UNESCO verifikon vendet kulturore të dëmtuara në Ukrainë

Që nga 22 marsi 2023, UNESCO ka verifikuar dëmtime në 248 objekte në Ukrainë, sipas unesco.org.

Që nga 24 shkurti 2022, dita kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës, në ish-republikën sovjetike janë shkatërruar 107 objekte fetare, 21 muze, 89 ndërtesa me interes historik dhe/ose artistik, 19 monumente dhe 12 biblioteka.

UNESCO po kryen një vlerësim paraprak të dëmit për pronat kulturore duke kontrolluar incidentet e raportuara me burime të shumta të besueshme.

Këto të dhëna të publikuara përditësohen rregullisht.

UNESCO po zhvillon gjithashtu, me organizatat e saj partnere, një mekanizëm për vlerësimin e pavarur të koordinuar të të dhënave në Ukrainë, duke përfshirë analizën e imazheve satelitore, në përputhje me dispozitat e Konventës së Hagës të vitit 1954 për mbrojtjen e pronës kulturore në rast konflikti të armatosur./ atsh / KultPlus.com

Lorent Berisha pret përkrahje nga Zvicra për fitore në DSDS

Lorent Berisha po merr pjesë në “Deutschland sucht den Superstar” e ai shpreson që të jetë edhe fitues i spektaklit. “Fakti që hyra në top dhjetëshen më bën jashtëzakonisht krenar. Muzika është pasioni im i madh, të cilin askush nuk mund ta marrë nga unë”, thotë ai për 20minuten.

Berisha është me origjinë shqiptare, i lindur në Lucern të Zvicrës dhe po vazhdon garën në këndim. Ai ka një javë që ndodhet në Këln dhe është duke u praktikuar për paraqitjen e tij të madhe live për finale. “Unë jam një perfeksionist, prandaj do të përdor çdo sekondë para performancës për të optimizuar performancën time”, thotë ai në një intervistë për 20 minuta, përcjell albinfo.ch.

Në skenën e madhe Lorenti dëshiron të frymëzojë me emocione, një spektakël efektiv dhe, mbi të gjitha, me zërin e tij të ngrohtë. Lorenti thotë se nëse kalon vërtet në raundin tjetër, ai dëshiron të festojë siç duhet me familjen, miqtë dhe pjesëmarrësit e tjerë – por nuk duhet ta teprojë, sepse duhet ta ruajë zërin për shfaqjen e radhës. “Nuk ka rëndësi se si do të dal. Unë jam tepër mirënjohës për këtë përvojë dhe që më lejuan të hyja në këtë skenë të madhe. Fakti që e bëra atë, të futem në dhjetë të parët, më bën jashtëzakonisht krenar. Muzika është pasioni im i madh, të cilin askush nuk mund ta marrë nga unë”, është shprehur këngëtari me prejardhje shqiptare, për 20minuten, përcjell albinfo.ch. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=chz_GPwkOt4

Katër parimet e një shkrimtari sipas George Orwell

Njihet si shkrimtari me potencial profeti i romanit distopik “1984”, apo alegorinë te “Ferma e kafshëve”. Përveçse autor i këtyre romaneve dhe disa librave tjerë të rëndësishëm, ishte para së gjithash një eseist. Me qindra ese të tij të shkruara përgjatë dekadave prekin një larmishmëri të madhe temash, nga letërsia te politika dhe filozofia. Në njërën prej këtyre eseve, “Pse shkruaj”, jep katër arsye të mundshme.

EGOIZËM I PASTËR: Një nga arsyet pse dikush fillon të shkruajë mund të jetë dëshira për t’u dukur i mençur, për të qenë temë diskutimi mes të tjerëve, për t’u kujtuar pas vdekjes, për të sfiduar ata fëmijët popullorë që të injoronin kur ti ishe fëmijë. Është mashtrim të pretendosh se ky nuk është një motivim për të shkruar, e madje është një motivim i fortë. Shkrimtarët e kanë këtë karakteristikë të përbashkët me shkencëtarët, artistët, politikanët, avokatët, ushtarët, biznesmenët e suksesshëm – me pak fjalë, me bërthamën e njerëzimit. Pjesa dërmuese e qenieve njerëzore nuk janë shumë egoistë. Pasi arrijnë në moshën tridhjetë vjeç, shumica braktisin ndjenjën e të qenit individualë – dhe jetojnë kryesisht për të tjerët. Por ka një pakicë të vogël me dhunti, njerëz që me paramendim janë të vendosur të jetojnë jetën e vet si qëllim në vetvete dhe shkrimtarët janë në këtë kategori. Shkrimtarët seriozë, më duhet të them, janë në tërësi më vanitozë dhe e shohin veten si qendra e botës më shumë se sa gazetarët, megjithëse janë më pak të interesuar për para.

ENTUZIAZËM ESTETIK: Perceptimi i bukurisë në botën e jashtme, ose në anën tjetër, te fjalët dhe radhitja e duhur e fjalëve. Kënaqësia në impaktin e një tingulli mbi një tjetër, në fortësinë e prozës së mirë apo në ritmin e një tregimi të mirë. Dëshira për të ndarë një eksperiencë që dikush ndjen se është e çmuar dhe nuk duhet të humbet. Motivi estetik është shumë i dobët mes shumë shkrimtarëve, por dhe një pamfletist apo shkrimtar librash shkollor do të ketë fjalë apo fraza të parapëlqyera të cilat e joshin atë për arsye jo-utilitare; ose ai mund të ndjehet më mirë mbi tipografinë, mbi gjerësinë e anëve, etj. Çdo libër përtej nivelit të një udhërrëfyesi hekurudhash nuk mund të jetë pa të menduar estetik.

IMPULS HISTORIK: Dëshira për të parë gjërat siç janë dhe për të gjetur faktet e vërteta e për t’i ruajtur ato për përdorim nga brezat pasardhës.

QËLLIM POLITIK: Përdorimi i fjalës ‘politike’ në kuptimin më të gjerë të mundshëm. Dëshira për ta shtyrë botën në një drejtim të caktuar, për të ndryshuar idetë e njerëzve të tjerë mbi llojin e shoqërisë që ata duhet të kërkojnë të kenë. Edhe këtu, nuk mund të ekzistojë një libër i pastër i pandikuar apo i paanshëm politikisht. Mendimi se arti nuk duhet të ketë të bëjë fare me politikën është në vetvete një mendim politik. / Hejza / KultPlus.com

Më 3 prill 1919 mbërriti në Shqipërinë e drobitur nga varfëria Kryqi i Kuq amerikan

Më 3 prill 1919 mbërriti në Shqipërinë e drobitur nga varfëria, skamja dhe udhëkryqja e fatit, një nga misionet humanitare më prestigjioze që njihte koha, Kryqi i Kuq amerikan. Kryqi i Kuq amerikan mbërrin në Shqipëri për të shpërndarë ndihma humanitare, për të ofruar asistencë mjekësore, ilaçe dhe për të kontribuar në përmirësimin e jetës sociale, kryesisht asaj higjeno-sanitare.

Gjendja në të cilën ata gjetën Shqipërinë e pasluftës ishtë e rëndë, jo vetëm raportet dhe statistikat zyrtare që dëshmojnë këtë, por edhe fotografitë që ndoqën në udhë kronologjike këtë mision është një tregues i trishtë i mjerimit të thellë ku gëlonte vendi.

Kryqi i Kuq amerikan që shoqërohej nga staf i kualifikuar dhe vullnetarë të apasionuar, i vendosi zyrat kryesore në Tiranë dhe ngriti qendra të tjera në Durrës, Shkodër dhe Elbasan. Këto qendra u pajisën me mjekë, infermiere, dentistë dhe personel tjetër ndihmës. Shumica e furnizimeve me ushqime, barna dhe veshje u sollën me anije në Durrës, ndërsa spitale e klinika u ngritën në çdo qendër. Në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, Kryqi i Kuq Amerikan hapi edhe shkolla fillore të pajisura me libra, fletore dhe mjete të tjera mësimi, si dhe mori në punë, me pagesë, arsimtarë shqiptarë. Shquan për një kontribut të vlertë në ndihmën e kryerjes së punës së këtij misioni edhe shumë burra dhe gra, jo vetëm si përkthyes por edhe si njohës dhe urëlidhës me mentalitetin, kodet zakonore dhe normat fetare të njerëzve që merrni shërbim dhe përfitonin ndihmë nga ky mision

Veprimtaria e Kryqit të Kuq Amerikan vijoi në fakt përgjatë gjithë viteve ’20-të të shekullit të shkuar thuajse në mbarë territorin e Shqipërisë e sidomos u shtri më shumë në rajonin e Tiranës, Elbasanit, Beratit, Korçës, Vlorës dhe Shkodrës.

Ra në sy sidomos përkujdesja e veçantë për fëmijët jetimë dhe lufta për zbutjen e varfërisë në një vend që sapo kishte dalë i dërrmuar nga një luftë shkatërrimtare, e cila kombinohej me aktivitete plotësuese, sikurse ishte ngritja e kampeve të hapura për fëmijët dhe mësimi falas i gjuhës angleze. Ky mision arriti të shërojë sadopak plagën lënguese të varfërisë dhe skamjes, por dhe të shpërndante dije dhe besim te mirësia, humaniteti dhe shërbesa. / Albert Vataj / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Mbështetja dhe inkurajimi janë thelbësore për fëmijët me autizëm

Dita Botërore e Autizmit e cila është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm, shënohet më 2 prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore.

Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm.

Për një qëllim të tillë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një grup të fëmijëve autik duke u shprehur se mbështetja dhe inkurajimi janë thelbësore për fëmijët me autizëm.

“Ata janë me ne, unik në potencialin e tyre, ndaj duhet të bëjmë gjithçka çdo ditë që ata të jenë edhe të barabartë”, shprehet Osmani. / KultPlus.com

Ka vdekur regjisori i njohur shqiptar, Kristaq Mitro

Ka vdekur sot, në moshën 77-vjeçare regjisori Kristaq Mitro. Ai është një nga regjisorët më të famshëm të kinematografisë shqiptare që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e filmit shqiptar.

Ai ka dhënë një kontribut të çmuar si pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë në degën Regji Filmi dhe Televizioni.

Lajmin për ndarjen nga jeta të regjisorit Mitro e ka dhënë aktori Mevlan Shanaj, me anë të një postimi në rrjetet sociale.

“Lamtumirë Kristaq Mitro, miqësi që nga koha studentore, në një klasë, në një dhomë, deri së fundi si mësimdhënës në Universiteti i Arteve, në degën e regjisë së filmit. Ike duke lënë në ekranin shqiptar si regjisor vepra me sukses të pa kontestuara ! Ngushëllime familjes dhe gjithë miqve!”, shkruan aktori Mevlan Shanaj.

Mitro është regjisor i filmave:

Një djalë edhe një vajzë (1990)

Telefoni i një mëngjesi (1987)

Duaje emrin tënd (1984)

Apasionata (1983)

Njeriu i mirë (1982)

Në prag të lirisë (1981)

Liri a vdekje (1979)

Nusja dhe shtetrrethimi (1978)

Dimri i fundit (1976)

Tokë e përgjakur (1976). / KultPlus.com

Historia 7 mijë vjet e vjetër e Kosovës përmes 3 artefakteve të ekspozuara në SHBA

Në Muzeun e Fieldit në Chicago, 3 artefakte të Kosovës po rrëfejnë historinë dhe kulturën tonë 7 mijë vjet të vjetër.

Reliefi i Kamenicës dhe dy figurinat terrakote të Bardhoshit janë pjesë e ekspozitës “Mbretërit e Parë të Evropës” së bashku me artefaktet e 11 vendeve të Evropës Juglindore.

Ky grumbullim i më shumë se 700 objekteve krahë për krahë nuk është shfaqur kurrë më parë si koleksion i përbashkët. Si i tillë po i ofron vizitorëve mundësi eksplorimi të historisë së ngritjeve në pushtet të mbretërve dhe mbretëreshave të para të Evropës së lashtë.

Ministria e Kulturës e ka mbështetur këtë prezantim të trashëgimisë sonë kulturore si dhe tërë procesin e pjesëmarrjes së Muzeut Kombëtar të Kosovës në këtë ekspozitë e cila do të zgjas deri më 28 janar 2024. / KultPlus.com

‘Sikur shqiptarët të qenë një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen’

Faik Konica, një njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, është ndër figurat më të shquara shqiptare.

Konica përveç si kritik letrar ka qenë edhe veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

KultPlus ju sjellë 7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët:

1. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. ( 1907).

2.  Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (1906).

3. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

4. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton.

5. Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.

6. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

7. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34)./KultPlus.com

Grupi folklorik “Bilbili”, turne kulturor në Zvicër dhe Francë

Grupi folklorik “Bilbili” i qytetit të Vlorës në bashkëpunim me shoqatën “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë” ka zhvilluar një turne kulturor në Zvicër dhe Francë.

Drejtori artistik i këtij grupi, Sejmen Gjokoli tha për ATSH-në se “ky grup paraqiti vlerat artistike dhe historike të polifonisë shqiptare, si një nga format më të hershme të muzikës popullore në Ballkan, sot e mbrojtur nga UNESCO “Pasuri kulturore e njerëzimit”.

Sipas tij, në koncertet e zhvilluara grupi folklorik “Bilbili” interpretoi repertorin më të mirë të këngëve të vjetra tradicionale shqiptare që nuk kishin kufij, këngë të jugut, të veriut etj.

Gjatë këtyre ditëve grupi “Bilbili” zhvilloi dy koncerte zyrtare, një në Teatrin “Madelei” në Gjenevë dhe Kështjellën “Avully” të Francës, si dhe dy koncerte të përbashkëta me grupin “Hareja”, njërën pranë qendrës së Shoqatës “Iliria” dhe tjetra në qendrën e Ansamblit “Gëzuar”.

Gjatë qëndrimit në Gjenevë anëtarët e grupit “Bilbili” patën rastin të vizitojnë mjaft vende atraktive të këtij qyteti si Qendra Bërthamore Nukleare në Cern, qytetin e vjetër të Gjenevës, Shatërvanin e Liqenit, orën e famshme të qytetit etj.

“E veçantë e mjaft mbresëlënëse ishte vizita te busti i Skënderbeut, vendosur në lulishten e madhe buzë liqenit, pranë ish-godinës së OKB”, tha Gjokoli.

Grupi folklorik “Bilbili” radhitet sot ndër më të mirët në Shqipëri, por me një emër të spikatur edhe në skenat e vendeve të tjera. Dhe kjo, jo vetëm për vlerësimet, apo çmimet që ka merituar ky grup, në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare të folklorit. Profili që ka krijuar, repertori i pasur, niveli dhe standardi profesional, mjaftojnë për ta vendosur atë në panteonin e vlerave më të mira të trashëgimisë kulturore.

Ku grup është krijuar në vitin 1994. Në themel të këngës të këtij grupi është polifonia labe e disa trevave të Labërisë. Është pjesëmarrës në disa festivale zonale e kombëtare si dhe në një sërë takimesh folklorike ndërkombëtare. / atsh / KultPlus.com

ChopinPianoFEST bënë publike datat e edicionit të 13-të, sjell në Prishtinë pianistë të shquar

ChopinPianoFEST Prishtina, festivali muzikor i vlerësuar shumë nga kritika, media, fansat dhe audienca në rritje si një prezantim i shkëlqyer i mjeshtërisë së pianos po sjell edicionin e 13-të me radhë, përcjell KultPlus.

Organizatorët e festivalit tashmë kanë bërë publike edhe datat e këtij edicioni e që përfshijë një muaj. 9 Maj – 9 Qershor është kohë që është rezervuar për të sjell para jush koncerte të mrekullueshme nga artistë tejet të veçantë.

Festivali që përgjatë gjithë këtyre viteve ka ofruar interpretime si nga pianistë me famë botërore ashtu edhe nga talentet vendore dhe shërben si platformë shkëmbimi kulturor mes artistëve kosovarë dhe artistëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës, njejtë do të veprojë edhe këtë vit.

Muzika është gjuha e përbashkët e komunikimit dhe bashkëpunimit dhe festivali ka pritur edhe muzikantë nga vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

Edicioni i 13-të i Chopin Piano FEST Prishtina 2023 do të mbledhë pianistë të shquar vendas dhe ndërkombëtarë që interpretojnë jo vetëm veprat e Chopin-it, por edhe kompozitorë të tjerë të njohur, klasikë dhe bashkëkohorë që interpretojnë ansamble piano solo dhe piano (trio, duo, sekstet) repertor, duke përfshirë koncerti për piano me Filarmoninë e Kosovës.

Festivali promovohet gjithashtu nga EFA (Asociacioni Evropian i Festivaleve) http://www.efa-aef.eu/en/home/ dhe është pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Chopin (IFC) e lidhur me UNESCO-n. / KultPlus.com

Nis sot në Tiranë Forumi Ndërkombëtar i turizmit “FESTA”

Në Tiranë nis sot forumi ndërkombëtar i turizmit  “FESTA”, i cili do të mbledhë për 3 ditë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 38 vende të botës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se “java dedikuar turizmit, sot fillon me Forumin Ndërkombëtar “FESTA” – E ardhmja e turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisor në Shqipëri.

Me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të politikës nga Ballkani dhe Europa, agjencive dhe përfaqësuesve të industrive që operojnë në sektorin e udhëtimit dhe turizmit si dhe pjesëmarrjen e veçantë të Frans Timmermans, zv/president Ekzekutiv i Komisionit Evropian për Marrëveshjen e Gjelbër, ky forum do të nisë me një ceremoni zyrtare të hapjes mbajtur nga Bettany Hughes historiane, autore dhe një prej figurave televizive më të njohura në Britaninë e Madhe.

Gjatë tre ditëve të forumit, 70 folës të ndarë në 7 panele tematike do të diskutojnë tema të rëndësishme lidhur me turizmin e qëndrueshëm dhe trendet e së ardhmes së tij, si roli i qeverive, strategjitë e zhvillimit, brand-imi, profesionet dhe profilet e reja të këtij sektori.

Për të gjithë ata që janë pjesë e industrisë së turizmit dhe udhëtimit, datat 3, 4 dhe 5 prill do të jenë një mundësi për të dëgjuar ekspertët e fushës, për të krijuar lidhje biznesi e partneriteti, për të shkëmbyer përvoja e për t’u njohur me ofertat e tregut të turizmit./ atsh / KultPlus.com

Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë validitet i vështirësive dhe mbështetje nga shoqëria

Nga Halime Bici

Kur një diagnozë prek të padukshmen e të pavërejtshmen, ashtu si autizmi, sfidat rriten, teksa identifikimi, ndërgjegjësimi e pranueshmëria vështirësohet. Si rrjedhojë e kësaj, përtej sfidave që diagnoza primare sjellë, faktorët mjedisorë bëjnë që vështirësitë të rriten edhe më shumë.

Gjatë prillit, synojmë që këta faktorë mjedisorë t’i adresojmë e t’i bëjmë çështje diskutimi, ashtu që ndërgjegjësimi të rritet.

Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë njohje e shenjave të autizmit, që indikojnë këtë gjendje, ashtu që të identifikohet e të intervenohet që në fëmijëri të hershme (1-5). Kështu, rriten gjasat për përmbushje të potencialit të fëmijës dhe rriten gjasat e gjetjes së përshtatshme edukative për fëmijën.

Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë validitet i vështirësive dhe mbështetje nga shoqëria, përkundër mungesës së tipareve fizike që indikojnë ato.

Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë edukim rreth faktit që sjelljet e përsëritura, si duartrokitje, kërcim, kërcëllitje e dhëmbëve, apo lëshimi i tingujve të caktuar në momente të caktuara, mund të jenë mënyra vetrregullimi për fëmijën me autizëm, i cili ndjehet në siklet, kulm të lumturisë apo edhe në momente mërzitje, e këto i manifeston me sjelljet mësipër. Njëjtë si ne manifestojmë mërzitjen me lotë, apo si dikush që sikletin e manifeston me lëvizje të pakontrollueshme duarsh. Këto sjellje nuk adresohen përmes terapisë, për shkak se ndihmojnë individin të vetrregullohet, andaj s’duhen adresuar, po duhen pranuar.

Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë edhe pranim i formave të ndryshme të komunikimit, përtej verbales. Do të thotë vënie e fokusit në mesazhin që po synon të transmetohet, e jo mënyrës se si po komunikohet.

Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë njohja dhe përbrendësimi i idesë që një person me autizëm mund të jetë gjithë çka është një person neurotipik – e/i shoqërueshëm, të shfaqë dhembshuri, të flasë, të lexojë, të shkruajë, të jetë doktor, profesor, inxhinier e gjithë çka dëshiron të jetë.

Ndërgjegjësimi për autizëm do të thotë njohje e rëndësisë së bashkëpunimit mes insititucioneve, si qendër, klinikë, kopsht, shkollë, ashtu që mos të ndalen përpjekjet e të arrijmë të përdorim gjithë kapacitetet që kemi, e të përmbushim gjithë potencialin e fëmijës. Pra, të kemi qasjen e njëjtë siç kemi për neurotipikët, të besojmë në ta e të përpiqemi, pa u dorëzuar.

Ndërgjegjësimi për autizmin do të thotë njohje dhe përbrendësim i spektrit të autizmit, pra, spektrit, që indikon spektër dallimesh në individë që mund të ndajnë diagnozën e njëjtë, e të kenë funksionim krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri. Ashtu si njerëzit neurotipikë që dallojnë në formë spektri, me ngjashmëri, po aq sa dallime, njëjtë edhe njerëzit me autizëm, dallojnë në gjithë çka janë, prej mënyrës se si perceptojnë informacionin në nivel shqisor, në mënyrën se si manifestojnë atë & përfundimisht mënyrën e funksionimit në tërësi.

Përfundimisht, njëjtë siç i qasemi një neurotipiku për t’a njohur, njëjtë duhet qasur një personi me autizëm, pasi që “nëse ke njohur një person me autizëm, ke njohur vetëm atë person me autizëm”.

Urime Dita Botërore e Autizmit të gjithë prindërve, advokatëve e terapistëve që përkushtohen në qëllimin që në të ardhmen – personat me autizëm të jenë advokatë të vetes.

(Autorja e shkrimit, Halime Bici është logopede e licencuar, me interes të veçantë në punën me persona me autizëm dhe 5 vite përvojë pune me këtë kategori.) / KultPlus.com

Parashikojnë shkencëtarët: ​Njerëzit tani mund të jetojnë deri në 140 vjeç

Shumë ekspertë kanë dyshuar prej kohësh se jetëgjatësia e njeriut ka arritur kufirin e saj, dhe askush nuk ka gjasa të kapërcejë rekordin e Jeanne Calment, një gruaje franceze e cila vdiq në moshën 122-vjeçare.

Por një studim i ri ka arritur në përfundimin se ne jemi ende ‘larg’ nga çdo maksimum nëse ka një të tillë. Dhe ka edhe një shans 50/50 që dikush i lindur në 1940 në MB të arrijë moshën mbresëlënëse 125 vjeç. Kjo do të thotë se një tetëvjeçar sot është ende gjallë në vitin 2065.

Studiuesit nga Universiteti i Gjeorgjisë analizuan jetëgjatësinë e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar të lindur që në vitin 1880 për të gjetur se çfarë mund të jetë e mundur në të ardhmen.

Parashikimet e tyre tregojnë se burrat e lindur në 1970 mund të arrijnë moshën 141 vjeç dhe gratë më të vjetra të lindura në 1970 mund të arrijnë 131 vjeç.

Rritja e mjekësisë moderne pas Luftës së Dytë Botërore, ushqimi i mirë dhe stabiliteti politik, midis faktorëve të tjerë, mund të kenë kontribuar në rritjen e jetëgjatësisë deri më tani dhe që parashikohet të vazhdojë.

Autorët thonë se më i moshuari midis njerëzve të lindur midis 1910 dhe 1950 mund të jetojë rregullisht deri në 120 ose më shumë./ Express / KultPlus.com

4-vjeçari shkruan libër për mirësinë dhe futet në Guiness

Saeed Rashed AlMheiri, 4-vjeçar nga Abu Dhabi, është personi më i ri në botë që ka botuar libër.

Rekordi i tij u verifikua më 9 mars 2023, pasi ai shiti mbi 1000 kopje të librit të tij për fëmijë “Elephant Saeed and the Bear”.

Është një histori që flet për mirësinë dhe një miqësi të papritur mes dy kafshëve.

Saeed vazhdoi të shpjegonte librin të tij: “Bëhet fjalë për elefantin Saeed dhe një ari polar. Elefanti kishte një piknik dhe pa një ari polar. Ai mendoi se ariu do ta hante, por në fund, elefanti tregoi mirësi dhe tha ‘le të bëjmë një piknik së bashku’! Pastaj u bënë miq dhe treguan mirësi me njëri-tjetrin.” /Shqip.com / KultPlus.com

Bjeshka e Hinoskës, ndër destinacionet turistike më tërheqëse në Korab

Bjeshka e Hinoskës, e pozicionuar rrëzë malit të Velivarit me lartësi 2369m është një nga destinacionet turistike më tërheqëse dhe të aksesueshme në Parkun Natyror “Korab – Koritnik”.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura solli pamje nga kjo bjeshkë në këtë stinë, duke përcjellë dhe informacion mbi shtigjet e shënjuara.

Shtegu turistik që kalon në fshatin Melan, në fshatin Ilnicë dhe në bjeshkën e Hinoskës ofron një larmi të peizazhive natyrore nga ku mund të shijohen edhe pamjet mahnitëse të luginës së Drinit të Zi, të maleve të Lurës dhe vargmalit të Korabit në njërën anë, dhe të luginës së Radikës dhe maleve të parkut të Mavrovës në anën tjetër.

Biodiversiteti i larmishëm, burimet ujore, kullotat alpine dhe qetësia shpirtërore që të përcjell ky vend e bën atë një nga destinacionet më të preferuara gjatë stinës së verës dhe jo vetëm./ atsh / KultPlus.com

Rama uron aktoren Margarita Xhepa në 89-vjetorin e lindjes

Aktorja e mirënjohur e skenës shqiptare Margarita Xhepa feston sot 89-vjetorin e ditëlindjes.

Kryeministri Edi Rama uroi sot në një postim në rrjetet sociale aktoren Xhepa për ditëlindjen e saj.

Aktorja Margarita Xhepa lindi më 2 prill 1934. U aktivizua fillimisht në Estradën e Shtetit dhe më pas në Teatrin Popullor. Spikati në plejadën e kohës përmes interpretimit të rolit të Ofelisë të tragjedisë shekspiriane “Hamleti”, vënë në skenë në vitin 1960 prej regjisorit rus Bortko.

Në skenën e teatrit, Xhepa ka mishëruar mbi 150 role, mes të cilave veçojmë: Ledi Milfordin në dramën “Intrige e dashuri” (F. Shiler), Melën në dramën “Morali i zonjës Dulska” (G. Zapolska), Dafinën në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur”  (J. Xoxa) dhe nënën në inskenimin e romanit të Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën”.

Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit. Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 31 rolesh. Disa prej personazheve që interpretoi mjeshtërisht janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936 (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976).

Xhepës i është akorduar gjithashtu edhe titulli “Artiste e Popullit”./atsh/ KultPlus.com

‘Të vërtetat e Ingridit’, përjetimet e piktores në një ekspozitë vetjake në Durrës

Në galerinë e arteve pamore të Durrësit u hap këtë fundjavë ekspozita vetjake e piktores Ingrid Xheraj.

E titulluar “Të vërtetat e Ingridit” dhe e kuruar nga Helidon Haliti, punimet e piktores së re tërheqin vëmendjen për përjetimet dhe botën e pasur shpirtërore të saj. Ato shprehen bukur në 35 punime, kryesisht natyra të qeta dhe portretet e njerëzve të dashur të hedhur në telajo.

Me një botë plot ngjyra dhe dashamirësi për njerëzit që shenjuan jetën e saj në rrugën e artit, Ingrid Xheraj zbulon disa nga të vërtetat e jetës së saj për artdashësit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 prill./KultPlus.com

Ekspozohen veprat e piktorit Gjelosh Gjokaj

Një ekspozitë e veçantë, me veprat e piktorit Gjelosh Gjokaj është çelur në qendrën COD në Tiranë. Në ceremoni mori pjesë vetë kryeministri Rama që e cilësoi këtë një moment të rrallë.

Rama tha se artisti shqiptar nga Mali i Zi ishte nga ato personazhe që jetën e tij e kishte të ndërthurur ngushtësisht me artin.

Gjelosh Gjokaj ndërroi jetë në Gjermani në vitin 2016 duke lënë gjurmë në mbarë botën me mbi 45 ekspozita personale./ KultPlus.com

‘Rikard, Përcjellja e fundit’, premiera e filmit kushtuar aktorit Rikard Ljarja

Filmi “Rikard, Përcjellja e fundit” mblodhi së bashku miq e familjarë të aktorit të njohur, Rikard Ljarja i cili kujtohet për karakteret dhe portretin e dashur në 22 filmat e realizuar.

Tre vite pas ndarjes nga jeta, njëri prej miqve, regjisori Mevlan Shanaj dhe bashkëshortja e tij, skenaristja Natasha Lako, producenti Tan Kazazi, kompozitori Gent Rushi etj, të mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, por dhe të gjithë kineastët bashkë teksa kujtojnë bashkëpunimin e miqësinë me të, i bënë gati filmin e jetës, “Rikard, përcjellja e fundit”, që u shfaq si premierë në Kinema Millenium.

“Rikard, Përcjellja e fundit”, ndërkaq shpërfaqi Shkodrën e viteve ‘50, ku gjendej edhe Rikardi i vogël, që adhuronte librat e dallonte në mësime.

Si aktor protagonist, Ljarja spikat me rolin e Dedës te “Rrugë të bardha”, të cilin Mevlan Shanaj do ta quante filmin më të arrirë shqiptar, sepse dha shembullin e njeriut që flijohet për komunikimin mes njerëzve, flijohet për jetën e njerëzve të zakonshëm.

Ai ishte edhe regjisor i 9 filmave dhe skenarist i dy filmave. I binte fizarmonikës dhe pianos, edhe këndonte, edhe pikturonte, edhe shkruante libra.

Por filmi e vuri Rikardin në podin e nderit si aktor, si regjisor e sidomos si njeri, siç do të shprehej aktori Birçe Hasko.

Nga interpretimi në orkestrën simfonike të Shkodrës ne moshën 17-vjeçare, te pasioni për aktrimin.

Personazhet e filmave kujtojnë kur realizuan së bashku rolet në filmat “Komisari i Dritës”, “Në fillim të verës”, “Në pyjet me borë ka jetë”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Ilegalët”, “Duel i heshtur” etj.

Roza Anagnosti tregon natyrshmërinë e interpretimit të tij dhe se si bashkë kishin një kimi artistike.

Bujar Kapexhiu tregon se si Rikardi në kinema solli qytetarin. Dhimitër Anagnosti e quan europian që i dha frymë të re interpretimit, paçka se Rikardi vetë rrëfen se çdo gjë kalonte në filtrin e ideologjisë së kohës.

Ndërsa për bijtë e tij, ai qe busulla, këshilluesi gjithë durim, që tashmë mungon. E sa për bashkëshorten, aktoren Marjeta Ljarja, ajo ndihet e mbështjellë ende nga kujtimet dhe emocionet e një jete të mahnitshme së bashku./atsh/KultPlus.com

‘100 vjet muzikë në Korçë’, koncerti i dirigjentit Eno Koço në 80-vjetorin e lindjes

Në 80-vjetorin e lindjes së dirigjentit të njohur Eno Koço, Ansambli i Harqeve ka sjellë në skenën e teatrit koncertin “100 vjet muzikë në Korçë”, nën udhëheqjen artistike të Lorenc Radovanit.

Për dirigjentin e njohur Eno Koço, ky koncert në Korçë, rikthen mes emocionesh lidhjen e origjinës që ai ka me këtë qytet ndërsa sipas tij në 100 vjet muzikë Korça i ka dhuruar vendit kompozitorë që kanë bërë historinë e muzikës shqiptare.

Për mjeshtrin Lorenc Radovani, qëllim mbetet nxitja e kompozitorëve të rinj për të krijuar sa më shumë muzikë shqiptare.

Instrumentistët më të njohur shqiptarë janë pjesë e Ansamblit të harqeve, të cilët në vitet e fundit kanë luajtur muzikë të krijuar më së shumti nga kompozitorët shqiptarë./TopChannel/ KultPlus.com

Mbi 3 mijë vizitorë në kalanë e Gjirokastrës gjatë marsit

Numri i vizitorëve në kalanë e Gjirokastrës ka ardhur duke u rritur gjatë muajit mars të këtij viti.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër për periudhën 1-31 mars kjo kala është vizituar nga 3 470 vizitorë,  ose 1 639 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022.

Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg./atsh/ KultPlus.com

Bota magjike e Andersenit

Kur fjalët dështojnë, flet muzika.

Me histori tërheqëse, që kanë mbushur me lumturi zemrat e miliona fëmijëve në mbarë botën, Hans Christian Andersen mbahet mend si autori i përrallave më krijuese dhe më të lexuara. Edhe pse Anderseni ishte romancier, poet, dramaturg dhe eseist, përrallat u shndërruan në identitetin dhe kontributin e tij më të madh në letërsinë botërore.

Ndryshe nga autorët e tjerë të përrallave, shkrimtari dhe poeti i jashtëzakonshëm danez dallohet për mesazhet me përmbajtje humane, realiste, si dhe për optimizmin e tregimeve të tij. Njerëzor dhe realist, shkrimtari përcolli shpresën dhe na la mesazhe pozitive. Supozohet rëndom se përrallat janë histori që burojnë nga tradita popullore, përçuar ndër breza nga tregimtarët. Edhe pse është e vërtetë që shumica e përrallave janë të rrënjosura në folklorin oral, në një shkallë më të madhe ose më të vogël, në të vërtetë shumë nga historitë më të njohura na vijnë nga burime letrare.

Vetë jeta e Hans Christian Andersenit ngjasonte me një përrallë, sepse ai lindi biri i një këpucari të varfër dhe vdiq një njeri i pasur dhe i famshëm, i famshëm në të gjithë botën, i afërt i mbretërve dhe mbretëreshave. Bota e mrekullueshme përrallore e Hans Christian Andersen frymëzoi vepra të tilla si opera magjike e Dvoπák “Rusalka”, apo  “Le Rossignol” i Stravinskit etj. Muzika mund të komunikojë ndjenjat dhe atmosferën më drejtpërdrejt sesa fjalët, ajo është në gjendje ta bëjë pranverën joreale në jetë – shoqëruesin natyral të imagjinatës dhe fantazisë. Mitet dhe përrallat popullore kanë tërhequr gjithmonë kompozitorë, veçanërisht kompozitorët romantikë në epokën romantike, por përrallat e Andersenit kanë pasur një joshje të veçantë për muzikantët, gjë e cila vijon edhe në ditët e sotme.

Të paktën 80 kompozitorë janë frymëzuar prej tij, mes tyre shumë mjeshtra, madje edhe kompozitorët e ditëve të sotme gjejnë frymëzim në këto përralla. Ato nuk janë as të thjeshta dhe as fëminore, muzika ka jetuar brenda tyre, qysh nga fillimi.

Anderseni asnjëherë nuk pati si qëllim, që përrallat të ishin vetëm për fëmijët. Madje, edhe kur ato mbështeteshin në motive tradicionale, ai arriti të jepte krijime të sofistikuara letrare. Me përzierjen e sharmit dhe aventurës magjike, por edhe të ndjenjës së pakëndshme të thellësive të errëta, padrejtësisë, patosit dhe tragjedisë së mundshme, një vetëdije se edhe përfundimet e lumtura kanë një çmim dhe rrallëherë janë absolute.

Suksesi në rritje i Andersenit dhe udhëtimet jashtë vendit, e sollën gjithnjë e më shumë në kontakt me figurat kryesore artistike evropiane, jo vetëm me ato të letërsisë si Dikens dhe Brownings, por me kompozitorë të mëdhenj, mes tyre Shuman, Liszt, Mendelson, madje edhe Wagner. Ai ishte një nga admiruesit më të hershëm të Wagnerit, duke e vënë në ballë të shijes muzikore.

Ne i detyrohemi shkrimtarit disa autobiografi, një korrespondencë voluminoze dhe një “Ditar” të mrekullueshëm. Ndërmjet 1832 dhe 1842, ai botoi në broshura tregimet e para të shkurtra të mrekullueshme: “Përralla për fëmijë” (1835), të cilat nuk i adresoheshin vetëm audiencës fëminore. Suksesi e inkurajoi të vazhdonte të botonte; “Tregime të reja” (1843-1848) dhe “Tregime dhe histori të reja” (1858-1872). Anderseni shkroi 164 përralla, të kredhura në romantizëm dhe duke kombinuar mrekullinë dhe ironinë. Larg imitimit të paraardhësve të tij në zhanrin e përrallës (Perrault, Galland dhe Hoffmann, Brothers Grimm), stili i tij spikat për përdorimin mjeshtëror dhe të ekuilibruar të gjuhës së përditshme, idiomave dhe shprehjeve popullore, arrin të shpreh mrekullisht, në një gjuhë shumë të thjeshtë, emocionet më delikate dhe idetë më të mira, duke kaluar pa vështirësi nga poezia në ironi, nga farsa në tragjike. Anderseni u frymëzua nga histori tradicionale skandinave, gjermane dhe greke, nga kohët e lashta deri në Mesjetë.

Në mënyrë mjeshtërore, ai thuri materiale dhe ndikime të ndryshme për të krijuar përrallat që ne njohim sot. Përrallat prezantojnë mbretër dhe mbretëresha të vërtetë ose legjendarë; kafshë, bimë, krijesa magjike (sirena dhe zana), madje edhe objekte. Ndër përrallat më të famshme citojmë “Rosaku i shëmtuar”, “Mbretëresha e dëborës”, “Rrobat e reja të perandorit”, “Mjellmat e egra dhe sirena e vogël”, “Shitësja e shkrepseve”, “Princesha dhe bizelet”, “Ushtari i kallajit” dhe “Sirena e vogël” etj. Shumë nga përrallat u bënë drama, filma ose shfaqje muzikore, madje frymëzuan fotografi të animuara të njohura si Arieli. I pëlqenin shumë udhëtimet dhe udhëtoi shumë, mbi të gjitha në Gjermani për të vizituar miqtë Friederike dhe Friedrich Anton Serre. Kur Anderseni vdiq në moshën 70-vjeçare, më 4 gusht 1875, në Kopenhagen, tashmë njihej ndërkombëtarisht. Deri pak kohë më parë, shtëpia ku ai kishte lindur ishte një vend pelegrinazhi për fansat.

Më 30 qershor 2021, në vendlindjen e tij, Odense u hap një muze: “H.C. Andersen House”, në gjuhën daneze, “H.C. Andersen Hus”. Anderseni nuk e mendoi kurrë veten vetëm si tregimtar për fëmijët. Ishte e rëndësishme për të, që elementët sociokritikë ose satirikë të përrallave, të cilat ai me vetëdije i përfshiu për lexuesit e rritur, u theksuan po aq sa fantastikja dhe imagjinarja. Muzeu ka “hapësirën kushtuar fëmijëve”, përfshirë atelien me emrin “Ville Vau”, ku fëmijët mund të jenë krijues dhe të marrin pjesë në krijimtari. Para vdekjes, Andersen ishte shkrimtar i njohur dhe u konsiderua si thesar kombëtar nga qeveria daneze, madje i akordohej edhe një pagë. Në kopshtin “Rosenborg”, Kopenhagen, në nder të shkrimtarit legjendar ngrihet statuja e tij. / Konica.al / KultPlus.com

Vdes në moshën 71-vjeçare kompozitori Ryuichi Sakamoto

Ka vdekur në moshën 71-vjeçare kompozitori i madh japonez Ryuichi Sakamoto. Ai u diagnostikua për herë të parë me kancer në vitin 2014.

Sakamoto dha koncertin e tij të fundit në fund të vitit 2022 dhe i informoi fansat e tij për shëndetin e tij.

Muzikanti i madh ndikoi si pak të tjerë në fushën e muzikës elektronike dhe do të hyjë në histori si kompozitor i disa veprave të mëdha, mes tyre shumë kolonave zanore të vlerësuara me çmime.

Sakamoto ka lindur në Tokio. Ai studioi kompozicionin në Universitetin e Arteve të Tokios, vazhdoi të njëjtën shkollë pasuniversitare dhe filloi të punojë si muzikant. Ai formoi YMO me Haruomi Hosono dhe Yukihiro Takahashi në 1978. Muzika inovative që përdor plotësisht sintetizuesit quhet ‘techno pop’ dhe ka krijuar një sensacion në Japoni dhe ka arritur suksese të tilla si shfaqje në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Sakamoto u shfaq si aktor në filmin e vitit 1983 “Gëzuar Krishtlindjet në fushën e betejës” me regji të Nagisa Oshima dhe ishte përgjegjës për muzikën. Kënga me temë që ai kompozoi është ende e pëlqyer në mbarë botën.

Në vitin 1987 ai u shfaq në filmin e Bernardo Bertolucci, Perandori i fundit dhe ishte përgjegjës për muzikën. Ai fitoi një çmim Oscar për këngën më të mirë origjinale, një Golden Globe dhe një çmim Grammy ndërsa ishte anëtar i Orkestrës Magjike të Verdha./abcnews.al/KultPlus.com