Rikonstruktohet qendra e vizitorëve në Parkun Kombëtar të Prespës

 

Parku Kombëtar i Prespës, një ndër zonat më të bukura natyrore në juglindje të vendit, është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik për turistët vendas e të huaj.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bëri të ditur se, në Goricë të Vogël kanë filluar punimet për rikonstruksionin e qendrës së vizitorëve.

“Punimet kanë në fokus ridizenjimin e ambienteve dhe krijimin e hapësirave të reja, që do të mund të përdoren për evente të ndryshme nga administrata e parkut kombëtar të Prespës”, theksoi AKZM.

Parku Kombëtar “Prespa” hyn në zonat e mbrojtura në kategorinë 2, vendim i cili është shpallur në vitin 1999.

Përfaqësuesit specifikë të florës dhe faunës në park janë Venja (Juniperus excelsa), (Centaurea prespana), (Viola eximia), Dhia e egër e Ballkanit (Rupicapra r. balcanica), Ariu i Murrmë (Ursus arctos) Pelikani kaçurrel (Pelicanus Crispus). Monumente natyre në park janë: Venjat e Kallamasitrit, Zgavra e Zaverit, Dushqet e Manastirit Djellas, Ishulli i Maligradit, Gurët e Mumjes, Shpella e Tren.

Objekte kulturore, fetare, historike brenda zonës janë Kisha e Shën Marenes, Kallamas, Kisha e Shën Gjergjit Gollomboc, Kisha e Shën Pjetrit Zaroshkë, Kisha e Shën Mërisë./ atsh / KultPlus.com

Bllacë 1999

Xhevdet Bajraj

Treni ulërinte për në kufi
bora shkrihej në majat e gjinjve të grave
zjarri ngrihej në sytë e burrave

Pranë rrugës
një tufë e luleve të egra kosovare
vyshkej në dorën e këputur të vashës

Mbi copërat e mozaikut të atdheut
ecej nëpër fijen e hollë të çmendjes
ca pleq bartnin fëmijët
ca fëmijë bartnin pleqtë mbi shpinë

Kur binte shi në Bllacë
njerëzit mbështilleshin
me grahmat e vdekjes

Dielli i ferrit 
lindte a perëndonte

VËRMICË 1999

Pranë fshatrave të djegur
në sytë e mijëra të vrarëve
mërdhihej zogu i ëndrrës

Dukagjini ecte rrjedhës së Drinit
vashën e vriste bukuria e saj
të vetmin e nënës e mbyste vetmia

Mbi shpinë të vdekjes
kush kapërcente këtë tmerr
në Kukës arrinte në terr

Hëna e ferrit
lindte a perëndonte./ KultPlus.com

Zelensky shpreson për paqe në Pashkët e vitit të ardhshëm

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur shpresën se do të ketë paqe në Ukrainë deri në Pashkë të vitit të ardhshëm, duke iu drejtuar ukrainasve pasi shumë në vend festuan të dielën e Pashkëve për herë të dytë që nga fillimi i pushtimit rus.

“E diela e Pashkëve të vitit të ardhshëm të kalojë në paqe dhe liri për të gjithë popullin tonë!” tha presidenti ukrainas në video-mesazhin e tij të përditshëm.

“U dëgjofshin lutjet e sinqerta për paqe të gjithë atyre që festojnë sot Pashkët!”, urroi ai.

Ashtu si anëtarët e tjerë të udhëheqjes ukrainase, Zelensky uroi një Pashkë të lumtur për ukrainasit të cilët – si të krishterët në Perëndim – po festonin ringjalljen e Jezusit.

Në Ukrainë, gjithnjë e më shumë të krishterë tani po festojnë festat e tyre sipas ritit perëndimor dhe jo sipas kalendarit më të vjetër Julian të Kishës Ortodokse Ruse, e cila nuk feston Pashkët për një javë tjetër.

Tradicionalisht, të krishterët ortodoksë në Ukrainë festonin festat fetare në të njëjtën mënyrë si në Rusinë fqinje.

Pas pushtimit të plotë rus të Ukrainës më shumë se një vit më parë, diskutimi publik është bërë më i zhurmshëm për t’u dalluar më tej nga Rusia duke ndryshuar kalendarin e kishës. / atsh / KultPlus.com

Pamje që prekin zemrat: Momenti kur fëmijët e rrëmbyer nga Rusia bashkohen me prindërit

Më shumë se 30 fëmijë u ribashkuan me familjet e tyre në Ukrainë këtë fundjavë pas një operacioni të gjatë për t’i kthyer në shtëpi nga Rusia ose Krimea, ndërsa thuhet se ishin ‘rrëmbyer’ nga forcat ruse gjatë luftës.

Siç shihet në videon e publikuar nga Reuters, pamjet që kanë bërë xhiron e rrjetit, prekin zemrat.

Nëna që përqafojnë me mall fëmijët e tyre, teksa kalonin kufirin nga Bjellorusia në Ukrainë të premten pas një misioni kompleks shpëtimi që përfshinte udhëtime nëpër katër vende.

Dasha Rakk, një vajzë 13-vjeçare, tha se ajo dhe motra e saj binjake kishin rënë dakord të largoheshin nga qyteti Kherson i pushtuar nga Rusia vitin e kaluar për shkak të luftës dhe të shkonin në një kamp pushimi në Krime për disa javë. Sipas saj, zyrtarët rusë kishin vendosur që fëmijët të qëndronin më gjatë.

“Ata thanë se do të birësohemi, dhe se do të kemi kujdestarë. Kur na thanë për herë të parë se do të qëndrojmë më gjatë, të gjithë filluam të qanim.”, tha vogëlushja. Nëna e Dashës, Natalia tha se ajo kishte udhëtuar nga Ukraina në Krime përmes Polonisë, Bjellorusisë dhe Moskës për të marrë vajzat e saj. Gadishulli i Krimesë i Ukrainës është pushtuar nga Rusia që nga viti 2014.

“Ishte tmerrësisht e vështirë, por ne vazhduam të ecnim, nuk flinim natën, flinim ulur. Ishte zemërthyese të shikoje fëmijët e mbetur pas që po qanin pas gardhit”, tha ajo, duke përshkruar udhëtimin e saj për në kamp. Kievi vlerëson se rreth 19,500 fëmijë janë dërguar në Rusi ose në Krimenë e pushtuar nga Rusia që nga pushtimi i Moskës në shkurt të vitit të kaluar, në atë që dënon si dëbime të paligjshme. Moska, e cila kontrollon pjesë të lindjeve dhe jugut të Ukrainës, mohon rrëmbimin e fëmijëve dhe thotë se ata janë transportuar për sigurinë e tyre. / Express / KultPlus.com

Sherife Luta, gruaja simbol e eksodit të Kosovës

Thonë se një fotografi vlen sa njëmijë fjalë. Është një moment i kapur nga aparati i fotografit boshnjak të agjencisë Reuters, Damir Sagolj, që e ktheu Sherife Lutën nga Kosova në simbolin e refugjatëve kosovarë të Bllacës së Maqedonisë 24 vite më parë.

Sherife Luta asokohe ishte 22 vjeçe dhe mbante në gji vajzën e saj 6-muajshe, Besën. Ditën e 8 marsit 1999, ajo ishte një grua që doli nga shtëpia me foshnjën dhe babanë e saj për t’i shpëtuar granatimeve të serbëve në fshatin Ivajë në Kaçanik të Kosovës.

Bashkëshorti iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare, së bashku me burrat e tjerë të rinj e të fuqishëm.

Ndërsa Sherifja, një nënë e re, me pelenën e vajzës në kokë, e pangrënë, në një mot të ftohtë e me dëborë, eci për afro një muaj të tërë në këmbë me mijëra banorë te tjerë që po përpiqeshin t’i shpëtonin luftës. Deri në datën 3 ose 4 prill, kur u shkrep dhe fotografia që hyri në histori.

Duke folur për herë të parë për një televizion shqiptar, protagonistet e fotografisë, Sherife dhe Besa Luta, kanë rrëfyer vështirësitë e atij rrugëtimi dhe habinë kur kanë parë foton e në sot po ju rikujtojmë këto fjalë të dy protagonisteve.

“Pasi kishim ecur 24 orë pa ndërprerje,  vajza ngriu dhe nuk qante më. Kishte ngrirë. Mendova që kishte vdekur. E mori kunata ime dhe e futi në furrë të sobës të një shtëpie në Bllacë.

Pas dhjetë minutash nisi të qante dhe refugjatët e tjerë nisën të duartrokisnin. Aty nisa të qaj. Kisha shumë emocione”, tregon e përlotur Sherife Luta.

Ajo tregon gjithashtu se si, gjatë eksodit, shumë njerëz i humbnin ndjenjat, rrinin ditë të tëra pa ngrënë, madje ka pasur dhe gra që kanë lindur maleve.

Sherife Luta, bashkë me vajzën sot i janë shumë mirënjohëse fotografit boshnjak të cilën do të donin ta takonin.

“Do të donim ta takonim fotografin dhe ta falënderonim. Habitem si e ka kapur këtë foto që ka tronditur botën”, thotë Besa.

Përveç fotografisë, ajo e ruan edhe sot e kësaj dite edhe batanijen që e mbështillte Besën atë ditë.

Më pas, pjesë e intervistës është bërë edhe kryefamiljari Mirvat Lutaj, invalid i luftës së Kosovës.

Ai tha se ishte shumë e vështirë të ndahej nga gruaja dhe nga vajza dhe thekson se lufta ka kosto dhe sakrifica. Pasi u ritakuan, në qershor, familja Lutaj e ndërtoi një shtëpi te re në Kaçanik të Vjetër dhe u shtua edhe me dy djem.

Tashmë ato ditë të vështira mbijetese kanë mbetur pas. Vendin e ftohtësisë dhe frikës, e kanë zënë pranvera dhe paqja. / KultPlus.com

Bllaca vendi i dhimbjes: 24 vjet nga dëbimi i shqiptarëve nga forcat serbe

Pikërisht 24 vjet më parë, në Kosovë ndodhi eksodi i shqiptarëve të cilët po dëboheshin dhunshëm nga regjimi serb në krye me Slobodan Milosheviqin, politika e të cilit synonte spastrimin etnik. Kështu, mbi gjysmë milioni shqiptarë u detyruan të iknin drejt Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Rreth gjysmë milioni shqiptarë të Kosovës, të dëbuar me dhunë nga forcat serbe, u vendosën në Maqedoninë e Veriut, 24 vjet më parë.

Para hyrjes në Maqedoni, rreth 70  mijë refugjatë, me ditë të tëra mbetën të bllokuar në fushëgropën e Bllacës, pasi presidenti i atëhershëm maqedonas, Kiro Gligorov, kishte për qëllim t’i dëbonte në vende të treta.

Kosovarëve të dëbuar që u detyruan të qëndrojnë në Bllacë, në qiell të hapur, në 10 ditët e para të prillit 1999, u dolën në ndihmë qindra aktivistë vullnetarë të organizatave të ndryshme.

“Me shpërndarjen e ndihmave elementare higjienike, me artikuj ushqimor, batanije. Ishte një mobilizim i pa parë atëherë. Mbi 20 vetura dhe furgon ishin në dispozicion Shkup-Bllacë. Mbi 300 aktivist vullnetar, një pjesë bukur e madhe ata flinin bashkë me refugjatët”, tha për RTK Behixhudin Shehapi Kryetar i Organizatës Humanitare “El Hilal”.

Për shkak të presionit ndërkombëtar, më 10 prill të vitit 1999, Maqedonia e Veriut u detyrua të hapte kufirin me Kosovën.

Më shumë se gjysma e refugjatëve u vendosën nëpër shtëpitë e shqiptarëve, kurse pjesa tjetër nëpër kampe.

“Kjo ishte pika e pranimit  dhe e regjistrimit të refugjatëve, pastaj vazhdonin rrugën më tutje. Shumica e tyre vendoseshin nëpër familje private, në ndërkohë shteti i atëhershëm organizoj edhe hapjen e shtatë kampeve. Një ndër ato ka qenë Stenkoveci, kanë qenë Radusha, Çegrani, Strugë, Katllanovë dhe kështu me radhë”, tha Sait Saiti, Sekretar i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut.

Në pikën ku ndodhi katastrofa humanitare, në Hanin e Elezit, është ngritur një Qendër Përkujtimore, në të cilën qëndron edhe treni që  kishte bartur shqiptarët e dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre. / KultPlus.com

Përkujtohet 24-vjetori i eksodit të madh në Bllacë, kërkohet ndërtimi i një qendre memoriale

Drejtuesit e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup dhe Fondacionit “Hasan Prishtina” – Prishtinë kanë vendosur lule në Memorialin përkujtimor “Bllaca 99” me rastin e 24-vjetorit të eksodit masiv të popullatës shqiptare.

Llogaritet se rreth 440 mijë refugjatë shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe, pas nisjes së bombardimeve të NATO-s, kanë kaluar nëpër Kampin e Bllacës.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës, por edhe asaj të Maqedonisë së Veriut, që në këtë vend të ndërtohet një Qendër Memoriale për ta kujtuar të shkuarën.

“Shqiptarët kanë pësuar shumë keq ndër shekuj dhe kufijtë e tyre tronditje. Por, me luftën e UÇK-së dhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, Kosova e fitoi lirinë. Prerja historike ka ndodhur pikërisht në këtë vend ku makineria serbe shpërnguli 500 mijë shqiptarë. Janë pikërisht ngjarjet e Bllacës të prillit të vitit 1999 që kanë bërë që bashkësia ndërkombëtare të jetë afër shqiptarëve”.

Aktualisht pjesë e Kompleksit Memorial “Bllaca 99” janë Muri i Kujtesës, Parku “Hasan Prishtina” dhe Treni i të zhvendosurve.

“Ky tren dhe ky park memorial na kujtojnë të kaluarën. Ky është vendi që buron shteti i Kosovës dhe duhet të ndërtohet një Qendër Memoriale për ta kujtuar të shkuarën”, u shpreh Asani, i cili pati një kritikë për institucionet e Kosovës dhe ato të Maqedonisë së Veriut.

“Ka munguar një seriozitet me i madh i institucioneve, si të Kosovës ashtu dhe të Maqedonisë së Veriut për të ndërtuar një qendër memoriale, qe t’i përkujtojmë karvanët e mijëra shqiptarëve”, tha Asani.

Mehmet Prishtina nga Fondacioni “Hasan Prishtina”, ka kërkuar që të “kthehen sytë” nga Bllaca e të ndërtohet një muze për një prej qendrave më të mëdha të gjenocidit serb ndaj popullatës shqiptare.

Sipas Prishtinës, plagët janë ende të hapura nga mos-gjetja e personave të zhdukur.

“Në çdo përvjetor të inaugurimit të Murit të Kujtesës dhe Parkut ‘Hasan Prishtina’ kthehemi këtu për të kujtuar eksodin drejt Bllacës dhe planin famëkeq për dëbimin masiv të shqiptarëve të Kosovës nga trevat e tyre. Fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite, dhimbjet janë te freskëta e plagët janë të hapura sidomos kur kemi parasysh mungesën e më të dashurve tanë të cilët ende janë të zhdukur, e pa gjetjen e secilit prej tyre, kurrë nuk do t’i kemi zemrat tona të qeta”.

“Sot pas 24 vitesh Bllaca na bashkon sërish. ‘Bllaca 99’, ndoshta duhej të quhej 98-99. Përvjetorë të tillë të gjithëve na kthejnë pas në histori që me dëshirë do të donim mos të përsëritej asnjëherë, por ata që e harrojnë të kaluarën, rrezikojnë që ajo të përsëritet”, tha ai.

“Uroj që shteti jonë t’i kthejë sytë kah kjo qendër e gjenocidit, një nismë që ka nisur nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe porosia jonë është që të gjitha iniciativat e tilla të fokusohen në bashkëpunim sa më të ngushtë që vlerat tona, vuajtjet tona të çimentohen dhe një ditë në këtë qendër të krijohet një muze. Këtu ka pasur lindje, këtu ka pasur martesa, këtu ka pasur vdekje dhe është një vend i shenjtë për kombin tonë”, u shpreh tutje Prishtina.

Ai ka kërkuar që çështjet siç është gjetja e mijërave shqiptareve të zhdukur në luftën e fundit, kërkim falja e Serbisë për krimet dhe gjenocidin e kryer ndaj popullatës civile dhe pranimi i formal i pavarësisë se Kosovës nga Serbia duhen të jenë në tavolinën e negocimeve me Serbinë.

“Sot më shumë se kurrë shoqëria jonë ka nevojë të kalojmë nga nismat e individëve altruist tek përfaqësimi i shtetit dhe bashkëpunimi me instancat ndërkombëtare sidomos në tema të cilat prekin drejtpërdrejtë çështjet siç është gjetja e mijërave shqiptareve të zhdukur në luftën e fundit, kërkim falja e Serbisë për krimet dhe gjenocidin e kryer ndaj popullatës civile, sjelljen e krimineleve para drejtësisë dhe pranimi i formal i pavarësisë se Kosovës nga Serbia. Vetëm pasi të ndodhin këta hapa, mund të kemi normalizim të marrëdhënieve në mes të dy popujve. Kjo është domosdoshmëri në tavolinën e negociatave me Serbinë”.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Mehmet Ballazhi tha se eksodi i Bllacës i përngjanë “holokaustit”. Edhe Ballazhi ftoi që në këtë vend të ndërtohet një qendër përkujtimore.

“Jemi këtu për ta kujtuar masakrën serbe ndaj popullit shqiptar. Ky vend i përngjan një holokausti. Jam i hapur për bashkëpunim që ta ndërtojmë këtu një qendër përkujtimore. I bëj ftesë Qeverisë që ta marrë parasysh këtë kërkesë”, u shpreh ai.

Sabri Kadriu, nga fondacioni “Idriz Seferi” dhe njëkohësisht pasardhësi i familjes Seferi, tha se Bllaca është një vend i shtrenjtë që e vërteton përkushtimin e shqiptarëve për liri.

Njëjte u shpreh edhe pasardhësi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, i cili tha se si gjeneratë që ka përjetuar luftën e fundit në Kosovë, e çmon shumë përkujtimin e ngjarjeve të tilla. Edhe Boletini ka kërkuar qe në Bllacë të ndërtohet një qendër përkujtimore./ Express / KultPlus.com

Për herë të parë, NASA krijon një hartë 3D e cila përshkruan planetin Mars

Për herë të parë është krijuar një hartë 3D që përshkruan planetin e “kuq” në formën e tij realiste, përmes së cilës mund të lundrohet në zonat shkëmbore që zbulohen herë pas here nga automjetet e eksplorimit robotik të NASA-s.

Tani, si shkencëtarët ashtu edhe publiku mund të studiojnë ose të shijojnë disa imazhe jashtëtokësore duke pasur një pamje sferike dhe tredimensionale të planetit Mars. Shpatet, shkëmbinjtë, krateret dhe madje edhe gjurmët e pluhurit të shpërndara në atmosferë janë kapur me detaje të pabesueshme në hartë.

Ky është një projekt i bashkimit të 110,000 imazheve të regjistruara nga të gjitha anët e planetit dhe që tani japin këtë rezultat pionier. Iniciativa u ndërmor nga Caltech duke përdorur të dhënat nga Orbiteri i Marsit të Zbulimit të NASA-s, duke lëshuar përfundimisht hartën e famshme dixhitale.

Të marra nga kamera bardh e zi e anijes, imazhet mbulojnë një sipërfaqe prej afro 25 metra katrorë për pixel. Kjo është bërë nga “Mozaiku Global CTX i Marsit” duke dhënë imazhet me rezolucionin më të lartë të regjistruar ndonjëherë të planetit. CTX është një nga tre kamerat në Mars Reconnaissance Orbiter (MRO). Aftësia e tij për të kapur zona më të mëdha të peizazhit e ka bërë CTX veçanërisht të dobishëm për zbulimin e kratereve në sipërfaqen e Marsit.

Harta është një produkt i Laboratorit Bruce Murray të Caltech për Vizualizimin Planetar dhe iu deshën gjashtë vjet dhe dhjetëra mijëra orë punë për t’u zhvilluar. Është aq i detajuar sa më shumë se 120 punime shkencore janë bazuar në informacionin e dhënë nga harta. Gjithashtu, dikush mund ta përdorë atë mjaft lehtë.

“Doja të bëja diçka që të ishte e arritshme për të gjithë,” tha Jack Dixon, drejtuesi i projektit dhe një shkencëtar i përpunimit të imazhit që drejton laboratorin Murray. “Edhe fëmijët mund ta përdorin atë tani. Nëna ime, e cila është78 vjeçe, mund ta përdorë atë tani. Qëllimi është të zvogëlohen barrierat për njerëzit e interesuar për të eksploruar Marsin”, përfundoi ai. /abcnews.al/ KultPlus.com

‘Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha’

25 thënie motivuese nga Leon Tolstoi:

Ne humbëm, sepse i thamë vetes që humbëm.
Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur.
Nëse do të jesh i lumtur, ji i lumtur.
E habitshme se sa i madh është iluzioni, që bukuria është mirësi.
Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.
Ji i keq, por të paktën mos ji gënjeshtar, mashtrues!
Unë mendoj se, nëse është e vërtetë që ka po aq mendje sa ka edhe koka, atëherë ka po aq lloje dashurie, sa ka edhe zemra.
Pa e ditur se cfarë jam dhe përse jam këtu, jeta është e pamundur.
Që të heqësh qafe një armik, duhet që ta duash atë.
Respekti u shpik për të zënë vendin bosh, aty ku duhej të ishte dashuria.
Të gjithë mendojnë për të ndryshuar botën, por askush nuk mendon për të ndryshuar vetveten.
Mund të dimë vetëm që nuk dimë asgjë. Dhe kjo është shkalla më e lartë e urtësisë njerëzore.
Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit.
A është vërtetë e mundur që t’i thuash dikujt tjetër atë që ndien?
Të gjithë familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën, secila familje e palumtur është e tillë në mënyrën e vet.
Në emër të Zotit, ndalu një moment, lëre punën, shih përreth teje.
Jeta e vërtetë jetohet kur ndodhin ndryshime të vogla.
Kur e do dikë, ti e do ashtu si është, jo si do të doje ti të ishte.
Muzika është gjuha e shkruar e emocionit.
Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë.
Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato.
E vërteta, ashtu si floriri, duhet ruajtur jo nga madhësia e saj, por duke hequr prej saj të gjithë ato që nuk janë flori.
Mërzia: Dëshira për të patur dëshira.
E gjithë dhuna konsiston në disa njerëz që detyrojnë të tjerët, nën kërcënimin e vuajtjes apo vdekjes, për të bërë atë që ata nuk duan ta bëjnë.
Të gjitha atoq ë kuptoj, i kuptoj prej dashurisë./bota.al/KultPlus.com

Intelektualja shqiptare

Poezi nga Petraq Kolevica

O grua intelektuale shqiptare!
Sa himne mund të thuren për ty!
Poezia, piktura, muzika, simfonia,
nuk t’i këndojnë dot ato vetija
ty, që lexon e mëson duke larë e
shpëlarë, duke të qarë fëmia.
Ty, që jep provime, mbron tema,
doktorata, me orë të ngrëna nga nata.
Shpesh je shtrënguar librin ta mbash në
dorë, gjellën duke trazuar.
Mbete duke nxituar për të shkuar 
në punë, në Institut, në zyrë.
Herët zgjohesh po kohë s’ke, kur krihesh,
të shihesh në pasqyrë.
Nxiton të kthehesh në shtëpi, po rrugës
ndal e ble ç’arrin të gjesh.
Shpesh, tok me çantën lustrafin, mban
edhe rrjetën me presh…
Pa vimë ne pastaj, burrat e martuar,
të shkolluar,
kërkojmë këmishë të kollarisur,
kostum të varur në kremastar,
shaminë të hekurosur, palosur, vendosur në sirtar.
Po, kur s’i gjejmë kështu,
i varim buzët të inatosur dhe prej asaj
buze lëshojmë romuze.
Ti dëgjon e shkon kokulur e mbyllesh në banjë e qan
dhe para se të dalësh fytyrën lan, që të mos kuptohesh.
Ti kur të gjitha i mbaron, natën vonë, gjen qetësinë.
Ulesh në tavolinë e lexon, studion e shkruan referate
dhe veten e ndjen fajtore, kur ndonjë nate,
këputur nga lodhja, të mbërthen gjumi në divan…

Vjeshtë, 1980 /KultPlus.com

Britania e Madhe përgatitet për kurorëzimin e mbretit Charles III

Planet për kurorëzimin e mbretit Charles III janë duke u zhvilluar në BM, me Bizhuteritë e Kurorës që do të projektohen në Kullën e Londrës përpara se të shkojnë në monumentet kryesore britanike.

Bizhuteritë do të projektohen në monumentin e famshëm të Londrës në vjeshtë, përpara se të bëjnë turneun në të gjithë vendin, me qëllim që t’u tregohet historia e kurorëzimit mijëra njerëzve.

Shfaqja e Kurorës dhe Kurorëzimit, prodhuar nga Pallatët Historike Mbretërore dhe Luxmuralis, synon të eksplorojë historinë e kurorëzimit në një shfaqje gjithëpërfshirëse muzikore dhe vizuale.

Qeveria ka njoftuar gjithashtu vende të reja të shfaqjes për kurorëzimin duke e çuar totalin në 57, me më shumë se 100 000 britanikë që pritet të shikojnë drejtpërdrejt ceremoninë në qytetet e tyre të lindjes.

Për të shënuar fundjavën e kurorëzimit, komunitetet po inkurajohen të mblidhen për festa në rrugë të dielën pas shërbimit në Westminster Abbey të shtunën më 6 maj.

Më shumë se 32,000 paketa të mëdha drekë kurorëzimi janë porositur, me rreth 50 000 ngjarje të planifikuara në distrikte, të cilat do të ndiqen nga miliona njerëz.

Do të ketë gjithashtu qindra mijëra mundësi për të marrë pjesë në ”The Big Help Out”, të hënën e festës për kurorëzimin.

Projekti synon të sigurojë që kurorëzimi të lërë një trashëgimi të qëndrueshme në komunitete duke frymëzuar dhe rekrutuar një brez të ri vullnetarësh.

Mundësitë përfshijnë mundësinë për të dalë vullnetar me skautët, shërbimi vullnetar mbretëror, qentë guidë dhe grupet më të vogla vullnetare lokale.

Sekretarja e Kulturës, Lucy Frazer tha se “kurorëzimi shënon fillimin e një kapitulli të ri në historinë tonë madhështore kombëtare. Premton të jetë plot me përvoja të paharrueshme për të gjithë vendin, me miliona prej nesh që dëshmojmë për një moment historik për Mbretërinë e Bashkuar dhe Komonuelthin”.

“Çdo pjesë e Mbretërisë së Bashkuar duhet të ketë një shans për të parë dhe ndjerë gëzimin e kurorëzimit dhe ky projeksion gjigant do t’u japë komuniteteve mundësinë për të parë nga afër thesaret e çmuara mbretërore shekullore gjatë vitit të ardhshëm”, theksoi ajo.

Kulla e Londrës gjithashtu do të gërmojë më thellë se kurrë më parë në historinë e bizhuterive të kurorës me një ekspozitë të re.

Ekspozita, ku koleksioni i paçmuar mbahet me roja të armatosura, do të eksplorojë origjinën e disa prej objekteve të çmuara për herë të parë, përfshirë diamantin e diskutueshëm Koh-i-noor./atsh/KultPlus.com

Me artin si rrugë për të krijuar dritare të reja në Ballkanin e ndarë, ‘OneBeat Balkans’ dhuron momente të paharruara në Prishtinë

Flonja Haxhaj

Grupi ‘OneBeat Balkans’ erdhi mbrëmjen e 7 prillit në Prishtinë duke dhuruar një natë të paharrueshme.

Grupi prej 11 muzikantëve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Kroacia, Maqedonia dhe SHBA, dhuruan çaste unike nëpërmjet tingujve dhe këngëve që u performuan për herë të para para publikut, shkruan KultPlus.

Koncerti i OneBeatBalkans, që mbushi plot skenën alternative të Teatrit Kombëtar të Kosovës, hapi turneun e që ndalesën e radhës do ta ketë më 10 prill në Novi Sad të Serbisë.

Para fillimit të koncertit, i pari e mori fjalën Mak Murtic, i cili përveç se për programin që u luajt atë mbrëmje foli edhe për vetë qëllimin e ‘OneBeatBalkans’.

“Është një lloj programi që bashkon të gjithë njerëzit e Ballkanit dhe ata të Shteteve të Bashkuara, duke krijuar art dhe muzikë të re. Ky program ishte planifikuar të mbahej në vitin 2020 kur ishte koha e koronavirusit, kështu që ne i patëm filluar provat online. Ne bëmë një rezidencë online, e cila më vonë u zhvillua në një rezidencë të plotë në një vend afër Novi Sadit, ku ne në fakt ushtruam muzikën e të cilën do ta luajmë sonte. Më pas erdhëm në Prishtinë dhe filluam të bënim prova. Ky turne përfshin Prishtinën dhe Novi Sadin dhe ai lidh njerëzit dhe muzikën në një proces të përbashkët”,  u shpreh Murtic e i cili në këtë grup paraqitet si saksofonist.

Më pas fjalën e mori solistja Marta Kolega e cila dha më shumë informacione rreth programit, e i cili ka një koncept, nostalgjinë.

“’OneBeatBalkans 2020’ përfshin konceptin e nostalgjisë  si një mall për të kaluarën që nuk ka ekzistuar kurrë me të vërtetë. Përgjatë kujtimeve private dhe kolektive ne krijuam këngë përmes historive të treguara dhe muzikës”, tha Kolegi, duke ftuar më pas edhe muzikantët si një shenjë që koncerti tashmë do të fillojë.

“Romae”, ‘Qingji i vogël’, ‘Oj devojče, devojčee’, e shumë këngë të tjera erdhën në një kombinim dhe me emocione krejtësisht ndryshe nga ajo që jemi mësuar t’i dëgjojmë më parë, e krejt kjo falë bashkëpunimit të pashoq të muzicientëve të përbërë prej Aleksandra Aleksandrovic, Agona Shporta, Bajram Kafu Kinolli, Chad S Broën, Granit Paçarada, Iliriana Gjoni, Leland Baker, Mak Murticm Marta Kolega, Oliver Nastovski, Sara Renar dhe Tomor Kuçi.

Ndërkaq, i ftuar special në këtë mbrëmje ishte mjeshtri i violinës Visar Kuçi, i cili bashkë me muzikantët e ‘OneBeat Balkans’ interpretoi veprën  ‘Iternal space’ të kompozuar nga vetë ai. 

“Jam shumë i nderuar që jam këtu sonte dhe të performoj me këta muzikantë të mrekullueshëm dhe do të doja të falënderoja ‘OneBeat Balkans’ dhe Ambasadën Amerikane që e kanë organizuar këtë ngjarje e të cilën para tre vjetësh ishte e pamundur ta realizonim. Çfarë dua të them është se jam shumë i lumtur të jem këtu. Është një gjë të jesh kreativ, sepse ne zakonisht jemi kreativë kur jemi vetëm dhe secili këtu është një artist apo krijues individual dhe kanë projektet e tyre. Por, të jesh kreativ në bashkësi me një grup të madh njerëzish e të ndash përvoja e ndajnë kultura të ndryshme është vërtet e mrekullueshme”, u shpreh Kuçi

E krejt në fund të konertit u performua kënga ‘Kalle Llamen’, e ku u dallua zëri i solistes Agona Shporta, shoqëruar nga një pjesë e pjesëtarëve të grupit, e ku më pas iu bashkuan edhe mysafirët e dytë të mbrëmjes, kori ‘Okarinat’ nën dirigjimin e Elikona Hysaj.

Ndërkaq, ju kujtojmë se “OneBeat Balkans” bashkon 12 muzikantë të angazhuar shoqërorë, të cilët krijojnë muzikë të re dhe vepra multidisiplinare së bashku, drejtojnë seminare publike dhe përdorin artin për të rivendosur besimin dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin e ndarë. Edicioni i tretë i këtij viti i OneBeat Balkans po mbahet si vazhdimësi e edicionit 2020, gjatë të cilit, për shkak të pandemisë së koronavirusit, shfaqjet publike u anuluan. Tani, 3 vjet më vonë, muzikantë nga 6 vende të ndryshme do të takohen përsëri dhe pas një qëndrimi dhe provash të përbashkëta në Prishtinë, do të performojnë në koncertet e shumëpritura në Prishtinë dhe Novi Sad./ KultPlus.com

‘Si ta mbaj këtë shpirtin tim, që të mos preket në tëndin’

Poezi nga Rainer Maria Rilke

Këngë dashurie

Si ta mbaj këtë shpirtin tim, që
të mos preket në tëndin? Si t’a
ngre tej teje në diçka më të mirë?
Ah sa dëshiroj t’a vë
diku të humbur n’errësirë,
në një vënd të qetë, të huaj nga
s’ndihen dridhje, kur dridhet e jotja thellësirë.

Dhe gjithçka na prek, afër e larg,
na merr së bashku si një hark,
që nga dy tela një tingull të vetëm nxjerr.
Në ç’instrument jemi tendosur vallë?
E ç’violinist na ka në dorë te gjallë?
O këngë e ndjerë./KultPlus.com

Miratohet fondi për ndërhyrjen emergjente në Urën e Zogut

Qeveria e Shqipërisë ka miratur fondin prej 57,5 milionë lekësh për ndërhyrjen emergjente në Urën e Zogut.

Ministria e Kulturës ka publikuar lajmin e vendimit të qeverisë këtë javë për miratimin e fondit për të shpëtuar një trashëgimi të arkitekturës siç është ura e Zogut mbi lumin Mat.

“Një lajm i mirë për trashëgiminë kulturore, për komunitetin dhe në veçanti për një objekt të rëndësishëm infrastrukturor dhe monumental siç është Ura e Matit apo siç njihet: Ura e Zogut”, thekson Ministria e Kulturës.

“Në mbledhjen më të fundit të Qeverisë u miratua fondi prej 57,5 milionë lekësh, që mundëson zbatimin e projektit për ndërhyrjen emergjente në të këtë objekt, i cili pësoi dëmtime të rënda për shkak të reshjeve të disa muajve më parë.Ka qenë një proces intensiv pune, me shkëmbime idesh, punë në terren, çka nuk ka qenë aspak e lehtë për shkak të kushteve të vështira atmosferike” thuhet në njoftim.

“Pas miratimit në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale të projektit të ndërhyrjes emergjente në Urën e Matit, nën kujdesin e zv.kryeministres, Belinda Balluku, u mblodh dhe u angazhua Komiteti Mbrojtjes Civile, me qëllim sigurimin e fondit të nevojshëm për zbatimin e tij.Projekti është rezultat i një pune profesorësh e ekspertësh të nderuar të Fakultetit të Inxhinierisë në Universitetin Politeknik dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, që me urdhrin e kryeministrit, u bënë bashkë për hartimin e projektit, brenda një kohe të shkurtër me shumë përgjegjësi e profesionalizëm”, njofton Ministria e Kulturës.

Po ashtu, Ministria e Kulturës shton se, miratimi i projektit u parapri nga vendosja e pajisjeve monitoruese, për të mundësuar të dhënat teknike e shkencore për hartimin e projektit të zbatimit.

Në grupin e punës u bënë pjesë profesorët e nderuar Markel Baballëku, Neritan Shkodrani, Iralda Xhaferraj, Esmerald Filaj, Ervin Paçi, Rikard Luka, Altin Seranaj, Andrin Kërpaçi, Shkëlqim Daja.

Ministria e Kulturës ka pasur takime dhe konsultime të vazhdueshme edhe me përfaqësuesit e “Europa Nostra”, të cilët janë treguar të gatshëm për të dhënë ndihmën e tyre, duke shprehur konsiderata për këtë operacion të ndërmarrë përgjatë muajve të fundit.

Miratimi i këtij fondi, jo vetëm mundëson ndërhyrjen emergjente, por krijon kushtet për zgjidhjen përfundimtare të problematikës në Urën e Matit

Ura e Matit është inauguruar më 26 maj 1927 dhe është projektuar nga inxhinieri zviceran, Erwin Schnitter.

Ura është e ndërtuar me gjashtë harqe, secili nga 54 metra i gjatë. E ndërtuar me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernët për ndërtime urash (për atë kohë), edhe sot e kësaj dite nuk e ka humbur bukurinë dhe vlerën./atsh/KultPlus.com

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu në një fotografi të rrallë

Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu në një fotografi të shkrepur në Vjenë, në vitin 1917, shumë kohë para se mes të dyve, të niste armiqësia – shkruan Blendi Fevziu, i cili përcjell këtë shkrepje historike.

“Vjenë, 1917. Hasan Prishtina dhe Ahmet Zogu, në një fotografi të rrallë.

Të dy, më pas do të ishin deputetë, kryeministra dhe deri armiq politikë.

Hasan Prishtina u ndalua nga policia austriake, për atentatin e dështuar ndaj mbretit Zog në Vjenë, ndërsa Zogu u akuzua për vrasjen e Hasan Prishtinës në Selanik. Të dy bashkë, i kanë sot monumentet në qendër të Tiranës”, – shkruan ai. / KultPlus.com

‘Don Kishoti dhe mullinjtë e erës’, fragment nga romani i Miguel de Cervantes

Fragment nga romani “Don Kishoti dhe mullinjtë e erës” nga Miguel de Cervantes:

Atje sipër, në një pllajë, ishin të shpërndarë tridhjet apo dyzet mullij me erë. Sapo i vuri re, Don Kishoti u kthye nga shërbëtori i tij dhe i tha:

– Fati po na ndihmon që të kryejmë punët tona më mirë se çdo ta dëshironim, sepse, ja miku im Sanço Pança, ku po na shfaqen përpara nja tridhjet apo pak më shumë gjigantë të shpërmasuar, me të cilët do të ndeshemi në një luftë të vërtetë, për t’i shërbyer perëndisë, duke shfarosur nga faqja e tokës këtë farë të keqe.

– Ç’gjigantë, mor zotëri? – pyet Sanço.
– Ata që shihen atje, larg, me gjymtyrë mjaft të gjata – e sqaron i zoti.
– Mor zotëri, ato që duken atje larg, nuk janë gjigantë, por mullij ere dhe ato që duken si duar, janë në fakt, krahët që duke u rrotulluar nga era, vënë në lëvizje gurët e mullirit.
– Siç po duket – përgjigjet Don Kishoti – ti nuk je shumë i dhënë pas aventurës: ata janë gjigantë, dhe nëse ti ke frikë mund dhe të tërhiqesh mënjanë e të fshihesh, ndërkohë që unë do të përfshihem në një betejë të furishme dhe të pabarabartë me ta.
Dhe, sapo tha këto fjalë, ai goditi me mamuze kalin e tij, Rosinantin, pa dëgjuar fare thirrjet e dëshpëruara të shërbëtorit të tij, Sanços, që përsëriste pa pushim se ato gjëra që ai po sulmonte, pa më të voglin dyshim ishin thjesht mullij me erë dhe jo gjigantë. Por ai ishte aq i thithur nga ideja se ata ishin gjigantë, saqë jo vetëm nuk dëgjonte më thirrjet e Sanços, por as nuk e pastroi më shikimin dhe kur ishte fare pranë tyre, por përkundrazi po ulëriste:
– Mos ja mbathni o frikacakë, o krijesa të poshtra, sepse ai që po ju sulmon është thjesht një kalorës i vetmuar.

Në këtë kohë filloi të fryjë pak erë dhe krahët e mëdhenj të mullijve filluan të rrotulloheshin ngadalë. Duke parë një gjë të tillë Don Kishoti thirri:
– Ju mund të lëvizni edhe më shumë krahë se ai gjiganti njëqindkrahësh (Briarée), por ju do të paguani për këtë.
Dhe duke thënë këto fjalë, e gjithë qenia e tij u pushtua nga kujtimi për damën e tij, Dulqinën, me dëshirën-kërkesë për t’i qenë pranë si shpëtimtare ndaj këtij rreziku të madh. Dhe, duke u mbuluar me mburojë dhe me ushtën gati për luftim, ai u turr përpara me një galop të Rosinantit, për të arritur tek mulliri i parë, në njërin krah të të cilit nguli shtizën e tij. Por në këtë kohë era filloi të fryjë me aq forcë, sa që e bëri ushtën copë-copë, duke përplasur përtokë dhe kalorësin e kalin e tij.
Sanço Pança, i shushatur mbi gomar, shpejtoi për të ndihmuar të zotin dhe kur ishte pranë tij, konstatoi se goditja kishte qenë aq e fortë sa zotëria akoma nuk po arrinte të lëvizte.

– Më ndihmoftë perëndia – tha Sanço – a nuk ju thashë që të kishit mendjen në atë që po bënit, sepse që ata nuk ishin veçse mullij me erë, asnjeri nuk mund ta mohojë, me përjashtim të atij që në kokë i fryn erë tjetër.
– Hesht, miku im Sanço – u përgjigj Don Kishoti – objektet e luftës janë shpesh sende në një shndërrim të vazhdueshëm. Prandaj, unë mendoj, madje kjo është vetë e vërteta, që ai dijetari Freston, që më vodhi kabinetin dhe librat e mi, i transformoi ato gjigantë në mullij, për të më hequr nga dora lavdinë, pas një fitoreje të sigurtë. E tillë është dhe armiqësia e tij e madhe ndaj meje. Por, në fund të fundit, këto marifete të ndyra nuk mund të triumfojnë kundër mirësisë së shpatës sime.
– Perëndia bëftë për ne sa mundet – u përgjigj Sanço Pança dhe e ndihmoi atë t’i hypte Rosinantit që ishte dhe ai i përplasur përdhe… /KultPlus.com

Filmi ‘Minecraft’ në kinema vitin e ardhshëm

Ka kohë që ka filluar zhvillimi i filmit “Minecraft”. Warner Bros për realizimin e tij njoftoi para se të bëhej e famshme loja me po këtë emër në vitin 2014.

Më në fund ky film ka një date të lansimit, e ajo është 4 prilli 2025.

Në filmin Minecraft një herë për njëherë dihet se me rol paraqitet aktori i Aquaman Jason Momoa. Ky aktor u bë njëri prej talentëve të mëdhenj të kësaj studioje filmike, pasi që ai paraqitet me role edhe në filmat tjerë si Aquaman, “The Lost Kingdom e Dune 2”.

Momoa në mediet sociale ka bërë të ditur edhe për disa role në filma të tjerë. Regjinë e këtij filmi u caktuan ta bëjnë Jared Hess. Të dhëna të tjera rreth tij akoma nuk janë bërë të ditura. Megjithatë dihet pak rreth sinopsisit të tij. Sipas tij, ky film paraqet një adoleshente dhe grupin e saj aventurier. Pasi që personazhi keqdashës Ender Dragon u del në rrugë, detyrë e tyre është që të mbrojnë Mbitokën.

Është fascinuese se si Minecraft realizohet me zhvillimin e animacioneve e teknologjisë së imazheve të nxjerra me kompjuter.

Video lojën Minecraft e zhvilloi studioja Mojang nga Suedia. Atë e krijuan Markus Person dhe Jens Bergensten. Kjo video lojë u publikua në maj të vitit 2009, para se të lansohej gjerësisht në vitin 2011. Me fjalë të tjera, Minecraft është video-loja më e shitur në histori, me mbi 238 milionë kopje të shitura dhe 140 milionë dashamirë të saj aktiv në muaj. Kjo lojë vazhdon të pëlqehet./21Media/ KultPlus.com

‘Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm’

10 thënie për shiun

“Mos u zemëroni me shiun. Bie në tokë sepse nuk di të shkojë për lart”.

Vladimir Nabokov

“Ditët me shi duhet të kalohen në shtëpi, me një filxhan çaj dhe një libër të mirë”.

Bill Watterson

“Të qullesh deri në kockë kur je vetëm është ftohtësi. Të dalësh në shi me mikun e ngushtë është aventurë”.

Emily Wing

“Thuhet se shiu shkakton rrëmujë… në fakt kujdesen njerëzit për këtë”

Barbara Delinsky

“Natën ëndërroj sikur ne të dy jemi bimë të rritura bashkë, rrënjëngatërruar, dhe sikur ti e njeh tokën dhe shiun sikur gojën time, sepse jemi lindur nga toka dhe shiu”.

Pablo Neruda

“Të vështrosh shiun, do të thotë ti takosh apo të bëhesh pjesë e diçkaje. Të kesh dikë që do të qajë për ty”.

Haruki Murakami

“Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm”

Fabrizio de Andrè

“Shiu seç ka një të fshehtë të vagëllimtë, diçka si dremitje magjepsëse dhe të ëmbël, një muzikë përvuajtëse zgjohet me të dhe bën të shpërgjumet vetë shpirti i peizazhit.”

Federico Garcia Lorca

“Shiu bie kur retë nuk mund të mbajn peshën, lotët bien kur zemra nuk mund të mbaj më dhimbjen”

“Njerëzit thonë se e duan shiun, por i hapin çadrat kur bie shi, njerëzit thonë se e duan diellin, por kërkojnë hije kur dielli del, njerëzit thonë se e duan erën, por kur era fyn, dritaret janë të mbyllura, prandaj edhe unë buzëqesh kur dëgjoj njerëzit të thonë se më duan”./ KultPlus.com

Mbahet Maratona e Gjelbër në Berat me 200 pjesëmarrës

Bashkia e Beratit prezantoi sot edicionin e parë të Maratonës së Gjelbër, një event i veçantë që ndërthur atletikën dhe natyrën.

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ishin pjesë e ceremonisë ku startuan 200 pjesëmarrës.

“E jashtëzakonshme atmosfera sot në “Green Half Marathon”, së bashku me Ministrin Bledi Çuci  nisëm numërimin për startin e 200 pjesëmarrësve në këtë maraton.”, shkruan Demo.

Pjesëmarrësit vrapuan nëpër mjediset mahnitëse të Beratit, duke shfaqur kështjellën madhështore dhe lumin piktoresk të Osumit.

Me një angazhim të fortë për ruajtjen e mjedisit, Maratona e Gjelbër feston bukurinë natyrore dhe trashëgiminë kulturore të Beratit, duke tërhequr atletë dhe entuziastë të natyrës nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë.

Veprimtaria përfshiu dy gara, një gjysmë maratonë dhe një garë 10 mijë, të dyja ofrojnë një eksperiencë të paharrueshme të eksplorimit të shtigjeve befasuese të Beratit.

Përveçse nga Shqipëria, pjesë e maratonës ishin  edhe garues nga rreth 15 vende të botës, gjë e cila pritet të ndikojë edhe në promovimin e Beratit./atsh/KultPlus.com

Sot 62 vjet nga vdekja e Ahmet Zogut

Më 9 prill 1961, në Paris vdiq Ahmet Zogu, i lindur Ahmet Muhtar Zogolli.

Ishte data 8 tetor e vitit të largët 1895 kur lindi Ahmet Zogolli, i cili do të bëhet Mbreti i Parë i shqiptarëve, dhe do ta marr kështu emrin Mbreti Zog.

Ai lindi në Burgajet nga prindërit Xhemal Pasha Zogu dhe Sadije Toptani. Pas 13 vjetëve Ahmet Zogu i ri bëhet shef i krahinës së Matit. Më pas ai dërgohet në liceun Francez dhe në Galatasarai të Turqisë për t’i kryer studimet.

Më vonë, në moshë të re Zogu do të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912.

Tutje, vite më vonë, Zogu i emëruar nga qeveria Delvina arrin të bëhet ministër i brendshëm si 25-vjecare.

Më 31 janar të vitit 1925 Zogu shpallet President i Republikës Shqiptare, kurse më 1 shtator të vitit 1928 ai e shpall Shqipërinë monarki, dhe ai shpallet Mbret i Shqiptarëve.

Pas shpalljes së mbretërisë, më 5 shtator u krijua qeveria e parë e Mbretërisë Shqiptare. Gjatë viteve të monarkisë administrata shtetërore u forcua më tepër megjithëse jo me rrugë demokratike, por me mjete autoritare. Pluralizmi politik u asgjësua. Pati përndjekje politike, burgosje dhe internime. Vendi u shoqërua me trazira të brendshme. Në vitin 1932 ndodhi lëvizja e Vlorës, më 1935 Kryengritja e Fierit, më 1937 rebelimi i Delvinës.

Më 12 shkurt 1946, u nis në Egjipt mbasi merr një ftesë nga ambasadori egjiptian në Mbreti Faruk i Egjiptit. Në qëndrimin e tij nga shkurti i 1946 e deri në verën e 1955, organizoi Lëvizjen e Legalitetit dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e shqiptarëve antikomunistë në mërgim.

Në këtë hulli më 25 korrik 1951 udhëtoi për në New York me Princ Tatin me ftesë të shërbimeve sekrete amerikane, me çrast edhe bleu një pronë në Long Island, por iu pamundësua nga autoritetet e emigracionit në Amerikë për shkak të shqiptarëve që donte të merrte me vete. Asokohe, i sëmurë nga kanceri në mushkëri, donte të lëvizte nga Egjipti që kishte ardhur duke u bërë i paqëndrueshëm politikisht. Korrikun e 1955 oborri mbretëror i organizuar nga mbretëresha u zhvendos për në Francë, ku u vendosën në Ville St Blaise në Kanë, buzë Rivierës.

Mbreti ndërroi jetë më 9 prill 1961 në spitalin Foche në Suresnes, pranë Parisit. U shti në dhé në varrezat në Thiais. I biri, Princ Leka, u shpall mbret i shqiptarëve në një ceremoni në mërgim në hotelin Bristol në Paris. /KultPlus.com

Gjuha Shqype

Poezi nga Ndre Mjeda

Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqipe m’shungullon;
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.

Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç për ty m’rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del.
…………………………..

Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
me zbardh, Shqipe, zanin tand,
e ku Drinit a burimi
që shpërndahet kand e kand.

Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqipnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.

Qoftë mallkue kush qet ngatrrime
ndër kto vllazën shoq me shoq,
kush e dan me flak’ e shkrime
çka natyra vet’ përpoq.

Por me gjuhë kaq t’moçme e mjera
si nj’bij’ kjo që pa prind mbet:
për t’huej t’mbajshin dhenat tjera,
s’t’kishte kush për motër t’vet.

E njat tok’ që je tue gzue,
e ke zan’ tash sa mij’ vjet,
shqiptaria, që mbet mblue
sot nën dhe, edhe shqip flet./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosharja dëshmoi se sakrifica për liri nuk ka çmim

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në 24-vjetorin e betejës së Koshares tha se me respekt kujton heronjtë e kësaj beteje.

Osmani tha se Kosharja dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim.

“Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani,  Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive”, tha Osmani.

Ajo theksoi se pjesë e betejës ishin nga thuajse të gjitha trevat shqiptare.

“Përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet”, theksoi ajo.

Manifestimet “Ditët e Shqipes”, që i kushtohen kësaj beteje të lavdishme, organizohen nën përkujdesin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

“I përjetshëm qoftë kujtimi dhe e pavdekshme lavdia për heronjtë e Koshares dhe luftën e popullit të Kosovës për liri”, shtoi Osmani./KlanKosova/KultPlus.com

Përkujtohet firmëtari i Pavarësisë, Lef Nosi, u dënua me pushkatim nga diktatura

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot firmëtarin, filatelistin, poliglotin, arkivistin, etnografin dhe politikanin shqiptar Lef Nosi (9 prill 1877-15 shkurt 1946).

Lef Nosi lindi në qytetin e Elbasanit më 9 prill të vitit 1877 në një familje ortodokse të lagjes së vjetër të quajtur “Kala”. Vitet e para të shkollës i kreu në qytetin e lindjes dhe më pas vazhdoi studimet e larta për farmaci në Athinë.

Pa mbyllur ende studimet, u kthye në Shqipëri duke u angazhuar thellësisht në drejtim të çështjeve rreth historisë e kulturës kombëtare.

Që në moshë të re, Lef Nosi kishte në zotërim bibliotekën e dytë më të madhe në Shqipëri, pas asaj të Mit’hat Frashërit.

Në vitin 1908, ai mori pjesë në punimet e Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908). Në vitin 1909 u zgjodh kryetar i klubit “Vëllazëria” të Elbasanit dhe po atë vit themeloi shoqërinë kulturore “Afërdita”.

Një vit më vonë, themeloi në Elbasan gazetën “Tomorri”, e para gazetë në historinë e qytetit. Artikujt e botuar në këtë gazetë që karakterizoheshin nga fryma kombëtare, nxitën reagimin e autoriteteve xhonturke, të cilët arrestuan Lef Nosin dhe e dënuan me vdekje. Për shkak të protestave të patriotëve shqiptarë, dënimi me vdekje iu kthye në internim.

Në vitin 1909 ndihmoi në hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit. Më 28 nëntor 1912, ishte një prej delegatëve të Elbasanit në Kuvendin e Vlorës dhe  një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë.

Në kabinetin e Qeverisë së Vlorës me në krye Ismail Qemalin, u emërua si Ministër i Postë-Telegrafëve, ku firmosi disa nga aktet e rëndësishme të kësaj qeverie.

Shumë i rëndësishëm konsiderohet fakti se Lef Nosi ishte botuesi i parë i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Mendohet që origjinali të ketë qenë pjesë e koleksioneve të tij, por ky fakt mbetet ende dhe sot i pasqaruar.

Në mars të vitit 1914, ishte pjesë e delegacionit që priti ardhjen e princ Vidit në Shqipëri.

Në vitin 1918 mori pjesë në qeverinë e Durrësit dhe dha një ndihmesë të posaçme në përbërje të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Mori pjesë në jetën politike të fillim viteve 20’ në kuadrin e Federatës “Atdheu”. Gjatë qeverisjes së Fan Nolit në vitin 1924, u caktua kryetar bashkie i Elbasanit. Me largimin e Nolit, Lef Nosi u tërhoq nga politika dhe iu dedikua botimit të dokumentave me vlerë historike, studimeve gjuhësore, mbledhjes së objekteve arkeologjike, folklorike, numizmatike dhe filatelike.

Me pushtimin italian, u internua në Itali dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1942, ku filloi të angazhohet në rradhët e Ballit Kombëtar. Me pushtimin nazist të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Regjencës. Gjatë kësaj kohe, ai ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve të cilët përndiqeshin nga autoritetet naziste.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Lef Nosi u arrestua në veri të Shqipërisë nën akuzën për bashkëpunim me pushtuesit.

Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar si “gjyq ushtarak i Tiranës”, ndonëse i akuzuari nuk kishte qenë ndonjëherë ushtarak. Gjatë gjyqit do të deklaronte që: “Regjenca nuk ka patur lidhje me gjermanët”. U dënua me pushkatim më 15 shkurt të vitit 1946.

Përgjatë viteve të demokracisë u nderua me titujt “Qytetar Nderi i Elbasanit” në vitin 2004 dhe me urdhrin “Gjergj Kastrioti” në vitin 2007.

‘Si një shi ti ike, në çdo pikë më vrisje…’

KultPlus ju sjell interpretimin e këngës ‘Si shiu’, nga Argjentina Ramosaj:

Si do jetoja unë
Pa të prekur,
pa të folur,
pa të parë,
Unë lutesha për ty
Të më kishe ti në zemër sadopak

Dhe sa herë që më takonte
vetëm më emociononte
Ishte si një ëndërr
që shikoja rrallë
Sepse mua s’më përkiste
Ajo ëndërr që po zhdukej dalëngadalë

REF:

Si një shi ti ike
në çdo pikë më vrisje
a e mban mend,
ike ti si ike
dhe në zemër kishe
akoma atë

Pse dua të them unë
s’do të dua më njeri
sa të kemë jetë
Pse dua të mendoj
e të krahasoj
me ty unë çdo moment

Dhe sa herë që më takonte
vetëm më emociononte
Ishte si një ëndërr
që shikoja rrallë
Sepse mua s’më përkiste
Ajo ëndërr që po zhdukej dalngadal

REF:

Si një shi ti ike
në çdo pikë më vrisje
a e mban mënd
ike ti si ike
dhe në zemër kishe
akoma atë/KultPlus.com