Shëngjini do të presë nga 1-6 qershori festivalin ndërkombëtar të muzikës elektronike, UNUM.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu dhe organizatorë të tjerë të këtij festivali zhvilluan një takim, që i paraprin nisjes së UNUM Festival.
Kumbaro tha se, ky festival do të mbledhë mijëra të rinj nga Evropa, duke u kthyer në kartivizitë prestigjioze të Shqipërisë turistike.
“Këtë vit ky festival vjen me mbi 90 artistë nga e gjithë bota, por edhe me ndjeshmërinë për mjedisin, me aktivitete për mirëmbajtjen e zonës dhe pastrimit, ndarjes së mbetjeve për riciklim, që janë po aq të rëndësishme sa vetë muzika”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro tha se, “është një festival miqësor me mjedisin në zonën ku zhvillohet nga data 1 deri më 6 qershor dhe sigurisht ka gjetur vendin ideal të një perle të bregdetit si Rana e Hedhun”.
Gjatë ditëve të këtij festivali do të zhvillohen aktivitete sportive, muzikore e promovuese të bregdetit shqiptar, të gjitha nën kurorën e mjedisit e zhvillimit të qëndrueshëm.
Nga Tina Turner/Jam lodhur gjithë jetën. Askush nuk më ka dhuruar gjë. Pas kaq shumë vitesh punë dhe pas kaq shumë vuajtjesh, sinqerisht me zor po prisja të jetoja momentin, me bashkëshortin tim Erwin, që të zgjohem çdo mëngjes me qetësi, pa mendime, nevoja apo projekte. E kam arritur nirvanën time, mendova. Ajo gjendje lumturie absolute, pa dëshira, është diçka e mrekullueshme. Tre muaj më vonë, papritur u zgjova e terrorizuar. Një rrufe më kishte goditur në kokë dhe në këmbën e djathtë, ose të paktën kështu më dukej, dhe kisha një ndjesi të çuditshme në gojë që më ndalonte t’i kërkoja ndihmë Erwin-it. Dyshoja se nuk ishte asgjë e mirë, por ishte shumë më keq nga ç’mendova. Kisha pësuar një goditje cerebrale.
Ndodhem e ulur në një karrige për të bërë analizat në një spital të Zollikon, në Zvicër, vetëm dhjetë minuta nga shtëpia ime dhe e kam shumë të vështirë të injoroj vdekjen që më rreh shpatullat e më thotë: Tina? Tina, jam këtu për ty! Po kërkoj dëshpërimisht të ruaj shëndetin, për aq sa mund ta bëj me vetëm pesë për qind të funksionimit të veshkave, teksa pres me padurim që trupi im të bëhet aq i fortë për të duruar mundësinë e vetme të shërimit: një transplant veshkash, i cili mund të më shpëtojë jetën.
Prit një moment, do më thoshit. Nuk po kuptojmë asgjë: a nuk pësove një goditje cerebrale? Të dashur, edhe unë jam më shumë se konfuze. Katër vitet që pasuan martesën time ishin një vargmal rus që edhe unë vetë lodhem duke mbajtur mend katastrofat klinike që më kanë ndodhur. Presion i lartë gjaku, goditje cerebrale, kancer në zorrë. Jo, jo. Nuk është ky rendi. Goditje cerebrale, marrje mendsh e pastaj kanceri në zorrë. Ndërsa tani na doli edhe pamjaftueshmëria e veshkave. Më duhen më shumë se nëntë jetë për të kaluar gjithë sa më ka ndodhur.
Duhet të rikthehem në klinikë disa herë në javë. Falë Erwin-it, që është shumë i kujdesshëm, rutina mbetet gjithmonë e njëjta. Në ditët e terapisë parkon përballë Chateau Algonquin në mënyrë që unë mund të kaloj direkt në makinë. Është aq xhentil saqë gjithmonë e hap ai derën për mua. Pastaj ndalojmë në një lokal të vogël në Küsnacht, jo shumë larg stacionit hekurudhor. Unë rri në makinë, që mos më njohin, ndërsa Erwin vrapon të marrë disa ëmbëlsira. Kështu do të kemi disa gjëra të mira për të ngrënë gjatë orëve të gjata që na presin.
Rruga drejt klinikës është si një lojë kukafshehti, plot tension. Në një farë mënyre kemi arritur ta mbajmë për disa vite të fshehtë faktin se unë jam e sëmurë rëndë. Kjo u bë e mundur sepse jetojmë në Zvicër, ku njerëzit kanë më shumë respekt për privatësinë se sa në vendet e tjera. Pastaj unë dhe Erwin gjetëm një mënyrë precize për t’u siguruar se nuk do të na njihnin, mbi të gjitha brenda klinikës, ku do të isha një pre e lehtë për paparacët.
Kur arrijmë, Erwin parkon përpara hyrjes anësore. Prej aty, sallat e dializës janë shumë afër. Zakonisht, në dimër, vesh një pallto të zezë apo ndonjë xhup të rëndë me një kapuç të madh që të mund të fshihem pas atyre veshjeve. Gjatë ecjes rrimë të heshtur, në mënyrë që asnjë të mos dëgjojë zërin tim e të kuptojë se flas anglisht, sepse përndryshe ndonjë që kalon mund të më njohë, të shkrepë ndonjë fotografi e t’ia shesë mediave. Nuk më japin një dhomë private, por nëse do ta bënim, s’do të më pëlqente sepse kurrë nuk kam qenë ndonjë divë kapriçoze. Dua të trajtohem si gjithë të tjerët, jo të dallohem vetëm sepse në jetë kam pasur pak më shumë fat. Mjekët bëjnë ndonjë përjashtim, sepse ashtu si edhe unë, duan të shmangin fotografët.
Kur është e mundur më lënë takime në oraret më të qeta, kur ka pak pacientë nëpër këmbë dhe infermieret e mbyllin zonën ku ndodhem me një tendë. Përpiqem ta bëj sa më të këndshme kohën që kaloj duke bërë dializën. Kur nuk më vjen për të vjellë, ha ëmbëlsirat dhe lexoj libra. Çuditërisht marr të njëjtat libra me vete: Librin e Sekreteve të Deepak Chopra, Komedinë Hyjnore të Dantes dhe një libër me fotografi të mrekullueshme nga Horst P. Horst. Diçka për shpirtin, diçka për mendjen dhe diçka për shqisat. Nuk lodhem kurrë me këta libra, që më ngjallin mendime dhe emocione të thella. I rilexoj vazhdimisht për të gjetur frymëzim dhe rehati.
Ditë pas dite ndjek këto rituale, teksa gjaku im pastrohet. Lexoj, dremis, zgjohem dhe humbas sërish nëpër mendime. Mendon për Erwin-in. Jetoj sërish me kujtimet e mamasë sime të ndjerë, të motrës, të fëmijëve dhe të fëmijërisë. Habitem kur e gjej veten duke menduar për Ike (bashkëshorti i parë, me të cilin Tina Turner ka qenë e martuar në vitet 1962-1978 dhe është ndarë nga jeta në vitin 2007). Vazhdoj të them se e kam mbyllur atë pjesë të jetës, por megjithatë çdo moment e gjej në kokën time duke kërkuar vëmendje. Risjell në mendje fillimin e marrëdhënies sonë, momentet e këqija, vendimin tim për ta lënë dhe për të nisur një jetë të re. Shumë prej këtyre reflektimeve janë ndërsjellë në mendjen time edhe më herët, por kurrë në mënyrë kaq të gjallë. Kur sheh fytyrën e vdekjes, fillon të mendosh ndryshe.
Si përfundova nga një martesë ëndrrash në një prej kështjellave buzë liqenit të Zyrihut në një karrige dialize? Është një histori e gjatë. Si arrita të vij nga Nutbush, në Tennessee, në atë kështjellë? Është një histori edhe më e gjatë. Qëkur jam lidhur me makinerinë e dializës, e shoh çdo gjë përmes lentes së vdekshmërisë. Kam gjithë kohën e botës. Kohë për të menduar për të shkuarën, për të tashmen dhe për pyetjen e madhe: A do të kem një të ardhme?
Kam bindjen se për t’ju shpjeguar me themel historinë time duhet të dini nga vij. Lufta ime për mbijetesë ka filluar që në lindje, më 26 nëntor 1939, kur erdha në jetë me emrin Anna Mae Bullock. Prej atëherë, e kam kaluar jetën përmes një stuhie karme negative. Si mund të ndihesh kur je një vajzë e padëshiruar? Si ishte jeta e asaj vajze? Si arriti ajo vajzë t’ia dalë, pavarësisht goditjeve të këqija që mori?/Kjo pjesë është shkëputur nga libri i ri autobiografik i Tina Turner, “My love story”, botuar në anglisht në muajin tetor. Përkthyer nga Erjon Uka për Tiranapost.al, 2018/KultPlus.com
Emri i tij i vёrtetё ёshtё Mohandas Karamchand Gandhi. Lindi nё Indinё Perёndimore (Porbandar) dhe vdiq nё vitin 1948, nё Nju Delhi. Ishte njё personalitet i madh politik i Indisë, qё shprehte besimet e tij tё thella filozofike nё veprimin e tij politik.
Dedikoi tё gjithё jetёn e tij qёllimeve mё tё larta: pavarësisё sё Indisё, barazisё sё tё drejtave tё shtresave tё ultëta tё popullit, paqes midis induistëve dhe myslimanёve.
Indianёt qё kanё njё koncept shumё tё ndryshёm nga bota perёndimore, sa u pёrket shenjtorёve, e vendosin Gandin midis shenjtorёve tё tyre dhe pёr kёtё arsye e quajnё Mahatma( Maha Atma- shpirt i madh) dhe madje akoma kur jetonte.
Gandi konsiderohet si njëri nga personalitetet e rralla në historinë e humanizmit dhe politikës botërore. Ai ka lënë shumë mesazhe të fuqishme për njerëzimin, para se të vdiste.
Ju bëheni ajo që mendoni.
Aty ku ka dashuri, ka edhe jetë.
Mëso sikur do të jetosh përgjithmonë.
Shëndeti është pasuria jote e vërtetë.
Ruaj gjithmonë sensin e humorit.
Jeta jote është mesazhi yt.
Veprimet që bën, tregojnë prioritetet e tua.
Madhështia jonë qëndron në faktin, se jemi në gjendje të ndryshojmë/përmirësojmë vetveten.
Aurela Gaçe është një nga emrat më të njohur të muzikës shqipe. Ajo ka lindur në Vlorë, ku edhe i zhvilloi hapat e parë drejt karrierës së saj mjaft të bujshme, duke marrë pjesë në disa festivale për fëmijë. Ajo gjithashtu mori pjesë në fetivale për të rritur me këngët: “Lamtumirë Me Telegram”, “Zhgënjimi”, “Nata”, “Me Jeten Dashuruar”, “Fati Yne Shprese E Marrezi” etj.
KultPlus ju sjell një interpretim të Aurela Gaçes me këngën ”Merrëm sonte”:
E trendafil mu bene faqet o. E nga ti syri me i bukur o. Nen hij’ nuk e di pse frikem o. Edhe pse betohesh se me do.
Ref.2.x Eh djale, more djale. Ku ke pare vale, Te shuhet me fjale, o djalo.
Burrit si kane hije fjalet o. E ndaje mendjen me do a s’me do. O merrem sonte, e mos me lesho. Eh merrem se vij dhe pa dasem o.
Ref.2.x Eh djale, more djale. Ku ke pare vale, Te shuhet me fjale, o djalo.
Leri faqet, mos luaj me to. Epo se mi prishe more bojrat o. Eh te dua per fare o djalo. E tani bej si di, e bej si do.
Shkrimtari i njohur në letërsinë botërore, Albert Kamy më 10 dhjetor të vitit 1957 kishte fituar çmimin Nobel, shkruan KultPlus.
Si një nga ëndrrat më të mëdha të shkrimtarëve që premtojnë, ky çmim patjetër që ka qenë një e arritur e madhe dhe një vlerësim i krijimtarisë së Kamys.
Në anën tjetër juria kishte vendosur që në listën e nobelistëve të jetë edhe emri i Kamys për shkak të krijimtarisë të rëndësishme letrare, nëpërmjet së cilës ai ishte thelluar në problemet e ndërgjegjes njerëzore në kohën e atëhershme.
Përgjatë ceremonisë së dhurimit të çmimit në Stokckholm, ai kishte mbajtur një fjalim të gjatë rreth pikëpamjeve artistike dhe kësaj të arriture.
Një ndër fjalët të cilat ai i la pas që të kujtohen gjatë nga lexuesit e tij, ishte edhe ajo kur foli për brezin e tij.
“Çdo brez, pa dyshim, beson se do të ribëjë botën. E imja e di që nuk do ta bëjë më. Por detyra e tij mund të jetë më e madhe, e që ka të bëjë me parandalimin e botës nga shkatërrimi ”. / KultPlus.com
Këngëtarja Tina Turner ka vdekur në moshën 83-vjeçare, ka thënë zëdhënësi i saj, transmeton KultPlus.
Në një deklaratë ata thanë: “Tina Turner, ‘Mbretëresha e Rock’n Roll’-it ka vdekur sot e qetë në moshën 83-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë në shtëpinë e saj në Kusnacht afër Cyrihut, Zvicër.
“Me të, bota humbet një legjendë muzikore dhe një model.”
Ylli i lindur në SHBA ishte një nga këngëtaret më të dashura të rrokut, e njohur për karizmën e saj në skenë dhe një varg hitesh./KultPlus.com
Merita Halili cilësohet si një nga interpretueset më të larta të muzikës së Shqipërisë së Mesme. Ajo lindi më 5 Prill 1966, në Tiranë dhe u rrit duke kënduar këngët lirike e rajonit të saj të lindjes së Shqipërisë së Mesme.
Debutimin e parë si artiste në tërë vendin e pati në vitin 1983, në Festivalin Kombëtar Folklorik në qytetin e Gjirokastrës.
Edhe pse veprimtarinë e saj e zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo me profesionalizmin dhe ëmbëlsinë e saj vazhdon të jetë prezente në zemrat e adhuruesve shqiptarë./KultPlus.com
Jam argëtuar shumë nga një lajm që doli në Internet në lidhje me idiotët. Për ata që nuk e kanë ndjekur, u raportua në mediat online dhe në ato të shkruara se në një të ashtuquajtur leksion, unë kam deklaruar se Interneti është i mbushur me idiotë. Kjo nuk është e vërtetë. Leksioni ishte për një temë krejt tjetër, por ai demonstron se si lajmi shtrembërohet kur qarkullon nëpër gazeta dhe në Internet.
Lajmi për idiotët doli gjatë një konference shtypi, kur teksa i përgjigjesha një pyetjeje, bëra një vëzhgim krejt të arsyeshëm dhe logjik. Nga shtatë miliard banorët që ka planeti, ka një numër të pashmangshëm idiotësh, shumë prej të cilëve janë mësuar që ua komunikojnë përçartjen e tyre miqve apo të afërmve në bar, kështu që opinionet e tyre janë të kufizuara në një rreth të caktuar. Një numër domethënës i këtyre njerëzve tashmë mund t’i shprehin mendimet e tyre në rrjetet sociale. Prandaj opinione të tilla mbërrijnë në audienca të mëdha, dhe shkrihen bashkë me shumë opinione të tjera, që shprehin njerëz të arsyeshëm.
Ju lutem mbani parasysh që ideja ime për idiotët nuk kishte konotacione negative. Askush, me pak përjashtime, nuk është idiot për nga profesioni, por dikush që është bakall i shkëlqyer, mjek i shkëlqyer, apo një punonjës banke i shkëlqyer, mund të thotë disa broçkulla për gjëra që as nuk i njeh dhe as nuk i di, apo as nuk i ka menduar mjaftueshëm. Reagimet në Internet janë të menjëhershme, pa lënë kohë për reflektim.
Eshtë e drejtë që Interneti t’u lërë hapësirë atyre që nuk kanë asgjë të arsyeshme për të thënë, por tepria e budallallëkut është duke mbushur radhët. Dhe disa reagime të pahijshme që kam parë në Internet, konfirmojnë pretendimin tim. Në të vërtetë, dikush raportoi se unë kam thënë që Interneti ofron të njëjtën famë, si për mendimet e një budallai, ashtu edhe ato të një fituesi të Çmimit “Nobel”, dhe krejt papritur nisi një debat i kotë, që u bë edhe viral, mbi faktin nëse unë e kisha pranuar apo jo Çmimin Nobel – ndërkohë që askush nuk mori mundimin as të hapte Wikipedian. E gjithë kjo tregon se sa shumë të prirur janë njerëzit që të flasin, pa u ndalur për të menduar. Në çdo rast, numri i idiotëve tani mund të kuantifikohet: 300 milionë. Raportohet se Wikipedia ka humbur 300 milion përdorues kohët e fundit. Këta janë të gjithë njerëz që lundrojnë, po nuk e përdorin më Internetin për të gjetur informacion, por preferojnë të rrijnë online duke biseduar me të singjashmit, dhe me gjasë pa u ndalur për të menduar.
Përdoruesi normal i Internetit duhet që të jetë i aftë të rrokë dallimin mes ideve jokoherente dhe të artikuluara mirë, dhe këtu lind problemi i filtrimit të informacionit. Nuk lidhet vetëm me opinione të shprehur në blogje apo Twitter, por është një çështje urgjente për të gjitha faqet e internetit, ku mund të gjesh informacion që është i besueshëm dhe i dobishëm, por gjithashtu – dhe sfidoj këdo që dëshiron ta mohojë – edhe përçartje të gjithfarëlloji, rrëfime për komplote joekzistente, mohime të Holokaustit, racizëm, informacion që është i rremë nga pikëpamja kulturore.
Si mund ta filtrosh informacionin? Secili prej nesh e ka aftësinë ta filtrojë informacionin, kur shohim faqe interneti që merren me tema për të cilat kemi njohuri, por unë i pari do e kisha problem të dalloja, nëse një faqe interneti thotë të vërtetën apo gënjen, kur shkruan për Teorinë e Fijeve. As edhe shkollat nuk munden t’u mësojnë nxënësve si të filtrojnë informacionin, përderisa mësuesit janë në të njëjtin pozicion si unë, dhe ata që japin mësim gjuhën greke mund të gjenden të pambrojtur, kur lexojnë një faqe që shkruan për teorinë e katastrofës së Luftës së Tridhjetë Viteve.
Ka vetëm një zgjidhje. Gazetat janë shpesh skllave të Internetit, pasi aty gjejnë lajme dhe histori që shpesh rezultojnë false, duke i dhënë kështu një zë rivalit të tyre më të madh – dhe duke e bërë këtë gjithmonë më vonë se sa Interneti. Në vend të kësaj, ato duhet t’i dedikojnë dy faqe çdo ditë analizës së website-ve, në po të njëjtën mënyrë siç bëjnë vlerësime të filmave apo librave, duke nxjerrë në pah faqet që janë virtuoze dhe ato që nxjerrin lajme të gënjeshtërta apo komplote pa lidhje. Kështu do të bënin një shërbim të vyer publik, e madje mund të bindin edhe ata shumë përdorues të Internetit që po u ikin gazetave, që të rikthehen.
Për një sipërmarrje të tillë, një gazetë do të kish nevojë për një ekip analistësh, shumë prej të cilëve do të duhej të vinin nga jashtë. Do të kushtonte, por do të ofronte një shërbim të vyer kulturor dhe do i jepte shtypit një qëllim të ri.
Umberto Eco – Shkëputur nga libri “Kronika të një shoqërie likuide” (Artikulli është botuar në 2015) – Në shqip nga bota.al/ KultPlus.com
Mbrëmë, në Sallën e Kuqe me një koncert nga Orkestra e të Rinjve të Bashkimit Evropian, është shënuar përmbyllja e edicionit të 22-të të Festivalit ‘ReMusica’, shkruan KultPlus.
Koncerti i mbrëmshëm, i 13-ti me radhë dhe i fundit njëkohësisht, ka qenë një bashkëpunim mes kësaj orkestre dhe instrumentistëve të rijnë nga Kosova, të cilët performuan në dy pika të koncertit.
Hapjen e koncertit e bëri organizatori i festivalit Shaban Behramaj, i cili i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre si dhe dha një rezyme të asaj çfarë do të përmbante koncerti në përgjithësi, ku me këtë rast edhe e paralajmëroi përmbylljen e festivalit.
Ndonëse një vend jo adekuat për mbajtjen e një koncerti të tillë, ambientet e Sallës së Kuqe ishin dekoruar me drita dhe lule, të cilat megjithatë dhanë një pamje të një skene solide ku mund të mbahej një koncert me muzikë klasike.
Në skenë dolën anëtarët e orkestrës me instrumente në duar. Ngjyra e zezë e veshjes, i dha skenës një elegancë të theksuar, ndërsa shallet të cilat vajzat i kishin të vendosura mbi supet e majta të tyre, shpërfaqnin flamuj të BE -së.
Pika e parë interpretuese qe ajo nga Johann Sebastian Bach, me Musical Offering in C minor, BWV.1079: Ricercar a 6, e cila filloi me tinguj të qetë të violinave, duke u pasuar pak më vonë edhe nga violonçelat.
Pas kësaj pike instrumentistëve të cilët gjendeshin në skenë, iu shtuan edhe muzicientët me instrumentet frymore, të cilët tingujve, u jepnin melodi më të hollë nga ajo që u interpretua deri tani. Kjo pikë u pasua nga tinguj më kumbues pasi në vallen e instrumenteve u përfshi edhe instrumenti goditës Bass Drum.
Këtë pikë, publiku në sallë e shijoi shumë, pasi sikur me radhë të gjitha instrumentet i prinin valles së bukur të melodive. Melodinë e bënte më të theksuar instrumenti frymor, prej së cilit pasoi violina, e cila i la radhë përsëri instrumentit frymor, dhe pastaj violinë dhe fyell së bashku në interpretim i dhanë tonin interpretimit, të cilin audienca po e shijonte shumë.
Kështu me radhë performuan secili instrumentist, duke pasur mundësi që të gjitha instrumentet t’i jepnin hijeshinë mbrëmjes.
Pika e tretë interpretuese, Terry Riley In C, filloi duke iu bashkuar edhe disa anëtarë të tjerë orkestrës, tingujve të së cilës iu shtuan edhe tingujt nga hapat e instrumentistëve të cilët ngjiteshin në skenë, ku gjatë gjithë kohës po performonte tinguj të njëtrajtshëm.
Kjo pikë u interpretua nga tinguj të lartë dhe të ulët të instrumenteve, ku instrumentet frymore i jepnin theks interpretimit, fundi i së cilës pikë përfundoi me tinguj konstant ashtu siç edhe filloi.
Pika e katërt e interpretimit ishte ajo e kompozitorëve Antonio Vivaldi, Hugh Crosthwaite dhe Cramen Fizzarotti me The Four Seasons. Kjo pikë, në qendër pati edhe solistin profesionist Daniel Rowland me violinë, përderisa në dy grupe përballë njëri tjetrit ishin pozicionuar violinistët tjerë. Pasioni i Rowland për këtë instrument dhe profesionalizmi tanimë vërehej shumë lehtë nga publiku, pasi ai tërë kohën fliste edhe me mimikë dhe pozitë trupore, e cila të jepte përshtypje se ishte fluide.
Në mesin e gjithë atyre violinave të cilat prodhonin tinguj jashtë mase të bukur, katër prej violinistëve filluan të interpretonin me gishtërinj, duke prodhuar tinguj shumë të veçantë, por që tingëllonin bukur po ashtu.
Solisti i Daniel Rowland, u shpreh se ishte i lumtur që po performonte, edhe pse për të ishte ishte hera e parë që po merrte pjesë në një koncert në Kosovë dhe në ‘ReMusica’ gjithashtu.
“Ishte kënaqësi të luanim në vendin tuaj për herë të parë. Unë jam këtu për herë të parë, por jo edhe të fundit. Unë jam shumë krenarë për këtë festival fantastik dhe çdo gjë që organizohet në këtë festival”, ka thënë solisti Daniel Rowland.
Pas koncertit në një prononcim për KultPlus, muzicientja Hana Hana, ka thënë që ky bashkëpunim me Orkestrën e të Rinjve të Bashkimit Evropian, ka qenë një eksperiencë shumë e bukur edhe pse ishte hera e parë që kishin bashkëpunuar me një orkestër të tillë.
“Ishte një eksperiencë shumë e mirë. Për herë të parë na u dha rasti edhe neve të bashkëpunojmë me këtë orkestër, pasi ne si shtet nuk na është dhënë mundësia që të jemi pjesë e kësaj orkestre. Mendoj që ishte një mundësi shumë e mirë dhe siç edhe u vërejt nga instrumentistët edhe ata ishin të kënaqur me ne. Kështu që ishte mjaftë bukur sonte”, ka thënë Hana.
Instrumentistja më tutje shtoi se bashkëpunimi u kishte pëlqyer edhe kolegëve evropian, nga ku edhe shprehu dëshirë që shteti tu mundësonte edhe bashkëpunime të tilla të tjera.
“Kjo orkestër ka gati rreth 50 vite që është e themeluar dhe është hera e parë që vijnë në Kosovë. Kjo ishte hera e parë që kanë performuar në Kosovë. Disa nga instrumentistët u ndanë mjaftë të kënaqur, thanë që ishte një eksperiencë shumë e mirë. Shpresojmë që edhe vetë shteti do të jetë përkrahës i këtyre bashkëpunimeve që këta të mund të vijnë përsëri, dhe pse jo edhe ne si instrumentistë të rijnë të bashkëpunojmë me ta” ka thënë Hana.
Ndërsa muzicientja tjetër Alkesta Gllogjani në një prononcim për KultPlus, po ashtu tha se bashkëpunimi me Orkestrën e të Rinjve të Bashkimit Evropian iu dha një ndjenjë të veçantë, dhe se interpretimi së bashku me kolegë të vendeve evropiane ishte privilegj.
“Sot kaluam shumë mirë. Ishte një ndjenjë shumë e veçantë bashkëpunimi me orkestrën e të rinjve të Evropës, që është një ndër orkestrat më të mira të rinjve në Evropë. Ishte me të vërtetë privilegj të luash me ta”, ka thënë Gllogjani.
Ajo më tutje tha se gjatë provave nuk e kanë pasur as më të voglin problem pasi përgatitjes së instrumentistëve evropian iu ishin përgjigjur me profesionalizëm.
“Orkestra e të rinjve të Evropës ka filluar me përgatitje qysh moti, kurse ne kemi pasur t’i paraqesim dy vepra në koncert. Orkestra e të rinjve të Evropës më herët na ka dërguar veprat nëpërmjet rrjeteve. Pastaj normalisht, ne i kemi ushtruar dhe sot për herë të parë jemi takuar me ta në provat gjenerale, nuk e kemi pasur asnjë problem gjatë përgatitjes për koncert pasi edhe ne e kemi treguar profesionalizmin tonë, ka thënë Alkesta Gllogjani.
Ky koncert shënoi edhe përfundimin e këtij edicioni të Festivalit ReMusica i cili kishte filluar më 3 maj, e i cili i dhuroi publikut të Prishtinës koncerte me pika të ndryshme artistike./KultPlus.com
Fondacioni Lumbardhi i Kosovës, është përzgjedhur si finalist i çmimeve prestigjioze “New European Bauhaus Awards” për vitin 2023!
Procesi i rijetësimit të Kino Lumbardhit, kinemaja emblematike e Prizrenit, është vlerësuar në mesin e 61 projekteve, nga mbi 1450 aplikime, në kategorinë tematike “Rifitimi i ndjenjës së përkatësisë”, nën shtyllën “New European Bauhaus Education Champions”.
Ky ishte një vlerësim i madh për angazhimi 8-vjeçar për rijetësimin e Kino Lumbardhit.
Ky nominim fokusohet në iniciativa në edukim dhe të mësuarit, në rastin e Lumbardhit, me theks në procesin e të mësuarit në ndërtim institucional, angazhim të komunitetit dhe pronarëve, si dhe trajtim të trashëgimisë kulturore dhe mjedisit të ndërtuar.
Fituesit e “NEB Awards 2023” do të shpallen në datat 21-22 qershor 2023, në Bruksel. Publiku pati mundësinë të votonte për tre projekte fituese përmes votimit online, votim i cili mbyllet sot.
Kinemaja Lumbardhi u krijua në 1952 në Prizren. E hapur si pjesë e një ndërtim modern kulturor në një shtet të sapokrijuar, fillimisht funksionoi si një kinema e brendshme. Në vitin 1959, kinemaja në ambient të hapur u vu në dispozicion të publikut. Deri në ndërhyrjen ushtarake në 1999, Lumbardhi funksiononte si një kinema e cila qeverisej si institucion publik i vetë-menaxhuar./atsh/KultPlus.com
Nuk kalon nji natë e n’andërr porsi zgjandërr e shof nanën këtu përbri; me krye vjerrte, me lot për sy rri tue shfry njat idhnim që don me e gri Ndejun m’duket prap te votra ku me motra n’dritë t’kandilit qepte e arnote por njat gaz ka që i shndritte kur goditte petkat e djalit e shendote Kqyr njat vend ku n’mbramje rrishe kur nuk kishe fije idhnimi nëpër ftyrë e ngurron, si t’kenke gurit e, pshtetë murit lot’ i dalin rrkaje tuj kqyrë “T’kishe dekë ma mirë, o i mjerë – thotë sa herë, – Afër nanës qe t’desh e t’ruejti; t’kishe mbyllë me duer te mia këtu te shpia njata sy qe mordja shuejti Afër vorrit tand nan-shkreta porsi bleta ishte sjellun tue gjimue e n’at bar qe kishte qitë për gjithë ditë ndonji lule kish kerkue…” …E mandej, si del nji krue tue bumue rreth e rreth prej brijes s’malit rrkaj i ulen lot’ per rrudha – Nuk asht udha nanë, m’u idhnue per t’zeza t’djalit Kur n’kët shekull n’drit’ e qite kur e rrite me njat mund qe nep hitia (kujdes i madh) “Nji nanë tjetër, – thoshe, – ke, bir n’kët dhe nana jote a shqiptaria Mend e zemër për të shkriji e përtriji nam e lavd kur t’i vijë dita” Mbas fjalësh t’tua përherë shkova e t’ndigjova: shqiptarin’ nuk e korrita./KultPlus.com
Lideri i bendi Smashing Pumpkins, Billy Corgan, ka thënë që beson se inteligjenca artificiale do ta ndryshojë muzikën përgjithmonë.
Ai këtë koment e dha gjatë një interviste me DJ-in amerikan, Zach Sang.
“Inteligjenca artificiale do ta ndryshojë botnë përgjithmonë. Sepse posa artistët e rinj ta zbulojnë që mund ta përdorin IA-në për të luajtur me sistemin dhe për ta shkruar një këngë më të mirë, ata nuk kanë për t’i kaluar 10 mijë orë në bodrum si unë”, ka thënë Corgan.
“Përfundimisht, arti ka të bëjë me aftësitë dalluese. Dikush më tregoi pak kohë më parë se si punonte një reper i famshën, se si sillnin njerëz të ndryshëm të cilët e zgjidhnin bitën që u pëlqente më së shumti”./KlanKosova/KultPlus.com
Dje u përmbyll programi edukativ “Mbresa”, në kuadër të të cilit një numër i madh nxënësish sollën krijimet e tyre, në zhanre të ndryshme si piktura, instalacione, ese, poezi dhe dokumentarë të shkurtër.
Këto punime artistike u realizuan pas vizitës në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”. Nxënësit shprehën ndjenjat dhe mendimet e tyre në formën artistike që parapëlqejnë. Më pas u bë një votim i hapur në rrjetet sociale që përfundoi më datën 22 maj.
Projekti “Mbresa” është një konkurs artistik për nxënësit e shkollave të mesme i cili zhvillohet në këto gjini artistike: arte pamore (pikturë, skulpturë, instalacion) si dhe krijim letrar (ese, poezi etj).
Disa nga objektivat e këtij konkursi janë: përfshirja, angazhimi, nxitja e të rinjve për të marrë pjesë në aktivitete krijuese dhe edukuese, njohja e tyre me regjimin komunist shqiptar si dhe njohja me veprimtarinë represive të Sigurimit të Shtetit, reflektimi rreth kësaj të kaluare dhe promovimi i talenteve të reja.
Juria e kryesuar nga Vladimir Myrtezai ka bërë dhe vlerësimin e punimeve më të mira. Krijimet më të mira u vlerësuan me një çmim simbolik si dhe do të bëhen pjesë e një katalogu. Ndërsa krijimi i cili mori më shumë pëlqime në Facebook u vlerësua me çmim të veçantë./atsh/KultPlus.com
Nga po na vjen, moj erë e rreptë? Pse vërshëllen me aq mallëngjim? -Vij drejt nga malet e Shqipërisë, për të përhapur zi e vajtim. Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn, drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
-Nga ata male, moj erë trime, ç’lajme të reja po na ke siell? Pse je e vrerët dhe e helmuar? qiellë me zi përse na e mbiell? Fryn, moj erë, etj.
Pse e ke synë të trubulluar e rent kaluar mi t’zeza re? Pse të pikojnë lottë të zeza, lottë të zeza posi rrëke? Fryn, moj erë, etj.
Syri m’u err nga ato që pashë Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot. Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar, rent ta haroj, po rentkam më kot. Fryn, moj erë, etj.
Atje tek losnja në fush’ të Korçës, duke u hedhur lis më lis, një qivur pashë me nj’çup’ të virgjër, ma vrau shpirtin ay filis. Fryn, moj erë, etj.
Tokat pushonin, prift nukë dukej, e pakënduar na u varros; mihnë dëborën, i bënë varrë, shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos. Fryn, moj erë, etj.
Atje mi varrë qante një grua, një grua qyqe me mallëngjim; burrën të qante më par’a çupën, për kë të bënte më par’vajtim? Fryn, moj erë, etj.
Renda e ika e fluturova, po dhëmbjen time ku do ta fsheh? Çava oqeane, dete dhe male, po vajtoj edhe sikundër sheh. Fryn, moj erë, etj.
-Moj er’e rreptë, erë malsore, shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu; sytë m’u errë si ty dhe mua, mëndja në kokë më bubullin. Fryn, moj erë, etj.
Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë dhe un’i varfri një porosi: një re të madhe dërgo të zbresë e ta ngarkojmë me lott’e mi. Fryn, moj erë, etj.
E kur të kthehesh nga Shqipëria, Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh, dhe lott’e mia si vesë qjelli dalë nga dalë do t’i pikosh. Qaj, moj erë, moj er’e shkretë qaj, derthmi lottë atje mi varr’e saj./ KultPlus.com
Më 48 vota të marra në Kuvendin e Kosovës, Luljeta Aliu tashmë do ta ketë një ulëse si anëtare e Komisionit të Pavarur për Media.
48 deputetë votuan për zgjedhjen e Aliut në pozitën e anëtares së KPM-së. Kundër-kandidatja e saj, e rekomanduar po ashtu për këtë pozitë, Violeta Hyseni-Kelmendi, mori 28 vota.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca konkludoi se votimi për zgjedhjen e anëtares së KPM-së nga radhët e grave, përfundoi me sukses në raundin e parë të votimit.
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM)është një organ mjaft i rëndësishëm që ka kompetencat për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës./ KultPlus.com
Programi më i ri qeveritar “Arti në shkolla”siç duket po sjell plot energji, mundësi e kreativitet artistik tek nxënësit e shkollave në të cilat po pilotohet.
““Artisti në klasë” është një nga pikat e tij më të veçanta, ku fëmijët po zgjerojnë njohuritë për operën, instrumentet muzikore, shfaqjet teatrale e aktrimin, pikërisht nga personat që ushtrojnë këto profesione. Aktivitetet po udhëhiqen nga artistë dhe ekipi profesional i institucioneve qendrore të kulturës”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Ndër tjera në këtë njoftim të ministrisë kulturës thuhet se u mbajt edhe një koncerti u mbajt nën udhëheqjen e Operës së Kosovës dhe Korit Okarina.
“Rrugëtimi i programit ka vazhduar me një koncert në Shkollën e Muzikës, që u mbajt nën udhëheqjen e Operës së Kosovës dhe Korit Okarina. Koncerti u dha për rreth 200 nxënës të katër shkollave fillore “Selami Hallaçi” dhe “Sadullah Brestovci” nga Gjilani, “Ibrahim Uruçi” nga Bresalca dhe “Skënderbeu” nga Përlepnica. Koret performuan pika të ndryshme artistike, pjesë operistike nga autorë shqiptarë e kryevepra botërore”, thuhet në njoftim.
Përmes praktikave të tilla krijuese në kuadër të këtij pilot programi, po sigurohemi që brezi i ardhshëm të marrë një arsimim të plotë që përfshin artet, të identifikojmë talentët e rinj, të kultivojmë ndjenja kreativiteti si dhe të zhvillojmë kapacitetin për reflektime kritike tek fëmijët.
Dua Lipa ka qenë prej kohësh një muzë për “Versace”. Ajo hapi dhe mbylli sfilatën Pranverë 2022 në Milano dhe ishte imazhi i fushatës Dimër 2021. Shpesh ajo është fotografuar në krah të Donatella Versace dhe ka parakaluar me fustane “Versace” në tapetin e kuq. Dua dhe Donatella e kanë çuar bashkëpunimin e tyre një hap më tej.
Dua njoftoi në rrjete sociale se ka bashkë-dizenjuar një koleksion për Versace, “La Vacanza”, i cili u prezantua në Kanë. Këtij koleksioni i është gëzuar pa masë Donatella Versace, e cila ka një miqësi të ngushtë me Duan. Për Donatellen, Dua është supermodelja e “Versaces”, superdizajnerja e “Versaces”.
Shqipëria do të marrë pjesë në Prishtina International Theatre Festival me shfaqjen “Now you see her” me regji të Klaudja Pirolli.
Në një konferencë për media disa orë para shfaqjes e cila do luhet në Teatrin Kamertal në ora 20:00, regjisorja Klaudja Pirolli dhe aktorja Loredana Gjeçi thanë se mezi presin të dalin në skenë para audiencës nga Kosova.
“Kjo shfaqje flet për marrëdhëniet ndërpersonale të gruas, ka nevojë të flitet për këto marrëdhënie që shpeshherë nuk janë të dukshme”, u shpreh regjisorja Pirolli. Pas shfaqjes së sontme do ketë afterparty për të pranishmit të cilët do argëtohen me muzikë nga Dj Robi.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mbyllje të emergjencës së shëndetit publik, pas tre vitesh betejë me pandeminë Covid-19.
Kërkesën për mbyllje të kësaj gjendje e bëri ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, gjatë mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, prej ku tha se institucioni qe ai drejton ka marrë parasysh situatën epidemiologjike në Kosovë, dhe kërkesa e tij bëhet në përputhje me rekomandimin e Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik dhe deklaratën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
OBSH, më 5 maj, duke theksuar tendencën në rënie të vdekjeve nga Covid-19 në gjithë botën, si dhe nivelet e larta të imunizimit të qytetarëve ndaj sëmundjes, këshilloi se është koha për të kaluar në menaxhimin afatgjatë të pandemisë.
“Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së përcakton se Covid-19 tani është një çështje shëndetësore e vazhdueshme që nuk përbën më një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e OBSH-së të cilën e përmendi ministri Vitia.
Members of the University Clinical Center of Kosovo in protective gear walk past a sign reading “Ambulance For Coronavirus” at the University Clinical Center of Kosovo in Pristina on March 14, 2020. – Kosovo reported its first coronavirus (COVID-19) case on March 13, 2020, in a 22-year-old Italian woman and a 77-year-old Kosovar man, both recently returned from Italy. (Photo by Armend NIMANI / AFP)
Në ditën Europiane të Parqeve, kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetin e tij social një video me parqet natyrore në Shqipëri, mes tyre edhe Vjosën, i cili u shpall Park Kombëtar vetëm pak javë më parë. Rama shkruan se si asnjëherë më parë, zonat e mbrojtura përbëjnë 21% të territorit shqiptar
“MIRËMËNGJESI dhe në Ditën Europiane të Parqeve me këtë buqetë të disa prej mrekullive të natyrës shqiptare, të ruajtura si zona të mbrojtura që si asnjëherë më parë sot përbëjnë 21% të territorit shqiptar, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Me vendim të Këshillit të Ministrave Vjosa u shpall Park Kombëtar, çka do të thotë se në nuk do të lejohet asnjë lloj ndërtimi që cenon lumin Vjosa. E gjithë sipërfaqja e lumit Vjosa, zona bregore, një pjesë e sipërfaqes tokësore, bashkë me tre degët e lumit Drino, Bënsh, Shushicës është shpallur Park Kombëtar, me një sipërfaqja totale 12 727 hektarë. Shpallja e lumit Vjosa si Park Kombëtar ndihmon ruajtjen e një prej lumenjve të fundit të egër të Europës. Ky status nuk do të mbrojë vetëm lumenjtë, por pritet të kthehet edhe në një burim të ardhurash për zonën.
Ramë Beqiri është artisti i njohur, i cili jeton dhe vepron prej disa vitesh, në kantonin e Gjenevës. Ai njëkohësisht aktron në disa teatro në Zvicër dhe jashtë saj. Piktori Beqiri në muajin e ardhshëm, pritet të hap një ekspozitë personale në Gjenevë për të zhdukurit në Kosovë.
Beqiri do të sjell për artdashësit zviceran historinë e dhimbshme të Kosovës dhe plagën e hapur për të zhdukurit e luftës, përmes një ekspozite në Gjenevë.
‘Në kujtim të të zhdukurve të luftës së Kosovës’ do të jetë motoja e ekspozitës që pritet të hapet me 12-20 qershor në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit Fifog.
Pjesë e këtij festivali pritet të jetë edhe filmi shqiptar ‘I treturi’ me pas do pasoj edhe debati për këtë me pjesëmarrës regjisorin Arben Thaqi dhe aktori i njohur kosovar, Afrim Muçaj.
Ina Kosturi është një ndër violinistet më të talentuara shqiptare. Ajo aktualisht është pedagoge në Universitetin e Arteve dhe shkruan herë pas here pjesë të ndryshme muzikore.
Si rrallëherë, Ina ka bërë një rrëfim për jetën dhe karrierën e saj në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News. Ndër të tjera, ajo ka thënë se nuk e imagjinon dot jetën e saj pa muzikë, pasi ka bërë plot 16 vite shkollë për violinë.
“Nuk mund ta kuptoj dot jetën pa muzikë, është diçka që ti e nis nga fëmijëria. Ndoshta nuk e nis nga violina, e nis duke kënduar, improvizuar, pastaj merr një violinë dhe pastaj ndryshon mendoj unë. Merr një violinë se ajo është një instrument që kërkon shumë përkushtim, impenjim jo vetëm të studimit, por dhe impenjime të tjera të të qënit në skenë dhe kjo për mua ka qenë shumë e rëndësishme, ka qene ajo motoja kryesore. Kërkon studim të vazhdueshëm, pastaj duket se unë i kam devijuar ndonjëherë. Kam bërë 16 vite shkollë faktikisht”, u shpreh Ina.
Më tej, ajo theksoi se zakonisht frymëzimi i vjen natyrshëm dhe shkruan në një fletore të saj, të cilën e ka nisur që në klasën e dytë kur ishte ende fëmijë.
“Koha më e mirë për të shkruar që kam frymëzim është në darkë. Si të qëlloi është ajo, me kompjuterin përpara, ndonjëherë dhe me violinën.
Di që që kur kam qene fëmijë, kam nisur një herë një fletore. Mund të kem qene në klasën e dytë në shkollën “Kongresi i Përmetit”, pedagogia ime e parë fare ka qene Tefta Bogdo. Kisha fatin që ishte një zysh shumë e butë, në të kundërtën nuk do e kisha vazhduar violinën. Gjithmonë kam pasur atë dëshirën që të mos bënin atë lloj presioni, gjithmonë ka ardhur natyrale. Kam pasur fatin që edhe më vonë të kem pedagogë shumë të mirë, kanë qenë vellezërit dy instrumentistë që unë i shikoja në skenë dhe kisha kënaqësinë që unë të dilja në skenë”, rrëfeu violinistja./abcnews.al