Malli

Poezi nga Dritëro Agolli

Hëna brirët lan në lumë, uji yllin e spërkat,
Unë sillem nëpër shelgje sonte natën fillikat.

Bulku fshehur pas një drize lumit iso po i mban,
Natë e viseve të mia mbushur plot me jargavan.

Si një rrahje flete molle një të puthur afër ndiej,
Sonte njerëz dashurohen tek ky mal nën këta qiej.

Edhe unë u dashurova dhe me jetën pata fat,
Ndofta edhe puthjen time e dëgjoi një fillikat.

Ndofta ndezi një cigare pranë shelgut tek ky vend,
Ndofta buzët i lëvizi dhe diç solli nëpër mend.

Ndofta, ndofta! …Lumi derdhet , flladi thinjat m’i shpërndan,

Natë e viseve të mia rreh në xham me jargavan/KultPlus.com

Dritero Agolli portrete, Tirane Albania

Sot, Dita Botërore e Meditimit

Kur bota përreth jush është e mbushur me çmenduri, dhe nuk mund të duket sikur të gjesh një çast paqeje në stuhinë e ditës, është koha për t’u kthyer prapa dhe për të kujtuar ato momente të lumtura si fëmijë, ku thjesht të shtrirë diku “e humbitnim veten” duke shikuar qiellin.

Ky është meditimi dhe sot shënohet Dita Botërore e Meditimit e cila shërben si një thirrje për njerëzit që të gjejnë kohë për këtë praktikë të vjetër mijëvjeçare.

Meditimi shërben si një mënyrë për lehtësimin e stresit dhe pastrimin e mendjes.

Dinamika e jetës së sotme e ka bërë meditimin një gjë shumë të nevojshme. Hulumtimet kanë treguar se meditimi ka efekte pozitive mendore dhe fizike kur praktikohet. / KultPlus.com

Të huaj jemi

Poezi nga Ismail Kadare

Të huaj jemi ne prej kohësh,
Ç’ish për t’u thënë është thënë,
Si gurët që zëne vend në tokë,
Në jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri-tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet,
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën, kur i lodhuri truri,
Portat i mbyll me qetësi,
Ti gjen nje shteg dhe futesh brenda,
Një shteg që vetëm ti e di.

Pastaj si në rrugica parqesh,
Shetit mes cirkovolucionesh,
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Por, kur mëngjesi ze afrohet,
Nis shqetësohesh befas ti,
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu, qe del veç ti
E dita vjen. Rrjedh prapë jeta.

Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetare. / KultPlus.com

Ekspozohen veshjet e kurorëzimit të Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Kamila

Fansat mbretërorë do të jenë në gjendje të shohin nga afër veshjet e kurorëzimit të Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Kamila ndërsa ato do të shfaqen në Pallatin Buckingham këtë verë.

Veshjet përfshijnë fustanin mahnitës të Kamilës, i cili përmban qëndisje të ndërlikuara personale.

Kjo ekspozitë e veçantë do të ekspozohet në Hapjen Verore të Dhomave të Shtetit midis 14 korrikut dhe 24 shtatorit 2023. Kostumet e Mbretit dhe Mbretëreshës do të jenë në qendër të skenës, së bashku me një përzgjedhje të rrobave historike të veshura nga monarku në atë kohë të kurorëzimit, duke përfshirë dorezat e kurorëzimit, brezin dhe Stole Royal.

Vizitorët mund të shohin nga afër mantelin mbretëror të veshur nga Mbreti teksa largohej nga Westminster Abbey, të cilin e kishte veshur edhe gjyshi i tij, Mbreti George VI, për kurorëzimin e tij në 1937./abcnews.al/ KultPlus.com

21 maji, Dita Botërore për Diversitetin Kulturor, për Dialog dhe Zhvillim

Dita Botërore për Diversitetin Kulturor, për Dialog dhe Zhvillim është një ditë ndërkombëtare që shënohet me 21 maj e adoptuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në kuadër të UNESCO-s për promovimin e diversitetit kulturor. Kjo ditë u krijua si reagim ndaj shkatërrimit të statujave të Budave të Bamiyan në Afganistan në vitin 2001.

Dita e Diversitetit, e njohur zyrtarisht si \”Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim\” është një mundësi për të ndihmuar komunitetet të ngrisin vlerën e diversitetit kulturor dhe promovojnë jetesën e përbashkët në harmoni.

Kjo ditë është shumë kuptimplotë në Kosovë si ndër vendet më paqësore në Evropë me kultura dhe perspektiva të ndryshme që bashkëjetojnë në frymë të tolerancës dhe diversitetit./ KultPlus.com

Zjarri i teatrit, filozofisë dhe muzikës mbyll “Kalle Tutën” përmes Femart

Më 21 maj, 2023 Festivali FemArt përmbyll edicionin e 11-të me shfaqjen teatrore të Mitcha Figas “The Superfluous Man”, me regji të Yehezkel Lazarov, që është në një udhëtim artistik dhe filozofik nga Izraeli në FemArt. Kjo shfaqje do të prezantohet në Teatrin Oda nga ora 19:00.  

Yehezkel Lazarov është një nga artistët më të shquar izraelit, me karrierë si aktor në dhjetëra filma, seriale e shfaqje teatrore, regjisor, koreograf, si dhe drejtor artistik në film dhe video art.  

“The Superfluous Man” trajton fenomenin e indiferencës në jetën shoqërore dhe private. Përtacia, mosveprimi, plogështimi dhe ëndërrimi, janë pjesë e sistemit të besimit të heroit. Në këtë përshtatje Lazarov pyet nëse një person ka të drejtë të jetojë jetën e tij pa lënë gjurmë. A është legjitime largimi nga sekuenca e vazhdueshme e jetës, nga fuqia punëtore dhe nga jeta shoqërore në një botë që është tërësisht e përqendruar në aspiratat, synimet dhe arritjet? “Unë kurrë nuk e kam fituar jetën, kështu që nuk kisha asgjë për të humbur. Doja të mos ikja ndokund, por thjesht të isha dhe pastaj të mos isha…”.

Lazarov përgjatë FemArt-it ka punuar edhe me Trupën Artistike Rezidente të Artpolis, që do të jetë pjesë e kësaj shfaqje nga Izraeli.  

“The Superfluous Man” pasohet nga Koncerti i Rina Kaçinari Trio, në përbërje të Rina Kaçinari, Jörg Mikula dhe Carles Muñoz Camarero. Koncerti përmbyllës i FemArt do të realizohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës nga ora 21:00.

Rina Kaçinari Trio do të prezantojë një program me kompozime origjinale të tre artistëve që ndërthurin momente të ndryshme të jetës; trishtimin, dashurinë dhe lumturinë.

Me një spektër të gjerë muzikor nga xhazi në Ballkan, nga tango në avangardë, muzikantët kanë bërë një karrierë ndërkombëtare si solo, ashtu edhe në projekte me muzikantë të ndryshëm. Rina dhe Carles kanë ndjekur prej kohësh rrugëtimet muzikore të njëri-tjetrit.  

Këtë vit, dëshira e kamotshme për të bërë muzikë së bashku u realizua. Dy violonçelistë dhe vokalet e tyre harmonizohen në një mënyrë të mrekullueshme. Derisa Jörg Mikula në bateri ngjall kontrapunktën ritmike dhe melodike.

Mysafire të kësaj mbrëmje muzikore janë gratë Korit “Okarina”./KultPlus.com

Mbahet në Gjirokastër konkursi ndërkombëtar Tempo, 210 pjesëmarrës artistë të rinj

Në Gjirokastër është duke u mbajtur konkursi ndërkombëtar Tempo një ngjarje e madhe e muzikës klasike me pjesëmarrjen e 210 artistëve të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.

Nxënësit e shkolla e të artit po konkurojnë në disiplina të ndryshme ndërsa marrin pjesë instrumentistë pianoje, violine, kitare, flauti, violinçeli.

Konkursi Tempo në edicionin e tij të dytë do të ndajë disa çmime të rëndësishme ndërsa muzikantët mendojnë se e gjithë shoqëria ka nevojë për edukim në këtë fushë duke e bërë pjesë të sistemit të edukimit.

“Është një mundësi e mirë që kaq shumë të rinj të shpalosin talentin e tyre në një vend kaq unik si kalaja e Gjirokastrës. Do të jetë një garë emocionuese dhe një mundësi për ta dhe mësuesit e tyre për të bërë krahasime çka i shërben punës me muzikën në vijimësi”- tha Igor Coretti Kuret anëtar i jurisë.

Muzika klasike është një aspekt i munguar i jetës publike megjithëse Gjirokastra ka një traditë të hershme të shkollave të artit. Ky është eventi më i madh i këtij lloji ndër vite që do të zgjasë për katër netë për të ofruar edhe një ngjyrim të ri të jetës së mbrëmjes në fundjavë./Top Channel/KultPlus.com

‘Ti je e bukur sa mëngjeset, sa agimet’

Poezi nga Nazim Hikmet Ran
Shqipëroi: Alban Tartari

Menyja e dashurisë
Ti je e bukur sa mëngjeset – sa agimet,
Ti je si netët e verës së vendit tim
Kur kalorësi i së vërtetës të trokasë në portë
Mos më harro,
Aaah! Trëndafili im i fshehtë

Ti je e bukur dhe e vështirë
Duhet të çelësh në vaktësinë e poezive të mia
Këtu po ta jap puthjen që i kemi borxh jetës
Ti je e bukur sa vendi im
Dhe kështu qëndro…/KultPlus.com

Vdes në moshën 73-vjeçare romancieri i famshëm britanik, Martin Amis

Martin Amis, një nga romancierët më të famshëm britanik të gjeneratës së tij, ka vdekur në moshën 73-vjeçare.

Ai vdiq nga kanceri i ezofagut në shtëpinë e tij në Florida, tha New York Times, duke cituar gruan e tij, shkrimtaren Isabel Fonseca.

Amis është më i njohur për romanin e tij të vitit 1984 “Money” dhe veprën e vitit 1989 “London Fields”.

Ai është autor i 14 romaneve dhe disa librave jo-fiction dhe konsiderohet gjerësisht si një nga shkrimtarët më me ndikim të epokës së tij.

I lindur në vitin 1949 në Oksford, ai ishte djali i romancierit dhe poetit Sir Kingsley Amis.

Amis ndoqi gjurmët e babait të tij pasi u diplomua në Universitetin e Oksfordit me romanin e tij të parë “The Rachel Papers”.

Amis ishte një bashkëkohës i shkrimtarëve të tjerë të famshëm si James Fenton, Salman Rushdie dhe Ian McEwan.

Rushdie nderoi Amis, duke i thënë New Yorker-it: “Ai thoshte se ajo që donte të bënte ishte të linte pas një raft librash – të ishte në gjendje të thoshte, ‘nga këtu në këtu, jam unë’. Zëri i tij është i heshtur tani. Miqve të tij do t’i mungojë tmerrësisht. Por ne e kemi raftin”./KultPlus.com

Gjashtë nga 10 amerikanë kanë bërë një pushim nga Twitter

 Gjashtë nga 10 amerikanë kanë bërë një pushim nga Twitter në vitin e kaluar, sipas qendrës së studimit ”Pew Research” dhe bazuar në një sondazh të kryer me 10701 përdorues.

Elon Musk u bë pronar i platformës në tetor 2022, pak ditë më parë lajmi që identifikoi një CEO të re, Linda Yaccarino që vjen nga NBC Universal.

“Gjashtë nga 10 amerikanë që kanë përdorur Twitter në 12 muajt e fundit thonë se kanë bërë një pushim nga platforma për një periudhë prej disa javësh ose më shumë gjatë asaj kohe,” shkruan Pew në raport.

Në një analizë të veçantë, kompania studioi gjithashtu sjelljen aktuale të 1 002 përdoruesve më aktivë të Twitter dhe gjeti “një rënie të dukshme të postimeve në muajt pas” blerjes së Musk.

“Numri mesatar i tweet-eve mujore nga këta përdorues u ul me rreth 25% pas blerjes,” vëren studimi.

Në mesin e përdoruesve të Twitter, më shumë gra sesa burra thonë se kanë bërë një pushim nga platforma vitin e kaluar (69% kundrejt 54%).

Sondazhi gjithashtu pyeti përdoruesit se sa ka gjasa që ata të përdorin platformën një vit nga tani, 40% thanë se ka shumë ose shumë gjasa ta përdorin atë, 35% ka të ngjarë ta përdorin atë, një e katërta e përdoruesve të anketuar janë përgjigjur se nuk ka shumë ose aspak gjasa të jetë në platformë brenda një viti./KultPlus.com

24 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut

Sot, bëhen 24 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut.

Më 21 maj të vitit 1999 kanë rënë dëshmorë Ekrem Gudaqi e Kemal Thaqi dhe martirët Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi.

21 maji 1999, pos që ka sjellur dhimbje të pashërueshme për banorët, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.

Nga 180 shtëpi sa ka pasur fshati Stagovë më 20 maj, të nesërmen ushtria dhe policia serbe ka djegur dhe shkatërruar mbi 50 për qind të tyre, apo përkthyer në numra mbi 90 shtëpi. Pra, këto fakte flasin qartësisht për qëllimet e regjimit serb të Millosheviçit, që ka qenë jo vetëm zhdukja fizike, por edhe ajo materiale e qenies shqiptare, që përkufizohet si qëllim gjenocidal ndaj një kombi, në këtë rast shqiptarëve të Kosovës. Për shënimin e kësaj dite, këshilli organizues nga fshati Runjevë dhe Stagovë, në bashkëpunim me OVL- UÇK dhe Komunën e Kaçanikut, organizon manifestim përkujtimor në fshatin Stagovë, në orën 12:00. Pas përmbylljes së manifestimeve do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial te Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik./KultPlus.com

‘Ne të gjithë duhet të punojmë, për ta bërë botën të denjë për fëmijët e saj’

Ky artist spanjoll ushtroi një ndikim të madh në lëvizjet artistike të kohës së tij dhe la gjurmët e tij në histori falë faktit se ai ishte gjithmonë besnik ndaj mënyrës së tij për të parë botën dhe stilit të tij jokonvencional.

Ne duam të ndajmë me lexuesit tanë mendimet e tij më të bukura, të çmendura, dëfryese … por edhe të thella e që të zhysin në reflektim njëkohësisht.

Mos harroni se ne lexojmë çdo koment tuajin, ndaj siç është traditë tashmë, presim të na thuash cilën prej thënieve mëposhtë pëlqyet më së shumti:

Kur më thonë se jam shumë i moshuar për të bërë diçka, përpiqem ta bëj menjëherë.

Që kur isha fëmijë kam pikturuar si Rafael, por më është dashur një jetë për të mësuar të vizatoj sërish si një fëmijë.

Arti është gënjeshtra që na ndihmon të shohim të vërtetën.

Unë nuk kam lindur i mësuar, por kam mësuar që kur kam lindur.

Frymëzimi ekziston, por duhet t’ju gjejë duke punuar.

Gjithçka që mund të imagjinohet është e vërtetë.

Kompjuterët janë të padobishëm. Ata dinë të japin vetëm përgjigje.

Unë bëj të pamundurën, sepse e mundshmja bëhet nga çdokush.

Bota e sotme nuk ka kuptim, përse duhet të pikturoj figura që kanë?

Kur isha i vogël nëna ime më tha: Nëse bëhesh ushtar do të bëhesh gjeneral, nëse bëhesh prift, do të bëhesh Papa. Në këmbim të gjithë kësaj, vendosa të isha piktor dhe u bëra Picasso.

Duhet një kohë e gjatë, shumë e gjatë për t’u bërë i ri.

Çdo sekondë e jetës është një moment i ri dhe unik në univers, një moment që nuk do të përsëritet më.

Çfarë u mësojmë fëmijëve tanë? Ne u mësojmë atyre se dy plus dy është e barabartë me katër, dhe se Parisi është kryeqyteti i Francës. Kur do t’i mësojmë gjithashtu se kush janë?T’i themi secilit prej tyre: A e di kush je? Je e mrekullueshme. Je unike.

Ne të gjithë duhet të punojmë, për ta bërë botën të denjë për fëmijët e saj.

Objekti i artit është ç’pluhurosja e jetës së përditshme të shpirtrave tanë.

Armiku më i keq i krijimtarisë është gjykimi “i mirë”.

Për të vizatuar duhet të mbyllësh sytë dhe të këndosh.

Pikturat e mia të vjetra nuk më interesojnë më … Unë jam shumë më kurioz për ato që nuk i kam bërë akoma. [Picasso në 80-at]

Të tjerët kanë parë se çfarë është dhe pyesin pse. Unë kam parë se çfarë mund të jetë, dhe kam menduar pse jo.

Pablo Ruiz Picasso, i njohur më mirë si Picasso, ishte një nga piktorët më të mëdhenj të shekullit 20.

Ky artist spanjoll ushtroi një ndikim të madh në lëvizjet artistike të kohës së tij dhe la gjurmët e tij në histori falë faktit se ai ishte gjithmonë besnik ndaj mënyrës së tij për të parë botën dhe stilit të tij jokonvencional.

Ne duam të ndajmë me lexuesit tanë mendimet e tij më të bukura, të çmendura, dëfryese … por edhe të thella e që të zhysin në reflektim njëkohësisht.

Mos harroni se ne lexojmë çdo koment tuajin, ndaj siç është traditë tashmë, presim të na thuash cilën prej thënieve mëposhtë pëlqyet më së shumti:

Kur më thonë se jam shumë i moshuar për të bërë diçka, përpiqem ta bëj menjëherë.

Që kur isha fëmijë kam pikturuar si Rafael, por më është dashur një jetë për të mësuar të vizatoj sërish si një fëmijë.

Arti është gënjeshtra që na ndihmon të shohim të vërtetën.

Unë nuk kam lindur i mësuar, por kam mësuar që kur kam lindur.

Frymëzimi ekziston, por duhet t’ju gjejë duke punuar.

Gjithçka që mund të imagjinohet është e vërtetë.

Kompjuterët janë të padobishëm. Ata dinë të japin vetëm përgjigje.

Unë bëj të pamundurën, sepse e mundshmja bëhet nga çdokush.

Bota e sotme nuk ka kuptim, përse duhet të pikturoj figura që kanë?

Kur isha i vogël nëna ime më tha: Nëse bëhesh ushtar do të bëhesh gjeneral, nëse bëhesh prift, do të bëhesh Papa. Në këmbim të gjithë kësaj, vendosa të isha piktor dhe u bëra Picasso.

Duhet një kohë e gjatë, shumë e gjatë për t’u bërë i ri.

Çdo sekondë e jetës është një moment i ri dhe unik në univers, një moment që nuk do të përsëritet më.

Çfarë u mësojmë fëmijëve tanë? Ne u mësojmë atyre se dy plus dy është e barabartë me katër, dhe se Parisi është kryeqyteti i Francës. Kur do t’i mësojmë gjithashtu se kush janë?T’i themi secilit prej tyre: A e di kush je? Je e mrekullueshme. Je unike.

Ne të gjithë duhet të punojmë, për ta bërë botën të denjë për fëmijët e saj.

Objekti i artit është ç’pluhurosja e jetës së përditshme të shpirtrave tanë.

Armiku më i keq i krijimtarisë është gjykimi “i mirë”.

Për të vizatuar duhet të mbyllësh sytë dhe të këndosh.

Pikturat e mia të vjetra nuk më interesojnë më … Unë jam shumë më kurioz për ato që nuk i kam bërë akoma. [Picasso në 80-at]

Të tjerët kanë parë se çfarë është dhe pyesin pse. Unë kam parë se çfarë mund të jetë, dhe kam menduar pse jo./shkollaesuksesit/KultPlus.com

Studiuesja skoceze: Vetëqeverisja e malësorëve shqiptarë shkon larg drejt një demokracie të vërtetë

Margaret Haslucku, studiuesja skoceze i ka kushtuar një rëndësi të veçantë Kanunit Shqiptar në botimin e saj “Ligji i pashkruem në Shqipni”, të botuar në vititn 1954. KultPlus sot ju sjellë faqen e 11-të të këtij libri, e që vjen e përkthyer nga Agim Morina.

“Në fakt, vetëqeverisja e malësorëve shqiptarë shkon larg drejt në demokraci të vërtetë në sensin ango-amerikan të kësaj fjale aq të shpërdorueme. Në mënyrën e saj primitive ajo ishte vërtet qeverisje e popullit, nga populli, për popullin”.

“Kjo marrëdhanie e ngushtë në mes të individit dhe bashkësisë [e krijueme me Kanunin Shqiptar] qe gjithashtu frenim për diktaturën. Shtresa sunduese gjithmonë duhej me respektu pronën e individit në bazë të ligjeve të bashkësisë. Ata nuk mun banin kurrfarë ndryshimesh në ligjet ekzistuese derisa të merrnin pajtimin e Kuvendit të katundeve apo të fiseve të tyne. Ata mun të impononin, por nuk mun mblidhnin gjoba (përveç në fiset të cilat kishin gjobambledhës); presioni shoqnor ishte i domosdoshëm për këtë. Në një dënim ma të zakonshëm, për dëbim, ata mun lunin rol jo ma shumë sesa pala e vartësve. Ata nuk mun miratonin dënime të randa si leçitje apo dënim me vdekje përderisa Kuvendi i atij katundi apo fisi nuk bante këtë, e, edhe nëse e bante këtë, ata nuk mun i banin ballë vullnetit të tij. Shkurt e trup, pleqnarët urdhonin por nuk e diktonin sentimentin popullor.

Ata nuk ishin as oligarki e privilegjueme. Ban që uleshin në vendin e nderit apo merrnin kryet apo synin e qengjit në darsëm, por nuk kishin rezidenca zyrtare, kuaj apo roja të nderit të sigurueme për ta në llogari të popullit. Ata jetonin në shtëpi të cilat shpesh ishin ma modeste sesa ato të vartësve të tyne; ata hanin ushqim të njëjtë dhe dërrmoheshin tue punu në mënyrë të njëjtë nëpër fushat dhe ndër grigjat e tyne. Në fakt, vetëqeverisja e malsorëve shqiptarë shkon larg drejt një demokracie të vërtetë në sensin anglo-amerikan të kësaj fjale aq të shpërdorueme. Në mënyrën e saj primitive ajo ishte vërtet qeverisje e Popullit, nga Populli, për Popullin. Ajo i kishte të metat e saja, natyrisht; ndonjëherë ndoj gjyqtar merrte ryshfet apo dikush binte dëshmitar të rrejshëm me gjithë parandalesat e krijueme ndaj këtyne keqpërdorimeve. Prap, sistemi legal si tanësi funkciononte mirë, ishte shpesh ma i shpejtë dhe gjithmonë ma i lirë sesa cilido sistem legal i njëjtë europian dhe linte pak krime të pazgjidhuna”. / KultPlus.com

Duke kërkuar fytyrën tënde

Poezi nga Rumi
Që nga fillimi i jetës time
Jam duke kërkuar fytyrën Tënde
Por sot e pashë.

Sot e pashë tërheqjen,
Bukurinë,
Mëshirën e papërshkruar
Të fytyrës që po e kërkoja
Ditën që të gjeta Ty.

Dhe ata që dje më qeshnin
Dhe më fyenin 
Tu vie keq
Që nuk kërkuan ashtu si kërkova unë.

Jam mahnitur nga madhëria e bukurisë Tënde
Dhe do të dëshiroja të shikoja me njëqind sy.
Zemra më është djegur me pasion
Dhe e ka kërkuar përherë
Këtë bukuri të mahnitshme që tani e mbajë.

Më vie turp ta quaj këtë dashuri njerëzore
Dhe kam frikë nga Zoti ta quaj Hyjnore.

Era e aromës tënde, sikurse flladi i mëngjezit
Erdhi tek qetësia e kopshtit.

Më fryve jetë të re në mua
Jam bërë hija dhe rrezja jote e diellit.

Shpirti im thërret në ekstazë.
Çdo fije në qenien time ka rënë në dashuri me Ty.
Shkëlqimi Yt ka ndezur një zjarr në zemrën time
Dhe e ke bërë të qartë për mua Tokën dhe Qiellin.

Shigjeta ime e dashurisë arriti cakun.

Jam në shtëpinë e mëshirës.

Dhe një vend lutjesh zemra ime u bë. /KultPlus.com

“Moj e mira te pojata” (VIDEO)

Rok grupi kosovar MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978.

Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend.
Haki Misini, është i vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë dhe Mehmet Tupella konsiderohet ende i zhdukur.

KultPlus, sot po e sjellë këngën “Moj e mira te pojata”, një ndër këngët më të famshme të këtij grupi që kanë lënë gjurmë të thella në muzikën shqiptare.

Moj e mira te pojata

Moj e mira o, te pojata, hije te paskan flokt e gjata
Hije t’paskan o, flokt e gjata, shkurtoj pak e tu preft nafaka
Syri yt vasho si filxhani, vetllat t’holla eh sikur gajtani
Shtati yt vasho si selvie, goja jote o si kutie
(Uh dala t’plastë)

Shumë o djal jam bo merakë zëmra don me m’plasë në bark
Smut jam kanë o qe sa javë nuk je ardhë me m’pa
Te kishe ardhë o dej te arra ish qu dada t’kish dal para
Po s’je ardhë o me m’pa mu prandaj mo s’të du

A s’ma falë vash syrin e zi e, ta run baca si synin e tij e
A s’ma falë vash gojën ni herë e, ta shijoj vetëm ty arblere

Uh djal i dadës
Djalë kam ra në krahror tan, shejë në faqe mos me m’lanë,
Shejë në faqe mos me m’lanë, nana më qorton
Dalim në bashqe me shetit, trëndofilet me i ujit
Du me m’than vetëm një fjalë, se të dua djalë…/ KultPlus.com

Fragment i shkëputur nga ‘Xha Gorio’

‘Xha Gorio’- Fragment nga Honore de Balzak

– Asnjë nga bijat nuk do të vijë! – tha Rastinjaku. – Do t’u shkruaj nga një pusullë të dyjave.

– Asnjëra! – u përgjigj plaku, duke u ulur shesh. Kanë punë, flenë, nuk do të vijnë. E dija unë. Duhet të vdesësh, që të kuptosh se ç’janë fëmija… Ah, miku im, mos u martoni, mos bëni fëmijë…! Ne u japim atyre jetën, ata na japin vdekjen. Ne i sjellim në botë, ata na dëbojnë. Nuk do të vijnë, jo! Unë kam dhjetë vjet që e di këtë. E thosha nganjëherë me vete, po s’kisha guxim ta besoja.

Dy pika lot iu rrokullisën nga sytë e i mbetën në zgavrat e skuqura.

– Ah, po të isha i pasur, po ta kisha ruajtur pasurinë time e të mos ua kisha dhënë, ato do të ishin këtu, do të më lanin faqet me të puthura! Do të banoja në një pallat, do të kisha dhoma të bukura, shërbëtorë, zjarr për t’u ngrohur dhe ato do të ishin këtu, me lot për faqe, me gjithë burrat dhe fëmijët e tyre.

Do t’i kisha të gjitha. Kurse tani s’kam asgjë! Paraja të jep gjithçka, edhe vajzat. Oh! ku janë paratë e mija? Sikur të kisha thesare për të lënë, ato do të më rrinin te koka, s’do të dinin ç’të më bënin më parë, do t’u dëgjoja zënë, do t’i shikoja.

Ah, biri im i dashur, djali im i vetëm, më mirë që mbeta i braktisur dhe në mjerim! Të paktën, kur e duan fatzinë, ai është i sigurt që e duan me gjithë shpirt. Jo, desha të isha i pasur, do t’i kisha parë! Për besë, kushedi? Ato të dyja kanë zemër prej guri. Kaq e madhe ishte dashuria ime për to, saqë s’mbetej vend për dashurinë e tyre ndaj meje.

Një baba duhet të jetë gjithmonë i pasur, duhet t’i mbajë për freri fëmijët e tij, si kuajt e hazdisur. Kurse unë rrija në gjunjë para tyre. Faqezezat! Po e kurorëzojnë denjësisht sjelljen që kanë treguar ndaj meje këto dhjetë vjetët e fundit. Nuk e dini ju se sa kujdeseshin ato për mua kohët e para të martesës së tyre! (Oh! ç’martirizim mizor!) U dhashë të dyjave nga tetëqind mijë franga, s‘kishin si të silleshin keq me mua, as ato, as burrat e tyre. Pa t’i shikoje si më prisnin: “Këtu, babush, atje babaçko“.

Gjithnjë shtruar do ta gjeja tryezën tek ato. Me një fjalë, haja bashkë me burrat e tyre, që më nderonin shumë. U dukej se unë diç kisha akoma. Pse vallë? Unë s’kisha folur kurrë për tregtinë time.

Një njeri që u jep të bijave nga tetëqind mijë franga prikë, e vlen që të përkujdesesh për të. Dhe ato më s’dinin ç’të më bënin, po u bënin nder parave të mia, jo mua. Ç’botë e qelbur!/redaktori.net/KultPlus.com

‘Moj e bukura More’, kënga e mrekullueshme pas së cilës fshihet një histori e dhimbshme

Të gjithë e kemi dëgjuar këngën “Moj e bukura More”, një ndër lirikat më të bukura të shkruara ndonjëherë. Por pas këtyre vargjeve fshihet një histori e rrallë, e trishtë dhe e shprehur aq bukur sa rrallë herë mund të haset në këngët e asaj kohe.

Në shekullin XVI, një pjesë e banorëve të trojeve arbërore u detyruan të largoheshin nga aty drejt bregut tjetër të Adriatikut duke kërkuar atje paqen dhe lumturinë që në trojet e tyre pushtuesi turk po ia mohonte. Ata vinin nga Veriu dhe Jugu, nga Lindja dhe Perëndimi, nga fushat e malet e atyre trojeve me një bukuri të rrallë dhe shumë të lakmueshme dhe, veç të tjerash, bashkoheshin edhe në dhimbjen për lënien e atdheut.

Vuajtjet e përjetuara gjatë kësaj vale emigrimi përshkruhen më së miri në kronikat e kohës. Papa Piu II i shkruante Dukës së Burgonjës, Filipit: “Nuk mund t’i shohë njeriu pa derdhur lot këta refugjatë nëpër limanet e Italisë të uritur e të zhveshur, të shpërngulur nga vatrat e tyre që rrinë anës detit e ngrenë në qiell duart. Qajnë e vajtojnë në një gjuhë që s’ua marrim dot vesh.”

Në këtë dhimbje, duke kaluar ditët në vendet larg atdheut, nga shpirti i arbërve që u larguan nga Moreja, lindi një ndër elegjitë më të bukura, lirikat më të ndjeshme të shprehura në disa vargje të magjishme. “Moj e bukura More” mbetet edhe sot si lajtmotivi i dhimbjes shqiptare ndër shekuj, kur ata, të detyruar, i kthyen atdheut shpinën, por në të lanë zemrën, shkruan Konica.al. Dokument i kësaj kënge për herë të parë gjendet në dorëshkrimin e Kieutit botim i vitit 1708, më pas këtë material do ta ribotonte në librin e tij filologu arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), në vitin 1866. Në këtë lëndë është publikuar teksti i kësaj kënge i shkruajtur në shqip, por me alfabet grek:

Moj e bukura More,
si të lash e më s’të pash!
Si të lash, si të lash,
siç të gjeta ngë të lash!
Atje kam unë zotin At’,
atje kam unë zonjën Mëmë,
atje kam dhe tim vëlla,
gjithë mbuluar,
të gjithë mbuluar,
të gjithë mbuluar nën dhe!
Ah e bukura More!
/KultPlus.com

Mediumi ‘THE Music Essentials’: Sunny Hill në mesin e top festivaleve botërore që nuk duhet humbur

Gjersa vera afrohet, mediat anë e kënd botës, kanë nisur krijimin e toplistave për festivalet që nuk duhet humbur. “T.H.E Music Essentials” është një prej tyre. Në top 5 ka vendosur edhe “Sunny Hill Festival”.

“Nëse jeni adhurues i muzikës dhe dëshironi që të ndiqni një festival gjatë kësaj verë, atëherë keni ardhur në vendin e duhur. Në postimin e sotëm do t’ju prezantojmë festivalet më të mira që do mbahen gjatë verës e që më shumë vendosmëri ua sugjerojmë për t’i përcjellë, varësisht prej cilit zhanër pëlqeni”, shkruan gazetari Akshay Bhanaëat për “T.H.E Music Essentials”, i cili u premton lexuesve se nuk do të zhgënjehen nga kjo përzgjedhje që ka bërë mediumi i tyre.

Në mesin e 5 festivaleve më të mëdha Evropiane radhitet edhe festivali “Sunny Hill Festival” që ndryshe në tekst i referohen si ‘Festivali më i mirë në Evropën Juglindore’.

“Ngjarja më prestigjioze muzikore në Kosovë, Sunny Hill Festival është gjithashtu padyshim festivali më domethënës i Evropës Juglindore për shkak të titullarëve të tij të jashtëzakonshëm! Çmimet dhe titullet ende nuk janë shpallur, megjithatë kjo ngjarje konsiderohet nga shumë njerëz si një vend i domosdoshëm dhe një koncert i domosdoshëm për entuziastët e kulturës. Në një përsëritje të mëparshme të ngjarjes, yjet duke përfshirë Dua Lipa, Miley Cyrus, J Balvin, Calvin Harris, Martin Garrix, Afrojack, Hardwell dhe shumë të tjerë performuan, së bashku me artistë të njohur të huaj dhe të rinj vendas”, thuhet në vlerësimin e “T.H.E Music Essentials”.

Lista e 5 festivaleve që nuk duhet humbur:

1.            Primavera Sound (May 29th – June 4th) – Barcelonë, Spanjë

2.            Glastonbury (June 21st – June 25th) – Shepton Mallet, Somerset, UK

3.            Ëomad (July 27th – July 30th) – Malmesbury – UK

4.            Sunny Hill Festival (beginning of August) – Prishtina, Kosovë

5.            Dhe Rock and Seine (August 23rd – August 27th) – Paris, Francë

“T(rance).H(ouse).E(lectronic) – Music Essentials” e themeluar në vitin 2012, është një ndër faqet kryesore sa i përket muzikës electronic-dance. Vazhdimisht publikon me të rejat nga muzika. Nuk mungojnë as kritika muzikore. Përgjatë këtyre viteve në të janë publikuar intervista me artistë të njohur si: Martin Garrix, “W&W”, Paul Oakenfold, Mord Fustang, “Firebeatz”, “Blasterjaxx”, “Cosmic Gate”, “Aly & Fila”, Nic Fanciulli, Nikhil Chinapa dhe shumë të tjerë.

Lexo artikullin e plotë: “Concerts You Should Not Miss For Summer 2023” në:

https://themusicessentials.com/editorials/summer-2023-concerts/?fbclid=IwAR1uy18h75vl6vOiSpqFcaCyRmCl1hneNtmn6cv44Uuoj4mTKIS8vXKgm_Q

Le Figaro (1914): Shkresa e fundit e Princ Vidit drejtuar shqiptarëve, para se të largohej nga porti i Durrësit

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Tetor 2018

“Le Figaro” ka botuar, të dielën e 6 shtatorit 1914, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me shkresën e fundit të Princ Vidit drejtuar shqiptarëve, para së të largohej nga porti i Durrësit, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëri

Lamtumira e princ Vidit

Princi Vilhelm Vidi, ish-princ i Shqipërisë, mbërriti mbrëmë në Ankona dhe u nis për në Vjenë.

Ja teksti që u ka drejtuar shqiptarëve para se të largohej nga Durrësi :

“Shqiptarë !

Kur delegatët tuaj erdhën për të më ofruar kurorën e Shqipërisë, unë iu përgjigja me besim thirrjes së një populli fisnik dhe kalorësiak, i cili më kërkoi t’a ndihmoja në veprën e rilindjes kombëtare.

Unë kam ardhur tek ju me dëshirën më të zjarrtë për t’ju ndihmuar në këtë detyrë patriotike. Ju keni parë, që në fillim, përkushtimin e të gjitha përpjekjeve të mia për riorganizuar vendin, i etur për t’ju mundësuar një administratë të mirë dhe vënien e drejtësisë për të gjithë.

Megjithatë, ngjarje të këqija erdhën për të penguar punën tonë të përbashkët. Në të vërtetë, disa mendje, të verbuara nga pasioni, nuk e kuptuan qëllimin e reformave dhe nuk donin t’i jepnin besim një qeverie të sapolindur.

Përveç kësaj, lufta që sapo ka shpërthyer në Evropë ka komplikuar më tej situatën tonë. Kështu që mendova se, për të mos lënë papërfunduar punën për të cilën dëshiroj të kushtoj fuqinë dhe jetën time, do të ishte e dobishme për mua që të shkoj për disa kohë në Perëndim. Por duhet ta dini, se nga larg dhe afër, do të kem vetëm një mendim, që të punoj për prosperitetin e atdheut tonë fisnik dhe kalorësiak shqiptar.

Gjatë mungesës sime, komisioni ndërkombëtar i kontrollit, i dërguari i Evropës që krijoi atdheun tonë, do të drejtojë qeverinë.”KultPlus.com

Presidentja Osmani në Podgoricë takon të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit së saj në Mal të Zi, pasi mori pjesë në inaugurimin presidentit të ri të këtij shteti, z.Jakov Milatović, ka takuar edhe  të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkruan KultPlus.

Në njoftimin e presidencës thuhet se  në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë e rajon, me fokus të veçantë për zbatimin  e marrëveshjeve me Serbinë të arritura në Bruksel dhe Ohër.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova përbën palë konstruktive dhe ka potencuar se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i plotë, ndërkohë që duhen parandaluar përpjekjet e Serbisë për ta minuar zbatimin e tyre.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës është pajtuar me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, si tërësi dhe pa parakushte të cilat synojnë përqendrimin vetëm në një nen apo në një pjesë të marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Në njoftim gjithashtu thuhet se Presidentja Osmani ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe garancën e tyre që i gjithë procesi të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në funksion të ruajtjes se funksionalitetit të shtetit dhe përshpejtimit të integrimit ndërkombëtar të vendit tonë./KultPlus.com

Si dashuria për ty

Poezi nga Sali Bashota
Ka ra malli
Ka ra malli me fjetë
Si dashuria
Me përkund të njëjtin fat
Me dashtë një dallëndyshe
Me flatra të bardha
Si dikur
Me ikë e me pa dhimbjen
Si nuk vdes në shi
Me e marrë me vete
Atë zjarr të buzëve
Me ia heq shkrumbin
Deri te pragu i vendlindjes
Pa lënë asnjë gjurmë
Si dikur
Ka ra malli me fjetë
Si dashuria për ty/KultPlus.com

Presidentja Osmani uron presidentin e ri të Malit të Zi: Marrëdhëniet tona ndërshtetërore do të thellohen edhe më tej

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar presidentin e ri të Malit të Zi, Jakov Milatoviqin, pas marrjes së postit të presidentit, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani ka thënë se marrëdhëniet mes të dyja vendeve janë të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike, të cilat gjat mandatit të presidentit të ri pritet të thellohen edhe më tej

“Sot në ceremoninë inauguruese, e përgëzova Presidentin e ri të Malit të Zi, z. Jakov Milatović për detyrën, me besimin se përgjatë mandatit të tij marrëdhëniet tona ndërshtetërore do të thellohen edhe më tej. Këto marrëdhënie janë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta demokratike, besimin e ndërsjellë dhe rrugëtimin e përbashkët euroatlantik. Ju priftë e mbara President Milatoviq”, ka shkruar Osmani në facebook./KultPlus.com

Botohet libri ‘Pika ime e dobët‘ e autores Xhevrije Kurteshi Nimani

Autorja Xhevrije Kurteshi Nimani, ka publikuar librin ‘Pika ime e Dobët‘, libër i cili është përmbledhje poezish me tematika të ndryshme, shkruan KultPlus.

Natyra, vendi, dashuria ndaj prindërve janë disa nga vargjet të përfshira në këtë libër, vargje këto fuqishëm ruajnë idenë e rilindasve të kombit.

Redaktori i librit, Hysen Ibrahimi, thotë se autorja me poezinë e saj del fare qartë, duke bërë një paraqitje të re poetike në letërsinë bashkëkohore, kurse në anën tjetër di ta realizojë një paraqitje të situatave nga më të ndryshmet, që janë aktuale në historinë poetike dhe në jetën letrare, ku në disa raste përfshin dashurinë ndaj prindit, vendit, natyrës dhe gjithçkaje që është shqiptare. Vargu i saj ruan fuqishëm idenë e rilindasve tanë, është një kala mbrojtëse nga ngarkesat e jashtme dhe të brendshme, që i vinë kombit tonë.

“Në vlerësimin tim, poetja Xhevrije bën mjaftueshëm përpjekje serioze në krijimin e poezisë së saj në planin lirik, të cilat janë mjaft të ngjashme me ato poezi që japin nyjet e dashurisë atdhetare. Madje, me të drejtë nxjerr vargje me formulim interesant, që i gjejmë edhe te poetët e mëdhenj, me çka mund ta emërtonim letërsinë bashkëkohore në poetikë. Pse? Sepse poetja Xhevrije Kurteshi Nimani ka shkruar nën ndikimin e ngjarjeve historike të vendit të saj të lindjes, por edhe për vetë ngjarjet e ndodhura e përjetuara personalisht. Pra, ky formulim i vargjeve të poetes me të drejtë duhet vlerësuar, botuar dhe promovuar  përmes këtij botimi”, ka thënë Ibrarimi./KultPlus.com

Zjarr në zemër, zjarr në ballë…

Poezi e shkruar nga Lasgush Poradeci.

Ri mbështetur në tryezë
Ndaj më shpesh e ndaj më rrallë,
Pa vjen malli të më ndezë
Zjarr në zemër, zjarr në ballë.

Asohere dyke pritur
I marr tëmbëlat nër duar
E qëndroj krye-venitur
Me vështrim në kraharuar.

Sbret një yll prej lartësije,
Një të ndritur shkrepëtime —
Pasi flakë e posi hije
Ajo ryn në zemër t´ime.

E kuptoj me shpirt të sosur
Si kullon dale-nga-dale,
E si fjalës së palosur
M´i hap kindën e një pale…

Unë qit një psherëtitje,
Thyem pak e zë të shkruaj,
Dhe më shkon më një pulitje
Kur një dit´ e kur një muaj.

Mëndjen t´ime-e merr dëshira,
Ndjej në gjit një këngë gjaku,
M´i fal syrit plot çudira
Këjo odë varfanjaku:

Këjo oda s´ka mënyrë
Ku të kryet, ku të nisë
Ndaj më ndrin si në pasqyrë
Drita e Përjetësisë.

Po çudi tani më fal-ti,
Zjarr, që djeg në shkrepëtimët!
Dyke ngjitur për së nalti
Fërfëllon një flakë-a himët…

Me kullim të pashteruar
Ajo del prej vetes s´ime,
Del nga shpirt´ i përvëluar
Nër një mijë shkëndijime.

E si shkoj që prej së felii,
Ç´ m´u verbosnë-o! syt´e mija?
U nxi dheu?… U shua qjelli?…
U bë natë gjithësija?…

S´është gjë: veç yll´i vetë,
Më s´më djeg në kraharuar:
Unë shoh me gas të qetë
Këngëzën e përvëluar.
/KultPlus.com