“Vogue” me modele 106 vjeçare

Whang-Od është ylli i revistës Vogue Filipinas për muajin prill, duke e bërë 106-vjeçaren personin më të vjetër që është shfaqur ndonjëherë në kopertinën e kësaj reviste.

Whang-Od, e njohur gjithashtu si Maria Oggay ka përsosur artin e tatuazheve me dorë që kur ishte adoleshente, duke mësuar nga babai i saj.

Whang-Od përsos tatuazhet vetëm duke përdorur një shkop bambuje, një gjemb nga një pemë pomelo, ujë dhe qymyr, nga luftëtarët indigjenë Butbut.

Tani, të huajt janë klientët më të shpeshtë të saj. “E fundit nga brezi i saj, ajo ka ngulitur simbolet e fisit Kalinga që nënkuptojnë forcën, guximin dhe bukurinë në lëkurën e mijëra njerëzve që kanë bërë pelegrinazhin në Buscalan”, tha Vogue Filipine në një postim në mediat sociale.

Ajo mund t’ia kalojë artin vetëm të afërmeve të saj të gjakut dhe Whang Od ka disa vite që po mëson mbesat e saj Elyang Wigan dhe Grace Palicas.

“Miqtë e mi që bënin tatuazhe kanë vdekur të gjithë,” tha Whang Od për CNN Travel në 2017.

“Unë jam e vetmja që kam mbetur gjallë që ende bëj tatuazhe. Por nuk kam frikë se tradita do të marrë fund sepse po mësoj mjeshtrit e ardhshëm të tatuazheve. Tradita do të vazhdojë për aq kohë sa njerëzit vazhdojnë të vijnë për të bërë tatuazhe”, shtoi ajo.

“Për sa kohë që mund të shoh, do të vazhdoj të bëj tatuazhe. Do të ndaloj sapo të mos shoh më qartë,” theksoi ajo.

Kryeredaktorja e Vogue në Filipine, Bea Valdes tha se stafi i botimit vendosën njëzëri që Ëhang-Od të dilte në kopertinë.

“Ne ndjemë se ajo përfaqësonte idealet tona për atë që është e bukur në kulturën tonë filipinase. Ne besojmë se koncepti i bukurisë duhet të evoluojë dhe të përfshijë fytyra dhe forma të ndryshme dhe gjithëpërfshirëse. Ajo për të cilën shpresojmë të flasim është bukuria e njerëzimit,” shtoi Valdes.

Para daljes së Whang-Od në Vogue të Filipineve, rekordi për modelen më të vjetër të kopertinës së Vogue mbahej nga aktorja Judi Dench, e cila u shfaq në ballinën e British Vogue në vitin 2020, në moshën 85-vjeçare. / atv / KultPlus.com

Krejt Kosova i ka veç 35 inspektorë të punës

Përkundër paralajmërimeve për rritjen e numrit të tyre, aktualisht e gjithë Kosova ka vetëm 35 inspektorë të punës. Në Inspektoratin e Punës thonë se këtë vit planifikohet të rekrutohen inspektorë të rinj. Shtimin e numrit të inspektorëve e kërkojnë edhe nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat, që thonë se kjo është e domosdoshme.

Mbi 6300 (gjashtëmijë e treqind) është numri total i inspektimeve që ka realizuar Inspektorati i Punës gjatë gjithë vitit 2022. Nga këto inspektime, 860 u bënë pas ankesës së palëve. Përveç këtyre statistikave, në Raportin vjetor të punës së IP-së, thuhet se vitin e kaluar ishin vetëm 37 inspektorë të punës.

Numri i inspektorëve dhe inspektimeve do të mund të ishte më i madh nëse do të fillonin punën 17 inspektorë të rinj, për çka pati një konkurs.

Ndryshe nga planifikimet, jo të gjitha pozitat u plotësuan, tregon për Radio Kosovën kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.

“Nga numri i kërkuar për shtimin e inspektorëve të punës, nga ajo që ne kemi bërë shpallje të konkursit, në korrik të vitit 2022, punën e kanë filluar vetëm 8 inspektorë. Pra, nuk është arritur të pranohen inspektorë të punës në numrin e kërkuar. Arsyeja është se nuk ka pasur kandidatë të interesuar, pra nuk kanë konkurruar. Por, ju njoftojmë se fazën e rekrutimeve të reja për inspektorë të punës do ta fillojmë shpejt, pasi ka mbetur që Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë i MPB t’i bëjë disa përgatitje”, tha ai.

Tutje, Nikçi tha se aktualisht janë 35 inspektorë të Punës. Ndërkohë, në Raportin e punës së IP-së për vitin 2022 thuhet se “janë planifikuar dhe buxhetuar 100 inspektorë të rinj të punës për vitin 2023”.

I shqetësuar me trajtimin e punëtorëve shprehet kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai i tha Radio Kosovës se urgjentisht duhet rritur numri i inspektorëve, në mënyrë që shkeljet e të drejtave të punëtorëve të pakësohen.

“Neglizhenca, mospuna, por edhe numri i vogël i inspektorëve të punës, po bëjnë që gjithë këtë barrë mbi kurriz të tyre të bartin punëtorët e sektorit privat, të cilët trajtohen keq me paga, trajtohen keq me Ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin në punë. Po ashtu edhe për sa i përket zbatimit të Ligjit të punës. Shteti, me këtë numër të inspektorëve, pronave të kompanive ua ka lanë duart e lira që të bëjnë gjithçka që dëshirojnë me punëtorët”, tha ai.

Për shtimin e  numrit të inspektorëve të punës  ka folur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili më herët kishte thënë se gjatë mandatit të tij synon pesëfishimin e inspektorëve, me qëllim të garantimit të të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimit të kushteve të punës. / KultPlus.com

Foka mesdhetare, vlerë e shtuar e biodiversitetit të parkut Sazan-Karaburun (VIDEO)

Prej vitesh tashmë, Administrata e Zonave të Mbrojtura Vlorë po monitoron nëpërmjet kamerave kurth prezencën e species në shpellat e parkut detar Sazan-Karaburun, ku si rezultat është dokumentuar prezenca e 2 individëve të Fokës së Mesdheut.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau sot në rrjetet sociale pamje të reja ekskluzive të species më karizmatike të Parkut Kombëtar Detar “Karaburun- Sazan”, Foka e Mesdheut (Monachus monachus).

Popullata botërore e kësaj specieje përbëhet prej rreth 800 individë dhe vlerësohet si e rrezikuar (EN) sipas IUCN. Për shkak të rëndësisë, Foka e Mesdheut është pjesë e konventave të rëndësishme, si ajo e Barcelonës, Bernës, Bonit, CITES, pjesë e Direktivës së Habitateve, si edhe Listës së Kuqe të Shqipërisë.

Prania në PKD Karaburun-Sazan është vlerë e shtuar për biodiversitetin e zonës dhe të Shqipërisë, ndaj ruajtja e species dhe habitatit të saj është e një rëndësie të veçantë.

Foka e Mesdheut, apo siç njihet latinisht: “Monachus monachus” është një lloj foke që i takon familjes “Phocidae”. Në vitin 2016, është llogaritur të ketë më pak se 700 individë të gjallë të këtij lloji, të vendosur në tre apo katër nënpopullata të zolura në Detin Mesdhe (posaçërisht në Detin Egje), arkipelagun e Maderias dhe në arkipelagun Ras Nouadhibou në verilindje të Oqeanit Atlantik. Besohet të jetë lloji më i rrallë i fokave në botë dhe tashmë kjo lloj foke ka vizituar edhe vendin tonë. / atsh / KultPlus.com

UNESCO: Lufta në Ukrainë shkaktoi dëme me vlerë rreth 2,6 miliardë dollarë

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar dëme me vlerë rreth 2,6 miliardë dollarë, në objektet e trashëgimisë dhe kulturore të vendit, sipas organit kulturor të Kombeve të Bashkuara, UNESCO, cituar nga CNN.

Raporti i UNESCO-s, kushtuar kulturës dhe turizmit, i cili përfshin luftën 1-vjeçare në Ukrainë midis 24 shkurtit 2022 dhe 24 shkurtit 2023, është një vlerësim i përbashkët i kryer nga qeveria ukrainase, Banka Botërore, Komisioni Evropian dhe Kombet e Bashkuara.

“Në 24 shkurt 2023, kostoja totale e dëmeve të shkaktuara nga aktivitetet e identifikuara ushtarake vlerësohet në 2,6 miliardë dollarë”, thuhet në raport. /atsh / KultPlus.com

epa10222285 The damaged surroundings of the Sviatohirsk Lavra (cave monastery) in Sviatohirsk, Donetsk area, Ukraine, 03 October 2022 (issued 04 October 2022). Ukrainian forces recaptured the town of Sviatohirsk from Russian troops in September 2022. According to Ukrainian authorities, the major Orthodox Christian monastery of Sviatohirsk Lavra was damaged during Russian shelling on the town in June 2022. Russian troops entered Ukraine on 24 February 2022 starting a conflict that has provoked destruction and a humanitarian crisis. EPA/YEVGEN HONCHARENKO

Fragment nga libri “Jeta ime”, Charlie Chaplin

Gjatë këtyre shëtitjeve nuk më kujtoheshin asnjëherë ato që më thoshte ajo. Isha krejt i ekzaltuar, i bindur se një forcë mistike na ishte afruar dhe se bashkimi ynë ishte rezultat i një afiniteti të paracaktuar. Kisha tre mëngjese që e njihja; tre mëngjese të shkurtra, përpara të cilave pjesa tjetër e ditës nuk ekzistonte deri në mëngjesin pasardhës. Por, mëngjesin e katërt qëndrimi i saj ndryshoi. Ajo më priti ftohtë, pa entuziazëm dhe nuk pranoi të ma kapte dorën. Unë e qortova për këtë gjë dhe e akuzova me shaka se nuk më donte. Më tha – në fund të fundit, unë jam pesëmbëdhjetë vjeç dhe ju nuk jeni veçse katër vjet më i madh se unë. Unë nuk desha ta kuptoja domethënien e kësaj vërejtjeje. Por, nuk mund të mos e vija re mënyrën me të cilën papritur po më largonte. Vështronte drejt përpara, duke ecur me një hap elegant prej gjimnazisteje, me duart të futura në xhepat e bluzës marinare.

– Me fjalë të tjera, ju nuk më doni me të vërtetë – i thashë. Nuk e di – ma ktheu ajo. Unë mbeta i hutuar. – Në qoftë se nuk e dini, atëherë nuk më doni. Në vend të përgjigjes, ajo vazhdoi të ecte pa thënë asgjë. E shikoni çfarë profeti jam – zura të flisja unë me një ton të lehtë. – Ju kisha thënë se do të pendohesha që u njoha me ju. Provova ta merrja në pyetje për të zbuluar ndjenjat e saj të vërteta në lidhje me mua, por të gjitha pyetjeve ajo iu përgjigj njëlloj: – Nuk e di.

Doni të martoheni me mua? – I thashë më në fund për ta zënë ngushtë. – Unë jam tepër e re. Mirë atëherë, sikur të ishit e detyruar të martoheshit, do të më merrnit mua, apo ndonjë tjetër? Por, ajo nuk donte të angazhohej dhe përsëriste pa pushim të njëjtat fjalë: – Nuk e di… unë ju dua… por… – Por nuk më doni – i thashë unë tërë ankth. Ajo mbeti në heshtje.

Ishte një mëngjes i vrerët, rrugët kishin një pamje të përhime dhe të shëmtuar. E keqja është se kam lejuar t’i çoj gjërat shumë larg – thashë me një zë të ngjirur. Kishim arritur në hyrje të metrosë. “Mendoj se do të bënim mirë të ndaheshim dhe të mos takoheshim më kurrë” – shtova duke pritur se si do të reagonte ajo. Mbeti e ngrysur. – Lamtumirë – u përgjigj ajo. – Më vjen shumë keq.

Kjo ndjesë qe si një goditje që po më jepte në zemër. Kur ajo u zhduk në metro provova një ndjenjë zbrazësie të padurueshme. Ç’kisha bërë? Mos isha treguar tepër brutal? Nuk duhej ta kisha trembur. Isha sjellë si një hajvan i fryrë dhe kisha krijuar një situatë të tillë që tani nuk mund të takohesha më me Hetin pa u bërë qesharak. Ç’duhej të bëja? Më mbetej vetëm të vuaja.

– Charlie Chaplin“Jeta ime”

Morrissey njofton për turneun e ri

Morrissey ka njoftuar mbi detajet e turneut veror që do ta mbajë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ylli i bendit the Smiths do të mbajë koncerte në Leeds, Portsmouth, Nottingham, Davlin, Liverpol, si dhe në Londër.

Morrissey e ka konfirmuar muajin e kaluar që e ka incizuar albumin e ri, “Pa muzikë bota vdes”.

Kjo sidoqoftë vjen në një kohë kur fansat e presin publikimin e albumit “Bonfire Of Teenagers”, të cilin eai e ka quajtur si “albumin më të mirë në jetën e tij”./klankosova/KultPlus.com

‘Bet on Revenge’ shfaqet në Kino Armata

Të enjten, më 6 prill, në Kino Armata shfaqet filmi hungarez “Bet on Revenge” i autorit Gabor Herendi.

Ambasada e Hungarisë në Prishtinë dhe Kino ARMATA, hapësira publike në Prishtinë që promovon kulturë alternative dhe dialog shoqëror, fillojnë me partneritet për t’i sjellur audiencës në Prishtinë dhe Kosovë disa prej punëve më të rëndësishme dhe relevante të autorëve hungarez.

Ky partneritet fillon me shfaqjen e filmit të vitit 2017 “Bet on Revenge”, me regji nga Gábor Herendi. Ernõ Blaskovich ka humbur gjithçka pas Revolucionit Hungarez të vitit 1848. Kincsem, një kalë i shkëlqyeshëm, i jep kuptim jetës së tij pa qëllim dhe vet-shkatërrim. Ai ka shansë për të kthyer të gjitha: hakmarrjen, dashurinë dhe famën.

Publikohet “Midnight in Paris”, kënga më e re e Gjon’s Tears, paralajmëron albumin e tij “The Game” (VIDEO)

Gjon’s Tears, këngëtari shqiptar që është duke mahnitë shumë produksione botërore me zërin e tij, sapo ka publikuar këngën e tij më të re “Midnight in Paris”, këngë që është lansuar edhe me videoklip, shkruan KultPlus.

Kënga që është realizuar në Paris është këngë që i paraprinë albumit të Gjon’s Tears e që titullohet “The Game”. Bëhet e ditur se albumi i Gjon’s Tears do të publikohet në muajin prill.

Gjon’s Tears kishte përfaqësuar Zvicrën në Eurovizion, i cili me vota të jurisë profesionale ishte vlerësuar e vendin e parë.

KultPlus ju sjell videoklipin më të ri të Gjon’s Tears, sikurse që do të ju njoftojë edhe për publikimet e radhës nga ky këngëtar shpërthyes./ KultPlus.com

Kostumi ikonik i John Travolta ‘Saturday Night Fever’ del në ankand, kjo është vlera e tij

Fansat e “Ethet e natës së të shtunës” kanë mundësinë të rrëmbejnë një pjesë të historisë së kulturës pop këtë muaj, kur kostumi i bardhë me tre pjesë i veshur në film nga John Travolta të dalë në ankand.

Ansambli monokromatik pritet të arrijë deri në 200,000 dollarë kur të dalë në treg si pjesë e shitjes “Hollywood: Classic & Contemporary” organizuar nga Julien’s Auctions dhe Turner Classic Movies në Kaliforni midis 22 dhe 23 prillit.

Në dramën e kërcimit të vitit 1977, Travolta luan Tony Manero, një i ri italiano-amerikan nga Bruklini, i cili përpiqet t’i shpëtojë realiteteve të jetës së tij duke dominuar në pistën e vallëzimit në diskotekën lokale. Filmi hit ndihmoi në popullarizimin e muzikës disko në mbarë botën dhe Travolta mori një nominim për Oscar për aktorin më të mirë për performancën e tij.

Sipas organizatorëve të ankandit, kostumi poliestër i veshur nga Travolta në skenën e famshme të konkursit të kërcimit të filmit është një nga vetëm dy të përdorura gjatë prodhimit të filmit.

Kostumi cilësohet si “një nga kostumet më ikonike në historinë e kinemasë”.

“Heronjtë nga Sir Lancelot deri te Tom Mix visheshin me të bardha në garat e mëdha për të shprehur pastërtinë dhe përkushtimin e vetëm ndaj detyrës në fjalë”, tha kostumografja e filmit, Patrizia von Brandenstein, për ansamblin thelbësisht të viteve ’70 në një deklaratë./topchanel/KultPlus.com

Galeria Kombëtare e Artit në Uashington – muzeu më i frekuentuar i artit në ShBA

Galeria Kombëtare e Arteve në Uashington DC ishte muzeu më i frekuentuar i artit në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, me pothuajse 3.3 milionë vizitorë.

Është hera e parë që nga viti 2008 që galeria del në krye në sondazhin vjetor të vizitorëve, duke e lënë Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork në vendin e dytë me 3.2 milionë vizita, shkruan TAN, transmeton Klan Kosova.

Muzeu i dytë më i popullarizuar në kryeqytetin amerikan ishte Muzeu Kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane me pothuajse 1.1 milionë vizitorë, i ndjekur nga Galeria Kombëtare e Portreteve dhe Muzeu i Artit Amerikan Smithsonian, të cilët ndajnë e njëjta ndërtesë dhe kishte rreth 954,000.

Të gjithë muzetë ishin ngritur në krahasim me vitin 2021, kur bllokimet ndikuan rëndë frekuentimin.

Ekspozita më e njohur e NGA vitin e kaluar ishte Afro-Atlantic Histories, e cila kishte pothuajse 145,000 vizitorë. Shfaqja prezantoi pesë shekuj të ndikimit afrikan në artin perëndimor.

Hera e fundit që Galeria Kombëtare e Artit doli mbi Metropolitan ishte në vitin 2008./klankosova/KultPlus.com

Nesër hapet ekspozita “Forehead Vulva Channeling Research” e autores S()fia Braga

Më katër prill, në ‘Galeria 17’, do të hapet ekspozita “Forehead Vulva Channeling Research”, nga artistja S()fia Braga, shkruan KultPlus.

Ekspozita “Forehead Vulva Channeling Research”, vjen në kuadër të temës Techne, si rezultat i bashkëpunimit mes Shtatëmbëdhjetë dhe festivalit të famshëm Ars Electronica.

Për më tepër “Forehead Vulva Channeling Research” është hulumtim spekulativ trans’humanist me fokus në zhvillimin e studimeve të avancuara mbi potencialin e trupit të njeriut për të arritur mirëqenie emocionale gjatë gjithë jetës përmes rikalibrimit të qendrave të kënaqësisë duke kanalizuar organet e fshehura duke përdorur teknologji të veçanta.

Qëllimi i Forehead Vulva është që të sjell trupin në një gjendje të lirë, dhe në këtë mënyrë ta transformojë atë, duke rizbuluar potenciale të reja për të cilat njerëzit ende nuk janë të vetëdijshëm.

E nisur si seri e Forehead Vulva Channelers – teknologji specifike e specializuar në Realitet të Shtuar – Forehead Vulva Channeling Research gjeti mbështetje dhe sukses të shpejtë brenda platformave të centralizuara të mediave sociale, duke krijuar rrjedhimisht një performancë spontane në mbarë botën në internet.

Projekti eksploron potencialet e teknologjive për të shndërruar dhe ndryshuar perceptimet mbi trupin përmes shtesave digjitale duke krijuar identitete të reja hibride që vazhdimisht ndryshojnë, prandaj sfidon dhe ngacmon idetë e standardizuara mbi trupin dhe mënyrat e performimit.

Ekspozita do të hapet me datën 04.04.2023, në ora 19:30 në Galeria 17 (Henrik Bariç, nr.10, Prishtinë). /KultPlus.com

‘Ju nuk e doni askënd kur jeni i dashuruar’, thënie nga Marcel Proust

Aforizma nga Marcel Proust

Ne duhet të jemi mirënjohës ndaj njerëzve që na bëjnë të lumtur. Ata janë kopshtarët e zhytur në mundime dhe mendime, që e bëjnë shpirtin tonë të lulëzojë.

Muzika është ndoshta shembulli më unik i asaj që mund të ketë qenë hyjnore, nëse nuk do të kishte ardhur shpikja e gjuhës, formimi i fjalëve, analiza e ideve, komunikimi i shpirtrave.

Lumturia është e dobishme për trupin, por është dhimbja që zhvillon fuqitë e mendjes.

Shpesh është mungesa e imagjinatës që e ndalon njeriun të vuajë shumë. Mos ndaloni së kërkuari atë dëshironi ose do të përfundoni duke dashur atë që arrini të gjeni.

Në realitet, çdo lexues është çfarë ai po lexon, lexuesi i vetvetes.

Puna e shkrimtarit është thjesht një lloj instrumenti optik, i cili i ofron lexuesit të mundësojë që ai të dallojë se çfarë është ai, pa këtë libër.

Bota nuk u krijua një herë, por sa herë që vinte një artist origjinal.

Ne punojmë vazhdimisht për të formuar jetën tonë, por pavarësisht nga vetë kopjimi, ne dizejnojmë tiparet e personit që jemi dhe jo atij që do të donim të ishim.

Në dashuri nuk mund të ketë qetësi, sepse përparësia e fituar nuk është gjë tjetër veçse një pikënisje e re për dëshirat e reja.

Librat e vërtetë duhet të jenë fëmijë jo të dritës dhe mashtrimit, por të errësirës dhe heshtjes.

Leximi na mëson të rrisim vlerën e jetës, një vlerë që ne nuk kemi qenë në gjendje ta vlerësojmë dhe madhështinë e së cilës e realizojmë vetëm falë librit.

Ju nuk e doni askënd kur jeni i dashuruar.

Gjithmonë përpiquni të mbani një copë parajse mbi jetën tuaj.

Le t’ua lëmë gratë e bukura burrave pa imagjinatë.

Leximi është ajo mrekulli e frytshme e komunikimit në mes të vetmisë.

Ne vuajmë nga vuajtjet vetëm duke e provuar atë në mënyrë të plotë.

Përgatit dhe përktheu: Albert Vataj./oxygenpress/KultPlus.com

Cila këngë shqipe, përmes figurës së një shpendi paraqet erotikën dhe bukurinë e vajzës shqiptare?

‘Fërfëlloj fëllanza n’ujë’ është një këngë e cila me mjeshtërinë më të madhe, fsheh erotikën dhe bukurinë e një vashe, prapa figurës së thëllënzës.

Në tekst shfaqet një dëshirë e brendshme për të mos i lënë vend imagjinatës, pra, një dëshire për ta parë vashën dhe trupin e saj të zbuluar, pasi ajo ishte në ujë.

Këtë këngë e këndoi këngëtarja Fitnete Rexha, e cila është njëra ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme. Ajo lindi në vitin 1933 dhe vdiq në vitin 2003.

Sot, në 90 vjetorin e lidjes së saj, KultPlus ju sjell këngën ‘’Fërfëlloj fëllënza n’ujë”:

90 vite nga lindja e artistes Fitnete Rexha

3 prilli 2023, shënon 90 vjetorin e lindjes së Fitnete Rexhës, njërit nga emrat më të shquar të muzikës së mirëfilltë shqipe, me theks të veçantë, muzikës qytetare tiranase, shkruan KultPlus.

Reth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme, janë të regjistruara në repertuarin e këngëtares Rexha, ku prej tyre më të zgjedhura janë: “Fërfëlloj fëllënza në ujë’’, “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qënke veshur me të bardha”, “Mu aty tek shtatë zymbylat”, “Dy të bukurat në nji derë” etj.

Ajo lindi më 3 prill 1933 në Tiranë. Dëshira për tu marrë me muzikë popullore tiranse kishte lindur qysh në fëmijërinë e hershme të saj, pasi ajo ishte e bija e Rexh Delisë “Hero i Popullit’’, familje kjo që njihej për vlerat e traditës, ku ndër vlera të tjera, kultivohej prej shumë brezash kënga popullore.

Rreth moshës 15 vjeçare, Rexha bën regjistrimin e këngëve të para popullore në Radio-Tirana nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka.

Karrierën e saj si këngëtare e filloi në Estradën e Tiranës, dhe më pas aktiviteti i saj më tutje u zhvillua pranë A.K.V.P-së në Tiranë deri në daljen në pension në vitin 1981.

Për kontributin e saj të madh, në ruajtjen dhe kultivimin e këngës së pastër shqipe Fitnete Rexha u shpall “Artiste e Merituar” nga autoritetet shtetërore të Shqipërisë.

Ajo vdiç më 14 gusht 2003 në Tiranë/KultPlus.com

Marjeta Ljarja: Koha me Rikardin pjesa me e bukur e jetës, por doja ta lija dhe i shkrova një shënim….

Rikard Ljarja u shfaq në gjithë përmasën e tij intelektuale si aktor, regjisor, instrumentist, piktor dhe shkrimtar në një dokumentar nga Mevlan Shanaj. Po aq, Rikardi si bir, bashkëshort dhe baba u rrëfye nga familjarët. Marjeta Ljarja kujtoi ditët më të bukura të jetës dhe frikën që e bëri të donte ndahej prej tij kur ishte 22 vjeçe.

‘Mua më është dukur copa e jetës më e bukur me Rikardin, përrallë, pak të thuash përrallë. Thosha, Marjetë, çfarë bëre, isha 22 vjeçe. Dhe u tremba Mevlan. I dhurova Rikardit librin “Tregime të zgjedhura të Kadaresë, ku i kam lënë një shënim: “Ka qenë një ëndërr shumë e bukur, por do doja të përfundonte këtu dhe të mbetemi miq të mirë. Nuk e përballoj dot më tutje”. Por, ai vendimi i menjëhershëm i Rikardit, që më kapi dorën dhe nuk ma lëshoi më kurrë, do të thotë se ai gjeti diçka te unë, që nuk e kishte gjetur.

Nga fëmijëria në një familje intelektuale te vitet e pjekurisë mes ekranit e skenës, përmasa e tij si artist u rrëfye nga bashkëpunëtorët.
ROZA ANGANOSTI, aktore ka rrëfyer eksperiencën e saj me Ljaran.
‘Kemi punuar bashkë shumë mirë. Ishte një kimi artistike them dhe ai ishte kaq i lirë dhe i natyrshëm, pa poza. Dhimitri(Anganosti) thoshte se ai është europian.

ZEF ÇOBA: Kjo fletëpalosje, tregon se Rikard Ljarja në moshën 17-vjeçare luante në orkestrën simfonike të qytetit i ulur në pultin e fagotistit.

Portreti i një intelektuali që shkëlqeu gjatë regjimit komunist, por nuk e harroi kurrë peshën e shtypjes dhe përmasën e lirisë, del në pah në raportin që ruan me të vërtetën, mbi artin dhe pushtetin, pasi ka numëruar rrathët e censurës.

‘Kinemaja jonë ka qenë e drejtpërdrejtë. Sigurisht, ideologjia ka qenë e tillë. Ka pas edhe një tension psikologjik të tmerrshëm, se “çfarë do thonë”, sepse ne kemi qenë të gjithë, të gjithë në shërbim të asaj ideologjie, pavarësisht sa i kanë rrëshqitur’, thoshte rikard Ljarja.

Vizatime, piktura, fotografi, filma, muzike dhe libra. Trashëgimia e tij është ende mes nesh si dëshmi e talentit të një portreti unik. Ljarja u nda nga jeta në prill 2020, 77 vite pasi kishte lindur./BallkanWeb/KultPlus.com

Margariti: 173 aplikime për Bonusin e Rijetësimit

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur sot se, pas suksesit që në thirrjen e parë, këtë vit Bonusi i Rijetësimit ka tërhequr edhe më shumë besimin e shqiptarëve.

Ministrja informoi se, “nga rreth 100 aplikime një vit më parë, këtë edicion janë regjistruar 173 aplikime dhe gjeografia e tyre është zgjeruar në të gjithë Shqipërinë”.

Teksa publikoi në rrjetet sociale dhe shpërndarjen e përfituesve në vende të ndryshme të vendit, Margariti tha se, “shumë shpejt do të dalë edhe lista fituese e këtij viti”.

Margariti theksoi se, “falë kësaj skeme mbështetëse, të gjithë ata që kanë një objekt-monument kulture apo që ndodhet në qendra historike, lagje kala etj., kanë mundësi t’i restaurojnë dhe rijetësojnë ato”.

Mbështetja financiare varion deri në 1 milion lekë për mirëmbajtje dhe konsolidim dhe deri në 6 milionë lekë për restaurim dhe rijetësim.

Përpos ruajtjes dhe evidentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore të objektit apo kompleksit ku ai bën pjesë, edhe këtë vit do të përkrahen ato projekte me ndikim në zhvillimin ekonomiko-social të komunitetit të zonës; do të përkrahen të rinjtë, gratë e vajzat, individët me aftësi ndryshe dhe emigrantët që zgjedhin të investojnë në vendin e tyre./atsh/KultPlus.com

Libri me 600 mijë vargje të këngëve kreshnike shqiptare promovohet në New York

Libri “Wild song, sweet song”, që përfshinë 600 mijë vargje të këngëve kreshnike shqiptare, i autorit Zymer Neziri, është promovuar në New York, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një postimi në facebook, ka thënë se një publikim i tillë shënon arritje për kulturën e vendit, promovim të vlerave tona si dhe ruajtjen e trashëgimisë e identitetit tonë etnik.

”Wild song, sweet song”, është një libër që kalon nëpër tingujt e kujtesës shekullore arbërore, i botuar nga Universiteti i Harvardit, dhe tashmë i promovuar në Universitetin Columbia të Neë York-ut./KultPlus.com

‘Kthimi në shtëpi’

Poezi nga Sibel Halimi

Njeriu im
kishe harruar që moti
kthimit në shtëpi nuk mund t`i
ikësh
Një ditë do të çliroheshe prej
thellësive të saj
kthyer në qoshkun
ku befas braktise veten
në kohën kur lartësia si turmë
zogjsh
të mashtronte nga lartë
Kthimi në shtëpi
është frika nga hapësira
që kundërmon ikje
mbuluar me këmishën bilur të bardhë
për jetën tënde të
pandreqshme
për ty që je fillikat
Pse u dashka të ktheheshe
në ideogramin e
pazgjidhshëm
të nëndetëses të oqeanit tënd
t’pafund?
Kthimi në shtëpi
ka kuptimin e shoshitjes së
skutave tua
mbyllur nën dry si dikur
gjyshja nusërinë e saj
ku fshehurazi kujtonte veten
e lirë
në netët pa gjumë
Kthimi në shtëpi
është lindja e rrita
e mospranisë tënde
e botës që zë fill
mbetur fëmijë përjetësisht
Kthimi në shtëpi
Je ti, njeriu im, duaje/KultPlus.com

Hapet shkolla për barinj në Itali

Këmbana do të bjerë për të gjithë aplikantët më 22 prill. Dhe kërkesat ishin të shumta, sidomos nga të rinjtë, pavarësisht se bëhet fjalë për një profesion që konsiderohet në rrezik zhdukjeje.

Kanë përfunduar procedurat e përzgjedhjes për shkollën e barinjve dhe mbarështuesve të projektit “Life ShepForBio” të bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe që përfshin Parkun Pyjor Casentino, në Itali.

Nga 167 aplikimet e pranuara, në intervistë janë pranuar 54 persona, nga të cilët 41 janë paraqitur për intervistë. Megjithatë, vetëm një e pesta e pastorëve aspirues do të jenë në gjendje të fillojnë studimet, sepse ka vetëm tetë vende të disponueshme, të shtuara në krahasim me gjashtë të parashikuara fillimisht.

Aplikimet vijnë nga kandidatë të rinj, kryesisht nën moshën tridhjetë vjeç, me rrugë të ndryshme studimi dhe profesionale: ka nga ata që kanë diplomë në disiplina në këtë sektor dhe nga ata që vijnë nga kjo botë, por ka edhe nga ata që vijnë nga sektorë krejtësisht të ndryshëm dhe vendosën të marrin pjesë në shkollë për të ndryshuar jetën e tyre.

Në mesin e tetë personave të përzgjedhur janë katër djem dhe katër vajza, shtatë janë nën tridhjetë dhe vetëm një është nën dyzet.

Ata vijnë nga Toscana, Emilia-Romagna, Liguria, Marches dhe Lombardia. /Abc news / KultPlus.com

Mbahet mesha e parë në gjuhën shqipe në Selanik

115 vjet pas meshës së parë në gjuhën shqipe për ortodoksët shqiptarë nga At Fan Noli në Boston të Shteteve të Bashkuara, një tjetër meshë në shqip u mbajt jashtë Shqipërisë e pikërisht në Selanik të Greqisë.

Të dielën, në Kishën e Shën Konstandinit dhe Shën Elenës, besimtarët ortodoksë vendosin një gur të rëndësishëm në kulturën, jo vetëm të besimit të tyre, por të jetesës dhe gjithë kulturës shqiptare në Greqi, shkruan Euronews.al.

Mbajtja e meshës së parë në gjuhën shqipe në Selanik u bë me dije nga komuniteti shqiptar i Selanikut. / KultPlus.com

Kantina më e mirë në botë e verës është italiane


Rekord i ri për botën e verës italiane, e cila vazhdon të mbledhë suksese dhe njohje ndërkombëtare, sipas ilgusto.it.

Dhe sërish kompania historike toskane ”Marchesi Antinori” ndodhet në majë.

Këtë herë ajo është zgjedhur Marka e Verës më e Admiruar në Botë 2023, kantina e parë italiane që ka arritur vendin e parë në këtë renditje.

Një mirënjohje që i referohet renditjes së ”Drinks International”.

Kjo është një renditje që përfshin kantinat më të njohura në botë, e votuar nga një super juri e përbërë nga mjeshtër verërash, somelierë, blerës, gazetarë dhe ekspertë të industrisë nga e gjithë bota.

Secilit prej tyre iu kërkua të përcaktonte pesë markat më të mira ndërkombëtare të verërave, bazuar në kritere të tilla si qëndrueshmëria e cilësisë, raporti çmim/cilësi dhe forca e markës.

Sidoqoftë, renditjen e përgjithshme e kryeson Franca kryeson me 14 pozicione, e ndjekur nga Spanja me tetë pozicione, Australia me katër, Afrika e Jugut me katër, SHBA me tre, po aq sa Portugalia dhe Kili.

Në vendin e fundit, edhe Hungaria me ”Royal Tokaji”.

Dhjetëshja e parë e verërave është si më poshtë:

1 – Marchesi Antinori (Itali)
2 – Catena Zapata (Argjentinë)
3 – Penfolds (Australi)
4 – Familia Torres (Spanjë)
5 – Domaine of La Romanée-Conti (Francë)
6 – Sassicaia Tenuta San Guido (Itali)
7 – Gaja (Itali)
8 – Concha Y Toro (Kili)
9 – M. Chapoutier (Francë)
10 – Ridge (SHBA)./ atsh / KultPlus.com

Presidentja Osmani ka takuar të dërguarit e posaçëm të Gjermanisë dhe Austrisë për Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarit e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Austrisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Johannes Eigner.

Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, përfshirë dakordimin e arritur për marrëveshjen bazë, si dhe planin e zbatimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe zhvillimet e sigurisë në veri të Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të angazhohet në mënyrë konstruktive për t’i kontribuar paqes afatgjate në rajon. Në këtë drejtim, Presidentja ka theksuar se veprimet e fundit kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe, si dhe krijimin e një klime frike dhe pasigurie.

Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të jetë plotësisht e koordinuar me aleatët ndërkombëtar për të vazhduar përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, ndërsa është e përkushtuar për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Republikës.

Tutje, Presidentja Osmani ka falënderuar Sarrazin dhe Einger për angazhimin e Gjermanisë dhe Austrisë për integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, teksa ka theksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë do të vazhdojë. / KultPlus.com