweeter-i bëri një gabim të lehtë në emrin e fshatit, duke e quajtur Solushova, me shkronjat U dhe O të ndryshuara. Fshati quhet Sułoszowa, ose Sułoszowa në polonisht./Alsatm/KultPlus.com

Çeku: Me organizimin e Kampionatit Evropian të Xhudos, Kosova do të ketë promovim ndërkombëtar

Ministri i Kulturës,Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, me rastin e vendimit për organizimin e Kampionatit Evropian të Xhudos në Kosovë, ka thënë se kjo ngjarje i sjell vendit promovim dhe shumë të mira të tjera, shkruan KultPlus.

‘’Në fund të këtij viti, qytetarët tanë e sportdashësit do të kenë mundësi të shohin ndeshjet mes xhudistëve më të mirë të Evropës. Një ngjarje ndërkombëtare sportive që do të sjell promovim dhe të mira të tjera për vendin tonë.’’, ka thënë Çeku.

Shqiptarja Eneda Toska, shpërblehet në ShBA me Çmimin e Karrierës për kërkimet rreth kancerit

Eneda Toska është shqiptarja që është shpërblyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Çmimin e Karrierës për Kërkimet rreth Kancerit.

Toska mban titullin doktor shkence dhe u shpërblye nga Shoqata Amerikane për Kërkimet rreth Kancerit për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në këtë fushë si një hulumtuese e hershme e karrierës./klanksova/KultPlus.com

Letra emocionuese që Charlie Chaplin i dërgoi së bijës natën e Krishtlindjeve më 1965

Nga Albert Vataj

Bija ime, Është natë. Nata e Krishtlindjes. Të gjitha rojet e kështjellës time të vogël i ka zënë gjumi. Flenë vëllai dhe motra jote. Edhe nëna jote tani fle. Vetëm zogjtë, sapo u zgjuan dhe të përgjumur u mblodhën tek kjo dhomë gjysmë e ndriçuar. Sa larg jam nga ti!

Do të më kishte kapluar gjumi, sikur portreti yt, qoftë edhe vetëm për një çast, do të më hiqej nga sytë. Ai është këtu në tryezën time, ngjitur me zemrën time. Ku je ti? Larg, në Parisin e përrallave, në skenat e teatrove të mrekullueshme të Champs Elysees. Unë i njoh mirë ato skena. Në qetësinë e natës dëgjoj hapat e tua dhe shikoj sytë që të shkëlqejnë si yjet në qiellin dimëror. E ndjej, si e luan ti rolin e Bukuroshes Persiane, robinë e Khanit të tartarëve, në këtë spektakël festiv të shkëlqyer.

Vazhdo të jesh e mirë dhe kërce! Vazhdo të jesh një yll dhe shkëlqe! Por, kur do të ndjesh se ovacionet dhe mirënjohja e publikut fillojnë të të dehin, apo kur aroma e kurorës me lule të freskëta do të ta mpijnë mendimin, ulu në një qoshe dhe lexo letrën time. Dëgjo zërin e babait tënd. Unë jam babai yt, Geraldina! Unë jam Çarli, Çarli Çaplin! A e di ti sa net kam qëndruar tek shtrati yt, duke të treguar përralla për Bukuroshen e Fjetur dhe për dragonjtë, kur ti ishe fare e vogël ? Dhe kur gjumi m’i rëndonte qepallat e plakura, unë qeshja dhe i thosha: “ Largohu! Gjumi im, këto janë ëndrrat e vajzës time! Unë fle me ëndrrat e saj!” Unë i pashë ëndrrat e tua, Geraldina, pashë të ardhmen tënde, të pashë ty, sot. Unë pashë bijën duke kërcyer në skenë dhe si ajo u ngjit në qiell. Dëgjova publikun të thoshte:”Ej, shikojeni këtë vajzë? Ajo është vajza e gaztorit plak. E mbani mend, e quanin Çaplin?” Po, unë jam Çaplini! Gastori plak! Sot, është radha jote. Kërce! Unë kërceva me pantallona të gjera të shqyera, kurse ti kërcen me fustan të mëndafshtë princeshe. Këto kërcime dhe duartrokitjet e forta, gati të ngjitin në qiell. Fluturo! Fluturo atje! Por, zbrit edhe në tokë! Ti duhet të shohësh jetën e njerëzve, jetën e atyre valltareve të rrugës, që kërcejnë kur dridhen nga të ftohtit dhe uria. Unë isha si ato, Geraldina. Ishin ato netë të magjishme, kur ti flije e nanurisur nga përrallat e mia, e unë rija zgjuar. Shikoja mbi tre fytyrëzat, dëgjoja goditjet e zemrave tuaja dhe pyesja veten :” Çarli, a thua se këto kotele të njohin sadopak?” Ti nuk më njeh, Geraldina.

Shumë përralla të kam treguar në ato netë të largëta, por përrallën time – kurrë. Edhe ajo është interesante. Ajo është përralla e shakaxhiut të uritur, i cili këndoi dhe kërceu në lagjet e varfra të Londrës, dhe më pas mblidhte dashuri. Ja kjo është përralla ime! Unë dija ç’është uria dhe ç’është të mos kesh çati mbi krye. Akoma më shumë, unë provova dhimbjen poshtëruese të kërcimtarit shakaxhi, në gjoksin e të cilit ngrihej stuhia e urrejtjes në një oqean krenarie. Dhe.. këtë krenari, dhimbshëm, e plagosnin monedhat që hidheshin. Megjithatë, unë jetova. Por, le t’i lëmë këto. Më mirë le të flasim për ty. Pas emrit tënd Geraldina, është mbiemri im, Çaplin.

Me këtë mbiemër, për më shumë se dyzet vjet unë hutova mendjet e njerëzve nëpër botë. Qava shumë, edhe pse ata qeshnin. Geraldina, në botën ku ti jeton nuk ka vetëm vallëzim dhe muzikë!. Në mesnatë, kur ti largohesh nga salla madhështore, ndodh t’i harrosh përkrahësit e tu të pasur, por mos harro të pyesësh për gruan e tij, shoferin e taksisë që të çon në shtëpi. Dhe.. në qoftë se ajo është shtatzënë dhe nuk ka para të blejë pelena për fëmijën që do t’u vijë, futi atij ca para në xhep. Herë pas here udhëto me metro ose autobus, ecë me këmbë dhe shiko qytetin Shiko njerëzit! Shiko vejushat dhe jetimët! Dhe.. qoftë edhe njëherë në ditë thuaj vetes: “Unë jam njësoj si ata”. Po, ti je njëra prej tyre, vajza ime!. Ka edhe më. Arti, përpara se t’i japë njeriut krahë që të fluturojë lart, zakonisht, i thyen atij këmbët. Dhe.. po qe se vjen një ditë kur ti do ta ndjesh veten mbi publikun, menjëherë, flake skenën. Me taksinë e parë shko në ndonjë nga zonat e Parisit. Unë i njoh ato shumë mirë! Atje do të shikosh shumë kërcimtare ashtu si ti, madje, më të bukura, më mirënjohëse dhe me krenari të madhe . Atje nuk janë dhe as mendohet të jenë dritat verbuese të prozhektorëve të teatrit tënd. Prozhektor për ato vajza është Hëna. Shiko mirë, vëzhgo! A nuk kërcejnë ato më mirë se ti? Mendo ndershmërisht, vajza ime! Gjithnjë do të ketë nga ato që vallëzojnë më mirë! Dhe mos harro: Në familjen Çarli nuk kishte njerëz pa zemër që të ofendonin taksistin, ose t’u zgërdhiheshin atyre që qëndronin në brigjet e Senës. Unë do të vdes, ti do të jetosh. Unë dua që ti të mos e njohësh, kurrë, varfërinë. Me këtë letër të dërgoj një bllok çeqesh, që të kesh mundësi të shpenzosh aq sa dëshiron. Por, kur të shpenzosh dy franga, mos harro që monedha e tretë nuk është e jotja.

Ajo i takon një njeriu të panjohur, që ka nevojë për të. Një të tillë, ti do ta gjesh kollaj. Mjafton të duash që t’i shikosh këta të varfër të panjohur dhe kudo, do të takosh të tillë. Unë flas me ti për paratë edhe pse e di forcën e tyre djallëzore. Unë kalova shumë kohë në cirk dhe gjithnjë u shqetësova shumë për pehlivanët në tel. Por më duhet të të them, se në tokën e fortë, njerëzit rrëzohen më shpesh, se pehlivanët në telin e lëkundshëm. Mund të ndodhë, që në një nga mbrëmjet e bujshme, ti të verbohesh nga shkëlqimi i brilanteve. Është, pikërisht, ky moment, që të vendos ti mbi telin e rrezikshëm, nga ku rrëzimi bëhet i paevitueshëm. Në një ditë të bukur mund të të shfaqet fytyra e bukur e një princi. Tamam, atë ditë, ti bëhesh një pehlivane pa eksperiencë, dhe…. ata pa eksperiencë bien ngaherë. Mos e shit zemrën tënde për flori dhe gjëra të shtrenjta. Ta dish, brilanti më i madh është dielli. Lumturisht, ai shkëlqen për të gjithë. Dhe.. kur të vijë koha që ti do të dashurosh, duhet ta duash atë njeri me gjithë zemër. Unë i thashë nënës tënde, që ajo të të shkruante lidhur me këtë. Ajo e kupton dashurinë më mirë nga unë, ndaj është më mirë që ajo të flasë me ty për këtë. Puna jote është e vështirë, unë këtë e di. Trupi yt mbulohet vetëm me pak mëndafsh.

Kënaqësia e artit mund të kërkojë që të shfaqesh në skenë edhe lakuriq, por duhet të kthehesh prej andej jo vetëm e veshur, por edhe më e pastër. Unë jam plak dhe fjalët e mia mund të tingëllojnë të çuditshme. Por, sipas meje, trupi yt i zbuluar, duhet t’u përkasë atyre që dashurojnë lakuriqësinë e shpirtit tënd. Mos u frikëso, po qe se kuptimi im për këtë çështje të duket shumë i vjetër dhe u përket kohëve të shkuara. Mos u tremb, këto dhjetë vjeçarë nuk të plakin ti. Por, unë dëshiroj që ti të jesh e fundit, prej atyre që do të bëhen qytetarë të ishullit të karkaculëve. Unë e di, që midis etërve dhe fëmijëve, gjithnjë, zhvillohet një duel. Unë luftoj me veten, me mendimet e mia, vajza ime! Nuk i dua fëmijët e nënshtruar. Ndërkaq, përpara se nga sytë e mi të pikojnë lot mbi këtë letër, unë dëshiroj të besoj, që kjo është nata Krishtlindjeve, nata e mrekullisë. Dua që të ketë ndodhur mrekullia dhe ti, vërtet, t’i kesh kuptuar të gjitha ato që dëshiroja të të thosha. Çarli tani u plak Geraldina. Shpejt ose vonë, në vend të fustanit të bardhë të skenës, do të të duhet të veshësh teshat e zisë, për të ardhur tek varri im. Tani, nuk dua të të shqetësoj më shumë. Vetëm, sa herë do të shihesh në pasqyrë, atje do të shikosh tiparet e mija. Në dejet e tua rrjedh gjaku im. Madje, edhe kur rrjedha e gjakut në arteriet e mia do të ketë ndaluar, unë dua që ti të mos e harrosh babain tënd, Çarli. Unë nuk kam qenë engjëll, por gjithnjë u përpoqa të jem njeri. Përpiqu edhe ti./ KultPlus.com

61 për qind më shumë vizitorë në Muzeun Historik se marsin e kaluar

Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe UNOPS, Muzeun Historik Kombëtar e kanë përfshirë në programin EU4Culture, i cili nisi implementimin me mozaikun e fasadës ballore, për të vijuar më tej edhe me vetë godinën e muzeut.

Godina e MHK, një monument i kategorisë II, do të jetë edhe më funksionale për vizitorët, me pavijone të shtuara, që flasin për identitetin tonë kombëtar. Në grupin e punës janë përfshirë edhe specialistë të albanologjisë.

Ekipi që ka realizuar projektin ka pasur në përbërje të tij 31 specialistë të fushave të ndryshme: arkitektë, historianë, arkeologë, etnografë, ikonografë, dizajner etj.

Synimi është që ky muze të ketë më shumë hapësira ekspozitash të përhershme dhe të përkohshme, në mënyrë që të jetë sa më dinamik; të ketë sa më shumë hapësira edukimi për fëmijë, hapësira për takime, workshope, librari, ambiente për familjen dhe patjetër ambiente të dedikuara për digjitalizimin dhe restaurimin e artefakteve./atsh/ KultPlus.com

Më 19 prill promovohet antalogjia shqip-gjermanisht ‘Përtej harrimit’

Të mërkurën, më 19 prill, në Prishtinë do të promovohet antalogjia shqip-gjermanisht ‘Përtej harrimit’ përpiluar nga Drita Ademi dhe e përkthyer nga Loreta Schillock, përcjell KultPlus.

Takimi do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga ora 15:00.

Ndërkaq, kjo antologji përmban poezi të ndryshme nga shkrimtarë e poetë të shumtë shqiptarë./ KultPlus.com

‘Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqyptarit asht shqyptaria’

Poezi nga Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.

Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,

Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,

E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?

Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!

Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,

E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,

Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit. / KultPlus.com

Vdes në moshën 90-vjeçare aktori, Murray Melvin

Ylli i Torchwood, Murray Melvin, ka vdekur në moshën 90-vjeçare.

Vdekja e tij u njoftua të premten nga një mik, i cili tha se Melvin “nuk ishte shëruar kurrë plotësisht” që nga dhjetori, shkruan Skynews, transmeton Klankosova.tv.

Aktori ishte më i njohur për filmin e vitit 1961 ‘A Taste Of Honey’, në të cilin ai luajti një student homoseksual të dizajnit të tekstilit, i cili miqësohet me një vajzë adoleshente shtatzënë.

Ai gjithashtu luajti në serialin ‘spin-off Doctor Who Torchwood’, i cili u transmetua nga 2006 deri në 2011./KultPlus.com