Në Pallatin e Rinisë, ‘Dam’ do të mbaj së shpejti dy koncerte, saktësisht me datat 6 dhe 7 prill, më fillim nga ora 20:00.
Ansambli rezident i Garës s 3-të Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë, NEC – Nouvel Ensemble Contemporain është duke punuar me studentët e Fakultetit të Arteve – Dega e Artit Muzikor në kuadër të platformës ‘Shkolla për Muzikën e Re’ – fuqizuar nga DAM Festival.
Paralelisht po vazhdojnë përgatitjet për finalen e Garës së 3-të të Kompozitorëve të Ballkanit ku do të interpretohen veprat e katër finalistëve: Christos Ntovas (Greqi), Konstantinos Chaliasas (Greqi), Jetmir Zaganjori (Shqipëri) dhe Yll Daklani (Kosovë).
Merita Halili cilësohet si një nga interpretueset më të larta të muzikës së Shqipërisë së Mesme. Ajo lindi më 5 Prill 1966, në Tiranë dhe u rrit duke kënduar këngët lirike e rajonit të saj të lindjes së Shqipërisë së Mesme.
Debutimin e parë si artiste në tërë vendin e pati në vitin 1983, në Festivalin Kombëtar Folklorik në qytetin e Gjirokastrës.
Edhe pse veprimtarinë e saj e zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo me profesionalizmin dhe ëmbëlsinë e saj vazhdon të jetë prezente në zemrat e adhuruesve shqiptarë./KultPlus.com
Kosova është shpallur zyrtarisht shtet kandidat për organizimin e edicionit të 21-të të Lojrave Mesdhetare 2030, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është shprehur optimiste pasi kanë prezantuar konceptin, nga i cili presin dritën jeshile në shtator, për mundësi mikpritëse të mijëra sportistëve dhe qytetarëve nga 26 shtetet e tri kontinenteve që preken nga Mesdheu.
Sipas MKRS një organizim i tillë do të kishte rëndësi shumë të madhe pasi do të promovonte imazhin e shtetit të Koosvës dhe përmes tij do të pasqyrohej vizioni i Qeverisë për të ardhmen e të rinjëve të vendit.
Postimi i plotë i MKRS në facebook:
Kosova, zyrtarisht shtet kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Kosova mund të jetë mikpritëse e mijëra sportistëve dhe qytetarëve nga 26 shtetet e tri kontinenteve që preken nga Mesdheu, sepse tani zyrtarisht jemi shtet kandidat për organizimin e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare.
Me shpresën që në muajin shtator të marrim lajmin pozitiv, kemi prezantuar konceptin tonë që parasheh shtrirje në tërë territorin e Kosovës për t’i bërë bashkë sportistët e 23 sporteve.
Një organizim i tillë do të fuqizonte politikat sociale dhe rezultatet sportive si dhe do të promovonte në vazhdimësi vlerat e imazhin tonë shtetëror, ndërsa pasqyron vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ardhmen e të rinjve tanë./KultPlus.com
80-vjetori i dirigjentit Eno Koço është shënuar në Akademinë e Shkencave me një koncert. Anëtar i jashtëm i akademisë, artist i merituar dhe Nder i Kombit, ai rrëfeu në pak fjalë jetën e tij.
“Një fillim jete i vështirë. Duhet të luftoja në jetë. Rinia prapë me vështirësi. Unë nuk i kam pasur prindërit, domethënë i kam humbur shpejt. Por hija e tyre, veçanërisht e nënës, engjëlli mbrojtës e di, më ka shoqëruar gjithë jetën edhe kur kam pasur”, u shpreh ai.
Bir i dy prindërve artistë, Tefta Tashko dhe Kristaq Koço që u ndanë shpejt nga jeta për shkak të problemeve shëndetësore, ai mbeti jetim në moshën 6-vjeçare. Në dekadën e 8-të të jetës, karriera e tij dhe e prindërve është e dokumentuar në libra, por disa sekrete i ruan ende, siç edhe modestinë.
“Unë them se disa gjëra vdesin me njeriun. Unë kam qenë në tre faza ne jete, faza e parë e violinistit nuk isha ndonjë violinist që shkëlqeja por punova në opera 6 vjet. Faza e dytë e dirigjimit, si edhe sot. Po prapë në botë ka dirigjentë shumë më të mirë se unë”, tha Eno Koço para mediave.
Në një moment ai ndalet edhe te përvoja me orkestrën dhe kujtimet me Ferdinand Dedën.
“Ne ishim dy dirigjentë atëherë, ishte Ferdi dhe unë në Radio që bënim edhe festivalet. Ferdi ishte i natyrshmi, unë isha i panatyrshme. Sepse mua më tërhiqte edhe kjo pjesa klasike”, tha Koço.
Librat e tij i janë kushtuar muzikës shqiptare dhe të ëmës. Prej vitesh ai ka jetuar mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe./Ballkanweb/KultPlus.com
Më 6 prill në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të hapet ekspozita ‘Ç ‘nuk dija që e kisha ditë…’ nga artistja Lala Meredith Vula, shkruan KultPlus.com.
Ekspozita ‘Ç ‘nuk dija që e kisha ditë…’, e kuruar nga Edi Muka, nën tingujt e kompozitorit John Young do të prezantohet si një instalacion skulpturor dhe një rrjedhë imazhesh të projektuara, të marra nga arkiva e gjerë e krijimtarisë së artistes përgjatë viteve.
Në ekspozitë do të ketë fotografi të artistes, të cilat e pasqyrojnë jetën e shqiptarëve në të kaluarën, duke filluar nga muret e vjetra, fëmijë duke fjetur , kafshët, të ngrënit, të pirit etj
Kuratori i ekspozitës thotë se ‘Ç’nuk dija që e kisha ditë’ është një ftesë për t’u përhumbur në botën e imazheve të artistes, dhe në këtë mënyrë për t’ju bashkuar dhe përjetuar udhëtimin e saj. Rrjedha e imazheve në këtë ekspozitë thur një hartë komplekse shtigjesh të cilat duhen shkelur.’
Kjo eskpozitë për më tepër do të jetë një udhëtim mendor, në të cilin vizitorët do të bien pre e magjepsjes, teksa takojnë njerëz, vende dhe histori të cilat shfaqen para syve, ashtu siç toka përshfaqet nga përtej horizontit nën këmbët e udhëtares së palodhur.
Ekspozita do të hapet në ora 18:00, dhe do të qëndrojë e hapur deri më 6 qershor 2023/KultPlus.com
Ansambli i Këngëve dhe Valleve ‘Kemajl Azizi’, nga qyteti i Vitisë, po qëndron në shtetin e Çekisë, përkatësisht në Pragë, duke prezantuar folklorin e pasur shqiptarë, shkruan KultPlus.
Ansambli i qytetit të Vitisë, gjatë qëndrimit atje po e mahnit shtetin e Çekisë, duke e përfaqësuar shtetin e Kosovës denjësisht përmes prezantimit të pasur të folklorit shqiptarë, kanë bërë të ditur përfaqësuesit e ansamblit në facebook.
Përmes faqes së tyre në facebook, ansambli ‘Kemajl Azizi’, ka falënderuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Vitisë si dhe familjarët e artistëve për mbështetjen e dhuruar./KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Kosovës, ka paraqitur agjendën e shfaqjeve për muajin Prill, 2023, shkruan KultPlus.
Sonte dhe nesër (4 dhe 5 prill) në ora 20:00, Teatri Kombëtar i Kosovës do të shfaqë para publikut shfaqjen ‘Gratë’, të regjisores Nastazja Domaradzka.
Kurse më datën 6 prill në ora 20:00, do të ketë shfaqje nga Baleti Kombëtar i Kosovës me shfaqjen ‘EXIL’, të koreografit Eno Peçi.
“Dungeons & Dragons” është filmi numër një në Amerikën e Veriut, duke fituar 38.5 milionë dollarë në fatura këtë fundjavë, njoftoi BoxOfficeMojo.com.
Në vendin e dytë është “John Wick: Chapter 4” me 28.2 milionë dollarë, i ndjekur nga “His only son” në vendin e tretë me 5.5 milionë dollarë, “Scream VI” në pozitën e katërt me 5.3 milionë dollarë dhe “Creed III” në të pestën me 5.1 milionë dollarë, përcjell Klankosova.tv
“Shazam! Fury of the Gods” në vendin e gjashtë me 4.6 milionë dollarë, “A thousand and one” në të shtatin me 1.8 milionë dollarë, “65” në të tetin me 1.6 milionë dollarë, “Ant-Man and the Wasp: Quantumania” në pozitën e nëntë me 1.2 milionë dollarë dhe “Jesus Revolution” në të dhjetën me 1 milion dollarë./klankosova/KultPlus.com
Bota e kujton si një nga figurat më te zëshëm në histori, i cili kërkoi të drejtat bazike për njerëzit me ngjyrë në SHBA, shkruan KultPlus.
“I have a dream”, apo në shqip “Unë kam një ëndërr” është titulli i fuqishëm i fjalimit madhështor të King, përmes të cilit la një thirrje e mesazh frymëzues i cili kujtohet edhe sot. Ky fjalim mbahet mend si një nga fjalimet më të mira e frymëzuese në historinë e njerëzimit. Më 1963 në marshin protestues në Washington ai i kërkonte SHBA-së që t’i jepte fund diskriminimit racor. Ai ishte zëri i 250 mijë protestuesve të cilët qëndronin në heshtje duke ndjerë çdo fjalë të këtij fjalimi, ndërsa brohoritnin fort pas çdo fjalie.
“Unë kam një ëndërr, që të gjithë njerëzit të jenë të barabartë. Unë kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi do të jetojnë një ditë në një vend, ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tyre. Sot unë kam një ëndërr”, ka thënë King gjatë fjalimit të tij.
KultPlus po ju sjellë sonte këtë fjalim të fuqishëm:
Njëqind vjet më parë, një amerikan i madh, nën hijen e të cilit qëndrojmë sot, nënshkroi Shpalljen e Emancipimit. Ky dekret i momentit erdhi si drita e një feneri të madh për miliona skllevër me ngjyrë, të cilët ishin përcëlluar në flakët e padrejtësisë përvëluese. Erdhi si një agim në fund të një nate të gjatë të robërimit.
Por njëqind vite më vonë, njerzit me ngjyrë ende nuk janë të lirë. Njëqind vite më vonë, jeta e një njeriu me ngjyrë është ende e sakatuar nga prangat e izolimit dhe zinxhirët e diskriminimit. Njëqind vite më vonë, njerëzit me ngjyrë jetojnë në një ishull varfërie në mes të një oqeani të gjerë me prosperitet material. Njëqind vite më vonë, njerëzit me ngjyrë ende brengosen në qoshe të shoqërisë amerikane dhe e ndjejnë veten si në ekzil në tokën e tyre. Prandaj ne kemi ardhur këtu të dramatizojmë një kusht të turpshëm.
Në një farë kuptimi, ne kemi ardhur në kryeqytetin e kombit tonë për të marrë një çek. Kur arkitektët e republikës sonë shkruan fjalët e mrekullueshme të Kushtetutës dhe Shpalljes së Pavarësisë, ata po nënshkruanin një shënim premtues, sipas së cilit, çdo amerikan duhet të ishte trashëgimtar. Ky shënim ishte një premtim se të gjithë njerëzit, po, njerëz me ngjyrë dhe të bardhë, do t’i garantoheshin të drejtat e patjetërsueshme të jetës, liria dhe kërkimi i lumturisë. Është fare e qartë sot se Amerika nuk i ka plotësuar zotimet e premtuara, për sa i përket qytetarëve me ngjyrë. Në vend që të nderojnë këtë detyrim të shenjtë, Amerika u ka dhënë popullit me ngjyrë një çek të keq, një çek në të cilin shënohen “fonde të pamjaftueshme”.
Por ne refuzojmë të besojmë se banka e drejtësisë ka falimentuar. Ne refuzojmë të besojmë se nuk ka fonde të mjaftueshme në kupën e madhe të mundësive të këtij kombi. Prandaj ne kemi ardhur ta marrim këtë çek, një çek që do të na japë mbi kërkesën e pasurisë, lirinë dhe drejtësinë. Tani është koha t’i bëjmë të vërteta premtimet e demokracisë. Tani është koha ta bëjmë drejtësinë një realitet për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Do të ishte fatale sikur ky komb të tejkalonte urgjencën e momentit. Njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e treshi nuk është fundi, por fillimi. Vorbulla e revoltës do të vazhdojë të tundë themelin e kombit tonë deri në ditën e shndritshme që drejtësia do të lindë.
Duhet t’i them diçka atyre që qëndrojnë në pragun e ngrohtë, që i drejton në pallatin e drejtësisë. Në procesin për të fituar vendin tonë të drejtë, ne nuk duhet të ndihemi fajtorë për veprimet tona të gabuara. Le të mos kërkojmë të kënaqim etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e zemërimit dhe urrejtjes. Nuk duhet ta ngrijmë përpjekjen tonë në sferën e lartë të dinjitetit dhe disiplinës. Nuk duhet të lejojmë që protestat tona krijuese të degjenerojnë në dhunë fizike. Duhet të ngrihemi përsëri dhe përsëri në lartësinë madhore për të bashkuar forcën fizike me forcën shpirtërore.
Jam i vetëdijshëm se disa prej jush kanë kaluar përejtime dhe vuajtje të mëdha. Disa prej jush vijnë direkt nga qelitë e burgjeve. Disa prej jush vijnë nga zona ku kërkimi për liri ju ka lënë të dërrmuar nga stuhia e persekutimeve dhe është tronditur nga era e brutalitetit të policisë. Ne jemi veteranët e vuajtjes krijuese. Vazhdoni të punoni me besimin se vuajtjet e pamerituara janë shpenguese. Shkoni në Misisipi, shkoni në Alabama, kthehuni në Karolinën e Jugut, shkoni në Xheorxhia, kthehuni në Luiziana, shkoni në lagjet e varfra dhe getot e qyteteve veriore, duke ditur se në një farë mënyre situata mund dhe do të ndryshojë. Le të mos zhytemi në lëndinën e dëshpërimit, ju them, miqtë e mi. Edhe pse po përballemi me vështirësitë e të sotmes dhe të nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane.
Unë kam një ëndërr se një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: Ne mendojmë se këto të vërteta janë të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Kam një ëndërr se një ditë në kodrat e kuqe të Xheorxhias yjet e ish-skllevërve dhe bijve të të zotëve të ish-skllevërve do të ulen krah për krah në tavolinën e vëllazërisë.
Kam një ëndërr se një ditë, madje dhe në shtetin e Misisipit, një shtet i djersitur me nxehtësinë e padrejtësisë, do të djersisë nxehtësinë e shtypjes, do të transformohet në një oazë lirie dhe drejtësie.
Kam një ëndërr se poshtë në Alabama, ku sundon racizmi i ligë, ku nga buzët e guvernatorit dalin fjalë pa kuptim, djem dhe vajza të vogla me ngjyrë, do të mund të bashkojnë duart me djem dhe vajza të vogla të bardha, si motra dhe vëllezër. Sot kam një ëndërr! Kam një ëndërr se një ditë çdo luginë do të lartësohet dhe çdo kodër dhe mal do të ulet, vendet e ashpra do të sheshohen dhe vendet e lakuara do të bëhen të drejta, dhe lavdia e Perëndisë do të zbulohet dhe të gjithë do ta shohin së bashku.
Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi me të cilin kthehemi në Jug. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta kthejmë malin e dëshpërimit në një gur shprese. Me këtë besim do të jemi në gjendje ta transformojmë disharmoninë e kombit tonë në një simfoni të bukur të vëllazërisë. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje të punojmë së bashku, për të luftuar së bashku, për të mbrojtur lirinë së bashku, me dijen se një ditë do të jemi të lirë. Dhe kjo do të jetë dita kur fëmijët e Perëndisë të jenë në gjendje të këndojnë së bashku me një kuptim të ri “Vendi im është toka e ëmbël e lirisë. Toka ku stërgjyshërit kanë vdekur, toka e krenarisë së pilgrimëve, nga çdo majë mali le të këndojë liria”. Dhe nëse Amerika do të bëhet një komb i madh, kjo duhet të bëhet e vërtetë.
Kështu lëreni lirinë të kumbojë nga majat e kodrave të Nju Hemshajërit. Lëreni lirinë të kumbojë nga malet e gjera të Nju Jorkut. Lëreni lirinë të kumbojë nga lartësitë e Pensilvanisë. Lëreni lirinë të kumbojë nga shkëmbinjtë me dëborë të Kolorados. Lëreni lirinë të kumbojë nga pjerrësirat e Kalifornisë. Por jo vetëm kaq. Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i gurit të Xheorxhisë. Lëreni lirinë të kumbojë nga mali i Tenesit.
Lëreni lirinë të kumbojë nga çdo kodër dhe pirg dheu i Misisipit, nga çdo krah mali, lëreni lirinë të kumbasë! Dhe kur kjo të ndodhë, kur ta lejojmë lirinë të kumbojë, kur ta lëmë të kumbojë nga çdo fshat dhe çdo katundth, nga çdo shtet dhe çdo qytet, do të jemi në gjendje të përshpejtojmë ditën kur fëmijët e Perëndisë, të bardhët dhe të zinjtë, hebrenj dhe paganë, protestantë dhe katolikë, do të bashkojnë duart dhe të këndojnë fjalët e ritmit shpirtëror të njerëzve me ngjyrë “Më në fund të lirë, më në fund të lirë. Lavdi Zotit të Plotfuqishëm, jemi më në fund të lirë”./ KultPlus.com
Dua Lipa do të bëjë debutimin e saj në aktrim si pjesë e kastit për filmin e ardhshëm të Greta Gerwig, ‘Barbie’.
Duke vërtetuar se, një herë e përgjithmonë, jeta në plastikë është vërtetë fantastike, superylli shqiptaro-britanik i popit sapo është shpallur si një nga shtesat surprizë në listën e Barbie, e cila përfshin titullarët e shpallur më parë Margot Robbie dhe Ryan Gosling.
Në një poster që u shpërnda gjerësisht në mediat sociale pas njoftimit, Dua mund të shihet duke pozuar me një parukë blu, me një nëntitull të posterit që shpall se ‘kjo Barbi është një sirenë.’ / KultPlus.com
Cineplexx organizon eventin “Horror Night” me premierën e horrorit The Pope’s Exorcist ku për çdo biletë që bleni do të fitoni një pije falas nga Red Rain!
Njëri prej filmave të shumë pritur horror po arrin në Cineplexx ku aktori Russell Crowe përballet me djallëzi dhe një Vatikan të fshehtë në këtë triler të ri ekzorcist! Me këtë rast kinemaja organzion eventin Horror Night ku për të gjithë ata që e shikojnë filmin gjatë kësaj nate do të fitojnë një pijes falas nga Red Rain. Eventi do të mbahet këtë të enjte në të dy lokacionet e Cineplexx, në Prishtinë dhe në Prizren duke filluar nga ora 19:00.
Filmat horror si “The Exorcist”, “The Exorcism of Emily Rose” dhe “The Conjuring” kanë dëshmuar pëlqimin e tyre nga publiku për filmat horror me ekzorcist. Këtë 6 prill, film më i ri ekzorcist arrin në Cineplexx ku në rol kryesor shfaqet fituesi i çmimit Oscar, Russell Crowe, duke luajtur rolin e krye ekzorcistit zyrtar të Vatikanit. The Pope’s Exoricist është një triller historik horror në premisën shekullore të djallit kundër priftit. Filmi është frymëzuar nga dosjet e rastit të At Gabriele Amorth, Krye ekzorcisti i Vatikanit, i cili kreu dhe dokumentoi mbi 100,000 ekzorcizëm gjatë jetës së tij. Filmi ndjek At Gabriele Amorth ndërsa ai heton pushtimin e tmerrshëm djallëzor në një djal të ri dhe përfundon duke zbuluar një komplot shekullor që Vatikani është përpjekur dëshpërimisht ta mbajë të fshehur.
Cineplexx gjithashtu ka organizuar një lojë shpërblyese për t’i fituar dy bileta për në eventin Horror Night, ku mund të bëheni pjesë e lojës këtu:
Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 17:00.
Kris Atovksa është gazetarja e vetme e Maqedonisë së Veriut që ka qëndruar për tre muaj në Ukrainë, e cila edhe ka realizuar shumë fotografi të luftës, fotografi që po prezantohen nëpërmjet ekspozitës #StandWithUkraine, ekspozitë që është prezantuar në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, e që e njëjta do të prezantohet nesër edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Atovksa do të prezantojë një numër të madh të fotografive që shpërfaqin krimin mbi civilët ukrainas, por në të njëjtë kohë do të shfaqet edhe dokumentari i filmit “Siren Lullabies” që është realizuar po nga Atovksa.
Ekspozita dhe prezantimit i filmit dokumentar do të bëhet nesër, më 5 prill, në KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00.
Kjo është ekspozita e tretë e autores me këto fotografi, pas Shkupit dhe Tiranës, dhe pas prezantimit në Prishtinë, fotoreporterja Atovska synon që këtë ekspozitë ta dërgojë edhe në vende të tjera. Ekspozita organizohet nga KultPlus Caffe Gallery dhe Flori Zaevi./ KultPlus.com
Shqiptarja Eliana Kallo po komentohet për ngjyrat e saj të zërit kumbues, duke pushtuar skenën e “The Voice Kids Germany”.
Është Eliana Kallo, vajza shqiptare që po bën shumë “zhurmë” në Gjermani. Madje, ajo po komentohet për ngjyrat e saj të zërit kumbues, duke pushtuar skenën e “The Voice Kids Germany”, shkruan albinfo.ch.
Që në paraqitjen e parë, në audicionet e fshehta, Eliana goditi fort me këngën Gayle – Abcdefu, këngë kjo e vështirë, që në vete do përveç zërit, edhe mjeshtri të veçantë, që të dyja këto vlera i gëzon ajo.
Ishte juria ata që u habitën me performancën e saj, juri kjo e përbërë nga 5 persona, emra të njohur të skenës muzikore botërore, të cilët pa hezituar shtypën butonin “PO”, duke dhënë sinjal pëlqimi që ta kenë në ekipin e tyre, si Lena Meyer-Landrut, Sasha, Max Giesinger dhe dy anëtarët e grupit “Meine Freunde”. /Albinfo.ch / KultPlus.com
Performanca e Elianës fiton një zhurmë me katër drejtime nga trajnerët.
Përfaqësuesi i “Eagle Hills Real Estate Development”, Mohamed Alabbar, shprehu sot bindjen se “Durrës Yacht & Marina” do të jetë ndër zhvillimet më të pabesueshme në botë.
I ftuar në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit, bashkëorganizuar për herë të parë në Ballkan me Organizatën Botërore të Turizmit, Alabbar tha se “është gati të realizojë të përsosurën në Durrës”.
“Ju siguroj se klientët e mi janë shumë të ngazëllyer. Qeveria ime gjithashtu. Na kanë vendosur në një presion pozitiv që do të bëjmë gjënë më të bukur në botë, më të mirë se Monako dhe asnjë gjë nuk do na ndalë se zhvillimi është i pabesueshëm dhe gjithë studimet e fizibilitetit jemi duke i hedhur nga dritarja, jemi duke dalë më mirë se parashikimet dhe do të ecim më mirë. Kam 30 vite në biznes, kam kryer kryeveprën, kam bërë edhe gabime të rënda, por tani jam gati të bëj të përsosurën”, tha ai.
Alabbar vlerësoi se në Shqipëri ka gjetur partnerë vullnetmirë që besojnë. “Kjo është betejë e fortë dhe e gjatë sepse nevojiten vite për këtë garë. Unë gjeta një mjedis njerëzish të mirësjellë, që çonin përpara vendin e tyre”, tha ai.
Ai tha se në vendimin për të investuar në Shqipëri ishin një sërë faktorësh që ndikuan.
“Shqipëria është disa orë larg Italisë. Ne bëmë disa matje mbi turizmin dhe zhvillimin ekonomik këtu dhe te fqinjët e Shqipërisë. Bëra krahasimet mes hoteleve këtu dhe vendeve fqinjë dhe pashë raportin, pjesën që zë turizmi. Padyshim pashë edhe blerjen e banesave, shifra të çmendura. Shqipëria ka goxha shans por nuk do të jetë gjithmonë kështu. Dhe këtë lloj basti i vura vetes 3 vite e gjysmë më parë por pata edhe një partner vullnetmirë në terren”, tha ai.
Në këtë drejtim, Alabbar vlerësoi se sistemi më transparent që ka hasur në këto vite është në Shqipëri.
“Jam marrë me marrëdhëniet qeveritare dhe i ka parë të gjitha llojet për vite me radhë. Kam parë lloj-lloj formate politikanësh. Vë bast që sistemi më transparent që kam hasur në këto vite është në Shqipëri dhe për këtë sfidoj çdokënd, le të më dalin kundër”, tha ai.
Alabbar kujtoi se në fillimet e kompanisë së tij në vitin 1990, për 15 vite rresht njerëzit nuk kishin besim dhe vinin në dyshim gjithçka.
“Thoshin është false, e rreme, nuk do të funksionojë. Ishim nga Lindja e Mesme, vetëm lajme të këqija kishte nga Lindja e Mesme dhe ato transmetoheshin në CNN dhe BBC, por ne qëndruam të vendosur. Kjo është pjesërisht në Shqipëri, por absolutisht çdo vend ka një histori negative. Ne në Lindjen e Mesme kemi të gjithë historitë tona të shkuara të hidhura, ishim mbretëria e kontrabandistëve, por evoluimi dhe ndryshimi vijon. Në Shqipëri kam parë malet, luginat e vijën bregdetare. Bukuria e vërtetë e Shqipërisë për mua janë malet e luginat. Kam 4 vite që endem rrugëve të Tiranës dhe Përmetit nuk shikoj gjë tjetër veç fytyra të buzëqeshura dhe të përulura”, tha ai. / atsh / KultPlus.com
Një arkiv me fotografi të papara të The Beatles në turne në kulmin e Beatlemania janë shitur në ankand për një çmim prej 5,000 paundësh.
Fotot nga prapaskenat janë bërë gjatë turneut të grupit në SHBA në vitin 1965. Ata kapin Fab Four në skenë, në konferenca për shtyp si dhe gjatë xhirimeve të shfaqjes së famshme Ed Sullivan.
Dan Hampson, menaxher i Omega Auctions, tha se kishte pasur “interesim të paprecedentë” përpara ankandit të specializuar të relikeve të Beatles.
Koleksioni, i cili u shit me të drejtën e plotë të autorit, përbëhej nga 38 printime origjinale, 12 rrotulla filmash dhe transparencash me ngjyra, të gjitha të marra në 1964 dhe 1965.
Fotot përfshinin gjithashtu foto nga koncerti i Stadiumit Shea të vitit 1965, ku zhurma e rreth 55,000 fansave thuhej se ishte aq shurdhuese, as grupi dhe as turma nuk mund të dëgjonin një notë të asaj që po luhej në skenë.
Shitjet e tjera të dukshme përfshinin një album Please Please Me, të nënshkruar nga Paul McCartney, John Lennon, George Harrison dhe Ringo Starr, i cili u shit për 24,000 £ dhe një libër shkollor i gjeografisë nga viti 1959 që i përkiste Paul McCartney, i cili u shit për 14,000 £.
“Ishte një ankand i mbushur plot me lote cilësore – kështu që ne kishim parë një interes pothuajse të paprecedentë përpara shitjes.”
“Ne ishim shumë të kënaqur me disa rezultate të pabesueshme sot”, tha Hampson.
“Kjo dëshmon se tregu i relikeve të Beatles është po aq i fortë sa ka qenë dhe ne jemi shumë të lumtur që jemi në gjendje të arrijmë disa rezultate që ndryshojnë jetën për shitësit tanë.” / KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot shënon dyvjetorin që nga marrja e detyrës si e para e shtetit. Kjo ndodhi pasi më datë 2 prill të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës me një seancë të jashtëzakonshme zgjodhi presidente, Vjosa Osmanin, me 71 vota për, përcjell KultPlus.
Në këtë dy vjetor, presidentja Osmani është shprehur se i vetmi udhërrëfyes në çdo punë e veprim të sajin është vullneti qytetar dhe interesi i Republikës së Kosovës.
“Dy vite si Presidente e juaja! Si gjithnjë, i vetmi udhërrëfyes në çdo punë e veprim timin është vullneti qytetar dhe interesi i Republikës së Kosovës. Kështu do të jetë deri në fund të mandatit! Faleminderit përjetësisht për besimin!”, shkruan Osmani. / KultPlus.com
Si pasojë e motit të vështirë të përcjellur me erëra të forta gjatë natës së mbrëmshme dhe reshjeve të mëdha të shiut dhe borës ka pasur rrëzim të lisave në disa lokacione në kryeqytet, kryesisht në Parkun e Qytetit, Parkun e Taukbashqes, në rrugët “Perandori Justinian”, “Agim Ramadani”, dhe rrugën Germi-Butovc, përcjell KultPlus.
Ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Kryeqytetit janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe në koordinim të ngushtë me NPL „Hortikultura” sh.a – Prishtinë, Njësitin e zjarrfikësve të Kryeqytetit dhe Policinë e Kosovës.
Për momentin rruga tek Parku i qytetit është e bllokuar për qarkullim dhe ekipet janë duke punuar për lirimin e rrugës nga drunjtë e rrëzuar.
Për këtë rast, ka reaguar i pari i kryeqytetit, Përparim Rama i cili përmes një njoftimi në rrjetet sociale ka lutur qytetarët që të mos frekuentojnë këto rrugë dhe posaçërisht parqet e qytetit.
“Lusim qytetaret që te mos frekuentojnë këto rrugë dhe posaçërisht parqet e qytetit për shkak të rrezikut nga drunjtë e rrëzuar deri në njoftimin e radhës.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në koordinim me të gjitha drejtoritë komunale është duke punuar gjatë gjithë kohës dhe falënderojmë qytetaret për bashkëpunimin e tyre në këtë situatë.
Siguria e qytetarëve të Kryeqytetit është prioritet për ne”, shkruan Rama. / KultPlus.com
Seriali më i madh shqiptar “Rrushe” bashkë me shumë momente të bukura, emocionuese, aktorë të mrekullueshëm, e ngjarje tronditëse, tashmë mund të shikohet nga bashkëatdhetarët tanë në Zvicër në platformën blueTV. Seriali dramë-krim “Rrushe”, që u lansua sot, ka bërë bujë të madhe. Përpos aktorëve të njohur që kanë tërhequr vëmendje, për këtë serial është përfolur shumë edhe për mënyrën e realizimit dhe inkuadrimin e reperit Capital T në këngën ‘theme’ të serialit.
Seriali “Rrushe”, që është seriali me produksionin më të madh televiziv deri tani në trojet shqipfolëse, fillon rrugëtimin nga sot në platformën blueTV për bashkëatdhetarët tanë në Zvicër.
Seriali i prodhuar nga GjirafaStudios është i mbushur me emocion, me ngjarje të papritura, e me tregim që lëvizë nga e kaluara në të tashmën, nga Kosova në Gjermani, nga Prishtina në Gjakovë, nga vrasjet në dashuri, e nga ideali në tradhti.
Shtresat e shumta që ka seriali, temat që prekë ai, e mbi të gjitha, përfytyrimi i realitetit të jetës në Kosovë, në dy periudha kohore, e bëjnë këtë serial të paparashikueshëm.
Përveç “Rrushe”, për të gjithë bashkëatdhetarët tanë në Zvicër sot lansohet në platformën blueTV edhe mini-seriali “Beni”.
“Beni” është i pafajshëm, zemërmirë dhe ndonjëherë i pafat. Aventurat e tij janë të komplikuara dhe plot humor. Për të shikuar mini-serialin “Beni” klikoni këtu. / KultPlus.com
Në ditën e dytë të Konventës Ndërkombëtare të Turizmit që zhvillohet në Tiranë, zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë, Özgül Özkan Yavuz e vuri theksin te zhvillimi i turizmit rajonal.
Yavuz u shpreh se Shqipëria po bëhet tepër aktive në fushën e turizmit. “Vitin e shkuar vizitova Shqipërinë për një çështje kulturore kurse sivjet po vijmë në forum turizmi dhe është zhvillim goxha i mbarë”, u shpreh ajo.
Ajo tha se Turqia është një nga 10 vendet kryesore në industrinë e turizmit dhe vitin e shkuar vendi pati diku te 52 milionë hyrje që gjeneruan 46 miliardë dollarë.
“Kjo industri është madhore për ne. Me miliona njerëz në Turqi janë të punësuar të drejtpërdrejtë apo tërthorazi në këtë industri. Turizmi është shumë i rëndësishëm për ne dhe do të donim ta shtonim, të rrisnim ose të prezantonim formate të rinj turistikë apo të të bërit turizëm. Kemi produkt goxha të fortë në turizmin bregdetar dhe nuk është e lehte të konkurronim aty, por do të donim të rrisim dhe shtonim efektin pozitiv që ka turizmi në zhvillimin tonë rajonal dhe për këtë arsye po shtrojmë tematikën dhe po flasim për turizmin rural dhe jemi të lumtur që jemi renditur te fshatrat më të bukur turistikë. Jemi në këtë listë me tre destinacione të vogla”, tha ministrja turke.
“Kemi ambicie për një turizëm sa më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm në Turqi. Turqia është vendi i parë që ka nënshkruar një marrëveshje me Këshillin e Turizmit të Qëndrueshëm këtë vit dhe do të shndërrohet në detyrim për tërë mjediset tona turistike me hotel-restorante dhe gjithçka tjetër që deri në vitin 2030, 25 mijë biznese do të jenë të certifikuar në këtë certifikatë të turizmit të qëndrueshëm. Sivjet sa e nisëm këtë proces dhe sakaq 10% e industrisë sonë është certifikuar dhe kjo përbën sfidën tonë të radhës”, tha Özgül Özkan Yavuz. / atsh / KultPlus.com
Italia është bërë vendi i parë perëndimor që bllokoi ChatGPT, i mundësuar nga inteligjenca artificiale (AI).
Mbikëqyrësi i mbrojtjes së të dhënave të Italisë deklaroi se është duke hapur një hetim kundër OpenAI, kompania që qëndron pas “chatbotit” të popullarizuar për shkak të shqetësimeve për privatësinë e të dhënave pasi ChatGPT përjetoi një shkelje të të dhënave që përfshinte bisedat e përdoruesve dhe informacionin e pagesave.
Qindra miliona njerëz kanë përdorur ChatGPT që nga fillimi i tij në nëntor 2022, duke e bërë atë aplikacionin me rritjen më të shpejtë në histori, sipas një studimi të UBS. Por ka pasur shqetësime në rritje për rreziqet e mundshme të AI, duke përfshirë kërcënimin e saj për të zhdukur shumë vende pune dhe gjithashtu përhapjen e dezinformatave.
Javën e kaluar, figura të mëdha në teknologji, përfshirë shefin e Twitter, Elon Musk, kërkuan që këto lloje të sistemeve të AI të pezullohen mes frikës se gara për t’i zhvilluar ato ka dalë jashtë kontrollit.
A do të ndjekin së shpejti këtë model edhe vendet e tjera?
Pas vendimit të Italisë për të kufizuar aksesin në chatbot, Organizata Evropiane e Konsumatorëve (BEUC) po u bën thirrje të gjitha autoriteteve të hetojnë të gjithë chatbot-et kryesore të AI.
ChatGPT, për shembull, është tashmë i paarritshëm në një numër vendesh, duke përfshirë Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe Rusinë.
“Konsumatorët nuk janë gati për këtë teknologji. Ata nuk e kuptojnë se sa manipuluese, sa mashtruese mund të jetë”, tha Ursula Pachl, Zëvendës Drejtore e BEUC.
Pachl ka thënë po ashtu se njerëzit ende nuk e kuptojnë se informacioni që marrin është ndoshta i gabuar.
“Është një lloj thirrje zgjimi për Bashkimin Evropian sepse edhe pse institucionet evropiane kanë punuar për një Akt të AI, nuk do të jetë i zbatueshëm për katër vjet të tjera. Dhe ne kemi parë se sa shpejt po zhvillohen këto lloj sistemesh,” tha ajo për Euronews.
Komisioni Evropian aktualisht është duke punuar mbi legjislacionin e parë në botë për inteligjencën artificiale të quajtur Akti i AI. Por duket se mund të mos jetë e mundur ndalimi i sistemeve të AI, sipas Zëvendës Presidentes Ekzekutive të Komisionit Evropian, Margrethe Vestager, trasmeton express.
“Pavarësisht se çfarë teknologjie përdorim, ne duhet të vazhdojmë të avancojmë liritë tona dhe të mbrojmë të drejtat tona”, postoi ajo në Twitter. “Kjo është arsyeja pse ne nuk rregullojmë teknologjitë e inteligjencës artificiale, ne rregullojmë përdorimet e AI. Le të mos e hedhim poshtë brenda disa vitesh atë që u deshën dekada për t’u ndërtuar”.
Sipas BBC, Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave dhe rregullatori i të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar kanë thënë gjithashtu se do të fillojnë të shikojnë më nga afër këto chatbot të AI, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të dhënave.
Ndërkohë sipas komisionerit gjerman për mbrojtjen e të dhënave për gazetën Handelsblatt, Gjermania mund të ndjekë hapat e Italisë duke bllokuar ChatGPT për shqetësimet e sigurisë së të dhënave.
Së fundmi edhe rregullatorët francezë të privatësisë kanë kontaktuar gjithashtu homologun e tyre italian për të mësuar më shumë rreth bazës së ndalimit. / KultPlus.com
Sot bëhen 55 vjet që kur u vra Martin Luther King Jr në Memphis, Tennessee, shkruan KultPlus
Data 4 prill 1968 shënoi fillimin e një periudhe pikëllimi e zemërimi në Amerikë. Bota e kujton si një nga figurat më të zëshme në histori, Marthin Luther King Jr, i cili kërkoi të drejtat bazike për njerëzit me ngjyrë në SHBA.
“I have a dream” apo në shqip “Unë kam një ëndërr” është titulli i fuqishëm i fjalimit madhështor të King, përmes të cilit la një thirrje e mesazh frymëzues i cili kujtohet edhe sot.
Më 1963 në marshin protestues në Washington ai i kërkonte SHBA-së që t’i jepte fund diskriminimit racor. Ai ishte zëri i 250 mijë protestuesve të cilët qëndronin në heshtje duke ndjerë çdo fjalë të këtij fjalimi, ndërsa brohoritnin fort pas çdo fjalie. / KultPlus.com
Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 mund të organizohen në Kosovë.
Në fakt, Komiteti Olimpik i Kosovës e ka shpallur kandidaturën e organizimit të kësaj gare prestigjioze pas shtatë vjetësh nga tash.
Afati i fundit për aplikim për Lojërat Mesdhetare për vitet 2027 dhe 2030 skadoi më 31 mars dhe me këtë rast, Portugalia kandidoi për Lojërat Mesdhetare në Plazh të vitit 2027, kurse Kosova tri vjet më pas.
Lajmin e ka bërë të ditur Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) përmes uebfaqes së vetë zyrtare, përcjell “Gazeta Express”.
Sipas këtij të fundit, dy Komitetit Olimpike Kombëtare duhet ta dorëzojnë dosjen e kandidaturës deri në fund të qershorit, ndërsa Komisioni Vlerësues i ICMG-së do të organizojë ndërkohë vizita inspektuese në të dy vendet, në Portugali dhe në Kosovë.
E më pas, më 8 shtator në Heraklion, gjatë asamblesë gjenerale të ISMG-së, do të vendoset për Lojërat e 21-ta Mesdhetare dhe për Lojërat e katërta Mesdhetare në Plazh.
“Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare e mirëpret me kënaqësi të madhe interesimin e dy Komiteteve Olimpike, të cilët janë anëtarët më të rinj të familjes Mesdhetare. Përkushtimi i tyre kontribuon në zhvillimin e kësaj ngjarjeje, por edhe në përhapjen e idealeve dhe të vlerave të Lojërave në krejt pellgun e Mesdheut”, shkruan ICMG në uebfaqen e vetë zyrtare, e cila shton se kandidaturat e Kosovës dhe të Portugalisë do të shqyrtohen me kujdes nga ekspertët dhe më pas do të vendoset nëse i plotësojnë kriteret apo jo.
Pra, Prishtina mund të jetë mikpritëse e mijëra sportistëve që do të marrin pjesë në këtë garë prestigjioze.
Kosova është treguar mjaft e suksesshme në pjesëmarrjet e saj në Lojërat Mesdhetare, mbi të gjitha në sportin e xhudos, duke fituar medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta. / KultPlus.com
NATO, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior, është blloku perëndimor ushtarak. Kjo organizatë u themelua me firmosjen e Traktatit Atlantiko-Verior më 4 prill 1949 me qendër në Bruksel. Organizata ka themeluar një sistem mbrojtjeje kolektiv ku vendet anëtare bien dakord të mbrojnë njëra-tjetrën në rast sulmi nga një palë e jashtme.
Gjuhët e përdorura nga NATO janë anglishtja dhe frëngjishtja, dhe roli kryesor i kësaj aleance është të ruajë lirinë e Shteteve Anëtare dhe mbrojtjen me anë të forcës ushtarake. Kjo organizatë luan një rol nëpër krizat politike, dhe të gjitha shtetet anëtare të saj kontribuojnë me forcat dhe pajisjet e tyre ushtarake.
Palët mund të ftojnë për akordim në këtë Traktat me akordim anonim çdo shtet Evropian në pozitë të çojë më tutje principet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut. Çdo shtet i ftuar mund të bëhet Palë e këtij Traktati duke depozituar dokumentacionet e pranimit në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të njoftojë çdonjërën nga palët për depozitimin e çdo dokumentacion të tillë pranimi.
Aktualisht NATO ka 31 shtete anëtare (nga të cilat 21 janë anëtarë të Bashkimit Evropian). Anëtarja e 31-të e NATO-s zyrtarisht është Finlanda. / KultPlus.com