Keanu Reeves dhe Jonah Hill në një film bashkë

Aktorët e famshëm hollivudianë, Keanu Reeves dhe Jonah Hill, do të luajnë në një film të quajtur Outcome.

Filmi i ri nga Apple Studios për autorë të skenarit ka pikërisht Hillin dhe Ezra Woodsin, teksa ky i pari njëherësh do ta bëjë edhe regjinë.

Outcome është përshkruar si një tregim i errët hollivudian sipas The Hollywood Reporter.

Reef, luajtur nga Reevesi, është një aktor i trazuar hollivudian i cili duhet të përballet me të kaluarën e tij në momentin që kalon nëpër një krizë në karrierën e tij.

Seneka: Zjarri është prova e floririt, vështirësitë janë prova e njerëzve të fortë

Seneka (Lucius Annaeus Seneka), i quajtur zakonisht Seneka Filozofi, është një nga personalitetet më komplekse dhe më interesante të lashtësisë.

Jeta e tij qe e jashtëzakonshme për nga ngjarjet dhe personazhet që e shoqëruan, për nga shtrirja dhe larmia e veprimtarisë mendore që ai zhvilloi, për nga armiqësia e dhunshme që e ndoqi gjatë gjithë jetës me një forcë të papërfytyrueshme. Seneka qe një mendimtar, që guxoi i pari të lidhte filozofinë me politikën, gjë kjo që përbën një nga ndihmesat e tij më të thella në mendimin modern.

Në vijim, do të mund të njiheni me 23 nga thëniet më të mençura të Senekës, të cilat mbeten aktuale dhe duket se do të mbeten gjithnjë kështu..

1. Tragjedia në jetë nuk është të mos arrish objektivin. Tragjedia është të mos kesh një objektiv për të arritur.

2. Gjithçka që ti dëshiron, ndodhet në anën tjetër të murit të frikës.

3. Sa më shumë flet për gjëra negative në jetën tënde, aq më shumë i afron ato. Fol për fitore, jo për humbje.

4. Zjarri është prova e floririt. Vështirësitë janë prova e njerëzve të fortë.

5. Një prej cilësive më të bukura të miqësisë së vërtetë është të kuptosh dhe të të kuptojnë.

6. Eshtë rrugë e vështirë ajo, që të shpie në lartësitë e madhështisë.

7. Lumturia e vërtetë është… të shijosh të tashmen, pa varësinë plot ankth prej të nesërmes.

8. Asnjë njeri nuk ka qenë ndonjëherë rastësisht i mençur.

9. Shpata nuk vret asnjëherë askënd; ajo është një mjet në duart e vrasësit.

10. Nëse nuk e di në cilin port po shkon, atëherë asnjë erë nuk është e favorshme.

11. Për babëzinë, e gjithë natyra është shumë pak.

12. E gjithë mizoria buron prej dobësië.

13. Sa më pak e meritojmë fatin e mirë, aq më shumë shpresojmë për të.

14. Ne jemi më shpesh të trembur, se sa të lënduar; dhe ne vuajmë më shumë nga imagjinata, se sa nga realiteti.

15. Nuk është se, për shkak se gjërat janë të vështira, ne nuk guxojmë; është për shkak se ne nuk guxojmë, që gjërat janë të vështira.

16. I shkon më shumë një burri që të qeshë me jetën, se sa të qahet prej saj.

17. Zemërimi është si ato rrënojat që shemben dhe përplasen me gjithçka që gjejnë poshtë.

18. Ne shpesh herë duam një gjë dhe lutemi për një tjetër, duke mos ua thënë të vërtetën as Perëndive.

19. Dita të cilës i trembemi si dita jonë e fundit, është në fakt lindja e përjetësisë.

20. Nuk ka asgjë në botë që të admirohet aq shumë, sa një burrë që di si të përballojë palumturinë me kurajë.

21. Për shumë njerëz, rritja e pasurisë nuk u jep fund telasheve të tyre, vetëm sa ua ndryshon.

22. Vdekja është dëshira e disave, çlirimi i të shumtëve, dhe fundi i të gjithëve.

23. Edhe pas një të korre të keqe, duhet të ketë sërish mbjellje. /shkollaejetes/KultPlus.com

Vdes mjeshtri arbëresh i violonçelit, Valter Deshpali

Të dielën e 9 prillit, në moshën 76-vjeçare, ka vdekur mjeshtri i violonçelit dhe profesori i Akademisë së Muzikës në Zagreb, Valter Deshpali.

Lajmin e bëri publik portali i Shoqatës së Kompozitorëve Kroatë, “glazba.hr”.

I lindur më 5 nëntor të vitit 1947 në Zarë të Kroacisë, nga prindër arbëreshë, ai rridhte nga një familje muzikore. Së bashku me të atin Shime, muzikantë u bënë edhe motra e tij Maja dhe vëllai Pavle, transmeton Klankosova.tv.

Valter Deshpali u diplomua në Shkollën “Juilliard” në Nju Jork, në klasën e Leonard Rose, dhe më pas studioi në Konservatorin e Moskës në klasën e Galina Kozolupovës dhe me Pablo Casals, Pierre Fournier dhe Andre Navarre.

Si violonçelist, Deshpali kishte arritur që të bëhej emër i përmasave përtej Evropës. Njëherësh ishte edhe pedagog i violonçelit në Akademinë e Muzikës në Zagreb.

Karriera e tij e gjerë ndërkombëtare si solist e ka çuar atë në audiencë pothuajse në të gjitha vendet evropiane dhe, ndër të tjera, në SHBA, Kanada, Australi, Kinë, Indi dhe Iran. Ai performoi në sallat më të famshme dhe prestigjioze të koncerteve si Carnegie Hall në Nju Jork, Kennedy Center në Uashington, Shtëpia e Operës së Sidneit, Royal Festival Hall në Londër, Concertgebouw në Amsterdam, Salla e Madhe e Konservatorit të Moskës, Salla e Filarmonisë në Shën Petersburg.

Për kompanitë diskografike në Kroaci, Gjermani, SHBA dhe Rusi, ai regjistroi një numër publikimesh diskografike që dëshmojnë për përsosmërinë e interpretimit, duke reflektuar mendimet dhe të kuptuarit e tij për muzikën, si dhe muzikantin e shkëlqyer.

Ai themeloi dhe drejtoi festivalin e artistëve të rinj “STRINGS ONLY” në Zarë, dhe klasën master “Cello Focus” në Pollauberg (Austri). Në vitin 1996, ai themeloi një shkollë muzikore për të rinjtë e talentuar në Zagreb.

Ai është fitues i disa çmimeve dhe mirënjohjeve.

Ministrja e Kulturës dhe Medias e Kroacisë, Nina Obuljen Korzhinek, i dërgoi të hënën ngushëllimet familjes me rastin e ndarjes nga jeta të një prej muzikantëve më të mirë arbëreshë me famë botërore, violonçelistit Valter Deshpali, duke theksuar se trashëgimia e tij në kulturën kroate është e paçmuar.

“Të pikëlluar thellësisht nga lajmi për ndarjen nga jeta të zotit Valter Deshpali, e kujtojmë me krenari talentin e tij madhështor muzikor, virtuozitetin e violonçelit me të cilin ai pushtoi skenat në mbarë botën. Ai ishte një nga të paktët, nëse jo i vetmi, i diplomuar në akademitë amerikane dhe ruse në mes të periudhës së Luftës së Ftohtë – në prestigjiozen ‘Juilliard’ në Nju Jork dhe te Konservatori ‘Tchaikovsky’ i Moskës”, theksoi ministrja në letrën e ngushëllimit në emër të Qeverisë së Republikës së Kroacisë. /Klankosova.tv/KultPlus.com

‘Ra si yll po su shua’

Poezi për Princeshën Argjiro, nga Ismail Kadare:

Vështroi princesha krenare,
Në ç’do kullë e ç’do kamare,
Si të fundit roje ranë,
Ç’do pëllëmbe me gjak e lanë.

Dhe e vetme ajo mbeti,
Përmbi kullë porsi deti,
Që i hedh dallgët në rërë,
Turqit u vërsulën të tërë,

Që ta zënë yllin të gjallë,
Po a zihet ylli vallë?
Ja Argjiroja e shpejtë,
Tok me foshnjëzën e vet,

U vërtit si zog në erë,
Nga kalaja në humnerë.
Shkëmb më shkëmb seç u copëtua,
Ra si ylli po su shua,

Dhe kujtoi ky shkëmb i bardhë,
Se fëmija saj mbet gjallë,
Dhe që foshnjen ta mekojë,
Qumësht zuri të pikojë./KultPlus.com

176 vite nga lindja e gazetarit dhe politikanit hungaroamerikan, Joseph Pulitzer

Joseph Pulitzer ishte një gazetar, editor dhe politikan hungaroamerikan.

Lindur në Makó, në Hungari, dhe emigruar në Shtetet e Bashkuara, Pulitzer u bë një reporter dhe editor i famshëm. Një shpërblim i tij, Pulitzer, më i rëndësishmi në fushën e gazetarisë, që u caktua për herë të parë në vitin 1917, sipas dëshirës së lënë nga gazetari i ndarë nga jeta pak vite më parë.

Pulitzer emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 1864, gjatë luftës së secessionit amerikan. Pas përfundimit të konfliktit u vendos në St. Louis, në Missouri, filloi të punojë për një gazetë në gjuhën gjermane, Westliche Post, më 1868.

Në zgjedhjet parlamentare në Missouri, më 1869, Partia Republikane e paraqitën si kandidat të saj në një kolegj që demokratët e konsideronin të blinduar. Befas ai u zgjodh duke mundur kandidatin demokrat. Vazhdoi një periudhë të shkurtër me republikanët për të kaluar tek Partia Demokratike, deputet i së ciës u bë më 1885.

Më 1872, Pulitzer bleu The Post për 3.000 dollarë. Pastaj, në vitin 1878, bleu edhe St. Louis Dispatch për 2.700 dollarë, si dhe dy gazeta, të cilat e shndërruan The St. Louis Post-Dispatch, e cila mbetet ende sot e përditshmja kryesore e qytetit.

Në vitin 1883, Pulitzer bleu edhe The New York World (një gazetë që po qëndronte me humbje prej rreth 40.000 dollarë në vit) për 346.000 dollarë nga Jay Gould. Pulitzer e ktheu vëmendjen tek lajmet me interes njerëzor, skandalet dhe sensazionalizmi. Pulitzer ishte bërë një urë ndërmjet shoqërisë amerikane dhe emigrantëve që e popullonin Nju Jorkun në vitet e fundit të shekullit XIX. Në brendësi të gazetës së tij vendosi rubrika të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite në gjithë shtypin botëror, përfshiu reklama tregtare. Emigrantët e shohin gazetën e Pulitzerit si një pikëtakim ku ata grumbullohen në një vend që nuk ishte (ende) i tyre. Në vitin 1885, një vit më vonë, kur do të zgjidhej në Dhomën e Përfaqësuesve, punësoi Richard F. Outcaultin për të sjellë ilustrime bazuar në jetën e përditshme në rrethinat më të varfëra; kështu gazeta arriti në 600.000 kopje – kundrejt 15.000 sa ishte kur e bleu gazetën – duke e bërë The New York World të parën të përditshme të Shteteve të Bashkuara. Atë vit u bë protagonist i mbledhjes së fondeve për ndërtimin e bazamentit për Statujën e Lirisë, i cili u përurua më 26 tetor 1886. Falë kësaj iniciative u grumbulluan 100.000 dollarë.

Në vitin 1887, filloi të punojë në The New York World gazetarja  Elizabeth Cochran, e cila do të bëhej e famshme me pseudonimin Nellie Bly, së cilës Pulitzer ia beson disa hetime të bëra më vonë të famshme si, si keqtrajtimet ndaj pacienteve femra në spitalin psikiatrik të qytetit me titull “Ten Days in a Mad-House” ( “Dhjetë Ditë në një shtëpi të çmendur “). Ky hetim pati jeohnë tejet të madhe në publik dhe i deturoi autoritetet të marrin masa të posaçme.

Më 1888 Pulitzer kishte idenë e realizimit të asaj që shkrimtari francez Jules Verne kishte imagjinuar në një nga librat më të famshëm të tij, Udhëtim rrotull botës për 80 ditë. Pulitzer ia ngarkoi këtë mision gazetares Nellie Bly dhe ajo e sfidoi duke realizuar udhëtimin në më pak se 80 ditë. Më 14 nëntor 1889 ajo u nis nga Hoboken, në Nju Xhersi, për udhëtimin e saj prej 40 000 kilometrash. Më 25 janar 1890 Nellie arriti në New York, pas shtatëdhjetë ditësh, një rekord absolut (edhe pse u përmirësua pak muaj pas nga George Francis Train, i cili përfundoi udhëtimin në 60 ditë). Ditari i saj Around the World in Seventy-two Days (Rrotull botës në shtatëdhjetë e dy ditë) ishte një sukses i madh.

Po më 1890, botuesi i revistës “New York Sun”, e sulmoi Pulitzerin në gazetën e tij, duke e definuar “hebreu që ka braktisur fenë e tij” (babai i Pulitzerit ishte hebre, nëna katolike, ndërsa gruaja, Kate Davis, ungjillore). Ky veprim, që kishte për qëllim t’ia largonte Pulitzerit lexuesit e besimit të krishterë, e përkeqësoi shëndetin e gazetarit, tashmë jo në gjendje të mirë, dhe e detyroi atë të largohet nga drejtimi i gazetës, duke mbajtur, megjithatë, kontrollin financiar.

Në vitin 1895, William Randolph Hearst bleu The New York Jurnal, duke filluar një betejë gazetareske kundër The New York World të Pulitzerit. Kjo garë me Hearstin, sidomos para dhe pas Luftës Spanjollo-Amerikane, e lidhi emrin e Pulitzerit me gazetarinë e karakterizuar nga sensacionizmi apo spekulimet skandaloze.

Më 1896, The New York World inauguroi një shtojcë me ngjyra, një inovacion absolut për atë kohë. The New York World denoncoi një skandal që përfshinte një pagesë mashtruese prej 40 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara në kompaninë franceze të French Panama Canal Company në vitin 1909, dhe Pulitzer u hodh në gjyq nga Theodore Roosevelt dhe John Pierpont Morgan. Gjykata hodhi poshtë akuzat duke vendosur një fitore të rëndësishme për lirinë e shtypit.

Më 1892, Pulitzer i propozoi presidentit të Universitetit të Kolumbias, Seth Low, të krijonte një shkollë të gazetarisë dhe ofroi veten si huadhënës i kursit. Do të ishte shkolla e parë e gazetarisë në botë. Universiteti fillimisht nuk pranoi propozimin dhe paratë, por në vitin 1902 presidenti i ri i Universitetit, Nicholas Murray Butler, pranoi kërkesën. Por projekti u realizua vetëm pas vdekjes së Pulitzerit, i cili nuk mund të admirojnë ëndrrën e tij të realizuar. Me vullnetin e tij, Pulitzer dhuroi 2 milionë dollarë në universitet, gjë që çoi në krijimin e Shkollës së Studimeve të Avancuara të Gazetarisë në vitin 1912; megjithatë, nuk ishte shkolla e parë e gazetarisë në botë, pasi u parapri nga Universiteti i Misurit.

Më 1917 u dha Çmimi i parë Pulitzer, në përputhje me dëshirat e Pulitzerit; shkolla e gazetarisë që ai donte mbetet më prestigjiozja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sot. Joseph Pulitzer vdiq ndërsa ishte në bordin e jahtit të tij në portin e Charleston, Karolina e Jugut, në vitin 1911.

Ai është varrosur në Varrezat e Woodlawn në Nju Jork (në rrethin e Bronksit). / KultPlus.com

Kroçera me 138 turistë për herë të parë në Vlorë

Zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello ka pritur turistët nga vende të ndryshme të botës të ardhur me kroçerën që ka mbërritur për herë të parë në Vlorë.

Kroçera me 138 persona në bord ka mbërritur për herë të parë në Vlorë dhe vjen nga Korfuzi. Turistët që ndodhen në brendësi të saj janë nga SHBA, Kanadaja, Australia, Irlanda, Qiproja, Zvicra, Hungaria, Ruanda, Norvegjia, Italia, Kina.

Qyteti i Vlorës mbetet një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.

Mbërritja e kroçerave është pjesë e axhendës së Mesdheut, ku qyteti i Vlorës tashmë zë një vend të veçantë. Mjaft agjenci turistike janë përfshirë në këtë drejtim, ndërkohë që numri i tyre pritet të rritet më tej./atsh/KultPlus.com

Shtëpia e komedianit britanik do të bëhet Ambasadë e Kosovës në Londër

Kosova po e zhvendos ambasadën e saj në Londër në një rezidencë prej 7.412 milionë eurosh (6.5 milionë funte) në Hyde Park, dikur në pronësi të komedianit Spike Milligan.

Prona e artit dhe artizanatit në Bayswater është blerë nga Kosova pas një marrëveshjeje të rënë dakord nga ambasadori i vendit tonë atje, Ilir Kapiti. Ambasada e Kosovës aktualisht ndodhet në rrugën “John Street” në Holborn, raporton “The Telegraph”.

Milligan dhe shoku i tij skenarist Eric Sykes blenë pronën prej mbi 529 metrash katrorë në vitin 1962, duke e bërë atë selinë e kooperativës së tyre të komedisë “Associated London Scripts”.

Skenaristit të “Doctor Who”, Terry Nation, i lindi ideja për “Daleks” ndërsa punonte në katin e dytë të ndërtesës dhe e njëjta u përdor edhe nga Dennis Spooner për të shkruar skenarë për seritë “Thunderbirds” dhe “Stingray”.

Milligan – bashkë-krijuesi i “The Goon Show” dhe autori i “Adolf Hitler: My Part in his Downfall” – ia shiti hisen e tij të rezidencës në fillim të viteve 1970 tek Sykes, i cili vazhdoi të punonte në zyrën e tij të katit të parë deri shumë pak kohë para vdekjes së tij në vitin 2012. Më pas prona i kaloi familjes Sykes.

Rezidenca, e cila është ndërtuar në vitet 1890, ka një sërë dhomash të mëdha në katin e parë dhe të parë, tavane të larta dhe dritare të larta dhe ndodhet në një nga zonat më të kërkuara të ambasadave.

Stafi i ambasadës së Kosovës synon të zhvendoset në ndërtesë pasi të përfundojë puna e rinovimit.

Marrëveshja u organizua nga “Beauchamp Estates”.

Gary Hersham, drejtor themelues i “Beauchamp Estates”, tha: “Kjo shtëpi e madhe në qytet ka një histori të gjatë të përdorimit për zyra dhe për banim, duke e bërë transformimin e saj në një ambasadë një hap logjik”.

“Hapësira e bollshme e brendshme dhe vendndodhja në qendër, në pragun e Hyde Park dhe vetëm një udhëtim të shkurtër deri në Buckingham Place, e bëjnë atë një vend të përsosur për një mision diplomatik”, deklaroi Hersham për “The Telegraph”.

Ambasada e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës për koment. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëton drejt Kalabrisë për t’i vizituar arbëreshët e Italisë

Presidentja së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Kalabri të Italisë, me ftesë të komunitetit të arbëreshëve të këtij rajoni.

Në një njoftim të presidencës thuhet se në një ceremoni të veçantë, e cila do të organizohet në komunën e Frasnitës, Presidentes do t’i ndahet çmimi “Gjergj Kastrioti”.

Gjatë qëndrimit në Kalabri, Osmani do të ketë takime të ndara me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshë të këtij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit të vendit tonë me komunat arbëreshe të këtij rajonit.

Presidentja Osmani do të ketë edhe një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Kalabrisë.

“Në të gjitha këto takime, Presidentja do ta shtrojë mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me komunat e Kalabrisë, në të cilat jetojnë arbëreshët, si dhe mundësitë që institucionet e Kosovës t’i ndihmojë ata për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor. Mbledhja e traditës gojore arbëreshe, si dhe regjistrimi i pasurisë gjuhësore, si pjesë e ruajtjes së identitetit të tyre, do të jenë në qendër të vëmendjes së vizitës së Presidentes Osmani”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Presidentja Osmani do të marrë pjesë në  aktivitete të shumta të cilat e kanë në fokus traditën, ritet e kulturën arbëreshe./KultPlus.com

Tasi kinez ‘shumë i rëndësishëm’ shitet 25 milionë dollarë në ankand

Një tas delikat prej porcelani, me diametër nën 4,5 inç, u shit për më shumë se 25 milionë dollarë gjatë një jave të parakohshme të shitjeve të artit kinez në Hong Kong.

E përshkruar nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s si “shumë e rëndësishme”, antika vjen nga një grup i rrallë qeramikash të dekoruara në punëtoritë perandorake të Pekinit në shekullin e 18-të.

Tasi u prodhua gjatë kohës së perandorit Yongzheng, i cili sundoi Kinën nga viti 1722 deri në 1735 (megjithëse smalti ka të ngjarë të jetë pikturuar menjëherë pas vdekjes së tij). Është pjesë e një tradite të njohur si “falangcai”, ose “ngjyra të huaja”, një emër që i është dhënë porcelanit me origjinë nga furrat perandorake të Jingdezhen, por të emaluar nga artizanët në Qytetin e Ndaluar të Pekinit.

Duke marrë 198.2 milionë dollarë Hong Kong (25.3 milionë dollarë) të shtunën, tasi përshkruan dy dallëndyshe, një pemë kajsie të lulëzuar dhe një shelg. Dizajni përmban gjithashtu një fragment nga një poezi që mendohet se është porositur nga paraardhësi i dinastisë Ming të Yongzheng, perandori Wanli.

Në katalogun e ankandit, ekspertja e qeramikës Regina Krahl tha se motivet me zogj dhe lule ishin të njohura në periudhën Yongzheng. Ajo gjithashtu e përshkroi tasin si mes një grupi të vogël artikujsh që përfaqësonin “kulmin e pikturës në porcelan, një art që nuk u tejkalua kurrë”.

“Pjesë të pikturuara me motive të rralla dhe të rafinuara të natyrës siç shihen këtu, “të mbështjella” rreth enës si një rrotull dore të shpalosur, u bënë në Pekin vetëm për një periudhë shumë të shkurtër,” shkroi ajo, duke shtuar se shumica e shembujve të mbetur tani mbahen. në Muzeun e Pallatit në Tajvan.

Dikur pjesë e një çifti, artikulli u regjistrua për herë të parë në një koleksion të mbledhur nga tregtari i anijeve me bazë në Shangai, kapiteni Charles Oswald Liddell në fund të shekullit të 19-të. Të dy kupat u ndanë në vitin 1929, kur secila u shit për 150 £ (që shkon në pak më shumë se 7,600 £, ose 9,400 dollarë, në paratë e sotme). “Binjaku” i tasit mbahet tani në Muzeun Britanik në Londër, tha Sotheby’s.

Ai i shitur të shtunën ndërkohë kaloi duart disa herë gjatë dekadave, me pronarë të mëparshëm duke përfshirë socialisten amerikane Barbara Hutton. Ajo u ble së fundi nga biznesmenja dhe koleksionistja Alice Cheng, e cila e bleu atë për një rekord prej 151.32 milionë dollarë në Hong Kong (19.3 milionë) në vitin 2006.

Pjesa ishte ndër lotet më të spikatura në serinë pranverore të Sotheby’s Hong Kong, një varg shitjesh të profilit të lartë që shënuan 50 vjet që kur shtëpia e ankandeve filloi të funksiononte në Azi. Ankande të tjera përfshinin orë, çanta dhe verëra të cilësisë së mirë, ndërsa shitjet e ndryshme të artit kinez arritën në një total prej 1.64 miliardë dollarë Hong Kong (208.5 milionë dollarë).

Artikujt historikë në shitje përfshinin vazo, statuja dhe thesare perandorake duke filluar nga një vulë nefriti deri te një grup unazash harkëtarësh.

Ndër shitësit më të mëdhenj ishte një anije blu dhe e bardhë, e njohur si një vezë, e cila u shit për 107.5 milionë dollarë Hong Kong (13.7 milionë dollarë). Që daton nga dinastia Ming, antika prej porcelani u prodhua për përdorim personal të Perandorit Yongle.

Diku tjetër, pikturat dhe veprat e kaligrafisë tërhoqën gjithashtu oferta shumë milionëshe. Të mërkurën, një pikturë e vitit 1973 nga piktori me origjinë kineze Zhang Daqian, “Lotuset rozë në ekranin e artë”, arriti në 251.6 milionë dollarë Hong Kong (32 milionë dollarë). Megjithëse nuk është një emër i njohur në Perëndim, Zhang – i cili shpesh njihet si “Picasso i Lindjes” – është vazhdimisht ndër artistët më të mirë të tregut të artit.

Në një deklaratë, kryetari i Sotheby’s Asia, Nicolas Chow i përshkroi rezultatet e javës si “të jashtëzakonshme”, duke shtuar se arti kinez mbetet “në ballë të biznesit tonë”./cnn/KultPlus.com

‘Kosovarja e Bukur’ nga Nexhmije Pagarusha

Nexhmije Pagarusha cilësohet si mbretëresha e muzikës shqipe, shkruan KultPlus.

Përgjatë veprimtarisë 40 vjeçare, Pagarusha në repertuarin e saj ka arritur t’i regjistroj mbi 150 këngë, nga të cilat “Baresha’’ është kënga me të cilën ajo mori epitetin mbretëreshë e muzikës shqiptare.

Kult Plus ju sjellë tekstin dhe këngën “Kosovarja e Bukur”:

Si shkelqimi i hanes
Fytyra e saj ndriçon
Kosovarja e bukur
Djeg e pervelon

Ref…x2
Ti moj bukuroshe
Falma dashurine
Trashegim prej te pareve
E ke dhe bujarine

Vasha kosovare
Plot gezim lumni
Knaqet tuj punue
Ne katundin e ri

Ref…x2
Ti moj bukuroshe
Falma dashurine
Trashegim prej te pareve
E ke dhe bujarine

Me kreshni bujare
Buza ne gaz i shkon
Emri i saj i bukur
Dite per dite lulezon

Ref…x2
Ti moj bukuroshe
Falma dashurine
Trashegim prej te pareve
E ke dhe bujarine/KultPlus.com

Imazhe nga koncerti madhështor “Quattro pezzi sacri”

“Quattro pezzi sacri”, ishte një peformancë e cila mori duartrokitje të zjarrta nga publiku, shkruan KultPlus.

Këtë mbrëmje e bënë të veqantë performanca mes Orkestrës Simfonike dhe Korit të TKOB-së, pjesëmarrjes së veçantë të Korit të Filharmonisë së Kosovës, potenciali rinor i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura dhe Konservatorit Shtetërot të Salernos.

Kult Plus ju sjell imazhe nga ky koncert i mahnitshëm:

‘Turtulleshë, turtulleshë…ç’ma ke çu’ shpirtin peshë’, nga Marie Kraja

Marie Kraja është një ndër këngëtaret e para shqiptare, e cila ka perfomuar qysh me themelimin e Teatrit, Operas dhe Baletit në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Studimet e larta për kanto, ajo i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, gjatë viteve 1930-1934.

Mbas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri, ajo punoi në disa institucione si këngëtare, ku më pas me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para, së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaç Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj,

Ajo interpretoi disa nga rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit” si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.

Përpos roleve operistike, Krajaka të regjistruara në repertuarin e saj ka mbi 300 këngë popullore.

Më poshtë gjeni tekstin dhe këngën Tortulleshë nga Marie Kraja:

Dridhet rrezja nëpër valë
Ushton kanga der’ n’kala-e.
Këndon djali ndezun flake-e
Shpejt del vasha n’derë me e pa-e.

Ref.:
Turtulleshë, turtulleshë
Ç’ma ke çu’ shpirtin peshë!

Pasha sytë e ballit-o
Aman fort m’u dogj zemra prej mallit!
Qitma synin gjeraqinë!
Ta shof synin tand si yll.
Folma fjalën gjeraqinë!
Ndëgjoj nji za bylbyl në pyll.

Ref.:
Turtulleshë,…
Ka shumë kohë që s’jena pa
Fjalë as letër s’më ke çue.
Sytë e mi janë mbushë me vaj
I randë malli m’ka kaplue.

Ref.:
Turtulleshë,…
Dridhet rrezja nëpër valë
Ushton kanga der’ n’kala.
Tretet zani dalngadalë
Hija e vashës s’shihet ma.

Ref.:
Turtulleshë,…/KultPlus.com

Vdes aktori Michael Lerner

Aktori amerikan, Michael Lerner, ka vdekur në moshën 81-vjeare.

Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur nipi i vet, aktori Sam Lerner, në Instagram.

“Humbëm një legjendë natën e kaluar. Është e vështirë ta them me fjalë se sa briliant ishte xhaxhai im, dhe se sa ndikim kishte te unë”, ka shkruar Lerner në Instagram.

Lerneri njihej më shumë për rolin e tij si Jack Lipnick në filmin klasik të vëllezërve Cohen, Baron Fink, duke u nominuar për  Oskar për aktorin më të mirë në rol dytësor./klankosova/KultPlus.com

‘O moj Shqypni, e mjera Shqypni…’

Poezi nga Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush të ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com

Filmi më i ri i animuar i Super Marios thyen rekorde në arkën filmike të Hollywood-it

Filmi i ri “Super Mario Bros” ka thyer rekorde në arkën filmike, duke shënuar kështu hapjen më të suksesshme globale të të gjitha kohërave për një film të animuar.

Filmi familjar, versioni i dytë i lojës hit Nintendo, mori 377 milionë dollarë në mbarë botën në pesë ditët e para të publikimit.

Kjo e kaloi rekordin e mëparshëm prej 358 milionë dollarë të mbajtur nga Frozen 2 në Hollywood.

“Shifrat janë sensacionale,” tha analisti David A Gross, i cili shtoi se “Super Mario Bros” do të jetë filmi numër 1 i animuar për vitin 2023, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Parku Kombëtar i Apolonisë gjendet edhe në “Google Arts & Culture”

Parku Kombëtar Arkeologjik i Apolonisë gjendet tashmë edhe në “Google Arts & Culture”, platforma më e madhe në internet dedikuar artit dhe kulturës nga e gjithë bota.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale.

“Parku Kombëtar Arkeologjik i Apolonisë, një nga më të bukurit dhe të pasurit në vendin tonë, tanimë gjendet edhe në Google Arts & Culture nëpërmjet projektit të përbashkët “Roman Emperors and Danube Wine Route”, tha Margariti.

Parku arkeologjik i Apolonisë, i shpallur monument kulture nga viti 1948, është një nga parqet më të frekuentuara nga turistët e huaj dhe ata shqiptarë, si një ndër atraksionet turistike më të vizituara në vendin tonë.

Që prej 2006, qyteti antik i Apolonisë dhe zona përreth janë shpallur Park Arkeologjik Kombëtar./ atsh / KultPlus.com

Franz Kafka: Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato!

Franz Kafka (3 korrik 1883 – 3 qershor 1924) ishte shkrimtar hebre nga Bohemia. Shkruante në gjuhën gjermane, ndërsa njihet më shumë për tregimet e shkurta. Kafka vlerësohet si një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX.

KultPlus sot ju sjell disa nga theniet m ëtë mira të Kafkës:

Shenja e parë e fillimit të kuptimit është dëshira për të vdekur.

Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.

Një shkallë që nuk konsumohet nga hapat e njerëzve, nisur nga pikëpamja e saj, është vetëm diçka e rëndomtë prej druri.

Gjithmonë fillimisht merrte frymë thellë pasi çlirohej nga kotësia dhe vetëkënaqësia.

Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por, me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.

Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.

Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.

Atlasit i ishte lejuar opinioni se ai ishte i lirë, nëse donte, ta kapte Tokën dhe ta hidhte tutje; por ky opinion ishte e vetmja gjë që i ishte lejuar.

Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.

Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.

Duke ia imponuar një përgjegjësi tepër të madhe, për më tepër, të gjithë përgjegjësinë, vetvetes, ti e rrënon vetveten.

Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.

Mos u dëshpëro, madje as nga fakti se ti nuk dëshpërohesh.

Çdo revolucion avullon dhe lë prapa vetëm lëmashkun e një burokracie të re.

E ligë është çdo gjë dëfryese.

Nga një pikë e caktuar e lëvizjes përpara nuk ka më kthim prapa. Kjo është pika e cila duhet arritur.

Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato.

Ai që kërkon nuk gjen, por ai që nuk kërkon do të gjendet.

Qielli është memec, ai i bën jehonë vetëm memecërisë.

Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?

Unë nuk i lexoj reklamat. Sepse do ta harxhoja gjithë kohën duke kërkuar gjëra.

Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.

Dembelia është fillimi i të gjitha veseve, kurora e të gjitha virtyteve.

Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?

Në njëfarë kuptimi e mira është e parehatshme.

Në luftën midis teje dhe botës, përkrahe botën.

Në teori ka një mundësi të lumturisë së përkryer: Të besosh në elementin e pashkatërrueshëm brenda dikujt dhe të mos përplasesh me të.

Është e rehatshme të mendosh se shpërpjesëtimi i gjërave në botë duket se është vetëm aritmetik.

Është shpesh më e sigurt të jesh në zinxhirë se të jesh i lirë.

Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.

Lejomë ta kujtoj fjalën e moçme: njerëzit e dyshuar janë më normalë se të tjerët, gjersa ata rrinë në baraspeshë pa e ditur këtë gjë, duke qenë të peshuar bashkë me mëkatet e tyre.

“Frika” ime është thelbi im, dhe ndoshta pjesa ime më e mirë.

Parimi im prijës është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.

Ende pa i thënë gjërat, i bën – kështu vepron njeriu me vlera.

Askush nuk mund ta shohë të vërtetën, por mund të jetë e vërteta.

Një përparësi në mbajtjen e ditarit është se ju nuk i vini re ndryshimet nga të cilat vuani pa pushim.

Frytshmëri është të bësh gjëra që nuk ishe i aftë t’i bëje më parë.Vetëkontroll do të thotë të dëshirosh të jesh i frytshëm në një pikë në rrezatim të pafund me ekzistencën time shpirtërore.

Sa kohë që e ke kafshatën në bojë, atëherë i ke zgjidhur të gjitha problemet e momentit.

Fillo me çka është e drejtë sesa të fillosh me çka është e pranueshme.

Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.

Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.

Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.

Fakti që synimi ynë është i matur saktësisht me jetën tonë, na e jep ne përshtypjen se jemi të përjetshëm.

Shpirti bëhet i lirë vetëm kur ai të pushojë së qeni një mbështetje.

Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë.

Ne të gjithë kemi flatra, por ato nuk na duhen ne për asgjë dhe nëse do të mundnim, do t’i shqyenim.

Rinia është e lumtur, sepse ajo e ka mundësinë ta shohë të bukurën. Të gjithë ata që janë të aftë ta shohin të bukurën, nuk plaken kurrë.

Ne jemi mëkatarë jo vetëm se kemi ngrënë Pemën e Dijes, pore edhe sepse nuk e kemi ngrënë Pemën e Jetës. Gjendja në të cilën ndodhemi është mëkatare, pavarësisht nga faji. / KultPlus.com

Vdes kitaristi i grupit legjendar ‘ABBA’

Kitaristi i ABBA, Lasse Wellander, ka vdekur në moshën 70-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin. Ai ka luajtur me ABBA në vitet 1970 dhe 1980 dhe ka bashkëpunuar në albumin e fundit të grupit suedez, 2021’s Voyage.

Në një deklaratë të lëshuar nga familja e Lasse të dielën, thuhet:

“Me pikëllim të papërshkrueshëm duhet të njoftojmë se Lasse ynë i dashur ka ndërruar jetë. Lasse kohët e fundit ishte sëmurë me kancer metastatik dhe ndërroi jetë herët të Premten e Madhe, i rrethuar nga të dashurit. Ai ishte një muzikant i mrekullueshëm dhe i përulur, por mbi të gjitha ishte një bashkëshort, baba, vëlla, xhaxha dhe gjysh i mrekullueshëm. I sjellshëm, i sigurt, i dashur dhe shumë më tepër, që nuk mund të përshkruhen me fjalë. Një pikë kthese në jetën tonë, dhe është e pabesueshme që tani duhet të jetojmë pa ty. Ne të duam dhe na mungon shumë”.

Lasse Wellander filloi të luante kitarë që fëmijë dhe mori pjesë në grupe në zonën ku jetonte në Nora, Suedi. Ai filloi regjistrimin me ABBA ,përkatsisht me  Agnetha Faltskog, Bjorn Ulvaeus, Benny Andersson dhe Anni-Frid Lyngstad, në tetor 1974, duke u shfaqur në hitet e tyre Intermezzo No.1 dhe Crazy World, raporton Daily Mail.

Kitaristi mori pjesë në 24 nga regjistrimet e grupit pop dhe u shfaq në të tetë albumet e tyre.  Ai vazhdoi të bashkëpunonte me artistë të tjerë suedezë pasi ABBA u shpërbë për herë të parë në 1982. Në vitin 2008, ai mori pjesë në regjistrimin e kolonës zanore për filmin Mamma Mia, me Meryl Streep dhe Amanda Seyfried, në Atlantis Studio në Stokholm. / KultPlus.com

Lemon8, rrjeti i ri social që po bën bujë në SHBA

I përshkruar si kombinimi perfekt i Instagram, TikTok dhe Pinterest, Lemon8 është aplikacioni i ri social që shkarkojnë të gjithë jashtë shtetit. Lemon8 është një aplikacion për ndarjen e fotografive dhe videove në stilin Instagram, në pronësi të kompanisë mëmë të TikTok. 

Ndërsa aplikacioni u lançua në Singapor, Tajlandë dhe Japoni në vitin 2020, ai ka bërë shumë zhurmë këto ditë pasi ishte një nga 10 aplikacionet më të shkarkuara në botë javën e kaluar.

Lemon8 është një aplikacion i mediave sociale që kuron përmbajtjen e fotografive dhe videove kryesisht për ushqimin, mirëqenien, bukurinë dhe udhëtimin.

Në Lemon8 në fakt mund të shtoni foto dhe video në profilin tuaj, të eksploroni faqe sugjerimesh të kuruara posaçërisht për ju dhe gjithashtu të “ndiqni” dhe të “ndiqeni”; ashtu si në Instagram.

Megjithatë, ndryshe nga rrjetet e tjera sociale, Lemon8 thekson mundësinë e blerjes së përmbajtjeve që shihni të fotografuara në profilet e përdoruesve të tjerë.

Një nga veçoritë më tërheqëse të aplikacionit është përdorimi i dizajnit grafik  në shumicën e postimeve.

Krijuesit shpesh shtojnë tekst në imazhe, duke etiketuar atë që portretizohet në foto ose ku mund ta gjejnë atë objekt. Këto etiketa shpesh shoqërohen me link.

Jo vetëm fotot, përdoruesit e Lemon8 gjithashtu mund të ndajnë video deri në 60 sekonda dhe të ripostojnë TikTok-un e tyre.

Sipas shumë njerëzve, rritja e papritur e popullaritetit të këtij rrjeti social është për shkak të publicitetit që i kanë bërë disa krijues shumë të njohur të TikTok. Lemon8 dhe TikTok i përkasin të njëjtës kompani mëmë, ByteDance, dhe përflitet se ishte kompania që u kërkoi përdoruesve të saj të mëdhenj sponsorizimin e rrjetit të dytë social.

Një arsye tjetër për popullaritetin e ri të Lemon8 është se ai dallon nga rrjetet e tjera sociale sepse është një hibrid i përmbajtjes dhe blerjeve; një përzierje perfekte mes Instagram dhe Pinterest. 

Për momentin Lemon8 është i disponueshëm vetëm në disa vende të përzgjedhura dhe Shqipëria për momentin nuk është mes tyre./ a2cnn / KultPlus.com

Thënie të të huajve për Skënderbeun, “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë”

Mit, strateg, hero i kombit, shqiptari më i famshëm në histori, është Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Sot, kemi zgjedhur thënie, vlerësime, përcaktime dhe përfundime që janë bërë për figurën e tij. Studiues, historianë, ushtarakë, shkrimtarë, filozofë, gazetarë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët jetojnë ose jo, i kemi bërë bashkë në një formë të përmbledhur tashmë, se çfarë menduan dhe çfarë mendojnë për Skënderbeun. Dy Papë, mbretëresha Elisabetë e Anglisë, Sulltan Mehmeti, shkrimtari francez, Volter, deri te Aleks Buda, Artan Fuga, Ismail Kadare, Marin Barleti, Gjergj Zheji dhe Faik Konica. Një udhëtim, jo vetëm në histori, por edhe në mendimin shqiptar dhe botëror, për heroin tonë kombëtar. Sigurisht, mes tyre ka edhe kundërshti dhe debat.

Papa Kalikst i III

“Si një pendë e patundshme, Gjergj Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi të zaptonin Europën Kristjane!

Papa Piu I II

“Gjergj Kastrioti kaloi gati gjithë jetën e tij, duke luftuar për kauzën kristiane. Është zor me gjetë një prijës kryqëzate, që mund të krahasohet me të!”

Mbretëresha e Anglisë, Elisabeth, në librin e lutjeve, botuar më 1559

“17 janar. Si sot, vdiq princi i mirë, Skënderbeu, mbreti i Epirit dhe shfarosësi i turqve”.

Sulltan Mehmeti II

“Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë!”

Voltaire, (Volter) François-Marie Arouet, shkrimtar francez

“Sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453”.

Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kebekut

“Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse!” 

Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi “Virtytin heroik”

“Skënderbeu është një ndër shtatë mbretërit e pakurorëzuar të Europës …, bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u lejojnë atyre me të drejtë, të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve… Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi, mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishtërimit sa qenë gjallë dhe tmerr i turqve, sepse me forca të pakta, iu bënë ledh për aq shumë vite, gjithë fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi gjashtëmbëdhjetë mijë vetë, për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër turqve, të cilët ishin disa herë më shumë si numër, mbi njëqind mijë!”

Thomas Townshend, sekretar i Britanisë për Luftën

“Njohuri të mëdha të artit ushtarak, mund të nxirren nga jeta e Gustav Adolfit dhe nga ajo e Karlit XII, mbretit të Suedisë, si dhe nga jeta e Ziskës së Bohemias. Dhe do të ishte një punë e paçmueshme, po mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i bëmave të Skënderbeut, sepse ai shkëlqen midis gjithë gjeneralëve të kohërave të vjetra dhe të sotme, si udhëheqës i një ushtri të vogël mbrojtëse. Skënderbeun e kam gjetur në historinë e Turqisë, por askund gjetkë. ”

Milan Shuflaj, albanolog nga Kroacia

“Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”

Kostandin Jiriçek, historian dhe albanolog nga Çekia, në librin “Historia e Serbëve”

“Venedikasit shpallën si çmim, pagesë të përjetshme prej 100 dukatësh, për vrasjen e Skënderbeut.” / KultPus.com

Moderna cakton datën e vaksinës kundër kancerit

Fundi i kësaj dekade. Kjo është data që CEO i kompanisë farmaceutike amerikane Moderna, Stephane Bancel, ka propozuar që vaksinat kundër kancerit dhe sëmundjeve të zemrës të jenë gati.

Deri në vitin 2030, sipas parashikimeve, llogaritet se do të ketë vaksina për “të gjitha llojet” e sëmundjeve të pashërueshme, duke arritur të shpëtojnë “qindra mijëra, në mos miliona jetë”. Duhet theksuar se ka shumë mundësi që ato të mos kenë karakteristikat e një vaksine tipike, por të kundërtën: duhet të jenë shumë të personalizuara dhe të shtrenjta.

Të gjitha studimet e kryera kanë treguar se këto vaksina do të jenë jashtëzakonisht premtuese dhe mund të aplikohen në të gjitha llojet e fushave të sëmundjeve, si kanceri, sëmundjet autoimune, sëmundjet e rralla dhe sëmundjet kardiovaskulare.

Në vaksinimin e dikujt kundër kancerit, mjekët së pari do të marrin një biopsi të tumorit të personit. Më pas, ata do të identifikojnë antigjenin në qelizat e kancerit dhe do të kodojnë vaksinën mRNA për të aktivizuar qelizat për të prodhuar të njëjtin antigjen. Më vonë, vaksina do t’i administrohet një pacienti, duke bërë që qelizat e tyre të prodhojnë antigjenin dhe të shkaktojnë një përgjigje imune kundër tij. Së fundi, qelizat imune do të trajnohen për të shkatërruar çdo qelizë kanceroze që mbetet në trup dhe për të “gjuajtur” çdo qelizë kanceroze që kthehet.

Provat e vaksinave të kancerit mRNA janë tashmë duke u zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, me rezultatet që priten në muajt e ardhshëm. Këto prova përfshijnë vaksinën e kancerit të vetë Moderna-s, së cilës iu dha statusi i “terapisë së përparuar” nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në shkurt, duke hapur rrugën për miratim të përshpejtuar./ a2cnn / KultPlus.com

Mbahet manifestimi “Eksodi Bllaca 99”, publikohen për herë të parë 24 fotografi nga Asllan Krasniqi

Në Han të Elezit u mbajt sot manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca 99”, me ç’rast, “Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta” ndau çmimin “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga RMV, që ndihmuan refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës të vitit 1998-99.

Kryetari i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve, Jahja Lluka u shpreh se është obligim i të gjithëve për ta mbajtur gjallë Bllacën e viteve të 99-ta.

Lluka theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë me shumë për mirëmbajtjen e memorialit, pasi siç tha ai, pas një kohe mund të mos ekzistojë.

“E kemi për obligim ta mbajmë gjallë Bllacën e viteve 99-të, 440 mijë njerëz kanë kaluar nëpër Bllacë. Më e mira e Bllacës 99-të është pas fitores se pas UÇK-së është fitorja e refugjateve shqiptarë. Prishtina e ka për obligim t’i ndihmojë Hanin e Elezit, memorialin, sepse Prishtina ka buxhet, të cilin nuk mund ta harxhojë, kështu që, është më mirë të harxhohet për një të mirë të përbashkët. Qeveria e Kosovës pa marrë parasysh kush vjen kryeministër, duhet të ketë interesim më të madh për mirëmbajtjen e memorialit, ashtu siç kërkon shteti të mirëmbahe,t njëjtë kërkon edhe memoriali, sepse ndoshta pas një kohe edhe mund të mos ekzistojë”, tha Lluka.

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Pallazhi, në një fjalë rasti tha se Bllaca do të jetë përherë pjesë e historisë së Kosovës.

Pallazhi shtoi se si kryetar i komunës çdoherë është i gatshëm te ndihmojë për gjitha projektet për Bllacën e viteve të 99-ta.

“Bllaca është simbol i tragjedisë së shqiptarëve, por njëkohësisht dhe simbol i qëndrueshmërisë. Me angazhimin tonë Bllaca 99-të do të jetë përherë pjesë e historisë tonë, sepse vetëm duke i kujtuar do ta mbajmë gjallë ndjenjën e atdhedashurisë”, tha Pallazhi.

Ndërkaq, me rastin e 24 vjetorit të çlirimit, Asllan Krasniqi nxori nga arkivi i tij për herë të parë pas 24 vitesh 24 fotografi të cilat i prezantoi në ekspozitën e hapur sot e të titulluar “Eksodit’99 në Bllacë, Stenkoc dhe Çegran”. Ekspozita u hap në Qendrën Përkujtimore Bllacë në Han të Elezit.

Po ashtu, në Bllacë u mbajt Orë letrare me poezi konkurruese të zgjedhura nga komisioni për “ 24 poet – 24 poezi – 24 vjetorin” përcjellur me program artistik nga Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve “Shota” Prishtinë.

Sot, do të shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, ata janë detyruar nga forcat serbe të shpërnguleshin në Maqedoni. Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kanë kaluar kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës. Ata kanë qenë fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Eksodi, apo dëbimi i shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, ka arritur kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).

Para dy vitesh, për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit është inauguruar monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.

Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kanë kontribuuar në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur. Eksodi i shqiptarëve shënohet edhe në Kukës, çdo 16 prill. / Atv / KultPlus.com

Xhanfise Keko “pushton” kinematë spanjolle 16 vite pas vdekjes

Regjisorja e njohur e filmave për fëmijë, Xhenfise Keko “ka pushtuar” kinematë spanjolle 16 vite pas vdekjes.

Mes emrave të shquar si Jean Vigo, François Truffaut apo Abbas Kiarostami, ndodhet edhe shqiptarja me filmat e saj.

Spanjollët e konsiderojnë se një autore të jashtëzakonshme të njëmbëdhjetë filmave artistikë të realizuar nga viti 1972 deri në 1984 në Shqipëri, ku të gjithë trajtojnë sfidat, zhgënjimet dhe aspiratat e fëmijërisë. Me një ndjeshmëri të pazakontë, Keko portretizon botën dhe vizionin e fëmijës, duke vendosur dëshirat dhe psikologjinë në qendër. E gjithë kjo nënkupton të kuptuarit e fëmijërisë jo si një fazë tranzicioni drejt një moshe tjetër, por si një periudhë më vete, duke respektuar autonominë e djemve dhe vajzave të përcaktuara nga filozofi i pedagogjisë René Schérer.

Sakaq, kinemaja në Spanjë ofron për shikuesit katër nga filmat e saj më të famshëm: “Tomka dhe shokët e tij”, “Beni ecën vetë”, “Mimoza llastica” dhe “Taulanti kërkon një motër”./abcnews.al / KultPlus.com

“Media e lidhur me shtetin”, Twitter fillon të etiketoj mediat, ndër to edhe BBC

Shumë prej fytyrave publike, politike si dhe mediave përdorin “Twitter” si një platformë komunikimi me opinionin publik. Sipas statistikave të Twitter, 83% e njërëzve postojnë aty për lajme, përderisa 85% e përdoruesve shikojnë, lexojnë, apo dëgjojnë lajmet në Twitter një herë në ditë. 

Por, kohëve të fundit platforma sociale Twitter, ka filluar të implementoj një veprim ndryshe për mediat. Në llogaritë e mediave më të mëdha, ata kanë filluar të bashkangjesin një përshkrim mbi politikat editorale të mediave. Një etiketim të tillë i’a dhanë edhe BBC-së si ndër organizatat mediatike më të mëdha në botë.

Në llogarinë kryesore të BBC-së në Twitter e cila ka 2.2 milionë ndjekës, etiketa lidhet më një faqe që të drejton tek përshkrimi “MEDIA E LIDHUR ME SHTETIN”. Me këtë term, ata lënë të nënkuptojnë se është një media ku qeveria ushtron kontroll mbi përmbajtjen editoriale në mënyra të ndryshme.

Pasi etiketimit të tillë, BBC ka kontaktuar Twitter dhe ka reaguar po ashtu me një postim duke ritheksuar se ata nuk financohen nga shteti i cili rrjedhimisht nuk ndikon në politikën editoriale të tyre.

“BBC është dhe ka qenë gjithmonë e pavarur. Ne financohemi nga publiku britanik përmes tarifës së licencës”, shkroi në postim BBC.

Që nga viti 1927, BBC ka operuar përmes një Karte Mbretërore të rënë dakord me qeverinë që thotë se korporata “duhet të jetë e pavarur”, veçanërisht mbi “vendimet editoriale dhe krijuese, kohën dhe mënyrën në të cilën ofrohet prodhimi dhe shërbimet e saj, dhe në menaxhim të punëve të saj”.

Britanikët paguajnë një tarifë licence prej 159£ çdo vit për të financuar prodhimin e korporatës. Tarifa caktohet nga qeveria, por paguhet nga familjet individuale.

Nga ana tjetër, një reagim për këtë çështje ka dhënë edhe Elon Musk, pronari i platformës Twitter. Musk e ka përshkruar BBC-në si ndër organizatat mediatike më pak të njëanshme, pasi transmetuesi kundërshtoi të etiketohej si “media e financuar nga qeveria”.

“Unë mendoj se organizatat mediatike duhet të jenë të vetëdijshme dhe të mos pretendojnë në mënyrë të rreme mungesën e plotë të njëanshmërisë. Të gjitha organizatat kanë paragjykime, disa padyshim shumë më tepër se të tjerat. Duhet të theksoj se ndjek lajmet e BBC në Twitter, sepse mendoj se janë ndër më pak të njëanshmit”, deklaroi Musk.

Tutje, ai tha se me këto etiketime Twitter po synon transparencën dhe saktësinë maksimale në lidhje me pronësinë e mediave dhe burimin e fondeve.

Përveç BBC-së, Twitter gjithashtu caktoi Radion Publike Kombëtare të Amerikës (NPR) si “media e lidhur me shtetin”, duke përfshirë RT të Rusisë dhe Xinhua News të Kinës. Përshkrimi më vonë u ndryshua në të njëjtin etiketë “media e financuar nga qeveria” që tani aplikohet në llogarinë @BBC.

NPR – e cila merr disa para nga institucionet publike, por financimi i së cilës vjen kryesisht nga burime të tilla si sponsorizimet e korporatave dhe tarifat e anëtarësimit – ka paralajmëruar se do të ndalon postimet në Twitter nëse etiketimi nuk ndryshohet. / Express / KultPlus.com