Shkollimin fillor e bëri në Aleancën Izraelite në Izmir. Mësoi dhe pak në gjimnazin Gallatasarai të Stambollit. Kur kryente studimet e larta në Mylkiye më 1888, u përjashtua nga fakulteti për motivin se lexonte vjersha e shkrime liridashëse, përparimtare të Namik Qemalit. Më pas kaloi në fakultetin e mjekësisë dhe mezi u diplomua, se ishte një shpirt rebel.
Për shak se kishte vizituar Ismail Qemal Vlorën në Stamboll, provoi dhe burgun e sulltan Abdylhamitit. Dr. Riza Tevliku që punonte si mjek në zyrën e doganës, që në rini të tij u mor me aktivitet letrar, kulturor, thurte poema popullore, shkruante artikuj letrarë e kritikë, duke i botuar në revistat e asaj kohe si “Serveti Funun”, “Malumat”, “Peyami Ati”, etj.
Regjimi tiranik i sulltan Abdylhamitit e detyroi Riza Tevfikun të bashkëpunojë me xhonturqit që vepronin ilegalisht. Më 1908 u zgjodh deputet i Edrenesë, mbante fjalime të zjarrta për demokracinë shumë partiake. Por shpejt u prish me Partinë “Bashkim-Përparim” që kishte zënë një rrugë hipokrite. Më 1911 mori pjesë në partinë liberale-përparimtare demokratike “Hyrriyet ve Ittihat” (Bashkim e Liri), ku bënte pjesë edhe I. Q. Vlora. Dr. R. Tevfiku njëkohësisht dha mësime edhe në shkollën amerikane “Robert Kolezh” të Stambollit. Gjithashtu jepte leksione në shumë disiplina shkencore e letrare në Universitetin e Stambollit.
Gjatë jetës ai bëri një gabim të madh-nënshkroi si delegat i qeverisë kukull të Stambollit të Damat Ferid Pashës, Marrëveshjen e Sevreit, e cila përbënte vdekjen e shtetit Osman. Ndaj kësaj marrëveshje u protestua ashpër nga rinia turke dhe ai dha dorëheqjen edhe si profesor i Universitetit dhe si ministër i arsimit.
Dr. R. Tefviku ishte shumë i zgjuar, por me nënshkrimin e Sevreit bëri një gabim që nuk falej, se ajo marrëveshje nuk shfaroste vetëm dinastitë osmane, por copëtonte dhe tokat amtare të turqve të pafajshëm.
Një profesor i letërsisë turke, Ismail Habib, shkruan: “Dr Teviku ka shumë merita letrare, mjekësore, filozofike, kulturore, poetike, folklorike, politike, diplomatike, psiko-sociale, historike, botëkuptimore, elokuente, etj. Gjithë këto cilësi, të ishte e mundur të përziheshin në një kazan, do të dilte vetëm një aliazh: poezia lirike popullore e nivelit të lartë e Riza Tevfikut”.
Ai ishte shkrimtari i parë që bëri të njohur folklorin në një studim të gjatë, të botuar në revistën “Pejam Edebi”, 1913, ku dr Tevfiku nuk e mohon origjinën e tij. Në një vjershë ai thotë: …Kushdo që ka dëshirë ta dijë, babanë e kam shqiptar dhe nënën çerkeze…
Doktor Tefviku sado që nuk pati lidhje efektive me autonomistët shqiptarë ai gjithmonë u interesua për kulturën shqiptare, përkrahu pavarësinë e Shqipërisë.
Botoi shkrime dhe studime turqisht në shtypin shqiptar si tek “Shqiptari” që botohej prej patriotit Dervish Hima në Stamboll. Në librin e përvitshëm “Almanak” ai ka botuar një studim serioz për shqiptarin e madh Hoxhë Hasan Tahsinin.
Siç u përmend shkarazi më sipër Dr Riza Tevfiku më 1918 në kabinetin e Damat Ferit Pashës u bë ministër i arsimit dhe mjerisht mori pjesë si përfaqësues i sadrazemit Ferit Pasha më 10 gusht 1918 në Konferencën e Paqes, të mbajtur në Sevrei dhe nënshkroi marrrëveshjen famëkeqe me të cilën Turqia e Anadolli copëtohej mes grekërve, italianëve, francezëve, anglezëve, etj.
Turqit atdhetarë këtë vendim e hodhën poshtë. Mustafa Qemal Ataturku duke zbritur në Samsun më 19 maj 1919 me 19 gjeneralë patriotë hodhi kushtrimin për çlirimin e Atdheut dhe pasi dëboi të gjithë armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm, më 23 tetor 1923 shpalli republikën e Turqisë. Ndër 150 të përzënët jashtë atdheut bënte pjesë dhe Dr. Riza Tevfik.
Ky poet i madh u vendos në Liban dhe gabimin e tij të madh e pranoi në krijimtarinë e tij. Më 1938 Mustafa Qemal Ataturku mëshirmadh, tradhëtarët dritshkurtër, i fali. Dr Rizai mjaft i lodhur dhe i moshuar u kthye në Turqi dhe deri më 31 dhjetor 1949 jetoi në Stamboll. Vitet e fundit botoi shumë kujtime dhe mbajti mjaft ligjërata.
Ai shkruajti shumë vepra të njohura ndër të cilat “Mësimet e filozofisë”, “Fjalori i plotë filozofik”, Një kritikë filozofike për poetin Abdylhakhamit Tarhan, “Rubairat e Omer Khajanit” etj. Për të janë hartuar e botuar mjaft monografi dhe antologji poetike me kritika pozitive. (Shqiptarët në Perandorinë Osmane).KultPlus.com
Tashmë ka më shumë se 460 mijë (që nga 15 maj 2023) imazhe të marra nga roveri Perseverance i NASA-s që nga ulja e tij epike në Mars në shkurt 2021 ku tregojnë praninë e lumenjve, shkruan focus.it.
Imazhet e fundit, duket se tregojnë shenja të asaj që dikur ishte një rrjedhë shumë e turbullt, më e thellë dhe më e shpejtë se sa shkencëtarët kanë parë ndonjëherë në të kaluarën.
Lumi ishte pjesë e një rrjeti përrenjsh që derdheshin në kraterin Jezero, zonë që roveri ka eksploruar që nga zbarkimi.
Të kuptuarit e këtyre mjediseve, të cilat dikur ishin të pasura me ujë, mund t’i ndihmonte shkencëtarët në përpjekjet e tyre për të kërkuar shenja të jetës së lashtë mikrobike që mund të kenë mbijetuar në shkëmbinjtë marsianë.
Këto ditë, ”Perseverance” po eksploron majën e një depozite në formë ventilatori shkëmbinjsh sedimentarë, rreth 250 metra të lartë dhe të karakterizuar nga shtresa të lakuara që sugjerojnë praninë e ujit në lëvizje.
Prania e tyre sugjeron një lumë me energji të lartë që mban shumë mbeturina. Sa më i fuqishëm të jetë rrjedha e ujit, aq më lehtë është në gjendje të lëvizë pjesë më të mëdha të materialit,” tha Libby Ives, një shkencëtare e NASA-s e cila drejton roverin ‘Perseverance”./atsh/KultPlus.com
Lshon ame ilire n`goje agimesh s`vjetra Ndo `i fjale e jote than` vetimeveti, O gjuhe e folun n`bote ende ferishte S`ciles Mayeri ne te censhmet letra Rraj`t e mshefuna n`mot nuk mund ia gjeti As n`t`folun t`Cezarve as n`helenishte, Perse Athina s`kishte Emen as Roma, kur e rrept ushtove Nder vepra katallajsh qi nper jehona Vigma t`fuqishme qitshin hove-hove, Tue ndertue ledhe permbi troje t`ona.
Kuturesat e hyjit nper gjeth lisi N`Dodonen shejte prifti, qi n`pergjime Naten e diten rrinte atje perdore, Porse ndo `i fllad pullnaje kundalisi, Ndoshta me fjal`t e tueja i dha heshtime T`perfrigueshme qi mbluen t`parat therore: Ndoshta ndo` i buz` hyjnore N`at mot qi zota shpesh perbujte toka Shqiptoi kto fjal` qi ne mbi goj` na shkrefen; Me ty hyjneshat ndoshta nper kto boka Ndonjij biri njeriu dashnin ia shprefen.
Mbi anija t`shpejta velat nde kah preja, Qi urdhni i Teutes niste nen hyj ari Me msy t`Helenit barkat tregetuese Ngarkue me ar e kem e skllave t`reja, Ty t`kelthitte n`timue anijetari Tue i ra me kic ilir pupes bishtnuese; E permbi val` shkembuese Ti jehojshe nder hymnet e ngadhnjimit Kur, me plackat e rrmbyeme mbrend` stivue, U afrojshin n`breg anijat prej agimit, Mbretneshes s`detit pret me i a dhurue.
Mysteri i vjeter qi mberthen fjal`t t`ueja, Zanin na e dridh` me nji kreni t`pashoqe, O ghuhe e folun per trimij pranvera, E tok na mbajte nder pushtime t`hueja Sepse prej gojve arbnore nuk u hoqe As kur u ndam n`besime e doke tjera; E shekujve potera Qi me vrull u perplas mbi tok` shqiptare Ndonjij ndrrimi edhe n`ty i cili shtegun, Por prap kumbimet n`buze i ke krenare Si n`mot qi Ilirt Shqipnis i a ruejshin bregun.
Thue buza e kangatarve te paemen Qi gzim e idhnim me ty knduen maje mali Dhe kanga u humbi n`erresin e motit, Ket permallim qi mungullon mbi t`emen E vjen nga heshtja e shekujve m`a fali, Mue trashigues i tune n`dhe t`Kastriotit? N` kthjelltin e dites s`sotit Kang` ndoshta t`kndueme qi vorroi kalesa Kendoi, o gjuh` lulzue n`shkreti, dh`asht goja E eme ahmarrse e gojve qi harresa N`terr mbylli, kur ti s`kishe as sheje as shkroja.
Motrat e tueja qi kumbuene n`shekull Bukurin tue sjell` n`prak t`ksaj jete E tjetra ligj`t e Arsyes qi mbarshtrojn` fise, Heshten e rrojn` vec n`karta:ti, per mrekulli, Me nji mosh` trimij vjetsh e blerun mbete Edhe kumbon e gjall` po n`ato vise Ku me lshue tingujt nise N`foshnjin e botes. Pse t`ka ruejtun fati T`njom edhe virgjin? Egersija jote Mos mban n`at gji, q`i hueji nuk pecati, Stinen e fundme t`poezis s`ksaj bote?
O shqipe plot me munguj, o gjuh` burrash Qi me `i fjal` t`vetme lidheshin per laku Dhe soje as vdekja s`mujte kurr me i trande, Shprehje t,kulluet na ep si akull gurrash Per kang`t e burrnis s`lasht q`ushqejm` te gjaku E t`lavdis s`re qi me t`fitue na kande; Thjeshtin e ambel t`ande Me ndjell` dashnin e vashavet qi t`flasin Falja poetve t`u, por n`qe se kamben Buzes amtare kush ia ven, ti casin Mos prit: banu rrufe me lshue n`te namen.
O Kange, Arbnor`t e plogte i kapi gjumi; Ti kris si za burije Mbi ata qi flejn` pa andrra fisnikije: E n`qe se belkacuk`t e gjuh`s ilire, Tue t`ndie fishkllojn` prej smire, Me rrahje flatrash ik n`nalsi t`kalthera. /KultPlus.com
Xhubleta, një nga elementet identifikuese tipike të veshjes së grave shqiptare, posaçërisht të Malësisë së Veriut, tanimë është pasuri e deklaruar e mbarë njerëzimit, nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Në kuadër të “Javës së Evropës 2023”, në qytetin e Shkodrës u zhvillua panairi “Xhubleta Fest”.
Pjesëmarrësit në këtë panair u mahnitën nga kjo veshje artizanale që si emblemë kryesore ka shqiponjën, si dhe simbole të tjera që paraqesin lidhjet me fenë katolike dhe besimin tek Zoti.
Gratë artizane të zonës, ambasadorët e rinj evropianë dhe nxënës nga shkollat profesionale të qytetit dëshmuan hapat e ndryshëm në përgatitjen e xhubletës dhe folën për ruajtjen e këtij artifakti të rëndësishëm kulturor.
Më pas, vallja e këndshme e Ansamblit Popullor të Shkodrës shfaqi talentin dhe pasionin e artistëve vendas.
Për të përmbyllur këtë ditë të jashtëzakonshme, të rinjtë pjesëmarrës pedaluan në shtegun piktoresk nga Shkodra në Shirokë, duke promovuar lumenjtë e pastër dhe ruajtjen e natyrës së egër.
Xhubleta shqiptare katërmijëvjeçare u pranua në 28 nëntor të vitit të kaluar në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Veshja simbol e trashëgimisë tonë është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit.
Xhubleta njihet si veshje tradicionale e grave të Malësisë. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u dorëzua në UNESCO vitin e kaluar, për shkak se veshja tradicionale unike po rrezikonte të humbiste.
Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, e veshur nga gratë dhe vajzat në Shqipërinë e Veriut, e karakterizuar nga forma e saj e valëzuar e ziles./KultPlus.com
Vepra poetike Edhe mund ta mendoja një tjetër titull botuar më 2021, përbëhet nga një renditje ciklike në katër pjesë. Vepra hapet me poezinë e titulluar “shpirti i gurit” që pasohet me ciklet: “s’ta zë ngoje emrin”, “kur rrëshqasin kuptimet e fjalëve”, “…dhe vjen një ditë”, dhe “ajo pra”. Poezitë e kësaj vepre janë të veçanta si nga mënyra e konceptimit ashtu edhe nga ana estetike. Ato karakterizohen nga thjeshtësia e fjalës poetike e cila arrin të shpërfaqë mendime të thella dhe në anën tjetër vë në pah vëzhgimin e hollë poetik të Adem Gashit.
Vepra në fjalë ngërthen një mori tematikash me ngjyrime dhe ndjeshmëri poetike të veçantë që ia ofron lexuesit mundësinë e kënaqësisë estetike. Në rrafshin stilistik poezia e Gashit dallohet për gjuhën e rrjedhshme poetike si dhe figuracionin e saj pasi që hasim përdorime funksionale të metaforave, epiteteve, kontrasteve, krahasimeve, ironisë, enumeracioneve e anaforave, me anë të të cilave poeti individualizon shprehjen e tij poetike dhe konkretizon idetë.
Poeti sa i kushton rëndësi strukturës aq edhe është i lirë në krijimet e tij, andaj poezitë në të shumtën e rasteve janë shkruar me varg të lirë, pa rimë dhe në strofa të ndryshme, gjë që na bën të kuptojmë se për poetin mjaft e rëndësishme është domethënia, përkatësisht ideja. Prandaj në aspektin grafematik poeti i fillon titujt e poezive me shkronja të vogla. Poezitë janë të shkruara në gjuhën standarde në përjashtim të disave që janë në dialektin gegë, të cilat shoqërohen edhe me të folmet. E tillë është poezia “hekur dhe kujtime” ku gegërishtja i jep një lloj fryme arkaike poezisë në mënyrë që të bëhet përshtatja e saj me atë se çfarë trajton poeti.
Përmes krijimit poetik Adem Gashi thellohet në kompleksitetin e procesit të të krijuarit letrar e të fjalës poetike. Fjalës poetike si një element esencial i poezisë te “edhe lodhet fjala” poeti në njëfarë forme ia ka frikën, por pavarësisht shqetësimit dhe ikjes së viteve prapë ekziston mundësia që të shpërthejë magjia e fjalës edhe në grahmat e fundit, apo në fazën e tretë krijuese të tij.
Tri elemente esenciale që lidhen me botën krijuese të Adem Gashit paraqiten në poezinë “deklarimi i pasurisë”, ku ajo se çfarë kupton poeti është tejet e veçantë:
e mora vesh më në fund
çuditërisht qenkam i pasur
paskam një botë me libra
një dell marrëzie poetike
dhe ty
e dashur
Poeti i kthehet shpesh motivit të vdekjes. Ai vëren se koha nuk njihet për ndonjë mëshirë dhe merr edhe miqtë e tij. Por poeti shkon edhe më tej duke hyrë në psikologjinë e njeriut që ka tendencën e shmangies dhe devijimit të mendimeve rreth vdekjes. Tendenca për t’iu larguar kësaj teme na bën që vonë ta kuptojmë se ne jemi pelegrinë të një procesioni të rrallë, pra të një rruge e cila nuk kthen, e këtë rrugë sipas tij njerëzit pëlqejnë ta quajnë përrallë.
Në poezinë “udha me pikëpyetje në fund” gërshetohet motivi i pleqërisë së bashku me motivin e jetës dhe veprat të cilat e bëjnë njeriun të ndihet i gjallë e të njihet nga të tjerët. Poezi pas poezie përplotësohet mendimi që këto vepra në fakt do të mbesin edhe pas vdekjes.
Vepra është një sistem i përpunuar ku renditja e poezive dhe çdo fjalë kanë rëndësinë dhe funksionin e vet andaj jo kot “dita e parë dhe e fundit” është poezia përmbyllëse e kësaj vepre dhe e vetme që përbën ciklin “…ajo pra”. E gjithë poezia ndërtohet si enumeracion i disa ditëve të para që mund të ndodhin në jetë e të cilat udhëtojnë drejt ditës së “parë dhe të fundit”, duke u krijuar kështu një përshkrim i jetës në vargje. Pra, poetikisht, dita e parë dhe e fundit shihet si dita:
Kur në fund të fjalisë dëftore vihet një Pikë(.)
Dhe ti s’flet më, po flasin të tjerët për ty.
Në poezitë e tjera shenjat e pikësimit janë shumë të reduktuara, madje edhe në rastin e enumeracioneve ato shpesh nuk janë të pranishme. Është e vetmja poezia e lartpërmendur që në fund i vihet një pikë, sepse në kompozimin e saj poeti përpiqet t’i ngarkojë kuptim edhe shenjës së pikësimit. Pra struktura poetike e veprës nuk del e sforcuar sepse harmonizohet mjaft mirë me përmbajtjen. Andaj poezia “vëllamiri” që ka si intertekst legjendën “Kostandini dhe Doruntina” projektohet qëllimisht në nëntë vargje, numër ky mitik mjaft i njohur.
Lirika e dashurisë
Motivi i dashurisë është një ndër motivet që shquhet shumë në krijimtarinë e Adem Gashit, andaj ky motiv si një univers poetik nuk mungon as në veprën Edhe mund ta mendoja një tjetër titull. Poezitë e dashurisë si realizime artistike të veçanta në këtë përmbledhje shpalosin me çiltërsi dhe pa ndonjë drojë dashurinë, ndjesitë e tjera së bashku me dhimbjen, mallin dhe dëshirat. Poezitë me këtë motiv shpërfaqin disponime të ndryshme dhe nuancime emocionale ku të gjitha së bashku krijojnë një shkallëzim të të gjitha përjetimeve të dashurisë.
Në të shumtën e rasteve kur poeti i këndon dashurisë, si subjekt poetik ka një grua ideale e cila është pjesë e pandashme e tij.
Në poezinë “fjalën që s’ta thashë deri tashti” vërejmë që subjekti lirik niset nga një bazë reale e të përjetuarit të dashurisë, por të përjetuarit në vetveteve, sepse siç shprehet nuk ia tha asaj përemrin në trajtën pronore: je imja. Kjo dashuri që nuk i bashkoi ata e detyron poetin të kalojë në dhënien e përmasave të një ndjenje të thellë njerëzore dhe protomodelin e saj ta bëjë të dashur imagjinare. Poeti e kërkon vajzën në hapësirën e vetmisë por edhe në atë të gjithësisë si në qiell e hënë. Prania e mikës imagjinare është kudo. Pra ajo gjithmonë e shoqëron dhe e frymëzon poetin. Ai zbulon përpjekjet e pareshura për të gjetur kodin e fshehur të syve të saj, andaj në momentin kur e shikon atë, e përkufizon kështu dashurinë:
aty ku nis e mbaron zona tunduese e misterit
Ky mister e bën poetin të ketë ndjenja të turbullta e të mos e kuptojë as vetveten. Dashuria në këtë rast e lëvizë njeriun nëpër trajta të ndryshme. “kur shfaqesh ti” është një poezi tjetër e kësaj përmbledhjeje që flet për impaktin që ka e dashura te ai. Këtu autori përshkruan botën emocionale dhe lëkundjet e tij sepse humbet qetësinë e paqen dhe më tutje siç shprehet mund të ndihet më i mençuri dhe më i krisuri i botës, por vetëm kur i shfaqet ajo apo ana tjetër e së panjohurës. Adem Gashi rrallë herë shkruan poezi me rima, por poezia në fjalë është krijuar me rima të kryqëzuara jo pa qëllim, pasi që ato përkojnë më së miri me ndjenjat kontrastive të poetit.
Poezitë e dashurisë edhe kur flasin për pritjen e çastit dehës krijojnë mendime e shprehje të thëna me elegancë. Të tilla janë poezitë: “puthje a vrasje”, “një ditë që mund të ishte sot”, “diçka rreth e brenda nesh”, “s’e di se ç’kishte veshur” etj. Çastet të cilat i ëndërron poeti jepen me një liri krijuese dhe shprehëse, këto çaste për të përbëjnë një ditë me një aromë dehëse, por shpejt shuhet fantazia dhe ai i kthehet realitetit:
më mirë kështu se mos bëj hatanë
si një demon i çartur
Poeti bëhet zotërues i ndjenjave të mallit e të dhimbjes, andaj edhe kur e dashura e shikon ai ndjen dhimbshëm diçka si vetëtimë të ikshme. Dashuria e pushton subjektin lirik dhe me zjarrin e saj e bën që të vuajë. Pra bukuria e krijimeve të tij qëndron te veçimi i ndjesive. Meqë ndjesitë janë të rëndësishme për poetin ai shkon edhe në vetëmohim sepse kur e përshkruan vajzën e gjunjëzuar para ikonës së Shën Mërisë ai lutet me gjuhën e herezisë t’ia ngarkojë hyjnia mëkatet e saj. Pra e ndjen atë aq shumë sa dëshiron që t’ia marrë peshën e vuajtjeve.
Me një dimension tjetër paraqitet poezia “kujtesa e një gruaje”, kujtesën e së cilës poeti e cilëson si një vajzëri të përjetshme. Këtu fokusi kryesor bie mbi kompleksitetin e figurës së gruas, kujtimeve dhe botës së saj.
Përderisa në shumicën e lirikave kemi përshkrimin e ndjesive dhe të gjendjeve të poetit, e më pak të përshkrimeve dhe tipareve të mikës imagjinare, në një poezi të veçantë poeti përshkruan më gjerësisht subjektin poetik, pra gruan, por në fakt këtu paraqitet një anë tjetër e saj. “profil tjetër i një gruaje të azdisur” është titull i cili siç mund ta vërejmë përputhet me interesimet tematike të autorit. Poezia ka edhe një nëntitull ku autori iu drejtohet lexuesve: mos ia kërkoni shëmbëllimin. Këtu shfaqet gruaja e cila është e vetëkënaqur me pamjen dhe sukseset e saj por në dy strofat e mëposhtme poeti zbulon tragjikën e saj që përbëhet nga kontrasti i thellë mes paraqitjes dhe gjendjes shpirtërore:
veç kur nata nxin me vetminë
në labirintin e saj tragjik
shpërthen një magmë me gjëmë e dhimbtë
prej zgërbonjës së shpirtit cinik
më ka rënë ta shoh ta shihni ju ka rënë
me profil të gënjeshtërt një grua të azdisur
është koha për ta lënë
në vetëkënaqësinë e lustërt të ditës
Motivi atdhetar i përshkuar nga notat e dhimbjes dhe revoltës
Një nga motivet e rëndësishme ku konsiston poetika e Adem Gashit është ai i atdheut, që e shfaq praninë e vet edhe në këtë vepër. Poezitë me motiv atdhetar këndohen në disa variante duke krijuar te lexuesi ndjenjat e dashurisë për atdheun, por te një pjesë e madhe edhe duke ngjallur plagët e së kaluarës. Gjithashtu, ai përmes poezive sfidon për një meditim dhe qëndrime kritikuese rreth disa dukurive të caktuara.
Adem Gashi evokon historinë shqiptare përmes vargjeve. Në poezinë “arikivi i familjes sime” gjejmë shenja të identifikueshme autobiografike të shkrimtarit. Por dhimbja dhe kujtimet personale varg pas vargu përmes të folurit të figurshëm vijnë dhe marrin një dimension më të gjerë duke u kthyer në kujtime me karakter e interes kolektiv apo kombëtar. Autori paralelisht me dhënien e informatave për babain dhe kujtimet për të jep edhe një përmbledhje të historisë shqiptare nën pushtete të ndryshme, duke e përmendur Shqipërinë nën sundimin e Viktor Emanuelit e për të kaluar më tutje edhe në luftën e fundit në Kosovë.
Poezitë me karakter atdhetar ngrisin lart atdheun si dhe figurat që kontribuan rreth luftës për çlirim. Vendi i poetit pikërisht pse është i vogël përbën faktin që është edhe vend i madh në sytë e tij, sepse brenda ditës mund t’i takojë njerëzit e tij dhe të qëndrojë me ta. Poeti përshkruan dashurinë për gjithë atë që përbën atdheu i tij por nga ana tjetër një pjesë e konsiderueshme e poezive atdhetare përshkohen nga notat e dhimbjes dhe vuajtjes për historinë dhe kujtimet e rënda. Gjithashtu disa dukuri të vendit të tij përmes ironisë edhe kritikohen. Kjo mënyrë e të shprehurit vetëm duke përshkruar e ironizuar tenton të shndërrohet në një mesazh poetik por pa kaluar në këshilla direkte.
Poeti shtron ato plagë që shqiptari ia shkakton vetvetës, ndonëse ka qenë i rrethuar me armiq të shumtë. Realiteti i trishtë jepet përmes figurës së alegorisë që mundëson një mënyrë tjetër të artikulimit të poezisë me motiv atdhetar e cila i godet individët që qëndrojnë indiferent për fatin e atdheut, pushtohen nga lakmia dhe nuk e ndihmojnë ngritjen e shtëpisë, që nënkupton Kosovës, pavarësisht se u nis me themele të forta prej gjaku. Armiqtë e brendshëm janë ata që shkaktojnë pasoja të rënda po aq sa ata të jashtëm andaj nuk mungojnë tonet kritike ndaj tyre dhe pavarësisht prejardhjes së fjalës armik, autori poetikisht ndërton kompozitën armë+ ik(iq), një gjetje kjo e bukur poetike e cila kërkon largimin e tyre.
Në poezinë “veteranët e luftës” Gashi përdor vazhdimisht figurën e kontrastit për të tërhequr dy paralele të ndryshme që theksojnë dy kategori të shqiptarëve. Në kategorinë e parë bëjnë pjesë veteranët e vërtetë që i shquan urtësia dhe në ditët e lirisë vijnë me peshën e moshës, vuajtjeve si dhe lavdisë së heshtur, kurse në kategorinë e dytë bëjnë pjesë individët që morën lavdata pa meritë. Ndonëse në festimin e lirisë synohet barazimi i dy kategorive është poeti ai i cili ngre zërin duke bërë një dallim thelbësor në këtë tabllo:
të parët
ngrenë dollinë e kujtimeve të rënda
të dytët dollinë e buzëqeshjeve
me kostumet allafrënga
Poeti mundohet që të mbështesë njerëzit që me gjithë qenien e tyre e kishin mbrojtur vendin andaj duke marrë pozicionin e qëndrimit para varrezave të dëshmorëve ai krijon një himn për ta por edhe bën një reflektim mbi njerëzit e sotëm që karakterizohen nga shpërfillja, harresa, dhe që përballë dëshmorëve shihen vetëm si të gjallët e humbur. Ka shumë situata në vendin e tij që e shqetësojnë poetin dhe e bëjnë që të mos e njoh tokën e tij, andaj poezinë “Heu, toka ime e dielltë” e shoqërojnë pasthirrmat poetike. Pra motivi atdhetar në poezitë e Adem Gashit do të plekset me motivin e dhimbjes dhe revoltës. Ai sërish sheh një rënie në shoqërinë tonë andaj sipas tij drita (shpresa për të ardhmen e ndritur) prapë te ne u kthye në simbol poezie.
Gjithashtu, poezitë përkushtuese janë krijimet lirike përmes të cilave Adem Gashi shpreh respektin për figurat që i çmon, qofshin ato të interesit të përgjithshëm kombëtar e kulturor, si poezitë për dëshmorët, Adem Demaçin apo Jeta Zhitinë (shkrimtare e re shqiptaro-gjermane), qofshin ato poezi për të njohurit apo miqtë e vdekur të cilat vijnë në formë të kujtimeve.
Nga sa u tha edhe më lart mund të konstatojmë se gama tematike e poezive të Adem Gashit është e disallojshme dhe përgjithësisht në përmbledhjen poetike Edhe mund ta mendoja një tjetër titull do të gjejmë poezi interesante të shkruara me frymëzim dhe origjinalitet që janë shfaqje e një bashkimi të harmonishëm të ndjenjave e mendimeve dhe që krijojnë një ligjërim poetik të thjeshtë e të natyrshëm.
Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga prof.dr.Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë./KultPlus.com
Dua Lipa dhe i dashuri i saj Romain Gavras janë shfaqur bashkë në Festivalin e Kanës. Kjo është dalja e parë publike e çiftit që prej disa kohësh janë në një lidhje.
Këngëtarja shqiptare dhe regjisori greko-francez shkëlqenin në ecjen në tapetin e kuq.
Dua, kishte veshur një fustan të zi e dukej shumë elegante ndërsa Romain, një kostum.
Çifti pozoi para kamerave dhe dukeshin shumë të lumtur krah njëri-tjetrit./KultPlus.com
Është hapur Pavijoni i Kosovës në Ekspozitën e 18-të Ndërkombëtare të Arkitekturës ‘Bienalja e Venecias’, përcjell KultPlus.
Këtë vit përfaqësues të Kosovës janë Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri me veprën ‘Transcendent Localit’.
I pranishëm në hapjen e Pavijonit të Kosovës në Venecia ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Së bashku me Drejtoria e Urbanizmit Arber Sadiki, morëm pjesë në hapjen e pavijonit të Kosovës të quajtur: “Transcendent Localit”. Arkitektët Qorri- Dragaj dhe Qorri shfrytëzuan rastin për të shqyrtuar rolin e rëndësishëm që luan emigrimi në zhvillimin social të Kosovës. Një ekspozitë plot intensitet dhe kujdes, që nxjerr në pah praninë emocionale të emigrantëve si në diasporë ashtu edhe në atdheun e tyre, ndërmjetësia në të cilën gjenden: ndërmjet kufijve, ndërmjet shtëpive dhe ndërmjet fazave të ndryshme të jetës”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ndërkaq, këtë vit, bienalja u kurua nga akademikja, pedagogia dhe romancieria e mirënjohur Lesley Lokko dhe do të jetë e hapur për publikun deri të dielën më 26 nëntor 2023 në Arsenale./ KultPlus.com
Më 20 maj të vitit 1506, në Spanjë vdiq në moshën 55 vjeçare, detari italian Kristofor Kolombi, nismëtari i kolonizimit të Hemisferës Perëndimore, pa e ditur se kishte zbuluar një Botë të re.
Ai ishte hulumtues dhe tregtar i cili kaloi i pari Oqeanin Atlantik dhe zbuloi Amerikën në vitin 1492 nën flamurin e Kastilës, Spanjë. Ai mendonte se Toka është relativisht e vogël dhe se mundet me anije të arrihet deri në Lindje të Largët duke lundruar në drejtim të perëndimit.
Vlerësimi i tij i gabuar rreth madhësisë së Tokës, shkaktoi edhe në llogaritjen e rezervave ushqimore dhe të pijeve për një rrugë kaq të gjatë, vlerësim i cili ka mundur të shkaktojë edhe dështimin e ekspeditës së tij, por për fat të mirë, në rrugë e “pengoi” e papritura për atë kohë, kontinenti i panjohur, Amerika.
Prapë se prapë Kolombi vdiq duke menduar se ka zbuluar rrugën për në Indi dhe jo kontinentin e ri, Amerikën, kur më vonë e vërtetoi Ameriko Vespuçi, sipas të cilit edhe e mori emrin ky kontinent. / KultPlus.com
1 – Lavdia është një helm që duhet marrë me doza të vogla.
2- Ligjet janë rrjeta ku mizat e mëdha kalojnë lehtësisht, ndërsa mizat e vogla ngelin të mbërthyera.
3- Prapa çdo pasurie të madhe, fshihet një krim i madh.
4- Zemra e një nëne është një humnerë e thellë, në fundin e të cilës do të gjesh faljen.
5- Një grua e njeh fytyrën e njeriut që dashuron, ashtu si marinari njeh detin e hapur
6- Një bashkëshort i mirë nuk shkon kurrë të bjerë për të fjetur i pari natën dhe nuk zgjohet kurrë i fundit në mëngjes.
7- Lumturia e një nëne është si një rreze drite, ajo ndriçon të ardhmen, por reflektohet gjithashtu në të kaluarën, në formën e kujtimeve të bukur.
8- Kur gratë na dashurojnë, ato na falin për gjithçka, edhe për krimet tona; kur nuk na dashurojnë, nuk na njohin meritën për asgjë, as edhe për virtytet tona.
9- Dashuria është poezia e shqisave.
10- Kur zhytemi në thellësitë e kënaqësisë, ne nxjerrim lart më shumë llum, se sa perla.
11- Ndoshta virtyti nuk është asgjë më shumë, se sa mirësjellja e shpirtit.
12- Kur ligji bëhet despotik, morali dobësohet, dhe anasjelltas
13- Pasioni është humaniteti universal. Pa të, feja, historia, romanca, arti do të ishin të kotë.
14- Një burrë është një krijesë e gjorë, krahasuar me një grua.
15- Vetmia është e mirë, por gjithsesi të duhet dikush, që të të thotë se vetmia është e mirë.
16- Mençuria është kuptimi i atyre gjërave hyjnore, tek të cilat shpirti ngjitet përmes dashurisë.
17- Në atë kohë, vetëvrasja ishte në modë në Paris: e çfarë çelësi më të përshtatshëm mund të kishte, për të zbërthyer misterin për një shoqëri skeptike?
18- Armiqtë tanë më të mëdhenj janë të afërmit tanë. Mbretërit nuk kanë vëllezër, nuk kanë bij, nuk kanë nëna!
19- Sa më shumë dikush gjykon, aq më pak ai dashuron.
20 – Lumturia është poezia e gruas.
21- Të pakuptuarit përfshihen në dy kategori: femrat dhe shkrimtarët.
22- Fama tepër e dëshiruar është pothuaj gjithmonë një prostitutë e pashpallur.
23- Kritika është një furçë që nuk mund të përdoret mbi stofra të buta, ku mund të rrënojë gjithçka.
24- Martesa është një betejë deri në vdekje, para së cilës bashkëshortët ia kërkojnë qiellit bekimin e tij.
25- Besojini gjithçka që dëgjojini të flitet për të tjerët, asgjë nuk është aq e shëmtuar sa të jetë e pamundur. / KultPlus.com
Ishte 15 Janari i vitit 1975 kur bota shqiptare mësoi se Profesor Ernest Koliqi kishte ndërruar jetë, ndërkohë që njoftohej gjithashtu se varrimi i të ndjerit do bëhej me 18 Janar, 1975 në Kishën e Shën Piut X në Piazza della Balduina, në Romë, ku prehen edhe prindërit e tij dhe bashkshortja. Në ceremoninë e varrimit kishin shkuar personalitete të njohura politike dhe akademike, kolegë e miq nga të gjitha anët e Italisë, arbëreshë e shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e botës, miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një numër vendesh të Evropës Perëndimore dhe nga Turqia.
Unë kam pasë fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra dy tre herë në vjet. Në një letër që Profesor Koliqi më kishte dërguar në vitin 1972, pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim, ai më shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”. Gëzohem pikë më së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe. Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime. Mbaj mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’. Avit moshatarë sa ma shumë që mundesh. Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…” Ishte ky amaneti i tij.
Përveç respektit të madh që kam për Ernest Koliqin, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë, nga koha në kohë, në mënyrën teme më modeste, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar. Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë si një autor të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në here amanetin e ti, për të mos harruar.
Një tjetër i madh i letrave shqipe, Karl Gurakuqi, bashkpuntor i ngusht i tij, e ka vlerësuar kontributin prej shkrimtari të Ernest Koliqin kështu: “Nuk janë shumë shkrimtarët tonë, emni i të cilëve të njihet aq mirë në shtresat letrare shqipe sa ai i Koliqit. Janë 40 vjet që papremas e shohim emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime, në fletore e revista të ndryshme, disa prej të cilave janë themelue prej tij vet, në botime që janë të paracaktueme që të zënë nji vend të dukshëm, dashtë e padashtë, në historinë e letrave tona.” Si Ministër i Arsimit në vitin 1939, Ernest Koliqi mbledh pothuaj të gjithë studjuesit dhe shkrimtarët më të dalluar të vendit për të filluar botimin e librave për shkollat e mesme e fillore. Mjafton të përmendet dy-vëllimshi “Shkrimtarët Shqiptarë”, vëllimet “Bota Shqiptare”, “Rreze Drite” dhe “Te Praku i Jetës”, e sidomos mbledhja e folklorit, përmbledhur në “Visaret e Kombit”, të cilat me ardhjen e Koliqit në atë detyrë, arrijtën gjithsejt 14 vëllime, një vepër kjo me shumë vlerë deri në ditët tona, sipas ekspertëve që i dinë këto punë shumë më mirë se unë.
Karjera e Profesor Koliqit prej më shumë se 40-vjetësh është tepër e larmishme dhe voluminoze në letërsi, publicistikë, poezi e përkthime, për t’u përmendur këtu në hollësi. Por me këtë rast të përvjetorit të kalimit të tij në amshim më 15 Janar, 1975 — për të çuar në vend amanetin — dëshiroj të kujtoj Profesor Koliqin, për një rol tepër të rëndësishëm që ai ka luajtur në historinë e Kombit shqiptar, një rol ky që as sot nuk i njihet atij sa duhet në historiografinë neokomuniste shqiptare. Nuk më kujtohet që gjatë bisedave të kufizuara që kam pasur me të, të fliste për këtë aktivitet aq të rëndësishëm të jetës së tij dhe të arsimit mbarëkombëtar shqiptar, por të bashkpuntorë dhe bashkohas të tij, por edeh të tjerë më vonë, pas shembjes së komunizmit, nuk kanë munguar të theksojnë këtë kontribut historik të tij – hapjen e qindra shkollave shqipe dhe dërgimin e qindra mësuesëve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.
Ndërsa Tahir Zajmi,i lindur në Gjakovë dhe një tjetër bashkohas i Koliqit dhe sekretar i Bajram Currit dhe njëri prej themeluesve dhe drejtuesve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në një shkrim në vitin 1972, ka vlerësuar kështu rolin e Ernest Koliqit në përhapjen e arsimit në Kosovë dhe në trojet shqiptare:”Fitim i madh për Kosovë kje hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe të cilat qyshë atëherë veprojnë e lulëzojnë të kërthensta dhe me një ritëm të shpejt dhe të pandalshëm i falin Kombit pionerë të rijë që do të jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së Atdheut. E merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin prej idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet shtetënore që kishte në dispozicion për ta pajisur sa më mirë aparatin arsimuer në viset e çlirueme, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E sot, për fatin e bardhë të Kombit, ashtë formue atje një rini dinamike e cila në çdo fushë aktiviteti kombëtar e shtetënor po përgatitet e po forcohet për ta lumnue fatin e vendit në të ardhmen. Pra, me shumë arsye Ernest koliqi zen një vend të naltë ndër zemrat e dashamirëve të Kosovës e njëherit edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të saj”, ka shkruar Tahir Zajmi për rolin e Koliqit në përhapjen e arsimit shqip në Kosovë në vitet 1941-1944.
Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj nga Vlora me origjinë, edhe ky një shërbestar i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve në Kosovë në vitin 1941, kishte kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arrijtën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”, është shprehur Ago Agaj.
Ndërsa një prej adhuruesve i ditëve tona i Ernest Koliqit, në një postim në faqën e tij të internetit këto ditë, Z. Flamur Gashi, Këshilltari për Çështjet e Rajonit i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Ilir Meta, kujton burrërisht Ernest Koliqin, “Në mirënjohje të thellë dhe kujtim të atij që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare”. Z. Gashi shënon mëtej se, “Në vitin shkollor 1941-1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale e Prishtinës”. Këshilltari i Presidentit për Çështjet e Rajonit flet me shifra duke theksuar se, “Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin 1943-44, ky numër u rrit në 400…ndërsa këtë vit shkollor e ndiqnin mbi 25 mijë nxënës”, nënvijon Z. Gashi. Këto shkolla, shkruan ai në portalin e tij, “U bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë”, ndërkohë që Ernest Koliqi, për këtë mision të jashtzakonshëm kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva, kujton Flamur Gashi, duke thënë se, “Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjës kombëtare”, përfundon Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, në kujtimin që i kushton në faqën e tij të internetit, Ernest Koliqit, në përvjetorin e vdekjes së tij më 15 Janar, 1975.
Megjithëse, zyrtarisht i përjashtuar dhe i harruar nga historiografia dhe letërsia shqipe nga regjimi komunist e deri diku mund të thuhet deri në ditët e sotëme, Profesor Ernest Koliqi ishte i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashk atdhetarët e vet. Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit e datës 3 dhjetor, 1960, me rastin e Ditës së Pavarësisës së Shqipërisë: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan në Kosovë dhe në trojet shqiptare pas Luftës së dytë botërore — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. /KultPlus.com
Nën organizimin e Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve – FemArt dhe me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, nesër, e diel, 21 maj 2023, në Teatrit Oda, në Prishtinë, nga ora 19:00 deri në orën 20:30, do të jepet shfaqja “The Superfluous Man (Njeriu i tepërt) – Oblomov” (me titra në gjuhën angleze).
Protagonistë të kësaj shfaqjeje, e cila do të jepet në kuadër të edicionit të 11-të të FemArt nën moton “Kalle Tutën”, do të jenë pjesëtarët e trupës artistike nga Shteti i Izraelit të udhëhequr nga njëra prej producenteve më të njohura në botë, Yu Jingyi, dhe aktori dhe artisti multidisiplinar Yehezkel Lazarov, së bashku me artistët e Trupës së Artpolis.
Shfaqja “The Superfluous Man – Oblomov” e prezantuar në Isra-Drama: Ekspozimi Ndërkombëtar i Teatrit Izraelit” është një përshtatje e klasikut rus “Oblomov” të romancierit rus Ivan Alexandrovich Goncharov. Kjo shfaqje ngre pyetjen: A ka të drejtë njeriu të jetojë jetën e tij pa lënë gjurmë?
Shfaqjes i parapriu një punëtori disaditore e trupës izraelite me artistë nga Republika e Kosovës, duke krijuar kështu një urë lidhëse të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Izraelit përmes bashkëpunimit ndërmjet të Trupës së Artpolis dhe Noah Dance Company./ KultPlus.com
Festivali i vetëm ndërkombëtar i teatrove në vendin tonë, “Prishtina International Theater Festival – PITF”, sivjet mbush 7 vjet.
E të hënën PITF2023 do të shënojë hapjen e edicionit të sivjetëm që do të mbahet në Teatrin Kamertal AAB në Kolegjin AAB.
Në vijim gjeni programin e ditës së parë.
– Konferenca për media me rastin e hapjes së PITF2023, e hënë, 22 maj 2023, nga ora 12:00
– Ceremonia Solemne e hapjes së PITF2023, e hënë, 22 maj 2023, nga ora 19:30
Me këtë rast, në programin garues, në natën e parë të festivalit do të mund të ndiqni edhe shfaqjen “Rusalka”, nën regjinë e Ivica Šimić nga Mala Scena Theater, Kroaci./ KultPlus.com
Shqipëria po prezantohet në një tjetër arenë ndërkombëtare, në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, e cila zhvillohet nga 20 maj deri në 26 nëntor.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ishte e pranishme në ceremoninë e hapjes së bienales, ndërsa theksoi në një postim në rrjetet sociale se, “me përsiatjen e pakohë mbi të ardhmen e arkitekturës dhe arkitektëve si faktor ndryshimi të hapësirës publike dhe ambientit, Era dhe Martini na futën në “Laboratorin e ideve” të bienales”.
“Një ndërthurje mes virtuales dhe të prekshmes, ku ndëraktiviteti i propozuar përmes gjuhës digjitale shoqërohet nga zhurma e hapave mbi zhavorr, si lënda bazë e ndërtimit”, theksoi Margariti.
Projekti që përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 18-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias është “Përsiatje të pakohë ose: Si mësojmë të jetojmë në realitete të sintetizuara.
Ky projekt është paraqitur nga një grup artistësh të rinj: Era Merkuri (arkitekte dhe drejtuese e ekipit), nga Martin Gjoleka (arkitekt), Ani Marku (arkitekt) dhe Geraldo Prendushi (artist digjital).
Ekspozita e 18-të Ndërkombëtare e Arkitekturës, e cila do të zhvillohet nga 20 maji deri më 26 nëntor 2023 në Giardini, në Arsenale dhe në vende të ndryshme përreth Venecias, titullohet: Laboratori i së Ardhmes./atsh/ KultPlus.com
Filmi i ri i Jennifer Lopez “The Mother” u publikua pak kohë më parë dhe “theu” një rekord në Netflix. Sipas kompanisë filmi mori për 83.71 milionë shikime gjatë fundjavës së parë të transmetimit.
Në fakt, ky është një numër veçanërisht i rëndësishëm, pasi Netflix publikon statistikat çdo javë, dhe filmi theu një rekord në vetëm pak ditë.
Digitalspy.com vëren se “The Mother” ia kaloi “Luther: The Fallen Sun” që u publikua shkurtin e kaluar dhe mori 65.92 milionë shikime.
Sipas Netflix historia e filmit ka të bëjë me një vrasëse me pagesë që vite më parë u detyrua të arratisej, gjë që e detyroi të braktiste fëmijën e saj. Vite më vonë, ajo kthehet për të mbrojtur vajzën e saj nga disa burra jashtëzakonisht të rrezikshëm
Honoré de Balzak ishte një shkrimtar francez i shekullit të 19-të.
Honoré de Balzak është shkrimtari më i madh dhe më i lexuari i gjysmës së parë të shekullit të 19-të.
Ai lindi në Turs, më 20 maj të 1799. Në moshën 8 vjeçare mamaja e tij e dërgoi tëstudionte në oratorin e Vendome, ku për 6 vjet studioi shumë lende, por gjithashtu duke nxjerrë në pah talentin e tij në letërsi. Studioi në kolegjin Tours e më pas Paris, ku u transferua së bashku me familjen. U regjistrua në fakultetin e jurisprudencës, dhe në të njëjtën kohë punonte në një zyre noterie. Në moshën 20 vjeçare zbuloi dhuntinë e tij për të shkruajtur.
Në një dhome të vogël në lagjën Bastija, i vetëm ose në bashkëpunim me Auguste Le Poitevin, një botues komercial, nga 1821 deri 1829, shkroi vepra popullore, duke i firmosur si Horas dë Sent-Obë ose L’or de rhoon nder të cilat veçohen : L’héritié de Bïrag (trashëgimtari i Birag, 1821), viker des Ardennes (Famullitari të Ardennët, 1821), Argow le pirate (Argow pirati, 1824).
Në 1822 Balzac u njoh me L’or de Bernit, një grua e pjekur e cila i qëndroi gjithnjë pranie deri në ditën e vdekjes së tij(1836). Asaj gruaje ai i kushtoi “Le lit de la vallée” (Zambaku në lugine, 1835). Në 1825 u bë botues dhe tipograf. Në të njëjtën kohë bleu gjithashtu një fonderi por përpjekjet e tij për të bëre tregti dështuan dhe e futën atë në borxhe.
Përsëri një përpjekje për biznes, këtë herë në Sardenjë ku u përpoq të risillte në pune mijërat e vjetra të argjendit dhe përvec kësaj provoi të tregtonte dru nga Polonia. Shpenzoi shuma marramendëse për kohën, duke mobiluar shtëpinë me mobilie antike. Jeta e tij karakterizohet nga përpjekje të kota për tu pasuruar dhe për të qenë një njëri i suksesshëm në një kohë shumë të shkurtër.
Për 20 vjet ai arriti të bënte 90 krijime midis te cilave kishte romanca e tregime, të gjitha këto të bashkuara në një vepër të vetme me titull “La comédie humaine” (Komedia njerëzore) dhe të ndara në Sèn dë la vi privé (Skena të jetës private), Sèn dë la vi dë provens, Skena të jetës në provincë) Sèn dë la vi parizien (Skena të jetës parisienë). Behet fjale për një analize të jetës shoqërore dhe private në një Francë në zhvillim e sipër, epoka e “monarkisë borgjese” të Luigjit Filip.
E para është një romancë historikë, Le Shuons (1829), për të cilën është frymëzuar nga revolta e Vande-se ; megjithatë do të jenë veprat e tjera të tij që do ti sigurojnë sukses dhe admirim nga ana e publikut. Nder të cilat mund të përmendim : La po dë chagrë (Lëkura e shegrenit, 1831), Evgjéni Grande (1833), Lë médsë dë shampanj (Mjeku i fshatit, 1833), Ilyzio perdy (Ilusione të humbura, 1837-43), Splendër e mizer de kurtisan (1839-47).
Honore ishte frekuentues i rregullt i salloneve, dhe shumë i apasionuar si pas jetës mondane ashtu dhe pas grave fisnike të oborreve të ndryshme, të cilat i përshtateshin më se miri snobismit të tij. Megjithëse ishte vazhdimisht i persekutuar nga njerëz të cilëve u detyrohej para, Balzac për një farë kohë arriti të realizonte ëndrrën e tij për të qenë njëri i pasur.
Kjo erdhi falë lidhjes dashurore me baroneshes polake Eva Hanska, me të cilën u martua pak kohë përpara se të vdiste. (Dashuria me Eva Hanska ishte vetëm një “loje salloni” por një gjë të tillë Balzac nuk e mori vesh kurre).
Në 1834 Balzac pati idenë që të shkrinte të gjitha krijimet e tij në një vepër të vetme monumentale, një afresk i vërtete mbi shoqërinë francezë të asaj kohë nga perandoria e parë deri në monarkinë e Korrikut, kështu publikoi të famshmen Komedia njerëzore.
Fillimisht vepra duhet të përmbante 150 romanca të ndara në tre vija kryesore : Studim zakonesh, Studim filozofik e Studime analitike. Grupi i parë përbehej nga vepra të përfunduara prej kohësh dhe ishte i ndare në 6 skena të cilat përfaqësonin jetën : private, provincës, parisienë, politike, ushtarake dhe fshatit.
Romancat duhet të përmbanin rreth 2000 personazhe, sepse dëshira e tij ishte të krijonte një rrjet ngatërresash midis vëllimeve të ndryshme. Vetëm 2/3 e projektit u realizua. Episodet më të famshme janë : Xha Gorio (1834-35), Evgjéni Grande (1833), Kusherira Betta (1846), Iluzione të humbura (1837-1843).
Në 1937 realizoi “La vielle fille” që u bë romani i parë që publikohej në një gazete. Në 1838 Balzak u dallua për luftën e tij për të drejtën e autorit. Honor kishte një vullnet shumë të madh për të punuar megjithëse shëndeti kishte filluar të bëhej një pengese e madh për të. Në 1839 u bë anëtar i shoqërisë së shkrimtareve dhe po atë vit ai u zgjodh kryetar i saj.
Më 18 gusht 1850, disa muaj pasi ishte martuar me baroneshën Hanska, Balzak u nda nga jeta. Dashuria e tij me aristokraten polake pasqyrohet më se miri në letërkëmbimin midis tyre që u publikua në 1968 nën titullin “Lettre à madame Hanska./KultPlus.com
Më 20 maj 1903, lindi Ernest Koliqi, shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë, publicist e botues.
Ernest Koliqi lindi në qytetin e Shkodrës, ku ndoqi Kolegjin Saverian të Jezuitëve dhe më pas vijoi shkollimin në Arice të Lombardisë.
U kthye në Atdhe në vitin 1922, ku u integrua shpejt në jetën kulturore dhe politike të vendit, si veprimtar i shoqërive “Bashkimi” e “Atdheu”.
Gjatë viteve 1933-1937 ndoqi studimet e larta për letërsi në Universitetin e Padovas. Në vitet e pushtimit italian u emërua ministër i arsimit.
Në vitin 1943 largohet nga Shqipëria për të marrë drejtimin e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin “La Sapienza”, Romë, ku qëndroi deri në fund të jetës.
Ernest Koliqi është autor i mjaft veprave letrare si: “Kushtrimi i Skënderbeut”, “Hija e Maleve”, “Tregtar famujsh” etj. Ai nuk lëvroi vetëm poezinë, por edhe gjininë e romanit dhe dramës.
U cilësua me të drejtë themelues i novelës shqiptare.
Ernest Koliqi është një ndër intelektualët më vizionarë lidhur me probleme të kulturës kombëtare e çështjes shqiptare. /KultPlus.com
– Nuk është bukuria që zgjat, është dashuria që na bën neve të dukemi të bukur.
– Respekti u shpik për të zënë vendin bosh, aty ku duhej të ishte dashuria.
– Nëse kërkon përsosmërinë, nuk do të jesh asnjëherë i kënaqur.
– E habitshme se sa i madh është iluzioni, që bukuria është mirësi.
– Dy luftëtarët më të fuqishëm janë durimi dhe koha.
– Pa e ditur se çfarë jam dhe përse jam këtu, jeta është e pamundur.
– Që të heqësh qafe një armik, duhet që ta duash atë.
– Të gjithë mendojnë për të ndryshuar botën, por askush nuk mendon për të ndryshuar vetveten.
– Mund të dimë vetëm që nuk dimë asgjë. Dhe kjo është shkalla më e lartë e urtësisë njerëzore.
– Kuptimi i vetëm i jetës është që t’i shërbejë njerëzimit.
– A është vërtetë e mundur që t’i thuash dikujt tjetër atë që ndien?
– Në emër të Zotit, ndalu një moment, lëre punën, shih përreth teje.
– Muzika është gjuha e shkruar e emocionit.
– Nuk ka madhështi atje ku nuk ka thjeshtësi, mirësi dhe të vërtetë.
– Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por nga mënyra se si ne i shohim ato.
– E vërteta, ashtu si floriri, duhet ruajtur jo nga madhësia e saj, por duke hequr prej saj të gjithë ato që nuk janë flori.
– Mërzia: Dëshira për të patur dëshira.
– Njeriu mund të jetojë dhe të ketë shëndet pa i vrarë kafshët për ushqim; kështu që, nëse ai ha mish, ai merr pjesë në mbytjen e kafshës për hir të urisë së tij.
– Jeta e vërtetë jetohet kur ndodhin ndryshime të vockla.
– Një nga kushtet e para të lumturisë është që lidhja midis Njeriut dhe Natyrës të mos prishet.
– Ne humbëm sepse i thamë vetes sonë se humbëm.
– Dhe të gjithë njerëzit jetojnë, jo nga arsyeja e ndonjë kujdesi ndaj vetes së tyre, por nga dashuria që të tjerët kanë për ta.
– Lumturia nuk varet nga gjërat e jashtme, por në mënyrën se si ne i shikojmë ato.
– Kape momentin e lumturisë, dashuro dhe dashurohu. Ky është realiteti i vetëm në botë, gjithçka tjetër është marrëzi.
– Të gjitha ato që kuptoj, i kuptoj prej dashurisë.
Poezi nga Giovanni Giudici Shqipëroi: Arjan Th. Kallço
Vendose në vargje jetën, shkruaje Besnikërisht, pa heshtur për Asnjë veçanti, pamjen e të gjallëve Por mos harro se shikimi nuk është Dije, as fuqi, por qesharake Një dëshirë tjetër që të jesh vetvetja. Poshtë dhe sipër botës lidhen Bashkëfajësi të brendësisë, duke shigjetuar shikime Paktesh. Dhe të pranishmit shfaqen Në cepin e parmakëve të ndërmjetëm: I duartrokasin, i vajtojnë të dyja kuptimet E sublimes – poshtërsinë, famën. Pastaj shkruaj në vargje se vdekja Është më e mundshme sesa lindja Dhe në çdo rast qenia më shumë se fjala…/KultPlus.com
Armend Rexhepagiqi njihet për muzikën e tij të veçantë, tekstin me mesazh të thellë dhe zërin e tij të fuqishëm, shkruan KultPlus.
Një ndër këngët e pavedekshme të tij është “Edhe një here”, e cila është një ‘lutje’ dashurie.
KultPlus ua sjell tekstin dhe këngn “Edhe një herë”:
Ka shumë ditë që pikëllimi më mban Si një sëmundje e rëndë Që bar nuk ka e s`më lë të jetoj
Ka shumë ditë që rrugët përherë na janë ndarë E ditët e mia netë e mija kot unë i harxhoj
A ka në botë kudo arsye për këtë vuajtje O më beso se faj nuk kam që forca po më lë Se çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime dhe mundi im dhe endërrat për dashuri
Edhe një herë o veç edhe një herë Këngët që i kujtoj të kam o kujt të ia dhuroj Edhe një herë o veç edhe një herë Gjakun o prap ta ndez Veç një mengjes me ty ta pres
Edhe një herë o veç edhe një herë Të të takoj e veç një çast gëzimi ta jetoj me ty Edhe përherë t’i mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri Edhe një herë o mos të vdes pa t’pa, pa t’pa edhe një herë Vetem edhe një herë
Diçka e rëndë sikur hyri në mua Më shtrëngon e po dhemb Ma mori sigurinë nuk jam i njëjti ai njeri Dhe çdo ditë e re më tregon se ishte e kotë tërë kjo pritja ime dhe mundi im dhe endërrat për dashurinë
Edhe një herë o veç edhe një herë Të të takoj e veç nje çast gëzimi ta jetoj me ty Edhe përherë t’i mbylli sytë në këtë rrugë pa të vetmen dashuri Edhe një herë o mos te vdes pa t’pa, pa t’pa edhe një herë Vetëm edhe një herë… / KultPlus.com
Në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit po shfaqet këto ditë komedia “Certifikata e martesës”.
I njohur për fuqinë e satirës së tij Ephraim Kishon vjen para artdashësve me këtë vepër të përshtatur krejtësisht për realitetin shqiptar. Tema që trazon ende shoqërinë dhe familjen shqiptare vjen përmes situatave plot humor të personazheve që shpesh i ndeshim në jetën e përditshme.
“Një eksperiencë shumë e bukur. Udhëtoja nëpër rreshtat e Kishonit për të sjellë një variant tërësisht shqiptar dhe prekja e parë ka qenë përshtatja e kësaj fabule, që qëndron prej 40 vitesh në repertor, për ta sjellë atë në një këndvështrim që i flet realitetit shqiptar. Ajo që ta bën të lehtë këtë prekje është tema universale.”-shprehet regjisorja Driada Dervishi.
Skenografia minimaliste dhe etydet elegante janë përzgjedhur me kujdes nga regjisorja Driada Dervishi për të tërhequr vëmendjen mbi një debat të ndezur shoqëror për bashkëjetesën dhe triumfin e dashurisë, familjes.
“Një copë letër nuk mund ta mbajë gjallë një lidhje. Sot, kemi shembuj të çifteve që janë martuar me ceremonira madhështore dhe janë ndarë shumë shpejt, sicc ka dhe çifte që vazhdojnë për vite të tëra pa pasur nevojë për një certifikatë.”-shprehet aktori Zenelaj.
Komedia vjen në Durrës pasi korri sukses në skenat e Fierit dhe Tiranës, si dhe dhe në Festivalin teatror “Apollon” ku dy aktoret e trupës, Olta Daku dhe Mimoza Marjanaku u nderuan me ccmime të para.
“Na kanë pritur shumë mirë, ne vijmë dhe nga festivali i aktrimit “Apollon” ku unë u vlerësova si aktorja më e mirë joprotagoniste dhe Olta Daku si aktorja më e mirë protagonist. Është një rol që e kam dashuruar që në momentin e parë që e kam lexuar. Rol shumë interesant dhe gjëja më e bukur që më kanë thënë pasi kanë parë shfaqjen është që të gjithë ne e kemi një komshie si ty.”-shprehet aktorja Mimoza Marjanaku.
Regjisorja dhe aktorët Gentian Zenelaj, Olta Daku, Vlera Pylla, Xhuliano Brisku, Mimoza Marjanaku dhe Amri Hasanlliu u duartrokitën nga publiku durrsak.
“Shumë e bukur. U kënaqëm. Shumë emocione. Olta është aktore shumë e mirë. Edhe Genti, po Ada, regjisorja më e mirë.”
“Shfaqja ishte fantastike. Shumë e aktualizuar edhe pse autori është jo shqiptar dhe I një gjenerate tjetër, por e aktualizuar dhe e ardhur bukur në problematikën shqiptare.”/TopChannel/ KultPlus.com
Kompozitori uellsian, Sir Karl Jenkins, i cili i ka kushtuar një vepër viktimave të luftës në Kosovës, ka thënë se i vjen keq që nga viti 1999 nuk kanë ndaluar luftërat dhe konfliktet nëpër botë.
Ai sot ka thyer rekorde të listave duke qëndruar mbi 1000 javë në tabelën zyrtare të albumeve të artistëve klasikë në Mbretërinë e Bashkuar me veprën e tij The Armed Man, shkruan dailymail, transmeton klankosova.tv.
Pjesa, e kompozuar në vitin 1999 dhe e porositur nga Royal Armouries për të shënuar mijëvjeçarin, njihet gjithashtu si ‘Mesha për Paqe’ dhe është një oratorio bazuar në poemën franceze të shekullit të 15-të, ‘L’homme armé’.
Premiera botërore e The Armed Man u zhvillua në vitin 2000 në Royal Albert Hall në Londër, e drejtuar nga vetë Sir Karl, dhe shfaqi Korin Kombëtar të Rinisë së Britanisë së Madhe me Julian Lloyd Webber si solist të violonçelit.
Që atëherë, ka qenë pjesë e rreth 3000 shfaqje në të gjithë globin, duke përfshirë një performancë në Lincoln Center në Nju Jork në 10 vjetorin e 11 shtatorit, përsëri të drejtuar nga Sir Karl.
Regjistrimi në studio, me Orkestrën Filarmonike të Londrës, së bashku me Korin Kombëtar të Rinisë së Britanisë së Madhe, u publikua fillimisht në shtator 2001.
Sir Karl Jenkins thotë: “Kur shkrova “Njeriu i armatosur: një meshë për paqen” në 1999, pak e imagjinoja se në 2023 do të festonim 1000 javë në tabelën klasike të Mbretërisë së Bashkuar dhe gati 3000 shfaqje në mbarë botën.
“Jam thellësisht i nderuar që ka prekur kaq shumë njerëz gjatë viteve; faleminderit The Royal Armouries dhe Classic FM që më porositën ta shkruaj, dhe të gjithë atyre që e kanë realizuar dhe dëgjuar veprën time.
“Më vjen keq të them se nuk ka pasur asnjë ndërprerje të luftës dhe konfliktit që kur ia kam kushtuar veprën viktimave të Kosovës, por ne vazhdojmë të bëjmë muzikë në përkujtim të atyre që kanë humbur dhe me shpresën se njerëzimi mund të gjejë një mënyrë për të shëruar”./ KultPlus.com
Më shumë se gjysma e liqeneve të botës po humbasin ujë, kryesisht për shkak të ngrohjes globale, sipas një studimi të ri të botuar sot në revistën “Science”.
Sipas shkencëtarëve, tharja është shkaktuar kryesisht nga ngrohja globale dhe aktivitetet njerëzore.
Por raporti, i bazuar në të dhënat satelitore, nuk përmban vetëm lajme të këqija.
Autorët zbuluan gjithashtu se si mund të reduktohet humbja e ujit.
Liqenet dhe digat natyrore ruajnë rreth 87% të ujërave të ëmbla të Tokës, megjithëse mbulojnë vetëm 3% të sipërfaqes së planetit.
“Në shumë raste këto rezervuarë uji janë nën kërcënim”, thanë studiuesit.
Spanja raportoi kohët e fundit se niveli i rezervuarve në rajonin veri-lindor të Katalonjës janë arrin rreth 26% pas disa muajsh thatësire.
Në vitin 2022, kjo shifër ishte 58%.
Në Itali, nivelet jashtëzakonisht të ulëta të ujit u regjistruan kohët e fundit në liqenin Garda, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, niveli i ujit është 50% më i ulët.
Vitet e fundit, studimet kanë treguar se vëllimi i liqeneve po zvogëlohet në mbarë botën, me ndryshimin e klimës që përmendet vazhdimisht si një faktor kryesor.
Megjithatë, është e vështirë të përcaktohet saktësisht se çfarë ndikimesh afatshkurtra dhe afatgjata kanë luhatjet klimatike globalisht në ujin e ruajtur në liqene.
Aktivitetet njerëzore si menaxhimi i rezervuarëve, tërheqja e ujit dhe ndryshimet e përdorimit të tokës mund të luajnë gjithashtu një rol.
Ekipi hulumtues, i udhëhequr nga hidrologu, Fangfang Yao i Universitetit të Kolorados, përdori një teknikë për matjen e ndryshimit të niveleve të ujit në 2000 liqenet dhe digat më të mëdha në botë, të cilat së bashku përbëjnë rreth 90% të ujit të ëmbël të ruajtur në liqene.
Raporti bazohet në të dhënat e imazheve satelitore të mbledhura midis viteve 1992 dhe 2020./KultPlus.com
Java e Evropës, ditën e djeshme i përqëndroi aktivitetet e saj në Peshkopi me minipanairin me prodhues vendas dhe ekspozitën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Bletëve. Ky aktivitet u përkrah nga Ambasada e Sllovenisë. Më vonë pati rafting në ujërat e Drinit të zi, ku ka marrë pjesë edhe vetë ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann.
Shefja e delegacionit të BE-së ka biseduar gjithashtu edhe me operatorë turistikë vendorë të projektit CBC dhe dita është mbyllur me një koncert magjik nga trio e talentuar austriake Alicia Edelweiss në shëtitoren e Peshkopisë.
Ndërkohë, sot aktivitetet e Javës Evropiane do të zhvillohen në Shkodër me thirrjen për të përjetuar bukurinë e Shkodrës në një festë për traditën dhe natyrën shqiptare.
Roland Tasho çeli fotoekspozitën me personazhe publike të veshura me xhubletë. Gjithashtu është organizuar edhe panairi “Xhubleta Fest”, për të nderuar veshjen tradicionale dhe për të vlerësuar mjeshtërinë vendase. Aktivitete të tjera të programuar për në Shkodër janë: shëtitje me biçikleta nga ura e Bunës deri në sheshin kryesor të Shirokës si dhe ekspozitë mbi natyrën e egër të zonës së Shkodrës./KultPlus.com