Ekspozita me veshjet popullore në muzeun ‘Sterjo Spase’ në Pustec

Veshjet tradicionale të zonës së Manastirit dhe ato të Pustecit kanë një sërë elementesh të përbashkëta, që dëshmojnë zhvillimin kulturor dhe historik, e veçanërisht zhvillimin e veshjeve urbane të cilat janë shfaqur më një ekspozitë të organizuar në ditën e muzeve në shtëpinë muze të Sterjo Spases.

Krah kostumeve tradicionale të Pustecit që janë pjesë e fondit të muzeut janë shfaqur edhe fotografi të kostumeve të zonës së Manastirit me elemente të cilat datojnë nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të ndërsa ekspozimi i tyre shihet si një mundësi e mirë për shkëmbimin kulturor

Muzeu i Sterjo Spases i hapur vetëm 1 vit më parë është i vetmi atraksion kulturor në bashkinë e Pustecit përmes të cilit synohet tërheqja e vizitorëve.

Bashkia e vogël njihet për peisazhin natyror që tërheq vëmendjen e turistëve dhe pasurimi i ofertës për ta mbetet ende një sfidë

“Erdhëm fillimisht në Berat, me pas erdhëm në Korçë e tani jemi në parkun kombëtar të Prespës. Gjithçka është fantastike, natyra, vend shumë i bukur, njerëz mikpritës dhe qetësi mahnitëse” , thotë një turiste.

“Erdhëm pamë muzeun, shumë interesant, është hera e parë në Shqipëri ndaj po përpiqemi të shohim gjithçka. Edhe çmimet janë të përballueshme për ne, vend që ja vlen te promovohet” , shprehet një tjetër turist./TopChannel/ KultPlus.com

Të kam dashtë

Poezi nga Primo Shllaku.

Të kam dashtë… 
Dashunia nuk ka të tashme. 
Dashunia nuk ka të ardhshme.
Ajo ka vetëm të kaluemen. 
Të kam dashtë…

Dashunia asht e lirë si dorë mbi ranë.
Dashunia asht e verbët si dorë e zhvoshkun nga lkura.
Dashunia asht e çmendun si dorë mbi mish.
Dashunia vdes kur i mbarohen fjalët.
Dashunia vdes kur i shërohen plagët.
Dashunia fillon prap prej fillimit…

Dashunia i beson të gjitha. 
Dashunia i shpreson të gjitha. 
Dashunia i “ha” të gjitha. 
Dashunia i fal të gjitha. 
Dashunia banon te duert…

Të kam dashtë…
Dashunia nuk ka të tashme. 
Dashunia nuk ka të ardhshme. 
Ajo ka vetëm të kaluemen. 
Të paskam dashtë, pra…/ KultPlus.com

Vdes Andy Rourke, basisti i grupit ‘The Smiths’

Basisti i njohur i grupit “The Smiths”, Andy Rourke, ka vdekur në moshën 59-vjeçare, njoftoi ish-kolegu i tij i grupit, Johnny Marr.

Një postim në llogarinë e Marr në Twitter tha sot në mëngjes se “me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Andy Rourke pas një kanceri pankreatik”.

“Andi do të mbahet mend si një shpirt i sjellshëm dhe i bukur nga ata që e njohën dhe si një muzikant jashtëzakonisht i talentuar nga fansat e muzikës”, shtoi ai.

Me formacionin origjinal të përbërë nga Rourke, Morrissey, Marr dhe Mike Joyce, ”The Smiths” patën një varg hitesh në vitet 1980 me këngë si “Heaven Knows I’m Miserable Now” dhe “Girlfriend In A Coma”./ KultPlus.com

Rama: Muzeu i krimeve të komunizmit, nga një hapësirë pa jetë në destinacion kyç të Shkodrës historike

Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër, i ndërtuar vite më parë, në përgjigje të nevojës për të nderuar dhe memorializuar viktimat e krimeve të komunizmit, si dhe nevojës për të informuar brezin e ri, lidhur me periudhën e errët të krimeve, dënimeve dhe burgjeve të diktaturës komunistë në Shqipëri, – do të transformohet rrënjësisht, për t’u shndërruar në një muze mbresëlënës, së persekutimit komunist, destinacion kyç të Shkodrës historike, jo vetëm për vizitorët e për turistët, po edhe për nxënësit shqiptarë kudo jetojnë.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Shkodrën dhe ndalesën e parë e bëri pikërisht në Muzeun e Memories, ku i shoqëruar nga kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, si dhe drejtuesi i institucionit  Pjerin Mirdita vizitoi mjediset e brendshme të ish-burgut, ku gjatë viteve të diktaturës janë burgosur e torturuar figura të njohura intelektuale të qytetit verior e më gjerë, mes tyre dhe klerikët At Zef Pëllumbi, Imzot Ernest Çoba, At Benardin Palaj, përfaqësues të tjerë të besimit klerik, si dhe qytetarë të njohur nga Shkodra e më gjerë.

“Ka kohë që e kemi pritur këtë vizitë për vetë simbolikën që ofron ky muze, për rëndësinë që ka për qytetin e Shkodrës sepse është i vetmi muze që faktikisht në Shqipëri është i hapur në ambientet e një ish-burgu, që ka qenë në funksion gjatë periudhës së diktaturës komuniste. E gjithë hapësira që ne kemi këtu është e konceptuar e atillë, kjo është një galeri faktikisht është ndërtuar për qëllime muzeale. Është një projekt që ka filluar në vitin 2010 mes bashkisë së Shkodrës, ministrisë së Kulturës së kohës normalisht, por edhe Kishën Franceskane.  Faktikisht një aktivitet, i cili për publikun ka filluar në vitin 2014, pasi mbaroi e gjithë ndërtimi dhe konceptimi. Pjesa më e rëndësishme që ne kemi, është zona e qelive, hapësira e qelive e cila ndodhet si pjesë e strukturës së vjetër që ka qenë në shërbim këtu që nga viti 1936, ishte kolegj.  Ishte kolegji ku edukoheshin të rinjtë dhe kishin edukues të tyre, mësues të tyre, le të themi, At Gjergj Fishtën e shumë figura franceskane të kohës. Pjesa e burgut, ka qenë edhe pjesa më e dëmtuar me ngjarjet e vitit 1998 e cila u dogj 2-3 herë. Deri në ‘97 ka qenë në përdorim të shtetit si komisiariat policie”, shpjegoi drejtuesi Pjerin Mirdita, teksa shtoi se tashmë synohet që ky vend të jetë një qendër e mirëfilltë edukimi, didaktike.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se është momenti për të ndërhyrë përmes një investimi në infrastrukturën e Muzeut, për t’u pasuruar me materiale të reja, të ndërthurura në mënyrë më interesante, sa i përket ekspozimit të tyre.

“Ka nevojë për një rishikim, por edhe për t’i bërë një ndërhyrje si në syrin e muzeut të Marubit, sepse besoj se ka shumë mundësi që të bëhet akoma më mirë, sidomos kjo pjesa e hyrjes që mund të ketë më shumë figurat e personave të persekutuar, familjeve, me fotografi autentike. Mund të bëhet diçka shumë spektakolare”, theksoi ai.

“Ne nuk kemi asnjë muze tamam për persekutimin e fesë, për shembull dhe Shkodra është djepi në kuptimin e zjarrit që u ndez për të persekutuar fenë, plus edhe elementët e tjerë që kanë të bëjnë me qytetin. Jo thjesht klerikët, por edhe familjet, histori lokale dhe mund të jetë shumë interesante. Edhe me pjesën e dëshmitarëve, mund të bëhet arkivimi. Mund të jetë një gjë që është në proces, dëshmi. Mund të bëhet me këta që janë akoma gjallë, të merrni intervista, të digjitalizohen,mund të bëhen me kamera, nëpër qeli, me film. Pjesa e qelive është shumë spektakolare, por ka nevojë të ndërhyhet. Do një investim patjetër, duhet të bëjmë një projekt të mirë. Fati i madh këtu është që hapësira është. Këtu duhet të rikonceptohet komplet”, u shpreh Rama.

“Historinë e persekutimit dhe të fesë ne nuk e kemi në asnjë vend të përmbledhur dhe ky është vendi. Këtu ke gjithë hapësirën. Edhe biblioteka mund të pasurohet“, sugjeroi Kryeministri Rama

Edhe Benet Beci theksoi se “Marubi” është shumë pikë tërheqëse në Shkodër, por edhe ky muze po ashtu mund të bëhet shumë tërheqës./atsh/ KultPlus.com

‘Palmë e Artë’ surprizë për Harrison Ford

Legjenda e Hollivudit, Harrison Ford, i cili erdhi për të prezantuar premierën botërore të “Indiana Jones and the Dial of Destiny” në Kanë, mori si dhuratë surprizë një ”Palmë të Artë” nderi para shfaqjes së filmit.

“Jam thellësisht i prekur”, reagoi aktori 80-vjeçar amerikan, dukshëm shumë i prekur, pasi mori çmimin nga duart e Thierry Fremaux, anëtarit të jurisë.

Duke njoftuar se pjesa e pestë e aventurave të arkeologut të famshëm do të shfaqej në Croisette, organizatorët kishin bërë me dije se Harrison Ford do t’i bëhej një dhuratë e jashtëzakonshme, por pa detaje të mëtejshme.

Një figurë e kinemasë hollivudiane, ai ka luajtur një gamë të gjerë personazhesh, nga Han Solo në sagën “Star Wars” tek “Blade Runner”.

“Indiana Jones 5” do të shfaqet në kinema në fund të qershorit.

Edhe Tom Cruise, i cili erdhi në Kanë vitin e kaluar për premierën e “Top Gun: Maverick”, mori gjithashtu një surprizë nderi një ”Palmë të Artë” përpara shfaqjes së filmit.

Këtë vit, një tjetër emër i madh i kinemasë amerikane, Michael Douglas, 78 vjeç, mori të njëjtin çmim të martën, gjatë ceremonisë së hapjes së festivalit./ KultPlus.com

Me dyer dhe porta që simbolizojnë ikjen, hapet ekspozita personale e piktorit Esat Valla

Flonja Haxhaj

Dyer e Porta që simbolizojnë dukuri, ngjarje historike, identitete kulturore e zakone, e sidomos ikjen dhe largimin nga vendi, erdhën nëpërmjet penelit të piktorit dhe profesorit universitar, Esat Valla, shkruan KultPlus.

Në mjediset e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, Valla hapi të mërkurën ekspozitën e tij personale, për të ekspozuar një sërë pikturash të realizuara nga vetë ai ndër vite, e që kanë pothuajse të gjitha një të përbashkët, dyert.

E ndonëse arti i Vallës u vlerësua që moti, këtë e dëshmuan edhe veprat e paraqitura në këtë ekspozitë dhe po ashtu edhe publiku i të gjitha moshave që kishin mbushur plot hapësirën e kësaj akademie.

Në hapjen e ekspozitës, para publikut artdashës, fjalëpak, piktori Valla u shpreh tejet i lumtur për prezencën e të gjithëve në këtë ngjarje kaq të rëndësishme për të.

“Kjo është një punë e imja, e dekadave të fundit. Këto vepra janë të lindura pikërisht në studion time por ato fillojnë të jetojnë pikërisht sot me prezencën tuaj në këtë ekspozitë”, u shpreh Valla.

Ndërkaq piktori dhe skultptori Luan Mulliqi, vlerëson lart punën e Esat Vallës, e këtë ngjarje e konsideron si një aktivitet tejet të rëndësishëm.

“Sot po e shënojmë një ngjarje të rëndësishme, individuale, familjare e shtetërore”, tha mes tjerash Mulliqi.

Esat Valla u lind më 22 prill 1944 në Gjakovë, ku edhe ndoqi shkollën fillore. Në vitin 1965 mbaroi shkollën e mesme artistike në Pejë. Në vitin 1971 u diplomua në Akademinë e Arteve në Beograd (tani Universiteti i Arteve në Beograd ), ku studioi për pikturë te profesori Zoran Petroviq. Nga viti ai ishte 1974 ishte anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Kosovës. Ai po ashtu ishte pjesë e Fakultetit të Arteve që nga viti 1976, ku ligjëronte për  pikturë për studentë dhe maturantë, me titullin Profesor Ordinar në Universitetin e Prishtinës. / KultPlus.com

Ekspozitë për veshjet e Manastirit në shtëpinë muze të Sterjo Spasses

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore-Korçë paraqiti ekspozitën “Veshjet e qytetit” Manastir, në shtëpinë Muze të Sterjo Spasse, në Gollomboç.

Ky aktivitet u realizua në zbatim të projektit SMART4YOU2 projekt i implementuar nën Programin Ndërkufitar Shqipëri – Maqedoni e Veriut, ku DRTK Korçë është partner.

Ekspozita “Veshjet e Qytetit – Manastir”, prezanton objekte nga koleksioni i NI “Instituti dhe Muzeu”- Manastir, të cilat sipas DRTK, datojnë nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të.

Ndonëse, numri i mostrave nuk është i madh, megjithatë pasqyron zhvillimin kulturor dhe historik të Manastirit e veçanërisht zhvillimin e veshjeve urbane./ KultPlus.com

“Miss Shqipëria 2023” çel siparin e edicionit të 25-të

“Miss Shqipëria”, eventi më i madh i bukurisë shqiptare, çeli siparin e edicionit të 25 në një mbrëmje, ku ishin të pranishëm emra të njohur nga showbizi shqiptar, artistë të fushave të ndryshme të artit, por edhe vajzat pjesëmarrëse ndër vite në këtë konkurs bukurie.

Risia e këtij viti është se ky produksion i madh i bukurisë shqiptare rikthehet këtë vit aty ku kishte zanafillën në vitin 1998, në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar, i cili ka të drejtën ekskluzive të transmetimit të drejtpërdrejtë të Miss Shqipëria.

Dikur, Hygerta Sako, ka mbajtur kurorën e më të bukurës shqiptare, ndërsa sot, si pjesë e Produksionit “Miss Shqipëria”, i bën thirrje të gjitha vajzave që të përjetojnë eksperiencën magjike që të jep ky event bukurie.

Këtë vit Drita Ziri, vajza shqiptare që u shpall më e bukura e vitit që lame pas, do të dorëzojë kurorën këtë vit tek një tjetër vajzë e bukur. E teksa shprehet se çdo vajzë duhet ta provojë këtë eksperiencë unike, pohon se ky event bukurie ka qenë një trampolinë për suksesin që e ka ndjekur pas kurorëzimit si më e bukura, për të pasur një karrierë edhe si moderatore, në një tjetër event tjetër që transmetohet në RTSH, Netët e Klipit Shqiptar.

Audicionet e Miss Shqipëria 2023, do të mbahen nga dat 1-8 Qershor, në studio e Radio Televizionit Shqiptar.  Më pas do të fillojë periudha e grumbullimit dhe turi i zakonshëm, nëpër disa qytete, në të cilat është mbajtur ky event bukurie ndër vite, për të ardhur më pas në Tiranë ku do të kurorëzohet më e bukura në sheshin Italia, në datë 8 Korrik. 

Tingëllimë dashurie nga Ernest Koliqi

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,/ Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,/ Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,/ Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

“Tingëllimë”, kështu titullohet soneta e dashurisë, e shkruar nga Ernest Koliqi në prill të vitit 1923. Ishte në moshën 20 vjeç kur e shkroi këtë poezi dhe kishte vetëm dy vite që ishte kthyer në Shqipëri. Pas katër vitesh studime në Itali, ku kishte botuar edhe krijimet e para poetike në italisht, Koliqi u kthye në Shkodër, ku Luigj Gurakuqi e shtyu të merrej seriozisht me krijimtari letrare. Dy vjet më vonë, së bashku me patër Anton Harapin themeloi gazetën “Ora e malevet” mjaft e sukseshme në fushën politike e letrare të kohës. 27.al publikon dorëshkrimin e kësaj tingëllimë dashurie të rinisë së hershme të Ernest Koliqit. Dorëshkrimi ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit ka në fund datën e krijimit 29 prill 1923.

Një variant i këtij soneti është botuar nga Koliqi në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve” në vitin 1933, por ka shumë ndryshime. Rezulton, pra të jetë botuar plot 10 vjet, pasi është shkruar.  Më poshtë botohet varianti original i tingëllimës së dashurisë së bashk u me variantin e ripunuar e i botuar bashkë me fotokopjen e dorëshkrimit original

Dorëshkrimit të vitit 1923

Tingllim

Hjek keq por së kthej te ti. Qe, lott i tera.

Mbas tashit nji pikë lodje së derdh për ty.

S’ke mbetë ti vetëm, ka edhe varza tjera

Por nuk më kan bâmun dritë der’ sot këta sy.

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,

Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,

Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,

Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

Pertrihet në ket stinë të bukur marë natyra,

Dhe shpirti i em në kto dit ka m’u pertri,

E krejt jets’ s’eme do t’i ndrrojë, po, ftyra.

Mbas tashit ti në dash më duej e në dash mos më duej,

Por lulet qi shperthejnë sivjet në ket shtëpi

Nuk çilin ma per ty. Janë të tjeterkuej.

29 prill 1923

Varianti i botuar në vitin 1933 në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve”

***

Vuej por spajtohem mâ. Qe, lott I tera:

Pikën e lotit s’e qes mâ për tye.

Kâng’t qi t’i knova le t’i humbi era

Si emnin qi prej zêmret due me shlye.

Mallet e mija si ndër stina tjera

Pran’ teje mâ për t’gjall’ nuk kam me i shfrye:

Ti duej kê t’duesh tashti qi u çel prendvera

Pse kurgjâ mâ s’na lidhë: u zgjidh ky nye.

Si përtrihet kso stine mbar’ natyra

Ashtu edhe shpirti i im ka m’u përtri:

ty n’andrra t’mija mâ s’do t’ndrisi ftyra.

Kujtimin t’and me rrâjë un due m’e zhbi.

Flakën hyjnore, dashunis qi t’fala,

t’ia shuej heshtueshëm e harresës vala./ KultPlus.com

Ed Sheeran, Adele dhe Harry Styles yjet britanikë më të pasur nën 35 vjeç

Ed Sheeran, Adele dhe Harry Styles janë ndër njerëzit më të pasur në Mbretërinë e Bashkuar nën moshën 35 vjeç, sipas listës të Sunday Times.

Të gjithë muzikantët kanë një pasuri prej më shumë se 150 milionë paund pas sukseseve në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.

Por ata nuk kanë mjaft para për t’u përfshirë në listën kryesore të të pasurve, ku njerëzit duhet të “mburren” me pasuri prej 350 milionë paund ose më shumë.

Për ata nën 35 vjeç, Ed Sheeran, 32 vjeç, renditet i shtati më i pasur me një pasuri prej 300 milionë paund, i ndihmuar nga albumi i tij i gjashtë i shitur me shpejtësi “Subtract”.

Adele, e cila tani është 35 vjeç, është në vendin e nëntë me 165 milionë paund. Këngëtarja e lindur në Londër ka shitur më shumë se 100 milionë albume dhe në fillim të këtij viti ajo njoftoi se rezidenca e saj luksoze në Las Vegas do të zmadhohej. Thuhet se ajo paguan 500,000 £ për shfaqje.

Harry Styles pati albumin më të shitur në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar me “Harry’s House”, dhe aktualisht është në turne në MB. Pasuria e 29-vjeçarit është 150 milionë paund.

Në krye të listës kryesore të të pasurve është Gopi Hinduja dhe familja, të cilët zotërojnë biznesee në të gjithë botën dhe pasuria e kombinuar e të cilëve është 35 miliardë paund, nga 28.4 miliardë paund vitin e kaluar.

Sir Jim Ratcliffe kthehet në top 10-shen e njerëzve më të pasur të Britanisë pas dy vitesh poshtë renditjes.

Tani me vlerë 29.6 miliardë £, Sir Jim është ndoshta më i njohur në këtë moment për betejën e tij për të blerë Manchester United, ekipin e tij të futbollit që nga fëmijëria. Ai e bëri pasurinë e tij përmes Ineos, një biznes kimik dhe lëndësh të para.e

Mbreti i sapokurorëzuar Charles III ka renditjen relativisht të ulët të 263-të në Listën e të Pasurve me një pasuri prej 600 milion £. Megjithatë, ai është më i pasur se nëna e tij e ndjerë, Mbretëresha Elizabeth II, e cila kishte vlerë 320 milionë paund, sipas listës së vitit të kaluar.

Në mënyrë të konsiderueshme më e pasur është JK Rowling, autorja e librave të Harry Potter. Ajo ka një vlerë prej 875 milionë funte, një rritje prej 25 milionë funte nga viti i kaluar. Ajo mund të bëhet akoma më e pasur – shkrimtarja thuhet se është në bisedime me rrjetin televiziv HBO për ta shndërruar krijimin e saj më të famshëm në një seri.

Ndërkohë, dy nga yjet e filmave të Harry Potter janë në listën e më të pasurve nën 35 vjeç. Daniel Radcliffe, 33, ka një vlerë prej 92 milionë funte, ndërsa Emma Watson, gjithashtu 33 vjeç, ka një pasuri prej 60 milionë funtesh./Top Channel/ KultPlus.com

Kadare si Kafka, Panairi i Librit në Torino çelet me Kadarenë

Panairi i 35-të i librit në Torino, çeli siparin sot në prani të Ministrit të Kulturës së Italisë Gennaro Sangiuliano dhe Ministres së Kulturës së Shqipërisë Elva Margariti. Shqipëria është e ftuar nderi në këtë event të rëndësishëm të librit botëror.


Një lexim në gjuhën e imazhit e veprës “Kronikë në gur”, të shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare, realizuar nga arkitektja Matilda Pando, pavijoni shqiptar ka tërhequr vëmendjen e mijëra lexuesve.
Më shumë se 40 aktivitete do të jenë me në fokus letërsinë shqipe. Kohët e Kadaresë ishte aktiviteti i parë realizuar në sallën e Shqipërisë. Alessandro Mezzena, gazetar italian foli për universalitetin e letërsisë së Kadaresë, duke e krahasuar me Kafkën.
Sipas Mezzenës Kadare është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të kohës i cili me veprën e tij na tregon një Shqipëri fantastike. “Prezantimi i letërsisë shqipe në edicionin e 35-të të Panairit të Librit në Torino, është një ngjarje e rëndësishme për kulturën shqipe. Për vetë kontekstin historik në të cilën letërsia shqipe u zhvillua për më shumë se gjysëm shekulli, përshfaqja përpara një audience të madhe ndërkombëtare e një historie aspak të ngjashme jo vetëm me vendin fqinj (ftues), por me shumë vende të tjera evropiane, e bën këtë pjesëmarrje të marrë përmasa gati historike.

Historikisht bota kulturore shqiptare dhe latine kanë qenë simboli i europianizmit. Kjo zonë është zona tipike e europianizmit , e vetmja hapësirë ku botohej letërsi artistike që në mesjetë. Dy gjuhët kanë qënë herët pjesë e një filozofie të përbashkët, si pjesë e kulturës së parë europianiste. Mos harrojmë që përkthimi i letërsisë antike të autorëve italianë të mesjetës kanë pasur një rol të rëndësishëm orientimi në rilindjen tonë kombëtare. Kanë qënë e vijojnë të jenë frymëzim për breza e breza të tërë shkrimtarësh, të cilët kanë reflektuar në veprat e tyre vlerat më të mira të këtyre leximeve”, tha Alda Bardhyli./GazetaTema

The Guardian me shkrim impresionues për Shqipërinë, gazetari vizitoi 17 shtete por zemrën ia rrëmbeu Shqipëria

Gjatë katër viteve të fundit, kam udhëtuar në 17 vende për librin tim ”Mirupafshim Evropa Lindore”.

Në të, unë përpiqem të përshkruaj një Evropë Lindore të zhdukur, ku pasuria shumëplanëshe kulturor dhe toleranca fetare ishin rregull dhe jo përjashtim.

Shqipëria ishte një nga vendet e pakta ku ajo trashëgimi nuk ishte një kujtim, por një realitet i gjallë. Duke e parë vetë atë kjo gjë më mbushi me shpresë, jo vetëm për Ballkanin, por për Evropën në tërësi, shkruan Jacob Mikanowski për “The Guardian”.

”Ndjeva një lloj frike përpara vizitës sime të parë atje, në vitin 2019. Ju mund ta konsideroni këtë frikë me atë që studiuesja bullgare Maria Todorova e quan “ballkanizma të folezuar”, thënë ndryshe prirja e çdo vendi të Evropës Lindore për ta konsideruar veten si mesataren e artë dhe për të parë fqinjët e tij (sidomos ata në jug dhe në lindje) me dyshim. Unë jam polak dhe kam udhëtuar nëpër rajon prej një kohe aq të gjatë, sa të kem përjetuar çdo lloj shqetësimi. Por, unë jam gjithashtu mjaft i moshuar për të kujtuar imazhet e transmetuara nga Shqipëria pas rënies së komunizmit dhe rebelimit civil që përfshiu vendin në 1997. Edhe pse ka kaluar shumë kohë që atëherë, nuk isha i sigurt se çfarë do të gjeja.

Pika ime e hyrjes ishte një nga pikat kufitare më të bukura që kam përjetuar ndonjëherë, një shtrirje e egër bregdetare përgjatë liqenit të Ohrit, ku Shqipëria takohet me Maqedoninë e Veriut. Një udhëtim i shpejtë me taksi nga kufiri në qytetin e afërt të Pogradecit ishte i mjaftueshëm për të larguar çdo ankth të vazhdueshëm. Pasi mora veten me një kapuçino buzë liqenit, hipa në një autobus për në Korçë, kryeqyteti kulturor i malësive të thella lindore të Shqipërisë. Me të mbërritur në mesditë, qyteti dukej i shkretë. Me afrimin e natës, pazari ishte i mbushur me njerëz që darkonin jashtë në restorante me kuzhinë italiane dhe qebaptore shqiptare. Mora një pjatë me mish qengji dhe sallatë greke (këtu i thonë “sallatë fshati” – nacionalizmi nuk vdes lehtë) dhe dëgjova një koncert falas të këngëtares pop franceze, Clio.

Kisha ardhur në Korçë për të parë rrënojat e Voskopojës. I njohur gjithashtu si Moschopolis ose qyteti i barinjve, dikur kishte qenë kryeqyteti jozyrtar i vllehëve, një popull shpesh (por jo ekskluzivisht) nomad, që fliste një gjuhë të ngjashme me rumanishten. Në malet në perëndim të Korçës ata ndërtuan Oksfordin e tyre në miniaturë, të kompletuar me një akademi, shtypshkronja dhe kisha të zbukuruara. Qyteti lulëzoi për një shekull përpara se të pushtohej nga Ali Pasha, një prijës vendas, i njohur edhe si “Bonaparti mysliman”, në fund të shekullit XVIII, pas së cilës ajo u fundos në errësirë pothuajse.

Sot Voskopoja është një fshat i këndshëm, në një luginë të vogël të rrethuar nga male të mbuluara me bredha. Shtypi dhe akademia janë zhdukur, por ju ende mund të shihni kryevepra nga David Selenicasi dhe piktorë të tjerë shqiptarë ikonash, në kishat e shumta të saj. Megjithatë, ndonjëherë të nevojitet edhe ndonjë telefonatë. Kisha e Shën Nikollës ishte e mbyllur kur mbërrita. Në pjesën e përparme të saj, takova dy çifte nga Gjermania dhe Franca – të vetmit turistë në qytet atë ditë. Ne telefonuam numrin që pamë në derë; pak minuta më vonë, një prift i sjellshëm vlleh, me rroba të zeza, na futi në një dhomë xhevahiresh me afreske shumëngjyrësh.

Më vonë atë ditë, u nisa vetë në një shteg të vjetër karvanesh që lidhte Voskopojën me qendrat e mëdha tregtare të Ballkanit. Eca për një orë nëpër pyjet e pishave pa parë askënd, derisa arrita te një kishë e vogël pelegrinazhi prej guri, kushtuar shenjtorëve Kostandin dhe Helenë. Pamja e luginës shtrihej për kilometra të tëra, deri në masivin e Tomorit apo Fuxhi i Shqipërisë së mesme dhe një vend pelegrinazhi për të krishterët dhe myslimanët.

I kënaqur nga udhëtimi im i parë në Shqipëri, vendosa të kthehesha. Jeta dhe pandemia bënë të tyren, por në vitin 2022 u ktheva me bashkëshorten për një turne dyjavor. Filluam me Tiranën. Kryeqyteti i Shqipërisë ka shumë për të rekomanduar, arkitekturë eklektike, gjallëri kafenesh dhe restorante të mbushura plot. Është gjithashtu vendi më i mirë për t’u njohur me periudhën më të errët të historisë së vendit, me mbretërimin 40-vjeçar të Enver Hoxhës, diktatorit stalinist që sundoi Shqipërinë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij në 1985.

Pranë sheshit ”Skënderbej”, një vilë tërheqëse që dikur ka qenë selia e policisë sekrete është kthyer në një muze të quajtur ”Shtëpia e Gjetheve”. Ekspozitat e tij, të cilat përfshijnë pajisje përgjimi, pamje të kontrolluara të mbikëqyrjes dhe intervista me të mbijetuarit e burgimit, zbulojnë aftësinë e jashtëzakonshme që regjimi komunist ishte i gatshëm të bënte për të mbajtur nën kontroll popullsinë e tij. Në një aspekt më estetik, Galeria Kombëtare e Arteve (aktualisht e mbyllur për riparime, por e planifikuar të rihapet në fillim të vitit 2024) ka një nga koleksionet më të mëdha të artit të realizmit socialist të Evropës Lindore.

Muzetë e Tiranës shquhen për thellësinë dhe krijimtarinë e angazhimit të tyre me një të kaluar të vështirë. Megjithatë, për të marrë një ndjenjë të vërtetë për Shqipërinë, duhet të lini pas kryeqytetin. Destinacioni ynë i parë ishte veriu, zona e pakicës katolike të vendit dhe malet e tij të larta. Tradicionalisht vendi i gjakmarrjes dhe malësorëve, kjo është ”Shqipëria e Epërme” e përshkruar nga Edith Durham në fillim të shekullit XX. Ne e filluam vizitën tonë në qytetin e Shkodrës me një udhëtim në Muzeun Kombëtar të Fotografisë ”Marubi”, që paraqet punën e dinastisë më të madhe fotografike të Shqipërisë, të filluar nga revolucionari italian Pietro Marubbi dhe vazhdoi përmes nxënësve të tij shqiptarë. Ajo ofron një dritare në Shqipërinë e mesit të shekullit XIX, pashallarët osmanë, kryekomandantët katolikë, vajzat e haremit dhe madje edhe një luftëtare për lirinë.

Më pas shkuam në luginën e Thethit, në Alpet Shqiptare, në kufi me Malin e Zi. Në të kaluarën, Thethi ishte i shkëputur nga pjesa tjetër e botës nga bora për gjashtë muaj të vitit, duke i dhënë pseudonimin Shangri La i Shqipërisë. Deri vonë mund të arrihej vetëm nga një rrugë me zhavorr, por e shtruar së fundmi./ KultPlus.com

‘Nëna ime kishte vetëm një fustan’

Ardita Jatru

Nëna ime kishte vetëm një fustan
e lante natën dhe e thante pranë furnelës.
Ditën e vishte me aromë të re
Nuk e pyeta asnjëherë pse nuk blinte një të dytë
Nuk desha ta kishte një të dytë
Unë ashtu e njoha
me fustanin me lule rozë,
deri te gjunjët.
Kur e bleu një këmishë mëndafshi të verdhë
e preva copash natën më gërsherë
dhe mbusha xhepat.
Nëna heshti dy ditë
e unë gëzohesha nga brenda
që ajo vishte prap të njëjtin fustan
dhe i përsësija vetes,
se dua ti ngjaj.
Tani kam filluar të kuptoj nënën.
Pikëpyetjet e atëhershme i zgjidha,
nga dalin ofshamat
kam filluar të kuptoj
dhe vetëm pse copëtohej,
pse luftonte vetëm.
Fundja pse duhej të kishte një fustan.
Për të gjitha këto, kuptoj një gjë,
rritem dhe i ngjaj asaj
por me fustane të ndryshme
luftoj vetë i dytë
dhe sitnët e mia thinjen para pasqyrës./ KultPlus.com

Gent Rrushi: Shkoja me vonesë në shkollë se dëgjoja këngët në TV Jugosllave

Gent Rrushi është një ndër muzikantët më të spikatur në Shqipëri. Ai përveç se është instrumentist, kompozitor dhe pedagog në Universitetin e Arteve, njihet si personalitet i muzikës xhaz.

I ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, Genti ka bërë një rrëfim emocionues për jetën e tij, duke u kthyer pas në kohën kur i ati i zbuloi talentin për muzikë.

“Muzika te unë ka ardhur te unë shumë natyrshëm, aq natyrshëm sa nuk di tamam të kem ndonjëlloj përkufizimi. Sidomos im atë ka qene shumë i vëmendshëm ndaj meje dhe kur kam qene shumë i vogël, më ka gjetur një mësues pianoje në klasë të parë, diku 6 vjeç, por me muzikën shenjat i kam pasur më herët, ato që mund të quhen shenjat e talentit. Pastaj, kam vazhduar pa e menduar si fëmijë, pa e ditur që një ditë do të bëhem muzikantë profesionistë”, rrëfeu ai.

Më tej, Genti tregoi se dëgjonte muzike nga televizionet Jugosllave dhe kështu u njoh me hitet e mëdha botërore.

“Kujtoj që çdo ditë nga ora 7 pa 10 deri në 7 të mëngjesit jepeshin hitet e momentit në televizionet e Jugosllavisë dhe unë shkoja përgjithësisht vonë në shkollë, do duhet t’i ndiqja këto sepse duke mos pasur diçka që ta riprodhonim, duhet ta mësonim sot një strofë dhe nesër një tjetër, derisa t’i vinte radha këngës të transmetohej. Kështu bëra repertorin, këngët kanë qene disa nga Beatsel, Michael Jackson, nuk më kujtohen shumë, ABA”, u shpreh muzikanti./abcnews.al

Marin Mema: Propozimi për heqjen e emrit të Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës është absurd

Marin Mema

Propozimi për heqjen e emrit të Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës është absurd. Ne duhet të krenohemi me figura të tilla. Unë e kuptoj që ka probleme apo procedura që ndikohen nga faktorë të tjerë, por kjo nuk duhet të na bëjë të tërhiqemi nga e drejta.

Propozimi me sa është bërë e ditur lidhet me pengesat që krijon universiteti i hapur ilegalisht nga strukturat paralele serbe në veri të Mitrovicës. Dhe duke qenë se ai universitet ilegal është emërtuar qëllimisht “Universiteti i Prishtinës” , në arenën ndërkombëtare , Universiteti i vërtetë i Prishtinës emërtuar “Hasan Prishtina” ka probleme në rankimet e procedurat ndërkombëtare. Ky është justifikimi zyrtar. Por pse duhet hequr emri “Hasan Prishtina” UP- së dhe jo delegjitimuar universiteti paralel në Mitrovicën veriore ? Po sikur “nesër” serbët me këtë precedent të ndikojnë në ndryshimin e emërtimeve të tjera ? Të imponojnë gjithnjë e më shumë ? Sot universitetin, nesër aeroportin, stadiumin etj etj etj. Çfarë është kjo ?

Emrat e universiteteve “Ismail Qemali” në Vlorë, “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, “Eqerem Çabej” në Gjirokastër apo “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, “Haxhi Zeka” në Pejë, “Kadri Zeka” në Gjilan, “Isa Boletini” në Mitrovicë etj etj janë krenari, identitet. Ne duhet ti vlerësojmë e ruajmë figurat tona e jo ti largojmë, fshehim, shuajmë sipas imponimeve e dëshirave të të tjerëve. Me emrat e figurave nuk luhet.

Universiteti Shtetëror i Arizonës dhe Uni-Universum International College: Fuqizimi i studentëve për një të ardhme më të ndritshme  


Arsimi është një shtytës kryesor i zhvillimit personal dhe shoqëror.

Kur bëhet fjalë për institucionet që janë të përkushtuara për të ofruar arsim të jashtëzakonshëm, Universiteti Shtetëror i Arizonës dhe Uni– Universum International College janë dy emra që bien në sy. Këto institucione janë të përkushtuara për të fuqizuar studentët për një të ardhme më të ndritur, duke i përgatitur ata të lulëzojnë në një botë që ndryshon vazhdimisht.

Si ASU ashtu edhe UNI kanë prioritet suksesin dhe mirëqenien e studentëve. Ata ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh mbështetëse, duke përfshirë këshillimin akademik, këshillimin për karrierë, tutorim dhe programet e mirëqenies, për të ndihmuar studentët të lulëzojnë akademikisht, përsonalisht dhe profesionalisht.

Për më tepër, ASU dhe Uni– Universum International College janë të njohur për kampuset e tyre të gjalla dhe dinamike, të cilat u ofrojnë studentëve objekte më të avancuara, teknologji të avancuara dhe burime moderne për mësim, kërkim dhe inovacion.

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni UNI – n në facebook & instagram.  / KultPlus.com

Kurti: Në qershor mbledhja e radhës e Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë

Në mes të muajit qershor, qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë do të bëhen sërish bashkë në një mbledhje të përbashkët. Kështu ka konfirmuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë një bisede me gazetarë në margjina të konferencës “Diaspora Flet”.

Kohë më parë ishte thënë se mbledhja do të mbahet më 14 qershor në Gjakovë.

14 qershori kremtohet nga gjakovarët si dita e çlirimit të qytetit historik dhe përkujtohet në kalendarin e kësaj treve për të nderuar kujtimin e dëshmorëve që dhanë jetën në luftën për çlirimin e Kosovës.

Ky do të jetë takimi i nëntë mes qeverive shqiptare të të dy shteteve, ndërsa që prej 11 janari 2014, kur për herë të parë nisi ky bashkëpunim, janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje. Arritjet më të rëndësishme janë ato të lirisë së lëvizjes në të dy anët e kufirit, në fushën e shkëmbimeve ekonomike, në fushën e energjisë elektrike, në mësimin e abetares së përbashkët, puna e përbashkët për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar dhe për Historinë e Shqiptarëve.

Presidentja Osmani në konferencën e Germin: Mërgata jonë është katalizator i ndryshimit pozitiv në Kosovë (VIDEO)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, në hapjen zyrtare të konferencës “Diaspora flet” të organizuar nga Germin adresoi pjesëmarrësit në një fjalim rasti ku ndër të tjera theksoi se mërgata jonë është dëshmi e vlerave që na karakterizon si shtet.

Vjosa Osmani në prezantimin e saj ka përmendë edhe përfaqësimin e denjë të sportistëve tanë nëpër botë, sikurse edhe të yjeve botërore: Dua Lipa e Rita Ora.

Ngjarja vazhdoi me një seri fjalimesh kryesore që patën në fokus tematika të rëndësishme që prekin mërgatën dhe vendet amë, nga: Joshua Mike, Drejtor i Zyrës për Rritje Ekonomike të USAID; Anila Hyka-Smørgrav, Bashkë-kryetare e Bordit të GERMIN; Avni Mustafaj, Bashkë-kryetar i Bordit të GERMIN dhe Mike Bailey, Ekspert Ndërkombëtar për Angazhimi e Diasporës nga Izraeli.

Ndërkohë, kjo konferencë është hapë nga Kori i Fëmijëvë “Okarina”, të udhëhequr nga Elikona Hysaj Shala, e cila bashkë me fëmijët ka prezantuar disa pika muzikore.

Kjo konferencë që filloi të enjeten, punimet është duke i vazhduar edhe sot, sikurse që do të prezantojë shumë folës edhe gjatë ditës së shtunë./ KultPlus.com

Kryeqytetet evropiane që vizitohen më shumë nga turistët

Udhëtimi është rikthyer me ritëm të plotë – por jo të gjitha vendet po përqafojnë kthimin e turistëve. Turmat e turistëve janë bërë problem kryesor në shumë destinacione turistike të Europës.

Për të luftuar mbipopullimin, disa vende kanë zbatuar kufizime, që variojnë nga vendosja e kufirit të vizitorëve në Marsejë, Francë, deri te ndalimi i anijeve turistike në Venecia, Itali.

Por, si mund të shmanget vajtja në destinacionet e mbipopulluara?

Duke përdorur të dhënat nga motori i kërkimit për pushime Holidu, i cili krahasoi madhësinë e popullsisë lokale me numrin e turistëve të vitit 2019, ja cilat janë kryeqytetet europiane me më shumë turistë për banor.

Kryeqytetet më të vizituara në Europë

Amsterdami ka numrin më të lartë të turistëve për banor. Kryeqyteti holandez ka 12 turistë për çdo banorë.

I njohur si “Venecia e Veriut”, Amsterdami ka më shumë se 160 kanale dhe 1200 ura. Qyteti, i njohur si një destinacion për kanabisin dhe alkoolin, synon të ndryshojë tani reputacionin e tij.

Amsterdami dallohet për baret dhe kafenetë elegante, por edhe për institucionet kulturore, si Muzeu i Van Gogh.

Dublini renditet i dyti, me 11 turistë për banor.

Kryeqyteti argëtues i Irlandës është shtëpia e Guinness, dhe turnetë në punishtet e birrës, kanë mirëpritur afër 23 milionë njerëz, që nga hapja në vitin 2000.

Turistët dynden gjithashtu në Temple Bar, një rrugë me kalldrëm e mbushur me bare, ku japin shfaqje grupe folklorike.

Talin, Kryeqyteti i Estonisë zë vendin e tretë, me 10 turistë për banor.

Vendi i Europës Lindore ka shumë për të eksploruar, përtej Talinit. Me Detin Baltik në veri dhe perëndim, ai është shtëpia e mijëra ishujve me pasuri natyrore dhe historike.

Kryeqyteti i Francës, Parisi, renditet i katërti, me 9 turistë për banor.

Qyteti i Dashurisë tërheq vizitorët, që duan të shohin Kullën e famshme Eifel. Ndërkohë, Luvri është muzeu më i vizituar në botë.

Athina, kryeqyteti i Greqisë, është një tjetër nga kryeqytetet më të njohura, me 8 turistë për banor.

Kryeqytetet më pak të vizituara në Europë

Sipas Holidu, Berlini, Madridi, Brukseli dhe Budapesti janë kryeqytetet me “më pak turistë”, me vetëm 2 turistë për banor.

Ndër kryeqytetet e tjera europiane, Praga në Republikën Çeke, ka 8 turistë për banor; Edinburgu në Skoci ka 7; Kopenhagen në Danimarkë dhe Lisbona në Portugali, kanë 6, transmeton monitor përcjell albinfo.ch.

Stokholmi në Suedi, Vjena në Austri dhe Roma në Itali kanë 4. Londra e Mbretërisë së Bashkuar ka 3.

Po qytetet e tjera të Europës?

Dubrovniku në Kroaci, sipas Holidu, mirëpriti mesatarisht 36 turistë për banor në vitin 2019.

Duke qenë se këta vizitorë vijnë kryesisht për pushime verore, qyteti bregdetar është më i mbipopulluar në këtë sezon.

Më pas vijnë Venecia e Italisë, Bruges e Belgjikës dhe ishulli grek i Rodosit, secili me 21 turistë për banor.

Ashtu si Dubrovniku, Rodosi vizitohet kryesisht për pushime verore, kur turmat e turistëve shtohen së tepërmi.

Antalia dhe Muğla e Turqisë, të cilat janë shumë të njohura në mesin e turistëve europianë, kishin respektivisht 5 dhe 3 vizitorë për banor.

Vetëm 8-vjeçe dhe ka mbaruar shkollën e lartë, vogëlushja përgatitet të pushtojë hapësirën

Andhara Perez Sanchez ishte vetëm tre vjeç kur u diagnostikua me sindromën Asperger. Ajo nuk kishte miq, sepse shokët e klasës e tallnin. Mësuesit ishin në mëdyshje qe ta pranonin në klasë.

Kjo rezultoi që Adhara të tërhiqej dhe të mos interesohej për mësimet ndërsa refuzonte të shkonte në shkollë.

Për të ndihmuar vajzën e saj me depresion, nëna e Adharës e çoi te një psikolog. Ekspertët zbuluan se IQ-ja e saj ishte shumë e lartë.

Konkretisht, ishte 162, më i lartë se Ajnshtajni. Ata sugjeruan që prindërit ta dërgonin Andharën në një shkollë speciale dhe atje zhvillimi i saj ishte i shpejtë.

Në moshen 5-vjeçare mbaroi shkollën fillore, 6-vjece mbaroi shkollën e mesme dhe në 8-vjeçe mori diplomën e shkollës së mesme. Ajo tashmë ka një diplomë universitare dhe tani është duke bërë master në inxhinieri industriale.

Andhara ëndërron të studiojë për Astrofizikë në Universitetin e Arizonës. Vogëlushja po punon për zhvillimin e një “byzylyku ​​inteligjent” për fëmijët e vegjël me aftësi të veçanta.

Andhara ëndërron të punojë në NASA dhe të bëhet personi i parë autik që udhëton në hapësirë.

Numër në rritje i kosovarëve po heqin dorë nga shtetësia e tyre

Referuar të dhënave, çdo herë e më tepër po shtohen shtetasit kosovarë që po heqin dorë nga shtetësia e tyre. Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka treguar se për periudhën janar-mars të këtij viti kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës 1 mijë e 8 persona, përcjell albinfo.ch.

Dukuria e largimit nga vendi nuk dihet a është më shumë “trend” apo nevojë e ndikuar nga rrethana të tjera.

Pse po heqin dorë nga shtetësia?

“Gjatë periudhës Janar-Mars 2023, në Divizionin e Shtetësisë janë marr 1,019 vendime për Lirim nga shtetësia: 1,008 v. pozitive, 11 v. negative dhe 893 kërkesa”.

Referuar të dhënave numri më i madh i qytetarëve, që kanë hequr dorë nga shtetësia janë nga Gjermania e pasuar nga Austria, Sllovenia, Kroacia dhe të tjera.

Po ashtu në këtë raport thuhet se gjatë periudhës Janar – Mars 2023 në qendrën e Përkohshme të Pritjes për Migrantë janë akomoduar gjithsej 177 migrantë prej tyre 167 (94.3%)meshkuj dhe 10 (5.6%) femra.

“Nga përshkrimi i të dhënave, numri më i madh i migrantëve është nga Maroku me 87 (49%) i pasuar nga Siria 32 (18%), Somalia 29 (16.4%) Egjipti 8 (4.5%) Palestina 8 (4.5%), Algjeria 5 (2.8%) Jordania 2(1.12%), Eritrea 2 (1.1%), Pakistani 1(0.6%) Libia 1 (0.6%) dhe Sudani 1(0.6%) migrant”, thuhet në raportin e MBP-së.

Sipas të dhënave gjatë kësaj periudhe, në pikat kufitare janë kthyer 117 persona të ripranuar nga shtetet e ndryshme. Prej tyre me Forcë 101 (86.3%), Vullnetarë 7 (5.9%) dhe Vullnetarë të asistuar nga IOM 9 (7.7%).

Po ashtu, në Qendrën për Mbajtjen e të Huajve, kanë qenë të akomoduar 5 të huaj ndërsa me Vendimin për ndalim në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj, gjatë kësaj periudhe raportuese janë akomoduar 4 të huaj, ndërsa nga Qendra janë larguar 4 të huaj. Numri aktual i të ndaluarave në Qendër është 1.

Gjatë muajit të kaluar në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje të lirë në zonën “Schengen” nga 1 janari i vitit 2024.

Aleanca Kosovare e Biznesit ka vlerësuar se vetëm vitin e parë nga liberalizimi i vizave, Kosova rrezikon të mbetet me 150 mijë qytetarë më pak.

“Sipas parashikimeve që kemi bërë një vit më herët, ku paralajmërimet kanë qenë që nga viti 2010, 2011, 2016 që do të bëhet liberalizimi, kemi bërë një hulumtim dhe sipas atij, ne vetëm vitin e parë mund të mbetemi me 150 mijë qytetarë më pak. Një vlerë e madhe e cila pritet të lëvizë drejt Europës, për të gjetur mundësi për t’u punësuar”.

Trendi i emigrimit, sipas shifrave zyrtare të institucioneve të Kosovës, është në rritje. Vetëm vitin e kaluar, nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë.

Arsyet kryesore të emigrimit të rregullt sipas ASK-së janë bashkimi familjar, martesa, gjetja e një vendi pune apo edhe studime. Në vitin 2020, nga Kosova emigruan mbi 8,000 veta; më 2019 mbi 34.000; dhe më 2018 mbi 28.000.

Pishina e Gërmisë me pamje të re, hapet në qershor

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se pishina e Gërmisë po vjen me pamje të re dhe se do të hapet në qershor.

Në njoftim bëhet e ditur janë duke e lyer guaskën e pishinës, do të ketë investime në amfiteatër dhe në terrenin sportiv.

“Pas 10 vjetësh, pishinës së Gërmisë po i kthehet freskia.

Pishina po vjen me një ambient të ri: guaskë të lyer, investime në amfiteatër dhe në terrenin sportiv, renovim të tualetit, shtretër për relaks, gjelbërim të shtuar, si dhe me kënd të ushqimit dhe aktivitete të shumta artistike për të gjitha grupmoshat.Pishina hapet në qershor”, thuhet në njoftim

Koleksioni më i madh në botë i ‘Banksy’ për herë të parë në Londër

Koleksioni më i madh në botë i veprave të artit origjinal dhe të vërtetuar të Banksy do të shfaqet së shpejti në Londër.

Banksy është pseudonimi i një artisti rrugësh, aktivisti politik dhe regjisori me qendër në Angli, emri dhe identiteti i vërtetë i të cilit mbeten të pakonfirmuara dhe objekt spekulimesh.

Ekspozita e Banksy, me më shumë se 110 vepra nga artisti anonim me qendër në Bristol, do të hapet në Regent Street në muajin korrik.

Vizitorët do të mund të shohin vepra që sollën famë ndërkombëtare të Banksy, si “Girl With Balloon”, “Flower Thrower” dhe “Rude Copper”, krahas të tjerave që shfaqen për herë të parë.

Ekspozita fokusohet gjithashtu në Dismaland të Banksy-t, “The Walled Off Hotel” në Betlehem dhe veprat e fundit të artit që paraqesin luftën e vazhdueshme në Ukrainë.

Veprat e Banksy do të vizitohen nga më shumë se 1.5 milionë vizitorë në 15 qytete anembanë globit, megjithëse nuk janë kuruar apo autorizuar nga vetë artisti.

Ekspozita në Londër, për herë të parë, do të shfaqë bashkëpunëtorët e ngushtë të artistit që ndajnë historitë e tyre personale dhe japin një pasqyrë unike në disa nga imazhet e famshme.

Dëshmitë anonime do të ndajnë gjithashtu detaje se si u krijuan marifetet e artit të rrugës që rrëmbejnë titujt.

Ekspozita e Banksy do të jetë e hapur për publikun më 5 korrik./KultPlus.com

Një letër

‘The Best of Mad Swirl: v2022’ është një antologji 115 faqesh me 52 poetë, 12 shkrimtarë të shkurtër dhe katër artistë që vijnë nga 4 kontinente dhe 11 vende. Në vijim gjeni poezinë ‘Një letër’ të autorit kosovar Ndue Ukaj, e që është përzgjedhur në mesin e poezive në këtë antologji.

Një letër

Një copë letër mund të jetë ma e rëndësishme
se pesha e dëshirave tua, e ëndrrave
e krejt dhimbjeve që mban në gjoksin tënd,
në supet e rënduara;
më shumë se sytë blu ku hyjnë e dalin anije plot dëshira,
më shume se një zemër që përshkohet prej stuhish e cunamesh.

Ajo mund t’i rrisë dhimbjet ose e kundërta t’i zvogëlojë ato.
Një copë letër mund të përcaktojë:
ku ti mund të shkosh dhe ku jo,
një letër që quhet një leje për të kaluar kufijtë,
ku ligjet e kalimit andej janë të varura nga dikush,
siç janë të varura ato këndej nga dikush tjetër.

Një jetë njerëzore është plot kufij, pengesa, tundime.
Trishtueshëm një letër mund ta zvogëlojë peshën e trupit tënd,
peshën e dhimbjeve,
të dashurive,
të dëshirave, të ëndrrave, të trishtimit,
një letër mund ta zvogëlojë sasinë e gëzimit,
sasinë e lumturisë.
Një letër mund ta mat sasinë frymëmarrjes,
oksigjenin në trup, tensionin, pulsin.
Sepse ne jemi të rrethuar përherë me kufij
që duken e zhduken krejt papritur në jetën tonë.
Ne e dimë se n’ta ka kontrolle,
policë e ushtarë të gatshëm me armë në duar që zbatojnë urdhra,
por kurrë s’bëjmë punën e duhur që t’i zëvendësojmë
me lule tërfili,
skulptura të bukura e ëndrra pranverore.

Një jetë njerëzore është plot kufij, pengesa, tundime.
Trishtueshëm një letër mund ta zvogëlojë peshën e trupit tënd,
peshën e dhimbjeve,
të dashurive,
të dëshirave, të ëndrrave, të trishtimit,
një letër mund ta zvogëlojë sasinë e gëzimit,
sasinë e lumturisë.
Një letër mund ta mat sasinë frymëmarrjes,
oksigjenin në trup, tensionin, pulsin.
Sepse ne jemi të rrethuar përherë me kufij
që duken e zhduken krejt papritur në jetën tonë.
Ne e dimë se n’ta ka kontrolle,
policë e ushtarë të gatshëm me armë në duar që zbatojnë urdhra,
por kurrë s’bëjmë punën e duhur që t’i zëvendësojmë
me lule tërfili,
skulptura të bukura e ëndrra pranverore.

Kufijtë janë barrë dhe njerëzit janë të dënuar të vuajnë
brenda tyre,
prandaj ata e kanë të vështirë t’i rrisin përmasat e zemrës,
të gjuhës,
të shpirtit,
të ëndrrave
dhe të themelojnë mbretërinë e bukur të dashurisë./KultPlus.com