Paulo Coelho: Gratë në sytë e meshkujve, ato mbi të 40-tat, janë vërtet tërheqëse

Gratë në sytë e një mashkulli? Nuk ka rëndësi se sa peshojnë. Është e mahnitshme të prekësh, të përqafosh dhe të përkëdhelësh trupin e një femre.

Ta dimë se sa peshon, nuk na provokon asnjë emocion. Nuk e kemi idenë se sa është masa jote, ose nëse je në formë. Interesi ynë përqendrohet në një lloj tjetër forme. Nuk na intereson se sa e gjatë je në centimetra. Është çështje proporcionesh, jo masash.

Neve na pëlqen një femër e rrumbullakosur dhe “me mish”. Na pëlqen ai lloj trupi që, pa asnjë dyshim, vihet re në fraksionin e sekondës. Femrat e dobëta që sfilojnë në pasarela, ndjekin tendencën e dëshiruar nga stilistët që, e thënë me realizëm, duket sikur i urrejnë femrat dhe konkurojnë me to. Modelet e tyre janë dëshpërimisht të dobëta, të thata.Makiazhi është shpikur sepse femrat e përdorin, por mos e përdorni. Lajeni fytyrën thjesht me ujë dhe sapun dhe aq mjaftojnë për ne. Atletet janë shpikur për të mbajtur këmbët tuaja fantastike. Nëse natyra ju ka dhënë format që keni, atëherë ka një arsye dhe e përsëris, neve na pëlqeni të tilla. T’i fshihni të tilla forma është si të mbani në magazinë divanin tuaj më të mirë.

Është ligj natyror që të gjithë ata që martohen me një modele të dobët, anoreksike, bulimike dhe nervoze, më pas kërkojnë një të dashur me forma, simpatike dhe që të mos vuajë nga shëndeti. Të rejat janë të bukura, por ato mbi të dyzetat janë vërtet pjata e fortë. Për to ne jemi të gatshëm të kalojmë me not oqeanin Atlantik.

Trupi ndryshon, moshohet. Mos u dëshpëro nëse nuk të bën më ajo masë fustani që të bënte në moshën 18 vjeçare. Një femër 45-vjeçare, të cilës i bën fustani që vishte në moshën 18 vjeçare, ose vuan nga problemet e zhvillimit, ose po vetëshkatërrohet.

Neve na pëlqejnë femrat që dinë të jetojnë një jetë të ekuilibruar dhe dinë t’i kontrollojnë ndjesitë e tyre të fajit. Na pëlqejnë edhe ato që kur hanë, e shijojnë atë që hanë. Ato që kur duhet të mbajnë dietë, e bëjnë me kënaqësi (pa vuajtje dhe dëshpërim).

Disa rrudha në fytyrë, disa thinja, disa shenja moshimi në trup nuk e fshehin bukurinë. Ato janë dëshmi se ju keni bërë diçka në jetën tuaj, se nuk keni mbetur tek makiazhi dhe nuk e keni kaluar jetën tuaj nëpër qendra estetike. Keni jetuar!

Ndaj, kujdesuni për veten dhe duajeni veten!

Kjo është gjithë bukuria. / Albert Vataj/ KultPlus.com

19 vjet nga vdekja e ‘babait’ të letërsisë për fëmijë, Bedri Dedja

Bedri Dedja është një emër i nderuar i letrave dhe arsimit shqiptar, personalitet i kulturës dhe shkencës së Kosovës, i cili njihet edhe si “babai” i letërsisë për fëmijë, siç e kanë cilësuar me të drejtë për së gjalli; ai është i pranishëm në ballë të bibliotekave të mbarë shqiptarëve; romanet, librat me poezi e rrëfenjat, përkthimet nga letërsia botërore, janë të shumta e cilësore; ato kanë ushqyer dhe edukuar me ndjenjën e dashurisë dhe solidaritetit shoqëror, me frymën e atdhetarizmit dhe bukurisë artistike të shqipes mijëra e mijëra lexues, anembanë vëndit.

Akademik Bedri Dedja vdiq më 13 prill 2004.

Po ju sjellim disa mendime të personaliteteve për Akademik Bedri Dedjan.

Alfred Moisiu, Presidenti i Republikës së Shqipërisë

…Bedri Dedja ishte njëri nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës shqiptare, Akademisë së shkencave, studiuesve në fushën e psikologjisë e pedagogjisë, Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, themeluesi i letërsisë shqiptare për fëmijë, Miku i Madh i fëmijëve, Humanisti shumëdimensional, i cili deri në ditët e fundit nuk reshti pa dhënë kontributin e çmuar për të sotmen e për të ardhmen e tyre.Vepra e tij poliedrike, shkencore dhe letrare do të jetojë për brezat e ardhshëm si një vlerë e madhe e kulturës sonë Kombëtare.

Dritëro Agolli,

Bedri Dedjen e kam njohur edhe para se të shkoja në Tiranë, në vitin 1970: e kam njohur permes prozave të tij për fëmijë që në Kosovë ishin sjellë prej profesorëve, të cilëve u ishte bërë e mundur të shkojnë në Shqipërinë shtetërore pas vendosjes së mardhënieve kulturore midis Shqipërisë dhe Kosovës. Mbas këtij viti, në Tiranë do të shkojë edhe shumë herë të tjera dhe gjithnjë, kur kthehesha në Prishtinë, kisha me vete vepra të reja të Bedri Dedjes. Si të mos kisha? Bedri Dedja ishte krijues shumë i lexuar e shumë i dashur dhe njëkohësisht, krijues shumë i frytshëm. Ai ishte krijues i tregimeve, i përrallave dhe i romaneve për fëmijë, por ai ishte edhe kritik e studiues i gjithë letërsisë shqipe për fëmijë. Bedri Dedja ishte, kështu, krijues me prirje të gjithanshme. Si cilësia ashtu edhe numri i veprave të tij letrare dhe shkencore e dëshmojnë një të vërtetë tashmë të pranuar nga studiuesit e psikologjisë së krijimtarisë: e dëshmojnë të vërtetën se përkushtimi ndaj krijimtarisë artistike e asaj shkencore, apo artistike dhe shkencore njëkohësisht është përbërës i domosdoshëm i dhuntisë së madhe krijuese.

E Bedri Dedja ishte krijues me dhunti të madhe krijuese.

Në veprën e tij shumëvëllimshme letrare dhe studimore janë bashkuar vlera e lartë artistike e shkencore dhe vlera e madhe humaniste. Janë këto dy cilësi që veprën e një krijuesi e bëjnë të përhershme, kurse krijuesin e saj të pavdekshëm.

Akademik Rexhep Qosja

…Psikolog, pedagog, historian i arsimit dhe i pedagogjisë, kulturolog, mendimtar erudit, shkrimtar i shquar për fëmijë, një shëmbull i rendimenti të lartë në punë: me të drejtë Bedri Dedja konsiderohet si dekani i letërsisë së sotme shqiptare për fëmijë. Në këtë fushë ai na shfaqet tejet i gjithanshëm – krijues, teoricien cilësor, kritik, historian. Hartues i mbi 60 veprave letrare, midis të cilave shquhen “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Kalamajtë e pallatit tim”, “Republika e 1100 çudirave”, etj. Në Shqipëri Bedriu është një figurë popullore, por atë e njohin mirë edhe jashtë truallit amë, kudo që ka shqiptarë e në vënde të tjera.

Me kthjelltësi të rrallë mendimi, me një të folur të qartë e të shtruar, të rrjedhshëm e të këndshëm, shquhej në komunikimin me të gjithë, që nga kolegët e deri tek lexuesit e vegjël, fëmijët.
Akademik Hamit Beqja

…Bedri Dedja (1930-2004) është kolosi, themeluesi dhe babai i modernitetit në letërsinë tone për fëmijë, të cilin do ta nderojmë për një kohë të gjatë, sepse puna e tij shënon një epokë kthesash të mëdha. Prej tij kemi mësuar se letërsia shkruhet edhe ndryshe…
Agim Deva, shkrimtar Kosovë

…Bedri Dedja u bë prijëtar në pavarësimin e shkencës psikologjike shqiptare. Krijues si ai janë njëkohësisht edhe dëshmitarë të asaj pikëpamjeje, sipas së cilës, të menduarit krijues në shkencë dhe në art kanë pikëtakim dhe, në kushte të veçanta, shfaqen si në njërin, ashtu edhe në lëmin tjetër krijues.
Akademik Pajazit Nushi, Kosovë

…Akademiku Bedri Dedja ka qënë një nga themeluesit dhe shtyllat e letërsisë për fëmijë të pasçlirimit. Ishte një personalitet shumëplanësh: poet e prozator, përrallëtar e tregimtar, dramaturg, novelist e romancier, përkthyes e kritik, studiues e teoricien i letërsisë shqiptare për fëmijë. Fitues i shumë çmimeve letrare, mbajtës i “Çmimit të Republikës” dhe titullit “Mjeshtër i Madh i Punës”, Bedri Dedja është vlerësuar gjithashtu nga Qëndra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh, duke zënë një vend nderi në vëllimin XVI të biografive, si një nga autorët më të shquar të shekullit XX.
Astrit Bishqemi

Bedri Dedja ka fatin e njerëzve, të cilët jetën e këputur e zgjatin me emrin që lënë. E kisha pedagog Fakulteti e ai ishte vetëm katër vjeç më i rritur se studenti (më pas, e takoi studentin – punëtor Metalurgjie, mbuluar çizmet me baltë e sytë, gati në përlotje i morën një ndriçim qielli në fytyrë njeriu).

Qe koha kur njeriut për të mbijetuar i duhej të tkurrej sadopak. Por ai, tërë jetën, si mësues e si shkrimtar, me fjalën e tij ushqeu rritjen dhe lulëzimin e njeriut. I përkushtuar tërë jetën diturisë e artit, ai arriti që të krijonte mbretërinë e Fjalës së vet, prej nga buronte humanizëm e çiltërsi. Me inteligjencën e veçantë në sytë e ëmbël e me fisnikëri të bukur në shpirt ai ruante përfytyrimin e figurës që u takon të gjithëve. Në letërsi, ai jo rastësisht na foli nga bota e fëmijëve, sepse vetë, edhe i rritur kish’ diçka prej fëmijë në qënien e tij. Duke përshkruar jetën e brishtë të të vegjëlve, tërthoraz i thoshte dhe shoqërisë së rritur që ta ruante çiltërsinë fillestare të njeriut nga shtrëmbërimi i mundshëm i shpirtit në diktaturë. Në tërë krijimet e tilla që la, nëpër rreshtat e librave ecte fëminija e tij, e cila Bedriun e mbante përdore, si një fëmijë të rritur me të qeshurën e të vegjëlve në buzë.
Të tillë, brezat do ta kujtojnë gjithmonë përpara tyre.
Agim Shehu, poet Gjenevë

…Me punën e tij të gjithanshme drejtuese e krijuese, ai ishte shëmbulli i një njeriu virtuoz, me një kapacitet të jashtëzakonshëm intelektual. Në çdo çast ai punonte, edhe kur pinte kafe, edhe kur shëtiste ; mëndja e tij për shkollën, për arsimin, për edukimin e fëmijëve e të brezit të ri, do të mendonte. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, kur tashmë, në laboratorin e punës së tij krijuese numërojmë mbi 70 vepra pedagogjike, të dala nga dora e tij e që kanë luajtur një rol të madh në zhvillimin e arsimit tonë kombëtar ; mbi 60 vepra për letërsinë për fëmijë dhe po aq përkthime nga klasikët botërorë. Nga duart e tij kanë dalë me qindra artikuj publicistikë, të shpërndara në shtypin e kohës e që mbushin bibliografinë e tij me një numër prej 2000 zërash. E kjo është vetëm pjesa e dukshme e krijimtarisë, ndërsa ajo e padukshmja, si korrespondencat, reçensat, studimet, raportet, etj. mund të kapin edhe aq vëllime sa janë botuar…

Prof.Dr. Ilinden Spasse

…Kultura e gjërë poliedrike e Prof. Bedri Dedes ishte rezultat i një pune skrupuloze, sistematike, e cila filloi që kur u ul në bankën e shkollës, si nxënës dhe deri sa mbylli sytë. Gjithë jetën në libër, pranë librave, penës, fjalës dhe miqve. Kaq shumë kulturë kishte, saqë ishte njëri nga njerëzit, tek i cili personaliteti i tij autoritar dhe kultura ishin bërë një dhe të pandarë. Ishte vështirë të dalloje te Profesor Bedri Dedja, se ku fillonte kultura e akumuluar nga të tjerët dhe ku fillonte kultura që buronte prej personaliteti të tij. E gjithë qënia e tij rrezatonte kulturë. . . Prof. Bedri Dedja nuk ishte vetëm letrar, shkencëtar dhe akademik : ai njëherësh ka qënë qytetar me vlera dhe i spikatur. . Ai ishte njeriu me dinjitet, i fortë përballë dallgëve, burrëror dhe konstant në vlerat si qytetar. Tek ai ishin bashkuar bukur dimensioni i shkencëtarit me qytetarin, pa asnjë sforcim. Kjo ka qënë mbase edhe vlera më e madhe e tij si njeri i dijes, i inteligjencës, i popullit…
Gëzim Tushi

…Bedri Dedja, që në vitet e ngurtësisë më të madhe të konformizmit të përgjithshëm komunist, mendonte se edukimi njerëzor i fëmijëve vinte shumë më përpara edukimit ideologjik të tyre. Bënin sikur nuk e vinin re, ose nuk dinin ta lexonin siç duhej, kjo është një çështje e personalitetit të tij : ndonëse akademik, nuk u deformua nga asnjë sforcim tendencash politike…Në fillim e deri në fund të viteve 80-të, kur eksperimentit komunist kishte nisur t’i rrëzoheshin një e nga një panciret e ndryshkura, me të cilat kishte shushatur për vite me rradhë të pamësuarit dhe të paditurit, Bedri Dedja ishte në harmoni me mendimin e ri të bijve të tij dhe të miqve të tyre, se këtij sistemi i kishte ardhur fundi. Ai ishte një pedagog dhe shkrimtar humanist, më tepër se moralist…veprat e tij mund ta vërtetojnë lehtësisht se sa ishte dhe mbetet novator ky anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë…
Hysen Sinani

…Tani, ne kemi në dorë veprën pesëdhjetë-vjeçare të Prof. Beri Dedes, krenarinë që Ai do të rrojë mes nesh si model i Njeriut të Mirë, studiuesit e shkrimtarit, pedagogut, luftëtarit të paepur për progres, me vështrim përherë tek e ardhmja e shoqërisë dhe e atdheut tonë të dashur.
Ferhat Cakaj.

…Një shkrimtar i madh e i talentuar shqiptar… e sidomos e madhe është puna e Bedri Dedes në fushën e letërsisë për fëmijë dhe problemeve të ndryshme të rinisë…
Llambro Mallamas, kritik letrar grek

…Membre de l’Académie des Sciences à Tirana, Prof. Bedri Dedja a su représenter brillamment et avec distinction le génie albanais au travers de sa féconde activité littéraire qui réserve une place spéciale aux besoins de l’enfance. Fin connaisseur et ami de la Suisse, il a apporté sa contribution au renforcement des liens d’amitié entre nos deux pays par le biais de ses écrits.
Francis Cousin Ambasador, Ministria e Jashtme, Zvicër.

…Bedri Dedjen nuk e kemi më midis nesh, por e ndjejmë përherë pranë nëpërmjet librave të tij të mrekullueshëm. Ndodh si me yjet, që ndonëse ndodhen miliarda kilometra larg nesh, edhe kur shuhen, vazhdojnë të na dërgojnë dritën e tyre. Bedri Dedja mbetet një yll i pashuar i letërsisë për fëmijë. Ai vazhdon të përhapë dhe të dërgojë dritë vezulluese, ngrohtësi, mirësi dhe dashuri njërëzore, mesazhe paqeje dhe humanizmi, veçanërisht te lexuesit e vegjël, që ai i donte aq shumë dhe që u kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të energjisë krijuese.
Viron Kona

…Sivjet xhaxhi Bedriu do të mbushte 74 vjet. Por u nda nga jeta kaq papritur. Ai mbetet i gjallë mes librave të tij. Po, lexues të vegjël, është aty, mes fletëve, si një personazh i gjallë dhe me zërin e tij atëror u thotë ngadalë: “Na ishte njëherë”. . . Po, ja se kush…Një njeri i mirë, i dashur, një mësues dhe mik besnik i fëmijëve: Bedri Dedja.
Shpresa Vreto

…Shuhet Bedri Dedja, “babai” i Fatbardh Pikaloshit, i cili nuk mundi ta përdorë në kohë shkopin e tij magjik, për t’i ridhënë jetë krijuesit të tij. . .
Moikom Zeqo

…Të gjithë ata të rritur, që dikur harroheshin pas aventurave të Fatbardh Pikaloshit, me fyej magjikë e katallanë, dje janë ndjerë nga pak jetimë…Babai i letërsisë për fëmijë dhe akademiku Bedri Dedja është ndarë nga jeta…
Alma Mile /KultPlus.com

I shkruan gruas nga burgu i luftës në Berlin, letra arrin në destinacion 80 vjet më vonë

Një letër e shkruar dhe e dërguar 80 vjet më parë nga Berlini, ka mbërritur në destinacion vetëm pak ditë më parë. Është një letër e ushtarit Pasquale Aloisio, me origjinë nga Mottola (Taranto) në Itali, i cili ishte kapur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe i mbajtur në një kamp burgu afër Berlinit. Ushtari kishte shkruar disa rreshta për gruan e tij të dashur, të cilën donte ta qetësonte për gjendjen e tij.

“E dashur Maria shëndeti im është i mirë, ndaj mos u shqetëso për mua” janë fjalët e tij.

Kryebashkiaku i Mottola-s Giampiero Barulli tregon historinë në Facebook, duke i bashkangjitur postimit të tij edhe imazhin e letrës, gjurmët e së cilës kishin humbur në shekullin e kaluar. Janë disa rreshta, të shkruara me zemër nga ushtari larg shtëpisë.

“Është viti 1943. Ka luftë dhe të gjithë djemtë janë në front për të luftuar. Midis tyre është Pasquale, një ushtar nga Mottole. Ai është në një kamp burgu afër Berlinit dhe i shkruan një letër, gruas së tij Maria, duke e qetësuar për gjendjen e tij shëndetësore, por letra nuk mbërrin në destinacion”, shkruan kryebashkiaku.

“Pasquale kthehet i padëmtuar nga lufta dhe jeton i qetë me gruan e tij duke rritur tre fëmijë. Kalojnë 80 vjet dhe në mënyrë të pabesueshme, disa ditë ajo letër mbërrin në Bashki, dërguar nga një zotëri nga Firence”, vijon kryebashkiaku Barrulli .

Ajo kartolinë, e cila tregon një dashuri të madhe të penguar nga konflikti, iu dorëzua menjëherë vajzës së ushtarit Pasquale.

Letra u dërgua nga një prej kampeve gjermane të burgut Kriegsgefangenenlager dhe mban datën e  21 nëntorit 1943, ndërsa pulla ka datën 26 nëntor të po këtij viti

Ushtarët e internuar në kampet e paraburgimit në atë kohë u detyruan të dërgonin kartolina për t’i njoftuar se ishin shëndoshë e mirë, edhe pse vuanin vështirësitë e robërisë. Pasquale, falë ndërhyrjes së forcave aleate, arriti të kthehet në Mottola dhe të përqafojë sërish gruan e tij Maria. Ajo kartolinë e harruar, e cila nuk e ka humbur çiltërsinë e saj, është rishfaqur papritur nga e kaluara. Një histori prekëse që shumë qytetarë, duke komentuar postimin e kryebashkiakut, e cilësuan “thjesht emocionuese”.

Veshjet ikonë të të famshmëve do të shfaqen në një muze në Londër

Veshjet e veshura nga Marilyn Monroe, Sir Elton John dhe Tina Turner do të shfaqen në një muze në Londër.

Ato do të jenë pjesë e një koleksioni prej më shumë se 250 objektesh të përbëra nga moda, fotografia dhe muzika.

Artikujt do të ekspozohen në ekspozitën “Diva” të Muzeut Victoria dhe Albert nga qershori.

Një nga artikujt që shfaqet është fustani i zi i veshur nga Marilyn Monroe në filmin “Some Like It Hot”, i cili fitoi një Oscar për dizajnin e kostumeve dhe i dha aktores një Golden Globe.

Frymëzuar nga mbreti francez Louis XIV, veshja e ditëlindjes së 50-të të Elton John përmban një pelerinë, paruke dhe kapele.

Rrobat e veshura nga Dame Shirley Bassey në skenën në Glastonbury në vitin 2007, duke përfshirë një fustan rozë të dizenjuar nga Julien MacDonald, dhe një çizme Wellington të mbushura me diamante do të shfaqen gjithashtu.

Një koleksion veshjesh të krijuara nga stilisti i famshëm i modës Bob Mackie dhe të veshura nga Cher dhe P!ink do të jetë gjithashtu i ekspozuar./klankosova/KultPlus.com

Muzeu Kombëtar përkujton përkthyesin dhe studiuesin Guljelm Deda

 Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot përkthyesin dhe studiuesin e burgosur dhe të internuar gjatë regjimit komunist, Guljelm Dedën.

Guljelm Deda lindi më 5 shkurt 1915 në Shkodër, ku kreu studimet e para në Kolegjin Saverian. Më 1937 diplomohet në Universitetin e Padovës në degën letërsi-filozofi. Pasi mbrojti diplomën me studimin mbi gjuhën e “Cuneus Profetarum” (Çeta e profetëve) të Pjetër Bogdanit, me vlerësimin më të lartë «cum laude», u kthye në vendlindje ku ushtroi profesionin e mësuesit të gjuhës shqipe dhe letërsisë greke e latine.

Më 1942 themelon e boton revistën “Balli i Kombit” që e drejtoi deri më 1943, një revistë për rininë shqiptare me përmbajtje të zgjedhur e frymë kombëtare. Në dhjetor 1944 arrestohet e dënohet me pesë vjet burg me punë të rëndë të detyruar, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtës elektorale për aq kohë, mbi akuzën “për krime kundër shtetit”.

U lirua më 1950-ën dhe dërgohet në guroren e malit Tarabosh. Më 1954 arrestohet e burgoset në kampin e Shtyllasit, bashkë me 50 intelektualë të tjerë shkodranë. Prej këtu izolohet në kampin e Kuçit të Vlorës. Edhe pse tejet i kufizuar, Guljelm Deda nëpërmjet talentit e aftësisë si dhe vullnetit të hekurt arriti të përkthejë poemën e konsideruar si një nga kryeveprat italiane “Orlando i Çmendun”, me autor Ludovico Ariosto. 17 vjet i kushtoi përkthimi i kësaj vepre me 40 000 vargje, në kushte çnjerëzore dhe pa asnjë mjet që të mund ta ndihmonte, e cila u botua më 2013 nga ISKK. Më 1990 shkoi në Itali, i sëmurë dhe i sfilitur nga vuajtjet e rënda.

Guljelm Deda u nda nga jeta më 12 prill 1994 në Peruxhia, pa mundur të botojë përkthimin e tij. Në vitin 2013, Ministria e Kulturës e vlerësoi këtë përkthim si veprën më të mirë letrare të përkthyer për vitin 2013, me motivacionin: “Një përkthim i papërsëritshëm që ruan bukurinë e fjalës, ritmin, harmoninë dhe elegancën e vargut në një regjistër të epërm të gegërishtes”.

FBI lëshon aplikacionin për të ndihmuar në identifikimin e artit të vjedhur


Qytetarët dhe institucionet e artit tani mund të gjurmojnë artin e vjedhur me lehtësi nga telefonat e tyre.

Të hënën, Byroja Federale e Hetimit (FBI) publikoi një version të bazuar në aplikacione të Dosjes Kombëtare të Artit të Vjedhur të SHBA (NSAF), bazën e të dhënave të veprave të artit të vjedhura dhe objekteve të rëndësishme kulturore.

Aplikacioni NSAF u krijua fillimisht për punonjësit e zbatimit të ligjit dhe industrisë së artit, por kushdo në botë mund ta përdorë atë për të verifikuar statusin ligjor të pronës kulturore me disa prekje dhe rrëshqitje.

“Një nga evolucionet më të mëdha për NSAF ishte vënia e tij në dispozicion të publikut,” tha në një deklaratë Colleen Childers e programit të krimit të artit të FBI-së. “Tani, me përmirësimin e ri celular që ne kemi pësuar, ne duam të vazhdojmë të përpiqemi për ta bërë atë një platformë më miqësore për përdoruesit.”

Aplikacioni krenohet me funksionet e kërkimit dhe filtrimit që kategorizojnë artin sipas përshkrimit, vendndodhjes dhe zhanrit, si dhe aftësitë e ndarjes për të ndihmuar në përhapjen e fjalës dhe dërgimin e këshillave drejtpërdrejt në FBI. Aplikacioni është falas për t’u shkarkuar dhe përdorur.

Aplikacioni NSAF i FBI-së nuk është hera e parë që telefonat celularë të publikut janë zëvendësuar në kërkimin e artit të vjedhur. Në vitin 2014, ekipi i karabinierëve të Italisë për krimet e artit lëshoi ​​aplikacionin e parë të smartfonëve për të kërkuar mbështetjen e publikut në luftën kundër krimit të trashëgimisë kulturore.

Dhe në vitin 2021, Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (Interpol) lançoi aplikacionin ID-Art, një mjet që mundëson akses më të gjerë në bazën e të dhënave të organizatës për artin e vjedhur, ndërkohë që raporton dhe regjistron në të njëjtën kohë vendet dhe objektet e trashëgimisë kulturore në rrezik./cnn/KultPlus.com

‘Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime’- thënie nga Faik Konica

1.Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej:
`Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.`”

2.“Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të mëshehur nën ‘to intriga e për të shfrytëzuar zemërime të veçanta.”

3.“Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja e ashtu u prishet më shpejt organizmi.” 

4.Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë.

5. Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.

6. Nuk mund të lexohet nëpër rreshta ajo çka nuk ekziston.

7.Pa dyshim, çdo parti ka të drejtën, madje dhe detyrën të shtojë radhët e veta në dëm të atyre që i kundërvihen.

8. Dallimi në kulturë shpjegon dallimin në mendime.

9.Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe është rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve. 

10. Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë
në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle.

11. Nuk ka despotizëm më të keq se sa njëfarë idealizmi dogmatik, që përbuz si përvojën, si faktet dhe gjithçka tjetër që prish simetrinë e thjeshtë të koncepteve a priori.

12. Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin. 

13.Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme. Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë.

14. Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme.

15. Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij.

16.Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia.

17. Aq lehtë kujtoni se ëndrrat e kafeneve bëhen punë? Në jini aq besnikë te forca juaj, ngrihuni pra, se shqiptarët ju presin!

18. Shqiptarët janë një komb që i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga të sjellurit e nga trimëria. Mua më duket se një njeri që i ka trutë në vend nuk duhet të flasë në atë mënyrë. Po të ishte ashtu…shqiptarët do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.

19. Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, shpërfillja dhe butësia.

20. Ashtu kuptova se në të vërtet kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë.

21. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqenjtë. Me fjalë të tjera, trimëria e shqiptarit, sado e madhe në vete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, e shumë herë pa ditur as vetë për se, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten.

22. Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë.

23. Kush jeton me fjalë dhe përkundet me ninulla fjalësh, s’ka pse ankohet e të na lëshojë britmat e veta të zakonta prej palloi.

24. Historia na mëson se gjithë ndryshimet politike kanë pasur përherë këta dy faktorë: emigrantët dhe një elitë të vogël, e lindur apo intelektuale, brenda vendit.

25. Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin.

26. Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon.

27. Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit t’onë të hidhen përpara, dhe përpara, dhe përpara, duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë (të caktuar) mëndore të tyre.

28. Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle.

29. …nuk mundena me pushue së foluni kundra loinive (politikave) qi duen me e tretë e me e përpi kët komb të dashtun.

30.  Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira… por një bandë maskarenjsh dhe dalaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh./KultPlus.com

Sopranoja Besa Llugiqi me paraqitje të radhës në Sofje të Bullgarisë, do të shoqërohet nga Filharmonia e Sofjes

Sopranoja e njohur kosovare Besa Llugiqi të enjten do të paraqitet para publikut të Sofjes së Bullgarisë, dhe në këtë paraqitje të saj si soliste ajo do të ngjitet në skenë nën përcjelljen e Filharmonisë së Sofjes e nën dirigjimin e mjeshtrit, njëherit edhe ministër i Ministrisë së Kulturës në Bullgari, Nayden Todorov, shkruan KultPlus.

Sopranoja Llugiqi ka thënë për KultPlus se këtë paraqitje e vlerëson tejet me rëndësi të madhe, pasi që në këtë mbrëmje do të paraqitet fillimisht violinistja me famë botërore Francesca Dego, e cila do të paraqitet me vepra të Beethoven, e pas kësaj paraqitje, në skenën operistike do të ngjiten solistët: soprano Besa Llugiqi, mezzo soprano Violetta Radomirska nga Bullgaria,  tenori Emil Pavlov poashtu nga Bullgaria dhe  Strahinja Djokic nga Serbia.

“Është një përjetim që nuk ndodhë shpesh, por është një ndër përjetimet e rralla që mund të ofrojnë këto paraqitje skenike. Do të interpretoj sërish me këtë orkestër e rrethuar me artistë të jashtëzakonshëm, pastaj është salla e teatrit të Sofjes që të jep një ndjesi të rrallë, është magjike, dhe magjia më e madhe e kësaj mbrëmje është se kjo paraqitje do të udhëhiqet nga mjeshtëri Nayden, i cili  reflekton siguri në skenë, një ndjenjë që nuk përjetohet shpesh”, ka thënë Llugiqi.

Sopranoja Llugiqi bashkë me solistët e tjerë në këtë mbrëmje do të paraqiten me Requiemi i Mozart, kryevepër kjo e Mozartit. “Vepër kjo që gjithmonë vjen bukur dhe madhështore, dhe që sjell një emocion shumë të madh edhe tek ne në skenë, por edhe te publiku”, ka thënë për fund Llugiqi./ KultPlus.com

62 vite nga fluturimi i parë i njeriut në kozmos

Sot janë bërë 62 vite nga udhëtimi i parë i njeriut në hapësirë, shkruan KultPlus.

Më 12 prill 1961, me anijen kozmike ‘Vostok 1’, Juri Ggarini, u bë personi i parë i cili kreu një udhëtim përreth orbitës së tokës.

Sipas tij, gjatë këtij udhëtimi ka ndier ndryshime në peshën e tij për shkak të shtypjes atmosferike, duke iu dukur vetja sikur e kishin varur./KultPlus.com

‘E dashur Sadije’

Poezi e Dritëro Agollit për bashkëshorten e tij, Sadijen:

E dashur Sadije
Të dua si jetën time, madje edhe më
shumë
Dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti
të jetosh
Unë edhe i vdekur do të ndjek për të
parë buzëqeshjen tënde
Megjithëse kjo buzëqeshje, brenda
errësirës së varrit nuk duket
Por unë do të bëj të pamundurën, qoftë
edhe me anën e një fluture, që do të dalë
nga kockat e mia/KultPlus.com

Roosevelt ndër tre presidentët më të shquar në historinë e ShBA-ve, sot bëhen 78 vite nga vdekja e tij

Sot bëhen 78 vite nga vekja e presidentit të 32-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Franklin Roosevelt, shkruan KultPlus.

Roosevelt, ka lindur më 30 janar të vitit 1882 në New York. Ai ishte president i ShBA-ve nga Partia Demokratike prej vitit 1933 deri në vitin kur ndërroi jetë, 1945.

Presidenti Roosevelt lindi në një familje holandezo-amerikane. Ai u diplomua në Kolegjin e Harwardit  në vitin 1903. Nërsa në vitin 1905 ai u martua me Eleanor Roosevelt, prej së cilës martesë lindën gjashtë fëmijë.

Ish presidenti Roosevelt, në atë kohë ishte figurë qëndrore e politikës botërore të shekullit XX, pasi ai kishte fituar katër palë zgjedhje presidenciale.

Nga studiuesit ai vlerësohet si një nga tre presidentët më të mëdhenjë në historinë e ShBA-ve, së bashku me George Washington dhe Abraham Lincoln.

Ai e drejtoi Qeverinë e ShBA-ve në kohën e Depresionit të Madh, duke zbatuar axhendën e brendshme të tij të New Deal gjatë krizës më të keq ekonomike në historinë e SHBA-ve.

Me programin New Deal, ai krijoi shumëllojshmëri programesh të dizajnuara për të prodhuar lehtësime, rimëkëmbje dhe reforma. Gjatë kësaj kohe u krijuan edhe programe të shumta për të ofruar ndihmë për të papunët dhe fermerët, ndërsa kërkonte rimëkëmbjen ekonomike me Administratën Kombëtare të Rimëkëmbjes. Reforma u bënë edhe në lidhje me financat, komunikimet dhe punën. Gjatë kësaj kohe ekonomia u përmirësua me shpejtësi nga viti 1933-1937 dhe Roosevelt fitoi me një rezultat të thellë në zgjedhjet presidenciale në vitin 1936.

Me Luftën e Dytë Botërore, Roosevelt i dha mbështetje të fortë diplomatike dhe financiare Kinës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Sovjetik, ndërkohë që këto shtete mbeten zyrtarisht neutrale. Ndihmuar nga ndihmësi i tij më i lartë Harry Hopkins dhe me mbështetje shumë të fortë kombëtare, ai punoi ngushtë me Kryeministrin britanik Ëinston Churchill, kreun sovjetik Joseph Stalin dhe Generalissimo kinez Chiang Kai-shek në udhëheqjen e aleatëve kundër Fuqive të Boshtit.

Ai mbikëqyri mobilizimin e ekonomisë së SHBA për të mbështetur përpjekjet e luftës dhe zbatoi një strategji të parë ndaj Gjermanisë, duke e bërë disfatën e Gjermanisë një përparësi ndaj asaj të Japonisë. Ai gjithashtu filloi zhvillimin e bombës së parë atomike në botë dhe bashkëpunoi me udhëheqësit e tjerë aleatë për të hedhur themelet për Kombet e Bashkuara dhe institucionet e tjera të pasluftës./KultPlus.com

Vallëzim i mahnitshëm nga ikonat e valles shqipe, Rexhep Çeliku dhe Liliana Cingu

Rexhep Çeliku dhe Liliana Cingu, shquhen si mjeshtër dhe ikona të vallëzimit të valles shqipe, shkruan KultPlus.

Çeliku dhe Cingu për vite me radhë kanë qenë antarët më të dalluar të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë.

Për kontributin e dhënë gjatë jetës së tyre në prezantimin dhe ruajtjen e valles shqipe, iu janë dhënë çmimet ‘Nderi i Kombit’nga Republika e Shqipërisë.

KultPlus ju sjell një vallëzim të mahnitshëm të legjendave të valles shqipe, të realizuar në vitin 1988/KultPlus.com

Dokumentari për Rikard Ljarjen shfaqet në Shkodër, Marjeta: Nder të jem nuse këtu

Rikard Ljarja, një prej aktorëve më të mëdhenj shqiptar në tre vjetorin e ndarjes nga jeta u rijetësua në një dokumentar me regji të mikut të tij Mevlan Shanaj.

Dokumentari “Rikard” u shfaq në kinema “Millenium” në Shkodër mes miqve të shumtë duke sjellë mes të tjerave edhe disa rrëfime të vetë aktorit të madh.

Regjisori Mevlan Shanaj e quante ndjerin Rikard Ljarja aktorin më të madh të filmit shqiptar.

Bashkëshortja e Ljarjes, aktorja Marjeta Ljarja tha se përjetoi një emocion më të madh me shfaqjen e dokumentarin në Shkodër, qytetin e lindjes të Rikardit

Rikard Ljarja lindi më 1 prill të vitit 1943 ndërsa u nda nga jeta më 20 prill të 2020-ës kur ishte 77 vjeç./ballkanweb/KultPlus.com

Pas artikujve promovues te ‘Daily Mail’ dhe ‘Euronews’, Rama: Ky sezon turistik edhe më i suksesshëm se viti i kaluar

Prestigjiozet ndërkombëtare “Daily Mail dhe “Euronews” i kanë kushtuar artikuj promovues turizmit në Shqipëri, ndërsa e cilësojnë bregdetin e Dhërmiut “perlën e fshehur të Europës”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimet e dy prestigjiozeve ndërkombëtare, ndërsa u shpreh se këto promovime të përforcojnë bindjen për një sezon edhe më suksesshëm turistik se i vitit të kaluar.

“Dy promovime të bukura e të rëndësishme nga ‘Daily Mail’ dhe ‘Euronews’, të cilat këtë javë kishin në fokus bregdetin tonë dhe Dhërmiun, që përforcojnë bindjen për një sezon edhe më të suksesshëm se i vitit të kaluar, por ama me “detyrën” e shtuar për të gjithë në përmbushjen e pritshmërive duke garantuar standardet e shërbimit dhe pastërtisë”, tha Rama.

Në shkrimin e publikuar në “Daily Mail”, fshati bregdetar i Dhërmiut është quajtur “perla e fshehur e Evropës”.

Blogerët e udhëtimeve Scott dhe Sal, nga Britania e Madhe, dokumentuan qëndrimin e tyre në Dhërmi, të cilin e konsideruan ”Balin evropian”.

“Ndërsa shumë vizitorë evropianë po vërshojnë në plazhet e mbushura me turistë grekë dhe italianë, të tjerë kanë rezervuar një udhëtim në qytetin spektakolar, i cili është cilësuar si një nga vendet e fshehta në kontinent. Aventurierët po shkojnë drejt perlës së fshehur të ëndërruar, i ngjashëm me Balin, që ofron plazhe të kristalta të pastër, peizazhe mahnitëse, bare, hotele dhe restorante luksoze”, thuhet në artikullin e “Daily Mail”.

Ndërsa Euronews promovon ofertën turistike që ofron Riviera shqiptare, ndërsa fton vizitorët të zbulojnë këtë xhevahir të fshehur të Mesdheut.

Në artikullin e “Euronews” Shqipëria konsiderohet si një destinacion ende i panjohur në skenën turistike europiane.

“Nëse jeni në kërkim të plazheve më të bukura, drejtohuni në Rivierën shqiptare, e cila shtrihet nga Vlora në Ksamil. Nuk do të zhgënjeheni duke vizituar Dhërmiun, një nga plazhet më të gjata dhe më të njohura në Shqipëri. Edhe pse është e gjallë me bare, mund të tërhiqeni lehtësisht në një cep të qetë për të shijuar qetësinë e detit.

Nëse dëshironi të eksploroni më shumë, drejtohuni në jug për në Ksamil, ku do të shpërbleheni me ujëra të pastër kristal dhe tre ishuj të vegjël që janë afër. Kjo parajsë e vogël është e përkryer për udhëtarët që kërkojnë aventura”, thuhet në artikullin e Euronews./atsh/KultPlus.com

‘Valle e bukur Toponishte’ nga Merita Spahiu

Merita Spahiu është këngëtare që i përket zhanrit të muzikës popullore. KultPlus ju sjell një nga interpretimet më të famshme të saj, ‘Valle e bukur Toponishte’:

Sa her në gëzime hidhen
Njerëzia kur festojnë
Topnoishte vallen preferojnë

Hidhe vallen me ngadalë
Syzeza posi nje njalë
Kur vallëzon çuditet një mahallë

Dridhe hudhe shaminë me lezet
Si një zanë e bukur po më djeg
E bukur është vallja kur kërcen sorkadhja

Valle e bukur dorë për dore
Nusja por si lule bore
Toponishtja valle shekullore

Toponishte valle e bukur
E kërcen gjithë shqipëria
Me traditë është kjo nga Çamëria

Dridhe hudhe shaminë me lezet
Si një zanë e bukur po më djeg
E bukur është vallja kur kërcen sorkadhja./KultPlus.com

‘Për ju do të rri të tretem, asnjë çikë të mos mbetem’

Poezi nga Naim Frashëri

Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.

do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.

për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s’e duronj dot.

unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s’dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t’u ndrinj më mirë.

kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m’është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,

se ma k’ënda t’u bënj mirë,
të mos mbeti n’errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,

në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

dua ta djek trupn’ e kretë
për atë zotn’ e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,

bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin’ e urtësinë.

në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.

o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t’i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.

unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.

gjithë tuajt’ i kam parë,
mëm’ e at’ e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.

edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer’ e ndryshuar,

pa jam bërë shumë herë
zjar e uj’ e balt’ e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë

bënem qëngj e kec i pirë,
lul’ e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t’u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?/KultPlus.com

Euronews: Dhërmiu, xhevahiri i fshehur i Mesdheut

Evropa është e bekuar me milje të tëra të një vije të bukur bregdetare, por destinacionet e saj më të njohura të plazheve po zhyten nën presionin e mbiturizmit, shkruan Angela Symons për Euronews.

”Por, mos u dëshpëroni, pasi ka plot opsione të tjera për të shijuar një arratisje buzë detit, pa pasur nevojë të luftoni për një vend në plazh apo të përballeni me shikimin mosmiratues të vendasve”, shkruan ajo në një artikull kushtuar vendit tonë.

Jetoni Mesdheun me çmime të ulëta në Rivierën Shqiptare

Zbuloni bukurinë e fshehur të Shqipërisë, një destinacion ende i panjohur në skenën turistike europiane.

Vija bregdetare prej 450 kilometrash ofron peizazhe mahnitëse me plazhet e tyre me rërë të artë dhe pyjet me pisha.

Nëse jeni në kërkim të plazheve më të bukura, drejtohuni në Rivierën Shqiptare, e cila shtrihet nga Vlora në Ksamil. Nuk do të zhgënjeheni duke vizituar Dhërmiun, një nga plazhet më të gjata dhe më të njohura në Shqipëri. Edhe pse është e gjallë me bare, mund të tërhiqeni lehtësisht në një cep të qetë për të shijuar qetësinë e detit.

Nëse dëshironi të eksploroni më shumë, drejtohuni në jug për në Ksamil, ku do të shpërbleheni me ujëra të pastër kristal dhe tre ishuj të vegjël që janë afër. Kjo parajsë e vogël është e përkryer për udhëtarët që kërkojnë aventura.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është porta kryesore për në Shqipëri, që ndodhet vetëm dy orë me makinë nga Vlora. Ju gjithashtu mund të merrni një traget nga Korfuzi për në qytetin e Sarandës për një eksperiencë unike detare.

Duke vizituar Rivierën Shqiptare, do të zbuloni një vend tepër të bukur që ofron eksperienca të paharrueshme, të gjitha me një çmim të ulët.

Ejani dhe zbuloni këtë xhevahir të fshehur të Mesdheut!./ /ir.pu/KultPlus.com

Klubi Basketbollistik i Femrave ‘Bashkimi 1965’ fitues i Kupës së Kosovës

Klubi Basketbollistik i Femrave, ‘Bashkimi1965’, nga Prizreni janë shpallur kampione të edicionit 2022/2023 në basketboll në nivel vendi, shkruan KultPlus.

Vajzat e këtij klubi në finale janë përballur me Klubin Basketbollistik, KB Prishtina, prej ku edhe dolën fituese të Kupës së Kosovës./ KultPlus.com

44 asete nga lista e trashëgimisë kulturore në mbrojtjen e MKRS-së

44 asete nga lista e trashëgimisë kulturore do të mbrohen përmes programit për ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.

MKRS ka bërë të ditur se sot në mbledhjen e Qeverisë është pranuar kërkesa e tyre për rialokim të mjeteve financiare.

‘Përmirësimi i gjendjes fizike të aseteve të trashëgimisë kulturore në rrezik dhe rifunksionalizimi i tyre, mbetet ndër prioritetet tona kryesore’, thuhet në një njoftim të MKRS./KultPlus.com

Ktheva të të shoh

Poezi nga Rrahman Dedaj

Ktheva të të shoh
Që ta vras harrimin
Me një fjalë

Mos mëpyet
Ku isha njëind vjet

Jeta na qenka matematikë e thjeshtë
Asnjë e panjohur
Asnjë e njohur krejt
Asnjë plus
Asnjëminus
Baraz me zero

Desha të të shoh
Dhe ta kujtojmë
Tërë të pavdekurën

Tu shtrydhim fjalëve heshtjen E ti thërasim
Me emra të thjeshtë
Miqtë e vjetër

Krejt çka nuk plaku koha
Mbetet e vejë
Ujët që nuk e pimë
Nuk e pranoi burimi

Ma jep dorën
Dhe mos më pyet
Ku isha njëqind vjet
Se jeta na qenka
Matematikë e thjeshtë

Në të çdo gjë
është e kuptueshme
Si e vërteta-ose
Lotari e pakuptim
Që fsheh numrin e fatit. / KultPlus.com

Për herë të parë në botë, një anije kozmike private në Hënë

Kompania private japoneze e teknologjisë robotike “ispace”, është në rrugën e duhur për të ulur anijen e parë private kozmike në Hënë, këtë muaj.

“Pas gjashtë dekadash të eksplorimit të Hënës, anija kozmike “Hakuto-R lander” do të arrijë në destinacionin e saj më 25 prill”, njoftoi sot kompania.

“Gjithçka është gati. Mezi pres të përjetoj këtë ditë historike, që shënon fillimin e një epoke të re të misioneve komerciale hënore”, tha në një deklaratë Takeshi Hakamada, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i “ispace”.

Një raketë “Falcon 9” e kompanisë amerikane të anijeve kozmike “SpaceX” e themeluar në vitin 2002 nga Elon Musk, u ngrit në dhjetor nga Kepi Canaveral në Florida, duke i krijuar “Hakuto-R” mundësinë për t’u ulur në Hënë.

Nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, anija do te zbarkoje butësisht në një zonë të quajtur “Krateri Atlas” rreth orës 16:40 GMT, më 25 prill.

Nëse kushtet ndryshojnë, ka vende dhe data alternative të uljes, duke përfshirë 26 prill, 1 maj dhe 3 maj.

Për të mbajtur sa më pak karburant, anija do të ndjekë një rrugë më të gjatë dhe më efikase ndaj energjisë drejt Hënës, duke përdorur Tokën dhe gravitetin e diellit për rritjen e lëvizjes.

“Hakuto-R” arriti në orbitën hënore, muajin e kaluar.

Anija kozmike ka përmasat 2,3 x 2,6 metra dhe mund të mbajë një ngarkesë prej rreth 30 kilogramësh.

Ngarkesa përfshin një rover të vogël nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe një robot edhe më të vogël me dy rrota nga agjencia japoneze hapësinore “Jaxa” dhe kompania japoneze e lodrave “Tomy”./ KultPlus.com

A full-scale model of Ispace’s lunar lander and lunar rover HAKUTO-R. Photographer: Shiho Fukada/Bloomberg

Presidentja Osmani, u prit në takim nga kryetari i Rajonit të Kalabrisë, Occhiutto

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës në Kalabri, u takua me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, me të cilin bisedoi mbi shtrirjen e mëtejme të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Rajonit të Kalabrisë.

Presidentja theksoi se lidhjet mes vendit tonë dhe Rajonit të Kalabrisë janë të hershme dhe janë të mbështetura në trashëgiminë historike e kulturore. Komuniteti i arbëreshëve, i cili prej shekujsh jeton në disa rajone të Italisë, përfshirë Kalabrinë, përbën pjesë të rëndësishme të diversitetit etnik, gjuhësor e kulturor të Italisë dhe pjesë të rëndësishme të saj.

Presidentja theksoi se kujdesi ndaj të drejtave të bashkësive etnike kontribuon në mënyrë aktive edhe në zhvillimin ekonomik të Italisë. Ajo e falënderoi kryetarin Occhiuto për kujdesin ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar të arbëreshëve dhe theksoi se integrimi i plotë dhe kontributi i tyre në jetën socio-ekonomike, u japin marrëdhënieve një dimension tjetër dhe të veçantë. Ajo shpalosi shembullin e Kosovës për mbrojtjen e pakicave dhe theksoi se sa më shumë që përkrahet komuniteti arbëresh në ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor, aq më shumë do të kontribuojë ky komunitet edhe në zhvillimet e raporteve ndërmjet Italisë dhe hapësirave shqiptare.

“Jemi të bindur se mund të ndiqen politika aktive për respektimin e gjuhëve të pakicave, për të mbrojtur dhe përmirësuar gjuhën dhe trashëgimin kulturore të pakicave gjuhësore dhe historike të Kalabrisë, përfshirë bashkësinë arbëreshe. Përmirësimi i mëtejmë i politikave për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës e të traditave është e ndërlidhur me politikat e shkollimit në gjuhën e pakicave”, tha Presidentja Osmani.

Presidentja theksoi se në Rajonin e Kalabrisë është kultivuar tradicionalisht një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, përfshirë atë letrare, që gjendet në dokumente e revista shumë të rëndësishme për popullin shqiptar, të cilat duhen ruajtur dhe digjitalizuar, në mënyrë që të shpërndahen më lehtë tek të rinjtë dhe brezat e ardhshëm.

Presidentja dhe kryetari Occhiuto diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Italisë, përfshirë rajonin e Kalabrisë. Presidentja i ftoi ndërmarrjet, bizneset dhe investitorët italianë që të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë së vendit.

“Ne duhet t’i afrojmë edhe më tej operatorët tanë ekonomikë e turistikë, në mënyrë që të krijohen itinerare të përbashkëta turistike nga Kalabria për në Kosovë dhe anasjelltas”, tha Presidentja Osmani. Hapja e linjave të drejtpërdrejta të fluturimit mes aeroporteve tona e ndihmon turizmin e ndërsjellë dhe thellimit të lidhjeve me Kalabrinë dhe qytetarët e rajonit.

Po ashtu, në takim u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit në bujqësi, duke qenë se të dyja vendet kanë potencial të madh zhvillimi në këtë fushë.

Presidentja Osmani dhe kryetari Okiuto diskutuan edhe për përafrimin e mëtejmë i të të rinjve me kulturën e njëri-tjetrit dhe rritjen e komunikimit ndërmjet dy vendeve tona, sidomos të të rinjve tanë.

“Intensifikimi i bashkëpunimit të të rinjve tanë mund të arrihet më së miri nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve akademike, bursave të studimit dhe bashkëpunimit ndëruniversitar”, tha presidentja Osmani. / KultPlus.com



Rikthehet pas 32 viteve mungesë, Orkestra Simfonike në qytetin e Shkodrës

Shkodra dëshmon edhe njëherë tjetër se mbetet shtëpia e madhe e artit dhe kulturës shqiptare.

Pas 32 viteve mungesë Shkodrës iu rikthye Orkestra Simfonike. Një moment që do të mbahet mend gjatë.

E nuk kishte si të ndodhte ndryshe, por kryeveprat e kompozitorëve të këtij qyteti si: Çesk Zadeja, Prenkë Jakova, Tish Daija, Pjetër Gaci, Palokë Kurti, Tonin Harapi, At Martin Gjoka, etj., u rikthyen me krijimtarinë që na kanë lënë si trashëgimi.

Formacioni prej 51 instrumentistësh u shoqërua nga vokalet e emrave të njohur si: Marjana Leka, Adelina Paloja, Armando Likaj apo instrumentistëve: Lorenc Radovani, Amir Xhakoviq, Odesa Meti etj.

Alberta Kaçaj, soprano: “Kam qenë pjesë në festivalin e fëmijëve kur me ka dirigjuar i madhi Prenkë Jakova. Edhe sot kthehem mbas 55 vitesh”.

Armando Likaj, bariton: “E meriton Shkodra këtë, ndoshta e ka merituar prej kohësh, por nuk prish punë dhe kështu. Shyqyr që u bë, mblodhëm forcat me njëri-tjetrin, pasi në bashkëpunim arrihet çdo gjë”.  

Adelina Paloja, soprano: “Ky është një moment historik jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë kombin shqiptar. Sepse vetë shkolla dhe zanafilla ku kanë filluar mësimet e para në instrumentin e pianos fillimisht quhet “Prenk Jakova”.

Jetmir Barbullushi, dirigjent: “Ne jemi një qytet me një traditë të jashtëzakonshme muzikore. Dhe aq më tepër, që në këtë sallë kisha vite pa e ndjerë”.

Zhani Ciko, Mjeshtër i Madh: “Ky është një triumf i Shkodrës kulturore, i Shkodrës muzikore dhe që është qendra më e rëndësishme e traditave shqiptare”.

Formimi i Orkestrës Simfonike të Shkodrës nën kujdesin e kryebashkiakut Bardh Spahia, plotëson në këtë mënyrë Filarmoninë e qytetit ndërsa koncerti i saj i radhës do të jetë muajin e ardhshëm. / oranews / KultPlus.com

‘Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë’

Poezi nga Anton Zako Çajupi

Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë
Lotët që kam derdhur, s’më janë dhe tharë
Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjete
Që kur më ke lënë dhe s’të shoh ne jete!

Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë?
S’të vjen keq për mua?S’të vjen mallë për djalë ?
O ëngjëll I bukur mos meno në botë
Kthehu të të shomë të na mbeten lotë

S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve?
Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve
Atje tek rri janë qipariz’ e varre
Kthehu të të shomë mos na lër përfare

Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë
Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë
E ke lenë foshnje tani u bë burrë
S’arrite ta rritje s’të ka parë kurrë

Për ty shumë herë çoç do të më thotë
Por s’mund ti përgjigjem se më mbytin lotë
Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë
Duke psherëtitur te zot’ I vërtetë

O zot I vërtetë s’të erdhi keq për djalë
Kur i more mëmën dhe më le të gjallë
Të më keshe marrë do të qe më mirë
Dhe të rronte mëma të rriste të birë
Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë
Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë
Doje dritë o qiell more dritën time
dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime
Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj
Se dhe perëndinë tani s’e besoj.

S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve?
Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve
Atje tek rri janë qipariz’ e varre
Kthehu të të shomë mos na lër përfare. /KultPlus.com