Prej disa kohësh përflitet se “Warner Bros. Discovery” është gati të rikthehet në Hogwarts dhe tani më në fund është konfirmuar.
“Letra juaj për Hogwarts është këtu. Max ka porositur serinë e parë televizive të Harry Potter, një përshtatje besnike e librave ikonë ,” shkruajti produksioni në Twitter me një video-njoftim.
Për momentin nuk ka detaje se çfarë saktësisht do të mbulojë seriali apo kush do të luajë personazhet kryesore, por Variety shkruan se është planifikuar një serial me një kast krejtësisht të ri. Secili nga sezonet do të merrte komplotin nga një nga shtatë librat, që do të thotë se seriali do të filmohej për vite me rradhë.
“Çdo sezon do të jetë autentik për librat origjinalë dhe do të sjellë Harry Potter dhe aventurat e tij të pabesueshme për audiencë të re në mbarë botën, ndërsa filmat origjinalë, klasikë dhe të dashur do të mbeten në zemër të ekskluzivitetit dhe të disponueshëm për t’u parë,” u bë e ditur nga produksioni.
Autorja e librave J. K. Rowling do të jetë producentee ekzekutive së bashku me Neil Blair dhe Ruth Kenley-Letts./abcnews.al/ KultPlus.com
Festivali i filmit i Kanës do të fillojë më 16 maj dhe do të përfundojë më 27 maj, sipas cinefacts.it.
Gjithashtu këtë vit do të shohim emra të mëdhenj në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, nga rikthimi i Martin Scorsese te Wes Anderson, nga Nanni Moretti te Takeshi Kitano, nga Hirokazu Kore’eda te Aki Kaurismaki deri te Wim Wenders, Marco Bellocchio, Ken Loach dhe Steve Mcqueen.
Spektakli garantohet edhe me praninë e yjeve të Hollivudit si Leonardo DiCaprio, Johnny Depp, Robert De Niro, Pedro Pascal apo Ethan Hawke.
Më poshtë janë filmat konkurrues të këtij festivali: Hapja e festivalit me filmin jashtë gare: “Jeanne du Barry” nga Maiwenn
Filmat në garë: “About Dry Grasses” nga Nuri Bilge Ceylan “Anatomy of a fall” nga Justine Triet “Asteroid City” nga Wes Anderson “Banel et Adama” nga Ramata-Toulaye Sy “Club Zero” nga Jessica Hausner “Fallen leaves” nga Aki Kaurismaki “Firebrand” nga Karim Aïnouz “Four daughters” nga Kaouther Ben Hania “Il sol dell’avvenire” nga Nanni Moretti “Jeunesse” nga Wang Bing “La chimera” nga Alice Rohrwacher “La passion de dodin bouffant” nga Tran Anh Hung “Last summer” nga Catherine Breillat “May December” nga Todd Haynes “Monster” nga Hirokazu Kore’eda “The old oak” nga Ken Loach “Perfect days” nga Wim Wenders “Rapito” nga Marco Bellocchio “The zone of interest” nga Jonathan Glazer
Jashtë gare:
“Cobweb” nga Kim Jee-woon “The Idol” nga Sam Levinson “Killers of the Flower Moon” nga Martin Scorsese “Indiana Jones e il Quadrante del Destino” nga James Mangold./KultPlus.com
Pasi shkrimtarja Angie Thomas kërkoi që të mos shënjohet në kritikat negative të librave të saj, në mediat sociale vërshuan fyerjet, shkruan Alison Flood.
Historia ende nuk e ka librin që adhurohet në mënyrë të përgjithshme, ose autorin që kënaqet duke lexuar kritikat e këqija. Teksa Angie Thomas ishte në krye të listave dhe bartte mbi supe çmimet për librat “The Hate U Give” dhe “On the Come Up”, kërkesa e saj e fundit – që blogerët të mos i dërgojnë më përshtypjet e tyre negative – e ballafaqoi me një valë tjetër të kritikave. Thomas nuk u kërkoi atyre të ndalonin së shkruari komente të këqija. Ajo thjesht kërkonte që ata të mos e shënjojnë (të mos ia bëjnë “tag”) në Twitter ose në Instagram.
“E dini çka? Jemi njerëz me ndjenja. Çfarë kuptimi ka që t’ia bësh ‘tag’ autorit në një vlerësim negativ?”, shkroi ajo në Twitter. “Duhet ta mbrojmë hapësirën tonë mentale. Shumë vlerësime, të mira ose të këqija, mund të ndikojnë në këtë… Të marrësh vlerësime nga shumë burime mund të dëmtojë procesin e të shkruarit. Kam një grup njerëzish reagimet e të cilëve i vlerësoj – redaktorin tim, agjentit tim, autorë të tjerë që veprojnë si lexues të dorëshkrimit. Në pozicionin në të cilin jam, mediat sociale janë për bashkëveprim me lexuesit, jo për kritika”.
Thomas më pas i është nënshtruar fyerjeve në internet, nga lexuesit dhe nga kritikët. Një lexues njoftoi se do t’i hedhin librat e saj. Të tjerët thanë se reagimi e saj po i shtynë të mos e lexojnë më (“Kur njerëzit janë të pasjellshëm dhe negativë në këtë mënyrë, kjo më bën të mos i mbështes”). Disa mendonin se “tema” e shkrimit – librat e Thomasit zhyten brenda dhe jashtë botës afrikano-amerikane – e bën atë të duket “shumë e padijshme”.
Autorët kanë thënë me vite se nuk preferojnë të shënjohen në kritikat e këqija të mediave sociale. Në nëntor të vitit të kaluar, Lauren Groff shkroi se “të bësh ‘tweet’ tek shkrimtari është sikur t’i bërtasësh në fytyrë”. Kjo ndodhi madje përpara epokës së mediave sociale, si p.sh. ajo që Alain de Botton tha për kritikën e Kaleb Crainit për veprën “The Pleasures and Sorrows of Work” (“Do të të urrej deri në ditën që do vdes dhe nuk të uroj asgjë pos vullnet të keq në çdo hap të karrierës që bën) apo Martin Amisi për kritikën e Tibor Fischerit për veprën “Yellow Dog” (“Një bajat dhe qerrata”).
Por, goditja kundër Thomasit është e shpërpjesëtuar kur krahasohet me mënyrën sesi komentuesit kanë reaguar ndaj këtyre kërkesave në të kaluarën. Siç ka thënë vet ajo: “Shumë autorë të bardhë kanë thënë të njëjtën gjë për këto komente, pa i marrë të njëjtat sulme që i hodhën tek unë”.
Mënyra sesi komuniteti i lexuesve mund të përfshihet në të keqen, është dokumentuar qëmoti me kërcënime, fyerje dhe ftesa për bojkot. Thomas megjithatë nuk po tërhiqet e as nuk duhet. “Shkrova një libër për të mos qenë e qetë. Ndaj, të jeni të sigurte se nuk do të jem e qetë. Ngacmimi, fyerjet, sulmet, gjuha e koduar, të gjitha këto nuk i kam problem për t’i ballafaquar. Komunitet i librit, jeni toksikë dhe problematikë”, ka thënë ajo. /KultPlus.co.
Dehja e bartësit të religjionit nga pushteti i tij
Ballsor Hoxha
Gjyshi im ka mësuar në medresenë Islame. Dhe në kujtimet e tij të pleqërisë kujtonte se si në fëmijërinë e tij ishte mësuar nga mësuesit e medreses që të ruanin, të veçonin dhe të strehonin çdo shkrim arab, apo në arabishte që gjenin rrugës. Për ta, ishin mësuar kështu në shkollën e medreses çdo fjalë arabe ishte e shenjtë. Qoftë edhe nëse në atë flitej, për shembull, për kuaj.
Më vonë në fëmijërinë time, me gjithë socializmin e komunizmin e të gjitha agresionet, vazhdonte po e njëjta shenjtëri. Megjithëse ishin zhdukur të gjitha shkrimet në arabishte, të shumta në kohën e gjyshit, tanimë buka e hedhur, e gjetur në rrugë, ishte e shenjtë. Duhej skajuar disi, duhej ruajtur disi dhe duhej strehuar. Qoftë edhe pse ishte mbeturinë, e qoftë edhe pse ishte e prishur, apo ndoshta edhe e dëmshme, për shembull për qentë.
Por, deziluzionimi me çfarëdo lloj religjioni (jo besimi) të myslimanëve të Kosovës, së paku të para luftës, kishte ndodhur pikërisht në takimin dhe shoqërimin tim me një arab që jetonte në Londër (them jetonte, e kushedi ku mund të jetë tani!).
Në përkthimet e tij nga arabishtja, sipas arabishtes së tij, gatisë të gjithë emrat e shqiptarëve mysliman, së paku në Kosovë, ishin të keqkuptuar, ishin injorantë dhe aq më shumë ishin të shtrembëruar, dhe pikërisht për këtë njeri, ato ishin keqkuptim i Islamit.
Sipas tij, për shembull, (të më falin të gjithë ata që quhen kështu) emri Xhevat është thjeshtë emërim i thjeshtë për kalin.
Por, tanimë, pas Parisit, pas New York-ut, pas Shri Lankës, e sidomos ISIS-it, gjërat vazhdojnë të devijojnë, edhe më shumë, edhe më thellë dhe edhe më shtrembër.
Para një kohe, kam qenë dëshmitarë, derisa fëmijët po luanin futboll në një fushë sporti, u dëgjua myezini i xhamisë duke thirrur ezanin. Në këtë fëmijët ranë në konflikt nëse duhej ndërprerë loja e futbollit e tyre, derisa thërriste myezini, apo nëse nuk duhej t’i përmbaheshin ndonjë rregulle. Por në fund u dorëzuan, që besoj është mëkat edhe sipas religjioneve, dhe ndaluan së luajturi futboll.
Por, kjo nuk është e tëra. Në lagjen ku jetoj, e po ashtu në të gjitha lagjet e Prishtinës, ka shumë qenë të pastrehë. Por që të gjithë janë të sterilizuar (kastruar). Mirëpo, aty ku ka xhami në afërsinë e tyre, që do të thotë aty ku dëgjohet myezini, qentë, sidomos në vaktet e vetmisë së qenieve në tërë globin, i përgjigjen thirrjes së myezinit. Aq më shumë në sjelljen e vëzhguar të tyre, ata i përkulen kësaj thirrjeje.
Në këtë përshkallëzim të historisë së Islamit në Kosovë, përmes disa shembujve, jo edhe pa rëndësi, qentë tanimë janë viktima e radhës e pushtetit të njeriut. Të sterilizuar (kastruar) ata e respektojnë njeriun në frikën që u është shkaktuar. Dhe në tërë këtë hipokrizi njerëzore kjo merret për shenjtëri. Apo, qoftë edhe në zona më ekstreme si blasfemi. Gjë që do të thotë se njeriu po e përfshinë edhe kafshën në “dehjen e tij nga pushteti” i marrë prej vetë tyre.
Sidoqoftë, besimi në shembullin më të mirë të mundshëm në filozofinë e njerëzimit, në librin e Soren Kierkegaard, thotë se ai është individual, dhe besim në infinit (të pamundshmen) derisa i bindemi të mundshmes, reales. Mirëpo, kur kjo hyn në religjion, njeriu, bëhet bartës i po të njëjtës, dhe është gjë e padyshimtë se ai, cilido qoftë, Mullai apo qoftë religjiozi në familjen e tij, do të bartet nga dehja e pushtetit që i jep po e njëjta skemë e të jetuarit. Do të devijojë, pikërisht çfarëdo shenjtërie dhe çfarëdo të mire të skematizuar. Dhe në këtë prapë mbetemi vetëm njerëz, dhe prapë vendosim nën pushtet qoftë edhe qenë të pa strehë e Mercedesa të cilët mund të jenë edhe pushtet material përpos tjerash./ KultPlus.com
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot intelektualin, financierin, ish-ministrin e shtetit shqiptar, Shuk Gurakuqi.
Shuk Gurakuqi lindi në Shkodër dhe studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në vendlindje. Ka punuar fillimisht si arkëtar në Doganën e Shkodrës, si administrator i disa firmave private ne Shkodër dhe gjatë pushtimit austro-hungarez, si shef i Seksionit te Financave në Bashkinë Shkodër.
Gjatë viteve 1920-24, zgjidhet dy herë si deputet i qarkut Shkodër Njëkohësisht, drejton organin e shtypit “Ora e Maleve” bashkë me Patët Anton Harapin dhe Dom Lazër Shantonë. Ndonëse nuk merr pjesë në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924, ai ishte një mbështetës i grupit antizogist dhe për këtë arsye mbetet në ekzil gjatë qeverisjes së Mbretit Zog.
Kthehet në Shqipëri në vitin 1938 dhe drejton firmën tregtare “Vllazën Prennushi. Në qeverinë e Mustafa Krujës, Shuk Gurakuqi mbajti për dy vjet postin e Ministrit të Financave. Me ardhjen në pushtet të komunistëve. Gurakuqi arrestohet dhe dënohet me burgim të përjetshëm nga Gjyqi Special.
Në vitin 1949 dënimi u ul në 20 vjet. Vuajti gjithsej 17 vjet burg, ku pjesën më të madhe e kaloi në burgun famëkeq të Burrelit. Periudhën pas burgut e kaloi në varfëri dhe lexime shkencore. Ndërroi jetë më 13 prill 1966 në Shkodër./atsh/KultPlus.com
Më pyesin se si ndihem a është dashuria ime e pastër dhe pse jam kaq i sigurtë që do t’ia dal mbanë? Ah, ata më shikojnë dhe e ngrijnë shikimin, nga ky vend duan të më flakin vetëm e vetëm se unë te ti kam besim.
Derën ma tregojnë dhe ma hapin këndej s’duan të më shohin më, unë nuk jam ashtu siç ata duan që të jem. Dal ecë tutje-tëhu me mijëra kilometra larg shtëpisë, por asnjëherë i vetëm nuk ndihem sepse besoj te ti.
Besoj te ti mespërmes ngashërimeve dhe qeshjeve, besoj te ti edhe pse jemi të ndarë, te ti do të besoj edhe pas këtij mëngjesi që do të zbardh. Ah, kur të afrohet agu, ah, kur nata nis të shkrihet e të zhduket ah, këto ndjenja janë ngulitur në zemrën time… /KultPlus.com
Dizajnerja e modës Dame Mary Quant, e njohur më së shumti si “nëna e minifundit” ka vdekur në moshën 93-vjeçare. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur familja e saj, duke njoftuar se ndërroi jetë paqësisht në shtëpi në Surrey këtë mëngjes.
Familja e saj tha se ajo ishte “një nga stilistet më të njohura ndërkombëtarisht të modës të shekullit të 20-të dhe një novatore e shquar”.
“Ajo hapi dyqanin e saj të parë Bazaar në Kings Road në 1955 dhe talentet e saj largpamëse krijuan shpejt një kontribut unik në modën britanike.”
Dame Mary ishte një nga figurat më me ndikim në skenën e modës të viteve 1960 dhe vlerësohet se e bëri modën të aksesueshme për masat me modelet e saj të hijshme, të efektshme dhe të gjalla.
E lindur në Londrën juglindore më 11 shkurt 1930, Dame Mary ishte vajza e dy mësuesve të shkollës Uellsiane. Ajo fitoi një diplomë në vitet 1950 në Kolegjin Goldsmiths, ku u takua me bashkëshortin e saj Alexander Plunket Greene, i cili më vonë ndihmoi në krijimin e markës së saj.
Dame Mary u mor si praktikante në një mulli përpara se të bënte rrobat e saj dhe në 1955 hapi Bazaar, një butik në Kings Road në Chelsea./abcnews.al/KultPlus.com
E bardha është dritë, është mëngjes, është fillim dite. Është punë, energji dhe optimizëm. Ajo vjen pas një nate të errët, kur mendimet e zymta marrin rrugë dhe kanë më pak pengesa. E bardha i shpërndan, ose të paktën i dobëson, i amortizon, i tulat.
E bardha është ngjyra e veshjeve të para të fëmijës, e ditës së dasmës…E shtratit të sapo shtruar e të paprekur.
Është freskia.
Është fleta e letrës së pashkruar. Mbi të mund të përshkruash, të ëndërrosh, të krijosh botë të tëra, personazhe, marrëdhënie njerëzore…Përmes saj mund të japësh dritë ose mund të dëshpërosh, mund të kalosh në fantazitë më të çuditshme e më të papara.
E bardha është ngjyra e parë e horizontit të largët ose të afërt.
Është Çlirimi.
K
E kaltra :
Është deti, udhëtimi, harrimi, lumturia, thellësia, mrekullimi.
Bashkë me të Bardhën, formon shkumën dhe dallgën, rrëmbimin dhe ethen, pështjellimin dhe dëshirën, gezimin e aventurës, ngjethjen dhe arritjen, kur prej kreshtës së saj mund të shohësh qiellin dhe pamatësinë e detit.
Është Qielli. Pafundësia, mahnitja, ngjashnjimi, misteri. Është ngrohtësia, pasqyrimi, vështrimi, çiltërsia.
Është kaltërsia që mbështjell botën me ujë dhe ajër. Është vështrimi i brendshëm i shpirtit kur është në paqe.
L
Libri
Është rrugëtim i pambarimtë, mundim, rënkim, dëshirë…Jetë të panumërta që jetohen brenda një jete, shekuj të përshkuar në pak muaj, botë e shkelur që nga malet e panjohur në oqeanet e frikshëm, në polet e ngrirë, në rrugët e pakthyeshme, në tropikun e nxehtë, në shpellat e errëta, në bulevardet marramendëse të qyteteve të pashkelur.
Libri që depërton në zemër, në shpirt, në mendje, në frymë, në fjalët që flasim, në shkëndijat që shohim, në sendet që prekim. Libri që e anulon botën dhe krijon të tijën, të vërtetën dhe, në këtë haluçinacion, bota e mund, e mposht, por pastaj ai rifillon të ngrihet e të përsërisë betejën, që është njëherazi e dhimbshme, e bukur, e dëshiruar, ngjethëse, ngazëllyese.
M
Mendja
Kjo gjendje njerëzore, e papërsëritshme, që rrekemi të gjemë në është ide, prodhim i shpirtit, i energjisë kozmike, i perëndisë, i energjisë së brendshme të trupit apo thjesht prodhim i evolucionit të qënies, të përkryerjes së fijeve nervore, qelizave, muskujve të trurit, veprimtarisë së tij të jashtëzakonshme, që natyra e ka krijuar të tillë, për të mos e zbuluar dot lehtë, por për ta kërkuar çelësin e të fshehtës së funksionimit të tij derisa të rrojë njerëzimi vetë.
Mendja është vetë bota dhe jeta, është fantazia dhe realiteti, E Keqja dhe e Mira, Urtësia dhe Zemërimi, Pamaturia dhe Pjekuria, Dashuria dhe Dhembshuria. Po edhe Hidhërimi. Prej saj varet lufta dhe paqja, varfëria dhe mirëqenia, vetë gëzimi dhe lumturia.
Mendja mund të jetë dhe Helmimi.
Po mund të jetë dhe Shpëtimi.
Gj
E gjelbra.
Gjelbërimi. Që është jetë, fllad, aromë, lëndina të shtruara me bar, male që gjelbërojnë në pranverë, lumenj të thellë që gjarpërojnë mes tyre, pyje plot të fshehta, me pikëla rrëzëllitëse të mbetura në gjethet, pas shiut.
Shpresë. E gjelbra është shpresë, pritje e këndshme, është përkujdesje. Ajo e kundërshton tymin e errët që nxin qiellin, rrugët, shtëpitë, dhomat, xhamat e dritareve. Ajo lodhet, pastron dhe mbron.
Ajo është prehja e gjallesave mbi dhé, e njerëzve, kafshëve e shpendëve, është zëri i Tokës, ndjenja e saj, frymëmarrja e saj. Ajo është Lashtësia, Qëndresa, E Ardhmja.
Rr
Rruga.
Që na rrëmben, na kërkon, që e kërkojmë, e duam, edhe kur e dimë se na shpie në zgrip të humnerës. Sepse gjithnjë pandehim që do të gjejmë Zbulimin, Përmbushjen, realizimin e Ëndërrës.
Asnjëherë nuk i vidhemi, nuk i fshihemi, asnjëherë nuk bëjmë sikur nuk e shohim. Aq më tepër kur ndalojmë para një udhëkryqi. E panjohura na tërheq si magnet, e paditura na nxit të mësojmë e të pikasim atë që nuk e ka parë askush apo që të tjerët e dinë dhe ne ende nuk e kemi prekur, kuptuar, shijuar. Rruga drejt një liqeni, për shembull, që struket i vogël me kodrash të buta. Drejt një tempulli, fenë e të cilit nuk e njohim, por duam të dimë përse është i tillë. Përse? Dhe gjithnjë – përse? Drejt një anijeje të nxjerrë nga fundi i detit, të mbuluar me alga, drejt një shtëpize
buzë rrugës, drejt një qiellgërvishtëseje që duket si mal i panatyrshëm e që shkëlqen natën nga dritat. Nuk i jemi ndarë rrugës, qoftë ajo me karroca e kuaj, qoftë me makina e avionë. Dikush mbetet në gjysmë të saj, dikush rrëzohet para se të mbërrijë në fund, po të tjerë ia dalin.
Ata janë fitimtarët.
D
Dyshimi
Nuk jetojmë dot pa dyshimin, edhe kur e zbojmë dhe nuk e duam. Dyshojmë në dimë të jetojmë, në kemi ditur të ecim apo kemi bërë vetëm gabime. Jo, nuk kemi bërë vetëm gabime, por ato janë më të shumta se veprimet e drejta. Por, përse duhen quajtur të drejta? Cilat janë kriteret? Ku e kam cënuar të drejtën e tjetrit, duke mbrojtur timen?
Shumë prej nesh qëndrojnë të heshtur para dritares, të grirë nga dyshimet: A kam gabuar në rritjen e fëmijëve? Jo, nuk kam gabuar, mendoj se kam bërë më të mirën. Por, jo, ndoshta nuk e kam kuptuar dot shekullin e ri, botën e re, epokën e re dhe kam prekur atje ku nuk duhet të prekja, kam anashkaluar atë që duhet të jepja.
A kam bërë atë që kam dashur? Po, shpesh herë. Po a ka qenë kjo më e mira? Jo, për fat të keq. Sa shpesh, më vonë, ka dalë që ka qenë më e keqja.
A kam nxjerrë nga duart, nga mendja, nga shpirti atë që duhej? Oh, kush e di. As unë vetë, as ju, as shumë të tjerë. Po si do të jetë gjykimi ? po përse të duhet ky gjykim? Dyshon se je dikushi ? Jo, askushi, pa dyshim. Po nuk ekziston shprehja « «pa dyshim », është kontradiktore e pasaktë, e pavërtetueshme.
Dyshimi. Si mund të jetojmë dhe të përsosemi vazhdimisht pa dyshimin ?
Thomas Jefferson (13 prill, 1743 – 4 korrik, 1826) ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më vonë shërbeu si Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara nga viti 1801 deri më 1809.
Për lexuesit tanë sjellim një koleksion me thëniet më briliante të Jefferson:
“Demokracia do të mbarojë ditën kur do të taksohen ata që duan të punojnë për të mbajtur ata që duan të rrinë”
“Një Ligj i të Drejtave është diçka të cilin njerëzit ia kërkojnë çdo qeveri dhe të cilin asnjë qeveri nuk duhet ta refuzojë ose ta vonojë.”
“Një burracak është shumë më tepër i prirur të grindet se çdo njeri shpirtmirë.”
“Një trup i fuqishëm e bën mendjen të fuqishme.”
“Një qeveri e zgjuar dhe kursimtare, e cila do t’i lërë njerëzit të lirë që t’i rregullojnë vetë prodhimet dhe vlerat, dhe të mos ua marrë nga goja bukën që kanë fituar – ky është përkufizimi i një qeverie të mirë.”
“Reklamat janë e vetmja e vërtetë që përmban një gazetë.”
“E gjitha për çfarë tiranitë kanë nevojë për të mbijetuar është që njerëzit me të vetëdijë të lartë të heshin.”
“Gjithashtu duhet ta ngulitim në mendje parimin e shenjtë se, ndonëse vullneti i shumicës në të gjitha rastet merr rëndësi, për të qenë i drejtë, duhet të jetë i arsyeshëm; se të gjitha pakicat zotërojnë të drejtat e tyre të barbarta, të cilat ligji i barbartë duhet t’i mbrojë, dhe shkelja e tij do të ishte shtypje.”
“Gjithmonë mbaji gjërat nga doreza e lëmuar.”
“Një shoqëri njerëzish të cilët nuk grinden me njëri tjetrin është një gjë e cila nuk ka ekzistuar kurrë, që nga perandoria më e madhe tek mëhalla më e vogël e katundit.”
“Armiku përgjithësisht thotë dhe beson çfarë dëshiron ai.”
“Një mik i lënduar është më i hidhur se të gjithë armiqtë.”
“Ashtu si thonë armiqtë tanë, ne mund të arsyetojmë si njerëz, prandaj le t’iu tregojmë atyre se mund të luftojmë gjithashtu si njerëz.”
“Ji i sjellshëm me të gjithë, por hape zemrën vetëm me pak prej tyre.”
“Trupi i sëmurë është i padurueshëm, por më i padurueshmi nga të gjitha gjërat njerëzore është trupi pa mendje.”
“Librat përbëjnë kapital. Një bibliotekë është jetëgjatë sa edhe një shtëpi, me qindra vjet. Pra librat nuk janë një artikull konsumi, por një kapital. Dhe shpesh, në rastin e njerëzve profesionistë, është i vetmi kapital.”
“Miqësia është e çmueshme, jo vetëm në hije, por edhe në dritën e jetës, dhe falë qeverisjes së mirë të miqësisë pjesa më e madhe e jetës sonë është dritë.”
“Bëj tregti me të gjitha vendet, aleancë me asnjërin, kjo duhet të jetë motoja jonë.”
“Pushtimi nuk është në parimet tona. Është i papajtueshëm me qeverinë tonë.”
“Shtyrja për më vonë është më e pëlqyeshme se gabimi.”
“Ndryshimi i opinionit është i dobishëm në religjion. Disa sekte kanë zyrën e Censorit – ndaj njëri – tjetrit.”
“Mos e kafsho karremin e kënaqësisë, gjersa ti e di se përtej ti është grepi.”
“A do ta dish se kush je? Mos pyet. Veprimet do ta përvijojnë dhe përkufizojnë se kush je.”
“Mos fol për çfarë ke bërë apo për çfarë ke ndërmend të bësh.”
“Arsimoje dhe informoje krejt masën e popullit…Ata janë e vetmja mbështetje e sigurt e ruajtjes së lirisë sonë.”
“Ndriçoi njerëzit përgjithësisht, dhe tirania e shtypja e trupit dhe mendjes do të shuhen sikurse shpirtërat e ligj në agimin e ditës.”
“Gabimet e opinionit mund të tolerohen atje ku arsyeja lihet e lirë t’i luftojë ato.”
“Secili qytetar duhet të jetë një ushtar. Kështu bënin grekët dhe romakët, dhe duhet të bëhet kështu në çdo shtet të lirë.”
“Cdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre.”
“Përvoja ka treguar se njeriu është e vetmja kafshë që e ha dikë të llojit të vet, sepse unë nuk mund të gjej një term më të butë për të përkufizuar sjelljen e të pasurit ndaj të varfërit.”
“Përvoja ka treguar se madje edhe format më të mira të qeverive të cilave iu është besuar pushteti, me kohë dhe ngadalë janë shndërruar në tirani.”
“Për një popull që është i lirë dhe dëshiron të jetë i tillë, një polici e armatosur mirë dhe e organizuar mirë do të ishte siguria e tij më e mirë.”
“Forca është parimi vital dhe prindi i afërt i despotizimit.”
“Miqësia është një tjetër emër për aleancën me marrëzitë dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Pjesa jonë e halleve është e mjaftueshme: pse atëherë vullnetarisht hyjmë në ato të të tjerëve?”
“Ai që di më së shumti, e di sa pak ai di.”
“Ai që di më pak është më pranë së vërtetës, se ai mendja e të cilit është e mbushur me rrena dhe gabime.”
“Historia në përgjithësi na informon ne vetëm sa e keqe është qeveria.”
“Ndershmëria është kapitulli i parë në librin e mençurisë.”
“Sa shumë dhimbje na kanë kushtuar ne ligësitë që nuk ndodhën kurrë.”
“Unë e urrej luftën dhe e shoh atë si ndëshkimin më të madh të njerëzimit.”
“Unë jam një epikurian. I konsideroj doktrinat burimore (jo të interpretuaraI të Epikurit si thelb të gjithçkaje racionale në filozofinë morale të cilën grekët dhe romakët na e lanë trashëgim.”
“Jam shokuar kur më thanë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shitja e një libri mund të bëhet temë e një hetimi, dhe e një hetimi kriminal gjithashtu.”
“Unë besoj se çdo mendje njerëzore ndjen kënaqësi kur i bën mirë tjetrit.”
“Unë nuk mund të jetoj pa librat.”
“Unë nuk blej asnjë gazetë dhe nuk lexoj asnjë gazetë një muaj, dhe pastaj e ndiej veten pafundësisht më të lumtur.”
“Mendoj se më i lumturi është ai për të cilin bota flet më pak, mirë apo keq.”
“Nuk kam synim të qeveris njerëz; është një detyrë e dhimbshme dhe e pagratshme.”
“Unë nuk druaj se rezultati i eksperimentit tonë do të jetë që njerëzve t’iu besohet ta qeverisin veten pa një padron.”
“Unë kam parë mjaft një luftë, sa që nuk dua më të shikoj një luftë tjetër kurrë.”
“Unë jam betuar në alatarin e Zotit të kem armiqësi të përjetëshme kundër çdo forme të tiranisë mbi mendjen e njeriut.”
“Unë shpresoj se zgjuarsia jonë do të rritet bashkë me fuqinë tonë, dhe të na mësojë ne se, sa më pak ta përdorim fuqinë tonë, aq më të mëdhenj do të jemi.”
“Mua më pëlqejnë më shumë ëndërrat e së ardhmes se historia e së kaluarës.”
“Unë kurrë nuk e konsiderova një ndryshim opinioni në politikë, në religjion, në filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik.”
“Unë kurrë, me fjalë as me veprime, nuk do të përkulem përballë intolerancës as nuk do të pranoj të drejtën e hetimit ndaj opinioneve religjioze të të tjerëve.”
“Unë pranoj se nuk jam miqësor ndaj një qeveri shumë energjike. Ajo është gjithmonë shtypëse.”
“Unë parashikoj të ardhmen e lumtur të amerikanëve nëse ata mund të parandalojnë qeverinë nga shkatërrimi i sindikatave nën pretekstin se po kujdesen për to.”
“Unë mendoj si romakët: se gjenerali i sotëm duhet të jetë nesër një ushtar po të jetë nevoja.”
“Më kapin drithmat për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë; se drejtësia e tij nuk mund të flejë gjithmonë.”
“Jam i vendosur në kërkimin e dijes, pa u druajtur kurrë se kërkimi i së vërtetës dhe arsyes pavarësisht në çfarë rezultati mund të çojnë, dhe në rrëzimin e çdo autoriteti që iu del pengesë atyre në rrugë.”
“Më mirë do të pranoja të papriturat e lirive të tepërta se zvogëlimin e tyre.”
“Nëse një komb pret që të jetë injorant dhe i lirë, në një shtet të qytetëruar, ai pret diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë.”
“Nëse ka një parim më thellë të rrënjosur në mendjen e çdo amerikani, ai është që ne kurrë nuk do të bëjmë diçka nëpërmjet pushtimit.”
“Në çdo vend dhe në çdo kohë, kleri ka qenë armiqësor ndaj lirisë.”
“Nga pikëpamja e stilit, noto në drejtim të rrymës; nga pikëpamja e parimit, qëndro si shkëmb.”
“Injoranca është më e pranueshme se gabimi, dhe është më larg së vërtetes ai që nuk beson në asgjë se ai që beson në diçka të gabuar.”
“Mua nuk më lëndon fqinji im nëse thotë se janë njëzet zota apo se nuk është asnjë një Zot.”
“Është më mirë gjithmonë të mos kesh fare ide sesa të kesh ide të rreme; dhe të mos besosh në asgjë, sesa të besosh në mënyrë të gabuar.”
“As pasuria, as luksi, por qetësia dhe puna ju japin lumturinë.”
“Religjioni ynë duhet të lexohet në jetët tona dhe jo në fjalët tona.”
“Nuk duhet të ketë asnjë autoritet i cili të mos jetë përgjegjës para popullit.”
“Njerëzimi është më shumë i prirur të vuajë sesa të luftojë për t’i larguar format me të cilat janë mësuar.”
“Tregtarët nuk kanë atdhe.”
“Droja ime e vetme është se mund të jetoj tepër gjatë. Kjo do të ishte burim frike për mua.”
“Nga leximi i historisë jam bindur se qeverisja më e keqe vjen nga tepërimi i qeverisjes.”
“Teoria ime ka qenë gjithmonë se nëse ne ëndërrojmë, flatrat e shpresës janë shumë më të lira dhe më të kënaqshme se tmerri i dëshpërimit.”
“Nuk ka detyrë më të lartë për një Qeveri se të përpiqet të vendosë njeriun e duhur në vendin e duhur.”
“Asnjë punë nuk është më e kënaqshme për mua se kultura e punimit të tokës, dhe asnjë kulturë nuk është e krahasueshme me atë të kopshtit.”
“Askush në botë nuk mund të ndalë njeriun me prirjen e duhur mendore që të arrijë qëllimin e tij; asgjë në botë nuk mund ta ndihmojë njerin me prirjen e gauar mendore.”
“Nuk ka epërsi më të madhe ndaj të tjerëve se gjakftohtësia dhe qetësia në çfarëdo rrethane.”
“Asgjë tjetër nuk është e pandryshueshme përveç të drejtave të paprekshme dhe të pashtrembërueshme të njeriut.”
“Individi guximtar është shumicë.”
“Njeriut i bën më mirë të udhëtojë vetëm, sepse mediton më shumë.”
“Paqja dhe korrektësia ndaj ndërhyrjeve evropiane janë qëllimet tona, dhe kështu do të vazhdohet ndërkohë që rendi ekzistues në Amerikë mbetet i pandërprerë.”
“Paqja dhe miqësia me gjithë njerëzimin mbetet politika jonë më e zgjuar, dhe unë dëshiroj që ne të jemi të përkushtuar t’iu përmbahemi atyre.”
“Politika është një tronditje e tillë sa do t’ia këshilloja kujtdo që ia dua të mirën të mos përzihet me të.”
“Pushteti nuk është ndjellës për mendjet e varfëra.”
“Fjalimet që maten me orë do të vdesin brenda orës.”
“Shija nuk mund të kontrollohet nëpërmjet ligjit.”
“Qeveria më e fuqishme është ajo ku çdo njeri ndjehet pjesë e saj.”
“Deti zhurmëmadh i lirisë nuk është kurrë pa dallgë.”
“Kujdesi për jetën dhe lumturinë njerëore, dhe jo shkatërrimi i tyre, është qëllimi i parë dhe më i mirë i çdo qeverie.”
“Toka iu përket të gjallëve, nuk iu përket të vdekurve.”
“Shkëlqimi i një mendimi të ngrohtë vlen për mua më shumë se vlera e çdo paraje.”
“Zoti që na krijoi, na e dha njëkohësisht edhe lirinë.”
“Mendimi i mirë i njerëzimit, si leva e Arkimedit, sapo t’i jetë dhënë pika e mbështetjes, e lëviz botën.”
“Njeriu që nulk lexon asgjë është më i ditur se ai që nuk lexon asgjë tjetër veç gazetave.”
“Në çastin që një njeri formon një teori, përfytyrimi i tij shikon në çdo objekt vetëm të dhënat që e favorizojnë teorinë e tij.”
“Edhe lufta më e suksesshme rrallë paguan për humbjet e shkaktuara.”
“Pema e lirisë duhet njomur nga koha në kohë prej gjakut të patriotëve dhe të tiranëve.”
“Shpirti i rezistencës ndaj qeverisë është kaq i vlefshëm në disa raste sa do të doja ta mbaja gjithmonë të gjallë.”
“Ka një aristokraci natyrale tek njerëzit. Bazat e saj janë virtuti dhe talentet.”
“Nuk ka të vërtetë që unë i trembem … ose që do të doja të ishte e panjohur për tërë botën.”
“Njerëzit e druajtur parapëlqejnë më shumë qetësinë e despotizmit se detin e zhurmshëm të lirisë.”
“Për të depërtuar dhe për t’i davaritur retë e errësirës, mendja njerëzore duhet të forcohet nëpërmjet shkollimit.”
“E vërteta sigurisht që është një degë e moralit dhe tejet e rëndësishme për një shoqëri.”
“Ecja është ushtrimi më i mirë fizik. Bëjeni zakon të ecni shumë shpejt.”
“Kalimi nga depostizmi në liri nuk është shesh me lule.”
“Kur një njeri merr një besim publik, ai asnjeherë nuk duhet ta konsiderojë veten një pronë publike.”
“Nëse më lihej mua në dorë të vendos a duhej të kishim një qeveri pa gazeta apo të kemi gazeta pa një qeveri, unë do ta parapëlqeja menjëherë pa nguruar këtë të dytën.”
“Kur njerëzit janë të mirinformuar ata mund t’i besojnë qeverisë së tyre.”
“Kurdo që jeni duke bërë diçka, veproni sikur e gjithë bota është duke ju parë.”
“Atje ku shtypi është i lirë dhe ku çdo njeri mund ta lexojë, gjithçka është e sigurt.”
“Ne nuk mund të stivosemi në qytete të mëdha si në Evropë, ne do të bëhemi të korruptuar si Evropa.”/KultPlus.com
I riu, Fabio Jackson është një kopje e vërtetë e Michael Jackson. Ai sillet si ai, luan si ai, ka të njëjtën hundë, flokë, veshje… Një klon i vërtetë.
Ai e ka përdorur pamjen e tij për t’u bërë një influencues i njohur dhe numri i ndjekësve në kanalin e tij është vetëm në rritje. Deri më tani, ai ka mbi 10 milionë fansa në TikTok.
Në fillim i riu kritikohej vazhdimisht sepse kishte bërë disa operacione për të përshtatur pamjen e tij me Michael. Ndërsa tani ai ka arritur identitetin perfekt. Madje, kur njerëzit për herë të parë hasen me kanalin e tij, ata janë të bindur se ai është Jackson i vërtetë./abcnews.al / KultPlus.com
Ai lindi në vitin 1405 dhe ishte fëmija i parafundit në familjen me shumë fëmijë të Gjonit e të Vojsavës. Këta kishin katër djem (Stanishën, Reposhin, Konstandinin e Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vlajkën e Mamicën).
Kur lindi Gjergji, i ati Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje, deri në detin Adriatik në perëndim. Qendra administrative e tij duhet të ketë qenë Prizreni. Për ditën e vdekjes së Gjerg Kastriotit ka shumë legjenda dhe pak burime historike serioze.
Gjithsesi studiuesi i kësaj periudhe veçanërisht i jetës së Skënderbeut, Aurenc Bebja që jeton dhe punon prej vitesh në Francë ka mundur të zbulojë vitin e shkuar, një tekst të botuar 238 vite më parë në Gjermani ku përshkruhen fjalët e fundit të Gjergj Kastriotit në shtratin e vdekjes.
Fjalimi i më poshtëm është marrë nga libri i autorit Stephan Zannowich, me titullin “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire”. Teksti prej 131 faqesh është botuar në vitin 1779 nga shtëpia botuese J. J.Kesler, Frankfurt.
Gjergj Kastrioti, i sëmurë, nuk mund ti shmangej vdekjes dhe për këtë arsye fton në vatrën e tij princat, ambasadorët, gjeneralët, dhe drejtuesit kryesorë të vendit që tu lë amanetet e fundit ashtu siç i ka hije një luftëtari të madh. Para se heroi ynë të fillonte fjalimin, urdhëron që djali i tij i vetëm, Gjoni, asokohe dhjetë vjeç, të ndodhej mes të ftuarve.
Fjalimin e Princit të Matit dhe mbretit të shqiptarëve e gjejmë në faqet 70 – 89 të librit, i shkruar në gjuhën frënge. Sipas autorit të veprës, ja si është shprehur Gjergj Kastrioti:
“Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj.
Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të. Në qoftë se ju jeni i djallëzuar, shërbëtor i ministrave tuaj, dhe naiv i lajkave të oborrtarëve tuaj, atëherë asgjë nuk do të jetë më e lehtë sesa përmbysja nga maja më e lartë ku ju ndodheni.
Duhet të jetë virtyti themel i fronit. Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj.
Duke pasur virtytin si udhërrëfyes, lajkatarët dhe të pabesët do të largohen prej jush…Të virtytshëm, ju mund të mbani lehtë perandorinë që po ju lë të tronditur nga lufta e vazhdueshme ; ta përforconi, ta rimëkëmbni nëpërmjet pushimit dhe qetësisë…
Krijoni vendshkrime të pacensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqtë apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë dhe të domosdoshmërisë.
Shqyrtoni gjithçka nga ju vetë, dhe nëse magjistrati, ushtari apo kleriku janë mashtrues dhe të padrejtë, atëherë pa mëshirë varini në shtyllë në vendin e krimit : ju do të vini re se pasardhësi i tij do të bëhet i drejtë dhe i njerëzishëm…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtyteve.
Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe luksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje.
Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj.
Princi që qëndron i mbyllur me oborrtarët e tij shikohet nga populli i tij si armik dhe tiran…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni besim atij për t’ju ndihmuar të korrigjoni abuzimet dhe fatkeqësitë e shtetit.
Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin.
Kushdo që këshillon për të luftuar për hir të Perëndisë është një mashtrues i cili dëshiron të sakrifikojë të vërtetën për interesat e tij. Zoti është i fuqishëm, ai mund të bëjë gjithçka vetë, pa ndihmën e askujt…Në qoftë se fati ju bën endacak, të varfër apo nevojtar kurrë mos e ndryshoni fenë për interes…Mbyllini që në origjinë mosmarrëveshjet e teologëve dhe hipokritëve, të cilat janë më të rrezikshmet për lumturinë e një shteti. Kemi parë perandoritë më të lulëzuara të përçahen dhe të tronditen nga këta fanatikë…
Shihni Perandorinë e Konstandinit të rrënuar nga Muhamedi, dhe princin Jean Paléologue (Gjon Paleologu) i shkelur nga kuajt e Arabëve. Ai ishte supersticioz, priftërinjtë e tij ambiciozë dhe injorantë, oborrtarët e tij të rremë dhe të shthurur nga luksi, dhe tani princi, priftërinjtë dhe oborrtarët kanë vdekur dhe po vdesin në skllavëri.
Nëse keni fat të mjaftueshëm për të pasur filozofë në vendqeverisjet tuaja, të cilët janë të ndriçuar nga drita e arsyes dhe jo nga sistemet e rreme, le të shkruajnë në paqe dhe të reagojnë ndaj paragjykimeve dhe makinacioneve të kujtdo që flet në emër të Zotit me qëllim për të heshtur mbretin dhe drejtësinë. Ju do t’i mbroni ata kundra zellit të tepruar të drejtuesve hipokritë duke i shpërblyer me vende pune në gjykatat dhe oborret tuaja.
Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysmë veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjithë shtresat popullore. Si arsye e dallimit të gradës që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…
Mbroni meritën dhe shpërblejeni atë kudo që ajo ndodhet. Mirësia duhet të shoqërohet me një zemër bujare. Njeriu ndërton tempuj, ngre altarë për Zotin falë mirësisë së tij. Evitoni për gjithmonë shekullit, rrethit dhe racës tuaj turpin për të pasur njerëz të dëshpëruar nga mizoria, krenaria apo injoranca juaj. Mos harroni se njeriu lind për lumturinë e njëri-tjetrit…
Armatosuni nga guximi dhe vendosmëria në mjerim, me maturi në mirëqenie. Mos u zhytuni në përtaci, ajo është nëna e të gjitha veseve…Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashëgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…
Ti jepet mundësia gjithsecilit prej rrethit tuaj që të ju shkruajë ; Ju do të punësoni sekretarët tuaj që të përgjigjen për çështje të ndryshme ose publike, por sekretet e shtetit duhen të mbeten mes jush…
Mos përbuzni askënd ; më i vogli dhe më i varfëri mund të ju rrëzojë, ashtu si dhe mund të ju ndihmojë me këshillat dhe kurajon e tij.
Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhtojnë. Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt.
Mos jeni të ndrojtur ndaj ndjenjave tuaja. Deklaroni haptazi oborrtarëve tuaj, se ai që do të ju gënjejë dhe do të ju dërgojë në rrugën e gabuar në administrim, pa asnjë falje do të varet në shtyllë.
Poetëve që do të ju thurin vargje, për të ju bindur se jeni më i madhi, më bujari, më i mrekullueshmi, luftëtari më i madh ndër të gjithë mbretërit, u dërgoni në këmbim një copë letër, bojë dhe një pendë nga një oborrtar i panjohur, me urdhrin për të dëshmuar të vërtetën e asaj që shkruajnë, dhe në qoftë se nuk mund të bëjnë një gjë të tillë, të kufizojnë veten në dhënien e këshillave, duke u lënë të kuptohet së nëse vazhdojnë të shkruajnë marrëzira të tilla të rrezikshme, ata do të mbyten nga vetë ju si person i shenjtë i të vërtetës.
Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar ; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëhiqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar. Emri i mbretit është një titull shumë i nderuar, por ky titull ka peshë të madhe dhe detyra të vështira për të realizuar. Kryesorja është të pranohesh dhe të respektohesh në rrethin tënd. Zoti nuk ka dhënë fuqinë supreme për të na zhytur në qullësi, për që të jemi mbrojtës të çështjes publike. Për një zemër të butë dhe një shpirt të virtytshëm, mirëqenia e përgjithshme e popullit tënd është kënaqësia më e madhe që mund të përjetohet. Neglizhenca dhe një lloj mirësie që e thërrasim « mendjelehtësia e një princi », u shkaktojnë dëme njerëzve ; dhe ju e dini se roli i mbretit është t’i mbrojë
Dëboni larg jush astrologët gjykatës dhe kimistët prodhues ari dhe diamantesh. Një princ është gjithmonë i pasur, kur ai është i mençur dhe i lartësuar shpirtërisht.
Emri juaj do të jetë i shkruar në një pllakë prej mermeri të bardhë me shkronja të zeza mbi dyert e kështjellave tuaja të destinuara për të burgosurit. Mjerim për guvernatorin që i fshehu mbretit pafajësinë, që përkeqësoi nga koprracia dhe zelli i tij dënimin e fajtorëve…
Mbroni njerëzit e dashur dhe të mirë, ndëshkoni shpirtrat e këqij. Jeni të ndjeshëm ndaj lëndimit, por akoma dhe më shumë ndaj shërbimit të popullit tuaj dhe miqësisë të njerëzve të ngjashëm me ju.
Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh…
Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë ; e gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë të shkëlqyeshme, e cila bën me shumë pushtime sesa armët e tyre. Së fundi, në qoftë se jeni xheloz se po ju lë një trashëgimtar që ju pengon për të marrë fronin, mos harroni se kam qenë babai juaj, dhe shpatën do e përdorni vetëm për të rrëzuar armikun.
Ju do të keni lidhje të shumta me oborrin e Romës, që unë kam qenë deri tani mbështetës dhe mbrojtës. Interesat e mia më kanë detyruar të përshtat politikën time me të sajën. Rrethanat në të cilat jam gjetur veten nuk më kanë lejuar të luftoj uzurpimet turke dhe pretendimet e papës. Për të mirën e krahinave të mia kam qenë gjithmonë i lumtur me veprimet që kam ndërmarrë. Roma është fodulle vetëm me princat e dështuar. Roma, duke më pasur frikë, më ka bërë gjithmonë lajka.
Ajo ndryshon maksimat dhe pozicionet sipas rasteve, por frika se humb tokat e saj ndaj sulmeve të Muhamedit, e ka detyruar atë të qëndrojë modeste ndaj meje, duke më njohur të gjitha të drejtat, titujt, dhe zotërimet e realizuara gjatë betejave të mia. Papët nuk kanë arritur kurrë të manipulojnë një ushtar të vjetër si unë, por nuk do të hezitojnë të bëjnë një gjë të tillë ndaj jush si arsye e moshës së re dhe mungesës së eksperiencës për të qeverisur, për të shërbyer. Mos harroni, se me praktikat e shumta që ata përdorin për të arritur qëllimet e tyre, më e forta, është rrëfimi. Por është e lehtë ta kuptoni : kur prifti do të dojë të dijë më shumë sesa mëkatet tuaja, kthejeni si një mashtrues në vendin e tij, dhe dënojeni si të tillë, që të shërbejë si shembull për pasardhësin e tij.
…Megjithatë, është shumë e rrezikshme të kundërshtosh hapur Papën, këtë idhull të madh të fesë sonë. Ai është një njeri si të tjerët, me pasionet dhe dobësitë e tij… Nëse Papa ju dërgon faljet, reliket, bekimet, merrni ato me respekt, dhe i nderoni me njerëzit tuaj duke e dhënë ju shembullin kryesor… Por në qoftë se Papa përpiqet të rrisë numrin e priftërinjve dhe murgjve për të nxjerrë para nga krahinat tuaja…ose ju nxit që të hapni luftëra në emër të Zotit, rrufeja hakmarrëse qëlloftë mbi ju dhe pasardhësit tuaj në rast pranimi.
Zoti hakmerret ndaj fyersve të tij, pra nuk ka nevojë për ndihmën e njeriut. Mos kërcënoni Romën, kur ajo nuk ju kërcënon. Por shpallni luftë ndaj kujtdo që mundohet të prishë harenë e popullit, dhe legjitimitetin e fronit.
Ju do të ndaloni çdo banor i cili ndodhet nën qeverisjen tuaj, që të mos bëhet as prift e as murg pa arritur moshën dyzet vjeçare. Për tu ushqyer nga puna e të tjerëve, duhet më parë që njeriu (mashkulli) të ketë kontribuar në mbështetjen e komunitetit, prej të cilit dëshiron të ndahet për të shijuar jetën e tij…
Këta priftërinj dhe murgj duhet të ju ndihmojnë të mbroni kombin në kohë lufte, sepse në kohë paqeje po ky komb i ushqen pa i përdorur.
Nëse Papa kundërshton, bindeni atë me butësi, dhe vetëm në qoftë se është e nevojshme përdorni shpatën… Një politikë e tillë do të ju pajtojë me dashurinë atërore të pasardhësve të tij, dhe do të bëheni shembull dhe lider për të gjithë mbretërit, të cilët frikacakë, të dobët, injorantë, budallenj, u uzurpohet nga Papa dhe ministrat e tyre, fuqia që Zoti u ka dhënë për të përhapur lumturinë e Kombeve, ku ata duhet të jenë zotërit dhe etërit./ KultPlus.com
Raportohet se Shqipëria dhe Kosova janë renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shtetet më të varfra të Evropës në vitin 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi. Prodhimi i brendshëm bruto (PBB) për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse (PPP), është produkti i brendshëm bruto i konvertuar në dollarë ndërkombëtarë duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse, përcjell albinfo.ch.
Një dollar ndërkombëtar ka të njëjtën fuqi blerëse mbi PBB-në si dollari amerikan në Shtetet e Bashkuara. Sipas të dhënave të përditësuara të FMN-së në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, dhe të përpunuara nga “Monitor”, Shqipëria renditet e parafundit në Evropë me të ardhurat për frymë prej 19 mijë dollarësh ndërkombëtar. Pas Shqipërisë renditet Kosova, që e ka këtë tregues akoma dhe më të ulët, në 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.
Bosnjë e Hercegovina ka të ardhura për frymë pak më të larta se Shqipëria, në 19.6 mijë dollarë ndërkombëtarë, Maqedonia e Veriut 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi, me 27.6 mijë dollarë ndërkombëtarë. Mesatarja e Evropës është gati 50 mijë, ndërkohë që Shqipëria i ka të ardhurat për frymë të matura sipas fuqisë blerëse gati sa gjysma e Evropës Lindore.
Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Shqipëria ashtu dhe Kosova vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfrat e Evropës. Edhe në treguesin tjetër direkt, atë të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, që për Shqipërinë ka arritur në 7 mijë dollarë, sërish vlerësohemi nga FMN të fundit për vitin 2023, së bashku me Kosovën, që është në nivelin e 5,600 dollarëve. / KultPlus.com
Në Kosovë aktualisht janë duke kërkuar punë 84 mijë e 661 qytetarë.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga kjo shifër 41.094 janë punëkërkuese femra dhe 43.567 meshkuj.
Po ashtu ASK-ja i ka publikuar edhe shifrat e numrit të të punësuarve të regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), të punësuar me pagë primare janë 355 mijë e 560 persona, ndërsa të punësuar me pagë sekondare 16 mijë e 445 persona./IndeksOnline / KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar sot 24 vjetorin e rënies së dëshmorëve Bekim Gashi dhe Dalip Behra të cilët u vranë nga forcat serbe, më 13 prill të vitit 1999, përcjell KultPlus.
Kryeministri është shprehur se ata ranë dëshmorë, duke u përjetësuar me veprat dhe emrat e tyre në historinë e çlirimit të Kosovës.
Ky është postimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Sot mbushen 24 vite nga 13 prilli i vitit 1999, kur në Krushë të Madhe, ranë dëshmorë Bekim Gashi dhe Dalip Behra. Atë kohë, Bekimi ishte vetëm 23 vjeçar, kurse Dalipi ishte 38 vjeçar. Pas masakrës së kryer nga forcat serbe mbi fshatarët e Krushës së Madhe, ku u vranë mbi 240 fshatarë, Bekimi dhe Dalipi ishin angazhuar në varrosjen e kufomave të të vrarëve. Në këtë përpjekje, ata ranë në një pritë të forcave serbe dhe pas luftimesh me ta, Bekimi dhe Dalipi ranë dëshmorë, duke u përjetësuar me veprat dhe emrat e tyre në historinë e çlirimit të Kosovës.
Fati i Bekimit dhe i Dalipit nuk mund të ishte ndryshe. Sepse Dalip Isuf Behra (1962) nga Krusha e Madhe, kishte qenë shumë aktiv në demonstrata dhe i ishte bashkuar herët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke sjellur armatime nga Shqipëria dhe duke marrë pjesë në luftimet e Brigadës 124 të Zonës Operative të Pashtrikut. Ngjashëm, Bekim Ismet Gashi (1976) kishte qenë aktiv në jetën kulturore dhe sportive të kohës, derisa dalja publike e UÇK-së i hapi rrugë t’i linte studimet në Universitetin e Prishtinës, për t’u mobilizuar në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u caktua zëvendëskomandant i Policisë Ushtarake në Brigadën 124. Bekimi e kishte në formimin dhe përvojën e tij familjare, shembullin e babait të tij Ismet Gashit, dhe nëpërmjet babait frymëzimin e vetë ideologut politik kombëtar Profesor Ukshin Hotit, shoqërues i të cilit ishte baca Ismet.
Lavdi dëshmorëve Bekim Gashi dhe Dalip Behra si dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës! / KultPlus.com
Poeti s’i vinte kurrë Pikë vargut Por kur u mbush Mall mërgimtarësh një ditë Ajo pikë i ra në zemër. U ngut të ateronte në Kosovë dhe nga sot vdekja u bë lirikë e bukur poeti nuk vdiq veçse i ra pika e vargjeve në zemër
Plotësim i autorit Lulzim Tafa për poezinë
“Lament” e kam shkruar para 26 viteve, ditën që Azem Shkreli “kapërceu vigun dhe vajti” (24 maj 1997), ditë e shtunë. Duket që Azemi e ka parandierë vdekjen e vet në ditën e shtunë, derisa ka një varg poezie ku thotë “Mund të jetë e shtunë pas tërë një të premteje”/ KultPlus.com
Organizata “Admovere” po kërkon ndihmë për mbledhje të informacioneve për masakrën në Reznik, e cila ndodhi më 6 prill 1999.
Përmes një publikimi në facebook, “Admovere” ka njoftuar se bashkë me Organizatën “Integra”, së shpejti do ta botojnë librin «Masakrat në Kosovë 1998-1999», në të cilin do të pasqyrohen me tekst (shqip, sërbisht e anglisht) dhe fotografi të gjitha masakrat që janë kryer në Kosovë më 1998-1999.
“Për këto masakra, i kemi hulumtuar rrënjësisht raportet e organizatave vendore e ndërkombëtare, artikujt në mediet vendore e ndërkombëtare, raportet e gjykatave, e kështu me radhë.
Çuditërisht, për disa prej masakrave nuk ka materiale në burimet e sipërpërmendura. Njëra nga to është Masakra e Reznikut, ku më 6 prill 1999, janë vrarë 9 civilë në familjen Ujkani. I lusim banorët e fshatit Reznik dhe të tjerët që nëse kanë për këtë masakër ndonjë fotografi, video, artikull gazete, raport, libër, e kështu me radhë, t’i dërgojnë në faqen tonë në Facebook.
Do ta vlerësonim tejmase bashkëpunimin tuaj!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com
Padyshim Bukowski është një nga shkrimtarët dhe poetët më “autobiografikë” në historinë e letërsisë. Si romanet apo tregimet, ashtu dhe poezitë e tij nuk janë gjë tjetër, veçse një transformim në formë letrare të jetës së autorit, përshkruar “me një vërtetësi prej një njeriu që s’ka asgjë për të humbur”.
E ndonëse forma autobiografike haset shpesh në prozë, në poezi, sidomos në varg të lirë, ajo është tepër e vështirë dhe kërkon virtuozitet të jashtëzakonshëm. Këtë virtuozitet e gjejmë kudo në poezitë e Bukowskit, që nuk ngurron të kthejë në varg biseda cubash në cepin e rrugës, sherre grash të lodhura nga jeta apo shkëlqimin që has në sytë e maces së tij. Megjithatë, ekziston një veçanti në formën autobiografike të autorit. Padyshim, gjithçka frymëzohet nga ndodhi të jetës së tij, por në këtë pikë vlen të ngremë pyetjen: cili është Charles Bukowski, autor? Që në fillim të veprës së tij, Bukowski krijon personazhin e tij artistik: Henry Chinaskin, ose Henkun, siç e thërrasin miqtë. Një personazh shumë i ngjashëm dhe i frymëzuar nga vetë autori, por dhe shumë i ndryshëm për sa i përket karakterit të tij shpërthyes. Këtë ndryshim e ka spikatur fillimisht miku dhe biografi i autorit, Neeli Cherkovski, i cili i referohet Henkut letrar si një personazh-mjet për të fshehur dobësitë e Charls-it. Histori që në të vërtetë mbylleshin me një përshëndetje të thjeshtë, në prozën apo poezinë e autorit përfundojnë me rrahje të përgjakura, që shpëlahen me birrë, verë, uiski (gjithmonë të cilësisë më të ulët), ose të vjella. Ky transformim i realitetit s’është gjë tjetër veçse një pasqyrim i vuajtjeve shumë më të thella, se ato të shkaktuara nga të rrahurat. Bukowski vuan thellë dhe pamundësia e tij për të rënë dakord me jetën e rezervuar për të dhe të ngjashmit e tij, nga shoqëria, vjen e përshfaqur përmes grushteve, shkelmave, zemërimit. Për mendimin tim, ky është dhe këndvështrimi nga i cili duhen perceptuar skenat e dhunshme që shoqërojnë gjithmonë rrëfimin e tij. Henku ka diçka të frymëzuar nga Hemingway-dhe Bukowski bëri gjithçka që cilësitë e tij të dukej se i përkisnin vetë autorit. Ketë sforcim ai e shpreh dhe në poezinë “Zogu i kaltër” ku i kërkon kësaj brishtësie të personifikuar në zogun e kaltër, të mos dalë në sipërfaqe, pasi kështu do të rrezikonte shitjet e autorit të suksesshëm në Europë. Por “zogun e kaltër” nuk ngurroi ta sillte në dritë biografi i tij në botimin “Hank a life”. Zbulimi i Cherkovski-t mbi këtë ndërtim fiktiv të alteregos së autorit, u bë dhe shkaku i cenimit të miqësisë së tyre, e cila për këtë arsye u ftoh gjatë viteve të fundit të jetës së autorit. ^^^ “Nuk kërkoj kurrë të përmirësohem ose të mësoj diçka, qëndroj ekzaktësisht siç jam. Nuk jam ai që mëson, jam një që shmang. Nuk kam dëshire të mësoj, ndjehem përsosmërisht normal në mënyrën time të çmendur. “ “Po çfarë shmangni?” “Për t’u bërë si të tjerët.” ^^^ I dua vetmitarët, ata ndryshe, ata që nuk i takon kurrë. Ata të humburit, të shkuarit, shpirtshkatërruarit. Ata me shpirtin në flakë… ^^^ ”Patëm vendosur të çonim ilaçe në Afrikë…por tek të gjitha shkruhej: Pas buke!” ^^^ Jam i lodhur duke parë fytyra femrash të rrethuara nga botox. Gjinj të tejmbushur , të copëtuar nga konkurrenca , prapanica të ekspozuara, taka dhe truke kozmetike, gjeste të vështira për gratë e lirshme, tashmë të padallueshme edhe nga ato të zanatit … Dëshiroj të shikoj femra me feminitetin e tyre, me sjellje të butë, me buzëqeshje plot hir, lëvizje joshëse , me fjalë të ëmbla dhe të sigurta në të njëjtën kohë. Me mendime origjinale dhe të reja. Dëshiroj të shikoj femra të pavarura, jo skllave të burrave që sakrifikojnë dinjitetin e tyre. Femra me zemra prej akulli të shkrirë, shoqe dhe mike të meshkujve, të lira dhe të sinqerta ^^^ 6 këshilla nga Bukowski se si ta jetoni një jetë të mrekullueshme
Ai nuk është ndonjë ‘guru’ i mirë, mirëpo nuk mund ta mohojmë që e ka jetuar një jetë plotësisht të shfrenuar pasi që ashtu ka dashur dhe asnjëherë nuk i kanë interesuar mendimet e të tjerëve. Pavarësisht se çfarë jete ka jetuar ai, ju mund ta jetoni jetën që dëshironi nëse i dëgjoni këshillat e tij.
Më poshtë, lajmi.net i sjellë për ju 6 këshilla nga Bukowski se si ta jetoni një jetë të mahnitshme. 1) “Gjeni diçka që e dashuroni dhe lëreni të ju vrasë” Shumë shpeshherë brengosemi me vendimet të cilat i marrim se a do t’i pëlqejnë familjarëve apo shoqërisë. Mirëpo, harrojeni atë gjë dhe jetoni jetën tuaj, prandaj gjeni diçka që dashuroni të bëni dhe bëjeni atë deri të vdisni. 2) “Jeta është aq e mirë sa ju e leni të jetë” Mos i bëni presion vetvetes pasi që ju merrni nga jeta atë që ju e vëni së pari aty. Dhe ndonjëherë, krejt çfarë duhet për një jetë të lumtur është një perspektivë e mirë. 3) “Disa njerëz asnjëherë nuk sillen si të çmendur. Çfarë jete të tmerrshme e jetojnë…” Mos harroni të silleni si të ‘shfrenuar’ së paku një herë. Jeta është shumë e shkurtë të qëndroni gjithmonë normal. 4) “Ndonjëherë ju zgjoheni nga gjumi dhe mendoni se nuk mund të ja dilni mbanë – por pastaj filloni të qeshni kur i kujtoni të gjitha ato rastet kur jeni ndjerë njëjtë” Të gjithë jemi ndjerë kështu, së paku një herë. 5) “Më së shumti rëndësi ka se sa mirë ecë ti përgjatë zjarrit” 6) “Të gjithë ne do të vdesim, çfarë cirku. Kjo gjë duhet të na bëjë ne ta duam njëri-tjetrin por nuk na bën. Ne jemi të terrorizuar dhe të rrafshuar nga gjërat e pa rëndësishme” Kjo po që është e vërtetë dhe shumë e rëndësishme që ta mbani mend. / KultPlus.com
Manastiri i Deçanit sivjet nuk është futur në listën e shtatë monumenteve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara në Evropë.
Në listën e sivjetme, figurojnë varrezat përkujtimore partizane në Mostar të Bosnje dhe Hercegovinës, peizazhi kulturor i Sveti Stefan në Mal të zi, mullinjtë me ujë të Bistricës në Petrovac i Mllavës në Serbi, por jo edhe Manastiri i Deçanit që ndodhet në Kosovë, njofton Klan Kosova.
Programi “7 më të rrezikuarat” është një fushatë e shoqërisë civile për të shpëtuar trashëgiminë e rrezikuar të Evropës.
Përmes këtij programi rritet ndërgjegjësimi, bëhen vlerësime të pavarura teknike, propozohen rekomandime për veprim dhe kërkohet mbështetje për të shpëtuar monumentet e rrezikuara.
Të qenit në listën e “7 më të rrezikuarave” shpesh shërben si një katalizator për veprim dhe si një nxitje për mobilizimin e mbështetjes së nevojshme publike ose private. /klankosova.tv / KultPlus.com
Një zbulim i ri arkeologjik ka dalë në dritë në Egjipt në nekropolin e Saqqara, 30 km në jug të kryeqytetit Kajro. Arkeologët nga Muzeu Egjiptian, Ministria Egjiptiane e Antikiteteve dhe Muzeu Kombëtar i Antikiteteve në Leiden të Holandës kanë zbuluar mbetjet e varrit të Panehsy, i cili daton në periudhën e hershme Ramesside (1250 para erës sonë).
Panehsy ishte në krye të tempullit kushtuar perëndisë Amun. Ekspedita arkeologjike ka nxjerrë në pah edhe disa komplekse funerale. Zbulimi hedh dritë të re mbi zhvillimin e nekropolit Saqqara në periudhën Ramesside.
Saqqara është nekropoli i kryeqytetit të lashtë egjiptian Memphis, i cili sipas traditës egjiptiane u themelua në vitin 3000 para Krishtit nga mbreti Menes, faraoni i parë i Egjiptit të bashkuar. Varri i Panehsy-t ka formën e një tempulli, me një hyrje monumentale dhe një oborr me një portik me kolona, në qendër të të cilit është një pus i cili u jep akses dhomave të varrimit nëntokësor. Në anën perëndimore, oborri është i rrethuar nga tre kapela.
Kompleksi funeral në formë drejtkëndëshe, me përmasa 13.4 metra me 8.2 metra, kufizohet në jug me varrin e famshëm të Maya, një zyrtar i lartë përgjegjës për thesarin e faraonit Tutankhamun. Muret prej qerpiçi të strukturës së sipërme të varrit të Panehsy-t janë ende në këmbë dhe arrijnë një metër e gjysmë lartësi dhe janë të zbukuruara me pllaka ballore gëlqerore, të cilat tregojnë relieve me ngjyra në të cilat dallohen varret e Panehsy-t dhe gruas së tij Baia, këngëtarja e Amunit dhe disa priftërinj. / KultPlus.com
Nesër më 14 Prill do të organizohet një marsh në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, pas vendimit të djeshëm që kjo datë të zyrtarizohet si “Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka njoftuar se marshi do të fillojë në orën 12:00 nga sheshi Ibrahim Rugova, për të vazhduar deri tek monumenti Heroinat, ku do të prezantohet instalacioni “14 Prilli.”
Vasfije Krasniqi Goodman, si një e mbijetuar e dhunës, ka mirëpritur zyrtarizimin e kësaj date duke shprehur se shënimi i kësaj dite do të jetë moment i rëndësishëm në dokumentimin e të vërtetës dhe thirrjes së memories kolektive.
“Përmes zyrtarizimit të kësaj dite, dhimbja dhe vuajtjet e të mbijetuarve po njihen si nga institucionet njëashtu edhe nga mbarë shoqëria. Prandaj edhe shënimi i 14 Prillit si Ditë e të mbijetuarve, njëkohësisht shënon edhe njohjen simbolike, e cila është tejet e rëndësishme në integrimin e plotë të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Në anën tjetër, Presidentja Osmani ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale, duke e nënvizuar edhe rastin e Vasfije Krasniqit.
“Pikërisht më 14 prill ndryshoi gjithmonë edhe jeta e Vasfije Krasniqit, e cila u rrëmbye me forcë dhe u dhunua nga forcat serbe. Ajo mori guximin që ta ndajë të vërtetën me tërë botën. Përmes rrëfimit të saj, ajo u shndërrua në zërin e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Osmani në propozimin drejtuar Qeverisës së Republikës së Kosovës.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, rreth 20.000 persona kanë qenë viktima të luftës seksuale. /Express / KultPlus.com
Teksti i këngës “No Volvere” (Nuk do të kthehem) nga Chavela Vargas. Përktheu nga spanjishtja: Arbër Selmani.
Kur do ta gjesh veten larg meje Kur do të duash unë të jem afër teje Nuk do ta kesh asnjë kujtim nga unë Dhe as të tjera dashuri me mua.
Dhe po të betohem, që nuk do të kthehem Edhe nëse jeta më godet me padrejtësi Nëse dikur të kam dashur shumë, si e çmendur Prej shpirtit tim sot ke veç lamtumirë.
Dhe jo, nuk do të kthehem Të betohem në Zotin që më sheh Duke dënesë prej inatit, Po të them, Nuk do të kthehem.
Deri lotët e mi të jenë formuar, Nuk do të ndalem duke qarë Një lum i harresës më është formuar Aty ku do ta mbys kujtimin për ty.
Ishim retë që qielli i përplasi Ishim gurët që u rrokën për njëri tjetrin Dy gota uji që dielli i thau Dy të dehura që fundi nuk i ndau. Megjithatë, Po nisem me trenin e mungesës E biletë kthimi nuk ka kjo bileta ime, Çka ke timen, po ta jap Por jo më, për ty, kjo puthja ime.
Dhe jo, nuk do të kthehem Të betohem në Zotin që më sheh Duke dënesë prej inatit, Po të them, Nuk do të kthehem. / KultPlus.com
BBC ka njoftuar një formacion mbresëlënës të talenteve muzikore të përfshirë në performancat live që do të shohim në dy gjysmëfinalet e edicionit të 67-të të Eurovizionit, përcjellë KultPlus.com
Yjet ukrainas dhe britanikë, si dhe një mori legjendash të konkursit të këngës në Eurovizion, do të performojnë në dy shfaqjet e drejtpërdrejta gjysmëfinale në Liverpool.
Me vetëm pak javë të mbetura derisa qyteti të mirëpresë botën për Konkursin e Këngës në Eurovizion 2023, BBC ka kuruar një përzgjedhje të shkëlqyer të performancave muzikore për gjysmëfinalet, për të ofruar argëtim për të gjithë audiencën – qoftë i ri në Eurovizion, apo një tifoz prej kohësh.
Për të shënuar fillimin e Eurovision Song Contest, do të hapet gjysmëfinalja e parë me prezantuesen Julia Sanina që do të performojë një pjesë të “Маяк” nga grupi i saj The Hardkiss. Duke u përkthyer nga ukrainishtja për “Lighthouse”, kjo performancë – duke qenë pjesë e një akti hapjeje tepër të fuqishme – do të simbolizojë në shumë mënyra se si Mbretëria e Bashkuar është “United by Music” me Ukrainën, përmes pritjes së Konkursit 2023 në emër të fituesve të 2022.
Por si duket, surpriza e këtij edicioni do të jetë artistja Rita Ora. Transmetuar të martën më 9 maj, në intervalin e gjysmëfinales së parë, superylli botëror Rita Ora do të dhurojë përzierje të mahnitshme të disa prej hiteve të saj më të mëdha. Duke mbajtur rekordin për më shumë këngë në Top 10 në Listat Zyrtare nga një artiste femër britanike dhe pasi ka grumbulluar 10 miliardë transmetime, Rita do të performojë gjithashtu ekskluzivitetin botëror të këngës së saj të re, Praising You, para miliona njerëzve që do të shikojnë anembanë globit.
Me një përzierje rrëfimi dhe festimi në programin e performancave, publiku mund të pres me padurim disa fytyra të njohura – nga brenda dhe jashtë botës së Eurovizionit – që do t’i argëtojnë në ato dy netët e para të shfaqjeve live të majit. / KultPlus.com
Ed Sheeran ishte në qytetin e Nju Jorkut për një shfaqje në Brooklyn dhe shfrytëzoi rastin për të surprizuar një legjendë vendase të quajtur Mike Yung.
Yung, 62 vjeç, u bë viral në vitin 2016 me një video të tij duke kënduar “The Righteous Brothers’ Unchained Melody” në një stacion metroje të Nju Jorkut, gjë që e çoi atë në shfaqjen e tij në America’s Got Talent dhe publikimin e një albumi në studio në 2018.
Këngëtari ishte duke filmuar një video në stacionin e metrosë Church Avenue në Brooklyn të hënën, duke kënduar këngën e re Eyes Closed të Sheeran, kur vetë 32-vjeçari Sheeran e surprizoi atë, shkruan Daily Mail.
Yung ishte duke nxjerrë rripin e korit, kur Sheeran u ngjit dhe iu bashkua, ndërsa Yung u kthye dhe e përqafoi.
Sheeran e befasoi gjithashtu Yung-un me biletat për shfaqjen e tij në Brooklyn në Kings Theatre në Brooklyn, ku ai performoi albumin e tij të ri Subtract të plotë për herë të parë në Amerikë.
Yung dhe Sheeran kënduan krah për krah për disa çaste, me Sheeran që ndalonte disa herë për ta lënë Yung të vazhdonte.
Ata e përfunduan këngën dhe Yung tha se ‘më bëri ditën’ ndërsa Sheeran e pyeti nëse mund t’i tregonte diçka.
Ai nxori dy bileta për shfaqjen e tij disa blloqe larg stacionit dhe më pas ndau një përqafim tjetër.
Yung hyri në Instagram të martën, me foto të tij dhe Sheeran në platformën e metrosë së bashku me videon. / KultPlus.com
Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj, çdo vit u jep mundësinë tre autorëve të rinj të botojnë veprat e tyre të para. 11 autorë ishin në garë këtë vit, ku një ditë më parë u ndanë dhe çmimet për fituesit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.
Në këtë aktivitet ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, shkrimtarë dhe botues, ku u ndanë vlerësimet për fituesit e këtij viti: Alban Tufa, Enxhi Naumi, Andrin Kabashi.
“Kënaqësi t’i takoja sot në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe të merrja energjinë pozitive që ata përçonin përmes dëshirës për t’iu qasur rrugës së bukur dhe të vështirë të krijimtarisë”, shprehet ministrja.
Margariti tha se mes fituesish është dhe një i ri nga Kosova, ku siç shprehet ajo ky është një ogur i mirë dhe dëshmi se nismat tona nuk janë thjesht lokale.
Juria e kryesuar nga Liridon Mulaj dhe anëtar Enkel Demi, Sonila Strakosha, vlerësoi mes 11 dorëshkrimeve veprat e mëposhtme: Alban Tufën me dorëshkrimin “Ata ishin (mbetën) dy”, shtëpia botuese “Toena”. Motivacioni: Për origjinalitetin dhe thellësinë e vargut poetik të shprehur me sinqeritet dhe pjekuri.
Enxhi Naum me dorëshkrimin “Tytnia”, shtëpia botues “Albas”. Motivacioni: Për poezinë e zhveshur nga droja duke e shpalosur sentimentin lakuriq nëpërmjet ndjeshmërisë së lartë artistike.
Andrin Kabashi me dorëshkrimin “Qyteti pa lumë”, shtëpia botuese “Onufri”. Motivacioni: Për mesazhet nënkuptimore të përcjella nëpërmjet një stili ekzistencial dhe proze të konsoliduar, që evidentojnë problemet thelbësore të brezit të mileniumit të ri.
Më herët QKLL shprehej se thirrja u drejtohej lëvruesve të poezisë dhe prozës nga mosha 18 deri 35 vjeç. Shuma e financimit për mbështetjen e procesit krijues të veprës do t’i paguhet drejtpërdrejt shtëpisë botuese.
Nëpërmjet këtij fondi, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) më herët në faqen e saj shprehej se synon të promovojë letërsinë e re shqipe, duke u ardhur në ndihmë autorëve të rinj shqiptarë për të botuar dhe për t’u bërë pjesë e një hapësire më të gjerë njohjeje përballë lexuesit. / atsh /KultPlus.com