Vdes në moshën 101-vjeçare kineasti Bill Butler

Kineasti, fitues i çmimit Emmy, Bill Butler, i cili u nominua për një Oscar për punën e tij në ‘One Flew Over the Cuckoo’s Nest’ ka vdekur në moshën 101-vjeçare.

Bill Butler ishte drejtor fotografie në shumë filma të famshëm të viteve 1970 , si “The Conversation”, “Grease”, “Ice Castles” dhe mori pjesë në ekskluzivitetin e filmit “Rocky”.

Wilmer S. Butler lindi në Cripple Creek, Kolorado, SHBA, por u rrit kryesisht në qytetin e vogël të kolegjit të Iowa-s, Mount Pleasant. Butler ndoqi Universitetin e Ohio Wesleyan, Kolegjin Iowa Wesleyan dhe Universitetin e Iowa-s, studioi në Shkollën e Elektronikës, por u diplomua me një diplomë në Inxhinieri.

Ai filloi karrierën e tij në industrinë e argëtimit si inxhinier në një stacion radio në Gary, Indiana. Ndihmoi në projektimin dhe ndërtimin e stacioneve të para televizive në filialin e ABC në Çikago dhe më vonë në WGN-TV. Pasi WGN u transmetua, Butler përdori kamerën e drejtpërdrejtë për reklama dhe për programe të prodhuara në vend.

Ndërsa punonte në WGN Butler takoi një të ri William Friedkin, i cili i kërkoi të bëhej kineast në dokumentarin “The People vs. Paul Crump’ i cili kishte të bënte me një të dënuar me vdekje në Illinois. Si rezultat i filmit të vitit 1962, guvernatori ia ndryshoi dënimin me vdekje Crump. Përvoja e filmit e ktheu interesin e Butler nga televizioni në dokumentarë.

Filmi i parë artistik i Butler ishte Fearless Frank i Philip Kaufman në 1967, i ndjekur nga The Rain People (1969) i Francis Ford Coppola-s, me aktorë James Caan dhe Shirley Knight dhe me regji të Jack Nicholson “Drive, He Said” (1971)./ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare Rome, hapet ekspozita ‘Muzg – Stacioni i Gjelbër’

“Muzg – Stacioni i Gjelbër” është ekspozita, e cila shënoi nisjen e aktiviteteve në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Rome.

PNUD së bashku me zyrën e BE, MSHMS dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, përmes këtij eventi që u çel sot në Tiranë, promovuan historinë, kulturën dhe traditën rome, të konceptuara në një format artistik multidisiplinor.

Ekspozita, e kuruar nga Sead Kazanxhiu, përbëhet nga instalacione dhe vizatime të novelave grafike të realizuara nga Xhenson Çela dhe Malvina Lufta.

Artistët, me anë të kësaj ekspozite, reflektojnë mbi çështjet që lidhen me ekologjinë dhe ekonominë e gjelbër duke propozuar zgjidhje nëpërmjet punës së tyre dhe duke rikrijuar personazhe të ndryshme me materiale të ricikluara. Gjithashtu, ekspozita përfshin novela, nëpërmjet të cilave përcillen çështje apo problematika reale që pakica rome ka hasur ndër vite.

PNUD njofton se në ditët në vijim do të vijojnë aktivitete të tjera që do të zhvillohen në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Rome.

Aktiviteti i sotëm u organizua në kuadër të projektit “Forcimi i sistemeve kombëtare dhe lokale për të mbështetur riintegrimin efektiv të të kthyerve në Ballkanin Perëndimor” financuar nga Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Komisionerin për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Komitetin për pakicat Kombëtare./atsh/ KultPlus.com

Vaçe Zela dhe zëri i saj i artë në këngën ‘Më ka zënë meraku’

KultPlus ju sjell këngën “Më ka zënë meraku” të kënduar mjaft bukur nga këngëtarja e njohur shqiptare Vaçe Zela.

Më ka zënë meraku
me një cucë matjane 
Si  lule zambaku 
Moj vetull gajtanë
fol o fol me goje
lule malësore 

O  moj cucë matjan 
Zemrën seç ma more

Besën kur ta dhashë moj 
Fjalën se të due 
Ditën kur ti pash moj 
Nja ta sytë e shkrum 

Fol o fol me gojë
Lule malësore 
O moj cucë matjan 
Zemrën seç ma more. /KultPlus.com

Asgjësohen miliona kopje pasi në gazetë mungonte emri i liderit

Të paktën tre milionë kopje të edicionit të 30 marsit të “People’s Daily”, zëri i Partisë Komuniste të Kinës, u tërhoqën dhe u asgjësuan pas një gabimi politik, ku emri i presidentit Xi Jinping u anashkalua.

Si gazeta zyrtare e PKK-së, ”People’s Daily” shitet në stendat e gazetave dhe shpërndahet në universitete, zyra partiake dhe institucione të tjera.

Të gjithë shitësit morën njoftime që kërkonin të shkatërronin materialin e konsideruar fyes.

”Uniteti dhe lufta janë e vetmja mënyrë që populli kinez të krijojë një sukses historik”,  lexohet në komentin e faqes 5 duke treguar sukseset e Kinës nën lidershipin e presidentit Xi.

Për këtë, gabimi mund t’i kushtojë edhe vendin e punës Tuos Zhenit, redaktorit të gazetës së përditshme./ KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Shëndetit

Dita Botërore e Shëndetit është një ditë globale e ndërgjegjësimit shëndetësor që festohet për çdo vit më 7 prill, nën sponsorizimin e Organizatës Botërore të Shëndetit, si dhe të organizatave të tjera të ndërlidhura.

Në vitin 1948, OBSH organizoi Asamblenë e Parë Botërore të Shëndetit. Asambleja vendosi të caktojë 7 prillin si Ditën Botërore të Shëndetit. Dita Botërore e Shëndetit mbahet për të shënuar themelimin e OBSH-së, dhe shihet si një mundësi nga organizata të ndryshme për të tërhequr vëmendjen në mbarë botën për një subjekt me rëndësi të madhe për shëndetin global çdo vit. OBSH-ja në këtë datë organizon ngjarje ndërkombëtare, rajonale dhe lokale në lidhje me një temë të veçantë shëndetësore. Dita Botërore e Shëndetit pranohet nga qeveri të ndryshme dhe organizata joqeveritare me interes në çështjet e shëndetit publik, të cilët gjithashtu organizojnë aktivitete dhe theksojnë mbështetjen e tyre në raportet e mediave, siç është Këshilli Global i Shëndetësisë.

Dita Botërore e Shëndetit është një nga tetë fushatat zyrtare globale të shëndetit të shënuara nga OBSH, së bashku me Ditën Botërore të Tuberkulozit, Javën Botërore të Imunizimit, Ditën Botërore të Malaries, Ditën Botërore pa Duhan, Ditën Botërore kundër SIDA-s, Ditën Botërore të Donatorëve të Gjakut dhe Ditën Botërore të Hepatitit./ KultPlus.com

‘Ç’nuk dija që e kisha ditë’, udhëtimi nëpër kohë si dokumentim i realitetit të dikurshëm shqiptar

Flonja Haxhaj

Mbrëmë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u hap ekspozita ‘Ç’nuk dija që e kisha ditë’, nga artistja Lala Meredith – Vula dhe kuruar nga Edi Muka, shkruan KultPlus.

Që në hyrje të galerisë, vëmendjen merr mullari i madh, i cili për shumë vite ishte pjesë e pandashme e shumë familjeve shqiptare, e sidomos në ato që jetonin nëpër fshtara. Përveç mullarit, Meredith – Vula ka sjellë nëpërmjet fotografive jetën e dikurshme shqiptare, si një dokumentim që i kishte munguar kombit tonë.

‘Ç’nuk dija se e kisha ditë’ vjen si një udhëtim nëpër kohë ku takon njerëz të thjeshtë, burra, gra, fëmijë e pleq, bashkohesh me rutinën e tyre, me gjendjen e tyre sociale, ekonomike e kulturore, e gjithë ky udhëtim vjen duke u shoqëruar nën tingujt e kompozitorit John Young,

Në hapjen e ekspozitës së saj, ku paraqiti përmbledhje nga puna 30-vjeçare, për KultPlus foli edhe vetë autorja Lala Meredith – Vula, e cila rrëfen lidhjen e veçantë që ka me traditat e vjetra shqiptare.

Mbiemrin Meredith e mori nga nëna e saj e cila ishte angleze, Vula nga babai gjakovar e ndërkaq emrin nga nofka e gjyshes së saj, Lala, e cila viziton shpesh Kosovën, nuk përtoi të vijë nga Anglia për të bërë një kthesë të re e të rëndësishme në dokumentimin e traditave të vjetra shqiptare.

“Mua gjithmonë më kanë bërë përshtypje mullarët e sanës që bëhen në fushë edhe kam njëfarë nostalgjie që është punë e dorës dhe është jashtë  dhe gjithmonë kam pasë dëshirë me i fotografu. Më pas kur jam ftuar nga Galeria e Ministrisë së Kulturës kam vendosur që të bëj një mullar të vërtetë dhe kështu lindi edhe ideja”, tha Meredith – Vula.

E pranishme në këtë ekspozitë ishte edhe piktorja dhe profesoresha e Fakultetit të Arteve, Zake Prelvukaj, e cila e vlerëson lart këtë ekspozitë duke e cilësuar si shumë të rëndësishme në dokumentimin e realitetit të dikurshëm shqiptar, i cili nëse nuk dokumentohet, një ditë do të harohet.

“Është shumë interesant edhe jeta e Lala Meredith Vula, e që ajo prej një terreni ndryshe siç është Anglia, vjen edhe i prek pikat edhe në lartësinë mbidetare, karakteristikat dhe mënyrën e të të jetuarit e të cilën e dokumenton dhe më pas natyrisht që edhë vende të tjera nga të cilat ajo përfshin mullarët. Përveç tjerash edhe mënyra e hamamxhikëve, si janë pastruar, si janë larë, ajo është edhe jeta sociale e grave, jeta ekonomike, rëniet e ngritjet në periudha të ndryshme kohore që diku-diku kanë mbetur si shenjë e asaj e nëse nuk i kishte dokumentuar Lala, ato do të kishin shkuar e harruar dhe nuk do të kishim ditur për shumë gjëra sepse ne nuk jemi treguar shumë të mirë si popull në dokumentimin e gjithçka nga ajo që kemi pasur”,  thotë mes tjerash Prelvukaj për KultPlus, duke shtuar më tutje që ky gërshetim që ka bërë Meredith-Vula, vë në pah një art tejet inteligjent.

 Ndërkaq, ju kujtojmë që ekspozita do të jetë e hapur deri  më 6 qershor./ KultPlus.com

Kur Vaçe Zela erdhi në Prishtinë, njerëzit qanin

Njerëzit qanin dhe puthnin autobusin e pluhrosur, sepse brenda ishte këngëtarja e madhe shqiptare – Vaçe Zela, ishte vitit 1980.

Kujtime nga Hys Shkreli, moderator i koncertit të vetëm të Vaçe Zelës në Prishtinë para tri dekadash.

Vaçe Zela! Kur degjova se ke shkuar, se ke ndërruar jetë, mu ngjall një Vaçe , të cilën e takova 34 më parë në kufirin qe ndante Kosovën më Shqipërinë… Ajo Vaçe, e kujtimeve te mia, po hynte në Kosovë për turnenë e sajë të parë e të fundit në këtë vend. Ajo Vaçe, atë ditë Maji , zbriti qetë si një flutur nga një kombi-bus i vjetër. Më përqafoi mua dhe të tjerët qe ishin tubuar për ta pritur… Në atë moment, mu bë sikur po takohëshin dy shekuj, dalë nga një popull. Sepse, aq e gjatë na ishte bërë ajo ndarje. Ne po prisnim në atë kufi afro dyzetë vjet Vaçe…
Kishim dalë në kufirin që atëherë quhej jugosllavo-shqiptar, për të takuar grupin më të madhe e më të njohur të artistëve nga Shqipëria, të cilët po vizitonin për herë të parë Kosovën. As qe kam mund të ëndërroj në atë moment që, një ditë do të lavdërohem pse isha unë ai që e pagëzova kufiri shqitaro- shqiptar, e të tjerët e shpërndanë këtë emër. Atë ditë, më ty Vaçe filloi shëmbja simbolike e kufirit shqiptaro-shqiptar. E vërteta, kënga jote e kishte kaluar e rrënuar atë kufi shumë vite më parë.

Ai kufi, at ditë pranvere të vitit 1980, dukej si “toke e vdekur”, tokë e askuj, pa jetë e gjallëri. Aty s’ kishte arrijtë pranvera kurr, shekujt ishin ndalur. Dhe kjo pamje dëshmonte se sa e thellë ishte kjo ndarje e imponuar midis Kosovës e Shqipërisë. Por, atë ditë, u ngjallë ai vend si asnjëherë më parë, më ty e të tjerët qe po e thyenit at mur duke na sjellur kengëtarët e ndaluar – në Kosovën e izoluar. Vendkalimin kufitar e kishin vërshuar banorë të fshatrave për rreth , të cilët kishin dëgjuar për arrijtjen tënde e të artistëve tjerë të këngës. U dorëzuam para emicioneve. Lulet qe sollem në kufi për ju , u përzien më lote dhe… sikur u rriten për disa minuta.
Ti po shkelje për herë të parë në Kosovë. Mbase nuk e dije, se ti kishe jetuar në Kosovë shumë vite – si këngë.Në atë karavan yjesh te kohës , pos teje, ishte edhe Limos Dizdari, Gaqo Çako, Luan Zhegu, Liliana Kondakçi, Zina Zdrava, Hysni Zela, e shumë të tjerë, më të cilët ne jetonim në Kosovë, por kurr nuk i kishim takuar.
Ato vite, pas disa dekadave te izolimit, muri i ndarjes – po plasaritej. Në këtë klimë të re politike, artistët më të njohur të kengës nga Shqiperia, po fillonin turnenë e tyre të parë në Kosovë e Maqedoni. Disa prej tyre, nuk kishin udhëtuar kurr më parë jashtë Shqipërisë. Për herë te parë po shkelnin në një tokë të dytë – shqiptare.Ishin këto, yje të Shqipërisë të cilët ndriçonin edhe në Kosove, mirëpo kurr nuk e kishin parë këtë vend…

Isha gazetar , por bëja edhe moderime spektaklesh publike të asaje kohe. Më zgjodhen të shoqeroja këtë grup dhe të drejtoi koncertet e tyre. Udhëtimi më artistët nga Shqipëria ishte udhëtim nepër kohe, dhëmbje e ngjarje. Mbushur më momente gëzimi e gazmendi, por gjithnjë të përshkuara më situata prekëse e emocionuese. Ishte ndjenjë e çuditshme të celebrojsh takimin e shqiptarëve – më shqiptarët, rilidhjën e rrenjëve të shpërndara, ngjalljen e urave të rrënuara, bashkimin e gjakut të shprishur.
Udhetonim më autobusa nga një qytet në tjeterin. Kudo që ndalëshim, rruga bëhej lum njerëzish, lagja ngjallej, qyteti zgjohej . Zejtarët para dyqaneve, plakat në dritare, të rinjte më lule – sikur takonin ëngjujt e ëndrruar. Mirëpo, në çdo turmë, kishte ndonjë nga “ata”, për të kontrolluar shprehjen e asajë, që politika e quante “manifestim i nacionalizmit”. Ndaj verehej së kishte edhe dashuri të kontrolluar, posacërisht kur njerëzit flisnin më fytyra e jo më goje. Kur goja heshte e sytë, mimika, e shpirti flisnin. E dinim se çdo eufori e tepruar, do te rezultonte më limite të reja nga pushteti jugosllav. Ndaj, edhe në këto emocione kishte vetëpermbajtje.
Në vendet e palestra ku kendonit ju Vaçe, njerëzit prisnin më lule, mall dhe zjarr. Të ekzaltuar, ata xhvishnin këmishat e xhaketat dhe u venin flakën. Digjëshin këmishat e zemrat nga malli. Digjëshin ndarjet e kufijt. Ato koncerte, ishin kremte dhe protestë. Simbolikisht, ata po digjnin kohën e politiken qe ndau kombin. Ndaj, ato tubime nuk ishin vetem muzikore. Ishte ai vit i çmalljes së madhe shqiptaro-shqiptare… Shoqëronte Orkestra e Madhe e Radiotelevizionit te Prishtinës. Me vjen keq qe s’mbaj mend drejtuesit e Orkestrës, por di se Severin Kajtazi, Isak Muqolli, Krist lekaj…ishin nder më të angazhuarit . Kjo Orkestër, për herë të parë po shoqëronte solistë nga Shqipëria, ndaj të gjitha orkestrimet duhej pregaditur, dhe luajtur drejtëpërdrejtë para publikut apo “live” siç do te thonim sot.

****

Në çdo qytet qe vizitonim shpërthenin vullkane admirimi e dashurie për ju.

Eprorët tu , më këshilluan që moderimin ta bëj sa më zyrtar . Ata kritikuan pse moderimi im, sipas tyre, dukej pakëz perendimor. Më këshilluan që të mos e ngrisë zërin, kur shqiptoj emrat e artistëve, sepse kjo ua kujtonte moderatorët italian, stil ky i vleresuar si modernist e borgjez në Shqipëri. Pastaj, unë mora kritika edhe nga ana tjetër, kosovare. Pasi që në atë kohë, dygjuhësia në Kosovë ishte e obliguar në tubime publike, më thanë së do te duhej pershendetur publikun më një fjali edhe në gjuhen serbokrate, ose do te angazhonin një serb Ishte ky nje provokim. Nëse publiku serb, vjen në koncerte të Vaçe Zelës, atvherë bisedojmë për çeshtje, sygjerova unë.
Vaçe Zela. A të kujtohet koncerti në Prishtinë? Na the, së as në Shqipëri nuk kishe përjetuar momente te tilla. Ishte ngjarja më e madhe skenike që kishte parë Prishtina në ato vite. Në Palestrën e Sportit, ku mbahej koncerti, po takohëshin të gjithë lumejtë shqiptarë. Njerëzit nga rajonet, kishin ardhur për të i lidhur dekadat e shkëputura nepërmjet zërit tënd. Ti e ndeze Prishtinvn dhe ua shkunde rrudhat atyre që kishin filluar të vjeshtohën e nuk shpresonin që një ditë do të t’kenë në skenën e qytetit të tyre. Këngët tua i dhanë një shpirt të ri atij qyteti. Sot, sikur i shoh imazhët e nënave që sjellnin edhe foshnjët e tyre për t’ u fotografuar më ty, të bindura së ato momente nuk vijnë më, por bëhen histori.. A to kujtohet gazetarja që nderpreu intervistën më ty, sepse nuk i permbante dot lotët…Njerëz që kurr nuk të kishin takuar, hynin më fëmijë, nëna, gjyshe… në dhomën tënde prapa skenës, dhe shtangoheshin kur të shihnin: Ata qanin – ti qaje. Kishte diçka te çuditshme, gadi hyjnore në ato përqafime. Herë herë, u ngjanin takimit më dikend që sapo da dal nga burgu. Disa, si të hipnotizuar qëndronin para teje e ti puthnin duart. Nuk flisnin shumë. Lotët u zenin vendin fjalëve.

*****

Vaçe Zela. A të kujtohet mbrëmja e fundit para se të ndahemi në Ohër? Nata e fundit në Hotelin “Metrpopol”, ku kënduam, festuam e qeshem deri në mengjes. E ne agim, si një këmbonë, na ngriti në këmbë Gaqo Çako me thirrjet e tij nga teraca e hotelit, më tërë zërin që kishte…”Ooo Selimoooo”…Kush është Selimi, pyetem ne? E dinim se Gaqo kishte pirë pakëz raki, por nuk ishte i dehur. Thërriste më tërë zërin. Pastaj sqaroi se, matanë liqenit, në Poradec, paska një kolegë ushtrije qe quhej Selim …” Dua ti them atij , ja ku jam unë e ku je ti”, shtoi ai.Për ne, kjo tinglloi si humor ,pasi s’dinim nëse nga Selimi kishte kujtime të mira apo të keçija.
Një orë më vonë, Gaqo Çako, dhe të tjerët, ishin pertej liqenit, në anën e Selimit… Ne që mbetem në këtë anë të liqenit, e veshem pikllimin. Të dy palët po kthëheshim në botërat e tyre të ndara. Shqipëria e Madhe e Këngës, të cilën e ndertuam gjatë atyre ditëve, përfundoi. Serish u nda në dysh…

Vaçe Zela. Pas tri dekadash,u ktheve për herë të dytë në Prishtinë. Herën e kaluar na solle këngën, kësaje radhe – pikllimin. Hyre për herë të fundit në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë dhe nga aty shkove lartë në qiell. Yjet si ti – i takojnë qiellit. U bashkove më yjët tjera shqiptare, Elena Gjikën, Aleksander Moisiun, Gjon Bellushin, Elena Ciriqin, Ibrahim Kodrën, Bekim Fehmiun.Ti mbetesh Teuta jonë e këngës tonë . Të fala yjeve Vaçe. Pusho atje lartë të Dielli yt i Ri , dhe vazhdo te ndiçojsh… / KultPlus.com

“Agresioni fashist i 7 prillit të vitit 1939” në Muzeun Historik

Muzeu Historik Kombëtar si institucioni më i madh i kujtesës kombëtare po organizon një cikël me leksione të hapura me temë trashëgiminë kulturore dhe historinë, të cilat do të vijojnë për ta kthyer muzeun në një qendër kërkimore dhe shkencore.

Në këtë kuadër, sot në ambientet e Pavijonit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua një bisedë me prof. Bernard Zotaj, i cili mbajti kumtesën me temë:“Agresioni fashist i 7 prillit të vitit 1939”.

Ky aktivitet u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Shoqatën e Historianëve Ushtarakë të Shqipërisë.

Aktivitetin e çeli drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili ndër të tjera tha se “pushtimi fashist italian më 7 prill 1939, ishte një ndër aktet e para agresive të fashizmit në Europë. Luftimet më të përgjakshme u bënë në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë e Sarandë. Në Durrës trupat italiane u pritën me zjarr nga Mujo Ulqinaku, kapter i marinës dhe nga Abaz Kupi, të cilët e zmbrapsën disa herë sulmin e armikut”.

Në vijim e mori fjalën prof. Bernard Zotaj, i cili mbajti kumtesën me temë: “Agresioni fashist i 7 prillit të vitit 1939”, ku përshkroi me ndjenjë e pasion luftën heroike në mbrojtje të atdheut nga pushtimi i italianëve fashistë.

Ndër të tjera Bernard Zotaj tha se “pushtimi italian i Shqipërisë (7-12 prill 1939) ishte një fushatë ushtarake nga Mbretëria e Italisë kundër Mbretërisë së Shqipërisë. Shqipëria u kapërdi shpejt, sepse Mbreti Zog I u detyrua të largohet dhe Shqipëria u bë pjesë e Perandorisë Italiane si një mbretëri e veçantë në bashkimin personal me kurorën italiane”.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm veteranë dhe familjarë të dëshmorëve të kombit. / atsh / KultPlus.com

Rita Ora paralajmëron bashkëpunimin me artistin e njohur, publikon trailerin (VIDEO)

Rita Ora e nisi vitin me “You Only Love Me” dhe ajo nuk po humb kohë për të sjell këngën e radhës.

Pak çaste më parë, ajo njoftoi për projektin e radhës të titulluar ‘Praising You’ dhe konfirmoi se është një bashkëpunim me ikonën e EDM Fatboy Slim.

Përderisa paralajmëroi se kënga do të vjen më datë 19 prill, Ora zbuloi edhe trailerin për videoklipin e saj shoqërues – i cili drejtohet nga bashkëshorti i saj Taika Waititi. / KultPlus.com

Hapet thirrja për financim të projekteve kinematografike në Shqipëri

Qendra Kombëtare e Kinematografisë njoftoi hapjen e thirrjes për financim të projekteve kinematografike për festivale filmi dhe javë filmi brenda vendit.

QKK bëri me dije në njoftimin e saj se do të pranohen në konkurrim projektet që përmbushin rregullat e përcaktuara në rregulloren e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

Sipas QKK shtëpitë kinematografike që do të paraqesin projekte në këtë konkurrim duhet të jenë të regjistruara në QKK për vitin kalendarik 2023.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë bën me dije se aplikimi i projekteve do të bëhet online në faqen: www.filmcoproduction.com dhe afati i fundit për depozitimin e projekteve do të jetë data 5 maj ora 14:00.

QKK është institucioni më i rëndësishëm kombëtar që inkurajon, financon dhe promovon prodhimin kinematografik në Shqipëri. / atsh / KultPlus.com

QKLL dhe QKK marrëveshje bashkëpunimi, konkurs për skenarë nga romanet shqiptare

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat më të mira të letërsisë shqipe, si lënda e parë në shkrimin e një skenari.

Marrëveshja u nënshkrua nga Eduart Makri, drejtor i QKK dhe Alda Bardhyli, drejtore e QKLL në prani të njerëzve të kulturës.

Përmes kësaj marrëveshje palët angazhohen ndër të tjera palët marrin përsipër të bashkëpunojnë për realizimin e një konkursi për skenarë për filma artistikë të paraqitur nga autorë shkrimtarë.

Në funksion të këtij projekti, do të hartohet struktura organizative e cila do të merret me hartimin e procedurave të nevojshme, të cilat do të miratohen nga Ministria e Kulturës.

Palët do të organizojnë aktivitete të përbashkëta, si konferenca , promovime libri, premiera filmash me skenarë bazuar në romane dhe novela shqiptare, të cilat do të shoqërohen me analiza me kritikë të fushës, si dhe me pjesëmarrjen e shkollave, për të zhvilluar kulturën e frekuentimit të kinemave./ KultPlus.com

S’ka kohë për t’u ndaluar dhe për të menduar

Poezi nga: Malcolm Lowry
Përktheu: Fadil Bajraj

E vetmja shpresë është pija tjetër.
Po qe se do, atëherë shëtit.
S’ka kohë për t’u ndalur dhe për të menduar,
e vetmja shpresë është pija tjetër.
Dridhje të pakuptimta në rrënim,
Më e keqe se kjo pakuptimësi është kjo bisedë.
E vetmja shpresë është pija tjetër.
Po qe se do, atëherë shëtit. / KultPlus.com

Pse Frida Kahlo vazhdon të na frymëzojë edhe 7 dekada pas vdekjes së saj

Nga Jonathan Wright

Sot të gjithë e ndeshim diku vështrimin e Frida Kahlos. E kudondodhur në posterat, printimet, kopertinat e librave, gotat apo bluzat, imazhi i saj është më i njohur sot se sa ishte gjatë jetës së saj të shkurtër. Ndonjëherë ajo shfaqet më tipare mashkullore, dhe ndonjëherë femërore dhe delikate.

Megjithatë ekziston gjithmonë ndjenja e një gruaje që e kuroi me kujdes imazhin e saj publik. Nuk është çudi që Kahlo përshtatet kaq lehtë në ikonografinë e botës së shekullit XXI që ka shpikur idenë e influencuesit, duke e personifikuar jo pak, pasi ky version i Kahlospërfaqëson një përzierje midis bohemizmit, heroinës tragjike dhe të jetuarit sa më mirë.

Nga ana tjetër ajo na tregon shumë Frida Kahlo-n historike, një artiste me talent të rrallë e cila u rrit në mesin e trazirave të Revolucionit Meksikan, duroi dhimbjet kronike dhe shëndetin e brishtë gjatë gjithë jetës së saj në vazhdën e martesës me artistin e famshëm meksikan, Diego Rivera, dhe nën shoqërinë e disa prej figurave më të rëndësishme të shekullit XX-të?

Historia e saj nis në vitin 1907 në Kojoakan, asokohe një fshat i vogël në periferi të Meksiko Siti, kur Kahlo lindi si e treta nga 4 vajzat e emigrantit gjerman Guilermo Kahlo (1871–1941) dhe Matilda Gonzalez (1874-1932), vajza e një babai indigjen dhe një nëne me origjinë spanjolle.

Guilermo ishte një fotograf i talentuar dhe i suksesshëm, edhe pse shpërthimi i Revolucionit Meksikan në vitin 1910 kjo ndikoi negativisht në punën e tij, pasi ai mbështetej tek porositë që merrte nga qeveria e përmbysur. Ndërsa marrëdhënia e Fridës me nënën e saj konservatore ishte shpeshherë e tensionuar, ajo ishte e afërt me të atin, sidomos pasi Kahlo u sëmur nga poliomieliti kur ishte 6-vjeçe.

Ajo sëmundje e la me këmbën e djathtë më të dobët dhe më të shkurtër. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht edhe dashurinë e saj për fustanet e gjata tradicionale, sepse ato e mbulonin defektin e saj fizik. Sipas biografisë së historianit të artit Hajden Herrera, përvoja e vetë Guilermos me sulmet epileptike, ndihmoi babë e bijë të krijonin një lidhje shumë të ngushtë bazuar në përvojën e përbashkët të sëmundjes.

Guilermo i mësoi vajzës së tij fotografinë dhe pikturën. Më vonë ajo do të shkruante në ditarin e saj mbi “butësinë” e tij dhe “mirëkuptimin për të gjitha problemet e mia”. Në vitin 1922, Kahlo hyri në shkollën prestigjioze “Escuela Nacional Preparatoria” (Shkolla Përgatitore Kombëtare), një nga vetëm 35 vajzat mes 2000 studentëve.

Autoritetet e shkollës përqafuan ‘indigenismo’-n, një qasje antikoloniale ndaj identitetit meksikan që luajti një rol të veçantë krijimin e një imazhi të veçantë publik nga Kahlo. Ajo filloi të pretendonte se kishte lindur në vitin 1910, se ishte “një bijë e revolucionit”.

Së bashku me shokët dhe shoqet e saj krijuan një grup të vogël të quajtur “Los Cachuchas” për shkak të kapeleve të larta që mbanin. Ato ishin rebele dhe të angazhuara politikisht dhe intelektualisht. Frida Kahlo mendonte të bëhej mjeke, derisa një aksident i tmerrshëm ndryshoi trajektoren e jetës së saj. Më 17 shtator 1925, Kahlo dhe dashuria e saj e parë, Alehandro Arias, udhëheqësi jozyrtar i “Los Cachuchas”, po udhëtonin në një autobus kur ai u përplas nga një tramvaj. Disa pasagjerë vdiqën. Kahlo u ngjesh pas një parmaku prej hekuri, duke pësuar çarjes të legeni. Po ashtu iu shpua barku dhe mitra, pati disa kocka të thyera dhe shtypje të këmbës së saj të djathtë.

Mjekët dyshonin nëse ajo do të arrinte të mbijetonte. Pas rikuperimit të saj fillestar, ajo u diagnostikua se kishte 3 rruaza të zhvendosura në shtyllën kurrizore, ndaj duhej të vishte një korse prej gipsi dhe të kalonte edhe 3 muaj të tjerë shtrirë në shtrat. Marrëdhënia e saj me Ariasin, të cilën prindërit e tij nuk e miratuan, do të përfundonte pasi ai u dërgua në një turne në Evropë.

Kur po i nënshtrohej një rikuperimi të dytë të gjatë – beteja e saj me poliomielitin e kishte izoluar për 9 muaj – Kahlo nisi ta merrte seriozisht artin. Nëna e saj i dha asaj një kavalet të projektuar posaçërisht në mënyrë që Frida të mund të pikturonte në shtrat. Më vonë ajo shkroi: “Unë pikturoj veten shpesh, sepse jam subjekti që njoh më mirë”.

Në fundin e vitit 1927, megjithëse do të jetonte me dhimbje kronike për pjesën tjetër të jetës së saj dhe do t’i nënshtrohej shumë operacioneve, Kahlo ishte mjaftueshëm mirë për t`u rikthyer tek përditshmëria. Miqtë e saj, tani në universitet, ishin përfshirë në politikën studentore.

Kahlo iu bashkua Partisë Komuniste Meksikane (PCM), anëtarët e së cilës përfshinin figura të tilla radikale si fotografja italo-amerikane Tina Modoti (1896-1942). Në një nga mbrëmjet argëtuese të organizuara nga Modoti, Kahlo u njoh me Diego Riverën (1886-1957), një artist i njohur tashmë.

Ajo i kërkoi Riverës të shikonte veprat e saj të artit dhe të gjykonte nëse ajo kishte ndonjë talent. “Vepra e saj rrezatonte një energji të pazakontë shprehëse, një përcaktim të saktë të karakterit. Shumë shpejt, ajo u bë gjëja më e rëndësishme në jetën time”- do të shkruante më vonë Diego.

Të dy u martuan në gushtin e vitit 1929. Matilda nuk ishte dakord që Kahlo të martohej me një bohem radikal, 20 vjet më i madh se vajza e saj, një burrë, jeta personale e të cilit ishte shumë e ndërlikuar. Ndërkohë Guilermo, i vetëdijshëm për pasurinë e Riveras dhe nevojën e së bijës për për trajtime mjekësore të kushtueshme në vitet në vijim, kishte një pikëpamje të kundërt.

Ata e quajtën çiftin me nofkën “elefanti” dhe “pëllumbi”, i tillë ishte ndryshimi në fizikun e tyre. Lajmi mbi martesën e tyre bëri bujë edhe në media ndërkombëtare. Në vitet që pasuan, Rivera nënshkroi kontrata shumë fitimprurëse për realizimin e muraleve të paguara nga industrialistët dhe financierët si Ford dhe Rokfeler.

Gjatë viteve 1930 dhe deri në vdekjen e saj në 1954, ajo e mbështeti këtë ide me një seri kanavacash, shpeshherë çuditërisht të vogla kur i shihni në ndonjë galeri, por që janë bërë të famshme në mbarë botën. Ajo hapi një ekspozitë në vitin 1938 në qytetin e Nju Jorkut, ndërsa i shiti tablonë “The Frame” Muzeut të Luvrit në vitin 1939.

Vepra e saj u ndikua shumë nga arti popullor meksikan, i pasur me simbolika, si para–kolumbiane ashtu edhe të krishtera. Shpesh ai ishte thellësisht politik dhe përballej me çështjet rreth gjinisë, klasës dhe racës. Marrëdhënia e saj e stuhishme me Riverën, e ndërprerë nga divorci në vitin 1939, vazhdoi sërish. Çifti u pajtua dhe u martua përsëri, edhe pse asnjëri nuk e mësoi kurrë aftësinë e besnikërisë.

Gjatë rrjedhës së marrëdhënies së tyre, Kahlo kishte lidhje me burra dhe gra, përfshirë këngëtaren e lindur në Kosta Rika, Chavela Vargas. Në prill 1953, Kahlo organizoi ekspozitën e saj të parë personale në Meksikë në Galería Arte Contemporaneo.

Pakkush priste që ajo të merrte pjesë personalisht. Por, duke injoruar këshillat e mjekëve, ajo mbërriti në ceremoninë hapjes së ekspozitës me një ambulancë përpara se të çohej me barelë në shtratin e saj me katër postera, të cilin ajo e kishte rregulluar që ta zhvendoste nga shtëpia e saj në galeri. Vdiq më 13 korrik 1954 në moshën 47-vjeçare. Shkaku zyrtar i vdekjes ishte embolia pulmonare, edhe pse disa besojnë se ajo mund të ketë vrarë veten. / “History Extra” – Bota.al / KultPlus.com

Së shpejti, premiera e filmit të restauruar “Gjeneral Gramafoni”

Në qendrën “Dabimus srl” në Bari, u krye restaurimi digjital i filmit “Gjeneral Gramafoni”.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila shprehet se, “restaurimi i këtij filmi u bë falë bashkëpunimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filimit dhe Fondazione Gramsci di Puglia në kuadër të projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Pulias dhe Shqipërisë”.

Ministrja tha se, filmi me regji nga Viktor Gjika, skenar nga Vath Koreshi dhe muzikë të Aleksander Peçit vjen për publikun i restauruar nën drejtimin e profesorit Nicola Barbuti, të enjten 20 prill, ora 19:00 në Cineplexx (TEG).

Margariti tha se, së bashku me premierën e filmit do të promovohet edhe libri i shkruar nga Ester Gjika “film pas filmi – unë e bija e…”, botuar nga “Toena”.

Procesi i restaurimit të filmave të vjetër shqiptarë ka nisur para disa viteve, ku janë realizuar disa nga prodhimet më të mira shqiptare si “Përrallë nga e kaluara”, “Nëntori i dytë”, “Tana”, “Vdekja e kalit”, “Vitet e pritjes”, etj. / atsh / KultPlus.com

Gjermania mbyll kapitullin e Covid-19: E përballuam me sukses

Gjermania e ka shpallur të fituar luftën e saj me pandeminë e koronavirusit.

Në një konferencë për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, deklaroi se bazuar në infektimet ditore, normën e vaksinimit dhe shtrimeve spitalore, Gjermania mund ta quajë të mbyllur këtë kapitull të vështirë në historinë globale që shkakoi miliona viktima në mbarë botën.

“Ne e tejkaluam me sukses pandeminë në Gjermani dhe me një ekuilibër të mirë”, tha epidemiologu Lauterbach.

Më tej, ministri vlerësoi dhe strategjinë e ndjekur gjatë ditëve më të vështira të pandemisë, duke justifikuar dhe karantinën dhe mbylljen e shkollave. / a2cnn / KultPlus.com

84 vjet nga lindja e ikonës Vaçe Zela, dymbëdhjetë herë fituese e Festivalit të RTSH-së

Vaçe Zela ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës.

Ikona e këngës shqiptare Vaçe Zela, lindi më 7 prill 1939, me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj ndër vite mbeten të preferuara edhe sot nga publiku. Ajo i dhuroi publikut dhe muzikës shqiptare, zërin e saj të artë.

Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur, numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj.

Ajo dha një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçe Zela fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Që nga viti 2002, Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Ajo është e vetmja grua shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.”

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

Vaçe Zela vdiq më 6 shkurt 2014, në Bazel, Zvicër. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=v-iTE1bz0Yo

Universiteti më i madh publik në SHBA në partneritet me Kolegjin Universum

Arsimi në Kosovë ka ndryshuar përgjithmonë.

Ky ndryshim i madh ka ndodhur nga data 30 mars 2023, kur me anë të një eventi të madh u njoftua për partneritetin mes UNI – Universum International College dhe ASU – Arizona State University.

Arizona State University është universiteti publik më i madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Numëron rreth 150,000 studentë dhe është padyshim nga universitetet më përfshirëse në SHBA. 

“Është mision i statutit të universitetit tonë që të bëjë arsimin e lartë të klasit botëror të arritshëm për nxënësit dhe studentët e kualifikuar, pavarësisht nga prejardhja dhe gjeografia e tyre. Si një institucion i fuqizuar nga ASU, UNI – Universum International College do të mbështetet në ekspertizën e ASU-së si dhe të institucioneve të tjera anëtare të Aleancës ASU-Cintana, duke i përgatitur studentët e rajonit që të fuqizohen për të konkurruar në ekonominë globale”, tha Nancy Gonzales, rektorja e ASU në këtë event.

Studentët kosovarë dhe nga i gjithë rajoni pritet të përfitojnë nga këto mundësi të pafundme, ku përfshihen edhe diplomat e dyfishta, qasja në kurrikulën dhe resurset e ASU-së, ngritje të kapaciteteve etj.

ASU njihet si universiteti më inovativ në SHBA dhe kjo do t’i ndihmojë padyshim edhe UNI-t por edhe gjithë Kosovës që të përfitojnë nga ky partneritet dhe kjo mundësi. 

Për më shumë informata rreth nesh kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum facebook & instagram.

I pagjetur te vetvetja

Analizë për premierën e monodramës “Dera” me autor dhe regjisor Naser Shatrolli.

Shkruar nga: Agron Gërguri

Hapësira skenike me grila të cilët thyhen në ide derisa i riu përplitet me konstatime, dyshime e hamendësime për jetën, politikën, atdheun, luftën, dëshmorët, të pagjeturit.  Zhgënjimi me transicionin e pafund brenda të cilit bëhen salto mortale si premtime politike ku vota get se blihet me dëshira pa asnjë mundësi të prekshme realizimi.

Diçka është prishur në gjenezë tek ikja e babait në atdheun e të pagjeturve.

“Më kujtohet momenti para se të largohej.. unë isha duke e pikturuar mendimin e tij brenda mitrës, në ateleun e mamit…! “ flet Kodi për t’na e deshifruar prishjen që në embrion duke e ushqyer jetën me mungesa siç di ti prodhoj lufta e cila po bëhet biznes me të cilin merren përfituesit e mbetur gjallë me heroizmin e dëshmorëve emri i të cilëve ka mbërri në ndonjë rrugë njëkahëshe apo shkollë pa nxënës apo institucion të mbyllur për kulturën ku mund takohemi me vetveten. Tutje nuk shkon.

Andaj njeriun ynë, sidomos i riu është i ushqyer me infuzion dhe infuzioni i gjatë ia ka prishë strukturën e organizmit dhe ia ka verdh fytyrën nga doza e premtimeve boshe mbushur me ndjenjë mosrespekti e mosmirënjohjeje për lirinë dhe dashurinë.

  Krejt çka i mbetet është të dal prej aty. Ta lë veten (shpirtin bashkë me përkatësin kombëtare) aty ku nuk jetohet më, e të dal jashtë si njeri i cili pa identitet e pa krenari do të jetoj diku ku jetës nuk i duhen këto përkatësi. Të jetoj zhgënjimin jashtë i mbytur nga doza e tepruar e drogëpatriotizmit, hipokrizisë, mospranisë.

Me 51 % të mbushjes e mbanë hapur mundësinë e thirrjes për ndihmën e shpejt për ta trajtuar jetën e sëmur nga hipokrizia, mashtrimi, zvetnimi apo pikërisht 51% është përqindja e mashtrimit absolut apo edhe rruga e pakthim ngjashëm me të rënët, të pagjeturit, të përhumburit e blerësit e biletës për në planetin e gënjeshtrës. Mbingarkesa seksuale që nis me sharje e përfundon nëpër zyra ku “ëmbëlsohen” orët e punës.

 Ky afërsisht e keqësisht është ambienti ku operon sot shpirti i të riut i cili i zhgënjyer me shpresën derën e daljes e pretë si vizë për të migruar jashtë vetes i zhgënjyer deri në lot me poezinë e Podrimës në mendje e fytin e tharë nga patriotizmi i rilindasëve sepse atdheu i është bërë gropë septike e mbushur me politikëmburrje për fitore humbëse apo suksesdështime që maten veç me numra derisa jeta ka ikur tjetërkah. I riu nuk mendon as jeton me dashuri e për dashurinë, veçse si luledrogë, jetë virtuale, fiktive e pa gjak. Jetë infuzive, transicion i pafund deri vetja të merr formë e përmbajtje ku ndjenja emocioni e dëshira do duhej të derdhen në dashuri e jo shpresën si një lum i vdekur kaherë.

Shatrolli përdorë suksesshëm shenja, aluzione e metafora teatrore duke e trajtuar skenografinë  si të ndryshueshme e funksionale në argumentimin skenik të përmbajtjes së shfaqjes.

Mizanskenim preciz, ku veprimet foljore dhe fizike e përplotësojnë njëra tjetrën dhe bëhen thënie skenike që shpërthejnë në interpretimin e ndjeshëm e të besueshëm të aktorit të ri Drin Berisha i cili ecte bindshëm në rrugën regjisoriale të Shatrollit duke na ofruar personazhin e Kodit si një shifër që e gjenë komunikimin me spektatorin i cili e duartrokiti gjatë premierën e shfaqjes “Dera” dhe krijuesit e saj.

Muzika: Ehat Dula, skenografia: Agron Blakçori, kostumet: Arife Veselaj, ndriçimi: Albert Gashi  mjeshter i skenes: Ekrem Xhaka

Naseri duke dalur të falënderoj publikun për duartrokitjet e gjata rrugës deri te skena përqafoj bashkëshorten për të rimbursuar dashurinë edhe si falënderim dhe mbushje e 100% e njerëzores. / KultPlus.com

Shkencëtarët kinezë më në fund publikojnë informacionet për origjinën e COVID-19

Një ekip kërkimor në Kinë ka publikuar analiza të mostrave të marra më shumë se tre vjet më parë nga tregu i lidhur me shpërthimin e COVID-19.

Tregu i ushqimeve të detit dhe kafshëve të egra “Huanan” ka qenë një pikë qendrore në kërkimin e origjinës së koronavirusit.

Por ky është studimi i parë i analizuar i provave biologjike të mbledhura nga tregu në vitin 2020, raportoi BBC. 

Duke e lidhur virusin me kafshët e shitura në treg, ai mund të hapë linja të reja hetimi se si filloi shpërthimi.

Hulumtimi zbulon se tamponët që rezultuan pozitivë për virusin përmbanin gjithashtu material gjenetik nga kafshët e egra.

Disa shkencëtarë thonë se kjo është dëshmi e mëtejshme se sëmundja fillimisht u transmetua nga një kafshë e infektuar te një njeri.

Por të tjerë kanë kërkuar kujdes në interpretimin e gjetjeve dhe mbetet e paqartë pse u deshën tre vjet që përmbajtja gjenetike e mostrave të bëhej publike.

Një teori tjetër është përqendruar në sugjerimin se virusi ka rrjedhur aksidentalisht nga një laborator në Wuhan.

Hulumtimi tregon se mostrat e marra nga zona ku kafshët po shiteshin kishin rezultuar pozitive për virusin. Por, studiuesit kinezë kanë thënë se zbulimet e tyre nuk ishin të mjaftueshme për të dhënë prova të sakta se si ka nisur përhapja.

Megjithatë, shton se virusi ishte sjellë në treg nga një person i infektuar.

Zbulimet vijnë derisa teoria se virusi ka rrjedhur nga një laborator po fiton tek autoritetet amerikane.

Qeveria kineze fuqishëm ka mohuar sugjerimet se virusi ka origjinën nga një laborator, por FBI-ja tani beson se ky skenar “është më i mundshmi”. / KultPlus.com

Gjuha shqipe futet zyrtarisht në Universitetin e Harvardit

Universiteti i Harvardit në Masaçusets, SHBA e ka shtuar gjuhën shqipe si pjesë të kurrikulës së gjuhës, njofton Harvard Magazine.

Në kuadër të kësaj, orët për Shqipen Elementare 1 filluan këtë semestër, dhe gjuha shqipe është futur në departamentin e gjuhëve dhe qytetërimeve të Lindjes së Afërt (NELC) ku në këtë grup ofrohen gjuhët si aramaishtja, persishtja, turqishtja dhe të tjera.

Edona Cosovic, kryetare e vitit të dytë dhe vajza e një emigranti shqiptar nga Mali i Zi, tha për “Harvard Magazine” se ishte një nga studentët që nxiti futjen e gjuhës shqipe në Harvard.

E rritur në SHBA, ajo mësoi të fliste gjuhën shqipe në mënyrë jo formale në shtëpi, por e kishte të vështirë ta ruante gjuhën pavarësisht dëshirës së saj të madhe për ta bërë këtë.

“Kur isha fëmijë, prindërit e mi nuk kishin burime për të na blerë kanale shqiptare”, thotë ajo.

“Ne jemi në shkollë gjithë ditën, shikojmë TV në anglisht, gjithçka është në anglisht, dhe ata gjithashtu po përpiqen të mësojnë gjuhën angleze sepse ata punojnë këtu dhe po përpiqen gjithashtu të bëjnë para, kështu që ne e humbasim gjuhën shumë, shumë shpejt. , brenda një brezi”.

Në mars të vitit 2022, Cosovic pyeti për mundësinë e ndërtimit të një kursi në Harvard. Kështu ajo foli me Eva Stathi Misho-n, një koordinatore studentore e NELC. Para se të vinte në Shtetet e Bashkuara për të studiuar për klasikë në Kolegjin Hellenic në Brookline, Stathi Misho studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Tiranë.

Stathi Misho shpesh pyetet se çfarë gjuhe flitet në Shqipëri, kështu që beson se ky kurs do ta bëjë përgjigjen e kësaj pyetjeje më pak të lehtë. / KultPlus.com

Vlerësimi me shkrim i mësimdhënësve po konsiderohet si provokim

Rreth 30 vite përvojë punë në fushën e arsimit, mësuesja Zarife Bajgora-Godanci e cilëson si provokim mundësinë që mësimdhënësit të vlerësohen me anë të testit me shkrim. Ajo thotë se forma të tjera të vlerësimit janë të pranueshme por jo me test.

“Është shqetësim i gjithë mësimdhënësve dhe nuk është viti i parë që e paralajmërojnë këtë test me shkrim por nuk është asnjëri nga mësimdhënësit, nuk shprehet se ka frikë por është një ndjenjë si provokim edhe kjo po na shqetëson neve…Vlerësimin e performancës, ata e kanë me të drejt me ardh me hospitu në orë, me dhanë mendimin e tyre dhe ky vlerësim është shumë i mirë dhe i mirë se ardhur për të gjithë. Ne çdo vit kemi pritur me ardh inspektor të fushave përkatëse të secilës lëndë”

Prej muajsh Minstria e Arsimit ka kërkuar një vlerësim të mësimdhënësve në gjithë Kosovën duke përmendur testimin e tyre, por ajo nuk ka dhënë asnjë hollësi rreth tij. Drejtori i gjimnazit “Ahmet Gashi”, Haxhi Metaj thotë se vlerësim me shkrim duhet të ketë për mësimdhënësit që duan të ngriten në karrierë dhe jo për të gjithë.

“Unë mendoj se nuk ka nevojë, ne nga viti i ardhshëm akademik, prej shtatorit, perfotmanca e mësimdhënësve është rezultat i vlerësimit që e bën drejtori i shkollës kështu kompetenca në këtë fushë i kanë caktuar te drejtori i shkollës dhe drejtori i shkollës e bën performancës se mësimdhënësi vërtetë a duhet të përmirësohet ose me vazhdu siç është”

Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jashari vazhdon ta kundërshtojë ashpër vlerësimin e mësimdhënësve me test dhe tha se kjo formë e vlerësimit është ofenduese për mësimdhënësit.

“Ne kurdo herë që përmendet fjalia test me shkrim për punëtorët e arsimit në Kosovë, do të reagojmë njejtë dhe e kemi qëndrimin e prerë, test me shkrim për mësimdhënësit e RKS nuk ka pas, nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë. Asnjëherë nuk kemi qenë kundër që të përcillet puna e mësimdhënësve, që të monitorohet, që të vëzhgohet por të vëzhgohet nga inspektorët profesional se kjo do t’i ndihmonte secilit mësimdhënës që të përmirësohej por jo me test”

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, thotë se vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është e domosdoshme por duhet të bëhet nga drejtorët e shkollave pasi vlerësimi i jashtëm është i pamundur pasi ka mungesë të inspektorëve.

“Testimi është prezent në proces të licencimit për ata mësimdhënës që dëshirojnë të avancohen në karrierë mirëpo të testuar të gjithë mësimdhënësit përnjëherë si pjesë e vlerësimit të tyre kjo është e papranueshme por edhe hiç fare e realizueshme”

Vlerësimi dhe performanca e mësimdhënësve është një problem i kamotshëm në sistemin e arsimit në Kosovë por Ministria e Arsimit ende nuk e ka saktësuar se në çfarë forme do të bëhen vlerësimi dhe kur do të ndodhë. / Përgatiti: Rufije Loku / KultPlus.com

70% e grave në Kosovë besojnë se ka ngacmim seksual në vendet e punës

Në Kosovë 70 për qind e grave besojnë se ngacmimi seksual është dukuri e pranishme në vendin e punës, ndërsa vetëm 9 për qind deklarojnë se janë ngacmuar seksualisht vet ose njohin dikë që ka përjetuar një gjë të tillë.

Këto të dhëna janë pjesë e një studimi të organizatës UN Women i cili u publikua të enjten në Prishtinë. Autorët e studimit thanë se përgjatë hulumtimeve kanë vërejtur hezitimin e grave për të folur mbi këtë dukuri dhe së këndejmi të dhënat nuk pasqyrojnë gjendjen reale.

“Çfarë jemi munduar të bëjmë për ta mposhtur këtë nënraportim është se përveç që i kemi pyetur gratë për veten se a janë ngacmuar seksualisht, i kemi pyetur edhe për koleget, ‘në rregull nëse jo ti a është ngacmuar ndonjë kolege e jotja?’. Kjo meqë sipas literaturës që kemi shqyrtuar kemi parë se nëse gratë nuk raportojnë për vete, të paktën janë më të prirura të raportojnë për kolege. Gjithashtu i kemi pyetur edhe në përgjithësi në vend, jo për to ose koleget e tyre, por a mendojnë se ngacmimi seksual është i përhapur?” tha Dina Vllasaliu nga UN Women.

Rreth 35 për qind e grave që kanë përjetuar ngacmim seksual në punë thonë se një ngjarje e tillë u ka dëmtuar vetëbesimin, rreth 32 për qind thonë se u ka lënë pasoja psikologjike, 31 për qind thonë se kanë frikë për sigurinë në vendin e punës.

Dina Vllasaliu nga UN Women tha se shqetësuese është edhe shkalla e ultë e raportimit të ngacmimeve seksuale.

“66 për qind kanë thënë se e kanë raportuar, por çfarë është shqetësuese është se prej tyre vetëm 3 për qind e kanë raportuar në polici, 52.5 për qind e kanë raportuar te një mbikëqyrës e të tjerat ju kanë treguar vetëm shoqeve. Pastaj i kemi pyetur përse nuk kanë raportuar dhe tre arsyet kryesore kanë qenë se janë turpëruar, janë brengosur për sigurinë e punës së tyre dhe janë brengosur se askush nuk do t’u besonte”, tha zonja Vllasaliu.

Të dhënat tregojnë se gratë kanë vështirësi edhe në kuptimin e mirëfilltë të llojeve të ngacmimit seksual, ndërsa mungojnë nismat për t’i ndihmuar ato në këtë proces. Vetëm rreth 16 për qind e grave të anketuara kanë deklaruar se janë trajnuar në vendin e tyre të punës për të identifikuar dhe raportuar ngacmimin seksual.

Bashkërenduesja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, tha se ky hulumtim shërben edhe si thirrje për veprim nga politikbërësit në ndërgjegjësimin e grave mbi këtë dukuri.

“Mendoj se të gjitha gratë që kanë qenë të punësuara ndonjëherë kanë përjetuar situata ku ndoshta janë prekur nga një burrë, apo janë shikuar në formë të caktuar, apo çfarëdo veprimi tjetër që është i tepërt dhe kanë menduar të mos flasin për atë me arsyetimin se ‘jam shumë e sjellshme, apo kjo është shumë turpëruese’, apo ndoshta i kanë thënë vetes se mund të jetë faji i tyre, se ndoshta kanë veshur një minifund shumë të shkurtër. Por çfarë ne duhet të mendojmë në vend të kësaj është se kemi të drejtën njerëzore për të qenë të sigurta në mjedise të punës dhe ta kryejmë punën pa u konsideruar si objekte seksuale”, tha ajo.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se në këtë institucion që nga viti 2017 e deri tash janë paraqitur vetëm dhjetë raste të ngacmimeve seksuale, numër që sipas tij nuk përkon me perceptimin e përgjithshëm të shkallës së përhapjes së kësaj dukurie.

“Frika nga hakmarrja dhe pasojat që mund t’i ketë vet viktima është një prej shkaqeve që mund të supozoj se përse raportimi i ngacmimeve është i ultë ose nuk raportohet fare. Kjo frikë nuk lidhet vetëm me çështjen e paragjykimeve, botëkuptimit që ekziston në shoqërinë tonë për ta fajësuar viktimën në të tilla raste, por edhe me mungesën e informacionit se cilët janë mekanizmat ku duhet të adresohen këto raste, pastaj mungesa e besimit te institucionet se do t’u ofrohet një zgjidhje efektive”, tha ai.

Në hulumtimin e UN Women, janë anketuar mbi 500 gra nga shtatë rajone të ndryshme të Kosovës, të punësuara në sektorin privat dhe atë publik. Sipas të dhënave të këtij studimi, format më të përhapura të ngacmimit në Kosovë janë komentet e natyrës seksuale, komentet e papërshtatshme ose ofenduese dhe shikimet ngacmuese./VOA / KultPlus.com

Butrinti me vizitorë në çdo stinë

Qyteti antik i Butrintit, 20 km larg Sarandës vijon të tërheqë turistët vendas e të huaj edhe pse nuk ka nisur ende sezoni turistik.

Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrintit, tha për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-mars ky park u vizitua nga 2591 vizitorë vendas e të huaj”.

“Konkretisht gjatë muajit janar parku u vizitua nga 430 turistë, në shkurt nga 729 turistë dhe në mars nga 1432 vizitorë, nga të cilët 487 vizitorë vendas, 741 vizitorë të huaj dhe 204 vizitorë pa biletë. Gjatë muajit mars 2023 nga shitja e biletave janë gjeneruar në total 101 75 00 lekë nga të cilët 342 100 lekë nga vizitorët vendas, 675 400 lekë nga vizitorë të huaj”, tha Dhima.

Sipas saj, turistët gjatë vizitës në park shijojnë një itinerar interesant turistik mes rrënojave të qytetërimeve të lashta dhe peizazhit fantastik, që ky vend të ofron në çdo stinë.

“Në muajt në vijim pritet një fluks më i lartë i vizitorëve në parkun kombëtar të Butrintit”, tha Dhima.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit. / atsh / KultPlus.com

Zelensky do të nderohet me çmimin ‘Charlemagne’ më 14 maj

Çmimi “Charlemagne” i këtij viti do t’i jepet presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky më 14 maj, megjithëse nuk është e qartë nëse ai do ta pranojë çmimin personalisht.

Çmimi Ndërkombëtar “Charlemagne” i Aachen-it jepet për punën e bërë në shërbim të Bashkimit Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të mbajë një fjalim për nder të tij.

Zelensky ka pranuar çmimin në emër të popullit ukrainas, por ende nuk është e qartë nëse ai do të marrë pjesë personalisht në ceremoni apo përmes një lidhjeje me video.

Sipas drejtuesve të çmimit “Charlemagne”, Zelensky nuk po mbronte vetëm sovranitetin e Ukrainës dhe jetën e qytetarëve të saj, por edhe Evropën dhe vlerat evropiane”.

Fituesit e mëparshëm të çmimit përfshijnë ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel, ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe ish-presidentin amerikan, Bill Clinton./KultPlus.com