Më 14 prill 1966, arkeologët shqiptarë zbuluan Amfiteatrin më të madh në ballkan, Amfiteatrin e Durrësit

Amfiteatri i Durrësit është ndërtuar 19 shekuj më parë, ndërsa për ekzistencën e tij kishte prova edhe para zbulimit të tij. Njëra prej tyre ishte edhe një mbishkrim i gjetur në muret e kalasë së qytetit, në lidhje me luftimet e gladiatorëve në amfiteatër.

Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, vit në të cilin kanë nisur dhjetëra ekspedita të sektorëve kërkimorë e shkencorë, shqiptare e të huaja. Në mënyrë intensive gërmimet janë përqendruar në vitet 1967-1970 të cilat detyruan zhvendosjen e 55 familjeve dhe prishjen e 33 banesave private për t’i hapur rrugë zbulimit të ndërtesës antike.

Amfiteatri i Durrësit, më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.

Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 16-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve.

Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 350 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër. Amfiteatri 2700-vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion.

Pas viteve 90 një sërë projektesh synojnë të realizojnë zbulimin e plotë të ndërtesës dhe bashkëpunimi me Universitetin e Parmës pritet të formësojë përfundimisht në të ardhmen të gjithë gjeografinë e shkueshme të Amfiteatrit. / KultPlus.com

‘Njeriu ka një tokë, një jetë, një dashuri’

Poezi nga Musa Ramadani

Njeriu ka një tokë, një jetë, një dashuri

Njeriu ka një kokë
Glob i gjallë për lule e predha
Ku drejtpeshohen hapësira e koha

Mos luani me kokën e tij!

Njeriu ka një jetë
Skenë e mirësive ndaj mëkateve
Pse lindin e vdesin çdo ditë

Mos luani me jetën e tij!

Njeriu ka një dashuri
Fjalë (vallë) e tepërt në histori
Nga ligjërojnë mëkatet e motivet

Mos luani kurrë me dashurinë e tij! / KultPlus.com

14 prill 1865, dita kur Abraham Lincoln u qëllua me plumb në kokë nga John Wilkes Booth

Natën e 14 prillit 1865, ndërsa ndiqte një produksion të “Our American Cousin”, Presidenti Abraham Lincoln u qëllua nga John Wilkes Booth, transmeton KultPlus.

Lincoln do të vdiste mëngjesin tjetër, duke u bërë një nga viktimat e fundit në një luftë që tashmë kishte marrë jetën e më shumë se 700,000 amerikanëve.

Në nderim të presidentit të 16-të, Parku Historik Kombëtar i Vendlindjes së Abraham Lincoln do të organizojë një ngjarje përkujtimore nga ora 6:30 deri në 21:00. e enjte.

Stacy Humphreys, shefe e interpretimit dhe menaxhimit të burimeve, tha se mbrëmja do të fillojë me fjalët e Layton Carr, një roje e ftuar parku nga Teatri i Fordit, i cili do të kujtojë historinë e vrasjes dhe ndikimin e saj në komb.

Në orën 19:00, Superintendent Catherine Bragaw do të prezantojë dhe Banda e Gardës së Shtëpisë së Kentakit, një grup tunxh i periudhës së Luftës Civile, do të performojë muzikë pikëlluese të periudhës së ngjashme me atë që do të ishte luajtur gjatë udhëtimit të gjatë që trupi i Lincoln mori nga Uashingtoni, D.C. , u kthye në shtëpinë e tij në Springfield, Illinois, tha Humphreys. Një shfaqje e dytë do të zhvillohet vetëm pas orës 20:00, duke përfshirë një lexim të elegjisë së Walt Whitman “Oh Kapiten, Kapiteni im”.

“Do t’u japë vizitorëve një vështrim shumë interesant në periudhën kohore që rrethon funeralin e Lincoln dhe vdekjen që ndodhi në prill 1865,” tha Humphreys.

Vdekja e presidentit erdhi vetëm gjashtë ditë pasi gjenerali konfederativ Robert E. Lee dorëzoi ushtrinë e tij masive në Shtëpinë e Gjykatës së Appomattox, duke i dhënë fund në mënyrë efektive Luftës Civile Amerikane, tha Humphreys.

“Është një ballafaqim i tillë. … Nga kjo kohë shumë e ngazëllyer, pas rreth një jave kombi është zhytur në zi të thellë për shkak të vrasjes së Presidentit Lincoln. Ai ishte tragjedia e fundit e luftës”, tha ajo./ KultPlus.com

Rekord botëror, 500 ditë e mbyllur në shpellë

Një grua spanjolle ka arritur të përfundojë sfidën e pabesueshme që i kishte vënë vetes: qëndrimi për 500 ditë brenda një shpelle.

Beatriz Flamini qëndroi e izoluar në një shpellë të Granadës, pa asnjë kontakt me botën e jashtme, që nga data 20 nëntor 2021, duke vendosur kështu një rekord botëror.

Gjithsesi, ashtu siç ka shpjeguar vetë në Instagram dy ditë përpara se ta niste këtë sfidë, “një ekip i madh teknik” e ka ndihmuar për sigurinë e kësaj eksperience.

Qëndrimi në shpellë prej 500 ditësh mund të përjetohet përmes një dokumentari të quajtur “TimeCave”, pasi aventurierja ka rrëfyer dita-ditës se si ka qenë sfida e saj përmes regjistrimeve të bëra me një kamerë GoPro.

Sipas gazetës “Ideal”, gjatë kësaj kohe, aventurieres i janë dashur rreth një ton e gjysmë material dhe ushqim për të mbijetuar në shpellë, përveç 1000 litrave ujë. 500 ditë në të cilat aventurierja ka shfrytëzuar gjithashtu mundësinë për të lexuar afro 60 libra, në një sfidë ku kanë marrë pjesë edhe Universiteti i Granadës dhe Universiteti i Almerisë./ a2cnn / KultPlus.com

Gzim Hasanaj, kandidat i Partisë së Gjelbër për Parlamentin e Zvicrës

Në mesin e 7 kandidatëve nga Kantoni Baselland është edhe Gzim Hasanaj, i cili, rreth dy muaj më parë ishte zgjedhur deputet në Parlamentin e Kantonit.

Asambleja e përgjithshme e Partisë së Gjelbër në kantonin e Basel-Land ka nominuar shtatë kandidatë nga ky kanton për zgjedhjet parlamentare (Dhoma Nacionale) në nivel federal që mbahen më 22 tetor, shkruan albinfo.ch.

Në mesin e kandidatëve është edhe Gzim Hasanaj, i cili, rreth dy muaj më parë ishte zgjedhur në Parlamentin e Kantonit, duke qenë shqiptari i parë me një pozitë të tillë, në këtë kanton.

Kandidatët e nominuar janë: Florence Brenzikofer (Oltingen, më parë), Marco Agostini (Pfeffingen), Rahel Bänziger (Binningen) , Michael Durrer (Liestal), Gzim Hasanaj (Therwil), Andrea Sulzer (Waldenburg) dhe Dominique Zbinden (Young Green Alliance, Itingen).

Siç ka shkruar tashmë albinfo.ch, më 12 shkurt janë mbajtur zgjedhjet për Parlamentin Kantonal në Baselland. Për herë të parë në historinë e këtij parlamenti është zgjedhur një deputet me rrënjë shqiptare dhe ai është aktivisti i njohur dhe eksperti i të drejtës sociale, Gzim Hasanaj.

Hasanaj është përfaqësues i Partisë së Gjelbër.

Studimet per Shkencat Sociale i ka mbaruar në St. Gallen, ndërsa në po këtë drejtim studimet për Master i ka ndjekur në Bernë, Luzern dhe St. Gallen. / Albinfo.ch / KultPlus.com

Sopranoja Elbenita Kajtazi ka nisur përgatitjet për debutimin e saj në Paris

Sopranoja e njohur kosovare, Elbenita Kajtazi ka nisur përgatitjet për debutimin e saj në Paris ku edhe ka nisur provat me produksionin e ri të operës Carmen në Opéra Comique – Page officielle, përcjell KultPlus.

Ajo është shprehur se puna e mrekullueshme me regjisorin Andreas Homoki e ka mahnitur dhe mezi pret këtë debutim të radhës.

“Ka 10 ditë që kam filluar provat e produksionit të ri të operës Carmen në Opéra Comique – Page officielle dhe puna e mrekullueshme e regjisorit Andreas Homoki më ka mahnitur, mezi presë të bëj debutimin tim në Paris me një rol kaq të dashtun për mua siç është roli i Micaelës”, shprehet Elbenita. / KultPlus.com

“The Time”: Scholz në mesin e personave më me ndikim në 2023

Revista amerikane “The Time” e ka renditur kancelarin gjerman, Olaf Scholz në mesin e 100 personave më me ndikim në vitin 2023.

Scholz, i cili renditet në kategorinë e liderëve më me ndikim, e shpalli pushtimin rus të Ukrainës një “pikë kthese epokale”, duke premtuar se Berlini do të përgjigjej në një situatë kritike.

“Brenda vitit të kaluar, Gjermania përmbysi pacifizmin e saj të pasluftës, duke rritur shpenzimet e saj ushtarake, duke u bërë kështu një nga furnizuesit më të mëdhenj të armëve në Ukrainë”, sipas artikullit.

Gjermania reduktoi gjithashtu varësinë e saj nga furnizimet e energjisë ruse, duke kaluar me nxitim tek burimet e rinovueshme, pavarësisht frikës se kjo do të ishte e shtrenjtë dhe problematike.

Të tjera hyrje të dukshme në listë përfshijnë Evan Gershkovich, gazetari i “The Wall Street Journal”, i cili u arrestua nga Moska pas akuzave për spiunazh.

Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me 20 vjet burg.

“Ndërsa shumë gazetarë u tërhoqën nga Rusia pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, Gershkovich qëndroi aty, pavarësisht nga rreziqet e raportimit për Rusinë”, sipas “The Time”. /atsh / KultPlus.com

“Edhe dielli më pengonte”, viktima e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë rrëfen historinë e saj

Historia e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është po aq e panjohur sa edhe numri i saktë i këtyre rasteve.

Traumat e tyre të patrajtuara i kanë vuajtur në disa raste edhe fëmijët e tyre. Radio Evropa e Lirë ju sjell rrëfimin e një nëne, e cila këtë ngjarje, më tragjiken, të jetës së saj e ka mbajtur sekret. Megjithatë, ajo ia doli. Forcën e gjeti te bashkëshorti dhe fëmijët e saj.

Akrepat e orës në dhomën e vogël, por shumëngjyrëshe, tregonin kalimin e kohës. Por, për Yllkën, të veshur në ngjyrë kafe dhe të zezë, shpeshherë koha kthehet në vitin 1999, kur ajo ishte 18 vjeçe.

Të vetme në shtëpinë e familjes diku në rajonin e Llapit, Yllka dhe një familjare e saj, Drita, ishin përballur me forcat serbe. Atë ditë, Yllka ishte dhunuar në shtëpinë e saj.

“Te dera e shtëpisë kur shkoja [pas luftës], e kisha një ndjenjë… Por, mundohesha ta fshihja, që të mos e merrte vesh askush. Më vonë, i patën ndryshuar disa gjëra në shtëpi dhe nuk më dukej më si i njëjti vend”, rrëfen Yllka.

Me buzëqeshjen që i reflektohet edhe në sytë herë-herë të përlotur, Yllka tregon se, si fëmijë, ajo kishte qenë e hareshme, energjike dhe me shumë ëndrra për të ardhmen.

Ndërsa, duke pëshpëritur e me zërin që i mbytet nën tingujt e akrepave të orës, ajo tregon se si ajo ditë, 24 vjet më parë, ia ndryshoi jetën.

“Gjithçka kam pasur përpara. Por, lufta më shkatërroi”, thotë Yllka.

“Për një kohë, nuk kam qenë shumë mirë. Gjithçka më ka penguar, edhe dielli kur dilte. Nuk doja as diellin ta shihja me sy, as dritë, as asgjë”, shton ajo.

Para se ta përjetonte dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, Yllka ishte takuar me një djalë, Endritin. Kur lufta përfundoi, ai kërkoi ta takonte sërish Yllkën, por fillimisht nuk pati sukses.

E shkatërruar nga ajo që kishte përjetuar, Yllka thotë se nuk donte ta takonte askënd nga frika se sekreti i saj do të zbulohej.

Por, më vonë, Endriti arriti ta bindte familjaren e Yllkës, Dritën, të takoheshin të tre së bashku – të vetmit persona që dinin sekretin e Yllkës.

“Unë ndihesha sikur ai po dilte veç për ta parë se si jam bërë. Mendoja se nuk ka asgjë prej kësaj pune”.

Por, ai ka bërë gjithçka për mua. Atë e kam pasur gjithçka, dashuri dhe gjithçka, krah për t’u mbështetur”, thotë ajo.

Deri më sot, Yllka dhe bashkëshorti i saj nuk e kanë diskutuar kurrë atë që i ka ndodhur asaj gjatë luftës.

Për Yllkën, kjo ka qenë përkrahja më e mirë që mund t’ia kishte dhënë ai.

“Kur e kam pasur ndonjë moment të keq, më ka kapur vaji, kam qarë aq shumë deri sa gati jam alivanosur. Mundohesha shpirtin ta qes prej gojës. Ai trokiste në derë, dilte në dritare. Më thoshte ‘hajde shkojmë te një mjek ose dalim në qytet’. Nuk i interesonte çka mund të thonë komshinjtë”, shton Yllka.

“Mos t’i kisha fëmijët, do të çmendesha krejt”.

Ajo ndien dhimbje për gratë që nuk kanë gjetur përkrahjen e burrave të tyre.

“Mua ma ka dhënë Zoti… siç thonë, ku është terr, bie dritë. Por, jo për të gjithë. Për disa, ku ka qenë terr, është bërë natë krejt. Por, pse?! Ajo nuk ka dashtë, duhet ta kuptojnë… cila grua do që t’i bëhet ajo e zezë?”, rrëfen 42-vjeçarja.

Përveç te burri i saj, Yllka ka gjetur forcë edhe te pesë fëmijët e tyre.

“Si thuhet, nënat janë shumë të forta, prej gurit. Nganjëherë them se mos t’i kisha fëmijët, do të çmendesha krejt”, thotë ajo.

Por, Yllka tregon se është shqetësuar shpeshherë për mirëqenien e fëmijëve të saj, nga frika se mos i është bartur edhe atyre trauma që ajo ka përjetuar.

Një hulumtim i prezantuar në muajin mars 2023 nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Institutin Danez Kundër Torturës, ka zbuluar se fëmijët e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë kanë nivele më të larta të kortizolit – hormonit kryesor që bën rregullimin e stresit.

Për këtë arsye, kjo organizatë joqeveritare kishte nisur një projekt ku përveç terapive individuale, viktimave të dhunës seksuale iu ofrohej edhe terapia familjare.

Yllka e kishte shfrytëzuar këtë mundësi, duke sjellë fëmijët e saj në këtë qendër – por pa u treguar se pse po vinin.

“Pas terapisë familjare, edhe vetë kam qenë më e qetë. Sepse gjithmonë e kam pasur një brengë mos po më fshehin diçka. Por, pastaj psikologja më ka thënë që janë në rregull dhe ato seanca më kanë pëlqyer shumë”, thotë ajo.

Dhjetë seancat e terapisë familjare ishin zhvilluar për klientët gjatë vitit të kaluar, ndërsa Yllka ka katër vjet që mban seanca individuale me psikologet e QKRMT-së.

“Në fillim ka qenë shumë vështirë ta shpalos ngjarjen që më ka ndodhur. Në atë kohë më dukej që e kisha përjetuar ato ditë. Tash, për fat të mirë, këtu ndihem si në familje”, tregon Yllka. Ajo thotë se këto seanca e kanë ndihmuar “të ringjallet”, teksa tregon se më nuk ndihet “e shkelur dhe në siklet” sa herë që dikush e shikon rrugës. Më parë, shikimet e tilla e frikësonin pasi që mendonte se ata e kishin kuptuar sekretin e saj.

“Kur kam ardhur këtu, kam parë edhe shumë gra të tjera. Më kanë thënë që nuk je ti e vetmja dhe pastaj kam thënë ‘në rregull, s’qenkam veç unë’. Dhe, pastaj ka qenë krejt shumë më mirë. Tash ndihem sikur… Oh Zot, sikur kam lindur për së dyti”, tregon Yllka.

Ajo shton se po të kthehej prapa, do të kishte dashur t’i niste seancat me psikologë shumë më herët sesa që e ka bërë.

Një gjë të tillë ua rekomandon edhe të mbijetuarve të tjerë, pasi që thotë se te ajo ka pasur ndikim shumë të mirë.

“Edhe fëmijët e kanë vërejtur ndryshimin tek unë, sidomos të mëdhenjtë. E kanë vërejtur që tash jam më e qetë dhe më kanë thënë ‘sa mirë je tash nënë, kemi menduar se do të jesh gjithmonë si më parë’”, tregon Yllka.

Yllka nuk planifikon ta ndajë sekretin e saj asnjëherë me fëmijët dhe familjarët e tjerë, pasi që thotë se nuk dëshiron që ata të mërziten për atë që i ka ndodhur asaj. Por, prapëseprapë e sheh si shumë të nevojshme që secila viktimë ta ketë dikë me të cilin mund të flasë për përjetimet e veta.

“Çdo hall… kur e flet me dikë të besueshëm, të ndihmon. Të duket sikur ta largon të gjithën”, shton ajo, duke treguar se e ka statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.

Selvi Izeti, psikologe në QKRMT, thotë se trajtimi i traumave të shkaktuara nga dhuna seksuale duhet të jetë i vazhdueshëm.

Ajo tregon se kërkesat për seanca individuale rriten veçanërisht kur raportohet në media për raste të dhunës seksuale, kur nisi lufta në Ukrainë dhe gjatë periudhës kur kishin nisur bombardimet e NATO-s meqë në atë periudhë ka pasur më së shumti raste të dhunimeve.

Vetë termi ‘dhunë seksuale’ është nxitës i traumës për të mbijetuarit, sepse menjëherë ua kthen atë pasigurinë që e kanë ndier kur ka ndodhur ngjarja traumatike”, thotë Izeti.

Përveç punës që e ka bërë që nga viti 2007 në QKRMT me të mbijetuarit e dhunës, ajo e cilëson si shumë të rëndësishme punën që është bërë së fundi përmes terapisë familjare.

Për neve ky ka qenë një rezultat shumë domethënës sepse kemi bërë ndryshime jo vetëm në jetën e nënës, por edhe të fëmijëve. Po mundohemi ta këpusim zinxhirin e bartjes së traumës”, thekson ajo.

Në vitin 2014, Kosova kishte miratuar një ligj për t’ia njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës personave të përdhunuar, duke ua mundësuar kështu atyre një pension ligjor prej rreth 230 eurosh në muaj.

Së fundi, afati për të aplikuar për njohjen e këtij statusi është shtyrë edhe për dy vjet të tjera, deri më 2025. Deri më tani, këtë status e kanë gjithsej 1.451 persona.

Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.

QKRMT-ja ka të dhëna për rreth 900 viktima. Në Kosovë, për herë të parë këtë vit më 14 prill shënohet Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Kjo ditë, sipas autoriteteve, është shpallur për “ta njohur dhimbjen” e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për t’i kontribuar kujtesës kolektive./REL

Emrat që lidhen me rrëfimin e të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, janë vendosur nga redaksia e REL-it për të ruajtur identitetin e të mbijetuarës.

“Admovere” kërkon ndihmë nga të gjithë ata që mund të kenë informacione për masakrën në Shtuticë

Organizata Admovere dhe Integra, janë në përgatitje të librit për masakrat e ndodhura në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Por, në disa raste ato po hasin në mungesë informacioni, andaj po kërkojnë ndihmë nga të gjithë ata që mund të kenë njohuri apo informacione për disa nga masakrat në Kosovë.

Kësaj radhe, bëhet fjalë për masakrën në Shtuticë, e cila ka ndodhur më 2 gusht ’98 dhe 30 prill ’99.

Ky është postimi i plotë i Admovere:

NDIHMË PËR INFORMATA PËR MASAKRAT NË SHTUTICË, 2 GUSHT ’98 dhe 30 prill ’99

Së shpejti, ADMOVERE dhe INTEGRA do ta botojnë librin «Masakrat në Kosovë 1998-1999», në të cilin do të pasqyrohen me tekst (shqip, sërbisht e anglisht) dhe fotografi të gjitha masakrat që janë kryer në Kosovë më 1998-1999. Për këto masakra, i kemi hulumtuar rrënjësisht raportet e organizatave vendore e ndërkombëtare, artikujt në mediet vendore e ndërkombëtare, raportet e gjykatave, e kështu me radhë.

Çuditërisht, për disa prej masakrave nuk ka materiale në burimet e sipërpërmendura. Dy nga to janë Masakrat në Shtuticë, ku më 2 gusht 1998 janë vrarë 7 civilë, kurse më 30 prill 1999 janë vrarë 44 civilë. I lusim banorët e fshatit Shtuticë dhe të tjerët që nëse kanë për këtë masakër ndonjë fotografi, video, artikull gazete, raport, libër, e kështu me radhë, t’i dërgojnë në faqen tonë në Facebook.

Do ta vlerësonim tejmase bashkëpunimin tuaj! / KultPlus.com

Vështrim poetik mbi librin “Roja i dritës”


Nga Bleona Arifi

Figuracioni poetik

Përmbledhja me poezi Roja i dritës mund të quhet padyshim si një vepër autobiografike, e cila arrrin të realizohet me një figuracion të zgjedhur letrar dhe transmetohet për publikun si vepër universale, e cila mund të gjej lexuesin e saj kudo. Me aq poezi sa gjenden në këtë përmbledhje  Flutura Açka përçon tek lexuesit emocione, të cilat shndërrohen në forcë dhe shpresë për të gjithë ata, që kanë luftuar dhe luftojnë me jetën ballë sfidave të saj.Ky shndërrim metaforik nga një botë dhe jetë pesimiste në një ngjyrim plot shpresë dhe jetë mbetet e veçanta e artit dhe poezisë së saj.E gjithë kjo arrin të realizohet përmes pjekurisë së vargut dhe vetëdijes së lartë krijuese artistike, që autorja projekton përmes ndjeshmërisë së zërit të shpirtit dhe përgatitjes së saj profesionale letrare.Përdorimi i figurave poetike realizohet duke qenë gjithnjë në asocim të ndërtimit semantikë dhe atij emocional.Poezitë janë të lidhura njëra me tjetrën në realizimin e idesë kryesore, e në disa raste vargjet e shkruara duken si vazhdim apo plotësim i ndjesive paraprake, ngase motivi dhe ideja e tyre përshkohet me një ritëm të njëjtë, i cili gjen mishërimin në natyrë, kujtim, mallëngjim, shpresë dhe jetë.Autorja përmes figurave letrare, konkretisht figurës së metaforës arriti të rindërtojë figurativisht jetën e saj personale përtej kufirit biografik, sepse atë e universalizojë dhe i dha kuptim të përjetshëm, që do t’i mbijetoj kohës dhe jetës gjithnjë. Pasqyrimi i gjendjes së saj emocionale përmes vargut figurativ na paraqitet në tri ndjesi apo etapa të jetës;para vdekjes së të birit, gjatë ditëve të fundit të jetës së tij, dhe pas humbjes së tij. Poezia bëhet shpresa e fundit për autoren, terapia e cila i ngjallë forcën për jetë dhe shpresë.
Në poezitë e saj të para vërejmë frymën dhe gjuhën, e cila ndërtohet në trajtën e ndjesisë së vdekjes të paralajmëruar për të birin, e cila pasqyrohet me pasiguri,  trishtim dhe frikë, siç shqiptohet edhe në vargjet e poezisë  Aksi i sigurisë;
Kam kohë që jam qenie, e
zhvendosur nga aksi i sigurisë.
Ngul një spirancë droje,
por një shtjellë trishtimi,
m’kaplon.


Açka përmes vargjeve shpresëdhënëse i referohet vetvetes, forcës, bindjes dhe qenies së saj, e cila tenton ta sfidojë guximin dhe shpresën për jetë,  por që kjo trajtë e shkrimit kthehet në një frymë këshilluese edhe ndaj lexuesve që ndjesinë e tyre e lënë në emocion të forcës dhe dritës; Tropiku mental;
…dhe qenia e hutuar kthehet në qenie të pahutuar,
në pranverën e mekët.
zgjedh të mbjellë, pemën
e shpresës.
Koha në jetën e saj paraqitet pakohë në kuptimin figurativ si zhvillim, që nuk pëson ndryshim dhe mbetet njëjtë sa sfidon durimin dhe pritjen, duke shndërruar minutën në shekull dhe çastin në vetë jetë.Ndonëse intervali kohor i poezive të shkruara bën diferencën e saj ndër vite poezitë të ofrojnë mendimin, se të gjitha këto mund të jenë shkruar brenda një kohë të shkurtër dhe jo vetëm, ngase bota subjektive e poetes, e cila shpërfaqet në krijimin e saj ngreh në parim çështje të cilat e shqetësojnë kahmotshëm.
Poezia në krijimin e saj na del dhe si thirrje drejt jetës dhe mosdorëzimit, sepse shpërthimi lirik i saj arrin të marrë frymë leksioni dhe të pasqyrohet në këtë ritëm ndaj receptuesve, prandaj autorja arrin të krijoj komunikim autor-lexues përmes vargjeve të drejtpërdrejta të cilat ngrisin vëmendjen dhe shpresën për t’u zgjuar drejt luftës për ekzistencë;
“Zgjimi”
Zgjohu,
shkojmë e flemë diku tjetër,
ku shihen ëndrra më të bukura,
se në burgun e trupit.
Eja,
lëre moskundin e harrimit,
të luajë me të harruarit,
që e kanë fikur grishjen për botën.
Jashtë trumba e zogjve,
është më rebele se yshja jote,
për ta shpallur zgjimin.
Ti, pranuesi i fatit,
pa lutje pa lot pa peng e pa mëshirim,
çeli sytë!…

Figuracioni poetik i përmbledhjes Roja i dritës projekton një mozaik ndjesish dhe mendimesh të cilat transmetohen me një varg të matur, që shkon kah diskursi filozofik dhe universal, sa bën që të mos kufizojë imagjinatën e lexuesit, por e lë të lirë në përceptimet individuale dhe nuk e kushtëzon atë në një semantikë të vetme të ligjërimit poetik. E natyrës së tillë është poezia “Kulçedra gri” e cila vë në dilemë dhe pyetje lexuesin, se kush mund të jetë kulçedra në këtë rast për autoren, jeta, e vërteta e hidhur, ankthi, dhimbja apo ndjesi e kuptime të tjera, të cilat lexuesi mund t’ia vesh figurës së kulçedrës dhe poezisë në tërësi. Lëkundjet e saj emocionale dhe psikologjike përcillen dhe vihen në dukje nga lexues të vëmendshëm, të cilët arrijnë të bashkëndjejnë dhe kuptojnë artin e krijuar me të, sepse pema të cilën përshkruan në poezinë “Tropiku mental”, e cila dukej me plot jetë dhe shpresë, ka ndryshuar bashkë me ikjen e të birit, tani pema nuk ishte si dikur, ngase autorja përmes ngjyrimit figurativ e paraqet si të palulëzuar dhe të harruar në vetmi dhe mërzi;
“Pema ime”
Pema ime,
është harruar në dimër,
me degët mpirë në akullimë,
vizaton degësh eterin me përkoren e saj,
nëpër dimërim…

Stili i saj krijues ndërton një botë semantike dhe lidhje të veçantë me lexuesin, e cila perceptohet dhe merr formë kuptimi, varësisht nga përvoja dhe përgatitja e tij. Duke qenë se poezitë janë të ngarkuara stilistikisht ato ofrojnë hapësirë për të prodhuar kuptime të dyfishta, por kjo varet nga receptuesi dhe ligjërimi figurativ, gjegjësisht kjo determinohet nga ndjesitë dhe mendimet empirike të lexuesit dhe nga hapësira konotative që mund të ofrojë poezia kundrejt tij.
Humbja e të birit për të mbetet si humbje fizike dhe jo shpirtërore, sepse për të ai mbetet gjithmonë i gjallë dhe i pavdekshëm për këtë jetë. Ndërsa dhimbja si ndjesia dhe motivi qenësor i të gjithave poezive në ciklin e tretë merr një dimension dhe pjekuri tjetër, ashtu dhe siç shprehet autorja;
Më zhbëri dhimbja,
tani jam gur,
dhe bëj çfarë bën guri.
Duron.
 

Kujtimet, të cilat i sjellin dhe i rikujtojn mallin dhe dashurinë për të birin mbeten fryma dhe arsyeja për t’u zgjuar nesër.Ndjesi të shumta të natyrës pesimiste Açka i pasqyron duke i ndërlidhur me natyrën, jetën sikur dhe ndjesinë e mungesës të cilën e përshkruan në atë formë, sa tenton të shpreh se ai nuk i mungon vetëm nënës, dhe familjes por me të e përgjysmuar mbetet dita, stina hapësira dhe e tërë gjithësia. Përmes vargjeve eliptike autorja lënë në enigmë mendime, të cilat arrin të plotësohen nga lexuesi, siç është rasti kur ajo shprehet;
Vjen një çast
Kur pikur në shenjteri
Dita merr ngjyrë nate
Dhe nata, dritë parajse


Persiatjet e ndjesive dhe mendimeve transmetohen në një dimension tjetër, ato kthehen në frymën e leksionit, që shtyn drejt forcës dhe shpresës.Autorja në poezitë Nëna dhe Gruaja e fortë i drejtohet vetes dhe të gjithë nënave të cilat kanë fuqi mendore dhe shpirtërore si të saj, të cilat luftojnë me një dhembje të njëjtë.Ajo shkruan në këtë formë, për t’i rikujtuar lexuesit edhe njëherë se kush është gruaja dhe nëna, se cila është forca e tyre që arrin të mposht jetën dhe sulmuesit e saj.

Portreti figurativ i Jernit

Të gjitha poezitë të cilat janë pjesë e përmbledhjes Roja i dritës janë copëza të cilat ndërtojnë portretin figurativ të Jernit.Ato në një formë apo tjetër arrin të pasqyrojnë karakterin e tij, çiltërsinë dhe forcën që i ofronte autores në ditët më të vështira të jetës së tyre. Gjendja e saj subjektive manifestohet nga vargje të cilat e spastrojnë atë nga mërzia, pikëllimi dhe çdo situatë tjetër, që e kalon kufirin e vetëpërmbajtjes emocionale dhe shndërrohet në një shpërthim figurativ poetik. Tri nga poezitë të cilat arrin të e ndërtojnë botën subjektive të Jernit, bukurinë e tij fizike dhe raportin nënë e birë janë; Gjysmëfjetur, Amanetet, dhe Roja i dritës.
Poezia e parë tenton të paraqesë qetësinë, butësinë dhe forcën e heshtjes, që Jerni ndjente ballë sëmundjes, që po kalonte dhe kjo realizohet duke përshkruar dashurinë, që prindi ndjen ndaj një krijese të çiltër si autorja që ndjen ndaj djalit të saj.
Gjysmëfjetur
Sa t’du
Portreti më i bukur që dizejnoi natyra,
shpirti më i ngjyrtë që preku bryma,
ecja më e bukur që ndërtoi hapi,
retina më e qashtër që njomi loti,?
materien time ke hijeshu.

Kjo është poezia, që e nxit autoren të pyes botën, lexuesin se a ka ndonjë atlas që mund të dizejnoj dashurinë në mes prindit dhe fëmijës. 
E një dimensioni tjetër që shpalos karakterin e vërtetë të tij është poezia Amanetet. Autorja në këtë krijim vendos të tregojë mirësinë e tij duke iu kthyer me pyetje;
Pse ishe ti,
ashtu, siç ishe,
i mirë deri në pamundësi,
o, Bir!

Poezia përfaqësuese e tërë përmbledhjes është Roja i dritës, për çka autorja vendos ta emërojë dhe vëllimin poetik me këtë titull.Kjo poezi e cila realizohet me një varg metaforash dëshmon karakterin human të Jernit dhe të vetë autorës, që shtrihet në një figuracion të thellë letrar, në të cilin rrezaton mishërimi poetik me ndjesi, që shpalosin më së miri subjektin lirik dhe prekin ndjesitë e lexuesit.
Roja i dritës
Ti kishe kaq qiell brenda teje,
sa edhe dielli bante ndejë n’tandin sy,
e drita xhelozohej kur fikej mramjeve,
horizontit ankohej,
se s’mundej me të ngja ty.

Vargjet e poezisë, shpërfaqin në të gjitha dimensionet jetësore tiparet njerëzore të djaloshit dhe padjallëzinë e tij, që lidhet dhe me ëndrrat e parealizuara. Roja i dritës si një varg metaforik simbolizon portretin e Jernit si një figurë poetike, që brenda poezisë dhe jashtë saj, ndriçon dritë për jetë dhe forcë për të vazhduar mbi të gjitha errësirat.

Përfundim

Përmbledhja me poezi Roja i dritës hapet nga parateksti në të cilin autorja shpreh falenderimet për të gjithë ata, që arritën të ndihmojnë në realizimin e këtij libri.
Libri ndahet nga tri cikle, cikli i parë titullohet;
Initium, ku në të janë gjithësej 14 poezi, të cilat janë të shkruara në vitet 2016 dhe 2017.
Fryma dhe gjuha e këtyre poezive të cilat janë pjesë e këtij cikli ndërtohen në trajtën e një ndjesie të vdekjes së paralajmëruar për të birin, ngase paraqitja e autores demanton luftën për mospranimin e një të ardhme të tillë.
Terminus, është cikli i dytë në të cilën përfshihen gjithsej 23 poezi me titull dhe një pa titull.
Ky cikël i poezive grupon materien poetike, që pas vetes mbartin një peshë të lartë stilistike dhe vetëdije profesionale letrare.Në inherencë të tyre gjenden ndjesi të cilat përshkallëzohen ballë dy gjendjeve, asaj pesimiste dhe optimiste.
Estensio, është cikli i tretë që përfshin 19 poezi, me titull dhe katër të tjera pa titull. Poezitë të patitulluara ndërtohen me një ritëm në të cilën vihet në përballje forca e dhimbjes nga ikja e të birit dhe forca e poetes për të vazdhuar jetën, por të tipit të njëjtë janë edhe poezitë e tjera të cilat realizohen me fatin e hidhur të ikjes pakthim, ndonëse autorja shprehet se ai mbetet roja i dritës, engjulli që rrezon nga qielli dhe me ndritjen e tij i ruan këta në tokë.
Ndërsa pjesa e fundit e cila titullohet Spiritus Ventus përmban në shenjë falenderimi poezinë e një poeteshe të re afrikanojugore, Courtney Elisanbeth Macauly, e cila i qëndroi pranë në ditët më të vështira të jetës së tyre. Në këtë tekst autorja shkruan se në shenjë mirënjohje e bënë pjesë të vëllimit të saj poezinë Never fall in love with a dying man, të cilën e përkthen në shqip
Mos dashuro kurrë një burrë që po vdes, me urimin se një ditë ajo do të thyejë drojën e pasigurisë e t’i sjellë Afrikës së Jugut, një Ingrind Jonker të re. Në këtë poezi përçohet dhembja, që ajo ndjen me humbjen e Jernit,gjegjësisht përmes vargut figurativ E do të kthehesh në kafshë e plaguar shpalos mungesën, mallin dhe kujtimin që ndjen për të. Mbi të gjitha kjo përmban shenja stilistike, të cilat e plotësojnë dhe e unifikojnë gjendjen subjektive të autorës në tërësi.
 Ndonëse vepra është e ndërtuar tërësisht me shenja autobigorafike, përmbledhja Roja i dritës dëshmon faktin, se dhembja mund të shndrrohet në një art i cili  pambarimisht jeton me kohën.

Shënim; Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, që ligjërohet nga prof.dr.Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega Letërsisë Shqipe, Fakulteti Filologjisë, Prishtinë. / KultPlus.com

UP-ja, për herë të parë, do të ndajë bursa për studentët e nivelit master dhe të doktoratës

Për herë të parë, Universiteti i Prishtinës, nga ky vit akademik, do të ndajë bursa për studentët e nivelit master dhe ata të doktoratës.

Ky vendim u mor nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, në mbledhjen e mbajtur më 13 prill 2023 dhe i njëjti është propozuar edhe si pikë e veprimit në planin e punës të rektorit, prof. Qerim Qerimi.

Bursat ndahen për rezultatet e arritura gjatë vitit akademik dhe paraqesin një lehtësi shtesë për studentët tanë, duke synuar njëherësh stimulimin e kërkimit shkencor, ndërtimin e kapaciteteve kërkimore për të ardhmen, si dhe motivimin e tyre.

Për kriteret e konkursit dhe mënyrën e aplikimit, ju lutëm të klikoni konkurset më poshtë:
Konkursi për bursa për studimet master
Konkursi për bursa për studimet e doktoratës. / KultPlus.com

Libri më i vjetër në botë i printuar me makinë ekspozohet në Paris


Vepra më e vjetër e njohur e shtypur në një makinë mekanike u shfaq të mërkurën në Paris për herë të parë në 50 vjet.

“Jikji”, një koleksion i mësimeve budiste, u shtyp në vitin 1377 – rreth 78 vjet përpara se Johannes Gutenberg ta printonte Biblën duke përdorur shtypshkronjën e tij në Gjermani, shkruan zawya.com.
Thesari korean po shfaqet si pjesë e një ekspozite të re në Bibliotekën Kombëtare të Francës (BnF), e cila do të zgjasë deri në korrik.

Meqenëse asnjë shembull i makinerisë koreane nuk ka mbijetuar dhe teknika nuk u përdor gjerësisht në atë kohë, ajo nuk pati ndikimin revolucionar të shtypit sikur Gutenberg.

Kujtojmë se kjo shënon herën e parë që “Jikji” shfaqet publikisht që nga viti 1973, sipas raporteve në shtypin korean. / KultPlus.com

Abazoviq: Në Mal të Zi ndodhën disa ndryshime, por s’ndryshohet qëndrimi ndaj Kosovës zyrtare

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, tha se përkundër ndryshimeve politika që kanë ndodhur së fundi në vendin e tij, Mali i Zi nuk do të ndryshojë qëndrimin zyrtar karshi Kosovës.

“Në Mal të Zi kanë ndodhur disa ndryshime politike, por ato nuk do të ndërrojnë kurrfarë politike ndaj Kosovës zyrtare. Ju mundeni me llogarit në Malin e Zi për aktivitetet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës në të ardhmen. Ne jemi më së të gatshëm të përkrahim me atë sa janë mundësitë tonë”, siguroi Abazoviq.

Kjo deklaratë e tij vjen pas zgjedhjes së Jakov Milatoviq president i ri i Malit të Zi, e për të cilin u raportua se mbështet politika pro ruse.

Abazoviq tha se është më se i bindur që Kosova dhe Mali i Zi janë shembull rajonal se si duhet të bashkëpunohet.

“Fokusi jonë edhe sot në takime ka qenë në atë që ishte standardi jetësor për popullin edhe të Kosovës edhe të Malit të Zi. Mendoj se jemi në një rrugë të duhur që të zhvillojmë disa projekte që unë i kisha quajtur për Malin e Zi historike e që kanë të bëjnë me infrastrukturën”.

Abazoviq tha se në takimin me Kurtin u fol për mundësitë e krijimit të një qasje më të lehtë për qytetarët e vendeve fqinje.

“Atë që ishte ideja jonë është që të krijojmë qasje shumë të lehtë për qytetarët e të dyja vendeve. Nëse e krijojmë një akses më të lehtë atëherë edhe shkëmbimi i mallrave dhe popullit, bizneseve ka me qenë shumë më intensiv dhe kjo do të krijojë edhe në të ardhmen që të krijojmë atmosferë të mirë rajonale ku dy shtetet duhet t’i japin shembull”.

Abazoviq tha se të ardhmen e sheh në BE edhe për Malin e Zi edhe për Kosovën.

“Duhet të kryejmë shumë detyra që derisa dy shtetet të bëhen anëtare”.

Në fund, Abazoviq e ftoi kryeministrin Kurti në Podgoricë. / Express / KultPlus.com

Përparim Rama e nderon Dritan Abazoviç me “Çelësin e Kryeqytetit”

“Mirësevjen në Kryeqytet, Kryeministër”, shprehet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përderisa ka pritur sot në Komunën e Prishtinës, kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Në këtë takim të ngrohtë, i pari i kryeqytetit e ka nderuar edhe me “Çelësin e Kryeqytetit” kryeministrin malazez.

Rama gjatë kësaj pritje është shprehur se Abazoviç është në shtëpinë e tij dhe është i mirëseardhur kurdo.

“Kjo është shtëpia juaj, jeni të mirëseardhur kurdo herë, shpresoj se ky çelës tash të ndërlidhë shtetet tona edhe më shumë Kosovës së bashku me Malin e Zi dhe personalisht për juve që ta ndieni vetën në shtëpinë e juaj në Prishtinë, në Kosovë”.

Ndërsa, kryeministri Abazoviç është shprehur se me këtë pritje dhe nderim që u bë, patjetër që ndihet si në shtëpinë e tij.

“Gëzohem personalisht që në një mënyrë simbolike bëhem qytetar i Prishtinës. Me të vërtetë e ndiej veten si në shtëpinë time dhe që në një mënyrë simbolike tashmë jam qytetar i Prishtinës”, tha ai. / KultPlus.com

E du!

Flutur Mustafa

Nadjet e hershme kur ti i hap sytë,
E unë jam ala për gjumë e pangime,
I du.

Krahin e mpimë tuj fjetë veç në njanen anë,
Që ma lehtë me e pasë natën me të ushqy e n’gji me të majtë;
E du!

Pafuqinë e krahve në gjysmë t’natës me sytë që sa hapen, mbyllen
Kur danji hije ta prishë amëlsinë e paqes,
E du!

E du eren e tamlit të terun n’bluzë teme,
Kur prej buzve tua kullan e nalet te rrathët e gushës s’kajmaktë.

Melhem për zemra të lodhuna e t’thyme asht’ era e qafës, kur të kaplojnë masi pin, do djersë tanë lezet që gufojnë parajsë.

E du ndjenjen që dora jeme përjetan kur kryet ta ledhatoj, kur ninullat t’i knoj e ti nuk e vëren sa
stonoj!

Buzën n’gaz, zanin e synin e qeshun!

Doren e vogël që mban tansinë teme!

E du. Gjithçkanë tande.
E kam dashtë edhe pa e pa! / KultPlus.com

Kryeministri në Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale: Mund të mos ua dimë emrat, por forcën ua dimë

Në Ditën memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar viktimat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës 1998-99.

Kryeministri është shprehur se heshtja që mveshë këtë krim lufte i pengon të mbijetuarat që të kërkojnë mbështetjen dhe drejtësinë e merituar. Andaj është e domosdoshme përkrahja e pakushtëzuar shoqërore, për të luftuar stigmën e cila i përcjellë të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale.

 Postimi i plotë i kryeministrit:

Sot nderojmë gratë e forta që treguan të vërtetën për krimet e Serbisë në Kosovë. Marte Tunaj, Vasfije Krasniqi Goodman e Shyhrete Tahiri Sylejmani, me guxim e forcë të pashembullt, u bënë zëri i mijëra grave e burrave të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Çdo ditë solidarizohemi me të gjitha të mbijetuarat e të mbijetuarit. Mund të mos ua dimë emrat, por forcën ua dimë.

Duke njohur dhimbjen dhe vuajtjet e grave dhe vajzave, të burrave dhe djemve, të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, në bashkërendim me Presidenten e Republikës së Kosovës, 14 prillin e kemi shpallur Ditë memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Heshtja që mveshë këtë krim lufte i pengon të mbijetuarat që të kërkojnë mbështetjen dhe drejtësinë e merituar. Andaj është e domosdoshme përkrahja e pakushtëzuar shoqërore, për të luftuar stigmën e cila i përcjellë të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale. / KultPlus.com

Bovilla, destinacion turistik shumë pranë Tiranës

Liqeni i Bovillës është pjesë e Parkut Kombëtar të Dajtit, Tiranë ofron për vizitorët një peizazh të veçantë dhe është një destinacion mjaft interesant për të kaluar fundjavat.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro solli pamje kjo bukuri e natyrës teksa shkroi se, “Bovilla është pjesë e Parkut Kombëtar të Dajtit, ku ia vlen të zbulohen peizazhet siç i shihni në video dhe monumentet e natyrës që gjenden në zonë”.

Liqeni i Bovillës shtrihet në krahun verilindor të Tiranës, midis dy vargmaleve kryesore, atë të Gamtit dhe të Brarit. Bovilla e ndodhur në një zonë me bukuri natyrore të mrekullueshme dhe me liqenin e saj nga i cili merr ujë të pijshëm një pjesë e madhe e Tiranës.

Kjo zonë po frekuentohet së fundi nga të apasionuarit e turizmit sportiv që është kthyer në një tendencë në Shqipëri, por kryesisht në Tiranë.

Ky vend mahnitës është përfshirë në itinerarin e disa tour operatorëve dhe grupeve që organizojnë evente në natyrë.

Ngjitjet, ecjet në natyrë dhe barbekjutë janë aktivitetet kryesore. Rrethinat e Tiranës, janë bërë pjesë e njerëzve që e pëlqejnë këtë lloj turizmi. Operatorët vendas që organizojnë ture tregojnë për qëndrueshmëri dhe rritje interesi për këto aktivitete nga Kryeqytetasit.

Turizmi i aventurës po sheh një shtrirje gjatë gjithë vitit, me turizmin e bardhë në dimër, hiking, rafting, ecje në pranverë e vjeshtë, si dhe eksplorimin e gjireve, shpellave apo destinacioneve të tjera interesante në ditët e nxehta. Një nga vendet më pranë Tiranës, që të jep mundësinë të kalosh një fundjavë të këndshme dhe sportive është liqeni i Bovillës.

Kjo ndoshta është zona më e afërt për të praktikuar sportin e ngjitjes dhe kacavjerrëses në shkëmbinj në rajonin e kryeqytetit. Në këtë zonë në fundjavë zhvillohet turizmi i aventurës, ku operatorët turistik ofrojnë një itinerar të sigurt për ecje dhe ngjitje nëpër shkëmbinj.

Itineraret variojnë në gradë vështirësie, nga ato të thjeshtat deri tek ato më të vështirat, për tu dhënë mundësi të gjithëve që të praktikojnë këto lloj sportesh.

Një vëmendje më e madhe për sa i përket infrastrukturës rrugore dhe asaj turistike drejt këtij destinacioni të afër për çlodhje,do të bënte që shumica e kryeqytetasve ta kishin një destinacion të fundjavës. / atsh / KultPlus.com

34 vjet nga vdekja e shkrimtares dhe aktivistes së shquar, Simone de Beauvoir

Simone de Beauvoir ishte një shkrimtare franceze, intelektuale, filozofe ekzistencialiste, aktiviste politike, feministe dhe teoriciente shoqërore.

Megjithëse ajo nuk e konsideronte veten një filozofe, ajo kishte një ndikim të rëndësishëm në ekzistencializmin feminist dhe teorinë feministe.

Simone de Beauvoir u lind në Paris më 9 janar 1908.

Prindërit e saj ishin njëri sekretar ligjor dhe e ëma vajza e një bankieri të pasur dhe katolike e devotshme. Familja luftoi për të ruajtur statusin e tyre borgjez pas humbjes së pasurisë së tyre menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. De Beauvoir vetë ishte thellësisht fetare si një fëmijë, madje dikur ajo synonte të bëhej murgeshë. Nga viti 1929 deri më 1943, De Beauvoir jepte mësim në lice. Ajo dha mësim në Marsejë, Rouen dhe Paris.

De Beauvoir shkroi novela, ese, biografi, autobiografi dhe monografi mbi filozofinë, politikën dhe çështjet sociale. Ajo ishte e njohur për traktatin e saj të vitit 1949, “Seksi i Dytë”,gjithashtu për romanet e saj, duke përfshirë “Ajo erdhi për të qëndruar” dhe “Mandarins”.

Libri i saj “Seksi i dytë” pati tepër jehonë. Pati reagime dhe qëndrime ndaj tij , duke përfshitë edhe ndalimin e tij nga Vatikani, dhe ato ishin rrjedhojë e diskutimit të hapur nga autorja mbi seksualitetin femëror, përfshirë homoseksualitetin. Por në fakt, libri “Seksi i dytë” është shumë më tepër se kaq. Libri ngre pyetjen më thelbësore të feminizmit: Çfarë do të thotë të jesh grua? De Beauvoir e refuzon ekzistencën thjesht biologjike dhe përqendrohet në cilësinë e feminitetit, duke arritur kështu në thënien e saj më të famshme: “Një njeri nuk lind, por bëhet grua”.

De Beauvoir e krahason shtypjen e grave me atë të hebrenjve, njerëzve me ngjyrë dhe popullsive të kolonizuara. Por ajo konkludon se seksizmi është një forcë unike, sepse gratë jetojnë, madje edhe i dashurojnë, shtypësit e tyre. Në këtë libër, autorja bën një panoramë të jetës së grave: puna, mëmësia, pavarësia ekonomike, krijimtaria, seksualiteti, plakja dhe mërzia si rezultat i punëve shtëpiake.

Proza e De Beauvoir është depërtuese. Përgjigjet e saj janë të thjeshta: gratë duhet të arsimohen njëlloj si burrat, të paguhen njëlloj me burrat dhe t’u krijohet qasje e lirë mbi planifikimin familjar dhe divorcin. Në kohën kur u publikua, “Seksi i dytë” ishte një sukses. Shiti 22 mijë kopje në javën e parë në Paris në vitin 1949, ndërsa përkthimi në anglisht u bë menjëherë bestseller në Amerikë. Libri ka influencuar shkrimtare dhe feministe të brezave të mëvonshëm.

Ajo gjithashtu ishte e njohur për marrëdhënien e saj të hapur gjatë gjithë jetës me filozofin francez Jean-Paul Sartre. Gjatë tetorit 1929, Jean-Paul Sartre dhe De Beauvoir u bënë çift dhe, pasi u ballafaquan nga babai i saj, Sartri i kërkoi asaj të martohej me të. Por afër fundit të jetës së saj, de Beauvoir tha, “Martesa ishte e pamundur, nuk kisha asnjë dhunti”. De Beauvoir zgjodhi të mos martohej kurrë dhe të mos krijonte një familje të përbashkët me Sartrin. Ajo nuk bëri as fëmijë.

Pas vdekjes më saj, më 14 prill 1986, shumë vepra kanë hedhur dritë në disa aspekte të rrugëtimit të Beauvoir. Pas vdekjes, vepra e saj reziston më mirë se ajo e Sartrit. Më rastin e 100- vjetorit të lindjes, asaj i janë kushtuar disa libra të famshëm.

Simone de Beauvoir ishte një fenomen, një kapërcyell i kohës. Përkundër nënshtrimit dhe diskriminimit ndaj gruas, shkrimtare franceze, intelektualja, filozofja ekzistencialiste, aktivistja politike, veprimtarja e lëvizjes feministe dhe teoricienja sociale, i vuri pasionin dhe forcën e saj, energjinë dhe kurajon. Edhe pse ajo refuzoi ta konsideronte veten si filozofe, ndikimi që patën dy teoritë e ekzistencializmit feminist e vendosin atë në një vend të privilegjuar. Simone de Beauvoir mbetet ikonë e feminizmit, model i gruas së lirë që ka lënë gjurmë në disa breza femërorë./KultPlus.com

Anija më e famshme në histori, Titaniku, u fundos 111 vjet më parë

Padyshim anija më e famshme në botë, Titaniku, u fundos 111 vjet më parë, duke lënë shumë detaje e pikëpyetjet në këtë tragjedi që do të mbetet gjithmonë në histori, shkruan KultPlus.

Anija u fundos më 14 prill 1912, rreth 740 kilometra nga vendi më i afërt, dhe anija e parë për ndihmë arriti një orë e gjysmë pas fundosjes, shumë kohë pasi viktima e fundit u mbyt në det.

Temperatura e ujit ishte 2.2 gradë Celsius, ku mbijetesa njerëzore është vetëm 15 minuta. Nga fundosja e Titanikut, humbën jetën 517 njerëz, ndërsa shanset më të larta për mbijetesë patën udhëtarët e klasës së parë, pasi u shpëtuan 63 për qind e tyre.

Në Titanik ishin 20 barka shpëtimi, të cilat mund të mbanin vetëm 1100 pasagjerë, gjysma e atyre që ndodheshin në bord , por kjo ishte në përputhje me rregullat ligjore të asaj kohe dhe u konsiderua e mjaftueshme.

Pavarësisht nga kjo, vetëm 700 pasagjerë mundën të hynin në barkat e shpëtimit, shumica e tyre ishin gjysmë të zbrazura dhe në pothuajse secilën prej tyre kishte ende vende të lira.

Por çfarë ndodhi me kufomat?

E vërteta në lidhje me këtë është fshehur dhe ata që ishin në dijeni nuk dëshironin të tregonin.

Por, pas kaq shumë vitesh del në shesh e vërteta e hidhur se kapiteni i një prej barkave shpëtuese, Mackay-Bennet, donte të tërhiqte të gjitha trupat nga deti.

Por shpejt e kuptoi se barka e tij ishte shumë e vogël për 334 trupa të gjetur.

Atëherë u mor vendimi që ata do të hidhnin kufomat e udhëtarëve më të varfër, atyre të klasës së tretë, duke lënë hapësirë të mjaftueshme për ata që janë në klasën e parë dhe të dytë.

Domethënë, mendimi i ekuipazhit ishte se ata kishin të drejta më të mëdha për një varrim dinjitoz. Nga 334 trupat e gjetura, më shumë se njëqind u hodhën jashtë anijes dhe nuk u gjetën kurrë në Oqeanin Atlantik.

E vërteta për atë që ndodhi ishte fshehja e telegrameve sekrete, të cilat më vonë u morën nga historianët nga arkivat e fshehtë. /KultPlus.com

Kosova shënon Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale

Kosova sot për herë të parë do të shënojë 14 Prillin – Ditën e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, në shenjë solidarizimi me rreth 20.000 persona të cilët vlerësohen se kanë qenë viktima të dhunës seksuale para 24 vjetësh.

Me propozim të presidentes Osmani, Qeveria e Kosovës ditë më parë e caktoi datën e sotme si ditë që do t’i dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

14 prilli përkon me datën famëkeqe të vitit 1999 atëherë kur Vasfije Kraniqi Goodman, në atë kohë 16 vjeçare, u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost, ku u dhunua seksualisht.

Shënimi i 14 Prillit si Ditë e të Mbijetuarve, është vlerësuar si moment i rëndësishëm në dokumentimin e të vërtetës, njëkohësisht shënon edhe njohjen simbolike, e cila është e rëndësishme në integrimin e plotë të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës.

Presidentja Osmani deklaroi se shënimi i 14 Prillit do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Rikujtojmë se gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 20.000 persona kanë qenë viktima të luftës seksuale. Jetët e të gjithë këtyre personave ndryshuan përgjithmonë. Pikërisht më 14 prill ndryshoi gjithmonë edhe jeta e Vasfije Krasniqit, e cila u rrëmbye me forcë dhe u dhunua nga forcat serbe. Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera presidentja Osmani në propozimin drejtuar Qeverisës së Republikës së Kosovës që 14 Prilli të shënohet si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale.

Në shënimin e kësaj dite, QKRMT dhe organizatat anëtare të platformës “Bëhu zëri im”, në bashkëpunim me Zyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës, sot do të organizojë marshin: Në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Marshi do të fillojë në orën 12:00 nga sheshi Ibrahim Rugova, për të vazhduar deri tek monumenti Heroinat, ku do të prezantohet instilacioni “14 Prilli”. / KultPlus.com

NASA tregon si do të duket jeta në një shtëpi në Mars

Një shtëpi e zakonshme u prezantua nga NASA dje, me katër dhoma dhe një zonë sportive, por kjo shtëpi nuk do të jetë në Tokë. Duke filluar nga qershori, katër persona do të mbyllen në të për më shumë se një vit dhe do të tentojnë një jetesë në Mars.

Rezidenca, e quajtur Mars Dune Alpha, ndodhet në qendrën kërkimore të agjencisë amerikane të hapësirës në Hjuston, Teksas.

Ata që do të banojnë në shtëpi do të ndihmojnë në përgatitjen e një misioni të ardhshëm në planetin e kuq. Duke matur performancën dhe aftësitë e tyre njohëse, NASA do të kuptojë më mirë “burimet” që do të duhet të sigurohen gjatë këtij udhëtimi ambicioz, shpjegoi menaxherja e programit CHAPEA, Grace Douglas, e cila mbikëqyr këtë përvojë. Kjo është një çështje kritike, duke pasur parasysh “kufizimet shumë kufizuese të peshës që mund të kenë këto misione”, shtoi ajo.

Ende nuk dihen emrat e vullnetarëve që do të jetojnë në shtëpi, por tashmë e dimë se ekipi nuk do të përbëhet nga astronautë. Përveç kësaj, ata do t’i nënshtrohen rregullisht faktorëve stresues, me kufizime uji ose dëmtime materiale.

Agjencia hapësinore amerikane po përgatit një udhëtim vajtje-ardhje në Mars, por nisja nuk është e afërt. Ky udhëtim, i cili do të zgjasë disa dekada, mund të ndodhë “në fund të viteve 2030”, sipas administratorit të NASA-s Bill Nelson.

Një shtëpi normale, tokësore në planetin Mars

Kjo shtëpi prej 160 metrash katrorë përmban një zonë vertikale të rritjes së perimeve, një dhomë të dedikuar për procedurat mjekësore, një zonë relaksimi dhe madje edhe hapësira pune personale.

Një dhomë ajri çon në një simulim të mjedisit marsian. Në dyshemenë me rërë të kuqe, ka një stacion moti, një pajisje për prodhimin e tullave, një serë dhe një vendkalim lëvizës, në të cilin astronautët e supozuar do të ecin të varur nga rripat.

Gjithashtu, kjo shtëpi ka një veçori tjetër: është produkt i një printeri 3D./abcnews.al/KultPlus.com

Zierje situate

Poezi nga Barbara Delać

Shqipëroi: Argëzon Sulejmani

ZIERJE SITUATE

në kuzhinën e përbashkët kam takuar
muzikanten iraniane
para disa vitesh ka emigruar me burrin
në Berlin
teksa lanë enët, më pyetë për gjendjen e
artistëve në vendin tim
interesohet për kuotën minimale të lirisë
dhe se për çfarë nuk largohem
kam lexuar për aktivisten në Iran, ishte 25 vjeç
sa dhe unë, kjo më ishte ngulitë mirë
dhe me po kaq vjet ishte dënuar
më tepër s’mbajë mend për çfarë proteste
për këtë marr të kërkoj
as interneti s’e kujton
lajm i ri: avokatja e shpërblyer për mbrojtjen e
aktivistëve është arrestuar
dhe dënuar me 148 goditje kamxhiku dhe
38 vite burg
mirë është zier, thotë, kjo s’është e gjitha
herën tjetër kur të shihemi do të më tregojë
gjithçka.

Mbi autoren:
Barbara Delać lindi më 1994 në Kotorr, Mali i Zi. Ka mbaruar studimet për Teori moderne dhe bashkëkohore të artit. Deri më tani ka botuar përmbledhje me tregime dhe me poezi për çka është vlerësuar ndërkombëtarisht. Është fituese e rezidencës Berlin-Stipendium për vitin 2019, dhënë nga Akademia e Arteve në Berlin, kurse në vitin 2021 ka qenë pjesëmarrëse në rezidencën letrare “Prishtina nuk ka lum” në Prishtinë, Republika e Kosovës./KultPlus.com

10 qytetet më të shtrenjta për të jetuar në botë në 2022

Rritja e kostos së jetesës ishte e përhapur në të gjithë globin në vitin 2022. Prandaj, rezultatet e anketës vjetore të Economist Intelligence Unit (EIU) që krahason koston e jetesës në qytete të ndryshme anembanë botës, nuk janë befasuese.

Konkluzioni i përgjithshëm i hulumtimit është se rritja mesatare e kostos së jetesës për vitin 2022, krahasuar me një vit më parë, është 8.1%.

“Lufta në Ukrainë, sanksionet perëndimore kundër Rusisë dhe politikat e Kinës me zero Covid kanë krijuar probleme në zinxhirin e furnizimit, i cili i kombinuar me rritjen e normave të interesit dhe ndryshimet në normat e monedhës kanë çuar në një rritje të kostos së jetesës në të gjithë botën. ”, thotë shefja e kërkimit në EIU, Upasana Dutt, në një deklaratë pas shpalljes së rezultateve.

Ajo shton se “Ky ndikim është i qartë, pasi rritja mesatare e çmimeve në 172 qytetet që kemi studiuar në kërkimin tonë është më e madhja në 20 vitet që kemi pasur të dhëna dixhitale. Rritja e karburantit ka qenë e konsiderueshme, por gjithashtu ushqimi, shërbimet komunale dhe mallrat e tjera shtëpiake po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta për banorët e qytetit.”

Në një vit me kosto të lartë jetese, cilat janë qytetet më të shtrenjta për të jetuar?

10  qytetet më të shtrenjta në botë për Economist Intelligence Unit:

1- Nju Jork dhe Singapori

3- Tel Aviv

4- Hong Kongu dhe Los Anxhelosi

6- Cyrih

7- Gjenevë

8- San Francisko

9- Paris

10- Kopenhagen./abcnews.al

Elegji e parë

Poezi nga Martin Camaj

Ku kam me qenë i këputun
nga mundi i vjetve të rrëpita sa ‘i shkamb,
mos të vijë keq ty, Taze, për mue
të shtrimë mbi drrasat e vdekjes,
kingj i gatuem për flije.
Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë
për njerzit e vet, vdekë qysh kur.

Edhe një amanet, moj grue:
kur vdiq im atë, premë dy qe
me ngimun të unshmit e thneglat e lamit
me grimca buke.
Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë
të ngishëm,
prandej ndër drekët e mija qitni
vetëm kafe të idhta. / KultPlus.com