Në kuadër të programit “Arti në Shkolla” të inicuar nga MKRS dhe MASHT, sot në shkollën e muzikës në Gjilan, Opera e Kosovës (EduOpera) ka mbajtur koncert me korin e fëmijëve “Okarina” nën udhëheqjen e Elikona Hysaj Shala, me mysafirë korin nga shkolla e muzikës në Gjilan nën udhëheqjen e Artan Jerliu dhe korepetitor Melos Buza, të cilët performuan fragmente nga koralet e Operave më të njohura botërore dhe atyre kombëtare.
Koncerti u dha për nxënësit e katër shkollave fillore “Selami Hallaçi” dhe “Sadullah Brestovci” nga Gjilani, “Ibrahim Uruçi” nga Bresalci dhe “Skënderbeu” nga Përlepnica, ku paraprakisht janë mbajtur punëtori, ligjërata…
Ky program do të vazhdoj më tutje edhe nëpër komunat dhe shkollat e ndryshme të Kosovës./ KultPlus.com
Me një koncert fantastik, nga Rina Kaçinari Trio dhe Kori i Grave ‘Okarina’, mbrëmë u shënua përmbyllja e edicionit të 11-të të Festivalit FemArt 2023, shkruan KultPlus.
Rina Kaçinari Trio mbrëmë publikut i dhuroi një program me kompozime origjinale nga jeta e tre artistëve, ku si emocione bazë ndër lloje emocionesh kishin trishtimin, dashurinë dhe lumturinë.
Violonçelistët Rina Kaçinari dhe Jörg Mikula gjatë mbrëmjes dhuruan tinguj mjaft të këndshëm për veshin e dëgjuesit, të cilët kombinoheshin perfekt edhe me zërin e veçantë të Rinës. Ndërsa bateristi, Carles Muñoz Camarero, ishte ai i cili mbrëmjes i jepte dinamizëm. Interpretimi i të cilit si artist arriti kulminacionin kur nga një instrument goditës, nxirrte tinguj duke gërvishur me thonjë lëkurën e instrumentit.
Një kompozim të cilin Rina Kaçinari e kishte krijuar si kujtim nga momenti i ndarjes nga nëna e saj, kur iu desh të largohej për studime jashtë vendit, ishte një pikë performuese të cilën e shijoi shumë publiku, për shkak të ndjeshmërisë së një ndarjeje të tillë, siç është ajo e nënës së fëmijës.
Gjatë interpretimit, kur këmbët e Rinës të cilat përplaseshin për tokë, para syve të publikut paraqisnin pamjet e një fëmije 15 vjeçar i cili refuzonte të largohej nga e ëma, porse ishte e detyruar të shkonte për studime jashtë vendit të lindjes.
Një pikë tjetër e cila u pëlqye pa masë qe një kompozim të cilin Rina e kishte sjell për të shprehur dashurinë për vajzën së saj. Këtë interpretim Rina Kaçinari Trio e solli në bashkëpunim me Korin e Grave ‘Okarina’, kombinim i mrekullueshëm që edhe i dha kulminacionin mbrëmjes.
Pas disa falënderimeve të cilat i bëri Rina për të pranishmit, FemArt dhe mbështetësit e këtij festivali, pasoi edhe pika e fundit interpretuese në të cilën këndohej slogani i këtij edicioni të FemArt. “Kalle Tutën” me një interpretim brilant e shënoi zyrtarisht mbylljen Edicionit të 11-të Festivalit ‘FemArt’ 2023
Pas përfundimit të koncertit, në një prononcim për KultPlus, Violonçelistja Rina Kaçinari, tha se ndihej shumë e lumtur që mori pjesë në këtë Edicion të FemArt, dhe e cilësoi si arritje shumë të madhe udhëheqjen e koncertit e cila ishte bashkëpunim me dy kolegët e saj meshkuj.
“Jam për herë të dytë në FemArt dhe jam shumë e lumtur. Kam qenë para shtatë vitesh përafërsisht. Kjo është hera e dytë, dhe jam shumë shumë e lumtur, se është gjithmonë një ndjenjë e posaçme kur merr pjesë si grua në këtë festival, por këtë vit erdha me dy kolegë. Dhe si grua kjo është një arritje shumë e madhe që me i udhëheq kolegët edhe me ta me dalë në skenë bashkë.”, ka thënë Kaçinari, gjithnjë duke pas parasysh kauzën feministe të festivalit “FemArt”.
Organizatorja e Festivalit, Zana Hoxha në një prononcim për KultPlus ka thënë se ndihet shumë e lumtur pasi ka qenë përmbyllja më e mirë që ka mundur të imagjinojë.
“Kemi kaluar jashtëzakonisht mirë dhe jam tejet mirënjohëse që e kanë bërë këtë punë të madhe dhe me gatishmëri, vullnet. Po besoj që ka qenë një javë e mbushur me festë, me reflektim dhe rebelizëm. Sonte ka qenë përmbyllja më e mirë që kisha mundur ta imagjinoja, kështu që jam shumë e lumtur. E kam shijuar dhe jam shumë krenare me punën që tërë artistet, artistët dhe aktivistët e kanë bërë”, ka thënë Hoxha.
Organizatorja më tutje ka thënë se realizimi i këtij festivali gjatë shtatë ditëve, ka qenë një lloj diplomacie kulturore në botë, pasi për Kosovën, përmes ‘FemArt’ kanë pasur rastin të dëgjojnë ato vende të cilat më parë nuk kanë dëgjuar në media.
“Me të vërtetë këto shtatë ditë e kemi shndërruar një skenë serioze të kulturës në një skenë feministe e cila inspiron dhe bën thirrje për ndryshime pozitive. Ka qenë një diplomaci kulturore, gjë që për shembull, ne gjithmonë e kemi bërë por nuk ka pasur emër, mirëpo shumica e artistëve na kanë thënë që është një pasqyrë pozitive për Kosovën, të cilën kurrë nuk e lexojnë në media, kurë nuk e dëgjojnë në vendet e tyre. Ka qenë një diplomaci kulturore dhe jam shumë e lumtur që ka përfunduar në një mënyrë të tillë”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa nikoqirja e ‘FemArt’-it në Komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi, për mbrëmjet e këtij festivali që janë shtrirë edhe në Mitrovicë, ka thënë se ishin netë magjike
“Ka qenë një natë me të vërtetë magjike. Ashtu siç e ka merituar edhe publiku edhe vetë FemArt, krejt ky angazhim u kurorëzua edhe me mbrëmjen nga Rina-Trio dhe Kori i Grave Okarina. Kështu që u kënaqa. Jam mbushur me energji dhe shumë dashuri, edhe shumë fuqi besa. E kemi kallë tutën’’, ka thënë Idrizi.
Idrizi falënderoi organizatoren dhe të gjithë artistët për kontributin e dhënë për realizimin e këtij festivali, pasi këtë vit FemArt pati një shtrirje të pjesërishme edhe në Komunën e Mitrovicës.
“Fillimisht jam jashtëzakonisht mirënjohëse ndaj Zanës, ‘FemArt’-it, Art Polisit dhe gjithë ekipit fantastik që ata e kanë. Gjithashtu i falënderoj që e kanë futë edhe Mitrovicën këtë edicion. Që nga edicioni i parë, nuk ka kaluar asnjë edicion që nuk kam qenë e përfshirë. Kështu që jam një fanse dhe një mike e FemArtit, e këtë herë jam shumë e lumtur që ka qenë një program shumë i begatë me një audiencë shumë të madhe edhe në Mitrovicë’’, ka përfunduar Idrizi.
Edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve – ‘FemArt’, nën moton “Kalle Tutën’’, është mbajtur nga 15-21 maj, 2023 në Prishtinë dhe Mitrovicë./ KultPlus.com
Mbrëmë në teatrin Oda, në kuadër të edicionit të 11 të Festivalit Fem Art, u dha shfaqja e Mitcha Figas “The Superfluous Man” nga regjisori Yehezkel Lazarov, e cila ishte bashkëpunim me Trupën Artistike Rezidente të Artpolis, shkruan KultPlus.
Shfaqja “The Superfluous Man”, që në vete ngërthente art dhe filozofi, për tu paraqitur para audiencës prishtinase, këtë herë kishte udhëtuar nga Izraeli.
Shfaqja nisi rreth orës 19:00, këtë herë filloi në oborrin e Teatrit Oda, dhe përgjithësisht trajtoi fenomenin e indiferencës në jetën shoqërore dhe private, ku përtacia, mosveprimi, plogështimi dhe ëndërrimi, janë pjesë e sistemit të besimit të heroit.
Trupa Artistike Rezidente e ArtPolis, në përbërje nga aktorët Qëndresa Kajtazi, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Labinot Raci dhe Blerta Gubetini zbritën nga shkallët e Pallatit të Rinisë, prej nga edhe filluan performancën e tyre disa minutëshe me thënie filozofike nga filozofi Artur Shopenhauer.
“Ne na pëlqen të shohim teksa njerëzit tjerë vuajnë, sepse kjo na jep ne kënaqësi. Duke e parë se jemi të përjashtuar nga vuajtja.
Arsyeja që njerëzit i mbajnë fytyrat e lumtura, edhe pse përbrenda vuajnë rrjedh vetëdijshëm nga kujdesi që njerëzit kanë për këtë trajtë njerëzore pa shpëtim. Ku zbulohet kënaqësia që ndiejmë tjetrin duke vuajtur”, ishin fjali filozofike te cilat trajtonin thellësinë e qenies njeri.
Pas përfundimit të pjesës artistike, aktorët e Artpolis u zhvendosën në hollin e Teatrit Oda të cilët e vazhduan perfomancën e tyre duke pritur audiencën të hynin brenda në sallë, duke i kënduar ninullat “Nina, Nana në djep të drunit t‘i mu bëfsh plak i katunit” dhe “Nina, nana në djep të hekurit t’i mu bëfsh plak i qytetit” duke e parë në korridorin e saj një grua në gjumë dhe videoinstalacionin “Fantazma” nga Ran Slavin.
Pastaj, brenda Teatrit Oda u dha edhe pjesa tjetër e shfaqjes nga aktorët e Izraelit, shfaqje e cila trajtoi fenomenin e indiferencës në jetën shoqërore dhe private në një botë e cila është e përqendruar në synime, aspirata dhe arritje, ku kërkohen përgjigje për pyetje se a është legjitim largimi nga sekuenca e vazhdueshme e jetës, nga fuqia punëtore dhe nga jeta shoqërore? dhe a ka të drejtë një njeri të jetojë jetën e tij pa lënë gjurmë?
Aktorë në këtë pjesë ishin: Adam Gabay, Shirah Naor, Vladimir Friedman, Alon Barel, Bar Sade dhe Eduard Shpochman.
Shfaqja izraelite e cila u dha me titra në gjuhën angleze, pati edhe disa pika të ndërlidhura të cilat herë pas here shfaqeshin edhe në shqip. Një lloj meditimi u realizua nga të gjithë pjesëmarrësit, e cila u mundësoi pjesëmarrësve të shkëputeshin nga e kaluara dhe e ardhmja si dhe identiteti i tyre.
Përfundimi i shfaqjes pasoi me duartrokitje të shumta, si shenjë falënderimi për artin e dhuruar. Ndërsa aktorja nga Trupa Rezidente e Artpolis, Kaltrinë Zeneli në një prononcim për KultPlus tha se ka qenë interesante përvoja për të qenë pjesë e shfaqjes e cila në fillim ishte monolog filozofik.
“Ka qenë interesant për të realizuar hyrjen në një shfaqje të tillë. Njëkohësisht është edhe nder për ne me qenë pjesë kësaj shfaqje. Fillimisht ne kemi bërë një work-shop, ku pastaj regjisori na ka treguar dhe na ka ndarë rolet. Pjesa e parë e shfaqjes ishte me një monolog filozofik”, ka thënë aktorja.
Aktorja Zeneli po ashtu, ka thënë se interpretimi dhe përgatitja e këtij monologu nuk ka qenë e vështirë, pasi sipas saj aktorët janë të mësuar të interpretojnë pjesë të vështira teatrale.
“Nuk ka qenë diçka e vështirë. Ne si aktorë jemi mësuar me gjëra shumë më të vështira dhe kjo ka qenë diçka si një lloj paragjelle nëse e përdorim analogjinë. Interesant ka qenë. Ne nuk e kemi parë shfaqjen nuk e kemi ditë se çka do të përmbajë ose çfarë ka me qenë shfaqja. Po mandej u lidh në tërësi edhe pjesa si e filluam ne dhe mandej edhe zhvillimi i shfaqjes. Për mua ishte një gjë shumë e mirë.”, ka përfunduar Zeneli.
Kjo shfaqje ishte në kuadër të natës përmbyllëse të edicionit të 11—të të Festivalit FemArt, i në vend brenda një jave solli artistë dhe shfaqje të ndryshme nga bota, e të cilat këtë herë, përpos kryeqytetit, patën shtrurje edhe në qytetin e Mitrovicës./KultPlus.com
Aktori Ray Stevenson ka vdekur në moshën 58-vjeçare, vetëm disa ditë para ditëlindjes së 59-të.
Stevenson ka luajur në një varg filmash aksion dhe fantazi, duke përfshirë filmat si “Punisher: War Zone”, “King Arthur” dhe serialin “Ahsoka”.
Aktori ka lindur në Lisburn, Irlandë e Veriut, më 25 maj 1964, i dyti nga tre djemtë e një piloti të Forcave Ajrore Mbretërore.
Familja u transferua në Angli kur ai ishte tetë vjeç.
Si i rritur ai u regjistrua në Shkollën e Teatrit në Bristol Old Vic, ku diplomoi në moshën 29-vjeçare, shkruan Dailymail, përcjell Klankosova.tv
Pas paraqitjes si mysafir në shfaqje të ndryshme televizive dhe filma televizivë, ai bëri debutimin e tij në ekranin e madh në vitin 1998 në “Theory of Flight”, si një zhigolo, duke luajtur përballë Kenneth Branagh dhe Helena Bonham Carter.
Ai fitoi një punë të qëndrueshme më pas duke u shfaqur në seriale të ndryshme televizive britanike.
Ai në vitin 2004 luajti në King Arthur. Pas kësaj, ai filloi të fitonte më shumë pjesë aksioni, duke luajtur një ushtar trupmadh me një zemër të artë në mini-serialin fitues të Emmy-t “Roma”, dhe më vonë si hero aksioni Frank Castle në “The Punisher”.
Kartolinat ndër vite kanë simbolizuar një mënyrë të veçantë të komunikimit. Ato rëndom kanë përbërë peizazhe të bukura dhe mbishkrime me kuptim, shkruan KultPlus.
KultPlus sot ju sjellë një kartolinë mjaft të veçanta nga qyteti i Lezhës, të postuar nga Micky Haxhiislami. Kartolina i takon vitit 1920 dhe në të shkruhet “Ktu gjindet rrasa shkrue me shkroia arit, ktu gjindet vorri i Skenderbeg shqyptarit”.
Lezha është një grishje e përhershme dhe një estetikë e gjallë e sendeve dhe qytetërimit iliro-shqiptar, një stacion diturak i mijëvjeçarëve dhe i kënaqësive të veçanta të banorëve dhe të udhëtareve. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një njoftimi në facebook ka treguar se me intensitet të lartë po vazhdon puna në restaurimin dhe rifunksionalizimin e shtëpive tradicionale në Janjevë.
Punimet që janë pjesë e projektit “Trashëgimia kulturore si nxitës për ringjalljen ekonomike të Janjevës”, sot i panë nga afër ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Maria Suokko, Nedjelko Spilekti, konsull në Ambasadën Kroate në Kosovë dhe partnerë tjerë të projektit.
Restaurimi i shtëpive do të kontribuojë në ringjalljen e historisë dhe inkurajimin e ruajtjes së trashëgimisë së pasur kulturore, po ashtu të krijoj mundësi për ringjallje socio-ekonomike duke promovuar turizmin lokal.
“Për më tepër, nisma të rëndësishme janë në zhvillim e sipër, si krijimi i platformës për të hartëzuar asetet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore për turizmin rural, trajnimi për guidat turistike dhe mbështetja për gratë dhe të rinjtë përmes trajnimeve për zhvillim të aftësive që kontribuojnë në fuqizimin e tyre ekonomik”.
Kam dashur, po dua tani më me zjarr, Kam qenë shërbyes, tani jam një skllav, Me ç’zell kam shërbyer këdo! Por befas më ndezi kjo mike besnike, Dhe nis ma shpërblen çdo dhimbje fisnike, Per mua s’ka tjeter si kjo!
Besova, tani besoj me pasion! Në shkon jeta mbarë a barra ngarkon, Besimi prej eje s’mërgohet! Po ngryset kaq shpesh, po erret e nxin, Shtrëngon kaq brenga, rreziku arrin, Por qielli nis prapë kthjellohet!
Kam ngrënë, tani po ha sa për tre, Me ndriti krejt shpirti e zemra më rreh, Gjithçka e harroj mes defrimi! Rinia me zjen bërtas e gajas, Kam mall që të shtrohem ndër vene plot gas, Ngjeroj, më shijo fort ushqimi!
Kam pirë me parë, tani s’lë sapllak, Dhe vera na ngre, na bën me cakmak, Dhe gjuhën na gjidh nga zinxhirat! Nga vozat po zbrazet e rrjedh me rrëmbim, Na ndez kaq deshira, na ngjall kaq besim, S’na ndalin hendeqet, rrepirat!
Në valle jam hedhur, ne valle marr zjarr, Asnje shilarthar dhe asnjë valltar S’erdh rrotull në valle si flutur! Dhe kush shumë lule ia doli te thurë, Dhe kurre s’i ndau, s’i shkeli në turr, I mbeti kurora e bukur!
Ta thurim kurorën! Mos kini ngurrime! Kush merr trëndaflin plot vese e shkelqime E çjerr veç pak gjëmbi i mprehtë. Si dje edhe sot shkelqejnë fort yjet, Por larg mjaft i rrijnë kujt frikshëm ul kryet Dhe ngrys po gjithnjë po në jete!./KultPlus.com
Në Korçë do të zhvillohet nesër workshopi i digjitalizimit dhe artit, në kuadër të Javës së Evropës 2023.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cili bëri thirrje për pjesëmarrje, ku informon se, në këtë workshop do të paraqitet projeksioni i hartës së pikturave Zengo, të frymëzuara nga femrat e para artiste piktore shqiptare.
Të rinjtë do të mësojnë rreth historisë së artit dhe digjitalizimit nga profesorë ekspertë në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Dita do të përfundojë me Konkursin e Shkollës së Thurjes për fëmijë, ku artizanët vendas do t’u mësojnë aftësitë bazë të veshjeve të thurura.
Fituesi do të marrë certifikatën “Thurësi/ja e Vitit”./atsh/KultPlus.com
Është hapur sot edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove i Prishtinës.
Festivali do t’i mbajë dyert hapur deri më 28 maj, dhe organizatorët u shprehën shumë entuziastë.
“Duke mbajtur emrin e drejtoreshës artistike ‘Burbuqe Berisha’ ka hapur dyert festivali i vetëm ndërkombëtar i teatrit në Kosovë PITF 2023”, thuhet në njoftimin e PITF-it.
“Ky festival që do të sjellë shtatë shfaqje të ndryshme për publikun të cilat fillojnë nga datat 22 maj deri me 28 maj, është realizuar nga një angazhim i madh i një ekipi të gjerë të cilin e falënderoi drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi”.
“Ajo në një konferencë për media tha se ky festival tashmë ka marrë përmasa botërore dhe e gjithë puna me angazhimin e treguar ka rezultuar me sukses”.
“Edhe drejtori ekzekutiv i Art Image, Ilir Bytyçi, tha se ky organizim ndërkombëtar dhe garues përbën shfaqje të cilat janë zgjedhur nga një komision profesional, duke shtuar se qëllimi kryesor është që Kosova të njihet në gjithë botën përmes artit dhe kulturës”./KlanKosova/KultPlus.com
Kalaja e Gjirokastrës u kthye për katër ditë me radhë në një skenë festive për fëmijët e të rinjtë e moshave të ndryshime.
Muzika klasike nën magjinë e tingujve të pianos, violinës, kitarës, flautit, violinçelit apo muzikës së dhomës e luajtur me pasion nga të rinjtë solli emocione të shumta në edicionin e dytë të të konkursit ndërkombëtar “Tempo”.
Pjesë e këtij konkursi u bënë më shumë se 200 instrumentistë të vegjël nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe pjesëmarrës nga jashtë Shqipërisë të cilët plot talent interpretuan repertorë të ndryshëm në Kalanë e Gjirokastrës.
Të rinjtë konkuruan në disiplinat e ndryshme në edicionin e dytë të konkursit ndërkombëtar “Tempo” organizuar nga GjiroClassica e Bashkia Gjirokastër, event i cili u ndoq edhe nga vizitorë vendas dhe të huaj.
Gjatë këtij edicioni të rëndësishëm të muzikës klasike u ndanë edhe çmime të ndryshme për të rinjtë pjesëmarrës./atsh/KultPlus.com
Lasgush Poradeci, shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shpirtin e shqiptarëve saqë ata vendosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, që një qytet të tërë ta quajnë: “Pogradeci i Lasgushit”.
Përveç poezive, Lagushi ka lënë si testament edhe këshilla për poetët.
Maria Poradeci, vajza e Lasgushit, pati ndarë dikur me ndjekësit e saj në Facebook një pjesë ku Lasgushi flet për poezinë dhe poetët.
“Poezia është hyjnore. Prandaj kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi, duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj. Prandaj poezi mund të shkruash vetëm pak, se ku t’i gjesh gjithë ata xhevahirë?
Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi.”
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka uruar sot Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit me një shumëllojshmëri bimësh që rriten në vendin tonë, nga veriu në jug.
“Një buqetë lulesh të mbledhura nga zonat e mbrojtura prej veriut në jug, që janë oazet më të qeta e të larmirshme të biodiversitetit në Shqipëri, në Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit”, shkruan Kumbaro në postimin e saj në rrjetet sociale.
Kombet e Bashkuar shpallën 22 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, të shumëllojshmërisë biologjike.
Zonat e mbrojtura, tashmë janë habitate të qeta dhe të sigurta, ku fauna shtohet e pasurohet në vazhdimësi.
Ligatinat bregdetare dhe liqenet brenda vendit janë zona veçanërisht të rëndësishme për dimërimin e llojeve migratore.
Vendosja e moratoriumit të gjuetisë ishte një iniciativë që me gjithë qëndrimin kundër të gjuetarëve e rriti ndjeshëm numrin e kafshëve të egra apo zogjve shtegtarë, madje edhe të atyre në rrezik zhdukjeje në Zonat e Mbrojtura, duke sjellë në vendin tonë disa nga llojet e shpendëve më të rrallë në botë.
Si pasojë e moratoriumit të gjuetisë, në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë është rritur numri i shpendëve të ujit, ku flamingot i gjejmë në këtë park si asnjëherë më parë.
Shtim të llojeve të faunës së egër kemi edhe në Kune-Vain; në Liqenin e Shkodrës, në Nartë, Butrint, Orikum, Patok, në Karpen, Seman dhe në liqenin e Tiranës.
Pasuritë natyrore, bukuria e krahinave dhe pyjeve shqiptare janë kthyer edhe në një atraksion turistik për vizitorët vendas dhe të huaj ku kanë mundësi të vëzhgojnë kafshë dhe shpendë të rrallë qëllon t’i hasësh në përditshmëri./ atsh / KultPlus.com
Pikë së pari, të uroj dashuri. Dhe duke dashur, uroj të të duan.
Por nëse kjo nuk ndodh, atëherë tregohu i shkathët për të harruar. Dhe pasi të kesh harruar, uroj të mos pendohesh. Uroj vërtetë që kjo mos të të ndodhë, por nëse ndodh dhe ti harron, shpresoj të mos zhytesh në dëshpërim. Të uroj të kesh shumë miq. Edhe nëse ata janë të këqinj ose të parëndësishëm.
Uroj të kesh miq të guximshëm dhe të vërtetë. Dhe uroj që një prej tyre të jetë më i besueshmi. Por sepse jeta është në këtë mënyrë që është, të uroj armiq. As shumë, por as pak. Një numër i ndërmjetëm, që të të bëjë të pyesësh veten për të vërtetat dhe siguritë e tua. Dhe le të jetë mes tyre njëri që do jetë i drejtë, që të mos ndihesh kurrë i sigurtë në idetë e tua.
Uroj të jesh i dobishëm, por jo i pazëvendësueshëm. Dhe në momentet e tua më të këqija, kur të mos kesh asgjë, ajo dobishmëri të të mbajë në këmbë. Në proporcion me të, të uroj të jesh tolerant. Jo me ata që bëjnë gabime të vogla, sepse kjo është shumë e thjeshtë, por me ata që bëjnë gabime të mëdha, të cilat nuk mund të zhbëhen.
Përdore mirë tolerancën tënde që të bëhesh shembull për të tjerët. Uroj që kur të jesh i ri, të mos rritesh shpejt. Dhe atëherë kur të jesh rritur, mos këmbëngul të jesh sërish i vogël. Dhe kur të plakesh, mos u dëshpëro. Sepse çdo moshë ka kënaqësitë dhe dhembjet e veta, dhe ne kemi nevojë për të dyja këto në jetë. Gjithashtu, uroj të jesh i mërzitur, të paktën një ditë. Kështu në atë ditë do kuptosh se të qeshësh çdo ditë është mirë, të qeshësh shpesh është e mërzitshme dhe të qeshësh vazhdimisht është çmenduri.
Uroj që të zbulosh me shumë shpejtësi nga ajo që thashë më sipër, se në botë ka njerëz të palumtur, të depresionuar dhe të patrajtuar mirë. Të uroj të përkëdhelësh një qen, të ushqesh një zog e të dëgjosh cicërimën e tij, që dëgjohet në mënyrë triumfuese çdo mëngjes. Sepse në këtë mënyrë, do ndihesh mirë, pa arsye.
Dhe pastaj, uroj të ujisësh një farë, sado e vogël qoftë ajo. Dhe të jesh dëshmitar i rritjes së saj, që të shohësh se sa jetë jeton një pemë. Të uroj gjithashtu, të kesh pará, sepse duhet të jemi praktikë. Dhe të paktën, një herë në vit, t’i vendosësh përpara teje e të thuash “Këto janë të miat.”. Kështu, do kuptohet se kush zotëron kë. Uroj që asnjë nga të dashurit e tu të mos vdesë. Por nëse disa prej tyre vdesin, uroj të qash pa pendesë dhe pa u ndjerë në faj për fjalët që kurrë nuk ua the apo gjërat që kurrë nuk i bëre për ta.
Së fundmi, nëse je mashkull, të uroj një femër të mirë përkrah, e nëse je femër, të uroj një mashkull të mirë. Dhe ta doni njëri – tjetrin nesër, dhe ditën pas të nesërmes. Dhe kur të dy të jeni të lodhur e të buzëqeshur, uroj të keni sërish dashuri për t’ja nisur ditës tjetër nga e para. Nëse të ndodhin të gjitha këto, atëherë nuk të uroj asgjë më tepër se kaq. /KultPlus.com
Prestigjiozja e Mbretërisë së Madhe, “Daily Mail” ia ka kushtuar një artikull kryeqyteti të Kosovës, Prishtinës duke e cilësuar si një vend të mirë për blerje pronash dhe investime kapitale.
Daily Mail shkruanse çmimet e larta të banesave dhe rritja e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar po i shtyjnë blerësit jashtë vendit, pasi ata kërkojnë t’i shumëfishojnë paratë e tyre.
Sipas të dhënave të qeverisë, çmimi mesatar i shtëpive në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 294,910 £, ndërsa shtëpitë në Londër kushtojnë gati dyfish.
Shtëpitë në kryeqytetin e Anglisë tani janë të tretat më të kushtueshme në Evropë pas Stokholmit dhe Dublinit, thotë këshilltari i pronave, “Your Overseas Home”.
Vlera më e mirë e parasë është në Prishtinë, zbulon hulumtimi i kësaj agjensie. Për 250,000 £ mund të blini një shtëpi me pesë dhoma gjumi me tre banja, një garazh dhe kopsht të madh.Pronat në qytet kushtojnë mbi 600 euro për metër katror, një pjesë e mesatares së Londrës prej 9300 euro për metër katror
Kryeqytetet në Evropën Lindore priren të jenë vendet më të përballueshme për të blerë prona, por studimi e konsideroi gjithashtu Evropën si një kontinent gjeografik dhe Jerevani i Armenisë renditet në vendin e dytë.
Në peizazhin e saj të rrethuar nga mali, me 300,000 euro do të blini një shtëpi të mobiluar plotësisht, me tre dhoma gjumi, me tre banja, një kopsht të madh dhe garazh me tre makina.
Christopher Nye në Your Overseas Home, tha se kostoja e jetesës, rritja e inflacionit dhe normave të interesit e kanë bërë të vështirë për shumë njerëz që të marin vendimin për të blerë shtëpinë e tyre të ëndrrave në MB.
“Të shohësh këto vende që janë shumë më të përballueshme, mund t’i inkurajojë ata që të nisin drejt një stili jetese shumë më të përballueshëm”, tha ai./rtk/ KultPlus.com
Moti ekstrem ka shkatërruar thuajse 12 mijë katastrofa nga viti 1970 deri në vitin 2021 në të gjithë botën. Pasojat e këtyre kushteve klimaterike kanë sjellë mbi 2 milionë viktima, 90% prej të cilëve në vendet në zhvillim. Kurse, dëmet në ekonomi kanë qenë thuajse 4.3 trilionë dollarë.
Shifrat u njoftuan sot nga Organizata Botërore Meteorologjike, pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në deklaratë specifikohet se dëmet ekonomike janë rritur dramatikisht, por shtohet se përmirësimet e bëra në sistemet e paralajmërimit dhe menaxhimit të katastrofave kanë ulur shkallën e humbjeve në jetë njerëzish në gjysmë shekulli.
OKB-ja tashmë ka si synim kryesor që të sigurojë paralajmërimet e hershme deri në fund të 2027. / KultPlus.com
Sot 137 vite më parë, më 22 maj 1885 ndali trokun e vet të drobitur nga vitet dhe dhimbjet, zemra 83-vjeçare, e Viktor Hygoit, babait të romantizmit dhe atit të kombit francez, dalëzotësit të paepur të të nëpërkëmburve, të varfërve, të gjithë atyre që i kishte ndëshkuar më shumë se fati, koha.
Bota e humanizmit me vdekjen e Viktor Hygo, ndahet me një emblem, me një shëmbëlltyrë të pashembullt dhe vetanake në udhëprirjen e njerëzimit përnga barazia, toleranca, drejtësia dhe besimi.
Karroca e të varfërve me kurmin e tretur së gjalli të Hygoi u vendos për një natë nën Harkun e Triumfit dhe u shoqërua nga 12 poetë. Dy milion persona asistuan në ceremoninë e lamtumirës. Franca dhe bota mbarë do të ishte dëshmitare e një prej akteve më solemne të mirënjohjes, e denjë për zotër dhe etër. Ai ishte ati i shpirtrave të shërbyer prej njerëzores. Nga çdo cep i Francës kishin ardhur atë ditë për tu ndarë me zërin e zemrave të tyre. Ajo ishte dhe mbeti për shumë kohë një nga ceremonitë e lamtumirës më madhështorja që njerëzimi kishte parë.
Viktor Hygoi iku për të mbetur jo vetëm në bibliotekë, në mëndje dhe në përjetime, por edhe në të tashmen, si i gjithkohëshëm.
Të 50.000 frangat që kishte kapital ai e la me amanet për të varfëritë. I tillë ishte ai. E tillë, pikëlluese dhe e pazëvendësueshme ishte humbja e tij. Me ikjen ai la kryeveprën monumentale, la personazhet, Zhan Valzhanin, Anzholrasin, Gavroshin, Mirielin, Guinplenin, Kazimodon, Esmeraldën, të cilët gjallojnë në frymimin e përgjithmonshëm të penës së tij humaniste, shpirtit të tij të madh, zemrës që troket atëditë e sot në kalldrëmet e fateve të krisura, që zvarget hekakeqe edhe tash mbas 135 vitesh në baltën që përlyen ndërgjegjen e kohërave, për të qenë përherë një zë denoncues, një ndëshkim, një fshikull, një akuzë. /albertvataj / KultPlus.com
Fotot e Elon Musk duke u puthur me një robot po bëjnë xhiron e internetit.
Themeluesi i kompanive “Tesla” dhe “SpaceX” shihet me disa modele, që “janë robotë të dizajnuar me inteligjencë artificiale, me personalitet dhe karakteristika të gruas që gjithmonë ka ëndërruar”, sipas drejtorit të një firme ndërtimi, David Marven.
Ai shtoi se roboti punon me energji diellore dhe nuk ka nevojë për karikim.
Por, më pas sqaroi se fotot e çuditshme janë bërë duke përdorur inteligjencën artificiale.
“Qëllimi i këtij postimi është për të bërë të qartë rreziqet e inteligjencës artificiale”, shkruan në fund të postimit David Marven. / KultPlus.com
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë u bëri thirrje vendeve që të zbatojnë reformat e nevojshme për t’u përgatitur për pandeminë e ardhshme. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se tani ka ardhur koha për të shpejtuar negociatat që synojnë parandalimin e pandemisë së ardhshme.
“Nëse ne nuk bëjmë ndryshimet që duhen bërë, atëherë kush do t’i bëjë? Dhe nëse nuk i bëjmë tani, atëherë kur?”, tha ai.
Takimi dhjetëditor i OBSH-së përkon me 75 vjetorin e saj dhe do të diskutojë çështjet globale të shëndetit, duke përfshirë pandemitë e ardhshme.
194 vendet anëtare po negociojnë reforma për rregullat që përcaktojnë detyrimet e tyre në rast të një kërcënimi ndërkombëtar shëndetësor dhe po punojnë për një traktat më të gjerë të pandemisë që pritet të ratifikohet vitin e ardhshëm. / atsh / KultPlus.com
Kompania mëmë e Facebook Meta është dënuar me një gjobë rekord prej 1,2 miliardë euro (1,29 miliardë dollarë) për shkelje të ligjeve të BE-së që lidhen me të dhënat, njoftoi sot autoriteti irlandez i mbrojtjes së të dhënave DPC.
Rasti ka të bëjë me përfshirjen e Facebook në përgjimin masiv nga agjencitë e shërbimeve sekrete anglo-amerikane, që u zbulua nga sinjalizuesi amerikan Edward Snowden.
“Kompania ka kishte shkelur Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR)”, tha DPC.
DPC është autoriteti kombëtar i pavarur përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave të individëve në BE si një e drejtë themelore.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim fillestar nga Meta apo sipërmarrësi, Mark Zuckerberg. /atsh / KultPlus.com
Në burgun e Qafë Barit ndodheshin 500 të burgosur politikë të dënuar mbi 25 vite burg dhe si pasojë e kushteve të këqija dhe dhunës së ushtruar, të dënuarit shpërthyen në revolta më 22 maj 1984.
Burgu i Qafë Barit ndodhej 18 km larg qytetit të Pukës. Ishte mëngjes dhe të burgosurit u grupuan në shesh duke mos pranuar të shkonin në punë pa u plotësuar kërkesat e tyre. Më tej në kor, nga brenda rrethimit erdhi thirrja: Poshtë komunizmi! Poshtë diktatura! Poshtë diktatori!
I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake të ardhura nga Tirana. Qindra forca të armatosura, morrën urdhrin për të qëlluar mbi të burgosurit. U përdor dhunë mbi të dënuarit, si Hajredin Fratari, Dalip Zhabolli, Nuredin Skrapari, Sandër Sokoli, Bajram Vuthi, Tom Ndoja, Sokol Sokoli, Sokol Progri, Lush Bushgjoka, Martin Leka, Vllasi Koçi, Lazër Shkëmbi, Haxhi Baxhinovski, Kostandin Gjordeni, Hysen Tabakut. I dënuari Sandër Sokoli, vdiq nga torturat ende pa mbërritur në Degën e Brendëshme të Pukës, ku të dënuarëve të tjerë iu bë dhe hetuesia e gjyqi po aty.
Si përfundim, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli u dënuan me vdekje me pushkatim, ndërsa të tjerët u ridënuan me vite të gjata burgu. / atsh / KultPlus.com
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi e cilësoi shumë të rëndësishëm prezantimin e Shqipërisë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino.
Kushi u shpreh se, “zhvilluam një takim mbresëlënës me nxënës dhe mësues të gjuhës shqipe nga qytete të ndryshme të Italisë, në një atmosferë të mrekullueshme festive në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino”.
Ministrja theksoi se, “në këtë takim, të titulluar “Letra nga Diaspora – Gjuhë në Pasqyrë” diskutuam për gjuhën amtare, dygjuhësinë, rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe dhe botimet për fëmijët e diasporës”.
“Mirënjohje të gjithë mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë, që me shumë pasion, krenari e dashuri ndihmojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditave shqiptare tek fëmijët shqiptarë kudo ku ata jetojnë. Faleminderit Mimoza Hysa dhe Qendra e Botimeve për Diasporën për organizimin e takimit dhe punën e palodhur në përmbushjen e misionit tuaj fisnik e patriotik”, u shpreh Kushi.
Ajo falënderoi ministren Elva Margariti dhe Ministria e Kulturës për ftesën dhe mundësinë e organizimit të këtij takimi në sallonin më të veçantë të librit në Torino “Kronikë në gur”. / atsh / KultPlus.com
Një kitarë e thyer nga Kurt Cobain, ish-vokalisti i grupit Nirvana, është shitur në një ankand për 600 000 dollarë.
Kitara e zezë Fender Stratocaster, që është përdorur nga Cobain, i cili vrau veten në vitin 1994, mendohej se nuk do të shitej më shumë se 100 mijë dollarë.
Kjo kitarë është rregulluar për ankandin, por me të nuk mund të bësh muzikë. Ajo ka firmat e tre anëtarëve të grupit dhe një shënim të vetë Kurt Cobain.
Këngëtari ka thyer shumë kitara gjatë karrierës së tij dhe kitara në fjalë është thyer gjatë punës së grupit për albumin e famshëm “Nevermind”, të vitit 1992.
Identiteti i blerësit nuk është bërë i ditur.
Dy vite më parë, kitara akustike që Kurt Cobain përdori për performancën e tij legjendare në “MTV Unplugged”, të vitit 1993, u shit për 6 milionë dollarë. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Dubravës.
“Afër një muaj përpara se Kosova të bëhej e lirë, makineria e pushtetit gjenocidal të Serbisë, manifestoi egërsinë ndaj të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, me ç`rast në periudhën 19-24 maj 1999, vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë”, tha Osmani përmes një postimi në “Facebook”.
Sipas të parës së vendit, ata po mbaheshin në burg padrejtësisht si pengje të luftës, e në kundërshtim me të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare.
“Masakra e Dubravës është një nga krimet me të tmerrshme të regjimit kriminal serb gjatë vitit 1999, prandaj drejtësia për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit do të jetë triumf i së vërtetës”, tha ajo.
Në këtë përvjetor, Osmani tha se kujtojmë sakrificat, vuajtjet dhe mundimet e këtyre të burgosurve që kontribuuan për çështjen kombëtare, të cilët qëndruan stoikisht e nuk u thyen deri në frymën e fundit.
“Kujtim dhe nderim i përhershëm për ta, sikurse edhe angazhim i pareshtur për ndëshkimin e këtij krimi duke sjellë autorët para drejtësisë”, tha ajo. / KultPlus.com