Djali 4-vjeçar bëhet personi më i vogël që boton një libër

Një djalë nga Emiratet e Bashkuara Arabe u bë personi më i vogël në botë që botoi një libër në moshën vetëm 4 vjeç e 218 ditë.

Rekordet Botërore të Guinness thanë se Saeed Rashed AlMheiri ishte 4 vjeç e 218 ditë kur botoi librin e tij, ‘Elephant Saeed and the Bear’. Ndërkohë, rekordi u verifikua kur libri shiti 1000 kopje.

AlMheiri, libri i të cilit ka të bëjë me mirësinë dhe miqësinë, tha se ishte frymëzuar nga motra e tij, AlDhabi, e cila mban titullin e rekordeve botërore Guinness për personin më të ri që boton një libër dygjuhësh (femër).

“E dua shumë motrën time dhe më pëlqen të luaj me të gjatë gjithë kohës”, tha vogëlushi për GWR. “Ne lexojmë, shkruajmë, vizatojmë dhe bëjmë kaq shumë aktivitete së bashku. Shkrova librin tim [i frymëzuar nga ajo] pasi ndjeva se mund të kisha edhe librin tim.”/abcnews.al/ KultPlus.com

Nëpër të gjitha dyert ti ike

Poezi nga Louis Aragon
Përktheu: Anton Papleka

Nëpër të gjitha dyert ti më ike
Në të gjitha shkretëtirat më le

Në agim të kërkova dhe në mesditë të humba
Kudo që vajta ti nuk qe gjëkundi
Kush mund ta përshkruajë Saharanë e një dhome pa ty
Turmën e të dielës ku s’të ngjan askush
Një ditë më të zbrazët se moli që zgjatet në det
Heshtjen ku të thërras e ti nuk më përgjigjesh

Ti më le dhe njëherësh pranë meje ke mbetur
Më le gjithkund më ike nga sytë
Nga zemra e ëndrrave
Më le si një frazë e mbetur përgjysmë
Si një send i hedhur rastësisht si një karrige
Si një vend pushimi në të dalë të verës
Si një kartolinë e harruar në sirtar
Çdo gjest më shkëput nga ti
Si një gjethe që bie nga pema
Vështrimi yt mbi mua të gjorin
Qe një psherëtimë ku unë mungoja
Si nuk t’u dhimbs hija jote që te këmbët rrinte./ KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar, guidë informuese dhe edukative për fëmijë

Muzeu Historik Kombëtar ka përgatitur për herë të parë një guidë informuese dhe edukative për fëmijë.

Sot, në ditën ndërkombëtare të librit për fëmijë Muzeu Historik Kombëtar ndau në rrjete sociale lajmin e botimit “Udhërrëfyes për fëmijë-Zbulo Muzeun Historik Kombëtar”, një guidë informuese dhe edukative për fëmijë.

Modeli i ri edukativ i Muzeut Historik Kombëtar ka për qëllim zhvillimin e potencialit krijues të fëmijëve dhe edukimin rreth trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

Ai u hartua gjatë periudhës së pandemisë nga stafi i Muzeut Historik Kombëtar.

Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i madh në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit.

Në mjediset e muzeut gjenden rreth 5000 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX./ atsh/ KultPlus.com

Karl Ghega dhe Aleksandër Moisiu – dy austriakët e mëdhenj me origjinë arbërore

Dy arbërorët e mëdhenj që lanë gjurmë të pashlyera në Austri dhe në mbarë Botën: Karl Ghega la gjurmë në fushën inxhinierisë, dhe Aleksandër Moisiu në atë të aktrimit.

Në lidhje me këtë do ta nënvizoj një gjë këtu: kur dramaturgu, mjeku dhe shkrimtari Friedrich Wallisch kishte mbajt një leksion me Temën më të dashur të tij mbi historinë e popullit shqiptar (Ö.i.Z.1928), të pranishmëve në sallë i kishte bërë pyetje retorike mbi prejardhjen e këtyre dy personaliteteve mbikohore.

„Të dashur zonja dhe zotërinj , e dini se nga e ka origjinën Aleksandër Moisiu? Të gjithë të pranishmit ngrinin supet duke mos ditur prejardhjen e tij të vërtetë.

„Aleksandër Moisiu ishte një arbëror. E keni ditur këtë ,nuk besoj se po“, ishte përgjigjja e tij.

A e dini se kush e ndërtoi hekurudhën Semmering? Karl Ghega u përgjigjen, plotësisht e saktë.

Por ,a e dini të dashur zonja dhe zotërinj se prej nga e ka origjinën ky gjeniu Ghega?

„Edhe ai ishte me origjinë arbërore…” / KultPlus.com

‘Ikona e Teatrit’-Margarita Xhepa dhe bukuria e saj solare (Foto)

Sot artistja, Margarita Xhepa, shënon 89 vjetorin e lindjes, shkruan KultPlus.

Ajo cilësohet si ‘Zonjë e Madhe’ e teatrit, dhe i takon plejadës së aktorëve të parë të cilët e ngritën teatrin shqiptarë.

‘Nderi i Kombit’, ‘Artiste e Popullit’ dhe ‘Artisti i Europës 2021’ janë disa nga çmimet dhe epitetet të cilat i ka marrë Xhepa ndër vite.

Përpos mjeshtërisë së saj, të cilën e paraqiti në shumë role, ajo shquhet edhe për bukuri tejet të veçantë.

Kult Plus ju sjellë disa fotografi të Margarita Xhepës ndër vite:

Mbi përgjegjësinë e individit dhe terapinë ekzistenciale të Viktor Frankl

Ankthi, neveria dhe absurdi janë tri kategori shumë të rëndësishme në filozofinë dhe letërsinë ekzistenciale. E përbashkëta e këtyre kategorive është se të tria këto paraqiten si ‘manifestim i lirisë’. Në këtë rast liria është ajo gjendje ku njeriu është i pavarur dhe i shkëputur nga forcat biologjike dhe morale. Kjo shkëputje nga biologjia dhe morali, e bën njeriun të ndihet në ankth, neveri dhe të bie në absurd.

Kur njeriu vetëdijesohet mbi lirinë ai vetëdijesohet edhe për gjendjen e ankthit, absurdit dhe neverisë. Por, ky vetëdijesim nuk mund të vjen pa pasoja. Sipas botëkuptimit ekzistencial, njeriu në thelb është i lirë por pikërisht pse është i lirë, ai shpesh përfundon në pranga sepse nuk ka fuqi shpirtërore ta përballojë dhe realizojë këtë liri. Liria nuk duhet vetëm të kuptohet, por edhe të jetohet.

Nga ajo që u tha më lart del se qëllimi i ekzistencializmit është që individi në fillim të vetëdijesohet për faktin se është i lirë, dhe pastaj këtë liri ta aktualizojë dhe realizojë për veten dhe shoqërinë. Pra, nga një liri spekulative dhe teorike të kalojë në një liri praktike. Në lidhje me këtë, Walter Kaufmann thotë: “Për të qenë serioze një filozofi, ajo duhet të jetohet”.

Elementi apo kategoria që e bën të mundur këtë kalim nga reflektimi teorik në veprimin praktik gjendet brenda vetë njeriut. Ky element është ‘përgjegjësia’. Përgjegjësia është element esencial në teorinë e ekzistencializmit sepse e bën të mundur kalimin nga potenciali njerëzor në aktualitetin njerëzor. Përgjegjësia është një fuqi shpirtërore që i rregullon raportet njerëzore përmes parimit se njeriu nuk duhet të trajtohet si mjet, por vetëm si qëllim.

Ky element i ‘përgjegjësisë’ i trajtuar nga filozofia dhe letërsia ekzistencialiste, trajtohet edhe tek teoria e psikiatrit Viktor Frankl dhe paraqet thelbin e terapisë së tij ekzistenciale të emërtuar si: Logoterapi. Më poshtë jepet një paragraf nga vepra e Viktor Frankl-‘Doktori dhe Shpirti’ ku e sqaron raportin e Logoterapisë dhe Përgjegjësisë individuale.

“Psikoterapia (këtu ka fjalën për psikanalizën e Frojdit) bën përpjekje që aspektin instiktiv t’ia subordinojë të vetëdijshmes (Ego-së). Logoterapia, në anën tjetër tenton që ta vetëdijesojë njeriun për aspektin shpirtëror. Si një terapi ekzistenciale, në radhë të parë ajo është e preokupuar që ta vetëdijesojë njeriun mbi elementin e përgjegjësisë – pasiqë të qenit i përgjegjshëm është një nga elementet kryesore të të qenit njeri. Nëse të jesh njeri do të thotë të jesh i përgjegjshëm dhe i vetëdijshëm, atëherë ‘analiza ekzistenciale’(Logoterapia) është lloj i psikoterapisë e cila si pikënisje e ka të qenit i vetëdijshëm dhe përgjegjës”.

Përgatiti: Ardian Batusha/Virtualsophists/Kultplus.com

Thënie mbi jetën nga Arthur Schopenhauer

“Ai që shkruan për budallenjtë, audiencën e lartë e ka të sigurtë.”

“Kur e bleni një libër, ju në mënyrë optimiste mendoni se po e bleni edhe kohën për ta lexuar atë.”

“Njerëzit e mëdhenjë janë sikur shqiponjat; ata i ndërtojnë folet e tyre në lartësitë e vetmuara.”

“Të gjitha të vërtetat e mëdha kalojnë nëpër tre faza: fillimisht ato përqeshen, pastaj ato kundërshtohen dhunshëm dhe në fund ato pranohen si vetë – evidente.”

“Pasuria është si uji i kripur, sa më shumë të pish, aq më i etur je. Kjo vlenë edhe për lavdinë.”

“Dhembshuria për kafshët është e lidhur ngushtë me mirësin e karakterit, dhe mund të pohohet me siguri se ai që është mizor me kafshët, nuk mund të jetë kurrë njeri i mirë.”

“Secila dashuri, sado qiellore të duket, rrënjët e saj i ka në instiktin seksual.”

“Një njeri mund të jetë vetja vetëm për aq kohë sa ai është i vetëm; dhe nëse ai nuk e don vetminë, ai nuk do ta dojë as lirinë; sepse vetëm atëherë kur ai është i vetëm, ai është vërtetë i lirë.”

“Asgjë nuk mund të jetë e bukur pa të vërtetën.”

“Zakonisht është humbja ajo që na bënë ta dim vlerën e gjërave.”

“Një shkallë e lartë e intelektit priret ta bëjë njeriun të pashoqërueshëm.”

““Natyra e tregon se me rritjen e inteligjencës vjen e rritur edhe aftësia për të ndjerë dhimbje dhe se vetëm në shkallën më të lartë të inteligjencës, dhimbja e arrit pikën e saj supreme.”

““Doktori e sheh të gjithë dobësinë e njeriut, gjykatësi e sheh të gjithë ligësinë dhe teologu të gjithë budallallëkun e tij.”

““Talenti e godet shënjestrën të cilën askush nuk mund ta godas. Gjeniu e godet shënjestrën të cilën askush nuk mund ta shoh.”

“Ne rrallë mendojmë për atë që e kemi, ndërsa shpesh për atë që na mungon.”

“Njerëzit e zakonshëm thjeshtë mendojnë se si duhet ta shpenzojnë kohën e tyre; I talentuari tenton ta përdor atë.”/KultPlus.com

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Vetëdijësimit për Çrregullimin e Spektrit të Autizmit

Me shprehjet, “Autizmi është veçanti, nuk është uniformë”, “Fëmijët me autizëm nuk ju injorojnë, ata presin të hyni në botën e tyre”, “Autizimi thërret: Bëjeni Ligjin për Gjithëpërfshirje”, fëmijët bashkë me kryeministrin Albin Kurti, përfaqësues të shoqatës “Autizmi” dhe përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, sot dekoruan pemën afër qeverisë, ku u shënua edhe Dita Ndërkombëtare e Vetëdijësimit për Çrregullimin e Spektrit të Autizmit.

Kryeministri Albin Kurti u zotua se do të punojnë më shumë për mbrojtjen, promovimin dhe jetësimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi.

“Ne zotohemi për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e të gjitha obligimeve tona për mbrojtjen, promovimin dhe jetësimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi e në veçanti në respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara”, tha Kurti.

Ai bëri thirrje institucioneve që të punësojnë sa më shumë persona me aftësi të kufizuar.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se duhet më shumë punë në këtë drejtim.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës për Autizëm, Cen Krasniqi tha se institucionet qeveritare duhet të bëjnë më shumë për fëmijët me autizëm./rtv21/KultPlus.com

Përvjetori i lindjes së aktorit Aleksandër Moisiu

Më 2 prill të vitit 1879, në Trieste të Italisë ka lindur aktori me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu.

Në skenën gjermanishtfolëse ka mishëruar mjeshtërisht role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë evropiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke e deri në bashkëkohësi.

Karriera e tij ka nisur në moshën 19-vjeçare, kur ka filluar të ekzekutonte role minore si “kompars” në skenën e Burgtheatër.

Më pas, Moisiu është angazhuar në teatrot e Pragës dhe të Berlinit, ku është shquar për zotësi aktoriale, veçanërisht në interpretimin e rolit të Edipit mbret dhe të Hamletit. Kjo mbarëvajtje e bujshme e ka dërguar për të shpalosur talentin e tij drejt skenave të tjera të Evropës dhe të Amerikës Veriore.

Në vitin 1935, në perëndim të jetës së tij, aktori ka kërkuar shtetësinë italiane, që është mirëpritur nga autoritetet përkatëse.

Po ashtu, si bir i një shqiptari nga Kavaja dhe një arberësheje, ai ka pasur dëshirë të merrte edhe shtetësinë e vendit të tij të origjinës, i cili ka refuzuar të plotësonte vullnetin e tij të fundit.

Aleksandër Moisiu ka ndërruar jetë më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. Në dokumente paraqiten njoftime për shfaqjet e dhëna prej tij./klankosova/KultPlus.com

75 etiketa vere shqiptare në Veronë, në panairin më të madh të verërave në botë

Shqipëria do të marrë pjesë sot në një ndër ekspozimet më prestigjioze të verës dhe kantinave në Evropë në “Vinitaly 2023” në Verona, Itali.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca e cila theksoi se “mes 4900 ekspozuesve, disa qindra njohësve profesionistë dhe dhjetëra mijëra dashamirës të verës, në stendën “Wine vision by Open Balkan”, do të promovojmë së bashku me prodhuesit tanë shijet, territorin, karakteristikat dhe autenticitetin e verës ekselente shqiptare”.

“Në këtë ekspozitë Shqipëria do të përfaqësohet me 75 etiketa të verës shqiptare dhe 20 prodhues”, tha Krifca.

Panairi mbledh më të mirët në prodhimin e verërave më të mira, vreshtarëve, mjeshtrave të qilarëve, enologëve, somelierëve dhe tregtarëve të verërave, si dhe ekspozues të verës nga disa prej kantinave më të famshme në botë dhe synon të promovojë edhe rajonin si destinacion turistik.

Në stendën e Shqipërisë 20 prodhuesit më të mirë të verës, ekspozojnë verërat “Made in Albania” me etiketa tashmë marka të njohura në tregun ndërkombëtar ku ekportojnë prej vitesh. Ata prezantohen në këtë event të rëndësishëm, me synimin për vendosjen e bashkëpunimeve të mundshme për hapjen e tregjeve të reja të eksportit të verës “Made in Albania”.

Vreshtaria dhe verëtaria mbeten në fokus të qeverisë shqiptare për të nxitur zhvillimin e sektorit. Nëpërmjet programeve të mbështetjes nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, kantinat vendase kanë përfituar financim për rikonstruksion dhe ngritje ambientesh për, linja dhe makineri për paketimin dhe standardizimin, investime të cilat kanë shërbyer në përmirësimin e cilësisë së verës./atsh/KultPlus.com

218 vite nga lindja e legjendës së përrallave, Hans Christian Andersen

Më 2 prill të vitit 1805, në Danimarkë, ka lindur legjenda e përrallave për fëmijë, Hans Christian Andersen, shkruan KultPlus.

Përrallat e Andersenit, përbëjnë 156 tregime të ndara në nëntë vëllime, të cilat janë të përkthyera në më shumë se 125 gjuhë të ndryshme të botës.

Andersen u rrit si një djalë jo shumë tërheqës,  dhe këtë aspekt të jetës së tij  ai e përdori për të krijuar përrallën “Rosakun e Vogët të Shëmtuar”, pasi që nga shikimi i parë rosa ishte ‘e shëmtuar’ dhe e dëbuar. Mesazhi i tij me këtë rast është se njeriu mund të jetë i dukshëm për komunitetin me mënyrën me të cilën zgjedh, pasi ai me bukurinë e brendshme të mendjes së tij arriti të jetë i dukshëm dhe madje i paharruar përmes shkrimeve të tij frymëzuese.

Përrallat e Andersenit janë lehtësisht të kuptueshme nga fëmijët, dhe janë ngulitur kulturalisht në ndërgjegjen kolektive të perëndimit. Mesazhet që përcillen prej përrallave të Andersenit janë kryesisht mësime të virtyteve dhe qëndrueshmërisë përballë fatkeqësisë edhe për lexuesit e pjekur.

Përrallat e tij më të famshme janë: “Rrobat e reja të Perandorit”, “Sirena e Vogël”, “Bilbili”, “Ushtari i Tinit të Qëndrueshëm”, “Këpucët e Kuqe”, “Princesha dhe Bizelet”, “Mbretëresha e Borës”, “Rosaku i Shëmtuar “, “Shitësja e Vogël e Shkrepsëve” dhe “Gishtëza”.

Historitë e tij kanë frymëzuar edhe shumë balete, drama, filma të animuar dhe filma aksion.

Ai ndër të tjera shkroi edhe kujtime udhëtimesh, novela dhe poezi, dhe kujtohet gjithashtu për tregimet e tij nga bota e zanave dhe shtojzavalleve.

Në përkthimin në gjuhën shqipe të përrallave të Andersenit, morën pjesë përkthyes si: Pirro Misha,Bedri Dedja, Vandush Vinçani,Dritan Thomollari dhe Stathi Kostari.

Ai ndërroi jetë më më 4 gusht 1875./KultPlus.com

Dita Botërore e Autizmit

Sot është Dita Botërore e Autizmit e cila është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.

Shënimi i kësaj dite është vendosur më 2 prill 2007 dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore.

Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm.

Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse.

Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet.

Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Vlerësohet se 1 për qind e popullatës globale është autike.

Edhe në Kosovë shënohet Dita Botërore e ndërgjegjësimit mbi Autizmin, për cka do të mbahen disa aktivitet.

Sot në ora 12:00 shoqata “AUTIZMI” organizon një marsh në sheshin Zahir Pajaziti, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Vetëdijësimit për Çrregullimin e Spektrit të Autizmit./KultPlus.com

Margarita Xhepa sot feston 89 vjetorin e lindjes

Aktorja e madhe e popullit shqiptar, Margarita Xhepa, sot feston 89 vjetorin e lindjes, shkrun KultPlus.

Ajo ka lindur më 2 prill të vitit 1934, në qytetin e Lushnjës, prej nga edhe ka filluar të hedhë hapat e parë drejt karrierës së saj.

Talentin për aktrim, e kishte hetuar nëna e saj qysh kur Margarita Xhepa ishte në klasat fillore. Teksa nëna e saj ishte e sëmurë, i thoshe artistes Margarita që të recitonte vjershën të cilën e kishte mësuar në shkollë, pasi sipas saj, Margarita kishte diçka të veçantë në zërin dhe interpretimin e saj, që e bënte të dallojë nga fëmijët e tjerë të saj.

Dhe ajo parandjenjë e nënës së saj, doli të ishte e vërtetë pasi Margarita Xhepa konsiderohet një ndër ‘Zonjat e Mëdha’ të teatrit dhe filmit shqiptar duke lënë gjurmë në memorien e publikut shqiptarë me rolet e saj brilante.

Në vitin 1950, ajo u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor, që sot njihet si Teatri Kombëtarë dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, në degën e Dramës.

Ajo ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve janë: Majlinda tek filmi “Majlinda”, Dafina tek Lumi i Vdekur, Filja tek Cuca e Maleve, Zonja Mëmë tek Kush e solli Doruntinën, Nëna tek Përballë Vetes etj.

Ndërsa në rolet e dramaturgjisë botërore, ajo interpretoi role si Ofelia tek Hamleti, vajza e dytë tek Mbreti Lir, dado tek Romeo e Xhulieta, Mbretëresha Margaret tek Rikardi III, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore ajo luajti rolin si: Klea tek Dhelpra dhe rrushtë (Figereido), Lena tek Xhaxha Vanja (Çehov), Ledi Milford tek Luiza Miler (Shiler), Zonja Berling tek Vizita e inspektorit (Pristli), Zonja Lomen tek Vdekja e një komisioneri (A. Miller), Ana Andrejevna tek Revizori (Gogol), Marsela tek Qeni i kopshtarit (De Vega), Mashenka tek Mashenka (Afigenov), Shejla tek Morali i zonjës Dulska (Zapolska), apo Dado tek Elektra e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.

Filma të tjera shqiptarë në të cilët interpretoi Margarita Xhepa janë:

Në kërkim të kujt (2011), serial

Tingulli i heshtjes (2010) telenovela

Kronikë provinciale (2009)

Ne dhe Lenini (2008) – Beti

I dashur armik (2004) – Nëna e Harunit

Mirupafshim (1997)

E diela e fundit (1993)

Një djalë edhe një vajzë (1990) – Mësuese Kristina

Vitet e pritjes (1990) – Nëna e Helenës

Kush e solli Doruntinën (1989) Nëna e Kostandinit dhe Doruntinës

Pesha e kohës (1988) – Gruaja e Kryetarit

Pranvera s’erdhi vetëm (1988) Nëna e Irenës

Misioni përtej detit (1988) – Kristulla

Rrethi i kujtesës (1987) – Tefta

Fillim i vështirë (1986) Shoqja e Zanës

Gabimi (1986) – Mësuesja

Gurët e shtëpisë sime (1985) – Gruaja e Fane Mërtirit

Militanti (1984) – Nëna e Visar Shundos

Apasionata (1983) – Nëna e Arturit

Dora e ngrohtë (1983) – Nëna e Besimit

Shokët (1982) – Nëna e Gencit

Dita e parë e emërimit (1981) – Drita

Me hapin e shokëve (1979) (TV) – Mamaja e Gonit

Dollia e dasmës sime (1978) – Nëna e Belës

Gjeneral gramafoni (1978) – Zonja e Prefektit

Koncert në vitin 1936 (1978) – Eleni Jankollari

Dimri i fundit (1976) – Shano

Pylli i lirisë (1976) – Nënë Katja

Tokë e përgjakur (1976) – Sandra

Gjurma (1970) – Violeta

Vitet e para (1966) – Zyraka/KultPlus.com

14 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO

Në prill të vitit 2009, Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut-NATO, shkruan KultPlus.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26  Krerët e Shteteve dhe Qeverive të Aleancës të Samitit të NATO-s në Bukuresht, ku u ftuan Shqipëria dhe Kroacia të fillonin bisedimet për anëtarësim.

Vendimi për zgjerimin e Aleancës erdhi pas mbylljes të ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes të një sërë reformave që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë. 

“Më 25 prill 2008 Shqipëria dhe Kroacia nisën zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO. Agjenda e këtyre bisedimeve përfshinte çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore që të dy vendet trajtuan me ekspertët e Aleancës, me qëllim rikonfirmimin e vullnetit të tyre për të përmbushur në të ardhmen të gjitha detyrimet që lidheshin me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë” thuhet në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Pas disa takmeve dypalëshe në mes të ekspertëve të NATO-s dhe përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, u konfirmua zyrtarisht interesi dhe vullneti i shtetit të Shqipërisë për të qenë pjesë e NATO-S, nga ku edhe u hartua një kalendar me afate të caktuara kohore, për përmbushjen e reformave dhe kritereve të domosdoshme.

“Periudha e përgatitjes për anëtarësim shërbeu për intensifikimin e përpjekjeve nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të thelluar në të gjitha drejtimet reformën e mbrojtjes, duke përshpejtuar realizimin e prioriteteve sipas standardeve të NATO-s. Kështu, u punua me përparësi për plotësimin e kuadrit të dokumenteve bazë strategjike të rishikuara, si Strategjia Ushtarake, Plani Afatgjatë i Zhvillimit të FARSH 2007-2020, Udhëzimi për Planifikimin Strategjik 2008, etj”, thuhet në ëebfaqen e Ministrisë së Jashtme.

Më 9 korrik të vitit 2008, gjatë një ceremonie të veçantë në selinë e NATO-s në Bruksel, Protokollet  e Anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë, iu bashkëngjiten Traktatit të Uashingtonit si akte juridike, duke u afruar edhe një hap drejt antarësimit në Aleancën Atlantike.

Ndërsa më 4 prill 2009, Shqipëria mori pjesë për herë të parë si anëtare e NATO-s me të drejta të plota në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl.

Kurse më 7 prill 2009, në Selinë e Aleancës në Bruksel, përmes një ceremonie zyrtare u ngritën flamujt e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Anëtarësimi në NATO i shtetit të Shqipërisë, i ka dhënë mundësinë që përmes pjesëmarrjes aktive në vendimmarrjen e Aleancës, të jepet kontribut në përpunimin e çështjeve që lidhen me sigurinë euroatlantike e, gjithashtu edhe me sigurinë kombëtare.

Pas vitit 2014, Shqipëria zgjeroi kontributin e saj  në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Afganistan, si në ISAF dhe Misionin Resolute Support. Gjatë kësaj kohe, Shqipëria ka rritur kontributin e saj në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në Kosovë. /KultPlus.com

Fragment nga romani ‘Nata e Ustikës’ i Petro Markos

Më duket se motori e rralloi forcën, – më thoshte Iloja.
U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur.
-Sa natë e gjatë! – tha mbase kot, siç fliste kot Taqi.
Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara.
Sa ndenjëm ashtu, s’dihet. Vetëm kur Iloia tha: “Pse s’ulemi?”, atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen…
– Zoti e di se ku jemi!
– Unë them të shtrohemi e të hamë… Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime… Më mirë t’i kemi në bark sesa…
Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç’i pëlqente… Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s’ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin… Po ujë? Ku ka ujë? Ç’bëra që hëngra kaq shumë.
Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës.
Mistoja tha: – Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím… Vrisja mendjen… dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar… po do të linim nam.
Iloja tha: – As për një çast nuk e mendova vdekjen.
– Kadriu – unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S’ka tmerr më të madh.
Alqi – Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim… si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin.
Pastaj Mahmuti – Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar.
Tahiri – Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen… Prandaj gjithë natën s’më ra ndër mend mortja…
Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç’kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: – ja, i thatë ju të gjitha.
Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija.
Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë.
Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin… – si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla… sikur ishin gati për të na shtypur… Pamë litarë dhe direkun… Po ç’thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza?
Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja:
– Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien… Lart kokën, si shqiptarë që jemi…
Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë.
Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin.
Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës.
Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë.
Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç’të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin.
– Spie! Spie!
– (It.: Spiunë! Spiunë!)
– A morte le spie che hanno causato miliaia di morti.
– (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur).
– Traditori! Spie di un cane!
– (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!)
Po kjo? Ç’është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit…
Një fishkëllimë e gjatë bilbili… Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër.
Pushoni! Pushoni… – Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. – Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë… Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona… Pastaj na sulmonin nga shpina… – bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor.
Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin.
– Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve!
U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç’kishin me ne? ç’kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar?
– Ne nuk jemi banditë! – bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. – Banditë janë ata që na zunë derën… që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë.
Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart:
– Ja ku janë banditët… ja ku janë kasapët e popullit italian! –dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët.
Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:

Avanti, popolo,
alla riscossa
bandiera rossa
triomfera…

Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! – urdhëronte oficeri me duar e këmbë…
Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur.
Ne tundeshim në erë duke kënduar. / KultPlus.com

‘Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë, vraponi burra se s’ka me pritë’

Poezi nga Mihal Grameno

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
Vraponi burra, se s’ka me pritë.
Të vdesim sot me besa-besë
Pranë flamurit të kuq q’u ngrit.

Pranë flamurit, pranë flamurit
Me shpatë zhveshur shqipëtarisht,
Për dhen’ e babës edhe të burrit
Kemi me vdekur sot burrërisht.

E Drini plak me oshëtima
Mbi Shqipërinë valet po derdh;
Tosk’ edhe Gegë si vetëtima
Armikut bini, se dita erdh.

Ejani burra malit përpjetë
Duke u betuar vdekj’a liri.
Se s’ka më ëmbël në këtë jetë,
kur vdes shqiptari për Shqipëri! /KultPlus.com

Në Kralan të Gjakovës shënohet 24 vjetori i masakrës së 86 civilëve

Sot, në Kralan të Gjakovës shënohet 24 vjetori i masakrës së 86 civilëve, të kryer nga forcat serbe në luftën e vitit 1999, shkruan KlutPlus

Më 2 prill të vitit 1999 në Kralan të Gjakovës, forcat serbe kishin ndarë rreth 1500 burra, të cilët  i kishin lënë vatrat e tyre si shkak i sulmeve serbe. Këta burra dhe djem që u ndanë me dhunë nga familjet e tyre qëndruan në një livadh të rrethuar me tanke, pa ngrënë dhe pa pirë për dy ditë, ku më pas edhe u liruan pjesa më e madhe e tyre.

86 persona nga ai grup u mbajtën, ndër të cilët 11 ishin fëmijë, të cilët më pas u vranë e u masakruan.

Trupat e 18 djemve dhe burrave të vrarë nga kjo masakër janë gjetur në një varrezë masive pranë liqenit të Peruçës, në Bajina Basha të Serbisë.

Fundi i marsit dhe fillimi i prillit shënojnë përvjetorë të masakravve të cilat u kryen në vitin 1999, në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, në familjen Berisha në Suharekë, Pastasellë, Burim, Lybeniq, dhe Izbicë./KultPlus.com

Biologë holandezë vizitojnë parkun kombëtar Divjakë-Karavasta

Parku Kombëtar i Divjakë-Karavasta është kthyer në një atraksion turistik për vëzhgimin e florës dhe faunës së veçantë të zonës.

Ky park gjithmonë e më shumë po ngjall kureshtje edhe për shumë biologë e të pasionuar të natyrës. Këto ditë në Divjakë-Karavasta kanë mbërritur biologë holandezë, të cilët kanë parë nga afër florën e pasur të këtij parku.

“Koha asnjëherë nuk mjafton për t’u treguar shumë bukuri që vërtet atyre u nguliten në shpirt. Vëzhgimi i orkideve dhe i shumë bimëve që mbushin dyshemenë e pyllit na bënë që të devijonin edhe disa lëvizje nga axhenda e planifikuar. Mbyllja si gjithmonë tek koleksioni që për ta ishte një suprizë”, theksoi në një postim në rrjetet sociale administratori i guidës turistike Divjakë-Karavasta, Altin Hila.

Sipas tij, ka kohë që biologët e huaj vijnë dhe studiojnë parkun Divjakë-Karavasta.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga destinacionet më të preferuara për argëtim, qetësi dhe pushim gjatë fundjavës për qindra qytetarë që e frekuentojnë në çdo stinë.

Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel, apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar – lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshja e detit, por edhe disa lloje të rralla pishash.

Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë, çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe./atsh/KultPlus.com

Elegji për Luigj Gurakuqin

Poezi nga Fan Noli

(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.

Dita Botërore e Autizmit

Sot është Dita Botërore e Autizmit e cila është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.

Shënimi i kësaj dite është vendosur më 2 prill 2007 dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore.

Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm.

Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse.

Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet.

Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Vlerësohet se 1 për qind e popullatës globale është autike.

Edhe në Kosovë shënohet Dita Botërore e ndërgjegjësimit mbi Autizmin, për çka do të mbahen aktivitete të ndryshme./ KultPlus.com

Pse Frida Kahlo vazhdon të na frymëzojë edhe 7 dekada pas vdekjes së saj?

Nga Jonathan Wright

Sot të gjithë e ndeshim diku vështrimin e Frida Kahlos. E kudondodhur në posterat, printimet, kopertinat e librave, gotat apo bluzat, imazhi i saj është më i njohur sot se sa ishte gjatë jetës së saj të shkurtër. Ndonjëherë ajo shfaqet më tipare mashkullore, dhe ndonjëherë femërore dhe delikate.

Megjithatë ekziston gjithmonë ndjenja e një gruaje që e kuroi me kujdes imazhin e saj publik. Nuk është çudi që Kahlo përshtatet kaq lehtë në ikonografinë e botës së shekullit XXI që ka shpikur idenë e influencuesit, duke e personifikuar jo pak, pasi ky version i Kahlospërfaqëson një përzierje midis bohemizmit, heroinës tragjike dhe të jetuarit sa më mirë.

Nga ana tjetër ajo na tregon shumë Frida Kahlo-n historike, një artiste me talent të rrallë e cila u rrit në mesin e trazirave të Revolucionit Meksikan, duroi dhimbjet kronike dhe shëndetin e brishtë gjatë gjithë jetës së saj në vazhdën e martesës me artistin e famshëm meksikan, Diego Rivera, dhe nën shoqërinë e disa prej figurave më të rëndësishme të shekullit XX-të?

Historia e saj nis në vitin 1907 në Kojoakan, asokohe një fshat i vogël në periferi të Meksiko Siti, kur Kahlo lindi si e treta nga 4 vajzat e emigrantit gjerman Guilermo Kahlo (1871–1941) dhe Matilda Gonzalez (1874-1932), vajza e një babai indigjen dhe një nëne me origjinë spanjolle.

Guilermo ishte një fotograf i talentuar dhe i suksesshëm, edhe pse shpërthimi i Revolucionit Meksikan në vitin 1910 kjo ndikoi negativisht në punën e tij, pasi ai mbështetej tek porositë që merrte nga qeveria e përmbysur. Ndërsa marrëdhënia e Fridës me nënën e saj konservatore ishte shpeshherë e tensionuar, ajo ishte e afërt me të atin, sidomos pasi Kahlo u sëmur nga poliomieliti kur ishte 6-vjeçe.

Ajo sëmundje e la me këmbën e djathtë më të dobët dhe më të shkurtër. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht edhe dashurinë e saj për fustanet e gjata tradicionale, sepse ato e mbulonin defektin e saj fizik. Sipas biografisë së historianit të artit Hajden Herrera, përvoja e vetë Guilermos me sulmet epileptike, ndihmoi babë e bijë të krijonin një lidhje shumë të ngushtë bazuar në përvojën e përbashkët të sëmundjes.

Guilermo i mësoi vajzës së tij fotografinë dhe pikturën. Më vonë ajo do të shkruante në ditarin e saj mbi “butësinë” e tij dhe “mirëkuptimin për të gjitha problemet e mia”. Në vitin 1922, Kahlo hyri në shkollën prestigjioze “Escuela Nacional Preparatoria” (Shkolla Përgatitore Kombëtare), një nga vetëm 35 vajzat mes 2000 studentëve.

Autoritetet e shkollës përqafuan ‘indigenismo’-n, një qasje antikoloniale ndaj identitetit meksikan që luajti një rol të veçantë krijimin e një imazhi të veçantë publik nga Kahlo. Ajo filloi të pretendonte se kishte lindur në vitin 1910, se ishte “një bijë e revolucionit”.

Së bashku me shokët dhe shoqet e saj krijuan një grup të vogël të quajtur “Los Cachuchas” për shkak të kapeleve të larta që mbanin. Ato ishin rebele dhe të angazhuara politikisht dhe intelektualisht. Frida Kahlo mendonte të bëhej mjeke, derisa një aksident i tmerrshëm ndryshoi trajektoren e jetës së saj. Më 17 shtator 1925, Kahlo dhe dashuria e saj e parë, Alehandro Arias, udhëheqësi jozyrtar i “Los Cachuchas”, po udhëtonin në një autobus kur ai u përplas nga një tramvaj. Disa pasagjerë vdiqën. Kahlo u ngjesh pas një parmaku prej hekuri, duke pësuar çarjes të legeni. Po ashtu iu shpua barku dhe mitra, pati disa kocka të thyera dhe shtypje të këmbës së saj të djathtë.

Mjekët dyshonin nëse ajo do të arrinte të mbijetonte. Pas rikuperimit të saj fillestar, ajo u diagnostikua se kishte 3 rruaza të zhvendosura në shtyllën kurrizore, ndaj duhej të vishte një korse prej gipsi dhe të kalonte edhe 3 muaj të tjerë shtrirë në shtrat. Marrëdhënia e saj me Ariasin, të cilën prindërit e tij nuk e miratuan, do të përfundonte pasi ai u dërgua në një turne në Evropë.

Kur po i nënshtrohej një rikuperimi të dytë të gjatë – beteja e saj me poliomielitin e kishte izoluar për 9 muaj – Kahlo nisi ta merrte seriozisht artin. Nëna e saj i dha asaj një kavalet të projektuar posaçërisht në mënyrë që Frida të mund të pikturonte në shtrat. Më vonë ajo shkroi: “Unë pikturoj veten shpesh, sepse jam subjekti që njoh më mirë”.

Në fundin e vitit 1927, megjithëse do të jetonte me dhimbje kronike për pjesën tjetër të jetës së saj dhe do t’i nënshtrohej shumë operacioneve, Kahlo ishte mjaftueshëm mirë për t`u rikthyer tek përditshmëria. Miqtë e saj, tani në universitet, ishin përfshirë në politikën studentore.

Kahlo iu bashkua Partisë Komuniste Meksikane (PCM), anëtarët e së cilës përfshinin figura të tilla radikale si fotografja italo-amerikane Tina Modoti (1896-1942). Në një nga mbrëmjet argëtuese të organizuara nga Modoti, Kahlo u njoh me Diego Riverën (1886-1957), një artist i njohur tashmë.

Ajo i kërkoi Riverës të shikonte veprat e saj të artit dhe të gjykonte nëse ajo kishte ndonjë talent. “Vepra e saj rrezatonte një energji të pazakontë shprehëse, një përcaktim të saktë të karakterit. Shumë shpejt, ajo u bë gjëja më e rëndësishme në jetën time”- do të shkruante më vonë Diego.

Të dy u martuan në gushtin e vitit 1929. Matilda nuk ishte dakord që Kahlo të martohej me një bohem radikal, 20 vjet më i madh se vajza e saj, një burrë, jeta personale e të cilit ishte shumë e ndërlikuar. Ndërkohë Guilermo, i vetëdijshëm për pasurinë e Riveras dhe nevojën e së bijës për për trajtime mjekësore të kushtueshme në vitet në vijim, kishte një pikëpamje të kundërt.

Ata e quajtën çiftin me nofkën “elefanti” dhe “pëllumbi”, i tillë ishte ndryshimi në fizikun e tyre. Lajmi mbi martesën e tyre bëri bujë edhe në media ndërkombëtare. Në vitet që pasuan, Rivera nënshkroi kontrata shumë fitimprurëse për realizimin e muraleve të paguara nga industrialistët dhe financierët si Ford dhe Rokfeler.

Gjatë viteve 1930 dhe deri në vdekjen e saj në 1954, ajo e mbështeti këtë ide me një seri kanavacash, shpeshherë çuditërisht të vogla kur i shihni në ndonjë galeri, por që janë bërë të famshme në mbarë botën. Ajo hapi një ekspozitë në vitin 1938 në qytetin e Nju Jorkut, ndërsa i shiti tablonë “The Frame” Muzeut të Luvrit në vitin 1939.

Vepra e saj u ndikua shumë nga arti popullor meksikan, i pasur me simbolika, si para–kolumbiane ashtu edhe të krishtera. Shpesh ai ishte thellësisht politik dhe përballej me çështjet rreth gjinisë, klasës dhe racës. Marrëdhënia e saj e stuhishme me Riverën, e ndërprerë nga divorci në vitin 1939, vazhdoi sërish. Çifti u pajtua dhe u martua përsëri, edhe pse asnjëri nuk e mësoi kurrë aftësinë e besnikërisë.

Gjatë rrjedhës së marrëdhënies së tyre, Kahlo kishte lidhje me burra dhe gra, përfshirë këngëtaren e lindur në Kosta Rika, Chavela Vargas. Në prill 1953, Kahlo organizoi ekspozitën e saj të parë personale në Meksikë në Galería Arte Contemporaneo.

Pakkush priste që ajo të merrte pjesë personalisht. Por, duke injoruar këshillat e mjekëve, ajo mbërriti në ceremoninë hapjes së ekspozitës me një ambulancë përpara se të çohej me barelë në shtratin e saj me katër postera, të cilin ajo e kishte rregulluar që ta zhvendoste nga shtëpia e saj në galeri. Vdiq më 13 korrik 1954 në moshën 47-vjeçare. Shkaku zyrtar i vdekjes ishte embolia pulmonare, edhe pse disa besojnë se ajo mund të ketë vrarë veten. / “History Extra” – Bota.al/KultPlus.com

25 thënie motivuese nga Leon Tolstoi

Ne humbëm, sepse i thamë vetes që humbëm.
Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur.
Nëse do të jesh i lumtur, ji i lumtur.
E habitshme se sa i madh është iluzioni, që bukuria është mirësi.
Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.
Ji i keq, por të paktën mos ji gënjeshtar, mashtrues!
Unë mendoj se, nëse është e vërtetë që ka po aq mendje sa ka edhe koka, atëherë ka po aq lloje dashurie, sa ka edhe zemra.
Pa e ditur se cfarë jam dhe përse jam këtu, jeta është e pamundur.
Që të heqësh qafe një armik, duhet që ta duash atë.
Respekti u shpik për të zënë vendin bosh, aty ku duhej të ishte dashuria.
Të gjithë mendojnë për të ndryshuar botën, por askush nuk mendon për të ndryshuar vetveten.
Mund të dimë vetëm që nuk dimë asgjë. Dhe kjo është shkalla më e lartë e urtësisë njerëzore.
Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit.
A është vërtetë e mundur që t’i thuash dikujt tjetër atë që ndien?
Të gjithë familjet e lumtura ngjajnë me njëra-tjetrën, secila familje e palumtur është e tillë në mënyrën e vet.
Në emër të Zotit, ndalu një moment, lëre punën, shih përreth teje.
Jeta e vërtetë jetohet kur ndodhin ndryshime të vogla.
Kur e do dikë, ti e do ashtu si është, jo si do të doje ti të ishte.
Muzika është gjuha e shkruar e emocionit.
Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë.
Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato.
E vërteta, ashtu si floriri, duhet ruajtur jo nga madhësia e saj, por duke hequr prej saj të gjithë ato që nuk janë flori.
Mërzia: Dëshira për të patur dëshira.
E gjithë dhuna konsiston në disa njerëz që detyrojnë të tjerët, nën kërcënimin e vuajtjes apo vdekjes, për të bërë atë që ata nuk duan ta bëjnë.
Të gjitha atoq ë kuptoj, i kuptoj prej dashurisë./bota.al/KultPlus.com