37 vite nga katastrofa nukleare e Çernobilit

Sot bëhen 37 vite nga katastorfa më e madhe nukleare në histori, nga katastrofa e Çernobilit.

Çernobili është një qytet pjesërisht i braktisur në Zonën e Përjashtimit të Çernobilit, i vendosur Rajonin Vvshhorod të oblastit verior të Kievit, Ukrainë.

 Çernobili është rreth 90 kilometra (60 mi) në veri të Kievit dhe 160 kilometra (100 mi) në jugperëndim të qytetit bjellorus të Gomel. Para evakuimit të tij, qyteti kishte rreth 14,000 banorë.

Të jetosh sot kudo brenda Zonës së Përjashtimit të Çernobilit është teknikisht e paligjshme, autoritetet tolerojnë vetëm ata që zgjedhin të jetojnë brenda disa prej zonave më pak të rrezatuara, dhe rreth 1000 njerëz jetojnë sot në Pripyat.

Çernobili u zgjodh si vendi i termocentralit të parë bërthamor të Ukrainës në vitin 1972, i vendosur 15 kilometra (9 mi) në veri të qytetit, i cili u hap në vitin 1977. Çernobili u evakuua më 5 maj 1986, nëntë ditë pas një fatkeqësie katastrofike bërthamore në central, e cila ishte katastrofa më e madhe bërthamore në histori. Së bashku me banorët e qytetit të afërt të Pripyat, i cili u ndërtua si shtëpi për punëtorët e uzinës, popullsia u zhvendos në qytetin e sapondërtuar të Slavutch dhe shumica nuk janë kthyer më.

Pas katastrofës, në vitin 1988, rajoni u shpërbë dhe administrimi iu transferua raionit fqinj të Ivankiv. Raion u shfuqizua më 18 korrik 2020 si pjesë e reformës administrative të Ukrainës.

Edhe pse Çernobili është kryesisht një qytet fantazmë sot, një numër i vogël njerëzish ende jetojnë atje, në shtëpitë e shënuara me tabela që lexojnë, “Pronari i kësaj shtëpie jeton këtu”,dhe një numër i vogël kafshësh jetojnë gjithashtu atje. Punonjësit e rojës dhe personeli administrativ i Zonës së Përjashtimit të Çernobilit janë gjithashtu të stacionuar në qytet. Qyteti ka dy dyqane të përgjithshme dhe një hotel.

Gjatë pushtimit rus të Ukrainës në vvitin 2022, Çernobili u bë vendi i Betejës së Çernobilit dhe forcat ruse pushtuan qytetin midis 24 shkurtit dhe 2 prillit. Pas kapjes së tij, u raportua se nivelet e rrezatimit filluan të rriteshin./ KultPlus.com

Ekspozitë qeramike në Galerinë e Artit në Tiranë

 Në Galerinë e Arteve të Tiranës (GAT) u çel ekspozita e skulptores Mira Kuçuku.

Ekspozita vjen me punime të larmishme, të cilat kanë mbushur sallat e GAT-it.

Mira Kuçuku nuk i ka vënë një emër ekspozitës, e cila është një përmbledhje e punimeve të viteve të fundit, por e quan thjeshtë “Qeramika e Mirës”, duke ia kushtuar atë 3 mbesave të saj.

“Për mua është ekspozita e parë private në vend, pas disa ekspozitave të tilla në Paris, Bordo, Holandë, Danimarke, Venecia e Prishtinë”, tha Mira Kuçuku për ATSH-në.

Teknika që mbizotëron në krijimet e Mirës është teknika japoneze “raku”, me të cilën është njohur jashtë vendit.

Ardian Devolli, kuratori i ekspozitës, shprehet se, “kemi të bëjmë me një artiste që spikat për nga origjinaliteti, forca krijuese, njohja e teknikave të qeramikës, teknologjisë së materialit etj”.

Vetë artistja e sheh qeramikën si grua: “Në përkëdheljet me zjarrin përvëlues, ajo forcohet dhe të befason, me të papriturat e saj, si një grua tekanjoze dhe kthehet më e bukur dhe vezulluese”.

Ekspozita “Qeramika e Mirës” do të qëndrojë e hapur për publikun, në Galerinë GAT, deri më 30 prill./atsh/KultPlus.com

Vdiq në moshën 96-vjeçare këngëtari dhe aktivisti për të drejtat civile, Harry Belafonte

Harry Belafonte, këngëtari dhe aktori që shkatërroi barrierat racore në SHBA, ka vdekur në shtëpinë e tij në Manhattan, në moshën 96-vjeçare.

Një nga yjet e popit afrikano-amerikan më të suksesshëm në histori, ai shënoi hite me Island In The Sun, Mary’s Boy Child dhe numrin një në Mbretërinë e Bashkuar Day-O (Kënga e varkës me banane).

Por arritjet e tij më të mëdha ishin si një aktivist për të drejtat civile të zezakëve në SHBA.

Ai vdiq nga dështimi kongjestiv i zemrës, tha zëdhënësi i tij Ken Sunshine.

Aktorja Mia Farrow ishte ndër të parat që bëri homazhe, duke kujtuar Belafonte si një “këngëtare të bukur” dhe “një njeri thellësisht moral dhe të kujdesshëm”.

“Tashmë më mungon”, shkroi ajo në Twitter./ bbc/ KultPlus.com

Hapet shkolla shqipe në Bolonja të Italisë

Në komunën Castenaso në provincën e Bolonjës në Itali, u inaugurua hapja e shkollës shqipe, një arritje e madhe për kombin dhe për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, përmes gjuhës shqipe.

Projekti lindi nga komuniteti shqiptar që banon në këtë zonë, me mbështetje të shoqatave si “Korabi” drejtuar nga Astrit Poti, sipërmarrësve dhe aktorëve të shumtë, bashkëndarës të synimeve primare të kësaj nisme.

Shkolla fillimisht do të ketë si seli ambientet e qendrës sociale “Casa Sant’Anna”, dhënë në përdorim nga Komuna e Castenasos.

Fjalimin e hapjes e mbajti Lauriana Sapienza, Këshilltare e Komunës së Castenasos për Politikat Sociale, Emigracionin dhe Inovacionin Digjital, e cila nënvizoi vlerat e çmuara kulturore dhe bukuritë natyrore të territoreve shqiptare. Ajo theksoi se kjo nismë ka vlera të mëdha dhe do kontribuojë jo vetëm në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare por edhe në përforcimin e miqësisë mes popujve.

Në inaugurimin e shkollës shqipe morën pjesë promotorët kryesorë: nga Roma, Lorik Cana, pasardhësi i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, nga Venecia, Muharem-Marco Salihu, sipërmarrës i njohur si dhe personalitete të shquara nga Shqipëria, Kosova dhe arbëreshë.

Shoqata “Korabi”, me një numër të madh vullnetarësh mërgimtarë shqiptarë të dekadave të fundit, por edhe të atyre shekullore si arbëreshët e Italisë, është dëshmi e krenarisë kombëtare dhe e shpresës së integrimit në Evropë përmes përforcimit të identitetit dhe të vlerave kulturore shqiptare./atsh/KultPlus.com

300 milionë kafshë “sakrifikohen” në vit në testime laboratorike

Më shumë se 150 vjet çdo ditë ndaj mijëra kafshëve kryhen eksperimente për qëllime mjekësore, kozmetike, ushtarake dhe industriale.

Çdo vit në botë në eksperimente laboratorike vdesin 300 milionë kafshë.

Eksperimentet laboratorike të cilat shfrytëzohen sot, datojnë që nga shekulli i mesëm, por nuk japin asnjë rezultat. Dita Botërore e Mbrojtjes së Kafshëve Laboratorike shënohet që nga viti 1985./ a2cnn / KultPlus.com

Italia feston Ditën e Çlirimit nga fashizmi, nën qeverisjen e një partie me origjinë post-fashiste

Kryeministrja Giorgia Meloni ka marrë pjesë në një ceremoni solemne të vendosjes së kurorave për të shënuar Ditën e Çlirimit Kombëtar të Italisë, e cila përkujton fundin e fashizmit dhe pushtimit nazist në vitin 1945.

Dita e Çlirimit normalisht bashkon italianët dhe shënohet me parade, raporton BBC. Por për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, Italia drejtohet nga një parti, origjina e së cilës qëndron në të kaluarën post-fashiste të vendit.

Dhe përkujtimet e këtij viti kanë qenë të mbushura me polemika.

Midis atyre që morën pjesë në ceremoninë e Romës të së martës ishte një koleksionist i kujtimeve fashiste, Kryetari i Senatit Ignazio La Russa, i cili mban zyrën e dytë më të lartë të shtetit në Itali.

Pak ditë më parë ai u citua të thoshte: “Nuk ka asnjë referencë për antifashizmin në kushtetutën italiane”.

Komentet e tij ndezën një breshëri kritikash nga qendra e majtë dhe thirrje që ai të japë dorëheqjen. Kreu i Partisë Demokratike Elly Schlein reagoi duke këmbëngulur se “antifashizmi është kushtetuta jonë”. / KultPlus.com

Robert Shvarc: Kur përktheja Remarkun

Romani i Erih Maria Remarkut “Tre shokë” u botua për herë të parë në shqip në vjeshtë të vitit 1961. Ishte koha kur shoku im i rinisë, Drago Siliqi, drejtor i N.Sh. Botimeve “Naim Frashëri”, me guximin e tij prej intelektuali, u hapi lexuesve shqiptarë një dritare të madhe për të njohur letërsinë botërore. Kur iu futa punës për të përkthyer romanin “Tre shokë”, isha 27 vjeç dhe nga ky autor kisha lexuar vetëm librin e tij të parë “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” i cili më pat lënë një përshtypje të thellë. Pra, nuk dija shumë gjëra as për Remarkun, as për librat e tij. Kisha lexuar vetëm se nazistët ia patën hequr nënshtetësinë gjermane dhe ia kishin djegur veprat publikisht më 1933. E kisha fjalën, pra, si e përktheva romanin “Tre shokë”.

E mora librin dhe lexova 2-3 faqet e para. Fillonte me një ditëlindje, me atë të heroit kryesor, që i rrëfente ngjarjet në vetën e parë. Edhe kësaj radhe më mahniti stili tepër i ngjeshur dhe tej mase i kursyer i këtij shkrimtari, që komunikonte kaq bukur dhe kaq natyrshëm me lexuesin. I përpiva ato 2-3 faqet deri në fund dhe sakaq mora një vendim: nuk do ta lexoja librin deri në fund, por do t’i futesha punës menjëherë dhe do ta përjetoja gjithë romanin rresht për rresht, ashtu siç e kishte përjetuar autori në procesin e tij të krijimit. Ishte një vendim paksa i çuditshëm, por mua më ndihmoi jashtëzakonisht shumë pa ditur as vetë, u futa në shpirtin e autorit, hyra si të thuash nën lëkurën e tij, i provova të gjitha ndjesitë, emocionet, problemet, gëzimet dhe tronditjen e tij dhe them se arrita t’ia përçoj besnikërisht lexuesve mesazhin e tij. Të paktën nuk e dëgjova asnjëherë akuzën aq të njohur, që përkthyesi qenkej tradhtar i autorit…

Me romanin “Tre shokë” më lidhin kujtimet më të bukura të punës sime si rikrijues; por më lidhin edhe disa nga ato rastësitë e çuditshme që ndodhin në jetën e njeriut. Autori e kish botuar këtë vepër në vitin 1938, në emigracion, si refugjat dhe si shkrimtar që, megjithëse mjaft i famshëm në të gjithë botën ishte pa identitet, i përzënë nga atdheu. Dhe pikërisht, atë vit, më 1938, unë, ende fëmijë, erdha nga vendlindja ime, Sarajeva, në atdheun e nënës sime, në Shqipëri, ku gjithashtu gjeta mbrojtje dhe shpëtova kokën nga murtaja naziste. Isha pra, një çun i vogël, që në atë kohë nuk dinte asnjë fjalë shqip dhe asnjë fjalë gjermanisht. Dhe kush mund ta parashikonte atëherë që plot 23 vjet më vonë, do t’i jepja lexuesit tonë një libër të tillë në gjuhën time amtare!…

Përkthimi dhe suksesi që pati “Tre shokët “pas botimit në shqip, më dhanë shtysën që të vazhdoja të merresha me përkthime letrare. Edhe sot e kësaj dite takoj shokë e miq të brezit tim, të cilët këtë libër të Remarkut e mbajnë dhe e ruajnë si Bibël, sepse jo vetëm që mbahet si himn kushtuar miqësisë së sinqertë, fisnike e pa asnjë lloj interesi midis shokësh, por konsiderohet edhe një nga historitë më të bukura e më mallëngjyese të dashurisë. Romani i dytë që përktheva ishte “Shkëndija e jetës”. Edhe kjo vepër më ngjiti menjëherë, jo vetëm për faktin se lidhej edhe me diçka personale, por më tepër nga forca e penës së këtij shkrimtari, i cili, pa qenë kurrë në një kamp përqendrimi nazist, arriti, vetëm përmes shfrytëzimit të një dokumentacioni, sa të pasur aq edhe ngjethës, të na japë një dëshmi të tillë të një vërtetësie të mahnitshme historike, duke ia kaluar plot e plot shkrimtarëve të tjerë që e trajtuan këtë temë. I treti roman i këtij autori ishte “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”.

Ky roman, i cili qe botuar edhe një herë tjetër në shqip në vitin 1936, më vuri përpara një përgjegjësie të madhe. Ai ishte një roman kujtimesh autentike dhe tronditëse, i njohur në të gjithë botën, ishte, siç shkruan Kadare në hyrjen e tij – një libër i qetë e modest, por edhe një kambanë alarmi kundër histerisë së luftërave; brenda një kohe të shkurtër ai u bë thesar i tërë njerëzimit…Por pikërisht thjeshtësia e këtij libri ishte aq e vështirë për t’u ridhënë. Dhe përsëri u futa në lëkurën e atij maturanti 18-vjeçar, e atij ish-ushtari të frontit të Luftës së Parë Botërore, që e rrëfente aq prekshëm historinë e vet dhe moshatarëve të tij, historinë e rinisë së vrarë nëpër llogoret e një lufte të çmendur e të kotë. Romani i katërt i Remarkut, “Harku i Triumfit, që doli në qarkullim në prill të vitit 1988, mbahet nga kritika si kryevepra e tij e dytë. Ai, natyrisht, më hapi më shumë punë dhe telashe; e kam mbajtur pothuajse 7 vjet ndër duar, duke i vënë vetes si detyrë që ta përktheja vetëm në ato periudha kohe ku mund t’i kushtohesha plotësisht atij. Dhe meqë censura e bekuar nuk ma lejonte botimin e këtij libri aq human e aq të shtrenjtë për mua, m’u desh ta mbaja për 20 vjet rresht në sirtar.

Këto ishin pak a shumë kujtimet e mia për këtë shkrimtar kaq njerëzor dhe të dashur për lexuesin, i cili me atë gjerdan vezullues të librave që shkroi u la një dëshmi të trishtueshme, por jashtëzakonisht bindëse dhe tronditëse të dukurive më të egra të shekullit tonë. /KultPlus.com

Dea Luma, arkitektja kosovare që përfundoi studimet e doktoratës në Tokio

Dea Luma është arkitektja kosovare që ka përfunduar studimet e doktoraturës në Universitetin e Tokios në një fushë revolucionare, atë të neuroarkitekturës.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka përfshirë Dean në numrin e ri të revistës “ZA” duke u shprehur se vajza si Dea janë krenaria e potenciali më i madh i vendit tonë.

“Vajzat si Dea Luma janë krenaria e potenciali më i madh i vendit tonë. Arkitektja kosovare përfundoi studimet e doktoraturës në Universitetin e Tokios në një fushë revolucionare – atë të neuroarkitekturës. Dea jo vetëm që përfundoi studimet në një fushë ende të re, por ajo kontribuoi në prodhim njohurish duke ndihmuar në krijimin e një departamenti të ri që kombinon neuroshkencën, arkitekturën, shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

Rrëfimi i akademikes kosovare është shkruar në Revistën ZA, ku mund të gjeni rrugëtimin e bukur dhe sfidues profesional të Deas përgjatë viteve”, shkruan Jahjaga. / KultPlus.com

Artpolis sjell edicionin e 11-të të Festivalit FemArt nën moton “Kalle Tutën”

Artpolis, përmes Festivalit FemArt, edhe sivjet pasuron skenën kulturore të Kosovës me aktivizëm artistik të nivelit botëror, krahas prezantimit dhe mbështetjes së skenës vendore dhe rajonale.

Më 15-21 maj, 2023 në Prishtinë dhe Mitrovicë do të realizohet edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve – FemArt, i cili vjen nën moton “Kalle Tutën”.

“Kalle Tutën” vjen si thirrje për të flakur tutje tutën, me i dhënë mundësi të resë, guximit dhe dashnisë që të lindë.

Guximi është parakusht që të mposhtim frikën. Për shumë gjatë na mësuan të heshtim, është koha të guxojmë të flasim. Do të flasim dhe do të kallim tutën guximshëm e me dashni edhe në edicionin e 11-të të Festivalit FemArt.

“Më 15-21 maj, 2023 dhe çdo ditë tjetër do të flasim edhe për gratë që nuk dëgjohen, edhe për vajzat që ëndërrojnë. Kemi kaq shumë për të thënë përmes shfaqjeve teatrore, paneleve të diskutimit, ekspozitave, konferencave, performancave, punëtorive dhe këngëve e kërcimit”, thuhet në njoftim.

“Arti dhe aktivizmi janë hapësira jonë e lirisë, e rrëfimit mbi jetën, kuriozitetit dhe magjepsjes sonë të pafund. Përmes artit tonë themi atë që mendojmë dhe besojmë, e përmes diversitetit tregojmë se kush jemi. Dallimet tona etnike, fetare, racore e gjinore përbashkohen rreth feminizmit tonë edhe në këtë edicion të FemArt. Kemi vullnet të rimarrim atë që na takon – jetën e përmbushur. Do ta bëjmë tash! Me guxim për çlirim”, thuhet tutje.

Kalle tutën nga patriarkati! Kalle tutën e paragjykimit! Kalle tutën e dështimit! Kalle tutën nga gjithçka që të ndalon të lëvizësh. Mjaft kemi qëndruar një hap prapa! Bashkë e kallim tutën! Bashkë zhvendosemi një hap para! 

Prandaj, guxo të lëvizësh edhe në errësirën e natës. E nëse ke frikë të lëvizësh në errësirën e natës, së bashku e ndriçojmë qytetin! Guxo e kalle tutën për me i lënë vend dashnisë për veten dhe të tjerët!

Gratë artiste do të bëjnë hapjen e Festivalit FemArt përmes shfaqjes “Fefu dhe Shoqet e Saj”, produksion i veçantë nga Artpolis dhe premierë në edicionin e 11-të të Festivalit. I gjithë ekipi në krijimin e kësaj shfaqje përbëhet nga artiste të dëshmuara të skenës teatrore kosovare, përfshirë këtu edhe Trupën Artistike Rezidente të Artpolis me regji të Arlinda Morinës. 

“Fefu dhe Shoqet e Saj” do të prezantohet më 15 maj nga ora 20:00 në Menzën Ramiz Sadiku.

Ndër të tjera publiku në Kosovë do të ketë rastin të shikojë shfaqjet e prezantuara në Festivalin prestigjioz të Avignonit; “Jogging” nga Libani, dhe “Olympe Et Moi” nga Franca, me artistët e nivelit botëror Hanane Hajj Ali, Patrick Mons dhe Veronique Ataly.

Përveç tyre, pjesë e FemArt do të jetë Trupa Artistike nga Izraeli të udhëhequr nga një prej producenteve më të njohura në botë, Yu Jingyi, dhe aktori dhe artisti multidisiplinar Yehezkel Lazarov. Përveç prezantimit të shfaqjes “The Superfluos Man – Oblomov” ata do të ndajnë përvojën dhe njohuritë e tyre përmes një punëtorie dhjetë ditore me artistë nga Kosova, duke krijuar kështu një urë lidhëse të rëndësishëm ndërmjet dy vendeve duke bashkëpunuar me artistët e Trupës së Artpolis dhe Noah Dance Company që do të rezultojë me shfaqjen e përbashkët në natën e fundit të festivalit.

“The Superfluos Man – Oblomov”, e prezantuar në “Isra-Drama: Ekspozimin Ndërkombëtar të Teatrit Izraelit”, është një përshtatje e klasikut rus Oblomov që ngre pyetjen: A ka të drejtë njeriu të jetojë jetën e tij pa lënë gjurmë?

Në këtë edicion sjellim tingujt latin përmes koncertit të La Chica-s, e cila sjell temperamentin dhe entuziazmin shpirtëror venezuelas, të përzier me ndikimin multikulturor, urban dhe modern parisien. Në muzikën e saj ndërthuren zhanret e ndryshme si pop, hip-hop, ritëm dhe bluz, muzikë latine, muzikë afro-karaibe dhe ndikimi i muzikës klasike të Debussy-t që vjen në tri gjuhë; spanjisht, frëngjisht dhe anglisht.

Këtyre iu bashkohen edhe artiste/ë dhe aktiviste/ë nga Sllovenia përmes shfaqjes “Pesë Llojet e Heshtjes”, me regji nga Maša Pelko, Polonia “Gruaja dhe Jeta” me regji të Piotr Łukaszczyk, Serbia “Vajzat” me regji të Milena Bogavac, si dhe DJ nga Bosnja dhe Herzegovina Marina Mimoza.

E rol të rëndësishëm luan sivjet edhe skena artistike vendore, fuqizimi i së cilës është një nga synimet kryesore të Festivalit FemArt, që nga themelimi. FemArt, e krijuar nga gratë për gratë, hapësirë të veçantë iu jep edhe sivjet artisteve dhe aktivisteve vendore, prezantimit dhe promovimit të punëve të tyre.

Pjesë e Festivalit është edhe filmi “Vera Andrron Detin” nga Kaltrina Krasniqi, që ka rrëmbyer dhjetëra çmime të rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare, i cili shoqërohet me një panel diskutimi në mes artisteve që e krijuan filmin dhe publikut në Kino Armata.

Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar do të prezantohen shfaqjet “Gratë” me regji të Nastazja Domaradzka, si dhe “Molly” me regji të Sibel Abdiu. Kurse në bashkëpunim me Teatrin e Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” do të prezantohet shfaqja “Deni dhe Deti i Thellë i Kaltër” me regji të Ana Bateva. E sivjet bashkëpunimi vazhdon me Teatrin Oda, Teatrin Dodona, Teatrin e Qytetit të Mitrovicës, dhe Pallatin e Rinisë. Kurse tek Klubi i Boksit sjellim ekspozitën “Status” nga Mimozë Sahiti, me kurator Albert Heta.

Ndërsa tek Dispanzeri afër QKMF-së në Prishtinë do të prezantohet shfaqja “Sober” me regji nga Butrint Pasha, në të cilën luajnë aktorët e Trupës Artistike Rezidente të Artpolis.

FemArt sjell në Bibliotekën Kombëtare konferencën “Kalle Tutën: Një Konferencë për Jetesë të Guximshme”, që bën bashkë artiste/ë, aktiviste/ë dhe personalitete të shquara në këto panele diskutimi: “Përtej paragjykimeve: Fuqizimi i grave për të tejkaluar stereotipet në vendimmarrje në art dhe në kulturë”, “Paqja dhe siguria: Kapërcimi i frikës dhe ndërtimi i komuniteteve të qëndrueshme”, “Thyerja e stigmës: Shëndeti mendor dhe mirëqenia në kohë sfiduese”.

Në Mitrovicë programi i FemArt realizohet në bashkëpunim me 7 Arte, si dhe Muzeun e Mitrovicës. Aty do të prezantohen dokumentari dhe paneli i diskutimit Biba May “Jo Më” produksion nga Artpolis, shfaqja “Gratë”, si dhe performanca “Olympe et Moi”.  

Edicioni i 11-të do të përmbyllet me koncertin e tre emrave të njohur në skenën e muzikës vjeneze Rina Kaçinari Trio, në përbërje të Rina Kaçinarit, Carles Muñoz Camarero dhe Jörg Mikula, me mysafir special Kori i Grave “Okarina”. Kjo treshe do të prezantojë në FemArt kompozime origjinale që përshkruajnë momentet e ndryshme të jetës trishtimin, dashurinë dhe lumturinë.

Ditët në vazhdim FemArt do të ndajë me ju detajet e programit, përfshirë edhe konceptet e aktiviteteve, për të cilat mund të informoheni në rrjetet sociale dhe webfaqen e Festivalit. / KultPlus.com

Konferencë për shfrytëzimin e hapësirave publike për kinema të hapura

Nisën dje në Vlorë, aktivitetet e organizuara nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në kuadër të Projektit Circe PLus, financuar me fondet Interreg-IPA CBC Italy-Albania-Montengro, në partneritet me Apulia Film Commission, Filmski centar Crne Gore dhe Regione Molise.

Aktivitetet nisën me Konferencën “Shfrytëzimi i hapësirave publike urbane, për kinema të hapura, në bashkitë e Shqipërisë – si një mënyrë e transformimit të praktikave kulturore”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të QKK, Projektit Circe, projektit “Bashkitë për Evropën”, Agjencisë së Industrisë Kreative dhe përfaqësues të departamenteve të kulturës nga 35 bashki të Shqipërisë.

Në konferencë u diskutua rreth promovimit dhe strategjive kreative me incentiva fiskale ose shërbime të tjera për të tërhequr projekte audiovizuale në territorin e bashkive përkatëse gjë që do të sjellë edhe zhvillim ekonomik lokal.

Gjithashtu është vënë theksi tek shpërndarja dhe administrimi i buxheteve vendore në lidhje me projektet kulturore e veçanërisht kinematografike.

Konferenca fton për shfrytëzimin e hapësirave publike urbane për kinema të hapura, në bashkitë e Shqipërisë. /atsh / KultPlus.com

Ndërtesa 1-shekullore, muze unik i Kosovës

Kosovës po i shtohet një muze unik. Bëhet fjalë për Hidroelektranën, ndërtesë në qytetin e Prizrenit, e cila ka pothuaj 100 vjet jetë.

Lajmin për muzeun e bëri të ditur në rrjetet sociale, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

“Ajo që dikur shënonte frymë modernizimi në arkitekturë dhe moment elektrifikimi e zhvillimi industrial për qytetin, sot është në fazën e fundit të restaurimit”, është shprehur ministri Çeku.

Menjëherë pas ndërhyrjeve konservuese fillojnë veprimet për funksionalizimin e muzeut të Hidroelektranës.

Historia e Hidroelektranës është e lidhur ngushtë me historinë e elektrifikimit në Kosovë. Ndërtesa ndodhet në pjesën lindore të Prizrenit dhe paraqet një nga hidrocentralet e para të ndërtuara në vend.

E ndërtuar në vitin 1929, ndërtesa ka furnizuar qytetin me energji elektrike për dyzet e katër vjet. Furnizimi me energji elektrike ka ndikuar në hapjen e kinemasë së parë në qytet dhe zhvillimin e zanateve të reja. Fillimisht hidrocentrali furnizonte institucionet publike, banesat e njerëzve të pasur, mullinjtë dhe njësitë tregtare.

Për shkak të mungesës së kapacitetit dhe pajisjeve të vjetëruara, hidrocentrali ndaloi së funksionuari në vitin 1973. Në vitin 1975, ndërtesa u adaptua në Muzeun e Historisë Elektrike të Kosovës. /KultPlus.com

Rregullorja që ia heq vizat Kosovës publikohet në gazetën zyrtare të BE’së

Sot është publikuar në gazetën zyrtare të BE-së rregullorja e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë rregullore theksohet se të përjashtuar nga kërkesa për vizë janë vetëm mbajtësit e pasaportave biometrike që janë të lëshuara nga Kosova dhe në përputhje me standardet Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).

“Ky përjashtim nuk duhet të zbatohet deri në datën nga e cila fillon të funksionojë Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i krijuar nga Rregullorja (BE) 2018/1240 e Parlamentit Europian dhe e Këshillit ose deri më 1 janar 2024, cilado datë që vjen e para”, thuhet në këtë rregullore.

Data e hyrjes në fuqi e kësaj rregullore zakonisht njihet si dita e 20-të pas publikimit të Rregullores në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Siç thuhet në procedurat e publikuara nga BE për këtë çështje, kjo do të thotë se rregullat e BE-së janë miratuar dhe publikuar – duke prodhuar kështu efekte juridike – por nuk janë domosdoshmërisht të detyrueshme në datën e hyrjes në fuqi.

Njohësi i integrimeve europiane, Demush Shasha, tha se kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 15 maj dhe se kjo kohë do t’iu mjaftojë institucioneve të Kosovës të ndërmarrin fushatat e nevojshme të informimit për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve që burojnë nga lëvizja e lirë në Zonën Schengen.

“Por edhe do jap mjaftueshëm kohë autoriteteve kufitare të vendeve të BE-së të përgatiten për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës nga 1 janar 2024”.

Rregulloren e publikuar mund ta gjeni KËTU / Express / KultPlus.com

Një grua kokëfortë, fati më i madh i jetës tënde

Nuk është e thjeshtë. Ajo i mbron me gjithë qenien bindjet dhe parimet e saj. Nuk është pra, nuk është aspak e thjeshtë të duash një femër kokëfortë.

Të nevrikos dhe të mërzit. Me atë ngulmimin në idetë e saj, me kokëfortësi nganjëherë, dhe me vrazhdësi herëve të tjera, por ama, kur të kesh nevojë, edhe pa i thënë gjë fare, ajo kthehet në ëmbëlsim dhe do të të gjendet përherë pranë.

Nëse je mashkulli që e ke pasur këtë bekim nga jeta, që ke njohur një femër kokëfortë, ka disa gjëra që duhet t’i kesh parasysh:

Një grua kokëfortë është një kategori tepër e veçantë e gruas, ajo nuk e njeh konfuzionin ose paqartësinë, në fakt ajo është e qartë dhe shumë e kthjellët në atë çfarë do, dhe nuk ka pengesë që ta ndalojë për ta arritur. Vetëm një gjë në këtë botë mund ta pengojë që ajo t’i lërë mënjanë ndjesitë dhe synimet që i ka vënë vetes, dhe ajo gjë, është personi që ajo do. Për të, ajo bën gjithçka.

Gratë kokëforta kanë një intuitë të jashtëzakonshme, ato i parandjejnë me një saktësi të frikshme gjërat përpara se ato të ndodhin, janë në rezonancë të përhershme me ty, me emocionet tua, ajo ta lexon mendjen, e di çfarë do të thuash, përpara se të lëvizësh buzët. Ajo e di çfarë të pëlqen, çfarë të emocionon, çfarë të gëzon e çfarë të bën të lumtur.

Nganjëherë ajo e harron veten, duke u përqendruar të të njohë ty, madje edhe më mirë se ç’e njeh ti veten. Të mbron, edhe atëherë kur t’i nuk e vëren. Një grua e tillë vëzhgon shëndetin dhe sigurinë tënde, është në një gjendje të përhershme zgjimi për të “nuhatur” çdo lloj rreziku apo dështimi që mund të të afrohet. Kjo tregon se ajo e dëshiron me zemër që ju të dy t’ia dilni mbanë.

Kokëfortësia e saj e ka një shpjegim. Mbase ajo nuk ka marrë asnjëherë ato çfarë ka merituar në jetë, apo në supet e saj, jeta e ka detyruar të durojë vështirësi të mëdha. Ajo nuk fajëson njeri, nuk pret nga askush, është kalitur t’ia dalë e vetme, ajo nuk ndjehet kurrë e zhgënjyer nga të tjerët, sepse i vetmi person me të cilin është mësuar të bashkëpunojë është vetja e saj. Duke qenë ajo e tillë, për ty është një burim i pashtershëm frymëzimi dhe force për t’i çuar gjërat përpara.

Ajo nuk të shkëput nga misioni yt, nga objektivat tua, nuk të shpërqendron, ajo është krenare dhe i mjafton të jetë ajo gruaja që fshihet prapa një burri të suksesshëm. Është e sinqertë, reale. Nuk shtyhet nga frika, mëshira apo dobësia, ajo ka vetëm një njësi matëse për gjërat, dashurinë.

Një grua kokëfortë të bën ta jetosh jetën me një intensitet të jashtëzakonshëm, ajo të tërheq deri në zgrip të humnerës, e m’u aty, ajo e ka mësuar tashmë, hidhet vallja e jetës. Ajo dashuron fuqishëm, dhe një vit me të vlen sa dhjetë vite bashkë me një grua tjetër për nga denduria e emocioneve të forta.

Ajo të sheh drejt në sy dhe është njëkohësisht edhe ajo që të kundërshton, sepse i njeh dobësitë tua, ajo e kupton kur t’i lodhesh dhe po bëhesh gati të dorëzohesh, por nuk të lejon, të shtyn që të vetëpërmirësohesh.

Nuk ka asnjë dyshim. Kokëfortësi, për këtë grua, është të jesh besnike ndaj asaj që beson dhe gra të tilla janë fatalisht tërheqëse.

Do të të gjendet gjithmonë pranë, do të jetë aty për ty. Do të shohë me kujdes, nganjëherë të tepruar, edhe mënyrën sesi të trajtojnë të tjerët. Ti je në krye të listës së prioriteteve të saj, edhe kur të mos jetë afër teje, edhe kur të jetë nevrike.

Do të të çmendë, në kuptimin e mirë të fjalës. Një grua kokëfortë do të luajë me nervat e tua. Ajo nuk do të bjerë dakord me ty në gjithçka, por do të të dojë deri në fund të jetës së saj. Nuk ka asgjë të gabuar në gjetjen e dikujt që të acaron me fjalë, por që më pas të do me vepra.

Ajo t’i thotë gjërat troç dhe haptazi, nuk është indirekte dhe thumbuese. Sepse nuk ka frikë nga ato momentet kur do të duhet të debatoni. Kjo është e pashmangshme. Mirëpo një grua e tillë sjell arsyen dhe logjikën në tryezë. Kokëfortësia e saj përkthehet në zgjuarsinë e saj për të kuptuar se intuita e gruas është më e saktë sesa dëshirat e mashkullit. / KultPlus.com

Afër 100 mijë të rinj as në shkollë, as në trajnim e as në punë

Xh.M., 23 vjeç, nga komuna e Malishevës, ka të përfunduar vetëm shkollimin fillor. Aktualisht, as nuk punon, as nuk është i përfshirë në ndonjë proces mësimor apo trajnim.

“Unë e kam një zanat, jam shtrues i pllakave të qeramikës, por nuk ka punë me kushte të mira”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Në një kompani kam punuar 11 muaj dhe nuk jam paguar. Kështu që jam i dëshpëruar nga njerëzit. Punon, punon… kur të bëhet muaji, nuk ta japin rrogën”, vazhdon rrëfimin Xh.M.

Ai nuk dëshiron t’i përmendë arsyet se përse nuk e ka vazhduar shkollimin. Thotë se për shpenzimet e ditës e ndihmon e ëma, e cila merr një pension mujor prej rreth 200 eurosh.

“Çfarë të bëj? Rri në shtëpi… Vështirë është pa punë, sidomos tani kur çmimet janë rritur”, thotë Xh.M.

Si ai që nuk ndjekin as shkollim, as ndonjë trajnim dhe nuk janë të punësuar, janë afër 100 mijë banorë të Kosovës, të moshës 15 deri në 24 vjeç.

Këto të dhëna i ka publikuar së voni Agjencia e Statistikave të Kosovës, bazuar në anketën e fuqisë punëtore.

Të dhënat për tremujorin e parë të vitit 2022 kanë treguar, po ashtu, se nga mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 77 mijë janë të papunë dhe rreth 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë – që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë në Kosovë në tremujorin e parë të 2022-shit ka qenë 16.6 për qind.

Rrezik nga problemet sociale

Artan Krasniqi, sociolog në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shifrat e të rinjve, të cilët nuk punojnë, nuk janë në proces arsimor dhe nuk ndjekin ndonjë trajnim, janë shqetësuese.

“Edhe shteti, edhe shoqëria janë mjaftuar me faktin që Kosova e ka potencialin më të madh rininë dhe sikur është menduar që ky potencial vetëkanalizohet… Ka pasur fare pak politika dhe programe që e ndihmojnë këtë potencial të arrijë në nivele më të larta”, thotë Krasniqi.

Kosova ka popullsi të re, me një moshë mesatare 35 vjeç.

Sociologu Krasniqi thotë se nëse për këta të rinj, nuk krijohen politika të duhura, qoftë të punësimit, trajnimit apo shkollimit, mund të ketë probleme sociale në të ardhmen.

“Së pari mbesin barrë e shoqërisë, familjes dhe më vonë e shtetit. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që këta të rinj ta kërkojnë rrugën e migrimit”, thotë Krasniqi.

Trendi i emigrimit të qytetarëve kosovarë, sipas shifrave zyrtare, është në rritje. Sipas ASK-së, në vitin 2021 nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë. Në vitin 2020 – kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit – nga Kosova kanë emigruar mbi 8.000 veta; më 2019 mbi 34.000; më 2018 mbi 28.000.

Profesori i shkencave sociale në Universitetin e Prishtinës, Behxhet Gaxhiqi, thotë se edhe sikur numri i të rinjve që nuk ndjekin shkollim, trajnim apo nuk janë në punë, të jetë 10.000, është shqetësuese, e lëre më afër 100 mijë.

Ai thotë se institucionet qendrore dhe lokale duhet të hartojnë politika për ofrimin e trajnimeve, së paku.

“Kjo moshë e popullsisë është pjesa më vitale e shoqërisë dhe nuk duhet lejuar të mbetet në këtë gjendje. E ardhmja e këtyre të rinjve mund të jetë e paperspektivë dhe si të tillë mund të përfundojnë në skemat sociale të Qeverisë me mjete minimale për jetesë”, thotë Gaxhiqi për Radion Evropa e Lirë.

Kosova, me mbi 1.7 milion banorë, ka 15 skema sociale e pensionale, nga të cilat përfitojnë mbi 400 mijë qytetarë.

Përveç qytetarëve të papunë dhe me vështirësi ekonomike, nga skemat sociale përfitojnë edhe familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, pensionistë të moshës etj.

Çfarë thonë ekspertët e ekonomisë?

“Arsyeja që Kosova ka këtë numër të të rinjve që nuk janë as në shkollim, as në trajnim dhe as të punësuar, qëndron tek edukimi dhe trajnimet që ofrohen. Ato nuk janë cilësore dhe në harmoni me tregun e punës”, thotë eksperti i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj, njëherësh ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë.

Tregu i punës në Kosovë, shton ai, ka nevojë për kuzhinierë, kamerierë, punëtorë në sektorin e prodhimit dhe atë të drurit.

“Këto trajnime profesionale duhet t’iu ofrohen këtyre të rinjve, në mënyrë që ata ta gjejnë veten në Kosovë. Të rinjtë tanë janë të dekurajuar për të kërkuar punë, për t’u punësuar apo për të ndjekur ndonjë trajnim”, thotë Mulaj.

Viteve të fundit, tregu i Kosovës është përballur me mungesa punëtorësh – sidomos sektori privat.

Sipas disa anketave që ka realizuar Radio Evropa e Lirë, por edhe të dhënave të Inspektoratit të Punës, qytetarët janë ankuar për paga të ulëta, mosrespektim të orarit të punës, privim nga pushimi etj.

Për rrjedhojë, shumë punëdhënës kanë marrë punëtorë nga jashtë.

Çfarë kanë bërë autoritetet?

Në Kosovë, Agjencia e Punësimit është institucioni kryesor në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional.

Kjo agjenci ofron trajnime për mbi 30 profile të profesioneve të ndryshme, përfshirë: moler, murator, suvatues, kuzhinier, furrtar, pastaj për saldim, administrim biznesi, floktari e të tjera.

Për t’i ndjekur këto trajnime, kërkohet regjistrimi në këtë agjenci si punëkërkues dhe më pas ofrohen trajnime në qendrat e aftësimit profesional.

Në Agjencinë e Punësimit të Kosovës, vitin e kaluar, kanë qenë të regjistruar mbi 82 mijë punëkërkues.

Për të zbutur papunësinë te të rinjtë, Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti ka hapur platformën “superpuna”, e cila synon të rinjtë nga 18 deri në 25 vjeç.

Në kuadër të saj, Qeveria e Kosovës subvencionon punëdhënësin duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj, në vlerë prej 264 eurosh. Punëdhënësi, pastaj, ka të drejtë ta shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar.

Pas periudhës gjashtëmujore, punëdhënësi mund ta mbajë në punë punëtorin duke nënshkruar kontratë të re, por edhe mund ta shkarkojë.

Autoritetet kanë thënë se synojnë që me këtë platformë, të punësojnë mbi 10 mijë të rinj, vitin e parë.

Në vitin shkollor 2022/2023, në një shkollë profesionale në Prishtinë ka nisur edhe mësimi dual, sipas të cilit, aftësimi në një kompani të caktuar kombinohet me lëndë në një shkollë profesionale.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë më herët për REL-in se kjo praktikë mund të inkurajojë më shumë të rinj që ta shohin të ardhmen e tyre në Kosovë. / KultPlus.com

Shfaqja “Babai dhe Babai” do të jepet në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Për të shënuar Ditën Kombëtare për Personat e Zhdukur me Dhunë, 27 prillin, shfaqja ‘Babai dhe Babai’ do të jepet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përcjell KultPlus.

Ky aktivitet organizohet nga Ministria e Drejtësisë, Kuvendi i Kosovës dhe Integra.

Shfaqja ‘Babai dhe babai’ me skenar nga Jeton Neziraj dhe regji të Kushtrim Koliqit është ndër shfaqjet më të suksesshme të kohëve të fundit e cila u shpërblye edhe me disa çmime nëpër festivale.

‘Babai dhe babai’ sjell bashkë në skenë aktorët Ilire Vinca, Bujar Ahmeti dhe Kosovare Krasniqi.

“Babai dhe Babai”, në dukje një dramë për sfidat e zakonshme të jetës së një familjeje, na zbulon një histori tronditëse dhe një traumë të thellë shoqërore, një plagë që ka ngelur e pashëruar dhe e cila personazhet i mban peng, përgjithmonë…

Kjo është një dramë për ata që duam t’i mbajmë afër… dhe i mbajmë! Pavarësisht palumturisë që na përplaset në fytyrë si ujë i ftoftë, pavarësisht ëndrrave që na e kujtojnë realitetin e vetmisë. Është një dramë për vetminë e thellë e për mërzinë që kullon dhimbje./ KultPlus.com

Arbnor Karaliti vjen me ekspozitë, ju fton t’i bashkoheni në një udhëtim të vetë-zbulimit

Arbnor Karalitit po sjell ekspozitën “Echoes of Solitude: Between Self and Society” e cila shfaq punën thellësisht personale dhe introspektive të artistit, përcjell KultPlus.

Ekspozita do të hapet në Tillt Radio & Community Bar, një hapësirë e dashur kulturore në Prishtinë, e njohur për koleksionin e saj të gjerë të vinylave dhe dashurinë për muzikën. Kjo ekspozitë është kuruar me kujdes nga Adrian Berisha, i cili sjell një sy të mprehtë dhe kuptim të thellë të temave që kërkon të eksplorojë Karaliti.

Si artist, Karaliti përdor artin e tij për të eksploruar dhe përballur përvojat e tij të vetmisë dhe tabutë shoqërore që mund t’i shoqërojnë ato. Nëpërmjet pikturave dhe instalacioneve të tij, Karaliti fton shikuesit t’i bashkohen atij në një udhëtim të vetë-zbulimit, duke përdorur artin si një urë për t’u lidhur me të tjerët dhe botën përreth nesh. Qasja e tij e orientuar drejt procesit dhe përdorimi i mediumeve të ndryshme pasqyrojnë natyrën e vazhdueshme të të mësuarit për veten përmes artit.

Në qendër të ekspozitës qëndron ideja se arti mund të jetë një mjet i fuqishëm për lidhje dhe komunikim, duke ofruar një hapësirë për dialog dhe reflektim mbi sfidat e lundrimit të identiteteve personale dhe sociale. Me “Echoes of Solitude: Between Self and Society” në Tillt Radio & Community Bar, Karaliti ofron një eksplorim prekës dhe empatik të përvojës njerëzore, duke prekur tema që janë thellësisht të rëndësishme për të gjithë ne.

Vizioni dhe ndjeshmëria e kuratorit Adrian Berisha ndaj temës sigurojnë që ekspozita të lërë një ndikim të qëndrueshëm tek të gjithë ata që e përjetojnë atë.

Ekspozita hapet më datë 30 prill, nga ora 18:0 në Tillt Radio & Community Bar dhe do të vazhdojë të qëndrojë e hapur për vizita prej datës 30 Prill – 30 Maj, me orar të rregull prej orës 10:00-00:00, e hanë – e diel. / KultPlus.com

Përvjetori i vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot vizitën historike të Papa Gjon Palit II në Shqipëri.

“Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur”, tha Papa Gjon Pali II, në nisje të fjalimit në pritjen zyrtare.

Atë 25 prill të vitit 1993, Papa Shën Gjon Pali II, duke iu drejtuar qytetarëve dhe besimtarëve të pranishëm në Sheshin Skënderbe, në Tiranë, ndërmjet tjerash nënvizoi: “Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe të ateizmi mbytës”.

Kjo ishte vizita e parë e një Pape të Romës në Shqipëri. Më 25 prill 1993 kreu i Selisë së Shenjtë u ndal në Shkodër dhe në Tiranë.

Pas vizitës së tij, në hierarkinë e re të pasdiktaturës u vendosën katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Ilia, Imzot Rrok Mirdita, Imzot Robert Ashta dhe Imzot Zef Simoni.

Në njërën nga fotot që publikoi sot DPA, paraqiten kërkesat për fonde për kryerjen e përgatitjeve për pritjen e papës si dhe dokumenti që ngrinte një komision qeveritar të ngarkuar me pritjen e tij.

Polaku Karol Jozef Vojtila u zgjodh “Papë” në Vatikan më 16 tetor 1978. Në vitin 1981 ju bë një atentat të cilit i shpëtoi dhe qëndroi për 27 vjet në krye të Kishës Katolike. / atsh / KultPlus.com

Fatmir Mustafa- Karllo sjell ekspozitën “Farë e çuditshme” në GKK

Galeria Kombëtare e Kosovës do të prezantojë këto ditë ekspozitën personale “Farë e çuditshme” të artistit Fatmir Mustafa- Karllo.

Veprat e Fatmir Mustafës- Karllos janë të lidhura, jo në kuptimin e artit si projeksion për përvojat personale por si dëshmi e gdhendur në material. Për dy dekada të mira, shumë prej veprave të tij kanë qenë të ndërlidhura me performanca dhe ndërhyrje të cilat riformulojnë hapësirat dhe proceset shoqërore duke i bashkuar ato me një këndvështrim alternativ.

Punimet e prezentuara në ekspozitën “Farë e çuditshme” u përkasin situatave, në radhë të parë në raport me hapësirat konkrete historike dhe publike prej nga buron materiali i përdorur dhe të cilave në të njejtën kohë edhe ju referohet. Pajisje mbrojtëse të punës, asfalt, dokumente historike – këto janë farat e çuditshme që artisti i përcjellë me kalimin e kohës dhe i përfshin në veprën e tij si forma rebeluese e alternative të kujtesë.

Farat në të njëjtën kohë janë edhe sende edhe burim i proceseve jetësore. Si fruta ato janë ushqim, diçka që prodhohet dhe shitet si produkt bujqësor. Në të njëjtën kohë çdo farë është imazh i potencialit të pastër, një burim i fshehur i zhvillimit, rritje dhe jetës. Farat e çuditshme janë ato fruta që janë jo të zakonshme ose thjesht duken të çuditshme në kontekstin e tyre. Si devijim i papritur ose i paqëllimshëm ato krijojnë pamje divergjente të rregullave. Vëmendja që ato tërheqin, denormalizon realitetin dhe e bën të anashkaluarën të dukshme.

Veprat e Karllos janë pika problematike ku përvoja nga trazirat sociale, dhunës dhe historisë mund të përjetohet nga këndvështrimi i dikujt që vë në pikëpyetje vetë-provën ose mungesën e dukshme të alternativave të këtyre proceseve. Ai këtë farë të çuditshme e sheh duke punuar kudo, duke shpalosur efekte të papritura në distanca të mëdha kohore. Ashtu siç e tashmja jonë është duke i mbjellur farat që do të formësojnë jetën e fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm.

Ekspozita hapet më datë 04 maj në ora 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

20 vjet pa Robert Shvarc, përkthyesi që e dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe

Robert Shvarci lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor, 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani, por ai dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, që nisi ta mësonte në moshën gjashtëvjeçare.

Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Robert Shvarc u nda nga jeta para kohe, më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.

Robert Shvarcit i është dhënë nga Presidenti i Republikës titulli Mjeshtër i Madh. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e mori këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të Qytetarit të Nderit të Tiranës. Ky titull iu dha atij me rastin 70-vjetorit të lindjes.

Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin “Kryqi i meritave gjermane”. Duhet kujtuar këtu se Shvarci ishte i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit. Gjithashtu ky titull është dhe i pari që presidenti gjerman i asaj kohe akordoi për një figurë të shquar të vendeve të Lindjes. Pas titullit që mori nga presidenti Alfred Moisiu dhe titujve të lartpërmendur, qëndrojnë një varg i gjatë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton që të hapësh kopertinat e një serie të gjatë librash për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc.

Mes këtyre librave, që janë ndër më mjeshtërorët, vlen të përmenden: Tre shokë, Harku i Triumfit, Asgjë e re nga fronti i Perëndimit, Shkëndija e jetës apo Obelisku i zi nga Erih Maria Remark; Çifutja e Toledos, Françesko Goja nga Lion Fojtvanger; dhe drama të Bertolt Brehtit, Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, Kënga e një nëne gjermane, Ditët e Komunës, Arturo Ui, Pushkët e nënës Karrar, Opera për tre grosh, Baali; nga Heinrich Heine: Gjermania, përrallë dimri; nga Gëte dhe Shileri: Poezi dhe balada. Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka, Xhevahir Spahiu, Hatibi, Ahmeti, Beqiri, Qosja etj./ KultPlus.com

Joe Biden e konfirmon: Do të rikandidoj për president

Joe Biden është pyetur shumë herë nëse do të kandidojë sërish për president, nëse ai do të kërkojë mandatin e dytë.

Por sonte, në prag të ditës që pritet të shpallë zyrtarisht, Joe Biden e konfirmoi këtë synim për Sky Neës.

“Është qëllimi im…” u përgjigj ai.

“A do të kandidoni përsëri, zotëri,” u pyet ai nga gazetarët e Sky Neës.

“Po,” u përgjigj ai.

Ka qenë njoftimi më i pritur në Uashington DC.

Ai duket se ka hequr pengesën e vetë-imponuar, si miratimi i familjes së tij.

Të gjithë kanë qëndruar skeptik dhe mendonin se Zonja e Parë Jill Biden do t’i thoshte “mjaft”. Sepse ai do të jetë 82 vjeç në kohën e rizgjedhjes dhe 86 në fund të mandatit të ardhshëm.

Para gjithë kësaj, ai do të duhet të kalojë intensitetin e jashtëzakonshëm të ciklit zgjedhor. Janë kandidatë sa gjysma e moshës së tij.

Për republikanët, mosha e tij është një pikë qendrore sulmi. Për demokratët, është një shqetësim i vërtetë, por është gjithashtu një avantazh.

Mbështetësit e tij tregojnë përvojën e tij. Ai ka më shumë përvojë se çdo politikan tjetër në shërbim në vend për shkak të moshës së tij.

Pastaj është rekordi i tij. Ai mundi Donald Trump në vitin 2020. Është e mundur, madje e mundshme, që Trump të jetë konkurrenca e tij duke pasur parasysh varësinë e Partisë Republikane ndaj tij.

Kështu që ekipi i tij shpreson që një rizgjedhje do të siguronte mandatin e dytë të Biden.

Por sondazhi i fundit tregon një histori tjetër. Sipas një sondazhi të ri të NBC, vetëm një në katër amerikanë miraton vendimin e tij për të kërkuar një mandat të dytë./ KultPlus.com

“Super Mario Bros.” kryeson për të tretën javë me shitje biletash në Amerikë të Veriut

“Super Mario Bros.” është filmi numër një në Amerikën e Veriut në shitje biletash, duke fituar 58.2 milionë dollarë shtesë në fundjavën e tretë me radhw.

Në vendin e dytë është renditur “Evil Dead Rise” me 23.5 milionë dollarë, “The Covenant” në t♪7 tretin me 6.3 milionë dollarë, “John Wick: Chapter 4” në pozitën e katërt me 5.8 milionë dollarë dhe “Dungeons & Dragons” në të pestën me 5.4 milionë dollarë.

Në pozitën e gjashtë është radhitur “Air” me 4.9 milionë dollarë, “The Pope’s Exorcist” në pozitën e shtatë me 3.3 milionë dollarë, “Renfield” në të tetën me 3.1 milionë dollarë, “Beau is Afraid” në të nëntën me 2.8 milionë dollarë dhe “Suzume” në pozitën e dhjetë me 1.7 milionë dollarë.KlanKosova/KultPlus.com

‘Mos ma kujto’, një ndër poezitë më të bukura të Dritëro Agollit

Poezi nga Dritëro Agolli

E shkuara ka çaste dhe orë të hidhura, mos ma kujto
për shembull, më pe me duar të lidhura, mos ma kujto!

Për shembull, më pe në rruge të pire, mos ma kujto,
Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!

Për shembull, më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,
Tek shihja një grerëz tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!

Për shembull, pësova diku një disfate, mos ma kujto,
Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me natë, mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto,
Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!

Për shembull, me pe duke ngrënë e genjyer, mos ma kujto,
Të prishur, të shturur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!

Për shembull, në shtrat s’u bëra për burrë, mos ma kujto,
I turpshëm i drodha si qengj nën lëkurë, mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,
Ka drojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura, mos ma kujto! / KultPlus.com

Kush ishte Konfuci, mendimtari kinez me më shumë ndikim në botë

Konfuci, filozofi, mësuesi dhe figura më e famshme e Kinës, është një nga mendimtarët më me ndikim në historinë njerëzore. Pavarësisht se u përball me shumë sfida dhe pengesa gjatë jetës, trashëgimia e tij si filozof dhe mësues mbetet një pjesë e rëndësishme e historisë dhe kulturës njerëzore.

Lindi në vitin 551 Para Krishtit nga Kong He, një komandant ushtarak 60-vjeçar dhe Yan Zhengzai, një 17-vjeçare nga një familje fisnike vendase. Gruaja e parë e Kong kishte lindur 9 vajza, ndaj gjenerali u martua me një grua më të re me shpresën se do të kishte një trashëgimtar mashkull.

Ai shkoi në shtëpinë e njërit prej fqinjëve, që kishte disa vajza adoleshente. Por asnjë nga vajzat nuk donte të martohej me një plak. Në fund, babai i tyre zgjodhi Yan Zhengzai. Menjëherë pas dasmës, çifti u drejtua drejt një mali të shenjtë me shpresën se një vend i tillë i shenjtë do të ndihmonte në ngjizjen e një djali të shëndetshëm. Funksionoi.

Legjenda thotë se kur ishte shtatzënë, Yan u vizitua nga një qilin, një qenie mitike me kokën e një dragoi, trupin e një dreri dhe i veshur së jashtmi me luspat e një gjarpri. Qilin i tregoi asaj një pllakë që parashikonte se djali i saj do të bëhej një burrë i madh dhe i urtë i njohur. Dhe kështu ndodhi.

Besohet se emri i vërtet i Konfucit ishte Kǒng Qiū (Zi). Zi kishte të bënte me prejardhjen e tij familjare. Por nga buron emri Konfuci? Është një latinizim i titullit të tij Kong Fuzi (Mjeshtër i Madh Kong). Ai u bë i njohur nga misionarët jezuitë që vizituan më vonë Kinën.

Konfuci nisi të jepte mësim në vitin 527 para Krishtit në moshën 24 vjeçare. Ai deklaroi si synim kryesor ndryshimet në qeverinë e korruptuar dhe të paligjshme nën të cilën jetoi, duke e mësuar brezin e ardhshëm. Për të, detyra kryesore e një mësuesi ishte t’i formonte studentët e tij si njerëz me një moral të lartë.

Konfuci lindi në një familje të shtresës së mesme. Ai nuk mund të përballonte një jetë luksoze apo arsimim të lartë, por ndërkohë ishte shumë më lart se sa të tjerët që bënin punë fizike. Shumica e njerëzve të shtresës së tij u bënë ose zyrtarë të gjykatës ose punonin si studiues dhe mësues.

Por duke qenë se i ati vdiq kur ai ishte vetëm 3-vjeç, ai u rrit nga nëna e tij, e cila ishte e ve dhe kishte shumë pak para. Praandaj në fillim pati një edukim modest. U martua me gruan e tij, Qiguan, kur ishte 19 vjeç dhe pati një djalë dhe dy vajza. Dhe për të mbajtur familjen e tij, u angazhua në një mori punësh të rëndomta si llogaritar, punëtor, bari lopësh dhe nëpunës.

Këto punë do të formësonin këndvështrimin e tij për jetën dhe mësimet. Pasi nisi karrierën si mësues, shkolla e Konfucit u zgjerua me shpejtësi duke tërhequr deri në 3000 studentë. Pikërisht përmes shkollës së tij nisi të ndërtohej edhe reputacioni i tij si një filozof i mençur dhe i talentuar.

Një nga studentët e tij, Tsekung Te Zeng, shkroi mësimet e mësuesit të tij në librin “Analektet”. Besohet se Konfuci shkroi shumë libra gjatë jetës së tij, por “Analektet” është i vetmi libër i lidhur drejtpërdrejt me të. Është një koleksion i rëndësishëm i mësimeve të tij, të shkruara fillimisht në kinezishten klasike.

Teksti ndoshta më i famshëm brenda librit është “Tre Bindjet”, që mëson se si të rinjtë duhet t’u nënshtrohen prindërve, eprorëve dhe shoqërisë në përgjithësi. Ky leksion përfaqëson mësimin e përgjithshëm të konfucianizmit se qeniet njerëzore mund të bëjnë vetëm më të mirën e tyre dhe nuk mund të ndryshojnë me forcë botën apo fatet e tyre. Si e tillë është detyra jonë të bëjmë më të mirën dhe t’ia lëmë Zotit pjesën tjetër.

“Analektet” ka qenë një nga librat më të lexuar në Kinë për mijëra vjet. Sot ai quhet zakonisht si “Bibla kineze”. Gjatë mbretërimit të dinastisë Zhou të Kinës së Lashtë (1122 deri në 256 Para Krishtit), çdo njeri i shtresës së tij duhej të ishte mjeshtër i “liù yì”, pra i gjashtë arteve. Këto arte ishin gjuajtja me hark, matematika, muzika, kaligrafia, karroca dhe ritualet. Konfuci ishte mjeshtër i të gjashtëve dhe i integroi ato në filozofinë e tij.

Si një figurë dhe filozof shumë i respektuar, Konfucit i janë atribuar një mori karakteristikash pozitive. Por ai lidhet më së shumti me dy, “humanizmin” dhe “moderimin” e tij. Në mendjen e Konfucit, humanizmi ishte një tipar universal që duhet ta kishte çdo person.

Përkufizimi i tij mbi humanizmin përfshinte virtytet e ndershmërisë, dhembshurisë dhe mirësjelljes, dhe ai mësoi se ecuria e njeriut në jetë varej nga ajo se sa shumë do t`i përqafonte këto vlera. Tipari i dytë për të cilin ai njihej ishte moderimi.

Një pjesë kryesore e filozofisë së tij ishte moderimi në të gjitha gjërat. Gjithçka duhet të jetë e ekuilibruar, as shumë as pak. Kjo nënkuptonte balancimin e emocioneve dhe veprimeve dhe vetëpërmbajtjen nga sjelljet e tepruara. Nga ana tjetër shumë nga mësimet e Konfucit e vënë theksin tek rëndësia e familjes.

Ai thoshte se vetëm brenda familjes mund të përkufizohet dhe zhvillohet plotësisht një njeri. Kjo ide pasqyronte kryesisht fiksimin e tij me traditat e vjetra dhe atë që ai e shihte si prishje morale në Kinën bashkëkohore. Detyrimet dhe marrëdhëniet familjare ishin kyçe për filozofinë e tij.

Për Konfuciun, ishte detyrë e burrit të donte dhe të çmonte gruan e tij dhe në këmbim, ishte detyra e saj t’i bindej burrit. Po kështu, është detyrë e fëmijëve t’u binden dhe respektojnë prindërit e tyre, si dhe detyrë e anëtarëve më të vegjël të çdo familjeje të respektojnë të moshuarit.

Konfuci besonte se një prishje e këtyre vlerave tradicionale do të çonte në ndryshime më të mëdha shoqërore, dhe gjendja e jetës familjare kishte pasoja për jetën publike. Si e tillë një shtëpi që ishte në rregull të mirë prodhonte një shoqëri të rregullt dhe në harmoni.

Kjo çoi në traditën e vizitave familjare gjatë Vitit të Ri Kinez duke u frymëzuar nga mësimet e Konfucit. Çdo vit kinezët udhëtojnë për të qenë me të dashurit e tyre gjatë Vitit të Ri Hënor dhe për të reflektuar mbi rrënjët e tyre, dhe mezi presin ta kalojnë vitin e ardhshëm si familje.

Koha gjatë së cilës jetoi Konfuci u karakterizua nga trazirat politike. Shteti i tij i lindjes, Lu, drejtohej nga Lordi Ding. Nën të vinin 3 familje aristokrate, Ji, Shu dhe Meng, dhe anëtarët e këtyre familjeve mbanin të gjithë postet më të rëndësishme burokratike dhe politike. Politika ishte shumë konkurruese me njerëzit që bënin gjithçka për të pasur sukses dhe për të promovuar veten.

Kjo çoi në një mungesë morali në sistem në përgjithësi, gjë që shkaktoi një korrupsion të madh dhe probleme të panumërta. Rreth vitit 500 para Krishtit, kur ishte 50-vjeç, reputacioni i Konfucit kishte arritur një nivel të tillë, saqë ai u ftua t’i bashkohej politikës për t’i dhënë fund korrupsionit.

Ai e nisi karrierën e tij politike si një magjistrat, më pas si ndihmës ministër, përpara se të ngrihej në titullin e lartë të Ministrit të Brendshëm në shtetin e Lu. Në këtë pozicion, ai vendosi rregulla të reja radikale që synonin t’i jepnin fund korrupsionit dhe nepotizmit të shfrenuar.

Fatkeqësisht, ata u injoruan. Jo shumë kohë pasi kishte hyrë në politikë, Konfuci u largua, duke shkuar në një mërgim të vetë-imponuar 13-14-vjeçar. Për këtë veprim jepen shpjegime të ndryshme. Por dy më të besueshme janë se ai ose ndjeu nevojën për t’i përhapur më tej mësimet personalisht, ose se u zhgënjye shpejt me politikën pasi nuk arriti të çrrënjoste mësimet e tij mbi dekadencën morale të qeverisë dhe korrupsionin e shfrenuar.

Konfuci u rikthye në shtetin e tij të lindjes në moshën 68-vjeçare. Ai i kaloi vitet e fundit te jetës duke u përpjekur të shpëtonte shtëpinë e tij, duke këshilluar zyrtarët e qeverisë, duke vazhduar të mësonte dishepujt e tij dhe duke punuar mbi tekste të ndryshme që ai shpresonte se do të përhapnin mësimet e tij. Ndikimi i tij në Kinën moderne dhe filozofinë globale në tërësi ishte dhe mbetet ende shumë i madh.

Marrë me shkurtime nga ancient origins – bota.al/KultPlus.com

Biznismeni blen “rërë” në Dubai për 34 milionë dollarë

Nuk është një rezidencë spektakolare, as një apartament luksoz por është vetëm hapësirë e madhe me rërë në një ishull artificial në Dubai. Ishulli i krijuar nga njeriu Jumeirah Bay në Dubai, në formën e kalit të detit, ndodhet larg nga kontinenti, por është i arritshëm nga një urë për ata që duan të shkojnë.

Ai është vetëm një plazh i zbrazët 24,500 metra katrorë por megjithatë një person ishte i gatshëm të paguante 34 milion dollarë ose 42 milion paund për të dhe e bëri pikërisht këtë më 19 prill.

Blerësi nuk është identifikuar, por ata i kanë siguruar shitësit një fitim të rregullt prej 88.5 milionë dirhem. Pronari i mëparshëm pagoi 36.5 milionë dirhemë për të njëjtën hapësirë ​​dy vjet më parë, sipas Departamentit të Tokës së Dubait.

Pronari i ri , i cili nuk jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe, thuhet se ka në plan të përdorë më shumë hapësirën sesa pronari i mëparshëm, pasi ata shpresojnë ta përdorin atë për të ndërtuar një shtëpi pushimi familjare./abcnews.al/KultPlus.com