Ekspertët zbulojnë imazhin dixhital se si dukej një burrë egjiptian pothuajse 35,000 vjet më parë

Ekspertët bazilianë kanë përdorur imazhe dixhitale për të zbuluar fytyrën e një burri egjiptian që jetoi 35,000 vjet më parë.

Moacir Elias Santos, një arkeolog dhe Cícero Moraes, një projektues 3D përdorën mbetjet skeletore të një njeriu të gjetur në një vend arkeologjik në Egjipt për të rikrijuar një imazh dixhital. Imazhi paraqet një përafrim të detajuar të fytyrës të kafkës së Nazlet Khater 2, fosilit 35,000-vjeçar që u zbulua në vitin 1980 në Luginën e Nilit të Egjiptit.

Analiza antropologjike më vonë identifikoi mbetjet skeletore si të një njeriu me prejardhje afrikane, i moshës midis 17 dhe 29 vjeç në kohën e vdekjes së tij. Analiza sugjeron se ai qëndronte përafërsisht mbi pesë këmbë dhe tre inç.

Ekipi përdori procesin e përafrimit të fytyrës, i cili i ndihmon arkeologët të rikrijojnë tiparet e fytyrës së një personi të vdekur duke përdorur mbetjet skeletore.

“Disa vite më parë, ne po punonim tashmë në një seri përafrimesh që lidhen me evolucionin njerëzor, me kopjet më të njohura fosile,” tha për CNN Moacir Santos, arkeolog në Muzeun Arkeologjik Ciro Flamarion Cardoso në Ponta Grossa, Brazil. “Videot u shndërruan në foto dhe u përdorën për përpunimin e fotogrametrisë së kafkës, e cila i dha formë studimit”.

Fotogrammetria është procesi i nxjerrjes së informacionit 3D nga fotografitë, gjë që bënë Santos dhe Moraes pasi panë mbetjet skeletore të njeriut në Muzeun Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian në Kajro.

Ky proces është përdorur nga ekspertët për të përcaktuar se si njerëzit kanë evoluar gjatë shekujve.
Në shkurt, studiuesit zbuluan një ndërtim 3D të një gruaje të lashtë Nabataean bazuar në mbetjet që u zbuluan në vitin 2015 në një varr 2000-vjeçar në Hegra, një vend arkeologjik në Arabinë Saudite.
“Përdorimi i kafkave të njerëzve të gjallë përveç punës së kryer në fushën mjekoligjore… probabiliteti që imazhi të ngjajë me atë që dukej NK2 është dukshëm i lartë,” tha Moraes, projektuesi, për CNN.

Santos dhe Moraes shpresojnë se puna e tyre do të informojë kërkimet e arkeologëve të tjerë mbi evolucionin njerëzor. Ata planifikojnë të tregojnë rindërtimin e fytyrës në një ekspozitë në të ardhmen pas studimit të tyre, i cili u botua në revistën braziliane OrtogOnline muajin e kaluar.

“Fakti që ky individ është mbi 30,000 vjeç e bën atë të rëndësishëm për të kuptuar evolucionin njerëzor”, tha Santos. Moraes theksoi se ndërsa nofulla e njeriut është më e fortë se ajo e njerëzve modernë sot, “35,000 (vite më parë) jemi pothuajse të njëjtë.”

“Nëse një njeri i asaj kohe mund të ecte në rrugë (sot), njerëzit nuk do të shihnin ndonjë ndryshim nga të tjerët”, tha ai./cnn/KultPlus.com

‘Qysh po ju nxen gjumi natën?!’

‘Qysh po ju nxen gjumi natën?’ është sllogani i cili po përdoret si shenjë proteste për lirimin e Naser Pajazitajt, vrasësit të Donjeta Pajazitajt. Kjo shenjë proteste vjen e organizuar nga Organizata “Cicat” dhe ju drejtohet pushtetarëve, sistemit të drejtësisë dhe qeverisë me kuptimin që: si fleni natën duke e ditur se e keni dështuar drejtësinë?

Jastëku, është një simbol i rehatisë dhe pushimit, që në këtë rast përdoret si mjet proteste dhe rezistence, duke u bërë thirrje institucioneve që të zgjohen nga gjumi për të sjellur drejtësi ndaj akteve të vrasjeve të grave.

Ky mesazh shërben si një akuzë ndaj një shoqërie që shumë shpesh mbyll dy sytë e flen gjumë përballë dhunës dhe brutalitetit me të cilin përballen gratë.

‘Konteksti i kësaj fotografie është jashtëmase tronditës, pasi i referohet vrasjes tragjike të Donjeta Pajazitaj, i akuzuari për vrajsen e së cilës përfundimisht u lirua pa asnjë pistë të mëtejshme, pas disa vendimeve të disahershme me burgim të përjetshëm. Kjo tragjedi e pakuptimtë shërben si një kujtesë e ashpër e nevojës për ndërgjegjësim dhe veprim më të madh për të luftuar femicidin. Kjo tragjedi mbyt besimin në drejtësi! 8 vite pas vrasjes së saj, gjykata që liron të akuzuarin e vetëm, ku është dështimi?!’,  thuhet në njoftim. /KultPlus.com.

66 vite nga rihapja e Kanalit të Suezit në Egjipt

Sot shënohen 66 vite nga rihapja për qarkullim e Kanalit të Suezit, pas mbylljes së tij në vitin 1965, shkruan KultPlus

Kanali i Suezit është një kanal artificial detar, i gjatë 163 km, ndërmjet Detit Mesdhe dhe Detit të Kuq, kanal i cili ndan kontinentin e Afrikës nga kontinenti i Azisë.  Kanali i Suezit është lidhja më e afërt detare e hemisferës perëndimore dhe hemisferës lindore të Tokës.

Ky kanal ka rëndësi të madhe gjeo-strategjike për arsye se është rruga më e rëndësishme e tankerëve detar për furnizimin e Evropës me naftën e Lindjes së Afërme.

Kanali i Suezit është hapur në vitin 1869, dhe gjendet në Gjirin e Egjiptit.

Në vitin 1965, kryetari i Egjiptit Gamal Abdel Naser e ka nacionalizuar Kanalin e Suezit dhe për këtë arsye Franca, Anglia dhe Izraeli  kryen një invazion ndaj Egjiptit në këtë vit.

Prej këtij konflikti shumë anije u fundosën, dhe kanali i Suezit u mbyll deri në prill të vitit 1957./KultPlus.com

Nëse më do, më duaj të gjithën

Poezi nga Dulce Maria Loynaz

Nëse më do, më duaj të gjithën,
jo veç në pjesët e dritës dhe hijes…
Nëse më do, më duaj të zezë,
të bardhë, gri, jeshile, bjonde
dhe brune…
Më duaj ditën,
më duaj natën…
dhe në mëngjesin e hershëm në dritaren e hapur!

Nëse më do, mos më hiq pjesë:
Më duaj të gjithën… ose mos më duaj!

Përktheu: Orjela Stafasani/KultPlus.com

Orkestra Simfonike e RTSH-së, koncert me të ftuar specialë

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar mbajti mbrëmjen e djeshme një koncert në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse, me të ftuar specialë solistët Jean Baptiste Haye dhe Calogero Palermo, nën dirigjimin e Aurelien Azan Zielinski.

Artistët me veprat e zgjedhura të autorëve të mirënjohur dhuruan emocione të veçanta për publikun.

Në koncert ata interpretuan Suitë për Orkestër Harqesh e Arian Avrazit; Valle e shenjtë dhe valle profane për harpë dhe orkestër harqesh e Claude Debussy; Suitë për orkestër harqesh e Leos Janacek; si dhe Koncert për klarinetë; dhe orkestër e Aaron Copland; janë veprat e zgjedhura për programin e koncertit.

Calogero Palermo- klarinetë

Me origjinë nga Siçilia, Calogero Palermo u emërua klarinetisti kryesor i Concertgebouëorkest Amsterdam në gusht 2015. Pas përfundimit të studimeve në Konservatorin e Palermos dhe me Thomas Friedli në Gjenevë, ai u emërua klarinetisti kryesor – në moshën njëzet e dy vjeçare – i Orkestrës së Teatrit Bellini në Katania.Ai fitoi audicionin kryesor të klarinetës në Orchestra del Teatro dell’Opera di Roma në 1997 dhe shërbeu si klarinetisti kryesor i asaj orkestre nga viti 1997 deri në 2008 dhe nga 2012 në 2015. Gjatë viteve të ndërmjetme, ai ishte anëtar i Orchestre National de France . Calogero Palermo ka bërë një emër ndërkombëtar si solist dhe muzikant dhome, duke performuar në të gjitha qytetet kryesore italiane dhe në Spanjë, Gjermani, Francë, Tunizi, Rusi, Kinë, Tajvan, Japoni dhe SHBA. Ai është gjithashtu një mësues me përvojë që rregullisht jep masterklase. Promovues i Konkursit Ndërkombëtar Jeunesses Musicales në Bukuresht dhe shumë çmime të tjera të marra në garat më të rëndësishme italiane të klarinetës, ai kryen një karrierë intensive solo që e ka parë atë të performojë me orkestra të shumta duke përfshirë Amsterdam Sinfonietta, Orkestrën Filharmonike të Tajlandës, Filarmoninë e Çekisë ,Orkestra LaVerdi e Milanos, Orkestra e Teatrit Bellini të Katanias, Orkestra Kombëtare Simfonike Çeke, Ansambli Colibrì, Orkestra Simfonike Siçiliane, Orkestra e Teatrit të Operës së Romës, Orkestra Filarmonike Györ, Orkestra Simfonike Abruzzo dhe Orkestra Filharmonike Marchigiana. Palermo është një artist ekskluziv i Buffet- Crampon.

Jean-Baptiste Haye- Harpë

Jean-Baptiste Haye mori Masterin e Harpës në Strasburg në klasën e Pierre-Michel Vigneau. I përzgjedhur disa herë për Orkestrën e të rinjve Franceze, ftohet të performojë me orkestrat kombëtare të Strasburgut, Metz-it, Operës së Parisit dhe Capitole de Toulouse në shumë salla prestigjioze (Philharmonie de Paris, Konzerthaus of Berlin, Elbphilharmonie, Gasteig of Mynih, Arsenali i Metz-it, Halle aux Grains i Toulouse). Në vitin 2016, ai mori çmimin e dytë në Konkursin Ndërkombëtar të Utrecht. Jean-Baptiste Haye është mësues i harpës në Konservatorin Rajonal në Nancy./atsh/KultPlus.com

U nda nga jeta pak ditë më parë, mbahen homazhe për nder të regjisorit Kristaq Mitro

Mbahen sot homazhet në Akademinë e Arteve për nder të regjisorit Kristaq Mitro, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë në moshën 77-vjeçare teksa ndodhej në Austri për një trajtim shëndetësor.

Mitro vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ndodhej në Austri për një ndërhyrje, por nuk ia ka dalë të fitojë betejën me vdekjen.

Të afërm, miq, bashkëpunëtorë e kolegë kanë nderuar figurën e regjisorit të njohur dhe të dashur për publikun përmes veprave të tij të pavdekshme.

Ai ishte një nga regjisorët më të famshëm të kinematografisë shqiptare, që ka lënë gjurmë të thella në historinë e filmit tonë dhe bashkautori i kryeveprave si ‘Liri a vdekje apo “Dimri i fundit”.

Filmat e tij të realizuar ndër vite kanë mbetur për publikun, ndërsa vlerësimet nuk kanë munguar jo vetëm brenda kufijve shqiptarë, por dhe më gjerë. Kontributi i tij si regjisor nuk mungon në filmat si “Njeriu i mirë”, “Duaje emrin tënd”, “Dimri i fundit”, etj.

Regjisori i dhjetëra filmave shqiptarë jepte kontributin e tij si pedagog pranë Universitetit të Arteve në degën Regji-Filmi./ballkanweb/KultPlus.com

Ministri Çeku viziton ekspozitën ‘Ç’nuk dija që e kisha ditë…’ të artistes Lala Meredith-Vula

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka vizituar ekspozitën ‘Ç’nuk dija që e kisha ditë…’ e artistes Lala Meredith-Vula, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku ka thënë se fotografitë në sfondin monokrom paraqesin shtetin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë në katër dekadat e fundit.

“Fotografitë në sfondin monokrom që krah për krah shfaqin Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë nëpër katër dekadat e fundit dhe mullari i sanës në hyrje të galerisë, janë pjesë të ekspozitës “ç’nuk dija që e kisha ditë…” të artistes e fotografes Lala Meredith-Vula, kuruar nga Edi Muka, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter./KultPlus.com

Lansohet videoklipi i “Himni i Gilanit”, projekt frymëzues i Naser Berishës (VIDEO)

Qytetarët e Gjilanit që nga mbrëmja e së premtes tashmë kanë edhe një pjesë identifikuese, pjesë që do ti shoqërojë në ceremoni të ndryshme, qoftë familjare, kulturore e sportive, pasi që këngëtari i famshëm Naser Berisha tashmë ka krijuar himnin e këtij qyteti, himn që përfshinë shumë copëza të këtij qyteti kulturor, duke përfshirë trashëgiminë, kulturën, sportin, por edhe disa personalitete që kanë bërë shumë për kulturën e Gjilanit, shkruan KultPlus.

Lansimi i këngës është bërë në praninë ë shumë artdashësve të Komunës së Gjilanit, ceremoni kjo që është bërë në Vali Ranch të kësaj komune, e që pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, i cili e vlerësoi lart këtë projekt që është mbështetë nga “Global Consulting & Development Associates”, përkatësisht Arsim Vranovci.

Tekstin e kësaj kënge e ka shkruar Naser Berisha e Xhelil Haziri, muzikën Naser Berisha, orkestrimin Rinor Ukimeri dhe  mix -master nga Minimalistmusic.

Naser Berisha para një viti ka shënuar rikthimin e tij në muzikë, ku në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, pat bërë promovimin e albumit “Epikë”, album që ka shënuar poashtu një sukses të madh, kurse “Himni i Gilanit” është projekt me tjetër dimension, pasi që synon që kjo këngë të jetë këngë e të gjithë atyre që kanë rrënjë nga ky qytet i Anamoravës. / KultPlus.com

‘The Super Mario Bros’ vjen me 9 prill në Cineplexx, paralajmërohen shumë shpërblime dhe aktivitete për fëmijë

Më 9 prill, me rastin e Ditës Botërore të Familjes, Cineplexx sjell filmin e animuar , ‘The Super Mario Bros’, event ky i cili do të pasohet edhe me shumë shpërblime dhe aktivitete për fëmijë, shkruan KultPlus.

Ky event do të mbahet në të dy kinematë, në Prishtinë dhe në Prizren, duke filluar nga ora 11:30, ku do të ketë aktivitete me face painting dhe balloon artist falas.

Bazuar në botën e lojërave Mario të Nintendo-s, filmi fton publikun në një univers të ri dhe emocionues, me plot aksion dhe komedi. Sa i përket ngjarjes së filmit, gjatë udhëtimit të tyre, vëllezërit Mario dhe Luigi ndahen aksidentalisht ku Mario zbret në Mbretërinë e Kërpudhave dhe Luigi në ishullin lundrues të banuar nga Boëser i ligë. Me ndihmën e Princeshës Peach, Mario bëhet gati të përballet me Bowser-in e gjithëfuqishëm për të shpëtuar vëllain e tij dhe për të ndaluar Bowser për të pushtuar botën.

Aktorët kryesor mbrapa zërave janë: Chris Pratt, Anya Taylor-Joy dhe Jack Black.

Në kinemanë në Prishtinë do të dhurohen:

6x Gift Cards për spa për 4 anëtarë të familjes në Four Points by Sheraton Prishtina City nga Marigona Hill

3 lodra të Super Mario nga The Entertainer

3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Okaidi

5x Gift Cards në vlerë prej 10€ nga Playland

Ndërsa në kinemanë në Prizren do të dhurohen:

3 lodra të Super Mario nga The Entertainer

5x Gift Cards nga Area 52 Trampoline Park/KultPlus.com

Presidentja Osmani falënderon komunitetin Rom për kontributin e tyre të vazhdueshëm në Kosovë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare Rome, ka thënë se duhet të reflektojmë mbi punën që duhet bërë për të vazhduar avancimin e barazisë dhe përfshirjes për të gjithë, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani, ka thënë po ashtu se Kosova e vlerëson kontributin e vazhdueshëm të komunitetit Rom në Kosovë.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ne festojmë kulturën e pasur, historinë dhe arritjet e komunitetit tonë rom dhe vlerësojmë kontributin e tyre të vazhdueshëm në Kosovë. Sot, ne gjithashtu reflektojmë mbi punën që duhet bërë për të vazhduar avancimin e barazisë dhe përfshirjes për të gjithë”, ka thënë Osmani përmes një postimi në Twitter./KultPlus.com

‘Bubullin te Shkëmbi i Kavajës’

Nazmie Hoxha është një ndër këngëtaret më të njohura të muzikës së mirëfilltë shqipe. “Si dukat i vogël je”, “Oj zogo”, “Shtrona moj nuse, shtrona”, “Bota zunë e flasin” janë disa këngë të saj, të cilat e bënë të paharrueshme këngëtaren edhe pas vdekjes, shkruan KultPlus.

Më poshtë gjeni tekstin dhe këngën ‘Bubullin te Shkëmbi i Kavajës’:

O bubullin
Ke Shkomi i Kavajes o
Ç’ju dogj shpija
Hajde fukarajt e

Ç’ju dogj shpija
Hajde fukarajt

O shkoni merrni
Huten e dajes o
Ta vras beun
Ke Shkomi i Kavajes

Ta vras beun
Ke Shkomi i Kavajes

O ti mre bej o mre
Prej Shijaku
Dil aty o
O ku derdhet gjaku

Dil aty o
O ku derdhet gjaku

O dil aty o mre
Mun ne fush
T’i puqim hutat
Hajde gush o per gush

T’i puqim hutat
Hajde gush o per gush

O djal i ri o
Te keqen nona mre
Vrave beun
Aty mun o ke thona

Vrave beun
Aty mun o ke thona

O s’me vjen keq o
Se u vrave vet e
Se vrave beun
Oh me dyzet vet

Se vrave beun
Oh me dyzet vet/KultPlus.com

Lizzo me rol në serialin “The Mandalorian”

Lizzo iu bashkua zyrtarisht galaktikës së Star Wars. Kjo këngëtare befasoi fansat me paraqitje në episodin e fundit të The Mandalorian. Ajo u paraqit me rolin e një fisnikeje e cila shpejtë bëhet shoqe me personazhin Grogu.

Ajo paraqitet pranë aktorit Jack Black, i cili luan rolin e bashkëshortit të saj.

Më saktësisht, Lizzo paraqitet me rolin e Dukeshës së planetit Outer Rim, Plazir-15, dhe nga ajo që fansat kanë parë, ajo kalon kohën duke luajtur lojën italiane Bocce.

Bllek dhe kapiteni Bombardier qëndrojnë pranë saj gjatë tërë kohës.

Lizzo është fanse e personazhit Grogu. Ajo në vitin 2021 ngjyrosi vetën me ngjyrë të gjelbër, veshi kostumin bezh dhe vuri vesh të gjatë. Ajo kështu u maskua për Halloween, që do të thotë se u duk si Grogu.

Këmgëtarja Lizzo veç në The Mandalorian është paraqitur edhe me disa role në filma të tjerë. Në vitin 2019 huazoi zërin për një personazh në filmin e animuar Ugly Dolls. Po këtë vit u paraqit me rol në filmin Hustlers, ku luajnë edhe disa personalitete të njohura si Xhenifer Lopez, Kardi Bi, Kiki Pallmer e të tjera.

Në vitin 2022 u realizua dokumentari Love, Lizzo, ku rrëfehet jeta dhe karriera e saj./21Media/KultPlus.com

https://youtu.be/nYAc8Fiz35Q

Syri i Sheganit, pikturë natyrore ekoturistike

Syri i Sheganit, pjesë e zonave të mbrojtura, xhevahir i Malësisë së Madhe buzë liqenit të Shkodrës është një prej atraksioneve të kësaj zone që tërheq turistë si një ekosistem natyror i mahnitshëm.

Me pamjen e mrekullueshme që të ofron burimi karstik i Syrit të Sheganit në Malësi të Madhe, aty ku uji i kaltër pikon duke lagur fillimisht qerpikët rreth syrit, pastaj rrjedh në faqet e këtij bregliqeni, zona promovohet si pjesë e itinerarit të atraksioneve të qarkut Shkodër.

Syri i Sheganit është një burim i madh që gjendet në afërsi të fshatit Rrogom, të komunës Bajzë në rrethin e Malësisë së Madhe, pranë buzës lindore të Shkodrës, në lartësinë rreth 6 metra mbi nivelin e detit.

Nga banorët e zonës njihet edhe me emrin Sifoni i Virit. Uji i burimit të Sheganit del nga një oxhak karstik me thellësi rreth 22–28 m dhe gjerësi 3–5 m, është ujë të pastër dhe i ftohtë, që vjen nga ujërat karstike të Alpeve Perëndimore të Shqipërisë. Eksplorimet e tanishme kanë arritur deri në gjatësinë 80 m të rrugës që përshkojnë ujërat e këtij burimi.

Më pas është një shpellë e shembur që pengon eksplorimin. Në ujërat e tyre ka peshq e gjallesa të tjera. Burimet krijojnë një mjedis shumë tërheqës me vlera shkencore (hidrologjike, speleologjike, gjeomorfologjike), didaktike, estetike e turistike. Vizitohet sipas itinerarit qyteti i Shkodrës-Koplik-Ivanaj-Gashaj-Shegan.

Syri i Sheganit është një nga destinacionet më të preferuar të turistëve kryesisht të huaj./atsh/KultPlus.com

https://www.facebook.com/watch/?v=183475637831368

92 vite nga vdekja e nobelistit suedez Erik Axel Karlfeldt

92 vite më parë vdiq poeti suedez, Erik Axel Karlfeldt, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1931, shkruan KultPlus.

Poeti suedez ka lindur më 20 korrik të vitit 1864 në Stockholm. Ai ka studiuar në Universitetin e Uppsala, dhe për të ndjekur studimet atij iu desh të punoj si mësues në disa shkolla. 5 vjet pas diplomimit ai u punësua në Bibliotekën Mbretërore të Stockholmit.

Në vitin 1905  ai u zgodh anëtar i Akademisë suedeze, më 1905 u zgjodh anëtar i Institutit Nobel Norvegjez të Akademisë, më 1907 anëtar i Komunitetit të Nobel-it, dhe më 1912 Sekretar i përhershëm i Akademisë, post të cilin e mbajti deri në vdekje.

Disa nga veprat e tij janë:

Modern Swedish Poetry Part 1 (1929)
Arcadia Borealis (1938)
The North! To the North! (2001)

Ndërsa poezitë e tij ishin: Këngët e shkretëtirës dhe të dashurisë që u shtyp në vjeshtën e 1895, Kënga e Fridolinit, Kënaqësia e Fridolinit, Flora dhe Pomona, dhe Briri i vjeshtës.

Në vitin 1917 Universiteti Uppsala i dha një dekoratë nderi.

Ai vdiq më 8 prill 1931./KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Romëve

8 prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Romëve, e cila shënohet për të festuar kulturën rome dhe për të rritur ndërgjegjësimin për problemet dhe sfidat me të cilat përballet ky komunitet, shkruan KultPlus.

8 prilli u shpall zyrtarisht si dita ndërkombëtare e Romëve, në vitin 1990 në Poloni, gjatë Kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë të madh të përfaqësuesve romë, më 7-12 prill 1971 në Chelsfield afër Londrës.

Flamuri me rrotë të kuqe është flamuri ndërkombëtar i romëve, i cili u krijua nga Unioni i Përgjithshëm i Romëve në Rumani në vitin 1933, për tu miratuar nga përfaqësuesit ndërkombëtar në vitin 1971.

Ngjyra blu e flamurit simbolizon qiellin, ndërsa jeshilja përfaqëson tokën dhe të korrat. Ndërsa rrota të kuqe (chakra) është si kujtim i origjinës indiane të romëve, e cila simbolizon zjarrin, lëvizjen dhe progresin.

Romët, janë një komunitet i shtypur dhe i diskriminuar dhe për të cilën gjë ka pasur edhe reagime për të drejtat e tyre nga figura të shquara botërore. Ndër të tjerë, Papa Gjon Pali ll,  i nxiti ndjekësit e tij që t’i trajtojnë romët me dhembshuri dhe respekt.

Për nder të kësaj dite, sot në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë, Nënë Tereza në Gjakovë dhe në Amfiteatrin e Muzeut Kombëtar do të shënohen aktivitete të ndryshme/ KultPlus.com

50 vite nga shuarja e piktorit Pablo Picasso

Sot 50 vite më parë vdiq piktori i njohur, Pablo Ruiz Picasso, në Mougins të Francës, shkruan KultPlus.

Picasso ka qenë piktor, projektues grafik dhe skulptor spanjoll, dhe konsiderohet si një nga artistët më të rëndësishëm të shekullit  XX. Ai njihet po ashtu edhe si pioner i kubizmit.

Ai gjatë veprimtarisë së tij i punoi rreth 15.000 piktura, grafika, vizatime, plastika dhe qeramika. Veprat e tij më të shquara janë “Zonjushat e Avinjonit” dhe ” Guernika “.

Puna e tij ka qenë aq me peshë, aq sa ka edhe ndarje të periudhave kohore në bazë të asaj çka ka krijuar Picasso:

periudha blu 1901-1904

periudha rozë 1905-1907

periudha e influencës afrikane 1908-1909

periudha e kubizmit analitik 1909-1912

Periudha e  kubizmit sintetik 1912-1919

Picasso u martua dy herë dhe pati katër fëmijë me tre gra.

Pablo Ruiz Picasso  lindi më 25 tetor 1881 në Malaga./KultPlus.com

Interes i lartë i vizitorëve për muzeun “Onufri”

Muzeu “Onufri” në Berat ka zgjuar interesin e vizitorëve e sidomos atyre të huaj edhe gjatë tre muajve të parë të vitit, me vlerat artistike dhe të trashëgimisë.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve, Berat ka bërë të ditur se, “në tre muajt e parë të vitit 2023, Muzeun e Ikonografisë Onufri e vizituan 2894 vizitorë vendas dhe të huaj që rezulton të jetë më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm që ishte 1876 vizitorë, një rritje rreth 154%”.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Bijtë

Poezi nga Khalil Gibran

Dhe një grua që
mbante një foshnjë në gji tha:
Na fol për bijtë
Dhe ai tha:
Fëmijët, janë përgjigjet që jeta i jep secilit prej nesh,
ata jane esenca e buzëqeshjes suaj
Janë gjaku dhe mishi i mishit tuaj,
por jo gjaku dhe mishi juaj
Janë bijtë e bijat e Etjes
që ka Jeta për veten
vijnë përmes jush, por jo nga ju e
megjithëse jetojnë me ju
nuk ju përkasin
Dhurojuni gjithë dashurinë tuaj
por jo tuajat mendime
Ata kanë mendimet e tyre
Mund t’u ofroni strehë trupave
por jo shpirtrave të tyre
sepse ata banojnë në shtëpinë e së nesërmes
ku nuk ju lejohet të hyni
as edhe në ëndërr
Mund të provoni të jeni të ngjashëm me
ta por jo ti bëni të ngjashëm me veten
Sepse Jeta, është një rrugë
që vazhdon gjithnjë përpara
e nuk ndalet në të shkuarën
Ju jeni Harqet nga të cilat
si shigjeta të gjalla
bijtë lëshohen përpara
Harkëtari shënon shtegun e pafundësisë
e ju mban fort
derisa shigjetat nisen shpejt e larg
Besojini Harkëtarit
sepse siç ka për zemër fluturimin e shigjetës,
ka dhe qëndrueshmërinë e harkut… /KultPlus.com

‘Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se te Vaçe Zela’

Vaçe Zela lindi më 7 prill 1939, në qytetin e vogël të Lushnjës. Padyshim mund të themi se ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare.

Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.

Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë kohës komuniste dhe iu dha titulli ‘Artist i Merituar’ në vitin 1973 dhe ‘Artist i Popullit’ në vitin 1977.

Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

U nda nga jeta më 6 shkurt 2014, në Bazel të Zvicrës.

Në vijim mund të lexoni se çfarë mendonin Dritëro Agolli dhe Nexhmije Pagarusha për Vaçe Zelën:

Dritero Agolli: “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”

Nexhmije Pagarusha: “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela.” /KultPlus.com

Miti i shpellës dhe filozofia e Platonit

Alegoria e shpellës është vepër e filozofit grek, Platonit, dhe është simbol i dijes njerëzore. Sipas këtij miti, njeriu nuk është veçse një i burgosur në një shpellë, dhe bota siç e njeh njeriu, është vetëm reflektim apo projektim i realitetit.

Realiteti i vërtetë është jashtë shpellës, është e vështirë të imagjinohet nëse nuk kemi dalë kurrë nga shpella, dhe jemi mësuar të jetojmë në një lloj hijeje apo refleksi të saj. Në këtë kuptim, nuk jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e realitetit, ose jemi, por kemi frikë.

Po çfarë përfaqëson shpella në jetën e përditshme? Mund të jetë familja, shtëpia apo mjedisi ku jemi rritur. Eshtë normale që, qysh prej moshës së vogël na janë ngulitur vlera të ndryshme, që nga ato fetare, tek ato politike.

Lindja jonë në brendësi të komunitetit bën që të rritemi me disa tradita, të cilat plazmojnë identitetin tonë. Për këtë arsye, përballë asaj që është e re, shumë njerëz shfaqen të heshtur: pikërisht prej frikës se mos humbasin identitetin.

Për shkak të faktit që jemi vazhdimisht në kërkim të sigurive, e bëjmë tendencë tonën që të përqafojmë vlerat dhe idetë e njerëzve që duam. Në këtë kuptim, as shoqëria dhe as familja nuk na mësojnë që të “shohim” (edhe pse mund të vëzhgojmë).

Nuk na ndihmojnë për zhvillim e një pikëvështrimi kritik ndaj gjërave. Pak fëmijë e kanë fatin që të rriten në një mjedis që i shtyn të analizojnë, përballen dhe zhvillojnë një mendim të vetin, ashtu sikurse dhe të praktikojnë autokoshiencën. Filozofi.al / KultPlus.com

Rrezikon të shembet, ndahen fonde për Urën e Matit, monument kulture i kategorisë së parë

Qeveria ka miratuar një fond për ndërhyrje emergjente në “Urën e Matit”, monument kulture i kategorisë së parë.

Në mbledhjen e sotme u vendos një fond mbi 57 milionë lekësh, që do të mbulohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023.

Do të jetë Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ura e Matit është një ndër më të bukurat në Ballkan, e cila rrezikon të shembet.

Ura e Matit e inauguruar më 1927 është e ndërtuar me gjashtë harqe, secili nga 54 metra i gjatë. E ndërtuar me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernit për ndërtime urash (për atë kohë), edhe sot e kësaj kohe, nuk e ka humbur bukurinë dhe vlerën.

VENDIMI

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MINISTRISË SË KULTURËS, PËR VITIN 2023, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TEKNIK TË NDËRHYRJES EMERGJENTE NË OBJEKTIN, MONUMENT KULTURE, KATEGORIA E I-RË “URA E MATIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Ministrisë së Kulturës, në buxhetin e vitit 2023, në programin “Trashëgimia kulturore dhe muzetë”, t’i shtohet fondi prej 57 515 644 (pesëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet e katër) lekësh në shpenzime kapitale, për financimin e projektit teknik të ndërhyrjes emergjente në objektin, Monument Kulture, kategoria e I-rë “Ura e Matit”.

Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./rtsh.al/KultPlus.com

‘Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë’

Poezi nga Louis Aragon / Përktheu Romeo Çollaku

Njeriut asgjë nuk iu dhurua përfare
As forca as brishtësia as dhe zemra e vet
Hija e tij krahëhapur një kryqi i ngjet
Kur e gjurmon lumturinë gjendet në rrëmet

Jeta e tij një ndarje e kotë edhe vrastare
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë
Jeta e tij ngjason me ushtarët pa pajime
Që kush e di ç’fat i përplas në këtë prag
Edhe pse aq herët u zgjuan sot në ag
Tani sillen të ngeshëm në ditën që u vag
Mos derdhni pikë loti Po thoni Jeta ime
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

O dashuri e bukur brenga ime e çmuar
Të ruaj thellë vetes si një zog flatrathyer
Dhe ata që na shohin kur kalojmë rrëmbyer
Pëshpërisin gjithë ato fjalë që kam ngërthyer
Për sytë e tu të mëdhenj e që tash janë shuar
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

Tashmë u bë vonë të mësojmë ç’është jeta
Përkryer zemrat tona qajnë nëpër natë
Këngën të këndohet e ndih një dhimbje e gjatë
S’dridhet tel kitare pa lotë e përgjëratë
Shpirtin e përmbytin vetëm dallgët e vërteta
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë

Dashuri që nuk kapit nuk ka kurrkund në botë
Nuk ka kurrkund dashuri që vuajtjesh s’të flak
Nuk ka kurrkund dashuri që nuk sëmbon e mpak
Pa ty edhe atdheun do ta doja më pak
Nuk ka dashuri që gjallon pa derdhur lotë
Nuk ka dashuri të lumtur kurrherë
Atë veç ne të dy e kemi ndjerë./ KultPlus.com

Artisti belg krijon flautin më të gjatë në botë

Artisti belg Vin Kleman ka realizuar flautin më të gjatë në botë, i cili është tetë metra.

Tingulli i pazakontë nga ai flaut ishte baza që kompozitori Rob Simonsen të krijonte muzikë për filmin “The Whale”, i cili fitoi dy Oscar prestigjioz.

Kleman ka qenë i magjepsur pas tingullit dhe muzikës që në fëmijëri, prandaj filloi të bënte instrumente. Artisti autodidakt fillimisht bëri instrumente për vete dhe shkonte në pyll çdo dimër ku kërkonte dru të mirë.

Pastaj ai zakonisht mban një mjet për të shpuar pjesë të drurit për të dëgjuar se çfarë tingulli ose dridhje mund të prodhojë.

Kujtojmë që Kleman u bë i njohur më vonë në mbarë botën si krijues i instrumenteve të punuar me dorë./abcnews.al/ KultPlus.com