Fragmenti më domethënës nga romani “Alkimisti” i autorit Paulo Coelho

Dielli ra në mendime dhe vendosi të shndrisë edhe më shumë. Era, që kënaqej nga ky kuvendim, fryu edhe më shumë, që rrezet e diellit mos e arrinin djaloshin.

“Për këtë është Alkimia,” shtoi ai. “Që secili nga ne të kërkojë thesarin dhe ta gjejë, e më pas të dëshirojë të bëhet edhe vetë më i mirë se më parë. Plumbi do të hyjë në punë derisa bota mos të ketë më nevojë për të. Paskëtaj atij i duhet të shndërrohet në flori. Këtë gjë bëjmë ne Alkimistët: na tregojnë se, sa herë që duam të bëhemi më të mirë nga ç’jemi, edhe gjithçka që na rrethon bëhet më e mirë.”

“Atëherë, pse thua që unë nuk e njoh Dashurinë?” pyeti Dielli.

“Sepse Dashuria nuk është e palëvizshme si shkretëtira, dhe nuk do të thotë që t’i biesh botës kryq e tërthor siç bën era, dhe as të bësh sehir nga lart siç bën ti. Dashuria është burimi që vë në lëvizje dhe e bën më të mirë Shpirtin e Botës. Kur arrita ta kuptoj për herë të parë, atëherë m’u mbush mendja se ishte e përsosur. Por më pas vura re se ajo ishte pasqyra e të gjitha krijesave e se brenda mbante luftërat dhe dëshirat e tyre. Jemi ne që e mbajmë gjallë Shpirtin e Botës: toka ku jetojmë do të bëhet më e mirë a më e keqe nëse do të jemi më të mirë apo të këqinj ne. Këtu hyn dhe forca e dashurisë, sepse kur biem në dashuri gjithnjë duam të bëhemi më të mirë nga ç’jemi.”

“Ti ç’kërkon nga unë?” e pyeti Dielli.
“Të thashë, më ndihmo të bëhem erë,” u përgjigj djaloshi.
“Natyra më mban si më të mençurën e krijesave,” shtoi Dielli, “por s’di qysh të të bëj erë.”
“E kujt t’i lutem tani?”

Për një hop Dielli qëndroi i heshtur. Era, që ende mbante vesh, donte të përhapte aty për aty nëpër botë lajmin se njohuritë e Diellit ishin të pamjaftueshme. Megjithatë, s’dëshironte të largohej nga ai djalosh që fliste Gjuhën e Botës.

“Fol me Dorën, se ajo ka shkruar gjithçka!” tha Dielli. /KultPlus.com

Presidentja Osmani: Serbia brenda 24 orëve shkeli dy  herë marrëveshjen e Ohrit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se brenda 24 orëve Serbia ka bërë dy shkelje të Marrëveshjes Bruksel/Ohër, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në Twitter, Presidentja Osmani ka thënë se shkeljen e parë të marrëveshjes, Serbia e ka bërë duke ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë, ndërsa si shkelje të dytë e ka përmendur lobimin dhe votimin kundër aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

“Në më pak se 24 orë, Serbia ka bërë dy shkelje të Marrëveshjes Bruksel/Ohër: Ndërhyrja e jashtme në zgjedhjet në Kosovë (në ndesh me nenin 2), lobimi dhe votimi kundër aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës (në ndesh me nenin 4. Marrëveshje e re, por Serbi e njëjtë e vjetër”, ka shkruar Osmani në Twitter./KultPlus.com

‘Suus’ kënga që e radhiti Shqipërinë në vendin e pestë në Festivalin Evropian të Këngës 2012 (Video)

Rona Nishliu është këngëtare është një këngëtare mjaft e sukseshme, e cila ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës 2012.

Nishliu ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2012 në Baku, Azerbajxhan pasi fitoi përzgjedhjen kombëtare më 29 dhjetor 2011 me këngën “Suus”. Ajo në Azerbajxhan fitoi vendin e pestë në finale me 146 pikë – rezultat i cili është më i miri i Shqipërisë deri më sot.

Ajo ka lindur më 25 gusht 1986 në Mitrovicë./KultPlus.com

Pianistja Anila Aliu fiton Çmimin e Parë në Bangkok të Tajlandës

Pianistja Anila Aliu, ka fituar Çmimin e Parë dhe Çmimin Kryesor në Finalen e World Championship International Competition të mbajtur në Bangkok të Tailandës, shkruan KultPlus.

Anila Aliu është një paniste e talentuar dhe me karrierë të shkëlqyer, e cila ka interpretuar edhe në skenat më prestigjioze të Muzikës Klasike në botë.

Pak kohë më parë ajo ka fituar bursë të plotë 100% në universitetin prestigjioz “Roosevelt University- Chicago College of Performing Arts” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në klasën e pianistit me famë botërore (i nominuar i Grammy Aëards) Prof. Adam Neiman.

Anila pëmes një postimi në facebook ka falënderuar të gjithë për përkrahjen e ofruar./KultPlus.com

‘Gjyshi me kish thënë prej se jemi ndarë, atje ke vëllanë që kurrë nuk e kë parë’-Çamëria

Enkelejda Arifi dhe Hysni Alushi janë këngëtarë me prejardhje nga Çameria, të cilët identifikohen me këngën popullore, këngën çame dhe popullore të Shqipërisë së jugut.

KultPlus ju sjell një interpretim të tyre me këngën Mall për Çamërinë:

çamerii na mori mallii
moj çamerii
se ne vete u ndame nga halli
moj çameri
na mori maaaaaaaaallllii

enkleida:
gjyshi me kish thene e se kur jemi ndare
atje ke vellan qe kurre nuk e ke pare
shume kohe u mendova sa u be sahati
vajta te takoja vellane nga FILATI

hysni:
oo moj nusee e bukur
c’te solli ksaj ane
keshtu me te dukur
me dukesh si çame

oo kur te shoh keshtu moj xhane
me jelek e me citjane
borzilok e manxurane
çame e kaluar çame

enklejda:
vij nga SHQIPERIA atje jam me shpi
jam nga ÇAMERIA came jam si ti
prinderit kur u ndane amanet ma lane
mos harro FILATIN atje ke vellane

hysni:
ngrihem nga sofati shqepem ne te qare
mos je motra ime vite ste kam pare
e kapa per floku e putha me mall
c’me kujtove nenen si kur te jete gjalle

refreni:

u ndame per se gjalli
s’njohim njeri-tjetrin motra snjeh vellanee
i riu te vjetrin 2x

u ulem se toku
shkrepem ne te qare
c”qe ky fati jone
te jetojme te ndare
ne kete bote te madhe ndodhin mrekulli
njerezit le te ndahen bashkohen nje dite

u ndame per se gjalli humbmë njeri-tjetrin
motra s’njeh vellane i riu te vjetrin
u ndame per se gjalli humbem njeri tjetrin
motra s’njeh vellane i riu te vjetrin

eeeeee ÇAMERII moj çamerii copa-copa
vende-vende ti ne ate ane une ne kete ane
amanet pleqt na lan varret ti leme ne vatan
çameri moj cameri na mbeti loti ne si (sy)
gjith jeten pa te pare mbetem rrugeve te ndare
s’ka nje varr per te qare çameri moj çameri
se ku mbarova nuk e di si ti nuk pash ne gjith
dynjane po ta dish o cameri jesh dhe mbeta cam

refreni:

e ne kete bote te madhe ndodhin mrekulli njerezit le te ndahen bashkohen nje dite 2x

Restaurohet Katedralja “Zonja Ndihmëtare” në Prizren, në proces të restaurimit edhe Muzeu i Hidroelektranës (Foto)

Muzeu i Hidroelektranës dhe Katedralja “Zonja Ndihmëtare” në Prizren, janë asete të trashëgimisë kulturore të cilat janë në procesin e restaurimit përmes projektit “Trashëgimia kulturore si nxitës për dialogun ndër-komunitar dhe kohezionin social”, shkruan KultPlus.

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, ministri Hajrulla Çeku, ambasadori i BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së Maria Suokko, kanë vizituar këto lokacione për të parë së afërmi punimet në këto asete me rëndësi për trashëgiminë kulturore.

“Katedralja u ndërtua në fund të shekullit të 19-të dhe ka qenë objekti kryesor fetar i komunitetit katolik për rajonin e Prizrenit, ndërsa Hidroelektrana u ndërtua ndërmjet viteve 1926 dhe 1928 duke e furnizuar Prizrenin me energji elektrike deri në vitin 1973. Në vitin 1979 u shndërrua në Muzeun e Energjisë Elektrike.”, thuhet në njoftimin e MKRS në facebook.

Punimet restauruese në Katedralen”Zonja Ndihmëtare”  kanë përfunduar, kurse punimet në Muzeun e Hidroelektranës janë duke vazhduar ende./ KultPlus.com

Arkeologu Muçaj: Në vjeshtën e vitit 535 pati një vullkan të madh e cila e zhvendosi qytetërimin në zona shkëmbore

Arkeologu Skënder Muçaj, prej vitesh në pension ka prezantuar në Akademinë e Shkencave kërkimet shkencore në site arkeologjike me shpenzimet e tij.

“Duhet të keni parasysh që arkeologjia nuk është punë që bëhet ma paratë e shtetit por bëhet me pasionin që ka secili”, ka thënë ai.

Hulumtimet e tij kanë vërtetuar veprën e Prokopit të Çezaresë i cili thoshte se Justiniani ndërtoi kala në çdo kodër, tha Muçaj, ndërsa përmendi se vetëm Tirana ka 19 kala.

“Arkeologët e kanë diskutuar gjithmonë që nuk është e vërtetë. Tirana e vërteton plotësisht Prokopin, jo vetëm ato që thotë Prokopi por ka edhe shumë të tjera”, është shprehur Muçaj.

Leksioni i tij hodhi dritë edhe mbi periudhën e errët të historisë së vendit tonë, nga shekulli i 6-të në të 11-in. Ai foli për një vullkan të madh në vjeshtën e vitit 535  dhe më pas përmbytje që zhvendosën popullsinë.

“Unë e kam filluar të tjerë duhet ta vazhdojnë si studim për të gjetur gjithë këto qendrat. Pse? Kishim një qytetërim shumë të pasur të periudhës ilire, romake e antikitetit të vonë, ku vajti? Ne nuk trashëgojmë qytete.   Janë 4 dokumente, një nga Kina, një nga Aleksandria, një nga Kostandinopoja dhe një nga Ravena. Një vullkan i fuqishëm në 535. Qytetet nuk ishin në majat e maleve fillimisht, por ishin poshtë. Të prekur nga balta, lluca popullsia u ngjit në zona të larta dhe në zona shkëmbore”, ka thënë ai.

Muçaj i gjen ngulimet e reja të Mesjetës në Koman, ku janë gjetur 27 banesa kasolle 8 me 4 metra dhe më të vogla ndërtuara në shkëmbinj të gërryer, si edhe Shpirag  dhe Zhulat, ku  vëren pjerrësi të theksuara në zonat e banuara në faqe malesh dhe i përkasin harkut kohor të shekullit të 6 dhe gjatë gjithë mesjetës./Ballkanweb/KultPlus.com

‘N’ Shqypní ká djelm si zâna, që për mbret e troje t’veta…nuk u dhimet gjâja as jeta’

Lahuta e Malcís – Oso Kuka

Zot, ç’ ká thánë njaj Avdi Pasha:

Paska mbetë Shqypnija m’ vasha,

Qysh se s’ léka mbrendë nji djalë,

N’ at Vranine mue sod me m’ dalë,

N’ at Vraninë, m’ at t’zezë terthore,5

Kû mbe’n shkret sá armë mizore,

Kû mbe’n djerr sá tokë gratçore,

Kû mbe’ n vithnat pa bagtí,

Veç prej cubash t’ Malit t’ Zí,

Qi po vrasin djelmt e rí, 10

Qi po mârrin lopët me viça,

Qi po presin dhênt me ogiça,

E po djegin kulla e stane,

E po thájn kaq zêmra nane!

Eh! po,knjazi ke Cetina 15

Ka lshue cubat kah Vranina,

Per me vrá atà e per me pré,

Per me djegun gur e dhé,

Veç si t, nisë degamë me né;

Pse dushmani âsht tue ndersy,20

Tokët e Mbretít per me i msý,

Per me i msý e me i rrembý.

Nji djalë m’ voter t’ m’ ishte llâ,

Paçë m’ i a lânë t’ âmen me fshâ,

Paçë m’ i a lânë motren me kjá: 25

T’ mjeren moter, ehu! pá vllá,

E n’ Vraninë un kjeçë tue e qitun,

Cubat knjazit per m’ i a pritun.

Por mue djalë nuk m’ ká qillue;

E n’ Shqypní nji djalë drangue,30

T’ cillit mos t’ i dhimet jeta

Per Daulet e troje t’ veta,

Fort kerkova e s’ mund e gjeta.–

Kshtû ankoi Pasha turçelí.

Oso kuka paska ndí: 35

Paska ndí,po,e kênka idhnue:

M’ sylah doren paska çue:

Me qitë m’ Pashen ká mendue.

Por i urti kurr nuk ngutet,

Prej burrnís e jo prej tutet, 40

Prandaj Osja ndali doren,

E as m’ e xjerrë s’ e xuer mizoren,

N’ fletë t’ sylahit çatallue;

Veç pá folë s’ mujt me u durue:

Avdì Pashë, tha, mâ kadalë! 45

Mos e thuaj dý herë at fjalë,

Se, per Dî’n e per Imâ’n,

T’bâj qi t’ kjajë e zeza nânë!

T’ bâj qi t’kjajë pa <<exhel>>tý nâna;

Pse n’ Shqypní ká djelm si Zâna, 50

Qi per Mbret e troje t’ veta

Nuk u dhimet gjâja as jeta:

E kû i lypë besa e burrnija,

Kû i lypë Mbreti e i lypë Shqypnija,

Kta mâ t’ parët jânë n’ fushë t’ mejdanit,55

Kta mâ të rrebët janë n’ballë t’dushmanit:

Janë çelik per tef t’ taganit.

Marre vedit kurr s’ i lâmë!

Pá ksulë m’ krye pa opingë në kâmbë,

Na per Mbret e per Atdhé 60

Per kanû, per besë e Fé,

S’ druem me rá nder pré të thyeshme,

S’ druem me msý kalát e rrmyeshme:

E kahdo qi t’ bjerë Shqyptari,

Shkon rrufeja tue e ndezë zhari,65

Pushkë e besë pse na la i Pari.

E ti tash vjen ktû e na thue:

Se n’ Shqypni nji djalë drangue,

Qi per mbret e troje t’ veta

Nuk i dhimbet gjâja as jeta, 70

Fort kerkova e s’ mund e gjeta…

Por s’ké faj; pse zâni i zí

Aj ká dalë, po, per Shqypní,

qysh se erdh Pasha turçelí,

Qse edhè t ‘ hujve sod Shqyptari 75

Qiri m’ kambë do t’ rrijë qyqari,

Si punue né s, na ká i Pari…

Por po i lâm tash na kto fjalë.

Në Vraninë, qe , un jam tue t’ dalë,

Cubat Knjazit me t’i a ndalë. 80

Veç t’i lypi un dyzet vetë,

Dyzet vetë, po, djelm të letë,

Qi të desin kû t’ zatesin:

Si mund t’léjn veç e n’Shqypn’;

E po t’ ap besen e Zotit, 85

Se, pa u djegë un n’ flakë t’ barotit,

S’ ká me u lshue per t’ gjallë Vranina.

Avdì Pasha kênka çue,

Osos doren ká shterngue:

Aferim, bre,ti Oso Kuka! 90

Se tý t’ thotë fjala edhè duka

Qi ké lé nji sokol malit.

Zgidh kû t’ jetë, po, pika e djalit,

Edhè del ti n’ at rranxë boke:

N’ at Vraninë, kû t’zezat loke,95

Qi kan mlue, ehu! djelmt e rí,

Qi kan kthy rejat n’ gjiní,

Janë tuj t’ pritë si drita diellin.

Foli Pasha. Buzës s’ Cukalit,

N’krye t’javës, dielli kur u çue, 100

Per me shndritë mbí kobe të shekullit,

Kû e perbuzne shuen e drejta,

Qafës s’Kalás, qe, çeta e Osos

Po mêrr rrugen kah Vranina.

Çetë e vogel, por kreshnike: 105

Dyzet vetë mâ s’ janë me t’ njehun:

Djelm te zgiedhun n’mal e n’ vrrî,

Jo per dukë e per pashí,

Por per zêmer e trimní:

Oso kuka na u ká prî. 110

Oso Kuka, ‘i rrfé prej qiellit,

Shoq nuk ká kah vrân e kthiellet.

A she’ i herë, ka’ i bje sokakut,

Se ç’ m’i bâjn t’ gjith tungjatjeta!

Se ç’ permnershem xheverdarja 115

M’ i flakon mbí sup të krahit,

Si ajo rrfeja n’ natë thellimit!

N’ fletë t’ sylahit— folé bollash

Çatallue i ká dý kuburet:

T’ mnershemet motra t’ t’idhtë taganit,120

Qi ndermjet u rri kercnue.

Veshë e mbathë e n’armë shtrengue,

Shtatin div, e sý’ n si zhgjeta,

Oso Kuka n’ jelek arit,

Pash e m’ pash po i bjen pazarit.125

Njitë mbas tij vjen shpata e dekës,

Soko Tona i Gurit t’ Lekës;

Soko Tona, si Valbona,

Larg permendë m’ kto male t’ ona,

Si per bukë n’ shpí t’ tij të ngranme,130

Si per pushkë e besë të dhanme.

Thonë se i ká nja trí nishane,

Trí nishane, me fermane

Per sherbim qi i baka Mbretit

Ktej e andej valen e detit. 135

Mbrapa i shkonin qa’ i biri i t’ mirit,

Taro Pllumi i Jegumirit.

Mandej vînë dý rê mizore,

Dy djelmoça prej Zagore:

Kaçel Doda e Kerrni Gila: 140

Rritun mocë si karajfila.

Ehu! bre Oso, Oso-rrfeja,

Ç’ kan me t’namë dý vasha t’ reja:

Ç’ kan me t’ nam dý bija nane

N’ ato mrize e n’ ato stane, 145

Kúr, kercunat, kan me ndí,

Se ke zgiedhe dy dhandrra t’ ri,

Me i perpjekë me Mal të Zí.

Po a thue e njef njat kime-zí,

Qi e ká ballin si siní, 150

Qi e ká sýnin si duhí,

Qi i ká shpatllat si nji arí?

Aj âsht Çoku i Mar Kolë Dinit

Prej Kabashit t’ Dukagjinit:

Trim i çartun, trim si Zânë, 155

I pá tatë edhè i pá nânë,

Dy gur njitë, thonë, s’ i ká lânë.

Per mbas ktij vjen çeta tjeter,

Do mâ t’ rí, do prap mâ t’ vjeter,

Por t’ gjith mocë me trimëní: 160

Me trimní e me bujarí:

Veç, per dukë e per pashí

Dán mâ n’ shâj njaj Jup Qehaja,

Galo Keqi e Sinanaja,

Vuksan Gjeli e Met Zeneli; 165

E nder t’gjith– porsì hýll drite,

Preng Markola prej Mirdite:

Lypë per pushkë ky e per pleqní

Q’ mêrr prej Shkodre e n’Peshkopí.

Veshë e mbathë e m’ armë shtrengue: 170

Thue se krushq po duen me shkue:

Nja mbas nja’i po i bien Pazarit,

Si ajo rê qi prej Tivarit

Njitet zí terthoreve t’ona,

Per me shkrepe ndokahe t, e vona: 175

Edhè kapen m’ at breg Buene,

Kû n’ nji lunder u rreshtuene.

Vend n’ at lunder t’ gjith kur zune,

Rrqase âsht lundra e veli u nde,

Edhe nise âsht porsi rê, 180

Tuj çá valen nper Liqê:

Tuj çá valen kah Vranina,

Kû po bâte nâm Cetina./KultPlus.com

Në Durrës nis sezoni i kroçerave, “La Belle De L’Adriatique” sjell 134 turistë francezë

Durrësi ka nisur zyrtarisht sezonin e kroçerave turistike edhe për këtë vit kalendarik. Mëngjesin e kësaj të hëne është ankoruar në port kroçera “La Belle De L’Adriatique”, e cila ka sjellë 134 turistë, kryesisht francezë.

Për të disatin vit radhazi është pikërisht “La Belle De L’Adriatique”, që hap siparin e sezonit turistik për kroçerat në portin e Durrësit, të cilat sjellin turistë nga vende të ndryshme të botës.

Turistët e huaj gjatë qëndrimit njëditor ndalen në sitet arkeologjike të Durrësit, Krujës e Tiranës.

Anija me gjatësi 111 m, e cila lundron nën flamurin belg u ankorua në kalatën 5 të portit. Ky nuk do të jetë lundrimi i saj i vetëm drejt Durrësit për këtë vit, ndërsa mësohet se gjatë këtij sezoni kjo anije turistike do të vizitojë portin më të madh të vendit edhe 5 herë të tjera.

“Monet”, “Sea Cloud, “Amadea” apo “Seven Seas” janë disa nga kroçerat që do të rikthehen edhe këtë sezon në portin e Durrësit.

Anijet turistike dhe jahtet po përfshijnë gjithnjë e më shumë vendin tonë në axhendat e tyre, duke e kthyer në një prej destinacioneve të preferuara.

Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Portual Durrës, përgjatë periudhës prill-tetor 2023, 23 kroçiera kanë konfirmuar ndalesën e tyre në Durrës.

Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për pritjen e anijeve dhe sigurinë e turistëve në territorin portual, duke vënë kalatat portuale në funksion të tyre përgjatë gjithë sezonit.

Në përfundim të vizitës së saj në Durrës, kroçera “La Belle de L’Adriatique” do të niset drejt portit të Barit, Mal i Zi, për të vijuar eksplorimin e siteve turistike në brigjet e Mesdheut/atsh/KultPlus.com

Nxënësit e shkollës do të jenë të parët që do ta shpallin Charlin mbret

Kur Mbreti Charles të kurorëzohet në Westminster, Londër muajin e ardhshëm, nxënësit e një shkolle ngjitur do të jenë të parët që do të shpallin zyrtarisht monarkun e ri duke thirrur “Vivat Rex” (“Rroftë mbreti!”).

Dyzet e tetë studentë në shkollën private prestigjioze Westminster kanë bërë prova për muaj të tërë për momentin e madh të 6 majit, një traditë që daton të paktën në vitin 1685.

Tradita e nxënësve, djemve dhe vajzave të moshës 13 deri në 18 vjeç që kanë arritur nderime akademike, të marrin pjesë për herë të parë në kurorëzimin e James II të Anglisë.

Në vitin 1902 brohoritjet e tyre kur këndonin “Vivat Rex” u përfshinë nga kompozitori Hubert Parry në himnin e tij “Isha i lumtur”, i cili u përdor në kurorëzimin e të gjithë monarkëve pas Eduardit VII. “Është një përgatitje mbresëlënëse sepse nxënësit e Shkollës Mbretërore Westminster nuk janë anëtarë të një kori në kuptimin formal, ata janë nxënës të shkollës”, u shpreh Tim Garrard, drejtor i korit të shkollës./abcnews.al / KultPlus.com

Pogradeci dhe Parisi në pikturat e Anastas Kostandinit

Deri në datën 31 prill, artdashësit mund të vizitojnë në Pogradec, ekspozitën e Anastas Kostandinit (Taso), të titulluar “Qytetit, si pikturë, muzikë, arkitekturë”.

Artisti sjell në këtë ekspozitë 25 punime kushtuar qytetit të tij Pogradecit si edhe 16 punime që i përkasin Parisit.

Kjo ekspozitë ka ardhur në një formë tepër të veçantë, pasi është gërshetuar me muzikën, ku ka interpretuar Kuarteti “I.L.A 74” me një larmi muzike klasike.

“Kryetema e pikturës time, në mënyrë të padiskutueshme, është qyteti. Dua ta krahasoj qytetin tim me metropolet. Është një lloj ekstravagance, por mendoj se arti e ka këtë luks”, shprehet piktori, i cili duket se figurativisht ka zbuluar një rrugicë që lidh Pogradecin e vogël me Parisin e madh.

“Në këtë ekspozitë, Pogradecin dhe liqenin e pamë me sytë e piktorit Anastas Kostandini, nëpërmjet peisazheve të tij plot ngjyra, ku ndihej dashuria e madhe për të”, shprehet prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, i pranishëm në çeljen e ekspozitës.

“Qyteti i Tasos” gjendet në Galerinë e Arteve, Pogradec ku hyrja është e lirë për të gjithë./ atsh / KultPlus.com

Promovohet katalogu i artit pasbizantin në Muzeun Historik Kombëtar

Sot, në ambientet e pavijonit të ikonave pasbizantine, Muzeu Historik Kombëtar bëri promovimin e katalogut “Ikonat pasbizantine në Muzeun Historik Kombëtar” në gjuhën angleze, të autorëve dr. Dorian Koçi dhe Andrea Llukani.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha se Muzeu Historik Kombëtar si institucioni më i madh i memories kombëtare për të përmbushur misionin e tij, ka botuar katalogun në gjuhën angleze “Post-Byzantine Icons in The National Historical Museum.

Pavijoni i ikonave pasbizantine është ngritur në vitin 1999, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës. Në mjediset e këtij pavijoni janë ekspozuar rreth 70 ikona pasbizantine, një proskinitar, dyer të bukura dhe një ikonostas. Objektet përfshijnë një hark kohor që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX, që njihet si periudha e artit pasbizantin.

Në katalog ka ikona të ikonografëve Onufri, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Kostandin Jeromonaku, Joan Athanasi vëllezërit Zografi, vëllezërit Çetiri, anonimë dhe Mihal Anagnosti. Katalogu ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë trajtohen ikonat pasbizantine, ndërsa në pjesën e dytë, objektet liturgjike kishtare prej ari dhe argjendi.

Materiali është renditur sipas radhës kronologjike. Për jetën dhe veprimtarinë artistike të piktorëve ikonografë, autorët janë mbështetur te mbishkrimet kishtare, që ata kanë lënë mbi ikona, afreske ose objekte liturgjike kishtare. Katalogu mbyllet me një fjalorth, me anën e të cilit shpjegohen veshjet kishtare dhe enët e shenjta që përmenden në tekst./ atsh / KultPlus.com

Biletat e fazës së dytë të Unum Festivalit shiten në kohë rekord – Vetëm 10% të mbetura

 
Vetëm pak javë kanë mbetur nga festivali i shumëpritur Unum, dhe organizatorët kanë njoftuar se 90% e biletave janë shitur, duke e bërë këtë vit një nga eventet më të nxehta në rajon.

Festivali Unum i këtë viti ka një lineup mbresëlënës prej mbi 90 artistësh ndërkombëtarë dhe lokal, duke përfshirë disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës elektronike. Adhuruesit e muzikës elektronike në qershor do kenë mundësinë të kërcejnë për 6 ditë e 6 netë nonstop nën tingujt e Marco Carola, Hot Since 82, Ricardo Villalobos, Beduin, Sonja Moonear dhe shumë të tjerë.

Festivali do të zhvillohet në plazhin idilik të Shëngjinit, në Shqipëri dhe premton të jetë një eksperiencë e paharrueshme për të gjithë ata që do të marrin pjesë. Nga data 1 deri më 6 qershor, të pranishmit e festivalit mund të zhyten në muzikën dhe kulturën e rajonit, duke shijuar një mjedis të bukur të bregdetit shqiptar.

Unum Festival është shndërruar tashmë në një prej festivaleve më të pritura të vitit në Shqipëri. Me një line-up kaq të plotë, është e zakonshme që biletat të shiten në kohë rekord, dhe tani vetëm 10% e tyre janë në dispozicion për blerje. Biletat në këtë fazë kushtojnë 59 euro dhe pas përfundimit të kësaj faze, do të jenë në dispozicion me çmim 79 euro. Biletat mund të blihen online në faqen zyrtare të Festivalit Unum ose përmes partnerëve të tyre zyrtarë të biletave, Rave dhe Gowild.

Opsionet e akomodimit janë gjithashtu të disponueshme përmes web faqes të Unum Festival, me një sërë opsionesh që i përshtaten të gjitha buxheteve.

Drejtohuni tek www.unumfestival.com për detaje të plota dhe informacione tjera për biletat dhe akomodimet. / KultPlus.com

Doli numri i parë për këtë vit i revistës “Jeta e Re”

Doli numri i parë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Revista hapet me një ligjëratë të Vladimir Nabokov-it me titullin “Shkrimtarët e mirë dhe lexuesit e mirë”, përcjell KultPlus.

Ndërkaq, në rubrikën e prozës vijnë: Virion Graçi me “MSH”, Lutfi Lepaja me “Dhuna në familje”, “Jeta ndryshe”, “Dhimta e zemrës”, “Tregimi për pleqërinë”, Sevdail Zejnullahu me “Shosha”, Besa Kalaja me “Rrëfimi i të shtatit”, Antonio di Benedetti me “Fluturat e Kohut”, “Njeriu-qen”, “Kali në kripore”, “Urdhër për të vrarë” dhe Ade Negri me “Epilogu”, “Pulëbardhat”, “Rebecka” dhe “Qëllimi im”.

Në rubrikën e poezisë janë prezentuar Sali Bashota, Xhavit Beqiri, Azem Qazimi, Arben Idrizi, Guy Goffette, Charles Simic, Rabah Bellamri dhe Lucilla Trapezzo.

Në rubrikën qendrore Dossier vjen shkrimtari i njohur gjerman Wolfgang Hilbig, i cili është përfaqësuar me një cikël të gjerë poezish, me tregimet “ Bazameti i fortë” dhe “Fabrika e braktisur”, pastaj me esenë “ Tokë e reme” dhe intervistën me titullin “ Nuk mësova si të jetoja, por si të shkruaja”. Dhe në fund vjen shkrimi për veprën e tij “Magjia ndjellëse dhe saktësia obsesive e shkrimit të Wolfgang Hilbig-ut” nga Laszlo Krasznahorkai.

Rubrika e kritikës fillon me tekstin “Libri i Zorbës” të Agron Y. Gashit, për të vazhduar me “Mes errësirës së varrit të  Tufës  dhe seigle-s” të Alma Demës, “Gjergj Fishta, hero kulturor dhe klasik letrar” të Ndue Ukajt, “ La cour et de la  wille” të Erich Auerbach-ut, “Të shkruash midis rreshtash: gjuha e përkthimit” të John Starroc dhe “ Ndryshimi i debatit: Shenja e bibliotekës në kulturën popullore” të Korneliam Tansheva-s.

Në rubrikën Classicus vazhdon  pjesa V e “Retorikës” së Aristotelit.

Përkthyesit që kontribuuan në këtë numër janë: Alket Çani, Erion Karabolli, Ilir Breca, Arben Idrizi, Arta Hallaçi, Alfred Beka, Blerina Rogova Gaxha, Jehona Shala dhe Valon Veliqi. / KultPlus.com

Çmimi “Jakov Xoxa” i ndahet librit “Stilografia” të Sabri Hamitit

Në hapje të “Panairit të librit akademik dhe shkencor” të organizuar nga akademitë e Kosovës dhe Shqipërisë, librit “Stilografia” të Sabri Hamitit i është akorduar Çmimi “Jakov Xoxa”, të cilin e ka themeluar Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, përcjell KultPlus.

Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, e ka lexuar vendimin, ndërsa Çmimin ia ka dorëzuar Sabri Hamitit, kryetari i ASHSH-së, Skënder Gjinushi.

Të pranishmit i ka përshëndetur edhe Agron Xoxa, i biri i shkrimtarit shqiptar, Jakov Xoxa.

Në fjalën e tij, pas pranimit të Çmimit, Sabri Hamiti ka folur për Xoxën dhe krijimtarinë e tij letrare, duke shprehur nderim për vlerësimin që i është bërë librit të tij.

“Qendra e Librit dhe e Leximit ka bërë një gjetje të pazakontë duke i dhënë emrin e novelistit e romansierit Jakov Xoxa një çmimi për vepër kritike. Kjo edhe duket si një pohim që shkrimi i leximit letrar bëhet letërsi.

Në librin tim Stilografia, tashmë të shënjuar me emrin Jakov Xoxa, kryevepra e Xoxës “Lumi i vdekur”, renditet midis kryeveprave të letërsisë shqipe.

Romani “Lumi i vdekur”, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar ishte bërë një libër kult për brezin e ri të lexuesve në Kosovë: për përmasat e thurjes së romanit epik në shqip; për marrëdhëniet njerëzore e shoqërore të kosovarëve të shpërngulur me vendasit në Shqipëri; e sidomos i pëlqyer në tregimin e dashurisë të Vitës e Adilit.

Romani adhurohet sidomos për stilin e tij që i ngjet prozës së Mitrush Kutelit pararendës dhe që gjen vazhdimin në prozën e Vath Koreshit.

Romani “Lumi i vdekur” tematizon në mënyrë origjinale fenomenin e Natyrës dhe Kulturës, duke i sprovuar me Humanen, për të përapëlqyer natyralen si kundërpeshë të arrogancës së njeriut.

Këtë zbulim do ta ketë bërë cilido shkrimtar, që e ka takuar Jakov Xoxën në Apolloni, në fillim të viteve 70-të, kur ai vetmitar, i paqtuar me natyrën po thurte prozën e vet epike, larg kryeqytetit dhe klubit të thashethemeve”, shprehet Hamiti. / KultPlus.com

Universiteti Shtetëror i Arizonës dhe Uni-Universum International College: Një Partneritet Dinamik për Edukimin Global

Në botën e sotme të ndërlidhur, institucionet e arsimit të lartë po e njohin gjithnjë e më shumë rëndësinë e partneriteteve globale për t’u ofruar studentëve mundësi të ndryshme mësimi dhe për t’i përgatitur ata për sukses në një treg pune gjithnjë e më të globalizuar.

Universiteti Shtetëror i Arizonës dhe Uni-Universum International College kanë krijuar një partneritet dinamik që ilustron këtë prirje, duke krijuar një bashkëpunim unik që u ofron studentëve një përvojë të jashtëzakonshme arsimore me një perspektivë globale.

ASU, një universitet i njohur kërkimor publik me bazë në Shtetet e Bashkuara, dhe Uni-Universum International College, kanë bashkuar forcat për të krijuar një partneritet të veçantë që u lejon studentëve të fitojnë diploma të dyfishta nga të dy institucionet.

Ky partneritet bashkon pikat e forta dhe ekspertizën e dy institucioneve me prejardhje kulturore, qasje arsimore dhe vendndodhje gjeografike të ndryshme për të ofruar një përvojë të vërtetë të të mësuarit global.

Për më shumë informata rreth nesh kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum facebook & instagram.

Arbëreshët, pjesë e Sallonit Ndërkombëtar të Librit në Torino

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) do të jetë pjesë e agjendës së Sallonit Ndërkombëtar të Librit në Torino, të Italisë.

Këtë vit Shqipëria do të jetë e ftuara e nderit, në Panairin Ndërkombëtar të Librit që do të organizohet në Torino, në datat 18-22 maj 2023. Ndërsa më 21 maj 2023, në sallën “Albania” po në Torino, do të zhvillohet një takim i dedikuar për QSPA, e cila do të përfaqësohet nga Drejtorja Ekzekutive e saj, Diana Kastrati dhe nga tre prej studiuesve të qendrës, Silvana Nini, Dorina Arapi dhe Rudina Hoxha.

Ky takim është një aktivitet prezantues mbi veprimtarinë dhe botimet e qendrës në një hark kohor trevjeçar, si një strukturë koordinuese për të promovuar kulturën dhe trashëgimininë e arbëreshëve të Italisë.

Në këtë takim, si dhe gjatë gjithë programit të Panairit do të jenë gjithashtu të pranishëm autorë e studiues shqiptarë që përfaqësojnë Shqipërinë në Panairin Ndërkombëtar e Librit në Torino. / KultPlus.com

“Dhimbjet palosi me kujdes”

Visar Emerllahu

Pjatën e fshiu me kafshatën e fundit
Uria i kishte mbështjellë cipën e trurit
E mbante ngrohtë në gjirin e pangopësisë.
Valixhet po zvarriteshin në tokën e baltosur
Kryengritnin për të refuzuar harrimin
Dhimbjet palosi me kujdes, e shpirti lakuriq
ngrinte nga të ftohtit e zemrës.
Pak fjalë i jargaviteshin buzëve
Flokët i zgjateshin si litar ku kish lidhur ëndrrat
Mëria si një uragan i shkundte duke i përplasur
në fytyrën time.
Lamtumira për mirësjellje sish gjë veç ledhatim
fëmijëror, që ikjes i shpejtonte hovin.
Ajo, ish e tëra ëndrra ime, qenia saj labirinthi
ku doja të përhumbesha përjetësisht.
Iku, ndërsa unë s’po kuptoja se ikja qenka çmimi
i dhimbjes që nuk e bleva kurrë! / KultPlus.com

Mall e dashni

Gazmend Bërlajolli

Malli, tek ndërthur kënaqat e lumnitë e të shkuemes me dhimbën e vuejtjen e mungesës së tyne tash, vjen i hidhët e i ambël bashkë. Malli asht shfaqë dashnie. Dikush a diçka e dashun, afër o këtu ma s’asht, por dashnia për te vazhdon. Prandaj edhe dy shijet përzihen e bahen nji. Kësisoj të ngjizuna vijnë mprehtas në poezinë e Vlora Ademit.

               Poetja asht e vetëdijshme për dhimbën e mallit. Madje, e mallueme, ajo bahet dhimbë:

A thue dhimba mall, a malli dhimbë ka ma shumë?

pyet poezia “Hovi drejt turrit”. Nji dikush i dashun asht largue këso toke. Ka lanë mbrapa dy rreze drite që ballin ia prekin atje përtej, të mbetun, mësojmë, me e rritë shtatin me fotografinë e t’et, amanetin e tij të randë.

               Dhimbë e mall bahen e njejta fjalë në letër, e prej këtu, kur në mbrendinë tande prej lexuesi të rizbërthehen, të bajnë përnjiherë me u vetëdijesue: tanë kjo dashni!

Vlora nuk trillon gja. Në vargun e saj, hipotetike a të sajueme nuk ka kurrsend. Të tana sa na shfaq janë ndodhi e gjendje që, edhe kur të hueja, i përmbrendëson e i filtron së pari nëpër shpirt. Mandej veç i landëzohen në fjalën që bahet edhe e jona.

Gjuha e saj vjen e përpunueme me ekonomizimet dhe sintaksat që kurrë në prozaizëm nuk devijojnë. Ajo ndijen e mbërthen, e ban zap, e përimton, grimca-grimca ia ushqen intelektit që ky ta lëshojë në letër, në varg ta shndërrojë. Të rrallë janë mjeshtrit që, kësisoj të kulluet, ia dalin, në fjalë, ndijen me e kodue.

               Qe edhe nji tjetër prej vargnimesh të saj mjeshtërore. Sapo i lexohet dedikimi përposht, me nji gjetje fort të veçantë, kushtue “nanave Ferdonije”, menjirend e mirëfilli kontekstualizohet poezia “Boshi i birit”. Antroponimi që poetja këtu përdor asht atipik dhe prandaj i kudonjohun lehtësisht, bash pse asociues i drejtpërdrejtë i boshit shpirtnor me të cilin u mbetet me e plakë jetën nanave që, emnake në mos qofshin, simotra të nanës Ferdonije janë.

               Nji rreng të mirë ia përgatit lexuesit dedikimi në fjalë. I vumë në shumës, “nanave”, sugjeron Ode kushtue këtyne. Por kjo, po ciku nëpër gjuhë hagiografike, lehtë shket në patetizëm. Prandaj, tue e shpresue ma të mirën, mprehesh menjirend për ma të keqen, e nis me lexue.

               Kur, ç’me pa? Zani që flet nuk asht hiç ai i përnderimit të nanave që rrnojnë me vrragën e pamelhem. Poetja asht mishnue, ba vetë njana sosh, në kujën që, tue qenë tashma vrima e shpueme mbrenda vetë shpirtit të saj, asht pjekë për me pikue ndije e me u dlirë në poezi. “Odeja” që pritëm na rezulton Elegji. I vdekuni aty asht “bir” i poetes vetë. Vaji asht i saji shqim. E kur, tue folë në veten e parë, kjo “nanë Ferdonije” klith:

Zot!

Po qysh mujte aq gjakftohtë me e pa atë dramë?

Qysh mujte me ma shtrenjtue kaq shumë biletën e lirisë?

mishi mornicash të pushtohet.

Për ty që lexon mes rreshtash, Vlora asht cok njajo që përmes këtij vargu ke me e njohë: poetja që heton mbrenda vetes nëpër ndijen e mallit e të dashnisë, se janë këto për të cilat e me të cilat don dhe din ma së shkathti me vargnue. Ia lexove vargun, ia njohe shpirtin.

               Ajo që ndjell mallnimin e poezisë “K’shtu t’due” asht dashnia për qytetin e lindjes, ikonë e Kosovës dhe e Ballkanit, të cilit emni nuk i ndërmendet, e as s’ka pse. Për kend ka shue etin prej shadërvanit e ngjitë përpjetën gjarpnuese drejt kalasë së tij, pikat referenciale mbrendë poezisë i mjaftojnë për t’ia shqiptue emnin vetë me zanin e heshtun të vetëdijesimit. Tash dimë nga asht poetja, por edhe se ma atje nuk rron.

               E, për me i zblue ma tej gurët prej mozaikut poetik që asht, në fakt, letërnjoftimi i saj, vjen poezia “Pasqyrat”. Nji “gjysmë tjetër” e ka poetja, e dashnia mes sosh asht e ndërsjellë:

Po asnji pasqyrë magjike

nuk ma shfaq nji unë të vërtetë,

siç ma shfaq vështrimi

kur me veten takohem te shikimi yt.

Me të njejtën dashni poetja e don vetveten. Nji tjetër majë e vëllimit, “Nuk ia fali mostradhtinë”, që qysh me titull çon vetulla përpjetë, bash për gjetjen idiosinkratike, ka me e lanë të mëdyshun gjithcilin lexues. Ajo mbyllet me zanin të ngritun në protestën që, mveshë me ironi, vjen e tërthortë:

se n’vendin ku jam rritë

burrnia e burrave matet

veç me numrin e grave

që i shtien n’dorë!

Autorja i shpëton, megjithatë, përdorimit të tonit përgjithësues misandrik – klisheizue ky tashma në emën të kësaj proteste. Më bahet se asht kështu veç pse Vlora nuk asht tjetër në karakter veç kësaj që, e qashtër, na zblohet prej ndjesive që vargon. Ajo asht vetë mall e dashni.

               E mahnitshme edhe ma fort bahet poetja kur e mendon se botimeve poetike me këtë ble po u vjen për herë të parë. I uroj nji jetë të gjatë poetike, e cila të jetë po kaq e jona, sa edhe e saj./ KultPlus.com

Festivalet muzikore më të mira të Evropës këtë verë

Pas shumë vitesh festivale muzikore të anuluara, kjo është vera e dytë, ku të gjithë emrat kryesorë rikthehen në fuqi. Fatkeqësisht, kjo gjithashtu ka nënkuptuar interes të madh për argëtuesit e privuar nga muzika dhe biletat po blihen me një ritëm më të shpejtë se kurrë.

Ndërsa Coachella mund t’i ketë mahnitur të gjithë ndikuesit e mediave sociale dhe radhët në internet për të blerë bileta, të Glastonbury mbeten të pamundura për t’u kaluar, ne ju kemi sjellë një listë të festivaleve më të mira të Evropës jashtë rrugës së rrahur.

Paleo Festival, Zvicër

Festivali Paleo, i mbajtur në Nyon pranë liqenit të Gjenevës, është një nga festivalet më të vjetra të muzikës në Zvicër dhe një nga ngjarjet më të mëdha në ambient të hapur në Evropë.

Paleo është gjithashtu shumë më tepër se një festival muzikor; ngjarja vjetore do të mbahet në datat 18-23 korrik të këtij viti, duke shfaqur gjashtë ditë dhe net muzike në të gjitha llojet e stileve të shpërndara në shtatë skena nga pop, reggae, metal, elektro, punk, xhaz dhe madje edhe muzikë klasike, si dhe cirku dhe artet e rrugës.

Njeriu i Gjelbër, Uells

Çdo gusht, që nga viti 2003, kodrat e Uellsit janë të gjallë me muzikë në Festivalin Green Man në Brecon Beacons (i cili kohët e fundit shkaktoi pak bujë duke ndryshuar emrin në Bannau Brycheiniog).

Dikur një ngjarje e vogël me 300 persona, një ditë, Green Man është bërë një nga të preferuarit e Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht me fansat indie, folk dhe elektronik.

Festivali Kingsland, Holandë

Çdo vit, 27 prilli festohet në Holandë si një festë kombëtare për të shënuar ditëlindjen e mbretit Willem-Alexander. Megjithatë, Dita e Mbretit të ditëve moderne është me të vërtetë vetëm një justifikim për të festuar. Në fakt, holandezët janë aq të përkushtuar për ta festuar këtë ditë sa më të dehur që të jetë e mundur, saqë nëse 27 prilli bie të dielën, festa festohet një ditë më parë për t’u dhënë njerëzve kohë hangover.

Qyteti i Amsterdamit është shndërruar në një portokalli të ndezur, pasi njerëzit veshin rroba portokalli, hanë ushqime me brymë portokalli dhe mbulojnë gjithçka me dekorime portokalli. Fëmijët ngrenë tezga në të gjithë qytetin për të shitur xhingla argëtuese ndërsa të rriturit takohen në rrugë dhe në varka për të pirë festa.

Nuits de Fourvière, Francë

Lioni është i pasur me hapësira të lashta teatrale dhe festivali Nuits de Fourvière e shfrytëzon këtë në maksimum.

E vendosur në kodrën e Fourvière, e cila ishte pjesa e parë e Lionit (atëherë e quajtur Lugdunum) që u vendos dhe u zhvillua nga romakët, festivali zhvillohet çdo verë midis rrënojave të Théâtre Antique de Fourvière dhe në Odéon de Lyon. pranë Basilique Notre-Dame de Fourvière, përcjell tutje albinfo.ch. / KultPlus.com

PriGlobal fillon sot, ju pret një javë me përzgjedhje të jashtëzakonshme të filmave

PriFest ka zgjeruar aktivitetet e tij me lansimin e PriGlobal, si javë e filmit e ndarë nga ngjarja kryesore që do të mbahet në shtator, përcjell KultPlus.

Nga sot, 24 prill e deri më 28 prill, PriGlobal sjell cdo natë duke filluar nga ora 20:00, një përzgjedhje të jashtëzakonshme të filmave të pavarur artistik në qendër të qytetit, në Kino Armata. Tregime prej vendeve të ndryshme të botës që të nxisin të mendosh, të realizuara me qasje regjisoriale inovative, të shpalosura në 5 ditë të bukura pranvere.

Përzgjedhjen e filmave për PriGlobal e ka bërë Claudia Landsberger.

5 filma do të garojnë për filmin më të mirë, 3 nga këta filma janë premiera regjionale dhe 2 filma janë premiera në Kosovë.

PriFest falenderon Ministrinë e Kulturës, Rinisë & Sportit të Republikës së Kosovës dhe Bankën Raiffeisen për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, si dhe Kino Armatën për bashkëpunimin. / KultPlus.com

“Kopshtet e ëndrrave”, 10 parqet më të bukura në botë (FOTO)

Parqet dhe kopshtet janë gjithmonë një zgjedhje ideale për të kaluar kohën e lirë, duke ecur, vrapuar ose thjesht duke u çlodhur në ajrin e pastër. Më poshtë, kemi renditur dhjetë parqet më të bukura nga e gjithë bota.  

Kopshtet e “Las Pozas”, Meksikë

Krijuar nga poeti britanik, Edward James, midis viteve 1947 dhe 1949, kopshtet janë të frymëzuara nga stili surrealist. Ato përbëhen nga dhjetëra skulptura të mëdha dhe struktura arkitekturore të kombinuara me një gjelbërim të harlisur tropikal. Aty gjenden edhe pishina të shumta natyrore, prej nga ku kanë marrë emrin parqet.  

Kopshtet e Villa d’Este, Tivoli, Itali

Vila d’este në Tivoli u përurua së bashku me kopshtet e saj në vitin 1572 dhe mbrohet nga UNESCO. Kopshti, vepër e Pirro Ligorio, organizohet në disa nivele duke filluar nga fasada e pasme e vilës e mbushur me bimë kacavjerrëse, e më pas vazhdon me tarracat dhe shpatet e mbjella me pemë e lule të rralla. Sigurisht, një kopshti të tillë klasik nuk mund t’i mungojnë elementet ujore si pellgjet me zambakë apo shatërvanët me statuja mermeri. 

Parku i Pallatit Mbretëror Caserta, Itali

Ky park u projektua nga Luigi Vanvitelli dhe djali i tij Carlo dhe është një nga më të mëdhenjtë në Evropë. U krijua në mesin e shekullit të XVIII, mbulon 120 hektarë tokë dhe është frymëzuar nga planimetria e parqeve të mëdha evropiane, si Versaja dhe Schönbrunn.    

Kopshti Botanik Mbretëror, Kew, Londër

Ndodhet shumë pranë me qytetin e Londrës dhe është një nga kopshtet botanike më të mëdha dhe më të rëndësishme në botë. Mbulon një sipërfaqe prej 120 hektarësh dhe përfshin hapësira të dedikuara për kopshtin tradicional anglez. Një kompleks serrash, një faltore ikonike e shekullit të 18-të dhe një qendër kërkimore botanike, janë pjesë e “Royal Botanic Garden”.

Kopshti Botanik i Bruklinit, Nju-Jork

I vendosur në zemër të Nju-Jorkut si një oazë në qytet, parku mbulon mbi 21 hektarë me pemë, shkurre dhe lule të shumta. Ndër të tjera, në të gjenden edhe pemë frutore, një kopsht aromatik, një me varietete të rralla, një tjetër vetëm me trëndafila dhe një me bimë ujore. Muzeu Cornelius Vander Starr Bonsai, si dhe një galeri arti janë gjithashtu të vendosura në “Brooklyn Botanical Garden”.   

Keukenhof, Lisse, Holandë

Ky park botanik, i vendosur rreth tridhjetë kilometra nga Amsterdami, zotëron shumë hektarë me lule, por veçanërisht me tulipanë. Rreth 7 milionë tulipanë mbillen çdo vit, duke dhuruar një pamje spektakolare. 

Kopshtet e Versajës, Paris, Francë

Me një sipërfaqe prej rreth 800 hektarësh, parku i Versajës është një nga kopshtet më të mëdha dhe më të vjetra në Evropë. Ndërtuar me urdhër të Luigjit XIV në vitin 1661, ato u projektuan nga André Le Nôtre dhe u deshën plot 40 vjet punë për t’i përfunduar. 

Butchart Gardens, British Columbia, Kanada

Projektuar nga Jennie Butchart – e cila punoi me burrin e saj në vitin 1904 për të krijuar këtë kopsht fantastik duke përdorur tokën e një ish-guroreje – Kopshtet Butchart shtrihen në ishullin Vankuver. Përfunduar në vitin 1921, kopshtet ndahen sipas disa tematikave, duke përfshirë kopshtin japonez, kopshtin italian, kopshtin e trëndafilave etj. Në vitin 2004, ata u shpallën si një vend historik kombëtar i Kanadasë. 

Kenrokuen, Kanazawa, Japoni

Kopshti konsiderohet si një nga më të bukurit në Japoni. Krijuar në shekullin e shtatëmbëdhjetë, dikur ishte pjesë e kështjellës Kanazawa. Është shtëpia e rreth 8750 pemëve dhe 183 llojeve bimore.   

Kopshtet Generalife, Granada, Spanjë

Generalife, rezidenca verore e shumë sundimtarëve, rrethohet nga një kopsht i jashtëzakonshëm. Pjesë e kopshteve janë edhe oborret e shumta magjepsëse brenda ndërtesës, zbukuruar me bimë, pishina dhe shatërvanë. / a2cnn / KultPlus.com

Parisieni 95-vjeçar, sfiduesi që e shndërroi librarinë e tij në thesar të trashëgimisë botërore

Libraritë e vjetra i ngjajnë atyre thesareve të groposura thellë në kohë, zbulimi i të cilave mbetet ngjarje, jo dhe aq për çmimin se sa për vlerën që bart në shpërfaqjen e potershme të dritës. Ata struken atje në kthinat e rrugëve të qyteteve të mëdha, porsi ajo pafajësia që i druhet çdo hapi kuturu e ndihet përplot me jetë aty ku ka gjithnjë pak dritë dhe pak ajër që përzihet me aromën e letrës, bojës, e parfumeve të adhurimit ku u zhytën në pritjen që është e pambarimtë dhe padurimin e mbetur diku nëpër adresa të gabuara e jetëve të këputura beftas.

Në fotot e Timothée Damas (https://www.instagram.com/timdamas/?hl=fr) shohim një zotëri që mban mbi kurriz 95 vite të jetës në “Umberto Arte Bookstore in Paris”. Nën atë peshë ku ai përkulet, rri ai si një misionar në kryq, rri shenjtëria e asaj që ai besoi vite e vitet, ndërsa drejtonte një librari që u hap shumë dekada më parë në Paris, për të mbetur një thesar. Me gjithë moshën, taksat e larta dhe vështirësitë e ndryshme, ky zotëri hap librarinë e tij të vogël gjashtë ditë në javë. Pret e përcjell kureshtarë, blerës dhe porositës, me një pasion që ka mbushur shpirtin e tij përgjatë gjithë atij kalvari. Në ato pak metra katrorë, rafte që rëndojnë nga pesha dhe mosha, duart e tij delikate gjarpërojnë dhe sytë e ujtisur kullotin si në një lëndinë yjesh në pikasjen e një shkreptime të beftë shkëlqimtare.

Libraritë e vjetra janë ato pak tempuj të mbetur, ku ende kundërmon temjan shenjtërimi, ku zërat e kakohshëm e shpirtrat e përjetësisë rrinë të strukur në fletët e vërdhemta e kopertinat hijerënda si porta katedralesh.

Ata janë të magjishëm në atë vend ku libri erdhi për të mbetur magjepse dhe adhurim. Në zhguallin e këtij përjetimi të beftë e mistik, ka diçka që rrekesh ta formësosh në fjalë e kumtosh në përjetim. Është një gjendje prej fryme që të mban pezull. Është një valë mendimesh e trandje përfytyrimesh, që të ngërthen si një përqafim që të zë hutuar dhe të lë pa frymë.

“Unë marr frymë, duke u kënaqur në atë aromën e veçantë të librit. Ka vetëm një gjë që më pëlqen më shumë se aroma e bukës së freskët dhe kjo është aroma e librave. Dyqani i … është një kombinim i librave të përdorur dhe të rinj, dhe aroma më duket dehëse. Ka diçka për parfumin e letrës në çdo fazë të mundshme për një libër: krejt i ri, i nxehtë jashtë shtypshkronjës, i vjetër prej dekadash, i mbuluar me pluhur dhe lagështi. Po, ndoshta është pak e çuditshme. Por nuk më intereson. Për mua është hyjnore’ mëton Sarah Echavarre Smith. Dhe vërtetë ashtu ngjan për çdo dashnor të librit kur mban në duar një libër dhe i merr erë, si një luleje apo qafës prej mjelme të të dashurës. Ai mbushet me këtë aromë dhe dehet me këtë ndjesi. Përjeton këtë çast si çdo sublimitet dhe harrohet në hutim e lexim, puthje e përqafim. Ndoshta prej të gjitha dashurive që ngopen me kundërmim, afshe e polen, ky ambrozi që dalldisi perënditë antike në Parthenonin legjendar, është frymëmarrja që ndjej në çdo nevojë për t’u ngopur me plotëninë që më shndërron në ajër. / Albert Vataj / KultPlus.com