16 vjet nga vdekja e shkrimtarit Iljaz Prokshi

Iljaz Prokshi lindi në Fortesë të Drenicës më 15 nëntor 1949 ndërsa vdiq në Prishtinë, më 28 prill 2007, shkruan KultPlus.

Shkollën fillore e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Edhe në shkollën e mesme në Mitrovicë ishte nxënës i dalluar, duke u shquar për zgjuarsinë, vizionin dhe vokacionin prej krijuesi. Studimet i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë, dega për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe (Albanologji), në Universitetin e Prishtinës me nota të larta.

Si gjatë shkollës së mesme dhe gjatë studimeve universitare bashkëpunoi me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës si gazetar dhe krijues.
Poezitë e para, Iljaz Prokshi filloi t’i botojë në gazetat dhe revistat letrare të Kosovës më 1966. Ishte në moshë të re kur u paraqit në letërsi dhe vinte me një përvojë që e kishte arritur gjatë leximit të shkrimtarëve më modernë shqiptarë dhe të huaj. Iljaz Prokshi i takon plejadës së krijuese avangardë të Kosovës.

Në konceptet estetike të tij shquhet me idenë e një fillimi të ri në letërsinë shqipe, duke krijuar një letërsi që është simbol i artit modern. Pak kohë më vonë ai botoi edhe tregimet e para, gjithnjë në kërkim të rrugëve dhe mjeteve të reja letrare. Si student ishte shumë aktiv në jetën kulturore. Botoi poezi, tregime, reportazhe, recensione dhe ese për letërsinë.
Për veprën e tij si në poezi dhe në prozë kanë shkruar kritikë të njohur të vendit, ndërsa rezonancë e të gjithë këtyre, është se veprën e Prokshit e përshkon fryma e modernitetit. /KultPlus.com

James Corden mbyll episodin final të emisionit me mesazh për Amerikën

James Corden është larguar nga programi i tij talk show në SHBA pas tetë vjetësh, me ndihmën e Harry Styles, Will Ferrell dhe Presidentit Joe Biden.

Ferrell dhe Styles thyen tavolinën e prezantuesit të Late Late Show, ndërsa Bideni dërgoi një video duke bërë shaka se ai ishte “i befasuar që keni duruar tetë vjet në ndonjë punë”.

Lamtumira e prezantuesit britanik përzie të qeshura dhe një mesazh të përzemërt.

Duke u përshëndetur, ai u kërkoi shikuesve amerikanë të mos dorëzohen para njerëzve që “po përpiqen të nxisin dallimet” në vend.

“Zhvendosja këtu në Amerikë tetë vjet më parë, ishte një hap i madh për mua dhe familjen time”, tha ai. “Djali im ishte tre vjeç, vajza 12 javëshe dhe tani kemi një person tjetër të vogël, dhe ajo është amerikane”.

“Ne e filluam këtë emision me Obamën, pastaj Trumpin, pastaj një pandemi globale, dhe unë kam parë Amerikën të ndryshojë shumë gjatë këtyre tetë vjetëve të fundit. Kam parë ndarjet të rriten dhe kam parë e ndjerë një ndjenjë negativiteti të rritet dhe në pika vlimi”.

“Dhe mendoj se gjithçka që dua të them vërtet sonte është, ju lutem të mbani mend se çfarë nënkupton Amerika për pjesën tjetër të botës”.

“E gjithë jeta ime ka qenë gjithmonë një vend optimizmi dhe gëzimi, dhe po, ka të meta – kaq shumë. Por më trego një vend që nuk ka”, tha Corden./KultPlus.com

Promovohen në Suedi dy libra të autorit Qerim Kryeziu

Sot në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Stokholm, u bë promovimi i dy librave të autorit Qerim Kryeziu, shkrimtar shqiptar me banim në Suedi.

Fjalën hyrëse e mbajti ambasadorja Shkëndije Geci, e cila përgëzoi autorin për këto botime të vlefshme që dokumentojnë kontributin e mërgatës shqiptare, e më gjerë, në Suedi.

Shqiptar Oseku foli për pjesën biografike të librit të Qerim Kryeziut kushtuar Ullmar Qvickut, albanologut suedez dhe autorit të një sërë librash në suedisht dhe shqip nga fusha e publicistikës, prozës, e poezisë.

Entela Tabaku, nga katedra e gjuhës shqipe pranë Universitetit në Uppsala, foli për librin “Shqiptarët në retrokujtesën nordike”, ku Qerim Kryeziu harton kujtesën arkivore të mërgatës shqiptare në Suedi.

Në promovim u lexua një fjalë përshëndetëse nga vetë Ullmar Qvick. Në këtë aktivitet krahas pjesëmarrjes se madhe të komunitetit artdashës të mërgatës sonë, mori pjesë edhe botuesi kosovar i Qerim Kryeziut, Jahir Ahmeti nga shtëpia botuese Artini./KultPlus.com

Anna Oxa dhe zëri i saj unik në këngën ‘Imagine’ (VIDEO)

Anna Oxa e lindur (me emrin Iliriana Hoxha) më 28 prill 1961 në Bari, është këngëtare italiane me origjinë shqiptare, e njohur me shfaqjet e saja në festivalin Sanremo, prej vitit 1987. Këngët e saj janë “Ti lascerò”, “Storie” dhe “Senza pietà”, kjo e fundit ka fituar në vitin 1999.

Ajo është një ndër këngëtaret më të suksesshme shqiptare jashtë kufijve, e cila kishte shënuar sukses edhe në skenën e madhe të Sanremos, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell interpretimin e këngës Imagine nga Anna Oxa, këngë që e ka interpretuar në një ndër televizionet prestigjioze italiane./ KultPlus.com

Aktorët e filmit “Virgjëresha Shqiptare” arrijnë sonte në Cineplexx me premierën e filmit!

Pas sukseseve në shumë festivale ndërkombëtare, filmi shqiptar “Virgjëresha Shqiptare” arriti në Cineplexx ku me ç ‘rast do të organizohet sonte Gala Night me prezencën e aktorëve të filmit.

Filmi është me regji nga Bujar Alimani me protagoniste aktorën kosovare Rina Krasniqi. Ngjarja e filmit është e vendosur në Shqipërinë e vitit 1958: Luana është një grua me vullnet të fortë dhe rebele dhe e bija e një burri të respektuar. Një martesë e aranzhuar e detyron atë të mohojë dashurinë e saj për Agimin. Luana, e cila pati fatin të mësonte të lexonte, gjen një mënyrë për të udhëhequr luftën e saj për liriduke ndjekur kodin e fshatit, por çmimi personal është i lartë.

Filmi ka fituar 7 çmime ne 7 festivale të filmit si në festivale të filmit në Varshavë, Belgjik poashtu dhe në Prishtinë, në PriFest ku ka fituar çmimet kryesore. Përveç aktorës Rina Krasniqi, aktorë të tjerë që janë pjesë e filmit janë Nik Xhelilaj, Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Lulzim Zeqja, dhe të tjerë. Filmi është bashkëprodhim i Kosovës, Shqipërisë, Gjermanisë dhe Belgjikës.

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 16:00.

Kino Rinia u kthehet qytetarëve të Prishtinës

Kino Rinia, e ndërtuar në Prishtinë qysh në vitin 1956, ka qenë qendër e takimeve kulturore, ku janë mbajtur edhe mbrëmje letrare, teatrore e tubime sociale.

Kjo ndërtesë ikonike tashmë është nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës dhe së shpejti asaj do t’i kthehet funksioni i dikurshëm.

Kryekomunari i Prishtinës, Përparim Rama, ka falënderuar nënkryetaren Donjeta Sahatçiu dhe organizatën Shtatëmbëdhjetë, të cilat organizuan këtë aktivitet të veçantë, si dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për bashkëpunimin.

Vite më parë, Kino Rinisë, rrezikoi t’i ndërrohej destinacioni, por organizata të kulturës në bashkëpunim me institucionet arritën që ta mbanin larg transformimit të saj në objekt tregtar. Ndërtesa është e pozicionuar në zemër të qytetit, por prej më shumë se 20 vjetësh pothuaj e braktisur.

Objekti për katër dekada pati rolin e një prej hapësirave kryesore kulturore në kryeqytet duke bërë bashkë filmbërës e filmdashës, duke inspiruar gjenerata të tëra për filmin dhe përtej. Kino Rinia 1 dhe Kino Rinia 2, bashkë me kinemanë verore akomodoi qindra shikues në ditë, me shfaqje të filmave vendor, rajonal e botëror. Vlera e këtij objekti shkon përtej filmit, duke u cilësuar si “strehe” apo “arratisje nga përditshmëria”. Po ashtu edhe një pjesë shumë e rëndësishme e Kino Rinia është roli që pati në procese të ndryshme shoqërore. / atsh / KultPlus.com

Pas 20 vitesh, hapet për qarkullim ura mbi lumin Ibër

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka marr vendim që të hapet ura mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë.

“Është vendim i kuvendit komunal. Ne kemi vendosur të veprojmë sipas standardeve evropiane për lëvizje të lirë. Po e shohim nga ana pozitive këtë”.

Ndaj vendimit për hapjen e qarkullimit të urës e cila ka rreth 20 vjet që qëndron e mbyllur, serbët kanë reflektuar negativisht, thotë kryesuesi i kuvendit komunal të Mirovicës së Veriut.  / KultPlus.com

Edicioni i ri i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, ‘Polip’ mbahet në maj

Këtë vit edicioni i ri i festivalit të letërsisë ‘Polip’ do të mbahet nga datat 12-14 maj. Edicioni i 13-të me radhë edhe këtë vit sjell në Kosovë autorë të vendeve të ndryshme dhe ata vendas.  

Rreth festivalit:

Trembëdhjetë vjet më parë lindi një iniciativë për bashkëpunim ndërmjet Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe Beton nga Beogradi. Ky bashkëpunim filloi me botimin e një antologjie të përbashkët të letërsisë bashkëkohore dhe më pas vazhdoi me krijimin e festivalit ndërkombëtar letrar. 

Polip, që atëherë mbahet çdo vit në Prishtinë. Këtë vit ky festival do të festojë edicionin e tij të 13-të njëherësh edhe edicionin e fundit në formatin e njohur. Ai do të mbahet nga data 12-14 maj, në Prishtinë. 

Në skenën e festivalit tonë janë paraqitur dhe kanë folur qindra autorë nga e gjithë bota. Duke pasur parasysh kontekstin politik dhe kulturor të vendeve tona, ne kemi qenë gjithmonë shumë të kujdesshëm për të bërë përzgjedhjen e autorëve duke reflektuar mbi vizionin tonë të Polip-it për të krijuar një hapësirë ​​për diversitet dhe respekt të ndërsjellë. 

Ne ishim gjithmonë të interesuar të mësonim nga njëri-tjetri përmes shkëmbimeve letrare, përkthimeve dhe leximeve të përbashkëta. Përvoja jonë ka qenë se arti mund të shkatërrojë kufijtë dhe të bashkojë njerëz nga të gjitha prejardhjet e ndryshme.

Ne na pëlqen të besojmë se Polip solli pak dritë për shumë njerëz dhe se rrezet e dritës së përpjekjeve tona ishin të dukshme edhe nga larg, si drita e një fari në det. Polip ishte një thirrje për një qasje të ndryshme ndaj problemeve të pazgjidhura; një thirrje dhe përpjekje për të lexuar dhe arritur njëri-tjetrin. 

Dy autoret që janë bërë publik deri me tani nga organizatoret janë: Ledia dushi, Jazra Khaleed. / KultPlus.com

Libri shqip prezantohet në panairin e Leipzigut

Panairi i Librit në Leipzig u rikthye për lexuesin pas tri vitesh mungesë, për shkak të pandemisë.

Mijëra vizitorë kanë mbushur hapësirën e panairit, ku pritet të mbahen takime të rëndësishme mbi librin.

Shqipëria ka stendën e saj në këtë panair, një traditë tashmë, falë bashkëpunimit me rrjetin Traduki dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.

“Openbook” ishte aktiviteti i parë i një cikli bisedash mbi librin, që do të mbahen përgjatë ditëve të Panairit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, i cili u mbajt, me autorët Loer Kume, Andreas Dushi, Flogerta Krypi dhe Ervin Nezha.

E ardhmja përmes librit erdhi në refleksionet e autorëve të rinj shqiptarë, përballë një audience të gjerë.

Gjatë aktivitetit u lexuan dhe pjesë nga krijimtaria e tyre në gjermanisht, nën përkthimin e Suzana Finger.

Aktiviteti u përshëndet dhe nga ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko./ atsh / KultPlus.com

Anna Oxa, ikona e muzikës italiane, feston ditëlindjen e saj të 62-të

Anna Oxa e lindur me emrin Ana Hoxha, më 28 prill 1961 në Bari, është këngëtare italiane me origjinë shqiptare, e bërë e njohur me shfaqjet e saja në festivalin Sanremo, prej vitit 1987. Këngët e saj janë “Ti lascerò”, “Storie” dhe “Senza pietà”, kjo e fundit ka fituar në vitin 1999.

Me Fausto Leali-n në vitin 1989 mori pjesë në Eurovision, ku ata përfaqësuan Italinë me këngën “Avrei voluto” dhe morën vendin e nëntë.

Ajo ishte prezantuese e festivalit të San Remos së bashku me Pippo Baudo në vitin 1994. Ishte po ashtu ndër të tjera edhe moderatore e shfaqjes së njohur italiane “Fantastico” në vitet 1988 dhe 1989.

Ajo ka qenë një ikonë e muzikës italiane për shumë vite dhe ka shfaqur një talent të jashtëzakonshëm në fushën e këngës.

Gjatë karrierës së saj, Anna Oxa ka performuar në shumë koncerte dhe ka lëshuar shumë albume të suksesshëm, duke bërë bashkëpunime me artistë të tjerë të njohur si Fausto Leali, Umberto Tozzi dhe Riccardo Cocciante. Ajo ka arritur të shfaqet edhe në teatër dhe në film, duke treguar një aftësi të rrallë për të shprehur emocione nëpërmjet artit.

Anna Oxa ka shfaqur gjithashtu një angazhim të lartë për të drejtat e njeriut dhe për mbrojtjen e mjedisit, duke u bërë një zë i fuqishëm në Itali për këto çështje.

Sot, ajo feston 62 vjetorin e lindjes, duke vazhduar të mbetet një nga këngëtaret më të dashura dhe më të respektuara në Itali, e cila ka ndikuar thellësisht në muzikën italiane dhe në kulturën e vendit. / KultPlus.com

Kamp

Ibrahim Berisha

Mbërritëm bashkë me hijet tona
Në kamp.
Gruaja së pari
Nxori hijet tona nga thasët
Kamp është
Por duhet

Të jetojmë me fatin tonë të ri.

Ajri është i lagshtë dhe ne
Ditë pas ditësh do të kalbemi si
Gjethet e një shelgu të butë.
Do të mësojmë
Të harmonizojmë frymëmarrjen me vajin.
Gjithçka do të përmirësohet
Net pas netësh
Do të mësohemi të vajtojmë si qyqe.

Nuk ka arsye të jetë ndryshe. / KultPlus.com

Filmi “Virgjëresha Shqiptare”, sonte premierë në Cineplexx

Filmi “Virgjëresha Shqiptare” me regji të Bujar Alimanit, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare po vjen premierë në Cineplexx.

“Virgjëresha Shqiptare” në Cineplexx (Albi Shopping Mall) nis të shfaqet nga sonte, datë 27 prill.

Filmi “Virgjëresha Shqiptare” është shfaqur në shumë festivale të rëndësishme botërore. Ky film është fitues i shumë çmimeve në PriFest, gjithashtu në festivale të tjera si në festivalet e filmit të mbajtur në Finlandë, Poloni e shumë vende. / KultPlus.com

20 filmat më të mirë të aktores spanjolle, Penelope Cruz

Në ditëlindjen e saj të 49-të, në vijim gjeni rënditjen e filmave më të mirë të yllit karizmatik spanjoll të filmit, Penelope Cruz, e cila u nominua për Oscars me filmin ‘Parallell Mothers’, transmeton KultPlus.

20. Don’t Move (2004)

19. Captain Corelli’s Mandolin (2001)

18. Pirates of the Caribbean: On Stranger Tides (2011)

17. Soy Uno Entre Cien Mil (or, I am One In A Hundred Thousand) (2016)

16. Belle Époque (1992)

15. I’m So Excited (2013)

14. Vanilla Sky (2001)

13. The Queen of Spain (2016)

12. Live Flesh (1997)

11. Elegy (2008)

10. Everybody Knows (2018)

9. Jamón Jamón (1992)

8. Ma Ma (2015)

7. Abre Los Ojos (or, Open Your Eyes) (1997)

6. Vicky Cristina Barcelona (2008)

5. Broken Embraces (2009)

4. All About My Mother (1999)

3. Pain and Glory (2019)

2. Parallel Mothers (2021)

1. Volver (2006)

Ed Sheeran këndon gjatë gjyqit për të drejtat e autorit

Ed Sheeran këndoi dhe luajti në kitarë në tribunën e dëshmitarit në një sallë gjyqi dje në Manhattan, në një përpjekje për të hedhur poshtë akuzat se kënga e tij hit “Thinking Out Loud” është një “vjedhje” e këngës “Let’s Get it On” të Marvin Gaye.

Në ditën e tretë të gjyqit, Sheeran nxori një kitarë akustike dhe nisi te këndonte shkurtimisht ato që ai tha se ishin tekstet origjinale të këngës së tij.

Sheeran kujtoi se këngën e kishte shkruar një mbrëmje në fillim të vitit 2014 në shtëpinë e tij në Angli, në një bashkëpunim me tekstshkruesen dhe shoqen e tij, Amy Wadge.

Për të shkruar tekstin e këngës, Sheeran tha se ishte frymëzuar nga gjyshi i tij, i cili sapo kishte vdekur, dhe gjyshja e tij, e cila nuk ishte në gjendje të ecte për shkak të sëmundjes së kancerit.

Sheeran, 32 vjeç, është akuzuar për vjedhje nga disa muzikantë me ngjyrë dhe po përballet me dy padi të tjera në lidhje me këngën “Let’s Get It On”, të sjellë nga Structured Asset Sales LLC, e cila zotëron një të tretën e të drejtave të “Townsend”.

Familja e Gaye ka ngritur padi të ngjashme edhe më herët, duke përfshirë padinë kundër këngëtarit Robin Thicke dhe producentit Pharrell Williams me “Blurred Lines”, në 2015, për kopjimin e këngës “Got to Give It Up” të Gaye. /atsh / KultPlus.com

Del në ankand koleksioni privat i Freddie Mercury

Del në ankand koleksioni privat i Freddie Mercury. Janë rreth 1500 objekte që i përkisnin yllit të muzikës, të cilat deri më tani janë ruajtur në rezidencën e tij Garden Lodge në Kensington, që ende sot është e paprekur, falë përkushtimit për ruajtjen e integritetit të shtëpisë të Mary Austin, një ndër miket më të ngushta e të besuara të liderit të grupit Queen.

Ndër sendet që do të jenë në këtë ankand janë piktura, tekste këngësh të shkruajtura me dorë, kostume dhe veshje skenike, por edhe një kurorë e modeluar si ajo Sant Eduardit, një mantel në kadife të kuqe, sikurse edhe peliçja sintetike që Mercury veshi gjatë interpretimit final të ‘God Save the Queen’, i fundit koncert live i grupit legjendar në vitin 1986. Koleksioni do të ekspozohet në 4 Gusht në Londër dhe do mbyllet në ditën që këngëtari i njohur do mbushte 77 vjeç, 5 Shtator. Më parë sendet më të rëndësishme do të ekspozohen në New York, Los Angeles dhe Hong Kong. Ankandi do të titullohet Freddie Mercury; A World of his Own. / KultPlus.com

“Vjosa N’Fest”, Kumbaro: Promovim i turizmit natyror dhe kulturor

Lumi Vjosa mirëpret, nga sot deri të dielën, qytetarët për ta festuar e shijuar për herë të parë si Park Kombëtar.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bën të ditur se, “projekti “Vjosa N’Fest” do të vijë për qytetarët duke i mikpritur ata me plot surpriza dhe evente, por mbi të gjitha me shumë dashuri përmetare”.

Projekti i titulluar “Vjosa n’Fest” synon të promovojë nismat e turizmit natyror dhe kulturor nëpërmjet aventurës, artizanatit dhe kulinarisë, si një strategji për ruajtjen e biodiversitetit përgjatë luginës së Vjosës, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të zonës.

Do të realizohen tre ditë të plota festival, me aktivitete maratonë në disa qendra të ndryshme të qytetit të Përmetit. “Vjosa N’Fest” do të mbahet më datë 28, 29 dhe 30 Prill duke pritur kështu çeljen e sezonit turistik në datën 1 maj.

Shpallja e lumit Vjosa “Park Kombëtar” e ka bërë prioritet mbrojtjen e mjedisit. Për rrjedhojë, turizmi është kthyer në një synim unifikues, me potencialin për të pozicionuar zonën si një destinacion turistik konkurrues, me vlerë në tregun kombëtar, rajonal dhe global./ atsh / KultPlus.com

“Thëllëzat e Fatmës”, tregimi i Leila Hanoum që përshkruan mizoritë e Ali Pashë Tepelenës dhe mirësitë e bijës së tij

Nga Aurenc Bebja

Në faqet 115 – 119 të librit “La nouvelle Schéhérazade — Sheherazadja e re” të Leïla Hanoum-it, botuar në Paris më 1885, gjejmë një tregim mbi Ali Pashë Tepelenën dhe vajzën e tij “Les tourterelles de Fatma — Thëllëzat e Fatmës”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Thëllëzat e Fatmës nga Leïla Hanoum

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në pashallëkun e Shqipërisë, në Janinë, dikur sundonte Ali Mehmet Pasha (Ali Pashë Tepelena). Ai ishte një njeri mizor dhe fanatik, një tiran i vërtetë, siç u imponon ndonjëherë despotizmi krahinave të nështruara; por askush nuk do të kishte guxuar të ngrinte zërin për të kërkuar drejtësi.

Ankesa ose qortimi do të kishte vdekjen për përgjigje. Myslimanët, të mësuar me nënshtrim, ulën kokat; vetëm të krishterët murmurisnin me zë të ulët kundër zgjedhës që i shtypte.

Ali Pasha kishte një vajzë : Fatmën, një brune dhjetëvjeçare, sytë e zinj të së cilës përhapnin dritë si dielli afrikan dhe shpirti i saj ishte i butë si një pëllumbeshë. Tekë e çuditshme e natyrës që nxjerr trëndafila mbi kaçube! Në pallatin e frikshëm të Janinës, Fatmën e donin aq sa i urreshin të atin, kishte aq miq sa i ati armiq, dhe nëse herë pas here një krah hakmarrës mendonte të ngrihej kundër të pabesit, kujtimi i Fatmës e çarmatoste: sepse fëmija i dashur dukej se kishte lindur për të zbutur mizoritë e babait të saj.

Ali Pasha i urrente të krishterët. Fatmës i vinte keq për ta. Shpesh, vajza e vogël, me një përkëdhelje apo një fjalë të butë, merrte më shumë hire se të gjitha ambasadat e fuqive europiane. Barbari ndjente zemrën t’i shkrihej në kontakt me këtë zemër të pastër dhe naive, dëgjonte llafet fëminore të këtij engjëlli të mirë që Zoti kishte vendosur në rrugën e tij.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Krijesë e vogël e dashur dhe e ëmbël, çfarë detyre plot gracka e trishtim kishte mbi supe ! Por me çfarë guximi e çfarë durimi e realizoi çdo ditë !… Përhapje dashamirësie ku mbretëron padrejtësia; për të ngushëlluar të shtypurin, për të mbështetur të dobëtin, për të inkurajuar të pafatin, për të shpëtuar të dënuarin, për të falur fajtorët, kjo është ajo që Fatma u përpoq të bënte në Janinë; Prandaj, myslimanët dhe të krishterët e bekuan njëzëri këtë vajzë të vogël, aq të vogël në moshë, aq të madhe në zemër, të cilën e kishin pagëzuar me pseudonimin Mélêk (engjëll).

Një ditë Ali Pashës i ra në vesh se kundër tij ishte kurdisur një komplot. Një dervish i vjetër la të kuptohej se të krishterët nuk ishin të huaj për të. Menjëherë, duke dashur të japë një shembull të tmerrshëm, guvernatori shkon në qytet dhe, duke ndaluar rrugës një çift të rinjsh shqiptarë që po shkonin në kishën ortodokse për t’u martuar, kap dhëndrin dhe nusen; pastaj, për emocionin e madh të të gjithë të pranishmëve, i lidh me zinxhirë dhe i çon në pallatin e tij.

Është e lehtë të imagjinohet tronditja e përgjithshme për këtë lajm të tmerrshëm. S’kishte më shpresë veç Fatmës; Pikërisht asaj iu drejtuan prindërit e bashkëshortëve të rinj : një degë e dobët shpëtimi, së cilës i ishin bashkangjitur dy jetë të reja !

Fatma e vogël u premtoi se do të bindte pashain. Kështu ajo shkoi, pas namazit, në hajatin ku Shkëlqesia e Tij ishte shtrirë në mënyrë të pahijshme për të tymosur çibukun. Fatma kishte marrë në duart e saj të lezetshme dy thëllëza që i kishte për zemër dhe që i ati i kishte dhuruar gjatë Bajramit të fundit. Duke u dridhur, me zemrën e saj të trazuar fort, vajza e vogël qëndroi midis mureve të hajatit, duke iu lutur në heshtje Allahut që t’ia zbuste zemrën Ali Pashës.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

— Çfarë do, e dashura ime, dhe pse po vjen kaq vonë në selamlik ? pyeti guvernatori, duke parë një emocion të papërmbajtur në sytë e së bijës.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

— Shkëlqesi, dua që të më jepni për një moment jataganin tuaj, u përgjigj Fatma me një zë të prerë.

— Dhe çfarë do të bësh me të, o bijë e shkretë ?

— Që të pres kokat e këtyre thëllëzave dhe t’i ekspozoj sonte në dritaret e kështjellës tuaj…

— Çfarë të kanë bërë këto krijesa të pafajshme që je kaq mizore me to ? tha Ali Pasha, i habitur që në zemrën e pastër të së bijës mbiu një ndjenjë gjakmarrjeje.

— Ato nuk më kanë bërë asgjë më shumë, babai im, se ata të dy të krishterët që do të flijohen pas pak; por, për të qenë të denjë për ju, a nuk duhet të sakrifikojmë pafajësinë ndaj shpifjeve dhe padrejtësive ?…

Ali Pasha shikoi të bijën : ajo kishte lotë të mëdhenj në sy; e tërhoqi butësisht pranë vetes dhe duke e përqafuar i tha :

— Mbaji thëllëzat e tua, e shtrenjta ime; Unë do të fal çiftin e krishterë, me kusht që të mos më bësh më kurrë një vërejtje të tillë. Lotët e tu, që rrjedhin, e ndaluan hakmarrjen time.

— Le të pengojnë gjakun të rrjedhë njësoj, thirri Fatma ! Të të bëjnë, o babai im, po aq të nderuar nga drejtësia, ashtu siç je i madh nga trimëria ! Është kaq e ëmbël të duhesh nga ata që qeveris ! a nuk është më mirë, më thuaj, të ngjallësh besim sesa frikë ?

— Fatma, tha Ali Pasha pasi u mendua pak çaste, fuqia në duart e mia është si një shpatë e mprehtë që plagos e shtyp, ndërsa mirësia jote, fëmijë i dashur, më duket si një mburojë gjithmonë e gatshme për të mbrojtur ata që dua të godas. Kështu Allahu në mëshirën e tij të pafund e lejon luanin e shkretëtirës të kursejë thëllëzat e pafajshme… Butësia shumë shpesh paralizon forcën më brutale… Vazhdo të jesh e mirë dhe bamirëse, bija ime, dhe jam unë Pashai i Janinës që do të përpiqem të jem si ti !

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

https://www.darsiani.com/la-gazette/1885-thellezat-e-fatmes-tregimi-i-leila-hanoum-ne-librin-e-saj-sheherazadja-e-re-qe-pershkruan-mizorite-e-ali-pashe-tepelenes-dhe-miresite-e-bijes-se-tij/

Analizë në aspektin tematik dhe semantik të veprës “Balada e buburrecit”, të autorit Shpëtim Selmani

Nga Ardi Isufaj

Libri “Balada e buburrecit” vjen si përmbledhje e elementeve personale dhe autobiografike që përmban kujtimet dhe projeksionet autoriale. Autori kushtimisht e emërton librin e tij, nga një këngë e realizuar nga grupi shqiptar i rokut “Lindja”, me titull të njëjtë “Balada e buburrecit”. Ky titull ndërfutet si pjesë intertekstuale; autori mishërohet më këngën, kuetizmi i tij dhe grumbullimi i brendshëm vjen si një nevojë për të shpërthyer përmes mediumit të letërsisë.

Libri përbëhet nga tre kapituj: PostLove, Whitman dhe Karadzic apo Letër për Radmilën, Lavigny dhe ndërtohet nga 51 tregime gjithsej.

Tregimet kanë fragmentaritet sipas sistemit narrativ, por fundamentalisht kanë një pikë logjike kur takohen më njëra-tjetrën. Në këtë libër kemi të bëjmë më stilin diskursiv, pra autori, përmes këtij stili, paraqet problemet, shpërthimet, deklaratat dhe momentet ekzaltuese nga jeta e tij.

PostLove

Kapitulli i parë përbëhet prej 19 tregimeve të shkurtra. Ne këto tregime kemi të bëjmë me narrator protagonist. Pra, rrëfimi bëhet në vetën e parë, e cila në planin montazhist realizohet dhe del si një dualitet mes veprimit dhe mendimit të një përditshmërie në rrafshin socio-kulturor të autorit. Botëkuptimet autoriale karakterizohen më një shumësi informacionesh në fusha të shumta të kulturës dhe artit. Pra, sinkretizohen vlerat dhe informacionet të cilat vijnë si pasojë e një qasjeje ambivalente kulturore dhe në këtë mënyrë autori shpalos përbrendësinë e tij.

Pra, përmes një dere të absurdit, sheh mes këtij dualiteti: pakuptueshmërinë e jetës dhe nevojën për riprodhim si element zinxhiror dhe konvencional.

Në këtë pjesë, autori nxjerr në pah pjesën sentimentale të tij ku flet për institucionin e familjes, nocionin e martesës, për jetën e tij si prind, duke krijuar një urë lidhëse me letërsinë, artin dhe muzikën. Kjo pjesë karakterizohet me një përshkrim të thjeshtë dhe një jetë të rëndomtë: ku vë në pah jetën e një artisti si një pasqyrim të një realiteti bashkëkohor.

Përmes një përditshmërie jetësore, ai, gjithashtu, trajton edhe tema universale, të cilat e preokupojnë; flet për jetën, vdekjen, vetëvrasjen dhe letërsinë. Këto fenomene i eksplikon në një formë aksiomatike ku shprehet:

Asnjë stil nuk mund ta përvetësosh. Nuk mund të jesh i pari në vetëvrasje. I pari në luftë. I pari në paqe. Koha për të qenë i vetmi ka marrë fund.”

Pra, autori shprehet që origjinaliteti nuk ekziston më si një fenomen, që domethënë çdo gjë ndërtohet mbi një skemë të paracaktuar dhe nuk ka hapësirë për të krijuar skema të reja. E vetmja mënyrë është se si ne reagojmë brenda skemave me elementet e përdorura me parë, se si ne e shpalosim botëkuptimin personal të ndërtuar nga kognicioni ynë. Në këtë mënyrë, forma e reagimit do të na ndihmojë më lidhjen mes njerëzimit

 “Të gjithë duhet të kthehemi te pika e nisjes, nëse dëshirojmë të çlirohemi nga njëri-tjetri. Bota është shumësi duarsh hedhur mbi qafën e njëri-tjetrit…”

Pra, duke u nisur nga forma primordiale humane, një njeri i zhveshur prej koncepteve të krijuara dhe të pranuara si të mirëqena nga raca njerëzore, vetëm në këtë mënyrë mund ta njohim njëri-tjetrin, edhe pse autori paraprakisht thekson se “livadhi për ta njohur njëri-tjetrin është i djegur“. Është tejet e vështirë që njeriu t’i kapërcejë ideologjitë të cilat na predeterminojnë në lëvizjen tonë në një botë të tillë të “mirërregulluar” ose “kaotike”.

E kaluara në formë reminishence  

Për dallim nga kapitulli i parë ku është i mbushur me aktualitetin e autorit, në këtë kapitull hasim një shpërfaqje të së kaluarës në formë reminishence. Ky kapitull përbëhet nga 17 tregime, të cilat krijojnë një bashkëdyzim mes së kaluarës dhe së tashmes, zhvillimin si individ, duke ndjekur modele të shumta nga fushat e ndryshme të artit dhe kulturës, mënyra se si bashkëveprojnë më njëra-tjetrën në kuadrin e formimit personal.

Në fillim të këtij kapitulli kemi të bëjmë më tregimin Wuhan, mon amour; duke u bazuar në titull e shohim që kemi të bëjmë më një dukuri mjaft të përfolur në vitet e fundit, pra autori këtu flet për pjesën periodizuese të pandemisë, ku thekson së për herë të parë “bota ndan diçka të përbashkët” dhe “është viti ku lejohet çdo mendim.” Barazohen mendimet, konspiracionet, arsyetimet si nevoja njerëzore për të folur për të padukshmen. “Viti ku të gjithë bekohemi më të njëjtat brenga” duke barazuar çdo qytetar të botës, gjë e cila kauzalisht na lidh si një tërësi të vetme, NJERËZIMIN në qendër duke luftuar ndaj një “armiku të padukshëm”, pra është një kohë ku brenga kolektive arrin të tejkalojë çdo kufi nacional dhe të gjeneralizohet si një brengë globale për gjithë njerëzimin

Gjatë kësaj periudhe, autori flet për pamundësinë e takimeve fizike dhe zëvendësimin e tyre me ato virtuale, që rrugët i kryqëzohen më një autore të re serbe në një nga platformat elektronike. Si vijim kemi të bëjmë me tregimin “Srebrenica”, pra pavarësisht çështjes globaliste të ngritur më lart, në këtë pjesë autori tregon për çështjen e ngritur nga autorja serbe, pra pavarësisht problemit global që po kalonim në atë periudhë, ajo shprehet më ironi të flasë për Srebrenicën si temë dhe, madje, duke barazuar agresorin me viktimën.

Autorit, duke e parë një absurditet të tillë, i shërben si një shpërthim dhe nevojë e brendshme për një pikënisje të rrëfimeve personale të ngarkuara me disa elemente nostalgjike dhe të një fakticiteti kombëtar dhe personal në të cilën shërben si një nevojë e brendshme autoriale për të rrëfyer të vërtetën; autori gjendet para pikëpyetjeve, dilemave dhe udhëkryqeve të shumta, mendimi se mos është duke u parë si një nacionalist apo ta lërë artin të rrjedhë në mënyrën e vet. Si mund të jetë arti ndryshe përveç se një paraqitje e një të vërtete. Çdo pjesë tjetër e shtrembëruar, a mund të konsiderohet si diçka artistike apo vetëm si frymë propagandiste të nacionalizmit të shfaqur për të barazuar luftën dhe dëmet e saj. Këto pikëpyetje të ngritura nuk mund të kalojnë,  duke zgjedhur heshtjen dhe në këtë mënyrë, autori shprehet:

“Një dinozaur brenda meje ulëriu dhe me tha: ‘Shkruaj për Srebrenicën tënde. ‘Për luftën. Për të vërtetën. Për vrasjen e letërsisë.”…”Për Srebrenicën e të gjithëve”…”Bir i traumës postjugosllave. Fëmijë i shpërbërë. I lënë nën terrorin e zhurmës së kallashnikovit. I rritur mes ushtarëve nihilistë. Që hedonizmin e tyre e ushtronin duke pshurrur kokat e prera të zogjve.”

 Kemi të bëjmë më një rebelizëm të brendshëm, ku autori nuk mund thjesht t’i harrojë këto ngjarje të cilat shfaqen si një ndërtim konstruktiv në aspektin karakterizues të personalitetit të tij, pra në këtë kapitull autori shfaqet më nostalgjik dhe më i rrëmbyeshëm, udhëhiqet nga një frustrim i brendshëm i përbërë nga problemet, traumat në fëmijërinë e tij si një pasqyrim i një realiteti të një gjendjeje mbarëpopullore të kohës së luftës. A posteriori, rrëfen mbi Srebrenicën e tij.

Duke paraqitur krimet barbare dhe antinjerëzore, autori vazhdon gjithashtu më një fenomen tjetër, ku gjithashtu i shfaqen paqartësi për pjesën e humanizmit në periudha të tilla. Më tregimin Shitësit e cigareve jetojnë të lumtur, paraqitet një shtresë tjetër në kohën e luftës, kemi të bëjmë më një fenomen ku materializmi ngrihet mbi jetën dhe opurtunistët zhvillojnë “caprice” dhe në këtë formë arrijnë t’i përmbushin nevojat e tyre duke shfrytëzuar fatkeqësinë e tjetrit. Pra, autori e parcializon këtë gjë në kontekstin të cilin rrëfen, por nëse shihet në “free context”, mund të përgjithësohet dhe të relativizohet në shumë fusha të ndryshme, ku materialja tejkalon njerëzoren dhe arrin të krijohet një paradoks varësisht prej këndvështrimit human.

Duke qëndruar te lidhja e ngushtë mes artit dhe njerëzores, autori ironikisht flet për artin, për popujt, për gjenocidin, për njerëzimin. Ai ngrit çështjen se si mund të jetë i mundur koekzistimi mes këtyre gjërave, pra se si mundet një absurditet i tillë të mbizotërojë. Si është e mundur që një njeri i cili merret më art të arrijë njëkohësisht shkallën më të lartë çnjerëzore. Duke tërhequr një paralele midis Hitlerit dhe udhëheqësve të ushtrisë serbe Ratko Mladiç dhe Radovan Karaxhiq, arrin ta portretizojë më së miri dilemën e tij. Në jetë, sipas tij, ekzistojnë momente që as arti nuk mund ta përshkruajë dhimbjen, vuajtjen, keqbërjen, vrasjet, pasi irracionaliteti arrin kulmin madje duke ia kaluar edhe instinktit vrasës shtazor. Duke grumbulluar fakte të tilla dhe duke i materializuar në një formë të tillë, i kundërpërgjigjet autores së re serbe, e cila kishte munguar në takimin pasues në platformën virtuale.

Lavigny

Kapitulli i tretë emërtohet “Lavigny”. Në këtë mënyrë përcaktohet dimensioni hapësinor, ku rrëfehen përjetimet e tij në aspektin tematik dhe atë semantik; kemi të bëjmë më një paraqitje të realiteteve të ndryshme mes vendeve në të njëjtën hapësirë kohore. Në këtë pjesë theksohen problemet administrative të një qytetari të Republikës se Kosovës: pritjet para ambasadave, trajtimi nga punonjësit, procedurat e shumta, të cilat shkaktojnë një frustrim të brendshëm. Pra, autori shpreh brengat që e preokupojnë një shoqëri që e përbën shtetin tonë. Këtu nuanca e shprehjes kalon në dimensionin socio-kulturor për një barazi si shoqëri që i përkasim planetit Tokë.

Megjithëse këtu linja kryesore e kësaj pjesë  janë përvojat e tij personale në udhëtime, qëllimisht e emërton këtë kapitull si “Lavigny”, me ç’rast esencialisht flet për koekzistimin midis letërsisë dhe njeriut. Si mundet letërsia të rrjedhë varësisht nga popujt; ai krahason veten me Dupontin, nuk kemi të bëjmë vetëm me një krahasim të fatit të 2 individëve, kemi të bëjmë më një krahasim mes fatit kolektiv të të dyja shoqërive që janë të organizuara në forma të ndryshme nga njëra-tjetra. Multidiferencializimi kulturor si rrjedhojë e vetëdijes kolektive të ndikuar nga faktorët historik në përbërjen sociale dhe paraqitjen e problemeve ditore i ndërlidh si elemente të një pan-determinzmi.

Forma se si shihen gjërat nga këndvështrime të ndryshme, neutraliteti i mikut të tij shihet si një absurditet sui generis, me ç’rast thekson se si mundet të veprojë më një indiferencë të tillë ndaj një “të kaluare e cila ishte e mbushur me kufoma dhe pa kërkim-falje”. Është e paarritshme të kontestohet “një përvojë” më “një raport ndërkombëtar. Pra, tërë kohën, pavarësisht arritjes në një vend të tillë ku ishte një kështjellë shkrimtarësh dhe dhomat e emërtuara sipas “Hemingway, Rowolt, Nabokov, Faulkner,Camus etj.”, ishte përjetimi dhe paraqitja e një realiteti që nuk mund assesi ta tejkalonte. Pra, duke qëndruar mes kujtimesh dhe një pranie për të cilën kishte ëndërruar tërë jetën, ai zgjedh të parën, pasi vetëm kështu arrin ta ruajë atë pjesën njerëzore.

Kjo pjesë flet për një aventurë ku, përveç asaj fizike, vjen në pah edhe aventura metafizike, autori udhëton nëpër lloj-lloj gjendjesh të përfshira nga ekzaltimi, malli, dhimbja, kujtimi për orarin e punës se babait dhe malli për djalin;  pra ai gjendet në një  ambivalencë metafizike ku e drejton drejt rrugës së “Kthimit”, ku fillon sërish ajo pjesa e një përditshmërie në rrugët e Prishtinës.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga prof. dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. / KultPlus.com

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” zbulon datat e edicionit jubilar

Edicioni i dhjetë jubilar i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo unike kulturore që organizohet në Prishtinë dhe Beograd që nga viti 2014, do të mbahet këtë vit nga 4 deri më 6 maj në Kosovë, me prezantimin e skenës kulturore, artistike, e shoqërore të Serbisë dhe me diskutimin e çështjeve kritike që kanë të bëjnë me të kaluarën dhe të ardhmen në një periudhë sfiduese për të dy shoqëritë. Qytetarët e Prishtinës do të kenë mundësinë të njihen me skenën kulturore serbe duke përfshirë muzikantë, autorë filmash, shkrimtarë e aktivistë të shumtë.

Edicioni i sivjetmë i festivalit “Mirëdita, dobar dan”, do të hapet me shfaqjen e filmit “Si mësova të fluturoj” nga Radivoje Andrić, film ky fitues i shumë çmimeve i cili na sjell një histori njerëzore për rritjen, kuptimin dhe faljen. Publiku i Prishtinës po ashtu do të ketë mundësinë të dëgjoj grupin e vajzave rome “Pretty Loud”, të cilat përmes këngëve të tyre në gjuhën rome, serbe dhe angleze, këndojnë për stereotipet, drejtësinë sociale dhe racën, por edhe për sfidat, shpresat e ëndrrat e tyre. Poetët Mirjana Narandžić dhe Đorđe Simić do të kenë mundësinë të flasin për veprat dhe përmbledhjet e tyre poetike si dhe të lexojnë poezitë e tyre në formën e një mbrëmjeje poetike.

Ashtu si edicionet e kaluara, edhe gjatë edicionit të sivjetshëm do të diskutohen tema të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë përmes promovimit të librit “Sërbia tjetër: Srđa Popović” nga Shkëlzen Gashi dhe debatit “Trashëgimia tjetër”, debatit “Liria e lëvizjes në rajon: tani është koha”, dhe përmes promovimit të librit “Momenti kur filloi lufta për mua” që do pasohet nga një bashkëbisedim me autorët e librit.

Dita e fundit e festivalit do të mbyllet me shfaqjen teatrore “Bimët po të ngordhnin, do bëhej nami!” nga Ivor Martinić, dhe një ndejë përmbyllëse me DJ Flip nga Beogradi.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita dobar dan!” është prezantimi i skenës artistike dhe kulturore serbe në Prishtinë, si dhe i skenës kulturore të Kosovës në Serbi, përmes takimeve të artistëve, shkëmbimit të ideve, diskutimit për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy shoqërive, por edhe krijimit të një tradite të bashkëpunimit mes qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.

Frymëzim për “Mirëdita, dobar dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit “Mirëdita, dobar dan” është falas.

“Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Rockefeller Brothers Fund. / KultPlus.com

Pak histori, disa rregulla dhe shumë kuriozitete, çfarë duhet të dini për Eurovision 2023

Edicioni i 67-të i Eurovision Song Contest do të mbahet në Liverpool nga 9 deri më 13 maj. Dhe do të jetë një edicion special. Edicioni i vitit 2023 duhej të ishte mbajtur në Ukrainë, por për shkak të luftës së vazhdueshme, komiteti organizativ i festivalit të muzikës vendosi, pas vlerësimit të kujdesshëm, të caktojë Mbretërinë e Bashkuar, e cila përfundoi në vendin e dytë në edicionin e mëparshëm, titulli i vendit pritës 2023.

Ukraina do të jetë një pjesë integrale e festivalit si në garë ashtu edhe në skenë, ku do të jetë një prezantuese me kombësi ukrainase përkrah dy drejtuesve angleze.

Por çfarë është Eurovision Song Contest dhe kur lindi? Si funksionon mekanizmi i përzgjedhjes së konkurrentëve? Dhe cilat grupe dhe solistë do të konkurrojnë këtë vit?

Çfarë është Eurovizioni?

Eurovision është një festival ndërkombëtar muzikor i organizuar çdo vit nga anëtarët e Unionit Evropian të Transmetuesve. Është një nga programet televizive muzikore më të gjata ndonjëherë në nivel ndërkombëtar. Dhe një nga ngjarjet jo sportive më të ndjekura në botë.

Fillimet i ka në 1956 në Lugano. Emri i plotë është Eurovision Song Contest. Që kur u bë një  ngjarje kult dhe për të gjithë, është thjesht Eurovizion.

Disa nocione të historisë

Edicioni i 67-të i konkursit do të mbahet në Liverpool Arena në Liverpool, MB. Dhe jo në Ukrainë për shkak të pushtimit rus.  Zgjedhja e Mbretërisë së Bashkuar ishte për faktin se këngëtari dhe kitaristi britanik Sam Ryder zuri vendin e dytë në 2022 (me këngën Space Man).

Nuk ka ndodhur që nga viti 1980 që vendi fitues të mos jetë ai pritës në vitin e ardhshëm. Në të kaluarën, Ukraina priti edicionet e 2005 dhe 2017. Ndërsa është hera e nëntë që Eurovision zhvillohet në tokën britanike, pas edicioneve 1960, 1963, 1968, 1972, 1974, 1977, 1982 dhe 1998.

Njoftimi zyrtar i vendit pritës u dha më 25 korrik 2022 nga EBU, e cila gjithashtu njoftoi organizimin e përbashkët midis BBC dhe UA:PBC.

Në fillim ishin rreth njëzet qytete britanike konkurruan për ngjarjen, por lista u ngushtua më pas në  qytetet e Birmingham, Glasgow, Leeds, Liverpool, Manchester, Newcastle dhe Sheffield. BBC pasi analizoi dosjet dhe vizitoi qytetet kandidate, e ngushtoi më tej në qytetet e Glasgow dhe Liverpool, dhe më pas më 7 tetor, gjatë programit të BBC One The One Show, u konfirmua se vendi i Eurovision Song Contest 2023 do të ishte Liverpool Arena në qytetin me të njëjtin emër.

Si funksionon përzgjedhja e këngëtarëve në konkurs?

Gara është e ndarë në dy gjysmëfinale dhe një finale. Gjatë gjysmëfinaleve, zgjidhen dhjetë solistë dhe grupe për të kaluar në finale. 20 finalistëve të votuar gjatë dy mbrëmjeve u bashkohen edhe 5 konkurrentët e paraqitur nga të ashtuquajturat Big Five – Franca , Gjermania, Italia , Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja. Për të fituar vendin e 26-të është konkurrenti ose grupi fitues i edicionit të kaluar.

Drejt finales së Eurovizionit 2023

Janë 37 shtete që konkurrojnë për të marrë pjesë në edicionin e 67-të të Eurovision 2023. Por vetëm 26 konkurrentë gjithsej do të hyjnë në finale më 13 maj 2023. Nga këto, 10 janë kualifikueset e para në gjysmëfinalen e 9 majit 2023, 10 janë kualifikueset e gjysmëfinales së dytë të 11 majit, përveç 5 finalistëve me të drejtë të zgjedhur nga Big Five dhe si e njëzet e gjashta Ukraina, fituese e edicionit 2022.

26 vendet finaliste do të performojnë në skenë në Liverpool Arena me një renditje që ende nuk është përcaktuar. Siç përcaktohet nga shorti, shtetet organizatore Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar do të luajnë respektivisht në vendin e 19-të dhe të 26-të.

Për herë të parë që nga edicioni 2016, në vitin 2023 sistemi i votimit të konkursit do të kthehet në atë të përdorur në 2009: gjatë gjysmëfinaleve, vendet finaliste do të votohen nga publiku nëpërmjet televotimit (duke përjashtuar kështu votën e juritë kombëtare).

Rezultatet e finales, sipas traditës, do të përcaktohen nga shuma e votave të jurisë kombëtare dhe publikut.

Një tjetër risi në sistemin e votimit të këtij viti

Risia tjetër e edicionit 2023 është se shikuesit nga vendet jo pjesëmarrëse do të mund të votojnë gjatë eventit përmes platformës online të konkursit.

Votat e tyre do t’i shtohen atyre të televotimit dhe do të paraqiten si një grup i vetëm prej 58 pikësh (e njëjta sasi e disponueshme për çdo vend individual) të quajtur “Pjesa tjetër e botës”.

Skenografia, logoja dhe slogani i edicionit 2023

Më 2 shkurt 2023 u prezantua skenografia e edicionit 2023 të Eurovizionit.  Projektuar mbi “parimet e bashkimit, festimit dhe komunitetit” , frymëzohet nga aspektet kulturore dhe ngjashmëritë midis Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kuratori, amerikani Julio Himede, është edhe krijuesi i skenografisë së Konkursit të Këngës Amerikane dhe Çmimeve Grammy 2022.

Slogani i edicionit 2023 është gjithashtu në përputhje me parimet që frymëzuan hartimin e skenografisë: United by Music.

Ndërsa logoja paraqet një elektrokardiogram të realizuar me ngjyrat e flamujve të vendeve organizatore: Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Pulsimet prodhojnë një sërë zemrash, secila e ndjeshme ndaj ritmit të muzikës.

BBC tha se logoja “pasqyron vetë origjinën e konkursit”, e krijuar fillimisht si një eksperiment transmetimi për të bashkuar Evropën.

Kush do të jenë prezantuesit?

Pritëse të gjitha netët e eventit të Eurovision 2023 do të jenë këngëtarja Alesha Dixon, aktorja Hannah Waddingham dhe këngëtarja ukrainase Julija Sanina.

Komentatori dhe transmetuesi i vjetër irlandez Graham Norton do t’i bashkohet ekipit si bashkëprezantues për finalen.

Eurovision Song Contest 2023, garuesit

Pjesëmarrës në edicionin e Liverpool-it do të jenë 23 solistë (përfshirë 10 këngëtare meshkuj dhe 13 femra), 4 duete (dy meshkuj, një femër, një miks) dhe 10 grupe (8 meshkuj, një femër dhe një i përzier).

Artisti më i ri në garë është greku Victor Vernicos, vetëm 16 vjeç. Ndërsa më i moshuari, i lindur në vitin 1961, është Damir “Mrle” Martinovic, lideri i grupit kroat Let 3.

Nëse përfaqësuesit e Italisë, Spanjës, Francës, Portugalisë, Finlandës, Sllovenisë, Shqipërisë, Kroacisë dhe Moldavisë do të këndojnë këngë në gjuhët e tyre, konkurrentja moldave, do të këndojë për herë të parë në rumanisht. Ndër të tjera, 21 garues plus tre nga Mbretëria e Bashkuar, Irlanda dhe Malta do të këndojnë në anglisht. Çekët Vesna paraqesin vargje në katër gjuhë: çekisht, bullgarisht, ukrainisht dhe anglisht.

Ashtu si Marco Mengoni, përfaqësuesit e Suedisë (Loreen, fituese e 2012), Moldavisë (PashaParfeny, e 11-ta në 2012) dhe Lituanisë (Monika Linkyte, e 15-ta në 2015) po konkurrojnë për herë të dytë në Eurovision Song Contest.

Në përfaqësimin e tij, San Marino ka zgjedhur Jacks Piqued Toscan. Kuarteti indie-rock, me Like an animal, fitoi edicionin e dytë të Una voce per San Marino, mini-festivali që i lejon fituesit të hyjë në skenën evropiane.

Biletat e Eurovizionit 2023

Biletat për Eurovision 2023 janë në shitje vetëm zyrtarisht. Dhe janë të tre llojeve të ndryshme: për shfaqjen e pasdites (kushtuar për familjet), provat ose për garën e mbrëmjes.

Çmimi ende nuk dihet. Biletat e Eurovision 2022 varionin nga minimumi 80 euro dhe maksimumi 250 për gjysmëfinalet, ndërsa nga 150 deri në 300 euro për finalen e madhe. Për provat më të vogla 30 euro.

Pjesëmarrësit dhe titujt e këngëve në konkurs

Shqipëri: Albina & Familja Kelmendi (Duje)

Armenia: Brunette (Future lover)

Austria: Teya & Salena (Who the hell is Edgar?)

Australia: Voyager (Promise)

Azerbaixhan: TuralTuranX (Tell me more)

Belgjika: Gustaph (Because of you)

Cipro: Andreë Lambrou (Break a broken heart)

Kroacia: Let 3 (Mama sc!)

Danimarka: Reiley (Breaking my heart)

Estonia: Alika (Bridges)

Finlanda: Käärijä (Cha cha cha)

Franca: La Zarra (Évidemment)

Gjeorgjia: Iru Khechanovi (Echo)

Gjermania: Lord of the lost (Blood & glitter)

Greqia: Victor Vernicos (What they say)

Irlanda: Wild youth (We are one)

Islanda: Diljá (Power)

Izraeli: Noa Kirel (Unicorn)

Italia: Marco Mengoni (Due vite)

Letonia: Sudden Lights (Aija)

Lituania: Monika Linkyte (Stay)

Malta: The Busker [Dance (Our Oën Party)]

Moldavia: Pasha Parfeni (Soarele si Luna)

Norvegjia: Alessandra (Queen of kings)

Holanda: Mia Nicolai & Dion Cooper

Polonia: Blanka (Solo)

Portugalia: Mimicat (Ai coração)

Mbretëria e Bashkuar (organizatore): Mae Muller (I wrote a song)

Repubblica çeke: Vesna (My sister’s croën)

Rumania: Theodor Andrei (D.G.T.)

San Marino: Piqued Jacks (Like an animal)

Serbia: Luke Black (Samo mi se spava)

Sllovenia: Joker out (Carpe diem)

Spanja: Blanca Paloma (Eaea)

Suedia: Loreen (Tattoo)

Zvicra: Remo Forrer (Watergun)

Ukraina: Tvorchi (Heart of steel). / KultPlus.com

Funari, një prej perlave natyrore të Elbasanit

Funari, një prej perlave natyrore të Elbasanit, vit pas viti po vizitohet nga turistë të shumtë.

Rreth 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit, Funari është fshati që ndrin buzë liqenesh i rrethuar me pyje dhe gjelbërim. Ajo që e bën akoma më tërheqës është ngjyra e gjelbër e ujit të liqeneve, e cila krijon një vezullim prej smeraldi.

Është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene, apo rezervuarë të ndarë në dy, brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë edhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën.

Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit./atsh / KultPlus.com

Unicef: Të paktën 90% e grave të reja nga vendet me të ardhura të ulëta nuk përdorin internet

 Rreth 90% e vajzave adoleshente dhe vajzave të reja nuk përdorin internetin në vendet me të ardhura të ulëta, ndërsa bashkëmoshatarët e tyre meshkuj kanë dy herë më shumë gjasa të jenë ”online”, sipas Unicef.

“Mbyllja e ndarjes dixhitale midis vajzave dhe djemve nuk ka të bëjë vetëm me aksesin në internet dhe teknologji. Ka të bëjë me fuqizimin e vajzave për t’u bërë novatore, krijuese dhe lidere,” tha drejtori i Arsimit i Unicef, Robert Jenkins.

”Ekzistojnë hendeqe gjinore në tregun e punës, veçanërisht në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Ne duhet të fillojmë tani duke ndihmuar të rinjtë, veçanërisht vajzat, të fitojnë aftësi dixhitale”, shton ai.

Sipas raportit të Unicef-it, vajzat kanë më pak gjasa të kenë mundësi të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të mësuar dhe punësuar.

Mesatarisht në 32 vende dhe territore, gratë e reja kanë 35% më pak gjasa se bashkëmoshatarët e tyre meshkuj që të kenë aftësi dixhitale, duke përfshirë detyra të thjeshta si kopjimi ose ngjitja e skedarëve ose dosjeve, dërgimi i postës elektronike ose transferimi i skedarëve.

Unicef ​​u bën thirrje qeverive dhe partnerëve “të mbyllin hendekun gjinor dhe të sigurojnë që vajzat të kenë mundësinë të kenë sukses në një botë dixhitale”./KultPlus.com

Udhëtimi i Magelanit, momenti historik që tregoi se bota është e rrumbullakët

Rreth 500 vjet më parë u realizua udhëtimi rreth botës nga Magelani dhe Elcano – një moment i rëndësishëm në histori, sepse tregoi se bota është e rrumbullakët.

Dy vjet e njëmbëdhjetë muaj dhe dy javë udhëtoi anija “Victoria” e ngarkuar nga mbretëria spanjolle. Anija ishte një nga pesë anijet me të cilën kapiteni Fernão de Magalhães, i njohur sot si Ferdinand Magelan, filloi në shtator të 1519 udhëtimin duke u nisur nga Sanlucar de Barrameda e Spanjës. Misioni i Magelanit ishte të gjente rrugët që kalonin nga brigjet perëndimore drejt ishujve indoneziane Molukken, për të marrë karafilë, arrëmyshqe dhe piper, erëza të shtrenjta në atë kohë. Magelani nuk jetonte më kur anija u kthye më 1522, po ashtu si pjesa më e madhe e ekuipazhit prej 244 vetësh. Megjithatë, edhe sot ai shihet si pionier i udhëtimeve rreth botës.

Luftarak i sprovuar dhe karizmatik

Magelani, i lindur në veri të Portugalisë më 1480, ishte katolik dhe bënte pjesë në klasën e ulët aristokratike. Që në moshë të re ai e tregoi veten të sprovuar për misionet ushtarake. Me flotën portugeze të erëzave dhe flotën luftarake ai mbërriti në Indi dhe në gadishullin malajzian për herë të parë. Tetë vjetë me radhë ai luftoi në betejat koloniale të Azisë dhe Afrikës së Veriut.

Pas vitit 1517, Ferdinand Magelani, i zemëruar me mbretin e tij portugez lundroi nën flamurin spanjoll. Urdhërat tani ai i merrte nga Mbreti Karl I, i njohur më vonë si Karl V., Perandor i mbretërisë së shenjtë romake. “Teologu dhe shkrimtari spanjoll, Bartolomé de Las Casas e përshkruan Magelanin si trupshkurtër dhe njeri që nuk binte në sy”, thotë për Deutsche Welle-n historian Christian Jostmann. Por, ai zotëronte karizmë të jashtëzakonshme: “Kur vinte puna ai ishte shitës i mrekullueshëm dhe aktor, që ishte në gjendje të bindte të tjerët me idetë dhe synimet e tij të mëdha.” Nuk është pra çudi që marinari ishte në gjendje të bindte mbretin spanjoll që t’i financonte udhëtimin për në Molukken.

Një “mision vetëvrasës”

“Të pasurohej, të krijonte koloni spanjolle, të kristianizonte dhe të kalonte në shtresat e larta, me këto synime doli Magelani në det,” thotë historiani Christoph Jostmann. Në librin e tij “Magelani: ose Udhëtimi i parë rreth botës” ai përshkruan në mënyrë plot gjallëri se si e përjetuan nismëtari dhe bashkëudhëtarët e tjerë udhëtimin e parë rreth botës me stuhira, mungesë erërash, uri, etje, sëmundje, revolta në bord dhe konflikte vdekjeprurëse me popujt indogjenë. “Kjo nuk kishte të bënte me romancën detare,” thotë Jostmann: “Ata jetuan me rreth 50 vetë për muaj të tërë në një holzbotiç, që kishte mbase sipërfaqe përdorimi prej 150 metra katrorësh, që nuk kishte objekte sanitare, nuk kishte kuzhinë dhe sferë private. Ushqimi ishte i thjeshtë, kujdes shëndetësor nuk kishte dhe pasiguria ishte aq e madhe saqë misioni dukej vetëvrasës.”

Flota lundroi fillimisht në ishujt Kanare, pastaj përgjatë bregdetit afrikan deri në Sierra Leone. Në ngushticë ata kapërcyen Atlantikun dhe mbërritën në kontinentin amerikano – jugor, aty ku sot ndodhet Rio de Zhaneiro.

Më tej lundruan përgjatë bregut lindor amerikano-jugor. Një mision i vështirë: Flotës iu desh të kalonte dimrin, furnizimi u bë gjithnjë e më i vështirë, atmosfera në bord gjithnjë e më e keqe. Revoltat nuk munguan.

Rruga detare drejt Perëndimit

Magelani qëndroi këmbëngulës: Më 21 tetor 1520 ai zbuloi një kep dhe lundroi midis cepit jugor të kontinentit amerikano-jugor dhe ishullit Feuerland në një labirinth të ndërthurur rrugësh ujore. Anija e parë humbi, një anije tjetër shfrytëzoi paqartësinë e shikimit për t‘u kthyer mbrapsht në Spanjë. Por Magelani e gjeti më në fund vendkalimin e shumëkërkuar: një ngushticë detare që mezi duket dhe derdhet nga Oqeani Atlantik në Oqeanin Paqësor, i njohur sot si rruga e Magelanit. Gjashtë javë iu deshën Armadës së reduktuar, për të arritur në Oqeanin Paqësor.

Nga juglindja e Oqeanit të Qetë lundrimi vazhdoi tre muaj e gjysmë përgjatë një harku në drejtim të veriperëndimit, gjatë të cilit ata nuk hasën asnjë ishull të banuar. Uria, etja dhe sëmundjet i morën jetën 19 vetëve, para se anijet të furnizoheshin në një nga ishujt Marianen.

Kopje e anijes së Magelanit

Më në fund, ekuipazhi me 150 marinarët e mbetur mbërriti më 21 mars 1521 në Filipine, duke qenë europianët e parë që shkelnin atje, për Magelanin ky ishte stacioni i fundit i udhëtimit. Ai donte të pushtonte ishujt e pasur për t’i kthyer në pronë spanjolle, duke u bërë mbase më vonë vetë guvernator i tyre. Por kur Magelani u përpoq të merrte me luftë një fshat, një shigjetë me helm e qëlloi për vdekje dhe i mori jetën më 27 prill. Anijet e mbetura dolën me nxitim në lundrim në det.

Përfundimi i udhëtimit rreth botës

Të komanduar nga Juan Sebastián Elcano dy anijet lundruan nga Filipinet në ishujt e erëzave. Atje ata morën mallrat e dëshiruara. Elcano zgjodhi për kthim rrugën e rrezikshme rreth Kepit të Shpresës së Mirë, anija e dytë që kish mbetur humbi rrugës. Gati tre vjet pas largimit të Armadës nga Molukken, Elcano përfundoi me sukses udhëtimin rreth botës, të filluar nga Magelani, por të paplanifikuar nga ai.

“Victoria” mbërriti më 6 shtator 1522 portin spanjoll Sanlúcar de Barrameda, prej nga ishte nisur. Gati 20 marinarët që mbijetuan udhëtimin, morën famën për lundrimin e parë historik rreth botës, i cili dëshmoi njëkohësisht se bota është e rrumbullakët. Rruga perëndimore mban që nga ajo kohë emrin e marinarit portugez: Rruga e Magelanit.

Klaus Krämer, Stefan Dege/DW./ KultPlus.com

Nuk isha unë

Poezi nga Özdemir Asaf

Përktheu Rozana Belli

Një mbrëmje po vështroje nga dritarja
Terrin që binte rëndë-rëndë mbi rrugë
Përpara shtëpisë tënde kaloi dikush i ngjashëm me mua
Zemra filloi të të rrahë fort

Ai që kaloi nuk isha unë.
Një natë po flije në shtratin tënd
U ngrite vrikthi në botën e pazë
Ajo që t’i çeli sytë qe copëza e një ëndrre

Dhe mes errësirash dhoma jote
Ai që të pa nuk isha unë.
Unë qeshë shumë larg atëkohë
Sytë e tu iu qasën të qarës, të qarës pa arsye

Qëkur fillove të mendoje për mua
Veten e le të jetojë brenda dashurisë
Ai që e dinte këtë nuk isha unë.
Po lexoje përhumbtazi një libër

Njerëzit brenda tij dashuronin ose vdisnin
Në roman vranë një djalë të ri
U trembe, fillove të qaje me dënesë
Ai që vdiq nuk isha unë… / KultPlus.com