Pritmë dhe unë do të kthehem

Poezi nga Konstandin Simonov

Pritmë dhe unë do të kthehem,
Pritmë me shumë durim.
Pritmë

Kur shirat e verdhë të të krijojnë trishtim,
Pritmë kur të tërbohet stuhia e borës me erë.
Pritmë kur të nisë të nxehtit atje,
Kur të tjerët s’presin dot më,
kur harrojnë atë që ndodhi dje.
Pritmë kur nga vendet e largëta ndërdiç
Letrat e mia s’do të mbërrijnë kurrsesi,
Pritmë kur t’u vijnë me tepricë 
Të gjithë ata që presin si ti.

Pritmë dhe unë do të kthehem,
Mos kërko të mirën e tyre pra, 
Të atyre që e dinë krejt përmendësh
Se është koha për të harruar gjithçka.
Djali dhe nëna gjithashtu besojnë, 
Që unë s’jam më gjallë,
Miqtë të lodhen duke pritur.
Të shtrënguar rreth zjarrit të ngrohtë valë 
Le të pinë verë ata
Në kujtim të shpirtit tim …
Pritmë. 
Mos nxito të pish me ta verën kuqëlim .

Pritmë dhe unë do të kthehem,
Për inat 
të të gjitha vdekjeve.
Dikujt që më s’e priste,
Thuaji, pata fat.
Kush s’duroi të priste dot, s’mund të kuptojë
se si më shpëtove ti mua paq 
Në mes të zjarrit
Me pritjen tënde, 
me durimin e gjatë.
Vetëm ne të dy, e dimë
Se si unë mbeta gjallë gjer sot:
Vetëm ti, dite të prisje me përgjërim,
Si askush tjetër s’mund të dinte në botë.

1942./ KultPlus.com

Vdes në moshën 46-vjeçare kitaristi i grupit Script, Mark Sheehan

Ka vdekur bashkëthemeluesi dhe kitaristi i grupit irlandez të rockut The Script, Mark Sheehan. 46-vjeçari vdiq në spital të premten pas një sëmundjeje të shkurtër, njoftoi grupi. Sheehan formoi grupin në vitin 2001 së bashku me vokalistin Danny O’Donoghue dhe bateristin Glen Power.

Një deklaratë në faqet e rrjeteve sociale të grupit tha se Sheehan ishte një “burrë, baba, vëlla, shok dhe mik shumë i dashur”.

Bashkëkohësit e Sheehan-it në industrinë e showbiz-it ishin të shpejtë për të nderuar kujtimin e tij.

Në një homazhe në Instagram, dyshja irlandeze e popit Jedward tha: “Të gjithë në industrinë e muzikës irlandeze dhe në mbarë botën po vajtojnë humbjen tuaj, një muzikant kaq i talentuar nga The Script, një nga grupet më ikonike irlandeze të brezit tonë.”

Grupi tjetër i rock-ut irlandez Kodaline gjithashtu ka bërë homazhe, duke postuar në Twitter: “Shumë keq që dëgjova për vdekjen e Mark Sheehan”.

Presidenti i Irlandës Michael D Higgins tha se Sheehan ishte një shembull “i jashtëzakonshëm” i suksesit muzikor irlandez në skenën botërore./abcnews.al/KultPlus.com

Leonardo Da Vinci: Sa më e thellë është ndjenja, aq më e madhe është dhimbja

Thënie nga Leonardo Da Vinci:

“Asgjë më shumë se heshtja nuk e forcon autoritetin”.

“Asgjë nuk mund të urrehet ose të dashurohet nëse fillimisht ajo nuk kuptohet.”

“I dua ata që mund të qeshin në vështirësi, ata që mund të fitojnë forcë nga vuajtja dhe të rriten trimërisht nga reflektimi.”

“Sa më e thellë është ndjenja, aq më e madhe është dhimbja.”

“Do të vijë koha kur njerëzit njësoj sikur unë tani, kafshën e vdekur do ta shohin ashtu siç e shohin tani njeriun e vdekur.”

“E gjithë dija jonë origjinën e saj në përceptimet tona.”

“Të padobishme dhe përplot gabime janë të gjitha ato shkenca që nuk janë të lindura nga përvoja – nëna e gjithë dijes.”

“Unë u zgjova vetëm për ta parë se pjesa më e madhe e botës ishte ende në gjumë.”

“Ai që dëshiron të bëhet i pasur brenda një dite, do të jetë i varur brenda një viti.”

“Mençuria është bija e përvojës.”

– Leonardo da Vinçi

/KultPlus.com

‘The Times’ promovon traditat, kulinarinë e natyrën e Shqipërisë

Prestigjiozja “The Times” vazhdon të promovojë Shqipërinë për publikun britanik.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot shkrimin e “The Times”, ku promovimi i Shqipërisë këtë herë vjen në një formë të veçantë, përmes një ekspedite 8-ditore me biçikletë.

“Një udhëtim nën flladin e pishave përmes një “trafiku” rosash, kuajsh, fermerësh të ngarkuar me prodhimet e tyre dhe njerëzish mikëpritës ndaj çiklizmit”, shkruan Kumbaro.

Ajo shprehet se “mes rreshtave përshkruhen traditat, pazaret, Komani e Valbona, shtëpitë e veçanta të Himarës, çatitë e gurta të Gjirokastrës, këngët e Korçës, shija e fërgesës së Tiranës dhe plot bukuri të tjera të Shqipërisë, që këtë sezon veror po përgatitet të mirëpresë jo vetëm vizitorët e bregdetit, por edhe turistët e sportit, aventurës e kulinarisë”.

Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm turistik, shkruan Paul Bloomfield për gazetën e njohur britanike ”The Times”.

Autori, i cili ka bërë një tur me biçikletë në Shqipëri, tregon përvojën e kaluar në shumë zona të vendit, të cilën e konsideron të jashtëzakonshme.

Artikulli i plotë i “The Times”./KultPlus.com

43 vjet nga vdekja e filozofit ekzistencialist, dramaturgut, romancierit francez, Jean-Paul Sartre

Jean-Paul Charles Aymard Sartre (21 qershor 1905 – 15 prill 1980), i njohur si Jean-Paul Sartre (lexo: Zhan-Pol Sartri), ishte filozof francez ekzistencialist, dramaturg, romancier, skenarist, aktivist politik, biograf, dhe kritik letrar. Ai ishte ndër figurat më të rëndësishme të Filozofisë franceze të shekullit XX.

Biografia
Jeta e hershme dhe mendimi

Jean-Paul Sartre u lind dhe u rrit në Paris nga Jean-Baptiste Sartre, një oficer i Marinës Franceze, dhe Anne-Marie Schweitzer. Nëna e tij ishte me origjinë Alsasiane, dhe kushërirja e parë e laureatit të Çmimit Nobel Albert Schweitzer. (Babai i saj, Charles Schweitzer, 1844-1935, ishte vëllai i madh i babait të Albert Schweitzerit, Louis Théophile, 1846-1925).

Kur Sartri mbushi 15 muaj, babai i tij vdiq nga një sëmundje. Anne-Marie e rriti atë me ndihmën e babait të saj, Charles Schweitzer, një profesor gjimanzi i Gjermanishtës, i cili ia mësoi Sartrit metematikën dhe ia prezantoi atij literaturën klasike në një moshë shumë të re.

Si adoleshent në vitet 1920ta, Sartri u interesua për filozofi pasi lexoi Essay on the Immediate Data of Consciousness nga Henri Bergson. Ai studio dhe doktoroi në filozofi në Paris në elitën École Normale Supérieure, një institucion i edukimit të lartë që ishte alma mater për disa mendimtarë dhe intelektualë të rëndësishëm Francezë. Sartri i ndikua nga shumë aspekte të Filozofisë perëndimore, duke marrë ide nga Kanti, Hegeli, Husserli dhe Heideggeri, ndër të tjerë. Më 1929 tek École Normale, ai takoi Simone de Beauvoir, e cila studionte Sorbonne-nën dhe më vonë u bë filozofe, shkrimtare, dhe feministe e njohur. Të dy u bënë të pandashëm dhe partnerë jete, duke filluar një marrëdhënie romantike,[5] megjithëse nuk ishin monogamikë. Sartri krey shërbimin ushtarak në Ushtrinë Franceze nga viti 1929 deri më 1931 dhe më vonë më 1959 tha se secili person francez ishte përgjegjës për krimet kolektive gjatë Luftës algjeriane për pavarësi.

Sartri dhe Lufta e Dytë Botërore

Më 1939 Sartri ishte në ushtrinë franceze, ku shërbente si meteorolog. Ai u kap nga forcat gjermane më 1940 në Padoux, dhe kaloi nëntë muaj si i burgosur lufte— në Nancy dhe më vonë në Stalag 12D, Trier, ku shkroi pjesën e parë teatrale, Barionà, fils du tonnerre, një dramë lidhur me Krishtlindjet. Gjatë kësaj periudhe ngujimi Sartri lexoi Sein und Zeit nga Heidegger, që më vonë bëhet ndikim kryesor në esenë e tij mbi Ontologjinë fenomenologjike. Për shkak të shëndetit të dobët (ai pretendonte se shikimi i dobët ia ndikonte ekuilibrin) Sartri u lirua në prill 1941. Pasi iu dha statusi i civilit, ai rifilloi punën si mësues në Lycée Pasteur afër Parisit, i vendosur në Hotel Mistral afër Montparnasse tek Paris dhe iu dha një pozicion i ri tek Lycée Condorcet, duke zëvendësuar një mësues hebre të cilit i ishte ndaluar mësimdhënia nga i ashtuquajturi Vichy law apo Statuti mbi Hebrenjtë.

Pasi u kthye në Paris në maj 1941, mori pjesë në themelimin e grupit nëntokësor Socialisme et Liberté me shkrimtarët e tjerë Simone de Beauvoir, Merleau-Ponty, Jean-Toussaint, Dominique Desanti, Jean Kanapa, dhe studentët e École Normale. Në gusht, Sartri dhe Beauvoir shkuan në Rivierën franceze për të kërkuar përkrahjen e André Gide dhe André Malraux. Sidoqoftë, si Gide ashtu edhe Malraux ishin të pavendosur, dhe ky mund të kishte qenë shkaku i zhgënjimit dhe humbjës së kurajës së Sartrit. Socialisme et liberté më vonë u shpërbë dhe Sartri vendosi të shkruajë, në vend që të përfshihej në rezistencën aktive. Ai shkruajti Qenia dhe Hiçi, Mizat dhe S’ka Dalje, asnjë nga të cilat nuk u cenzuruan nga gjermantë, dhe kontribuoi gjithashtu në revistat letrare legale dhe ilegale.

Pas gushtit 1944 dhe Çlirimit të Parisit, ai shkroi Anti-Semite and Jew (Anti-Semit dhe Hebre). Në këtë libër përpiqet të shpjegojë etiologjinë e urrejtjes duke analizuar urrejtjen ani-semite. Sartri ishte kontribues aktiv te Combat, një gazetë e krijuar gjatë periudhës klandestine nga Albert Camus, një filozof dhe autor i cili kishte besime të ngjajshme. Sartri dhe Beauvoir mbajtën shoqërinë me Camusin derisa ai u largua nga komunizmi, një “schism” që eventualisht i ndau më 1951, pas publikimit të Rebelit. Më vonë, ndërsa Sartri konsiderohej nga disa autorë si pjesë e rezistencëz, filozofi francez, gjithashtu pjesë e rezistencës, Vladimir Jankelevitch kritikoi mospërfshirjen e Sartrit në politikë gjatë okupimit gjerman, dhe interpretoi mundimet e tij të mëvonshme për liri si një përpjekje për ta shfajësuar vetveten. Sipas Camusit, Sartri ishte shkrimtar që rezistonte, jo rezistant që shkruante.

Kur lufta përfundoi Sartri themeloi Les Temps Modernes (Kohët Moderne), një analizë mujore letrare dhe politike, dhe filloi të shkruajë vazhdimisht si dhe të vazhdojë aktivizmin e tij politik. Ai përdori përvojat e tija nga lufta për novelat e tij të famshme, Les Chemins de la Liberté (Rrugët e Lirisë) (1945–1949).

Politika

Periudha e parë e karierës së Sartrit, e përshkruar kryesisht nga Being and Nothingness (1943), i hapi rrugë një periudhe të dytë si aktivist i angazhuar politik dhe intelektual. Punimi i tij i vitit 1948 Les Mains Sales (Duar të Pista) veçanërisht eksploroi problemin e të qenit intelektual dhe “i angazhuar” politikisht në të njëjtën kohë. Ai përkrahu komunizmin, mohoi spastrimet e Stalinit, pati marrëdhënie me një agjent të KGB-së[10] dhe mbrojti ekzistencialicmin, megjithëse asnjëherë nuk iu bashkua Partisë Komuniste, dhe mori një rol publik në lëvizjen kundër Sundimit Francez në Algjeri. Ai ishte ndoshta përkrahësi më i dalluar i Frontit Nacional Çlirimtar Algjerian në Luftën Algjeriane dhe ishte një nga nënshkruesit e Manifeste des 121. Përveç kësaj, ai kishte një dashnore algjeriane, Arlette Elkaïm, e cila u bë vajza e tij e adoptuar më 1965. Ai kundërshtonte Luftën e Vietnamit dhe, së bashku me Bertrand Russell dhe të tjerë, organizoi një gjyq, me qëllim të zbulonte krimet e luftës të SHBAve, i cili u bë i njohur si Tribunali Russell më 1967. Efekti i të cilit ishte i limituar.

Si simpatizant, Sartri kaloi pjesën më të madhe të jetë së mbetur duke provuar të lidhte idetë e tij ekzistencialiste rreth vullnetit të lirë me principet komuniste, që thoshnin se forcat social-ekonomike përtej kontrrollit tonë individual të menjëhershëm luajnë një rol kritikt në jetën tonë. Punimi kryesor i tij në këtë periudhë, Critique de la raison dialectique (Kritikë ndaj Arsyes Dialektike) u shfaq më 1960. Në Critique, Sartri donte ti jepte Marksizmit një mbrojte më vigoroze intelektuale se që kishte pasur deri atëherë; ai përfundoi duke thënë se nocioni i Marksit i “klasave” si një entitet objektiv ishte i rremë. Theksimi i vlerave humaniste në punimet e hershme të Marksit nga ana e Sartrit çuan te një mosmarrëveshje me intelektualin komunist kryesor në Francë në vitet 1960, Louis Althusser, i cili pretendonte se idetë e Marksit të ri ishin tejkaluar vendosmërisht nga sistemi “shkencor” i Marksit të moshuar.

Sartri shkoi në Kubë në vitet e 60ta për të takuar Fidel Castron dhe foli me Ernesto “Che” Guevaran. Pas vdekjes së Guevarës, Sartri e shpalli atë “jo vetëm intelektual por edhe personin më të plotë të kohës sonë” dhe “njeriun më të përkryer të epokës.” Sartri gjithashtu komplimentoi Che Guevarën duke thënë se “ai jetoi fjalët e tij, foli veprimet e veta dhe historia e tij dhe historia e botës ecën pararelisht.”

Duke pasuar masakrën e Mynihut në të cilë humbë jetën njëmbëdhjetë izraelitë të Olimpiadës për shkak të organizatës palestine shtatori i Zi në Mynih më 1972, Sartri tha se terrorizmi “është një armë e tmershme por të varfërit e shtypur nuk kanë tjetër.” Sartri gjithashtu e konsideronte “skandaloz faktin që sulmi i Mynihut duhet të vlerësohej nga shtypi dhe një pjesë e opinionit publik si një skandal i patolerueshëm.”Sidoqoftë, Sartri ishte në përgjithësi përkrahës i Izraelit dhe Zionizmit.

Gjatë një greve urie kolektive më 1974, Sartri vizitoi udhëheqësin e grupimit të Ushtrisë së Kuqe Andreas Baaderin në Burgun Stammheim dhe kritikoi kushtet e rënda të burgimit.[16]
Jeta e vonshme dhe vdekja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1964, Sartri hoqi dorë nga literatura me një përmbledhje të mençur të dhjetë viteve të para të jetës së tij, Les mots (Fjalë). Libri në fjalë është një kundërvënie ironike ndaj Marcel Proust, reputacioni i të cilit kishte mbuluar papritur atë të André Gide (i cili kishte ofruar modelin e littérature engagée për gjeneratën e Sartrit). Literatura, përfundon Sartri, funksiononte ultimatikisht si zëvendësim borgjez për përkushtimin e vërtetë në botë. Ai ishte Laureati i parë që refuzoi Çmimin Nobel, dhe më parë kishte refuzuar çmimin Légion d’honneur, më 1945. Çmimi u shpall më 1964 22 tetor; më 14 tetor, Sartri i kishte shkruar një letër Institutit Nobel, duke kërkuar që të hiqej nga lista e të nominuarve, dhe duke shtuar se nuk do ta pranonte çmimin edhe po ta fitonte, por kjo letër nuk u lexua; më 23 tetor, Le Figaro publikoi një deklaratë nga Sartri ku shpjegohej refuzimi i tij.

Sidoqoftë, Lars Gyllensten, anëtar i hershëm i Komitetit Nobel ka pretenduar në autobiografinë e tij se Sartri kishte provuar më vonë të merrte paratë e çmimit, por kjo nuk i ishte lejuar. Gjoja se filozofi francez i kishte shkruar një letër Komitetit Nobel më 1975 duke i thënë se kishte ndrruar mendje për çmimin, të paktën sa i përket parave. Thuhet se në këtë pikë komiteti e kishte refuzuar kërkesën, duke deklaruar se paratë ishin ri-investuar në Institutin Nobel.

Megjithëse emri i tij u bë i famshëm (si “ekzistencializmi” gjatë viteve 1960), Sartri mbeti njeri i thjeshtë me pasuri të vogël, i përkushtuar aktivisht në çështje globale deri në fundin e jetës së tij, siç ishin grevat revolucionare studentore në Paris gjatë verës së vitit 1968, gjatë të cilave ai u arrestua për mosbindje civile. Presidenti Charles de Gaulle intervenoi dhe e liroi atë, duke thënë se “nuk mund ta arrestosh Volterin.”

Më 1975, kur u pyet se në ç’mënyrë do të dëshironte të mbahej mend, Sartri u përgjigj:

“Do të doja që [populli] të kujtonte Nausea, S’ka Dalje dhe Djalli dhe Zoti i Mirë, dhe pastaj dy punimet e mija filozofike, veçanërisht të dytën, Kritikë ndaj Arsyes Dialektike. Pastaj esenë time mbi Genetin, Shën Geneti…Nëse këto kujtohen, do të ishte një arritje e lartë, dhe nuk kërkoj më tepër. Si njeri, nëse një Jean-Paul Sartre kujtohet, do të doja që njerëzit të kujtonin edhe rrethanat e situatës historike në të cilën jetova,…si jetova në të, nga aspekti i të gjitha aspiratave që u përpoqa t’i mbledh brenda vetes.”

Gjendja fizike e Sartrit u përkeqësua, pjesërisht për shkak të ritmit të pamëshirshëm me të cilin punonte (dhe përdorimit të drogës për këtë arsye, p.sh, amfetamina) gjatë shkrimit të Critique dhe një biografie analitike masive të Gustave Flaubert (Idioti Familjar). Asnjëra nuk u përfundua.

Ai vdiq më 15 prill 1980 në Paris nga një sëmundje në mushkëri.

Sartri prehet në Cimetière de Montparnasse në Paris. Shumë njerëz morën pjesë në varrimin e tij, numri i tyre gjatë Marshit dy-orësh vlerësohet të ketë qenë nga 15 000 deri te 50 000. /KultPlus.com

Universiteti #1 në SHBA për impakt global vjen në Kosovë?

Arizona State University – ASU, Universiteti shtetëror më i madh në SHBA, Universiteti #1 në SHBA për impakt global dhe Universiteti më inovativ në SHBA vjen në Kosovë.

Me anë të një partneriteti me Kolegjin Universum, tashmë i njohur si UNI – Universum International College, studentët kosovarë do të kenë nga Kosova qasje në ASU.

Kjo përbën padyshim zhvillimin më të madh për sektorin e edukimit në Kosovë sa i përket ndërkombëtarizimit.

ASU është një universitet që i jep shumë rëndësi inovacionit, hulumtimeve, por sidomos qasjes në studime për të gjithë.

Kjo dëshmohet edhe me numrin e studentëve, ku momentalisht numëron rreth 150,000 studentë aktual e aktiv që i ndjekin studimet aty.

Studentët nga Kosova por edhe i gjithë rajoni do të kenë përfitime të panumërta nga kjo mundësi, duke nisur me qasjen në universitetin më inovativ në SHBA, qasje në kurrikulë, resurse dhe hulumtime të ASU-së, mundësi për diplomë të dyfishtë etj.

Nga 30 marsi, dita kur u mbajt eventi i njoftimit për këtë partneritet, skena e arsimit në Kosovë ka ndryshuar përgjithmonë.

Në këtë event, përveç tjerash, kanë folur edhe Z. Jeffrey M. Hovenier, ambasador i SHBA në Kosovë, Presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, Presidenti i UNI-t, z. Alejtin Berisha, z. Chris Hoëard, zv. President Ekzekutiv dhe Shef i Operacioneve në ASU, Rick Shangraë, President i Cintana Education dhe Dr. Shqipe Gërguri Rashiti, rektore e UNI. Për më shumë informata rreth nesh kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Uni-Universum International College facebook & instagram./KultPlus.com

Më 15 prill 1923 botohej ‘Ora e maleve’, gazeta jetëshkurtër me jehonë të madhe

Pas shkretimeve të Luftës së Parë Botërore Shqipëria kishte nevojë më shumë për dije, dhe për këtë qëllim Koliqi vendosi të hapë një gazetë. Kështu, së bashku me Anton Harapin (1888-1946) dhe Nush Topallin, ai themeloi të përjavshmen opozitare “Ora e maleve”, numri i parë i së cilës doli në Shkodër më 15 prill 1923.

Ora e maleve ishte organ i Partisë Demokratike Katolike, që me mbështetjen e klerit katolik kishte fituar zgjedhjet në Shkodër. Ky periodik, ndonëse jetëshkurtër, u përhap gjerësisht në Shkodër e më tej. Vitin tjetër, pasi kishte fituar një farë përvoje dhe si një poet i ri midis figurave më të njohura politike e letrare të kohës si Gjergj Fishta (1871-1940), Luigj Gurakuqi (1879-1925), Mid’hat Frashëri (1880-1949) dhe Fan Noli (1882-1965), Ernest Koliqi botoi një të quajtur poem dramatik me titull Kushtrimi i Skanderbeut, Tiranë 1924. Ajo përmban një radhë odesh për heroin kombëtar të Shqipërisë e për figura të tjera të mëdha të së kaluarës, të krijuara sipas traditës së letërsisë së Rilindjes.

Gazeta ka qenë organ i Grupit “Ora e maleve”. Grupi “Ora e maleve” ka qenë një grupim intelektualësh katolikë për të mbrojtur të drejtat e tyne e për të dhanë ndihmesën e vet në zhvillimin demokratik të vendit. Ky Grup u krijue nga Imzot Lazer Mjeda, vëllai i poetit Ndre Mjeda. Dhe pati rreth vetes një brumë vërtetë mbrujtun me ideale kombëtare e shoqnore të përparueme, si: Fishta, L. Gurakuqi, Ndre Mjeda, Shuk Gurakuqi, Harapi, Shantoja, Palaj, P.Ambroz Marlaskaj, Ndoc Ҫoba, vëllaznit Simoni e Nush Topalli, që zgjidhi i pari qesen me dhanë ndihmë në pare.

Gazeta “Ora e maleve” doli: Numri i parë, me 15 prill 1923. Gjatë këtij vjeti, 1923 dolën 43 numra, vazhdoi në vjetin 1924 me 1.I.1924 e deri me 25 dhetuer 1924, gjithsej 52 numra. Pra: 43 numra në vjetin e parë e 52 në vjetin e dytë, madje pati edhe shtesë numrash.

Në vijim po ribotojmë poemin dramatik me titull “Kushtrimi i Skanderbeut” shkruar nga Ernest Koliqi:

Ç’asht moj Zanë kjo gjamë nga malet,
Ç’asht kjo ushtimë që kurr nuk ndalet,
L’shon kushtrimin Skanderbeu,
Dridhet toka, tundet dheu.

N’kambë shqiptarë ju me u çue,
Me ngjesh armët me luftue,
Ka ardhë dita e Lirisë,
Dërmen me ia dhanë Turkisë.

N’kala t’Krujës valon krenar,
Njaj flamuri fitimtar,
Njaj flamuri kuq e zi,
Që në shekujt veç ka pri.

N’Lezhë shpejt mblidhet nji kuvend:
Flasin princat rend me rend,
Skanderbeu nji fjalë ka thanë:
Të bashkuem t’jemi të tanë.

Lezhë qytet i Ilirisë,
Mblodhe burrat e Shqipnisë,
N’krye qëndron GJERGJ KASTRIOTI,
I Shqiptarve Princ Kryezoti.

Pa ndigjo Sulltan Murati,
Për njat kryq që mbaj në gji,
Me marrë Krujën je ba gati,
Gjithë ushtrinë kam me ta gri!

Fort tërbue asht Sulltani,
E ka dyndun gjithë ushtrinë,
Rrethim Krujës veç i bani,
Ban hesapet pa hanxhinë.

Se jo, Kruja nuk dorzohet,
Skanderbeu fort e mbron,
Njaj Murati krejt tërbohet,
Prej trishtimit ma nuk rrnon.

Gjith Evropa n’kamb asht çue,
Mbretën, Roma e Venediku,
Skanderbeu qoftë nderue,
Na ka mbrojt prej çdo rreziku.

Emni i tij me shkronja t’arta,
Rrin i shkruem në Histori,
Me levdatat ma të larta,
Përjetsisht i qoftë lavdi!

Çdo shqiptar për të krenohet,
Për kët Princ e luftëtar,
Brez pas brezi do të kujtohet,
Si Heroi ma i madh Kombëtar!

1924. /redaktori/ KultPlus.com

Shiu

Poezi nga: William Carlos Williams
Përktheu: Maksim Rakipaj

Ashtu sikur bie shi
bën edhe ti
me dashurinë tënde
gjithçka të zbuluar
lag kudo

Në shtëpitë
krejt të terura
dhomat
e dashurisë së paligjshme
ku jetojmë
dëgjohet rrebeshi
i shiut

Atje
pikturat
metalet e çmuar,
stofrat e shtrenjtë
harbimi ynë
i kënaqur
kundron
nga dritaret
rrebeshin pranveror
të dashurisë tënde
rënien
e shiut

Pemët
bëhen
si kafshë të lagura
nga ujët e detit
çurg
u kullon
gjithë trupi

Kështu më shkoi jeta
të mbaj larg dashurinë
me të cilën
si shi bie
mbi botën e pranverës,
çurgon
dhe kështu fjalët ndan
derisa gjen një shteg
për dashurinë e saj.

Përmes rrjedhin
pikat.

Shiu
si mjek dashamirës
shiu i mendimeve të saj
mbi oqean
e ngado
ku kalojnë
me këmbët e shpejta, të padukshme
mbi dallgët e pambrojtura

Dashuri jo e kësaj bote
ku shpresa për botën s’ka
dhe pas dëshirës
s’mund ta ndryshojë

Bie shiu përmbi dhé
mbi bar e mbi lule

Përsosmërisht vjen
në trajtë të lëngët
kthjelltësie

Por dashuria s’është
e kësaj bote
dhe prej saj
asgjë nuk vjen
pos dashuri
që pafundësisht
vazhdon të bjerë
nga mendimet e saj./KultPlus.com

Vijon puna për fotografimin e fondit të Muzeut të Artit Mesjetar

 Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë po vijon puna për fotografimin me cilësi maksimale e të gjitha veprave që ndodhen në këtë muze.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau foto të këtyre veprave teksa bëri të ditur se, “pas procesit të dezinfektimit në Laboratorin e Restaurimit dhe Konservimit në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar vijon puna për fotografimin me qëllim dokumentimin dhe lehtësimin e aksesimit të tyre për studiuesit e trashëgimisë”.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 Prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona.

Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj./KultPlus.com

Jup Kastrati, akademiku dhe studiuesi i shquar shqiptar

Profesor Jup Kastrati ka lindur në Shkodër, me 15 prill 1924. Shkollën fillore pesëklasëshe (1930 – 1935), gjimnaz klasik (1936 – 1940) dhe licé real (1941 – 1944), i ka bërë në qytetin e lindjes. Pak kohë (gusht – nëntor 1942) ka qenë edhe në Liceo scientifico “Galileo Ferraris”, Convitto Nazionale “Umberto I”, në Torino. Gjatë pushtimit italian, si antifashist, ka qenë i persekutuar, i burgosur, i internuar në Campo concentramento (Fushë përqëndrimi), Comando Z, në Kodrat e Tepes, Shkodër, ostaggio (peng) në Kosovë, në burgun famëkeq të Prizrenit (korrik – shtator 1943).

Ka kryer Fakultetin e Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Temë diplome ka pasur: Kontribute për studimin e Ndre Mjedës (1958). Relator: Prof. Mahir Domi. Ndoqi aspiranturën apo kualifikimin shkencor pasuniversitar, për gradën: Kandidat i shkencave filologjike me studimin monografik dialektologjik: E folmja e Thethit (1962). Udhëheqës shkencor: Prof. Eqrem Çabej.

Ishtë një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës (me 2 shtator 1957). Ka luftuar shumë për krijimin e Universitetit të Shkodrës, me anë promemoriash dhe kërkesash në autoritetet më të larta shtetërore dhe në shtyp, si dhe në tubime të ndryshme. Edhe emërtimi i këtij Ateneu “Luigj Gurakuqi”, është konceptuar e hartuar prej tij. Ka qenë shef (përgjegjës) i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (1973 – 1990). Ordinar i Historisë së albanologjisë.

Ka qenë bashkëpunëtor shkencor i jashtëm 50 vjet pa ndërprerje, Përgjegjës i Rrethit letrar të Shtëpisë së Kulturës, Shkodër (1947 – 1957). Kryetar i Këshillit të Bibliotekës së qytetit të Shkodrës (1948 – 1990). Kryetar i Këshillit të Bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik dhe i Universitetit “Luigj Gurakuqi” (dhjetor 1957 – janar 1993). Kryetar i Këshillit të Emërtimeve, në Shkodër. Anëtar i Këshillit shkencor të rrethit të Shkodrës (1988). Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, Shkodër (1989)”. Ndër themeluesit dhe drejtuesit e revistave shkencore “Buletini i Shkodrës” dhe “Shkodra” etj.

Për merita të veprimtarisë arsimore dhe shkencore, është nderuar me: Arsimtar i dalluar (1954), Medalja e Punës (1959), Urdhëri “Naim Frashëri”, kl. II (1970), Mësues i merituar (1979), Mësues i Popullit (Me rastin e 100 – vjetorit të shkollës së parë shqipe në Korçë, me 7 mars 1987), Drejtues kërkimesh (1995). Ka qenë shef (përgjegjës) i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (1973 – 1990). Ordinar i Historisë së albanologjisë. Ka mbajtur ligjërata problemore, universitare e pasuniversitare, në Universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Kalabrisë, Napolit, Salernos, Peruxhias, Nju Jorkut, si edhe kumtesa në sesione e simpoziume shkencore jashtë Shqipërisë.

Është përfshirë në Enciklopedinë Ndërkombëtare të Biografive, Edicioni i Trembëdhjetë i Intelektualëve Botërorë (Kembrixh, dhjetor 1997): International Biographical Centre, Cambridge: Dictionary of International Biography (1998). Thirteenth Edition of the International Who’s Who of Intellectuals etj.

Me rastin e 75-vjetorit të lindjes Presidenti i Republikës e dekoroi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës”. Kohë më pare qyteti i tij i lindjes, Shkodra nga i cili nuk u largua asnjëherë edhe atëherë kur bëheshin përpjekje për ta dërguar për shërbime të ndryshme në Tiranë, e shpalli “Qytetar Nderi”.

Në një periudhë prej 60-vjetësh Profesor Jup Kastrati ka bërë një punë titaniku në fushë të kërkimeve, studimeve dhe sintezave shkencore të albanologjisë.  Rreth 40 vepra të botuara e të ribotuara në një hark kohor prej më shumë se 40 vjetësh, janë rezultat i kërkimeve të dendura ndër biblioteka dhe arkiva, punë sistematike e studimit të kësaj lënde dhe pjesë e veprimtarisë së tij pedagogjike e studimore.

Në bibliografinë e tij prej rreth 1000 njësish të Profesor Jup Kastratit gjenden edhe këto vepra Faik Konica (Jeta dhe veprat). Monografi, Nju Jork,1995; Fedri, Fabula, përkthyer nga latinishtja. Tiranë, 1958; Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare. Shkodër, 1962, Prishtinë 2003 (i plotësuar); Filip Shiroka, Zani i zemrës, Tiranë, 1958 (bashkautor); Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Bibliografi (1454 – 1835). Vëllimi I. Tiranë, 1997 (Bashkautor); Histori e gjuhësisë shqiptare. Instituti i Lartë Pedagogjik Shkodër, Shkodër, 1989. (Dispensë); Histori e gramatologjisë shqiptare (1635 – 1944), Prishtinë, 1980; Historia e albanologjisë (1497-1997). Vëllimi I (1497-1853), Tiranë, 2000; J. De Rada, Këngë të Milosaut, Tiranë, 1956; Prishtinë, 1965, 1968; J. De Rada, Publicistika, Letërkëmbimi. Autobiografia, Tiranë, 1987; Prishtinë, 1988; J. De Rada, Skanderbeku i pafanë. Tiranë, 1987; Prishtinë, 1988; Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat). Tiranë, 1962; Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat). Version i plotësuar. Monografi, Tiranë, 1979; Prishtinë, 1980; Jeta shkencore në Shkodër (kronikë, 1962-1990), Instituti i Lartë Pedagogjik Shkodër; Kolë Mirdita (Helenau), Trëndafila që s’çelin për ne, Tiranë, 1959; Kontribute për studimin e Ndre Mjedës. Shkodër, 1958; Ndre Mjeda, Çështje gjuhësore. Tiranë. 1967; Ndre Mjedja, Vepra II. Prishtinë, 1982; Për historinë e ortografisë shqipe, Shkodër, 1969/1970; Prishtinë, 1971; Sintaksa e gjuhës shqipe (1974), konspekt-leksone, dispensë, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër; Studime për De Radën. Monografi, Prishtinë, 2003; Studime për De Radën, monografi, Nju Jork, 2003; Zef Jubani (Jeta dhe veprat). Monografi. Tiranë, 1987; Zef Jubani Ndokilia, Vepra të zgjedhura. Tiranë, 1966; Autobiografia e De Radës, Tiranë, 2002; Autoreferat i disertacionit për mbrojtjen e gradës “Doktor i shkencave filologjike”, Shkodër, 1982; Bibliografi albanistike I, Prishtinë, 2003; Bibliografi e Profesor Eqrem Çabejt 1929-1981”, Prishtinë, 2003; Bibliografi shqipe, Tiranë, 1959; Bibliografia e Ndre Mjedës. Shkodër, 1967; Botimet shkencore të Doktorit të shkencave filologjike, Jup Kastrati, propozuar për titullin shkencor Profesor (1945 – 1986).Shkodër, 1986.

Pjesa më e madhe e veprës së tij gjendet në dorëshkrim. Ajo është menduar dhe është përgatitur për shtyp nga Profesor Jup Kastrati me titujt e përgjithshëm: Histori e albanologjisë, Studime linguistike, Studime filologjike, Studime arbëreshe, Vepra historiko-filologjike e De Radës, Bibliografi albanistike, Epistolari, Ditari shkencor, të gjitha në disa vëllime.

Një anë të përkushtuar të angazhimeve të tij në jetën kulturore, shkencore dhe botuese. Ka themeluar dhe drejtuar 3 organe kulturore e diturake: Buletin për shkëmbimin e eksperiencës, Shkodër (1954); Buletin shkencor i Institutit të Lartë Pedagogjik (1957 – 1958, 1964 – 1990). Përmes tij, 45 pedagogë kanë marrë gradën shkencore “Kandidat i shkencave”; Shkodra (1961 – 1976), botim vjetor i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për Shkodrën.

Ka marrë pjesë në redaksitë apo kolegjiumet e këtyre botimeve: Anëtar i redaksisë së revistës Gjuha jonë (1981 – 1985), organ i Akademisë së Shkencave; Anëtar i redaksisë së revistës Lidhja (L’Unione), Kozencë (1991 – 1992); Anëtar i Këshillit botues të gazetes Besa, Organ i Shoqatës atdhetare kulturore “Kosova”, fletore e përjavshme, Shkodër (1991); Anëtar i Këshillit redaktues të botimit: “Meshari” i Gjon Buzukut – Monument i kulturës shqiptare (Material nga Sesioni shkencor, mbajtur me 19,20 maj 1995 në Ulqin, ART-CLUB, Ulqin (1995); Anëtar i redaksisë së botimit shkencor: 90 – vjetori i Kongresit të Manastirit, Gostivar (1998); Anëtar i Redaksisë së gjuhësisë të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë, 1998 / 1999;

Ka qenë projektues, redaktor ose anëtar redaksie apo zv/kryeredaktor o përgjegjës redaksie i 15 botimeve shkencore e kulturore: 10 – vjetori i themelimit të Institutit të Lartë Pedagogjik,  Shkoder (1967); Kongresi i Manastirit, Instituti i Lartë Pedagogjik Shkodër (1969); Për përvetësimin dhe zbatimin e normës gjuhësore letrare, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1972); Çështje të folklorit, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1973); Pashko Vasa – Luigj Gurakuqi, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1976); Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1978); 100 – vjetori i lindjes së Luigj Gurakuqit, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1980); Aleksandër Xhuvani, Instituti i Lartë Pedagogjik, Shkodër (1980); Instituti i Lartë Pedagogjik: 25 – vjetori i themelimit, 1957/1982, Shkodër (1982); Anton Xanoni, Universiteti Shtetror i Tiranës, Tiranë (1962); Instituti i Lartë Pedagogjik: 30 – vjetori i themelimit, 1957/1987, Shkodër (1987); Miss Edith Durham, Koplik (1997)etj.

Në vitin 2001, filloi botimi i veprës së plotë të tij, fillimisht e planifikuar në tridhjetë vëllime: Bibliografi, albanologji, linguistikë, letërsi dhe epistolar, me mundësi që më vonë të plotësohej edhe me tema të tjera nga arkivi i tij i pasur.

Vepra e tij sot konsiderohet trashëgimi e paçmueshme e albanologjisë, pavarësisht se, në të gjitha fushat me të cilat është marrë, para opinionit ka paraqitur vetëm majen e Aisbergut. Nga pesë vëllimet e Historisë së albanologjisë, vetëm vellëmin e parë, nga pesë vëllimet e studimeve deradiane vetëm dy vëllime, nga tre vëllimet e studimeve arbëreshe vetëm një vëllim, nga pesë vëllimet e e bibliografisë albanistike, vetëm një vëllim i botuar etj.

Në veprimtarinë e gjithmbarshme të tij shkencore Profesor Jup Kastrati ka botuar: traktate, monografi, studime, artikuj shkencorë dhe divulgativë, recensione kritike për vepra gjuhësore, përkthime diturake, bibliografi shkencore të karakterit gjuhësor (përshkruese dhe të arsyetuara, kronologjike dhe tematike), redaktime veprash gjuhësore autorësh shqiptarë. Në to, janë trajtuar probleme nga disiplina gjuhësore, letrare, historike, folklorike, etnografike, hulumtuese e shkencore-metodike. Është e kuptueshme prandaj pse vepra e tij do të mund të shikohej nga saspekti personal, prej njeriu diturak, prej pedagogu e studiuesi, nga aspekti i shkollës së studimit, metodës, domeneve, nocioneve etj.

Vepra e tij do të mund të shikohej veç e veç edhe nga këndi i kontributit të tij në fushë të studimit të fonetikës, të historisë së alfabetit, të ortografisë, të leksikografisë, të leksikologjisë, të historisë së gjuhës së shkruar, të dialektologjisë, të morfologjisë, të fjalëformimit, të sintaksës, të historisë së gjuhës shqipe, të gramatikës historike, të historisë së mendimit shkencor ndër dijetarët arbëreshë të Italisë dhe të Greqisë, në fushë të studimit të historisë së gjuhësisë shqiptare, në fushë të studimit të filologjisë, të tekstologjisë, të toponimisë, të historisë së albanologjisë, të përkthimeve gjuhësore etj.

Për të ardhur deri këtu dhe për të kurorëzuar veprën dhe jetën e tij, Profesor Jup Kastrati ka punuar shumë, është përpjekur shumë, ka kaluar shumë shtigje të vështira jetësore e mendore, ka pasur shumë përplasje me rrethe individuale, kolektive, institucionale dhe parasegjithash politiko-shoqërore. Por, sigurisht që në jetën e tij dhe në këtë rrugë gjashtëdhjetvjeçare ka pasur edhe përkrahje, vlerësime dhe përshëndetje kolegiale, kolektive, institucionale dhe shoqërore e politike në Shqipëri dhe në botë kryesisht ndër studiuesit e albanologjisë.

Studiuesit si Profesor Jup Kastratit, në botën e qytetëruar zakonisht quhen personalitet të kulturës kombëtare, ndërsa veprat e tyre quhen monumente të kulturës së tij. /KultPlus.com

Më 15 prill 1931 lindi poeti suedez, fitues i çmimit nobel, Thomas Transtromer

Tomas Tranströmer ose Tomas Gösta Tranströmer (shqipërimi: Tomas Transtromer) (15 prill 1931 Stockholm Suedi – 26 mars 2015 Stockholm, Suedi), poet suedez.

U lind në Stockholm më 1931. U rrit nga e ëma mësuese, e divorcuar nga i shoqi gazetar. Në Stockholm studioi psikologji dhe poezi. Nisi të shkruajë në kohën e studimeve në Sodra Latin School. Librin e parë “17 Dikter” (“17 poema”) e botoi më 1954 dhe shumë shpejt bëhet një nga poetët më të njohur dhe më të përkthyer në botë, në rreth 30 gjuhë. Përveç të shkruarit, pasioni i tij i madh është psikologjia, profesion të cilin e ushtroi në vitet 1960-1966 në Roxtuna, në një burg të rinjsh. Dy vëllime të rëndësishme janë Klanger och spår (1966, Dritare dhe gurë) libër i lindur nga udhëtimet e tij të shumta, dhe Baltics 1974. Përmbledhja Den stora gåtan (2004, Enigma e madhe) është një kurorëzim i krijimtarisë së tij në vite, sado që pas 1993 Tranströmer nuk arrin të shkruajë dot më. Boton pas kësaj kohe Për të gjallin dhe të vdekurin, Gjysmëparajsa. Fitues i shumë çmimeve Neustadt International Prize, Oevralids Prize, Petrarca-Preis në Gjermani, Swedish Award nga International Poetry Forum, madje edhe i Kurorës së Artë në Mbrëmjet Poetike të Strugës.

“Perandoria e barit” është i vetmi libër i përkthyer në shqip, nga poetja Natasha Lako, botuar nga “Aleph” më 2002. Lako e shikon poezinë e Tranströmer-it të shkëputur nga ideologjizmat. “Unë trashëgoja një pyll të zi, ku shkoja rrallë. Por nga kjo/erdhi një ditë kur këmbyen vendet të gjallët me të vdekurit/Atëherë solla pyllin ndërmend. Nuk ishim pa shpresë/… unë kisha trashëguar një pyll të zi, por ecja në një pyll të shndritshëm…” shkruan në poezinë “Madrigal”.

Në vitet ’60, kur ishte e modës edhe për poezinë e poetët të kishte një kahje politike në rrymat e kohës, Tomas Tranströmer-i zgjodhi gjuhën e poezisë dhe kritika e quan poeti që ka ditur të ruajë ekuilibrat në periudhën e Luftës së Ftohtë.

Në botën anglishtfolëse njohja e veprës së tij i dedikohet miqësisë me poetin amerikan Robert Bly​, i cili prej viteve pesëdhjetë i ka përkthyer shumicën e veprës në gjuhën angleze. Më 2001, Bonniers, shtëpia botuese suedeze e Tranströmer-it botoi korrespondencën e dy shkrimtarëve në librin “Air Mail”.

Fitoi çmimin Nobel për letërsi në vitin 2011. Poeti do të marrë 1.08 milion euro shpërblim. Ceremonia e pranimit të Çmimit bëhet në Stokholm më 10 dhjetor, data e përvjetorit të vdekjes (1896) së industrialistit suedez Alfred Nobel​, themelues i çmimit. Tranströmer është i nënti shkrimtar suedez që merr Nobelin për Letërsinë. Para tij janë: Selma Lagerlöf 1909, Verner von Heidenstam 1916, Erik Axel Karlfeldt 1931, Pär Lagerkvist 1951, Nelly Sachs 1966 (i ndarë), Eyvind Johnson dhe Harry Martinson më 1974.

Vdiq në Stockholm, në moshën 83 vjeçare. /KultPlus.com

Misteri i gjeniut të Firences, 571 vjet nga lindja e Leonardo da Vincit

Djali i paligjshëm i një noteri dhe një fshatareje, mbase homoseksual, pak i vlerësuar nga të pushtetshmit që nuk e kuptonin obsesionin e tij me kufomat, vegjetarian dhe heretik. Sekretet e një njeriu të madh.

Eshtë 15 Prill 1452 kur Caterina, një fshatare në Campo Zeppi, në fshatin Vinci, lind një fëmijë të paligjshëm: Leonardo. Babai i tij është Ser Piero, një noter nga Firence që nuk dëshiron të prishë reputacionin e tij. Këtu ndërhyn Ser Antonio, babai i tij, dhe shkelja mbahet e fshehur.

Eshtë po ai, pesë vjet më vonë, kur Albiera, gruaja e Pieros, zbulon se është sterile, që ia merr Leonardon nënës natyrore për të mos lejuar që linja e gjakut të shuhet. Sidoqoftë, fëmija nuk e merr për mirë dhe shpik një lojë fjalësh: në një shënim ai shkruan “di s.p.ero”, i cili mund të lexohet si mbiemri që ai nuk e ka (nga Ser Piero), por edhe si “dëshpërim”. “Një shaka që zbulon një marrëdhënie të pashpresë”, thotë Costantino D’Orazio në librin Leonardo i Fshehtë, ku përmblidhen sekretet që rrethojnë misterin e gjeniut të Firences.

Një injorant i vërtetë

Kështu e përkufizon Lorenzo i Madhërishëm. Në fakt, e vetmja pikë referimi e Leonardos është Verrocchio, një artist tek i cili shkon për të mësuar zanatin. Në ato vite “piktorët qëndronin brenda Arte dei Medic dhe Specialëve, ku ata ndajnë interesat me berberë, shitës të erëzave dhe poçarë”, shkruan D’Orazio.

Por Leonardo tregon menjëherë talentin e tij. Rasti vjen kur babai i kërkon të dekorojë një copë druri të sjellë nga një fermer, i cili synonte ta bënte një vepër arti. Leonardo vendos ta përdorë për të përfaqësuar një skenë të pasur me kafshë dhe mbledh insekte, hardhuca dhe gjarpërinj. Ai i mban të gjitha në dhomën e tij: “Eshtë aq i përqendruar sa që nuk vë re as kutërbimin e gjithë atyre kafshëve të ngordhura në dhomën e tij”, thotë D’Orazio. Rezultati është befasues: Ser Piero e mban dhe më pas e shet për njëqind dukate.

Fshatarit i jep një tjetër vepër, të blerë për pak para. Por, si është Leonardo aq i saktë në riprodhimin e fytyrave, trupave apo kafshëve? Ai kalon orë të tëra për t’i ekzaminuar. Quhet teknika lentikulare, ajo që bën të mendosh se përdoret një gotë zmadhuese për të parë më mirë detajet. Kështu që ai krijon një inventar botanik: qindra vizatime që do t’i përdorë më vonë në pikturat e tij. Për shembull tek Annunciazione, ku zambakët që mban engjëlli në duar janë të gjitha të ndryshme: “Secili prej tyre shfaqet në një fazë të ndryshme të pjekurisë, nga petalet e tyre nuk del asnjë pistil i  barabartë me tjetrin, siç ndodh në realitet”, shpjegon D’Orazio. Jo vetëm kaq.

Pasioni për detaje hyn gjithashtu në lojë në studime mbi trupin e njeriut, të cilat e bëjnë atë një lloj mjeku ligjor që provon dorën në autopsitë e kufomave. Eshtë një praktikë e shpeshtë në atë kohë: disa artistë vjedhin trupa në varreza, të tjerë i blejnë nga familjet në nevojë. Leonardo hyn dhe largohet nga spitalet dhe është pikërisht duke studiuar trupin e një njeriu që zbulon një pengesë në sistemin e qarkullimit të gjakut, duke regjistruar kështu arterosklerozën e parë në histori. Ai është gjithashtu i interesuar për shtatzëninë. Deri atëherë gruaja konsiderohej një lloj inkubatori dhe burri krijuesi i vërtetë i jetës.

Leonardo e revolucionarizon këtë koncept dhe shpall se është nëna ajo që transmeton shpirtin tek fëmija, përveç ushqimit për nëntë muaj përmes “venës së kërthizës”. Duke studiuar fëmijët që kanë vdekur në bark, ai vazhdon të argumentojë se “frika e një nëne mund të vrasë fetusin dhe kjo do të thotë që emocionet e trupit të nënës transmetohen te fëmija”. Sidoqoftë, ai është i kujdesshëm që të mos përhapë teoritë e tij të reja, në një kontekst ku Kisha do e quante heretik, i cili kundërshton faktin që shpirti injektohet drejtpërdrejt nga Zoti. Sipas tij, qendra e shpirtit është e vendosur në majë të shtyllës kurrizore, në lidhjen me kafkën: prova vjen nga hardhucat, të cilat, të goditura në atë pikë, ngordhin menjëherë.

Shpirt revolucionar

Revolucioni i vërtetë i Leonardos, megjithatë, qëndron në qasjen e tij ndaj artit, ku ai guxon si askush më parë. Për shembull, humanizon shenjtorët. Në fakt, skenat e tij të shenjta duken si situata në familje ose në mesin e miqve: ai dëshiron që njerëzit e zakonshëm ta njohin veten në to dhe për këtë arsye eleminon distancën midis atyre që vëzhgojnë pikturën dhe atyre të portretizuar në të, tipike këto të shekujve të mëparshëm. Kështu që ai pikturon skena me Jezusin, Virgjëreshën dhe Shenjtorët duke eleminuar përdorimin e arit: duke humbur aureolën,  të gjithë përfaqësohen si njerëz të zakonshëm. Dikush nuk e pëlqen këtë mënyrë të re të pikturës dhe në të vërtetë padronët e Shën Jeronimit të penduar hedhin poshtë pikturën, sepse e konsiderojnë shenjtorin shumë “të humanizuar”. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse koka e tij përfundon duke u bërë vend jashtëqitje që Kardinal Joseph Fesch, xhaxhai i Napoleonit, do të gjejë në një qoshe rruge. Leonardo megjithatë nuk ndalet dhe ndryshon konceptimin e portretit.

Mund të shihet tek “Dama con l’ermellino (1490), ku figura nuk është më frontale dhe statike, por krijon lëvizje dhe duket e vërtetë. Në shënimet e tij ai shpjegon se për të bërë një portret të përsosur, fytyra nuk duhet të jetë kurrë në të njëjtën anë të bustit. Vetëm duke e kthyer imazhin disa gradë, ai bën një revolucion të vërtetë.

Mëkati i ambicies

Leonardo është një eksperimentues dhe natyra e tij ambicioze e çon gjithnjë të shkojë më tej. Ndonjëherë me rezultate katastrofike. Eksperimenti i parë i dështuar është statuja e kalit me dy këmbët e përparme të ngritura, të cilat ai i projekton për Sforzan: një kolos 7 metra i lartë me 70 ton peshë. Pas shumë vitesh punë, ai është i detyruar të heqë dorë: i zhgënjyer, Ludovico il Moro e konsideron një humbës kohe të paaftë që mashtron, dhe ia heq veprën. Nuk i shkon më mirë në fillim të shekullit të XVI, kur u thirr në Firence për të pikturuar Betejën e Anghiarit. Edhe një herë projekti është ambicioz: jo vetëm që piktura është tre herë më e madhe se Darka e Fundit, por Leonardo ia ndërlikon edhe më tej jetën vetes, dhe dëshiron ta krijojë atë me teknikën shumë të vjetër të encaustikës, e cila konsiston në rregullimin e ngjyrës në mur me nxehtësinë e mangallëve. Ai bën një gabim në vlerësim sepse nxehtësia e shpërndarë keq përfundon në shkrirjen e plotë të pikturës. Rreth pesëdhjetë vjet më vonë, Giorgio Vasari thirret për ta mbuluar atë me një vepër tjetër, e cila mbivendos pluhurat dhe ngjyrat e Leonardos, të identifikuara kohët e fundit falë sondave shumë të holla.

Po ç’mund të thuhet për Darkën e fundit?

Dëshmitarët tregojnë për një Leonardo shumë pak të përqendruar që shkon në rafinerinë e Santa Maria delle Grazie në Milano, ku ndodhet vepra, jep dy penelata dhe largohet menjëherë. Edhe këtu ai mëkaton prej një ambicie të tepërt: nuk është i kënaqur me një afresk normal, i cili siç thotë fjala, duhet të pikturohet “në afresk”, domethënë duke përdorur bazën e freskët të muraturës për ta bërë më të mirë ngjyrat.

Ai është shumë reflektues për një teknikë kaq të shpejtë dhe shpik një përzierje e bojës së lagësht dhe të thatë, të pasur me vajra. Nuk është një ide e mirë: ngjyra fillon të zhvishet edhe para se të përfundojë vepra. Historia dihet. Siç e shohim tani, në të vërtetë, Darka e Fundit e Leonardos është rezultat i një restaurimi imponues që zgjati rreth njëzet vjet.

Sekretet e Darkës së Fundit

Me Darkën e Fundit Leonardo sjell Darkën e Fundit në një mënyrë të re, në të cilën do të tërhiqen artistët e shekujve në vijim. Deri atëherë, episodi i Ungjillit u përfaqësua për të bërë besimtarët, shpesh analfabetë, të njohin menjëherë protagonistët e skenës: Juda ishte i izoluar dhe e rrethuar nga errësira, ndërsa Krishti ishte në qendër me qëllimin për të thyer bukën me Gjonin, apostullin e preferuar, duke u përkulur drejt tij. Leonardo kthen gjithçka përmbys duke filluar nga Krishti i cili nuk shfaqet kur merr bukën, por kur zbulon se dikush do ta tradhëtojë.

Juda është pjesë e grupit, apostujt shikojnë njëri-tjetrin dhe Gjoni nuk mbështetet në shpatullën e Jezusit. Për të gjetur frymëzime për fytyrat e personazheve, Leonardo endet nëpër Milano me një fletore në të cilën ai shënon ide të dobishme. Për tre vjet ai kërkon fytyra të përsosura: ajo e Jezusit duket se i përket Giovanni Contes, një kardinal nga Vogevano. Për të gjetur Judën, eksploron lagjet më të varfra të qytetit. Sa i përket djalit të portretizuar pranë Jezuit, sipas disa hipotezave, ai është një grua, më saktë Maddalena, gruaja e tij sipas ungjijve apokrifë. Në realitet është gjithmonë Gjoni, i përfaqësuar me tipare të buta dhe femërore, sepse ai është më i riu nga apostujt dhe i vetmi pa mjekër. Nuk përjashtohet mundësia që për të ai të ketë përdorur një modele, Giovannina, e përmendur nga Leonardo në shënimet e tij. / KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Artit

Dita Botërore e Artit festohet çdo vit më 15 Prill. Në mbarë botën, njerëzit kanë përkufizimet e tyre për atë që ata e konsiderojnë si art. Kultura të ndryshme kanë shije dhe stile të ndryshme. Kjo festë përdoret si një mundësi për të nxitur zhvillimin e artit, transmeton KultPlus.

Arti inkurajon njerëzit të marrin kohë për të vënë re gjërat e bukura rreth tyre. Me oraret tona të ngarkuara, njerëzit nuk kanë gjithmonë kohë për të shkuar në galeritë e artit. Një kujtesë vjetore për bukurinë i ndihmon njerëzit të pushojnë dhe thjesht të shijojnë duke përjetuar botën. Ndan njohuri, ndez kuriozitetin dhe çon në biseda shumë interesante.

Dita Botërore e Artit u shpall më 15 Prill nga Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Ndërkombëtare të Artit. Festimi i parë ishte në vitin 2012. Data u zgjodh për të nderuar ditëlindjen e të famshmit Leonardo da Vinci.
Dita e parë botërore e artit u mbështet nga të gjitha komitetet kombëtare të Shoqatës Ndërkombëtare të Artit (I.A.A.). Kishte 150 artistë nga vende të ndryshme të botës për të siguruar përfshirjen. Kishte konferenca dhe orë të veçanta muzeale. Ekspozitat e artit në natyrë u mbajtën për të shfaqur piktura, printime, skulptura, video dhe më shumë.

Arti vjen në forma dhe kategori të ndryshme. Arti mund të jetë arkitekturë, muzikë, pikturë, skulpturë, vallëzim ose letërsi. Kinemaja konsiderohet gjithashtu art. Është një mënyrë që njerëzit të shprehin veten përmes krijimtarisë. Arti i vërtetë është thjesht një shprehje e emocioneve. Ai përfaqëson pikëpamjen e artistit për botën dhe mënyrën se si ata ndihen për të. Arti komunikon se sa të ngjashëm mund të jemi dhe gjithashtu sa të ndryshëm. Njerëzit marrin kuptimet e tyre të artit kur e përjetojnë atë. Perceptimet e tyre zakonisht bazohen në përvojat e tyre personale në jetë.

Dita Botërore e Artit është një kujtesë e shkëlqyer për t’i ndihmuar njerëzit të vërejnë bukurinë përreth tyre. I kujton njerëzit të shprehen plotësisht. Të gjithë jemi plot emocione dhe duhet të lejohemi t’i shfaqim pa frikë. Qëllimi është të lehtësojë zhvillimin e qëndrueshëm të artit. Me mbështetje të mjaftueshme, artistët mund të vazhdojnë të portretizojnë bukurinë./KultPlus.com

Letra e Simone de Beauvoir për të dashurin amerikan: ‘Parisi më duket i trishtë pa ty’

Nelsoni im,

Ja ku ndodhem në Paris. Ishte një ditë mjaft poetike, siç ndodh ndonjëherë kur nuk e pret. Gjithçka dukej sikur ishte kundër meje: nga qielli binte diçka që nuk ishte as shi, as dëborë, një ujë i zi dhe i akullt; një grevë e shitësve mbylli të gjitha dyqanet, kafenetë dhe restorantet. Mund të kishte qenë tepër e trishtë, por fatmirësisht nuk qe e tillë. Së pari, gjeta letrën tënde të ëmbël dhe kjo më lumturoi. Fola me ty (në anglisht), gjithë ditën. Pastaj u kënaqa kur pashë sërish qytet. Qytetet më pëlqejnë. Ashtu i errët dhe i trishtë siç ishte, Parisi ishte qytet i vërtetë. Piva pak uiski (jo skoç, por burbo) nëpër bare, ku bisedova me miqtë. Shkova te revista Kohë Moderne, ku gjeta letrat dhe disa gjëra që më bënë të lumtur: përkthimi në anglisht i librit Gjaku i të Tjerëve, pra, do të mund ta lexosh në maj. Kam shumë dëshirë që të bëj një lidhje midis jetës sime si bretkosë në Wabansia dhe jetës në punë. Do të doja që të lexoje librat e mi, sidomos këtë, që është novela e dytë që kam shkruar dhe që jam e bindur se do të të tregojë diçka për mua. Dua që ta njohim njëri-tjetrin gjithnjë e më mirë. Prandaj u lumturova vërtet kur e gjeta, edhe pse përkthimi kishte gabime të tmerrshme. Do të botohet në maj, edhe në Londër, edhe në Nju Jork, prandaj për të do të diskutojmë në Meksikë. Po, meksikën nuk e ndaj nga mendja. Një shoqja ime që u kthye prej andej, më tha se Kuba ishte e mahnitshme. Po sikur pas Nju Orleansit të shkojmë në Kubë e pastaj në Meksikë? Tani, më kujtohet sikur the që Karaibet nuk të tërheqin, se druheshe që ishin vetëm për turistë? Mua do të më interesonte shumë dhe në Meksikë shkojmë një herë tjetër. Por mos u ngut! Mendoje njëherë! Gjëja e rëndësishme është të udhëtojmë dy muaj rresht: se ku, nuk është aq e rëndësishme, apo jo?

Po i kthehem së martës, mbrëmjen kur isha vetëm dhe dola shëtitje në Champs-Elysées për të parë Vilet e Zemërimit. U mërzita kur dëgjova sërish zëra amerikanë dhe kur pashë vetëm rrugën që pata bërë me shoqen time nga Kalifornia në Arizona dhe në Nju Meksiko. Arrita t’i njihja vendet, sidomos urën në Kolorado. Disa plane në film m’u dukën mahnitëse: ato në fermën e keqe, kur policët vrasin ish-predikuesin. Kurrë nuk kisha parë një film kaq “të fortë”, në kuptimin e mirë të fjalës. E djeshmja kaloi me gjëra të vogla, shumë çikërrima dhe duke fjetur gjumë. Ndihem disi e lodhur – mbase në fshat punova shumë. Sot po lexoj libra për gratë. Më intereson, por Parisi po fillon të duket i trishtë, ashtu si është vërtet dhe po kështu po ndihem edhe unë. Derdha ca pika loti, sepse të doja dhe më mori malli shumë. Fola me ty për një kohë të gjatë natën. Të dua. /KultPlus.com

Nga libri “Dashuri Trasantantike” . Perkthyese Alda Bardhyli

Nga Pianisti te King Kong, pesë nga filmat më të mirë të Adrien Brody

Adrien Brody është një nga aktorët më të famshëm të kohës sonë. Duke pasur shumë role dhe filma të mëdhenj nën rripin e tij, ai është mjaft ikonë në Hollywood. Brody është shumë i mirë në gjithçka që bën. Ai mund të bëjë komedi, dramë, aksion. Të shikosh Brody në ekran është si të shikosh një mjeshtër të bëjë punën e tij, dhe ai është ai që i bën filmat e tij shumë më tepër sesa duhet të jenë, transmeton KultPlus.

Pasi luajti në një sërë filmash të Wes Anderson, Brody ka bërë një punë të mrekullueshme. Për të mos përmendur filmat si “Pianisti” që i dhanë atij vlerësimin e kritikëve.

Pra, për të festuar ditëlindjen e 49-të të Adrien Brody, le të hedhim një vështrim në pesë nga filmat e tij më të mirë që duhet t’i shikoni patjetër. Tom Hanks bashkohet me Adrien Brody, Bill Murray dhe Tilda Swinton për Wes Anderson’s Next./KultPlus.com

King Kong

Detachment

Midnight in Paris

The Darjeeling Limited

The Pianist

George Clooney dhe Lady Gaga, këshilltarët e rinj të Bidenit për art dhe kulturë

Aktori i njohur George Clooney dhe këngëtarja Lady Gaga janë ndër këshilltarët e rinj për kulturë dhe art të presidentit të SHBA-së, Joe Biden.

Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë u bënë të ditur emrat e rinj të emëruar nga Biden në Komitetin e Presidentit të Arteve dhe Shkencave Humane, i cili këshillon presidentin për politikat e kulturës dhe artit.

Sipas kësaj, Komiteti i cili do të bashkëkryesohet nga producenti i famshëm Bruce Cohen dhe këngëtarja e famshme Lady Gaga, përfshin emra yjesh si aktori George Clooney, aktorja Jennifer Garner dhe muzikanti Jon Batiste.

Emrat e tjerë të emëruar në komision janë si më poshtë:

“Constance M. Carroll, Philip J. Deloria, M. Angelica Garcia, Nora Halpern, Steve Israel, Marta Kauffman, Ricky Kirshner, Troy Kotsur, Katie McGrath, Laura Penn, Amanda Phingbodhipakkiya, Arnold Rampersad, Shonda Rhimes, Kimberly, Horacio Sierra, Anna Deavere Smith, Joe Walsh, Kerry Washington, Pauline Yu”.

Ish-presidenti Donald Trump ka mbrojtur vazhdimisht shpërbërjen e Komitetit të Presidentit të Arteve dhe Shkencave Humane, i cili ka qenë joefektiv në proces. /KultPlus.com

Nis restaurimi i kishës së ‘Shën Janit’ në Delvinë

Në kishën e “Shën Janit”, në bashkinë e Delvinës, kanë filluar punimet për restaurimin e saj.

Pas hartimit të projektit nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka nisur zbatimi i punimeve të mirëmbajtjes, restaurimit dhe konsolidimit.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë bën të ditur se punimet përfshijnë restaurimin dhe konsolidimin e muraturës, restaurimin e kalldrëmit, sistemimin e terrenit, etj.

Sipas DRTK-së, restaurimi dhe plotësimi i shtresës me kalldrëm do të kryhet në gjithë perimetrin e jashtëm të rrënojave të kishës në përputhje me rrënojat e kalldrëmit ekzistues dhe të dhënave të hershme për monumentin./atsh/KultPlus.com

‘Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë, si bima prej fare në pranverë’

Poezi nga Martin Camaj

Më falni diçka

Më falni diçkà që më kënaq
si puthja e nanës në ballë;
më gëzoni nji herë
si gëzohet gjethi i njomë në puhí,
më shikoni si hana nëpër rremba
e kam me u falë gjithçka:
mordjen do të puthi ndër buzët e ngrime
dhe në zgavrrat e synit të sáj
do të derdhi lòt.
Avitu, njerí!
Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
si bima prej fare në pranverë. / KultPlus.com

TKOB, projekte të përbashkëta me Ansamblin e Maqedonisë së Veriut

Drejtoresha e përgjithshme e Teatrit të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina u takua me drejtorin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore të Maqedonisë së Veriut, Shkodran Tola.

Gjatë takimit, Voshtina dhe Tola biseduan për vendosjen e urave të reja të ndërveprimit mes dy vendeve për organizimin e projekteve të përbashkëta.

Gjithashtu, Voshtina dhe Tola folën edhe për fuqizimin e kulturës shqiptare anekënd rajonit dhe përtej tij.

Drejtoresha e TKOB, Voshtina përgëzoi homologun Tolaj për punën dhe sukseset e njëpasnjëshme duke i premtuar mbështetje ansamblit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Voshtina dhe Tolaj theksuan se koordinimi i përbashkët i ansambleve shtetërore në aktivitete të rëndësishme kombëtare duhet të jetë prioritet i tyre si drejtues institucionesh./KultPlus.com

Britney Spears përfundon librin e saj autobiografik

Libri i Britney Spears është gati dhe pritet të publikohet në vjeshtë. Një burim i afërt me yllin e popit zbuloi për Page Six se Spears se ajo e ka përfunduar së shkruari, duke e quajtur atë një “bestseller novator” dhe duke thënë se do të “frymëzojë” shumë njerëz.

“Libri i Brittney është një histori triumfi. Ai do të mbulojë momentet e saj më të pambrojtura, fëmijërinë e saj, atë që ishte, një vajzë të vogël me ëndrra të mëdha, ndarjen e saj nga Justin Timberlake, momentin kur rruajti kokën dhe betejën e saj me familjen e saj për kujdestarinë e detyrueshme”, tha burimi.

Më pas ajo shtoi: “Është një histori mbijetese, që tregon se si gjeti rrugën e saj nga kjo jetë dhe gjeti lumturinë me bashkëshortin e saj, Sam Asghari”.

Për librin e saj, këngëtarja është bashkuar me autorin Sam Lansky, një romancier dhe gazetar i njohur që ka redaktuar biografitë e Madonna, Nicki Minaj dhe Adele.

Shtëpia botuese Simon & Schuster thuhet se është “e emocionuar” që po punon me yllin. Burimi tha: “Libri i Britney-t është jashtëzakonisht i sinqertë dhe i shkruar nga zemra. Është me të vërtetë një histori e fuqizimit të femrës, që tregon se si ajo mori kontrollin e jetës së saj”./abcnews.al/ KultPlus.com

Do të vij

Poezi e shkruar nga Drita Çomo

Do të jetë mëngjes dhe unë do të vij patjetër,
Pas avullit të xhamave ti më prit.
Do më ketë rënë pluhur mimozash në flokë,
Dhe pluhur dashurie në shpirt.

Do dalë dielli dhe do të jetë ngrohtë,
Avujt e ëndrrave do shkrijnë ngadalë.
Ne do të presim pranë tyre pa folur,
Gjersa të behen të qarta, të qarta si kristal.

Pastaj s’do ketë më as mëngjes, as botë,
Do jemi vetëm unë dhe ti.
Ti do më prekësh me gishta në flokë,
Në pluhur mimozash dhe dashurish. / KultPlus.com

Shtyhet misioni i ESA drejt Jupiterit

Misioni i Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) në Jupiter dhe hënat e tij është shtyrë për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.

Anija kozmike prej gjashtë tonësh, e quajtur Juice (Jupiter Icy Moons Explorer), do të shkonte drejt planetit më të madh në sistemin diellor për të parë nëse hënat e tij të oqeanit mbështesin jetën.

Por një rrezik rrufeje ka ndalur përkohësisht atë që do të kishte qenë përpjekja e parë e agjencisë për të dërguar anije kozmike në orbitë rreth hënës së një planeti tjetër.

”Arianespace, e cila zhvilloi raketën Ariane 5 që mbart Juice”, theksoi në Twitter se përpjekja e radhës do të bëhej më 14 prill.

Josef Aschbacher, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, ​​shkroi në Twitter: “Jo ajo që shpresonim, por kjo është pjesë e lojës.

“Shpresojmë që nesër të kemi qiell më të pastër”, shtoi ai./ KultPlus.com

Të gjitha universitetet daneze vendosin ndalimin e TikTok-ut për punonjësit

Të shtatë universitetet e Danimarkës kanë vendosur një ndalim të aplikacionit TikTok për punonjësit e tyre pasi edhe Universiteti i Danimarkës Jugore (SDU) u bashkua me universitetet e tjera në ndjekjen e këtij aksioni, transmeton Anadolu.

Drejtori i SDU-së, Thomas Buchvald Vind, në një deklaratë për media tha se vendimi u mor me rekomandimin e Qendrës Daneze për Sigurinë Kibernetike (CFCS). Më herët, CFCS-ja rekomandoi që punonjësit e qeverisë të mos e kenë të instaluar aplikacionin TikTok në celularët, tabletët apo në ndonjë pajisje tjetër të tyre për shkak të shqetësimeve të privatësisë.

“Në të njëjtën kohë, Rektorati ka vendosur që fakultetet dhe administratorët e tjerë të mos e përdorin TikTok-un për marketing, pasi SDU-ja po ashtu ka ndaluar mbështetjen për TikTok-un”, thuhet në njoftimin e SDU-së.

Universiteti Teknik i Danimarkës, Universiteti Roskilde, Universiteti i Kopenhagës, Universiteti IT i Kopenhagës, Shkolla e Biznesit e Kopenhagës dhe Universiteti Aarhus tashmë kanë njoftuar ndalimet e TikTok-ut.

Ndalimet e TikTok-ut në universitete erdhën pasi në fillim të muajit shkurt parlamentarëve danezë iu kërkua të fshijnë aplikacionin nga pajisjet e tyre zyrtare të punës. Nga parlamenti theksuan se thirrja bazohej në rekomandimet e CFCS-së.

“Kur CFCS-ja vlerëson se ekziston rreziku i spiunazhit me përdorimin e TikTok-ut, atëherë ne i përmbahemi kësaj. Në këtë mënyrë ne ndjekim linjën që qendra ka vendosur në lidhje me institucionet shtetërore”, tha kryeparlamenti Soren Gade.

Ndërkohë, edhe disa shtete të SHBA-së dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë marrë masa duke ndaluar TikTok-un në telefonat zyrtar të punës.

Aplikacioni TikTok është në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, e dyshuar nga autoritetet perëndimore se ia ka kaluar të dhënat e përdoruesve qeverisë kineze. Kompania ka deklaruar se ndalimet ndaj saj bazohen në një “keqkuptim themelor të strukturës sonë të korporatës”./KultPlus.com

Kryevepra e baletit klasik ‘Giiselle’ në skenën e TKOB-së, dhuron emocione te artëdashësit

Baleti “Giselle” është ngjitur për dy netë me radhë në datat 12 dhe 13 prill në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me koreografi të ikonës së baletit Giuseppe Picone një nga yjet më të shquar të baletit në Evropë, dhe profesionalizmit të dirigjentes së trupës, Alisa Gjoni.

Historia e “Giselle”, një vajzë 15-vjeçare, e cila pavarësisht që zhgënjehet nga dashuria e saj e parë, vijon të përjetojë të njëjtin emocion edhe në botën e përtejme. Por lufta e vilizave do t’ia bëjë më të vështirë këtë dashuri.

Në role ishin Giselle-Adela Muçollari; Albert- Ervis Koçeku, Anxhelo Muçollari; Hilario-Dion Gjinika, Pas de deux fshatare- Eles Resuli dhe Arando Meçi; Mirta-Elda Logo dhe Ambra Troplini; Viliza- Jonida Qafmolla dhe Elona Beqiraj; nëna e Giselle-Matilda Reka; Bathilde-Ambra Troplini, Duka-Kristi Dushmani, shoqëruesi i princit-Evis Heta.

Pjesë e kësaj shfaqje që u ngjit në skenën e transformuar plotësisht dhe përcolli emocione të jashtëzakonshme tek një publik i gjerë artdashësish, ishin edhe nxënësit e Shkollës Kombëtare Koreografike.

Kryevepra e baletit klasik, “Giselle” është vënë edhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit./atsh/KultPlus.com