Studentët e Fakultetit të Arteve, drejtimi i muzikës, të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, janë renditur të tretët në garat Ndërkombëtare për Kitarë Klasike në Bullgari.
Në njoftimin e tyre thuhet se profesori Xhevdet Sahatxhija, me asistim të Gjulian Bytyqit i përgatitën studentët e UHZ-së për këto gara.
“Falë përkushtimit, dëshirës së zjarrtë për avancimin e muzikës në Kosovë e më gjerë, dashurisë për rininë kosovare dhe këmbënguljes për të qenë prezent gjithmonë në vendin tonë, qoftë nëpërmjet Festivalit të Kitarës si organizator i saj në qytetin e Pejës, qoftë si profesor në universitetin “Haxhi Zeka”, me të cilin ky institucion gjithmonë krenohet, këtë herë profesor Xhevdet Sahatxhija solli në qytetin tonë një çmim prestigjioz me të cilin na bënë krenarë jo vetëm UHZ-së por edhe Pejën e mbarë Kosovën”.
“Profesori Sahatxhija, me asistim të Gjulian Bytyqit përgatitën studentët e UHZ-së për garat e XXVI Ndërkombëtare për Kitarë Klasike e cila u mbajt në Kyuestendil të Bullgarisë nga data 6-8 prill 2023. Universiteti u përfaqësua nga studentët Redon Hajdari, Blina Nushi, Lind Rudi dhe Sidrit Hamiti, të cilët fituan vendin e tretë në kategorinë e muzikës së dhomës duke garur me të rinj nga Bulgaria, Serbia, Republika e Maqedonisë së Veriut, Ukraina, Republika Ceke dhe Franca. Juria në këtë garë ishte e përbërë nga emra të mirënjohur të fushës së muzikës nga 12 shtete evropiane”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se në këtë garë e cila organizohet çdo vit në Kyuestendil të Bullgarisë, morën pjesë tetë formacione muzikore.
“Në këtë garë morën pjesë tetë formacione muzikore dhe ajo që vlen të ceket është se të rinjtë nga UHZ, të përgatitur nga Profesor Sahatxhija dhe asistent Bytyqi, marrin pjesë për herë të parë në gara ndërkombëtare. Gara Ndërkombëtare për Kitarë Klasike organizohet çdo vit në Kyuestendil të Bullgarisë. Universiteti “Haxhi Zeka” u është mirënjohës studentëve dhe i përgëzon ata për çmimin e fituar dhe njëkohësisht shumë falënderues ndaj përkushtimit dhe vullnetit të profesor Xhevdet Sahatxhija meritat e të cilit janë një vlerë e lartë për universitetin “Haxhi Zeka”, Pejën dhe Kosovën”, thuhet tutje në njoftim./KlanKosova/KultPlus.com
Në Tiranë u zhvillua Konventa Ndërkombëtare e Turizmit nën logon “FESTA”, një event i rëndësishëm që bëri bashkë personalitete shqiptare dhe ndërkombëtare, si edhe aktorë të linjës për të diskutuar mbi sfidat e zhvillimit të turizmit, si një sektor potencial me kontribut të madh në ekonomitë e vendeve.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se kjo ishte një javë dedikuar turizmit, me mijëra pjesëmarrës online e ne sallë, nga 38 vende të botës që tani janë bërë miq të Shqipërisë.
Kumbaro falënderoi veçanërisht skuadrën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për përkushtimin në mbarëvajtjen e këtij eventi.
“Por gjithë sa pamë në ‘FESTA’ s’do të ishte e mundur pa përkushtimin e sinqertë, angazhimin orar pa orar, harmoninë e grupit dhe koordinimin perfekt të skuadrës së mrekullueshme të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Me zemër organizojmë gjëra që na bëjnë krenarë dhe me zemër ju falënderoj për gjithçka”, u shpreh ministrja, ndërsa ndau foto të ekipit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit./atsh/KultPlus.com
Artisti italian Dario Gambarin ka përdorur një traktor për të krijuar një portret të Pablo Pikasos në djerrinë në Castagnaro, Verona.
Gambarin tha se ishte frymëzuar nga autoportreti i Picasso-s i vitit 1907 për të krijuar atë që ai thotë se është portreti më i madh i artistit spanjoll në botë.
Picasso vdiq më 8 prill 1973, në Mougins, Francë./klan/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës ka thënë se Kushtetuta jonë është frymëzim për liritë dhe të drejtat qytetare.
Ajo ka thënë se mbetet detyrë dhe prioritet i përbashkët që, siç u shpreh ajo, me punë e përkushtim, t’i respektojmë dhe zbatojmë këto vlera kushtetuese, përcjell Klankosova.tv.
“Sot festojmë miratimin e Kushtetutës së Republikës Kosovës- Aktit themeltar të shtetit tonë. Kushtetuta jonë është frymëzim për liritë dhe të drejtat qytetare, për barazi para ligjit dhe vlera të tjera, përmes të cilave, kjo kushtetutë na mban brenda familjes së madhe evropiane”.
“Është detyrë e përbashkët, që nëpërmjet ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial, respektimit të vullnetit të popullit, garantimit të lirive qytetare pa dallim, t’i mbrojmë dhe avancojmë këto vlera, duke u bazuar gjithnjë në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës. Mbetet detyrë dhe prioritet i yni i përbashkët që me punë e përkushtim, t’i respektojmë dhe zbatojmë këto vlera kushtetuese, të cilat ndër të tjera janë edhe shpërfaqje e identitetit tonë”, ka thënë ajo./KultPlus.com
Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, 24 vjet më parë në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike, ndihmë mjekësore, për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.
Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.
Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.
Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.
Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë./Gazeta Express/KultPlus.com
Sot janë bërë 15 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.
9 prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot e kanë ditë pushimi./Klan/KultPlus.com
Një shprehje e Homerit shqiptar, kolosit të letrave Gjergj Fishta gjen vend dhe sot ndër shqiptarë.
“Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, kjo thënie e poetit të madh ka treguar se ndër shekuj shqiptarët e kanë pasur bashkëjetesën fetare një shembull për të gjithë duke e përcjellë brez pas brezi.
Edhe sot, në këtë ditë festë për besimtarët katolikë , shumë figura kanë uruar për festën e Pashkëve, duke dëshmuar paqe e mirëkuptim pavarësisht bindjeve fetare ndërmjet njerëzve. /KultPlus.com
Në rrethana normale, emrin që mban një njeri s’është asgjë më shumë nga ç’është unaza e letrës për një puro: një shenjë dalluese, një send i jashtëm gati rëndomtë, që ka vetëm një lidhje fare të flashkët me subjektin e vërtetë, me unin e mirëfilltë. Por, në rast suksesi, ky emër fryhet jashtë mase.
Ai shkëputet nga njeriu që e mban dhe bëhet pushtet, forcë, send më vete, mall tregtie, kapital, dhe së brendshmi, si pasojë e një reaksioni të fuqishëm, bëhet gjithashtu një forcë që nis ta ndikojë, ta sundojë e ta shndërrojë njeriun që e mban atë emër.
Disa njerëz, të cilët nga natyra janë të lumtur e të vetëdijshëm për vlerat që kanë, barazojnë veten padashur me ndikimin që ushtrojnë. Një titull, një post, një dekoratë, pa le pastaj popullariteti i emrit të tyre, bëjnë t’u lindë një siguri më e madhe, një besim më i madh në vetvete dhe mund t’u krijojnë bindjen se meritojnë të kenë rëndësi të veçantë për shoqërinë, për shtetin e për epokën e tyre, e kështu pastaj fryhen padashur, me qëllim që, nëpërmjet pozash, të rrisin shkallën e ndikimit të vet në publik.
Por ai që është i prirur nga natyra të mos ketë besim në vetvete, e ndien çdolloj suksesi si një zotim për të mbetur sa më i pandryshuar, dhe sidomos në rrethana të vështira.”/redaktori.net/KultPlus.com
Telefoni po merr nje sy gjume para ardhjes sate Abazhuret varen te heshtur mbi pritjen Perbindeshat mbi qilimin e dhomes dremitin te qete
Ora kaloi Ti u vonove Drita e abazhureve u be e keqe Si i vrare telefoni ka rene permbys e s’merr fryme Tani perbindeshat filluan te levizin Ja, po zgjohen me leshra te kerleshura mbi qilim
Ti do vish patjeter te qetesosh gjithcka./ KultPlus.com
Artefakti prehistorik, me mbishkrime të rralla, sot, kur në Muzeun Historik po kryhen punime, gjendet po në oborr. Përkohësisht është mbuluar me disa mbështjellëse… por fati i tij ka shqetësuar ambjentalistin Sazan Guri dhe një grup studiuesish.
“Ne jemi një grup studiuesish që interesohen për fatin e etnokulturës, e gjuhësisë, e artefakteve që janë pafund në Shqipëri, që drejtoria e Muzeut, Akademia e Shkencave dhe Kryeministri i vendit kërkojnë t’i zhbëjnë, t’i zhdukin, t’i varrosin, siç kanë bërë këtë Gurë të Xhuxhës, me shkrimin mbi të si shkrimi më i vjetër në botë”, shprehet ambientalisti Sazan Guri.
Ata thonë se “Guri i Xhuxhës” duhet të ishte trajtuar me prioritet nga institucionet përkatëse.
“Kërkojmë të vendoset brenda nw Muze”, shprehet më tej ambientalisti.
Ndërkaq drejtori i Muzeut, Dorian Koçi i kontaktuar nga Report tv, u shpreh se Guri i Xhuxhës, ka qenë nën kujdesin e specialistëve që e kanë studiuar dhe mirëmbajtur dhe nuk ka asnjë dëmtim. Po ashtu, Koçi u shpreh për të ka një projekt madhor, që përfshin dhe Institutin e Monumenteve (sot. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore).
“Kam komunikuar me drejtorin e Muzeut, më tha “më lër kohë”, por koha skadoi”, shprehet më tej Guri.
Studiuesit ngrenë gjithashtu si shqetësim se institucionet dhe zyrtarët tanë, po tregohen neglizhentë jo vetëm ndaj një trashëgimie të tillë arkeologjike, por edhe ndaj simboleve kombëtare. Përmendin pritjen pa flamur të zyrtarëve tanë në Turqi dhe hartën e Kosovës nën Serbi në Konferencën Ndërkombëtare të Turizmit.
“Sot gjysma e kombit tonë është vënë në gjyq, po gjykohet në Hagë. Dhe mua më vjen keq, jo vetëm për shtetin shqiptar, jo vetëm për partitë politike shqiptare, që nuk janë ndjerë, që nuk po ngrenë zërin, që nuk po organizojnë dot një miting në mbrojtje të UÇK-së”, shprehet shkrimtari dhe publicisti Arben Kondi.
Në fund të konferencës, studiues e aktivistë, pretenduan të zbulonin artefaktin, por mungesa e lejes nga Ministria e Kulturës u bë pengesë…
Në përshtypjet e tyre vizitorët e huaj nga Gjermania e Spanja janë shprehur, jo vetëm për vlerat arkeologjike të këtij parku, por edhe për natyrën e bukur dhe mikpritjen shqiptare.
Turistja 1: Jemi nga Gjermania. Përshtypjet e para janë shumë të mira, por ka shumë mbeturina.
Turistja 2: Hera e parë që vijmë. Gjetëm një vend modern dhe ky park arkeologjik është shumë interesant.Por këtë periudhe pranverore parku i Apolonisë vizitohet edhe nga nxënës shkollash të cilët njihen me historinë e antikitetit. Mësuesja: Kemi sjellë nxënësit në këto ditë pushimi për të kënaqur në një vend ku dhe fëmijët të shëtisin, por dhe të njihen me antikitetin dhe arkeologjinë e vendit tonë. Arkeologu i parkut, Arjan Dimo është shprehur se parku është i vizitueshëm në çdo periudhë të vitit por pritshmëria e kësaj periudhe pranverore ka sjellë më shumë turistë, ku numri i tyre për çdo ditë shkon mbi 100 vizitorë.
“Vizitorë të huaj, ku spikaten kryesisht grupe të organizuara, sidomos vizitorë që vijnë nga Spanja, turistë spanjollë, por mbi të gjitha vërejmë rikthimin e shqiptarëve dhe kryesisht të fëmijëve të shkollave, të nxënësve të shkollave, të cilët kanë filluar ta rifrekuentojnë përsëri Apoloninë pas një mbyllje të gjatë të kohës së pandemisë”, është shprehur arkeologu Arjan Dimo.
Me ardhjen e pranverës ka një frekuentim të lartë të vizitorëve të huaj por edhe vendas./TopChannel/KultPlus.com
Kostumi i bardhë me jelek në të cilin aktori i njohur “theu” shumë zemra në vitet shtatëdhjetë do të dalë në ankand. Me titullin “Hollywood, klasik dhe bashkëkohor”, ai do të shitet në Beverly Hills, në shtëpinë e ankandeve Julien.
“Kostumi i Travoltës konsiderohet si një nga kostumet më ikonike në historinë e filmit. Është një nga dy të vetmit që dihet se është përdorur gjatë xhirimeve të filmit, duke përfshirë sekuencat e paharrueshme të kërcimit”, thuhet në njoftimin sipas shtëpisë së ankandeve.
Ndërkohë, ankandi do të mbahet në datat 22 dhe 23 prill.
Në të do të shfaqet edhe hanxhar i Harrison Ford nga filmi “Indiana Jones”, si dhe helmeta e Iron Man nga filmi “Captain America”./abcnews.al/KultPlus.com
Prodhuesi amerikan i makinave elektrike ”Tesla” ka ulur çmimet për herë të tretë këtë vit me qëllim të rritjes së kërkesës për dy modelet e saj më të shtrenjta të automjeteve elektrike në Shtetet e Bashkuara.
Sipas çmimeve në faqen e internetit të kompanisë, është bërë ulje prej 5 000 dollarësh për Modelin S dhe Modelin X.
Versioni bazë i Modelit S kushton 84 990 dollarë, ndërsa çmimi i Modelit X është ulur në 94 990 dollarë.
Çmimet e versioneve sportive të Modelit 3 dhe Modelit Y janë ulur gjithashtu përkatësisht me 1 000 dhe 2 000 dollarë.
Çmimi i Modelit 3 tani është 41 990 dollarë, kurse Modeli Y është 49 990 dollarë.
Tesla gjithashtu uli çmimet e automjeteve të saj në SHBA dhe Evropë në janar dhe mars për të rritur shitjet./ KultPlus.com
Më 1 Qershor 1998 Kofi Annan, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së pati vizituar Kosovën, në këtë fotografi ai shihet së bashku me Presidentin Ibrahim Rugova duke shtrënguar dorën njëri-tjetrit.
Kofi Annan, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, i cili do të festonte sot ditëlindjen e tij të 85-të, ka qenë padyshim një person kyç gjatë viteve 1999 ku në Kosovë kishte plasur genocidi serb.
Kofi Anan ka vizituar Kosovën por edhe kampet e refugjatëve gjatë luftë së fundit, në ato vite ai u takua me autoritetet lokale dhe pa nga afër lagjet e shkatërruara nga forcat serbe.
Gjatë kohës kur ai ishte pjesë e OKB-së, ndoqi me kujdes dhe përkushtim situatën e krijuar mes dy vendeve, ku akuzonte Serbinë për shkatërrimin e Kosovës dhe dënonte krimet e saj ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Ai insistoi dhe realizoi me sukses dy qëllimet që e favorizuan Kosovën, kthimi i refugjatëve të Kosovës dhe që Kosova të vihet nën administrimin e OKB-së, përpara se të nënshkruhej më vonë dhe paqja mes dy vendeve./KultPlus.com
Poezi nga OSIP MANDELSHTAM (1881-1938) / Përktheu në shqip Agron Tufa
Çastesh t’lulëzuara s’kam dashtë të kem Buzët e tua, Kasandër, tuat sy, Por, në dhjetor të kremtimit solemn Kujtimi do na djegë të dy!
Të gjitha i humbëm, duke dashuruar Në dhjetor të vitit shtatëmbëdhjetë: Dikush u grabit me vullnetin e popullit, Tjetri grabiti veten e vet…
Por, kjo jetë në qoftë domosdo deliri, Dhe pyll’ i anijtë, pallate – vargmale, – Fluturo, pra, fitore e paduar – O murtajë hiperboreale!
Midis autoblindash, bash në shesh Unë shoh një njeri: ai Me urë të ndezur ujqit tremb: Me ligj, me liri, me barazi!
Dallëndyshkë moj, e mira Kasandër, Ti rrënkon, ti digjesh – për çfarë Na ndriçoi dielli i Aleksandrit Të gjithëve, qind vjet më parë?
Herëdokur, në kryeqytetin e vështirë, Kur skithët në breg Nevë të shtrojnë gostinë, Nën tingujt e ballos së këllirë Prej kokës së bukur do t’ta shkyjnë shaminë./KultPlus.com
E kam të vështirë ta kuptoj rëndësinë që i jepet fjalës “kërkim“ në lidhje me pikturën moderne. Simbas meje, në pikturë, kërkim nuk do të thotë asgjë. Të gjesh: ky është problemi. Askujt nuk mund t‘i zgjojë kureshtje një njeri që vështron ngultazi përtokë, duke kërkuar kuletën që rastësia mund ta ketë hedhur në rrugë. Kush gjen diçka, nuk ka rëndësi se çfarë, edhe nëse kërkimi i asaj gjëje s’ishte qëllimi i tij, ai po që na zgjon kureshtjen, pse jo dhe admirimin.
Më kanë akuzuar se kam kryer shumë mëkate: por akuza më e rreme është se unë paskam si qëllim kryesor të punës sime prirjen për të kërkuar. Kur pikturoj, qëllimi im është të tregoj atë që kam gjetur dhe jo atë që po kërkoj. Në art qëllimet nuk janë të mjaftueshme dhe, siç themi ne në Spanjë, dashuria duhet të tregohet me vepra dhe jo me argumente. Vlerë ka ajo që bëjmë dhe jo ajo që synojmë të bëjmë.
Të gjithë e dimë se arti nuk është e vërteta. Arti është një gënjeshtër që na ndihmon të realizojmë të vërtetën, së paku të vërtetën që na është dhënë të kuptojmë. Artisti duhet të dijë mënyrën me të cilën do t’i bindë të tjerët për të vërtetën e gënjeshtrave të tij. Nëse nëpërmjet punës së tij ai arrin të na tregojë vetëm faktin se ka kërkuar dhe rikërkuar mënyrën e realizimit të gënjeshtrave të tij, ai kurrë nuk do mund të arrijë diçka.
Shpeshherë ideja e kërkimit e ka nxjerrë pikturën nga udha, ndërsa artistin e ka bjerrë nëpër stërhollime mendore. Ndoshta ky ka qenë gabimi kryesor i artit modern. Shpirti i kërkimit i ka helmuar ata që nuk i kanë kuptuar plotësisht të gjithë elementët pozitivë dhe përmbyllës të artit modern dhe i ka bërë të përpiqeshin të pikturonin të padukshmen, pra të papikturueshmen.
Ata flasin për natyralizëm dhe kundërvënie ndaj pikturës modene. Do më pëlqente të njihja ndokënd që ka parë një vepër arti natyrale. Natyra dhe arti, duke qenë dy realitetet krejtësisht të ndryshme, nuk mund të jenë e njejta gjë. Nëpërmjet artit ne shprehim konceptimin e asaj që natyra nuk është.
Velázques na ka përcjellë shëmbëlltyrën e njerëzve të epokës së tij: pa dyshim që ata ishin ndryshe nga ç’i ka pikturuar ai, por ne nuk mund të konceptojmë Filipin IV ndryshe nga ç’e ka pikturuar Velázques. Edhe Rubens ka bërë një portret të të njejtit mbret, por duket tjetër njeri. Ne besojmë në atë që ka pikturuar Velázques sepse ai na bind me të drejtën e pushtetit.
Qysh nga origjina, nga primitivët, veprat e të cilëve janë qartësisht të ndryshme nga natyra, dhe deri tek artistë si David, Ingres, e deri dhe Bouguereau, të cilët besonin se e pikturonin natyrën ashtu siç është, arti ka qenë përherë art dhe jo natyrë. Dhe nga pikëpamja e artit nuk ka forma konkrete apo abstrakte, por vetëm forma, të cilat s’janë gjë tjetër veçse gënjeshtra bindëse. Nuk ka dyshim se këto gënjeshtra janë të nevojshme për pjesën tonë mendore, sepse pikërisht përmes tyre ne mund të krijojmë këndvështrimin tonë estetik mbi jetën.
Kubizmi nuk është i ndryshëm nga asnjë shkollë tjetër e pikturës. Për të gjitha shkollat janë të përbashkëta të njejtët parime e të njejtët elementë. Fakti se për shumë vite kubizmi nuk është kuptuar, dhe ka ende sot ka njerëz të cilët nuk arrijnë ta shohin, nuk do të thotë kurrgjë. Unë nuk di të lexoj në anglisht. Një libër në anglisht për mua është një libër i bardhë. Por ama kjo s‘do të thotë se gjuha angleze nuk ekziston. Përse duhet të qortoj ndokënd, veç vetvetes, nëse nuk arrij të kuptoj diçka rreth së cilës nuk di kurrgjë?
Shpesh dëgjoj të shqiptohet fjala evolucion. Më kërkojnë të shpjegoj se si evoluon piktura ime. Për mua, në art nuk ka të shkuar apo të ardhme. Nëse një vepër arti nuk mund të jetojë përngahera në të tashme, nuk duhet të merret në konsideratë. Arti i grekëve, i egjiptianëve, i piktorëve të mëdhenj që jetuan në kohë të tjera, nuk është art i së shkuarës. Mbase sot është më i gjallë nga ç’ka qenë ndonjëherë. Arti nuk evoluon vetvetiu, idetë e popujve ndryshojnë e bashkë me to ndryshojnë edhe mënyrat e shprehjes. Kur dëgjoj të flitet për evoluimin e ndonjë artisti, më duket sikur njerëzit e shikojnë atë në këmbë midis dy pasqyrave që riprodhojnë shëmbëlltyrën e tij në sasi të panumërt- e që kundrojnë edhe shëmbëlltyrat vijuese të pasqyrës tjetër si të ardhmen e tij- teksa shëmbëlltyra e tij e vërtetë ndodhet në të tashme.
Ndryshimi nuk do të thotë evolucion. Nëse një artist ndryshon ekspresionin e tij, kjo do të thotë se ai ka ndryshuar vetëm mënyrën e tij të të menduarit, gjë që mund të jetë për më mirë ose për më keq. Mënyrat e shumta që kam përdorur unë nuk duhet të konsiderohen si një evolucion apo si shkallë që çojnë drejt një ideali të panjohur të pikturës. Gjithë ç’kam bërë ka qenë gjithnjë për të tashmen, me shpresën e të mbeturit përherë në të tashmen.
Kur kam gjetur diçka për të shprehur, e kam bërë pa menduar për të shkuarën apo të ardhmen. Nuk besoj se në mënyrat e mija të ndryshme kam përdorur elementë rrënjësisht të ndryshëm; nëse objektet që kam dashur të shpreh më kanë propozuar mënyra të ndryshme ekspresioni, unë nuk kam ngurruar fare t’i përdor. Unë nuk kam bërë as eksperimente e as prova. Kur kam diçka për të thënë, e them në mënyrën që më duket më natyrale. Motive të ndryshme kërkojnë në mënyrë të pashmangshme metoda të ndryshme ekspresioni. Kjo nuk do të thotë evoluim apo ecje përpara, por përshtatje e idesë që duam të shprehim me mënyrat e shprehjes së kësaj ideje.
Arti kalimtar nuk ekziston. Në historinë kronologjike të artit ka periudha që janë më pozitive dhe më të plota se të tjerat; kjo do të thotë vetëm se ka periudha në të cilat ekzistojnë artistë më të mirë se në periudhat e tjera. Nëse historia e artit do mund të paraqitej në mënyrë grafike, ashtu siç veprohet me digramat që shënojnë ndryshimet e temperaturës së të sëmurit, do viheshin re të njejtat linja që ulen e çohen, duke provuar kështu që në art nuk ka ngjitje dhe përparim, por shënohen do lloj uljesh e ngritjesh si në çdo tjetër fushë. E njejta gjë ndodh edhe në punën individuale të një artisti.
Shumë njerëz mendojnë se kubizmi është një art kalimtar, një eksperiment që nuk mund të sjellë rezultate të mëtejshme. Ata që mendojnë kështu nuk e kanë kuptuar. Kubizmi nuk është një farë apo fetus, por art që trajton një shkallë formash parësore, dhe kur një formë realizohet shfaqet aty për të jetuar jetën e saj. Një lëndë minerale që ka një formë gjeometrike nuk është bërë për qëllime kalimtare; ajo është aty për të mbetur dhe mbetur përherë në formën e saj; nëse duam të zbatojmë në art ligjet e evolucionit dhe të transformizmit, atëherë duhet të pranojmë që gjithçka është kalimtare. Por, në të kundërt, arti nuk hyn në këto absolutizma filozofike. Në qoftë se kubizmi ishte art kalimtar, unë jam i bindur se e vetmja formë që do mund ta pasonte kishte për të qenë një formë tjetër e kubizmit.
Janë bërë përpjekje për ta shpjeguar kubizmin nëpërmjet matematikës, trigonometrisë, kimisë, psikanalizës, muzikës, e kushedi ç’gjëje tjetër. E tërë kjo s’ka prodhuar send tjetër përpos letërsi, për të mos thënë “pa kuptim“, dhe ka sjellë rezultatin e keq të verbimit të njerëzve përmes teorive.
Kubizmi ka qëndruar përherë brënda kufinjve të pikturës, duke mos mëtuar kurrë të dalë jashtë saj. Vizatimi, piktura dhe ngjyra janë mirëkuptuar dhe përkushtuar në kubizëm po me të njejtin shpirt dhe mënyrë siç janë mirëkuptuar në shkollat tjera. Kohërat tona mund të jenë të ndryshme sepse ne kemi ndërkallur në pikturë objekte dhe forma të panjohura më parë, kemi hapur sytë mbi gjithë çfarë na qarkon, e edhe mendjen.
Formës dhe ngjyrës u kemi dhënë kuptimin e tyre të veçantë gjer ku kemi arritur ta shohim. Në objektet tanë ruajmë harenë e zbulimit, kënaqësinë e së papriturës; vetë objekti ynë duhet të jetë një burim vëmendjeje. Por ç’dobi ka vallë të flasim rreth asaj që bëjmë, në një kohë kur të gjithë mund ta shikojnë, nëse duan?
Prishtina Film Festiv njofton se kanë filluar aktivitetet e tyre të vitit 2023 me lansimin e PriGlobal dhe PriDox si javë të filmit të ndara nga ngjarja kryesore që do të mbahet në shtator.
Në vijim gjeni njoftimin e plotë:
PriFest me javë të filmit të ndara nga ngjarja kryesore që do të mbahet në shtator.programe te reja.
PriFest po zgjerohet! Jemi të lumtur që po i fillojmë aktivitetet tona të vitit 2023 me lansimin e PriGlobal dhe PriDox si Nga 24 deri më 28 prill, PriGlobal sjell një përzgjedhje të jashtëzakonshme të filmave të pavarur artistik në qendër të qytetit, në Kino Armata. Tregime prej vendeve të ndryshme të botës që të nxisin të mendosh, të realizuara me qasje regjisoriale inovative, të shpalosura në 5 ditë të bukura pranvere… po na pret diçka e bukur! Përzgjedhjen e filmave për PriGlobal e ka bërë Claudia Landsberger.
Jo shumë më vonë, prej 6 deri më 10 qershor, do ta mirëpresim debutimin e PriDox. Programi i mirënjohur i filmave dokumentar u themelua si kategori jogaruese e kalendarit të PriFest në 2011, evoluoi në një program garues në 2017, dhe tani po shkëputet për t’u bërë një ngjarje e veçantë që selekton dhe prezanton punimet më mbresëlënëse në fushën e krijimit të filmave dokumentarë. Përzgjedhjen e filmave për PriDox do ta bëjë Alush Gashi.
Lajmërimi i sotëm po na gëzon, pasi që programi jonë tani do të na bashkojë më shpesh, për ta ndarë me njëri tjetrin dashurinë që e kemi për filmin, e për t’u kënaqur me atmosferën festive për të cilën njihet PriFest-i.
PriFest falenderon përzemërsisht Ministrinë e Kulturës, Rinisë & Sportit të Republikës së Kosovës dhe Bankën Raiffeisen për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, si dhe Kino Armatën për bashkëpunimin dhe miqësinë./KultPlus.com
Më 8 prill 1937 u botua kryevepra letrare monumentale shqiptare e At Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malcisë”.
Fishta filloi ta shkruante nga vitit 1905 duke e përfunduar në vitin 1937.Epopeja Lahuta e Malcisë përshkruan luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër tregojnë ngjarje të veçanta. Ajo nuk është një poemë që ka një veprim kryesor dhe një hero kryesor, siç janë eposet e mëdha.
Heronjtë e Lahutës janë të shumtë: Oso Kuka, Marash Uci, Dedë Gjo Luli, Tringa, Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, që funksionalisht në vepër janë të ngjashëm, se kanë veçantitë e heroizmit shqiptar. Vepra nis me këndimin e heroizmave shqiptare për të mbrojtur tokat e veta nga sulmet malazeze, të përqendruara në Shqipërinë e Veriut, mirëpo vjen duke u zgjeruar në hapësirë dhe në kohë për të kapur ndodhitë e cilësitë shqiptare. Vepra nis me trajtimin e një krahine, për t’u zgjeruar në tërësinë etnike shqiptare; nis me trajtimin e burrnisë së një ambienti për të arritur te koncepti i kombit.
E ndikuar dendur nga këngët epike veriore, përmban elemente të besimeve popullore shqiptare dhe ndikime të letërsisë sllave të jugut. Ndikimin letrar e mori nga fretërit françeskanë gjatë studimeve në kuvendet françeskane në Bosnie.[1] Më 1905 u botua në Zara te Kroacise Bleni I i veprës, me pesë këngë me të hollat që i kishte dërguar Faik Konica. Një vit më vonë u botua Bleni II, me katër këngë dhe kështu me radhë, deri në botimin përfundimtar me 30 këngë.
Autori në variantin përfundimtar krijoi një renditje të këngëve për të sugjeruar një kronologji të ngjarjeve që perfshijne ndodhitë shqiptare nga gjysma e shekullit 19 deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës më 1913. Vepra mbështetet në tre lloje këngësh: historike, si Vranina, Kongresi i Berlinit, Lufta e Ballkanit, Konferenca e Londrës – ku i referohet këngëve historike; kreshnike, me shpërthimet krijuese imagjinative që i referohen Ciklit të Kreshnikëve dhe te këngëve baladë, autoriale, si Patër Gjoni dhe Tringa, që japin me detaje imagjinatën e poetit edhe kur mbështeten në paratekstet e baladave, duke i transformuar në stilin vetjak. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Një pikturë e fillimit të shekullit të 20-të që kishte humbur për më shumë se 60 vjet u kthye në Universitetin e Montanës muajin e kaluar në mënyrë të papritur.
Në dimrin e vitit 2022, një burrë nga Kentaki hasi në portretin e Clifford Breeding teksa po hulumtonte nëpër gjërat personale të babait të tij të ndjerë.
Babai i tij kishte treguar se donte që piktura të kthehej në Universitetin e Montanës, kështu që burri kontaktoi drejtorin e Muzeut të Artit dhe Kulturës në Montana, Rafael Chacón, i cili e njohu menjëherë veprën pasi pa një fotografi.
Portrait of Clifford Breeding by Fra Dana
“Ai tha se babai i tij e bleu pikturën në një treg në oborrin Missoula për 25 dollarë. Askush nuk e di se si përfundoi në atë oborr “, tha Chacón. “Unë nuk bëra asnjë pyetje tjetër. Thjesht thashë ‘faleminderit’. Ne jemi shumë mirënjohës që e kemi kthyer atë”.
Portreti i mrekullueshëm i një djali që mbante një kapele dhe pinte një cigare u zhduk nga Universiteti i Montanës në vitet 1950, askush nuk mund të dallonte saktësisht se kush ishte arratisur me veprën e artit, madje ajo u shfaq në një ditar të vitit 1990 si një nga “veprat më të rëndësishme të humbura të artit të Montanës të të gjitha kohërave”.
U pikturua nga Fra Dana (1874-1948), një impresioniste që studioi nën William Merritt Chase dhe Mary Cassatt.
“Ky është një portret shumë i rëndësishëm për karrierën e Fra Danës”, tha Chacón në një deklaratë.
“Jo vetëm që ne e shohim atë më të aftën si një impresioniste në mënyrën se si ajo trajton kompozimin, dritën dhe ngjyrën, por ne shohim gjithashtu interesin e saj për lëndët e shkollës Ashcan, një lëvizje amerikane nga Bregu Lindor në kthesën e shekullit i cili u fokusua në tema të përbashkëta në mënyrë të ndershme dhe të sinqertë.
Kthimi i portretit në shtëpi përkon me lëvizjen e muzeut në një ndërtesë krejt të re në kampusin e UM, e planifikuar për t’u përfunduar këtë vjeshtë./ KultPlus.com
Aktori amerikan, Lance Reddick, vdiq muajin e kaluar në moshën 60-vjeçare.
Ndërkaq tash janë mësuar edhe shkaqet që çuan në vdekjen e tij.
Sipas certifikatës së vdekjes së Reddickut, të siguruar nga TMZ, Reddicku ka vdekur nga sëmundja e ishemike e zemrës dhe sëmundja koronare arterosklerotike.
Ai njihej më shumë për rolet e tij si në serinë The Wire, ku e luante oficerin e respektuar të policisë, si dhe në Fringe dhe në Lost.
Së fundi ai e kishte reprizuar rolin e tij si Charon në John Wick: Chapter 4./ KultPlus.com
Bendi kosovar Gipsy Groove, i cili është themeluar në vitin 2010-të, është një ndër bendet më të pëlqyera në vend.
Gipsy Groove ka gjashtë anëtarë dhe ky është mbase bendi i vetëm multi-etnik i cili përfshin rom, shqiptarë dhe turq në një grup të vetëm, të cilët i bashkon muzika më shumë sesa mund t’i ndajë përkatësia e tyre etnike.
Dhe mu ky fakt ka kontribuar që bendi të krijojë muzikë shumë unike që është miks i kulturave, këngëve dhe traditave të gjithë popujve të Ballkanit, e cila pëlqehet në secilin vend të rajonit.
KultPlus po ju sjell sot këngën “Herdelezi” nën interpretimin e këtij grupi./ KultPlus.com
Frashniza Star Wars e ka konfirmuar që të tre filma janë në punim e sipër.
Filmi i parë i franshizës do të bëhet nën regjinë e James Mangoldit i cili e ka bërë regjinë e filmit të sivjetmë të Indiana Jones, Indiana Jones And The Dial Of Destiny.
Ky film do ta eksplorojë “Xhedain e parë që përdor forcë”, sipas Kennedysë, shkruan Empire.
Ndërkaq, filmi i dytë do të bëhet nën regjinë e bashkëkrijuesit të The Mandalorian, Dave Filoni.
Krejt në fund, filmi i tretë do ta ketë firmën e regjisorit të Ms. Marvel Sharmeen Obaid-Chinoy dhe do të lëvizë për 15 vjet larg The Rise Of Skywalker./ KultPlus.com
Kofi Annan, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, ka qenë padyshim një person kyç gjatë viteve 1999 ku në Kosovë kishte plasur genocidi serb, shkruan KultPlus.
Kofi Annan ka vizituar Kosovën por edhe kampet e refugjatëve gjatë luftë së fundit, në ato vite ai u takua me autoritetet lokale dhe pa nga afër lagjet e shkatërruara nga forcat serbe.
KultPlus sot ju përcjellë dy fotografi të shkrepura në majin e vitit 1999-të kur Kofi Annan kishte vizituar kampin e refugjatëve në Stenkovec të Maqedonisë dhe kampin e refugjatëve në Kukës të Shqipërisë.
Gjatë kohës kur ai ishte pjesë e OKB-së, ndoqi me kujdes dhe përkushtim situatën e krijuar mes dy vendeve, ku akuzonte Serbinë për shkatërrimin e Kosovës dhe dënonte krimet e saj ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Ai insistoi dhe realizoi me sukses dy qëllimet që e favorizuan Kosovën, kthimi i refugjatëve të Kosovës dhe që Kosova të vihet nën administrimin e OKB-së, përpara se të nënshkruhej më vonë dhe paqja mes dy vendeve./ KultPlus.com